Copa e kuqe që mbante nëna në dorë i tërhoqi vëmendjen Arbërit teksa po fuste librat në çantë dhe bëhej gati të shkonte në shkollë.
– Nënë, ç’është ajo që ke në dorë-pyeti ai nënën, që tashmë ishte afruar pranë dollapit të rrobave dhe po mundohej ta fshihte diku në fund të tij?
– Është Flamuri bir -u përgjigj nëna.
– Po pse po e fut aq thellë në dollap nënë? -pyeti Arbëri me kureshtje. A nuk duhet ta vemë të valojë në dritare? Nesër është Dita e Flamurit.
– Duhet ta fshehim bir, DUHET -tha nëna. Po na e gjeti shkau, na djeg shtëpinë e na vret të tanëve, po ti shko në shkollë tani se u vonove.
Arbëri e puthi nënën dhe doli nga shtëpia, fluturim si zog. Rrugës ndaloi tek porta e Ilirit dhe i thirri edhe atij që të shkonin së bashku. Të përqafuar, dy shokët u futën në klasë.
Mësimi donte dhe dy minuta të fillonte, por klasa ishte pothuajse bosh sepse nxënësit e fshatit fqinjë, nuk kishin ardhur akoma. Të shqetësuar, të gjithë filluan të pyesnin njëri-tjetrin, por askush nuk e dinte arsyen e kësaj mungese.
Kur ja, në klasë hyri mësuesja e cila ndryshe nga zakonisht, nuk mbante regjistër në dorë. Ajo nuk shkoi tek tavolina ku ulej gjithmonë për të bërë apelin, por u afrua tek nxënësit dhe i vështroi thellësisht. Heshtja pushtoi klasën. Sytë e mësueses ishin të mbushur me lot. Duket se kishte ndodhur diçka e rëndë. Të gjithë mbajtën frymën me ankth, me vështrimin të ngulur tek mësuesja e tyre.
– Milicët serbë kanë sulmuar fshatin fqinjë, sot ndaj të gdhirë, -tha mësuesja me zërin që i dridhej. Kanë masakruar gratë e fëmijët dhe i kanë vënë zjarrin shtëpive -vazhdoi ajo me lotët që tashmë i rridhnin poshtë faqeve.
Nxënësit ulën kokat dhe dhimbja pushtoi gjokset e tyre të njoma. Minutat që pasuan ishin tepër të rënda. Asnjë nuk fliste. Lotët në sytë e fëmijëve, tregonin dhimbjen e shpirtit të tyre për shokët që nuk ishin më.
Po ç’është kështu? Ç’janë këto piskama? Ç’është kjo zhurmë? Nga vijnë këto flakë?
Nxënësit dhe mësuesja akoma nuk po kuptonin se ç’po ndodhte jashtë kur dera e klasës u hap furishëm dhe një djalë tha se milicia serbe kishte rrethuar fshatin e tyre, po masakronte banorët dhe po digjte shtëpitë. Klasën e pushtoi paniku.
Arbërit i erdhi në mendje nëna e tij që ishte vetëm dhe u nis me vrap në shtëpi. Ai nuk e dëgjonte zërin e mësueses që i thërriste të kthehej.
Kur arriti në shtëpi nuk e gjeti nënën aty. Thirri ngado por nuk mori përgjigje. Vetëtimthi iu kujtua flamuri që nëna kishte fshehur në dollap. Shkoi, e mori dhe e futi në gji. Nuk arriti të dilte nga dhoma kur në derë ia behën milicët. Njëri prej tyre tërhiqte zvarrë nga flokët nënën dhe duke e qëlluar me shkelma në fytyrë e në trup e pyeste se ku e kishte burrin dhe djalin e madh. Të tjerët u shpërndanë për të kontrolluar nëpër shtëpi duke thyer e shkatërruar çdo gjë. Papritur Arbëri ndjeu një dhimbje në krah dhe pa kuptuar akoma ç’po ndodhte e gjeti veten të flakur në një cep të dhomës. Një prej milicëve e kishte përplasur në dysheme.
– Arbër, zemra e nënës!-thirri nëna e shqetësuar për të.
– Nënë, o nëna ime!-thirri Arbëri nga cepi ku e kishte hedhur milici.
Por zëri iu këput nga një goditje e fortë që ndjeu pas kokës. Vështrimi iu turbullua dhe ashtu si nëpër mjergull pa nënën që u përpoq të shkëputej nga duart e milicëve për t’i ardhur në ndihmë të birit. Megjithë përpjekjet e saj, nuk arriti të bënte asnjë hap. Bajoneta e pushkës që mbante në dorë milici që e tërhiqte për flokësh, përshkoi tej për tej trupin e nënës. Ajo u fik pak nga pak dhe trupi filloi të lëshohej përtokë. Të qeshurat e milicëve pushtuan dhomën, ndërkohë që Arbëri u zvarrit drejt trupit tashmë pa jetë të nënës. Nuk arriti dot as të kapte dorën e saj drejtuar drejt të birit, pasi në trup ndjeu ftohtësinë e metalit të bajonetës që përshkoi zemrën e tij të njomë.
Në momentin e fundit të jetës, atëherë kur sytë e bukur po mbylleshin ngadalë, Arbëri çoi dorën e tij të vogël në gjoks dhe shtrëngoi diçka. Gjithçka përrreth u shua dhe trupat e pajetë të nënës e birit, të shtrirë në drejtim të njëri tjetrit, dergjeshin të masakruar në mes të dhomës.
Kështu i gjeti Iliri dhe motra e tij, pas pesë ditësh, kur më në fund, pasi u larguan trupat e milicisë serbe, u kthyen në fshatin që tashmë ishte shndërruar në gërmadhë. I përkulur mbi trupin e përgjakur të shokut, Iliri vuri re se Arbëri kishte futur dorën në gji dhe akoma mbante të shtrënguar diçka.
Me shumë kujdes, si të kishte frikë se e lëndonte shokun e tij të ngushtë, Iliri futi dorën në gjirin e Arbërit dhe nxorri prej aty flamurin.
Ai e afroi flamurin e përgjakur tek buzët, e puthi fort dhe u betua se nuk do të ndahej kurrë prej tij. E motra u afrua, e kapi për dore dhe të dy bashkë u larguan drejt qendrës së fshatit, ku tashmë ishin mbledhur ato banorë të pakët, që kishin mbetur gjallë.
*Jeni Myftari
Academic Adviser
Embassy of the SO-London
Cultural Attache