• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dhëndëri i Demokracisë

September 13, 2017 by dgreca


hajdari
Nga Ylli XHAFERRI / Publikim me shkas/

Gjëma kishte ndodhur. Dielli qe fikur. Në fërgëllimën e fundme të shuarjes së kandilit të jetës, marrë mizorisht nga një krismë mbas shpine, pushkë cubash të pamëshirshëm, ai pa botën të përmbysej, ylberet të gremiseshin si lisa të djegur rrufeje, qielli të ngrysej, mali i Dejës të shembej me rrapëllimë, pa kullën e tij që iu thye një tra, por që përsëri mrekullisht mbahej në këmbë, karakoll burrërie dhe shqiptarie prej kushedi sa shekujsh, para sa e sa bajlozëve, por dhe gjaku të shprishur brenda vetë shqiptarëve të keqpërdorur nga politika diktatoriale. 1 azemiNë cepat e buzëve të ngrira, që kurrë më nuk do të lëshonin frymën e ngrohtë të jetës dhe buzëqeshjen e çiltër për nënën dhe babën, në dorën e tharë ku kishte mbetur ndehur dhe e padjegur shamia e beqarisë, në këmbën uloke ku vallja ishte ngurosur mizorisht nga hijet e së keqes, në sytë e bukur që po ia shkelte nata e zezë ku si medaljon ishin ndryrë në mënyrë të patretshme tiparet e bukura të vajzës që sapo ishte veshur nuse dhe priste dorën ledhatare të burrit, ato sy të vëmendshëm që kurrë më nuk do ta shihnin Macukullin, djepin dhe tanimë varrin e përjetshëm, krahinën që rrethohej nga patkoi i maleve të lartë, në ato buzë të pangopura me puthje dhe jetë, ishin mpiksur vargjet e një balade elegjiake me motiv të vjetër, ku nëna matjane vajtonte djalin: …Udhës më shkoi ke gjurr’ e ftohtë, aty na u ul ujë me m’pi, aty na e zu i ziu gjarpën, aty na e zu n’ballë e n’qafë… Dy ftesa të bardha dasme, dy pëllumba paqeje në xhepin e djalit, dy puthje të ftohura, dy ëndrra për fëmijë, dy bekime, dy urime, ishin mjeti i vetëm që e bënë të njohur.

Quhej Isuf Ali Uka. Ftesat në xhep ishin të dasmës së tij që kishte marrë valë, por tashmë kthyer në mort. Mjekët dhe infermieret e spitalit të Tiranës kishin derdhur lot të nxehtë dhimbjeje përpara asaj tragjedie para së cilës vetë “Hamleti” do të dukej si një komedi bajate. Trupi i ftohur i djalit si një statujë pafajësie ishte dëshmia më e qartë e mizorisë, e masakrës së shtetit ndaj qytetarëve të tij të pambrojtur, e së djeshmes që luftonte për të mos u bërë e shkuar, por të mbetej kthetër e së keqes për të sotmen, kurth e lak i zi për të ardhmen. Ai trup rinor ngrirë në morg, fliste shumë. Obelisk për barbarinë. Përse, vallë! Përse duhej shuar ajo jetë? Përse duhej prerë në mes ai gëzim njerëzor me këngë e valle? Kush u trembej dasmave, e kërkonte ti kthente në mort, ku të këndonin qyqet dhe vajtimoret? Përse! Përse, vallë? Krimi i vetëm që kishte bërë Isuf Uka, ishte dëshira dhe dashuria për jetën, arma e vetme që kishte me vete në momentin fatal ishin ftesat për dasmën dhe gëzimin e tij rinor, për harmoni dhe bashkëjetesë, për ardhmëri dhe lumturi, për tu bërë bashkëshort i mirë, prind shembullor, qytetar i denjë, atdhetar i flaktë. Faji i vetëm për të cilën qe vrarë ishte solidariteti njerëzor, nderimi për të vdekurin, për të protestuar dhe dënuar krimin shtetëror, për të përcjellë mikun e rrallë në banesën e përjetshme… Në kullën e tij sapo kishin nisur dajret. Kishte çelur pranvera…Bilbilat kishin filluar këngën. Graria, farefisi, djemtë dhe vajzat e mëhallës luanin me gëzimin. Edhe ecja u kthehej në valle. Kulla e Ukajve kishte gaz. Vallet e rënda të burrave dridhnin vendin. Kot nuk thoshin, Ukajve u kishte hije dasma. Vargje këngësh përcillte era larg: …Kënoi zogu gem më gem vallë ku bahet ki dizen ke Isufi në kët ven do ta bajmë ç’i t’mahet men me aheng e me dizen… Sapo ishin nisur petkat e nuses, bashkë me lodrat që përcillnin gëzimin larg drejtë kullës së mikut. Isufit, zemra veç këngë e gaz i zgjonte. Të dielën martohej…

Por si një korb i zi, si një re sterrë erdhi lajmi i hidhur për vrasjen e deputetit, Azem Hajdari. Gëzimi i dasmës së vet sikur e turpëronte, vuante ndershmërisht dhimbjen e humbjes së luftëtarit për demokraci me të cilin kishte kujtime të shumta takimesh. Vendi nuk po mundej ta mbante. Ai këndonte, gazmohej, lumturohej, kur diku qahej, kishte dhimbje, vaj. Fëmijë kishin mbetur jetimër. Kurrësesi nuk ia bënte zemra të braktiste kujtimin e mikut, nderi e thërriste në homazhet për të. Prandaj nuk kishte munguar për të marrë rrugën drejtë Tiranës.

Thjeshtë që të kryente një rit njerëzor, të hidhte një grusht dhe mbi varrin e “Heroit të Demokracisë”, të nderonte veprën e tij…Mbase njëra nga ftesat që iu gjet në xhep ishte bërë gati për tu nisur për vetë Azemin. Meqë nuk ia dha dot në gjallje, për ta çuar pengun deri në fund, Isufi e kishte marrë ftesën me vete. Kur të prekte arkivolin, t’ia bënte me dije dëshirën e flaktë për ta pasur si krushk të parë në dasmën e nisur atje në Macukullin e largët. Rrugës vetiu këndonte me vete këngën e grave të fisit të Ukajve për nisjen e krushqve: …Kur më shkuet për tutje, fushat ishin, lule s’kishin, krojnat ishin, uji nuk kishin… Ishte i lumtur, por me një shpirt të trazuar. E keqja rendte pas tij me kosë në dorë. Ishte bërë damtore për fatet e njerëzve të thjeshtë. Buronte nga vetë shteti…Shtëpia e nuses ishte afër, një gjurmë pushke larg, saqë dëgjoheshin lodrat dhe hareja. Po bëhej prova e vellos. Nusja shndriste si e përborur nga krahneza, si e ngjyer me pah lulekumbullash. Nuset e reja dhe vajzat e pafejuara i këndonin jo fare pa zili bukurisë së saj shpërthyese. Dyfish i gëzuar ndjehej, dyfish i gjallë bëhej nga dashuria për njeriun e zgjedhur për jetën. Iu bë zemra lodër e mal teksa dëgjoi këngët në kullën e mikut: Plasi toka bini dardha, lin lin e bardha t’bardhën deshta, t’bardhën mora, lin lin e holla… Por erdhi e premtja e zezë. Këngët u kthyen në kuje. Gjërat rrodhën mbrapsht. Lumi i Matit rridhte një ujë të zi e të turbullt që nisi ta kthente drejtë burimit, pikat e shiut të shkonin drejtë qiellit, këngët të mbyteshin në vaj, ngjyrat e ylberit të ktheheshin në thëngjij të shuar, vetëm lotët rigonin si përrenj të egër mbi fytyrën e gdhendur si mbi granit të familjes Uka. Bilbilat kishin heshtur përgjithmonë. Isufi vinte mbi supet e njerëzve. Ukajve edhe vdekja u kishte hije. Nuk i shkonte ajo ecje. Për më tepër pranë shtëpisë ku nusja para pasqyrës provonte vellot e bardha. Kortezhi ecte heshtur. Malet u rëndonin mbi gjokse. Ishte koha kur rejat e fisit do t’i këndonin Isufit, dhëndër:.. Aliu, babai i Isufit, si një copëz shkëmbi nga Krasta qëndronte në odën e burrave. Jepte dhe ndërronte duhan. Idhësina i mbyste zemrën. Djali dhëndërr me nuse të pamarre. Por jeta e kishte mësuar të duronte. Si monument graniti përballte hobetë e fatit…Isufi mbeti dhëndëri i përjetshëm. Dhëndëri i demokracisë. Vepra e tij u nderua nga Presidenti Topi me Medaljen “Martir i Demokracisë”. Ai nuk ka kurrë mort, jeton në qëndresën epike të babës, në lotët e pa tharë të nënës, vazhdimësinë e vëllezërve, dashurinë e nipërve dhe mbesave, kujtimin e miqve, mirënjohjen e të gjithëve, demokracinë shqiptare që përparon dhe zhvillohet: Isuf, përjetë andej s’do të mbesësh, njerëzit e dashur nuk do t’i harrosh, yll do të bëhesh dhe mes rrezesh rishmëz do të zbresësh t’i përqafosh.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dhendri i Demokracise, Ylli Xhaferri

Ku duhet të jem unë?

September 12, 2017 by dgreca

1-reshat-kripa

Nga Reshat  Kripa/I kam kaluar të tetëdhjetat. Tashti nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ëndërroj. Qysh kur isha fëmi ëndërroja për një botë më të mirë, për një botë ku të sundonte mirësia dhe mendimi i lirë. Ndonse  në moshë të njomë, vala më rrëmbeu dhe më hodhi në rreshtat e atyre që dikur quheshin “të mundurit”. Fati e solli që të isha në ndikimin e tyre. Atëherë kuptova se historia e vendit tim nuk ishte ajo që kisha mësuar në bangat e shkollës  por një tjetër, që ishte e kundërta e asaj që më kishin treguar mësuesit e mi të atëhershëm. Nëpër kalvarin në të cilin kalova, përveç dhunës dhe shtypjes mizore, mësova se vendi ynë kishte edhe një histori tjetër që sunduesit e atëhershëm e kishin mohuar krejtësisht.

Qysh prej asaj kohe, siç e theksova edhe më lart, endërroja të vinte një ditë kur t’i shprehja lirisht mendimet e mia, kur historia e vërtetë e vendit tim  të mësohej nga të gjithë shqiptarët. Prisja që të vinte dita kur thirrjet për një Shqipëri perëndimore të ndiheshin në vendin tonë, kur thirrjet për demokraci dhe liri të buçisnin me të gjithë fuqinë e këtij populli. Për këtë ditë luftuan të rinjë e asaj kohe. Për këtë ditë luftoi ajo pjesë e popullsisë shqiptare që nuk mund të pajtohej me parimet totalitare.

Kjo ditë erdhi. Një komb i tërë u ngrit në këmbë me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “E duam Shqipërinë si Amerika”.  Kishim vite që ëndërronim për këtë Shqipëri. Për këtë ishin sakrifikuar me mijra martirë. Ata më stoikët kishin sakrifikuar edhe jetën e tyre. Të tjerë kishin pranuar më mirë prangat e burgut apo telat me gjemba të kampeve të internimit se sa lirinë e dhunuar. Shumë të tjerë prisnin se kur do të vinte dita që të mos bëheshin hipokritë dhe servilë të një pushteti mesjetar barbar.

Dhe dita erdhi,  por si erdhi? A ishte ashtu siç e përfytyroja unë? Në ditët e para besoja shumë. U hodha me vrull në rradhët e atyre që u ngritën kundër tiranisë. Por vërejta një gjë. Midis tyre një pjesë e mirë ishin nga ata, zërat e të cilëve ishin ngjirur nga thirrjet për sistemin e përmbysur dhe duart u kishin zënë kallo nga duartrokitjet për diktatorin. Megjithatë u rreshtova edhe unë përkrah tyre. U rreshtova sepse isha i mendimit se kushdo ka të drejtë të reflektojë për të kaluarën e tij. Kushdo ka të drejtë ta hedhë poshtë të keqen e së kaluarës dhe të fillojë një jetë të re.  Ndaj u bashkova me ta. Së bashku me mua me ta u bashkuan edhe shumë të tjerë të shtresës sime.

Kaluan 27 vjet nga  përmbysja  e  madhe. Hedh vështrimin  në  spektrin  politik  shqiptar.

Siç e kam theksuar edhe më lart, qysh në  ditët  e  para  të  përmbysjes  së madhe u rreshtova në një pozicion të caktuar. Me të majtën i kisha këputur marrëdhëniet qysh në rininë time, ndaj u pozicionova në të djathtën.  Por deri më sot nuk kam mundur të bindem se kush është e djathtë dhe kush e majtë e vërtetë. Një gjë e tillë vjen nga shkaku se shoh disa ‘kapërxime pindarike” të politikanëve. Shoh të majtë që, pa pritur e pa kujtuar, kalojnë djathtas dhe anasjelltas. Shoh ministra dhe deputetë të së djathtës që kalojnë në ministra dhe deputetë me të majtën dhe anasjelltas. Kjo gjë ndodh në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare. Trafik politikanësh. Ndaj edhe unë nuk e di se kë të zgjedh. Hedh vështrimin por, për fat të keq, nuk shoh asnjë forcë politike që do t’i përshtatej pikpamjeve të mia, karakterit tim.

Megjithatë kam bindjet e mia. Ato më mbajnë gjallë. Këto bindje i shpreh herë pas here nëpër faqet e shtypit të shkruar dhe atij online. Sot jemi në shekullin e internetit dhe faqet e tij janë gjithmonë të hapura për të shprehur mendimet. Kështu  bëj edhe unë. Nëpërmjet medias online jam njohur me shumë intelektualë që punojnë në heshtje, që duan të qëndrojnë larg lavdeve hipokrite te shoqërisë së sotme. Mendoj se këta janë e ardhmja e atdheut. Këta janë ata që do e çojnë vendin në një demokraci të vërtetë europiane.

Një fenomen i habitshëm filloi të shfaqet në skenën politike shqiptare. Pas gati tre dekadash të kthimit të sistemit, një ekzemplar i sistemit të përmbysur, propozohet për kryetar të Kuvendit të Shqipërisë. Fjala ështrë për një ish-ministër, një ish-sekretar i parë rrethi që mban mbi shpatullat e tij vrasjen e katër marrtirëve në Shkodër më 2 prill 1991, që u bë organizatori i bandave rebele në 1997-ën, që në vitin 1998 iku me bisht ndër shalë në Greqi duke u veshur si grua. Është fjala për Gramoz Ruçin. Këtë propozim e bënë një parti që pretendon se është shkëputur nga mentaliteti komunist, megjithëse si datë themelimi të saj ka ditën e kongresit të fundit të ish- Partisë së Punës. Këtë propozim e bënë Edi Rama që e quan veten një reformist perëndimor dhe që ka shëtitur shumë shtete europiane. Por Gramoz Ruçi nuk është hera e parë që propozohet në një detyrë kaq të lartë. A nuk ka qenë ai Kryetar i Grupit Paralamentar të Partisë Socialiste? Në rast se do të vazhdohet me këtë ritëm nuk dihet se ku do të përfundojë.

Ky fenomen nuk është i vetmi në Shqipëri. Shokët e tij sot i gjen deputetë që kryesojnë madje edhe komisionet e Kuvendit. I gjen në qeveri. I gjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorisë, I gjen në partitë politikë. I gjen kudo  madje, në shumë raste, të nderuar edhe me tituj dhe dekorata për ”meritat” e së kaluarës. Në komisionet e  krijuara për vetingun apo reformën në drejtësi bëjnë pjesë edhe disa nga këto monstra dhe janë pikërisht këta që do të kryejnë këto reforma.

Kjo nuk ndodh me ato figura që i përkasin shtresës së atyre që u sakrifikuan për këtë vend. Në mesin e tyre ka politikanë të njohur, mjek dhe poetë të shquar, inxhinierë dhe pedagogë të afirmuar.  Ndihet një tendencë e theksuar e kalimit në heshtje të së kaluarës. Synohet që ajo të harrohet, sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur nuk ka patur mijra të pushkatuar, të burgosur dhe të internuar.

Një veprim të tillë nuk mund ta pranonin ata që i kanë hequr mbi shpatullat e tyre tmerret e atij sistemi. Ata u ngritën në protestë. Midis tyre, natyrisht, isha edhe unë. Me ta u bashkua edhe Partia Demokratike. Protestuesit nuk kishin synim të digjnin apo të thyenin xhama. Nuk kishin shkopinj dhe hunj për të qëlluar organet e rendit si organizatorët e 21 janarit 2011 që dogjën dhe shkatërruan gjithçka. Megjithatë organet e rendit, për turpin e tyre, u munduan ta pengojnë këtë protestë duke u munduar t’i largojnë sa më larg nga salla ku ishte mbledhur kuvendi që do të zgjidhte kryetarin dhe duke mos ndaluar qarkullimin e automjeteve në rrugën ku zhvillohej protesta.

Megjithatë protestuesit folën. Nuk kishte protokoll të caktuar. Oratorët dilnin njeri pas tjetrit pasi donin të shprehnin atë që u thonte zemra. Ata i bënë thirrje partive politike që të hedhin poshtë propozimin monstruoz. I bënnë thirrje opozitës dhe në mënyrë të veçantë Partisë Demokratike të bllokonte kutinë e votimit dhe të mos e lejonte atë. Në fund, me mbarimin e punimeve të kuvendit, Kryetari i Partisë Demokratike  dhe disa deputetë të saj u bashkuan me protestuesit. Folën deputetët. Foli edhe kryteari. Të gjithë u deklaruan kundër zgjedhjes së individit të sipërpërmendur në krye të kuvendit.

Isha kurioz të dija se çfarë qëndrimi kishin mbajtur deputetët e djathtë në kuvend. Të them të drejtën u zhgënjeva kur pashë lajmet në televizion. Prisja që deputetët demokratë të mos i lejonin ata të shumicës të votonin. Prisja në mënyrë të veçantë që deputetët demokratë, përfaqësues të shtresës tonë, të dilnin para kutisë së votimit për të penguar votimin.  Prisja që deputetët demokratë të bojkotonin votimin, ashtu siç bënë deputetët homologë të LSI-së. Por kjo nuk ndodhi. Për më tepër, demokratët morën pjesë në votim dhe, çuditërisht, dy prej tye që nuk ka rëndësi se kush janë, votuan pro kandidaturës së Gramoz Ruçit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, nëpërmjet një deklarate, tha se votimi ishte i manipuluar. Nuk dua ta hedh poshtë këtë pohim por dua t’i drejtoj një pyetje:

  • Kur kishit vendosur të votonit përse nuk dërguat përfaqësuesit tuaj  në  komisionin  e

numërimit të votave për të penguar këtë manipulim?

Por zhgënjimin më të madh e pësova kur pashë krytarin e partisë time të uronte dhe shtrëngonte dorën Gramoz Ruçit kur ne protestonim kundër tij dhe kur vetë ai,  kur mbaroi kuvendi, në fjalën e mbajtur në protestë u deklarua kundër. Pashë një antagonizëm në këto dy veprime të tij. Një veprim të tillë nuk e bëri as ish-kreu i PD-së dhe ish-kryeministri Berisha.    Kjo gjë më solli para syve edhe shumë raste të tjera të tilla të Partisë Demokratike. Këto janë për shembull lënia në harresë e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Mbi dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”  apo raste të tjera që i kam përshkruar edhe në shkrimin tim të fundit më datën 26 gusht 2017, botuar në gazetën “Panorama”. Atë shkrim e bëra për t’i treguar partisë time rrugën që duhet të ndjekë në drejtim të të përndjekurve politikë. E bëra pasi konstatoj se shumë prej tyre po largohen pikërisht për këtë arsye.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, pjesmarrja në votime ishte 46,72%, ndërsa kanë votuar për PD-në 28,81% e pjesëmarrësve domethënë 13,46% e listës së votuesve në Shqipëri. Unë jam i bindur se pjesa dërmuese e atyre 53,28% që nuk morën pjesë në votim janë të djathtë të zhgënjyer. Kjo gjë duhet korigjuar sa më parë dhe një nga pikat që duhet parë seriozisht është shkëputja nga mentaliteti i së kaluarës që vihet re herë pas here në PD.

Duke qenë në dilemë për sa  më sipër më lind pyetja:

  • A jam në pozitat e duhura? Ku duhet të jem unë?

Në konditat e sotme e kam shumë të  vështirë  të  kthej  përgjigje.  Vetëm  një  gjë  dua  të

them. Siç e theksova në fillim të këtij shkrim tani i kam kaluar të tetëdhjetat. E di që nuk do të mund  ta arrijë ditën e ëndërruar. Por një gjë e kam të qartë, do largohem nga kjo botë po me atë bindje që kisha në rininë time.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: ku duhet të jem unë?, reshat kripa

Natyrë njerëzore

September 8, 2017 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/

Në periudhen kur Skënderbeu luftoi, Arbëria ishte plotësisht e Krishterë, dhe ai bëri gjithçka a sa mundi për ta ruajtur në harmoni këtë përbërje, por jeta nuk e ndihmoi dhe vdekja nuk e fali. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu vdiq, lufta dhe qëllimi i tij dështuan. Arbërit ikën, duke u bërë arbëreshë në Itali e arvanitas në Greqi, sepse ata që mbetën u ndëshkuan me dëbime në krahina më të largëta të perandorisë osmane; në trojet e fshatrat e tyre u vendosën banorë të ardhur osmanllinj; të tjerët u nënshtruan, morën kryesisht, jo të gjithë, fenë e pushtuesit duke përqafuar islamizmin me forcë a përfitime, madje ndërruan edhe emrin nga Arbëri në Shqipëri nën ndikimin e shumicës. Dhe hesperidium>perëndim>vdekje per ‘ta u be ‘ri-lindje’. 

Vdekja është e përherëshme, çka do të thotë se jeta është ndërprerje e e përkohëshme vdekjes. Realiteti është bota që krijojmë. Kur dikush ikën e kemi të vështirë të pranojmë se ka shkuar në tjetër realitet. Prandaj, të besosh në Zot, është njësoj si të besosh në UFO ose në ekzistencën e një planeti tjetër të banuar. Jeta është kaq e gjerë; vdekja harrohet; e keqja kryesisht sundon, dhe njeriu i mirë beson se është ne gjendje ta ndryshojë.  Por pas përpjekjesh, shumë prej tyre të dështuara, çdo gjë zbehet, humbet besimin e shpresën se kjo botë mund të ndreqet,  dhe ai i lë gjërat të rrjedhin në drejtimin e vet, të marrin udhën e fatit, jeta vazhdon me shumë pak ndryshime sesa kishte dashur. Për të ngushëlluar veten, në mendje, ai krijon parajsën ku mund të bëjë çdo gjë të mirë, në formë simbolesh, që nuk e lanë ta bënte në Tokë. Por për çfarë apo kujt i vlejnë të mirat kur “parajsa”, tjetër jetë në qiell, është e ndarë nga kjo botë?

Trashëgimi mund të quhet shprehje e pa fat, kur ajo sjell vetëm fatkeqësi, kur çdo brez i dorëzon brezit pasardhës një vend edhe më të shkatërruar. Dhe tjetri që vjen, i zemëruar ndërton sa për të qenë; i mjerë është njeriu në këtë gjendje natyrore, ku mbijetesa e vetes është qëllimi më i lartë; ai është i justifikuar për të dëmtuar cilindo që mendon se kërcënon mbijetesën e tij dhe nuk ka asnjë që ta ndalë, as autoritet, as ligje, përveç ligjit të xhunglës, ku kapriçot e natyrës njerëzore lejojnë orekset e momentit dhe sjelljet e shfrenuara të përcaktojnë drejtimin e jetës dhe të ardhmen e gjithë vendit. 

Prandaj, thonë disa, një dorë e fortë duhet; dhe kështu lind mbretëria, tirania e diktatura. Forma të tilla regjimi, janë ato që të tjerët i kanë përmbysur, ndërsa ne, mbyllur në salla konferencash, piramida, pallate kongresesh duartrokisnim a dridheshim nga frika, dhe prisnim të tjerët, të huajt, të na hiqnin prangat nga duart e këmbët dhe ne të vërsuleshim të lirë si kafsha të mbjellave, si lumë i fryrë i rrëmbyer që përmbyt çdo trashëgimi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Natyrë njerëzore

Festa e Shenjtëreshës Shqiptare

September 4, 2017 by dgreca

1 Tereza5 shtatori, i përçdovjetshëm, në Kosovë, është festa e Shenjtëreshës Shqiptare, që pashmangshmërisht lidhet me Tempullin e Saj, i ndërtuar në tokën e Pjetrit të zhvarrosur. Katedralja e kushtuar personit të saj të shenjtë, është ‘vizatuar’ të jetë Katedra e Mësimit; një vendtakim i dashurisë për ata që dashurinë e kanë mision të jetës, një vendmësim për ata që ajo u ka munguar e u mungon akoma. Do të jetë Katedër e Nënës së urtë, Nënë Lokes plotë dashuri, duar të mëshirshme e përqafim pranimi. Do të jetë Katedër për bijtë e bijat e saja që i do pamasë, me atë dashuri me të cilën qe mbrumur jeta e saj. Do të jetë Katedër prej së cilës, do të mësojnë pasardhësit e saj të uritur për dijen e shpirtit, përvujtërisë, solidaritetit dhe dashurisë në vepër./ 

Nga Don Fatmir KOLIQI/ 

Gonxhe Bojaxhiu, bija e Dranës dhe e Kolës, e njohur për një gjysmë shekulli si Nënë Tereza, tashmë shenjtëreshë, “njihet” nga të gjithë, ndërsa personi i saj ka marrë përmasa botërore. Me shenjtërinë e saj magnetike, thjeshtësinë prekëse, dashurinë ledhatuese, njerëzinë  shumëdimensonale, ajo është bërë ikona e kohës sonë. Kjo grua, “patulake gjigante”, është person që tërheq e grish për ta njohur atë gjithnjë e më shumë. Arsyeja qëndron te e përhershmja cilësi e saj: personi dhe jeta e saj e hirshëm me veshje hyjnore.

Gjithnjë, para 5 shtatorit, që është festa liturgjike e asaj, kjo tërheqje bëhet edhe më e fuqishme, thuajse e parezistueshme: shndërrohet në grishje për ta ritakuar, për të mësuar prej saj dhe për ta imituar personin e saj.

5 shtatori, është festa e Shenjtëreshës Shqiptare.

5 shtatori, është dita e lindjes së saj për përjetësi, si dhe festa jonë për Nënën. Pjesëmarrja në këtë festë nuk duhet të jetë vetëm ditë pushimi e shlodhje fizike, porse mbi të gjitha, një ditë e shenjtë në kuptimin e plotë të fjalës, ditë e ripërtëritjes, freskisë shpirtërore, për të përjetuar e mishëruar atë që Nëna e ka jetuar me mendje e me zemër, me vepra e me gjeste, gjatë jetës së saj tokësore. Me një fjalë: është festë për të frymuar shpirtin terezian.

5 shtatori, është edhe një ditë ndërkombëtare e bamirësisë e shpallur nga Kombet e Bashkuara, dhe nga Parlamenti i Kosovës, e inspiruar nga Nëna jonë Tereze dhe e identifikuar me të. Ne, populli i saj, e përjetojmë këtë ditë feste për ta bërë ditën tonë të dashurisë dhe të bamirësisë: ditë për vlerat e brumit të identitetit tonë, që i kanë dhanë shpirt qenies sonë mijëravjeçare.

5 shtatori, është një ditë feste për ta njohur Shenjtëreshën, për ta takuar Nënë Terezën dhe për t’u inspiruar prej personit të saj. Të njohësh, në kuptimin biblik – të krishterë, është e barasvlershme me: të pranosh, të identifikohesh, të përthithësh shpirtin veprues të saj. Me fjalë të tjera: ta mishërosh shpirtin terezian. Kjo, jo vetëm pse është një bijë e krishterimit tonë të lashtë, vlerë e kombit tonë, por sepse ajo është vlerë e tejkohshme për çdonjërin prej nesh. Ajo, është figura e një bote që njerëzimi e ëndërron. Sepse ajo është si gurrë e pashtershme, nga i cili buron uji i kulluar e i freskët, që shuan etjen shpirtërore në çdo stinë. Ajo, përfaqëson vlerat për të cilat ndjejmë etje dhe uri të përhershme. Së fundmi, pikërisht sepse personi i saj është derdhje e ngjeshur e një bote të pathënë, të ngujuar ndër shekuj, e pa shfaqur tek vëllezërit tanë dhe motrat tona, për shkak të “këmishave të ngushta e frymëzënëse” që i janë ofruar e imponuar. Ajo, është liria jonë e kërkuar, dashuria jonë e parealizuar dhe paqja jonë e pa përjetuar.

5 shtatori, i përçdovjetshëm, në Kosovë, pashmangshmërisht lidhet me tempullin e Shën Nënë Terezës që është ndërtuar në tokën e Pjetrit të zhvarrosur. Katedralja kushtuar personit të saj të shenjtë, është ‘vizatuar’ të jetë Katedra e Mësimit; një vendtakim i dashurisë për ata që dashurinë e kanë mision të jetës, një vendmësim për ata që ajo u ka munguar e u mungon akoma. Do të jetë Katedër e Nënës së urtë, Nënë Lokes plotë dashuri, duar të mëshirshme e përqafim pranimi. Do të jetë Katedër për bijtë e bijat e saja që i do pamasë, me atë dashuri me të cilën qe mbrumur jeta e saj. Do të jetë Katedër prej së cilës, do të mësojnë pasardhësit e saj të uritur për dijen e shpirtit, përvujtërisë, solidaritetit dhe dashurisë në vepër.

5 shtatori, është festë për Gruan e tejkohshme.

5 shtatori, është festë e lutjes së shqiptarëve drejtuar Shenjtëreshës së tyre.

Na mëso, o Shenjtëresha jonë, ta duami njëri-tjetrin me atë fuqi dashurie që ti e deshe çdo njeri, ata të varfër ndër më të varfër, të mënjanuarit, të lënët, të përjashtuarit… të padashurit. Ne, bijtë e të bijat e tua, kemi nevojë për përvojën dhe fuqinë tendë, sepse s’mund të rrojmë pa e dashur të afërmin tonë, vëllanë dhe motrën, me të cilët ndajmë jetën e përditshme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Don Fatmir KOLIQI, Festa e, Shenjtëreshës Shqiptare

Kullat shqiptare që shënuan historinē e Kombit

September 2, 2017 by dgreca

2 oso.kuka_.3OSO KUKA, FLAKADAN I PËRJETSHËM I LIRISË/

1 azganNga Azgan HAKLAJ/

“Lahuta e Malësisë”, këngët e para të së cilës u botuan në vitin 1907, është cilësuar nga studiuesit shqipëtar dhe të huaj, si “Iliada Shqiptare”. Ajo e vëndos krijuesin e saj, Gjergj Fishtën në Panteonin e Kulturës, Letërsisë dhe të Patriotizmit Shqiptar.

Besoj se, ashtu si mua, edhe mijëra të tjerëve që e kanë lexuar me vëmendjen që meriton këtë kryevepër të letërsisë shqipe, ju ka lindur natyrshëm pyetja: – Përse Oso Kuka është personazhi qendror i “Lahutës së Malësisë”?

Poeti i madh i ka kushtuar jo vetëm një kapitull apo (këngë) të veçantë këtij trimi legjendar, po për më tepër me përshkrimin mjeshtëror të portretit të tij, i ka dhanë Oso Kukës tipologjinē e genit të Racës Iliro -Arbërore.

Fishta ka shkuar më tej duke i veshur heroit tipare të pavdekësisë, si Homeri Akilit tek “Iliada”:

“Thonë i ka një palë musteqe

Kaçurel e leqe, leqe,

Që me i mrri deri në fletë të sylahit

Të gjatë e të trashë si llana e krahut”.

Apo më poshtë:

“Edhe plumi thonë si ngulet

Në ta tagani dhe përkulet

Top me i ra shpirti si shkulet”.

Në se “Lahuta…” evokon me tē drejtë historinë e lashtë të Atdheut, Qytetërimin e lashtë Pellazgo-Ilir, Aleksandrin e Madh, Teutën, Pirron e Gjergj Kastriotin (Skënderbeun), ngjarjet historike tē shkuarës së largët i kalon përciptazi, me një vështrim empirik, dhe i venë ato mjeshtërisht në shërbim të zgjimit tē ndërgjegjes kombëtare, Epopenë e Oso Kukës dhe të betejave me malazezët i ka në epiqendër të poemës.

Oso Kuka lindi në vitin 1820. Ai doli nē skenën historike shqiptare në vitet 50-60 të shek. të XlX, në kohën më kritike të Kombit Shqiptar.

Në vitin 1830 osmanët prenë në besë dhe vranë në Manastir 500 burra tē Toskërisë.

Viti 1831 shënoi rënien e pashalleqeve shqiptare, atij të Janinës dhe të Bushatllinjëve. Bashkë me rënien e tyre u shua dhe ëndrra për krijimin e një fronti të përbashkët Ballkanik kundër Turqisë.

Në vitin 1832 Turqia filloi “Reformat e Tanzimatit”.
Kudo nē tërë hapsirën shqiptare shpërthyen kryengritjet lokale, të cilat u kthyen në lëvizje kombëtare. Veçojmë Kryengritjen e Beratit në vitin 1834 e udhëhequr nga Hamza Kazazi,  të Shkodrës në vitin 1835, të Myzeqesë në vitin 1835, të Dibrës në vitin 1844, të Kosovës nē vitin 1845.

Kryengritjet më tē mëdha ishin ajo e Malësisë së Gjakovës e udhëhequr nga Binak Alia dhe Sokol Rama në qershor tē vitit 1845, ajo në Shqipërinë Jugore të udhëhequra nga Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Hodo Aliu në vitin 1847 dhe ajo në Shkup në të njëjtin vit – e udhëhequr nga Dervish Cara.

Edhe këto kryengritje shqiptare u shtypën me ekspedita ushtarake dhe Porta e Lartë me organizimin e ri bëri ndarjen e shqiptarëve në katër vilajete, për t’i mbajtur më kollaj nën sundim. E shkatërruar, e tronditur deri në themel nga luftrat për liri e çlirim kombëtar nga Turqia, Shqipërisë i kanosej dhe një rrezik i ri.

Rusia Cariste, tashmë me statusin e njē fuqie të madhe ushtarake dhe politike, ndjehej e plotfuqishme për të ngopur oreksin e Serbisë e të Malit të Zi për të zgjeruar kufijtë e territoreve të tyre në kurriz të shqiptarëve. Ilia Garashanini, ministri i Jashtëm i Serbisë kishte shpallur “Naçertanijan” (Serbinë e Madhe). Koleti, kryeministri i Greqisë kishte shpallur Megalidhenë (Greqinë e Madhe). Knjaz Nikolla i inkurajuar nga planet e Moskës dhe premtimi i Carit për mbështetje me armatim, para e mjete logjistike thërret në Çetinjë kriminelin me damkë Vulo Serdanin e Vasoviçit dhe e urdhëron të djegë, plaçkitë e të shkretojë viset shqiptare, në Veri të Shkodrës. Ekspeditat ndëshkimore malazeze e kishin kthyer Vraninën e rrethinat e saj në tokë të djegur. Qindra burra ishin vrarë dhe barbarisë së malazezëve nuk u shpëtuan as fëmijët e djepit. Nga presioni i madh i popullit dhe duke qenë krejtësisht i paaftë për tē mbrojtur kufirin me Malin e Zi, Guvernatori i Shkodrës, Avdi Pasha, organizoj mbledhjen e autoriteteve, të parisë sē qytetit dhe të popullit dhe u mundua me dredhi t’i vinte fajin shqiptareve duke i quajtur frikacakë e të pafe, për të mbrojtur vendin e tyre.

-S’ka më burra këtu, ju keni mbetur në vajza” – ju drejtohet Pashai turk me ligësi e fodullek të pranishmëve.

Trimi Oso Kuka, i cënuar në gjenë më të shtrenjtë, në nderin dhe dinjitetin kombëtar, ngrihet në këmbë si Anté, venë dorën mbi dy koburet e lara me argjend që i mbante në brez dhe i drejtohet Pashait osman:

“Avdi Pasha ma kadalë,

Mos e thuaj dy herë atë fjalë,

Se për dinë e për imanë,

T’baj si t’kjan’ e zeza nanë.

T’baj si t’kjan pa exhel ty, nana,

Se n’Shqipni ka djem si zana,

K’ta më t’parët janë n’fushë t’mejdanit.

K’ta mē t’rreptit janë ballë dushmanit.

Janë çelik për teh të táganit”.

Oso Kuka me një grusht djemë të zgjedhur dhe tē sprovuar në beteja me turqit dhe malazezët mori përsipër të mbronte Kullën-fortesë të Vraninës dhe viset që sulmoheshin nga Vulo Serdani e banditët e tij.Së bashku me luftëtarët e tij e kthen situatën brenda pak ditëve në disfavor të pushtuesit. Ai kapi dhe asgjesoi dhjetëra cuba plaçkitës, duke i rikthyer popullit qetësinë dhe shpresën për të jetuar të lirë në trojet e tyre. Demarshet diplomatike të Knjaz Nikollës në kancelaritë evropiane me qëllimin final për të aneksuar Shkodrën dhe rrethinat e saj, ishin kthyer në një rutinë, por gjendja në terren ishte krejt tjetër.

Oso Kuka e kishte kthyer kufirin në barrikadë të pakapërcyeshme.

Kur mbreti malazez Nikolla I po i mburrej për zotësitë e tij Mbretëreshës Milena, ajo duke e njohur mirë realitetin e ri, guxon e ja përplasë në fytyrë me fjalët që kënga popullore i ka gdhendur mjeshtërisht:

“Nuk e njeh ti Oso Kukën,

Që me gjak ai ta lan trupin.

Hajt nji herë ka Podgorica,

Me çelik t’u ka nxanë Granica”. 

I alarmuar së tepërmi nga disfata në Vraninē dhe nga frika e koordinimit nē një komandë të vetme të kryengritjeve që kishin filluar të shpërthenin në të gjitha trojet Iliro-Dardano-Arbërore, Knjaz Nikolla dha urdhër të sulmohej nē befasi dhe të pushtohej me çdo kusht Vranina, si një pikë strategjike nga duhej të pushtohej dhe Kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra.

Ashtu si Leonidhës përballë hordhive perse të Kserksit, Oso Kukës dhe çetës së tij ju desh të luftonin 1 me 300.Në natën e asaj beteje homerike, Oso Kuka ngrihet shpejt nga sofra e bukës:

 

“Po ça ka ai Oso Kuka

Atij sonte s’po i hahet buka

Nuk han bukë veç sa me thanë

I lan durt e rrin njan t’anë”

Mbështetet në krah të oxhakut, e duke thithur llullën mendueshëm, i kujtohet një ëndërr e frikshme që kishte parē një natë më parë.

-Shife shpatullēn e na trego çfarë thotë, se kam pa një ëndërr të keqe,- i drejtohet Soko Tonës.

Kur mësoj se në shpatull paralajmērohej njē betejë e përgjakshme dhe me shumë tē vrarë, Oso Kuka urdhëroj lahutarin t’ja merrte kangës. Kanë mbetur të gdhendura me shkronja të arta në “Lahuta e Malësisë” fjalët e “Luanit të Vraninës”:

“Çou Kaçel kape lahutën

Se prej luftës shqiptarët nuk tuten

Me na kndue një kangë shqiptare

Se s’mbajm zi për pa dal fare”.

Oso Kuka duke e njohur mirë pabesinë e malazezëve dërgon roje katër luftëtarë trima: Met Zenelin, Vuksan Gjelin, Karrni Gilen dhe Sinanin. Luftëtarët e Osos pastrojnë pushkët, mprehin shpatat dhe shtrihen për të marrë një sy gjumë, si e kanë zakon ushtarët e regjur në beteja. Në terrin e natës 3.000 forca elitare të ushtrisë malazeze të prirë nga Mirko Gjura, mik i Osos dhe banorë i Vrakës, i afrohen nē fshehtësi Vraninës. Rojet shqiptare pasi vrasin tradhëtarin fillojnë betejën e pabarabartē me pararojën malazeze.

“Lahuta…” na sjell mrekullisht madhështinë e kësaj beteje heroike:

” Ah, qëndro, o Met Zeneli !

Ban gajret, o Vuksan Gjeli !

Mos e lesho mori Zagore,

Ngul Sinan, bre re mizore,

Se me gjasë ke dridhet Suka

Asht tuj ardh bash Oso Kuka.

Dragojt shqiptarë të prirē nga Oso Kuka dolēn si shqiponjat nga çerdhja e tyre dhe fluturuan drejt në “Logun e Zanave”, siç e quan Fishta mejdanin e trimave:

“Aman Zot kur Osoja mbrrini,

Si re breshni kresë njaj vrrini.

Me tridhjetë e disa burra

E zateti nëpër curra.

Aty qiell má nuk u pá.

Aty pushkë má nuk u dá.

Kriste ltina e dumdunja,

Porsi breshni vinte plumja”.

Kush e ka pá Vaterlonë dhe i njeh përmasat e kësaj kasaphanje përmes vargjeve të Hygoit: “Vaterlo, Vaterlo, Vaterlo – fushëvarr” ështē në gjendje të imagjinojë guximin e trimërinë legjendare të Oso Kukës dhe Çetës së tij, të cilët luftuan si luanë për 10 orë kundër ushtrisë malazeze, derisa kryetrimi i tyre e kthen kullën e Vraninës në një varr masiv për ushtrinë e Knjazit. Perlat e Vraninës u kthyen në ferr për agresorët. Kur e pa se ndihma ushtarake nga Shkodra nuk po i vinte dhe i kishin mbetur gjallë vetëm 7-8 luftëtarë të plagosur, Oso Kuka si luani i plagosur dhe i egërsuar u mbyll në “Kullēn e Barotit”. Dhjetëra luftëtarë malazezë hipën nē çatinë e Kullës që nuk jepej. Ndërkaq 800 forca të tjera e kishin futur atë në një rreth të hekurt.

Kryetrimi Oso Kuka merr me tē shpejtë vendimin që e bëri të pavdekshëm në histori:

“Ndigjo Nikollë, të vraftë Zoti,

Se k’tu i thonë Oso Baroti,

Se djeg veten edhe ty….”.

Ai u vuni flakën fuqive të barotit për ta kthyer Kullën e Vraninës, këtë çerdhe shqiponjash nē varr masiv për armikun. Kulla e Vraninēs u hodh në erë, bashkë me rrethuesit dhe mbrojtësit.

Oso Kuka vendosi të vetëflijohej dhe me shkrumbin e vet dhe të luftëtarëve tē tij të digjte armikun. 800 malazezë u dogjēn në flakët e barotit, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin vrarë në orët e kësaj lufte tē përgjakshme.

Kështu përfundoj kjo betejë pa tē dytë në histori, në qershor të vitit 1862.

Oso Kuka bëri atë që nuk e bëri dot Pashai i Janinës, Ali Pasha, që përfundoi me krye tē prerë në tepsi, për t’u dërguar nē Stamboll tek Sulltani.

Ai, Oso Kuka, e ktheu Vraninēn në “Trojēn Shqiptare”.

Kulla e Oso Kukës në Vraninë rá, por u ngritën shqiptarët. U ngritën zërat për heroizmat dhe kërkesat e tyre. Kjo kullë u bë simbol qëndrese nē mbarë trojet etnike. Dhjetëra djelmosha shkodranë u vranë në moshën mē të bukur tē tyre, por e shpaguan vehten duke vrarë qindra armiqë, që u dogjën e u përvëluan në flakët e barotit.

Trimëria e kthyer nē legjendë e Oso Kukës dhe akti i tij sublim i kanē dhanë kurajo e besim të patundur nē të katër anët, brezave pas trimit të Vraninës, nē ëndrrat e tyre për çlirimin e trojeve etnike dhe bashkimin e tyre në një shtet.

Emri dhe fama e Oso Kukës dhe e çetës së tij trime u përhap me shpejtēsi si rrufeja, nga Shkodra në Janinë e Kosovë, në Manastir e Shkup. Çdo kullë shqiptare u kthye në kēshtjellë qëndrese për liri.Ja si e pershkruan kēnga epike djaloshin trim të Kosovēs Zhuj Selmanin, që qëndroi 10 vjet nē Kullat e Sherametit dhe kreu të njëjtin akt sublim në mbrojtje tē kauzës shqiptare në vitin 1875:

“Flakë të kuqe e tym tē zi

Nē ato kulla kush ka hi

Zhujë Selmani me Kapakli.

Kah del Dielli e preron Hana

Zhujë Selman nuk ban ma nana”.

Beteja tek Kulla e Abdullah Pashë Drenit në Gjakovë është aksioni i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e tokave shqiptare nga coptimi i Vendimeve të Kongresit të Berlinit në vitin 1878.

Pas luftimeve të ashpra malësorët djegin kullën dhe vrasin Maxharr Pashēn, Të Dërguarin ë Fuqive të Mëdha.
Vritet edhe Abdullah Pashë Dreni, i cili e mori në mbrojtje Maxharrin. Mbeti në betejë edhe Col Delia.

“Flakë e kuqe u dhez Gjakova,

Për dritare zgjatet dora.

Amanet trima shqiptarë,

Një kovë ujë me e ndrrue me ár.

Col Delia i Geghysenit,

Pushka e parë e Lidhjes së Prizrenit,

Tuj vikatë, tuj shkue si n’dasëm,

Në një vend të keq e ka gjetë Pashën”.

Aktin e Oso Kukës e përsëriti Mic Sokoli në Betejën e Shtimes, më dt. 21 prill të vitit 1881, ku përfundimisht u thye Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Populli e ka kthyer në kengë aktin heroik të trimave shqiptarë:

“N’Fushë t’Kosovës u lidh jezeri.

Haj medet ka mbetë shumë njéri.

Mic Sokoli e Zmajl Hyseni”…

Kulla e Vraninës ka simotër të historisë Sarajet e Ali Pashë Gucisë, kullat e Binak Alisë e Mic Sokolit, Ali Ibrës, kullat e Boletinëve, Dedë Gjo’ Lulit, Idriz Seferit, kullën e Elez Isufit, kullat e Zogollëve, Azem Bejtës, Ahmet Delisë, Sadik Ramës, Çun Mulës, Shaban Polluzhës, Prek Calit, kullat e Tahir Mehës, kullat e Jasharajve, kullat e Haradinajve e Jabllanicës, të cilat u kthyen në kala qëndrese dhe flakadanë të pashuar të betejave për lirinë e Atdheut gjatë historisë tonë.

Kulla e Vraninës ka si motëra Kullat e Junikut. Ajo u bá burim frymēzimi për luftëtarët e lirisë. Nuk ka poet më të madh se popullin. Askush më bukur se ai nuk përshkruan trimërinë e bijëve të vet:

“Mua po mē thonē Brahim Sadiki,

I kam kullat midis Juniki.

Ku t’qëlloj pushkën e nisi.

Vet po jes, Pashën koriti”

Më dt. 21-25 maj të vitit 1912 u mblodh Kuvendi i Junikut me 250 delegatë nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Truri i Lëvizjes Kombëtare, Hasan Prishtina, lëshoi Proklamatën: Shpëtim a Vdekje”.

Ky Kuvend hartoi Platformën për Kryengritjen e Përgjithshme dhe Shpalljen e Pavarësisë.Kryengritësit, të udhëhequr nga korifeu Hasan Prishtina, “Robinhudi Shqiptar” Isa Boletini, tribuni popullor Bajram Curri, në gusht 1912 çliruan Shkupin dhe në tetor thirrën Kuvendin e Shkupit.Hasan Prishtina kërkoj bashkimin e katër Vilajeteve në një shtet të vetëm me kryeqytet Shkupin.Kjo Kryengritje çoi në “Nëntorin e Dytë”. Plaku i Vlorës Ismail Qemali shpalli Pavarësinë, pikërisht me dt. 28 Nëntor, ditën kur Gjergj Kastrioti – Skēnderbeu kishte ngritur krenarë Flamurin tonë në Kalanë e Krujës në vitin 1444.

Kuvendi i Junikut është prologu i Pavarësisë. Zëri brilant i Shkurte Fejzës na përcjell mrekullisht madhështinë e këtij Kuvendi, në vargjet e poetit Hamit Aliaj, me rastin e 100- vjetorit:

 

-“O Junik me kulla guri.

 Prej tek ti u nis Flamuri.

N’Mitrovicë e n’Kaçanik

Thërret Kosova: – o Junik”.

 

Në Junik gjenerali Klark njohu legjitimitetin e UÇK-së.

 

Nga kullat e Zogollëve doli Burrështetasi Ahmet Zogu, i cili ështē themeluesi i Shtetit modern Shqiptar. Ky burrë u bë barrikadë tridhjetë vjeçare e pakapercyeshme e komunizmit në Shqipëri. Me shpalljen “Mbret i Shqiptarëve” mbajti lart frymën kombëtare.

 

Kulla e Oso Kukës ka simotër kullën e Sali Manit, Kullën e Konferencës së Bujanit dhjetor 1943-janar 1944. Në këtë kullë, në këtë Konferencë u vendos Bashkimi Kombëtar sipas parimit tē Vetēvendosjes së Popujve pas Luftës së Dytë Botērore. Edhe kjo Konferencë u tradhtua nga komunistët.

 

Kulla e Vraninës ka si motër Kullen e Muharrem Bajraktarit të Lumës.

 

Kulla e Zeqir Halilit i dha Shqipërisë Kryetarin e Partisë Demokratike, ish-Presidentin, ish-Kryeministrin Sali Berisha.

 

Familjet emblematike të Kosovës, Jasharajt dhe Haradinajt, shënuan epopenë mē të lavdishme të Kosovës dhe të Kombit Shqiptar.

Komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, flijoj’ krejt familjen për lirinë e Kosovës në Kullat e veta duke luftuar me heroizëm të pashoq.

Familja Haradinaj vuni në themelet e Pavarsisë së Kosovës Shkëlzenin, Luanin, Enverin. Kalorësi i Lirisë, Ramush Haradinaj, pas një beteje të gjatë disavjeçare në Hagë, e së fundmi në Francē, triumfoi dhe çertifikoi kauzën e drejtē të UÇK-së dhe Luftën e saj për çlirimin e Kosovës, ashtu siç e kishte çertifikuar Krishtërimin si fe zyrtare Konstandini i Madh me Ediktin e Milanos në vitin 313.

 

Pas një betejë të gjatē po finalizohet Kauza e Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë, që kishte si pikënisje kullat e Zajasit, prirë nga strategu i luftës, Ali Ahmeti. Sot Parlamenti i Maqedonisë drejtohet nga Telat Xhaferi. Gjuha Shqipe ështē gjuhë zyrtare. Së shpejti, Shqiptarët si faktor shtetëformues do të kenë Kryeministrin ose Presidentin.

 

Shqiptarët në Mal të Zi me votën e tyre ishin përcaktues të shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia në Referendumin e vitit 2006, po ashtu dhe të Qeverisë pro-perëndimore të zgjedhjeve të fundit dhe të antarësimit të Malit të Zi në NATO.

 

Kauza Çame eshtë bërë kryefjalë e kallzues i axhendës së kancelarive perëndimore.

 

Presheva mbetet Nyja Gardiane e Shqiptarizmit.
Vëllezërit tanë atje presin përmbushjen e idealit të UÇPMB-sē dhe Komandant Lleshit (Ritvan Qazimit), vrarë pabesisht në pusi Ditën e Nēnshkrimit të Paqes.

 

Kombi Shqipëtar pret finalizimin e ëndrrës mijëra vjeçare, krijimin e Shtetit-Komb.

 

Kulla e Vraninës, kjo “Krujë e dytē” e Epopesē së Kombit, është njē nga shenjtoret më tē mëdha, siç është mbrojtësi i saj heroik Oso Kuka, simboli i trimërisë dhe i patriotizmit shqiptarë.

 

Poeti Hamit Aliiaj e ka skalitur bukur me penën e tij këtë kullë, që eshtë kryefjala e qëndresës shqiptare, përmendore e nacionalizmit, memorial i ndërgjegjes kombëtare, por e lanun në harresë:

 

“Moj Vraninë, Vranina e shkretë

Tek ti vijnë e mblidhen retë

Mblidhen retë e vajton moti

Tek kjo kullë, kullë baroti.

 

Kulla e Vraninës duhet të jetë për bashkëkombasit, ashtu siç është Meka dhe Jeruzalemi për dy fetë e mëdha botërore.
Historia ta ka gdhendur emrin me shkronja tē arta Oso Kuka. Është koha që bashkëkombasit ta ngrenë me madhështi Përmendoren.

-Tungjatjeta, Oso Baroti !

 

Vraninë, 31 gusht 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Azgan haklaj, FLAKADAN I PËRJETSHËM, i Lirise, Oso Kuka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 305
  • 306
  • 307
  • 308
  • 309
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT