• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GËZIM NIKA–35 VJETË KËNGË DHE VEPRIMTARI KOMBËTARE

November 29, 2017 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Njoftohet se me 1 dhjetor 2017, komuniteti shqiptaro-amerikan do të festojë 35-vjetorin e veprimtarisë muzikore të artistit dhe të legjendës së këngëve me motive patriotike, Gëzim Nika.

1 gezimGëzim Nika njihet mirë në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në diasporë, pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku për më shumë se 20-vjet tani jeton me familjen e tij.  Veprimtaria e tij, sidomos në lëmin e dendur muzikor, por edhe në veprimtarinë e tij patriotike është e njohur mirë tanimë anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporën shqiptare, jo vetëm në Amerikë dhe Evropë, por kudo që gjënden shqiptarët, përfshirë edhe Australinë e largët.  Këngëtari i njohur i folklorit shqiptar Gëzim Nika njihet për repertorin e tij të pasur me krijimtari të larmishme dhe si i tillë është ndër të pakët këngëtarë në diasporë dhe në trojet shqiptare që e mban gjallë këtë traditë duke ia përcjellur këtë lloj muzike edhe brezit të ri të shqiptarëve.  Vitin që kaloi, për veprimtarinë e tij artistike, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani dekoroi këngëtarin Gëzim Nika me titullin e merituar, “Mjeshtër i Madh”.1 Gezim

 

 

 

 

Me rastin fatbardhë të 35-vjetorit të daljes në skenë për të, familjen e tij dhe për shqiptarët kudo, disa bashkatdhetarë po organizojnë në fund të kësaj jave një darkë madhështore në nder të këngëtarit të njohur dhe tashmë legjendës së muzikës popullore shqiptare, i cili është gjithnjë aktiv dhe në këtë fushë dhe tepër i preferuar nga shqiptarët kudo për festat, dasmat dhe për ngjarje të ndryshme familjare, si ditëlindje dhe përvjetorë.  Pritet që në këtë solemnitet të marrin pjesë një numër i madh bashktadhetarësh nga Nju Jorku dhe nga shtetet për rreth.  Të ftuar të posaçëm në këtë darkë do të jenë një numër këngëtaresh dhe këngëtarësh si dhe artistë të njohur shqiptarë, për të nderuar veprimtarinë 35-vjeçare të kolegut të tyre të respektuar, Gëzim Nikës.

Pritet që darka të kalojë në një atmosferë përzemërsije të sinqertë dhe vëllazërore dhe si e tillë të jetë një dëshmi e nxehtë, nderim dhe falënderim për veprimtarinë muzikore dhe patriotike prej tre dekada e gjysëm të Gëzim Nikës, nga pjesëmarrësit dhe kolegët e tij artistë që do të jenë pranë tij atë mbrëmje për të festuar me ‘të, këtë jubile të shënuar për të personalisht dhe për kulturën dhe muzikën shqiptare në përgjithësi, këtë ngjarje pra tepër të rëndësishme në jetën artistike të Gëzim Nikës dhe për të gjithë admiruesit e tij sot dhe gjatë dekadave të kaluara.  Ndër pjesëmarrësit muzikantë, kolegë e kolege në këtë ngjarje me rëndësi jo vetëm për këngëtarin e njohur popullor do të jetë edhe këngëtarja e njohur Albërije Hadërgjonaj e cila ndanë me miqtë e saj në instagram njoftimin për këtë jubile dhe urimin e saj për Gëzimin – që shumë shqiptarë ndjejnë për këngëtarin e njohur dhe yllin e muzikës popullore shqiptare – dhe jo vetëm në këtë jubile, duke iu drejtuar atij me këtë mesazh: “1 Dhjetori është një festë për ty dhe për gjithë shqiptarët. Miq e mikesha, ju njoftoj se me 1 Dhjetor, Gëzim Nika feston 35-vjetorin e daljes në skenë! Unë dua të uroj paraprakisht për sukseset ndër vite me këngë që sot e përgjithmonë janë gur i rëndë në artin shqiptar. @gezimnika, ti për mua dhe familjen time je mik, vëlla që të duam fort! Këndofsh për shumë e shumë vite o Legjendë”, përfundon urimin e saj, Albërije Hadërgjonaj.

Në këngët e tija, Gëzim Nika shpreh dashuri dhe mall për kombin e vet, për shqiptarët në trojet e tyre dhe kudo janë të përhapur anë e mbanë botës.  Shpresoj se darka që komuniteti shqiptaro-amerikan po organizon me1dhjetor në nder të tij dhe të punës së tij prej 35-vitesh në skenë, të jetë sado pak një njohje e vogël, në shënjë falënderimi nga publiku — të pakën nga publiku shqiptaro-amerikan – ndaj rapsodit të shquar të kombit shqiptar, Gëzim Nikës.  Unë personalisht i jam mirënjohës, Gëzimit për këngët e tija që tani i dëgjoj rregullisht, por që dikur i dëgjonim me shumë vështirsi pasi i transmetonte radio Tirana me valë të shkurtëra në emisionin për bashkatdhetarët jashtë atdheut, këngë siç është, “Në Dardani bien tupanat” – por këngë të cilat më lehtësonin deri diku mallin për çdo gjë shqiptare, në atë kohë.  Prandaj, edhe unë bashkohem me Albërie Hadërgjonajn dhe me qindra mijëra bashktadhetarë, në Shtetet e Bashkuara, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në mbarë botën, që ndërsa Gëzim Nika kremton 35-vjetorin e tij në skenë – bashkohemi për t’i uruar atij suksese edhe në të ardhmen, në paqë e liri për shqiptarët kudo qofshin dhe në të mirën dhe përparimin e kulturës shqiptare kudo, megjithë bukurinë dhe shpirtin e saj arbëror që e dallon nga kombet e tjera.

Thashë më lartë se veprimtaria e tij artistike prej 35-vitesh, përveçse shquhet në fushën e muzikës, ajo veprimtari dallohet edhe si vepër patriotike, pasi këngët e Gëzim Nikës, siç është kënga, “Shqipëri oj Nëna ime”, përshkohen nga malli i mërgimtarit për Atdheun si edhe nga fryma e patriotizmit, ato shprehin dashurinë për popullin shqiptar si dhe besnikërinë ndaj interesave dhe vlerave të kombit, për bashkimin dhe lirinë e tij.  Gëzim Nika është dhe do të mbetet për gjithmonë, një “Gur i rëndë në artin shqiptar”.  I dashtun Gëzim, në këtë 35-vjetor të paraqitjes tënde në skenë, në mes të dollive dhe breshërisë së urimeve, mundem vetëm me të dërgue përshëndetjen që e përdornin malet tona, pasi lahutari mbaronte këngën: Sot e gjithmonë ty të lumtë goja e të këndoftë zemra dhe kënga jote u ndëgjoftë për gjithmonë: “Në Prishtinë e në Tiranë, dorë për dorë si vëllau me vëllanë”, dhe jo vetëm në Prishtinë e në Tiranë, por kudo jetojnë shqiptarët. Urimet e mia më të përzemërta në këtë përvjetor të shënuar suksesi e arritjesh…..
Unë e dua Shqipërinë
Këndon: Gezim Nika
Unë e dua Shqipërinë
Me gegninë, me toskninë
Per atë sofër bardh si borë
Ku rrinë bashk lab e malësor

Unë e dua Shqiperinë
Me Kosovën, Çamërinë
Per Ulqin e Gostivar
Dhe për lotin mërgimtar

Unë e dua tokën nan’
O bukës, bukë e ku i kanë thanë
O gjakut, gjak
O zanës, zanë
Se jam shqiptar-o
Tjetër s’kam dasht-e
Vec zemrat tona-a
Të rrahin bashkë

Unë e dua Shqipërinë
Per një vajzë gjeraqinë
Për tim bir që po lodron
Për manarin që blegron

Unë e dua Shqipërinë
Për rininë e mençurinë
Dhe për djepat me stoli
Dhe për varret me lavdi

 

Në Dardani Bien Tupanat

Këndon Gëzim Nika

Ç’janë kto gur’ t’bardh e t’zi
Dikush krushqit na i ka ngri
Na i ka ngri, o i ka bo gur
O krushqit tonë o me flamur

N’Dardani bjen nji tupan
Krushqit vijnë me kapuç t’bardh
Cili je krushku i parë që prinë?
O është Flamuri Kuq e Zi

Cili je krushku i dytë në radhë?
Skënderbeu me shpatën zjarr
Krushku i tretë o është Naimi
O Mic Sokoli thërret kushtrimin

Nji mijë vjet ecën këta krushq-e
Si e ka emnin kjo nuse?
Liri emnin o k’saj ia thonë
O lind e rrit në gjakun tonë

Nusja jonë o kurrë nuk vritet
N’çdo pikë gjaku ajo rritet
Ku e derdh Shqiptari gjakun
O n’at Liria ngre Bajrakun!

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, GËZIM NIKA–35 VJETË KËNGË DHE, VEPRIMTARI KOMBËTARE

Kronikë e një dite të shënuar-Nentor 1991

November 27, 2017 by dgreca

Ne kuadër të 26 vjetorit/

1 Reshat K          NGA RESHAT KRIPA/

Nëntor 1991.Po afronte dita e shenjtë e flamurit. Kjo ditë nuk ishte si ditët e tjera. Kudo në zemrat e njerëzve sundonte një shqetësim i madh. Kudo ndiheshin diskutime se cili flamur duhej të ngrihej, ai me yllin e komunizmit që sundoi vendin për gjysmë shekulli, apo flamuri pa yll i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit?

Kudo bëheshin diskutime te zjarrta. Një pjesë e vogël fanatikësh mbronin tezën e flamurit me yll, ndërsa pjesa tjetër të kundërtën. Miti i komunizmit kishte filluar të shembej, por komunistat ishin akoma në pushtet. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj forme për ta mbajtur atë. Këtë e kishin treguar më 2 Prill në Shkodër.

A do ta pranonte Vlora e flamurit turpin që në shtizë të ngrihej flamuri i urryer i tradhëtisë      së madhe? Këtë shqetësim e ndjente pothuajse i gjithë populli i Vlorës, por më shumë e ndjenin ata që i provuan mbi trupat e tyre gjëmbat vdekje prurës të këtij ylli, të përndjekurit politikë.

Shoqata e të Dënuarve Politikë të Vlorës iu drejtua partive dhe shoqatave opozitare për veprim të përbashkët. Përfaqësuesit e saj, së bashku me ata të partive Demokratike, Republikane, Social-Demokrate, shoqatës ‘’Çamëria’’, dhe Sindikatave të Pavarura, i drejtuan një peticion Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit. Në atë peticion me një ton ultimativ, kërkohej ngritja e flamurit pa yll. Duke patur shumicën në këtë komitet komunistët refuzuan. Të njejtin mendim shprehu edhe Partia Socialiste.

27 Nëntor, prologu i ndeshjes së madhe. Në shtizën e flamurit, me urdhër të Kryetarit, vendoset flamuri me yll. Por llogaritë ishin bërë gabim. I riu Xhemal Mustafaraj nga Vlora, së bashku me Fadil Ndreun nga Dibra, të dy të përndjekur politikë,  hipin në shtizën e flamurit, grisin yllin nga flamuri kombëtar, e djegin atë në mënyrë demostrative dhe ngrenë lart flamurin pa njollën e turpit. Një turmë e madhe i shoqëronte me brohoritje. Në mbrëmje vonë komiteti ekzekutiv dhe kryetari i tij detyrohen të pranojnë ngritjen e flamurit pa yll

28 Nëntor. Qyteti u gdhi i mbushur me flamurë pa yje të vendosur gjatë natës nëpër pikat dominuese të tij. Në sheshin historik fillojnë të grumbullohen njerëzit duke mbajtur në duar flamurë të vegjël pa yll, të përgatitur që më parë.

Ora 10.00. Kryetari dhe personat që e shoqërojnë drejtohen për në shtizën e flamurit. Por papritmas një grup i madh u ndërpret rrugën. Janë ish të dënuar politikë. Një pjese prej tyre diktatura u rrëmbeu njerëzit më të dashur. T

ë tjerët i bëri të vuajnë duke i syrgjynosur në burgjet dhe kampet e tmerrshme. Bashkë me ta edhe demokratë të tjerë që u ngritën kundër kësaj diktature. Aty, në këmbët e shtizës së flamurit, zhvillohet dialogu i mëposhtem:

– Zoti Kryetar! Në emër të të përndjekurve politikë dhe këtij populli që është mbledhur këtu, ju nuk do ta ngrini flamurin.

– Kush do ta ngrejë atëhere?

– Atë do ta ngrenë duart e atyre që nuk janë njollosur me gjakun e këtij populli.

Kryetari shtriu perpara duart e tij dhe pyeti:

– Po duart e mia a janë të përgjakura? Unë nuk kam vrarë njeri.

– Edhe nëqoftëse nuk keni vrarë, i keni shërbyer asaj partie që vrau një komb të tërë. Ndaj duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit.! Ky flamur është i yni.

Kryetari u detyrua të tërhiqej.

Ndërkaq ndërsa qendra e zërit trasmetonte Hymnin e Flamurit, duart e njoma dhe të pastra të Altin Kokoshit, nipit të Qazim Kokoshit, firmëtarit të aktit të pavarësise më 1912, udhëheqësit të luftës së Vlorës më 1920, armikut të komunizmit që dha jetën në burgun e Vlorës më 1946, ngritën lart flamurin kombëtar.

Vini Veshin! Një gjë e tillë ndodhte në kohën kur Kuvendi i Shqipërisë nuk e kishte vendosur ende heqjen e yllit te kuq nga flamuri

Sheshi filloi të buçiste nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Kudo ndiheshin përqafime, urime dhe këngë patriotike. Kurora me lule të bukura mbulojnë varrin e Plakut të Vlorës. Pastaj jashtë çdo zyrtarizmi, në podiumin para monumentit të pavarësisë hipin ata që për 50 vjet e kishin të ndaluar edhe të flisnin apo mendonin ndryshe. Ata nuk i caktoi njeri për të dalë aty. Dolën me dëshirën e tyre për të shprehur atë që mendonin prej vitesh. Midis tyre edhe një grup me të përndjekur politikë të rrethit të Beratit të ardhur posaçërisht për këtë qellim. Së fundi një vizitë e përbashkët në Muzeun e Pavarësisë.

Në antitezë me këto, telekronisti i televizionit shqiptar nuk denjoi të xhironte këto skena të papërsëritshme. Historia këtë nuk do t’ia falë.

 

 

                                   Në ditën e flamurit 28 nëntor 1991

Filed Under: ESSE Tagged With: Kronike e nej dite, Nentor 1991, reshat kripa

PO MOS T’ ISHTE NJI’ KY BURRË, KURR N’ SHQIPNI S’ U NGRIT FLAMUR !

November 26, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 1 ok Luigj Gurakuqi LUIGJ  GURAKUQI (Foto MARUBI) (12 SHKURT 1879 – 2 MARS 1925)/

105 VJETORI I NGRITJES SË FLAMURIT NË VLONË…/

■ATDHETARI LUIGJ GURAKUQI TREGON:/

“Kam pas nderin me qenë afritë prej Plakut të nderuem Jeronim de Rada . Tue u gjetë përpara t’amblit kangtar të Milosaut, të Skanderbeut Pafanë, tue ndie qortimet e këshillat e tija, tue ndigjue zanin e tij të fikët, qi bahej ma i plotë.., e tue pa syt e tij të mekun kah ndezeshin e shkëlqeshin, tue përmendë Shqipninë, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë qi punoi sa e sa kohë për Atdhe…!”

■AT JUSTIN RROTA THOTË PER LUIGJ GURAKUQIN:

«Gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthelltë se çdo shqyptár.»

■AT GJERGJ FISHTA NË 1920 SHKRUEN PER GURAKUQIN:

“… Të tham të verteten se m’âsht dashtë t’skuqesha për inferioritetin t’em. Âsht e kotë të gënjehemi. N’se përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të përshtatshme, ka nji atdhetari të shëndoshtë dhe nji njohuni të gjânë për njerëzit dhe për sendet e Shqypnisë, asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të saj së maparshmes, kjoftë të së tashmes, nuk mund të thotë se e paraqet dejsisht Shqypninë e të mbrojë si duhet interesat e saj.“

■RADOMIR NACHTINGALL E ÇMONTE ME KËTO FJALË GURAKUQIN:

“Ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë.” 

■AT ANTON HARAPI E PYET NË DHJETOR TË 1924 GURAKUQIN:

“Si me falimentue kështu, Luigj? Si me dalë me hikë ju tash prej Shqipnie?

Kishte vdekë në kambë burri i dheut, me e pasë pré, gjak s’kishte qitë. U kuq, ju muer goja, shtërngoi buzët e i dha vehtes:

– Padër Anton na skredituen (diskredituen) tepër keqas, na kanë deklarue komunista n’opinionin publik t’Europës. Për Zoten, nuk due t’iku, por po ndeja unë këtu, e dij se derdhet gjak e derdhet kot. Të kishe pse, nuk po shikojshe fort për gjak qi derdhet, se ma për vedi jo se jo, por po m’vjen si trathtí ta marr në qafë popullin e shkretë”.

■“Burrit vërtetë burrë, Luigj Gurakuqit, i cili me kulturën e neltë shpirtnore, mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, tue mbetë përherë shembull shqiptari me kulturë, simbol i bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni”, – dedikimi i veprës “Andrra e Prêtashit” kushtue Luigj Gurakuqit nga Padër Anton Harapi.” 

15 PRILL 1997:  TEK URA E LUMIT LANA NË TIRANË..

■MË TREGOI SKULPTORI KRISTAQ RAMA:

“..Nuk di sesi mu dha me e pyet  Profesor Kristaqin: “Profesor, pse në Monumentin e Pavarësisë në Sheshin e Flamurit në Vlonë, që u vendos me rastin e 60 vjetorit në vitin 1972, mungon figura e Luigj Gurakuqit ?” Ai më dha këte përgjegje: “Jé i pari njeri që më pyet për këte çeshtje dhe unë po të pëgjigjem ashtu si është qenë e verteta. Mbasi e kishim perfunduar punën në baltë dhe do të bëhëj derdhja në bronx, njoftuam Komitetin Qendror të P.P.SH, për të derguar personat që do t’a aprovonin dhe pastaj, përfundonte çdo gjë. Në ditën e caktuar erdhi shoku Ramiz Alia bashkë me disa shokë të tjerë. Mbetën të kënaqur! Na përgëzuan dhe si gjithnjë shprehën mirënjohjen e Partisë për vepren tonë.

Kur erdhi momenti i ndarjes, as unë nuk e di sesi u shkëput nga turma shoku Ramiz, dhe si në veçanti duke më terhequr nga krahu, mu afrua miqësisht dhe më tha në vesh: – Kristaq, ju shikojeni edhe vetë me shokët këte që po të them, por Luigj Gurakuqi nuk është mirë për të qenë në një veper kaq madhështore, mbasi ai ka qenë njeriu më i dashur dhe i besuar i Klerit Katolik!

Posa ikën ata, unë ia tregova biseden Odhise Paskalit që ndodhej aty dhe dy shokëve të mijë me të cilët punoja veprën, Shaban Hadërit dhe Muntaz Dhramit. Të nesërmën në mengjez i futem spatolat dhe mu në vendin bosh që është edhe sot, pranë Ismail Qemalit, ka qenë Luigj Gurakuqi. Motivi i dhenë nga Ramizi për Luigjin në lidhje me Klerin Katolik, nuk na lejonte asnjë hapsirë për diskutim. Po më vjen mirë që pata rastin për t’ ia treguar një shkodrani këte mëllef të Ramizit, për një figurë aq të madhe dhe të pastër Kombëtare, siç ka qenë Luigj Gurakuqi! Kështu, ajo vepër mbet e gjymtuar!…”

■Qeveria e Tiranës dhe Akademia e Shkencave, vazhdojnë zbatimin e porosive të lanuna nga diktatorët komunistë, të cilët, po e sundojnë edhe per së vdekuni Popullin Shqiptar !

Melbourne, 26 Nandor 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Dritz Radovani, Flamuri ne Vlore, Luigj Gurakuqi

Një tufë me lule për kujtim

November 24, 2017 by dgreca

EPITAFI/

1-Reshat-Kripa-300x150

NGA RESHAT KRIPA/E kisha bërë zakon që çdo vit në datën e përvjetorit të vdekjes së prindërve të mi, të shkoja në varreza dhe të vendosja një tufë me lule mbi varroshin e tyre. Ulesha pranë tyre, vështroja fotografinë e stamposur në porcelan dhe filloja bisedën me ta. U tregoja për gjithçka kishte ndodhur në familjen tonë. Ndonjë herë kur kisha vështirësi u kërkoja edhe mendim dhe më dukej sikur ata më përgjigjeshin dhe unë e ndjeja veten të lehtësuar.

Aty pranë tyre ndodhej edhe një varr tjetër. Ishte një varr i thjeshtë fare, vetëm me bordurat anësore që i vendoste ndërmarrja komunale dhe një pllakë në krye ku ishin shkruar emrat e atyre që preheshin aty. Ishte varri i mikut tim Agronit. Ai prehej aty së bashku me familjen e tij tragjike. Si mbaroja vizitën te prindërit e mi, kthehesha edhe nga miku im, për të vendosur edhe atje një tufë me lule për kujtim. Ishin lulet e vetme që vendoseshin mbi atë varr.

Kështu veprova edhe atë ditë marsi të vitit 1993, në ditën e njëzetvjetorit të vdekjes së tim eti. Bleva dy buqeta me lule dhe shkova të bëja ritin e zakonshëm. Në fillim u gjunjëzova në varrin e prindërve. Vendosa tufën e luleve dhe vazhdova bisedën si zakonisht. Pastaj u ngrita dhe u drejtova nga varri i mikut tim.

U habita pa masë kur pashë se në vend të varrit të thjeshtë që kisha lënë para një viti, tani ngrihej një varrosh madhështor. Në pllaken e mermertë të tij lexohej:

AGRON         CANAJ           1930 – 1987

LUMTURI     CANAJ           1932 – 1974

IRIDA            CANAJ           1959  – 1974

Në mes të pllakës, mbi emrat e tyre ishte vendosur një fotografi e bukur porcelani e të gjithë familjes, ndërsa poshtë tyre ishte shkruar epitafi i mëposhtëm:

‘’ NË   JETË   NUK   PATËT   GËZIM,

NJERËZIT  JU  KISHIN   HARRUAR,

POR      ZOTI     ME     PËRDËLLIM,

JU    DHA   LIRINË   E    AMËSHUAR! ‘

U habita kur pashë një varrosh të tillë. U ula me respekt pranë tij, vendosa buqetën e luleve dhe vështroja fotografinë dhe epitafin e shkruar. Atë fotografi e kisha parë në albumin e Agronit. Kishin dalë një vit para se t’i vdiste e shoqja. Ishte fotografia e tyre e fundit.

– Ky varr ka shumë dhimbje! – u dëgjua një zë prapa meje. U ktheva dhe pashë specialistin që merrej me ndërtimin e varrosheve.

– Kush e ka porositur këtë? – e pyeta.

– E porositi i vëllaj që banon në Tiranë. Ka ardhur disa herë qe ta vizitojë. Ato lulet që kanë filluar të vyshken ai i ka sjellë.

Veshtroja epitafin e shkruar aty dhe para syve me dilte ngjarja e hidhur që kishte ndodhur para njëzet vjetësh. Ishte një ngjarje e dhimbëshme nga ato që nuk mund të harrohen kollaj dhe që rasti e kishte bërë qe unë të bëhesha dëshmitari i vetëm i saj.

*     *

Isha në zyrat e sektorit së bashku me mikun tim Astritin, që ishte teknik i sektorit, kur trokiti porta.

– Hyni! – foli Astriti.

Në dhomë hyri një burrë rreth të pesëdhjetave, me trup mesatar, sytë bojë qielli të mëdhenj, ballin të gjërë dhe flokët bjond që kishin filluar të zbardheshin. Kishte veshur një palë pantallona doku ngjyrë gri dhe një këmishe bojë qielli me vija të bardha. Vështroi nga ana e jonë si me frikë, pastaj u afrua dhe pyeti:

– Këto janë zyrat e sektorit te investimeve?

– Po. – u pergjigj shkurt Astriti.

– Më   kanë   dërguar   të   punojë   në   sektorin   tuaj. –  vazhdoi  ai  duke  zgjatur   një

letër qe ia kishte dhënë shefi i kuadrit. Astriti mori letrën dhe mbasi e lexoi i tha:

– Çfarë profesioni keni?

Burri u mendua pak si i zënë ngushtë pastaj u përgjigj:

– Punëtor, megjithse kam punuar në shumë profesione, por nuk kam asnjë kategori

– Ku keni punuar? – e pyeti përsëri Astriti.

Burri  heshti sikur donte të mendohej në se duhej ta thoshte atë fjale apo jo. Më në fund foli me një gjysmë zëri:

– Kam një muaj që  jam liruar nga burgu. Kam punuar nëpër kampe të ndryshme.

Unë dhe Astriti pamë njëri-tjetrin në sy.

– Përse keni qënë të dënuar?

– Agjitacion dhe propagandë

Një heshtje pasoi fjalët e tij Pastaj për të ndërruar temën e bisedimeve Astriti e pyeti:

– Çfarë njerëz keni në familje?

– Vetëm nënën time plakë.

– Nuk jeni i martuar?

– Kam qënë dikur. Kam patur edhe fëmijë.

Unë dhe Astriti menduam se do e kishte ndarë e shoqja kur ai ishte në burg. Por ai vazhdoi:

– Tani ato ndodhen në qiell.

– Më falni! – i tha Astriti dhe vazhdoi – Si ju quajnë? – Por aty për aty u kujtua për letrën e shefit të kuadrit. E mori atë dhe pasi hapi librin e personelit shënoi:

‘’ Agron Bexhet Canaj, punëtor kategoria e parë, datëlindja 15 mars 1930, banues lagja 24 maj, rruga Transballkanike, pallati 526, nr. 13 Vlorë.’’

– Mirë atëhere, nesër do të filloni nga puna në pallatin që ndërtojmë në hyrje të qytetit – dhe i tregoi vendin ku ndodhej pallati – Në orën 6.30 takohemi atje. Do të njiheni edhe me shokët e tjerë të punës.

– Faleminderit! – u përgjigj burri dhe pasi na përshëndoshi u largua duke mbyllur pas vetes portën e zyrës.

Mbetëm për një farë kohe pa folur. Prania e këtij personi na kishte habitur. Nuk e njihnim. As emrin nuk ia kishim dëgjuar. Por sidoqoftë me atë pak bisedë që bëmë me të mësuam se diçka e dhimbëshme i kishte ndodhur.

– Merreni si ndihmësin tuaj dhe mundohuni të zbuloni ndonjë gjë për personin e tij – tha Astriti.

*

*     *

Të nesërmen e gjetëm duke na pritur.

– Eja të pimë nga një kafe. – foli Astriti.

Ngurroi por këmbëngulja e jonë e detyroi të pranonte. Porositëm tre kafe dhe tre raki  të

cilat i solli kamarjeri.

– Më falni, por unë nuk e pi rakinë! – tha Agroni

Kamarjeri e mori përsëri rakinë e tij. Pinim dhe bënim muhabete të ndryshme. Mundoheshim që të mos bënim biseda që do ta lëndonin. Si mbaruam u ngritëm dhe shkuam te pallati ku ishin mbledhur edhe shokët e tjerë.

– Agron Canaj është një punonjës i ri i sektorit tonë. – tha Astriti – duke filluar që sot do punojë në brigatën tuaj.

– Le të punojë me mua. – thashë unë.

Kështu që atë ditë ai filloi punë si ndihmësi im. Ishte një tip i mbyllur. Fliste fare pak, vetëm kur i drejtoheshe atij të përgjigjej fare shkurt, pastaj humbiste në vetminë e tij.

Në punë ishte shumë i rregullt. Me siguri kjo vinte nga disiplina e hekurt e kampeve ku kishte qënë. Unë mundohesha t’i qëndroja pranë, por vija re se ai më shmangej. Disa herë e kisha ftuar për të shkuar në kinema apo ndeshje futbolli, por shumë rrallë kishte pranuar. Dukesh sikur e kishte humbur kuptimin e jetës. Vrisja mendjen të gjeja shkakun e kësaj gjendje. Mos ishte burgu i gjatë, apo humbja e familjes shkaktari i këtyre gjërave? Këtyre pyetjeve nuk mund t’u jepja përgjigje.

Një ditë ndërsa pinim kafe qëllimisht i tregova për jetën time. I tregova se edhe unë kisha qënë në burg, se kisha vuajtur njësoj si ai, por isha përsëri i gjallë. Isha martuar dhe më kishin lindur edhe fëmijë. I bëra thirrje edhe atij të gjente forca dhe të fillonte një jetë të re

– Jeta ime e re është vetëm varri! – u përgjigj me gjysmë zëri.

Që atë ditë shoqëria e jonë u bë më e dukshme. Dilnim vazhdimisht së bashku dhe bisedonim për gjëra të ndryshme. Shpesh herë i tregoja ngjarje nga jeta e burgut me shpresë se edhe ai do të fillonte të më tregonte të tijat. Por ai vazhdonte të heshte. Megjithatë unë e kisha atë durim që të prisja kur të vinte momenti i volitshëm dhe të më tregonte vetë.

*

*     *

Një ditë takova Besimin, një mikun tim të burgut që mbasi kishte bërë 28 vjet burg, ishte liruar para një viti.  Biseduam gjërë e gjatë për probleme të ndryshme. Së fundi e pyeta edhe për mikun tim të ri

– Nuk di ç’të  them! Kemi qënë bashkë në kampin e Spaçit. Në mos gabohem ai ka ardhur atje rreth vitit 1974.  Ishte një tip i mbyllur, i çuditshëm, pak i shoqërueshem.

Mbasi u mendua pak vazhdoi përsëri:

– Shokët e grupit të tij e kishin abandonuar. E akuzonin se i kishte tradhëtuar në sigurim.

Ky lajm sikur më tronditi. Megjithatë e pyeta:

– Po ti ç’mendim ke për të?

– Gjithmonë e kam parë me një sy dyshimi  një  gjë  të  tillë,   sepse    ai   nuk   kishte  asnjë  shenjë  spiuni  si  ata  që  njohim  ne.  Rrinte vetëm,  nuk provokonte kurrë njeri. Punonte në galeri dhe kur ktheheshim hiqej mënjanë dhe lexonte ndonjë libër. Kur ishte në kamp i vdiq gruaja dhe vajza. Ndoshte ishte ky shkaku që qëndronte i shkëputur nga të tjerët. Ka mbaruar studimet e larta për inxhinier elektrik.

Unë mbeta i habitur. Kisha disa muaj me të dhe nuk ma kishte thënë një gjë të tillë. Besimi ndezi një cigare të cilën e thithi thellë dhe pastaj vazhdoi:

– Me gjithë llafet e hapura, unë i qëndroja pranë. Kisha përshtypjen që ai ruante diçka të rëndë brenda vetes të cilën nuk kishte kurajo t’ja tregonte njeriu. Por jo se ishte spiun. Për këtë u binda më tepër  kur i tregova gjoja për disa shokë të cilët kishin vendosur të arratiseshin, bile i tregova edhe datën e caktuar  prej tyre për këtë qëllim. Këtë e bëra për ta provokuar. Por ai nuk i tregoi njeriu. Asnjerin prej shokëve nuk e gjeti gjë. Së fundi ja thashë dyshimin tim. Ai buzëqeshi dhe më tha:

– Atë opinion e kam peshqesh nga shokët e mi më të ngushtë.

Besimi hodhi poshtë cigaren e ndezur dhe pyeti:

– Kur është liruar?

– Para tre muajve. Ka filluar punë në sektorin tonë.

– Mbaje pranë. Kam përshtypjen se ka nevojë për njerëz të mirë  që ta ndihmojnë të kthehet në jetë.

Atë mbrëmje pothuajse nuk fjeta fare. Mendimet më fluturonin nga një ekstrem në tjetrin. Inxhinier ndërtimi që as  e përmendte fare, sot punëtor i thjeshtë. 10 vjet burg. Shokët e akuzonin për tradhëti. Gruaja dhe vajza të vdekura njëra mbas tjetrës. E pra të gjitha këto e kishin një shkak që unë nuk mund ta gjeja dot me mendjen time.

Të nesërmen ngjarjen ia tregova Astritit  që u habit më tepër se unë. Megjithatë vendosëm të ruajmë shoqërinë me të dhe t’ia lemë kohës qe ta zgjidhë këtë mister.

Mbas disa muajsh Agronit i vdiq e ëma. Lajmërova Astritin, por ai nguroi të vinte se kishte frikë mos e hiqnin nga puna si teknik ndertimi. Besimi erdhi menjëherë. Të dy shkuam për ta varrosur. Në shtëpi gjetëm Agronin, të vëllanë që banonte në Tiranë dhe disa të afërm të tjerë. Gjithsejt jo me shumë se 10 veta. Trupin e së ndjerës e vendosëm në varrin e të shoqit. Pranë tyre ishin dy varre të tjerë. Mbi pllakat e betonit të vendosura në bordurat e tyre ishin shkruar me bojë të zezë emrat e gruas dhe vajzës së Agronit. Ishin vendosur edhe dy fotografi ku kishin dalë të dyja të qeshura si vetë jeta. Vështrova Agronin. Sytë e tij ishin të mbushura me lot. Po qante pa zë duke parë fotografitë e tyre.

E lashë të shfrente mirë e mirë dhe pastaj i futa krahun dhe e tërhoqa duke i thënë:

– Eja të ikim tani.

U larguam nga ai vend i trishtuar.

*

*     *

Ditët rridhnin njëra mbas tjetrës dhe bashkë me të edhe muajt dhe vitet. Kishin kaluar më shumë se tre vjet nga dita kur u njoha me Agronin. Tashmë kishim formuar një shoqëri të vërtetë. Takoheshim çdo ditë. Natyrisht më shumë shkoja unë në shtëpinë e tij, mbasi banonte vetëm atje dhe ishim të lirë për të biseduar për lloj lloj temash  Por më tepër biseda shtrihej mbi letërsinë që e kishte shumë për zemër.  Më  tregoi  se  kur kishte mbaruar shkollën e mesme për në universitet kishte kërkuar për letërsi, por nuk ia kishin dhënë.

Në shtëpi kishte një etazher shumë të pasur që e ema e kishte ruajtur të fshehur gjatë kohës kur ai ishte në burg. Aty gjeje libra në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të tjera, sidomos në anglisht. Aty gjeje që nga ‘’ Prometeu i lidhur ‘’ i Eskilit deri te ‘’ Viti 93 ‘’ i Hugoit, që nga ‘’ Lufta dhe Paqja ‘’ e Tolstoit deri te ‘’ Makbethi ‘’ i Shekspirit, që nga ‘’ David Koperfildi ‘’ i Dikensit deri te ‘’ Tre shokët ‘’ e Remarkut. Aty gjeje edhe letërsi shqipe që nga ‘’ Historia e Skënderbeut ‘’ e Naimit deri te          ‘’ Albumi ‘’ i Nolit, që nga ‘’ Vargjet e Lira ‘’ të Migjenit. deri te ‘’ Per mbrojtjen e atdheut ‘’ të Foqion Postolit, që nga ‘’ Qyteti i fundit  ‘’ i Petro Markos deri te             ‘’ Keshtjella ‘’ e Ismail Kadaresë. Në një kënd të fshehtë të tij gjeje vepra të Niçes, Frojdit, Konicës, Fishtës, Lumo Skëndos. Në atë dhomë gjeje kënaqësinë më të madhe që mund të provoje në ato kohëra.

Ishte një ditë shtatori e vitit 1986. Shkova në shtëpinë e mikut tim pasi kishte tre ditë që nuk kishte ardhur në punë. Kur e pashë m’u duk pak si i ndryshuar.

– Sa mirë bëtë që erdhët ! – më tha – Ju prisja. Kisha nevojë të bisedoja me dikë.

Mori dy shishe birrë dhe i vuri në lavapjatë dhe hapi çesmën që të ftoheshin.

– Përse i nxorre ato? – e pyeta unë – Ti nuk ke pirë asnjëherë.

– Sot ndjej nevojën për të pirë. – u përgjigj dhe nxorri nga dollapi pak djath dhe sallam si dhe vuri dy kokra vezë që të zjenin.

– Pardje isha te mjeku. Kam disa kohë qe ndjej një shtrëngim në stomak. Ai më dha të bëja të gjitha analizat. I bëra dhe sot mora përgjigjen.

– E si të dolen?

– Kancer – u përgjigj i qetë. – Doktori nuk donte të më tregonte, por kur unë këmbëngula duke i thënë se nuk kam njeri, më tregoi të vërtetën. Nesër do të shtrohem në spital në Tiranë në onkologjikun.

Unë mbeta si i shastisur. Lajmi ishte shumë i rëndë. Nuk gjeja fjalë për t’i thënë. Megjithatë e mblodha veten nga hutimi i parë dhe  fola:

– Me siguri kanë gabuar. Bëji analizat përsëri dhe do të shohësh që do të dalin mirë

– Jo, jo nuk janë gabim. Erdhi koha të shkoj te të dashurit e mi.

Vendosi në tavolinë shishet e birrës dhe si mbushi gotat e ngriti njërën dhe më tha:

– Gëzuar!

– Gëzuar dhe një shërim sa më i shpejtë!

– Kemi mbi tre vjet që njihemi. – më tha – Më ke treguar gjithçka për veten tënde, ndërsa unë kam heshtur. Çdo kujtim e kam mbajtur të mbyllur brenda vetes time. Sot dua të flas. Deri më sot kam menduar se ishte më mirë që sekreti të vdiste bashkë me mua. Kurse tani që po e ndjej vdekjen të më afrohet mendoj se duhet t’ia them dikujt. Nuk kam njeri të afërm të familjes. Vëllaj i vetëm largohet nga unë si djalli nga thimjami. Ndaj dua të ta tregojë ty. Ti je miku im më i afërt.

Kisha kohë që e prisja tregimin e tij, por momenti i zgjedhur nuk m’u duk i përshtatshëm.

– E lëmë për ndonjë herë tjetër. – i thashë – Ke për të parë që do të shkosh në Tiranë dhe ata do të  kthejnë përsëri.

Ai u ngrit, u drejtua nga etazheri dhe nxorri prej andej një libër. Ishte libri ‘’ Idetë filozofike të shekullit të njëzetë dhe katër ese për lirinë ‘’ të filozofit Izajah Berlin, botuar në vitin 1969 në gjuhën angleze.

-Shiko se çfarë shkruan Berlini – dhe filloi të lexojë – Dëshira ime si njeri është që jeta e ime dhe vendimet e mia të varen vetëm nga unë. Dëshëroj të urdhërohem vetëm nga vullneti  im dhe i askujt tjetër. Dëshëroj të jem subjekt dhe jo objekt, të udhëhiqem nga arsyeja ime, nga synimet e mia të ndërgjegjëshme. Dëshëroj të jem dikushi dhe jo askushi. Të jem veprues, të marr vendime dhe jo të vendosin të tjerët për mua, të drejtojë vetveten dhe jo të jem nën veprimin e fuqive të jashtme natyrore apo  njerëzore, si të isha send apo kafshë, apo në gjendjen e skllavit që nuk është në gjendje të luajë rolin e tij si qënie njerëzore.

Mbylli librin dhe e vendosi mbi tavolinë.

– Kështu isha dhe unë. Doja të isha dikushi dhe jo askushi. Por ky sistem në të cilin po jetojmë nuk të lejon të bëhesh dikush. Ai kërkon që të gjithë qytetarët të jenë askushi. Kjo gjë ndeshi me karakterin tonë. Ishim tre shokë. Kishim mbaruar universitetin së bashku. Mendonim se ishim intelektualë me personalitetin e tyre. Por shpejt mësuam se këto ishin vetëm iluzione. Ne e ndjenim që para nesh qëndronin dy alternativa, ose të ruanim personalitetin tonë ose të ktheheshim në lakej që gëzonin frutet e servilizmit të tyre. Ne zgjodhëm të parën. Donim të ruanim dinjitetin tonë. Donim ne, ëndërronim për këtë. Ishim në qiell, kurse në tokë gjërat ishin ndryshe. Në tokë ishte e ndaluar edhe të ëndërroje.

Agroni pushoi së foluri, ngriti gotën e birrës, e përplasi me mua  pa  folur  dhe  pastaj

vazhdoi:

-Ishte një natë tetori. Ora po shkonte dymbëdhjetë. Një trokitje e fortë në portë na zgjoi nga gjumi i thellë në të cilin kishim rënë. Nëna u ngrit dhe mbasi pyeti se kush ishte hapi portën. Ishte Ilia, operativi i degës së punëve të brendëshme me një grup policësh. Përmendën emrin tim. Ndërkohë unë isha ngritur dhe dola para tyre.

– Do vish pak me ne – tha ai – Kemi nevojë për disa sqarime.

U vesha dhe dola me ta. Gjatë rrugës nuk folëm fare. Vrisja mendjen përse të më kishin marrë. Kur mbërritëm në degë më hoqën rripin e pantallonave, orën e dorës dhe disa sende të tjera që kisha me vete dhe më mbyllën në një qeli të errët. Nuk e di sa ndenja atje mbasi nga errësira e përjetëshme nuk kuptohej në se ishte ditë apo natë.

Më në fund më thirri Ilia në zyrë. Më kërkoi që të nënshkruaja një deklaratë. E lexova. Ishte një deklaratë bashkëpunimi. Natyrisht që nuk pranova duke i thënë se nuk e ndjeja veten të aftë për atë punë. Atëherë ndërroi taktikë. Filloi të më akuzojë për komplot kundër pushtetit popullor, për agjitacion dhe propagandë. Më përmendi edhe emrat e dy shokëve te mi. Më tregoi edhe disa deklarata të firmosura prej punonjësish të ndërmarrjes, ku sipas tyre unë dhe shokët e mi paskëshim folur kundër partisë dhe qeverisë. I mohova të gjitha në mënyrë kategorike. I thashë se ato janë shpifje të njerëzve pa moral. Atëherë nisën torturat e tmerrshme për të cilat nuk do të flas pasi ti i ke provuar vetë.

Mori përsëri gotën e birrës, piu pak dhe hodhi vështrimin rreth e rrotull si pa vëmendje. E mora me mend se ajo që do të tregonte ishte shumë e dhimbëshme ndaj i thashë:

– E vazhdojmë nesër bisedën?

– Jo, dua ta mbaroj sot. Të thashë që nesër do të shkoj të shtrohem.

Heshti dhe pak, pastaj vazhdoi:

– Kishin  kaluar  më  shumë  se  dy  muaj  nga  dita e arrestimit. Isha fare i  cfilitur,   por

nuk kisha pranuar asgjë. Një natë ndërsa flija në qeli, dëgjova zërin e rojes që më ftonte të ngrihesha. Më shpunë në zyrën e Ilias. Bashkë me të ishte edhe hetues Demiri, një egërsirë tjetër si ai.

– Hë a u mendove? Çfarë do të na thuash?

– Asgjë. Gjthçka që kisha për të thënë ju a thashë.

– A e ke menduar mirë?

– Po.

Demiri bëri nje shenjë nga Ilia. Ai doli jashtë dhe pas pak u kthye duke sjellë pas vetes gruan dhe vajzën time. Një drithtërimë më përshkoi trupin. Ç’kërkonin ato në atë ambjent. Çfarë kishin ndër mend të bënin. Ilia mori prangat dhe më lidhi duart nga prapa dhe pastaj me ndihmën e një litari më lidhi pas kaloriferit të zyrës. Pastaj filloi të më qëllonte me egërsi. Gruaja dhe vajza qanin dhe ulurinin.

Si u lodh me mua, ai u drejtua nga gruaja dhe duke i shkuar duart në gjoksin e saj i tha:

– Gjinj të bukur paske moj bukuroshe! Të shohim në se je kaq e mirë edhe në atë punen tjeter.

Ndërsa Demiri iu drejtua vajzës dhe duke i zbërthyer bluzën i tha:

– Po ti moj vogëlushe, a e ke provuar ndonjëherë?

Ato kundërshtonin me forcë, por ata vazhdonin punën e tyre.

– Lëshojini egërsira! – thirra unë i lidhur në qoshkun tim.

Ata vazhdonin punën e tyre.

— Babi, ndihmona Babi! – thërriste vajza e tmerruar.

– Agron, Agron! – foli gruaja e lemerisur.

Në atë kohë nuk durova dot më. Logjika nuk kishte më forcë.

– Lëshojini! Do të them çfarë të doni ju.

U tërhoqën menjëherë. Gruan dhe vajzën i nxorrën përjashta. Me to iku edhe Ilia. Demiri u ul në tavolinën e tij, nxorri disa fleta letre, mori penën dhe tha:

– Fillojmë!

Dhe unë fillova. Isha bërë një send pa vlerë që manovrohesh nga të tjerët. Me pak fjalë isha bërë askushi. Aty kuptova që rrethanat më detyruan të humbas dinjitetin tim. Të nesërmen arrestuan dhe shokët e mi. Pas disa muajsh dolëm para gjyqit. U dënova me dhjetë vjet burg. Njeri nga shokët e mi u ekzekutua., tjetri me dymbëdhjetë vjet  Prej andej na shpunë në burg. Atje shoku im nuk pranoi as të më fliste me gojë. Për të unë isha një tradhëtar. Ndoshta kishte të drejtë, por ai nuk i dinte kushtet që më detyruan ta bëja një gjë të tillë. Atëherë u mbylla brenda vetes time dhe nuk shoqërohesha më me njeri.

Ngriti gotën e birrës, e përplasi me mua dhe e piu deri në fund.

– Mos ju bezdisa me historinë time? – më tha.

– Jo, – u përgjigja – vazhdoni, po ju dëgjoj me vëmendje.

– Mirë atëhere, po vazhdoj. Tani jemi afër fundit. Pas disa ditësh  na dërguan në kampin e Spaçit. Porsa mbërrita atje i shkruajta familjes se ku ndodhesha . Ditët kalonin dhe askush nuk po vinte të më takonte. As edhe një letër nuk po më vinte. Kështu kaluan rreth gjashtë muaj. Kur një ditë tellalli thirri emrin tim për takim. U nisa me vrap drejt gardhit me tela.  Pas  tij  pashë  vetëm  nënën  time  të  plakur  jashtë  mase.  E  pyeta  për vajzën dhe gruan, por ajo nuk u përgjigj. Këmbëngula përsëri dhe më në fund më tha me një zë te dridhur:

– Mbaje veten more bir! Ato tani ndodhen në qiell.

Një ngërç i madh më pushtoi zemrën. Fillova të qaj si fëmi. Nga ana tjetër e gardhit me gjemba, nëna qante gjithashtu.

— Mos qaj bir! – tha ajo duke fshirë lotët – Më ke mua dhe të dy do t’i bëjmë ballë çdo gjëje.

– Takimi mbaroi . – foli roja që na shoqëronte.

U ndamë duke lotuar. Kisha mbetur fare i vetëm, pa shokë dhe pa familje. Si ishte e mundur të vdisnin të dyja? Mendja më shkoi te nata e sigurimit dhe nuk e di sepse e lidha vdekjen e tyre me atë natë.

Dhimbjen  ma  shtonte  më  shumë  vetmia në të cilën ndodhesha.  Të paktë ishin ata që

erdhën dhe më ngushëlluam. Shokëve të mi nuk u mjaftoi as vdekja e më të dashurve të mi për t’u afruar me mua. Vetëm Besimi dhe nja dy tre shokë të tjerë  m’u ndodhën pranë. Por kjo ishte fare pak për zemrën time të copëtuar.

Pasi kreva dhjetë vjet burg u lirova. Në shtëpi më priste nëna plak.

– Nuk mund të vdisja pa të pritur ty! – më tha.

Nëna më tregoi momentet e fundit të gruas dhe vajzës.

– Atë mëngjes që u kthyen nga sigurimi, ato ishin si të çoroditura. Irida kishte humbur gojën, ndërsa Lumturia më dukej sikur fliste përçart. I pyeta se çfarë kishte ndodhur, por fjalët që thanë as i kuptova fare. Pas disa ditësh vizituam Iridën te mjeku. Ai na rekomandoi ta shtronim në spitalin psikiatrik. Pas disa ditësh na erdhi lajmi i kobshën që vajza ishte hedhur nga bollkoni. Kaluan disa muaj. Një ditë erdhi te unë Lumturia dhe pasi më dha një letër që e kishte mbyllur në zarf më tha:

– Këtë letër ruaje dhe jepja Agronit kur të dalë nga burgu.

– Po ti ku do ikësh moj bijë? – e pyeta unë

– Nuk m’u përgjigj. Të nesërmen kur hyra në dhomën e saj e gjeta të vdekur në shtrat.

Pranë saj gjeta një shishe me helm. Këto di nëna mor bir. Merre letrën që të ka shkruar Lumturia. Ajo të drejtohet ty.

E mora letrën me duart që më dridheshin. E hapa dhe lexova:

 

‘’ I dashur Agron!

Në çastin që po të shkruaj këto rradhë kam pirë lëngun vdekje prurës.  Fuqitë po më lënë. Në momentet e fundit dua të  tregojë shkaqet e veprimit tim. A e mban mend natën e sigurimit? Ajo nuk mbaroi atje ku e le ti. Akti i fundit u luajt pasi na hoqën nga ajo dhomë. Ne u bëmë pre e akteve  shtazarake  të  atyre  dy  banditëve.  Kur u kthyem në shtëpi Irida ishte çmendur, ndërsa unë isha e çoroditur. Vajzën u detyruam ta shtrojmë në spitalin psikiatrik ku i dha fund jetës së saj të njomë

Pas disa muajsh vura re se në barkun tim po rritej fëmija i një krimineli. Ky fakt dhe turpi që ndjej për të  dalë  para syve te tu më  detyruan  të marrë vendimin e vetvrasjes.

Të puth me mall për vete dhe për Irideën!

E jotja:

Lumturia “

 

Agroni heshti për një çast pastaj vazhdoi:

– Kjo është historia e ime. Besoj se tani e kupton shkakun pse qëndroja i vetmuar. Tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse të bëhem gati për të shkuar te të afërmit e mi.

Nuk dija  çfarë t’i thoja. Nuk gjeja fjalë për të  qetësuar shpirtin e tij të trazuar.

Të nesërmen miku im u shtrua ne spitalin onkologjik në Tiranë. Pas disa muajsh ai ndërroi jetë. Trupin e tij e vendosën në një varr të përbashket me gruan dhe vajzën.

*

*     *

Një ditë takova rastësisht të vëllanë në Tiranë. Më perqafoi dhe më tha:

– Ju faleminderit për sa keni bërë për vëllanë tim! Unë nuk e bëra dot një gjë të tillë. Dhjetë vjet burg dhe unë nuk i vajta asnjëhere. Kisha frikë se mos humbisja punën dhe familjen. Edhe kur u lirua, përsëri i qëndrova larg. U tregova i dobët. Tani ndjej se po me vret ndërgjegja për veprimin tim. Ndaj mendova që për të shlyer sado pak fajin tim t’i ndërtoj një varrosh madhështor. Shkoj shpesh herë atje dhe vendos ndonjë tufë me lule. Më duket sikur ndjej një lehtësim nga një veprim i tillë.

Vura re se pendimi i të vëllajt ishte i sinqertë. Megjithatë ai nuk e dinte historinë e vërtetë. Atë e dija vetëm unë, por atij nuk i thashë gjë. E  mbajta  të  fshehtë  deri  më  sot  kur

vendosa të shkruaj për të. Nuk dua që ajo te humbasë bashkë me mua.

U interesova edhe për dy kriminelët që u bënë shkaktarët e kësaj tragjedie. Mësova se vazhdonin të jepnin leksione për demokracinë..

Ky ishte paradoksi i kohës në të cilën jetonim.

Filed Under: ESSE Tagged With: Epitaf, reshat kripa

Shqipëria është mbretëria qiellore

November 23, 2017 by dgreca

Desareti Aurel

Nga Aurel Dasareti, USA,/

Shqiptarët flasin shpejt dhe veprojnë ngadalë. Ajo çka është aq e mirë me Shqipërinë, është formati i vendit tonë. Është e vogël dhe e lehtë për t`u kuptuar, dhe e shkurtër midis atyre që kontrollojnë dhe atyre që kontrollohen.

***

Prekshmëri. Kjo është ajo që unë ndjej tani. Askush nuk do të ketë guximin të sulmojë ndonjë gjë që është e imja, diçka që unë e dua; vendin tim. Shqipërinë. Unë e dua atdheun tonë, prandaj nuk mundem të mbetem indiferent kur shoh se çfarë po ndodh në të dhe rreth saj. Të luftojmë për një Shqipëri të ribashkuar, të sigurt dhe të fuqishme. Është e domosdoshme që edhe në trojet e arbrit të sundojë ligji, i njëjtë për të gjithë, askush para ligjit.

***

Unë e konsideroj veten si një nga ata me fat në botë, të cilëve u lejohet të thonë se jam nga Amerika, Australia dhe Shqipëria. Është diçka që e bëj me krenarinë dhe sigurinë më të madhe. Për Shqipëri kanë luftuar njerëz të cilët ishin të furishëm dhe kryeneç, por e kthyen qafën dhe pa kursim dhanë atë që kishin, djersën, gjakun dhe jetën.

***

Mos besoni se ju dini shumë, sepse atëherë e ngurtësoni vetëdijen. E vetmja gjë që dimë, është se rruga e jetës është e pafundme. Një rrugëtim përfundon, një rrugëtim tjetër sapo ka filluar. Një derë është e mbyllur, një tjetër është hapur. Ti arrin kulmin (majën), por prapa ka një kulm më të lartë. Jeta është një udhëtim. Çfarë ju pret pas kthesës së ardhshme, e dinë vetëm ata që vazhdojnë më tej.

Mos beso verbërisht në dogmën fetare, mos e mbro atë me këmbëngulje dhe fanatizëm dhe mos jeto sipas mendimeve e zakoneve prapanike.

Mos u bën fanatik i tërbuar i partisë tënde dhe mos e mbro atë me zell të jashtëzakonshëm, pa lëshime e pa lëkundje.Është më mirë të kesh një vidhë të lirshme se t`i kesh vidhat aq shumë të shtrënguara sa që të mos jesh në gjendje të shohësh dy pëllëmbë para hundës.

***

Sot politika dhe gazetaria shqiptare i ngjanë shumë teatrit. Në vend të diskutimit serioz të çështjeve më të rëndësishme, merremi me fjalë dhe shkrime të kota e të lodhshme. Vdes ngadalë ai që bëhet skllav i zakoneve të tij, ai që çdo ditë endet në të njëjtën gjurmë.

Historia përsëritet. Kur në mungesën e gjërave elementare ekzistenca e njerëzve është në zhdukje e sipër, ajo do të çojë në trazira shoqërore dhe përfundimisht do të përfundojë me rebelimin kundër politik-bërësve.

Shqiptarët janë të ndarë, ne e kundërshtojmë njëri-tjetrin, urrejtja lulëzon dhe çfarë ndodh si rezultat i kësaj? Toka na thotë – Ndal. Tani. Para se të bëhet tepër vonë. Ky është universi i cili flet për ne. Nëse nuk kujdesemi për njëri-tjetrin, nëse nuk na intereson kjo, është tepër vonë.

Dilni nga flluska dhe shihni se çfarë po ndodh rreth jush. Shqipëria është në rrezik nga armiku brendshëm dhe i jashtëm, dhe ne duhet të mendojmë për ardhmërinë. Ndonjëherë ndryshimet janë të frikshme, por ndonjëherë është absolutisht e nevojshme. Ne nuk mund të “kthehemi” nga synimet tona sepse kemi frikë. Ne duhet të shkojmë përpara. Shqipëria nuk është e mbrojtur në një mënyrë magjike; kundër çdo gjëje.

Mendoni për këtë. Ne nuk jemi duke ecur mjaftueshëm për të bërë zgjedhje të mençura. Unë dua të bashkohem në bërjen e një ndryshimi, besoj në mbrojtjen e vendit tonë, mendoj se jemi të zgjuar por na mbetet të zgjohemi dhe kthjellohemi.

***

Vera në Ksamil është e nxehtë. Dielli shkëlqen drejt mbi kokën time dhe vlon brenda meje. Unë jam ulur në plazh herët në mëngjes. Rëra është e nxehtë, pothuajse kështu që nuk mund të ecësh mbi të. Unë shkoj poshtë te uji ftohët për t`u freskuar. Rreth meje ka njerëz nga të gjitha anët. Dy fëmijë luftojnë për një top larjesh. Një burrë ka qenë ulur kaq gjatë në diell, saqë shpina tij flakëron dhe është plotësisht i djegur. Vjen erë plazhi, mbeturina dhe krem dielli. Dëgjoj njerëz që ulërijnë, qajnë, bërtasin dhe qeshin. Në sfondin e të gjithë zhurmës dëgjoj muzikën popullore shqiptare që bubullon.Të gjitha tingujt kaotikë dhe erëza të përziera janë arsyeja përse e dua pakufi atdheun e gjyshërve të mi. Shqipëria ka kaluar nëpër shumë luftëra të përgjakshme vetëmbrojtëse dhe vuajtje masive. Do të dëshiroja që mediat të përqendrohen më shumë në gjëra të tilla. (Kur them Shqipëria, përherë mendoj edhe për Kosovën dhe trojet tjera të okupuara).Shqipëri, Shqipëria ime, ke zënë një vend të madh në zemrën time, ke mbetur ëndrra e familjes s`ime. Fryrë zemrat dhe faqet me ngjyra të ndezura, homazh të dashurit Atdhe. Emri i shenjtë. Gjumi im është i heshtur, dhe askush nuk mund të ëndërrojë në mënyrë të lehtë dhe kështu të heshtur, kur malet dhe deti bie në gjumë, dhe askush nuk mund të buzëqeshë në mënyrë të qetë dhe të lumtur, kur zërat lundrues mbinatyror vdesin. Dhe, pyjet janë duke fjetur në luginë.Shqipëri, Shqipëria ime, ma jep mua pranverën tënde, me diell mbi ujërat që lëkunden, por më dëgjo mua, po më dëgjo mua kur ditët kalojnë dhe hijet e mbrëmjes mbulojnë ballin tim. Pastaj më mëso të zbehem, o Shqipëri moj nëna ime, dhe të hipi në një krevat në tokën tënde të shenjtë, kur vera e lënë vendin.

***

Unë kam lindur, u rrita dhe jetoj në komunitetin shumëkombësh, në Australi dhe Amerikë. Fjalie fillestare “politike” e imja ishte kur si nxënës i klasës së dytë fillore, në një hartim me temë të lirë shkrova: “E dua Shqipërinë, sepse është e vogël dhe më vjen keq për njerëzit atje”.

***

Dita është e mirë, dielli dhe buzëqeshja e dashurisë kudo, në të gjithë njerëzit në rrugë. Në të urryerit dhe të shtypurit, nga të gjitha anët e atdheut, mesazhi i bashkimit rrezaton. Ka duar dhe vullnet të mirë në rrudha dhe grepa; mundësisht aty ku më së paku prisni!

Lulet e kuqe dhe burime të përjetësisë qëndrojnë para jush. Dhe gjithmonë ku ndjeni dhe shihni.

Filed Under: ESSE Tagged With: Aurel Dasareti, mbretëria qiellore, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 312
  • 313
  • 314
  • 315
  • 316
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT