• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përtej syve…

August 5, 2017 by dgreca

1 Namik-Selmani

Ese nga Namik SELMANI/Asnjëherë, në asnjë vend të botës, në të gjithë moshat e gjinitë, tek të gjithë ata që të vënë përpara dekorata dhe të thonë pafajësisht, fytyrëskuqur se janë analfabetë, në të gjithë librat e filmat që merren me psikologjinë e terapinë e karakterit njerëzor, si një univers shumë më pak i zbuluar se vetë universi astronomik, asnjë organ nuk i ka të gjitha labirintet e mistershme sa SYRI. Ooo, dikush do më vërë para zemrën! Po jo bre, se zemra nuk duket se si është brenda!!! Nuk shihet para dritës së tij shkëlqimtare, të trishtuar, të gëzuar, të lumturuar, të mallëngjyer të syve të njeriut, edhe pse ushqimi i gjakut dhe ai shpirtëror është vetë motori i trupit.
Brenda tyre kemi parë në të njëjtën kohë dashurinë e parë, dhimbjen që çan dhe gurin. Kemi parë në to urrejtjen, kemi parë dinakërinë sa në njëmijë fjalë të pathëna. Kemi parë inteligjencën, poezinë e pashkruar. Dhembshurinë e madhe. Kemi parë saktësinë- “e mati me sy”, Një mjek ta sheh që në sy sëmundjen. Një mësues sheh në të qindën e sekondës mençurinë e atij që ka para. Një rrobaqepës nuk ka nevojë shumë për kartona modeli para syve të tij të saktë. Kemi parë indiferentizmin “mbylli një sy”. Kemi parë miqësinë – “Më ka mbetur në sy”. Kemi parë drojen-“Nuk i del dot në sy”. Kemi parë punën e keqe-“Sa për sy e faqe”. Kemi parë lakminë. Kemi parë fatalizmin-“E ka ngrënë syri i lig”. Kemi parë atë të pabesin “I hodhi hi në sy”. Kemi parë kulmin e bukurisë së një femre “ ishte sy e veshë”. Kemi bërë vargun më të bukur të një kënge dasme, dashurie syfilxhan, sydritë”.
Mos i mbaj sitë përdhe
Faqe portokalle je…Thotë kënga…
Ashtu si dhe në këngët e vajit, prapë me sy e kemi nisur e me to e kemi mbyllur “Bir,o bir, kush t’i mbylli sytë?” Kemi parë ftohtësinë e gjykimit- “Me sytë e mendjes” neverinë- “Nuk i hedh as sytë”, tërbimin- “i ra gjaku në sy”, ëndërrimtarin rebel-“Sheh ëndrra me sytë e hapur”, gëzimin e madh -“sy e veshë ishte bërë”, forcën e madhe “të ha dhe syrin”, shpirtin e aventurës -“Mori detin në sy”, udhëtarin e mençur të botës ”ka parë botë me sy”, një njeri pa ideale, pa shpirt. -“copë mishi me dy sy”, portretin e një thashethemexhiu ndaj kohës që jeton- “më mirë të dalë syri se sa nami”. Kemi parë hutaqin- “nuk sheh syri, por mendja”. Kemi parë një urim të bukur –“Ta hëngsha syrin!” Kemi parë forcën e rrezatimit të tyre “e ka syrin si plumb”. Kemi parë nishantarin e pushkës dhe atë që di të bëjë gjëra të mira në jetë- “e mban syrin në shqekëz”. Kemi ndjerë mëshirën kur kemi parë një të verbër duke thënë me zë të ulët e të lartë: “Oh, mjerë ky i verbër!” Kemi psherëtirë nga larg kur na kanë treguar se një shkrimtar, një kompozitor ka qenë i verbër.
Me orë të tëra kanë qëndruar femrat e çdo moshe para pasqyrës për ta ujdisur edhe më shumë atë dhuratë që i ka dhënë zoti me të gjitha ato vegla bukurie.
Kemi vrapuar të themi se forca e Homerit në poezinë e tij të pavdekshme, nuk do të ishte i tillë pa verbërinë e tij. Kjo verbëri do ta bënte atë dhe më mitik se është në të vërtetë përtej 2500 viteve hiostri, prapaskena luftrash të tjera që kanë përfshirë globin e madh shumëgjuhësh dhe me kaq shumë përplasje gladiatorësh të vjetër e modernë.
Me ta jemi betuar besueshëm: “Pasha sytë e ballit! Mos paça këto dy sy! U qorrofsha!”
Kemi parë fundin e të dashurit të familjes me atë thënie kaq emocionuese “Perëndoi sytë”. E kam parë këtë forcë-mister përtej syve të një mësuesi dikur në shkollën
e mesme “ Kristo Isak” kur në një “Ditë të Dyerve të Hapura” kishte ardhur një klasë e një shkolle 9-vjeçare e një fshati të largët për të parë shkollën e mesme. Vendosa të bëja një autotest sysh. Një test që edhe mund të mos e kaloja. Edhe mund të mos e kaloja. Mes atyre 20 nxënësve të ardhur i thashë mësuesit të klasës që e kisha patur dikur shok në një shkolë të mesme ku shërbenim bashkë që të gjeja vetë se kush ishte nxënësi ose nxënësja më e mirë e klasës. Një sfidë së pari me veten. Një qetësi gati dramatike u vendos në klasë. Një trill pedagogjik!?? Kalova dy herë sytë e nxënësve që rrinin gati si të hutuar edhe para nesh, edhe para vetes, edhe para nxënësve të një klase të nëntë që i kishim ftuar si shkollë. Besova dhe .. e gjeta. Ajo nisi të qante. Ishte një vajzë që dukej se ishte inteligjente në sy. Edhe mund të gaboja . U ndamë miqësisht me ata miq të ftuar që ishin vetëm 14-vjeçarë.
Dikur para 14 viteve e hapa siparin e meditimit për sytë dhe portën e këtij libri me një simbolikë të veçantë me një poezi të titulluar “Ah, ju sy!”
Nga kjo poezi po rijap të paktën 6 vargje
Ah, ju sy kaq lakmitarë
Det ku zemra ime tretet…
…
Ah, ju sy kaq lakmitarë
Derë ku zemra nxjerr të fshehtat
…Ah, ju sy, kaq durimtarë
Hapni dyer e shponi mure
Jepni zemrës ditë të bardha
Mbase endem për mes tyre.

Edhe kur njerëzit i kanë patur të dy sytë, prapë mençuria botërore ka parë njëlloj verbimi me paditurinë që kanë patur njerëzit. Shembulli më i mirë është fjala e mençur e Saadiut që ka thënë 800 vjet më parë se “I dituri mes të paditurve është si e bukura mes të verbërve.” Sytë hapen. Sytë shohin. Sytë njohin. Sytë qeshin..Sytë flasin. Sytë ëndërrojnë…Sytë kërkojnë. Sytë të magjepsin. Sytë të drithërojnë çdo qelizë të trupit. Sytë dashurojnë. Sytë gëzohen. Sytë dyshojnë. Sytë gënjejnë…Sytë fshehin. Sytë tremben. Sytë të trembin. Sytë lotojnë. Sytë thahen. Sytë mbyllen për të mos u hapur më.
Përballë forcës së tyre magjike të mistershme shpeshherë kemi qenë të pafuqishëm dhe kemi kërkuar (oh, mos e dhëntë zoti!) mos me pasë syrin përballë së keqes që na shohin sytë . Dhe sheh edhe duart i kemi vënë para tyre me atë fjalë piskamë, vikamë: “Oh, ç’ka po shoh, më plaçin sytë.“
Brenda kësaj hapësire kaq të vogël kur kemi dashur që të shohim sadopak sinqeritet te ai që flasim, me të cilin dialogojmë, ia kemi thënë, troç ose edhe na e kanë thënë po kaq troç: “Më shiko në sy!” Sytë shprehin gjithnjë atë që ne nuk mundemi ose nuk duam të shprehim me gojën tone, ndonjëherë nga turpi dhe ndonjëherë, sepse nuk arrijmë të gjejmë fjalët e duhura për të thënë!
Aq e keqe është ajo që shohim sa ndonjëherë më mirë kur je qorr se nuk ke çfarë të shohësh nga mënxyra që shohin ata me sy dhe me një sy. Kujtoni një çast Rozafën në në errësirën e përjetshme të gurtë të saj ku do ta dërgonte besa dhe antibesa të parën gjë veç gjirit mëmësor, kërkoi dhe të paktën një sy për ta parë foshnjën e saj.
E nuk ka nevojë që të jesh psikolog para syve. Ato të japin atë që ti nuk e lexon dot në dhjetra libra. Shikoni pikturat e kryemjeshtërve të botës se si kanë punuar me sytë e tyre magjikë!. Shikoni vjedhësit apo edhe ata hajdutë modernë me celularë e makina luksoze se ç’bëjnë me skulpturat e botës kur duan që t’i rrëmbejnë. Kanë vrapuar që të shihnin vetëm ato, sytë. Në një vrapim vjedhësish kanë marrë një thikë, një daltë guri dhe kanë marrë në sup në karrocë në një karvan kuajsh vetëm kokën ku janë ato sytë që ka bërë skulptori.
Po poeti? Shihni së pari sytë e poetit? Ai është tek të gjitha ato që thamë e që nuk I thamë dot. Aty janë gjithë qiejt e botës. Se aty retë mjegullore ikin larg pqër të parë kaltërsinë e shpirtit të madh që ka poeti. Aty ortekët bëhen kone të zbutura në këmbët e secilit. Aty ikin cunamet. Aty vijnë pranverat dhe në mes të dimrit si livadhe që livadhojnë edhe kur ka mes tyre dëborë të akulluar.
Para disa javësh kam parë një film të mikut tim regjsor skenarist Fuat Memelli për një fizarmoniçist nga Devolli që gjithë jetën e kaloi i verbër. Dhe asnjë nuk e deshi për mëshirën që mund të kishin për të, por për mirësinë dhe magjinë që sillte arti i tij në mbrëmje, në dasma në aktivitetet masive.
Përballë verbërisë së njerëzve në nevojë kemi thirrur shpeshherë edhe për indeferentizmin dhe paaftësinë e të pasurve, të shtetarëve dhe në atë çast kemi thirrur: “O verbëri e të mëdhenjve!”
Mision të madh merr fjala që të shkojë përtej syve. Jo për t’u bërë enciklopedist apo shkencëtar me teleskopë modernë i qiejve që kërkojnë të tjerë planete në kupën qiellore. Që kërkon të tjera anije të mbytura veç Titanikut apo anijeve të mbytura të luftës greko-persiane.
Shikoni sytë dhe poezinë e tyre!
Përtej syve!!!??? Mund të mos shkosh deri në fund të Kashtës së Kumtrit, po gjithsesi është udhëtimi më i bukur, më fisnik që mund të bëjë një lexues në kohët moderne, ku, edhe pse nganjëherë nuk është ajo duarzgjatje masive për një monedhë metalike (vetëm monedha metalike duan lypsat. Nuk duan më bukë lypsat, po vetëm para!!!) në emër të zotit është misioni i një lufte për të bukurën përtej moralit që shpesh edhe poezinë e ka kapur fort si një grip i gjatë në kohë që nuk ikën as me çaj as me antibiotikët më të fuqishëm që prodhojnë farmakologët e botës me motivin faustian në tavolinat e tyre të punës.
Korrik, 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: namik Selmani, Pertej Syve

Asgjë e re

August 4, 2017 by dgreca

1 astrit LULUSHINga Astrit Lulushi/Njeriu mendon ato që lexon dhe shkruan ato që mendon. Kjo ndëlidhje tregon se në botën e mendimit asgjë nuk është e kufizuar, shkon përtej të menduarit dhe asgjë nuk është e ndaluar dhe e paprekshme. Cdo gjë është vazhdimësi, rreth, asgjë e re, që ndryshon vetëm në interpretim.  

Bota ekziston, vetëm sepse ne e shohim. E parë nga jashtë ajo as që duket, dhe kjo na bën të ndjehemi vetëm. Pra, njeriu ekziston, por edhe jo, gjë që e shtynë atë të krijojë thelbin e vetes, i cili natyrëshëm bëhet epiqendra e cdo sjelljeje të tij. Teoria e Sokratit fillon e mbaron me Unin. Në Apologjinë e tij, ai thotë se gjëja më e rëndësishme në jetën e njeriut është njohja e vetes, shprehje që mund të kuptohet si kujdes për veten ose vetë-mirëqenie. 

Varësia e bën njeriun skllav, veçanërisht nëse kjo varësi lidhet me vetë-vlerësimin e tij. Njeriu ka nevojë për inkurajim, dhe një dorë e ngrohte i bie supeve për ta nxitur;  është ky i fundit që bëhet  zot i tij, prandaj të ndryshosh zotërinjtë nuk do të thotë të fitosh lirinë. 

Faktorët politikë, për të fituar ligjshmërinë e pushtetit të kapur padrejtësisht, krijojnë mosmarrëveshje me njeri tjetrin, pastaj ngërce e kriza, dhe në fund papritur, bien dakord – gjithë zhurmë. e bëjnë vetëm për të larguar vemendjen nga fakti se ata janë të paligjshëm –  veprojnë si njeriu tinzar që  përpiqet të mos bjerë në sy për gabimet e tij, kur të tjeret e kanë në vemendje. 

Filed Under: ESSE Tagged With: asgje e re, Astrit Lulushi

Si duhet të duket një organizate Atdhetare!!!

August 3, 2017 by dgreca

1Kaltrina-Hoti-215x300Nga Kaltrina Hoti/Njeriu është qenie me vetëdije. Çdo qenie ka një qëllim që i lëvizë si ëndërr nëpër shpirt dhe mundohet me të gjithë forcën për ta realizua. E ushqen çdo ditë me punë dhe mësime të ndryshme, qoftë nga përvoja e vete apo nga dështimet e të tjerëve. Nganjëherë nga dështimet e veta dhe përvoja e të tjerëve, por me këmbëngulje se ai qëllim e udhëheq në jetë. Çdo atdhetar sado i zgjuar, i përkushtuar apo i kalitur që të jetë pa rreth ku të veproj mbetet një zë i vetëm pa jehonë. Andaj ai është në kërkim të një Organizate e cila ka po të njëjtat bindje atdhetare, po të njëjtin qëllim. Por si duhet të duket një Organizatë Atdhetare?! Të gjithë e dimë se guri më shumë peshon në vend të vetë. Kjo thënie është përsërit në mënyra të ndryshme, por është edhe thënia tjetër shumë domethënëse dhe që mban në vete një simbolikë tejet të çmuar për historinë tonë kombëtare. Nuk do e citoj se kush e ka thënë pasi që e dinë të gjithë; “Mbahu nënë mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”! Por vetvetiu bije pyetja këto djem e vajza që kanë Atdheun në zemër e dashurinë për atdhe në shpirt ku duhet të marrin frymë, kush i ushqen, ku duhet të marrin këshilla e detyra?! Patjetër që atyre iu duhet një mësues i mirë ku është shtruar “Tryeza e Kuvendit”. Kjo tryezë duhet të udhëhiqet nga dashuria për Atdhe, nga fuqia e fjalës. Po a kemi në një Organizatë të tillë me program e platformë, që do i mbledh atdhetarët e vërtetë, që çdo ditë të japin kontributin e tyre?! Unë vetëm e bëra pyetjen se çështjet duhet të marrin një drejtim të duhur dhe jo të iu lihen stuhive të momentit. Sot nëpër botë kahdo që jemi të shpërndarë kemi shumë Organizata që veten e kanë shpallë si konak i Atdheut. Por çfarë kanë shtruar në sofrën e tyre që të joshin atdhetarët? Disave u është tharë aq shumë buka sa të mbetet në fyt! Dhe nëse janë atdhetare përse i kemi aq shumë, për bindjen, udhën apo e bëmë Shqipërinë… Njeriu i ditur e din udhën që shpije ka qëllimi ynë i përbashkët, udha është synimi ynë, e i dituri këtë e di, sepse ai di të lexoj programe e platforma, madje ai sheh dhe me sy të mbyllur. Duket se nëpër këto Organizata ka një egoizëm të theksuar, dhe nuk bëjnë dallim shumë nga njëra tjetra andaj dhe nuk ka vepra që do t’i nderonin në një periudhë të kohës. Unë mendoj se një Organizatë atdhetare duhej që të ketë një program atdhetar me një synim të caktuar atë të bashkimit tonë shpirtëror dhe fizikë dhe për të arrit deri te kjo platforma duhet të jetë shumë e pasur që të afron  familjen, rininë, studentët, intelektualët, artistët, shkrimtarët… thjeshtë ajo me programin e saj t’iu bëjë ftesë të gjitha kategorive intelektuale e njerëzore, se punë ka për çdo njërin. Atdheu ka nevojë për çdo njërin që i rreh zemra për te, atdheu është një Kështjellë e madhe që do mbrojtjen e çdo njërit. Organizata atdhetare duhet të ketë një zë, korin dhe muzikën. Të gjitha këto bëhen nëse ajo Organizatë i ka dyert e hapura për të hyrë brenda dhe dritaret e çela për të marr frymë. Cila Organizatë atdhetare sot ka tryezën ku ka shtruar gjuhën, kulturën, traditën, historinë, artin, autoktoninë… cila është ajo ku në muret e sajë ka Shqipërinë tonë që nuk kufizohet me shqiptarë?! Të bësh luftë sot për karrige kur nuk ke

fron është një histori pa histori, është emër që nuk do shënohet askund. Njeriun e bënë të përmendur vepra, Organizatën veprimet në kohë të caktuar, por veprimtaria e përhershme e rrit, e nderon dhe e fut në arkivin kombëtar. Nuk mund të themi se nuk kemi atdhetar, as edhe Organizata atdhetare por krijohet përshtypja se ne sikur i kemi punët aq mirë sa nuk duhet të veprojmë dhe e kemi vënë në gjumë elementin atdhetar duke mos i hap udhë, duke mos e frymëzuar të riun, studentin… të gjitha këto Organizata a thua nuk kanë ndonjë pikë të përbashkët që të bëjnë një punë të përbashkët, apo dirigjohen gabim. Nëse e themi sërish; “Mbahu nënë mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë” me çka në luftën e fundit e dëshmoj Batalioni “Atlantiku”, përse të mos e kemi një Qendër Kulturore ku çdo njëri do gjejë veten, do shpreh talentin e vetë, do dëshmojë Shqipërinë e vete që ka në zemër dhe do mundet të thotë: “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kaltrina Hoti, organizate Atdhetare!!!, Si duhet të duket një

DANTJA I RUMANISË MIHAI EMINESKU DHE LASGUSHI YNË – POETËT E PËRJETËSISË

August 2, 2017 by dgreca

Eminesku ka folur shqip në sajë të punës mjeshtërore të Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Rexhep Ismajlit, Vehbi Balës, Dhori Qiriazit, Qazim Shemajt etj. për të mbërritur tek i ndjeri Perikli Jorgoni i cili ka nxjerrë një përmbledhje më të plotë të poezive të Emineskut, rezultat i një përpjekjeje disa vjeçare./

1 Lasgushi1 eminescu_shadow-1IN MEMORIAM ME RASTIN E 127 VJETORIT TË VDEKJES/shpendi Topallaj

Nga Shpendi Topollaj/ Aty rreth vitit 1880, kur Mihai Eminesku, shkoi në Konstancë për të bërë realitet ëndrrën e tij për të parë Detin e Zi, unë nuk e di në e kishte ngritur populli rumun, në shenjë nderimi, përmendoren për mjeshtrin e hekzametrit,  Ovidin e lirisë së ndjenjave dashurore, të syrgjynosur nga Oktavian Augusti në atë cep të perandorisë romake që aso kohe quhej Tomi. Por jam i sigurtë se ky erudit i shquar dhe njohës i letërsisë së vjetër dhe i korifejve të filozofisë, pa tjetër që e kishte lexuar, e ndofta dhe mësuar përmendësh, pasi kjo ishte në përputhje me natyrën e tij, atë strofën e famshme te “Metamorfozat”, ku thuhet:

                    Ja, më në fund, mbarova këtë vepër,

                    Q`as zemërimi  Jovit dhe as zjarri,

                    As koha që rrënon e bren gjithçka

                    S`do mundet ta humbasë, ta shkatërrojë.

Edhe pse për fatin e keq të tij, të popullit të mirë rumun dhe të të gjithë qytetarëve të kulturuar të botës, ai jetoi fare pak, vetëm 39 vjet, duke i mbyllur sytë përgjithmonë, nga një gur i vogël llastiku me të cilin e qëlloi i çmenduri Petre Poenaru, atje në atë sanatoriumin, ku e kishin mbyllur dhe vetë poetin, me veprën që la pas, pra me ato lirika të magjishme, poemat “Luçiferri”, “Përrallat e blinit”, “Ylli i Dritës”, “Letrat”, “Kelini”, “Perandor dhe proletar”, “I varfëri Dionis” etj. etj. dhe sidomos me vënien në baza të shëndosha të gjuhës rumune, ai jo vetëm përsëriti si pakkush lavdinë e Ovidit, por edhe e ktheu atë varrin në varrezat “Bellu”, pranë një bredhi dhe një bliri që ai i pat dashur aq shumë, në një vend të shenjtë për pelegrinazh shpirtëror të njerëzve, nga të katër anët e botës.                           

  Ky poet që siç u shpreh në fjalën e tij të lamtumirës Grigore Ventura që … “nuk ka qënë i askujt, por i të gjithë rumunëve”, nuk kish se si të mos qe dhe i të gjithë shqiptarëve.Nuk kish se si të ndodhte tjetërsoj me këtë gjeni (dhe gjenitë u përkasin të gjithë popujve) për të cilin krahasimisht, dikush është shprehur se “Nëse Gëte do ishte shojtur në moshën e Emineskut, Gëtja nuk do të kujtohej fare”. Gjithashtu Eminesku, zuri një vend të veçantë në zemrat tona, pasi ai mbetet përfaqsuesi më dinjitoz, i të gjithë vlerave të mëdha të popullit mik rumun, i cili gjithmonë e ka mbështetur sinqerisht, çdo lëvizje kulturore dhe atdhetare të shqiptarëve, e kryesisht të atyre burrave të shquar që u strehuan në vendin e tyre.

  1. Eminesku ka folur shqip në sajë të punës mjeshtërore të Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Rexhep Ismajlit, Vehbi Balës, Dhori Qiriazit, Qazim Shemajt etj. për të mbërritur tek i ndjeri Perikli Jorgoni i cili ka nxjerrë një përmbledhje më të plotë të poezive të Emineskut, rezultat i një përpjekjeje disa vjeçare.

Por botimi i librit të Lasgushit, nën kujdesin e vajzave të tij Kostandinës dhe Marijes, me titull “Eminesku i injoruar dhe ideologjia e tij popullore – atdhetare”, studim me të cilin ai në moshë fare të re, mbrojti doktoratën, përbën një eveniment shumë të rëndësishëm, jo vetëm për kulturën tonë, por edhe për atë rumune.   Ambasadori i Rumanisë, i nderuari George Miku, pasi u njoh me këtë studim të gjatë dhe ndofta më të arririn për veprën e poetit të madh rumun, shkroi: “Ajo është një model i përkryer se si duhen analizuar krijimtaria artistike dhe dukuritë letrare dhe estetike. Në të nuk ka asnjë koncept të gabuar e të vjetëruar, ajo edhe sot, afërsisht pas  100 vjetësh nga trajtimi i saj, na shfaqet e freskët, bashkëkohore dhe moderne”.

  Ne sot, pa frikë mund të arrijmë në përfundimin, se ndofta Lasgushi, ishte pikërisht ai që i duhej trajtimit shkencor, kulturor e shpirtëror të veprës së Emineskut, pasi ata kishin shumë pika të përbashkëta, për të mos thënë se kishin mjaft anë të rëndësishme të përbashkëta. Vërtetë Lasgushi jetoi gjatë, 88 vjet, por ata jetuan në një kohë të përafërt, në vende me fate të njejta historike, me përpjekje e luftra të pandërprera për liri e pavarësi. Kultura e tyre ishte e jashtëzakonëshme; ata njihnin mësë miri letërsinë dhe filozofinë botërore dhe e pasqyruan atë në tërë krijimtarinë e tyre poetike. Ata njëlloj provuan varfërinë e shpërfilljen. Të dy u mbështetën fuqishëm tek krijimtaria popullore dhe ditën ta përpunojnë atë dhe ta ngrenë në lartësinë e një arti sublim. Ata si njëri, ashtu dhe tjetri, nuk i duronin në asgjë padrejtësinë dhe reagonin me revoltë dhe burrëri ndaj saj. Të dy i kënduan vendlindjes, i ngritën himne asaj. Të dy u rritën buzë dy liqeneve që patën ndikim të dukshëm në formimin e tyre, njëri atje pranë liqenit të mrekullueshëm të Ipoteshtit e tjetri buzë liqerit të mahnitshëm të Ohrit. Edhe temat që ata përzgjodhën, gati ishin të njëjta; i kënduan bukurisë, mirësisë e dashurisë si askush tjetër, ndaj dhe të dy u mësuan nga të gjithë, pavarësisht nivelit, përmendësh. Ka një përkim të çuditshëm; deri dhe atyre që i mërzitën me ligësi “profesionale”, pra kritikëve dhe redaktorëve zyrtarë, u thurën vargje plot mllef e sarkazëm.

 Vetë Lasgushi, u detyrohej shumë rumunëve; atje ai respektivisht në vitet 1933 dhe 37, botoi “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i Zemrës”.

  Mund të mbahen shumë leksione për miqësinë mes popujve. Mund të nënshkruhen edhe traktate miqësie nga ana e politikanëve. Por ato nuk janë asgjë, përpara lidhejve të pakodifikuara të vetë poetëve, të cilat deshifrohen vetëm me vullnetin, këmbënguljen, sinqeritetin dhe talentin e poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve.

  I parë kështu, ky libër i botuar me shumë përgjegjësi nga shtëpia botuese Argeta LMG, e zotit Mehmet Gëzhilli, merr një rëndësi të veçantë, pasi i kalon përmasat e një vepre letrare. Ai tregon se urat e miqësisë mes dy popujve tanë, themelet e të cilave janë ngritur në shekuj, do të forcohen akoma më shumë, falë dhe kontributit të intelektualëve tanë, disa nga të cilët po i përmend, duke u kërkuar falje shumë e shumë të tjerëve,  njerëzve pra, si George Miku, Dionis Bubani, Kopi Kyçyku.

 Edhe pse atëherë pa shumë përvojë, Lasgushi ka ditur të hyjë në mënyrë racionale jo vetëm në botën e pafund dhe të larmishme emineskiane, por edhe të vetë Rumanisë që po përjetonte një zgjim me ardhjen e tij në atë periudhë të pështjelluar tranzicioni.

  Lasgushi, na jep fillimisht ndikimin francez, ku natyrisht po vlonte mendimi përparimtar. Këtu nisi me një hov të ri “shkundja nga gjumi” e popullit rumun, me këtë ndikim qenë të gjithë ata që u quajtën me të drejtë “kryeluftëtarë të mëdhenj të atdheut dhe shkrimtarë të shquar”…

Por nuk mund të anashkalohej ndikimi i të gjithë atyre që pasi u shkolluan në Gjermani, sollën prej andej ide të reja dhe që aq bukur këtë ndikim e ka përmbledhur në kumtesën që mbajti në Akademinë rumune M. Kogalniceanu: …“pothuajse gjithçka që kam bërë në vendin tim ia kushtoj kulturës gjermane, Universitetit të Berlinit, shoqërisë gjermane, burrave të mëdhenj … që kanë realizuar unitetin dhe ngritjen gjermane, dhe në flakët e dashurisë për atdheun gjerman është ndezur tek unë edhe pishtari i dashurisë për atdheun rumun”.

Lasgushi, konstaton me mprehtësi për krijimtarinë poetike të Emineskut se “Përmbajtja artistike e poezive të tij dilte mbi nivelin e zakonshëm arsimor të bashkëkohësve”. Madje, kishte nga ata që mendonin krejt gabimisht, se poezia e tij, nuk kishte asnjë lidhje me popullin, me psikikën e tij. Dhe Lasgushi, i referohet Titu Maioreskut që ndër të parët theksoi frymën popullore të vargjeve të Emineskut, duke shtuar nga vetja se “… në të vërtetë Eminesku është endur në jetën e atëhershme letrare pa rënë fare në sy, për t`u bërë i famshëm vetëm pas vdekjes”. Ironikisht, kjo ka ngjarë me shumë krijues të mëdhenj.

  Por për Emineskun, Lasgushi, duke u ndalur tek poezia “Ylli…”  thotë se ai …” sjell motivin e një ylli të shuar në gjithësi, drita e të cilit kur ai shkëlqente ishte e padukshme për shkak të largësisë së madhe, por atë ne jemi në gjendje ta shohim vetëm pas mijëravjeçarësh, ndërsa ai ka kohë që është shuar:

                                    Drita e yllit që s`ndrin më,

                                    Ngjitet kupës së qiellit:

                                    Na ish, kur s`e shihte asnjë,

                                    U tret, po vazhda mbeti.

  Duke shkruar kështu në atë kohë, pra duke qënë ende student, Lasgushi sikur parashihte fatin e tij, fat i cili gjithsesi kishte nisur që me prerjen e bursës nga qeveria e vendit të tij, pasi ai ndërpret për pak kohë studimet, nga që ishte i sëmurë edhe pse ishte student i shkëlqyer, ç`ka e detyroi të shprehej me indinjatë: “por vullneti im nuk thyhet. Këtu ju jap fjalën time të fortë, se më parë futem në dhet, sesa të mbaroj studimet. Dhe, në mos vdeksha, do t`i mbaroj rregullisht, qoftë me bursë, qoftë pa bursë, bursën i – a u le studentëve pa karakter, pa vullnet për punë, pa përgjegjësi, njerëzore: me një fjalë, sahanlëpirësve që m`i urren shpirti. Jam … nga ata që s`tremben prej fatit.” E ky fat, për Lasgushin qe i përjetshëm, se sistemi që erdhi, ishte akoma më armiqësor me njerëz si ai. 

  Në këtë libër që tani e kemi në dorë, bie në sy shpjegimi i gjithë ndikimit të kulturës gjermane tek ky njeri që shokët e quanin “bibliotekë e gjallë”, por që fundja në brendësinë e vet mbeti vetëm rumun, që shkroi për atë popull me atë që Lasgushi e quan “ideologjia e tij popullore – atdhetare”.

  Më sipër theksuam, se thuajse në asgjë, nuk është vjetëruar Eminesku. Por vetë Lasgushi, na bën me dije se idetë e tij, për formën e qeverisje janë përparimtare, por tani e kuptojmë se ato janë të tejkaluara; ai kërkon absolutizëm, por pa e ngatërruar atë me despotizëm. Kjo ishte aso kohe në interes të çështjes kombëtare të Rumanisë, ku ai i jepte përparësi fshatarsisë, e cila pa tjetër duhej të karakterizohej nga stabiliteti.

  Megjithatë, për Lasgushin, është e kuptueshme se teoritë politike, janë në pajtim me koniukturat social – ekonomike të kohës, ato evolojnë herë pas here. Ajo që mbetet e pa ndryshuar është krijimtaria artistike e cila në rastin e M. Emineskut do të mbetet e njëjta për shekuj e shekuj me radhë.  

  Kjo më shumë se gjithçka i bën poetët si Eminesku e Lasgushi të pa vdekshëm. Ja pse vetë Eminesku tek poezia “O mëmë” thoshte:

           Kur do të vdes, e dashur, mbi kokë mos më qaj;

           nga bliri i shenjtë, i ëmbël një degë veç më ndaj,

           mbi kokën time degën vendose me kujdes,

           le të rigojnë lotët nga sytë e tu, si vesë;

           do t`ndjej si hija e blirit më rritet edhe më …

           Gjithnjë do t`rritet hija, un` do fle gjithnjë.

Dhe ata vërtetë flenë gjumin e përjetshëm, por i takojnë përjetësisë, gjë që e pohon edhe vetë poeti ynë L. Poradeci me këtë libër që e plotëson figurën e këtij ylli të poezisë rumune e botërore.        

Filed Under: ESSE Tagged With: Eminesku, Lasgushi, Shpendi Topallaj

Plumbat e armikut t’i lejmë pa barot!

August 1, 2017 by dgreca

1-kaltrina

Nga Kaltrina HOTI/

Çdo veprim në jetë ka rregullat e veta. Nëse zemrën dhe shpirtin i kemi bërë bashkë për Liri, lirinë tonë të përgjithshme ne jemi takuar diku me dashurinë e madhe që quhet Atdhe. Për fatin tonë të mirë ne kemi dy fjalë dhe mund të themi edhe Mëmëdhe se kemi gjuhë të pasur. Dashuria  për tokën, gjuhën, traditën, kulturën, historinë, prejardhjen tonë na bënë përgjegjës dhe na detyron se si të veprojmë ndaj së keqes, si të hapim udhë dritë, sa duhet të jemi të matur dhe si e shikojmë ardhmërinë. Ne duhet të jemi përgjegjës për fjalën që hedhim në letër, në biseda, në tubime, mbledhje, takime të ndryshme, kuvende nëse vërtetë duam të jemi pjesë e arkivit tonë kombëtar. Ne nga historia e dimë luftën e të kundërtave; në njërën anë vepron mirësia, dashuria, maturia, mençuria që e duan ta shohin Atdheun të përparuar e të bukur… ndërsa në anën tjetër e keqja, smira, xhelozia… e ardhur nga erëra të huaja që ka depërtuar në trupin tonë dhe është e shëmtuara që do të sundoj shpirtin e popullit. Në njërën anë është pjesa që bartë përgjegjësi për të ardhmen tonë ndërsa në anën tjetër është fjala e huaj në veshin tonë. Në njërën anë është e bukura në anën tjetër shëmtia që bëjnë luftë të pandërprerë. Në njërën anë është dora që mundohet të shërojë e lidhë plagë, në anën tjetër është ajo që krijon plagë të reja. Në njërën anë është ideali në anën tjetër kundërshtari. Në njërën anë është atdhedashuria e në anën tjetër tradhtie. Nuk dua të zgjatem më shumë por dua të them se duam apo s’duam ne e keqja ka fund, dhe kjo e keqe që dëshiron të mbulojë trupin tonë me tesha të huaja që duan të na ndërrojnë identitet e ke një fund. Fundi për disa do jetë shumë i turpshëm, bile për një pjesë që kanë marr lapsin dhe lavdërojnë okupator të ndryshëm duke na e bërë edhe çlirimtar. Është koha për përgjegjësi dhe ndërgjegjësim që këto plumba të armikut t’i lejmë pa barot. Ata edhe përse mundohen shumë dhe këtë e bëjnë në mënyra të ndryshme kurrë nuk do kenë sukses, se e dinë që këtej kanë kaluar perandori me shekuj dhe populli ka gjallërua shqip dhe vetëm shqip. Ata që kanë marr lapsat kundër vetes së tyre duhet ta dinë se barutin e kanë të lagur dhe nuk iu shkrep. Ata sa më parë duhet të ndërgjegjësohen se përpara idealit “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar” janë hiqi i hiçit!

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Katrina Hoti, Plumbat e armikut, t’i lejmë pa barot!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 309
  • 310
  • 311
  • 312
  • 313
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT