• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Autonomia e tekstit si liri interpretimi”

January 29, 2018 by dgreca

1 Arjeta Fran zef

Arjeta FERLUSHKAJ/

“Veprat letrare na ftojnë për liri interpretimi, sepse na propozojnë një bisedë nga shumë rrafshe leximi dhe na vënë përballë dykuptimësive: edhe të gjuhës edhe të jetës. Por që ta vazhdosh këtë lojë, për hir të së cilës çdo brez i lexon veprat letrare në mënyra të ndryshme, duhet të shtyhesh nga një nderim i thellë për atë që quhet qëllimi i tekstit.” (Umberto Eco)

Dhe pikërisht ne do të merremi me tekstin. Në momentin kur autori ka përfunduar së shkruari dhe e ka publikuar veprën e tij, ai tekst tani i përket lexuesit.

***

Romani “Tobelia e penduar”, në 356 faqet e tij i strukturuar në 34 kapituj, ka një fabul që rrok harkun kohor mbi 100 vjeçar (1880-2008). Nëse fabula do të shkruhej në rend kronologjik, do të kishim këtë rënditje ngjarjesh: romani do të hapej me tablon e viteve 1800, ku personazhe si Lukë Dedushaj, Gjergj Marku, Bardh Luka etj. luftojnë për mbrojtjen e trojeve dhe të lirisë. Në këtë tablo gjithashtu do të hasnim edhe mjaft ngjarje e personazhe historikë të njohur, ashtu si edhe fatet njerëzore të Lukës, Mrikës, Gjergjit, Selvies, Bardhit, Lulës e më pas lindjen e Syzanës, Trimit dhe shtegtimin e tyre në jetë;  fatin e Liries e Lulit gjatë fashizmit, Besartës e Sadikut gjatë komunizmit e pastaj Liridonës me Agronin gjatë regjimit komunist, tranzicionit e deri në vitin 2008, që shënon edhe kohën kur mbyllet fabula.

Mirëpo, duke qenë se letërsisë nuk i interesojnë koha e as faktet historike, autori zgjedh të mos ndjekë linjën e rrëfimit klasik por preferon kompozicionin e përmbysur dhe në diskursin narrativ, pozicionimi kohor në rrëfim krijon një si zig-zag: lexuesi njihet fillimisht me Liridonën (vitet ’60), pastaj kthehet rreth fundit të viteve 1800 kur lind Trimi, më pas njihet me ngjarjen tragjike (tashmë legjendë) të grupit të dasmorëve që vranë njëri-tjetrin në konflikt e me pas sërish rikthehet tek Liridona etj.

Përmes këtij diskursi zig-zag, kuptohet që efekti tek lexuesi është më i goditur.

“Tobelia e penduar” është një roman që nuk të lejon të të shpëtojnë elementet paratekstuale: nisur që nga titulli, kopertina, letrat që ka brenda etj. Paratekstualiteti e parapërgatit lexuesin, e orienton receptimin e tij. Kështu, se do të kemi një kryepersonazh femër, me ndonjë pendesë apo edhe me fat tragjik, këtë na e parathotë titulli, pastaj piktura e zgjedhur për kopertinë: “Malësorja” e Gjelosh Gjokës si dhe ëndrra që sheh Liridona dhe letra e gjetur e shkruar për të nga e ëma, Liria.

Sa i takon ligjërimit narrativ, romani është konceptuar në bazë të anakronive të rrëfimit siç janë analepsa e prolepsa. “Analepse përbën çdo evokim i fakteve të ndodhura të një ngjarjeje të mëparshme në raport me çastin e ligjërimit; prolepsë përbën çdo manovër narrative që evokon paraprakisht një fakt/ngjarje të mëtejshme.” Me interes për ne janë më së shumti prolepsat, apo “padurimi narrativ”, siç i quan Eco, pra kur narratori ofron episode që paralajmërojnë një ngjarje

Përmendim:

  1. Ëndrra që sheh Liridona, përbën një prolepsë duke na parathënë se çfarë do të zbulojë ky personazh në vijim sa i takon prindërve të saj biologjikë.
  2. Letra që gjen mbas fotos së Besartës me një vajze të re është një tjetër prolepsë që paralajmëron histori të dhimbshme në kohë të vështira lufte;
  3. Ndodhia e dasmorëve që vriten në udhë dhe shpëtimi i dy nuseve, është shtegu që e fut lexuesin në fazën e përgatitjes për të kuptuar “Tobeline e penduar”: ato dy nuse që shpëtuan do ta shpallnin veten tobeli, e shumë vite më pas, pikërisht në duart e dy vajzave tobeli do të vdesë Bardh Luka dhe së fundi, do të jetë Syzana që do të jetë ajo vajza e shpallur tobeli por që do të pendohet gjatë rrugëtimit të saj.

Një padurim narrativ është edhe prezenca në mungesë e personazhit të Trimit, i cili përmendet që në kapitujt e parë por ama ai shfaqet personazh në veprim vetëm në kapitullin e 23-të.

Këto dhe shumë prolepsa të tjera në roman nuk bëjnë tjetër veçse e zgjojnë interesin e lexuesit për hamendësime mundësish, duke e bërë proçesin e leximit të veprës më përfshirës e natyrisht, më tërheqës.

Letërsia si qëllim

Çdo vepër letrare, në forma të ndryshme, kërkon të kumtojë diçka, të përcjellë një mesazh, qoftë sipas formulës “arti për art”, qoftë sipas formulës tjetër “arti si mision”. Duke lexuar “Tobelinë e penduar”, është e pamundur të mos dallosh mesazhin si qëllim. Qëllim ky i shpërndarë në disa episode e personazhe:

  1. Qëllimi autorial, i filtruar përmes tekstit, është që të mos harrohen sakrificat e kombit shqiptar në përpjekje për të ruajtur identitetin dhe lirinë individuale e territoriale që i takon. Këtij populli i ka takuar të ndeshet me shumë disfata e përplasje, me periudha të vështira luftrash. Duke i parakaluar në roman jo vetëm një por disa faza historike, përcillet idea se brez pas brezi “lufta” ka pësuar ndryshime: nga lufta me armë ndaj pushtuesve të huaj, lufta ndaj fashizmit, lufta ndaj dekadave diktatoriale komuniste, deri te lufta e përplasja me ikjet masive, plagë këto që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e kombit shqiptar.

“Nuk e kam ditur se ekzistoje!“- është fjalia tronditëse që i thotë Simoni i shtrirë në krevat Liridonës, stërmbesës së tij që i ka shkuar për vizitë mbas shumë vitesh. Skena të tilla flasin për fatin e dhimbshëm e tragjizmat që ka përjetuar e përballuar ky komb.

 

  1. Emancipimi i shoqërisë shqiptare që ruan me fanatizëm të verbër vetitë konservatore, është një tjetër shqetësim autorial i përcjellë në vepër. Mosdakordësimi ndaj zakoneve malësore si, dhuna e gruas në familje, mungesa e shkollimit apo fejesat në djep na jepet përmes një kontrasti: vënia përballë e dy modeleve te familjes malësore: ajo e Gjergj Markut të dhunshëm dhe të pa ditur përkundër familjes së Lukë Dedushaj me parime të shëndosha njerëzore dhe të emancipuar.

Prania e personazhit të Dom Agustinit dhe fjalia “Kemi punë të tjera më të rëndësishme se t’i shkollojmë vajzat!” e prezanton lexuesin me një shqetësim që duket i tejkaluar por që jeton ende sot në zonat më rurale të Shqiperisë.

 

  1. Në kuadër të letërsisë qëllimore është edhe jehona e nderimi i një ndër karakteristikave më identifikuese të kombit shqiptar siç është besa (amaneti i kryer). Këtë nderim e shohim në mjaft ngjarje që rrëfehen në roman.

 

  1. Gjithashtu, ka vëmendjen autoriale edhe lartësimi dhe mirënjohja ndaj figurave historike si Luigj Gurakuqi, Dede Gjo Luli, Tringa e Grudës, Mehmet Shpendi si dhe mikes së shqiptarëve Edith Durham. Vëmendje të veçantë ka përkujtimi i të rinjve që dhanë jetën për të fituar lirinë: Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kole Parubi, Gjergj Martini që u pushkatuan nga komunistët.

Marie Shllaku 24 vjeçare: “Kosovë! Sa shpresëmadhe të gjeta e sa zemërplasun po të la! Po edhe në këtë çast të mbramë po i lutem Zotit: gjaku im t’u baftë dritë!”

  1. “Ti shok, jo vetëm dje, por sa e sa herë ke lëruar me dy qe, njëri me qime të zeza e tjetri me të kuqe, për të treguar se sa e do flamurin e Shqipërisë. Pikërisht për këtë edhe i ke blerë dy qe me këto ngjyra. A je i vetëdijshëm se çka do të thotë kjo dhe se çfarë gabimi të madh ke bërë? A e di se mund të kalbesh në burg për këtë vepër të rëndë armiqësore?” – Në këtë paragraf mund të përmblidhet çmenduria dhe paradoksi që iu është dashur të mbajnë në kurriz e ta përballojnë shqiptarët gjatë gjysëm shekullit tragjik që solli diktatura komuniste. Mos-harresa është porosia që na lë Camaj, sepse vetëm kështu mund të shmangim përsëritjen.
  1. “Thonë se njerëzit ia përcaktojnë vetes fatin, por te ne shqiptarët nuk është ashtu. Fatkeqësisht fatin tonë gjithmone e kane pasur në dorë të tjerët.” – Janë fjalët e Trimit kur takon Syzanën personalisht. Duke lexuar këtë roman në vitin 2017-2018 me një topic si fejesa në djep, janë dy perspektiva që na jep teksti: e para, e shohim fejesën në djep me kahje nostalgjike (evokimi i një të kaluare në një epoke moderne) dhe e dyta, fejesa në djep si ironi a sfidë ndaj përçudnimeve e “çmendurive” on-line që mbart sot epoka jonë modern/postmoderne.

Romani “Tobelia e penduar” nis dhe mbaron me Liridonën, një personazh, i cili ka një simbolikë të veçantë: e para, e dallojmë këtë vetëm përmes emrit LIRIDONA – E DUAM LIRINË. E dyta, pikërisht ky personazh mbart dhe përmbush një amanet / fatalitet (tashmë pozitiv) të paraardhësve: tashmë jeton e lirë, falë flijimit të të parëve të saj dhe kurajos së vet.

Hapja dhe mbyllja e romanit me personazhin e Liridonës është një zgjedhje e mirëmenduar qoftë për nga thurja kompozicionale e rrëfimit e qoftë për nga mesazhi që përcjell. Kalimi dhe përcjellja e rrëfimit nga gjyshja (Syzana) deri tek mbesa (Liridona), duke u flijuar në mes e ëma (Liria), ka një simbolike të fuqishme dhe shumëplanëshe ku secili lexues ftohet të komunikojë me veprën sipas kompetencës dhe kodeve të veta.

Në promovimin e romanit “Tobelia e penduar” me autor Fran Camaj

Qendra “Nënë Tereza”, Kisha katolike “Zoja e Shkodrës”

New York, 14 janar 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: “Autonomia e tekstit, Arjeta Ferlushkaj, si liri interpretimi”

NJERIU

January 29, 2018 by dgreca

1 astrit LULUSHI

NGA ASTRIT LULUSHI/
Njeriu përbën misterin më të madh në këtë botë; thellësisht, ai nuk e di nga vjen, as ku po shkon dhe as çfarë do të ndodhë me ‘të kur ikën. Megjithatë ai lufton për të fituar një ditë më shumë. E çuditëshme. A është kjo jetë vërtet e tillë, apo imazh i një jete tjetër?

Me pyetje të tilla njeriu ndeshet, derisa në fund lodhet, hesht a shuhet, duke lënë pas vetëm kujtime. Se çfarë merr me vete, nuk dihet. Gjithë ajo botë e tij e pasur mbetet. Dhe jeta rifillon, për disa me pak zhvillim dhe shume gjëra të përsëritura; brez i ri vjen, me ide të reja e disa shumë të vjetra, të cilat vazhdojnë të përsëriten, duke u tërhequr nga fije që e mbajnë në lidhje me botën tjetër.

Të gjithë janë fëmijë të një qenie të madhërishme të pa kuptueshme misterioze (kjo duhet pranuar), dhe njerëzit caktohen si kujdestarë (prindër) për mbarëvajtjen e tyre. Kështu nëpërmjet familjes, jeta dhe shoqëria ruan ekuilibrin e vet. Në se kjo bazë organizimi prishet, njerëzimi- pak nga pak shuhet nga kjo botë dhe kafshë të tjera marrin kontrollin e saj. Skenari i ngjan Planetit te Majmunëve. Mendime të tilla nuk inkurajohen….Por nga thellësia e pusit të mendimeve dhe kohës, njeriu shikon vetëm një rreth të sheshtë e të kufizuar, është dalja prej tij që e bënë botën të plotë, të çliruar e të hapur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, njeriu

Një zë kundër harrimit

January 24, 2018 by dgreca

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)  ka gati botimin e Albumit narrativ “Një si mijëra familjet e tjera” të autorit Musa Çapani, një i mbijetuar i kampeve të internimeve komuniste që në mituri e deri në rënien e diktaturës, të shoqëruar me parathënien e shkrimtarit Agron Tufa/

Agroni-tufa

Nga Agron Tufa/ Z.Musa Çapani e ndesha gjatë një aktiviteti përkujtimor në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë. Ishte një zotëri i heshtur, shtatmesatar, mbi të shtatëdhjetat, i pabujë e i pavënë re; shkurt, nga ata që nuk luftojnë të dalin në pah në radhët e para. E veçanta e tij ishte një buzëqeshje e plotë dhe e gjerë që të falet gjer në fund të shpirtit, gjithë familjaritet. Më tha se donte të më takonte në Institut për të biseduar diçka. Kur të mundesh, i thashë. Mendova se interesohet për ndonjë të afërm të dënuar, të cilin nuk e ka gjetur në germat e “Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist”. Andaj këtë prisja të më thotë kur erdhi në zyrë. Por jo. Bëhej fjalë për një seri portretesh e skicash, peizazhesh e vizatimesh nga kampe të ndryshme të “telave me gjemba”, e mandej për kampe të tjera internimi me punë të detyruar anekënd Shqipërisë komuniste.

Në bisedë e sipër, duke kundruar këto vizatime e portrete bashkëvuajtësish të kohës, kuptova se kisha të bëj me një dëshmitar të përhershëm të atyre realeve të trishta kampesh, me një përjetues nga brenda tyre, i cili i ka përcjellë me dekada të gjata ato pamje të zymta, në fillim me sytë shastisur të një fëmije, e mandej me sytë e adoleshentit, të djaloshit dhe të burrit të pjekur. Një kalvar i gjatë e i pasosur i vetvetes, familjes dhe familjeve të tjera.

Edhe në ferrin komunist të internimeve e degdisjeve fati ruan surpriza: fëmija i internuar ishte i pajisur me dhuntinë e kujtesës vizuale dhe mbresimit të saj në letër, përmes skicimeve, vizatimeve e pikturimit. Për fat të mire, lapsi e peneli i tij vazhdoi t’i mbresonte thjesht, në letër, këto pamje e portrete bashkëvuajtësish, për të mos ia lënë harrimit gjithëpërpirës. E sot këto mbresa përbëjnë dëshmi të rralla, madje unikale, në kushtet kur kanë mbërritur kujtimet për atë topografi të dhimbshme lotësh e vuajtjesh nga kampet e hershme me “telat me gjemba”, por që prej tyre sot nuk ka mbetur më shenjë e as gur mbi gur. Ne nuk e dinim se si ishin këto kampe, por falë dëshmive të fëmijës-djaloshit-burrit Musa Çapani, ato i jepen lexuesit për herë të parë, duke na përafruar sadopak me shembëlltyrën e atyre kampeve.

Përpos këtyre, krijimtaria e lapsit dhe penelit të Çapanit (i cili e quan veten, modestisht, “amator”), bashkëshoqërohet në këtë album edhe me një narrativë memuaristike, që i ilustron dhe i shpjegon këto pamje e portrete. Përftohet kështu një panoramë kuptimore, antropologjikisht e imagjinueshme se si kanë funksionuar kampet komuniste të internimit, si kanë regëtirë fatet njerëzore të braktisura në udhëkryqet e atdheut, me fëmijë të vegjël, pa prindër, pa shtëpi e strehë, të hedhur nga karroceritë e kamionëve nëpër sheshet e qyteteve e fshatrave nga qenë dëbuar. Një akt i papërshkrueshëm mizorie e moskokëçarjeje, sikundër e shohim në fragmentin e mëposhtëm:

Ushqimi vazhdonte me kazan, buka shpërndahej një herë në ditë dhe supa kryesisht ishte me koloniale, mbeturina të ardhura nga depot e ushtrisë sovjetike dhe më së shumti me bathë foragjere që ishte kulturë kryesore për fermën e lopëve të ngritur para viteve ’40 në Kamëz. Gjella e kazanit ishte një lëtyrë e shpifur, që edhe pa e provuar të përzjehej, e megjithatë ishte i vetmi ushqim që mbante gjallë trupat kufoma, të drobitur nga kequshqyerja dhe veshja e pamjaftueshme. Dimri 1951-52 me urinë dhe epidemitë e herëpashershme i përgjysmoi fëmijët dhe pleqtë e kampit.

Fuqia punëtore, gra dhe vajza të rritura, ishte e angazhuar në Fabrikën e Tullave dhe pjesërisht në punë bujqësore në fermë.

Fundi i vitit 1951 ishte fatkeqësia më e madhe që u ndodhi familjeve të internuara në kampet e Kamzës. Me një vendim ogurzi të Ministrisë së Brendshme të gjitha familjet u ndanë në tre pjesë:

Fëmijët e moshës 5-13 vjeç u liruan dhe forcërisht të hipur në karroceri makinash e të shoqëruar me 2-3 policë, u nisën në drejtim të vendlindjes. Në atë mes dimri të egër e të uritshëm, u përplasën në sheshet e qyteteve e lokaliteteve nga ishin internuar dhe u lanë në mëshirë të fatit, në mes të katër rrugëve pa prindër, pa strehë e pa ushqim.

Pleqtë e plakat, të paaftë për punë e të sëmurë, u ngarkuan nëpër makina e u nisën drejt Kampit të Tepelenës.

Të aftët për punë, mes tyre dhe nënat e reja së bashku me fëmijët e gjirit, u lanë përkohësisht aty derisa me një urdhër të dytë, pas 6 muajsh, u nisën drejt Kampit të Paprit për t’u marrë me punë bujqësore në kodrat e këtij fshati dhe në fushat e Cërrikut.

Këtë fat të keq patën gjithë familjet. Po e ilustroj këtë me fatin e familjes Çapani, e cila u nda në këtë mënyrë: 4 fëmijë të moshës deri në 13 vjeç, u nisën drejt Leskovikut; gjyshet u nisën drejt kampit të Tepelenës; kryefamiljarja Enveria, së bashku me djalin e vogël 3 vjeç, ngeli në Kodër Kamëz.

Për herë të parë, në sajë të këtij albumi me pamje e portrete, ne kemi mundësinë, falë lapsit e penelit të Musa Çapanit, të perceptojmë vizualisht, se si kanë qenë një sërë kampesh të komunizmit, që nga ato me “tela me gjemba”, deri tek ato të mëvonshmit nga Vlora, Fieri e Lushnja. Deri më tash nuk kemi pasur asnjë dokument pamor (foto apo vizatime) nga kampet e Kamzës (“Kampi i Mesit”; “Kampi Poshtë”; “Kampi Lart”; “Kodër-Kamzë”; “Kampi te Kodra e Beut” në Paskuqan), por tani ato i kemi për here të parë të vizualizuar me sytë e një fëmije të talentuar që gjendej brenda tyre.

Vizatimet e tjera, si ato të kampit famëkeq të Tepelenës e të Porto Palermos, kanë përsëri një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vijnë si dëshmia e dytë vizuale, pas atyre që ka sjellë piktori ish-i internuar Lekë Pervizi, të botuara tashmë nga Instituti ynë në albumin “Në rrathët e Ferrit” (ISKK, 2014). Janë të njëjtat reale pothuaj, me të cilat Musa Çapani përforcon vizualisht ato pamje e mjedise të trishta që sjell Lekë Pervizi.

Në një seri vizatimesh, skicash e portretesh dalin përsëri kampe të tjera, si ai i Paprit në Elbasan, i Petes në Vlorë, i Ngurës, i Gjazës dhe i Kryekuqit në Lushnjë, për të cilët nuk ekzistonte më parë asnjë dëshmi pamore. Kampet e tjera të internimi, të Plugut, Grabianit, Çermës e Savrës – përsëdytin sërish, me të veçantën autoriale të Çapanit ato pamje, portrete e realitete që i kemi ndeshur edhe tek Lekë Pervizi.

Libri “Një si mijëra familjet e tjera”, i konceptuar si një album narrativ, ka një vlerë të pazëvendësueshme në cilësinë e guidës pamore, rrëfimore e meditative për kalvarin e familjeve të internuara. Ne vetëm se mund të hamendësojmë mbi përditshmërinë e rëndë e të privuar nga çdo lloj gëzimi e shprese, për perspektivën e zymtë e shtypëse të fateve individuale brenda këtyre kampeve të punës së rëndë, deri në shfytyrim. Sigurisht, na ndihmojnë shumë në këtë drejtim dëshmitë e shkruara memuaristike të atyre që ia dolën “me rrnue e me tregue”, sikundër janë memuaret e Lekë Pervizit, Fatbardha Mulletit, Dine Dines, apo ditari i mrekullueshëm e lapidar i Lekë Tasit “Grabiani mes kodrash”. Edhe autori i këtij libri-album, Musa Çapani ka shtjelluar memuaret e veta në librin “Jetë apo dhembje” (Tiranë, 2001). Madje në këtë libër ne mund t’i përafrohemi një gjendjeje konstante të të vetëndjerit në përditshmërinë e internimit, nëse i referohemi njërës nga poezitë e Musa Çapanit me titull “GRI…”:

Qielli i rimët me horizonte gri,

Toka pa bimë, ujë e baltë gri,

Rreth e qark mjegull, heshtje, qetësi,

I ftohtë, bezdisës, shi e vetëm shi.

Në trupin e cfilitur, kapitëse dhimbja rri

Në shpirtin e harruar, brengë e mërzi.

Po si do ta mposhtim dhimbjen, si?!

Ku është agimi që do çjerrë terrin e zi?!…

Grabian, 1985

Albumi pamor e memuaristik i ish-të internuarit Musa Çapani, me pamjet, panoramat, portretet e tablotë e mbijetuara,jo vetëm shpëtoi, për fat të mirë, tok me vetveten, nga harrimi i kampeve të përqendrimit dhe internimit, por shtron sërish para shtetit shqiptar apelin për t’u zgjuar nga mefshtësia e amnezisë së përgjithshme dhe për t’i shënuar në harta memoriale të gjitha burgjet dhe kampet e internimit anembanë Shqipërisë. Askush nuk mund të krenohet me harresën, e harresa e qellimshme është një turp dhe krim i dyfishtë, është sindroma e njohur e kriminelit që fsheh gjurmët e krimit.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Agron Tufa, kundër harrimit, Nje ze

Montenji për Skënderbenë

January 17, 2018 by dgreca

1 SkenderbeuNga Gëzim Llojdia/

1.Poeti i rilindjes franceze Pier de Ronsar (1524-1585), pjesëtar i grupit të «Plejadës» dhe më i ndrituri në të, është në të parët në letërsinë fran­ceze që” këndon për Skënderbenë. Vjersha e Ronsarit për Skënderbenë i kushtohet bashkëkohësit të poetit Zhak dë Lavarden, i cili më 1576 shkroi veprën :”Historia e Gjergj Kastriotit” të quajtur :”Skënderbe, mbretit të Shqipërisë”.Në hyrjen e kësaj vepre u botua edhe vjersha e Ronsarit. Ndonëse i kushtohet Lavardenit ,vjersha ka në qendër të saj figurën e Skënderbeut, i cili për autorin e saj përfaqëson diçka më të madhe se sa luftërat dhe fitoret e tij në fushat e betejës kundër turqve. Natyrisht aty këtu në   këtë sonet dalin edhe disa pikëpamje të gabuara, të cilat kushtëzohen  nga vetë koha kur ka jetuar poeti.Me fjalën kobzi Ronsari nënkupton Skënderbenë si tmerr vdekje për armiqtë. Sipas poetit emri i Skënderbeut do të ishte shuar, po të mos qe botuar libri i Lavardenit nga i cili ai u frymëzua për të shkruar këto, vargje të pavdekshme. Kjo duhet parë si   një etiketë letrare e kohës ose si një lëvdatë për veprën e Lavardenit sepse, siç dihet, para saj ishin shkruar mjaft vepra te tjera për Skënderbeun.

Mishel de  Montenj    (1533-1592), mendimtar  e   shkrimtar   humanist francez, vuri në qendër të veprës së tij «Sprova» njerinë, ashtu siç e njohu në kohën e tij apo nëpërmjet veprave historike .Idealet humaniste, mendimet liridashëse e të tjera cilësi letrare e bënë .Gorkin që të thoshë se Montenj i përmes shekujve i zgjat dorën Volterit.Montenji me këtë ngjarje të shkurtër do na tregojë një nga tiparet kryesore të karakterit të Skënderbeut .Por si e ka përdorur pjesërisht ngjarje nga jeta e Skënderbeut ,sepse kaq i duhej për jetën e tij ,ka lënë jashtë zënien midis komandantit dhe ushtarit ,pra shkakun zemërimit të madh të Skënderbeut për të kuptuar më mirë tregimin. Të shohim :’Historinë e Skënderbeut’ të Nolit  i cili e përshkruan në këtë mënyrë pjesën tjetër. Një anë, që na jep at Dhimitër Frangu tregon me çfarë elementa Skënderbeu mbrujti një ushtri. Një ditë kur u jepte ushtrave komandën një mes tyre në vend që të mbaronte urdhrin që kishte marrë ju përgjigj me fjalë aq të paturpshme sa Skënderbeu i zëmëruar nxori shpatën dhe ju derdh përsipër. Dhe pastaj Noli përfundon :”Nuk të ngas,i tha Skënderbeu ,të cilit i iku zemërimi nga fjalët  papritura të ushtarit ,por  me mua qenke trim”.Kështu në të dy motërzimet kuptohet lehtë Skënderbeu e çmonte shumë lirinë te njeriu.

“Skënderbeu, princi i Shqipërisë, po ndiqte një nga  ushtarët e  tij për  ta vrarë”; ushtari, pasi u mundua më  kot me gjithfarë  përulje e  lutje  ta zbuste  në  fund fare vendosi  që ta presë  me shpatë në’ dorë. Kjo vendosmëri e ushtarit e zbuti menjëherë zemërimin e  « komandantit të tij, i cili, kur pa që ai mori një qëndrim për t’u nderuar , ia fali jetën.

Ky shembull mund të shpjegohet ndryshe vetëm nga ata që nuk kanë lexuar për fuqinë” e çuditshme dhe  për trimërinë e  këtij udhëheqësi.Përktheu: Perlat Xhiku.Gazeta :”Drita”1967.

Tingëllim i Ronsarit për Lavardenin

Shqipëria nuk ka vetëm kuaj të shpejtë,

 Që në olimpiada kudo rendin të  parët:

Po ka  edhe burra me lavd, luftëtarë ,

 Që gjaku Akilit u rrjedh nëpër dejtë.

Pirron kam dëshmi, që qytete rrafshoi,

E në  fund të lashtin Arg pati si varr :

Skënderin fitonjës mbi turkun barbar,

Që qytetërimin nga gjithë Azia faroi.

O nder I  shekullit tënd!O shqiptar kobëzi,

 Turqit krahu yt I  mundi  njëzet e dy herë!

 Drithërim e kalave, tmerr i tyre ishe ti;

Po shuar prej fatit, vdekur do ishe përherë,

Sikur puna e ndritur e Lavardenit të ditur,

S’ kish mposhtur vdekjen tënde dhe luftërat përtëritur.

3.Pierre de Ronsard (lindi në  shtator të vitit 1524 në Castle Possonnière, në afërsi të fshatit Couture-sur-Loir në Vendome  dhe vdiq në 27 dhjetor 1585 në Saint-Cosme është një nga poetët francezë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. I quajtur si:”Princi i poetëve dhe poet i princave”, Pierre de Ronsard është një figurë e rëndësishme në literaturën poetike të Rilindjes. Autori i një vepre të madhe që, më shumë se tridhjetë vjet, është fokusuar në dy poezi zyrtare dhe të kryera në kontekstin e luftërave fetare me himne.Pierre de Ronsard është i katërti i fëmijëve.Babai i tij, një kalorës në moshën 21 vjeç,  mori pjesë në luftërat italiane, është një njeri i dashur për poezin dhe admirues i Bayard.Sipas Ronsard, familja e tij është nga Evropa Lindore pranë Danubit. Ky fakt i raportuar nga biografët e tij të parë është kontestuar sot.Pierre de Ronsard ka lindur në kështjellë në Possonnière 1524. Ai e kaloi fëmijërinë e tij në kështjellë. Nga mosha pesë vjet, Pierre de Ronsard i është besuar një mësuesi privat, ndoshta xhaxhai i tij,  Navarre, Jean Ronsard, i cili e paraqiti atë  autorëve latine dhe i lë trashëgim atij pas vdekjen e tij (1535-1536) bibliotekën e tij. Babai i tij e destinoi për karrierën dhe e dërgoi për të studiuar, në tetor 1533, në Kolegjin e Navarre ku ai do të mbetet vetëm 6 muajn e 3-të. Vitet e jetës së tij vijojnë me :Kur Madeleine e Francës u martua me Mbretin Jacques V të Skocisë në 1537, Ronsard u bashkangjitur në shërbim Madeleine dhe në shërbim të Mbretit Jacques për vdekjen e saj dhe kaloi tre vjet në Skoci, nganjëherë në Londër, ndonjëherë në Francë nganjëherë në Flanders. Ishte gjatë kësaj periudhe koha kur ai filloi të merrte një interes në poezi, të inkurajuar nga, Paul Duc, i cili e prezantoi atë me poetë latine si: Virgili dhe Horace. Në vitin 1539, ai u kthye në Francë për të shërbyer te Duka i Orleans. Megjithatë, kjo karrierë diplomatike premtuese ndërpritet papritmas. Një sëmundje, e ndjekur nga një mbingarkesë e gjatë e lë atë gjysmë të shurdhër. Pierre de Ronsard pastaj vendos të përkushtohet studimit. Një karrierë është duke u shqyrtuar përsëri, dhe në mars 1543, Ronsard u hirotonis nga peshkopi i Mans por mbetet në shërbim të Charles së Orleans.Babai i tij vdiq në  6 qershor 1544.

4.Kush ishte Montaigne,ai ka lindur në rajonin e Aquitaine të Francës, në pronën e familjes Château de Montaigne, në një qytet tani të quajtur Saint-Michel-de-Montaigne, pranë Bordeaux. Familja ishte shumë e pasur, stërgjyshi i tij, Ramon Felipe Eyquem, kishte bërë një pasuri si një tregtar dhe kishte blerë pasurinë më 1477, duke u bërë kështu Zot i Montaigne.Babai i tij, Pierre Eyquem, Seigneur i Montaigne, ishte një ushtar francez në Itali për një kohë dhe gjithashtu ishte kryebashkiaku i Bordeaux.

Megjithëse kishte disa familje që mbanin patronimin “Eyquem” në Guyenne, mendohet se familja e babait të tij ka pasur një farë origjine origjinale Marrano (spanjolle dhe portugeze). Ndërsa nëna e tij, Antoinette López de Villanueva, ishte një konvertim në Protestantizëm.  Gjyshi i tij i nënës, Pedro Lopez, nga Zaragoza, ishte nga një familje e pasur Marrano (sefardike hebreje) që ishte konvertuar në katolicizëm. Gjyshja e tij e nënës, Honorette Dupuy, ishte nga një familje katolike në Gascony, Francë.

Nëna e tij jetonte në një pjesë të madhe të jetës së Montaigne pranë tij dhe madje e  përmend vetëm dy herë në esetë e tij. Megjithatë, marrëdhëniet e Montaigne me babanë e tij shpesh reflektohen dhe diskutohen në esetë e tij.Arsimi i Montaigne filloi në fëmijërinë e hershme dhe ndoqi një plan pedagogjik ,që babai i tij kishte zhvilluar,  këshillat e miqve humanistë të së kaluarës. Menjëherë pas lindjes së tij, Montaigne u soll në një vilë të vogël, ku jetoi tre vitet e para të jetës në shoqërinë e vetme të një familje fshatare, në mënyrë që, sipas Montaigne plak, “tërheq djalin afër njerëzve, dhe për kushtet e jetës së njerëzve, të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë “.  Pas këtyre viteve të para spartane, Montaigne u kthye,qëllimi ishte që latinja të bëhej gjuha e tij e parë. Edukimi intelektual i Montaigne ishte caktuar për një tutor gjerman (një mjek me emrin Horstan, i cili nuk mund të fliste frëngjisht). Babai i tij punësonte vetëm shërbëtorë që mund të flisnin në latinisht dhe iu dhanë gjithashtu urdhra të rrepta për t’i folur gjithmonë djalit në latinisht. Edukimi latin i Montaigne u shoqërua me stimulim të vazhdueshëm intelektual dhe shpirtëror. Ai ishte i familjarizuar me greqisht nga një metodë pedagogjike që përdorte lojra, biseda dhe ushtrime të meditimit të vetmuar, sesa librat më tradicionalë. Rreth vitit 1539, Montaigne u dërgua për të studiuar në një shkollë prestigjioze me  konvikte në Bordeaux, Collège de Guyenne, pastaj nën drejtimin e dijetarit më të madh latine të epokës, George Buchanan, ku ai zotëronte tërë kurrikulën deri në vitin e trembëdhjetë. Më pas ai filloi studimet e tij të drejtësisë në Universitetin e Tuluzës në 1546 dhe hyri në një karrierë në sistemin ligjor vendas. Ai ishte këshilltar i Gjykatës së Aides të Périgueux dhe, në 1557, ai u emërua këshilltar i Parlementit në Bordo (një gjykatë e lartë). Nga 1561 deri në 1563 ai ishte oborrtar në oborrin e Charles IX; ai ishte i pranishëm me mbretin në rrethimin e Rouen (1562). Ai u nderua me nderin më të lartë të fisnikërisë franceze, Urdhrit të Shën Michael, diçka për të cilën ai aspiroi nga rinia e tij. Ndërsa shërbeu në Parlementin e Bordeaux, ai u bë shumë i afërt me poetin humanist Étienne de la Boétie, vdekja e të cilit në vitin 1563 ndikoi thellë në Montaigne. Është sugjeruar nga Donald M. Frame, në hyrjen e tij në Ese të Plota të Montaigne, që për shkak të “nevojës së domosdoshme për të komunikuar”. Montaigne pas humbjes së Étienne, ai e nisi Essaisin si “mjetin e komunikimit” të tij dhe se “lexuesi merr nga vendi i mikut të vdekur “. Montaigne u martua me Françoise de la Cassaigne në vitin 1565, ndoshta në një martesë të organizuar. Ajo ishte vajza e mirë dhe mbesa e tregtarëve të Toulouse dhe Bordeaux. Ata kishin gjashtë vajza, por vetëm e lindura  e  dytë, Léonore, mbijetoi në fëmijëri.  Pak dihet për martesën e tyre, pak fjalë që i ikin vetë Montaigne-it – ai shkroi për vajzën e tij Léonor: “Të gjithë fëmijët e mi vdesin në infermieri, por Léonore, vajza jonë e vetme, e cila ka shpëtuar nga kjo fatkeqësi.Mendimtarët që eksplorojnë ide të ngjashme për Montaigne përfshijnë Erasmus, Thomas More dhe Guillaume Budé, të cilët të gjithë punuan rreth pesëdhjetë vjet përpara Montaigne. Shumë nga citatet e Montaigne-së në latinisht janë nga Adagia e Erasmus, dhe ato më kritike, të gjitha citimet e tij nga Sokrati. Plutarku mbetet ndoshta influenca më e fortë e Montaigne, në kuptimin e substancës dhe stilit. Citatet e Montaigne nga Plutarku në numrin e eseve janë mbi 500.

Kritiku letrar i shekullit të 20-të Erich Auerbach e quajti Montaigne njeriun e parë modern. “Në mesin e të gjithë bashkëkohësve të tij”, shkruan Auerbach ,”ai kishte konceptin më të qartë të problemit të vetë orientimit të njeriut, dmth. Detyrën për ta bërë veten në shtëpi pa pikat fikse të mbështetjes”. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Llojdia, Montenji, për Skënderbenë

TEATRI ABSURD I DITËVE QË JETOJMË

January 9, 2018 by dgreca

1 xhevair-lleshi-zyre

Panegjerik i ftohtë

  Nga Xhevair Lleshi/

Kur e arrita synimin tim në moshë pak a shumë të re, nuk iu ndava njëherë teatrit, asaj magjie të siparit ngjyrë tulle të errët përplot pala të rënda që, sa herë hapej, lëshonte një qiqërim pluhuri që avullonte në dritën e skenës dhe binte pastaj duke u ulur përtokë, ose mbi kokat tona. Hapej ngadalë me një zhurmë bezdisëse e të çjerrë që sidoqoftë dëgjohej, pa ndonjë ndjenjë ngadhënjyese që të krahasohej me madhështinë e njerëzve të gjallë në skenë. Ja, kështu vjen para teje, veshur bukur, me fenerët që rrëzojnë një dritë të vagullt në shtegun e karakterit të çdo njeriu që dëshiron të shoh me ankth shoqërinë e lartë të qytetit në lozha dhe fuajé, në galeri e në platé. Më gjeti belaja, miku im, m’u desh të vija si dikur në teatër, ku skenën e një pylli apo me dy të dashur që shtrëngohen e gjeta me befasi të reja. E, duke qenë dimër, doja të shihja palltot e rënda gub, kapelat strehëgjera republikë, të ndieja parfumin aq ngacmues të zonjave të mëdha të shoqërisë së re tiranase. Dhe ndjeva erë të rëndë kurmi. Dhe pashë veshje të thjeshta dhe pastaj edhe papërsosmëri elegante.  Ç’emocion rrëqethës, pse të ndodhë kështu? Ku të jetë fshehur vallë shoqëria e lartë e Tiranës? Ç’ngashënjim prekës, pse, pse, pse? Ndërsa dy hapa më tej dëgjohen ulërimat e makinave, njerëzit që i fshihen vetes së tyre, ndihet aroma e sherebelit dhe e çajit të malit. Dhe dritat bien mbi fytyrat e shikuesve. Një nervozizëm i nxirë dhe që përthyhet drejt së verdhës mehitiane. Sikur të siguronin një copëz djathë të bardhë kjo do të ishte kënaqësi e madhe. Eh, hiqe mendjen nga madhështia e varfërisë! Dritat vazhdimisht bien dhe zbukurojnë karakteret e nxirë në platé, sikur t’i zbulojnë papritur…  Dhe të gjithë ndjekin me një vuajtje dhe gëzim të pa rrëfyer një komedi, jo si Pallati 176, por një tjetër: Plakat e Katit të Tretë, aq të bukur e të goditur, ku plakat e mbetura vetëm jetojnë me ëndrrat dhe makthin e takimeve plot të papritura, ku tinës vjen në kat edhe i dashuri i thekur 70vjeçar… Njerëzit nxjerrin dufin. Qeshin. Përkëdhelin sedrën. Duartrokasin për minuta të tëra. Pastaj vënë duart në xhepa dhe nisin të largohen. Ftohtë. Ndërsa ty, or mik, s’të pashë. Se, e di, ti ke punë të mëdha. Sepse më nxite dëshira lakmitare që edhe ti ta shihje këtë komedi. Nuk dihej kush vuante më tepër: njerëzit në skenë, apo shikuesit e mjerë. Jo, s’doja të dilja as unë nga shtëpia. Pse mbaroi kaq shpejt? Po fundja, ku do të shkoja? Një gotë çaji diku larg apo afër më priste…  Dhe jeta tej dukej aq blu nga nata e thellë, edhe dëshira e bakërt prej vjeshte sesi kthehej në një dimër të zbardhëlluar. Ndoshta mos prisnin të vinte Babagjyshi i Vitit të Ri me dhurata të çmuara? Pse jo. Se Babagjyshi sivjet ishte aq i shkurtër. Tmerr. Mjaft të shkurtër patjetër që e përsillte kaleidoskopi ynë këtë vit, Plakun e gjorë që bredh nëpër botë (Edhe nëpër Shqipëri! Edhe në Kosovë!) me stap në dorë e me thesin bosh në krahë. Dhe shikuesit papritur përzihen me aktorët duke ikur, si retë që zënë përgjysmë me një hënë aq të zbehtë. Net me hënë kaq hakmarrëse s’kam parë, or mik!

Po pse me tërheq kaq shumë teatri? Prej aktorëve, prej veprave të mëdha që luhen aty? Jo, edhe ata si të gjithë, tani luajnë çdo lloj vepre që u jepet. Nuk zgjedhin vet. Ata ikin dhe vijnë dhe… më ftohtë brenda e jashtë, s’janë më, po unë e kisha atë fat, se punova në kohën e tyre dhe me ta, i njoha nga afër, i pashë, por tani nuk i gjej më, edhe pse i kërkoj me ngulm. Pastaj më mbeten sytë ngujuar mbi fashën e dritës në platé, të cilin e ka zënë gjumi në prehër të zonjës së tij. Hajde peshk i freskët! Vërtet, i freskët! Po, nuk e sheh si lëviz? Eh, mor mik, edhe gruaja ime lëviz, por ç’e do, s’është më e freskët… Dreq o punë. Fasha e dritës ka ngrirë. Kështu, miku im, nisa të nxë më shumë, fillova të dua gjithçka në të gjitha skutat e teatrit, të famshmit, të ndryshëm nga njëri-tjetri, po edhe aq të ngjashëm!: Mjeshtër të skenave masive, kërkues brilantë detajesh, të puthur nga lirizmi, të prirë nga modernia, gjurmues të imtë karakteresh. Net të ngrira brenda në teatrin e makthit e të dhimbjes, ku shiten gështenja a misra të pjekur, ku aroma e bujkut vjen me tërsëllëm dhe përplaset me duhmën e luksit, nga duket sikur edhe hëna largohet e zemëruar prej fushës e pamatë të nderit. Ka prova? Ka, sigurisht. Ky rol nuk shkon. Personazhi është shumë i gjatë, mos ka ardhur ndonjë ministër? Jo? Mos e thuaj! As ai i kulturës? Mbylle buçen! Vër fre se do ta pësosh, budalla!

Eh, miku im! I pashë videot që më dërgove, edhe pse isha në teatër. Më mrekullon ideja e videove dhe e bashkoj me teatrin. Sidomos kur ka kukulla që tërheqin karrocat e fatit dhe s’di pse i bë bashkë, i mbreh me teatrin që më mërdhin dhe më ka mbetur në mend! Plakat e katit të tretë! Ka pak mirënjohje aty. Pensioni i plakave është i madh, shumë i madh. Skena e teatrit është e ftohtë, shumë e ftohtë! Ka kaq shumë rroga të mëdha! Ka vetëm jetë të vogla nëpër apartamente si ne të gjithë, po ato mobilie që kanë humbur aromën dhe ngjyrën, vuajtje prej ushqimeve si në videon tënde, veç kudo sikur e ndien se ka bjerrë një mirënjohje e dikurshme. Mos! Mos e thuaj! Kemi pasur mirënjohje ne? Ç’thoni? Nderim me të tepërt. Nënshtrim. Servilizëm. Pse, ka njeri dëm nga servilizmi? Dhe më vjen në mendje Kadri Roshi që gjuante peshk në Karavasta dhe përkëdhelte lejlekun kaçurrel, Kadri Roshi, ai burrë i gjatë e i thatë, me ata sy aq ledhatarë! Që shpesh i hidhte sytë nga plateja. Po ajo dritë që shëtiste herë pas here përmbi koka. Nuk mund të bëhesh i famshëm nga rastësia! Merr vesh. O këtu dhe gatitu, o në Karavasta! Po nuk rrinte dot pa luajtur në skenë, dhe thonë se e ngriti skenën me dhelprat dhe peshqit e lejlekët kaçurrelë në Karavasta. Atje ku vinin ngaherë Të Bukurat zonja e zonjusha që e donin teatrin dhe ledhatimin e syve… Ja, or mik, i lodhur nga krijimi dhe puna e ditës, i dhashë leje shpirtit dhe erdha në teatër, ku pashë Plakat e Katit të Tretë dhe videot e tua. Ky është ai që unë e gjej si  kronikë të përditshme. Mirupafshim! Pres të diskutoj me Ty për videot dhe për muzikën e ftohtë të teatrit në akullimën e sallës…

 Tiranë, më 08.01.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: Pangjerik, TEATRI ABSURD, Xhevair Lleshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 307
  • 308
  • 309
  • 310
  • 311
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT