• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRAJTIMI TEORIK I ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SË PAKICAVE KOMBËTARE

June 20, 2023 by s p

NIKË GASHAJ/

Në botën bashkëkohore, që nga Perëndimi deri në Lindje, një numër i madh shkencëtarësh dhe ekspertësh të çështjes së pakicave kombëtare dhe të marrëdhënieve ndëretnike, kritikojnë ashpër konceptin e pastër të shtetit nacional, por gjithashtu dhe konceptin ekskluziv të shtetit qytetar(civil) në shoqëritë multietnike. Per shembull: Alpen Filips, drejtor i Organizatës joqeveritare ndërkombëtare MRG nga Londra, duke folur mbi të drejtat etnike të Evropës Juglindore, ndër të tjera, thekson:” Një problem i përgjithshëm, me të cilin ballafaqohet rajoni i Evropës Juglindore, është koncepti i shtetit nacional, apo i shtetit, në shoqëritë multietnike, i cili ekskluzivisht i takon një grupi etnik. Në raste të shumta kjo çon deri te mohimi, përkatësisht anulimi i pluralizmit etnik dhe trajtimi i pjesëtarëve të pakicave si qytetarë të rendit të dytë. E tërë ajo në rrethana të caktuara ka kaluar dhe kalon në konflikte dhe përleshje me pasoja negative tejet të rënda”.

Dr. Vuçina Vasoviq, profesor i sistemeve politike bashkëkohore, thekson: “Modeli i shtetit nacional në shoqërinë multietnike i acaron marrëshëniet ndërmjet kombit shumicë dhe pakicave kombëtare. Shteti i tillë dhe më tepër nëpërmjet një mobilizim të gjerë nacional, ngushton edhe më shumë hapësirën e veprimtarisë jo vetëm të pakicave të caktuara etnonacionale, por edhe për zhvillimin e shoqërisë civile, si dhe për një bashkëjetesë në paqe dhe liri të grupeve të ndryshme etnonacionale.

Kështu,  ajo mund të jetë shkaku themelor i konflikteve dhe pengesë në zhvillimin e shoqërisë në tërësi. Mu për këtë arsye, shteti nacional në një formë ekskluzive nuk mund të jetë mbrojtës përkatës dhe promotor as i popullit të shumicës etnike”.

Dr. Negjo Miliqeviq, profesor i Fakultetit Juridik  të Sarajevës dhe drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e Pakicave, tregon se shteti nacional në shoqërinë multietnike është formë institucionale e nacionalizmit të shumicës etnike.

Antropologu amerikan, Robert Hajdën, i ka vlerësuar disa dukuri në hapësirën e ish-Jugosllavisë si “nacionalizëm kushtetues”. Fjala është për ato republika të ish-Jugosllavisë së Titos, të cilat me kushtetuta të veta janë të definuara si shtete të popullit shumicë.

Në lidhje me këtë model duhet të themi se, shikuar në tërësi, formimi i shteteve nacionale ka shkuar rrugës së centralizmit dhe absolutizmit. Në këtë mënyrë, ky koncept i ka ngushtuar rreptësisht të drejtat e popullatës për vetëqeverisje lokale dhe njëkosisht të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare.

Në anën tjetër, ithtarët e konceptit të shtetit ekskluzivisht qytetar, që nënkupton mospërfilljen e prejardhjes etnike, të përkatësisë nacionale dhe konfesionale të qytetarëve, por të gjithëve duke iu dhënë të drejtat e liritë e barabarta, në të vërtetë theksojnë konceptin uniformë në të gjitha situatat. Në lidhje me këtë, prof. dr. Zorica Radoviq , shprehet:” Zbatimi uniform i rregullave dhe i statusve, të cilat i nënkupton dhe i paraqet ky parim, rrezikon të çojë deri te mosnjohja dhe mospranimi i njëmendësisë specifike, e cila meriton njohje dhe mbrojtje, përkatësisht ajo çon te diskriminimi i partikularizmit dhe i cilësive veçuese”.

Pikërisht për këtë arsye, pikëpamjet bashkëkohore teorike vënë në dijeni se shteti duhet të marrë një rol aktiv dhe nëpërmjet masave të ndrryshme të krijojë kushte për promovimin e pakicave si kolektivitete, në ato situata në  të cilat të drejtat individuale të pjesëtarëve të pakicave mund të realizohen vetëm përmes emancipimit kolektiv të grupit.

Filozofi hungarez, prof. Dr. Alpar Losoncza, thekson:” Ne qoftë se të drejtat kolektive injorohen ose mohohen në praktikën politike, ekonomike dhe kulturore, atëherë vazhdimisht do të triumfojë parimi i shumicës, i cili automatikisht siguron monopol dhe privilegje për shumicën etnike. Nëse parimi i shumicës zbatohet pa korrektues në raport me pakica kombëtare, atëherë ka të bëjë me funksionimin e pastër dhe ekskluziv të parimeve të shtetit nacional, që i rrezikon pakicat nacionale”.

Në lidhje me konceptin e shtetit qytetar(civil), akademiku i njohur, Vojisllav Stanovçiq, profesor i teorive politike, tërheq vëmendjen se “parimi i pushtetit të shumicës, i cili është themel i idesë së të ashtuquajturit shtet qytetar(civil), nuk mund të zbatohet në shtete shumënacionale, pa krijuar tensione dhe acarim të marrëdhënieve dhe konflikte serioze interetnike. Prandaj, ky parim i shtetit civil(qytetar) duhet patjetër të korrigjohet me zgjidhje kushtetuese, duke u mbështetur në forma të ndryshme të autonomive të grupeve nacionale, si dhe në disa të drejta të tyre kolektive”.

Përndryshe, një problem i madh që e përcjell demokracinë, është ai i cili është shqyrtuar shumë herë, që nga Aristoteli deri te Xhon Stjuart Milli, e ka të bëjë me të ashtuquajturën tirani të shumicës. Franc Nojmani ka vërejtur se zëri i shumicës të keqen nuk mund ta bëjë të mirë, por e keqja, kur përkrahet nga shumica, bëhet vetëm një e keqe edhe më e madhe. Me këtë dua të them se demokracia e shikuar nga prizmi i shumicës etnike nuk mund të sigurojë dhe të mbrojë të drejtat e pakicave kombëtare.

Sipas njohjeve të shkencave politike, mësojmë se është e mundshme të dallohen të paktën katër strategji të përgjithshme të zhvillimit shoqëror: 1) Individuale-liberale; 2) Komunitare-etnonacionale; 3)Komunitare-liberale; 4) Liberale-komunitare.

Disa ekspertë preferojnë se strategjia e fundit, liberalo-komunitare është koncepti më i përshtatshëm dhe më përkatës për shoqëritë pluraliste, heterogjene, multietnike dhe multikulturore, sikurse është Mali i Zi.

Prandaj, jam i mendimit se modeli i sistemit politik, i ashtuquajtur liberal-komunitar, është në të mirë të zgjidhjes demokratike dhe të drejtë të çështjes së shqiptarëve në Mal të Zi, meqenëse sistemi i tillë bazohet dhe mbështetet në filozofinë politike civile të plotësuar me parimet dhe mekanizmat përkatës të artikulimt të lirë të interesave, si dhe të mbrojtjes së të drejtave kolektive të pakicave, çka do të thotë se respekton dhe mundëson realizimin e plotë dhe konsekuent të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Mal të Zi.

Dhe, më në fund, thelbi i zgjidhjes së drejtë të çështjes së pakicave dhe njëherësh të statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, qëndron në atë drejtim dhe pikëpamje, që askush të mos ndiejë presion nga më i madhi dhe më i fuqishmi, por çdo popull, pavarësisht nga madhësia numerike e tij, duhet ta ndiejë veten të barabartë dhe të lirë, sepse, siç do të thoshte Gandi: “Qytetërimi ynë do të gjykohet sipas asaj se çfarë trajtimi u ka bë pakicave”.

( Autori është antar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Diokles)

Filed Under: ESSE Tagged With: Nike Gashaj

Paralajmërimi i Heidegger-it

June 19, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Asnjë filozof nuk ka dhënë një vërejtje më bindëse se Martin Heidegger, se njerëzimi është në luftë për ekzistencë; ajo çfarë ka është një gjë mjaft rrëshqitëse që përfaqëson qindra mijëra vjet improvizime për të mbijetuar.

Si specie, njerëzimi nuk ka arritur aq shumë gjëra gjatë rrjedhës së ekzistencës brenda biosferës së këtij planeti; përkundrazi i është përgjigjur një kërkese apo një tjetre sipas nevojave të tij gjatë shekujve; njeriu ka krijuar pa dashje atë që përbën një habitat – një koshere – ashtu si bletët i bëjnë kosheret e tyre shumë më të prekshme dhe më të dukshme.

Ky ekzoskeleton njerëzor i lidhur në rrjet shtrihet vazhdimisht, ndonjëherë përtej kapacitetit, për të akomoduar diversitetin dhe kompleksitetin e pafund që mbizotëron në këtë planet. Ndonjëherë kjo shtrirje arrin përmasa absurde.

Dy koncepte të tjera Heideggeriane janë të dobishme; fshehja dhe zbulimi (loja ku-ke-me u-fsheh)

Ajo që njerëzimi provon, në thelb, funksionon si kulmi i përpjekjeve për të mbijetuar. Megjithatë, fakti i thjeshtë se ky është kulmi i improvizimit, tregon se sa shumë janë zbuluar ose janë fshehur gjatë shekujve. Njerëzimi nuk e ndërtoi “kosheren” mbi bazën e një plani, por më tepër në përgjigje të nevojave; dhe gjatë gjithë improvizimit, faktet zbulohen dhe fshihen në mënyrë alternative. Gjetja fajtor ose jo, varet nga zotësia e avokatit, rryshfeti, dhe mëshira e gjykatësit.

Në një kuptim shumë të vërtetë, njeriu nuk është në gjendje të përfitojë nga të gjitha improvizimet – sepse përballet me më shumë nevoja që kërkojnë gjithnjë e më shumë improvizime, dhe narrativa shtrohet në formën e dogmave dhe ideologjive që venë në shenjë njeriun.

Në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, njerëzimi ka shënuar kapërcime gjigante në teknologjinë e informacionit, gjë që ka çuar në një kryqëzim teknologjik – disa paralajmërojnë se mund të jetë më i rrezikshmi në histori. Shumë e shohin atë si mjetin me të cilin njerëzimi, më në fund, do të jetë në gjendje të dalë nga ciklet e pafundme të lojës së zbulimit dhe fshehjes – për të jetuar mes botës së pamasë të informacionit.

Të tjerë, megjithatë, shprehin frikën se çdo gjë me këtë nivel fuqie mund të nxisë nivele më të larta plogështie që çojnë me kalimin e kohës në diçka që i ngjan robërisë njerëzore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

DESHIRA E FUNDIT E NAUM PRIFTIT

June 17, 2023 by s p

Në bisedimet e fundit folëm me babanë për një udhëtim në Atdhe këtë verë pasi ishin hequr kufizimet nga Covid 19. Donim të vizitonim së bashku vendet për të cilat ai kishte shkruar në kujtimet dhe mbresat e tij të shumta. Babai vuri buzën në gaz dhe na tha se tani ishte “i moshuar” (nuk e donte fjalën plak) dhe se kishte ardhur koha për të bërë një udhëtim vetëm. Atëhere e kuptuam ku e kishte fjalën. Meqenëse babai nuk na i prishte kurrë dëshirat, ai u mendua pak dhe tha:

-Ne mund të udhëtojmë së bashku por me një ndryshim të vogël. Unë me Rinën e vura në vend amanetin e vëllait tim Peter Prifti për t’ia çuar hirin në Shqipëri. Ju mund ta merrni një pjesë të hirit tim atje dhe në çdo vend që të shkoni, ne do të udhëtojmë bashkë. Pjesën tjetër do ta lini këtu, se dua të jem përgjithmonë në Cypress Hill pranë Erit, nipit të dashur.

Familja Prifti ka ndjekur porosinë e tij dhe në përputhje me dëshirat e shprehura do të kryejë edhe plotësimin e mëtejshëm të tyre. Në këtë kohë familjarët e çmojnë mirëkuptimin e miqve dhe dashamirëve për t’i lejuar kohë të mbajnë zi për kryefamiljarin e dashur. Për kohën dhe vendin e ceremonisë përkujtimore do të ketë njoftim në media.

Filed Under: ESSE Tagged With: Naum Prifti

SORKADHJA, ZJARRI I MIQVE DHE POEZIA…

June 16, 2023 by s p

– Uau, paska ardhur Sorkadhja, – thirri e mrekulluar Eda ime, – shiko, shiko nga dritarja…

Vërtet si e dalë nga ëndrrat, një sorkadhe e bukur, elegante, buzë pyllit, pikërisht të tabela që kishim marrë nga Kisha jonë, “Hope is alive”, kishte qendruar aty dhe shikonte për këtej. Ajo ishte, e atëhershmja? E mbante mend muajin e Edës dhe donte ta takonte?…

Dolën të tjerë nga pallati për te makinat e tyre, e shikonin me adhurim sorkadhen dhe ajo u largua duke kthyer kryet nga pas, sikur po shkonte sërish tek ëndrra. Si një flakë e gjallë, m’u duk…

– …që ma ngrohu shpirtin, – me tha Eda ndërkaq…

Mbërritën miqtë tanë, Milto me Vjollcën, e kishim lënë të shkonim në një tjetër vizitë në një tjetër pyll afër, atë të gratacieleve në Downtown, ku miq të tjerë, Ernesti me Imeldën, na prisnin sërish në apartamentin e tyre të bukur në një kat të 30-të. Më pas u ngjitëm bashkarisht ende mē lart, në njërën nga taracat për të vazhduar bisedat e për të pirë kafetë. Dhe ndezën zjarrin në vatrën e mermertë para nesh. Flakët vallëzonin në ngjyrën e sorkadhes. Dhe m’u shfaq ajo, zjarr i gjallë, mikesha e Edës, sorkadhja… me tabelën mbi kurrizin e saj “Hope is alive”… ku po e çonte?

Unë kisha bllokun e vogël në xhep, mezi ç’prisja rastin të shkruaja poezinë…

SORKADHJA E DITËS

Po shikonte nga dritarja

Ime shoqe

dhe drita e mëngjesit

befas u bë sorkadhe.

Njerëzit që na duan

dhe s’janë këtu,

u bënë pemë.

Përmes pemëve ecte sorkadhja,

përmes pemëve,

se ç’donte të na thoshte.

Nëpër gjethe

shkruajnë sytë e sorkadhes

si sytë e sime shoqeje

të njëjtin merak të blertë…

Dhe e druajtur

u afrohet duarve që beson,

sorkadhja – mbi psherëtimat

e njoma të barit,

me shpresë hyjnore mbi shpinë.

Uria ime prej sorkadheje

mori një copëz buke dashurie.

Krahët e sime shoqeje

menjëherë u bënë rrugë, –

njëra për mua

dhe tjetra për sorkadhen në ëndërr.

Po ku shkoi ajo? Si u fut ashtu

në trupin e sime shoqeje,

sorkadhja?

Dhe mëngjezi – mantel

me yje të mbetur nga dashuritë

fërgëllon mbi supet prej gruaje

të jetës.

Kjo ditë imja kështu –

gjysmë grua dhe gjysmë sorkadhe…

Visar Zhiti

Filed Under: ESSE Tagged With: Visar Zhiti

Legjenda e ndarjes së botës

June 16, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Peleg “ndarje” përmendet në Biblën Hebraike si një nga dy djemtë e Eberit, paraardhës i izraelitëve. Djali i Pelegut ishte Reu, i lindur kur Pelegu ishte tridhjetë vjeç dhe pati djem e vajza të tjerë. Pelegu jetoi 239 vjeç. Sipas Septuagintës, Phaleg jetoi deri në 339 vjet.

Peleg është një mbiemër i zakonshëm në Izrael, duke qenë gjithashtu shkronja rrënjësore për lundrimin. Kuptimi i Pelegit në anglisht është “përrua”, lumë i vogël. Në shqip “pellg”.

“Dhe Toka u nda” gjatë kohës së Pelegut. Kuptimi i ndarjes së tokës zakonisht merret për t’iu referuar një ndarjeje patriarkale të botës, ose ndoshta vetëm hemisferës lindore, në pjesë të caktuara midis tre bijve të Noeut për pushtimin e ardhshëm, siç përshkruhet në mënyrë specifike në Librin e Jubileeve, Flavius ​​Josephus dhe shumë burime të tjera antikuare dhe mesjetare, madje aq vonë sa Kryepeshkopi Ussher, në Annals of the World, Konflikti i Adamit dhe Evës me Satanin, thotë se “Në ditët e Phalekut (Peleg), toka u nda për herë të dytë midis tre bijve të Noeut; Semit, Kamit dhe Jafetit – ishte ndarë një herë. më parë në mesin e tre djemve nga vetë Noeu.

Disa e interpretojnë këtë për t’iu referuar kontinentit të Pangeas të ndarë në kontinente moderne. Kjo shpesh supozohet të jetë pak para, gjatë ose pas dështimit të Kullës së Babelit të Nimrodit.

Është e çuditshme që shpërndarja e fiseve në Babel lidhet me emrin e Nimrodit (stërgjyshi i Pelegut), i cili figuron në traditën biblike dhe atë babilonase si një gjahtar i fuqishëm. Epiphanius thotë se që nga themelimi i këtij qyteti të Babilonisë filloi një skenë e menjëhershme e komplotit, rebelimit dhe tiranisë, e cila u krye nga Nimrodi, biri i Kush Ethiopit. Rreth kësaj figure të zbehtë legjendare është ndezur një polemikë e madhe. Në Librin e Zanafillës, përmendet: “Ashtu si Nimrodi, gjahtari i fuqishëm përpara Zotit”. Ai ishte gjithashtu sundimtar: “Fillimi i mbretërisë së tij ishte Babeli, Ereku, Akadi dhe Kalnehu në vendin e Shinarit. Nga ai vend doli Asuri dhe ndërtoi Ninevinë dhe qytete të tjera të mëdha. Në Shkrime, Nimrodi përmendet si pasardhës i Kamit, por kjo mund të lindë nga leximi i emrit të babait të tij si Kush, i cili në Shkrime tregohet si krijuesi i një racë me ngjyrë. Emri mund të jetë Cash dhe duhet të lidhet me Cassites. Më pas duket se bijtë e Kushit ose Çusit -Kasitët -, nuk morën pjesë në ndarjen e racës njerëzore pas rënies së Babelit, por nën udhëheqjen e vetë Nimrodit mbetën aty ku ishte, ndërtoi Babiloninë dhe fortifikoi territorin rreth saj. Thuhet gjithashtu se ndërtoi edhe Ninevinë dhe shkeli tokën e Ashurit, kështu që më në fund e detyroi Ashurin ta linte atë territor. Grekët i dhanë emrin Nebrod ose Nebros dhe ruajtën ose shpikën shumë tregime në lidhje me kullën që ai supozohet të ketë ngritur. Ai përshkruhet si një person gjigant me sjellje të fuqishme dhe përçmues i çdo gjëje hyjnore; ndjekësit e tij përfaqësohen si po aq mendjemëdhenj dhe autorizues. Në fakt ai duket se grekëve u është dukur si një prej Titanëve të tyre. Nimrodi është identifikuar si me Merodakun, perëndinë e Babilonisë, dhe me Gilgameshin, heroin e eposit me këtë emër, me Orionin dhe me të tjerë. Emri, madje është gjetur në dokumentet egjiptiane të dinastisë XXII si ‘Nemar’.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 114
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT