• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aleksis

December 30, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/

Fati e ka sjellur ta kem vartësen time. Duke qënë se ishte me vonesë, në të e sipër, nxitimthi, i kërkova të bënte këte e atë, një listë që e shihte vetëm mendja ime, pra e parapërgatitur. Vajza dukej e lodhur për më tepër që i përket atij soji njeriu i cili pi vetëm ujë, ha sallaturina kryesisht jeshile dhe të tjera asortimente të thata dhe pa kripë. Plot nëntëmbëdhjetë vjeçe, larguar nga shtëpia për të ndjekur fatin e saj. Ai lloj brezi që nuk e do fare përkrahjen e prindërve, që mezi pret të ndeshet me të papriturat e jetës. ”Do i bëj më tha, veç me një kusht, kërkesave të tua shtoi edhe fjalën të lutem”. Mbeta gafil. megjithatë me atë vështirësinë normale për të kërkuar ndjesë, bëra një buzagaz të sforcuar, një ngërdheshje më shumë se sa qeshje. Dhe nxitova duke i kthyer kurrizin. Kohë të rrëmbyera për shkak të festave. Mirëpo aty kuptova një here e mire se unë akoma nuk isha ndarë me të shkuarën time. Një qënie relike, produkt demode, i vitrinave të socializmit. Më mire të më vrasin se të kërkoj falje. Megjithatë gjeta një mënyre dhe dola sepse kisha nevojë për pak ajër. Përjashta qe një ditë me diell të plot, ku çdo gjethe e gjelbër fal tyre kthente cdo sumbull vese në një brilant koralesh duke njelmëzuar korin e zogjve aq me shumicë në tropikun tone.

Qe ndofta leksioni i pare që mora për atë ditë. Dhe nganjëherë i rrëmbyer jap ato përgjigje vulgare me ohu, bëj punën tani. Gjithmonë pyes veten përse e kam kaq të vështirë të kërkoj ndjesë? Përse jam armatosur deri në dhembë me mendimin se jam në këto pozita vetëm për të urdhëruar? Vetëm për të drejtuar me gisht, bëj këtë dhe si them unë? Sepse vetëm unë jam i pagabueshëm, i plotfuqishëm mbi të drejtën legjitime të një eprori perfekt? Dhe se toni i zërit duhet me domosdo të shoqërohet me një nerv vetullash? Unë vet u rrita deri këtu ndryshe. Mbaj mend se kur kalova pragun e kësaj ngrehine, një meso grua më priti krahë hapur. Më përqafoi. Pa u sikletosur nga djersët e mia. Kisha ecur më këmbë për këtë vend pune. Një emigrant i lodhur me të birin motak prej dore. Ajo grua nuk i hiqet sysh memories sime. Iu përgjigj plot buzëqeshje anglishtes së lodhur që unë posedoja, asaj lloji me nuanca tingujsh të lindjes, me standartitetin e metodave të kurseve të natës. Kurrë nuk më tha bëj këtë, duke më treguar me gisht objektin. Por gjithmonë, të lutem a mundesh ta bësh këtë për mua. Kurse unë sot e kam tmerrësisht të vështirë. Edhe pse nuk më kushton asgjë. Asgjë, veç faktit që kush dreqin e di, nofullat e mia më lehtë e kanë të shtrëngohen nervash se sa të hapen qeshjesh. Sa e kollajtë do të ishte sikur gjithçka të pastrohej me metodën e heqjes së pluhurave. Një dush të mire përsipër dhe aq. Po rrija e bëja dush një ditë të tërë. Por jo?! Pluhurat janë përbrenda. Vrapojnë me gjakun! E nxisin atë. Më keq si virozat e sëmundjeve nën vena. Përse-të me shumicë. Justifikimet në majë të gjuhës. Barriera sa një mal për të pranuar gabimin. Ja kaq, unë njeriu i rritur në socializëm. Nga ana tjetër Aleksi, që vjen e punon nga 8, 9, e ka raste edhe dhjetë orë. Lë punën këtu, i hipën makinës dhe shkon bashkë me librat tek një klient i saj privat ku kujdeset për fëmijët. Jeton në një apartament që e ndan me disa shoqe të sajat. Unë në kohën e saj u ankohesha prindërve. U kërkoja llogari, u thosha përse më pollët kur nuk më dilni zot? Kurse ajo, nuk kërkon asgjë prej tyre. Llogari jo e jo. Edhe pse ata janë dhjetë here më gjëndje se çishin  të mite në atë kohë. Po pse them unë, kur akoma  shikon të rinj se si presin nga prindërit. Kur shikon sherret televizive për një mur oborri. Kur diskutojnë ndarjet me hilera të një apartamenti një dhomë e kuzhinë. E quajnë pronë. Pronë është vetëm jeta, vetëm liria jote, ajri jot.  Romulit dhe Remit nuk i ka mbetur asgjë. Po ashtu dhe Romës së tyre, veç emrit. Kur u ktheva brenda, Aleksi po bënte punën ashtu  si din ajo, një flutur e bukur përmbi lulet e oborrit. Por prapë hezitoj  t’i afrohem e t’i kërkoj ndjesë. Ndërkohë i thashë vetes, mos harro ta bësh herën tjetër. Mos harro ta falenderosh kur ta mbarojë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Aleksis, Ilir Levonja

KOHA QE VJEN…NE KALENDARIN E ATJONIT, 2018

December 29, 2017 by dgreca

 

KOHA QE VJEN…NE KALENDARIN E ATJONIT, 2018…/atjoni

 Atjoni eshte studenti i bukur qe e kujtojme vazhdimisht, ai na duket se dergon buzeqeshjen e Tij nga Qielli, ku ka 3 vjet qe endet andej si nje engjell.

Nderkaq nga Atjon Zhiti jane botuar libri i tij me ese “Per ate qe dua(m)”, albumi me piktura “Opera Atjon”, kane dale libra me ilustrime te tij ne Shqiperi dhe Itali dhe ja, ne fundviti, kalendari i Atjonit per vitin e ri te ardhshem, 2018.   

Jane 12 piktura te Atjonit dhe 12 citate te nxjerra nga libri i tij, (Atjoni studionte per filozofi ne Milano), qe pas botimit te tyre në gjuhët shqipe dhe italiane, ato dalin dhe në gjuhën angleze.

Na duket sikur Atjon na sjell kohen e tij…

auto_zhitia1514484749

 1-Të bësh të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut.

2-Drejtësia është ai princip, ku çdokush bën vetëm ato gjëra që prej natyre e ligji është thirrur të bëjë.

3-Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë po ashtu si dhe njerëzimi. Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit zëvendësohet nga dukja.

4-Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës…

5-Kërkimi është zhveshje.

6-Të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë…

7-Dashuria ime është tek ju, sepse ju dua shumë, jam i menduar, se dua të jem tek ju: Zemër.

8-Dashuria për dije është e pakohë dhe e tillë do të jetë. Nuk do pranoj çka nuk më pëlqen, por do të mundohem të njoh gjithçka, kohë nuk kam për paragjykime, tabu, etj.

9-Tirania luftohet me dije, gatishmëri ndaj vuajtjes, intelektualizëm dhe objektivizëm ndaj realitetit pa pasur frikë.

10-Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.

11-Që konflikti të mos jetë torture, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndjehet si e tillë…

12- Jeta nuk duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetshme, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar duke thënë se është e kotë dhe e shkurtër, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë duke bërë mirë…

 

Filed Under: ESSE Tagged With: 2018, Atjon Zhiti, E ATJONIT, KOHA QE VJEN...NE KALENDARIN

Historia mbi fytyrën e Kosovës, Dhimbjet i ka vizatuar varg

December 27, 2017 by dgreca

Homazh nderimi……( kushtuar Shefki Dedinca dhe qindra e mijëra kosovarë që u vranë, u sakatuan dhe u zhdukën gjatë luftës së fundit.)  /

Violeta M.JPG

Nga Violeta MIRAKAJ/Në festat e fundvitit është shumë bukur të shkënbehen dhurata, dhurime urimesh të ndërsjellta dhe gjithandej krijohet një atmosferë festive….pra  dhe une po ju uroj : Për shumë vjet Gëzuar!…. Por këtë urim doja ta plotësoja me një shkrim homazh kushtuar atyre qindra apo mijëra shqiptarë kosovarë që u vranë, u zhdukën…u sakatuan…Është një homazh që kurrë të mos harrohet e kaluara, po në emër të saj të përpiqemi  për një jetë më të bukur, më të paqtë për brezat, për sot edhe për të ardhmen.

Për njeriun shtëpia është kështjella e tij, dhe për kosovarin Kosova ështe shtëpia e tij, kështjella e tij  …  Gjithë përpjekja e tij ka qenë një kalvar i gjatë mundimesh, ku si është shprehur dhe Akademiku  R. Qosja   se, Shqiptarëve në Kosovë u kishte mbetur vetëm ajri.

Nën dritën tragjike të historisë njerëzit zhvisheshin nga misteri i tyre shqetësues ; e gjithë bota ndihej pezull  në këtë pritje universale.  Në jetën  të këtij populli gjithçka mbetej pa të nesërme… dhe se gjithë uji i lumenjve nuk do të lante dot dorën  e vrasësit  të këtij kombi…

Në qershor të vitit 2000, Kryqi i kuq raportoi për 3,368 civilë ( 2,500 shqiptarë, 400 serbë, dhe 100 romë) ende të humbur, afërsisht një vit pas konfliktit…. Tablonë tragjike dhe rrënqethëse e plotësojnë varret masive, ku më 2001-in, 800 trupa ende të paidentifikuar u gjetën  në gropa në një terren të policisë jashtë Beogradit dhe në lindje të Serbisë. Skenat makabre  nuk kanë të sosur, të paktën 700 trupa u zbuluan në një varr masiv i gjendur në një kompleks të një njësie policore speciale anti- terroriste në periferi  të Batajnicës, e cila pasohet nga 77 trupa të gjetura në qytetin lindor të Serbisë, Petrovoselo, dhe në qytetin perëndimor të Serbisë, Perucac u gjendën 50 trupa….. E gjithë kjo tablo është një klithmë që s’duhet të fashitet….se ka të bëj me fatin e një kombi sa të lashtë dhe heroik.  Lufta e fundit çlirimtare në Kosovë ishte luftë e cila ia ktheu dinjitetin kombit shqiptar.

Nuk mund të harrohet operacioni më 27-të prill në 1999. Forcat serbe rrethuan “ Reken e keqe” e “Lugun e Carragojës”, në rrethinën e Gjakovës. U ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapur vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës. E gjithë kjo offensive barbare  filloi në orët e hershme të mëngjesit; njëherazi u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës,  grumbulluan  meshkujt në grupe nga mosha 15 deri 60 vjeç … duke i ekzekutuar të gjithë. Skena si në kohërat barbare dhe ato të nazizmit hitlerian. Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët si hijena ju turrën me barbarizëm njerëzve të paarmatosur ..Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës.….

Sot, aty është Qendra Përkujtimore – 27 prill në Lëndinën e Pikëllimit në fshatin Meje të Gjakovës, njëkohësisht dhe Dita e të pagjeturve në Kosovë që simbolizon po këtë datë të vitit 1999.  Ja si shprehet poetja R. Maleçka “ Ju o varre jeni si betimi/ në gjakun e të rënëve gjith’herët mbetë/ Pllakate varresh me gurë graniti,/do të gdhenden në këto troje përjetë….

Përvojë e hidhur për shqiptarët, për kosovarët që s’gëlltitet e s’gëlltitet;  thikat copëtonin shpirtrat e tyre, dhe ata ishin të mbërthyer nga zinxhirët e fatit. Dhe ky popull është me të vërtet i madh sepse vuajtjet, lodhja, padrejtësitë nuk e përulën. Dhimbjet janë vizatuar varg…këtu një varr, matanë një muranë, një varr e një muranë prapë, historia plagët e saj i ka lënë dhe  shprehur në fytyrën e Kosovës, si lulekuqet që lulojnë në arat me grurë.                                                                                              Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur e cila filloi në 28  Shkurt të vitit 1998 pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës deri në 11 Qershor 1999.  Në mesin e luftës  në 6 shkurt 1999, me Sekretarin e NATO-s arrihen negociatat e para midis palëve ndërluftuese, dhe në 18 mars 1999, delegacionet shqiptare, amerikane dhe britanike firmosën atë që u bë Marrëveshja e Rambujesë ndërkohë që delegacionet jugosllave dhe ruse nuk pranuan. Si gjithmonë në momente të vështira të fateve të kombit tone dhe këtë rradhë mbështetja e SHBA ishte jashtëzakonisht determinues, dhe ndihmës  deri sa erdhi momenti final i  kurorëzimit të kombit shqiptar, krijimi i shtetit të Kosovës.   R. M – “ Ta bëjmë Dardaninë/  si ka qenë qëmoti / Ta bëjmë Shqipërinë si në kohën e Kastriotit……

Në këtë luftë u dëbuan 800,000 shqiptarë, u ranë 15,000 persona nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerë civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.    Vite me rradhë janë shkruar, janë skalitur momente nga tragjeditë dhe plagët e saj…Ku si është shprehur dhe poeti A. Podrimja te poezia “Kulla”  Prej lashtësisë, thonë kanë ardhur/ nëpër mure të pëlcitura të Kullës kanë hyrë,/ Gurë e m’gur atje janë ngjitur/ në majë të botës kanë mbetur sot e atë ditë/…….  E një kulle është ngritur një mijë vjet/ mbi një asht, mbi një emër ajo flet/ për shkak të dashurisë, për shkak të urrejtjes.”…pra historia përsëritet , Kosova , kulla shqiptare i ka mbijetuar stuhive dhe hordhive  . Edhe si e thamë më lart jemi në prag festash, por në traditën tone shqiptare shpesh here trokasin në memorjen tone për të kujtuar të munguarit… na trokasin për të bërë homazh…. Dhe kjo është  një traditë e bukur që të mos harrojmë… Jeta, vazhdimësia e saj shkon në gjurmët e saj dhe evidenton se, “Virtityti shkëlqen në fatkeqësi”

Bashkëbisedimi me të birin e Shefki Dedincës, ( i cili është një nga të shumtët që u zhdukën në periudhën e luftës pa lënë gjurmë), Zeqir Dedinca dhe me familjen e tij në njerën  nga këto ditë ishte shumë prekëse. Duke marrë shkas nga teksti i këngës “Brezi me kapuç të bardhë” teksti A.Kalaja, Muzika: Ylli Kalaja të cilën e kënduan në festivalin e fëmijëve organizuar këtu në New York, dy vajzat e vogla Enesa dhe Joana Dedinca interpretuan me ndjenjën e dashurisë dhe të respektit, për të mos harruar gjyshin dhe të gjithë  martirët e Kombit. Drama kosovare erdhi në këtë repertor si një histori, erdhi si një kujtim si një betim. “Me kapuç mbi kry’/ Përmbi maja e pamë gjyshin/  Është trim kosovar’/ Zemra e tij kishte dy krena/ FLAMURIN SHQIPTAR” Biseda në familje rrodhi shtruar , rrodhi ngadalë me drithërimë , me kujtime personale dhe meditim….

Shefki Dedinca ishte nga fshati Leskoshiq të komunës së Obiliqit. Vinte nga një familje e madhe, dhe punonte si udheheqës i pastrimit të shiritit në Rotorn 4 të kombinatit , Vështirësitë ishin të mëdha, me gjashtë fëmijë në shtëpi, sepse e shoqja i vdiq herët duke punuar si në shtëpi dhe jashtë saj por me dëshirën dhe dashurinë e madhe që fëmijët e tij të bëheshin të ndershëm , të arsimoheshin, dhe të kulturoheshin. Dhe këtë e shprehte shpesh se : – “Fati së pari ështe te mendja; shko në shkollë, të mësohesh  e të bëhesh i ditur. Libri është arma e të mençurit e nuk të lë kurrë të varfër… Ngjarjet e njëpasnjëshme që ndodhën pas vitit 1991 në Kosovë, vazhdon të rrëfej Zeqiri ishin shumë të rënda, ishte nje reprazalje e vërtetë për popullin. Filluan përjashtimi nga puna pothuaj i të gjithë shqiptarëve, u mbyll televizioni si dhe fakultetet ….kërkojnë të mos mësohet dhe të flitet gjuha shqipe, po ajo serbe. Në atë kohë ishte student në Fakultetin  Ekonomik, u veprua vetëm me dhunë e ushtruar nga policia, i larguan nga godina…por kurrë nuk mundën të shuajnë dëshirën për vazhdimin e leksioneve në ambjentet të tjera familjare. Një kurajo të madhe na jepte baba , i cili shprehej: “S’ka forcë dhe fuqi  që të bllokojë universitetin e Prishtinës, dhe se ju studentët jeni arma më e fortë e popullit Kosovar”. Në momente të vështira atë e kishim mbështetje me mençurinë , kurajon dhe guximin që u jepte deri sa një ditë …. 24 mars i vitit 1999, lëshojnë banesën si shumë e shumë banorë për tu strehuar atje ku këmba e serbit të mos shkelte, ku forcat ushtarake separatiste militariste të mos t’i gjenin. Që nga ajo ditë nuk u mor vesh kurrë se çfarë fati pati Shefki Dedinca….

Një nga dhimbjet më të mëdha të shqiptarëve, pra është ajo e lirisë, dhimbje që prodhoi akte heroike, humanizmi, dashurie për vendin dhe në emër të kombit me të cilën  po i thërret unitetit të botës së qytetëruar. Trevat shqiptare u bënë të njohura nga lufta, se ato u unifikuan me trimat e rënë për liri, dhe marrin funksionin e një “kumti” toponimik – historik, të cilat mbartin një epokë historike, realisht të nevojshme shqiptare. Këto treva mbartin në vetvete dhimbje, prelude, momentalitet dhe shqiptarizëm; të bëjnë krenar për vendin tënd , për njerëzit e tu, për viset e tua, për historinë dhe për atë që i duhet vendit dhe njerëzve të tu.

Te “Dhimbja Gjakovare” kombi lëngon… “…Kudo vajë, kudo piskamë,/ – Ku t’kam babe, o ku t’kam nanë!?/ – O ku je motër, o ku je vëlla!?/ Ma tmerrim, o për ne nuk ka!/ Disa trupa, o t’përgjysmuar,/ shumë pa k’am’ e shumë pa duer,/ Shumë u dogjën n’flakë e n’prush,/ s’ka shka ban, medet – kurkush!/ M’falni vëllazën, s’muj duroj ma!/ Këta shqiptarë në gjak janë la,/ asnjëherë për ne s’do t’vdesin,/ O n’zemra tona përjetë do t’mbesin!” Dhe sot e kësaj dite dëgjohen klithmat e përvuajtur të këtyre njerëzve. Skalpimi i historisë tregon se mbetet esenca e ngjarjeve, simboli i përsëritshëm i sfidës për të jetuar, një jetë më të drejtë, një jetë ku të mos lejuar kurrë të përsëritet e kaluara  dhe ky është një apel. Si shprehet dhe poetja R. Meleçka “ Liria dhe gjaku kanë lindur nga një nanë/ ushqyer e rritur nga njeri- tjetri mot pas moti,/rritur në djepat, në dru e lis mali,/ Rritur nga kënga, amaneti dhe loti.”

New York, 26 Dhjetor 2017

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: historia, mbi fytyrën e Kosovë, Violeta Mirakaj

Lojë fjalësh

December 27, 2017 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Astrit Lulushi/

Eshtë sugjeruar se emri Odiseu është me origjinë jo-greke, ndoshta as indo-evropiane, pra me një etimologji të panjohur. Në fenë etruske emri dhe historitë e Odiseut njihen me emrin Utuz, Ushuz ose Udhuz, që është interpretuar si huamarrje nga një formë e mëparshme e emrit Oduze. Kjo teori mendohet të shpjegojë gjithashtu mos ekzistencën e “d” ose “l” në rajon në atë kohë. Odise, Odhise, Udhuz përfaqësojnë të njëjtin emër me të njëjtën kuptim në prejardhje – “Udhëtar” sipas shqipes së sotme apo njeri që udhëton a endet udhëve deri sa të ketë gjetur shtëpinë e tij, njësoj si Odisea pas luftës së Trojës.

Dy mbishkrimet dygjuhëshe u zbuluan në vitet 1920 në pjesën perëndimore të murit lindor të tempullit  te Delphit në Dreros të Kretës. Tekstet janë në alfabetin arkaik dhe datojnë nga fundi i shekullit VII pes. Ato jane me karakter kryesisht fetar dhe u botuan nga Henri Van Effenterre i universitetit të Sorbonës në vitin 1937 dhe 1946 dhe ruheshin në muze në Neapolis, Greqi.

Teksti i parë nuk mund të lexohet lehtë. Me siguri me teknologjinë moderne pjesa greke do të jepte më shumë, por mbishkrimi humbi gjatë okupimit të ishullit në Luftën e Dytë Botërore, dhe pavarësisht nga kërkimet, nuk është gjetur.

Teksti i dytë u botua gjithashtu nga Van Effenterre në vitin 1946. Një pjesë e mirë e tekstit gjithashtu ka humbur,  vetëm një fragment ku përfshihet fjala “tuprmēriēia” ka mbetur. Më1946, Van Effenterre sugjeroi se shprehja “tuprmēriēia” mund të shpjegohet me “i pastër”, si në rastin e sotëm të njeriut të turpshëm sepse është i pastër.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Lojë fjalësh

Si shihet atdheu nga larg

December 26, 2017 by dgreca

2 azem Bejta

Nga Skender Karacica-Çikago/

Përsiatje rreth Filmit artistik,,Azem Bejta,,dhe Halil Budakova/
E pashë përsëri Drenicën time të përgjakur me hasmin e Serbisë fashiste.E pashë Azem Bejten se si e shalonte kalin nëpër malet e Drenicës dhe ishte bërë gati të vdiste për Lirinë e Kosovës!
Drenica,malet,plagët,pushka e Azem Bejtës!Ejani vllazën e i dalim përballë të bijve të shkinisë që po vijnë në Dreenicë për të marrë gjak në ballin tonë.Jo qebesa do të vijnë,por nuk do të kthehen,flsite Azem Bejta me malet e Drenicës heroike.
Këtu parakalojnë personazhet historike të kohës.Vjen Isa Boletini,Hasan Prishtina dhe burrat e Drenicës që kishin dëgjuar thirrjen e maleve:Ejani e luftojmë bashkë kundër shkinisë së kralit të Serbisë!
Tym e flakë Drenica,ashtu siç janë vetë zjarret e jetës nëpër histori…Azem Bejta përgjakët nga plagët e hasmit,varsje të familjes së tij,por Njeriu Kryengritës nuk e ndal pushkën për Lirinë e Kosovës!
Halil Budakova në rolin e Azem Bejtës për mërgimtarët në Amerikën e largët u përcoll me lotë dhe me mesazhin e qartë se malet e Drenicës u bënë istikame të betejave dhe të ballit të përgjakur të drenicakëve të mi kryengritës,që për këto njëqind vjet nuk ia ndalën pushkën Serbisë!
Loti im…seç mu kujtua fjala e popullit:Nuk është turp të qashë për Atdheun…!
Filmi i Halil Budakovës erdhi në Amerikë me Azem Bejten e Drenicës heroike!Saherë që vetën e ndiejmë ngusht para hasmit,duhet të kujtojmë Drenicën e zjarreve në male për lirinë e Kosovës(nga anonimi në librin e përshtypjeve)në Kullën e Adem Jasharit në Prekaz!
Azem Bejta dhe Shotë Galica e bënë dasmën e Lirisë së Kosovës.
Azemi Bejta la pas vetës djelmeninë shqiptare amanet për ty Kosovë martire!
Halil Budakova me filmin e tij nisi një buqetë lulesh në varrin e Azem Bejtës dhe të Shotë Galicës!

Çikago,26 dhjetor 2017

***

E kohës/

Kur të gjithë në Kosovë po merremi me vetveten,Serbia vërtetë po merret me Kosovën…!
Leni lojën e fjalëve,kthehuni dhe qëndroni pip në këmbë, sepse orët e jetës po trokasin në ndërgjegjen tonë!
E shihni se në çfarë deregje kemi mbërri,kerkush nuk e ka menduar dhe as që e dëshiron të mendoj për kohën Kosovë as në tokë e as në qiell.
E kemi pas dhënë fjalën e madhe,veçsa të çlirohemi nga Serbia dhe të na vjen Liria e Kosovës,do të bëhemi bashkë dhe bashkë në shtetndërtimin dhe Udha jonë kombëtare në[ BE dhe në miqësi të përjetshme me Amerikën!
Dhe,tashti,çfarë po ndodhë…?
Jemi bërë pikë e pesë,partitë politike në fronte të ndara,të përçarë deri në derën e fundit sa nuk ka se ku shkon më keq.
Pse kështu…nuk i kemi pasë këto fjalë para orës vrastare të Serbisë fashiste të Millosheviqit.Mbase kemi harruar se sa të përgjakur që ishim në Kosovë!
Kur ne po bëjmë lojë fjalësh,hasmi pranë gradhit po na shikon me buzë në gaz!Kështu sot e këtu,Serbia dëshiron të na shohë duke ia kthyer shpinën njeri-tjetrit.Nuk i patëm fjalët dje e pardje të përçarë e në hamëri politike dhe jo vetëm kaq…Kështu, Kosova, nuk duron lojë fjalësh dhe hilet tona…!
Dhe,tashti,kthehuni aty ku duhet të jeni në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës!

Çikago,26 dhjetor 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: nga larg, Si shihet atdheu, Skender Karacica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 309
  • 310
  • 311
  • 312
  • 313
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT