• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tërheqja nga e keqja

June 19, 2018 by dgreca

1 Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi/

Qëndrimi i parë i vizitorit në Shqipëri shkakton përzierje ndjenjash, dhe nëse vendos të qëndrojë, atij i duhet të humbasë individualitetin. Më parë ishte një njeri i vetëm, tani është një “parti”.  Pyetjet që i bëhen janë: “A  je socialist apo demokrat, i majtë a i djathtë?” Kjo i shkakton atij hutim; e djathta dhe e majta në Shqipëri, e formuar dhe e përbërë kryesisht nga ish-komunistë, ndryshon rrënjësisht nga koncepti perëndimor. Ky është ndryshimi i thellë që pëson në këto rrethana. Ai ndjehet si një nga bullonat e shumtë të hedhur tej të një mekanizmi të një makinerie të madhe pavlerë.  Ndjenjat e tij për vendin zhgënjehen, dhe mendon: “Kjo nuk është duke ndodhur, jo këtu. Dikur një vend i varfër, i izoluar, i shtypur dhe i ngritë nga ndenja e frikës, sot është i çorganizuar, lënë në mëshirën e fatit, me shpatën varur mbi kokë, a në gojën e ujkut. Njerëzit gjithmonë presin, duke u gënjyer nga një qeveri në tjetër, se shumë shpejt do të shohin ndryshimin.” Rregullat këtu duken gjysmë të çuditshme, të forta e të pafalshme, nëse nuk paguan nëndorë një polic, prokuror e gjykatësi. Njerëzit kanë kulturë, por shumë janë pa edukatë. Blerësi gjithmonë kërkon në mënyrë të vrazhdë dhe tregtari ia kthen në të njejtën mënyrë; të dy janë të rënduar, njëri nga çmimet e larta, tjetri nga taksat. Pavarësia dhe indiferenca e njerëzve dallohet fuqishëm nga sasia e parave. Ka nga ata që kanë shumë, dhe të tjerë të papunë e që rropaten për të fituar diçka. Konkurrenca është shumë e përhapur. Njeriu jeton me shpejtësi, fshihet për të shpërthyer diku tjetër. S’ka dyshim se ky tension largon shumë shqetësime, ndërsa vetëm kur dëgjon se dikush hidhet nga “kulla” e tjetri godet me sopatë dikë tjetër, ndërsa të varfërit hanë veten, si të thuash. Shqetësimi duket se nuk ka shans. Ata që janë mbushur e dhjamur këto vite, duke shkelur mbi të tjerët, japin garanci për sjellje të mirë, ndërsa tërhiqen vazhdimisht drejt së keqes nga forca e grykësisë, që gati sa nuk i mbyt.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Terheqja nga e keqja

Njeri na la, tjetri po na ikën

June 11, 2018 by dgreca

Nga Andon Dede, Nju York/

Fundjava e kaluar për amerikanët apo dhe shumë më gjerë, qe e ngarkuar me disa ngjarje tragjike që tronditën opinionin publik: pati dy vetë-vrasje: e para qe stilistja amerikane Kate Spade, e cila ndërtoi një perandori të modës me markën e saj, që u gjet e vetëvarur në apartamentin e vet në Nju Jork dhe, i dyti, Anthony Bourdain, kuzhinieri i famshëm e që më pas, u bë një nga personat më popullorë të Televizionit Amerikan, që u gjet gjithashtu i vetëvarur në një dhomë hoteli në Francë, ku ndodhej për të realizuar një nga episodet e radhës të emisionit të njohur të tij “Pjesët e panjohura”,( “Parts Unknown”). Keqardhja e shprehur për të dy qe jashtzakonisht e madhe, por unë do të fokusohem tek i dyti, për të vetmen arsye se kam qënë shumë më familjar me të, duke ndjekur me kënaqësinë më të madhe, gati çdo emision të tij, si dikur me “No reservation”, tek Travel Chanel, ashtu dhe më pas tek CNN, me “Parts Unknown”. Ai qe bërë gati pjestar i familjes tonë, si për kureshtjen që na shuante për të ushqyerit në vende të ndryshme të Botës, ashtu dhe për mënyrën e komunikimit, si i shtjellonte temat që trajtonte në çdo skaj të rruzullit të Botës. Me kalimin tek CNN, ai e zgjeroi fokusin, duke mos u ndalur vetëm tek ushqimi por dhe tek problemet sociale-ekonomike e politike të vendit ku shkonte. Qe aq komunikues apo dhe me një humor të këndshëm sa na qe imponuar si simbol i shijimit të jetës. Rrallë të gjesh një të dytë që të mos ketë lënë vend pa vajtur dhe kudo të gjejë gjuhën e duhur, si me krerët e shtetit e bisnesmenët e fuqishëm ashtu dhe me njerëzit më të zakonshëm. Pa e tepëruar mund të them se tek ndiqja telereportazhet e tij më dukej dhe mua se isha ulur në tavolinë me të e po kthenim nga një gotë. Ai kishte arritur ta zhdukte distancën e shikuesit me ekranin, gjë që do ta ëndërronte gjithsekush që punon në Television. Ndaj, për këdo tjetër mund të më shkonte mendja se një ditë edhe mund të largohej nga kjo Botë, por për atë kurrë. Nëna e vet, Gladys Bourdain, e cila ka qënë për një kohë të gjatë redaktore në NYT,  tha se “ajo nuk kishte vënë re asnjë shenjë që të tregonte se djali i saj mund të kishte menduar për vetëvrasje. Ai ishte absolutisht personi i fundit në botë që do të kisha menduar ndonjëherë se do të bënte diçka të tillë”,- tha ajo. Ishte kjo arsyeja që kur hapa televizorin të prëmten, më 8 qershor, sikur nuk doja t’iu besoja syve. Më pas vura re se nuk isha as i pari e as i fundit: të gjithë u shtangën nga ajo që kishte ndodhur. Vdekja e tij u bë lajm i parë në të gjitha kanalet televizive. Për të u prononcuan dhe Obama e Trumpi. Njerëzit shkonin e vendosnin tufa me lule në “Brasserie Les Halles”, një lloj i veçantë restoranti francez, ku ai kishte filluar së pari aktivitetin e tij si kuzhinier. Nuk  mu durua dhe menjëherë shkova dhe vetë atje, në Park Aveny me 28 strit. Para lokalit, që ishte mbyllur me kohë e po rikonstruktohej ndofta për ndonjë destinacion tjetër, qenë grumbulluar shumë njerëz, të moshave e kombësive të ndryshme. Në të dy anët e hyrjes qenë vendsour tërë ato afishe, shumica e të cilave të shkruara me dorë. Emërues i përbashkët i tyre qe dhimbja e thellë që iu kishte shkaktuar vetëvrasja e tij. Fjalë të thjeshta, të dala prej zemre. Pa dashur të zgjatem, ndonëse edhe do e vlente, nuk mund të rri pa cituar disa prej tyre. “Ju më nxitët mua të merrem me gatimin dhe për këtë ju jam shumë mirënjohës…”- shkruante njeri. “Ju ngjallët tek unë dëshirën për të udhëtuar, për të njohur popuj e vende të tjera”,- theksonte një tjetër. “Ju kishit një zemë të madhe dhe mendonit për të varfërit e hallexhinjtë, kudo që shkonit”- vinte në dukje një i tretë e kështu me radhë. Si pa u ndjerë kalova me leximn e tyre rreth një orë e ca. Akoma dhe tani që po shkruaj këto radhë, sikur nuk më besohet se Borduain nuk jeton më.

Sapo hapa kompjuterin, për t’u njohur me të rejat e fundit, shoh se lajmet për të pasonin njeri tjetrin. Por, më tërhoqi vëmendjen edhe diçka tjetër, po aq tronditëse sa vetëvrasja e Borduainit: një deklaratë e shkurtër e autorit dhe analistit të njohur politik Charles Krauthammer, fitues i çmimit “Pulitzer”, emër ky tepër i njohur për mua, qoftë si kolumnist në disa gazeta prestigjioze ashtu dhe si komentator, sidomos tek Fox Njuz. Para disa vjetësh ai botoi një përmbledhje me shkrime publicistike, “Things that Matter”, (“Çështje që vlejnë”), ku kishte dhe një artikull për zgjedhjet qesharake që bëheshin tek ne, në kohën e Diktaturës, me titull: ”The Tirana Index”. Kjo më shtyu të botoj edhe një shkrim, posaçërisht për këtë libër, që ndonjë kureshtar mund ta lexojë me titullin “Treguesi Tirana”.

Ç’është e vërteta, edhe mua më kishte bërë përshtypje mungesa e tij, vitin e fundit, tek komentet e “Fox”-it. Dhe ja cili paskej qënë shkaku që më tronditi: përmes deklaratës së tij të shkurtër, ai informoi publikun se i ka ngelur për të jetuar vetëm një javë(!). ”Unë kam heshtur këto dhjetë muajt e fundit, ndryshe nga sa më keni njohur, – shkruan ai. – Mendova se heshtjes së shpejti do t’i vinte fundi, por detyrohem t’ju them tani se fati ka vendosur një kurs të ndryshëm për mua. Në gusht të vitit të kaluar unë bëra një operacion për të më hequr një tumor. Ky operacion mendohej se do të ishte i suksesshëm por, në të kundërtën, shkaktoi një përkeqësim të gjenndjes time shëndetësore: testet e fundit kanë zbuluar se kanceri më është kthyer, madje në mënyrë agresive dhe po përhapet me shpejtësi. Mjekët e mi më thonë se më kanë mbetur vetëm pak javë për të jetuar. Ky është vendimi përfundimtar. Lufta ime ka mbaruar… Së fundi, falënderoj kolegët e mi, lexuesit e mi dhe shikuesit e mi, të cilët e kanë bërë karrierën time të mundshme dhe kanë patur pasoja për punën time gjatë tërë jetës. Unë besoj se ndjekja e të vërtetës dhe ideve të drejta, nëpërmjet debatit të ndershëm dhe argumentit rigoroz, është një ndërmarrje fisnike. Jam mirënjohës që kam luajtur një rol sado të vogël në bisedat që kanë ndihmuar në udhëheqjen e fatit të këtij vendi të jashtëzakonshëm. E lë këtë jetë pa keqardhje. Ishte një jetë e mrekullueshme dhe e plotë, me dashuritë e mëdha dhe përpjekjet po aq të mëdha që e bëjnë të vlefshme për të jetuar. Unë jam i trishtuar që po largohem, por ju bëj me dije se e kam jetuar jetën ashtu siç e pata menduar”.

Një fund tragjik, siç ka qënë pothuajse e gjithë jeta e tij, ndonëse ai ka triumfuar mbi të, përmes një vullneti të çeliktë: nga një djalë i shkathët e që merrej me sport, pas një aksidenti në shkollë, ai u paralizua dhe përfundoi në karrige lëvizëse. Përsëri nuk u dorëzua: përfundoi shkollën dhe u bë më pas një nga gazetarët dhe analistët më të njohur.

Bourdaini na la dhe Krauthammeri po na ikën, dy lajme tragjike, njeri më tronditës se tjetri. Ata mund ta vazhdonin edhe më tej bashkëbisedimin me dashamirësit e tyre të shumtë, por jeta u tregua e pamëshirëshme, duke i marrë në një moshë relativisht të re. Mesazhi i përbashkët i këtyre dy njoftimeve, edhe pse bëhet fjalë për vdekje, është thirrja për ta gëzuar jetën, madje jo vetëm për vete por, me mundësitë që ke, të kontibuosh dhe për lumturinë e të tjerëve. E keqja është se me këto mesazhe ne vetëdijësohemi zakonisht tepër vonë, dhe e kalojmë jetën sikur do të jetonim qindra vjet.

Nju York, 10 qershor 2018.

Filed Under: ESSE Tagged With: And on Dede, Njeri na la, tjetri po na ikën

Artisti që i ngjan aq shumë vendit të tij

June 10, 2018 by dgreca

1 Riad MarjanaNGA MARJANA BULKU/ Potent në skenë , me një zë të thellë sikur del prej mijëra vitesh e kërkon të thotë atë çka nuk u tha , i brishtë dhe human në jetë ,Riad Ymeri  ndriçon në çdo skenë dhe podium ku interpreton.
Është fuqia vokale, plastika interpretative por mbi të gjitha formimi kulturor që ia plotësojnë portretin artistit njeri dhe njeriut artist ,Riad Ymeri .
Dhe pyetja e parë që më erdhi ndër mend kur gushtin e kaluar e kisha në studion e Albanian Culture ishte : A i ngjan artisti vendit prej nga vjen?
Riadi është një tenor kosovar që ka një karrierë operistike në Shqipëri dhe Kosovë e vitet e fundit edhe në SHBA nga ku mundesh ta njohësh edhe më mirë artistin shumëdimensional. Nuk është nga ato që mburret e flet për veten por nga ato që din të thotë PO sa herë që i kërkohet të interpretojë. Dhe në fakt zëri i tij flet shumë, interpreton Moxartin e Verdin, Dizdarin e Gjonin dhe portreti i tij prej djaloshi mundet të shndërrohet edhe në Skënderbe , talenti dhe vullneti por mbi të gjitha shpirti nga i burojnë të gjitha këto ndërtojnë çdo ditë e më shumë një individualitet të spikatur artistik që e do skenën dhe që i duhet aq shumë asaj. Nuk ka vend më të bukur se skena për artistin prej nga aty ata të madhërishmit nuk duhet të largohen më. Është një marrdhënie shumëplanëshe ku Riadi din të shpalosë kualitetin e zërit, ngyrat e tekstit në raport të ngushtë me kontekstin , shpërthimet vokale që i ngjajnë lartësisë së maleve tona, zhdërvjelltësitë aktoreske të mimikës , trupit dhe shpirtit që ia perfeksionojnë portretin artistik. Dhe një shqiptar patriot si ai din ta ngrejë në art Shqipërinë, Kosovën , historitë e tyre bashkë me heronjtë e përjetshëm. Mjafton një za i naltë si ajo jehonë kushtrimesh ku thirrjet, lutjet , brohoritjet , e bëjnë magjik vendin prej nga ai vjen, prej nga ne vijmë. Ti mundesh të këndosh Moxart e Bethoven, Bah e Puçin, por ai za është vals i maleve tona, luginave, historive, dramave , gëzimeve tona prej nga ka marrë jetë,sepse artisti i ngjan aq shumë vendit prej nga vjen .

Filed Under: ESSE Tagged With: bissée, Marjana Bulku, Riad Ymeri

Frang Bardhi dhe “Apologjia” e tij për Skënderbeun

June 6, 2018 by dgreca

1 anton Cefa1 Apologjia e Skenderbeut1 Frank-Bardhi

NGA ANTON ÇEFA/

Apologjia hapet me prezentimin e autorit me këto fjalë: “Gjergj Kastrioti – Epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshëm i Epirotëve, u kthehet bashkatdhetarëve dhe atdheut të tij, prej Frang Bardhit, nxënës i kolegjit “de propaganda Fide”, episkop i Sapës dhe i Sardës si dhe administrator i Pultatasve dhe i popullsive të tjera të Arbërisë. Me bujarinë e Senatit të ndritur dhe të madhërishëm të Venedikut. Shtypur në Venedik prej Mark Gjinamit, më 1636. Me lejën e privilegjuar të superiorëve.”

Në vitin 1636 Bardhi botoi në Venedik veprën monumentale në gjuhën latine “Georgius Castriotes Epirensis, vulgo Scanderbeg, Epirotarum Princeps fortissimus ac invincitivimus” – “Gjergj Kastrioti i  Epirit, i quajtur përgjithësiht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve”Libri u përkthye nga latinishtja dhe botua në shqip nga Stefan Prifti në Tiranë, në vitin 1957.

Vepra është një polemikë me peshkopin bosnjak Tomko Marnaviç, që kishte botuar në viitin 1631 një libër ku mohohej shqiptarësia e Skënderbeut dhe Skënderbeu cilësohej si bosnjak, që i  takonte familjes së Marnaviçëve. Argumentet e përdorura nga Bardhi janë mbështetur në burime historiografike, arkivore e kronikalë që njiheshin në atë kohë,  duke mbajtur ndaj tyre edhe qëndrim kritik.

Në fillim, duke iu drejtuar lexuesit, autori  thotë: “Të shkruash Apologji ka qenë gjithmonë një punë sa e vështirë aq edhe e lodhshme, po aq fyese dhe gati, do të thoshja, e urryer nga çdo anë. . . . Po kur na detyron hapur nevoja, ky zegth i pamëshirshëm i vdekëtarëve, që t’u vërsulemi sa më rreptë, herët a vonë,  armiqve me pendën në dorë, atëherë ne nuk do të ndalemi përpara se t’ia arrijmë qëllimit të dëshiruar, duke patur parasysh pikën e mbërritjes sonë dhe duke përbuzur çdo farë pagjumësie dhe djerse sipas fjalës së famshme të poetit “Puna mposhtë çdo gjë” etj.”

Pastaj kur shikoja se princi i pathyeshëm e trim mbi trima i epirotëve apo shqipatrëve, Skënderbeu, i mohohej kombit të tij epirotas dhe se atij i visheshin gjëra që s’i përkisnin, unë po ta lë ty, o lexues mirëdashës, ta gjykosh se çfarë arsye të rënda më kanë shtyrë mua që ta shtrëngoj mirë pendën në dorë.”

……………………………………………………………………………….

Më së pari, Bardhi e fillon polemikën me Tomkon për saktësinë me të cilën ky i fundit shpjegon origjinën e fisit e të familjes së tij. Pretendimi, po e themi qesharak i Tomkos, është se zanafilla e familjes së tij nga stërgjyshi Stanisha, emrin e të cilit e nxjerr nga princët e qytetit Nisa (Nishi i sotëm), duke e lidhur me Konstandinin e Madh. Se si  mund të lidhet emri Stanisha me emrin në latinisht Kostandin, Bardhi shkruan në stil humorik: “Unë nuk mund të mos e admiroj autorin për këtë gabim të tij, megjithëqë na e heq veten si shumë të rrahur në gjuhën e vet dhe ka botuar edhe disa libërza në këtë gjuhë amtare.” Dhë më poshtë: “ . . . po ashtu është krejt qesharake dhe e paqëlluar të mendosh se e njëjta familje rrjedh nga Konstandini i Madh.

Autori sqaron më poshtë se historiku i familjes së Margnaviqëve fillon nga Marko Margnava, një burrë më tepër se kushdo tjetër i parëndësishëm dhe i ngritur nga gjendja shumë e ulët në autoritet të madh me ndihmën e perandorit Stefan.

Pa u zgjatur me Margnaviqët, për të cilët jepën hollësira historike nga autori, i cili hedh poshtë po ashtu me argumente të sakta përshkrimin e gabuar të ngjarjeve që lidhen me historinë tonë. Ai sqaron se Juanisi, i biri i Vukashin Margnavës,  nuk ka qenë prindi i Gjergj Kastriotit, të quajtur zakonisht Skënderbe, por ka qenë i biri i Joan Kastriotit (kështu emërton Bardhi Gjon Kastriotin), “epirotas edhe nga prejardhja, edhe nga vendi i lindjes.” Për këtë të vertëtë, Bardhi bie dëshmi nga Orbini, Barleti, Kalkondili,  dhe Leunklavi.

Duke u mbështetur tek Barleti, kur ky bën fjalë për fushatën e Skënderbeut, të cilit mbreti i Hungarisë i pat dërguar letër me qëllim që t’i  bashkonin fuqitë e tyre kundër turqve, tregon se Despoti i Serbisë, Gjergj Vukoviq, mbante anën e turqve, jo vetëm sepse bijën e tij, Katakuzinë, ia kishte dhënë për grua sulltan Muratit, por edhe pse urrente  hungarezët dhe veçanërisht Joan Transilvanin,  prandej me të marrë vesh gatitjen e luftës nga hungarezët dhe Skënderbeu, ai ia mbylli Skënderbeut të gjitha rrugët e shtigjet nga mund të kalonte, ndërsa hungarezët po e prisnin Muratin me forcat e veta.

Veç kësaj, Tomko bëri një deklaratë, sipas së cilës : Principatën e Nisës duhet ta kenë të përbashkët princi i pathyeshëm Gjergj Juanoviq, i quajtur zakonisht Skënderbe, dhe konti i lartpërmendur Tomko, si dhe trashëgimtarët e tyre, sepse këta janë gjoja filiza meshkuj që zbresin ligjjërisht nga i njëjti trung i mbretit Vukashin dhe i vëllait të tij Gojku.

Bardhi, duke kundërshtuar “përrallat” e Tomkos për Skënderbeun shkruan: “Na u quajtka këtu Skënderbeu Gjergj Juanoviq, me qëllim sigurisht që të besohet kështu më lehtë se ai ka lindur nga Juanisi, bir i Vukashin Margnaviqit. Por kjo është një gjë absurde, sepse është në kundërshtim të urryer me traditat e përgjithshme jo vetëm të epirotëve dhe të ilirikëve, por edhe të të gjithë Orientit, si edhe me kujtimet e çdo shkrimtari . . .”

Ai, gjithashtu, vlerëson Skënderbeun: “Heroi, që si ndonjë shkëmb i patundur i plandoste valët e tërbimit otoman, nga dora e djathtë e të cilit Perandoria Osmane, e lëkundur nga themelet, tmerrohej me të drejtë për vetë zhdukjen e saj, në shpatën  kërdimbjellëse të të cilit veprat e shkëlqyera të të parëve të tij, të reflektuara si rreze të ndritshme, i kërcënonin hënëzat me eklipsën vdekjeprurëse . . .”

Duke u mbështetur tek Volterrani, gjeograf, Bardhi shkruan që familja e Kastriotëve numërohet si më e vjetra ndër familjet e tjera fisnike të Epirit apo të Arbërisë, prandaj ajo s’e ka zanafillën e saj nga Juan Margnaviqi. Gjithashtu edhe Bartoldi, një historian, në librin “ Jeta e Skënderbeut” e quan babën e tij Kastriotas. Barleti, nga ana tjetër, tregon se “Shquhej ndërmjet mbretërve të vëgjel dhe princërve të tjerë emri mjaft fisnik i Joan Kastriotit për sundimin e tij si në qytete të tjerë, si në Krujë veçanërisht. Më tej, sqaron: “Krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Ematia prej një dere fisnike dhe se kanë sunduar në Epir njëkohësisht  me lavdi e fatbardhësi. Mbi këta të gjithë … ishte pikërisht Joani ai që spikati për urtësi, rëndësi e shpirtmadhësi të paepur, pastaj edhe për virtyte të tjera si edhe për bukurinë e rrallë  të trupit.”

Janë të panumërta dëshmitë që parashtron Bardhi për të hedhur poshtë pretendimet e Margneviqit për origjinën e Skënderbeut nga Marneviqët dhe për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut.  Bartoldi në veprën e tij “Jeta e Skënderbeut”, ndër të tjera, shkruan: “Gjergj Kastrioti ka lindur nga Joan Kastrioti, princ i Epirit dhe në radhë të parë i Krujës.” Dhe që të mos zgjatem duke cituar autorë, thotë Bardhi, të gjithë ata që bëjnë fjalë për prindin e Skënderbeut, e quajnë atë Joan Kastrioti. Shiko për këtë analet turke, analet e Venedikut, të Raguzës, Marin Beçikemin, Joan Nikollë Doglinin, i cili bën veçanërisht fjalë për të dy, edhe për Juanisin e Tomkos, edhe për Juan Kastriotin, prindin e Skënderbeut, Joan  Karol Saraçenin, vepër e Jakov Gordonit të shoqërisë së Jezuitëve, Çezar Kampanën dhe shkrimtarë të tjerë shumë të kujdesur. Këtyre mund t’u shtojmë edhe vetë Barletin, i cili flet kështu: “ . . . në Epir shquhej ndërmjet mbretërve të vegjël dhe princërve të tjerë emri mjaft fisnik i Joan Kastriotit për sundimin e tij si në qytete të tjerë, si në Krujë veçnërisht.

Sabeliku, në “Historia e Venedikut” shkruan: “ . . . baba i tij Joan Koçi më tregonte se e kishte parë këtë arbëror (është fjala për Skënderbeun, A. Ç.), i cili me 600 kalorës ishte hedhur në Apuli  në emër të mbretit Ferdinand, të luftojë krahëzhveshur herë me heshtë, herë me shpatë të përdredhur, të plagosë e të vrasë në betejjë aq shumë njerëz, sa as gjithë skuadra që kish pas, duke i kallur tmerrin armikut.”

Po ashtu, shkrimtari Francisk Sansovini, në “Historinë e Përgjithshme mbi origjinën dhe luftërat e turqve”, flet kështu: “Ndërmjjet popullit arbëror, i cili luftoi me trimëri të rrallë kundër turkut, kanë qenë shumë princër fisnikë e të mëdhenj, të cilët, në këto kohë të fillimit të rritjes së otomanëve, u vunë përballë me të gjitha forcat e tyre kundër përpjekjeve të turqve. Por ndërmjet këtyre të gjithëve ka qenë njëri, zoti Skënderbe, që është më fisniku  dhe më i denjë për t’u mbajtur mend për jetë, sepse ky njeri e mbrojti trimërisht besën e krishterë në këto anë për shumë vjet dhe prandaj meritoi të bëhej mbret i Epirit.”

Më poshtë, Bardhi flet për historianin Bartholeme Dionizi prej Fani, që në kapitullin shtatë të librit “Kopshti i gjithë historive të botës” e përmend kështu Skënderbeun: “U  shqua në kohën e vet Gjergj Kastrioti, arbëror. Ky, si iku nga sarajet e turkut, e zuri përsëri Arbërinë, shtetin e tij atëror, dhe e mbrojti atë fatbardhësisht me trimërinë më të madhe kundër fuqisë turke, duke i dhënë mbretit goditje të atilla që shpesh e shpunë në dëshpërimin më të fundit.” Pastaj ai shënon një numër të madh historianësh e shkrimtarësh që kanë shkruar për Skënderbeun: Leunklavin, Petro Bimbin, Tuberonin dalamatas dhe Tuberonin raguzas, të dy abatë, Joan Baptista Marinin, gruan fisnike Margarita  Sarroki dhe Jakov Ricin, i cili poetizoi:

Beteja e Herkulit  dhe e Skënderbeut

“Por me gëzim të madh e me furi,

Skënderi epirotas i pathyeshëm,

Sulmon kreshnik n’betejë e del ngadhnjyeshëm,

Shpirtmadh, i vrullshëm e plot fuqi.”

Dhe më poshtë:

“Frenon Aleksandri nga Epiri dalë,

Atin e lartë, lindur aq krenar,

Në vrap i lehtë e trim pa kundërshtarë,

Po aq me armë shtrënguar e ballë për ballë.

Parzmore prej lekure t’ashpër ka

Shigjetë e shtizë përmbi hark, hata,

U hodhën shtizat me të shpejtë prej harkut,

Arbërori n’ krye i sjellun nga Tebani,

Tjetër topuz përdor nga Herkuliani”, etj.

“ Me qëllim që të zhduket çfarëdo arsye dyshimi për atdheun dhe prejardhjen e Skënderbeut” shkruan Bardhi, “do të sjell këtu disa autorë të shquar” dhe përmend: Gjergj Bartoldin, kryeofiqar prej Prage, Joan Tarkognatin, që në librin “Historia e botës”, shkruan për prindin  e Skënderbeut, Gjon Kastriotin.  Më pas jepet një dëshmi e Skënderbeut dhenë princit të Tarantos Joan Antonit, i cili kishte përbuzur arbërorët: “Pastaj ti e përbuzë fisin tonë dhe arbërorët i quan gati bagëti. Sipas zakonit tënd, ti flet me përbuzje dhe duket se nuk e njeh prejardhjen e fisit tonë.  Të parët tanë kanë qene epirotas, nga të cilët ka zbritur ai Pirroja me namë, sulmin e të cilit me vështirësi mundën ta durojnë romakët dhe i cili Taranton e shumë vende të tjera të Italisë i pushtoi me armë.”

Me qellim për ta bërë sa më të qartë familjen e Kastriotëve, shkruan Bardhi, “Duhet të dimë se është një pjesë e vogël e Epirit apo Arbërisë, që sot në kohën tonë quhet zakonisht nga epirotët dhe bashkëvendasit tanë “As”(sqaroj: Hasi, A. Ç.). Pranë këtij vendi janë vendosur e ndodhen pulatasit  dhe dukagjinasit, popullsi të Arbërisë. Përmes këtyre popullsive dhe përmes maleve shumë të lartë rrëshqet lumi  i shënuar dhe shumë i shpejtë Drin. Në këtë pjesë të Epirit, ndërmjet vendeve malore të asaj krahine ngrihet një fshat i vogël, i quajtur prej askolëve (hasjanëve) Kastrat. Ky fshat, bashkë sigurisht me shumë fshatra, bashtina, kështjella e qytete të tjerë . . . u sjell dëme jo të pakëta mësymjeve dhe sulmeve të turqve. . . . Të drejtën  dhe pushtetin mbi këtë fshat  e pretendon për veten e saj një familje e përmendur dhe shumë e vjetër ndërmjet bashkëvendasve tanë, e quajtur Kastrati. Prej kësaj familje kanë dalë shumë burra të nderuar për mënçurinë dhe trimërinë e tyre luftarake. Unë për shumë arsye guxoj ta pohoj si të vërtetë se nga ky vend e nga kjo familje kanë dalë ata që quhen zakonisht “Kastriotë”. Së pari, sepse me këtë mendim është në pajtim të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit tonë. Pastaj sepse është nevoja të merret parasysh se, që nga koha e Skënderbeut e gjer tani, nuk ka kaluar aq kohë, sa që të jetë shlyer e harruar çdo kujtim i tij dhe i njerëzve të tij nga bashkëkombasit tanë. Sepse këta e kanë zakon që të këndojnë gjithmonë nëpër gostitë e tyre . . . për prejardhjen dhe veprat e paharruara të burrave të tyre të shkëlqyer.

Një dëshmi tjetër e padiskutueshme janë “Analet e Raguzës”, në të cilat thuhet, ndër të tjera, se familja e Joan Kastratit, Zot i Krujës, ka dalë  nga Kastrati, një katund në juridiksionin e Asit (Hasit) në Arbëri. Po  ashtu, në rast se ndryshimi i diademave tregon ndryshimin e një familjeje, atëherë edhe nga kjo pikë kyçe do të mund të konstatohet se Skënderbeu  nuk ka rrjedhur në asnjë mënyrë nga familja e Margnaviqëve. Siç del qartë nga Barleti dhe nga privilegjet e familjes imperiale të Flav Engjellit, ky princ shumë i fuqishëm përdorte si flamur një shqipe dykrenore mbi një fushë të kuqe. Këtë stemë, Skënderbeu e pati prej stërgjyshërve të tij. Familja e Margnaviqëve, përkundrazi, nuk ka pasur shenja të tilla.

Gjithashtu nuk mund të mos merret parasysh dashuria e pabesueshme e epirotëve ndaj Skënderbeut, sepse me siguri  ata nuk do ta kishin dashur aq tej masës, sikur Skënderbeu të mos kishte qenë epirotas. Përkundrazi,  vazhdimisht gjer në ditët e sotme bashkëkombasit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimëritë e tij nëpër gostitë, dhe e quajnë Skënderbeun për antonimasi me emrin e shquar “Kuçedra e Arbënit”, dmth., dragoi i Epirit.

***

Kush është Frang Bardhi

(1606 – 1643)

Humanisti shqiptar i klasit të parë, atdhetari i flakët dhe i kulluar,  leksikografi i parë në fushën e kukturës shqiptare, një nga autorët e letërsisë së vjetër shqipe, historiiani, folkloristi, etnografi, me një fjalë, një personalitet i përkushtuar ndaj cështjes së atdheut dhe popullit tonë, ky është Frang Bardhi.

Bardhi lindi në një familje klerikësh të lartë të Kallmetit (Zadrimë). Bëri studimet në kolegjin fetar të Loretos në Itali,  dhe me 1635 u emërua peshkop i Sapës (Nenshati i sotëm). Hartoi dhe botoi një “Fjalor latinisht – shqip” për të ndihmuuar lëvrimin e shqipes dhe për ttë qenë mbështetje  nxitje që të botoheshin më shumë libra në gjuhën amtare. Me proverbat e botuar  aty, Bardhi zë vendin e parë si mbledhës i folkorit tonë. Si historian, Bardhi botoi në vitin 1636 në Venedik në gjuhën latine veprën monumentale “Gjergj Katrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve” – Georgius Castriotes Epirensis, vulgo Skandebeg, Epirotarum Princeps fortissimus ac invincitivimus. – Veprën e shkroi si polemikë për të hedhur poshtë mendimin e pathemeltë të një peshkopi bosnjak bashkëkohës, që i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, dhe “Apologjia”, e tij për Skënderbeun, Frang Bardhi

Emfazë retorike për Ruzhdi Golen

June 6, 2018 by dgreca

Nga Gladiola Jorbus/

Krijuesi Ruzhdi Gole u rishfaq para miqve të librit, me veprat më të fundit “Klorofil frymor”(2017) e  “Inde dhe ishuj” (2018). Mund të themi se në panoramën çorientuese dhe trullosëse të eseistikës bashkëkohore, përfshirë këtu dhe aktualitetin shqiptar, frymon dhe ngrihet krenare, pena e poe – prozës  së autorit R. Gole.

Sipas meje, veçantia më e madhe e tij mbetet oksimoroni, i cili krijon marrëdhënie sintaksore me vdekjen, dashurinë, pikturën, qytetin, shqisat, braktisjen, jetën, limontinë dhe ka si qëllim parësor të transmetojë sensacione, ndjenja, impresione, deduktime e sentenca sofiste.

Ndërkohë që shfleton poe – prozën e poetit Ruzhdi Goles, ti ndihesh si një ortek në rrokullisje pasi diçka i ka lëkundur ekuilibrin e brendshëm; në një pulitje sysh, të shfaqet e tërë qenësia tokësore e hyjnore që – kur ke qenë një pikëz jete brenda në mitër e gjer në zhvillimin e deritashëm.

Nën ndikimin e “Klorofilit frymor”, energjia që përthithim nga drita goliane, herë na zhyt në dëshpërim, herë na hap dyert e parajsës, për t’u rrekur më pas në një spleen (alla Bodler) dyrrachian të epërm si një qiell mbi krye.

Eseistika e krijuesit Goles fsheh një botë të vogël, strehon aq shumë ndjesi dhe mbart aq emocione, sa të duket sikur po shfleton esse nga Artur Rembo, nobelistja Gabriela Mistral apo argjentinasja me origjinë hebreje Alejandra Pizarnik. Autori ynë shkruan në hapësira krijuese që tërheqin të vërtetën; ai e paraqet natyrën siç është, siç shihet, kurse botën, ashtu siç ndihet – nga kjo pikë ai ka të zhvilluar një karakter të fuqishëm përshkrues, me një fjalor që i jep jetë një kryevepre të ardhshme.

Ai e vesh Evën e tij dhe e zhvesh me vërtetësinë e gjykimeve të reja, dashuron thjeshtësinë njerëzore dhe provon në lëkurën e tij çdo muzg, agim, perëndim; çdo ëndërr, çdo moshë a stinë.

Është e qartë se ekziston një kontradiktë, madje e papajtueshme, nëse i japim veprës një kuptim thjesht formal “prozë poetike”, por duke kryer zgjerimin semantik të frazës, mund të arrihet në një përkufizim të  tipit “ prozë që jeton në brendësi të vargut”.

Ky do të ishte deklamimi në një formë të pazakontë i një zhanri letrar që – pavarësisht nga varieteti i saj – ka ruajtur tradicionalisht kafazin formal të vargut në pasigurinë e frymimit prozaik. Prania e elementeve tërësisht estetike, revokimi i dyshimit në ekzistencën e një entiteti të dallueshëm nga jo-letrarja dhe jo-artistikja, mosshfaqja e ngërçeve strukturore të perceptimit do të thotë një kthesë ekspresioniste në fuqizimin e kohezionit ose konsistencës tekstuale në të këtillë vepër.

Dhe në fund, emfaza retorike: Jeta që zhvillohet sot pareshtur, nën zhurmat shurdhuese, nën paqen e përgjakur, në qetësinë ushtuese të një bote klishe të amplifikuar nga mediat, a ia vlen vërtet të rrëfehet?! Gjithësia rrëkëllehet në meandret e meditimit. Ndërsa autori Ruzhdi Gole, me stoicizëm e talent, shkruan e përshkruan në një poe – prozë të harlisur dhe arrin të ruajë simultanisht, bukurinë dhe shëmtinë në faqet e saj.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: emfaze, Gladiola Jorbus, Ruzhdi Gole

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 282
  • 283
  • 284
  • 285
  • 286
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT