• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde

December 15, 2025 by s p

Hysen Sinani/

Vëllimi me tregime “Dënesje në dru”, e plotëson siç duhet fizionominë e njërit prej tregimtarëve tanë më të mirë, siç është Lazër Stani, duke i dhënë lexuesit krijime të tilla që rrallë i gjen sot në morinë e botimeve “për llogari të autorit”. Ky vëllim vlen edhe si një model për ata letrarë të rinj që dëshirojnë të dalin nga tradita jonë e rrëfimit, me dëshirën për t’u çliruar nga disa korniza të konceptimit letrar, të cilat i pengojnë në shprehjen e tyre moderne.

Midis katër a pesë vëllimeve me tregime të botuara nga Lazër Stani, ky i fundit, i titulluar “Dënesje në dru”, vjen dhe ia plotëson portretin këtij autori tashmë të njohur. Është po ai, me një rrëfim të rrjedhshëm që duket sikur ka për qëllim kryesor shtangien e lexuesit, duke i krijuar në fund një ndjenjë zbrazëtie shpirtërore. Është po ai që, nga tërësia e subjektit (kur e ka një të tillë, sepse nuk i intereson shumë), lejon të përftohet nga lexuesi ndonjë mendim mbi irracionalitetin e botës njerëzore, duke e bërë atë të buzëqeshë lehtë dhe të mendojë diçka për atë që sapo ka lexuar. Pra, është po ai Lazër Stani, për të cilin kritika letrare nuk është kursyer të japë vlerësimet e saj të mira, por këtë radhë më i thellë dhe më i guximshëm në ato që dëshiron t’i thotë vetes së tij dhe lexuesit. E them këtë, sepse e veçanta e parë që të bie në sy te ky vëllim me tregime, është procedura krijuese që autori ka ndjekur.

Nuk ngjan me ndonjë tregimtar tjetër dhe të krijon përshtypjen e lehtësisë për të kuptuar se si ka proceduar në mënyrë krejt të rastësishme në krijimin e këtyre historive të rrëfyera prej tij. Të duket sikur diku është kujtuar për një episod nga fëmijëria e tij dhe, duke u habitur vetë më parë për kuptimin e ri që ka marrë ky episod, nis dhe e tregon jo më ashtu siç mund të ketë qenë në të vërtetë, por ashtu siç e shikon ai sot. Po këtë thelb të irracionalitetit të jetës, e kërkon edhe në ato tregime që mund të mos kenë të bëjnë fare me një histori të jetuar apo të treguar, por që janë pjellë e trillimit të mirëfilltë të fantazisë. Kështu, Lazër Stani, vetvetiu, arrin në atë qerthur të kozmosit të tij letrar, i cili, mund të thuhet pa ndonjë ngurrim, e vendos atë në pozicionin e parë të tregimtarit absurd shqiptar.

Le të shohim shkurtimisht, pa hyrë në analiza letrare, çfarë i sjell lexuesit shqiptar ky libër jo aq tërheqës në paraqitjen e jashtme. “Shtrati i dytë i lumit” titullohet tregimi i parë i vëllimit dhe nuk bën fjalë për kurrëfarë shtrat lumi, por për një burrë të ri nga qyteti, të cilit e ëma i thotë se në fshatin ku ai ka lindur, ka vdekur njeriu që e donte atë aq shumë kur ishte kalama. Kujtohet heroi ynë për të shkuarën e tij të largët dhe merr rrugën e gjatë për të vajtur në varrimin e njeriut që e donte dhe e vlerësonte kur ai ishte fëmijë. Kujtimet e burrit të sotëm janë kureshtare për fshatin e dikurshëm dhe ngjajnë si të seleksionuara dhe të përpunuara nga kujtesa. Vetë fundi i tregimit, ku heroit tonë i thonë atje në fshat se njeriu për të cilin ai ka ardhur, është varrosur që prej shtatë vjetësh, të bën t’i vesh në dyshim edhe kujtime e rrëfyesit për fshatin e tij…

Kështu, në një përplasje pa kurrëfarë djallëzie midis jetës reale dhe superjetës të cilës intelektuali përpiqet t’i japë një tjetër dimension, janë konceptuar dhe realizuar tregimet më të mira të këtij vëllimi.

Edhe në tregimin “Lulet e Arianës”, ku përshkruhet jeta e disa shkrimtarëve europianë në një shtëpi shkrimtarësh, vëzhgimi i rrëfyesit përqëndrohet në absurditetin e sjelljeve thuajse banale të njerëzve të shquar, ku heroina mbetet me një tufë lulesh në dorë, të cilat nuk di kujt t’ia japë. Edhe në tregimin “Dënesje në dru”, absurditeti i fenomeneve paranormale që e rrethojnë njeriun është i paperceptueshëm dhe i pakuptueshëm prej tij. Ndërsa te tregimi “Një vonesë bagazhesh”, valixhja e vonuar në aeroport zbulon absurditetin e një takimi, për të cilin heroi ka bërë kilometra të tëra, por që në fund i realizohet si iluzioni i diçkaje që nuk është. Tridhjetë vjet hapësirë kohore përshkon absurditeti i një ndjenje shpirtërore te “Përgjigjmu nesër”. Matildës i duket se fataliteti i jetës e ka bërë të humbasë diçka të pakorrigjueshme dhe pikërisht pas tridhjetë vjetësh vendos ta japë përgjigjen e kërkuar për të nesërmen, gjë që me siguri do t’i japë fund iluzionit të saj për dashurinë e Levikut. Kërkimi dhe gjetja e elementit të absurdes, nuk ka lënë jashtë as tregimin më me atmosferë “Gruaja me të zeza”.

Këtu kemi të bëjmë me përshkrimin e bukur të një nostalgjie fshati, jo të vetë fshatit që, edhe po të ketë ekzistuar, me siguri që do të ketë qenë shumë më pak tërheqës se ç’përshkruhet në tregim. Këtu, absurditeti i veshjes së një gruaje të moshuar me të zeza, vetëm pse ka vdekur një burrë i fshatit, merr kuptim, sepse ky burrë fshati, sipas fjalëve të gruas, “nuk la shoq mbi këtë dhé.” Sensi i absurditetit të luftës nuk i ka shpëtuar as një tregimi tematik si “Djaloshi dhe lufta”, për të cilin autori duhej të bënte kujdes që ai të mos tingëllonte si pacifist. Por kulti i jetës e bën të kuptueshme këtë gjendje dhe e lejon të kalojë pa sforcim. Tregimi tek i cili kërkimi i sensit të absurdes është bërë deri në përmasat ekzistencialiste “më shohin, pra jam”, si “Në hijen e vdekjes”, flet për një vendosje të mirë të autorit në terrenin e tij krijues. Vëllimi përmban edhe dy tregime të tjera, që janë titulluar “Vila e gjarpërinjve”, e cila përshkruan një makth, një haluçinacion midis të vërtetës dhe metaforës së kësaj të vërtete në formën e një gjarpëri të frikshëm, dhe “Darka e fundit”, një rrëfim për të shkuarën që mund të jetë po kaq i vërtetë edhe për të ardhshmen.

Dhjetë tregime, me nga dhjetë-dymbëdhjetë faqe secili, janë përfshirë në këtë vëllim thuajse të vogël, por të mjaftueshëm për të gjykuar mbi atë që sjell si të veçantë ky botim në prozën tonë të shkurtër.

Para së gjithash, hapësira ku lëvizin personazhet është e pakufizuar dhe shpesh e vështirë për t’u përcaktuar si vend. Kjo nuk është shpërfillje e një elementi të rrëfimit, por një shmangie e qëllimshme për të kaluar më lehtë dhe më shpejt në gjendje të ndryshme psikologjike, shpesh me karakter universal. Edhe kur përmendet ndonjë qytet i madh, si Roma bie fjala, ose kur emërtohet një fshat, tregimtari i zhdërvjelltë nuk humbet në përshkrimin e tyre, madje as për disa detaje karakterizuese. Mungesa e përshkrimit të tepruar të ambientit në përgjithësi, i jep atij mundësinë e një ekonomie të mirë të fjalës, karakteristikë e prozës moderne më mjeshtërore.

Të njëjtin konstatim mund të bëjmë edhe mbi përdorimin e kohës si një përbërës teknik me efekte të caktuara. As ky element nuk e ka vëmendjen e autorit, madje duket sikur e bezdis edhe atëherë kur e ka të nevojshëm një orientim kohor. I vetmi tregim ku gjejmë një datë, 31 janar 1950, është ai me titull “Darka e fundit”, ku përcaktimi në kohë është bërë më tepër si për një trill, se sa për të tipizuar kohën kur ka ndodhur ngjarja.

As për subjektin nuk duket ndonjë përkujdesje e madhe, duke e ngjeshur dhe përqëndruar atë në mënyrë të tillë që të mbetet në mendjen e lexuesit. Autorit të kësaj përmbledhjeje i intereson mbi të gjitha ajo që ndiejnë personazhet e tij dhe ajo që vetë ata mendojnë për gjendjet e tyre shpirtërore. Në këtë terren psikomeditativ, Lazër Stani ka aftësinë të zhvendoset lehtësisht nga njëra situatë në tjetrën, duke i krijuar lexuesit mjaft befasi.

Është e kuptueshme që pa kujdesin ndaj këtyre elementeve të prozës që përmendëm, as portretizimi i personazheve nuk do të kishte ndonjë vend klasik në këto tregime dhe, për pasojë, s’do të kishte as personazhe që të të mbeteshin në mendje. Por personazhe që të mbeten në mendje ka, sepse ata janë përshkruar nga brenda, pa nevojën e ngjitjes në portret të syve të kaltër apo të musteqeve të verdha, karakteristikë kjo e prozës sonë më arkaike dhe mediokre.

Në përfundim të këtij recensioni të shkurtër, mund të them edhe një herë se vëllimi me tregime “Dënesje në dru”, e plotëson siç duhet fizionominë e njërit prej tregimtarëve tanë më të mirë, siç është Lazër Stani, duke i dhënë lexuesit krijime të tilla që rrallë i gjen sot në morinë e botimeve “për llogari të autorit”. Ky vëllim vlen edhe si një model për ata letrarë të rinj që dëshirojnë të dalin nga tradita jonë e rrëfimit, me dëshirën për t’u çliruar nga disa korniza të konceptimit letrar, të cilat i pengojnë në shprehjen e tyre moderne.

Filed Under: ESSE Tagged With: lazer Stani

Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë

December 13, 2025 by s p

Ph.D. Dashnim Hebibi/

Diaspora shqiptare, prej dekadash forca më e qëndrueshme dhe më e sinqertë e kombit, vazhdon të mbetet në periferi të vëmendjes së institucioneve tona shtetërore. Në fushata zgjedhore, në podiume e debate, politika shpesh e mbush gojën me fraza patriotike, vargje të “forta” dhe premtime të larta morale. Por poezia e fjalëve nuk e zëvendëson dot domosdoshmërinë e veprimit konkret. Patriotizmi nuk matet me deklarime, por me politika, me strategji dhe me angazhim të vazhdueshëm.

Sot, ndërsa gjenerata e katërt e diasporës tashmë ka ardhur në jetë dhe po rritet duke folur shqip, duke kënduar për flamurin, gjuhën dhe dëshmorët, ne nuk kemi të drejtë t’i lëmë këto breza vetëm në përkushtimin e prindërve të tyre. Ata meritojnë mbështetje reale, institucionale, të organizuar – jo fjalë të prodhuara nga llafazanët e kohës. Nevojitet një riorganizim i thellë dhe i qëndrueshëm i diasporës shqiptare, sepse sot kemi dy shtete shqiptare, dy qendra politike, por vetëm një komb dhe një të ardhme. Këto dy shtete duhet të veprojnë me vetëdije historike e vizion strategjik, duke e parë diasporën si pjesë organike të zhvillimit kombëtar, si investim afatgjatë në identitet, kulturë, ekonomi dhe diplomaci.

E ardhmja e gjeneratave të reja në diasporë nuk mund të lihet në dorë të rastësisë. Integrimi i tyre në shoqëritë ku jetojnë nuk shihet si pengesë për lidhjen me rrënjët, por urë që i pasuron ata dhe kombin. Për këtë duhet politika të mençura, të bashkërenduara, që e kuptojnë se forca e një kombi matet edhe nga mënyra se si i ruan dhe i kultivon fëmijët e vet kudo në botë.

Mundemi, dhe do t’ia dalim. Por vetëm bashkë – sepse bashkimi nuk është slogan, por një projekt filozofik dhe një nevojë historike.

Jepni hapësirë meritokracisë! Deri kur do të shiten postet?

Pse duhet të vrapojmë pas trumbetuesve?

Le ta shohim të ardhmen e kombit tek rinia dhe ta falënderojmë, në këtë rast Zvicrën dhe popullin e saj, për mbështetjen e pastër që na kanë dhënë. Ndërkohë që ne po ndahemi e përçahemi, sikur po na hyn përçarja si kancer. Pse po e lejojmë këtë?

Diaspora është ambasadori më i ndershëm dhe më i palodhur i kombit tonë.

Zoti e bekoftë diasporën shqiptare – zemrën që rreh larg, por gjithmonë për Shqipërinë dhe tokat e saj gjithandej.

Diaspora shqiptare nuk është vetëm një aset moral, por një kapital kombëtar që meriton strategji, investim dhe respekt institucional. Nëse duam një të ardhme më të bashkuar, më të zhvilluar dhe më të drejtë për brezat që rriten në çdo cep të botës, atëherë duhet ta shohim diasporën jo si mjet elektoral, por si partner të pandashëm në projektin historik të forcimit të kombit.

Vetëm përmes meritokracisë, bashkërendimit dhe vizionit afatgjatë mund të ndërtojmë një urë të qëndrueshme mes rrënjëve dhe botës moderne ku jetojnë shqiptarët. E ardhmja është e mundshme – por vetëm nëse veprojmë së bashku.

Filed Under: ESSE

“TOKA JONË: FILMI, ARKIVA, HISTORIA”

December 12, 2025 by s p

Paulin Zefi/

“Kulakët në Shqipërinë Komuniste (1945-1990): Rasti i Familjes Syku dhe mekanizmat e persekutimit shtetëror.”

Kategoria e ashtuquajtur “Kulak” përbën një element themelor në analizën e historisë politike, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë gjatë periudhës komuniste 1945–1990. E huazuar nga sistemi sovjetik, “ГУЛАГ (GULAG)”, i idhullit të Enver Hoxhës, Josif Visarionoviç Stalin, dhe e aplikuar në kontekstin shqiptar si pjesë e doktrinës së “luftës së klasave”, kjo kategori u përdor jo vetëm për të përcaktuar fshatarët më të pasur, por më shumë si një instrument i posaçëm politik për neutralizimin e shtresave të konsideruara potencialisht kundërvënëse ndaj pushtetit të Partisë Komuniste ose Partisë së Punës. Për këtë arsye, koncepti i kulakut në Shqipëri duhet parë jo si një kategori reale sociale dhe ekonomike, por si një “prodhim politik” që u përdor në mënyrë sistematike për të justifikuar transformimin radikal të strukturës shoqërore rurale dhe për të konsoliduar kontrollin e pushtetit mbi fshatin. Në nivel doktrinar, përkufizimi i kulakut u importua nga marksizëm-leninizmi sovjetik, i cili i trajtonte fshatarët e pasur si mbështetës të ekonomisë së tregut dhe, rrjedhimisht, si pengesë për kolektivizimin e bujqësisë. Megjithatë, realiteti shqiptar ishte shumë ndryshe në raport me atë të B.R.S.S. (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike).

Vendi jonë nuk kishte një shtresë aq të pasur fshatare dhe të kristalizuar, të krahasueshme me atë ruse, për shkak të fragmentimit të pronësisë, nivelit të ulët të mekanizimit dhe të varfërisë së përgjithshme. Në këtë kuptim, shpallja e familjeve si kulake nuk bazohej në tregues objektivë ekonomikë, por kryesisht në kritere që përcaktoheshin sipas konjukturës politike, interesave meskine të strukturave të partisë, raportimeve të Sigurimit të Shtetit dhe shpeshherë konflikteve apo rivaliteteve lokale. Kjo u bë dukshëm e qartë në periudhën 1945–1956, kur procesi i identifikimit të “elementit të pasur” lidhej drejtpërdrejt me zbatimin e Reformës Agrare të vitit 1946 dhe me synimin e pushtetit për të shkatërruar çdo autonomi ekonomike në fshat. Familjet që zotëronin pak më shumë tokë, tufa të mëdha me bagëti, disa kafshë pune, një mulli, një dyqan, apo që kishin punësuar punëtorë sezonalë, shpalleshin automatikisht kulake, ndërkohë që etiketimi zgjerohej edhe për familje me traditë influence lokale, lidhje me diasporën, me tregun, apo me ish-elitën parakomuniste. Për kulakët u vendosën taksa të jashtëzakonshme, kuota të papërballueshme, dënime ekonomike dhe procedime penale që synonin jo vetëm varfërimin e tyre, por edhe izolimin e plotë politik.

Në shumë raste, dënimi shoqërohej me internim ose burgim të menjëhershëm, konfiskime të pasurisë dhe humbje totale të së drejtës së lëvizjes. Me fillimin e kolektivizimit të bujqësisë në fundin e viteve 1950 dhe sidomos pas vitit 1960, kategoria e kulakut u zgjat, u politizua edhe më tepër dhe u integrua në strukturën ideologjike të shtetit si kategori e pandryshueshme e “armikut të klasës”. Pjesëtarët e kësaj kategorie fajësoheshin si shkaktarët kryesorë të prapambetjes dhe varfërisë së vendit, duke u paraqitur nga propaganda zyrtare si njerëz të ligj, shfrytëzues të popullit, frenues të zhvillimit ekonomik dhe pengesë për ndërtimin e shoqërisë së re socialiste. Familjet e shpallura kulake përjashtoheshin nga kooperativat bujqësore ose pranoheshin vetëm në rolin e punëtorëve më të rëndomtë, me normativë të ulët dhe me trajtim diskriminues. Fëmijët e këtyre familjeve ndëshkoheshin në mënyrë sistematike në aksesin në arsim, në mundësinë e punësimit, në ushtri dhe në çdo formë ngjitjeje sociale, ndërkohë që biografia e tyre shoqërore mbahej nën survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit.

Faza më e ashpër e luftës së klasave kundër kulakëve u shënua pas vitit 1967, kur Shqipëria ndërmori një version të vetin të Revolucionit Kulturor të kopjuar nga Kina, i cili e ngarkoi hapur fshatin me detyrën ideologjike të “spastrimit nga elementët armiqësorë”. Në këtë periudhë u ngritën në fshat komisione të posaçme, që rishikonin biografitë dhe e shtonin listën e kulakëve çdo vit, ndërkohë që çdo shenjë pavarësie ekonomike, kundërshtimi, apo thjesht mosbindjeje ndaj autoriteteve lokale mjaftonte për të rivendosur etiketime. Në disa zona, kulakët u përdorën si objektiv i demonstrimeve politike gjatë mbledhjeve publike, ku emrat e tyre shpalleshin si shembuj “armiqësorë” dhe demonizoheshin, duke prodhuar jo vetëm frikë, por edhe stigmatizim të thellë shoqëror. Edhe pas vitit 1978 (prishja me Kinën), kur modeli autarkik socialist (vetë-mjaftueshmëria ekonomike) u shtrëngua edhe më tepër dhe kur roli ekonomik i kulakëve ishte zhdukur thuajse plotësisht, stigmatizimi politik mbeti ende shumë aktiv. Biografia kulake u ruajt si kategori ndëshkuese dhe përcaktonte në mënyrë vendimtare fatin social të individëve, duke u reflektuar në qindra raste të pamundësisë për të studiuar, për të punuar në profesione të konsideruara “delikate”, për të marrë banesë, apo edhe për të lidhur martesa me familje të konsideruara “me përbërje të mirë” ose “me biografi të mirë.”

Në disa raste, familjet e stigmatizuara mbetën në internim deri në fund të viteve 1980. Rasti i Familjes Syku dhe mekanizmat e persekutimit shtetëror ndaj saj përfaqësojnë një shembull shumë domethënës të mënyrës se si aparati komunist i pas Luftës së Dytë Botërore ushtronte dhunë të strukturuar mbi familjet me prona të mëdha, me autoritet lokal dhe me traditë të fortë shoqërore. Persekutimi ndaj kësaj familjeje malësore të Bregut të Matës, nisi që në fazat e para të zbatimit të Reformës Agrare të vitit 1946, e cila në thelb synonte shpronësimin e shtresave të larta rurale dhe shkatërrimin e strukturës së vjetër të pronësisë. Duke qenë ndër pronarët më të mëdhenj të rajonit, anëtarët e familjes Syku u kategorizuan automatikisht si “kulakë”, një etiketim me natyrë ideologjike, ekonomikisht shkatërruese dhe penalisht ndëshkuese. Brenda një kohe shumë të shkurtër, Gjon Nik Sykut iu konfiskuan 550 ha tokë, ndërsa Dod Preç Sykut 500 ha, shifra që dëshmojnë përmasat e shpronësimit të ndërmarrë nga regjimi komunist si instrument për t’i hequr kësaj familjeje çdo bazë ekonomike, sociale dhe morale.

Kundër Dod Preç Sykut u ushtrua një presion edhe më i ashpër. Shtëpia e tij në Lezhë u sekuestrua dhe u adaptua nga shteti si godinë për Degën Ushtarake, ndërsa ai vetë u arrestua dhe u dënua pa të drejtë mbrojtjeje. Akti i shpronësimit u shoqërua me një formë të pashembullt dhune psikologjike dhe fizike. Dod Preç Syku u dënua dhe u burgos së bashku me familjen e tij, përfshirë edhe fëmijët. Ata u mbajtën të izoluar për gjashtë muaj rresht brenda një ambienti të shtëpisë së tyre, të kthyer tashmë në burg, duke iu mohuar atyre lirinë elementare dhe duke i ekspozuar ndaj një traume më të thellë e afatgjatë. Emigrimi i Anton Sykut në vitin 1950, i cili kaloi kufirin, duke u arratisur në Jugosllavi dhe më pas u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u interpretua nga autoritetet komuniste si akt shumë i rëndë armiqësor, duke prodhuar një valë të dytë represioni kundër familjes. Në vitin 1951 u arrestua Prelë Syku, i cili u dënua me një periudhë të gjatë burgimi, duke u bërë anëtari që përjetoi më rëndë pasojat e politikës ndëshkuese të regjimit.

Nga një vlerësim i përgjithshëm del se nga rreth 70 anëtarë të familjes Syku, 20 prej tyre janë dënuar me burgime të ndryshme. 10 kanë vuajtur dënime nga 7 deri në 30 vjet, siç është rasti i Prelë Sykut, i cili në fillim u dënua 10 vjet, u lirua dhe më pas u dënua sërish, por kësaj rradhe me plot 20 vjet. Ndërsa në total familja Syku ka kaluar mbi 100 vite dënime nëpër burgjet e tmerrshme të regjimit komunist. Përveç ndëshkimit fizik dhe ekonomik, regjimi aplikoi edhe forma të persekutimit social e kulturor. Asnjë prej anëtarëve të familjes nuk u lejua të vijonte shkollimin përtej arsimit të detyrueshëm, duke u privuar kështu mundësinë për të aksesuar arsim të mesëm e të lartë, dhe rrjedhimisht, duke i përjashtuar nga çdo mundësi integrimi profesional dhe emancipimi intelektual. Ky trajtim i familjes Syku ilustron funksionimin e një sistemi të tërë represiv, i cili ndërthuri instrumente të ndryshme: shpronësim, ndëshkim penal, izolim shoqëror dhe kufizim arsimor, me synimin për të shkatërruar shtresat tradicionale të shoqërisë shqiptare dhe çdo strukturë alternative të autoritetit jashtë kontrollit të Partisë së Punës.

Në Shqipërinë komuniste, rreth 7.000-8.000 familje, që përfaqësonin 20.000-25.000 individë, u kategorizuan si “kulakë” dhe u etiketuan si “armiq të klasës”, sipas të dhënave të evidentuara në dokumentet zyrtare, përfshirë kartotekat e sigurimit, regjistrimet e komiteteve të partisë dhe zyrat e bujqësisë. Pasojat e politikave ndaj kulakëve lanë gjurmë të thella në strukturën shoqërore dhe psikologjinë kolektive të fshatit shqiptar. Shkatërrimi i pronës private dhe eliminimi i shtresës tradicionale të fshatarëve të aftë dhe sipërmarrës dobësoi zhvillimin e bujqësisë dhe pengoi krijimin e një ekonomie rurale të qëndrueshme. Nga ana tjetër, stigmatizimi shumëvjeçar shkaktoi trauma të mëdha sociale, armiqësi ndërfamiljare, mbyllje komunitare dhe një kulturë të frikës që e shoqëroi shoqërinë deri në rënien e regjimit komunist. Në përfundim, figura e kulakut në Shqipërinë komuniste nuk përfaqëson një shtresë reale ekonomike, por një kategori të prodhuar politikisht, e cila u përdor si mekanizëm i kontrollit social dhe si mjet i eliminimit të pluralizmit ekonomik dhe shoqëror në fshat. Studimi i saj mbetet thelbësor për të kuptuar natyrën e vërtetë të totalitarizmit shqiptar, dinamikat e luftës së klasave dhe mënyrën se si politika e bazuar në ideologjinë marksiste-leniniste ndërhyri në mënyrë të dhunshme në strukturën tradicionale të shoqërisë shqiptare, duke e shpërfytyruar thellësisht jetën e saj kolektive.

Filed Under: ESSE

Shqipëria e çudisë letrare…

December 11, 2025 by s p

Behar Gjoka/

Ka edhe një Shqipëria letrare, ku ngjizen andrrat dhe zhgjëndrrat, mjeshtria dhe mllefi, një Shqipëri egërshane dhe lozonjare…Një Shqipëri ku duket sikur ka vetëm shkrimtarë, sikur janë mbaruar lexuesit. Ku ka më bukur se një vend me shkrimtarë! A janë shkrimtar apo mbahen si të tillë? Një dilemë hamletiane, që nuk ka fjalë për të dhënë përgjigjen e duhur…

Jemi në klimën e piedestaleve…Po ngrihen piedestalet, madje janë porositur buste dhe shtatore…Shaka pa kripë, do thotë dikush… E vërteta është më e madhe se unë, se ti, se të gjithë ne. Pas ikjes në amshim të Kadaresë, ka një garë, pa tender, në fillim më e heshtur, tani edhe më uluritëse…Kush do jetë i pari…Shqipëria ka halle të tjera, ama gara për garuesit është jetike, e vlen të hysh, ndonëse duhet të jesh pajosur me shpata dhe helmeta, me thika dhe pisqiolla të kohës, për të sharë sa më shumë, në FB, në portale, në telebingo. Sharësi më i madh ka gjasa të jetë në shtegun e duhur për te merita për ta vënë bustin a shtatoren në piedestal…

Beteja është hapur…Shkruan diçka për të rinjtë, zemërohen të vjetrit…Thua ndonjë fjalë për të vjetrit, lëndohen dhe të shpallin armik të rinjtë. Shkruan për poezinë, të emërtojnë armik prozatorët…Shkruan për të vdekurit, të urrejnë gjithë të gjallët, shkrimtarët…

Në fakt me të vdekurit, ndjehesh më mirë, se atje në parajsë, së paku janë mirënjohës, ose me heshtjen e tyre, ke ndjesinë e tillë…Të gjallët edhe nëse shkruan, mendojnë se e ke për detyrë t’i lexosh, të shkruaç, madje t’i lëvdoç…Ka mbetur në shkruash në qiell…

Shkrova disa fjalë për dëshirën time, jo për debat, sepse kushdo në këto punë ka mendjen e tij…Fillim i fillimit, pasi shkruajmë le të lexojmë njëri-tjetrin, e të mos matemi me hijen e mëngjesit…Letërsia atdheu i lirisë, jo i marrëzisë… Në letërsi secili ka andrrën e vetë, le të fluturojë në hemisferat ku e shpie talenti dhe magjia e fjalës…

Filed Under: ESSE

ELITEN E RE DUHET TA MBËSHTESIM

December 10, 2025 by s p

Asllan Bushati/

Në dy kuvendet e fundit të Vatrës dhe në disa shkrime tek gazeta Dielli e në faqen time në fb, kam insistuar se një nga detyrat kryesore strategjike të së ardhmes së: Vatrës, shoqatave, komunitetit, biznesmenëve etj është mbështetja e talenteve të reja të komunitetit shqiptaro- amerikan për poste publike drejtuese vendore e qendërore. Kur më 8 dhjetor mësova se në Vatër do të vinte për vizitë një kandidat shqiptar nga Miçigani i cili do të garojë për kongresmen, pa hezitim shkova ta takoj. Kandidati quhet Robert Lulgjuraj i lindur në Miçigan nga prindër shqiptarë. Ai shoqërohej nga Shefi i stafit të bordit zgjedhor(amerikan- ekspert fushatash zgjedhore) dhe një bashkkombas po nga Miçigani.

Për figurën, aftësitë, intelektualitetin, e veprimtarinë e Robert Lulgjurës, foli me superlativa shefi i stafit të tij duke na dëshmuar se kemi të bëjmë me një të ri të talentuar e me mundési të shumta për tu zgjedhur kongresmen.

U gëzova shumë, e falenderova për inisiativën e marrë dhe e urova me shpirtë që të ketë sukses. Ai i mirpriti urimet e mija dhe me një ndjenjë të lartë respekti më falenderoi. Në fund në shenjë mbeshtetje i ofrova një çek modest për fushatën e tij. Me këtë rast e ftoj komunitetin shqiptarë në Miçigan të mbështes birin e tij të talentuar me të gjitha mundësitë e mundëshme. E ftoj gjithë komunitetin shqiptar në SHBA ta mbështes talentin Robert Lulgjuraj dhe talentet e shteteve të tjera. Na duhet të mendojmë seriozisht për të ardhmen e komunitetit të këtushëm dhe gjithë shqiptarinë, se pllakat e mëdha të gjeopolitikës po lëvizin me shpejtësi. Ne si komb e kemi humbur shpesh sensin e kohës, por tani nuk na falet ma mos veprimi në kohë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT