• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZOTI TË PRET

November 28, 2016 by dgreca


1-luan-toto
Nga Gezim Llojdia/
Iku për tu bere i padukshëm përgjithnjë. Poeti,shkrimtari,piktori dhe njeriu Luan Hysni Toto .Për krijuesit e Vlorës është një dite dhimbje. Luani mbajti gjalle Klubin e shkrimtareve ‘Petro Marko”për disa vite me radhe me kontributin e tij financiar. Lamtumire njeriu i mire Luan Toto .Emri dhe krijimtaria juaj kane vend mes nesh.
Njohja me Luanin.Në të vërtetë brenda atyre telajove arti shkrihej e gufonte,lëvizte plot nur bukurie,ngjyra e kolorit. Pyeta dhe më thanë se ka qenë dizinjator dhe ka mësuar nga artistët e këtij qyteti, sepse Vlora ky qytet në vitet 70 përjetoi faktorët në historinë e saj. Luftën e çmendur të klasave që asgjëkund si këtu nuk bëhej, por edhe disa shkolla, që morën jetë si shkollën e pikturës vlonjate, të këngës vlonjate dhe të futbollit, ose më qartësisht të sportit vlonjate. Mirëpo një pasdite vere me zagushi ne po rrufisnim kafe me akull në lokalin qendrës tregtare “Riviera”, atje në Skelë, ishte një ditë që po mbyllej dhe në tavolinë gjeta poetin e këtij lëmi shtruar Emiliano Stefa, gazetarin Vangjel Sako dhe Luan Toto.
Mendova se ky i fundit për nga rastësia gjendej në një tavolinë me krijues, sepse në tru më ishte ngulitur ideja, dikush kishte shpifur në kohë të qepës se ai ishte një amator. E pyeta a hapte më ekspozita dhe më buzëqeshi. Në të vërtetë Totot, unë i kam pas ditur se janë nga krahina ime më saktë nga Kurveleshi i sipërm, Progonati, Totat me emër dhe me dije, dhe Luani ishte nga ajo derë por e largët e famshme dhe bukurish e bukur nga ajo zonë malore, ku guri është mbizotëruesi me njerëz të leshtë siç i themi ne këtej nga qyteti ynë jugor. Luani ndërkaq shkoi diku dhe më solli një libër me plot 400 fletë me një titull impresionant, që dikur edhe unë e kisha përdorur një thënie të bektashinjve shqiptarë:” Dielli lind atje ku e perëndon”, mirëpo Luani e kishte zgjedhur disi të veçantë titullin e romanit të vetë historik njëfarë soji kështu:”Dielli perëndoi në lindje” dhe nuk kishte të bënte fare me historinë e bektashinjëve por me historinë dhe ngjarjet tragjike të viteve të para të çlirimit që jetuan ato vite në këtë qytet, ku tërmeti i luftës së klasave ishte ndoshta më i pamëshirshmi sepse këtu këta ishin më fanatik se Papa, pra më komuniste se Marksi më komunistë se vetë e Stalini pa le Enveri. 
Pa shqyrtuar librin do të them disa imtësira për autorin,piktorin dhe shkrimtarin dramaturg Luan Toto. Luani thamë se vjen nga dera e Totve. Mirëpo në kujtimet e tij Irfan Bregu, poet dhe gazetar e pedagog shprehet se që kur ishte nxënës në gjimnazin “Ali Demi”, ai dallohej në të gjithë djemtë e talentuar në fushën arteve. Pra Luani thotë gazetari i mirënjohur Bregu ishte në krye,madje edhe në artet pamore. Një shqyrtim të këtillë unë e shikoj si një dritare të vlefshme dhe për ti dhënë një përgjigje atij, që e përshkroi si një amator,atij që hodhi një grusht hi dhe krisi e iku si zuzar nëpër natën e tij,në botën e tij të mjegullnajave që jo pak herë kanë mbuluar kohërat dhe njerëzinë. Ndërkohë po u prezantoi shpejt vlerat e tij. Aktor në Teatrin profesionist të qytetit. Ka interpretuar role në dramën shqipe dhe të huaj. Ka shkruar drama si “Sezaiu”,”Arbeni” ,”Krismat e para”.Mirëpo ndërsa krijimtaria e tij po gjente një rreze shprese, drama :”Dritë në qiell” ngeci në vend. I keni parë mullinjtë me një rrotë të ngrënë, repartet aktive në artë kishin shtrënguar ingranazhin, Akuza dramaturgu Luan Tota që kishte qenë student në Poloni ishte në ndjekje si agjent polak, ndërsa i ndërpriten studimet, për të njohur realitetin e egër të burgjeve shqiptare. Unë kam pyetur ish kryetarin e degës së kulturës të asaj kohe H. Bani i cili më ka thënë se Luani është dënuar fare kot, ndoshta edhe për ti zënë vendin e punës. Luan Tota aktualisht është një krijues punëtor. Ka hapur tre ekspozita në pikturë, ka botuar libra dhe një roman historik.
KRIJIMTARIA E LUAN TOTOS 

Lëmi, që ai gatuan më mirë është ndoshta piktura. Realizmi dhe qyteti i tij jugor me det shfaqen çuditërisht bukur. Peizazhet i godet mirë. Ka një dorë të vëmendshme që shket me aq kujdes përmbi telajo. Nuk ngopesh për nga bukuria dhe lirizmi kur shikon Ujin e ftohtë. Të kësaj pjese gjen dhjetëra krijime të hedhura duke treguar se arti i tij më parë se të zbres atje është gatuar në shpirt. Në të vërtetë, brenda ndjen poezinë, si ai qelqi që thuhet uji, që zbret, dallgët që shkumëzojnë, shkëmbinjtë dhe plazhet e detit të jugut, gjithë jetë. Mua jo se më pëlqen realizmi por kam nostalgji për këto vende piktoreske,që sa i shikon aq më të magjepse shfaqen, keni parë detin dëshmitarë, dallgët, diellin, perëndimin, bluja e theksuar tek piktorët e Vlorës si vetë ngjyrimi i detit. Unë morra një kalendar të tij dhe pash vjeshtën e thjeshtë pa rivale të vetë,ashtu siç e kishte bërë nëna. Përroskat e pathara ujëshumë, kopshtije të harlisura, ujëvarë, bimësi, banesa, stinë dhe cikle që shumëzohen nën shi, mirëpo tuneli mbetet pjesë e zemrës për vlonjatet. Ai është zgjedhur këtë herë ndryshe, në hyrje por dhe në dalje të tij, për të thënë se bukuria e tij nuk është vetëm në fillesë, dhe ajo që të impresionon janë pemët shkurrnajë me ngjyra befasuese. Ka diçka të veçantë ky piktorë. Diçka që u përngjanë piktorëve të huaj që jo se bënë shumë, por më tepër lirinë e kishin me pashë, ajo që shumë krijuesve pikërisht në këtë vend, ju mungoi.

ROMANI 
Kur autori Luan Toto, më dhuroi romanin nuk besova se brenda atyre fletëve do të gjeje një stil të rrallë dhe një krijim mëse të arrirë. Ky roman mund të konkurrojë denjësisht me çdo libër të çdo mjeshtëri shqiptar. Mirëpo libri i L.Totos ka për të fituar. Një arsye mbetet për të shqyrtuar se nëse doni të mësoni jetën e një qyteti siç ka ndodhur në fillesën e viteve të para të çlirimit,në fletët e tij. Një vlonjate siç mund ta themi pa mburrje ka të shkruar atje historinë e tij një dëshmi e gjallë që nga ngjarjet e vërteta,personazhet, gjuhën e përdorur dhe gjithçka që i duhet .Unë do të thosha se ku autor ka rrëzuar në gjunjë qindra krijues nga ata, që nuk lënë rast për tu shfaqur nëpër TV, por L.Tota është i pazhurmë. Për këtë roman kanë dhen vlerësime shumë krijues të mirëfilltë të letrave shqipe që gjithsesi fjalën befasi e kanë në epiqendër të fjalëve të tyre për romanin. Nëse sot janë të mërzitshëm romanet, që servilen nga dhjetëra shtëpi botuese, ky roman është sinqerisht një shoqërues i mirë për lexues të pasionuar. Është fakt i njohur se krijuesit shqiptarë shumë prej tyre me dell, i fshehu koha. Njëri prej tyre Luan Toto nuk e zbeu koha jonë. Ai gjendet sa në pikturë me penel në dorë, e shikon në qendrën tregtare ku ka ekspozitë dhe nëpër muzgje duke ecur në rrugë me një cigare gjysmë të ndezur, të përhumbur në mendime krijuesi. Kush është ky Luan Toto, njeriu që u etiketua si agjenti polak, jo për gjë, por për ti ndryshuar rrjedhën e fatit të nisur për ta vithisur, mirë po ai mposhtet Luani dhe shpirti i tij ngadhënjimtar? Absolutisht që jo!
Luan Toto ,artist,piktor dhe shkrimtar

Krijimtaria
1-Sezaiu –novelë
2-Drite ne qeli- drame
3-Letra-drame
4-Arbeni –Drame për fëmijë
5-Krisma e pare – Drame për fëmijë
6-Nga cikli I romaneve
-Koha e Rinise se baballarëve
-Dielli perëndoi ne lindje
Përkthimi nga gjuha polake
1-Gjermanët –dramë
2-Dita e parë e lirisë- dramë
3-Rruga e superspiunit-Tregim
4-Misioni I gjeneral Betuarit 
5-Operacioni ‘Poli I veriut”
6-Dueli I spiuneve
7-Ku është Oberleutnanti Siebert
8-Katastrofa e Hiroshimës
9-Atentati kundër Kutscherit
10-Mullixhiu nga De-tregim
Pikture
Ekspozita te hapura gjithsejtë 4
Ka punuar mbi tablo me motive te ndryshme .
 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Llojdia, Luan Toto, Zoti te pret

Djali me flamur

November 26, 2016 by dgreca

Nga: Jeni MYFTARI-Londer*/4-december-2012-lad-36

Copa e kuqe që mbante nëna në dorë i tërhoqi vëmendjen Arbërit teksa po fuste librat në çantë dhe bëhej gati të shkonte në shkollë.

– Nënë, ç’është ajo që ke në dorë-pyeti ai nënën, që tashmë ishte afruar pranë dollapit të rrobave dhe po mundohej ta fshihte diku në fund të tij?

– Është Flamuri bir -u përgjigj nëna.

– Po pse po e fut aq thellë në dollap nënë? -pyeti Arbëri me kureshtje. A nuk duhet ta vemë të valojë në dritare? Nesër është Dita e Flamurit.

– Duhet ta fshehim bir, DUHET -tha nëna. Po na e gjeti shkau, na djeg shtëpinë e na vret të tanëve, po ti shko në shkollë tani se u vonove.

Arbëri e puthi nënën dhe doli nga shtëpia, fluturim si zog. Rrugës ndaloi tek porta e Ilirit dhe i thirri edhe atij që të shkonin së bashku. Të përqafuar, dy shokët u futën në klasë.

Mësimi donte dhe dy minuta të fillonte, por klasa ishte pothuajse bosh sepse nxënësit e fshatit fqinjë, nuk kishin ardhur akoma. Të shqetësuar, të gjithë filluan të pyesnin njëri-tjetrin, por askush nuk e dinte arsyen e kësaj mungese.

Kur ja, në klasë hyri mësuesja e cila ndryshe nga zakonisht, nuk mbante regjistër në dorë. Ajo nuk shkoi tek tavolina ku ulej gjithmonë për të bërë apelin, por u afrua tek nxënësit dhe i vështroi thellësisht. Heshtja pushtoi klasën. Sytë e mësueses ishin të mbushur me lot. Duket se kishte ndodhur diçka e rëndë. Të gjithë mbajtën frymën me ankth, me vështrimin të ngulur tek mësuesja e tyre.

– Milicët serbë kanë sulmuar fshatin fqinjë, sot ndaj të gdhirë, -tha mësuesja me zërin që i dridhej. Kanë masakruar gratë e fëmijët dhe i kanë vënë zjarrin shtëpive -vazhdoi ajo me lotët që tashmë i rridhnin poshtë faqeve.

Nxënësit ulën kokat dhe dhimbja pushtoi gjokset e tyre të njoma. Minutat që pasuan ishin tepër të rënda. Asnjë nuk fliste. Lotët në sytë e fëmijëve, tregonin dhimbjen e shpirtit të tyre për shokët që nuk ishin më.

Po ç’është kështu? Ç’janë këto piskama? Ç’është kjo zhurmë? Nga vijnë këto flakë?

Nxënësit dhe mësuesja akoma nuk po kuptonin se ç’po ndodhte jashtë kur dera e klasës u hap furishëm dhe një djalë tha se milicia serbe kishte rrethuar fshatin e tyre, po masakronte banorët dhe po digjte shtëpitë. Klasën e pushtoi paniku.

Arbërit i erdhi në mendje nëna e tij që ishte vetëm dhe u nis me vrap në shtëpi. Ai nuk e dëgjonte zërin e mësueses që i thërriste të kthehej.

Kur arriti në shtëpi nuk e gjeti nënën aty. Thirri ngado por nuk mori përgjigje. Vetëtimthi iu kujtua flamuri që nëna kishte fshehur në dollap. Shkoi, e mori dhe e futi në gji. Nuk arriti të dilte nga dhoma kur në derë ia behën milicët. Njëri prej tyre tërhiqte zvarrë nga flokët nënën dhe duke e qëlluar me shkelma në fytyrë e në trup e pyeste se ku e kishte burrin dhe djalin e madh. Të tjerët u shpërndanë për të kontrolluar nëpër shtëpi duke thyer e shkatërruar çdo gjë. Papritur Arbëri ndjeu një dhimbje në krah dhe pa kuptuar akoma ç’po ndodhte e gjeti veten të flakur në një cep të dhomës. Një prej milicëve e kishte përplasur në dysheme.

– Arbër, zemra e nënës!-thirri nëna e shqetësuar për të.

– Nënë, o nëna ime!-thirri Arbëri nga cepi ku e kishte hedhur milici.

Por zëri iu këput nga një goditje e fortë që ndjeu pas kokës. Vështrimi iu turbullua dhe ashtu si nëpër mjergull pa nënën që u përpoq të shkëputej nga duart e milicëve për t’i ardhur në ndihmë të birit. Megjithë përpjekjet e saj, nuk arriti të bënte asnjë hap. Bajoneta e pushkës që mbante në dorë milici që e tërhiqte për flokësh, përshkoi tej për tej trupin e nënës. Ajo u fik pak nga pak dhe trupi filloi të lëshohej përtokë. Të qeshurat e milicëve pushtuan dhomën, ndërkohë që Arbëri u zvarrit drejt trupit tashmë pa jetë të nënës. Nuk arriti dot as të kapte dorën e saj drejtuar drejt të birit, pasi në trup ndjeu ftohtësinë e metalit të bajonetës që përshkoi zemrën e tij të njomë.

Në momentin e fundit të jetës, atëherë kur sytë e bukur po mbylleshin ngadalë, Arbëri çoi dorën e tij të vogël në gjoks dhe shtrëngoi diçka. Gjithçka përrreth u shua dhe trupat e pajetë të nënës e birit, të shtrirë në drejtim të njëri tjetrit, dergjeshin të masakruar në mes të dhomës.

Kështu i gjeti Iliri dhe motra e tij, pas pesë ditësh, kur më në fund, pasi u larguan trupat e milicisë serbe, u kthyen në fshatin që tashmë ishte shndërruar në gërmadhë. I përkulur mbi trupin e përgjakur të shokut, Iliri vuri re se Arbëri kishte futur dorën në gji dhe akoma mbante të shtrënguar diçka.

Me shumë kujdes, si të kishte frikë se e lëndonte shokun e tij të ngushtë, Iliri futi dorën në gjirin e Arbërit dhe nxorri prej aty flamurin.

Ai e afroi flamurin e përgjakur tek buzët, e puthi fort dhe u betua se nuk do të ndahej kurrë prej tij. E motra u afrua, e kapi për dore dhe të dy bashkë u larguan drejt qendrës së fshatit, ku tashmë ishin mbledhur ato banorë të pakët, që kishin mbetur gjallë.

*Jeni Myftari

Academic Adviser

Embassy of the SO-London

Cultural Attache

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Djali me flamur, Jeni Myftari

Petro Markos në 106 vjetorin e lindjes

November 25, 2016 by dgreca

1-ilir-levonja-2-288x300

Nga Ilir Levonja/

Sot është 25 nëntor. Datëlindja e Petro Markos. Këtij brigadisti shqiptar që luftoi në Spanjë. Aty ku idetë fashiste dhe ato të proletarëve nga e gjithë bota. E bënë Spanjën një vend të luftës civile. Këtij komunisti idealist që provoi mbi kurrizin e vet, të gruas, djalit…, familjes së tij. Mënxyrat më çnjerëzore të asaj platforme politike së cilës ai i kushtoi jetën. Këtij humanisti që fati i mbrapsht i yni na e flijoi për së gjalli. Për të kuptuar idetë kristiane përmes kalvarit, martirizmit, persekutimin. Po ne ishim në gjumë. Kishim rënë në gjumë prej kohësh. Dhe më magjikja … pamja e jetës ssë tij, si një univers detar. Për të kuptuar devijimin e bashit të anijes nga pika e horizontit të një perëndimi dielli. Për ku u nis ajo anije, ku ai, ia krruajti ashtin, ia mbushi vatrën,i shërbeu si një marinar shembullor. Dhe ku u ankorua! Në një bllok vilash me histori shekspiriane. Që një komb i tërë i mbuloi. Herë duke manifestuar mes lulëkuqeve të majit. Herë në nëntorët e traditës jugosllave.

Petro-Marko

Sot po sjell një pasazh nga vet Petroja. Me shpresë që të shohim se sa hendek i madh është devijimi.

****
Shqiptarët komunistë dhe jugosllavët.
Nako më kishte thënë që ta bënim ”Bashkimin” si ”Borbën” e Beogradit. Unë e kisha kundërshtuar me po ato fjalë që i thashë edhe N H në mbledhje, se dhe ai nxorri nga xhepi një ”Borba” dhe tha se edhe ne duhej ta bënim ”Bashkimin” si ”Borbën” . Unë shkova në dhomën tjetër, mora koleksionin e ”Bashkimit” të vjetër dhe thashë se ”Bashkimi” sot ndjek gjurmët e ”Bashkimit” të vjetër.
Ne kemi shtypin tonë siç ka çdo shtet shtypin e vet. Çdo shtet ka traditën e shtypit të tij. Ne me ”Borbën” , -thashë, – ndryshojmë nga forma, por kemi atë përmbajtje ashtu si në Itali ”Unita”, si në Francë ”Humanite”, si në Greqi ”Rizospastis” e të tjera. Pse të mos bëhet ”Borba” si ne, që është më e re se ”Bashkimi”?.
Pas disa diskutimesh qetësuese nga Omer Nishani, thanë ta mbyllnin mbledhjen.
Pas disa ditësh Jugosllavia kishte një festë dhe ne të kulturës (të Radios, të Agjensisë Telegrafike dhe shtypit) ishim ftuar në ambasadë. Dhe shkuam në ambasadën Jugosllave për të uruar. Unë kisha marrë me vete edhe shoqen time Safon. Josip Gjergja, ambasadori më mori pranë dhe folëm shqip. Ngritëm gotat. Kur ceku gotën me timen, më tha: – E në mos u bëftë ”Bashkimi” si ”Borba”, le të bëhet ”Borba” si ”Bashkimi”.
Gotën as nuk e vura fare në buzë, por e lashë mbi tryezë. Ai buzëqeshi me ironi dhe më tha:
-Pse?
I thashë:
-Ju nuk i njihni mirë zakonet tona. Ne themi ”hallet e shtëpisë” nuk nxirren në pazar.
Edhe ai e uli gotën dhe e la mbi tryezë. Më pa me ironi dhe më tha me zë autoritar:
-Unë nuk jam pazar!
Atëhere unë iu përgjigja:
Në këtë rast për mua, po.

_________
Shkëputur nga Retë dhe gurët, e autorit Petro Marko, Tiranë 2000.

*****
Eshtë nga qindra pasazhet që i shkon vështrimit eseistik, thjesht për të konstatuar. Eshtë koha kur shqiptarët komunistë, fitimtarët, përpiqen me një kinezeri kolektive t’i ngjajnë, të imitojnë komunistët jugosllavë. Madje u hapin hambarët e depove të ushtrive të huaja, mbetur aty…, si kavalerizëm qeveritar përballë nomeklaturës jugosllave. Ndërkohë që vendi vunate nga skamja dhe malarja.
Kinezëria arrin deri aty sa, edhe abetaret në klasat fillore dalin me emrin e Enverit dhe të Titos. Madje vazhdojnë deri sot me këtë datën e çlirimit të vendit. Me preteksin e ushtarit të fundit gjerman. Duke mbuluar me inat ambasadorësh faktin që data 29 përkon me themelimin e federatës tashmë të shpërbërë, asaj jugosllave.
Petro Markon e arrestojnë që të nesërmen. Ishte pranvera e vitit 1947. Këtu fillon kalvarin i ri. Ai i vuajtje për pasojë e luftës brenda sojit. Për pasojë të devijimit të anijes. Që padiskutim nuk i përkiste racës së sojit Petro Marko. Por atij soji që na e shpjegon vetë Petroja përmes një dialogu midis atyre që ishin aty në qeli.
Flet Petroja:
-Aty në birucën e katit të poshtëm gjeta tre veta: Asim Abdurrahmanin që e njihja se ishte dhëndrri i Bedri Pejanit; gjysh Dedën, një shkodran; Asllan Ypin. Sapo më panë u habitën. Edhe ti këtu?! Aty dëgjova Asllan Ypin të na tregonte për jetën e tij dhe të Enverit në Francë. Pastaj tregonte edhe për në Tiranë.
-Një ditë kalova andej dhe e pashë që pozonte në derën e dyqanit ”Flora”, ku njoha disa komunistë. I thashë në frëngjisht: ”Po ti Enver, ç’kërkon këtu me të kuqtë?”
Dhe ai po frëngjisht: ”Jam këtu me qëllim që tua q… nënat gjithë komunistëve. Asnjë nuk do të lë në këmbë”…
_________
Shkëputur nga Retë dhe gurët, e autorit Petro marko, Tiranë 2000.

*****
Gëzuar datëlindjen maestro. Të qoftë era e bregut melhem për plagët tona.
25 nëntor 2016

.

Filed Under: ESSE Tagged With: 106 Vjetori, i lindjes, Ilir Levonja, Petro Marko

Musineja, emblemë e letersisë shqipe

November 16, 2016 by dgreca

Nga Prof.dr.Ermelinda Kashah/

ok-ermelindaThuhet se në një vend të traditës (në rastin tim të Gjirokastrës), të zgjon një njeri i librit e që ka lidhje me fushat e dijes.Thonë se plagët e së shkuarës lëndohen përsëri, përgjaken  në kohën e tashme dhe zgjohen demonët që flenë në shpirtrat e sakatuar të njerëzve që jetojnë në pikëllim të madh. Traumat dhe tingujt e një simfonie shkatërrimi shfaqën vetëdijen e thellë për fatin e njeriut, për dekantimin e shpirtrave njerëzorë.Makineria e madhe  e dinamikës së jetës nuk ishte një vidë e vogël, por mendësia shqiptare e asaj kohe ishte një fuqi e errët që i sollën aq shumë plagë njerëzimit që mpiksi ide dhe cilësi karakteristike. Kjo më ka ndodhur dhe mua, kur befas më zgjoi  figura e  Musine Kokalari.

musine-kokalari-foto-origjinale

Përpara se të shkruaja për figurën e letrës shqipe, ndava një argument në mendjen time, dhe pranova që janë disa kategori lexuesish: që lexojnë, e disa të tjerë që lexojnë e përjetojnë, aq më tepër që realiteti ynë letrar dhe kulturor ishte ende i vështirë dhe i ashpër, i burrëruar edhe në feminizmin e tij.

Vite më parë lexoja në lidhje me ketë shkrimtare, por përpara asamblit të ndërtesave, sot mendja më ndali afër shpirtërisht. Në simbiozën e botës poetike dhe shqiptare e origjinalizuar në shtatin e rrjedhës ligjërimore të shqipes, sikur mbeta në një moment mistik, në momentin ku letërsia e asaj kohe binte në spektaklin frenetik të modernitetit, e aq më tepër në një botë shqiptare ku shumë shkrimtarë kanë qenë të censuruar me veprat e tyre.

Dhe unë, ju, të gjithë ne këtu, kemi meritën që ta vlerësojmë këtë figure, si një strukturë brenda makrostrukturës së letërsisë shqiptare, të risjellim frymën e kohës dhe aktualitetin, vlera dhe forca e së cilës qëndrojnë në letërsinë e epokës paraprijëse. Nuk do të doja të përsëritja të njëjtat fjalë mbi këtë figurë, sepse çështja e madhe filozofike dhe shkencore  ka zbritur ne rrënjët e botës kulturore dhe shqiptare dhe ne bijtë e letërsisë mbarëshqiptare jemi limfa sot që kujtojmë dhe ushqejmë ndjeshmërinë që ravijëzohet për këtë figurë të letërsisë shqipe.

Pse them emblemë? Edhe pse ëndrrat e saj u përgjysmuan, ajo mbeti Emblemë e inteligjencës dhe barometer i personalitetit në shoqëri.Letërsia optimiste dhe “faqekuqe” e realizmit socialist, me shëndetin e saj social e përjashtonte temën “fytyrzbehtë” të dhembjes kurse letërsia bashkëkohore shqiptare ishte purifikuar shpejt prej dhimbjes dhe dhimbja ishte kryetema e letërsisë.

Po jap disa faktore:
1. Krijimet e Musinesë janë gjysëm folklor dhe gjysëm letërsi. Duket se ajo nuk  e ka pasur qëllim parësor pasi ishte diçka njohëse dhe letrare.
2. Personazhet janë profile e jo portrete, që më kujton Santorin i cili edhe ai kish një komponent të fortë etnografik në romanet e veta në vargje dhe në prozë.
3. Musineja, ishte rasti i shkrimtares që nuk arriti dot të zhvillonte potencialin e saj, një shkrimtare që u shkëput nga sentimentalizmi dhe eci në rrugën e realizmit etnografik.
4.Letërsia e saj pati një receptim nga publiku por veprat nuk komunikuan me këtë të fundit.

  1. Krijimet e saj ajo i botoi para diktaturës dhe nuk paraqesin nuanca politike, fakt qe nuk i zvogëlon meritat e saj
    6.Botimi i veprës së Musinesë është shprehje e zgjimit  të ndërgjegjes intelektuale në Shqipëri për vlerësimin e figurave nën pushtetin e hijes. Edhe pse u kryqëzua, u kanalizua për energjitë positive.
  2. Shkrimtare e rëndësishme jo vetëm se eci mbi gjerdanin e veprave të saj të asaj kohe, por përjetoi ato mjedise të virgjëra të cilët nuk ditën të përthyhen, as skematikisht, e as lehtësisht nga mokrat e ideologjive, sepse vetëm kështu me  besimin e patundur, njohu sindromin kohë. Kujtojmë këtu veprën “Sa u tund jeta” një sfidë tronditëse, veprën: “Rreth vatrës”, Siç më thotë nënua plakë, apo merita e gjetjes se një antologjie të letërsisë shqipe përkthyer në frëngjisht, për të vazhduar me tej si studiuese e letërsisë, e historisë italiane, dhe e autorëve më në zë të Europës.
  3. Një tjetër faktor është se, fitoi betejën me misionet e idealit kombëtar e illuminist, duke akumuluar energjitë e saj të brendshme në një kohë kur letërsia e asaj kohe përcolli fatin e njeriut përballë kështjellave të ideologjive të cilat kishin marrë një vrull të frikshëm të orientuara nga hysteria invaduese ndaj popujve.
    Të nderuar pjesëmarrës, koleg, lexues e dashamirës!
    Përgjegjësia është për shkencën letrare të sotme, pasi duhet të kishte një rivlerësim të veprës së saj e jo të mbytej në monotoninë,  e makinerisë së madhe të dinamikës. Të mos e lejojmë letërsinë e sotme të shkojë në ato ndodhi që i përkasin të shkuarës komuniste apo të na rifreskojë absurditetin dhe groteskun e asaj kohe.
    Dikush mund te thotë  se a e njohim letërsinë, po kritikën letrare?

Përgjigjen e kësaj dileme e jep vetë letërsia, duke njohur thelbin e asaj letërsie njohim dhe llojin  e kritikës letrare. Kritika letrare e asaj kohe për veprën e Musinese ishte positive, por sot s’duhet të dilte jashtë sistemit teorik.

Me shpresën se do bëhet “Historia e re e letërsisë”,duke u orvatur të lëmë mënjanë ato që quhen shkaqe jashtëletrare, letërsia e sotme të mos jetë më zëri i njeriut që thërret në shkretëtirë, por kjo femer të zëjë vendin në panteonin e letrave shqipe si: Jusuf Vrioni, Visar Zhiti, Arshi Pipa, Gjon Shllaku, Vincens Prenushi, Jorgo Bllaci, Petro Marko, Daut Gumeni, Kasëm Trebeshina etj

Nuk është ndërmarrje e lehtë të rrokësh madhështinë e një letërsie të kësaj përmase sepse ajo do të përballej me dy prova: E para ishte brendaletrare (sqima krijuese), dhe e dyta jashtëletrare ku vepra e saj nuk u kufizua vetëm si vlerë brenda inagurimit të një gjinie të përpunuar letrare që befas më kujton pinjollin e një dere të madhe si ajo e hyrjes në histori të Frashëllinjve, mjaftoi një segment i jetës politike  ta leje  në harresë..
Te dashur bashkëqytetar gjirokastritë!

Nuk është puna për të justifikuar thyerjen dhe kompromiset siç ndodh rëndom,por për të ngritur një opinion të shëndoshë, social e kulturor, mbarëshqiptarë, për ta minimizuar këtë mentalitet rutinor.  Shpreh shqetësimin tim se pulsi i debatit të vërtetë krijon përshtypjen e rreme si fjala e fundit e debatit rigoroz shkencor.
E parë në këtë aspekt, niveli i kritikës duhet t’i paguajë haraçin kësaj “sëmundjeje të foshnjërisë” dhe figura e shkrimtares tonë të ngrihet aty ku i takon. Kështu, fare mirë, nëse vlerësimi do të jepet nga kritika,  vepra e saj në terësi do të jetë mbi nivelet e arritura për dekada me radhë e për të mos mbetur në hava sepse kritika nuk lindi dhe nuk ekziston rastësisht, por ajo është nevojë e lexuesit të pasionuar që kërkon ballafaqim përjetimesh estetiko-emocionale me lexuesin e kualifikuar.Le të jetë koha faktori më gjenial dhe më i pagabueshëm, të bashkohet historia me bashkëkohësinë, sepse shumë nga dorëshkrimet e saj janë të pabotuara që do të thotë që vepra e saj është në proces njohjeje.
Kam bindjen e palëkundur se, letërsia do te mbroje çdo tezë të sajën, kur dihet se Shqipëria jonë e madhe kaloi një periudhë tranzit. Dhe motoja e kolosit të shkencës albanologjike, prof. Cabej: “Të jemi objektivë por jo indiferentë”, ishte dhe motoja e shkrimtares sonë.Na u duk sikur harresa shekullore do të na torturonte pa daljen në dritë të veprave të kësaj shkrimtareje.
Faleminderit punës së saj të palodhsme, që si askush tjetër në veprën e saj gjeta gjurmët e një rilindjeje, një orientim drejt ndërgjegjes dhe një kritikë identifikuese që bazohej tek afiniteti përzgjedhës i lexuesit.
Faleminderit Shqipëria jonë e madhe, ku tani nuk ka distancë më për të shkëmbyer kontaktimet e që nuk kërkon flijim tjetër, veç forcës së talentit.
Ju faleminderi

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: e Letersise shqipe, EMBLEME, Prof.dr.Ermelinda Kashah. Musineja

Një Ditë Kosovarçe

November 13, 2016 by dgreca

Nga Mr.Sc Blerta Haxhiaj/

( ….Zgjohem vonë edhe bërtas : Qitma kafen mam se t’vras. Nisem n’banjo kot e kot, nuk ka uje as sot…Hajt se do të bëhet mirë në Kosoven e Lirë …) – Shteti apo ndryshe njihet si Kontrata Sociale mundëson sigurinë fizike-psikike-sociale-ekonomike-politike, inkluzivisht në mbarëvajtjen e individit në shërbim të tij, pra të Shtetit. Të vetëdijshëm për historinë “nga objekt-vuajtës të historisë, në shndërrohemi në subjekt-bërës të historisë” – parimi themelor bashkohor është ndërtimi i një shteti të së drejtës, demokratik e social që shërben për garantimin e të drejtave dhe liritë themelorë të njeriut. Drejtësia është ajo që e karakterizon Shtetin në parimet themelor të tij. Por a mund të ketë Shtet të të drejtës pa drejtësi? “Refleksioni për drejtësinë bëhet gjithmonë sa herë që ajo ajo nuk ekziston, ose është aq e korruptuar sa i detyron njerëzit dhe kombet të hidhen në krahët e dëshpërimit dhe indiferencës, duke lënë drejtuesit e vet të bëjnë atë që duan. Jo rastësisht, Papa Benedikti XVI, në diskutimin e tij në parlamentin gjerman, evokoi një ide gjeniale të Shën Agustinit. “Hiqeni të drejtën  – dhe atëherë çfarë e dallon shtetin nga një bandë e madhe hajdutësh?”GJ.S”. Mirëpo këta Pseudohajdutë janë të justifikuar nga pushteti dhe vetë Shteti. Platoni republikën e drejtë e kishte përcaktuar si ‘harmonia e Shpirtit”, ku pasionet e trupit dhe arsyeja janë në harmoni mes tyre. Jeta e personi mbrohet me ligj, në një shtet demokratik (formal dhe përmbajtësor) liria e shprehjes është e garantuar (Shtypi, radio, televizionit, rrjetet sociale ‘masmedia’) ku përmes kësaj e drejta e informimin është e garantuar. Torturës, denimit apo trajtimit mizor nuk mund ti nënshtrohet askush, privimimi i lirise ndodh atëherë në raste dhe sipas proçedurave të parashikuara me ligj. (Rikujtim- nuk ka ligje të padrejta, mirëpo janë njerëzit që i bëjnë ato) sepse askushi është mbi ligjin prandaj askushi është i pafajshëm deri në të kundërten. Mosdija e pazhdukshme gjithmon sillet rreth nesh dhe na shtyn drejt kuriozitetit. Kemi lirinë të zgjedhim, kemi të drejtën të zgjedhin, nëse në mundemi të hidhemi nga një lartësi (e cila rrezikon jetën tonë) atëherë në duhemi të hidhemi nga ajo lartësi. Funksionimi i kësaj aksiome bën që rregullat morale të katapultohen sepse ka pasoja të tmerrshme. Kjo ndikon në atë që ‘e kemi për detyre’ si urdheresë hipotetike – ne mundemi; – si urdhëresë kategorike – ne duhemi! Kërkesat morale janë kategori sepse ndikojnë në formimin e individit psiko-social, kemi dëshira mirëpo kemi dhe arsye. Prandaj përllogaritja na ndalon ndaj dëshirave. Maksima e veprimi mund ta tejkaloje arsyen –A mund të bëj vetëvrasje une? Duhet të bëj vetëvrasje unë! Kanti imperativin kategorik e jep: “Vepro vetëm sipas asaj maksime që mund të dëshirosh të bëhet ligj universal” Vetëvrasja nuk ështe ligj universal, as vrasja, as krimi, as shtypja e individit, as e drejta nuk ështe ligj universal, as e padrejta …fshirja e dinjitetit si qënie njerëzore na justifikon si genjështarë të zote sepse genjeshtra duhet dhe mund të bëje pjese në ligjin universal por nuk është ligj universal. Legjitimi i vdekjes ndodh si pasoje e pushtetit disiplinor sepse nuk jemi thjeshte subjekte të madhërisë së tij që jemi arratisur nga pushteti hyjnor dhe vlefshmëria e shtypjes racionalizohet. Ligji i Talionit është ligji dominant që akoma është rrënjosur thellë në shoqërinë shqiptare, “sy për sy, dhëmb për dhëmb” që kjo nuk vlen te personat kompetente utilitariste, ata kanë për detyrë të shtojne masën e lumturisë në botën tonë. Ligji i Talionit na bën që në pamjen 4D të pushtetit ta fillojmë nga pika zero i boshtit numerik Kjo dita kosovarçe ka shumë imperativa per te referuar dhe maksima prandaj ska rëndësi nëse je larë me kove apo pa kove do të bëhet mirë në Kosovën e lirë, kështu gjithë patën thanë, dhe duhet me u përmende së nuk rrehen në Parlament.

Filed Under: ESSE Tagged With: Mr.Sc Blerta Haxhiaj, Një Ditë Kosovarçe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 329
  • 330
  • 331
  • 332
  • 333
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT