5 shtatori, i përçdovjetshëm, në Kosovë, është festa e Shenjtëreshës Shqiptare, që pashmangshmërisht lidhet me Tempullin e Saj, i ndërtuar në tokën e Pjetrit të zhvarrosur. Katedralja e kushtuar personit të saj të shenjtë, është ‘vizatuar’ të jetë Katedra e Mësimit; një vendtakim i dashurisë për ata që dashurinë e kanë mision të jetës, një vendmësim për ata që ajo u ka munguar e u mungon akoma. Do të jetë Katedër e Nënës së urtë, Nënë Lokes plotë dashuri, duar të mëshirshme e përqafim pranimi. Do të jetë Katedër për bijtë e bijat e saja që i do pamasë, me atë dashuri me të cilën qe mbrumur jeta e saj. Do të jetë Katedër prej së cilës, do të mësojnë pasardhësit e saj të uritur për dijen e shpirtit, përvujtërisë, solidaritetit dhe dashurisë në vepër./
Nga Don Fatmir KOLIQI/
Gonxhe Bojaxhiu, bija e Dranës dhe e Kolës, e njohur për një gjysmë shekulli si Nënë Tereza, tashmë shenjtëreshë, “njihet” nga të gjithë, ndërsa personi i saj ka marrë përmasa botërore. Me shenjtërinë e saj magnetike, thjeshtësinë prekëse, dashurinë ledhatuese, njerëzinë shumëdimensonale, ajo është bërë ikona e kohës sonë. Kjo grua, “patulake gjigante”, është person që tërheq e grish për ta njohur atë gjithnjë e më shumë. Arsyeja qëndron te e përhershmja cilësi e saj: personi dhe jeta e saj e hirshëm me veshje hyjnore.
Gjithnjë, para 5 shtatorit, që është festa liturgjike e asaj, kjo tërheqje bëhet edhe më e fuqishme, thuajse e parezistueshme: shndërrohet në grishje për ta ritakuar, për të mësuar prej saj dhe për ta imituar personin e saj.
5 shtatori, është festa e Shenjtëreshës Shqiptare.
5 shtatori, është dita e lindjes së saj për përjetësi, si dhe festa jonë për Nënën. Pjesëmarrja në këtë festë nuk duhet të jetë vetëm ditë pushimi e shlodhje fizike, porse mbi të gjitha, një ditë e shenjtë në kuptimin e plotë të fjalës, ditë e ripërtëritjes, freskisë shpirtërore, për të përjetuar e mishëruar atë që Nëna e ka jetuar me mendje e me zemër, me vepra e me gjeste, gjatë jetës së saj tokësore. Me një fjalë: është festë për të frymuar shpirtin terezian.
5 shtatori, është edhe një ditë ndërkombëtare e bamirësisë e shpallur nga Kombet e Bashkuara, dhe nga Parlamenti i Kosovës, e inspiruar nga Nëna jonë Tereze dhe e identifikuar me të. Ne, populli i saj, e përjetojmë këtë ditë feste për ta bërë ditën tonë të dashurisë dhe të bamirësisë: ditë për vlerat e brumit të identitetit tonë, që i kanë dhanë shpirt qenies sonë mijëravjeçare.
5 shtatori, është një ditë feste për ta njohur Shenjtëreshën, për ta takuar Nënë Terezën dhe për t’u inspiruar prej personit të saj. Të njohësh, në kuptimin biblik – të krishterë, është e barasvlershme me: të pranosh, të identifikohesh, të përthithësh shpirtin veprues të saj. Me fjalë të tjera: ta mishërosh shpirtin terezian. Kjo, jo vetëm pse është një bijë e krishterimit tonë të lashtë, vlerë e kombit tonë, por sepse ajo është vlerë e tejkohshme për çdonjërin prej nesh. Ajo, është figura e një bote që njerëzimi e ëndërron. Sepse ajo është si gurrë e pashtershme, nga i cili buron uji i kulluar e i freskët, që shuan etjen shpirtërore në çdo stinë. Ajo, përfaqëson vlerat për të cilat ndjejmë etje dhe uri të përhershme. Së fundmi, pikërisht sepse personi i saj është derdhje e ngjeshur e një bote të pathënë, të ngujuar ndër shekuj, e pa shfaqur tek vëllezërit tanë dhe motrat tona, për shkak të “këmishave të ngushta e frymëzënëse” që i janë ofruar e imponuar. Ajo, është liria jonë e kërkuar, dashuria jonë e parealizuar dhe paqja jonë e pa përjetuar.
5 shtatori, i përçdovjetshëm, në Kosovë, pashmangshmërisht lidhet me tempullin e Shën Nënë Terezës që është ndërtuar në tokën e Pjetrit të zhvarrosur. Katedralja kushtuar personit të saj të shenjtë, është ‘vizatuar’ të jetë Katedra e Mësimit; një vendtakim i dashurisë për ata që dashurinë e kanë mision të jetës, një vendmësim për ata që ajo u ka munguar e u mungon akoma. Do të jetë Katedër e Nënës së urtë, Nënë Lokes plotë dashuri, duar të mëshirshme e përqafim pranimi. Do të jetë Katedër për bijtë e bijat e saja që i do pamasë, me atë dashuri me të cilën qe mbrumur jeta e saj. Do të jetë Katedër prej së cilës, do të mësojnë pasardhësit e saj të uritur për dijen e shpirtit, përvujtërisë, solidaritetit dhe dashurisë në vepër.
5 shtatori, është festë për Gruan e tejkohshme.
5 shtatori, është festë e lutjes së shqiptarëve drejtuar Shenjtëreshës së tyre.
Na mëso, o Shenjtëresha jonë, ta duami njëri-tjetrin me atë fuqi dashurie që ti e deshe çdo njeri, ata të varfër ndër më të varfër, të mënjanuarit, të lënët, të përjashtuarit… të padashurit. Ne, bijtë e të bijat e tua, kemi nevojë për përvojën dhe fuqinë tendë, sepse s’mund të rrojmë pa e dashur të afërmin tonë, vëllanë dhe motrën, me të cilët ndajmë jetën e përditshme.