NGA ANTON ÇEFA/
Apologjia hapet me prezentimin e autorit me këto fjalë: “Gjergj Kastrioti – Epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshëm i Epirotëve, u kthehet bashkatdhetarëve dhe atdheut të tij, prej Frang Bardhit, nxënës i kolegjit “de propaganda Fide”, episkop i Sapës dhe i Sardës si dhe administrator i Pultatasve dhe i popullsive të tjera të Arbërisë. Me bujarinë e Senatit të ndritur dhe të madhërishëm të Venedikut. Shtypur në Venedik prej Mark Gjinamit, më 1636. Me lejën e privilegjuar të superiorëve.”
Në vitin 1636 Bardhi botoi në Venedik veprën monumentale në gjuhën latine “Georgius Castriotes Epirensis, vulgo Scanderbeg, Epirotarum Princeps fortissimus ac invincitivimus” – “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësiht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve”Libri u përkthye nga latinishtja dhe botua në shqip nga Stefan Prifti në Tiranë, në vitin 1957.
Vepra është një polemikë me peshkopin bosnjak Tomko Marnaviç, që kishte botuar në viitin 1631 një libër ku mohohej shqiptarësia e Skënderbeut dhe Skënderbeu cilësohej si bosnjak, që i takonte familjes së Marnaviçëve. Argumentet e përdorura nga Bardhi janë mbështetur në burime historiografike, arkivore e kronikalë që njiheshin në atë kohë, duke mbajtur ndaj tyre edhe qëndrim kritik.
Në fillim, duke iu drejtuar lexuesit, autori thotë: “Të shkruash Apologji ka qenë gjithmonë një punë sa e vështirë aq edhe e lodhshme, po aq fyese dhe gati, do të thoshja, e urryer nga çdo anë. . . . Po kur na detyron hapur nevoja, ky zegth i pamëshirshëm i vdekëtarëve, që t’u vërsulemi sa më rreptë, herët a vonë, armiqve me pendën në dorë, atëherë ne nuk do të ndalemi përpara se t’ia arrijmë qëllimit të dëshiruar, duke patur parasysh pikën e mbërritjes sonë dhe duke përbuzur çdo farë pagjumësie dhe djerse sipas fjalës së famshme të poetit “Puna mposhtë çdo gjë” etj.”
Pastaj kur shikoja se princi i pathyeshëm e trim mbi trima i epirotëve apo shqipatrëve, Skënderbeu, i mohohej kombit të tij epirotas dhe se atij i visheshin gjëra që s’i përkisnin, unë po ta lë ty, o lexues mirëdashës, ta gjykosh se çfarë arsye të rënda më kanë shtyrë mua që ta shtrëngoj mirë pendën në dorë.”
……………………………………………………………………………….
Më së pari, Bardhi e fillon polemikën me Tomkon për saktësinë me të cilën ky i fundit shpjegon origjinën e fisit e të familjes së tij. Pretendimi, po e themi qesharak i Tomkos, është se zanafilla e familjes së tij nga stërgjyshi Stanisha, emrin e të cilit e nxjerr nga princët e qytetit Nisa (Nishi i sotëm), duke e lidhur me Konstandinin e Madh. Se si mund të lidhet emri Stanisha me emrin në latinisht Kostandin, Bardhi shkruan në stil humorik: “Unë nuk mund të mos e admiroj autorin për këtë gabim të tij, megjithëqë na e heq veten si shumë të rrahur në gjuhën e vet dhe ka botuar edhe disa libërza në këtë gjuhë amtare.” Dhë më poshtë: “ . . . po ashtu është krejt qesharake dhe e paqëlluar të mendosh se e njëjta familje rrjedh nga Konstandini i Madh.
Autori sqaron më poshtë se historiku i familjes së Margnaviqëve fillon nga Marko Margnava, një burrë më tepër se kushdo tjetër i parëndësishëm dhe i ngritur nga gjendja shumë e ulët në autoritet të madh me ndihmën e perandorit Stefan.
Pa u zgjatur me Margnaviqët, për të cilët jepën hollësira historike nga autori, i cili hedh poshtë po ashtu me argumente të sakta përshkrimin e gabuar të ngjarjeve që lidhen me historinë tonë. Ai sqaron se Juanisi, i biri i Vukashin Margnavës, nuk ka qenë prindi i Gjergj Kastriotit, të quajtur zakonisht Skënderbe, por ka qenë i biri i Joan Kastriotit (kështu emërton Bardhi Gjon Kastriotin), “epirotas edhe nga prejardhja, edhe nga vendi i lindjes.” Për këtë të vertëtë, Bardhi bie dëshmi nga Orbini, Barleti, Kalkondili, dhe Leunklavi.
Duke u mbështetur tek Barleti, kur ky bën fjalë për fushatën e Skënderbeut, të cilit mbreti i Hungarisë i pat dërguar letër me qëllim që t’i bashkonin fuqitë e tyre kundër turqve, tregon se Despoti i Serbisë, Gjergj Vukoviq, mbante anën e turqve, jo vetëm sepse bijën e tij, Katakuzinë, ia kishte dhënë për grua sulltan Muratit, por edhe pse urrente hungarezët dhe veçanërisht Joan Transilvanin, prandej me të marrë vesh gatitjen e luftës nga hungarezët dhe Skënderbeu, ai ia mbylli Skënderbeut të gjitha rrugët e shtigjet nga mund të kalonte, ndërsa hungarezët po e prisnin Muratin me forcat e veta.
Veç kësaj, Tomko bëri një deklaratë, sipas së cilës : Principatën e Nisës duhet ta kenë të përbashkët princi i pathyeshëm Gjergj Juanoviq, i quajtur zakonisht Skënderbe, dhe konti i lartpërmendur Tomko, si dhe trashëgimtarët e tyre, sepse këta janë gjoja filiza meshkuj që zbresin ligjjërisht nga i njëjti trung i mbretit Vukashin dhe i vëllait të tij Gojku.
Bardhi, duke kundërshtuar “përrallat” e Tomkos për Skënderbeun shkruan: “Na u quajtka këtu Skënderbeu Gjergj Juanoviq, me qëllim sigurisht që të besohet kështu më lehtë se ai ka lindur nga Juanisi, bir i Vukashin Margnaviqit. Por kjo është një gjë absurde, sepse është në kundërshtim të urryer me traditat e përgjithshme jo vetëm të epirotëve dhe të ilirikëve, por edhe të të gjithë Orientit, si edhe me kujtimet e çdo shkrimtari . . .”
Ai, gjithashtu, vlerëson Skënderbeun: “Heroi, që si ndonjë shkëmb i patundur i plandoste valët e tërbimit otoman, nga dora e djathtë e të cilit Perandoria Osmane, e lëkundur nga themelet, tmerrohej me të drejtë për vetë zhdukjen e saj, në shpatën kërdimbjellëse të të cilit veprat e shkëlqyera të të parëve të tij, të reflektuara si rreze të ndritshme, i kërcënonin hënëzat me eklipsën vdekjeprurëse . . .”
Duke u mbështetur tek Volterrani, gjeograf, Bardhi shkruan që familja e Kastriotëve numërohet si më e vjetra ndër familjet e tjera fisnike të Epirit apo të Arbërisë, prandaj ajo s’e ka zanafillën e saj nga Juan Margnaviqi. Gjithashtu edhe Bartoldi, një historian, në librin “ Jeta e Skënderbeut” e quan babën e tij Kastriotas. Barleti, nga ana tjetër, tregon se “Shquhej ndërmjet mbretërve të vëgjel dhe princërve të tjerë emri mjaft fisnik i Joan Kastriotit për sundimin e tij si në qytete të tjerë, si në Krujë veçanërisht. Më tej, sqaron: “Krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Ematia prej një dere fisnike dhe se kanë sunduar në Epir njëkohësisht me lavdi e fatbardhësi. Mbi këta të gjithë … ishte pikërisht Joani ai që spikati për urtësi, rëndësi e shpirtmadhësi të paepur, pastaj edhe për virtyte të tjera si edhe për bukurinë e rrallë të trupit.”
Janë të panumërta dëshmitë që parashtron Bardhi për të hedhur poshtë pretendimet e Margneviqit për origjinën e Skënderbeut nga Marneviqët dhe për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut. Bartoldi në veprën e tij “Jeta e Skënderbeut”, ndër të tjera, shkruan: “Gjergj Kastrioti ka lindur nga Joan Kastrioti, princ i Epirit dhe në radhë të parë i Krujës.” Dhe që të mos zgjatem duke cituar autorë, thotë Bardhi, të gjithë ata që bëjnë fjalë për prindin e Skënderbeut, e quajnë atë Joan Kastrioti. Shiko për këtë analet turke, analet e Venedikut, të Raguzës, Marin Beçikemin, Joan Nikollë Doglinin, i cili bën veçanërisht fjalë për të dy, edhe për Juanisin e Tomkos, edhe për Juan Kastriotin, prindin e Skënderbeut, Joan Karol Saraçenin, vepër e Jakov Gordonit të shoqërisë së Jezuitëve, Çezar Kampanën dhe shkrimtarë të tjerë shumë të kujdesur. Këtyre mund t’u shtojmë edhe vetë Barletin, i cili flet kështu: “ . . . në Epir shquhej ndërmjet mbretërve të vegjël dhe princërve të tjerë emri mjaft fisnik i Joan Kastriotit për sundimin e tij si në qytete të tjerë, si në Krujë veçnërisht.
Sabeliku, në “Historia e Venedikut” shkruan: “ . . . baba i tij Joan Koçi më tregonte se e kishte parë këtë arbëror (është fjala për Skënderbeun, A. Ç.), i cili me 600 kalorës ishte hedhur në Apuli në emër të mbretit Ferdinand, të luftojë krahëzhveshur herë me heshtë, herë me shpatë të përdredhur, të plagosë e të vrasë në betejjë aq shumë njerëz, sa as gjithë skuadra që kish pas, duke i kallur tmerrin armikut.”
Po ashtu, shkrimtari Francisk Sansovini, në “Historinë e Përgjithshme mbi origjinën dhe luftërat e turqve”, flet kështu: “Ndërmjjet popullit arbëror, i cili luftoi me trimëri të rrallë kundër turkut, kanë qenë shumë princër fisnikë e të mëdhenj, të cilët, në këto kohë të fillimit të rritjes së otomanëve, u vunë përballë me të gjitha forcat e tyre kundër përpjekjeve të turqve. Por ndërmjet këtyre të gjithëve ka qenë njëri, zoti Skënderbe, që është më fisniku dhe më i denjë për t’u mbajtur mend për jetë, sepse ky njeri e mbrojti trimërisht besën e krishterë në këto anë për shumë vjet dhe prandaj meritoi të bëhej mbret i Epirit.”
Më poshtë, Bardhi flet për historianin Bartholeme Dionizi prej Fani, që në kapitullin shtatë të librit “Kopshti i gjithë historive të botës” e përmend kështu Skënderbeun: “U shqua në kohën e vet Gjergj Kastrioti, arbëror. Ky, si iku nga sarajet e turkut, e zuri përsëri Arbërinë, shtetin e tij atëror, dhe e mbrojti atë fatbardhësisht me trimërinë më të madhe kundër fuqisë turke, duke i dhënë mbretit goditje të atilla që shpesh e shpunë në dëshpërimin më të fundit.” Pastaj ai shënon një numër të madh historianësh e shkrimtarësh që kanë shkruar për Skënderbeun: Leunklavin, Petro Bimbin, Tuberonin dalamatas dhe Tuberonin raguzas, të dy abatë, Joan Baptista Marinin, gruan fisnike Margarita Sarroki dhe Jakov Ricin, i cili poetizoi:
Beteja e Herkulit dhe e Skënderbeut
“Por me gëzim të madh e me furi,
Skënderi epirotas i pathyeshëm,
Sulmon kreshnik n’betejë e del ngadhnjyeshëm,
Shpirtmadh, i vrullshëm e plot fuqi.”
Dhe më poshtë:
“Frenon Aleksandri nga Epiri dalë,
Atin e lartë, lindur aq krenar,
Në vrap i lehtë e trim pa kundërshtarë,
Po aq me armë shtrënguar e ballë për ballë.
Parzmore prej lekure t’ashpër ka
Shigjetë e shtizë përmbi hark, hata,
U hodhën shtizat me të shpejtë prej harkut,
Arbërori n’ krye i sjellun nga Tebani,
Tjetër topuz përdor nga Herkuliani”, etj.
“ Me qëllim që të zhduket çfarëdo arsye dyshimi për atdheun dhe prejardhjen e Skënderbeut” shkruan Bardhi, “do të sjell këtu disa autorë të shquar” dhe përmend: Gjergj Bartoldin, kryeofiqar prej Prage, Joan Tarkognatin, që në librin “Historia e botës”, shkruan për prindin e Skënderbeut, Gjon Kastriotin. Më pas jepet një dëshmi e Skënderbeut dhenë princit të Tarantos Joan Antonit, i cili kishte përbuzur arbërorët: “Pastaj ti e përbuzë fisin tonë dhe arbërorët i quan gati bagëti. Sipas zakonit tënd, ti flet me përbuzje dhe duket se nuk e njeh prejardhjen e fisit tonë. Të parët tanë kanë qene epirotas, nga të cilët ka zbritur ai Pirroja me namë, sulmin e të cilit me vështirësi mundën ta durojnë romakët dhe i cili Taranton e shumë vende të tjera të Italisë i pushtoi me armë.”
Me qellim për ta bërë sa më të qartë familjen e Kastriotëve, shkruan Bardhi, “Duhet të dimë se është një pjesë e vogël e Epirit apo Arbërisë, që sot në kohën tonë quhet zakonisht nga epirotët dhe bashkëvendasit tanë “As”(sqaroj: Hasi, A. Ç.). Pranë këtij vendi janë vendosur e ndodhen pulatasit dhe dukagjinasit, popullsi të Arbërisë. Përmes këtyre popullsive dhe përmes maleve shumë të lartë rrëshqet lumi i shënuar dhe shumë i shpejtë Drin. Në këtë pjesë të Epirit, ndërmjet vendeve malore të asaj krahine ngrihet një fshat i vogël, i quajtur prej askolëve (hasjanëve) Kastrat. Ky fshat, bashkë sigurisht me shumë fshatra, bashtina, kështjella e qytete të tjerë . . . u sjell dëme jo të pakëta mësymjeve dhe sulmeve të turqve. . . . Të drejtën dhe pushtetin mbi këtë fshat e pretendon për veten e saj një familje e përmendur dhe shumë e vjetër ndërmjet bashkëvendasve tanë, e quajtur Kastrati. Prej kësaj familje kanë dalë shumë burra të nderuar për mënçurinë dhe trimërinë e tyre luftarake. Unë për shumë arsye guxoj ta pohoj si të vërtetë se nga ky vend e nga kjo familje kanë dalë ata që quhen zakonisht “Kastriotë”. Së pari, sepse me këtë mendim është në pajtim të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit tonë. Pastaj sepse është nevoja të merret parasysh se, që nga koha e Skënderbeut e gjer tani, nuk ka kaluar aq kohë, sa që të jetë shlyer e harruar çdo kujtim i tij dhe i njerëzve të tij nga bashkëkombasit tanë. Sepse këta e kanë zakon që të këndojnë gjithmonë nëpër gostitë e tyre . . . për prejardhjen dhe veprat e paharruara të burrave të tyre të shkëlqyer.
Një dëshmi tjetër e padiskutueshme janë “Analet e Raguzës”, në të cilat thuhet, ndër të tjera, se familja e Joan Kastratit, Zot i Krujës, ka dalë nga Kastrati, një katund në juridiksionin e Asit (Hasit) në Arbëri. Po ashtu, në rast se ndryshimi i diademave tregon ndryshimin e një familjeje, atëherë edhe nga kjo pikë kyçe do të mund të konstatohet se Skënderbeu nuk ka rrjedhur në asnjë mënyrë nga familja e Margnaviqëve. Siç del qartë nga Barleti dhe nga privilegjet e familjes imperiale të Flav Engjellit, ky princ shumë i fuqishëm përdorte si flamur një shqipe dykrenore mbi një fushë të kuqe. Këtë stemë, Skënderbeu e pati prej stërgjyshërve të tij. Familja e Margnaviqëve, përkundrazi, nuk ka pasur shenja të tilla.
Gjithashtu nuk mund të mos merret parasysh dashuria e pabesueshme e epirotëve ndaj Skënderbeut, sepse me siguri ata nuk do ta kishin dashur aq tej masës, sikur Skënderbeu të mos kishte qenë epirotas. Përkundrazi, vazhdimisht gjer në ditët e sotme bashkëkombasit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimëritë e tij nëpër gostitë, dhe e quajnë Skënderbeun për antonimasi me emrin e shquar “Kuçedra e Arbënit”, dmth., dragoi i Epirit.
***
Kush është Frang Bardhi
(1606 – 1643)
Humanisti shqiptar i klasit të parë, atdhetari i flakët dhe i kulluar, leksikografi i parë në fushën e kukturës shqiptare, një nga autorët e letërsisë së vjetër shqipe, historiiani, folkloristi, etnografi, me një fjalë, një personalitet i përkushtuar ndaj cështjes së atdheut dhe popullit tonë, ky është Frang Bardhi.
Bardhi lindi në një familje klerikësh të lartë të Kallmetit (Zadrimë). Bëri studimet në kolegjin fetar të Loretos në Itali, dhe me 1635 u emërua peshkop i Sapës (Nenshati i sotëm). Hartoi dhe botoi një “Fjalor latinisht – shqip” për të ndihmuuar lëvrimin e shqipes dhe për ttë qenë mbështetje nxitje që të botoheshin më shumë libra në gjuhën amtare. Me proverbat e botuar aty, Bardhi zë vendin e parë si mbledhës i folkorit tonë. Si historian, Bardhi botoi në vitin 1636 në Venedik në gjuhën latine veprën monumentale “Gjergj Katrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve” – Georgius Castriotes Epirensis, vulgo Skandebeg, Epirotarum Princeps fortissimus ac invincitivimus. – Veprën e shkroi si polemikë për të hedhur poshtë mendimin e pathemeltë të një peshkopi bosnjak bashkëkohës, që i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare.