• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“LABERIA”-NDER I KOMBITPER BUJAR NISHANIN

November 20, 2017 by dgreca

1 Bujari 1 okMë 19 nëntor 2017, Shoqata “Labëria”, “Nder i Kombit”, dekoron Shkëlqesin e Tij Bujar Nishani ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë “Personalitet i Shquar i Labërisë”/ 

Presidenti-i-Republikes-Bujar-Nishani-1

Nga Enver MEMISHAJ/
1 ok Laberia2Ceremonia e dekorimit u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar ne prani të shumë personalitete shtetrore dhe të kulturës dhe nje numuri të madh qytetarësh. Pas flalës së kryetarit të Shoqatës prof. Ago Nezha, Zotria e Tij Bujar Nishani mbajti një fjalë emocionuse si bir i denj i Labërisë.

Grupet folkloriste “Bejkë e Bardhë” , “Çipini” etj kënduan këngë polifonike, artistët Mirush Kabashi e Bujar Asqeriu, recituan poezi atdhetare nga treva e Labërisë.

*       *      *

Më imponohesh edhe mua një detyrë shoqërore për të shkruar për zotrin e nderuar Bujar Nishani ashtu si njoha unë. Le ta vlerësojnë këtë burrë shteti bashkë me mua, çdo njeri që e ka njohur nga afër, që e ka njohur nëpërmjet punës dhe çdo shqiptar që e njohu nga detyrat e larta shtetërore që mbajti në shërbim të popullit të tij duke i kryer ato me patriotizëm të flaktë, dhe mendoj se puna që ai kreu në krye të shtetit do të mbetet një kujtim i pa harruar në analet e historisë sonë. Në detyrat e larta që ai ushtroi si ministër dhe si president  dha  gjithçka nga mëndja dhe nga shpirti tij dhe jo pa sukses e vlerësim, për të mirën e shoqërisë.

Njohja

Të nderuarin zotri Bujar Nishani e kam pas njohur që në fillimet e proçeseve demokratike, si propagandist të  flaktë  të ideve demokratike, veprimtari që e kryente me pathos kombëtar  dhe si një këshillues shpirtnor të zgjimit të popullit nga gjumi letragjik i ideve dhe pushtimit komunist,  por vetëm nga larg.

E kam njoh nga afër kur rrethanat më shpunë  të punoja pranë tij si këshilltar dhe aty pashë se ai njeri kishte një moral të lartë, sakrifikonte gjithçka për kryerjen e detyrës me përkushtim dhe me ndërgjegje. Jam krenar qe punova ne krah te tij.

Ishte njeri i detyrës, ndofta shkolla ushtarake që ndoqi e kishte edukuar që të mos tërhiqej përpara vështirësive dhe pengesava, ai kërkonte gjithmonë fitore.

Në rrymat e ndryshme politike që përfshinë  vendin tonë pas përmbysjes së diktaturës komuniste ai burrë dijti të orjentohej drejt, falë burrërisë, besës dhe inteligjencës së tij dhe nuk u tërhoq as nga interesat e xhepit dhe as si tregëtar flamujsh partish si shumë të tjerë rreth tij.

Njeri i detyrës

  1. Bujar është njeri i detyrës, pra, që detyrat e larta shtetërore i ka ushtruar me përkushtim. Për vartësit dinte të krijonte situata që detyra të kryhej me ndërgjegje. Ai i respektonte vartësit si askush tjetër dhe kishte besim në detyrat që u ngarkonte. Dinte të bisedonte bukur dhe shtruar.

Në vitin 2008 ai kaloi një sëmundje. Ende pa u shëruar ai vinte çdo ditë në punë duke u bërë shembull për administratën që drejtonte, shembulli i nëpunësit  të ndërgjegjshëm dhe të përkushtuar.

Ai dinte si me magji te rekrutonte personelin qe do te ishin ndihmesat dhe keshilltaret e tij dhe kështu personaliteti tij merrte më shumë vlera.  Për këtë, të gjith e respektonin dhe e ndienin veten te detyruar para tij, kjo i bënte vartësit e tij ta kryenin detyren si duhej.

Një burrë shteti model

Zoti Nishani ka një karierë të shkëlqyer politike : Anëtar i Partisë Demokratike  që në vitin 1991; sekretari i Degës së Partisë Demokratike të Tiranës, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në korrik të vitit 2005, z. Nishani, u zgjodh deputet, në zonën zgjedhore 34, në Tiranë dhe u rizgjodh përsëri në qershor të vitit 2009.

Por edhe një karierë të shkëlqyer në administratën shtetërore.

Nga marsi të vitit 2007 z. Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm;  më pas ministër i drejtësisë, dhe në prill 2011 rikthehet edhe një herë në Ministrinë e Brendshme. Në këtë detyrë të lartë  qëndroi deri në qershor 2012 kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës.

Më 24 korrik 2012, zoti Bujar Nishani u betua si Presidenti i Republikës përpara Kuvendit të Shqipërisë.

I datëlindjes 1966, sot në moshën 51 vjeçare zotsia tij dhe fati i kanë falur pa kursim gjithëçka çfarë mund të ëndërrojë e dëshërojë njeriu.

Ngjitja në shkallët më të larta politike dhe administrative është pasojë e karakterit të tij burrëror, e dashurisë që ka për atdheun dhe popullin e tij, e inteligjencës dhe arsimit që ka marrë me pasion. Ai është officer, ushtarak i shkëlqyer, një jurist i shkëlqyer, një mësues, një nëpunës i lartë me studime të thelluara pas universitare dhe kualifikime në vëndet perëndimore. Ai flet rrjedhshëm anglisht.

Personaliteti

  1. Bujar Nishani është një nga pionierët e parë që propaganduan idetë demokratike në Shqipëri dhe jo vetëm propaganduan por edhe i zbatuan në praktikë me qeveritë e kohës të z. Aleksandër Meksi dhe të z. Sali Berisha. Ai vetë ishte ministër dhe në krye të shtetit shqiptar si president.

Bujar Nishani i ka sjellë vendit të tij shërbime të shquara dhe vepra patriotike.

Në krye të shtetit ai studjoi gjith krahinat e Shqipërisë dhe nxorri nga harresa ngjarje të shënuara të cilat ishin mbuluar me harresë dhe falsifikuar me mashtrime nga diktatura komuniste. Ai vlerësoi kryngritjen e Postribës të vitit 1946, dekori udhëheqësit e kësaj kryengritje, vlerësoi e dekoroi Kompaninë 4000, dekori Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi  Luftën e Vlorës më 1920 dhe rishpalli pavarësinë e Shqipërisë të përmbysuar nga Lufta e Parë Botëerore, Betejën e Lopsit të vitit 1914, ansamblet e Vlorës dhe Mirditës. Vlerësoi ngjarje të tjera dhe fshatra të vendit tonë pa bërë dallime nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim.

Vuri në vend nderi shumë personalitete me kontribute të shoqërisë sonë si desantët që lanë rehatin në perëndim dhe erdhën të vdisnin këtu për lirinë e vendit të tyre, dekoroi 67 ballistë të pushkatuar në një ditë nga krimineli skizofren Mehmet Shehu.

Ai u ngriti monument shumë personaliteteve të historisë sonë që i kishin shërbyer popullit të tyre, por që ishin sharë e mallëkuar nga komunistët shqiptarë si Hysni Lepenica , Ymer Dishnica, Safet Butka, Abas Kupi, Mustafa Gjinishi, Uran Kostreci, Bujar Leskaj, Baba Ahmet Turani,  Tom Kola, Ded mëhilli, Amik Kasoruho, etj.

Ai i pa të gjitha krahinat me syrin e një patrioti vizionar, të gjitha fusht e dijes dhe të jetës dhe dijti me mënçuri të ngrejë lart personalitete me vlera. Në fushën e artit dhe kulturës përmendim Mihallaq Luarasin, Justina Alia, Visar Zhiti e shumë të jerë. Portretizimin e këtyrë vlerësimeve të Presidentit të Republikës e bëri Justina Alia, e cila tha:

“Kur isha e vogël merrja distinktivë, ju e dini, ka qenë koha e tyre, dhe ngjitesha me vrap për t’ia çuar nënës e babait. Sot është krejt ndryshe. Atdheu sot më ka vënë një vello mbi krye, të respektit dhe të dashurisë. Këtë titull, unë do të vrapoj si atëherë fëmijë 10- vjeçar, për t’ia çuar fëmijëve të mi. I nderuar qofshi zoti President! Ashtu siç na nderoni, Zoti ju nderoftë edhe më shumë!”.

Zotria i nderur Bujar Nishani para së gjithash e mbi të gjitha i nënshtrohej detyrës që i impononte ndërgjegja e tij dhe asnjë interesi. Duke ecuar në këtë udhë qytetarie ai pati edhe kundërshtarë. Unë jam i bindur se do të vi një ditë kur burra e shërbëtorë të Shqipërisë si z. Bujar Nishani, pionierë të idesë kombëtare demokratike  nesër do të nderohen, vlerësohen e mbulohen me lule.

Bujar Nishani si njeri.

Zotnia i nderuar Bujar Nishani është një qytetar me virtyte të rralla. Ai nuk lodhej e nuk mërzitej duke i ndihmuar të gjithë, prandaj e respektonin vartësit e tij.

Ai është gjithnjë i pranishëm, pranë mikut dhe shokut, në festë, në dasëm, qoftë edhe në mort,  dhe takimet me atë burrë mbahen mënt gjatë.

Edhe Odetën bashkëshorten, e kishte gjetur si vetja. Ishin një çift i zgjedhur. Odeta me fisnikërinë dhe bujarinë e saji, me hiret e një femre të zgjuar i siguroi atij një jetë të bardhë  dhe u bë mbështetja kryesore që ai të ecte në udhën e karierës si shërbestar i Shqipërisë.

Ajo i dhuroi dy fëmijë, Ersin që është si i ati dhe  Fjona, të bukur dhe të qeshur si e ëma.

Bujar Nishanin e kam njohur si alturist,  të gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi për t’i bërë mirë tjetrit.

Të dy z. Bujari dhe znj. Odeta hodhën themelet e shtëpisë qytetare në Tiranë, duke e ngritur emërin e familjes dhe fisit më lart.

Nga bindja z. Bujar është thjesht një shpirt i pastër demokrati. Ishte për çdo rast kundër dhunës dhe kërkonte me durim ta bindnin kundërshtarin apo atë që kishte gabuar dhe në çdo rast ta trajtonim me dashuri.  Miqëve dhe shokëve që kishin mbetur më atë anë të barikadës demokratike me sa di unë nuk ua ktheu shpinën.

Bashkë përshkruam një pjesë të udhës së jetës dhe jam krenar që eca përkrah tij.

Bujar Nishanin e respektojnë të gjith ata që e njohën si qytetar, si politikan, si nëpunës të lartë, si ministër, si president por edhe si baba, vëlla, mik e shok nga më të mirët.

Një patriot si Bujar Nishani

Emërin, jetën, punën, mirësinë,  dashurinë e tij do t’i kenë si model në udhën e jetës, Ersi dhe Fjona dhe të gjith ata që e kanë njohur e kanë punuar krah tij, sepse ai ka lënë gjurmë si patriot,  shembullin e një nëpunësi, shërbëtor i popullit të tij, të një qytetari të denj, të një shoku të një miku.

Filed Under: ESSE Tagged With: bujar nishani, Enver Lepenica, Nder i combi

«VAJET E PRANVERES MASHTRUESE » – ROMAN NITROGLICERINE I BAJAME HOXHES

November 15, 2017 by dgreca

  • rimarrje shënimesh nga Shpend Sollaku Noé/

1 Shpendi  «Vajet e pranverës mashtruese», që sapo mbarova së rilexuari, promovohet në Bruksel nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë,  më 24 Nëntor.

1 Bajame Hoxha1-BajameHoxha2

Ky libër është një roman-report me temën delikate e njëherësh të mprehtë të persekutimit nën regjimin totalitar shqiptar. Ai nuk është i zakonshmi botim i të të përndjekurve, ku, edhe personazhe antikomunistë  ndonjëherë të rëndësishëm, bien në banalitetin e të të treguarit në nivel amatorial të fakteve të përgjithshme.

BH (Bajame Çeliku) paraqitet dhe arrin të qëndrojë deri në faqen e fundit si një bombë me hidrogjen (BH); në përcjelljen e fakteve dhe emrave pa dorashkat e atij që i trëmbet përcëllimit të opinionit apo kongjijve fshehur nën hirin e hakmarrjes së autorëve të krimit.

Ajo nuk ka nevojë të kërkojë bodigardë për të mbijetuar në xhunglën e botimeve shqiptare. Libri i saj është aq i paepur, saqë ta sulmosh do të thotë tʼi bësh reklamën më të madhe dhe tʼi urosh jetëgjatësinë.

Pa iu dridhur pena, BH përshkruan situata e njerëz të vërtetë, me gjakfohtësinë e një historiani, me zhdërvjelltësinë e një gazetari, me ndjeshmërine e një poeti, me sigurinë që ia jep një punë këmbëngulëse shumëvjecare.

Historia e letërsisë shqiptare ka për tʼiu kthyer leximit të këtij libri, e jo vetëm statistikisht.

«Vajet e pranverës mashtruese» është Nudo Historie më e saktë sesa një thes me libra historianësh të përciptë e oportunistë, më e vërtetë sesa mijra faqe arkivash të manipuluar, më letrar se dhjetra botime të tjera të dokumentuara me këtë temë.

Urime, BH, dhuratë më të mirë nuk mund të na bëje neve, të uriturve për të vërteta të lakuriqta.

Prano, të lutem, këtë dhuratëzë – mini ese, në pamundësi të ardhjes time, edhe pse shumë të dëshiruar, më 24 Nëntor, në Bruksel, GC De Maalbeek, Hoornstraat 97, 1040 Etterbeek.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha, shpend sallaku, Vajet e Pranveres Mashtruse

Prania e papranishme e Lasgush Poradecit

November 14, 2017 by dgreca

*-“Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shteti”, shkruan Ismail Kadare te “Ftesë në studio” (1990) kur flet për Lasgushin, “Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht… Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit”.

1 vjollca-1

Shkruan:Vjollcë Berisha/Universiteti i Tetoves/

Qyteti i vogël, liqeni dhe poeti kishin një emër. Atë emër që ky i fundit qe ngutur për ta veshur me t’u kthyer nga studimet në Austri, si për ta mbyllur rrethin, si për ta vënë vulën në secilin cep të vendit të lindjes shumë-shumë më përpara se të emëroheshin rrugë e të ngriteshin shtatore siç ndodh gjithmonë me qytetet e poetëve kombëtarë të një vendi. Atë emër me të cilin do të identifikohej e tërë poezia moderne shqipe, atë emër të cilin më tepër se gjysmëshekulli mëtonin ta shurdhonin, duke e lënë në harresë. Lasgush Poradeci, Llazar Gusho, Gjeniu i anijes, Shtërgu i fundit, Nositi, klasiku i poezisë, latuesi deri në përsosmëri i fjalës… erdhi në letrat shqipe si zë mahnitës, si vazhdimësi e natyrshme e një kulture letrare që e mëkoi, erdhi duke iu jashtëshkruar letërsisë sonë të traditës, poezisë së bukur të De Radës e Naimit dhe tërë magmës së letërsisë sonë gojore, ku vete e ngjyen pak bukën akëcili poet kombëtar.  Erdhi përkrah Nolit, Mjedës, Asdrenit, Fishtës, Migjenit, erdhi plot me letërsi thithur nga autorë të njohur evropianë, shumë prej të cilëve më pastaj i solli edhe në shqip, si: Brehtin, Emineskun, Hajnen, Majakovskin, Jeseninin etj. Vëllimet e tij me poezi “Vallja e yjeve” – 1933 dhe “Ylli i zemrës” – 1937 (kjo e fundit botuar një vit pas “Vargjeve të lira” të Migjenit dhe në të njëjtin vit me “Lahutën” e Fishtës dhe “Psalmet e murgut” të Asdrenit) qenë ngjarje për letërsinë e vogël shqipe, qenë veprat që bënë kthesë në poezinë tonë, me të cilat Lusgushi, poeti modern shqiptar, përfaqëson një paradigmë të përsosmërisë tekniko-formale dhe të parimit të estetizimit gjuhësor në poezi.

Vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe vendosja e regjimit komunist në Shqipëri, sidomos deri në fillim të viteve ’60, kur në skenën letrare u shfaqën krijuesit novatorë Kadare, Agolli, Arapi e të tjerë që e mbajtën në supe letërsinë e sotme shqipe, qenë vitet e djerrinës letrare, vitet e rrudhjes së letërsisë shqipe në një pamflet, vitet kur shumë më tepër se për bukurinë e fjalës, poetët duhej të kujdeseshin për mesazhin politik që do ta përcillnin, dukuri kjo që ia hiqte përhiroren e shenjtërisë fjalës dhe shndërronte në një mjet të thjeshtë komunikimi pa hijeshi. Ishte koha ku kishin mbirë poetët e malierit, ata që kishin mbajtur pushkën në njërin krah e penën në tjetrin, ata që tani po kalonin nga fronti i luftës në atë të punës, në përpjekje për ta ngritur shtetin e ri socialist, ata që artin e shihnin art jo vetëm kur i shërben vetvetes, por kur i shërben një qëllimi të jashtëm, ata që vetëm për një vit kishin shkruar e botuar gjashtëdhjetë vjersha me temë traktori, e sa të tjera për gruan në prodhim, për shtrimin e asfaltit, për hidrocentralet, për hapjen e shkollave, ata që e kishin ndjekur zhvillimin e vendit si kronistë të vërtetë, shumë prej tyre me talent që linte për të dëshiruar, po edhe nga ata që e kishin hequr mënjanë talentin si kurorën dhe e ruanin për ditë të tjera. Sot ngutja politike, plenumet partiake ku dënoheshin dhe ngriteshin penat kërkonin tjetër gjë. Kjo kërkesë dhe kjo përgjigje e poetëve të cilët Kadareja, në mbledhjen e 11 korrikut 1961, në debatin për novatorizëm, i quajti poetë luleshqerrash, shënjoi dy dekada letërsi shterpë dhe shkëputje nga rrjedha natyrore e saj, nga tradita jo e pakët, nga folklori, nga poezia që kishte filluar tre shekuj më parë me Lekë Matrëngën.

Në këtë djerrinë, kishte zëra që ishin ulur, tërhequr mënjanë, apo që kishin heshtur përgjithmonë, pa mundur të njësoheshin me kërkesën letrare të kohës, pa mundur të flijonin artin e tyre në emër të njohjes, në emër të zënies së një vendi në hierarkinë e vlerave letrare socialiste. Një nga ata, ndoshta më tipiku, më vuvi, qe pikërisht Lasgushi, klasiku i gjallë i poezisë shqipe, bardi i poezisë sonë moderne, poeti që i kishte kënduar atdheut në formën fizike e metafizike të saj, poeti i ndjenjave të thella dhe i vizioneve harmonike, jo rrallë me përmasa kozmike. Po ç’ishte kjo heshtje lasgushiane? Mënjanim politik? Pre smire nga njerëz meskinë? Apo vetëmënjanim? Mosdëshirë për të kohuar në “kohëra të këqija për lirikën”, siç do të thoshte një poet tjetër i kësaj ane të liqenit zemërak?

Ndoshta të gjitha nga pak. Nëse u referohemi kujtimeve të njerëzve që e kanë njohur, që kanë biseduar gjatë me të, siç janë, bie fjala, Petraq Kolevica, Ismail Kadare e Moikom Zeqo, mund lehtësisht të konstatojmë që regjimi e heshtte Lasgushin, e shtynte drejt një harrimi pa bujë, drejt një shfaqjeje të ëndërrt të tij, aq sa shumë gjimnazistë të kohës nuk e dinin në ishte gjallë apo kishte vdekur. Po edhe Lasgushi, nga ana e tij, qe tërhequr herë në shtëpinë përdhese të Tiranës e herë në kullën e tij në Pogradec, në qytetin ku i kalonte pushimet edhe vetë sekretari i parë i Partisë, Enver Hoxha, antipod i Lasgushit për nga prania, pasi sa më i gjithëpranishëm diktatori, aq më i munguar e i pabujë Poeti.

“Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shteti”, shkruan Ismail Kadare te “Ftesë në studio” (1990) kur flet për Lasgushin, “Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht… Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit”.

Por edhe Lasgushi nga ana e tij sikur kishte mbyllur të gjitha shtigjet me botën e jashtme. Ndoshta kjo është arsyeja që e besojmë se e ka pasur me gjithë mend kur e ka pyetur Kadarenë: “Në ç’regjim jetojmë?” dhe kur ky i fundit është befasuar nga kjo pyetje dhe ka shfaqur shenja mosbesimi për këtë harrim, Lasgushi është përgjigjur: “E kisha harruar vërtet, poetit i lejohet çdo gjë”.

Ishte e vërtetë që për të poeti nuk qe vetëm ushqyesi i gjuhës, krijuesi i botëve të vogla, universeve të panumërta, por edhe i gjithëdijshmi i kohëve, përgjegjësi i të gjitha gjërave që ndodhin në kohën e tij, prandaj tek po fliste për dënimin e Vinçenc Prenushit, bie fjala, përdorte foljen në vetën e parë, thoshte: “Kur e dënuam me 80 vjet burg Vinçenc Prenushin, ai ishte 76 vjeç”. Thoshte kështu, pasi besonte që poeti ishte përgjegjës për çdo gjë.

Me gjithë këtë barrë të madhe që ia ngarkonte poetit, Lasgushi mëtonte të ishte poet dhe vetëm poet, pra poet absolut, si të gjithë poetët pasromantikë. Në parimet e tij estetike arti s’ishte për konsum të gjerë, artin ia blatonte një pakice, një elite të zgjedhur njerëzish.

Edhe poezia e tij, siç ka ndodhur me një mori poetësh gjenialë në botë, për nga sasia është modeste (dy vëllimet e tij kanë pak më shumë se njëqind poezi gjithsej), por e llojllojshme për nga përmbajtja, mbresëlënëse për nga fuqia e shprehjes, leksiku poetik dhe muzikaliteti që ka. Sado që dy vëllimet poetike të Lasgushit kanë qenë në qendër studimi nga studiues të ndryshëm, kryesisht pas rënies së komunizmit në Shqipëri (Kosova e kishte studiuar deri diku edhe më parë), prapëseprapë autorët kanonikë që të jetojnë apo të mbijetojnë në luftën e egër për të qenë apo mbetur pjesë e kanonit të një letërsie kanë nevojë për rileximet që janë konfirmuese ose përjashtuese nga kanoni. Megjithëse distanca kohore që na ndan nga vepra lasgushiane është e mjaftueshme për ta radhitur atë në vlerat kanonike letrare shqiptare, prapëseprapë ka hapësirë të rileximeve nga aspekti formalist, strukturalist i tekstit të Lasgushit, për të cilin fjala qe polisemike dhe mund të aktualizojë valenca të ndryshme të polisemisë.

Tek ai jo vetëm fjala, por edhe interpunksioni merr një vlerë të veçantë. Siç mund të vihet lehtë re edhe pikat e heshtjes janë të ngarkuara stilistikisht, madje shpesh janë ambivalente në poezinë lasgushiane. E tërë kjo s’ka kaluar pa u vënë re nga studiuesit, por edhe s’duhet të kalojë pa u vënë re, pasi sikurse e thotë dhe poeti i njohur Aleksandër Bllok: “Struktura shpirtërore e poetit shprehet kudo, madje edhe tek pikësimi”.

Zënia e vendit nga ana e poezisë bërtitëse, deklarative të pasluftës ka shkaktuar edhe vonesa të konsiderueshme në leximin e gjithanshëm të poezisë lasgushiane, të kësaj poezie të sistemuar në cikle që komunikojnë semantikisht me njëra-tjetrën dhe krijojnë ligjet e veçanta poetike brenda yjësive të cilave u përkasin, të cilat cikle dua t’i përmend për hir të auditorit të sontëm të nderuar, por që nuk janë të gjithë të fushës së letrave:

Vallja e yjeve (1933): Zog i qiejve; Vallja e qiellit;Vallja e dheut; Vallja e yjeve; Vallja e përjetësisë; Vallja e vdekjes; Kur nuk ndjehesh fare mire.

Ylli i zemrës (1937): Zemra e qiellit; Zemra e dheut; Zemra e jetës; Zemra e përjetësisë; Zemra e vdekjes; Kush më njohu dhembshurinë.

Mund të vihen re bredhjet nga një vatër kuptimore në tjetrën pa e ndërruar shënjuesin, gjë që flet për thellësinë e mendimit lasgushian, kulturën letrare të tij, talentin krijues dhe mbi të gjitha njohjen e teknikave moderne të vjershërimit. Lasgushi s’ishte indiferent karshi erozionit që i kanosej gjuhës shqipe dhe shfaqjes së saj më sublime – verbit poetik, që duhej ta shquanin bukuria, harmonia e pastërtia. Nisur nga këto parime estetike, shumë nga poezitë e tij kanë zënë vende meritore në antologjitë e poezisë sonë kombëtare dhe lexohen me ëndje nga lexues profesionistë dhe lexues të tjerë. Disa nga poezitë më të pëlqyera e më të njohura të Lasgushit janë: Naim Frashërit (shkruar në 75 variante), Kënga pleqërishte, Kroi i fshatit tonë, Vallja e luleve, por edhe vjershat e triptikut të njohur poetik-filozofik: Lundra dhe flamuri, Gjeniu i anijes dhe Vdekja e Nositit.

Liqeni zemërak (dashuria e veçantë e jetës së tij), ylli (që merr disa kuptime poetike dhe krijon mundësi leximi të reja, figurë që shfaqet si nyje lidhëse midis njësive specifike strukturore-poetike që mëtojnë të bëhen një), malli (që del në disa kuptime, e ajo më tipikja është kur fjala mall te Lasgushi shënjon dashurinë, e dashuria për të është shuma e të gjitha ndjesive të mira: përjetimit, mungesës, pranisë…), vasha (së cilës herë i thotë mike, herë motër e herë e njëson me ndjenjën, e quan mall edhe atë), atdheu (gjakim i përhershëm fizik e metafizik i tij) etj. janë pikat e forta figurative mbi të cilat qëndron e palëkundur lirika e veçantë, lirika e thellë, plot muzikalitet e Lasgush Poradecit.

Është i bukur dhe kërshërindjellës fakti se në kohën e harrimit, në kohën kur Lasgushi shëtitej si fantazmë nëpër Pogradec, në brigjet e “liqenit zemërak” me kapotën e gjatë, me borsalinën e zezë mbi krye, i shoqëruar nga miku i tij i dashur Cuci, për të cilin thoshte që e ka emrin më të bukur ndër emrat qenorë, diçka krejt çuditshëm e kishte trazuar heshtjen që e mbështillte atë, një histori dashurie në moshën tetëdhjetëvjeçare, një dashuri e fundme, ardhur si me shenja proteste ndaj harrimit të tij të gjatë. Është kjo historia që la një ditar të vogël pas vetes, nja 50-60 faqe prozë të shkruara nga dora e Lasgushit dhe të titulluar Vizitat e zonjushës Ana G ne kullën time.

Në tregimin e shkruar në dy variante dhe të botuar më pastaj si libër i mëvetësishëm, në vitin 1999, me titull “Ikja e Shtërgut”, Ismail Kadare flet për receptimin e kësaj historie nga njerëzit dhe nga ai vetë. E quan protestë të poetit, madje edhe të vetmen gjë të bukur që kishte ndodhur viteve të fundit në Shqipërinë komuniste:

“Një lidhje dashurie në moshën tetëdhjetëvjeçare, në qytetin e vogël provincial, ku godina e komitetit të partisë ngjante më e madhe se kudo… Kjo ishte njëlloj si të dëgjoje kambana katedralesh të zhdukura të shekullit të trembëdhjetë.”

S’do mend që në atë qytet të vogël me emër të trefishtë do të ndodhte mrekullia. Në atë qytet ku te të gjitha sheshet e rrugët komuniste: rruga “1 Maji”, shëtitorja “Enver Hoxha” , sheshi “Fitorja e socializmit” dëgjoheshin pa bujë hapat e një kolosi letrar, që herë-herë harronte se në ç’regjim po jetonte, njeriut që qe mësuar me vdekjen e vet shumë më përpara se vdekja e njëmendtë t’i trokiste në derë.

U varros, sipas dëshirës, atje në Pogradec. Ishte 12  nëntor 1987, si sot. I munguari i madh po vuloste përjetë praninë. Ai që kishte kërcënuar si Dielli Zeusin tek Iliada se do të zbriste në ferr të shndriste për të vdekurit, pasi nuk e meritonin të gjallët praninë e tij, sot po shkëlqen me gjithë fuqinë e tij në zenitin e poezisë sonë të bukur shqipe.

(Fjalë e mbajtur me rastin e shënimit të 30-vjetorit të vdekjes së poetit. Akademia përkujtimore u organizua nga klubi letrar “Metafora” në Tetovë-dergoi per Diellin autorja. Faleminderit!)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Lasgush Poradeci, Prania e papranishme, Vjollce Berisha

Mirupafshim, Prishtinë !

November 14, 2017 by dgreca

eglantina

NGA EGLANTINA MANDIA /

Prej kohësh e kam pritur takimin me Prishtinën, si një ëndërr apo zhgjëndërr. ai ka qenë pjesë e pandarë e vetvetes. Ka gjëra që nuk shpjegohen asnjëherë, rrënjët i kanë në themelet e honeve të thella të shpirtit njerëzor, si në bazamentin e një ndërtese, që ngre katet një e nga një.

Vite e vite të shkuara, u nisëm nga brigjet e liqenit të Shkodrës, një delegacion nga Lidhja e Shkrimtarëve; Dritëro Agolli, Shefqet Musarai, Zija Çela, Helena Kadare dhe unë.E kaloja për herë të parë në jetë kufirin me Malin e Zi.

Liqeni kishte atë ngjyrën e plumbtë, ngjyrën e fjetur të përgjumur të ujërave në fund të vjeshtës, kur nisin shirat. Shavarët e shelgjet përkulnin ballin. Zogjtë e vonuar iknin të trembur në shtegtime të largëta.

E ne qëndronim në kufijtë e TOKËS, të lashtë përtej lashtësive.

Në anën tjetër të kufirit prisnin, Shkrimtari i njohur kosovar Nazmi Rahmani dhe poeti i ri Sabri Hamiti. Shiu na pengonte të shihnim fytyrat. Ai binte aq i dendur, si të donte ta bënte më të gjatë hapësirën e shkurtër, ku hidhnim hapat drejt njëri-tjetrit. Ishte e pamundur të fiksoje njeriun në atë rrjetë të dendur shiu. Fytyrat rrëshqisnin nëpër ujë si shtatore të ngujuara. Vetëm kur u afruam fare pranë, kur kaluam KUFIRIN dhe shtrënguam duart e njëri-tjetrit, mbushur me një ndjenjë plot dhimbje e dashuri të thellë vëllazërore, vetëm atëherë menduam se do të qemë edhe ne po aq të zbehtë, të lagur nga shiu e të malluar, të dy palët të sforcuar në buzëqeshjen tonë të ngrirë nga akujt e Jutbinës, mot stërmoti.

Ajkuna ishte dhimbja e madhe e ndrydhur në kullat e Jutbinës. Ajkuna ishte pritja e gjatë pa mbarim. Priste Mujin, priste të birin. Ajo e donte kreshnikun dhe kishte frikë për të birin. Diçka janë të afërta këto Ajkunat e Lugjeve të Verdha. E bora e madhe rëndonte ahet e çetinat për t’i thyer. Njeriu ngrinte në atë akullnajë. Ishte me të vërtetë dimër i madh, si dimri i Jutbinës i Shqipërisë e i botës. Kosova vlonte në luftë. Këto mendime më shoqëruan gjithë ditën deri në mbrëmje, kur befasoi Prishtina me formën e zgjatur në hapësirë, dhe reklamat e HOTEL GRAND PRISHTINA.

Këto po mendoja atë mëngjes (që, për çudi, kish të njëjtën datë, 27 tetor 2017), kur vraponim plot gëzim në një udhëtim privat me motrën time Edith dhe dy mbesat, Shqipe e Liri, në autobusin urban PRISHTINË-TIRANË.

Katër orë rrugë në autostradat tona moderne, pa kaluar fare male të larta të thepisura dhe kufij me pasaporta…

Kjo qe mrekullia vetë.

Prishtina me afër se Shkodra dikur!?

Më kish marre malli sa s’thuhet për miken time të shtrenjtë, Sanije Gashin, së cilës iu luta të na rezervonte dy dhoma në GRAND.

Sanija me takt, si përherë, tha se nuk ish GRANDI si dikur.

Unë nuk e harroja se reklamat vetëtitëse së largu të atij hoteli, ishin grishja e parë e Prishtinës, për ne të përtej largësive, ku na ndante vetëm një vijë e hollë kufiri, si të qenë telat me gjemba të një kampi të madh përqendrimi.

Ishte dhimbje e jashtëzakonshme të copëtoje jetën e një Kombi në atë farë feje.

Po ne të katërta ishim shumë të gëzuara që po shkonim në një ditë të bukur me diell, me urban, në Prishtinë.

Prishtinasit e donin shumë diellin, apo gjeneralin e mirë diell, siç e quante motra ime, Edi. “Gjenerali” na qëndroi besnik i mirë, në ditët e Prishtinës. Na ngrohu shpirtin e zemrën.

Prishtinën asnjëherë nuk mund ta shohësh të tërën, ngaqë ka konfiguracion kodrinor. Veçse Diellin e gjen kudo. Që nga Arbëria, Dardania, Kodra e Diellit.

Sanije Gashi, Zonja e Madhe e Kulturës Shqiptare, ishte edhe ndryshimi më i bukur, i atij takimi të përmalluar.

Kultura unifikon.

Rrugët shkurtojnë distancat, që të mos ketë më ndarje me lot në sy.

Koha ka punuar për ne, që pamë tmerret e luftës gjenocide dhe mbijetesën e pavdekësisë, të një shpirti më të thellë se oqeanet e detet, ku morën njerëzia arratinë nga sytë këmbët.

Takimi u bë në hotel grand Prishtina.

Sanija erdhi së bashku me vajzat e saj, Rina e Nera, vajza të thjeshta, plot finesë, mençuri e hijeshi. Dy BUKURI TË RRALLA. Vajza sa moderne aq edhe tradicionale, bashkëpunëtore e botuese të Revistës më cilësore në Ballkan, “TEUTA”

Çdo prind do të ishte krenar, po edhe miq të vërtetë, përjetësisht, do ta mbanin ballin lart.

Motra e mbesat e mia u miqësuan menjëherë dhe e ndien veten si në shtëpinë e tyre.

Prishtina i rrëmbeu në krahët e saj të butë gjithë dhembshuri.

E ne dolëm nëpër rrugë, si të qemë takuar prej vitesh.

Asnjëra nuk po e besonte se në orën 7 të mëngjesit të asaj dite ishim në stacionin urban të autobusit Tiranë-Prishtinë, e në orën 2 po hynim në shëtitoren e Prishtinës.

E bukur është Prishtina, sidomos në mesnatë, veçanërisht kur lulëzon bliri. Po edhe të dielave, herët, kur nuk ka qarkullim, kur mund të bësh një shëtitje për qejfin tënd, mbushur me imazhe dielli e zëra fëmijësh të gëzuar e çamarroke është ajo shëtitore-ai shesh rrethuar me restorante, prindër të rinj të kujdesshëm prapa makinave lodra, sheqerxhinjve, gështenjapjekësve, akulloreve e librarive.

Në Prishtinë lexohet e blihen librat, veçanërisht ata që tregojnë të vërtetën lakuriqe të jetës.

Shiten edhe librat e Sanijes, në dy gjuhët, shqip dhe anglisht. “Histori të tmerrit,1998-1999, Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave”, dhe “MONOGRAFI UNIKE – PRISHTINA”.

Për këta libra Sanija mori titullin e lartë, Zonja e Madhe e Kulturës Shqiptare, për të cilin as që ka dëshirë të flasë.

Ajo beson si çdo krijues serioz, që libri e bën rrugën vet, jeton krejtësisht i pavarur nga autori.

Rrugëtimi ynë vijoi edhe të nesërmen. Dielli nuk na u nda për asnjë çast. Që nga Memoriali i Heroinave, Universiteti, Biblioteka, ku dhuruam edhe ne, ardhacaket, ca libra.

Nuk e dinim dhe as e merrnim me mend, kur bëmë ca foto tek Memoriali i Heroinave, që Sanija ish bërë një zë i fuqishëm i atyre që heshtnin, ajo pati ngritur zërin për një shtatore (një pllakë përkujtimore në shenjë nderimi për gratë e përvuajtura, që përjetuan Luftën 1998-99.)

Të paktën një herë në vit, të përkulemi para dhimbjes së GRUAS, për t’i dhënë një fllad shpirtit të lënduar, me pak imazhe dielli!

Edhe ne u larguam nga Prishtina, mbushur shpirtin me imazhe dielli, falur miqësisht nga Prishtina. Kjo qe edhe:  “LAMTUMIRA PA LAMTUMIRË”.

MIRUPAFSHIM, PRISHTINË!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eglantina Mandia, Mirupafshim, Prishtine

SHQIPTARET NE FUNERALIN E VETVETES

November 12, 2017 by dgreca

Kopertina e romanit Il funerale senza fine«Il funerale senza fine» – remake në italisht e një romani të Visar Zhitit/Shpend Sollaku Noénga Shpend Sollaku Noé/

Një kolonë e gjatë njerëzish me shtyllë kurrizore të thyer, që marrshon e ngathët në funeralin e vetvetes. Secili ka veshur, në vend të palltos, arkivolin e vet.Miliona që tërheqin këmbët zvarrë, që marrin frymë sikur të mos u lëviznin fare mushkritë, që u rreh zemra pa tiktake, me një elektrokardigramë të sheshtë. Sytë e tyre prej zombi nuk shohin asgjë pak metra më tutje. Qielli nuk ka nevojë më për një yll që sjell ditën. Dielli i zi që u është shuar ka lënë pas vetëm toka buzëplasaritura. Netët kanë zëvendësuar edhe ditët: sa më te errëta, aq më të shëndetshme.

Janë këto përshtypjet që krijon lexuesi kur merr në dorë në italisht librin e Visar Zhitit «Il funerale senza fine», të porsabotuar nga «Rubettino». Eshte një remake e botimit në shqip, të vitit 2003, të «Funerali i pafundmë». Mbi kopertinën të marrë nga një akuarel i Atjon Zhitit, ky libër quhet roman. Lexuesi apo ekspertet mund ta quajnë edhe poemë, për nga mënyra sesi është shkruar. Edhe nëshkruesit të këtyre rreshtave i duket më shumë si poemë – nje poemë e madhe groteske, në kufijtë e të pabesueshmes, por që arrin të qëndrojë vertikalisht si një e vërtetë e pakundërshtueshme.

Nëse Vizar Zhiti e ka quajtur roman do të thotë që ka arësyet e veta; nëse unë e quaj një poemë madhore, edhe unë kam aresyet e mia. Pasi nisem jo vetëm nga forma e përzgjedhur për të shprehur idenë qendrore, por edhe nga leksiku, dendësia e imazheve metaforike dhe mendimi i ngjeshur – tipare tipike këto të një poeme. Prandaj edhe këtu, si në një poezi apo edhe në një shkrim pubblicistk, Zhiti mbetet poet i shquar.

Elio Miracco – përkthyesi i këtij libri, i ka italianizuar kapitujt e tij qoftë nga ana gjuhësore, qoftë edhe në përshtatjen sa më afër lexuesit në gjuhën italiane. Si rezultat i kësaj pune të shkëlqyer, në 160 faqet e këtij libri nuk ndihesh më në Shqipëri, por në një vend çfarëdo, në një botë çfarëdo, të cilën mungesa e gjatë e lirisë e ka trasformuar nga një diçka e prekshme në një funeral që vazhdon edhe sot, për fat të keq. Një funeral apolidësh ku duhet kërkuar ndër fosilet profili i atdheut.

Filed Under: ESSE Tagged With: E VETVETES, NE FUNERALIN, Shpend Sollaku Noe', shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 313
  • 314
  • 315
  • 316
  • 317
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT