• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PAK ARISTOTEL

May 22, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Emri i tij është i pavdekshëm. Në lashtësi, maqedonasit, grekët dhe ilirët e quanin të vetin, por të mëdhenjtë i përkasin gjithë botës. Aristoteli ishte një nga filozofët më të famshëm që bota ka njohur ndonjëherë. Pjesa më e madhe e punës mbi filozofinë perëndimore është vepër e tre të mëdhenjve: Sokrat, Aristotel, Platon.Aristoteli lindi diku rreth vitit 384 pes. Qyteti i tij i lindjes ishte Stagira ose Siderokafsia, që do të thotë furrë shkrirjeje ose Shkritore, në Greqinë veriore.Babai i tij ishte Nikomaku. Nëna e tij ishte Phaestis. Nikomaku ishte një mjek oborri për Amyntas II – Mbret i Maqedonisë. Nikomaku (Niko i Madhi) vdiq kur Aristoteli ishte i ri. Nuk dihet shumë për Phaestis (Shtëpiake). Besohet se edhe ajo vdiq kur Aristoteli ishte i ri.Pas vdekjes së Nikomakut, Proxenus – burri i motrës së Aristotelit, Arimneste (njeri që mban mend shumë) – u bë kujdestari i Aristotelit. Kur Aristoteli mbushi moshën 17 vjeç, Proxenus e dërgoi në Athinë, për të ndjekur arsimin e lartë. Aristoteli u regjistrua në Akademinë e Platonit dhe shumë shpejt u njoh si student i jashtëzakonshëm.Aristoteli kishte marrëdhënie të ngushta me Platonin dhe ishte një nga nxënësit e tij më të preferuar. Besohej se pas Platonit, Aristoteli do të bëhej drejtori i Akademisë. Pas vdekjes së Platonit në 347 pes, Aristoteli nuk e trashëgoi pozicionin e drejtorit sepse nuk mundi të pajtohej me disa nga traktatet filozofike të Platonit.Aristoteli shkoi i ftuar në oborrin e Hermias – një mik i Aristotelit – ku qëndroi për 3 vjet, dhe u martua me mbesën e Hermias, Pythias. Aristoteli lindi një vajzë me Pythias. Emri i vajzës ishte gjithashtu Pythias. Sipas mitologjisë, Pythia, ishte mënyra a rruga me anë të së cilës perënditë komunikonin me njeriun – orakulli i Delphic ishte gjithnjë një grua që komunikonte me Apollonin (Pallas) për të marrë shpjegimin e ëndrrave ose përgjigjen e pyetjeve që bënin vizitorët. Në 338 pes, Aristoteli u kthye në vendlindjen e tij në Maqedoni. Atje ai filloi mësimin e djalit të mbretit Phillip II. Ai djalë që ishte vetëm 13 vjeç, do të rritej për t’u bërë një njeri që bota e njeh si Aleksandrin e Madh.Në 335 pes Aleksandri u bë mbret dhe pushtoi Athinën. Kjo bëri që Aristoteli të kthehej në Athinë. Në atë kohë, Akademia e Platonit vazhdonte të ishte akoma një nga institucionet kryesore të Athinës.Aristoteli kërkoi leje nga Aleksandri dhe hapi shkollën e tij të njohur si Liceu, ku kaloi pjesën më të madhe të kohës. Ai mësoi studentë dhe vetë bëri shumë punë kërkimore dhe shkruajti gjithçka rreth tyre. Nxënësit e tij detyroheshin të ecnin rreth tij, pasi ai e kishte këtë zakon të shëtiste nëpër kampusin e Liceut ndërsa fliste e jepte mësime. Kjo është arsyeja pse nxënësit u njohën si Peripatetics ose ‘njerëz që udhëtojnë’. Studentët e Liceut ishin angazhuar në kërkime në një gamë të gjerë temash që përfshijnë matematikën, shkencën, artet, filozofinë. Ata shkruanin të gjitha ato që gjenin në dorëshkrime dhe në proces, shkolla u bë një nga bibliotekat e para të mëdha të botës antike.Pythias, gruaja e Aristotelit, vdiq në të njëjtin vit që u hap Liceu. Menjëherë pas vdekjes së saj, Aristoteli u fejua në një lidhje romantike me një grua të quajtur Herpyllis. Herpyllis ishte nga Stagira – qyteti i lindjes i Aristotelit.Historianët besojnë se Herpyllis ishte një skllave dhënë Aristotelit nga oborri i Maqedonisë. Sidoqoftë më vonë, Aristoteli e liroi Herpyllin dhe përfundimisht u martua me të.Herpylli dhe Aristoteli së bashku patën fëmijë. Djali i tyre Nikomakus (i quajtur pas babait të Aristotelit) vdiq në një betejë kur ishte akoma i ri.Besohet se për të nderuar të birin, Aristoteli e quajti veprën e tij më të famshme filozofike Etika e Nikomakut.Në vitin 323 pes Aleksandri i Madh vdiq papritmas, qeveria që ishte pro maqedonase u rrëzua. Kishte ndjenjë anti-Maqedonase në të gjithë rrethin e Athinës dhe Aristoteli kishte frikë se do të ndiqej penalisht. Mendohet se në Athinë, Aristoteli kishte shërbyer një agjent i fshehtë i Aleksandrit të Madh. Kështu, ai iku dhe u vendos në ishullin Euboea, ku qëndroi derisa vdiq.Aristoteli besonte se universi ishte i përjetshëm, pafillim e pafund.Ai ishte shumë i interesuar për zoologji, studioi me kujdes kafshët dhe i klasifikoi në dy grupe – me gjak të kuq dhe jo të kuq. Në kontekstin e sotëm kjo ndarje korrespondon me vertebrorët dhe jovertebrorët.Aristoteli gjithashtu ishte magjepsur nga biologjia detare. Ai madje disektoi kafshët detare dhe studioi tiparet anatomike të tyre. Vëzhgimet që ai bëri për jetën detare janë vërtetuat si të sakta.Aristoteli ishte i interesuar edhe për shkencat e tokës. Traktati i tij i quajtur “Meteorology” (studim mbi matjen e ajrit ose atmosferës) jep një pasqyrë të njohurive të tij. Ai identifikoi ciklet e ujit dhe madje diskutoi rreth ngjarjeve astrologjike dhe katastrofave natyrore.Qëllimi kryesor i filozofisë së Aristotelit ishte vazhdimi i një procesi të arsyetimit. Ai vëzhgoi gjërat bazuar në karakteristikat e tyre, veprimet e tyre dhe gjendjen në të cilën ndodhen.Sipas tij, disa gjëra kur krijohen, çojnë në diçka tjetër për shkak të domosdoshmërisë. Ky proces arsyetimi u cilësua më vonë si syllogjizēm.Pas rënies së civilizimit antik grek, shkrimtarët muslimanë ruajtën disa nga veprat e Aristotelit. Aristoteli, filozofia e të cilit ndikoi shumë në fetë e krishtera dhe islamike, vdiq në vitin 322 pes., 62 vjeç.

Filed Under: ESSE Tagged With: Aristotel, Astrit Lulushi

“Po bëj valixhet gati”

May 18, 2020 by dgreca

Shembja tronditëse 30-vjeçare/

Nga Arjeta FERLUSHKAJ/

Ishte ora 10:55 pm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 4:55 am në Shqipëri. Shoh në rrjetin social të ish-studentit alarmin “Erdhi policia në Teatrin Kombëtar! Po fillojnë arrestimet!” E pyes se ku ndodhet për momentin dhe më thotë se është pikërisht  aty, tek Teatri. E pyes për situatën dhe pas pak më përgjigjet: “E shembën!” Arrij ta ndjej dëshpërimin e tij në përgjigjet shigjeta. “Po i tërheqin njerëzit zvarrë!” më shkruan, duke iu referuar atyre që po mundoheshin të ndalnin këtë akt mesjetar, i përgatitur të bëhej pa dalë drita, ndërkohë që të gjithë shqiptarët po flinin.

***

Ai ishte një student i apasionuar pas letërsisë dhe ndërkohë që shokë të tij harxhonin më shumë kohë kafeneve, ai vinte në bibliotekë dhe kërkonte të lexonte diçka më shumë se veprat që pedagogët iu kishin caktuar në program. Sa herë hynte në bibliotekë, kalonte për të më përshëndetur dhe me tregonte kur kishte lexuar ndonjë libër të ri që biblioteka nuk e kishte; kur diskutonin me klubet letrare për jetën artistike të qytetit si dhe për shumë evente që ai i ndiqte me pasion e dëshironte t’i ndante me të tjerët. Ndër eventet më të fundit që më tregoi, me hovin që e karakterizonte, ishte grupimi i disa studentëve për të vënë në skenë një shfaqje me iniciativën e tyre. Më thoshte se po bënin prova çdo ditë që të ishin të denjë për skenën e teatrit. 

Entuziazmi i atij studenti e mbushte sallën e bibliotekës me dritë.

Kanë kaluar disa vite që nga koha e provave për atë shfaqje. Tani ai po shihte me sytë e tij një shfaqje tjetër me teatrin, por edhe teatron që po i bëhej jetës së vet. Një shfaqje për të cilën nuk kishte dashur kurrë të bënte prova. 

“Se ç’e shempnë derbederët/Mercenarët dhe bejlerët/ Se ç’e pren’ e se ç’e vranë/ Ç’e shkretuan anembanë/ Nënë thundrën e përdhunës.”

***

Më trondit një tjetër mesazh që vjen prej tij. Pastaj çdo gjë m’u duk më e lehtë për t’u pranuar: shembja e një teatri apo loti i një artisti që i ra shtëpia e qënies, me shpresën se do të ndërtohet një teatër i ri.

“Tani po bëj valixhet gati edhe unë”- lexova në telefonin tim.

Dhe vrasja e shpirtit të vendit u krye, ashtu siç ishte paralajmëruar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Arjeta Ferlushkaj, teatri, Vallixhet gati

Mbret i mirë

May 16, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Një herë, aty rreth viteve 400 pes, Zeno nga Sirakuza i njohur si ati i paradokseve u ul në një bisedë të stilit para-sokratik me nxënësit përrreth dhe u tregoi një histori të vjetër. Ishte një përrallë me mbret, populli i të cilit ishte mësuar të trajtohej gjithmonë mirë e drejtë, por kjo e kishte bërë squllët, nuk duronte dot asnjë gjë dhe vetëm ankohej e protestonte. I pakënaqur nga kjo gjendje, mbreti shpresonte t’u jepte një mësim. Plani ishte i thjeshtë: Ai do të vendoste një gur të madh në mes të rrugës kryesore, duke bllokuar plotësisht hyrjen në qytet. Mbreti do të qëndronte i fshehur diku aty pranë për të vëshguar reagimet e tyre. Si do të përgjigjeshin? A do të bashkoheshin për ta hequr gurin? Apo do të shkurajoheshin, dhe të dëshpëruar do të ktheheshin në shtëpi? Me zhgënjim në rritje, mbreti vëzhgoi se si njerëzit njëri pas tjetrit vinin dhe kur shihnin pengesën ktheheshin e largoheshin. Ose, në rastin më të mirë, përpiqeshin me gjysmë zemre para se të hiqnin dorë. Shumë u ankuan ose e mallkuan hapur mbretin dhe gjithë të pasurit, por më kot. Pas disa ditësh, një fshatar erdhi për të shkuar në qytet. Ai pa se rruga ishte bllokuar, por nuk u largua. Ndërsa u mundua e u mundua për të hequr gurin, një ide i erdhi: shkoi në pyllin aty afër për të gjetur diçka që mund ta përdorte si levë, dhe u kthye me një degë të madhe që e përdori për të zhvendosur shkëmbin masiv nga rruga. Dhe nën shkëmb gjeti një çantë me monedha dhe një shënim nga mbreti: “Pengesa në shteg bëhet shtegu; brenda çdo pengese, një mundësi për të përmirësuar gjendjen”.

Po sikur nën Teatër në Tiranë të jetë fshehur një thesar? Por nga kush? Mbreti i mençur i përrallës së Zenos nuk ekziston, as i juaji. Prandaj Teatrin mos e prishni nëse pa gjetur më parë një mbret të mirë. Një lloj paradoksi ky, sepse mbret të mirë s’kemi njohur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Një trandje e bukur

May 16, 2020 by dgreca

Shkruan: Bajame Hoxha – Çeliku-Bruksel/ Kur ngrihet njeriu në mëngjes nuk e di përveçse planeve, se çfarë tjetër i del përpara papritur. Kjo botë është e mbushur me surpriza të gëzueshme, por nga një herë dhe nga ndonjë surprizë jo e pëlqyeshme, që s’do ta doja kurrë në se ajo do më shqetësonte sadopak, apo të më ri sillte një dhimbje tashmë të larguar. 

         Ecja me hap të lehtë e futur në botën time mbase dhe po meditoja për të harruar vetminë e asaj dite të nxehtë. Ashtu dashje pa dashje, të shoqërojnë shumë kujtime të cilat mbartin hidhërime apo poshtërsi që njeriun e dëmtojnë keq. Por ka të tjerë që t’i lehtësojnë dhimbjet, të largojnë stresin, dhe ti pikërisht për këtë ke aq shumë nevojë. Shpirti do sinqeritetin, të bukurën, humanen, bujarinë e shumë gjëra të tjera të cilat janë pjesë e jetës. E futur në vetminë time, veshi s’po reagonte ndaj zhurmave që më rrethonin. Rrugët e baret ishin të mbushura plot nga të rinjtë që gumëzhinin atë ditë grupe, grupe.

         – Ama, Ama, Ama Çeliku! 

Ndalova. Pa e kthyer kokën ndjeva një dorë të binte mbi supin tim e dora tjetër e personit kishte nën sqetull një libër që nga vështrimi im rrëshqitës munda të lexojë një pjesë të kopertinës aq sa dukej jashtë sqetullës së të panjohurës.

         – Dhe surpriza s’kanë të sosur ia ktheva unë, akoma pa e parë në fytyrë.

         – Çfarë ke? S’po më njeh? 

E vështrova, ishte një grua e re, e shkathët dhe dukej shumë e dashur se çdo çast e shoqëronte me një buzëqeshje të ëmbël. Sakaq librin që kishte nën sqetull me vrull ma futi në çantë sikur e kishte të vjedhur e mos ta shikonte tjetër njeri.

         – Jo, po kaq në befasi më ke kapur sa… s’po e mbledh dot mendjen. Gjërat rrodhën kaq shpejt sa…nuk po kap dot kohën ku jemi njohur…

         – Mos e vra mendjen, – më tha – dhe më qëlloi lehtë në shpatull- jam Lida, më harrove se sa herë kemi udhëtuar në të njëjtin autobus? Ti rrije gjithmonë me Ketën. Të kujtohet provimi i letërsisë kur profesori na shkroi një poezi në dërrasë, pastaj u kthye nga ne dhe tha:

         – Ky është provimi për sot! Gjeni çfarë ka dashur të thotë autori.- Ne ngrimë të gjithë. Unë sidomos nuk ja thosha poezisë po diçka bëra sa për të marrë një notë kaluese. Nuk e harroj kurrë, në atë provim mora shtatë. Por ama mbeta shumë e kënaqur. Ah! Ishte vërtetë një ditë e bukur tamam si sot me plot surpriza! Si e dhamë provimin zbritëm poshtë në katin përdhes të godinës së universitetit dhe si gjithmonë u bëmë tok të gjitha ne Lushnjaret. Filluam diskutimet rreth provimeve ku mua s’po më hiqej nga mendja provimi. Frika se ndoshta nuk kisha katranosur gjë dhe e fundit, nuk e dija se çfarë kisha shkruar. E mbaj mend mirë, vetëm unë flisja,  flisja vetëm për provimin tim. Pikërisht për poezinë. Koha po ikte dhe unë s’po pushoja, isha kthyer në një potere të padurueshme. Atëherë ti Ami, kur vure re se unë e teprova, më pyete:

         – Si e kishte titullin poezia, se na vdiqe?

         – “Dimër ”- t’u përgjigja unë.- por ti s’e shtyve më tej por unë u bëra aq pengesë sa midis euforisë sime u ngrit diskutimi në qiell. Secila nga vajzat donte ta merrte fjalën, e të tregonte diçka nga klasa e saj, sepse nuk ishim as të një viti e kështu provimet i kishim të ndryshme. Por unë kisha mësuar aq shumë sa u demoralizova një çast,  se kurrë nuk më kishte shkuar mendja se profesor Dulla, do t’na jepte provim një poezi, e çuditshme! Pa pritur mes asaj zhurme të madhe ti mu drejtove përsëri:

         – Moj na çmende! Ndrysho temë! Po na thuaj të paktën, kush ishte autori i asaj poezie? Dua të them: kush e ka shkruar. Të lutem, ma përsërit edhe një herë titullin? 

         – “Dimër 91”. Ti përsëri heshte dhe po mateshe të niseshe duke tërhequr Ketën, nga e cila nuk ndaheshe. Por kur e pe se dhe Keta, po pengohej prej meje e s’po të ndiqte dot, ti u ktheve përsëri dhe mu drejtove:

         – S’na the moj vajzë e mirë…autorin e poezisë së famshme që të paska ngacmuar kaq fort…

         – Një…një… Bajame Hoxha – Çeliku. Po, po, jam e sigurt, nuk gaboj. E njeh ti? 

Ti në vend që të më thoshe: po ose jo, ia shkrepe një të qeshure me të madhe sa kishe në kokë:

         – Hahahaha! – u dëgjove në të gjithë ambientin. Ne ngrimë të tëra, ç’ishte me ty kështu? Çfarë të bëri të shpërtheje papritur në një të qeshur kaq të pakontrolluar? Por që e qeshura është një shenjë e mirë, këtë e dinim.

Ç‘ kishte ndodhur? E qeshura jote çuditërisht nuk mbaronte, përfshiu të gjithë auditorin po edhe ne pas teje nisëm të qeshnim ashtu kot, pa ditur pse. Por Keta që ishte në krahun tënd të djathtë, midis atij gazit tonë, kishte ngritur gishtin e madh të dorës së djathtë dhe po e tundte në drejtimin tënd. Askush s’po fliste, askush nuk kuptonte. Po qeshnim pa pushim dhe po vështronim Ketën, e cila për minuta të tëra vazhdonte të tundte gishtin drejt gjoksit tënd. Në momentin kur edhe gishti i Ketës u lodh, mblodha mendjen e t’u drejtova me ton e me çudi:

         – Moj! Ti je Bajamja?! Ti je… Bajame Hoxha? Uau! Po pse moj nuk na tregove gjatë udhëtimit në mëngjes?

         Unë të pyesja por ti s’më përgjigjeshe sepse s’të linte gazi, qeshje me zë e me lot. Por Keta, po e aprovonte me kokë që ishe vërtet ti. Ishte bukur, ishte një surprizë e bukur, apo jo Ami?

         – Epo më mëso emrin e vërtetë, jo gjithnjë më hyn në punë një emër anonim. 

          – Oh, po, kështu të thërrasin mbesat, kështu të thërras edhe unë. Të kujtohen të gjitha këto?

         Pas gjithë këtyre kujtimeve u ulëm diku dhe porositëm nga një kafe. Kur gjuhët tona u zgjidhën edhe bisedat  aq të ngrohta morën drejtime të ndryshme, u ndjemë rehat në praninë e njëra tjetrës. Aty kujtuam me nostalgji vitet e shkollës, të shoqërisë, të punës e mbi të gjitha biseda jonë u përqendrua më në fund rreth qytetit të Lushnjës, ku në të cilin, ishim rritur e formuar.

B.H

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku

Hapeni “Sirtarin” e Muç Xhepës që të ndjeni dhimbjen e shpirtit njerëzor

May 15, 2020 by dgreca

Nga Raimonda MOISIU*/

Të rrëfesh është ajo dëshira e fortë për të përmbushur përvojat shpirtërore, angazhimin dhe guximin qytetar që reciprokon ndjeshëm evoluimin jetësor, intelektual dhe artistik në artin e të shkruarit. Vetëm se krijuesi shpreh me fjalë mendimet dhe ndjenjat më të thella, u jep atyre dinjitet e madhështi, të cilat i realizon përmes letërsisë, meditimit e rrëfimit, tregimit e romanit, përmes vargjeve që shprehin pafundësinë e botës poetike, përmes esse-së, reportazhit dhe dramës, me c’rast krijimtaria, në një mënyrë ose në një tjetër ndjehet e angazhuar. Vetëm mjeti ndryshon, ai është arti! Pavarësisht gjinisë krijuese, shkrimtari posedon elementin më të qenësishëm të mendjes e shpirtit, rivlerëson dhe nxjerr në dritë përmes deklamimit të fjalës, vlerën e cdo vetie te Njeriu.

Mustafa Xhepa.

“Në sirtar” titullohet libri me rrëfime i Prozatorit dhe Diplomatit, Mustafa Xhepa alias me emrin letrar,- Muç Xhepa. Në të vërtetë, e lexova librin brenda natës, madje nuk mundesha ta lëshoja nga dora. Te përsiatjet e Muçit, “Në sirtar”-in rrëfyes, autori ka “paketuar” në dritën e gjërave të shkruara në heshtje, intensitetin e dhimbjes dhe simbolikën e një shpirti të lirë. Ai monologon, për të mos u ndjerë i vetmuar me; përjetimet shpirtërore dhe emocionale, dhembshurinë dhe pikëllimin, vetëdijen dhe mosvetëdijen, marrëdhëniet me njerëzit, të njohur e të panjohur, pranë e larg. Shkrimtari Muç Xhepa e di fare mirë se jeta është e bukur por është edhe ajo sfida e përditëshme që çmon lirinë, kujtesën përkundrejt mosharresës, për kohën e ikur dhe atë që vjen, me trishtimin e zgjënjimin, mallin e dhimbjen, absurden e dëshirën për ta mbajtur të gjallë e të paharrueshme. Kjo është metamorfoza e jetës!

 “Tregimet në këtë libër nuk janë imagjinare. Njerëzit, vendet dhe ngjarjet janë reale, emrat janë përmendur ashtu siç janë përdorur në atë kohë” – shkruan autori Xhepa në “Parafjalë”-n e autorit, dhe nuk harron të vlerësojë mentorin e tij, – gjuhëtarin, kryemjeshtrin e përkthimit dhe antikomunistin Petro Zheji, i cili do të ishte ai që e inkurajoi të botonte kujtimet e tij. Kjo është mëse e vërtetë, autori paraqet “Në Sirtar”-in e rrëfimeve të mbushura me episode dramatike jetësore reale dhe individë realë që janë aq episodikë, për bindjet, kujtimet e brengat thellësisht origjinale të zhvillimeve shoqërore, të gjitha ngjarjet, aspektet dhe kompleksiteti i tyre ripërcaktojnë epokën e njohur të jetës e me jetën.

Muç Xhepa rrëfen këndshëm e çiltër, me mëndje të shëndoshë e të mprehtë, impulsiv i jashtëzakonshëm, herë zbavitës dhe herë interesant, melankolik e melodramatik në heshtje na jep kronikën e gjallë të ngjarjeve midis dy epokave; luftës për ekzistencë dhe stalagitet e shpërbërjes në hapësirën e boshtë të farsave sociale e politike, ç’ka prodhuan rregjimin komunist dhe hijenat që ai rregjim la pas. Pjesa më e madhe e rrëfenjave të Xhepës konsiston në marrëdhëniet mes njerëzve, lidhjen me miqtë e vjetër e të rinj, afër e larg në atdhe e mërgim, individë realë që morfermojnë nga një rrëfenjë te tjetra të cilët sikundër autorin dhe audiencën e lexuesve e bëjnë të qeshë e lotojë në këtë udhëtim të trishtë e të lumtur të jetës. Libri hapet me rrëfenjën e titulluar “Në Sirtar”, nga e ka marrë edhe vetë titullin libri. 

Autori ndodhet në Washington dhe tashmë ai jeton midis dy kulturave, asaj amerikane dhe kulturës së vet autorit. Estetizmi dhe idealizmi mbërthejnë një sërë emocionesh të autorit, i cili me stilin e tij karakteristik, individualitetin e tij filozofik e artistik, i bën ato të vijnë në harmoni të plotë me stinën e pranverës, me lulet e qershisë dhe shpirtin e lirë të rilindur të autorit: “Pranverë në Washington. Magji lulesh qershie buzë Potomakut.” Autori Xhepa duke marrë në konsideratë figurat historike të njohura në të dyja kahjet e Atlantikut, shfaq dhe krijon harmoninë me vende dhe histori, karaktere e personazhe historike, ngjarje dhe pjesëza historike të stigmatizuara në skena reale mes hartash, që kanë përcaktuar fatin e Amerikës dhe fatin e Atdheut të autorit; “-rreth memorialeve të Ruzveltit, Xhefërsonit, Luther Kingut dhe Uashington Mollit, dhuratë japoneze kur u përcaktua, edhe Shqipëria londineze! 

Autori Xhepa shkruan se “Poetët i këndojnë bukurisë së tyre”, – dhe ndërthurr mjeshtërisht sfondin e dhimbjes e harmonisë, evokon kujtesën, dhe poetët shqiptarë në atdhe dhe egzil, evokon historinë dhe skenën e plotë në atë realitetin gri, sepse askush nga ne nuk mund të shkëputet nga e kaluara; “I kanë kënduar edhe në Burgun e Burrelit luleve të qershizës, që nuk thahej,- e ushqente gjaku i heronjve antikomunistë. Lulet e saj metafora e jetës.” Kjo është dashuria e autorit për jetën dhe njerëzit! 

Më pas autori Xhepa bën një ekspozim të përsosur të takimit me shkrimtarin e njohur antikomunist Prof. Arshi Pipa, sikundër e quan ai, miku i gjyshit të tij.

 “Pa u sistemuar mirë në punën e re, telefonova mikun e gjyshit tim, profesorin Arshi Pipa.”   

Xhepa kap dhe analizon detajin më të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, fatin e dy personazheve; “gjyshit dhe profesorit”, me mjeshtëri e finesë ndërton situate paralele të marrëdhënive dhe raportet që personazhet kanë pasur brenda asaj drame tragjike, – mes jetës, vdekjes dhe mbijetesës e asaj ç’ka kishin përjetuar; “Kishin qenë bashkë në Kënetën e Vdekjes, në Maliq.” Xhepa përcjell energji emocionale të fuqishme dhe mbresëlënëse, të vuajtjes dhe dhimbjes, të guximit e të mbijetesës së dramave jetësore të Prof. Arshi Pipës dhe bashkëvuajtësit të tij, gjyshin e autorit.

“Foli gjatë për vuajtjet në Kënetën e Vdekjes dhe më dhuroi librin e tij, “Libri i Burgut”, Thesar vuajtjesh dhe heroizmi. Dhimbjen e kishte marrë me vete me shpresën e madhe se do të ndikonte te qeveria amerikane që të ndërhynte me trupa në Shqipëri.” 

Të dy së bashku, autori Xhepa e Profesor Arshi Pipa, në këtë takim të parë përfshihen nga paqja e ngrohtësia njerëzore sikur njiheshin prej vitesh. Tema për fatin e Shqipërisë komuniste dhe fatin e bashkëvuajtësve mbizotëron bisedën e tyre, gjë që i ofronte edhe me tepër me realitetin.

“Kjo është Shqipëria; nuk i ka ardhur koha të hapet. Fillo të japësh mësim në universitete tona, mësoju studentëve ç’është komunizmi, ndaj me ta eksperiencën tënde të hidhur. -Humba në mendime -vazhdoi profesori- m’u shfaqën shokët që lashë në ferr, besimi që kishin se do të çliroheshin shpejt. Do të kalonin shumë vite – psherëtiu – që komunizmi të hante kokën e vet dhe ndryshoi bisedën.” Autori Xhepa synon të zbërthejë të vërtetën filozofike me mjeshtëri artistike, në të gjithë treguesit e saj. Ai i hedh një vështrim retrospektiv të kaluarës, evidenton shkaktarët e vërtetë dhe përgjegjësit kryesorë; regjimin komunist me psikologjinë kriminale në tërë sistemin qeverisës, që përcaktonin fatin e Shqipërisë dhe fatin, persekutimin e dinjitetit, mendimin dhe shpirtin e lirë të antikumunistëve e demokratëve të vërtetë. Mjeshtërisht, autori Xhepa shkrin shqetësimet e përbashkëta, shqetësime që kapërxejnë kufirin e ngushtë e shqetësimit individual. Në tregimin “Zhan Valzhani”, autori jep “kjoskat ambulatore” ku shkojnë të hanë kalimtarë e udhëtarë të ndryshëm, na jep metamorfozën e jetës që jetonin.  Autori përpiqet të rrëfejë rolin e zymtë të jetës, jetën e vështirë, vuajtjet dhe moralin e shoqërisë; “Nuk kishim marrë ende pjatat, kur te dera u shfaqën tre fëmijë; dy vajza dhe një djalë. Ishin të lagur deri në palcë. Vajza që dukej rreth dhjetë vjeç, më e rritura e tyre, iu afrua gruas dhe i kërkoi për të ngrënë. Gruaja e urdhëroi të dilte jashtë. Çezari i dha pjatën e tij, ashtu bëra edhe unë dhe u larguam.” Vetëm nga veprimi virtuoz dhe dashamirës i Çezarit dhe autorit, Xhepa arrin të krijojë një klimë ndjeshmërie dhe vendos lidhjet mes vetes e tre fëmijëve brenda kornizës së rrëfimit, – përfaqësues episodikë të shtresës së varfër sociale në një shoqëri të përciptë, spekulative dhe patetike; “Unë e kisha lënë me një mik për të marrë prej tij fjalorin gjermanisht-anglisht dhe, meqë rruga kalonte pranë konviktit të vajzave të mjekësisë, i mora fëmijët me vete. Kur u afruam te dera e konviktit e këshillova vajzën e madhe t’i lutej dezhurnit të kalonin natën atje. Prita jashtë. Pas pak fëmijët dolën duke qarë.

-Na përzuri, – tha me dënesë vajza.    

Autori shtjellon realitetin rrënqethës e dramatik, i cili shfaqet në forma nga më të rafinuarat, Xhepa shfaq mjerimin e trishtimin që sëbashku me varfërinë dhe trishtimin janë ulur këmbëkryq në “kjoskat ambulatore” të farsave sociale, ata qajnë e qeshin nga halli duke shfaqur forcën dhe shpresën e mbijetesës, që e bën rrëfimin mëse tronditës në kronikën e jetës së përditëshme. 

“Zhan Valzhan”-i thirra, – Fantinës ia kanë flakur Kozetën në rrugë.”

Autori Xhepa manovron nëpërmjet personazheve të romanit “Të Mjerët”, një nga veprat më të lexuar të shkrimtarit frances Viktor Hygoi, i cili e ka himnizuar mjerimin bukur e thjeshtë; – Vodhi një copë bukë për të ushqyer fëmijët dhe doli nga burgu një kafshë! Me finesë krijon analogjinë e fëmijëve të mitur, lënë në mëshirën e fatit, me Kozetën e pafajshme të Hygoit, varfërinë dhe mjerimin e tejskajshëm në tërësinë e kompleksitetit të ndjenjave njerëzore, e cila na bën të kuptojmë qartë gjendjen shpirtërore e sociale të fëmijëve. Analogji, që i shërben si një sfond njerëzor i paqëndrueshmërisë së njeriut ndaj njeriut, ku dominon forca e arsyes, humanizmit dhe forca e fjalës ideoartistike e Xhepës.

 “Qeshi me zë të brendshëm, të thellë. -Hajdeni zogj në çerdhen time, – tha pa pyetur se cilët ishin.”- si thirrje e ankthit 

Në bisedë e sipër autori ndjente tensionin, nervozitetin, stresin dhe shpirtin human të mikut të tij; marrjen në mbrojtje dhe kujdesin të qënieve të mitura, të keq ushqyera e të nëpërkëmbura; “Qeshi me zë të brendshëm, të thellë. -Hajdeni zogj në çerdhen time, – tha pa pyetur se cilët ishin.”- si thirrje e ankthit të kohës mbarsur me kontrastet e mëdha, farsat sociale dhe bujarinë njerëzore.

“Sapo hymë në kuzhinë, dhoma e punës së tij, nxorri nga një dollap i vogël pesë qirinj, një për secilin nga ne, i vendosi në parvazin e dritares;”- Xhepa shpreh këndvështrimin e tij ideoartistik, shpengon dhe shpjegon dritën e thyer të pesë qirinjve ndaj errësirës në sytë e fëmijëve, mikut të tij dhe vetes, prirje këto për të menduar ndryshe. Drita e qirinjve në fund të tunelit monologon raportin e zemërgjerësisë së shpirtit intim e të lirë me optimizmin e shpresën e së ardhmes që i përket ardhmërisë dhe dashurisë njerëzore; 

-Mirëseardhët engjëj të shenjtë! Vajza e vogël vrapoi drejt tij, iu hodh në qafë e me lotë gëzimi i tha: “Xhaxhi ti je si ne?”

Mbizotërimi i harmonisë dhe humanizmit evokon karakterin njerëzor, burrëror dhe të sakrificës të mikut të autorit, që është – “Petro Zheji, antikomunisti trim, pasi i ushqeu dhe u preu biletat fëmijëve “armiq”, me dashuri hyjnore i përcolli për Shkodër.” 

Ky ishte i madhi Petro Zheji, që vinte në sprovë dhimbjen dhe nuk pranonte dëshpërimin, por i kthente vlerat njerëzore në grintën ngadhënjimtare të tyre, veçmas për njëriun e thjeshtë e të vërtetë.    

Titulli i rrëfenjës “Hëna dhe Hekurat”, është unik dhe alegorik, me kuptimin dhe metaforën e dyfishtë të një shpirti të lirë dhe mosgjykimit të tij. Xhepa shpalos këndshëm emocione të forta e të fuqishme, bukurinë e intimitetit lirik e historisë prekëse dashurie me një të huaj, e cila robëroi zemrën e shokut të tij, Pëllumb Lloshit: “Pulum, do të të pres…dashuria ime… shqiptare…e parë! Më puthi në buzë, ndryshe, të lëngët. E putha edhe unë, fort, gjatë. Iku ngadalë. Largohej bashkë me zemrën, kishte shpërthyer kraharorin, e ndiqte si e marrë, ma kishte rrëmbyer… Buzët e saj prej zjarri e dogjën frikën. Hëna lëshoi vesë mbi trupt tanë. -Është mirë mos na shohin bashkë në mëngjes herët në Tiranë”. Por kthesa e papritur përkundrejt harmonisë së shpirtit të trazuar romantik, është një nga aspektet më intriguese të rrëfimit, që të fut drithërimën dhe sfidon Shekspirin, mjeshtrin e lotëve të trishtimit dhe lotëve të haresë.  

“E merr me mend pse të kemi sjellë këtu? -Jo nuk e di! – Kemi gdhirë tërë natën kur ti… Oficeri i sigurimit që ishte ulur në vendin e parë, me trup të madh e duar si darë, me vuri hekurat forcërisht prapa. I shtrëngoi; ato filluan të dhëmbin…Më shtyu brenda. Hapi frëngjinë e saj, një birë në pjesën e sipërme. – Hekurat do të t’i heq kur të urdhërojë shefi. E mbylli me krismë therëse, bashkë me të edhe jetën time.”

I sinqertë dhe mendje hapur, Xhepa shtjellon qartë me ëndje, dhimbje dhe adhurim fatin e Pëllumbit pas takimit dhe mistifikimin e atij çasti romantik që nuk mund t’i largohet kurrë nga kujtesa. “Hëna dhe hekurat” është tronditës, jep realitetin e pushtetarëve mediokër, injorantë e besnikë të sistemit, shpesh herë brutalë, sinonim i “xhonglerëve” politikë e partiakë të moralit komunist. Në frëngjinë e përbindshave ku bashkëjetonin Hëna dhe Hekurat, metamorfoza e forcës së dashurisë dhe brenga e vetmisë në kohë e hapësirë, kundër represionit komunist e konceptit unik persekutues, përpjekjet e mikut të tij, që edhe ashtu me “hekura” ndër duar nën vështrimin e zbehtë e të trishtë të hënës, ruan me çdo kusht e në çdo rrethanë misterin eternal të dashurisë njerëzore.  

Mes 30-ë rrëfenjave  “Në Sirtar”-in e Xhepës, autori arrin të na befasojë nga njëra rrëfenjë te tjetra; “Doktor Nosi”, “I Treti”, “Mësuesi i Frëngjishtes”, (tronditës fati i mikut të viteve tona të shkollës Kastriot Balili, shën.im),  “Zhan Matie”,”Në Bibliotekë”, “I dënuari me pushkatim”, “Kur Dita ishte Natë”, “Rrapini”, “Shigjeta e Kuqe”, “Prindi”, “Fotografia”,” A good man”, etj., deri te rrëfenja e fundit me titull “Hëna dhe Hekurat. Secila rrëfenjë alternative është historia e një beteje sublime njerëzore dhe shpirtërore midis të mundshmes e të paparishikueshmes nga ana e protagonistëve të saj, për të kuptuar të çuditshmen dhe misteriozen që fshihnin muret social-politikë në zymtësinë historike të botës reale dhe rendit të akullt shoqëror, në të cilën ai dhe protagonistët e tij kanë jetuar, atë botën e vështirë që të kuptohet, sepse kujtesa për atë ç’ka ndodhur nuk zhbëhet, por ajo rrëfehet! Autori rrëfen në mënyrë realiste, humane dhe filozofike përvojat jetësore, dramat e fatet njerëzore individuale, mënyrën e të konceptuarit të botës, shoqërisë e marrëdhënieve ndërnjerëzore. Përmes emocioneve dhe intensitetit të ngjarjeve, autori Xhepa absorbon të gjitha karakteret duke e bërë çdo gjë që ka ndodhur më të prekëshme, të sigurtë dhe të konunikueshëm, më të afërt e të besueshëm, mes vetes e lexuesit. E gjithë kjo mënyrë rrëfyese e Xhepës zhbiron radiografinë e kujtimeve të shkuara dhe sinoptikën ideoartistike dhe filozofike brenda mjedisit të realitetit shqiptar, dhe arrin t’u japë pjekurinë e duhur ndjenjave të dala spontanisht nga “sirtari”, që mbart drithërimën, dhimbjen, tronditjen e të prekëshmen, të bardhën e të zezën, ngushëlluese e të tmerrëshme, të egra e të mëshirëshme, vlera e antivlera, grotesken dhe dëshpërimin, pesimizmin dhe optimizmin, dhe u jep jetë personazheve të paharrueshme në jetën e tij. Autori përshkruan, histori e personazhe origjinalë e realë, të zakonshëm e modestë, intelektualë dhe elita e qytetarisë dhe inteligjencës shqiptarë brenda e jashtë Shqipërisë, miq të vjetër, të njohur e të panjohur, afër e larg të cilët guxonin e jetonin brenda realitetit të kufirit të ngushtë të thyerjes së brezave, kontrastit dhe përplasjes mes dy realiteve; realitetit të ashpër social-politik, i tejmbushur me kriza ekonomike sociale dhe ekzaltimit moral të shoqërisë. Karaktere të denjë e tronditës që dalin nga “muzeu historik “i kohës, personazhe të mirëvendosur me dramat e tyre jetësore e njerëzore, që konkurojnë në rrëfenjat alternative shkaqet e pasojat, karaktere të përkushtuar për të ndryshuar sistemin dhe konsolidimin e sistemit liri-demokraci.  

Xhepa zhbiron anën psikollogjike dhe sociale të personazheve dhe shtresave shoqërore të kulturave të ndryshme që ai ka takuar e takon në jetën e përditëshme në Amerikë, duke përcjellë mesazhin e unitetit social e njerëzor e shpirtëror të kulturave, -se dashuria e dhimbja, paqja e ngrohtësia njerëzore nuk njeh ngjyrë e race, ajo ekziston kudo. 

Vëzhgimin e ndërsjelltë e të përbashkët të tyre midis të mundshmes, të pamundshmes dhe të paparashikushmes në të kaluarën dhe shpresës drejt së ardhmes brenda atij realiteti të së përditshmes, që ndriçon realitetin e sotëm në kufijtë e atdhedashurisë dhe dashurisë njerëzore.

Postcsriptum

Takimi me Muç Xhepën ka ndodhur qysh në rininë tonë të hershme, dekada më parë, ekzaktësisht në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja, shokë konvikti. Ne i përkasim një brezi të mrekullueshëm ndër ato vite me shokë e shoqe të fismë e të bukur në formë e funksion, i brezit të mësonjësve të mrekullueshëm, të mënçur dhe me kockë të fortë qytetare dhe intelektuale, vlerat humane e çdo vetie të secili prej tyre, u bënë pjesë e rëndësishme e jetës dhe e botës sonë, që na shndërruan Ne, nxënësit e tyre – në Humanë! Mustafa XHEPA ka mbaruar studimet universitare për Gjuhë Angleze. Përveç karrierës së mësuesisë, spikat edhe karriera diplomatike në Washington. “Në Sirtar” është libri i parë i Prozatorit dhe ish Diplomatit, -Mustafa XHEPA. Libri i dytë në proçes botimi del së shpejti e titullohet “Në anën tjetër, tregime Uberi”. Jeton, punon e krijon në Washington. 

* Esse analizë “Në Sirtar”-in e Rrëfimeve të Muç Xhepës

Maj, 2020

Raimonda MOISIU

Author/Freelancer

Florida, USA 

Filed Under: ESSE Tagged With: Muç Xhepa, Ne Sirtar, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 235
  • 236
  • 237
  • 238
  • 239
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT