Lazër & Jozef Radi: «Të gjallë edhe të vdekur» – tregime dhe novela me sigurinë e markës./
nga Shpend Sollaku Noé /
A mund të shkruhet për libra që akoma nuk i ke lexuar? Unë them se mundet, kur autorin e ke njohur që kur ne përdornim majat e penave të ngjyera tek shishkat me tapë, që kur të zotëroje një «stilet» të futur në një copë kallam apo tubth prej bakri ishte akoma një luks për të pakëtit, kur leximi i ndonjë libri «të verdhë» ishte akoma një emocion që mund edhe të të shpinte prapa hekurave.Libri që unë akoma nuk kam lexuar titullohet «Të gjallë edhe të vdekur» tregime dhe novela nga Lazër & Jozef Radi. Një libër që unë, me siguri, do ta lexoj së shpejti. Për mua kjo ngjarje – leximi i «Të gjallë edhe të vdekur» – është aq e sigurtë që do ndodhë, ashtu si hyrja e padiskutueshme, me një blerje nga pas, tek njëri prej dyqaneve të Armanit. Pasi nuk kam lënë gjë pa lexuar nga krijimet më të rëndësishme prej këtyre dy autorëve, edhe kur nuk kam shkruar rreth tyre. Edhe kjo dëshmi e re në prozë ka firmë shkrimtarëve prej të cilëve dihet që mundësirat për të të zhgënjyer janë ose zero, ose të papërfillshme.
Titulli i mësipërm i Lazër & Jozef Radit është vepra e dytë e përbashket artistike nga atë e bir, 25 vjet pas botimit të librit «Muret e Muzgut» – dëshmira tragjike në vargje të dy talenteve krejtësisht të dallueshëm në mënyrë e përmbajtje, ashtu siç besoj duhet të ndodhë edhe në librin e porsabotuar, në të cilin elementi tragjik është parareklamuar prej Jozef Radit.
E kam menduar shpesh Jozefin këto ditë. Kam shkëmbyer edhe mesazhe me të, ndërsa firmoste autografe në panairin e fundit të librit në Tiranë. Në dialogët tanë, edhe pse të pashprehur në batutat e tij, arrita të nuhas sidoqoftë diçka: mungesën pothuaj totale të atyre që «Të gjallë edhe të vdekur» e kishin mbytyr me «Like» në faqen e tij të FB-ut. Edhe pse banonin në Tiranë apo diku afër, edhe pse e dinin mirë se në cilin kënd të panairit Jozefi ishte vënë i gatshëm për tʼua firmosuar ato kopje të bekuara të librit akoma me bojë të freskët.
Ai nuk i kish kushtuar edhe aq rëndësi këtij fakti. Edhe për mua, sikundër edhe për shumë të tjerë, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e pranishme armata e madhe e hiçbërësve, e hiçlexuesve, e hiçtrupërdoruesve, por që kanë aftësinë e lindur të zotërimit të hosanave në forma nga më të pabesueshmet. Autorët e shkretë i besojnë deri në një farë mase lëvdimeve. Qoftë poetët, qoftë artistët, kanë nevojë të domosdoshme që të jenë të përkëdhelur. Pa përkëdheljen ata, sidoqoftë, mund të mbijetojnë. Mungesa e saj ndonjëherë mund të bëjë edhe efektin e kundërt: tʼi shpjerë drejt përkryerjes.
Veçse apo sidomos ai pa të cilin shkrimtarët praktikisht vdesin është leximi i librave të tyre. Ata kanë nevojë jetike që të jenë të lexuar. Ndryshe do tʼu duhet të pranojnë me dhimbje se të gjithë ata që duket sikur u shkojnë pas nuk janë veçse ca vegime të çastit, që kurrë nuk kanë për të marrë një formë reale, prej mishi e kockash.