• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IN MEMORIAM – JU TREGOJ PËR TIM ATË-POETIN VEHBI SKENDERI…

June 16, 2020 by dgreca

…AI ISHTE NJË SHENJTOR QË JETOI KOHË DJAJSH-/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Më 13 qershor 2011, ditën e Shëna Ndout, u nda nga jeta im Atë, poeti Vehbi Skënderi. Ai ishte i drejtë si një Shenjtor, por jetoi mes djajsh

Ishte një mbrëmje e bukur qershori. 12 qershor 2011. Nga ato më të bukurat e vitit, kur stina e verës është në prag të shpërthimit me plotmadhështinë e vet prej shumëlaryshisë së ngjyrave dhe aromave. E të grish vetëm të jetosh pa fund e sosje. Atëher kur çdo shpirt njerëzor mendon se jeta është e përherëshme. Ndërsa im atë Vehbi Skënderi po luftonte me vdekjen.

Në një mbrëmje të tillë qershori, ai do të ishte dehur nga abazhuri i hënës në qiell. Dhe ajri i ngrohtë i përzierë me aromat e luleve do ta ngazëllente për të krijuar pastaj në laboratorin poetik përfytyrimet e tij ekstravagante në skulptura poezish.

Në një natë qershori të tillë, të vitit 2005 një dorë kriminale na kishte vrarë kolegun tonë 28 vjeçar, Bardhyl Ajetin, duke krijuar tragjedinë dhe dhimbjen prej një absurdi surreal. Sepse është e pamundur të vrasësh një gazetar të ri për ato që shkruan. Vetë vrasja si akt është e ndaluar. Të presësh si me gërshërë një jetë në mes. Por po aq e ndaluar është ta mbulosh vrasjen me heshtje. Heshtja është po aq kriminale sa ideuesi i vrasjes dhe ekzekutori. Vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti, si shumë të tjera, ka mbetur ende e pazbardhur. Ai ka mbetur i harruar nga kolegët dhe shoqëria që po bëhet çdo ditë edhe më tribale sepse po humb sensin për të kërkuar e gjetur të drejtën. Krejt ndryshe nga im atë që gjithmonë iu fal të drejtës, si një konstitucioni universal hyjnor që nuk varet nga konjunkturat por nga ndërgjegja njerëzore e gjithësecilit prej nesh. Që të lejon të gjesh shpresë e mundësi për të ndihmuar atë që ka nevojë edhe në kohë të pamundura. Edhe unë vijoj dhe e kërkoj të drejtën si bija e tim eti. Edhe kur më thonë të gjithë se e drejta ka vdekur, unë nuk do të ndalem si për të vijuar jetën e babait tim.

Nata e 12 qershorit 2011 na hutoi e na e mbushi mendjen se jeta triumfon mbi vdekjen, se jeta triumfon edhe ndaj prognozave të mjekëve. U bëmë naivë. Me vullnetin tonë. Aq më tepër duke e njohur dëshirën e paepur të tim eti për të jetuar, për t’u ndjerë i lumtur pranë familjes së tij. Sot lumturia është kthyer në nonsens ose mision i pamundur. Njerëzit e kërkojnë lumturinë tek paratë, pasuria, makinat, vilat. Ndërsa lumturia është gjithmonë me ne, ne jemi lumturia e njëri-tjetrit. Im atë e kishte zgjidhur me kohë këtë rebus. Ose më mirë të them s’ka qenë për të fare një rebus dhe ai gjithnjë e ka ditur. Sepse të gjitha dramave të jetës së tij, për fajin e një regjimi kriminal, ai u kishte mbijetuar për arsye dhe shkak të familjes që ia kthyente dashurinë me dashuri dhe nuk e tradhtoi kurrë. Krejt ndryshe nga kolegët, që mbetën tregëtarë flamujsh me shpirtëra çakejsh.

Ne i qendruam rreth shtratit natën e 12 qershorit duke e kundruar e kundruar. Fytyra e tij ishte e bukur. Ngjyra e lëkurës ishte rozë. Im atë nuk e tregonte moshën, ai është dukur gjithmonë i ri, i mbushur me energji të pashterëshme. Kjo bënte që unë të ndihesha gjithmonë fëmijë. Edhe natën e 12 qershorit. Unë i vërtitesha rreth dhe ia puthja duart e faqet, ia prekja këmbët e bardha. Ishte i pastër si drita. Ai nuk reagonte. Flinte. Nën efektin e qetësuesve. Që kur u shtrua në spital ai kishte qenë nën efektin e qetësuesve dhe vetëm një herë ishte zgjuar sa për të thirrur vetëm një emër: „Lili“. Emrin e nënës time.

Duke e parë të flinte i qetë, dikur vonë, ne vendosëm të ktheheshim në shtëpi. Të bindur se nesër do ta gjenim më mirë. Ishte mbrëmja e vonët e së djelës. Jeta gumëzhinte. Në tram u takuam me Endritin që kthehej me shokët nga kinemaja. Përpara filmit kishte qenë në spital të shihte Babushin e tij. Kur iu afruam shtëpisë, dritat e apartamentit tonë nuk ishin të ndezuara si zakonisht. Shtëpia jonë gjithmonë ishte e hapur, gjithmonë kishte njerëz e drita. I ramë ziles dhe derën na e hapi Prizreni. Ai po vuante. Im atë i kishte rritur djemtë. I kishte marrë sa kishin ardhur në shtëpi nga materniteti, bebka dhe iu kishte përkushtuar kohën dhe jetën. Me një dashuri pa kufi e cak. U ka treguar me mijra përralla që i krijonte për ta, u ka mësuar alfabetin e shqipes, gjuhën, u ka lexuar libra, u ka recituar poezitë e tij, poezitë e tij për ta. Midis tyre mbretëronte një aleancë sublime. Të dy djemtë tanë kanë qenë me fat që i ka rritur një gjysh si ai. Megjithëse të gjithë gjyshat e gjyshet e botës janë të mrekullueshëm.

Tani në shtëpi ishim të katërt. Familja Buçpapaj. Familja Skënderi ishte në spital. Folëm fare pak midis nesh. Djemtë ishin bërë burra papritmas. Pastaj mora në telefon tim më që nuk i ishte ndarë kurrë tim eti. Edhe ajo më qetësoi. Po fle i qetë më tha. Unë i qetësova të tjerët. Dhe u shtrimë të flemë si robotë.

Kishim fjetur pa ëndërra, shpejt, përhumbshëm, për t’iu larguar një frike. Deri kur ra zilja e telefonit, që na ngriti menjëherë të katërve, gatitu. Dhe matanë telefonit zëri jepte lajmin që ne nuk do të donim ta dëgjonim kurrë.

Kur po gëdhihej 13 qershori dhe kalendari shënonte ditën e Shëna Ndout, shpirti i tim eti u largua prej trupit të tij. Në agun që ai e ka përmendur shpesh në poezitë e tij, ku ai e ka përshkruar me laryshi nuancash e ngjyrash të pafundme. Por agu i ikjes të tim eti ishte i vërejtur, i humbur prej tymnajave të mjergullës dhe ngjante e pamundur që kjo ditë të kish lindur prej barkut të një nate magjike qershori, kur ne u larguam nga spitali dhe e lamë tim atë në një gjumë të thellë e shpresëdhënës. Gjithçka ishte përmbysur brenda dy-tri orësh, ashtu si jeta që ishte shndërruar në ikje, largim e vdekje. Për dy-tre orë qielli kishte ndryshuar uniformë në një antitezë të plotë. Ishte zhdukur hëna, yjet, magjia e natës kur ne i dhamë përshëndetjen, pa e ditur se do të qe përshëndetja jonë e fundit në këtë tokë, pak përpara kur fryma e tij do të fluturonte si zog i çliruar nga prangat e një kohe mistrece.

Kur ne vendosëm të largoheshim nga spitali, në prag të shkëmbimit të 12 me 13 qershorin, ai ngjante sikur flinte si normalisht. Nuk e kishte më frymëmarrjen e dendur, të vështirë, të mundimshme që e kishte pasur prej ditës së mërkurë. Kur u përkeqësua papritmas. Një ditë më parë, dmth të martën, ai kishte bërë një shaka me ne. Ime më ashtu si e kanë zakon gratë përdori klishenë e njohur se po vdiste prej lodhjes, dhe im atë, që rrinte me orë e ditë të tëra pa folur, ia ktheu me buzën në gaz, « po për mua kush do të kujdeset atëherë?!» Reagimi i tij ne na hodhi të gjithëve përpjetë. Na zgjoi. Sepse sëmundja e kishte transformuar. Ngjante si Mbreti Lir. Tragjik, i madhërishëm, i vuajtur, i heshtur e solitar në botën e tij të mbyllur. Kështu e përjetonte largimin apo distancën nga mungesa e tij fizike me botën rreth tij, nga mosprania në rrjedhat e ditës, në rrugët që ai i kishte kaluar çdo ditë, që edhe sot i mbajnë gjurmët e tij.

Reagimi i tij na e ktheu humorin. Kujtuam se ishte shenja e rikthimit në jetë, për të shpëtuar nga sëmundja e zezë, që është depresioni, ashtu si kishte shpëtuar edhe në vitet ’70. Unë e mbaj mend atë kohë, se si vuante im atë, si lëngonte. Pranë tij ishte im më dhe unë, fëmijë. E vizitonte rregullisht, për çdo ditë njëra prej hallave të mija, Lumja dhe fëmijët e saj dhe vëllai i tij i vogël, sepse të tjerët nuk vinin dot pasi kishin frikë nga partia kuçedër. Atëherë im atë sapo i kishte mbushur 40 vjeç dhe ngjante i moshuar si një plak. Por një mëngjes papritmas u ngrit nga shtrati e ul në makinën e shkrimit dhe rinisi të shkruante poezi. Prej asaj dite nisi të dilte nga shtëpia e të shëtiste nga Kodrat e Liqenit. I vetmuar. Kolegët i largoheshin, shokët i fshiheshin, të afërmit kujdeseshin për biografitë.

Si shenjë fatmirë, të daljes nga kështjella që ai kishte ndërtuar me mure qiklopikë prej heshtjes së vet e morëm edhe reagimin e tij. Ne u lumturuam pasi e dinim se im atë dinte të ngrihej gjithmonë më këmbë, se im atë do ta kalonte edhe këtë provë, pas aq provash e vuajtjesh, që i kishte e kishim kaluar së bashku.

Por ndodhi e papritura dhe ai u përkeqësua papritmas të mërkurën. Iu vështirësua frymëmarrja. Ne u trembëm. Filluam t’i luteshim të hante. Sepse kishte dy vjet që kishte hequr dorë nga e ngrëna. E ushqente me shumë mundime ime më. Im atë refuzonte ushqimin, refuzonte ujin, po ime më nuk dorëzohej deri sa e ushqente çdo ditë, çdo vakt, dalë e nga dalë, një kafshore, një lugë, ishte një fitore, një gllëngjkë ujë, një gotëz me lëng frutash, ishte jetë për tim atë.

Unë po punoja në komputer atë të mërkurë, kur ime më më erdhi pranë e më tha se ai nuk po hante dot më. U ngrita menjëherë. I shkova pranë e i vura buzët në ballë. Si veproja me djemtë. Kishte temperaturë. I dhamë menjëherë një dafalgan dhe e shtrimë në shtrat. U qetësua pak. E zuri gjumi dhe frymëmarrja ju bë normale. Pasdite bashkë me Skënderin blemë biskota fëmijësh që ime më t’i shtypte e ta ushqente më lehtë.

Hëngri nga mbrëmja pa e refuzuar ushqimin si bënte zakonisht. Dukej se kishte frikë nga vdekja. Por ne nuk na shkonte mendja për atë gjë. Kur ra nata i shkova në dhomën e tij ku flinte. Dhe qava e qava me lot e pa zë. Për të gjitha vuajtjet që kishte hequr, pa i bërë kujt keq në jetën e tij. E pastaj iu lutëm Zotit që vetëm të jetonte. Edhe me depresion. Veç të jetonte. Ishim mësuar tashmë edhe me këtë gjendjen e tij. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij në një cep të dhomës. Hijerëndë, pa folur, duke na parë ne. Herë i përhumbur në mendimet e tij, herë me sy të trishta e herë me sy të trembura, sepse e shkuara i kthehej si fantazmë, si makth e ankth. Mallkuar qofshin ata që e kanë bërë tim atë të vuante. E bashkë me të edhe ne. Që nuk kanë marrë mundimin kurrë të kërkojnë ndjesë. Një pjesë e tyre kanë shkuar në ferr. Në ferr shkofshin të gjithë që e kanë merituar. Sepse nuk e njohin ende pendesën. Në pranverën e 2011 kur e kishim shtruar në spital për rehabilitim në një moment të kthjellët i kishte thënë sime mëje se « ata nuk na kishin lënë që ta jetonim jetën tonë». « Ata »ishte regjimi komunist, që identifikohet me emra. Sepse na e kishin ndryshuar tërësisht rrjedhën e jetës brutalisht, na kishin detyruar të jetonim kalvarin. Sot është e trishtë kur lexojmë se disa shkrimtarë qahen nga vuajtjet që paskan përjetuar në diktaturë. Një farsë e vërtetë cinike ndaj vuajtjeve të vërteta, si ato që ka përjetuar im atë, që u largua nga kjo botë i mbytur nga pikëllimi, kur e humbi betejën e fundit.

Ne e shtruam në spital të premten, kur frymëmarrja iu rëndua rishtas. Ishte më 10 qershor, paradite. Sa herë i shoh sot makinat e urgjencës më kaplon trishtimi. Kur erdhi urgjenca, im atë nuk ishte më im atë. Erdhën e morën lart me barelë sepse ishte krejt i pafuqishëm. Mezi merrte frymë. Nuk më kërkonte mua me sy, por time më e cila hypi me të në makinë. Ne i shkuam pas. Pas kësaj ai nuk u kthye më në shtëpinë tonë. Ishte ikja e tij e fundme.

Frymëmarrjen e tij të rënduar e kam edhe sot në vesh, si asaj të premte. Dukej sikur prapë po luftonte, deri në frymën e fundit dhe pikën e fundit të gjakut.

Pasi e shtruam në spital të premten, e pasi biseduam me mjekët u kthyem për t’u kujdesur për fëmijët. Sa hymë në shtëpi, na ra në sy kolltuku i tij që ishte bosh, që priste më kot. Në dhomën e tij makina e shkrimit rrinte e heshtur, me tastet e ngurta si copa kalldrëmash, të palëvizur nga gishtat e bukur të tim eti. Gjithmonë im atë na e kujtonte se si një pianiste e njohur shqiptare mahnitej nga gishtat e bukur të tim eti, që tani rrrinin të palëvizur dhe nuk krijonin vargje e rima me makinën e tij të shkrimit. Makina e shkrimit ishte si faltore për tim atë. Atje ai falej duke zbrazur shpirtin e tij të kthjellët si kristali. Kanë qenë shumë të rrallë shkrimtarët bashkëkohës me tim atë që e kanë patur shpirtin e pastër si të tijin. Pa asnjë njollë. Shpirt njeriu. Ecce Homo ishte im atë.

Por ne vazhduam që t‘i luteshim Zotit që im atë ta kalonte edhe këtë furtunë. Ne ishim mësuar tashmë edhe me këtë situatë. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij dhe na ndiqte me sy. Nganjëherë i shpinte sytë diku larg, nganjëherë i mbyllte si për të mos lejuar që tmerret e së shkuarës t’i ktheheshin si fantazma për ta marrë e larguar nga familja, për t’ia marrë e djegur librat, për t’a dërguar në riedukim apo internim, duke i lënë në mes poezitë apo treguar përgjysëm përrallat që ia tregonte së bijës, dmth mua. Aty i ulur në kolltukun e tij, ai me pamje epike, ngjante si një personazh i dalë nga cikli i kreshnikëve. Nganjëherë, dikur, rrallë e përherë rrallë e më rrallë, kur na hidhte ndonjë fjalë, si meteor, na bënte të hidheshim përpjetë prej gëzimit e kaq pak na dukej aq shumë, sepse mendonim se po i mblidhte forcat për të dalë nga ky tunel i errët.
(vijon)

(MARRË NGA LIBRI ‘DISIDENCË NË TRANZICION’ QË ËSHTË NË PROCES BOTIMI) –

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Inmemoriam, VEHBI SKËNDERI

E KISH LINDUR NËNA PËR KOSOVËN

June 16, 2020 by dgreca

Shkruan:  Ndue LAZRI, Itali/

 -Portret për djaloshin kosovar Arif Gashi, martir për lirinë e Kosovës-/

Arif Gashi/

 Pushkët kërcisnin në të katër anët…Shtëpitë e fshatit mbuloheshin nga tymi dhe një erë e athtë djegieje vinte prej shtëpive që u ishte vënë flaka nga serbët. Plumbat vërshëllenin ngado dhe mund të merrnin në çdo çast jetë të tjera njerëzish. Një kortezh i vogël mortor, që lëvizte me nxitim rrugëve të fshatit Qupev drejt varrezave, e bënte më të zymtë këtë atmosferë zie që kishte pllakosur. Varrosej një djalosh 29-vjeçar, i cili kishte vdekur në spital pas një sëmundjeje të gjatë shkaktuar prej torturave të rënda e të vazhdueshme në burg. Ky i ri ishte Arif Gashi nga fshati Kijevë i komunës së Malishevës. Lindur në një familje të madhe atdhetare, ku ishin 3 vëllezër e 5 motra, Arifi kishte mbaruar shkollën fillore dhe të mesme në fshatin e lindjes. Babai i tij, Hajredin Gashi, i rriste e edukonte fëmijët me ndjenja atdhetare, me dashurinë për Kosovën, për Shqipërinë, për flamurin kombëtar. Djemtë e vajzat e tij u bënë njerëz me shkollë dhe punojnë në arsim e në sektorë të tjerë. Ndër fëmijët, Arifi dhe vëllai tjetër Lulëzimi ishin si më aktivë e si më të prirë drejt ideve të tilla si Kosova Republikë, Shqipëria Etnike, Bashkimi Kombëtar etj. Këto ide quheshin irredentiste dhe shkaktonin një reagim të egër e represiv tek autoritetet serbe. Arifin e tërhiqte ajo atmosferë e zjarrtë që krijohej kur vinin ansamble artistike nga Shqipëria, me këngë që transmetonin motive patriotike me mesazhe të thella që ndiznin zemrat e të rinjve kosovarë, që e përjetonin dramën e ndarjes së Kosovës nga shteti amë, padrejtësi e ardhur si rezultat i politikës së fuqive të mëdha europiane. Këngë të tilla si “Ushton gryka e Kaçanikut” e shumë të tjera tingëllonin si himne të shpirtit luftarak shqiptar për mbrojtjen e trojeve të bashkuara dhe ndiznin zjarr zemrat e shumë të rinjve e të rejave. Xhaxhai i Arifit, Riza Gashi, mësues e drejtor shkolle, që nga viti 1972 kishte udhëtuar disa herë në Shqipëri. Ai kishte qenë edhe në fshatin Labinot të Elbasanit, ku ishte krijuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare. Dhe emrin e këtij fshati Rizai ia kishte vënë njërit nga nipat e tij,pikërisht vëllait më të vogël të Arifit. Ishin gjeste simbolike e domethënëse që shprehnin se lidhjet me atdheun mëmë ishin në gjakun e kosovarëve. Labinoti sot është një njeri i përgatitur nëpër shkolla e universitete dhe është magjistër e mësues, një intelektual i vërtetë. Atmosfera nga fundi i viteve shtatëdhjetë e në vitet tetëdhjetë po bëhej gjithnjë e më e ndezur. Lëvizja e quajtur irredentiste po merrte gjithnjë e më tepër përmasa më të mëdha dhe një fornë organizative që alarmonte qarqet serbe jo vetëm në Prishtinë, por deri në Beograd. Protestat shpërthenin aty ku nuk e prisje. Një nga ato u bë në vitin 1989 edhe në fshatin Doberdol. Kishte një pjesëmarrje të gjerë, me mbi dymijë vetë, jo vetëm nga banorët e fshatit, por të ardhur edhe nga fshatra të tjera. Vëllezërit Arif e Lulëzim Gashi kishin ardhur nga fshati Kijevë. Policia u alarmua dhe u vu në lëvizje të menjëhershme. Demonstruesit u rrethuan nga tre rrathë policësh të armatosur dhe të egërsuar, të gatshëm për të goditur me urdhrin më të parë që do u jepej nga lart. Arif Gashi mbante lart e shpaloste flamurin kombëtar. I vëllai, Lulëzimi dhe të tjerë rreth tij hidhnin parulla të hapura me zë të lartë e i mbanin edhe në pankarta të shkruara “Kosova e pavarur”, “Shqipëri Etnike”, “Bashkim Kombëtar”, parulla kundër represionit serb e të tjera. Në një moment të caktuar policët morën urdhër dhe iu vërsulën demonstruesve per t’i shpërndarë ata. Ndër ta kishte edhe policë shqiptarë që ishin në shërbim të politikës serbe. Ashtu siç kishte edhe milicë shqiptarë që e shikonin me simpati lëvizjen dhe nuk ushtronin dhunë mbi demonstruesit. Një grup i madh agjentësh rrethuan ata që ishin pranë flamurit shqiptar. 8 policë u turrën mbi trupin e Arifit dhe e shtrinë përdhe. Me përdhunë e lidhën dhe e arrestuan bashkë me 12 të tjerë. Ndërsa Lulzimi dhe tre të tjerë arritën të çajnë rrethimin e policëve dhe u larguan nëpërmjet një përroi aty afër. I mbajtën natën të tërë në burg, nën pyetje e tortura dhe para mëngjersit 12 i lëshuan, kurse Arifin e mbyllën në qeli. Qenë arrestuar edhe disa nga ata milicë shqiptarë që nuk ushtronin dhunë. Prej aty e çuan në burgun e Prizrenit për 60 ditë. Aty takoi shokët e tij të idealit, heroin Beqir S. Gashi dhe Selim Krasniqin. Edhe ata mbaheshin nën tortura për idetë e tyre. Filloi një periudhë torturash të rënda e çnjerëzore ndaj Arifit. I kërkonin të hiqte dorë nga idetë e tij, të tregonte emra të shokëve të tij organizatorë të demostratave dhe të tjerë që kishin ndikuar në formimin e ideve të tij. Por ai nuk jepej. Ishte vetëm 20 vjeç, por qëndrueshmëria e tij ia kalonte edhe një burri të pjekur. Qëllonte që gjatë torturave i humbte ndjenjat nga dhimbjet. Por asnjëherë nuk u jepej torturuesve të tij, që bëheshin çdo ditë e më të egër. E këto tortura vazhduan për dy muaj me radhë. Arifi u sëmur rëndë. E dërguan në spital, gjithnjë nën vëzhgimin e rojeve të policisë. Sa e merrte ca veten e çonin sërish në burg. Gjendja e tij shëndetësore rëndohej gjithnjë e më shumë. Personeli i spitalit e shikonte me dhimbje këtë djalosh të hekurt e zemërluan, që po tretej çdo ditë e më tepër dhe ndonëse bënin çmos ta kuronin, dhimbjet e torturave fitonin mbi çdo kurë. Ata u ruheshin syve të policëve që e shoqëronin djaloshin e paepur. Rënia e sistemit komunist dhe shpërbërja e federatës jugosllave ngjallën shpresa e ëndrra të reja tek djaloshi. Por politika serbe ishte gjithnjë për vrasjen e këtyre ëndrrave. Ata ishin gati ta digjnin e ta zduknin popullsinë shqiptare të Kosovës, por të mos e linin atë të pavarur e të shkëputej nga Serbia. Por ëndrra e shqiptarëve për Kosovën e pavarur e republikë po merrte gjithnjë e më shumë flatra. Lëvizja bëhej gjithnjë e më e organizuar, gjersa filloi ajo luftë e vendosur nga UÇK e nga populli mbarë për ta bërë realitet ëndrrën. Arifi dëshironte të ishte në radhët e ushtrisë çlirimtare e të luftonte me pushkë në dorë kundër serbëve që po masakronin popullsinë shqiptare, po bënin një shfarosje etnike e djegie shtëpish e fshatrash në masë. Por ishte nën kontrollin e policisë dhe forcat e tij shëndetësore po e linin çdo ditë e më tepër. Vdiq në spital më 4 shtator të vitit 1998, kur lufta gjëmonte në tërë Kosovën. Edhe në Kijevën e tij serbët bënë raprezalje dhe në qershor 1999 dogjën mbi 60 për qind të shtëpive të fshatit. U dogj edhe shtëpia e tij. Çdo gjë u bë shkrumb, aq sa sot të afërmit e tij nuk arrijnë të gjejnë as një fotografi të këtij djaloshi, që vdiq me ëndrrën e lirisë në sy. Veç një fotografi e vjetër e plasaritur nga që mbahej e fshehur, ka arritur deri sot, e me këtë foto po ilustrojmë edhe këtë shkrim. Arifin e kishte lindur nëna për Kosovën e Kosovës ai i fali rininë e vet, ëndrrat më të bukura, gjënë më të shtrenjtë, jetën. U varros përmes krismash në një fshat që nuk ishte i tij. Por ishte tokë e Kosovës nënë. Vetëm pas luftës, në vitin 2001, trupi i tij u zhvarros dhe i çuan eshtrat të pushojnë në fshatin e lindjes, në Kijevë. Nuk ishte i rastit ky qëndrim i pamposhtur i këtij djaloshi të ri kosovar. Ai vinte nga një familje me tradita të hershme atdhetare. Të parët e kësaj familjeje ishin shpërngulur më shumë se 100 vjet më parë nga Toplana e Dukagjinit dhe vendosur në këto anë. Një nga të parët e kësaj familjeje ishte burri e patrioti i mençur Ramadan Shabani, babai i të cilit kishte marrë pjesë në luftën e Dibrës kundër Hajredin Pashës. Ai ishte takuar e kishte bashkëpunuar edhe me figura të tilla kombëtare si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Hoxhë Kadri Prishtina, Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi etj. Këshilltar dhe bashkëpunëtor i Azem Galicës edhe në momentet më të vështira e betejat më të ashpra, si ajo në Kijevë dhe në fshatrat përreth. Ramadan Shabani shquhej për urtësinë e tij e për këtë për shumë e shumë vite ishte marrë me pleqni e pajtime dhe mbahet mend nga të gjithë për drejtësinë e tij, sepse ndante pleqni pa interes dhe dinte të mbante qëndrim konsekuent e të paanshëm si për të madhin, ashtu edhe për të voglin, si për të pasurin ashtu edhe për të varfërin. Për veprimtarinë e tij patriotike ai është dekoruar nga ish presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, me Urdhrin e Lirisë të Klasit të parë. Nga një familje e tillë e kishte prejardhjen Arif Gashi, ndaj edhe ai u fut në radhën e atyre martirëve që vunë jetën e tyre në themelet e Pavarësisë së Kosovës dhe të shtetit më të ri, Republika e Kosovës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Arif Gashi, Ndue Lazri, per Kosoven

Paqë e qetim qiellor për Njeriun e përplotë Moikom

June 15, 2020 by dgreca

Fotaq Andrea me Moikom Zeqon/

FOTAQ ANDREA-Strasburg/

Na iku… më iku… një Mik… një Shok…/

Ishte i veçantë, erudit si Ai, me shpirt sublim, artistik e filozofik, me bukuri fjale poetike, si një Ciceron që e bëri vargun shqip të cicërijë.

Ishte super i veçantë, kur e njeh për vite të tëra nga afër, sidomos vitet e fundit, i pamposhtur nga sëmundja, tek trupi i rreshkej, mpakej, mplakej, po mendja i rinohej, freskohej, madhështohej, me energji krijuese të pashterrshme.

Ishte tejet i veçantë, i pakapshëm, i paarritshëm, sa krijoi në poezinë moderne shqipe “tipologjinë moikomiane”, me natyrë të dyfishtë e të trefishtë metaforike, me subjekte polifonike e orkestrime harmonike të Bukurisë e Madhështisë së Fjalës Artistike.

Ishte Mendjendritur. Ishte Poet. Me lulëzim të fuqishëm botëkuptimor. Përherë i prirë drejt progresit dhe modernitetit shqiptar. Ishte me mendje të hollë plot sqimë artistike për lexues kalibri, duke thyer kornizat e provincializmit në kohë krize të përbotshme të poezisë.

  Ishte i pashtershmi shqiptar në omnishkencë, me përkushtim e angazhim intelektual e patriotik të klasit të lartë, kundër politikës politiciene të intrigave, politikës blozë, haxhiqamiliste, klanore e bajraktare. Ishte i drejtpërdrejtë në intervista të gjalla plot kritikë konstruktive, ishte Njeri i lartë i shoqërisë, i gjithënjerëzishëm, i kudo e kujdogjindshëm, me dashuri e ngrohtësi humane, që çmonte vlerën e përbuzte antivlerën.

Ishte usta i fjalës, usta i penës, që mendimin e kishte haik e ajkë, sintetik deri në përpikmëri. Luftonte me forcë shpirtërore sëmundjen organike bela-keqe në vetvete, dhe me po atë forcë shpirtërore paralizonte rreptë mendjemykurinë, meskinitetin, shpirtëzinë, lakminë, regresin. Ishte me paepuri shembullore, vullnet të kalitur prej zotash dhe frymëzim hyjnor.

Vetëm një herë e kundërshtova (Ndjesë pastë!)  kur përvuajtjen e tij fizike e kishte sintetizuar në vargjet: “Në kohë leucemike, / Me kometa të përflakura të hemoglobinës, / Në muze të kotë të Vdekjes…”. E kundërshtova gjithë dashuri, thjesht për t’i thënë me shpirt se “Vetë Jeta, vetë Jeta e tij është një muze aq i përplotë e kuptimplotë”. Dhe vijoja: “Pena tek ty, si tek rrallë kush, mposht çdo të keqe dhe është ilaçi kurativ më i mirë që të harbon në frymëzime gjeniale, në haralisje idesh dhe dehje e ngazëllim të fuqishëm jetik e jetesor, tek është kthyer lumi i kristaltë i prozës dhe i poezisë tënde në ujë jetësor (la sève), po edhe me shumë, në gjak Krishti, kur vetë zemra tënde shfaqet tanimë si kupa e artë me gjak të shenjtë” (nga letra ime drejtuar Moikomit e datës 31 janar 2017). Dhe vura re kohët e fundit, në një koment kuptimplotë personi anonim – që “pagëzonte” plot dashuri një foto të Moikomit me librin e tij në dorë – tek shprehej tekstualisht: “Shën Libri në duart e Shën Moikomit”. Nuk ka më mirë e bukur!

Kishte, vitet e fundit, diçka të veçantë tek Ai: u vinte poezive të tij vite të hershme shkrimi,  si ta prapa-shtynte bukurisht kohën me vite të arta të shkuara, si të donte të ecte së prapthi 15-20 vjet të shkuara, për t’iu drejtuar moshës së rinisë së përjetshme, moshës së artë, një rinie të dytë. Mbartnin shkrimet e tij kësisoj fuqishmëri shkëlqimi, si çdo diell që kur shpërthen përfundimisht në mbarim të jetësisë së tij 10 miliard vjeçare, shkëlqen edhe më shumë se kurrë me krejt forcën dhe energjinë e vet të brendshme. 

  Ai ishte dhe mbetet Mjeshtër i Bukurisë së Mendimit dhe Fjalës Shqipe, tek i përshtatet plot hijeshi shprehja e Viktor Hygoit “Le livre, c’est l’homme” – (Libri është vetë Njeriu). 

Po e shoqëroj këtë shkrim timin për humbjen e rëndë e të pazëvendësueshme të Njeriut Moikom – shkrim i nxjerrë nga kuintesenca e korrespondencës sime 15 vjeçare me Moikom Zeqon, dhe me duart që ende më dridhen që nga mëngjesi e zemra me shtrëngon e ligështon – me prezantimin që i bëra veprës dhe poezisë së tij në “Takimin Botëror të Poezisë” në Strasburg, nëntor 2018:  

 “Moikom shqiptari, i vetmi në botë që mban një emër të tillë kaq origjinal, ka një korpus voluminoz poezie, të cilën e praktikon me zell, eth e përkushtim që nga adoleshenca e tij. Është sot Boris Viani shqiptar, duke qenë ai vetë njëkohësisht historian, arkeolog, poet, piktor, shkrimtar, gazetar, filolog, publicist, erudit. Mjeshtër i lirisë së fjalës, e kërkon forcën shprehëse të verbës poetike në një përmasësi të shumëfishtë, duke shkuar gjer në kufijtë e përtej – përmasësisë (supra-dimensionalitetit). Të shkruash ndryshe, është tipari themelor i poezisë së tij që i hedh rrënjët në poezinë futuriste, surrealiste, simboliste, si dhe në një univers tepër origjinal, ku bota njerëzore, artistike, letrare, madje filozofike pasqyrohet nëpërmjet forcës magjike të verbës së tij poetike. E ndjen veten sa në parajsë të bukurisë artistike, ku vallëzojnë nimfa të botës shpirtërore me krahë fluturash e pilivesash, aq edhe në ferrin e lumenjve infernalë, ku fjalët grinden, duke mbjellë erëra e stuhi. Poet me tejdukshmëri të larmishme, i etur për metafora e alegori, Moikomi dallohet nga universalizmi i tij poetik brenda një marrëdhënieje të ngushtë kohë-hapësirë, njeri-natyrë, dhe realitet metafizik-realitet sensual. Është arkitekti i fjalës poetike shqipe par exellence.

Edhe më thjesht, vargu është tek ai një emocion i përhershëm, duke testuar pareshtur të shkuarën, të tashmen e të ardhmen, është burimi i tij i pashtershëm jetësor e krijues. Moikomi di të pikturojë me fjalë, duke zotëruar mjeshtërisht ritmin dhe muzikalitetin e vargut shqip, duke xhongluar me tropet dhe duke u bashkëngjitur ide e figura letrare nga më të çuditshmet e më të ndryshmet.

Është i përkthyer në shumë gjuhë.”

Moikom, të më falësh, që shpesh zemra më ka lëshuar e të kam qarë për së gjalli, sa herë dëgjoja në telefon zërin tënd të mekur në spital, tek më përshëndesje: “Mirëupafshim Andrea”. Më fal 1000 herë, Moikom, në përlotem. Lamtumirë Mik i shtrenjtë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea, Moikom Zeqo, Strasburg

Mite të origjinës

June 14, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi/Mitet e origjinës janë histori të krijimit. Çdo popull e ka një të tillë. Ilirët kanë tre mite se nga kanë ardhur, por fatkeqësisht asnjë nuk është shkruar nga vetë ata. Të dhënat e vetme për origjinën e tyre vijnë nga kultura të tjera. Përveç rrëfimit të Homerit që i lidh Ilirët me Trojanët, aktualisht ekzistojnë vetëm dy histori që shpjegojnë se nga kanë ardhur ilirët, dhe të dyja bazohen në referenca mitologjike.Historia e parë vjen nga historiani grek Pseudo-Apollodorus, i cili në librin e tij me përmbledhje mitesh dhe legjendash të ndryshme, thotë se krijimi i Ilirisë ndodhi për shkak të heroit mitik Kadmus, një princ fenikas, rreth vitit 2.000 pes. Në tregimin e Pseudo- Apollodorus, perëndia Zeus rrëmbeu motrën e Kadmusit, Europën, dhe Kadmusi u nis për ta gjetur, duke marrë me vete edhe gruan e tij Harmonian. Ishte Kadmusi që prezantoi alfabetin te grekët (alfabeti grek bazohet disi në alfabetin fenikas), dhe gjithashtu themeloi qytetin e Tebës. Kadmus dhe gruaja e tij u larguan nga Teba, duke vazhduar kërkimin për Europën dhe hynë në tokën e një populli të njohur si Enkeleas, të cilët ishin në luftë me Ilirët (në këtë përrallë ilirët ekzistonin). Një prej perëndive përmes një orakulli u tha enkeleansve se do t’i mposhtin ilirët nëse bënin Kadmusin dhe Harmonian udhëheqësit e tyre. Encheleansit iu bindën orakullit dhe Ilirët u mundën. Kadmusi u bë mbret edhe i ilirëve, dhe kur u bë me djalë, ia vuri emrin Illyrius, për të përkujtuar fitoren e tij. Sidoqoftë, legjenda përfundon në tragjedi, sepse Zeusi i ktheu Harmonian dhe Illyrius në gjarpërinj dhe i dëboi nga bota e të gjallëve.Miti i dytë mbi origjinën e Ilirëve vjen nga historiani romak Appianus i Aleksandrisë, i cili jetoi në Egjiptin e kontrolluar nga Romakët nga viti 95 deri në 165. Sipas Appianit, rajoni u emërua pas Ilirit, i cili ishte djali i Polifemit, ciklop nga Odyssey. Për më tepër, ai shprehet se Polyphemi dhe gruaja e tij kishin tre djem të quajtur Celtus, Galus dhe Illyrius, dhe se Keltët Britanikë, Keltët Galë dhe Ilirët kanë prejardhje nga këta tre djem. Appiani shprehet më tej se Iliri kishte shumë fëmijë, të cilët krijuan fiset e ndryshme ilire. Appiani komenton se midis shumë tregimeve që ai ka dëgjuar në lidhje me origjinën e ilirëve, kjo duket më e besueshme. Kjo thënie lë të kuptohet se në të kaluarën kishte shumë histori që kishin të bënin me mënyrën sesi u shfaqën ilirët, dhe me përjashtim të përrallave legjendare të Pseudo-Apollodorit dhe Appianit, të gjitha fatkeqësisht kanë humbur.Siç u tha më herët në legjendën e Pseudo-Apollodorit, Zeusi e ktheu Ilirin në gjarpër. Duke konsideruar këtë si një lloj sugjerimi, gjuhëtarët modernë janë përpjekur të lidhin fjalën “Iliria” me gjarpërinjtë dhe për çudi, ata kanë dalë me disa gjetje interesante. Gjarpërinjtë ishin mjaft të spikatur në fenë ilire, dhe gjuha e ilire ishte pjesë e familjes indoevropiane. Mitografi gjerman Otto Gruppe, ishte i mendimit se fjala “Iliri” duket e ngjashme me fjalën greke ‘illo’, që do të thotë “lëvizje rrëshqitëse’, si ‘ngjalë’. Gjuhëtari slloven Karel Ostir zbuloi se Hitejtë e lashtë, të cilët flisnin një gjuhë shumë arkaike indoevropiane, e quanin një gjarpër të madh mitik Ilurjanka. Sipas historisë së Betejës së Kadeshit, midis Egjiptianëve dhe Hitejve në 1286 pes, një fis ilir i quajtur Dardan luftoi në anën e Hitejve, gjë që shton më tej peshën e idesë se Ilirët dhe Hitejtë e Anadollit antik ishin disi të lidhur. Sidoqoftë, jo të gjithë studiuesit janë të bindur se emri “Ilir” mund të shpjegohet me gjarpërinjtë. Julius Porkorny thoshte se emri “Ilir” vjen nga lumi Iller, i cili është një degë e Danubit; pra, ilirët ishin “njerëzit e Illerit”. Një tjetër hipotezë vjen nga studimi i gjuhës shqipe. Arkeologu kroat Ćiro Truhelka sugjeroi se emri mund të jetë i lidhur me fjalën shqipe ‘ilir’, që do të thotë ‘i lirë’; kështu Iliria do të thoshtë “tokë e njerëzve të lirë”. Pikërisht atëherë kur doli kjo ide, rreth vitit 1950, zuri fill në Shqipëri edhe përdorimi i emrit të përveçëm ‘Ilir’.Por ka të tjerë që besojnë se fjala Ilir nuk ka lidhje me asnjë gjuhë indo-evropiane dhe se mund të jetë një isogloss para-ilir apo fjalë pellazge.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Mite te Origjines

Mbi Ilirët

June 12, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Një popull paraardhës duhet të ketë lënë pasardhës, por sot është shpërndarë e përhapur aq shumë sa vështirë të mblidhen e dallohen – – edhe emri nuk i gjendet. Shembulli më i mirë janë Ilirët – Cilët ishin? Çfarë bënë? Ku janë? Zanafilla e tyre është mitologjike. Por a nuk janë kështu të gjitha të dhënat rreth popujve të tjerë?Në Iliada, Homeri jep disa informacione mitologjike gjenealogjike që lidhin Trojanët me Ilirët. Sipas tij, Enea mburrej me prindërit e tij, duke thënë se ai është pasardhës i vetë Zeusit. Homeri thotë se Dardani, themeluesi legjendar i fisit Dardan, ishte djalë i Zeusit, dhe ishte Dardani ai që themeloi qytetin e Dardanisë. Djali i Dardanit nga ana e tij lindi një djalë që u quajt Tros, pas të cilit u emëruan venbanimet e Trojës. Tros lindi një djalë me emrin Ilus, pas të cilit u emërua kryeqyteti i trojanëve. Bazuar në këtë emër, poema e Homerit mbi luftën e Trojës u quajt Iliada.Autorë të tjerë si Virgili, Apollodorus, Diodorus Siculus dhe Dionysius i Halicarnassus japin detaje shtesë; se Dardani ishte fëmija i Zeusit dhe Elektrës, e bija e Atlasit. Virgili thotë se Dardani kishte ardhur nga Italia, ndërsa Apollodori thotë se ai erdhi nga ishulli i Samothrakës, dhe Dionysius thotë se erdhi nga Arcadia. Pavarësisht nga origjina e saktë, në dokumentet antike thuhet se Dardani erdhi nga diku në perëndim dhe zbarkoi në mbretërinë anatoliane në veri-lindje të Teucria. Kur Dardani mbërriti, ai fillimisht u mirëprit nga mbreti Teucer, i cili e lejoi të martohej me vajzën e tij, dhe të krijonte një vendbanim në malin Ida. Ky vendbanim u quajt Dardania. Pasi sundoi mbi qytetin e tij të vogël vetëm për një kohë të shkurtër, Dardani dhe ndjekjësit e tij shpejt morën nën kontroll tërë mbretërinë e Teucrias dhe e quajtën atë Dardani. Dardani bëri luftë kundër fqinjëve dhe pushtoi tokat e tyre. Ai pati shumë fëmijë, mes tyre një djalë të quajtur Erichthoni (ka mundësi të jetë i lidhur me një “shkundje” etimologji të tjera folklorike përfshijnë “grindje” + chthon, “tokë ), djali i të cilit u quajt Tros, i cili mori nën kontroll mbretërinë e Dardanisë dhe i vuri emrin Troad pas vetes, ndërsa kryeqytetin teucrian e quajti “Trojë”. Djali i Tros u quajt Ilus, emri i të cilit frymëzoi emrin alternativ të Trojës, Ilios. Kështu pra sipas gjenealogjisë mitike që jep Homeri, paraardhësit e ilirëve zunë fill në Europë, migruan në Anadoll, u shndërruan në Trojanë, dhe më pas migruan përsëri në Evropë pas rënies së Trojës për ta rilindur atë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Mbi Iliret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 232
  • 233
  • 234
  • 235
  • 236
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT