• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tërheqje…

February 12, 2018 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/

Tërheqja nga frika është e kushtueshme. Eshtë si një nga ato fitoret e Pirros, që të lënë thjesht të jetosh. Kështu skllaveria ka arritur të rrojë me mijëra vjet, dhe të vazhdojë të rishfaqet e ricikluar. Kush terhiqet nga frika, ndrydhje, burg, izolim preferon në shkembim te lirise; edhe pa pranga ta lënë, s’guxon as të mendojë; liria për ‘të është botë e paarritëshme; ndjehet fajtor kur provon gëzim, e fsheh.
Mendimi duhet të jetë i vetmi motivim, e vetmja shtytje për njeriun në jetë, përndryshe çdo gjë që kryhet është hipokrizi, shfaqje apo pretendim për standarde ose besime morale me të cilat sjellja nuk përputhet. Hipokrizia është akt, hipokriti aktor, i cili i përshtatet rolit që luan; hipokrit nga një greqishte e vjetër për të treguar njeriun që është në sy të publikut ose nën vëzhgimin e tij, si aktori në skenë.
I zhgënjyer është personi i trishtuar apo i pakënaqur për shkak se dikush ose diçka nuk ka arritur të përmbushë shpresat apo pritshmërinë e tij.
“Jam i zhgënjyer me ty!”, kjo shprehje përdoret kur njeriu ndryshon karakter, shenjë e tij dalluese, si emri, flamuri a kombi.
Nëse paraja nuk bëhet shërbyesi yt, do të bëhet zot i yt. Njeriu nuk mund të thotë se është i pasur nëse është skllav i parasë. Morali është të njohësh midis asaj që ke të drejtë të bësh dhe asaj që duhet të bësh.
Dikur një tiran dëshironte që vasalët e tij të kishin vetëm një qafë të përbashkët që ai mund t’i mbyste të gjithë në të njëjtën kohë. Në kohët moderne gjithçka që i duhet të bëjë një tiran është t’i “edukojë njerëzit” që ata të kenë një mendje të përbashkët.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Tërheqje...

TRE SHQIPTARË NË EUROVIZION 2018

February 11, 2018 by dgreca

Ermal Meta, Eleni Foureira, Eugent Bushpepa/

1 Sanremoo Ermal Meta

Nga Kolec P. Traboini/

Ermal Meta është lindur në Fier, me 20 prill 1981, në moshën 13 vjeçare ikën familjarisht emigrant në Itali. Në kujtesën e tij e mbresëlënie nga vendlindja ka mbetur ashpërsia e babait por edhe butësia e mirësia e nënës së vet shkodrane, pianistja Mira Borova. E paharruar i mbetet një këngë e kompozuar në moshën 12 vjeçare në atdhe kushtuar një vajzë bashkëmoshatare që donte.

Nëna e Ermal Metës është nga rrethi familjar i muzikantit të shquar shkodran Luan Borova. Por edhe në lidhje familjare me këngëtaren e madhe Meliha Doda që ka lind ne Shkodër dhe në moshën 22 vjeçare ka shkuar në Vlorë dhe njihet si shkodrania interpretuese e shquar e këngës qytetare vlonjate.

Duke pas parasysh gjithë këtë rreth muzikantesh (edhe babai i tij ishte muzikant) tashmë e dimë se nga buron gjeni muzikor i artistit të madh shqiptaro-italian Ermal Meta.

Le të shpresojmë të ketë të njëjtin sukses edhe në festivalin europian – Eurovizion që zhvillohet këtë vit në Portugali ku do të kemi tre shqiptarë protagonistë; Ermal Meta i Italisë, vajza shqiptare që përfaqëson Qipron, Eleni Foureira, natyrshëm dhe Eugent Bushpepa, që përfaqëson Shqipërinë me këngën “Mall”.

1 eleni1Po kush është këngëtarja qe përfaqëson Qipron ne Eurovizion 2018 në Portugali?…Eleni Foureira (emri i saj i vërtetë është Entela Fureraj) ka lindur në Fier më 7 March 1987 dhe ka jetuar familjarisht si emigrante në Greqi. Ka filluar karrierën në 2007 me grupin e vajzave greke “Mistika” por me prishjen e grupit ajo filloi karrierën individuale në 2010. Eleni-Entela është aktore, balerinë dhe stiliste mode. Është vlerësuar duke u quajtur si mbretëresha e pop artit muzikor grek. Shumë kohë ajo e ka fshehur identitetin e vet si shqiptare nga frika e një diskriminimi që do ti rrezikonte karrierën muzikore në Greqi.Që në albumin e saj të parë në 2010 ajo fitoi Çertifikatën e Platintë në Greqi.

Në 2012, dhe 2014 nxjerr nga enti diskografik “Minos EMI” dy disqe të reja “Ti poniro mou zitas (Çfarë dinakërie më kërkon)” dhe “Anemos agapis (Era e dashurisë)”. Të dy albumet qarkulluan me sukses në Greqi dhe Qipro. Në 2017 në entin diskografik “Panikos Rekord” nxori albumin e saj të katërt “Vasilica”( Mbretëresha)”.
Eleni (Entela) Foureira, është sot këngëtarja më e shquar dhe e suksesshme në Greqi, por tashmë përfaqëson Qipron. Popullaritetin e saj e tregon fakti se në një nga koncert përformimet e saj është ndjekur në You Tube nga më shumë se 100 milion shikues.1 eugent Bushpepa

Ne Foto; Eugent Bushpepa/

***

Ermal Meta, ëndrra e zgjatur e emigrantit nga Fieri

2 Meta

Ermal Meta nuk i pëlqen përrlallat. Djali që u bë i njohur dy vjet më parë në Sanremo 2016 me “Odio le favole” (I urrej përrallat), e përsërit shpesh: “Përrallat nuk më kanë pëlqyer kurrë, për mua jeta është shumë herë më interesante dhe ka më shumë fantazi në të”. E megjithëatë jeta e Ermal Metës, 37 vjeç i ngjan një përralle. Ai u bë fituesi (pasi kishr marë më parë vendin e tretë) i festivalit të këngës së lehtë italiane që shqiptarët e shihnin dikur në mënyrë klandestine.

Ermali, një emigrant nga Fieri, jo vetëm mori pjesë për të tretën herë radhazi, por doli andej edhe me çmim.  Njësoj si këtë radhë edhe vjet kënga e tij ‘E ndaluar të vdesësh’ (Vietato Morire) është vlerësuar maksimalisht nga juria dhe publiku.

Edhe pse deri para dy vitesh ai nuk njihej mirë në Shqipëri, Ermali tashmë është imponuar në tregun muzikor në Itali. Ai ka shkruar këngë për yje të famshëm si Marko Mengoni, Emma Marrone, Chiara, Annalisa, Patty Pravo etj. Natyrisht ashtu sikurse per çdo emigrant edhe per të fillimet nuk ishin të lehta. “Fillova duke kënduar në disa grupe në qytetin e Barit në Puglia. Me një në veçanti, grupin “La Fame di Camilla”, publikuam tri albume nëpërmjet etiketës diskografike “Universal”. Njëkohësisht kompozoja këngë dhe shkruaja tekste për këngëtarë me famë në Itali” tregon ai. Dhe pak nga pak emigranti nga Fieri filloi të iponohet, prtej Adriatikut. “Tregu muzikor italian është i vogël dhe për këtë arsye edhe shumë i vështirë. Dua të them që nuk ta lë njeri vendin e vet. Ndryshe nga ata që kanë lindur dhe janë rritur në Itali, ti ke lindur në Shqipëri, madje në Fier” pohon ai dhe shton: “Unë kam lindur në Fier dhe kam pasur një fëmijëri si pjesa më e madhe e fëmijëve shqiptarë në ato vite. Në Tiranë kam qenë pak herë kur isha i vogël dhe jo për arsye të lidhura me muzikën”.

***

Intervista / Nata më e gjatë e jetës

Si do ta nisje një përrallë dashurie?

Di si të nis një këngë, por jo një përrallë.

Kënga më e bukur që ke dëgjuar për një ndarje?

“Wicked Game” Chris Isaac.

Alkooli më i fortë për të mbytur dhembjen?

Rhum.

Nata më e gjatë që ke kaluar?

Nata në të cilën më thanë që ime më ishte në koma. M’u duk e gjatë një vit.

Zgjimi më romantik si mund të ishte për ty?

Çdo zgjim është romantik kur fle me dikë që ke në krevat dhe në zemër.

Mesazhi më mbresëlënës që të ka ardhur në celular?

Një mesazh në celular nuk e konsideroj mbresëlënës.

Martesa që do të ëndërroje?

Ajo që bën i moshuari mbas një jete të gjatë dhe të lirë.

Vdekja më e ëmbël si do të ishte?

Ajo pas martesës së mësipërme.

Cila është italiania më e bukur?

E dashura ime.

Por, tani shumëkush në Tiranë e njeh Ermal Metën falë paraqitjes së suksesshme në Sanremo. Ndërsa ai e kujton Shqipërinë përmes tekstit të këngës së tij: “më kujtohet ai cast kur u bëra i madh”.(Lapsi.al)

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, në Eurovizion, tre shqiptar

VAÇJA ENDE KËNDON

February 8, 2018 by dgreca

 

1341 a vacezelaVace-Zela-IBNAkryesore21 nderi Komb1 a kostum1 Vace 2

 

VAÇJA ENDE KËNDON

NGA FASLLI HALITI/ ese /

Sapo kishte  kënduar në Orën Gazmore të qytetit, Vaçja erdhi  në shtëpinë tone. Ne kishim  hyrje-dalje me Zelët. Që  në moshën dymbëdhjetë vjeçe, Vaçja ishte  bërë e njohur  në gjithë  qytetin e Lushnjes. Xhaxhesha kërkoi  që ajo të  këndonte një këngë. Vaçja  që e kishte  këngën të  gatshme, si gjinkalla, filloi të këndonte, pa pritur që  t’i thoshin për së dyti. Bukur, bukur, tha  xhaxhesha, po jo si në radio (altoparlant),  jo si në skenë. Atje duket  tjetër, këtu tjetër. Eh,  dhe ti moj  Shahe, i  thonë nëna, po  kjo atje  e ka vendin dhe jo këtu  në mes të tymit, afër vatrës, ku piqen  bukët. Çdo gjë  në vendin e vet.

Ndërkaq Vaçja  e vogël  çau  dritaret e shtëpisë  së  bukës  me zërin e saj të madh  dhe kënga u përzie  me erën e bukës së djersitur që avullonte  në qoshe të hambarit dhe që  ne fëmijët  s’mund  ta hanim  pa u  ftohur  gjersa  avulli  i bukës  të arrinte  në arën  më të  largët. Zia e bukës ishte në vitin  më të zi  dhe buka duhej  kursyer  duke u ngrënë e ftohtë, sepse e ftohtë hahej më pak. Vaçja  që sapo  kishte hequr  biberonin  nga  goja, na ngopte shpirtin  me këngën  e saj të ngrohtë  avulluese  që  ne e përpinim  ashtu të  avullt.

Ora Gazmore  jepej një  herë në javë, çdo ditë  të diel  me  altoparlant. Të gjithë njerëzit grumbulloheshin  rreth shtyllës së drunjtë, në majë  të së cilës  ishte  vendosur  altoparlanti. Këndonte  treshja  e këngëtarëve  pionierë.

Vaçe Zela, Flora  Mebelli  dhe Ajete Nepravishta (Brahimi), por njerëzit  veçonin Vaçen  mes treshes  duke thënë: po këndon  Vaçja  dhe nxitonin  drejt sheshit  me  kalldrëm të qytetit  për të dëgjuar  Vaçen  dhe e  dëgjonin  gojëhapur  duke u grumbulluar  rreth  shtyllës  me altoparlant. Si ftesë  kishin zërin e Vaçes, këngën e saj. Ishte  një treshe  këngëtaresh të vogla, pioniere. Kulmi  i këtij  trekëndëshi  këngëtaresh  ishte Vaçja që shumë shpejt  do të bëhej  kulmi i këngës së lehtë  shqiptare  të të gjitha  kohërave.

Flora  Mebelli ishte  më e bukura, më e  veshura nga të tria  këngëtaret e vogla. Ajetja ishte  më e  bukur  dhe më e veshur  se Vaçja, por të  gjithë, i madh e i  vogël  sytë  dhe veshët  i kishin ngulur vetëm  te  Vaçe Zela, te zëri  i saj,  te kënga e saj si Hirushe,  si mis e vogël, si zanë e vogël mali.  Kjo treshe  këngëtarësh ishte një  zë që  vinte nga  Evropa, për  ne. Kjo  në vitet  pesëdhjetë, ishte një  pranverë  me fllad  evropian  që përcillte blerim, lulëzim  për shpirtrat tanë dhe sythi, lulja  e kësaj  pranvere ishte  Vaçja që po  shpërthente  në ngjyra  dhe fëshfërima  melodish. Ajo  mori njerëzish rreth shtyllës  së drunjtë, rreth  shtyllash  me altoparlant, ka  mbetur  kaq e gjallë, kaq e  bukur  në përfytyrimin  tim sa s’e  ka zbehur  asnjë  ekran  televiziv  gjer sot.  Dhe kur  dikush  në vitet  nëntëdhjetë  e dy tha  për Vaçen, të mos  e ngrinim në qiell  duke caktuar  dhënia e  çmimit vjetor  kombëtar  «Vaçe Zela», për muzikën  sepse ajo,  tha ai,  i ka kënduar  komandantit, diktatorit, ata që  e dëgjuan, s’e  mbajtën  dot veten; mbylle  mor buqen, i thonë, se zëri  i Vaçes  është më i madh se gjithë  komandantët  dhe diktatorët  e kësaj bote. Në ndërgjegjen  e popullit  ka mbetur  kënga vaçjane, zëri vaçjan dhe jo  vdekësirat  që i flak  tej  si bëzhdila  uragani i  zërit të  Vaçes.

Ajo shtyllë  me altoparlant mes kalldrëmit të qytetit  meritonte  të ruhej  në muze  si obelisku i Vaçes. Por  ne jemi  ende pa  kulturën e  nevojshme  të ruajtjes  së relikave. Sepse aty  pranë asaj  shtylle  mbiu  fidani  i blertë i Vaçe Zelës,  fidan  që u bë  lisi  më i lartë  në pyllin  shushuritës  e gjëmues  të këngës  shqiptare.

Pas debutimit  në orën  gazmore  që e organizonte  popullori, elitari  pasionanti  aktori,  piktori impresionant  Ilia Shyti, Vaçja  vazhdoi  të këndonte e s’e pushoi  më këngën. Kudo që ndodhej  asaj  s’i  rrihej pa kënduar  dhe këndonte  me shpirt. Njerëzit  e donin këngën e Vaçes  dhe ajo s’ua kurseu  atë,  por e jepte me shpirtin  e gjeneshës  adoleshente. Kujtdo  që do t’i binte rasti  të njihej  me Vaçen do të kërkonte  që ajo të  këndonte të paktën  një këngë ose  një pjesë të  këngës  me të cilën  ajo kishte pasur sukses. Dhe Vaçja s’kursehej  ta përshëndeste  të saponjohurin me një këngë  të re  ose  me një  këngë për të  cilën ajo  kishte dobësi.

Qëlloi  që erdhi në  shtëpinë e pionierit Sekretari i Parë  i Komitetit të partisë  Petraq Magjistari, babai i Rudina Magjistarit. Ai  na  përshëndeti të gjithëve ne fëmijëve  që ndiqnim rrethet  dhe kurset  në Shtëpinë e Pionerit.  Udhëheqësja e pionierëve e  prezantoi  sekretarin  me këngëtaren  e vogël Vaçe Zelën, me të vetmin fëmijë  të njohur  midis gjithë  nesh që s’ishim veçse korniza e gjallë  e saj.

Kjo është Vaçe Zela, shoku Sekretari i parë, i tha udhëheqësja e pionierëve, sekretarit.

Ti qenke Vaçja? tha sekretari i habitur.

Po, unë jam! Ta këndoj  këngën  O  Azerbajxhan?  e pyeti  Vaçja, e gëzuar nga që  ai e njihte.

Pa ta dëgjojmë  një herë !  i tha sekretari…

Dhe Vaçja  shpërtheu….

Oborri  i shtëpisë së pionierit, në çast  u shndërrua në sallë koncerit.Vaçja  krijonte  kudo salla  koncerte  të befta  që në fillimin e karrierës së saj.

Në  vitin 1956, e takoj  Vaçen  para  bibliotekës  së qytetit. Në këtë  kohë Vaçja  i kishte  kaluar kufijtë  e Lushnjes. E njihte e gjithë Shqipëria. Diskutohej  shumë për të, bëheshin  shumë thashetheme  e  cirkonin me baltë.  Por cirkat  e baltës  nuk zinin  në  trupin e bukur  të pastër, të kulluar  të këngëtares, sepse Vaçja  dhe kënga  ishin një dhe s’ka baltë që e cirkos  këngën  që pastron  shpirtrat dhe vetëpastrohet  si uji  gurrës.

Të keqen motra, më thotë, Vaçja, futu pak  në sallën  e bibliotekës  mbi tavolinën, te dritarja e fundit kam  lënë revistën  italiane. Noi  donne  e cila  në brendësi  të saj, ka faqet e modës. Unë po vij  te dritarja, më  tha  dhe ti  ma jep  revistën. Më fal që po të mundoj !

Kur e mori  revistën  u gëzua shumë. I pëlqente  moda. Vishej  me copa të lira, por  i priste  dhe i  qepte bukur, krijonte  modele të reja. Vishej  me shijen e top modeles  më të mirë. Por kjo  ishte e parakohshme  për qytetin tonë, madje  edhe për  Shqipërinë  e atëhershme  që sapo  kishte dalë  nga zija e bukës. Vaçja  me revistën  në sqetull  unë me  një fletore  vizatimi në  dorë, bisedonim në trotuar  larg bibliotekës. Vaçja kishte veshur  një fund  të kuq  basmeje. Një gisht poshtë  fundit të kuq, dukej  një rrip i bardhë. Kalojnë pranë nesh  dy gra.  Njëra  i thotë  shoqes, qyqja  shiko, dy pëllëmbë e ka nxjerrë këmishën  dy pëllëmbë  poshtë fundit. Është  zhypon  mos të plaçin  sytë, nuk  është këmishë, iu shkreh  Vaçja  me indinjatë , gruas injorante  dhe cinike.

Mirë ia bëre, i thashë  Vaçes duke i dhënë  të drejtë.

Vaçe  Zela  s’ia  përtonte  askujt që i binte më qafë  sikur  dhe mbret të ishte.

Pas lirimit  nga ushtria  fillova  studimet  në Liceun  Artistik  për pikturë.

Në lice ishte edhe Vaçja, e cila studionte për kanto. Pashë se s’ishte e qetë. E axhituar shpirtërisht.

E di si po qarkullon një fjalë e dalë nga goja e pedagoges sime Marie Krajës, sikur ajo më paskësh thënë që, «Ti Vaçe çdo gjë mund të bëhesh, po vetëm këngëtare nuk bëhesh».

Po ti këngëtare je, i thashë unë që kisha një adhurim hyjnor për zërin e Vaçes. Janë në vete këto, apo flasin kuturu?!

E po ik dhe mbushu mendjen pa, më thotë Vaçja dhe kërciti gishtat e dorës me nervozizëm.

Vaçja u largua nga Liceu. Largimi i saj ishte gati një protestë memece ndaj kësaj thashethemnaje që spo shuhej. Vaçja ishte një artiste që rebelonte.

Më vonë në Lice u fol, se nuk ishte e vërtetë ajo që qarkullonte sikur gjoja se Vaçes çdo gjë mund të bëhej, por këngëtare nuk bëhesh kurrë. Kjo thënie ishte gjysmë e vërtetë. Pedagoget e kantos kishin thenë se Vaçja nuk mund të bëhej këngëtare opere, sepse këngëtare e muzikës së lehtë ajo ishte dhe këtë pedagoget s’e mohonin, por e pohonin jo vetëm me zë të lartë, por edhe me kompetencë. Ato s’mund të injoronin veten.

Me këtë thënie u spekulua shumë. Por e vërteta është se Vaçja u largua nga dega e kantos në formë proteste, pa bujë. Për ikjen e saj u fol shumë pro e kundër. Kundër flisnin cmirëzinjtë, mediokrit. Pjesa e talentuar e profesorëve dhe e nxënësve ishin pro Vaçes.

Pas kësaj Vaçe Zela vari kitarën në qafë dhe vazhdoi të këndojë lirisht, pa semaphore e vija të bardha. Këndonte këngë spanjolle, italiane. Muzika jonë e lehtë ende nuk ishte e nivelit që është sot.

Në pushimet e verës e takoj Vaçen në Lushnjë. E pyes se si ndihej në shtëpinë e kulturës.

Mizerje, më thotë.

Pse mizerje?

Po ja… Patëm një koncert në sallën e kinemasë së qytetit. Merrte pjesë sekretari i Parë me suitën e tij. Këndova me gjithë shpirt. Dhashë maksimumin. Pas shfaqjes më thërret sekretari i Parë. Po prisja të më thoshte fjalë të mira. E di ç’më tha: Mirë moj Vaçe, mirë. Bukur këndove, po pse përdridheshe si çingi…

Ç’t’i thosha Buzos. T’ia përmblidhja të merrja veten më qafë?

Të shkretët ne ia ktheu Vaçja thellësisht e trishtuar …

Më vonë takohem befas në Vlorë me Vaçen. S’e mbaj mend pse gjendesha në Vlorë,kurse Vaçja kishte ardhur për koncert me ansamblin e ushtrisë. Viti s’më kujtohet.

Të keqen motra, thotë Vaçja. Shko pak në shtëpinë time. Lajmëroji ata të shtëpisë sime se këta shokët e ansamblit duan të më bëjnë një vizitë. Ti e di si jemi ne të shkretët në shtëpi. Së paku ato pak lecka të rregullohen pak.

Vaçja ishte tepër krenare. Megjithëse nuk pyeste, prapë dëshironte që miqtë ta gjenin në rregull. Ata e nderonjin dhe ajo donte t’i nderonte dyfish kolegët.

Të talentuarit janë mirënjohës dhe etikë të mëdhenj. Vaçja edhe pse e thjeshtë, prapë në thellësi të sja, flinte dhe zgjohej shpirti aristokrat. Sidoqë të ishin njerëzit që njihte, ajo i takonte me shumë përzemërsi pa asnjë përpjekje për shmangie edhe kur ata ishin me qeleshe ose opinga. Një herë u sëmur një kushëri i saj. U shtrua në spitalin e Tiranës. Vaçja e vizitonte gati çdo ditë. Mjekët shtuan përkujdesjen. Ata e prisnin me padurim ardhjen e këngëtares magjike. Sapo hynte në korridorin e spitalit artistja e madhe, të sëmurët thoshin se po vinte sorkadhja.  Kishte ecje të lehtë prej sorkadheje prandaj të sëmurët e quanin ashtu.

Nuk mbaj mend nëse Vaçja këndoi me zë të ulët ndonjë këngë spanjolle apo italiane të sëmurëve. Mbase edhe u ka kënduar por unë s’e mora vesh. Po ku i rrihej Vaçes pa këngë?

Një ditë Vaçja po më tregonte për suksesin e saj në sallën e estradës së Tiranës. Më tregonte se si e ndërprisnin me ovacione në mes të këngës. Ishin duartrokitje frenetike. Thirrje të stuhishme: Bravo, bravo, braaaaavo! E irrituar pse duartrokitej Vaçja që këndonte këngë të huaja, këngëtarja popullore Fiqirete Rexha i thotë: – Epo s’jemi në Italie këtu … Epo edhe në Turqie nuk jemi, de – i thotë Vaçja koleges.

Ishin vite disi liberale. Bashkimi Sovjetik po bënte kthesa të mëdha të çuditshme. Ndeshej liberalja me konservatoren. Në një dhomë të shtëpisë së Vaçes, në vitin 1963, banonte një ish e burgosur politike që dinte shumë mirë italisht. Unë shkoja tek ajo për të mësuar italisht me të. Një ditë takon Vaçen afër derës së ish të burgosurës së bashku me gjyshen që e donte jashtëzakonisht shumë. Aq shumë e donte saqë gjyshja përkëdhelej si fëmi. Vaçja sapo ishte kthyer nga një koncert në Rumani. E pyes se si kishte shkuar koncerti e ç’kishin thënë rumunët. Isha së bashku me Luçie Milotin, më thotë. Pas mbarimit të koncertit na çuan në një bar-lulishte. E di ç’i thanë rumunët ambasadorit tonë në Rumani?

Çfarë? Nëse Luçie Miloti është bilbili i këngës shqipe, Vaçja është surpriza shqiptare.

SHTËPIA NË LUSHNJË, KU KA LINDUR VACE ZELA

Vaçja jetonte vërtet në Tiranë, por Lushnjën e vizitonte për çdo rast të gëzimi apo hidhërimi. Ajo kishte njerëzit e saj në Lushnjë dhe kur vinte, shkonte e bënte vizita në shtëpitë e tyre. Një herë më qëlloi ta gjej Vaçen te mamaja e piktorit Luan Boriçi të cilën ajo e kishte vajzë xhaxhai. Piktorri Luan Boriçi po bënte një kompozim për Luftën dhe na ftoi të shikonim kompozimin e tij të cilin do ta dorëzonte në ekspozitën kombëtare. Shkuam për ta parë kompozimin, së bashku me shkrimtarin Halil Jaçellari dhe poetin e shkrimtarin Fatbardh Rustemi. Aty gjetëm Vaçen të ftuar për drekë nga kushërira e saj, Zenepe Boriçi.  U gëzuam që po takoheshim me Vaçen me idhullin tonë. Bëmë shumë biseda për artin, por ajo që më ka mbetur në mend është habia që shprehu Vaçja, kur mori vesh se Kadareja kishte ardhur në Lushnjë, i ftuar nga poeti dhe shkrimtari  Fatbardh Rustemi i cili hynte e dilte më shpesh në shtëpinë e Kadaresë nga ne dy të tjerët. Ishte koha kur shtëpia botuese «Naim Frashëri» i kishte dhënë Kadaresë për reçencë, romanin e H. Jaçellarit: «Nesër është e diel». Por habinë më të madhe,Vaçja e shprehu, kur mësoi se Kadareja, jo vetëm kishte ardhur në Lusnjë bashkë me Helenën, por edhe kishte fjetur një natë në shtëpinë e shkrimtarit, Fatbardh Rustemi. Kurse kur Halil Jaçellari i tha Vaçes se Kadareja kishte shkruar një ese për librin tim të parë poetik «Sot», tha: kjo është mrekullia vetë, gjeniu i letërsisë shqipe, ka shkruar për një lushnjar, sepse sheh ecje tek ai, sheh që ai është  hapgjatë në rrugën e vështirë të artit që, siç thotë vetë Kadareja, «në të ka dhe ujqër dhe ditë dhe natë», Vetëm me gjestin e Lushnjës, tha Vaçja, Kadareja i paska larë të gjitha gjynahet që ia veshin padrejtësisht, gjoaja sikur ai, nuk çan kokën për asnjë krijues në botë, përveç vetes së vet,

Vaçja i gëzohej çdo talenti të ri, kudo që ai të çelte, veçanërisht u gëzohej talenteve që çelnin e lulëzonin në Lushnjë. Ajo i gëzohej dhe fliste me fjalë sipërane për këngëtaren Elida Korreshi

( Gjermeni) dhe këto fjalë i thoshte kur Elida hidhte hapat e para të karrierës si këngëtare.

Një herë tjetër, kur Vaçja, mësoi se djali im Helidoni u nderua me Çmim të parë, për punime në akuarele në ekspozitën ndërkombëtare në Oslo të Norvegjisë, erdhi në studion e djalit që të shihte akuarelet, për të cilat kishte dëgjuar fjalë të mira. Pasi i pa me kujdes punimet tha me përkëdheli, natyrisht: «Po si mor Helidon, nuk ke vënë dy – tre karrige për t’u ulur të tjerët që të vinë në studio. Ja, unë jam plak, nuk qëndroj dot në këmbë»

Ju plak? Ç’thua kështu, Vaçe!. Plaket mbretëresha e këngës? Qeshëm… Ndërkaq djali hoqi nga muri akuarelet të cilat Vaçja i kishte pëlqyer dhe ia dhuroi nënës së saj Vajës, të paketuara. Ato akuarele janë ende në shtëpinë e saj në Tiranë.

***

Të mëdhenjtë janë të sinqertë dhe s’druhen se mos i marrin si mburravecë. Unë u gëzova shumë që rumunët e kishin quajtur Vaçen surpriza shqiptare. E urova. Më thotë gjithë entuziazëm:

Do të përgatis një recital që …

Ashtu?

Po!

Ç’është ky cital moj bijë, e pyet gjyshja.

Jo cital, moj gjyshe. Recital, – i thotë Vaçja gjyshes duke qeshur e duke e përkëdhelur sikur të ishte gjyshja mbesa, dhe jo Vaçja.

Recitali moj gjyshe është …

Hë? Si është, thuaja gjyshes…

Është …, e di si? Që, pasi të kem kënduar, mua të më nxjerrin me tezgë nga skena …

E pse?

Aq shumë do të këndoj, sa do të bëhem telef….

Po qe kështu, lëre lanetin …

Po Vaçja s’e la këngën.

***

Biseda ime e fundit në telefon me Vaçe Zelën, ka qenë para një viti, kur ajo mori vesh për operacionin tim në zemër dhe më merr në telefon nga Zvicra. Më një zë disi të shuar, më uroi të shkuara dhe shërim të shpejtë. I them faleminderit Vaçes, po me një zë disi të vakët dhe unë, nga emocioni e mallëngjimi. A më more në telefon ti Vaçe, a u interesove ti, për mua, le të vdes tani…! «Ç’më thua, unë të telefonova të të uroja shërim të shpejtë, shëndet e jetë të gjatë, e jo që ti të vdesësh…!», më qortoi Perëndesha jonë.

***

Kur mësova shuarjen e Vaces, vetvetiu perifrazova dhe unë me vete, qortimin që i bën Montago Romeos, birit të vdekur:

« O bir pa edukatë! / Ç’është kjo sjellje / Të  hysh në varr më parë se yt atë?»

Lushnjë, 2016                                                           

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Faslli Haliti, VAÇJA ENDE KËNDON

O nieri, fol bre! Ku e ke hallin?”

February 7, 2018 by dgreca

….”ne shqiptarët ndoshta nuk kemi qenë dhe nuk jemi aq trima sa e dime dhe sa e mbajmë veten”, dhe pastaj kujton fjalët e Faik Konicës se “karakteri historik i shqiptarëve është çiltërsia, vërtetësia dhe të mbajturit e fjalës së dhënë. Ky karakter ka qenë përgjithësisht i tyri, dhe me të shqiptarët kanë fituar më tepër famë se me trimërinë e tyre.”/

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/Në vitet 1910, shkrimtari i madh norvegjez Knut Hamsun përshkruan, luftën e njeriut me urinë, të ftohtin e hidhur dhe talentin në qytetin Kristiana (Oslo, Norvegji). Dhe aty, Hamsun krijoi romanin e tij të famshëm me titull “Hunger” (Uri), ku tregon luftën e përditëshme të personazhit me urinë, të ftohtit, dhe krijimtarinë në qytetin të cilin ai e donte, vuante dhe nuk ndahej dot prej tij. Për këtë roman, Hamsun fitoi çmimin Nobel në letërsi më 1920.

Kush lexon librin “Rrëfime lirie” të Shaqir Salihut bëhet më i ndjeshëm ndaj tjetrit dhe ndaj mjedisit ku jeton. Libri e ndryshon shpirtin rnjeriut. Autori i përshkruan gjërat me aq imtësi sa çdo shkrimtar do t’ia kishte zilinë. Njeriu që thotë se është shkrimtar rrallë është. Shkrimtari kërkon vetminë. Atje ai risjell, bluan mendimet, turfullon, shkakton furtunë e pastaj shpërthen, krijon, shkruan. Shkrimtari mes turmës është thjesht njeri i padallueshëm që vetëm vëzhgon, pa e ditur. Për hir të së vërtetës, unë kam punuar gati 25 vjet me autorin, por kur lexoj librin e tij, them se nuk e kam njohur. Libri është një rrëfim me temë nga të jetuarit, aq i lehtë e i këndshëm në të lexuar, dhe po aq shumë ta rëndon zemrën kur mëson mbi udhën e pashtruar nëpër jetën e tij. Eshtë vërtet një “Hunger”.

Salihu e fillon librin me vitet e fëmijërisë dhe rinisë së herëshme, atëhere kur brenda njeriut çdo gjë ngjizet. Ai përshkruan bukur fshatin e tij, Banullë të Lipjanit në Fushë Kosovë; tregon për shtëpitë me qerpiç a baltë, e “dhomat” e ftohta që s’ngroheshin dot gjatë dimrit të acartë, me njerëz mbledhur rreth vatrës dhe varfërinë e tej-skajshme. Si është e mundur, mendon njeriu, që në Jugosllavinë “e lulëzuar” nga borxhet që Perëndimi i jepte Titos, në këtë fshat ashtu si në mbarë Kosovën, njerëz që jetonin në mes të hambarit të Jugosllavisë, rropateshin të rreckosut e vuanin për bukën e gojë; vriteshin e torturoheshin për armë që s’i kishin; poshtëroheshin, përndiqeshin e dëboheshin vetëm se ishin shqiptarë? Dhe pikërisht këtu, autori ndalet, mendon e thotë, se si nuk u ngrit njeri të kundërshtojë e vrasë?.. Por, ”ne shqiptarët ndoshta nuk kemi qenë dhe nuk jemi aq trima sa e dime dhe sa e mbajmë veten”, dhe pastaj kujton fjalët e Faik Konicës se “karakteri historik i shqiptarëve është çiltërsia, vërtetësia dhe të mbajturit e fjalës së dhënë. Ky karakter ka qenë përgjithësisht i tyri, dhe me të shqiptarët kanë fituar më tepër famë se me trimërinë e tyre.”

Dhe Shaqiri vazhdon udhëtimin e tij nga shkolla e Banullës, në atë të Lipjanit e pastaj në shkollën e mesme në Prishtinë. Këtu, ai, si Hamsun, bie në dashuri me qytetin, me zhurmat e tij, habitet pas dyqaneve të shumta, rrugëve plot njerëz, dhe kur kthehej në dhomën me qira, pa ujë, pa dritë, pa ngrohje, kërrusej mbi libra e mbështillej me batanije për t’u mbrojtur nga i ftohti i acartë i dimrit ballkanik.

Por…sa më shumë ta duash, aq më shumë dhimbje pëson…ky është ligj i pashkruar. Rrëfimi i Shaqirit herë herë të nxjerr në dritë dhe pastaj të fut në skuta të errëta. Diplomimi si mësues ia mbushi zemrën me gëzim. Ishte mësuesi i tretë që dilte nga fshati i tij, ndjehej krenar. Por vetëm kaq. Të tjera zhvillime jo fort të mira do të pasonin për Shaqirin si mësues në Lipjan. Një ndjenjë pasigurie e ndiqte. Dyshues në çdo gjë përballë eprorëve serbë, dhe atyre shqiptarë që besonin në “vëllazërim – bashkim”, Shaqiri nuk e përmbante veten. Kjo forcoi tek ai ndjenjën e mospajtimit e të kundërshtimit edhe për gjëra që ndonjë koleg i tij e këshillonte të përmbahej. “Dua revolucion, vetëm revolucioni të nxjerr nga status – quoja, shkruan Shaqir Salihu.

Dhe kjo natyrë rebele e të menduarit do ta shoqëronte atë gjatë gjithë udhës kudo që jeta do ta përplaste nga Lipjani, në burgjet jugosllave, në arratisje në Romë, e deri në Nju Jork e Uashington tek Zëri i Amerikës, ku më 2012 doli në pension.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, fol bre!, Ku e ke hallin?”, O nieri

NA LA QEMAL LEPENICA….

February 6, 2018 by dgreca

QEMAL LEPENICA,LUFTËTARI ANTIFASHIST DHE QËNDRESTARI KUNDËR DIKTATURËS KOMUNISTE/

1 qemali 1Nga Enver Memishaj/Na la dhe Qemali, më tha Ëngjëll Lamaj, por mua nuk më besohet se s’do ta takoj më, atë burrë patriot që deri në fund zemra e tij rrahu për atdheun e tij.Qemal Lepenica kishte lindur në Lepenicë të Vlorës më 13 prill 1927 dhe e dorëzoi shpirtin e tij të bardhë më 5 shkurt 2018 në Nju Xhersi të Shteteve të Bekuara të Amerikës siç e quante ai, këtë vend të bekuar dhe të admiruar të shqiptarëve.

Ai i përket familjes së njohur së Memishahajve, por që bijtë e kësaj familje të larguar nga fshati morën si mbiemër atë të vendlindjes Lepenicës, kështu veproi edhe Qemali. Ai kreu Shkollën Tregtare të Vlorës dhe një vit kurs pedagogjik në Tiranë. Nw Amerikw kreu edhe studimet e larta.

Gjatë Luftës Antifashiste,duke ecuar në gjurmët patriotike të të parëve të tij: Numan Lepenicës, Fejzo Lepenicës, Xhelal Lepenicës dhe të atit Refatit, ende djalë i ri 17 vjeçar, nën thirrjen e Hysni Lepenicës u rreshtua në radhët e Ballit Kombëtar dhe luftoi me trimëri kundër pushtuesit fashist deri në çlirimin e Shqipërisë.

Në çlirim la pushkën dhe mori penën. U emërua mësues në Hekal të Mallakastrës, ku punoi dy vjet me përkushtim. Pas dy vjetësh u transferua në Hysoverdh të Vlorës.

Partia Komuniste nuk kishte besim të ky ballist i ri dhe ndiqte si “armik të popullit”. Për t’i shpëtuar ndjekjes dhe persekutimit ai iu përgjegj thirrje së kushririt të tij Reshat Agaj nga Smokthina dhe më 3 korrik 1950 mundi të dalë në botën e lirë në Greqi, më pas në Gjermani dhe së fundi u stabilizua në Nju Xhersi, ShBA.

Njerëzit e tij hoqën kalvarin e gjatë të vuajtjeve, mjerimin dhe persekucionin e egër komunist. Refati, babai tij vdiq zemërdjegur në vitin 1988, që nuk e pa me sy e nuk e dëgjoi zërin e birit tij të vetëm. Ganimetja, e motra u persekutua dhe u internua familjarisht, ky fat i ndoqi edhe nipat dhe mbesat e tij.

Qemali edhe atje në botën e lirë nuk pa në asnjë moment interesat e tij, por në radhë të parë vinte interesat e atdhut të tij. Kështu në radhët e Ballit Kombëtar të emigracionit mbeti një luftëtar i vijës së parë kundër diktaturës komuniste nga e cila vunate populli shqiptar. Në organizimin antikomunist të emigracionit ai ndihmoi me atkivitetin e tij të pa lodhur, me sponorizime librash dhe çdo emigrant shqiptar ose çdo i arratisur gjente derën e shtëpisë së Qemalit hapur dhe ndihmohej deri sa i të gjente punë dhe streh, po me këtë bujari i priti ai edhe emigrantët e pas vitit 1990 veç këtyre shërbimeve atdhetare ai mbajti atje edhe detyra të larta për organizimin dhe qëndresën e emigrantëve politik.

Nazmi Demishahu, emigrant kosovar shkruan: “Qysh në ditët e para që shkela në Amerikë, pata fatin të njihesha  të ndihmohesha dhe të bisedoja  me një numur bashkatdhetarës, emigrantë, të cilët kishin ardhur, ose më mirë, ishin larguar ose dëbuar  me dhunë nga atdheu para dhe pas komunizmit si: z. Ago Agaj, z. Hysen Tërpëza, z. Ali Starova, z. Zija Veliu, z. Sami Repishti, z. Qemal Lepenica, z. Zijaudin Qira etj.”.

Qemali ka mbetur gjatë gjithë kohës në qendër të vëmindjes dhe ndjekjes nga Sigurimi i Shtetit. Dega e parë në Ministrinë e Brendshme me shkruen Nr.536/16 datë 12.2.1976 njofton se simbas të dhënave të Drejtoris III-të i arratisuri Qemal Lepenica është pjestar i “Frontit të Rezistencës”  dhe është treguar i gatshëm për të ardhur si diversant në vendin tonë etj.

Në një shkresë tjetër thuhet se ”Në bazë të porosisë së dhënë nga shoku Ministër me shkresën Nr.7 dat. 4.1.1977 mbi anëtarët e “Frontit Rezistencës Antistaliniste Shqipëtare” hartohet ky plan masash për organizimin kërkimin dhe kapjen e emisarve dhe diversantëve që mund të futen ilegalisht në vendin tonë, për këtë nga ana jonë do të meren masa paraprake.

Në ndjekje dhe përgjim u vunë gjithashtu edhe gjith fisi i Qemalit në Shqipëri, nipat dhe mbesat e tij. Deri në rrëzimin e diktaturës komuniste në vitin 1990 ai mbeti në qendër të vëmëndjes së Sigurimit të Shtetit, çka do të thotë se ata e çmonin si një kundështar të fortë dhe një antikomunist të vendosur.

Këtë fakt e marrim vesh nga një dokument i Ministrisë së Brendshme datë 22.6.1990. Më 9 korrik 1990 Sektori i Vizave në Ministrinë e Brendshme u dërgonte Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, anës së Sigurimit, një informacion në të cilin jepen udhëzime që personat e listës bashkangjitur të mos lejoheshin të hynin në Shqipëri pasi ishin “reaksionarë”!!!

Dega e Vizave kërkonte gjithashtu që lista të studiohej dhe të mos lejohej asnjë i afërm i kësaj liste të shkonte për të vizituar shtetasit që bënin pjesë në këtë listë.

Më 26 gusht 1990 ajo është plotësuar me shënime nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe është dërguar në rrethe. Lista përmban 380 ”reaksionarë” dhe Qemal Lepenica është shënuar në numurin rendor 18.

Dashurinë e pa kufishme për atdheun e rilindi në familjen e tij. Ai u  martua me një kosovare e cila i fali tre fëmijë: Refatin, Xhelalin dhe Lidia.

Qemal Lepenica u rikthye në Shqipëri më 1995, zemër djegur nga malli për atdheun e tij dhe për njerëzit pa i parë për 45 vjet. Të dashurit e tij nuk i gjeti gjallë, por gjeti Atdheun në liri dhe kjo e ngushullonte.

Qoftë i pa harruar emri këtij atdhetari.

Filed Under: ESSE Tagged With: Aku Qemal Lepenica, ANTIKOMUNIST, Enver Lepenica, Luftetari antifashist

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 294
  • 295
  • 296
  • 297
  • 298
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT