• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hisja e Diellit në penën rrëfyese të Ilir Shaqirit….

March 30, 2018 by dgreca

1 Ilir ShaqiriEssse analizë rreth romanit “Lemza e Dheut”, i autorit, këngëtarit dhe kantautorit të njohur kosovar, Ilir Shaqiri…/1 Ilir-shaqiri

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

1-raimondaok

“Oscar Wilde ka thënë se të shkruarit është 10% dhunti, aftësi apo talent dhe 90% disiplinë.”/

Pasioni për letërsinë dhe të shkruarit  letërsi është ndjenjë e fortë e brendshme që ka një kundërshtar të madh, që vjen e rritet përditë, -atë  të konsideruarit zanat! Sepse një shkrimtar nuk është i ndryshëm nga poeti apo kantautori, deri te edhe njeriu i thjeshtë qoftë një murator apo shofer autobusi. Secili prej tyre  vepron me disiplinë.  Pra edhe shkrimtarit, njësoj si punë e atyre që përmenda pak më lart, -i duhet disiplinë për të shkruar. Kjo nuk është detyrë e lehtë. Kërkon vetmi, përkushtim dhe i izoluar, larg shoqërisë. Do kurajo, guxim dhe vullnet të fortë për ta bërë atë. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër. Shkrimtari bën lexuesin të kridhet brenda dhe të rreket  nga zhvillimi i ngjarjeve dhe heronjtë e veprës së tij, që jetojnë për një kohë në ndërgjegjen e lexuesit, i cili  hyn thellë në qëndrimin dhe sjelljen e personazheve.

“Lemza e dheut” titullohet romani i botuar  së fundmi dhe i vlerësuar ndjeshëm dhe  profesionalisht nga kritika ideo-artistike -historike e kohës, dalë nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, 2016-ë.  Është një vepër midis letërsisë e publicistikës në zhanrin e  letërsisë historike dokumentare, shkruar e shprehur me ndjeshmëri e inteligjencë,  nga Artistit i Shquar, kantautori kosovar, shkrimtari Ilir Shaqiri.  Romani është i përbërë në disa etapa. E parë në këndvështrimin që sapo lexon titullin e veprës, ajo të ngjall kurreshtjen për domethënien shpirtërore, – “lemza” si simbolika e kujtesës dhe tingulli që del nga paqja shpirtërore. Që në faqet e para të romanit,  autori Shaqiri ka krijuar hapësirë për të eksploruar rrëfimin e tij, dhe po kështu do të mbetet gjithmonë deri në faqen e fundit, i pakapshëm me nuancimet e lidhjet e panumurta psiko-emocionale mes personazheve kryesorë dhe plot të tjerëve, realë, origjinalë dhe imagjinarë.

Përmbajtja e veprës me tërë gjallërinë dramat dhe kontrastet shoqërore, kuptimin ideor dhe realizimin ideo-artstik -letrar shpaloset me përfytyrime të gjalla që janë të mbushura me detaje të gjetura. Tematika e problemeve, ngjarjeve dhe personazheve cfaqen në të nga forca përrgjithësuese narrative, që autori ka marrë falë inspirimit jetësor e njerëzor, për ta rrëfyer në vepër.

Ndonëse fabula e romanit është bindëse dhe ngjarjet rishfaqen herë-pas-here, autori Shaqiri nuk e përsërit veten, ose më saktë; autori vazhdimisht fletë mbas flete, e tejkalon pritjen dhe shpresën e lexuesit nëpërmjet  larmisë dhe imagjinatës së pasur të konceptit për DHEUN (kupto-Kombin) dhe cështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan. Që në faqet e para teksa i lexon ato, autori Shaqiri të përfshin natyrshëm në atmosferën e post-luftës në Kosovë dhe  përpjekjet e djalërisë dhe inteligjencës kosovare për të ndërtuar shtetin në një sistem demokratik e të pavarur. Stili i  të shkruarit është i drejtëpërdrejtë në përqasjen e ngjarjeve, përjetimin dhe përvojat jetësore, duke qenë se romani është shkruar nga këndvështrimi i një personazhi, që në disa raste është vetë autori. Bisedat janë tejet interesante, të mbështetura edhe nga personazhet e tjerë realë dhe ata të krijuar prej autorit, duke i rreshtuar në krah të njëri-tjetrit, dhe përmes tyre, autori mban një ritëm të qëndrueshëm dhe kurrë në rritje i mërzitshëm.  Personazhet e romanit janë njerës historikë, por mes tyre ka edhe njerës të zakonëshëm të thjeshtë, jetët e të cilëve bëhen të ngatërruara në një mënyrë ose në një tjetër. Ai fillon ngadalë  duke absorbuar të gjitha karakteret dhe për të kuptuar cështjet personale, social-ekonomike kulturore e historike që prekin të gjithë, duke e bërë cdo gjë që ndodh me të,  të prekëshme, më të afërt e më të besueshme. E gjithë kjo mënyrë rrëfyese zhbirohet në  kontaktin e mistikes, mitikes, psikikes dhe magjisë në histori dhe jetën sociale. Janë ngjarje  unike dhe shpirtërore, që duket pothuajse e zakonëshme për ata me të dhe prekjen e gjakut amëtar shqiptar. Autori Shaqiri në cdo etapë të romanit  përshkruan  histori e personazhe origjinalë e realë, tronditës dhe të denjë, njerës të përkushtuar për të bërë shtet dhe në anën tjetër autori përshkruan edhe personazhe provokues e rrënqethës ndaj realitetit social-ekonomik-politik, ku “luksi” i të qënit “me pushtet”  shoqërohet me pompozitetin e këtyre “njerezve të mëdhenj”, bisedat e fjalimet e tyre nën mantelin gri, ironik e sarkastik, komik plot dredha e finte, dhe  fati i Kosovës cfaqet në pokerin e  modernitetit ballkanik, luftës për pushtet, frikë dhe izolim, vlerës e antivlerës.

“Lajme të zakonëshme, për kryeministrin, për kryekuvendarin, për kuvendin, nga i cili po dëgjojmë atë që nuk duhet dëgjuar kurrë nga gojët e kuvendarëve; plot urrejtje, gjysmë të vërteta, pak të vërteta e shumë të pavërteta për njëri tjetrin, për bëmat e tyre të mëhershme e të tashme”. Në roman autori me finesë e inteligjencë, përshkruan politikanë hipokritë që e mbështesin rrugën e tyre në gënjeshtra dhe korrupsionin pasiv, njerës që futen në rrjedhën e ligjit të konkurencës, mitomanë e grafomanë, mediokër dhe rrushfetxhinj, për pasuri e lavdi të rremë, për pazarllëqe postesh në bashki, qeveri e institucione të rëndësishme. Dhe kudo  përtej këtij dekori pesimist e optimist, grotesk e dëshëpërues, vepron në heshtje -forca e parasë dhe interesi, jetesën e mbijetesën, -bashkëudhëtarë të ngjarjeve e situatave të ndryshme dhe të pashërueshme ndaj ndjeshmërisë së  shtetit më të ri në botë, Kosovës. Këto janë gjëra që nuk mund t’i shmangim se janë thjesht pjesë të jetës. Autorit i dhembin fort këto plagë e gjymtime të shoqërisë së brishtë kosovare, ai ngre zërin ndaj tyre, guxon dhe nuk ngurron të drejtojë gishtin ndaj institucioneve shtetërore dhe korrupsionin që ka kapur ato.

“Lajmi i parë  filloi me fjalët; edhe vipave u rrënohet shtëpia….duke përmendur emrin tim dhe të birit tim kompozitor, sikur ne të mos kishim të drejtë  të ndërtonim e të jetonim në këtë nënqiell.” Denoncues jo vetëm kundër veseve, dobësive e plagëve të shoqërisë; “Paska qenë i dehur ky rrënuesi i kryeqytetit, atë mbrëmje kur të dha lejë për ndërtim….edhe sonte i dehur më duket, dehur po flet…/-I dehur nga mendja e zemërprishtësia./-Mos më thuaj se për këtë veprim, nuk dinë gjë kryetari i Prishtinës dhe kryeministri i Kosovës?/-Pa dijeninë e tyre, asgjë nuk bëhet në Kosovë.”,-por autori Shaqiri kritikon rreptë diku më thellë: ndaj institucioneve shtetërore dhe atyre që i kanë dalë për zot Kosovës; “Injoranca është origjina e gjithë të këqijave”( Sokrati). Qytetarët e kryeqytetit nën thundrën e hyqymetit, tash për tash mund të bëjnë vetëm përtypjen e dhembjes me dhëmbë. Të udhëzojë e të durojë është borxhi i të mëncurit ndaj budallait,-thotë populli ynë  urtë.” -Autori Shaqiri guxon dhe demaskon hipokritët, injorantët dhe karrieristët  e kapur  mbas pushtetit, dhe e shfrytëzojnë atë për interesat dhe makutërinë e kryetarëve e parlamentarëve, që në fakt janë zgjedhur aty për të lehtësuar plagët e njerësve të thjeshtë, krizat ekonomike e sociale, diskriminimin mes vedit- “njerëzve të mëdhenj” dhe njerësve të zakonëshëm, të thjeshtë. Të gjitha këto përshkrime të detajuara, të tipareve fizike dhe ndërgjegjes shpirtërore, mendore dhe njerëzore, autori Shaqiri zbulon traumatizimin e shoqërisë e mbuluar nga krizat social-ekonomike, regresit e progresit, të varfër e të pasur, konfliktit të interesave të së shkuarës dhe konseguencat e të ardhmes. Realitete këto që e bëjnë rrëfimin e Shaqirit të nënkuptuar në shumicën e situatave të kronikës së jetës së përditëshme. Autori ka gjetur mënyrën më të shkëlqyer ekspresive, delikate e kapricioze, të rreptë e të butë për të ekspozuar gjendjen sociale të shtresave të shoqërisë.  Duke lexuar romanin  hasim shumë personazhe të ndryshme, me emrat e tyre realë dhe origjinalë në formë e funksion që ata kanë patur në histori, hasim personazhe imagjinarë, dhe autori mban ekuilibrin mes tyre dhe i sjell ata po aq gjallërisht e mjeshtërisht me të mirat e të metat e tyre, ecjen e ngadaltë të jetës me  kontrastet shoqërore për liri -demokraci, dhe konsolidimin e indipendencës kombëtare.Teknika e kombinimit dhe komunikimit mes personazheve realë dhe imagjinarë,  është një akt tjetër  i sukseshëm e balancues me stil elegant,  intensivitet  e të hijshëm, poetik e prozaik, që e bëjnë romanin interesant dhe optimist, dhe përbën një nga vlerat dhe vecantitë më dalluese të artistit dhe shkrimtarit, Ilir Shaqiri. Duke u kujdesur dhe menaxhuar mjeshtërisht për të pasqyruar në mënyrë realiste jetën dhe mbijetesën, autori Shaqiri me inteligjencë dhe dhëmbshuri bën një paraqitje të shkëlqyer  në vendosjen e personazhit femër, Soses-strumbullari i veprimeve në roman- më e ndikuara në shtjellimin e romanit, grua e brishtë, tradicionale dhe e kohës, njerëzore, herë pesimiste dhe herë optimiste, herë me buzë të kuq e herë pa të, herë spontane dhe herë interesante guxon e jeton brenda kontrasteve dhe përplasjes  mes dy realiteteve; të një bote të përciptë, patetike e spekulative dhe botës reale në udhëtmin e lumtur e të trishtë të jetës.

Romani “Lemza e Dheut”, ndërthuret me  individët, familjen, njerëzoren e hyjnoren, unitetin, dheun e atdheun, brenda një  epike të pafund në sajë të muzës së dheut e At’Dheut, -metaforat e metamorfozës së jetës. Duke e rrëfyer atë në rrafshin historik, autori Shaqiri reflekton të jashtëzakonëshmen mitike me  kronologjinë e “Lemza e Dheut”,  mbi disa gjenerata, “mëkatet origjinale” të modelit e një Ballkani të  rrethuar e të trazuar nga barbarët sllavë,  implikimit të ngjarjeve, epokës së mëkatit e fajit, të fajëshmes e të pafajshmes, dhunë e ndëshkim, copëtimit ballkanik  dhe ndarjes së dheut (kupto-Kosovën) padrejtësisht, fizikisht, psikollogjikisht, emocionalisht nga toka mëmë. “Mëkatari i Ballkanit”– e ka emërtuar autori -që nënkupton dualitetin simbolik dhe ekzaltimin moral të ndërthurrjes së personalitetit dhe mentalitetit të mëkatarëve me tru të turbullt e sy të trëmbur nga hija e rrënojës që lënë pas,  ngushëlluese e të tmerrëshme, kërcënuese dhe hije rrënojash psiqike e shpirtërore me egërsinë e frikëshme  të mëkatit. Hije histori të së shkuarës, -autori i përdor artistkisht e mjaft origjinale, – bëhen ekspozim i përsosur i atyre lloj “bekimesh” që ishin bërë ligje ngadhnjyese të politikave ekspasionuese, genocid dhe vdekjembjellëse në tokën e butë  të dardanëve”-por që ende vazhdojnë të mbajnë peng të tashmen!  “Bëri e cfarë nuk bëri mëkatari, shoi etjen e tij, duke rrënuar botën përreth, në përpjekje të zgjerimeve e të zotërimeve të farës së tij, e cila përfundimisht ishte lëcitur me njerëzoren, me ligjet njerëzore të paligjëshme për mendjet e tyre. Kishte harruar llërëpërgjakuri i Ballkanit se Perëndia nuk mbron mëkatarë.”,– shprehet autori. Forca narrative e autorit është komponenti më i fuqishëm i romanit. Autori duke ndërthurrur linja të ndryshme zbulon me vërtetësi e guxim tërë mekanizmin djallëzor të “Mëkatarit të Ballkanit”, intrigat dhe stereotipet e mëkatit, ashpërsinë dhe cinizmin e pashoq të “mëkatarit”, që nuk njeh kufijtë e moralit njerëzor për t’u zmbrapsur para akteve të genocidit, vrasjeve barbare e cnjerëzore, braktisjes së tokave të të parëve, ikjes e kthimit. Vështrimi depërtues i autorit  kap aq shumë lidhje të dukëshme e të padukëshme, dhe rrëfimi kthehet në një prirje realiste e shpresëdhënëse sepse  “Rinia nga hiri hyjnor është provë e lirisë”, ka thënë një i ditur”. Mesazh hyjnor e njerëzor, shpërthyes e shpirtëror ky i autorit Shaqiri, se përtej optikës së tyre është gjenerata, rinia dhe shpresa që hapin një botë të tërë, të lirë e të pavarur. Përkushtimi që ai tregon dhe vendos të shkruajë, përshkrimin me ndjenjë e mjeshtëri rrëfyese, artist e kantautor, poet dhe esseist mjaft i njohur, me opinione politike, letrare  e sociale, editoriale dhe reportazhe e dokumentare,  kolumnat në TV dhe aktiviteti i tij artistik  në muzikë e art, projektet dhe ambicjet,  -janë disa nga pikat më të forta të romancierit Ilir Shaqiri, të cilat janë shprehur dhe përshtatur  ndjeshëm dhe admirueshëm nëpërmjet anektodave, gojëdhënave, fabulave dhe legjendave në roman. Mëncuria,  urtësia, kultura dhe ndjeshmëria e personazheve të romanit, kurreshtarë dhe guximtarë, me anën e të cilëve,  autori ka rritur narracionin e dialogut mes personalitetit të tij dhe personalitetit të tyre, dhe ekzistenca kolektive bëhen “ujëvarë” anektodash, aforizma dhe thënje të urta. Nëpërmjet tyre autori Shaqiri i ka dhënë formë, funksion e përmbajtje,  ide e kuptim etapave  të romanit, etapa  që  janë të mirëkonceptuara në këtë vepër letraro-historike, dhe gjithashtu përkojnë me epokat dhe trajtojnë periudha të ndryshme të vetëdijes historike shqiptare. Teksa pasqyron motivet kryesore të implikimeve historike, ideollogjike e sociale, të rrëfyera me mjeshtëri artistike letrare dhe stil publicistik, tregojnë se  angazhimi social, kulturor dhe historik i artistit Ilir Shaqiri vazhdon të mbetet i fortë e i fuqishëm, -por edhe tejpërtej reformimit të brendëshmëm njerëzor, qytetar dhe intelektual, të identifikuara nga dashuria njerëzore e palcës së “ Lemza e Dheut”,- për Atdheun, Kombin dhe Historinë. Është një strategji e shkëlqyer  e autorit Shaqiri, për të joshur e tërhequr lexuesin tërësisht me grintën historike e gjeografike të tij,  udhëtimeve të tij në tokën arbërore dhe atë amëtare, grinta rrëfyese e tij, për të përjetësuar rigjallërimin e historisë së popullit dhe trojeve shqiptare. Autori Ilir Shaqiri është dëshmitar i një procesi historik, të cilin askush nuk e besonte si të mundshëm,  faktet dhe dëshmitë historike, ngjarjet interesante, mitet e simbolet e cmuara; argumente këto, që autori, imazh pas imazhi zbulon sistemin e  vlerave etike dhe shpirtërore, më të mira të popullit dhe inteligjencës kosovare. Me vitalitetin e të shkruarit të një vepre me sfond të gjerë jetësor, autori  rishikon historinë e një perspektivë të fuqishme e të dyfishtë  të ngjarjeve dhe mbresave historike, nëpërmjet së kaluarës dhe të tashmes, në nivelin historik,  filozofik dhe ideologjik. Në sintezën e dhimbëshme dhe të shkruar mjeshtërisht dhimbshëm, autori përshkruan udhëtimet në territoret etnike, të ndara e grabitura padrejtësisht  në periudha të caktuara historike, sakrificës, kalvarit të dhimbjeve dhe sfidës për t’u miqësuar me tokën “njerkë”. Autori Shaqiri na zbulon se bota njerëzore kishte rënë pre e sëmundjes me rrënjë më të thella në shekuj,  që i detyronin shqiptarët të shpërnguleshin nga toka mëmë,  ikjes e kthimit, ri-ikjes e braktisjes, emigrimit të ligjshëm e të paligjshëm,  harrësës e mos harresës, me sytë gjithmonë nga toka mëmë dhe lemzën e dheut në grykë…..

“ Mëkati më i madh është harrimi”-shkruan autori. Shkrimtari Ilir Shaqiri  ka përdor një leksik të pasur gjuhësor të mendimit dhe idesë, “eksperimenton’ duke u rrëfyer poetikisht, artistikisht dhe në prozë. Me një kapacitet intuitiv të jashtëzakonshëm, autori sjell vargje, simbole të cmuara historik, poetë, shkrimtarë, romancierë, gazetarë dhe autorë të shquar të etapave të ndryshme historike të popullit shqiptar deri në ditën e sotme. Ilir Shaqiri transformohet në një rebel autentik me magjinë e vargjeve, këngëve dhe penës rrëfyese, mbi fenomenet në përshkrimin e imazhit mitik, legjendës dhe epikes, jetës e vdekjes, jetesës e mbijetesës, lindjes e rilindjes së një kombi.

Besnik i elementëve tradicionalë të letërsisë shqipe e karakterizuar nga një gjuhë e pastër  dhe suportimit të njëra tjetrës me metodat bashkëkohore  në roman, autori Shaqiri  ia ka dalë të shkrijë me mjeshtëri artistike e filozofike ndjenjat e mendimet e njerëzve që e rrethojnë, që nga më i thjeshti dhe ai me pushtet, i fëmijërisë, rinisë dhe burrërisë, njerëzve fisnikë që kanë bërë historinë e kombit dhe atdheut. Ilir Shaqiri duke shfrytëzuar një skedar të gjerë historik, njerëzor e shoqëror, realist e dokumentar, ka hyrë në rolin e historianit e sociologut në analizën e fakteve dhe mendimet e qindra e qindra bashkëkombasve dhe bashkëkohasve, zbërthimin e detajuar  me vecoritë dalluese të tyre, për fatin e Kosovës në kohën e luftës, post-luftë dhe për fatin e Kosovës sot. Autori Shaqiri të bën për vete me mënyrën rrëfyese, sa të kundërtat, sikundër; realiteti dhe përfytyrimi, e kaluara dhe trillimi, ikja dhe kthimi pas ikjes, legjenda dhe mitet, e arësyeshmja dhe e paarësyeshmja, mpleksen së bashku në një  vepër  të habitëshme, e vecantë dhe mahnitëse. Shkrimtari Ilir Shaqiri na ka ofruar një roman të shkëlqyer e tejet të arrirë, që unë pamëdyshje do e quaja autorin “kumbarin e romanit historik dokumentar”. Personazhet e romanit janë plotësuar mjeshtërisht me doza të forta humori, emocione e ngjarje të vecanta, përvoja jetësore, figura të vecanta letrare, frymëzim e imagjinatë, lindje e rilindje, që i japin kuptim dhe ndricim realitetit të sotëm,-vecmas Pavarësisë së Kosovës dhe Kosovës Shtet! Statura shumëdimensionale e  Ilir Shaqirit, këtij Artisti të Madh e të Shquar, ka një shtrirje të gjerë të kombinimit dhe kompromisit që ai bën me faktet historike, kujtesës e miteve, marrëdhëniet ndëretnike, kombëtare, ballkanike, europiane dhe botërore, refleksion  i ndjeshëm i erudicionit të   kockës njerëzore, të fortë qytetare dhe intelektuale, perceptues dinjitoz i vlerave dhe  figurave historike kombëtare që kanë lënë gjurmë në historinë  e popullit tonë, i marrëdhënieve ndërkombëtare në sinkron me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen, me  dritën e hises së diellit të  obligimit shpirtëror dhe “Lemzës së dheut” – sinonimi i kujtesës së historisë të identitetit  kombëtar shqiptar.

Postcritum

Ilir Shaqiri është  emër fort i njohur në krejt trojet shqiptare. Ai  konsiderohet  sot për sot ndër artistët; përfaqësues i denjë dhe produktiv,  rrëfyes serioz i origjinalitetit, dhe një ndër  baritonët, këngëtarët dhe kantautorët më të  mirënjohur, popullorë dhe të admiruar, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. I palodhur në artin, muzikën dhe kulturën shqiptare, vecmas në muzikën e lehtë dhe asaj pop, eposit kreshnik, muzikës për fëmijë  dhe gurrës popullore folkorike, nga ku numurohen qindra këngë, dhjetra  albume muzikore dhe video albume me këngë, dhe  kompozitor  i muzikës në filma  dokumentarë. Muzika i jep zë, forcë,  muzë e përjetësi -Historisë! Për 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë boton albumin muzikor me 100 këngë të përzgjedhura dhe interpretues në filmin artistik “Vite të rëndësishme” . Ka interpretuar mijra këngë të zhanreve të ndryshme, dhe qindra koncerte në mbarë Diasporën shqiptare anembanë botës,  në mbështetje të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, të kauzës e cështjes shqiptare, vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar. Përvecse kantautor, autor tekstesh dhe poet, krijimtaria krijuese e artistit Ilir Shaqiri, shtrihet gjithashtu edhe në fushën e studimit, letërsisë artistike, letërsisë historike dokumentare, si edhe në  publicistikë. Disa prej tyre i ka përmbledhur në monografinë “Heroizëm dhe Dashuri”, dhe ka botuar studimin “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë artistike të Nënës”, 2014-ë. Në letërsinë artistike, historike  dhe dokumentare ka botuar romanet “Tan Temali dhe “Lemza e Dheut”.

Shkruar nga Raimonda MOISIU

Middleburg, Florida SHBA

Mars, 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: “Lemza e Dheut”, Ilir Shaqiri, Raymond Moisiu

SA NA TËRHEQ TOKA AQ TË RËNDË JEMI

March 22, 2018 by dgreca

1 Seveme Feteqi okPortrete mërgimtaresh të suksesshme/

Shkruan Sabit Abdyli/

Poeten Sevëme Fetiqi tashmë e njohim përmes poezisë së saj të publikuar në faqet e internetit dhe librat e botuar. Që nga takimi i parë me vargjet e saj më bëri përshtypje gjuha, lehtësia e të shkruarit dhe temat që shtjellon, në dukje të vogla, por me porosi të forta. Në bisedat e rastit, kam vërejtur se ajo me krejt qenien e saj është e dhënë pas bijave të saj dhe poezisë, kam vërejtur sa shumë merakoset për situatën në tokën e origjinës, kam vërejtur sa shumë gëzohet për arritjet, qofshin ato edhe të vogla në Kosovë. Sevëmja është nënë, poete e veprimtare që vazhdon të ecë me kohën vertikalisht, duke iu qëndruar stoikisht sfidave që sjell kurbeti. Ka shkolluar vajzat e saj, duke kryer si është më së miri detyrën e prindit të dyfisht, ka botuar libra me poezi dhe vazhdon të jetë aktive, e dobishme dhe kreative në mbarëvajtjen dhe organizimin e manifestimeve kulturore, mbrëmjeve poetike, promovime librash, konkurse letrare etj. në shtetet perëndimore. Sevemja lindi në Vushtrri. Aty kreu shkollën fillore dhe të mesmen. Studioi mjekësinë, por letërsia dhe shkrimet mbetën pasioni i saj. Poezitë e para i botoi në gazetën për fëmijë “Pionieri” kur ishte edhe vetë fëmijë. Vazhdoi pastaj në shtypin e kohës, si revista “Zëri i rinisë’, gazeta “Rilindja” etj. Në kohën e presioneve dhe largimeve nga puna të punëtorisë shqiptare nga regjimi i Beogradit, Sevëmja përjashtohet nga puna viteve të 90-ta. Duke mos pasur kushte për të jetuar në Kosovë emigroi në Gjermani. Në Gjermani ajo iu përkushtua edhe më shumë librave e poezisë. Tërë kohën ishte e angazhuar në aktivitetet e organizuara për çlirimin e Kosovës, impulse të reja iu dha manifestimeve kulturore duke qenë pjesë e tyre përherë. Një kohë punoi në klasat e hapura të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptar. Poezia e saj u përkthye edhe në gjuhët tjera. Është fituese e shumë çmimeve në konkurse të poezisë, është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, sekretare në Lidhjen e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptarë në Gjermani, anëtare e kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Mërgatës, anëtare e Lidhjes ndërkombëtare të poetëve “PEGASI” për Gjermani, anëtare e Lidhjes së shqiptarëve në Botë, dega në Gjermani si dhe anëtare e Unionit gjithëkombëtarë. Vjershat e saj janë përfshi gati në gjitha antologjitë e botuara ne dekadën e fundit. Sevëmja aktualisht jeton dhe punon në Gjermani.

Filed Under: ESSE Tagged With: portret mergimtaresh, Sabit Abdyli, Seveme Fetiqi, succes

MARSI, PRANVERA E LIRISË

March 19, 2018 by dgreca

Nga Azgan HAKLAJ/

Azgan-Haklaj-1

 Besë me Atdheun dhe Flamurin/

Në kalendarin Europian Marsi  është  muaji i tretë i  vitit, Perëndi e  Luftës për romakët e lashtë . Dita e  Sulltan Novruzit apo ditëlindja e Imam Aliut në botë. Në këtë ditë ҫdo gjë rigjallërohet, lind shpresë, ringjallje për gjithë  njerëzimin. Novruz do të thotë ditë e re, është  festa e Bektashizmit, e dekretuar si festë zyrtare në vitin 1996 në Shqipëri.

22 Marsi, Ditëlindja e Imam Aliut, është  dhe Dita e fitores së PD-së, Partisë Misionare të Kombit Shqiptar, që shembi diktaturën më të egër, komunizmin në Shqipëri.

Marsi  është  për Shqiptarët muaji i ngjarjeve dhe personazheve të mëdha, të cilat shndritin fort dhe përgjithmonë në  qiellin Shqiptar. Në  krye të vendit qëndron  natyrshëm   2 marsi I vitit 1444  i Besëlidhjes së  Lezhës ,  vepra e parë e pavdekshme e Heroit Kombëtar,  Gjergj  Kastriotit – Skënderbeut.

Nëse Shqiptarët Historia i ka qortuar shpesh për  vonesë e përgjumje, muaji i parë i pranverës i ka gjetur përherë në këmbë në kuvende e beteja të mëdha për mbrojtjen e lirisë dhe trojeve etnike.

Betejat e përgjakshme të  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit .

Kryengritja e  Malësisë së Madhe, e udhëhequr nga Dedë Gjon Luli, që filloi më 25 mars 1911.

“Epopeja e Jasharëve”, mw 5-6-7 mars 1998-të dhe e Haradinajve, më 24 mars 1998.

Rënia heroike e Njazi Azemit, më 26 mars 2001, për mbrojtjen e të drejtave  të shqiptarëve në Preshevë e që janë  finalizimi i protestave.

Në Prishtinë, në marsin e vitit 1981 dhe 1999, jehuan krismat e para të  pushkëve të lirisë në Kalanë  e Tetovës gjatë protestave të shqiptarëve në Tetovë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga delegacionet  shqiptare-angleze  dhe amerikane, më 18 mars  1999-tës,  që i hapte rrugë qëllimit të bombardimit të NATO-s mbi Serbinë, më datë 24 mars 1999, na kujtojnë se pa marsin nuk do të kishte liri për Shqiptarët.

7 marsi 1887–ës, Ditëlindja e Shkollës së Parë Shqipe, na sjell në kujtesën tonë historike devizën e madhe të rilindasve mendjendritur me pushkë e penë për Mëmëdhenë.

Alfabeti dhe shkronjat shqipe janë po aq të rëndësishme sa pushka dhe baruti  i trimave që i  dolën për zot Atdheut dhe u flijuan për Lirinë.

Ky muaj  i heroizmit, i patriotizmit dhe i vizionit të shqiptarëve për liri, na sjell në kujtesën kolektive figurat e mëdha të Popullit Shqiptar në një shtrirje kohore 600 vjeҫare. Skënderbeun e madh, Ali Pashë Gucinë, Bajram Currin, Idriz Seferin, Dedë Gjon Lulin, Preng Calin, Adem Jasharin dhe familjen e tij martire, familjen Haradinaj e Njazi Azemin.

Marsi i 1444-ës mbeti flakadani i lirisë i pashuar në shekuj. Ashtu si në Greqinë e lashtë, trimat e Shqipërisë  morën flakën Olimpike për ta shpërndarë në ҫdo cep të trojeve amtare e për të ngritur peshë zemrat e  shqiptarëve përballë armiqve të egër dhe të armatosur deri në dhëmbë.

Më 14 mars 1847 lindi dhe 25 mars 1927 ndërroi jetë udhëheqësi i  kryengritjeve të Shqiptarëve, Idriz Seferi, i cilësuar si kalorësi  i Karadakut  nga shkrimtari  Ibrahim Kadriu. Historiani Ali Riza  Selmani thotë se:- Idriz Seferi ishte organizator i zoti që frymëzoi, motivoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anomarovë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare. Nuk ishte vetëm prijës popullor dhe luftëtar i lirw, por dhe  strateg ushtarak,  që udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për ҫlirim.

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të  shtyrë, luftoi kundër serbëve e bullgarëve.

Idriz Seferi luajti një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mbrojtjen në Kuvendin e Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhwnjimin e Revolucionit Xhonturk. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, luftoi heroikisht në mbrojtje të Atdheut.

Më datë 29  mars të 1925 ra Heroi i Popullit,  Bajram Curri. Prijësi popullor tribuni i lirisë mori pjesë  në betejat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , për mbrojtjen e trojeve etnike nga Konferencat dhe Traktatet që kërkonin copëtimin e tyre. Bajram Curri ishte një nga organizatorët e Lidhjes së Pejës “Besa–Besë“,të udhëhequr nga Haxhi Zekë Byberi mw 1899-1900-të. Ai ishte një nga prijësit kryesorë të Kuvendit të Ferizajt . Mbështeti kryengritjen e armatosur të Malsisë Madhe  në vitin 1911-të të udhëhequr nga Dedë Gjo”Luli. Mbështeti Platformën e Hasan Prishtinës  në Kuvendin e Junikut, mw 21-25 maj 1912, ku u hartua Platforma e Kryengritjes të Përgjithshme të vitit 1912, që do të çonte në ҫlirimin  e Shkupit, në gusht 1912-tës dhe nw Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit  në Vlorë më 1912–ën nga plaku i urtë, Ismail Qemali.

Më 5 mars  1888 ndërroi jetë Ali Pashë Gucia nga plagët e marra në një atentat , një ndër misionarët e Lidhjes  Shqiptare të Prizrenit dhe një nga figurat e dalluara të Këshillit Kombëtar të saj. Ali Pashë Gucia  ishte një nga udhëheqësit kryesorë të rrymës centriste, që hartoi luftën kundër shovinistëve fqinjë për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Atdheut. Ai u zgjodh kryetar i Shtabit Ushtarak për Mbrojtjen e Plavë-Gucisë. Veprimtarinë  e tij heroike e ka përshkruar bukur Gjergj  Fishta.

Betejat legjendare për mbrojtjen e Plavë–Gucisë, tw Hotit dhe Grudës, tw Ulqinit dhe Tivarit nga ushtritë Malazeze.

Kryengritja  e Malsisë së Madhe e 1911-ës.

Epopeja e Jasharëve dhe e Haradinajve, iu treguan Fuqive të  mbarë Botës se Shqiptarët janë në gjendje të përtërijnë rolin e madh të Gjergj Kastriotit sa herë e thërret liria për të mbrojtur flamurin kuq e zi, nderin, dinjitetin dhe tokën e tyre amtare.

Prijësit e shquar të betejave për liri: Idriz Seferi, Bajram Curri, ndërruan jetë  në mars .

Më 25 mars të 1945 komunistët pushkatuan Heroin e mbrojtjes së tokave etnike shqiptare, “Robin Hudin Shqiptar”, Prenk Calin.

Epopeja e këtyre trimave është e denjë për një  Iliadë  Shqiptare.

Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri t’i kujtojnë Kreshnikët e Jutbinës.

Beteja 3 ditore e Adem–Hamz-Shaban Jasharit,Vraninën e Oso Kukën dhe heroizmin e Zhuj  Selmanit.

Në epikën historike shqiptare kanë mbetur të pavdekshme vargjet kushtuar Epopesë Marsiane Shqiptare dhe heronjve të tyre.

Ja si përshkruhet beteja legjendare për mbrojtjen  e Plavë–Gucisë, ku shqiptarët të udhëhequr nga Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri i shpartalluan  hordhitë malazeze të Mark Milanit të 12.000 armiqëve:

Mark Milani i Malit të Zi

Ka hyp Marku në Plevi

Çka ka Limi që dirgjet zi

Haj medet vojnikët e mi…!

 Jakup Ferri, “Leonidha Shqiptar”, luftonte me shpatën zhveshur si Akili në muret e Trojës. Kënga e lahuta shqiptare i skalitën një monument të pavdekshëm:

Me të kallzue ty nanë t’vjen seri:

30 burra i ka pré nji njeri.

Nja  lypsh  emnin: Jakup Ferri.

Shtimja, Kaçaniku , Cerrnaleva, Hoti e Gruda, Ulqini, Plava  e Gucia  u bënë kala të pavdekshme të qëndresës shqiptare duke i detyruar pushtuesit turko-sllavë, e Fuqitë e Mëdha të mos bëjnë hesapet pa hanxhinë, siҫ  thotë populli ynë. Emisarët  e Sulltanit e të Knjaz  Nikollës pasi u shpartalluan keqas në fushëbeteja me shqiptarët tentuan disa herë të blejnë prijësit e tyre historikë duke i peshuar me ar , por  morën atë përgjigje që dinë të japin kapedanët e maleve: “As Sulltani, as krajlat, nuk kanë para për t’i blerë trojet  shqiptare”.Plisat e Bardhë dhe xhamadanët kuq e zi, trimat legjendarë nuk pranuan të shkëmbenin me kapicat, dallamat malazeze dhe me Shallvaret e turqëve.

Besëlidhja Shqiptare bëri pluhur dhe hi planet e armikut që përmes parullës të famshme “Përça dhe Sundo” tentuan të fusnin grindje mes shqiptarëve duke shpresuar ndarjet krahinore dhe fetare.

Pasi u shpartalluan në Plavë-Guci, Mali i Zi i kërkoi Portës së Lartë dhe Kongresit të Berlinit t’i jepte si këmbim Hotin dhe Grudën me preteksin se janë katolikë dhe ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk do të bënte rezistencë. Kur mijëra luftëtarë shqiptarë vrapuan në ndihmë të  vëllezërve të tyre dhe i shpartalluan ushtritë malazeze , çështja shqiptare në Ballkan u ndërkombwtarizua dhe u vu në rend të ditës në kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Shqiptarët ishin të udhëhequr nga postulati  i rilindasit  Pashko Vasa: “Feja e shqiptarit  është Shqiptaria”

Ja si e konceptonte legjendari Mic Sokoli nderin dhe dinjitetin shqiptar, i rrethuar nga të katër anët nga trupat e Pashait turk, ai thërret në ndihmë trimat e Dukagjinit. Kënga e thotë:

Mic Sokoli I Sokol Ramës,

Fjalë po I çon Mark Lulës Shalës,

A më ndihmon, o dajë i babes,

Më kanë ngreh topat rrethit arës

Rrethit arës,  rrethit t’oborrit,

Me shemb kullat Mic Sokolit…

Përballë ushtrive perandorake, të armatosur me topa, mitroloza mortaja, “Luani i Malësisë” dhe pse me forca të pakta, ishte betuar të luftonte deri në vdekje, siç bëri përpara tij Oso Kuka i Vraninës, Zhuj Selmani e pas tyre  Adem Jashari në Prekazin legjendar.

Dashuria për Atdheun, gjuhën, flamurin, doket, zakonet, amanetin, kujtimin e të parëve, janë  ADn-ja e burrave që besën e lidhën vetëm me Flamurin e Atdheun e tyre.

Ja si e arsyeton  qëndresën e tij ,deri në flijim  heroi  Mic Sokoli:

Me lëshue trojet poshtë po bie

Me venë ҫallmën spo m”ka hije

Se jam nip i Kastriotit

Më mirë gjoksin në grykë të topit.

Në vigjilje të Mijëvjeçarit të Tretë, më 5-6-7 mars të 1999–tës  në Prekazin  legjendar u shkrue Epopeja e lavdishme e Jasharajve. Komandanti legjendar i UÇK-sw Adem Jashari e Familja e tij i kthyen kullat e tyre në kala të pamposhtura qëndrese.

Në tre ditë u ripërsërit madhërishëm, krenaria , qëndresa shqiptare në shekuj. Ballë për ballë e dhëmbë për dhëmbë, si në Krujë, Shkodër e Sfetigrad e Albulenë kundër hordhive turke  Familja e Jasharajve e lau me gjakun e agresorëve  oborrin e muret e kullave. Ҫdo  frengji e ҫardak u kthye në bedenë kalaje . Muret shembeshin nga predhat e topave e tankeve, e prapë nga gërmadhat dilnin  Jasharajt e përgjakur duke qëlluar në  drejtim të ushtrisë serbe. Luftuan deri në vdekje për të mbetur të pavdekshëm. Heroizmi i tyre ndryshoi fatet e luftës dhe u bë simbol i betejës për liri.

Më datë 24 mars 1998–tës bisha serbe do të sulmonte një tjetër fole shqiponjash  nw Gllogjanin e Haradinajve. Këtu u shkrue me gërma të arta një epokë tjetër e lavdishme e Kombit Shqiptar. Haradinajt trima me në krye Ramushin u dolën zot kullave legjendare, siç thotë kënga epike:

Tunden malet, por nuk tunden kullat.

Në log të mejddanit po maten burrat.

 Marsi i trimave, betejave e kuvendeve kujtohet me krenari. Shqipëria dhe shqiptarët janë një kudo ku ata jetojnë në trojet etnike, në Ballkan e  Diasporë.

Trinia e shenjtë: Gjuha, Flamuri e Atdheu, është burim frymëzimi i pashuar për ardhmërinë e përbashkët.

Ulqini i Teutës e Balshajve, ku prehen eshtrat e udhëheqësit të Lidhjes së Prizrenit , Ymer Prizreni, u bwnë  shumicë dominuese në qytetin  e tyre.

Parlamenti i  Maqedonisw e shpalli gjuhë zyrtare Gjuhën Shqipe, pra krismat e lirisë në 14 marsin e 2001 të UҪK-sw, po finalizojnë ëndrrën tonë. Marsi na thërret të jemi në  këmbë e të bashkuar për të nderuar   heronjtë tonë kombëtar dhe protagonistët e mëdhenj të historisë tonë, për të vazhduar  misionin  e tyre për realizimin e ëndrrës shumë shekullore  pa harruar  Mitrovicën e Bacës Isë, Preshevën e Ridvan Qazimit  dhe Ҫamërinë tonë të shtrenjtë.

Viti i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut është apel për finalizimin  zgjidhjes së  Ҫështjes Kombëtare, Bashkimin e Kombit  Shqiptar në një shtet të vetëm. Deviza jonë do të jetë: ”Një Komb, Një Shtet”.

Shteti Komb i Shqiptarëve është domosdoshmëri historike.

Filed Under: ESSE Tagged With: * Marsi, Azgan haklaj, Bese me Flamurin, Pranvera e Lirise

BOTOHET NE VATIKAN LIBRI I EDLIRA AGAJ ZHITI “DITA E SHENJTORES NËNË TEREZA”

March 16, 2018 by dgreca

1 Shen Tereza Eda Sapo doli nga shtypi libri “Il giorno di Santa Madre Teresa”, botim i shtëpisë botuese të Vatikanit LEV (Libreria Editrice Vaticana), më prestigjozia e ndër më të njohurat në Itali. Autore është , Edlira Zhiti, që ideoi dhe mblodhi  emocionet dhe mbresat e grave ambasadore dhe bashkëshorteve të ambasadorëve pranë Selisë së Shenjtë, të pranishëm në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës në Sheshin “San Pietro” në meshën e madhe të celebruar nga Papa Françesku.

Edlira Zhiti me ato shkrime krijoi antologjinë e saj, sa të veçantë dhe origjinale, po aq dhe dhe universale. Secila prej pjesemarreseve në antologji, ambasadore apo bashkeshorte ambasadori, ka sjellë rrëfime e përsiatje të drejtperdrejta, që i lidhin me Shenjtoren. Disa prej tyre kanë patur fatin jo vetem ta takojnë, por dhe të luten së bashku me të, dikush tjeter tregon një udhetim nga Roma në Vjenë, pas lumturimit të Nene Terezes – me reliquet e saj, një tjetër tregon dhe për takimin e Nënë Terezes në Turanë më vejushen e diktatorit, një grua tjeter, tregon që e arrestojnë në moshen 18 vjecare se shpërndante literaturë subversive, ndersa me vone njihet me lutje të Nënë Terezës duke fituar kështu lirinë e brendshme si dhe mjaft deshmi të tjera që të mrekullojne me sinqeritetin e tyre. “Fryma e Nënë Terezës na ka bashkuar të gjithave”, – shkruan Edlira Zhiti në esenë e saj që paraprin shkrimet, ku gjendet ato të ambasadoreve, asaj të Mbretērisë së Bashkuar, të Bosnjës, të Gjeorgjisë, të San Marinos, të bashkëshorteve të ambasadorëve  si ajo e Japonisë, ndërkohë dhe konsulente e botimit, e Angolës, Austrisë, Kanadasë, Kilit, Guatemalës, Indonezisë, Italisë, Libanit, Polonisë, Republikes Demokratike të Kongos, Rusise, Slovakisë, Sllovenise, Hungarisë e Bashkimit Europian. Në fund të librit janë vendosur deshmitë e dy murgeshave shqiptare, Motër Elena e Motër Majlinda, të cilat të frymezuar prej Nene Terezes kane ndjekur rrugen e Saj…” -E kam ndjekur Nënë Terezën”,- thote Edlira Zhiti. Kam qene në ditën e Lumturimit të Saj si pelegrine në Sheshin “Shën Pjeter” së bashku me bashkeshortin dhe djalin tonë, Atjonin, emri i të cilit në shqip do të thotë “Ati ynë”.

Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezes ku merrja pjese si bashkeshorte e titullarit të Ambasadës Shqiptare, sytë e mi nguleshin te vendi ku Atjoni ishte ulur dikur… Prania  e Tij e perhershme në ne, që drejton zemrën dhe hapat e mi, më thërriste ta bëja këtë libër, që përbashkon shtete e kontinente me bukurinë e pafund te shpirtit të gruas, të shenjtërisë së nënës.(Korresp i Diellit)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: DITA E SHENJTORES, Eda Agaj Zhiti, Nene Tereza

POETET PREKEN LEHTE, LUMTURI LAPARDHAJA DEMIRI

March 15, 2018 by dgreca

ese mbi një të papritur që duhet të ishte normalja/

nga Shpend Sollaku Noé/1 Lumturi Lapardhaja

Poetët preken lehtë, sidomos kur i zgjon herët një surprizë e arritur që përtej oqeanit. Eshtë Amazon, por kësaj here me fytyrën e Lumturi Lapardhaja Demirit. Me atë vetë, si me një prezantim të këndshëm të ditës së porsalindur, më lidh një tag me emrin Shpend Sollaku Noé: Lumturia sapo ka blerë antologjinë time poetike «Atdheu i tjetrit».

Fisnikëria nuk ulërin, ajo pëshpërit fjalë poezie, si ato të ndieshmet, të druajturat që shkruan poetja Lumturi,që ka për atdhe Korçën ku jeton , që ka për atdhe dhe Beratin ku u lind, që ka për atdhe edhe Amerikën ku ndodhet.

Për mua dhe për të Korça domethënë edhe miq të përbashkët, domethënë edhe Skënder Rusi, që për librin me poezi të Lumturisë ka shkruar parathënien, domethënë edhe shkencëtarja Irena Nikaj; domethënë edhe studiuesja dhe gazetarja Nini Mano, domethënë edhe shkrimtari  Edmond Shallvari…

Për mua dhe për Lumturinë Berati domethënë edhe Kristina e Thomai, domethënë edhe Dudi dhe Isufi, domëthënë edhe Parashqevi Sahatci, edhe Altin Revania, edhe Simon Vrusho, edhe Gazmend Shehu, edhe dy Avdylët, Pilafi e Zeneli.

Për  mua mjafton që ajo ka thënë Berat, dhe ka thënë fisi i babait, duke u nisur nga ai të cilit të gjithë i kemi një borxh: gjyshi im, orientalisti Hafëz Xhelali, autor i sa e sa dorëshkrimeve të mrekullueshme në një arabishte të admirueshme, të hedhura në letër në fundin e 1800-ës.

Çʼmë preke velat e mallëngjimit, beratsja e vargjeve Lumturi Lapardhaja. Anija im tani ka vënë përpara detin e lotit, përplaset sa andej këndej, nëpër sope e grrona me shije të kripur.

Poetët preken lehtë, mjafton të shohin që dikush kujtohet për ta. Mjafton që të kuptojnë që mundi e pasioni i tyre nuk shkojnë drejt hiçit.

Dhe ti e di mirë këtë, beratsja, korçarja, amerikanja e të papriturave, pasi edhe vetë përpëlitesh nëpër vargje, Lumturi Lapardhaja Demiri.

Filed Under: ESSE Tagged With: LUMTURI LAPARDHAJA DEMIRI, poetet, Shpend Sollaku Noe'

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 289
  • 290
  • 291
  • 292
  • 293
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT