• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shpirti i Atdheut është mbi ne

December 5, 2017 by dgreca

1 dasaretiNga Aurel Dasareti/

Trojet tona janë të kapura nga hajnat dhe gënjeshtarët antikombëtarë. Bashkoju thirrjes për të shpallur një mesazh të mirë për të varfrit. Për të bërtitur se të burgosurit do ta fitojnë lirinë, dhe të verbrit të shikojnë sërish – për t`i lënë të lirë të shtypurit.

***

“Demokracia” në Kuvendin e Shqipërisë dhe Kosovës është si në një spital mendor. Atje pacientët janë në shumicë, dhe mjekët kanë për të thanë gjithnjë e më pak.Sistemi jonë shoqëror kontribuon që gënjeshtrat të inkurajohen dhe shpërblehen. Gënjeshtra është vetëvrasje morale sepse shkatërron gjithë dinjitetin tonë njerëzor. Mos i thirrni gënjeshtarët dhe hajnat zotëri, kundërmimi i plehut nuk është i njëjtë me kundërmimin e luleve apo pranverës.

Në një vend ku mbisundon mjerimi, diskriminimi, padrejtësia, papunësia, varfëria dhe ku mu për këtë shkak populli është gati të vjedhë çdo gjë, atje shteti vetë është objekt i më të shkathëtit.

Patriotët shqiptarë kanë një zemër të ngrohtë për atdheun e tyre (Shqipërinë, Kosovën dhe trojet tjera), të cilin ata dëshirojnë ta ruajnë për pasardhësit e tyre. Në kontrast me fanatikët religjioz dhe kozmopolitët, që të paguar nga armiqtë e jashtëm, përpiqen të shuajnë veçoritë e ndjenjat kombëtare të shqiptarëve. Respektivisht, shkombëtarizimin dhe tjetërsimin e tyre në çdo gjë tjetër, vetëm shqiptarë të mos mbeten.

Kudo në botë feja është në shërbim të çështjes kombëtare, vetëm te shqiptarët ngjanë e kundërta.

***

Shqipëria dhe domosdoshmëria e shtetit kombëtar. Jam për një mbrojtje të shtetit kombëtar, duke theksuar se alternativat e provuara nuk ekzistojnë. Anët e dëmshme të nacionalizmit nuk janë bazë e mjaftueshme për të hedhur në greminë shtetin komb.Besnikëria ndaj popullatës shqiptare është veçanërisht e rëndësishme. Besnikëria kombëtare është themeli i demokracisë dhe lirisë. Institucionet shumëkombëshe dhe fuqia e tyre në rritje i bëjnë njerëzit të ndihen se e humbasin kontrollin mbi jetën e tyre.Demokracia ekziston falë besnikërisë kombëtare; një besnikëri që duhet të jetë e përbashkët për qeverinë, opozitën, të gjitha partitë politike dhe të gjithë votuesit. Aty ku kombësia është treguar e dobët ose nuk ka ekzistuar, demokracia nuk ka arritur të lëshojë rrënjë. Sepse pa besnikëri kombëtare, opozita është një kërcënim për qeverinë dhe diskutimi politik asnjëherë nuk shkakton një mirëkuptim të përbashkët.

***

Megjithatë, ideja e kombit është nën sulm në disa vende perëndimore. Ose ajo perceptohet si një formë primitive e unitetit shoqëror ose dënohet edhe si shkak i luftës dhe konfliktit, prandaj sipas trurit të globalistëve duhet të prishet (shpërbëhet) dhe të zëvendësohet me forma më të “avancuara” dhe universale të juridiksionit.

Në rënien e një qytetërimi, të paaftët dhe të pabesët janë vendosur për të sunduar dhe për të udhëhequr, ndërkaq kompetentët dhe të kualifikuarit janë vënë mënjanë.

Në praktikë, mbështetësit ideologjik të globalizmit nuk kanë asnjë besnikëri ndaj popujve të tyre.Një shqetësim që ne jemi gati të harrojmë se kush jemi, e hedh poshtë të kaluarën tonë dhe e humb ndjenjën kombëtare të identitetit tonë. Në vend të kësaj, ne jemi në procesin e lindjes së një Evrope ku vendimet e politikave merren larg nga shumica e njerëzve. Kjo së bashku me imigracionin e huaj në Evropë, do të minojë ndjenjën tonë kombëtare të identitetit, dhe kështu demokracinë tonë dhe lirinë tonë.

***

Humbja e identitetit kombëtar është humbja më e madhe e një kombi dhe kjo nuk mund të shmanget në formën bashkëkohore të kolonizimit dhe multi-kultit. Njerëzit mezi mund ta ndjekin shpejtësinë me të cilën ai fillon ta përdorë gjuhën e dikujt tjetër (gjuhën e huaj) si të tijën, të identifikojë veten me personalitetet historike të njerëzve të tjerë duke harruar të vetën, të njohë më mirë literaturën e okupatorit të tij se sa letërsinë e vet, të ketë prirje të dëgjojë më tepër muzikën e huaj se sa të veten, të lavdërojë historinë dhe vlerat kombëtare të një tjetri  shpesh duke u tallur me të veten, t’u ngjajnë të tjerëve në vend të vetes.

***

Shqiptari dhe Atdheu tij, nuk është më për shitje si një produkt tjetër, përkundrazi, shqiptari varfanjak ishte arsyeja që kohët e fundit Perëndia ka ardhur edhe në tokat tona të shenjta, brenda dhe jashtë kufirit të imponuar nga të huajt dashakeq. Vetë Perëndia na tregoi se sa vlejmë. Ka ardhur koha të bëhemi një bashkësi e njerëzve të barabartë, përfshirë udhëheqësit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Aurel Dasareti, Shpirit i Atdheut

NJERIU ENIGMATIK

December 5, 2017 by dgreca

Nga Avdulla Kënaçi/Toronto/1 Avdulla Kënaçi

 –   Skicë letrare-

Atë unë e shoh çdo ditë. Banon në bejzmentin e shtëpisë përballë. I pakët në trup, me një kokë të shogët ngjyrë dheu. I fundit e heq xhaketën nga supi kur vjen pranvera dhe i pari e vesh kur vjen tetori. Ecën me të njëjtin hap, në çdo stinë, ngadalë, sikur të ketë frikë se mos shkel në një territor të ndaluar. Zakonisht kryet i mban zbuluar, por sado kokëfortë të jesh, dimri kanadez nuk përballohet me kokën zbuluar, kështu, në kohë ngricash ai mban një feste të kuqërremtë me xhufkë përsipër, rrasur gjer tek veshët,  të mbushur me zikzake dhe rombe të vegjël të cilët nga larg duken si sy kinezësh. Gjithashtu  mban edhe një pallto të gjatë, të errët prej leshi merinos. Askush tjetër nuk mban pallto të gjatë si ai. Këtu preferohen xhupa të trashë me kapuç përsipër. Kjo  e tij është një veshje prej vendeve mesdhetare, por jo e Amerikës së Veriut. Ecën me të njëjtat këpucë, dimër verë, ato ngjyrë kafe.  Nuk përshëndet dhe nuk i flet asnjeriu me përjashtim të pronares së shtëpisë, një grua e ve, plakë,  që e kanë braktisur fëmijët e saj kushedi për çfarë arsye.

                 Kutia postare për gjithë bllokun gjendet pranë gardhit të kopshtit tonë. Zakonisht “breshka” e postës, një makinë e vogël me kabinë të bardhë, vjen pas orës 11:00 am. E para që shkon aty është gruaja e ve, plaka flokëbardhë. Ajo, si në një ceremoni mortore, ndoshta për t’i dhënë rendësi gjestit të saj, nxjerr çelësin nga xhepi diku në mes, shikon rreth e rrotull, hap kutinë, merr letrat apo reklamat dhe  kthehet për tek shtëpia e saj. Gjithnjë, tek dera e jashtme, e pret qiraxhiu i vetëm që ka. Diçka këmbejnë, por unë i kam larg dhe nuk dëgjoj asgjë çfarë thonë, vetëm kuptoj se është fjala për prurjet e reja të postës. Kuptohet, ai nuk ka kuti postare të vetën dhe gjithë korrespondenca i vjen në adresë të pronares.

                 Në mëngjes, kur unë rrotullohem nga garazhi i makinës dhe shkoj në kafe ku më presin një dyzinë miqsh, e shoh që ai zhduket në drejtim të stacionit të autobusit. Struket tek kabina prej xhami dhe pret e pret. Po ku shkon kështu përditë, edhe në fundjavë? Rastësisht e vura re një ditë tek qendra tregëtare që ne i themi Square One, ose Sheshi Një. Ishte ulur i vetëm në një nga tavolinat e restoranteve të kësaj qendre, madje ashtu thirret “Central Food”. Asgjë në tavolinë, as kafe, as ujë, as pjata ushqimi, vetëm një shami xhepi e palosur më katërsh. (Aty askush nuk të thotë çohu nga tavolina edhe pse ti nuk ke porositur asgjë). Njerëz që hyjnë, dalin, hanë, pijnë, qeshin, përshëndeten, por fqinji im qëndron si i ngrirë, më saktë si i përhumbur në një botë tjetër. Sa herë më bie rasti nga kjo qendër e madhe tregëtare, e kërkoj me sy. Po. Ai është aty, në të njëjtën tavolinë, me të njëjtën veshje, madje edhe me të njëjtën shami të palosur më katërsh. Çudi, ka gati dy-tre vjet dhe unë nuk i kam mësuar as emrin. Realisht mua nuk më ka prezantuar askush me të dhe as nuk kam pse ta mësoj se kush është, si quhet e nga vjen. E qartë, ai është një refugjat prej diku nga Lindja e Mesme.

                Mirëpo një ditë prej ditësh m’u desh të ndaja një sherr. Pronarja e shtëpisë përballë bërtiste aq shumë, sa njerëzia rrotull kishin nxjerrë kryet nga dritarja. Ajo e kishte qitur jashtë qiraxhiun e saj dhe po i kërkonte paratë e muajit të fundit. Tek këmbët, ai mbante vetëm një valixhe kartoni me kënde të rrjepur, (kisha vite që nuk kisha parë valixhe kartoni, madje i kisha harruar), kjo ishte e tërë pasuria e tij. Rrinte gati si i ngrirë, me sy të përlotur. Kur një burrë qan, dije se ka një brengë të madhe në shpirt. Pyeta se si qëndronte puna. Pronarja m’u lëshua me një lumë fjalësh si një kërcitje mitralozi.

–          Ka tri dhoma në dispozicion dhe një banjë me dush, kërkon vetë të rrijë në bejzment, i marr vetëm 700 dollarë në muaj. Nuk ka shlyer qiranë e fundit.

–          Kërkoj vetëm një javë, vetëm një javë. Unë jam rregull. Gjithnjë rregull. Njeri mirë, fukara…Unë nuk dua tri rom, vetëm një, – belbëzoi ai me një gjysëm anglishte, madje fjalën “fukara” e shqiptoi sikundër ne.

Pronarja nuk e la të mbaronte fjalën deri në fund, por iu lëshua me një breshëri tjetër:

–          Ti i dërgon paratë në Irak, ia dërgon familjes tënde dhe harxhon vetëm 100 dollarë për të ngrënë, –  u trondita nga ky fakt, vetëm njëqind dollarë për të ngrënë, aq sa rroga e një pjatalarësi në ditë.

–          Nuk dua tri dhoma, më mjafon një, aty, bodrum…, – vazhdoi ai me një zë të këputur. E kuptova hilen e plakës; ajo i ka lëshuar tri dhoma sepse nuk ka dashur të fusë në shtëpi të tjerë qiraxhinj, por ama ia ka marrë të plotë qiranë. Ishte radha ime të bëja sikur nuk kuptoja. Ok, i thashë plakës, po marrim policinë që ta zgjidhi ajo këtë ngatërresë, –  dhe bëra sikur do të bëja thirrje me  celular.  E nënkuptova se plaka noprane e kishte futur në shtëpi pa kontratë, ndryshe nuk mund ta nxirrte ashtu jashtë, si një qen. Plaka kërceu përpjetë dhe më tha me zë lutës:

–           Jo, jo zotëri policinë, ky është shumë i rregullt.  Le të rrijë edhe një javë sa të marrë asistencën. -Mora frymë i lehtësuar. Irekianit po i vinte çerja në vend. U ndamë paqësisht. E ftova për një kafe refugjatin e ngratë. Aty për aty, duke rrufisur kafen, hyra në internet dhe gjeta një garsioniere që lëshohej  me qira për 400 dollarë në muaj. I telefonuam pronarit, bëmë marrëveshjen dhe unë hyra garant për mikun.

–           Ka edhe një mënyrë për të kursyer ato 100 dollarë të ushqimit, t’i kërkojmë ndihmë kishës katolike, – i propozova unë.

–          Po unë jam mysliman, zotëri.

–          Ke hallin tënd apo të kishës se mos nuk të pranon?

–          Të kishës.

–          Këtu jemi në Amerkë, o i dashur mik irakian, nuk ka as dallim racor, as dallim fetar, – atij iu mbushën sytë përsëri me lot. Dhe kur një burrë qan, dijeni se…..

5 dhjetor 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Avdulla Kenaci, Njeriu Enigmatik

Mark Gurakuqi “Gjithmonë më josh fluturimi!”

December 5, 2017 by dgreca

nga Kolec Traboini/1 Mark GurakuqiMARK GURAKUQI(2 nëntor 1922- 16 shtator 1970)

15-Kujto_Poetin_Traboini_Sulkuqi_2011Një brez poetësh shqiptarë të së kaluarës tashmë në shekullin e ri thuajse janë harruar krejt. Kështu ka ndodh e do të ndodh gjithherë vartësisht nga jeta moderne që është aq e vrullshme sa nuk të le kohë për meditim e qëmtim ndër kohë të perënduara të diktaturës a më përtej. Por njerëzit kanë jetuar e kanë dashuruar gjithherë. Edhe në kushtet më të vështira sepse dashuria është mbijetesë dhe triumf.  Na vjen në mendje një poezi e Pol Eluarit “Shtetrrethimi” që e prek atë temë të përballimit të diktatit e dhunës aq mrekullisht. Është në nderin e atyre që kanë pasion të jetës letërsinë që të bëjnë kujtesën historike të autorëve që nuk janë më ndër të gjallët. Edhe ky cikël që përcjellim është në kuadër të ribotimit të plotësuar të antologjisë “Kujto Poetin”( Kolec Traboini, Iliriana Sulkuqi, Pantheon Books 2011). Aq më tepër bëhen të nevojshme këto  përcjellje poetike në kohën tonë, se disa prej tyre nuk qenë vetëm poetë, si në rastin e Mark Gurakuqit, por edhe mësues të pasionuar të letërsisë dhe hartues të shumë shkrimeve mbi letërsinë shqipe të traditës.

Mark Gurakuqi  mbasi kreu shkollën Normale të Elbasanit shkoi për studime në Firence të Italisë. Me pushtimin e Shqipërisë nga fashistët ai i ndërpreu mësimet dhe u kthye në atdhe si shumë studentë të tjerë shqiptarë. Pas mbarimin e Luftës së Dytë Botërore i vazhdoi studimet e larta për letërsi në Bullgari. Me përfundimin e tyre u caktua mësues në Gjimnazin e Tiranës, ndërsa në vitin 1957 u emërua pedagog i  letërsisë shqipe në Universitet. Ndërroi jetë papritur në Tiranë në moshën 47 vjeçare më 16 shtator 1970. Vëllimin  e parë poetik e botoi në vitin 1951 “Këngë për jetën”, për të vazhduar me “Pranverë” 1955, “Këngë për dashurinë” 1957, “Në udhët e jetës” 1960,  dhe “Në gjurmët e viteve” 1964. Poezitë këtij cikli i sjellim sipas origjinalit në gegnisht, siç janë në botimin “Mark Gurakuqi – Vepra letrare 1”.

Kritiku Adriatik Kallulli për Mark Gurakuqin ka shkruar:

“Pedagog i talentuar i letersisë shqipe, studiues dhe poet, një nga penat më aktive në shtypin letrar në vitet 50 – 60 ”

Kolec P. Traboini

5 shtator 2017

_____________

MARK GURAKUQI

FLETORET E ZVERDHAME

Oh, kto fletore t’mia të zverdhame!

Sa vite e pluhun përmbi to randojnë!

Po der të vijë çasti im i mbramë

Për mue relike t’ shenjta do qëndrojnë.

Aty prap ndiej çdo rrahje t’ zemrës sime,

stampue aty jan’ gjurmët lan’ nga vitet,

aty më buzëqeshin andërrimet

dhe afshi i një jete që s’ venitet.

Aty asht gdhend’ çdo hap i imi në jetë,

çdo trill a udhëkryq apo ngurrim,

një faqe me qortim sikur më flet

e tjetra sikur m’ ndjell për fluturim!

NË GJURMËT E FËMINISË…

…E ditët shkasin kshtu pa u kujtue

e vitet lanë gjurmë n’ ftyrat tona…

Ndër fusha ma nuk shkojmë me vrapue

as dhe kodrinash me lëshue balona.

N’ rrugica pa krye ma s’ lozim “kukë”,
pemët e fqiut ma nuk i trazojmë,

beteja legjendare s’ bajm’ në rrugë,

me shpata druni në betej’ s’ vrapojmë…

Kjo burrave të pjekun s’ u ka hije,

veçse sa herë udhëve kalojmë

do donim të baritnim mbas fëmijëve

e rishtas me ta lodrat ti fillojnë!

LIMAN E DET N’ FURTUNË JE PËR MUE

Ti m’ pyet në t’ kam për zemër!…Fort të due:

jo veç për dehje t’netëve pa gjumë,

jo veç për gazin, që më ke dhurue,

por dhe për shqetësimet valëshumë;

liman e det n’ furtunë je për mue…

KANGË

Agim. Në qiell u shue i fundmi hy.

Rrjedh drita e kthjellët porsi uj’ burimi.

Zgjohet natyra krejt gazmend. Për ty

m’ bahet n’ kët çast më flet gjith’ rruzullimi.

PRANVERË NË TIRANË

Trokitje pranverore në Tiranë.

S’ka yj e hanë  –

vetëm shi ciklon,

por udhën

nëpër bulevard të gjanë

ma ndrisin sonte

llambat me neon.

Si një pasqyrë e madhe

e pamatë,

nga shiu që ra tash udha po shkëlqen,

unë eci nëpër natë

dhe ndjej pranverën

joshëse

si vjen!

ZJARR

Dimni erdh e toka ngriu,

kudo akull e acar,

por s’më than dot mue veriu

se ti zemrën më ndez zjarr.

SHTEGTARË…

Ne erdhëm si shtegtarë të etuem

dy udhëve të ndryshme dhe u gjetëm,

si ujnat e dy gurrave u bashkuem

edhe në një u tretëm.

Ne u takuem me u nda në prag të vjeshtës.

Pa lot. Pa psherëtima. Pa rënkime.

Më the ti “lamtumirë” e buzëqeshe:

Mir’se të vijn’thëllimet!

POETËT

Jo, s’jan’ poetët porsi djem të qetë

që vargjet si n’ gjergjef  i qëndisin;

nuk jan’ si engjëj paqësor’ me fletë,

që kantilena njerëzve u nanurisin.

Poetët jan’ si shenat e zemruem,

si ato mbi armik lëshohen me buçim,

jan’ si ushtarë për betej’ rreshtuem,

si tehe shpatash t’ etshme për shpagim.

Dhe n’ se din’ t’ kapin tingujt ma mahnitës

e t’ përmallohen n’ një agim me vesë,

nse himne din’t’i thurin dritës,

për jetën e për dritën din’ dhe t’ vdesin.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gjithmone, Kolec Traboini, Mark Gurakuqi, ne fluturim

Prej fjalës te fjala

December 3, 2017 by dgreca

4anton-cefa

– ese -nga Anton Cefa /

“Fjala ka aq nji fuqi në vedvedi, sa mos me e ndalë as giatsija e kohës, as gjansija e hapësinës, e si mundet me e permbledhë të gjith kohën në nji ças e hapësinën në nji pikë, kshtu ajo deperton qiellen, i vjen rrotull e okolle rruzullimit, edhe na parashtron bukuri e madhni të reja, rysë e then kryeneqsit e rrashtave ma të forta të njerzvet.”-At Gjergj Fishta/

2 at Fishta“Fjala e harmonizuar mund të pasqyrojë format e shpirtit . . . ashtu edhe fytyrën e madhërishme të botës, e cila u jep jetë atyre.”- De Rada/

U1_Jeronim-De-RadaHyji e krijoi botën me fjalën e Tij. Ai tha dhe u bë. Për Hyjin, fjala është krijim. Krijim i çdo gjëje. Për njerëzimin, fjala është zbulim përmes emërtimit. Fjala, si emërtim i sendeve e dukurive, është veprimi i parë krijues artistik i njeriut, nëpërmjet të të cilit u shpikën format verbale dhe u përsosën në kalim të kohëve. Dhjetëra-mija vjet më parë, të parët tanë, banorët e shpellave, në dramën e përditshme të gjuetisë, u mësuan të veshnin mendimet e tyre me fjalë.

Me krijimin e fjalës, në procesin e komunikimit lindi gjuha, një nga realizimet më të mëdha të njerëzimit. Pa aftësinë e të folurit, përdorimit të gjuhës, nuk mund të jetësohej qytetërimi njerëzor. Nëpërmjet gjuhës si sistem i hapur e krijues, jashtëzakonisht eptimore (fleksibël), realizohet komunikimi i ideve dhe koncepteve abstrakte si dhe tejbartja (transmetimi) e tyre nga një brezni në tjetrën.

Nga fjala si kumt u kalua në fjalën si kuptim alternativ, të ndryshëm, dhe u krijua fjala poetike dhe, me anën e saj, teksti letrar që mishëron shumëkuptimësinë, çka është në natyrën e veprës letrare. Përpjekja për të njohur të bukurën dhe vlerat e tjera estetike të gjërave e dukurive dhe, në rastin tonë, tek letërsia artistike, të çon drejt mjetit me të cilin shfaqet ajo, tek fjala poetike. Në veprën letrare, është fjala që end fillin e së bukurës në shtratin e tekstit gjuhësor, deri në sublimitetin e saj. A nuk është dukuria e së bukurës, “forma” më e lartë, më e fisme, më e kulluar e shpirtit të njeriut? Prandaj, letërsia artistike është në krye të arteve dhe në gjirin e saj, poezia që zë kryet e vendit.

Poeti, tregimtari, e shprehin atë, fjalën, që është gjithnjë një kumt që bart një vlerë estetike, duke na përcjellë një mesazh, d. m. th. një vlerë humane. Detyra e kritikës është pikërisht ta zbulojë atë, vlerën estetike, që përmban fjala e endur në një strukturë tekstore.

Për t’u pohuar është edhe pafuqishmëria e fjalës për të shprehur çdo “dridhje” të shpirtit a për të hedhur dritë edhe në skutat më të errëta të vetëdijes dhe sidomos të nënvetëdijes. Lasgushi, reformatori më i madh i gjuhës poetike shqipe dhe mjeshtër i mbaruar i saj, e ka ndjerë veten “të huaj”, të paaftë për të shprehur çdo gjë:

“O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot,

O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë,

O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot . . .

Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze t’uaj,

Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë,

Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj . . .”

Në dy vargjet e fundit të kësaj poezie, Lasgushi e ka qartësuar më tej këtë situatë, duke iu drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”. Në këto dy vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje, informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë, paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit:

“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar,

O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”.

Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë / fjalët e gjuhës së zjarrtë ? ”

Është detyrë e kritikës letrare t’i hapë “fjalës së palosur” “kindën e një pale”, pra, të zbërthejë shumëkuptimësinë e fjalës. Estetika ka parashtruar dhe  argumentuar në vijimësi rrugë dhe metoda për të analizuar veprën artistike. Kështu kemi, ndër të tjera, interpretime formaliste, ekzistencialiste, marksiste, sociologjike, psikanalitike, strukturaliste, simboliste, semantike, etj. Nuk kemi kurrë një përfundim të saktësuar, por kemi udhë ecjeje përpara plot rrugëza e kthesa me zhvillime nga më të ndryshmet, në më të shumtën e rasteve kontradiktore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Prej fjalës te fjala

Lazër & Jozef Radi: «Të gjallë edhe të vdekur»

November 30, 2017 by dgreca

1 ok Lazer 2 Kopert

Lazër & Jozef Radi: «Të gjallë edhe të vdekur» – tregime dhe novela me sigurinë e markës./

t Shpend Sollaku Noé

nga Shpend Sollaku Noé /

A mund të shkruhet për libra që akoma nuk i ke lexuar? Unë them se mundet, kur autorin e ke njohur që kur ne përdornim majat e penave të ngjyera tek shishkat me tapë, që kur të zotëroje një «stilet» të futur në një copë kallam apo tubth prej bakri ishte akoma një luks për të pakëtit, kur leximi i ndonjë libri «të verdhë» ishte akoma një emocion që mund edhe të të shpinte prapa hekurave.Libri që unë akoma nuk kam lexuar titullohet «Të gjallë edhe të vdekur»  tregime dhe novela nga Lazër & Jozef Radi. Një libër që unë, me siguri, do ta lexoj së shpejti. Për mua kjo ngjarje – leximi i  «Të gjallë edhe të vdekur» – është aq e sigurtë që do ndodhë, ashtu si hyrja e padiskutueshme, me një blerje nga pas, tek njëri prej dyqaneve të Armanit. Pasi nuk kam lënë gjë pa lexuar nga krijimet më të rëndësishme prej këtyre dy autorëve, edhe kur nuk kam shkruar rreth tyre. Edhe kjo dëshmi e re në prozë ka firmë shkrimtarëve prej të cilëve dihet që mundësirat për të të zhgënjyer janë ose zero, ose të papërfillshme.

Titulli i mësipërm i  Lazër & Jozef Radit  është vepra e dytë e përbashket artistike nga atë e bir, 25 vjet pas botimit të librit «Muret e Muzgut» – dëshmira tragjike në vargje të dy talenteve krejtësisht të dallueshëm në mënyrë e përmbajtje, ashtu siç besoj duhet të ndodhë edhe në librin e porsabotuar, në të cilin elementi tragjik është parareklamuar prej Jozef Radit.
E kam menduar shpesh Jozefin këto ditë. Kam shkëmbyer edhe mesazhe me të, ndërsa firmoste autografe në panairin e fundit të librit në Tiranë. Në dialogët tanë, edhe pse të pashprehur në batutat e tij, arrita të nuhas sidoqoftë diçka: mungesën pothuaj totale të atyre që «Të gjallë edhe të vdekur» e kishin mbytyr me «Like» në faqen e tij të FB-ut. Edhe pse banonin në Tiranë apo diku afër, edhe pse e dinin mirë se në cilin kënd të panairit Jozefi ishte vënë i gatshëm për tʼua firmosuar ato kopje të bekuara të librit akoma me bojë të freskët.

Ai nuk i kish kushtuar edhe aq rëndësi këtij fakti. Edhe për mua, sikundër edhe për shumë të tjerë, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e pranishme armata e madhe e hiçbërësve, e hiçlexuesve, e hiçtrupërdoruesve, por që kanë  aftësinë e lindur të zotërimit të hosanave në forma nga më të pabesueshmet. Autorët e shkretë i besojnë deri në një farë mase lëvdimeve. Qoftë poetët, qoftë artistët, kanë nevojë të domosdoshme që të jenë të përkëdhelur. Pa përkëdheljen ata, sidoqoftë, mund të mbijetojnë. Mungesa e saj ndonjëherë mund të bëjë edhe efektin e kundërt: tʼi shpjerë drejt përkryerjes.

Veçse apo sidomos ai pa të cilin shkrimtarët praktikisht vdesin është leximi i librave të tyre. Ata kanë nevojë jetike që të jenë të lexuar. Ndryshe do tʼu duhet të pranojnë me dhimbje se të gjithë ata që duket sikur u shkojnë pas nuk janë veçse ca vegime të çastit, që kurrë nuk kanë për të marrë një formë reale, prej mishi e kockash.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: “Të gjallë, edhe të vdekur», Shpend Sollaku Noe'/Lazër & Jozef Radi:

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 311
  • 312
  • 313
  • 314
  • 315
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT