• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kujtime për profesor Eqrem Çabeun

March 1, 2016 by dgreca

Shkruan: Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika/

Nga koha sudentore: Ora e fundit e leksioneve.

Këto kujtime desha t’i shkruaja e botoja në vitin 2008, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, vit i cili u shpall Viti Eqrem Çabej, por atëhere mendova se ata që e kishin njohur më nga afër dhe për kohë më të gjatë se unë si profesorët Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Jani Thomai, Gjovalin Shkurtaj etj, mund të shkruanin gjëra me më shumë vlerë dhe më bukur se unë. Mirëpo tani vonë, mbas disa komunikimesh me bijën e tij, z-njën Brikena Çabej, e cila nuk u kursye të më ndihmonte me korrigjime e saktësime, i shkrojta e i botova kujtimet e mia më 2011, Duke parë se kujtimet për këtë pedagog, studiues dhe njeri të madh vijojnë të lexohen me interes prej shumë kolegësh të mij, sivjet i ripunove dhe i pasurova më tej.

* * *

Profesor Eqrem Çabeu jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet e ralla kur përputhen tek një person i vetëm gjithë të mirat: pamja e bukur fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, ky profesor ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë, që nuk u kritikua për asgjë prej askujt, dëshmi e vlerave të tij.

Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Pëshëndetja e tij binte në sy: të shikonte në sy dhe me dorën e djathtë e çonte pak kapelën. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë në këmbë tek katedra duke folur, ai lexonte vetëm fragmente nga stujuesit e tjerë sa për ilustrim. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështorer që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë.

Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë. Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare, por botëkuptimi dhe sjellja e tij të brumosura që në rini gjatë jetës në Austrinë katolike, e kishin ndihmuar të ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një të krishteri të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as në të krishterët e përkushtuar.

Ora e fundit e mësimit me të, aty nga fundi i dhjetorit 1965, më ka mbetur në mendje. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhëshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndjehem fajtor. Ndjehem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej…

Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi:

-Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë.

Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shëmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekesh njeriun.

Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e pushimit me atë të punës. Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.

Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja.

Gjithçka shikojeni me sy kritik.

Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime.

Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.

Mos bëni asnjë punë shkel e shko.

Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.

Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.

Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.

Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kyreysore….

 

Profesor Çabeu nuk i pëlqente djallëzitë dhe jetonte thjesht

Mbasi mbarova fakultetin, në verë të vitit 1966 u emërova redaktor në Radio Tirana. Në vitet 1967-1969 punova në redaksinë e kulturës dhe përgatisja emisionet Enciklopedia e Radios, Në Botën e Shkencës dhe Teknikës, Universiteti Popullor i Radios, Përkujtim Datash të Shënuara Historike, etj. Midis bashkëpunëtorëve që më ndihmonin për materiale të ndryshme kisha aktivizuar edhe agronom Ilia Mitrushin, specialist i dendroflorës shqiptare. Ai kishte studjuar në Grac të Austrisë. Aty për më se një vit, ai, Eqremi e Lazgush Poradeci, kishin qenë studentë në degë të ndryshme e jetonin në shtëpi të ndryshme nëpër familje vendase.

Një herë ing. Mitrushi (ky nuk e quante veten agronom, por ingjinier) e solli materialin në fund të orarit zyrtar dhe iu luta të shkonim bashkë. Po ecnim drejt lumit Lana. Ilia më tregoi se prof. Norbert Jokli, albanologu më i shquar i kohës, i ftonte këta tre studentë shqiptarë një herë në dy javë të djelave për vizitë në shtëpi të tij. Aty ai hapte diskutime për probleme të gjuhës shqipe. Eqremi ndonjëherë mungonte.

–Unë me Lazgushin, shtoi Ilia, mendonim se Eqremi mungonte sepse si student i regullt i Joklit i kishte dëgjuar ato diskutime në leksione. Mirëpo Jokli një të djelë tha:

–Çabeu është i ri, për të ka më shumë rëndësi një shëtitje me një vajzë të bukur sesa diskutimet e mia që i ka dëgjuar në auditor.

Ing. Mitrushi desh të më tregonte me këtë thënie të prof. Joklit, se Eqremi i ri nuk kishte qenë një student i mbyllur, nga ata që ne i quanim “peshkop”, por dhe qejfli e modern, që dinta ta vlerësonte shoqërinë me vajzat e bukura. Unë kisha idenë se prof. Çabeu kishte qenë gjithnjë si tani, njeri i përkorë dhe i përkushtuar pas studimeve. Për ta ngacmuar z.-in Mirtushi thashë:

–Profesor Eqremi më duket pak naiv dhe njeri i padjallëzuar.

–Eqremi dhe ne të tjerët që kemi studiuar në Austri dukemi naivë, por nuk jemi të tillë. Ne i kuptojmë fare mirë djallëzitë e të tjerëve, por nuk bëjmë vetë djallëzira. Ne u rrijmë larg djallëzive, sepse e kemi të qartë ku të shpien ato…

Kjo përgjigje ma qartësoi më tepër karakterin e profesorit dhe ma shtoi dashurinë e respektin për të. Një gjë e ngjashme më ndodhi edhe në një nga takimet me z. Nush Shllaku, i cili kishte qenë nxënës i gjimnazit të Shkodrës rreth vitit 1935. Padër Gjergj Fishta i ftuar prej pedagogut Eqrem në një nga orët e mësimit të letërsisë shqiptare u kishte thënë nxënësve:

–Eqrem Çabeu ka le me u ba klerik, por i asht kushtue shkencës.

Si redaktor i Radjos, për të përgatitur emisionet shfrytëzoja përveç bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe nja dy revista të huaja që vinin në bibliotekën e atij institucioni. Një ditë shtatori të vitit 1969, duke shfletuar revistën franceze Science et Vie (Shkenca dhe Jeta), pashë brenda saj një disk me inçizime. Mësova se në Francë kishte filluar krijimi i enciklopedive zanore, me inçizime të personaliteteve të artit, shkencës, kulturës, politikës, etj. Më shkoi mendja se mund ta filloja dhe unë një punë të tillë sado modeste me disa njerëz të shquar të botës shqiptare. Disa ishin inçizuar prej kolegëve të mij, ose prej meje në emisione të ndryshme, por shiritat nuk i ruanim. I sugjerova shefit të redaksisë, z. Ruzhdi Pulaha që t’i ruanim disa disqe me inçizime me këtë synim, por ai më tha se shiritat ishin mall importi dhe sot për sot ruhen vetëm inçizimet e fjalimeve të udhëheqësve kryesorë të partisë. Në Shqipëri nuk ka filluar hartimi i enciklopedisë së shkruar me fjalë, enciklopedisë zanore kushedi kur i vjen radha…

Atëhere mendova të bëja diçka vetë, së pari me profesorin më të dashur, prof. Çabeun. E takova dhe i thashë se doja të inçizoja një leksion përmbledhës të tij, me synimin që ta ruante ai e familja për kohën kur mund të krijohej një enciklopedi zanore. Ai më tha se i kishte të inçizuar disa leksione të Historisë së Gjuhës Shqipe. Më ftoi për t’i dëgjuar dhe pastaj të vendosnim ç’duhej bërë. Vend takimi ai la shtëpinë e tij, mbi Unazë, në lagjen Varri i Bamit.

Aty, gjatë tetor-nëntorit ‘69, të djelave njoha familjen e profesorit. Zonja Shyhret, nikoqirja e shtëpisë, në minutat e para të pritjes vinte rrotull me lëvizje të shpejta, na qiraste regullisht me ëmbëlsira të bëra vetë e ndonjë shurup frutash, pastaj ulej për të dëgjuar dhe ajo. Ishte elegante dhe shumë e kujdesëshme. Ishte një dibrane e vërtetë, shtëpinë e mbante shumë pastër, në biseda ishte e shpejtë, hazër xhevap si i thonë fjalës; gjykimet i formulonte shpejt e saktë. Kuzhina dhe dhoma e pritjes ku pata rast te rrija, ishin mobiluar thjesht, me disa kolltuqe, divane e karrike të bëra dikur nga marangozët privatë, që ndryshonin prej mobiljeve uniforme që prodhonte kombinati Misto Mame, të cilat i gjeje në apartamentet tona.

Djali, Artani 16 vjeçar, i gjatë, i ngjante babait. Kishte qejf të konsultonte herë pas here fjalorin francez Petit Larousse. Ndjehej se kishte lexuar shumë për moshën e tij. Mori pjesë vetëm në dëgjimin e leksionit të parë, herët e tjera, pas përshëndetjeve, shkonte te dhoma e vet, ku lexonte e studionte.

Vajza, Brikena 12 vjeçe, ngjante nga të dy prindërit. Ishte elegante dhe e shkathët si mamaja, por vështrimin e kishte të qetë e meditativ si të babait. Ajo kishte qejf të lexonte në dhomën e vet, ose të luante jashtë me shoqet. Nuk erdhi kurrë për të dëgjuar leksionet.

Pata rast të njihja dhe tre nga nipat e profesorit, Tanushin, Hysenin dhe Fatosin, djem të gjatë, seriozë dhe të pashëm, nuk ngjanin midis tyre. Hyseni kishte diçka të ngjashme me profesorin në qëndrim dhe buzëqeshje. Ata erdhën herë njëri herë tjetri, herë dy bashkë. Një të djelë rastisi të vinte për vizitë në atë orë dhe mjeku Flamur Topi, i cili ishte mik i familjes. Unë e njihja, sepse ai ishte gazetar i jashtëm i Radio Tiranës.

Për disa të djela me radhë dëgjuam nga një leksion, një orë e gjysëm. Prej z-njës Shyhret mësova se ditët e djela profesori i shfrytëzonte zakonisht për të shkruar letra, për të bërë ndonjë vizitë a shëtitje. Ai mbante korrespondencë të rregullt me shumë studiues e miq austriakë, gjermanë, francezë, rumunë, italianë, etj. Nuk dij a i shkruante lertat duke përdorur letër kopiativ për të ruajtur një kopje për vete, apo jo. Mësova gjithashtu se profesori pëlqente të lexonte shpesh herë duke qëndruar në shtrat gjysëm shtrirë e duke vendosur librin në një copë kartoni, të cilën e mbante me dorën e majtë mbështetur mbi gjoks. Kurse për të shkruar, më shpesh ai ulej te tavolina e punës.

Shyhreti e qortoi veten se tani që kishin ardhur në këtë apartament larg pazarit nuk gjente kohë për të shkuar shpesh për të blerë peshk të freskët, ushqimin e nevojshëm për bashkëshortin e saj.

Të djelën e parë të dhjetorit ’69 dëgjuam leksionin e fundit. U thashë se inçizimet kishin cilësi të mirë dhe duheshin ruajtur me kujdes. Prej tyre mund të riprodhohej një material më i shkurtër, duke e hedhur në një bobinë të re, etj.

Para se të ngrihesha për të ikur, profesori tha se kishte dëgjuar që zyra e kuadrit të Universitetit po kërkonte të merrte disa kuadro të rinj, midis të cilëve ishte përmendur dhe emri im, që mund të transferohesha nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (në atë kohë ky institut varrej nga Universiteti i Tiranës). Pastaj më pyeti nëse kisha kërkuar unë që të transferohesha, apo drejtoria e Institutit po më kërkonte me që kisha mbaruar fakultetin me nota të larta. I thashë se puna në Radio ishte shumë robotike, aspak shpirtërore dhe nuk më pëlqente. Unë kisha kërkuar disa herë të vija me punë në institut, sepse më pëlqente të merresha me studimin e jetës dhe krijimtarisë letërare e gazetareske të rilindasve tanë, të cilët i admiroja.

–Gëzohem, që ke kërkuar vetë të vish aty. Nuk ka më mirë sesa ta zgjedhësh punën vetë. Kur ta zgjedhin punën të tjerët, shpesh herë bëhen gabime, tha ai dhe shtoi: Unë fëmijët e mij i nxis të mësojnë, të lexojnë dhe të luajnë me shokët, por nuk iu imponoj asnjë lloj drejtimi, atë duhet ta gjejnë vetë…

 

Gjatë viteve kur punova në Institut: prof. Çabeun e admironim të gjithë.

Në janar të vitit 1970, u realizua transferimi im nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Në Radio punën e fillova me qejf, por shumë shpejt e ndjeva se nuk ishte e ardhmja ime në atë punë. Mezi i shtyva tre vjet e gjysëm. Natyrisht përfitimi ishte i madh, u njoha nga afër me gazetarë të aftë e të talentuar, si Fuat Bozgo, Ruzhdi Pulaha, Kiço Blushi, Nasi Lera, me spikerë të talentuar si Haki Bejleri, Kiço Fotiadhi, Vera Zhei, Meropi Xhai, Luiza Papavangjeli, etj. Aty mësova proceset e inçizimit e të daktilografimit; u njoha me intelektualë të formuar jashtë shtetit që punonin si përkthyes si Viktor Kraja, Abaz Xhomo, etj. Puna e atjeshme ma shkundi ngathtësinë. Në institut fillova punë në sektorin e letërsisë shqiptare, ku ishin punësuar para meje Klara Kodra, Jorgo Bulua, Luan Kokona, Floresha Haxhia (Dado), etj me shef Koço Bihikun.

Profesor Çabeu, për të më uruar mirë se erdhe në Institut, më ftoi një ditë për kafe. Shkuam bashkë tek një ëmbëltore në rrugën e Kavajës karshi kishës katolike, të cilën në atë kohë e kishin transformuar në pallat sporti dhe nga jashtë i kishin bërë disa maskime që të kujtonte kamjonët që parakalonin për festën e 1 Majit veshur me kompesato e beze. Eqremi mori një tas të vogël me hashure, unë një kafe, të dyja kushtonin nga 7 lekë të asaj kohe. Më sqaroi se hashurja i kujtonte fëmijërinë, familjen e Gjirokastrës. Pastaj më uroi për punën e re:

–Bëre mirë që kërkove të vish në Institut, këtu është vendi më i mirë për të vijuar formimin tënd shkencor. Tani je në moshën më të mirë për të mësuar gjuhë të huaja…

Unë i thashë se ndoshta do të ishte më mirë të kisha ardhur menjëherë nga bangat e shkollës, tani jam gati 26 vjeç dhe më duket se jam vonë për të mësuar gjuhët e huaja, të cilat i dij jo mirë.

-Jo, ma preu ai, ti ke ardhur në moshën më të mirë. Vitet e punës në Radio Tirana të bënë mirë, ke njohje më të gjerë për jetën, ke tjetër horizont. Kujtesën e ke akoma të freskët, pastaj tani je më i pjekur. Pjekuria të bën më të ndërgjegjshëm dhe ta shton vullnetin për studim.

Unë, pas pak, për t’u treguar i zgjuar, formulova një ankesë ndaj mbreti Zog i cili duhej të kishte bërë më shumë për ekonominë, arsimin dhe shkencën.

–Mbreti Zog nuk duhet fajësuar shumë, tha profesori, në atë kohë ishte zor të bëhej më tepër. Ai u përpoq t’ia kthente fytyrën Shqipërisë nga Europa, por shqiptarët nuk ishin të gatshëm. Mbaj mend se mbreti kishte dhënë urdhër që të punësoheshin vajzat dhe gratë. Mirëpo në tërë Tiranën mezi pranoi një grua, a vajzë e moshuar, që të punësohej tek zyra e postës. Kur u ktheva nga Shkodra në Tiranë, pashë se shumica e meshkujve bënin xhiro duke kaluar nga ajo rrugë për ta parë atë femër tek dritarja e punës. Për ta ishte diçka dëfryse, ose e çuditshme.

Dihet se pasanikët i kishin qypat plot me florinj, por asnjëri prej tyre nuk bëri ndonjë investim në bujqësi ose industri. Çdo gjë do kohën e vet…

Herën tjetër e ftova unë profesorin për kafe. Gjatë atyre minutave u hap biseda për punën e tij lidhur me etimologjinë e fjalëve të shqipes. U çudita kur tha se edhe gjuhëtarë të tjerë mund të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, po puna e vazhdueshme e me pasion. Pastaj shtoi:

-Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë…

Në sjelljet, veprimet, bisedat e tij binte në sy karakteri burrnor. Ndryshe nga ne të tjerët, profesor Çabeu në biseda e shkrime nuk i përmendte emrat parti dhe Enver. Koha kur u shfaq edhe më dukshëm karakteri i tij i fortë ishte koha mbas vdekjes së djalit të tij. Vdekje tepër tronditëse, por që ai nuk e lëshoi veten, ruajti po atë temperament, po atë dashuri për punën, po atë sjellje me njerëzit.

Mirëpo fakti që ne, ish studentët e tij ndjenim për të një admirim të hapur, nuk durohej prej drejtorisë dhe instancave partiake. Në vitin 1973-74, kur udhëheqja e partisë rimori luftën kundër shfaqjeve të huaja, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një mbledhje, për të luftuar shfaqje të tilla. Në fakt, punonjësit e Institutit ishin njerëz të thjeshtë, pa pretendime, shikonin punën, mirëpo dhe midis tyre duheshin gjetur ndikimet e huaja, dhe organizata bazë e partisë, sipas orientimeve, i kishte gjetur. U kritikua së pari zonjusha Beatriçe Keta për mbajtje të fundeve të shkurta. Beatriçja ishte vajzë e gjatë e pamartuar, fundet deri tek gjunjët i shkonin për bukuri. Të gjithë e pëlqenim atë pikërisht për ato fundet që i sajonte vetë me gusto, por ja që duhej kritikuar. Kritika vijoi, jo më kundër ndonjë punonjësi, po me sulm ndaj fëmijës së vetme të profesor Çabeut. U kritikua vajza e tij, atëhere 16-17 vjeçe, se mbante minifunde.

Për herë të parë e pashë profesorin të reagonte i revoltëuar e nervoz. U ngrit me furi dhe tha me zë të lartë:

–Këto janë shpifje, ime bijë hodhi shtat shpejt këto dy vjet dhe fundet e fustanet i rijnë tek gjuri, këtë nuk e bën për ndjekje mode.

Nja tre vjet më vonë, kur Brikena, vajza e tij, tashmë studente, shkoi në aksion ku i mblodhi gjuri ujë, në fakultet i varrën një fletë-rrufe, ku e kritikonin se mbante flokët e gjata, si ndikim i modës perëndimore…

Për të tilla sulme ndaj vajzës, fëmijës së vetme, që i kishte mbetur profesorit pas vdekjes tragjike të djalit, ne na vinte turp, por nuk guxonim të flisnim. Përmes terorrit partia shtet na kishte kallur frikën në mendjet e në zemrat tona dhe ne ishim pajtuar me të si të ishte një ndjenjë e qëndrim i moralshëm. Kuptohej se të tilla sulme synonin që të na e shkulnin atë nga zemrat tona.

Për turpin e politikës së partisë, Eqrem Çabeu nuk u sulmua vetëm si person e si familje, por edhe në plan shkencor. Kështu, në fund të viteve 50-të Eqremi mbaroi transkiptimin dhe transliterimin shkencor të veprës monumentale Meshari të Don Gjon Buzukut. Kjo vepër e tij mban datë botimi vitin 1962, sepse u dërgua e u botua atë vit në Rumani, por në fakt atë e dërgoi amabasada jonë nga Bukureshti pas disa vjetësh, kur kishte filluar lufta kundër fesë. Ballkanologët rumunë u shprehën me superlativa.

Për t’i treguar botës së huaj se partia e vlerësonte shkencën, kësaj vepre iu dha Çmimi i Republikës i klasit të parë, por ajo nuk u nxorr kurrë në shitje. Preteksti ishte se kjo vepër mund të përdorej si vepër liturgjike nga besimtarët e krishterë…

Vepra, së cilës Eqrem Çabeu i kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe me të cilën dëshmoi aftësitë e ralla, formimin e lartë si komparativist dhe talentin e vet, është puna për shpjegimin e origjinës së fjalëve të shqipes. Mbas botimit të shumë artikujve me karakter etimologjik në revistën shkencore Studime Filologjike dhe në revista të huaja, ai ndërmori ripunimin, zgjerimin dhe përgatitjen për botim të veprës madhore Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes në disa vëllime. Në vitin 1975 dorëzoi për botim dy vëllimet e para, prej të cilëve, më 1976 u botua vetëm vëllimi i dytë. Vëllimi i parë nuk u lejua të botohej me preteksin se autori përmendëte aty me respekt Faik Konicën dhe Mustafa Merlika Krujën, si eruditë shqiptarë që kishin dhënë ndihmesë në fushën e etiomologjisë së gjuhës shqipe. Ky fakt u quajt gabim ideologjik, mbivlerësim i dy figurave reaksionare, por profesori nuk pranoi t’i hiqte emrat e tyre dhe vlerësimet për ta. Kështu vëllimi i parë u pezullua dhe u botua vetëm mbas vdekjes së tij, kur nxënësit e tij ia redaktuan (hoqën) ato fjalë e shprehje. Vëllimet e tjera, ndonëse ishin pothuaj gati, u botuan pak nga pak por jo të gjitha deri më 1990 e më vonë…

Ata që donin ta përulnin Himalajën e shkencave albanologjike, përpiqeshin si e si të mos ia botonin veprat, sidomos kryeveprën, ose kur detyroheshin t’ia botonin, të mos ia nxjirrnin në qarkullim.

Profesor Çabeun, sa qe gjallë, e respektuan dhe e gëzuan si e meritonte intelektualët dhe zyrtarët shqiptarë të Kosovës, sidomos punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Shtëpia botuese Rilindja botoi një përmbledhje të veprës së tij në gjashtë vëllime, botim lluksoz, me format të madh, lidhur me kapakë të fortë ngjyrë çokollatë. Punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik, pedagogët e Fakultetit Filozofik dhe studentët e Kosovës me pritjet shumë të përzemërta plot respekt, që i bënin prof. Çabeut gjatë vajtjeve të tij për leksione në Prishtinë, i krjijuan atij emocione dhe gëzime të mëdha, të cilat na i tregonte me një ngazëllim të përmbajtur.

Në vitin 1975 mua më komunikuan qarkullimin, meqënëse kisha qenë martuar me vajzën e zv. ministrit të tregëtisë, Vasil Katit, i cili u arrestua atë vit me grupin e shpallur armiq në ekonomi. Unë, si shumica e atyre që u ndodhi kjo fatkeqësi, u ndava nga bashkëshortja, por ky veprim i imi nuk i kënaqi anëtarët e partisë së Institutit. Ata vendosën të më qarkullonin. Shokët filluan të më rrinin pak ftohtë…

Një ditë, mbas punës, kur po ecja vetëm në rrugën e Kavajës drejt qendrës, m’u afrua profesor Çabeu dhe e bëmë rrugën bashkë. Zakonisht ai punonte nga ora 8:00 deri 13:00, atë ditë ndoshta kishte pasur ndonjë mbledhje që po shkonte në shtëpi me vonesë. Duke ecur e pyeta pse nuk e merrte autobuzin e Unazës për të mos u lodhur.

–Më pëlqen të eci në këmbë, e konsideroj si fiskulturë. Pastaj kam mendimin se ne që na bie rruga të kalojmë nga Qendra e Tiranës, kemi një favor, njihemi të parët me ndryshimet që mund të ndodhin në qendër. Këtë favor nuk e kanë ata që kalojnë rrugëve anësore.

Për të më dhënë kurajë, hapi bisedën rreth qarkullimit. U çudita kur tha pa drojtje:

–Qarkullimi, për kuadrot e rinj është i dëmshëm, sepse i shkëput nga procesi i kualifikimit. Qarkullimi për ty është çkualifikim.

Ndoshta këtë mendim ai e kishte thënë edhe gjetkë… Im vëlla, kur dëgjoi prej meje mendimin e profesor Çabeut, mori kurajë dhe shkoi e u ankua tek një punonjës i Komitetit të Partisë së Tiranës, te z. Bujar Kolaneci, i cili kishte punuar më parë në Kinostudio si ekonomist filmi. Ky duket se ndërhyri dhe organizata bazë e partisë së Institutit nuk nguli këmbë për të realizuar qarkullimin tim. Mbasi disa rrethe u përgjigjën se nuk kishin vende pune, qarkullimi im u la në qetësi. Pra profesori me idenë e çkualifikimit dhe Bujar Kolaneci me ndërhyrjen e tij, më shpëtuan nga qarkullimi, se kushedi si do më kishte shkuar filli, po të kisha shkuar diku mësues fshati.

Figura e profesor Çabeut ishte shumë autoritare. Me personalitetin e tij, pa qenë kurrë shef, pa pasur asnjë pushtet administrativ, ai ndikonte tek punonjësit më tepër se drejtori, sekretari i partisë dhe shefat e sektorëve. Mbi të gjitha ai na bënte për vete me praninë e tij, me sjelljen korekte, me kulturën profesionale dhe thellësinë e analizave shkencore. Ai rezatonte kulturë në çdo lëvizje, në çdo fjalë. Rezatimi i kësaj kulture ndjehej tek të gjithë punonjësit e Institutit, madje nuk e teproj të them se kultura e autoriteti i tij ndikonin edhe tek komunistët e sigurimsat. Nuk ishte e rastit që valët e qarkullimit në vitet 1967-68 dhe 1973-74 në Institutin tonë u kaluan më lehtë se në institutet e tjera shkencore. Sejcili prej punonjësve përpiqej të ishte sado pak më zotni, sado pak më Eqrem. Kjo përpjekje deri diku i kishte fisnikëruar ata. Në atë institut, mendoj se jo rastësisht, nuk realizohej plani i arrestimeve, asnjë punonjës i tij nuk u arrestua gjatë mëse 30 vjetëve…

Në lagjen Ali Demi, mjaft afër me pallatin ku banoja unë, ishte dhe shtëpia e poetit Lazgush Poradeci. Shkoja tek ai bashkë me Julian, gruan time poete. Një ditë Lazgushi, duke qeshur, tha:

-Unë jap karakterizime shumë të shkurtra për njerëzit. Ja dëgjoni si e karakterizoj Skënder Luarasin: Shumë patriot, shumë demokrat, shumë nevrik.

–Të lumtë se e paske qëlluar, i thashë, po për profesor Eqremin a mund të japësh ndonjë karakterizim?

–Pa tjetër, tha Lazgushi dhe duke u drejtuar sikur do të recitonte, deklaroi: Njeri shumë zotni, shkencëtar shumë i zoti. E duartrokitëm ne dhe vajza e tij, Maria, që ndodhej aty.

 

Profesor Çabeu e jepte opinionin e tij për dikë me fjalë jo fyese.

Në mbledhjet e sektorit dhe në mbledhjet e Këshillit Shkencor të Institutit, sa herë bëheshin diskutime artikujsh ose veprash të punonjësve shkencorë, binte në sy ndryshimi midis diskutimeve të profesor Çabeut dhe profesorëve të formuar në shkollën sovjetike, ose në atë të vendit që ishte një shkollë në formim e sipër. Profesori, së pari përpiqej të vinte në dukje vlerat e punimit dhe vështirësitë që kishte kaluar studiuesi, pastaj ndalej për të vënë në dukje dhe dobësi e mangësi, pa hyrë në hollësira, më jepta dhe ndonjë rrugë për kapërcimin e tyre. Raporti midis pjesës vlerësuese dhe asaj kritike ishte gati në proporcion të barabartë. Kurse profesorët dhe shefat e sektorëve që ishin formuar në shkollën sovjetike ose që po formoheshin gjatë punës në Institut, shquheshin për vëmendjen e madhe që i kushtonin diskutimit të dobësive, për të cilat ndaleshin në shumë hollësira, kurse vlerat e punimeve i përmendnin me një a dy fjali. Kjo frymë diskutimi duke i dhënë rëndësi të dorës së parë kritikave, mendoj se ishte krijuar nën presionin e ideologjisë sunduese të luftës së klasave, ose ndoshta fshehte egoizmin e diskutantëve dhe dëshirën për të treguar se ata ishin shumë të aftë…

Kultura europiane sipërore manifestohej tek profesori në çdo veprim e bisedë. Ai nuk merrej kurrë me thashetheme dhe nuk komentonte punën ose karakterin e dikujt në mungesë të tij. Nervozizmi, hakmarrja, mosmirënjohja, ishin të huaja për të.

Në ato vite drejtor i institutit ishte profesor Androkli Kostallari, studiues i formuar në shkollës ruse, në Universitetin Lomonosov. Në moshë të re kishte mbetur jetim, shkollën e mesme e kishte kryer në gjimnazin e Shkodrës. Kishte qenë partizan, mbas L2B u dërgua për studime në Moskë, ku përvetësoi arritjet e shkencës gjuhësore sovjetike. Mbas kthimit në atdhe udhëheqja e partisë e emëroi në Institutin e Shkencave, pastaj drejtor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Këtu mori dhe detyrën e shefit të sektorit të leksikologjisë, atë të kryeredaktorit të revistës Studime Filologjike dhe të kryetarit të Këshillit Shkencor të institutit. Ky studjues shquhej për ambiciet shkencore, për formim solid në fushën e leksikologjisë, aftësi organizative, etj, por si karakter njerëzor linte për të dëshiruar… Gjatë bisedave tona private me të, ndjeheshim shpesh herë ngushtë, por si frikamanë që ishim, nuk e kundërshtonim për pasionin me të cilin ai shprehte kritikat e tij ndaj kolegëve, sidomos ndaj profesorëve Çabej e Domi, në mungesë të tyre. Kurse gjatë bisedave tona private me këta dy profesorë ne ndjeheshim komodë, sepse nuk dëgjuam kurrë pakënaqësi e kritika personale ndaj Androkli Kostallarit, apo dikujt tjetër.

Drejtori, sa herë hynte në institut, hynte me zhurmë duke u mëshuar takave të këpucëve të cilat i kishte prej sholli, ose të veshura me pafta hekuri. Donte pa tjetër të tërhiqte vëmendjen e atyre që ndodheshin në korrdor, salutonte me zë të lartë dhe për t’u treguar masovik ndalonte e takohej me ata që gjente aty. Kurse profesor Eqremi hynte në institut pa zhurmë me ecjen e tij të shpejtë, salutonte duke ngritur kapelën dhe mund të ndalej vetëm po të kishte ndonjë porosi për dikë që ndodhej në korridor.

Kur u kthye profesor Dhimitër Shuteriqi prej Italie, ku kishte bërë një ekspeditë kërkimore nëpër fshatrat arbëreshe, mbajti në Lidhje të Shkrimtarëve dhe Artistëve një takim ku tregoi për rezultatet e kësaj ekspedite. Midis tjerash ai tregoi se kishte gjetur, pra se i kishin dhënë për të dorëzuar në Arkivin e Shtetit, mjaft dorëshkrime poezish dhe veprash të poetëve arbëreshë. Profesor Shuteriqi e mbylli bisedën duke thënë:

–E shikoni këtë çibuk, dhe tregoi çibukun me të cilin pinte vetë duhan, ky është çibuku i Jeronim De Radës, ma dhanë bashkë me penën e poetit, të cilën e dorëzova në Arkivin e Shtetit bashkë me dorëshkrimet…

Ne që e dëgjuam ulëm kokat. Nuk na erdhi mirë që ky personalitet i letërsisë dhe i shkencës shqiptare kishte mbajtur për vete një relike me vlerë muzeale të potit Jeronim De Rada. Të nesërmen rastisi që të pinim kafe me profesor Çabeun dhe ia treguam ato që dëgjuam prej Dhimitër Shuteriqit. Po prisnim që dhe ai ta quante atë hajdut, si e kishim quajtur ne në bisedat tona. Mirëpo profesori e formuloi mendimin e tij krejt ndryshe, pa asnjë fjalë fyese:

–Nuk është mirë që njeriu të mos dijë ç’është e tija dhe ç’është e shtetit.

 

Vizitat e fundit: Kujtimet për jetën e profesorit duhen shkruar

Në nëntor të vitit 1979 profesor Çabeu u sëmur rëndë. Sapo ishte kthyer nga Vjena, ku ishte dërguar për të mbajtur leksione, i shoqëruar prej leksikologut Jani Thomai. Apartamenti ku i kishte strehuar ambasada jonë nuk kishte ngrohje. Mushkëritë i kishin mbledhur ujë. Doktorët e përcaktuan sëmundjen: kamcer në mushkëri, sëmundje që në atë kohë ishte e pashërueshme dhe përparonte shumë shpejt.

U pikëlluam të gjithë kur mësuam se ai nuk e kishte të gjatë. Filluam t’i bënim vizita për t’i dhënë kurajo. Jani Thomai, Minella Totoni, Gjovalin Shkurtaj dhe unë, që jetonim bashkë në një pallat të bërë me punë vullnetare anës lumit Lana, shkuam për vizitë. Profesori rrinte i qetë, nuk ankohej, tregonte ndonjë përshtypje nga Vjena, ndonjë plan për punën e ardhëshme. Ishte periudhë dimri, ndaj ai rrinte në kuzhinë, i vetmi ambjent me ngrohje. Aty na priti z-nja Shyhret sipas zakonit të saj.

Mbas disa ditësh a javësh, profesorin e dërgoi shteti në Romë, ku e operuan. Kur u kthye, shkova për vizitë sërisht, kësaj radhe me bashkëshorten time. Shyhreti po lante disa tufa me spinaq te çezma, i kishte duart akull të ftohta.

–Doktorët këshilluan që Eqremi të hajë sa më shumë zarzavate, tha Shyhreti. Atij dhe neve na pëlqejnë zarzavatet, por ti Julia e di sa punë do spinaqi, dhe tregoi duart e skuqura prej ujit te ftohtë.

Kësaj radhe, profesori rrinte dhe më i qetë. Shyhreti e kishte shoqëruar në Romë dhe thoshte se mjekët italianë, me sjelljen e tyre shumë xhentile, me të folurën e qetë me zë të ulët, me ato rrobat e tyre shumë të bardha, i ishin dukur si engjëj.

Unë dhe Julia nuk ngopeshim së pari engjëllin që kishim para syve tanë, të cilin nuk kishim për ta parë më…

Ceremonia e varrimit të tij u zhvillua me një pjesëmarrje njerëzish shumë herë më të madhe se ceremonia e varrimit të djalit të tij. Gjithçka u zhvillua si atëhere me seriozitet, askush nuk qau me zë, lotët rrëshqisnin nëpër faqe, ose gëlltiteshin me ngashërim. Disa njerëz rrinin brenda në apartament, shumë të tjerë tek shkalla e pallatit, akoma më shumë rreth pallatit dhe të tjerë në rrugë. Kortezhi u bë shumë i gjatë, pikëllimi ishte shumë i madh. Ndjehej se Tirana dhe gjithë Shqipëria kishin humbur një personalitet vërtet të madh, që e donte pa ndërhyrjen e organeve të shetit…

Profesor Çabeu u nda nga jeta më 13 gusht 1980, në moshën 72 vjeçare, kur ishte ende shumë i gjallë e me kapacitet të plotë mendor. Ai u largua nga kjo jetë pa e humbur bukurinë fizike e shpirtërore, duke na lënë në kujtesë figurën e një njeriu madhështor dhe ndikues.

Me rastin e dyvjetorit të vdekjes, më 13 gusht 1982, në institut nuk po ndjehej se do të shkonte kush tek familja e profesorit, si një vit më parë. Atëhere vendosa të shkoja me Palok Dakën, mikun më të mirë të profesorit dhe timin. Paloka kishte punuar me profesorin që nga viti 1949, që kur ishte krijuar Instituti i Shkencave. Ai ruante shumë kujtime për të, madje dhe shumë intimitete. Ai më kishte treguar se si e kishin sulmuar profesorin në vitet e mbrapta 1967-1968. Në mbledhjen e organizuar në institut për të dënuar shfaqjet e huaja, në prani të Manush Myftiut, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Fadil Paçramit, sekretar i parë i K. P. të Tiranës, drejtori i institutit, Androkli Kostallari e sulmoi profesor Çabeun. E quajti kuadër që i nënshtrohej shkencës borgjeze. Si argument ai përmendi se profesor Çabeu në studimet e tij nuk citonte rezultatet e arritura të shkencës shqiptare që po zhvillohej nën kujdesin e partisë; dhe se me rastin e vdekjes së albanologut gjerman Maksimilian Lamberc, ai kishte shprehur në shkrimin nekrologjik vetëm lavdërime, kur dihej se ky studjues borgjez kishte përkthyer në gjermanisht poemën Lahuta e Malsisë të poetit reaksionar Gjergj Fishta.

Profesori e kishte mbrojtur veten me pak fjalë:

-Për citimet në veprat e mia shkencore unë ndjek parimin ndërkombëtar, sipas të cilit citohen vetëm veprat e botuara në shtypin e lartë, pra në libra dhe revista shkencore. Unë nuk kam cituar e nuk mund t’i citoj rezultatet e studjuesve tanë që janë botuar nëpër dispenca, sepse artikujt e botuar në to konsiderohen jo përfundimtare, mbasi janë në përpunim e sipër. Botime të tilla nuk i ruan as Biblioteka Kombëtare.

Për studjuesin Maksimilian Lamberc dhashë vlerësime pozitive, sepse në shkrime nekrologjike nuk shprehen kritika e rezerva.

I ndodhur ngushtë Manush Myftiu e mbylli diskutimin duke thënë se partia e ka vlerësuar Lambercin me titull të lartë dhe në nekrologji vërtet shprehen vetëm vlera dhe jo kritika…

Duke kujtuar të tilla momente gjatë ecjes në këmbë i thashë Palokës se duhej t’i shkruante kujtimet e tij për profesorin dhe t’i thoshte z-njës Shyhret, se ajo dhe njerëz të tjerë të afërt, të shkruanin kujtimet për profesorin. Kur arritëm në shtëpi nuk gjetëm njerëz të tjerë përveç zonjës së shtëpisë dhe një vëlla të profesorit, avokatin Ferid, një burrë që i ngjante atij, por ishte më i shëndoshë. Ai jetonte në Lushnjë bashkë me vëllain tjetër Ihsanin, mjek.

Paloka e gjeti rastin dhe tha se mbledhja e kujtimeve për jetën e profesor Çabeut është punë me vlerë dhe duhet bërë sa më parë. Z-nja Shyhret nënqeshi, dhe tha: po, po, duke na lënë të kuptonim se ajo e vlerësonte këtë mendim dhe se një ditë do të ulej për të shkruar kujtimet e saj…

 

Profesor Çabeu më ndihmoi edhe i vdekur.

Kur erdha në Amerikë më 1996, 52-vjeçar kisha gradën Doktor dhe titullin Profesor i Asocuar. Duke mos ditur anglishten u detyrova të punoja pjatalarës, ndihmës kuzhinier, pastrues, roje, punëtor fabrike në turnin e tretë, etj. Shkova në shkollë nate dhe munda të mësoj anglisht në nivelin që mund ta flisja dhe ta shfrytëzoja këtë gjuhë. Atëhere thashë me vete: ky është ai qarkullimi që më mbeti pa bërë në rini. Tani nuk jam më fillestar, ky qarkullim nuk do të më çkualifikojë, prandaj duhet të filloj të merrem dhe me punë shkencore. Dhe fillova nga leximet, studimet dhe grumbullimi i matrialit për sqarimin e problemit se a kishte punuar apo jo shën Pali gjatë udhëtimeve të tij në trojet ilire, gjë që ai vetë e kishte pohuar në letrën drejtuar besimtarëve të Romës.

Pas gati tetë vjet pune me përqendrim të lartë arrita të provoja e ta shpija përpara traditën gojore shqiptare e cila thoshte se shën Pali kishte punuar në territore shqiptare (atë kohë ilire). Këtë mendim para meje e kishin formuluar me disa të dhëna, por pa sjellë prova bindëse disa historianë, si italiani Daniele Farlati (1817), amerikani E. Jacques (1995) dhe shqiptarët Marin Barleti (1520) e Kristo Frashëri (2001). Unë e shpura këtë rezultat më tej, duke provuar se shën Pali jo vetëm kishte punuar për krijimin e kishave të para të krishtere në troje ilire, por dhe kishte shkruar dy letra në Durrës (Dyrrach) dhe një letër në Nikopol të Epirit.

Duke ditur se në mbarë mbarë Mesdheun, pra dhe në gadishullin Italik deri në shekullin e IV përdorej greqishtja si gjuhë predikimi midis besimtarëve dhe se latinishtja u bë gjuhë fetare, gjuhë e kishës, vetëm mbasi u përkthye Bibla prej shën Jeronimit në fund të shek IV fillim i shek V, më lindi një mendim. Përhapja e Krishtërimit në qytete ilire prej vetë shën Palit e nxënësve të tij që në shek I e pastaj në shek II-IV duhej të ishte kryer në gjuhën greke, gjuha e predikimeve fetare të atyre shekujve, herë herë duke përdorur dhe përkthyes nga greqishtja nv ilirisht. Në këtë proces predikimi terminologjia fetare në ilirisht duhej të kishte hyrë fillimisht prej greqishtes duke u përshtatur në gjuhën vendase. Pra duhej që të vërtetoja se disa fjalë nga kjo terminologji, gjuha ilire (dhe pasardhësja e saj, shqipja) i kishte marrë, ashtu si latinishtja, drejtpërdrejt nga greqishtja e lashtë që në shekujt I-IV dhe jo nga latinishtja, ndikim i së cilës në këtë fushë kishte ndodhur vetëm mbas shek V.

Mendimin se shqipja i kishte marrë fjalët e terminologjisë fetare prej latinishtes ishte formuluar prej disa studjuesve gjermanë në kohën kur sundonte mendimi se krishtërimin në popullin ilir e kishin sjellë misionarë të ardhur prej kishës së Romës. Këtë mendim e kishte pranuar dhe profesor Çabeu. Me një fjalë më duhej që për origjinën e disa fjalëve kishëtare të jepja një shpjegim ndryshe nga ai që kishte dhënë idhulli im. Mendo e stërmendo. Herë pas here sillja në mend fjalët e tij:

-Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen.

Shkova në Shqipëri dy herë, bleva gjashtë vëllime të fjalorit etimologjik të Çabeut dhe lexova e rilexova vëllimin e parë (hyrja teorike) mbajta shënime, lexova me kujdes shpjegimet për shumë fjalë. Lexo e vra mendjen, kujto profesorin e prapë lexo, prapë vra mendjen dhe më në fund dhashë shpjegimet e mia se disa fjalë si apostull-i, ungjill-i, engjëll-i, kish,ë-a, etj e terma të tjera të Krishtërimit, të cilat latinishtja i kishte marrë vetë prej greqishtes, edhe ilirishtja (nëna e shqipes) i kishte marrë drejtpërdrejt prej greqishtes dhe jo prej latinishtes.

Më 2007 e botova librin tim Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re dhe shkova në Tiranë ku organizova promovimin e tij në Muzeu Kombëtar. Aty kisha trajtuar dhe këtë problem. Mirëpo punonjësit e institutit, pikërisht ata që merreshin me studime gjuhësore, vlerësuan aspekte të ndryshme të veprës, por u stepën, nguruan të jepnin gjykime për nënkapitullin ku jepja sqarimet e mia etimologjike për këto fjalë. Dukej se ata vuanin nga mendimi se brezi ynë ishte i papërgatitur për të dhënë ndihmesë në fushën e etimologjisë. Ata e kishin kthyer Çabeun në një tabu, gjë që ai vetë nuk e kishte dashur, madje e kishte luftuar.

Me këshillat e punën e tij, profesor Çabeu më ndihmoi edhe mbas vdekjes, këtu në Amerikën e largët, duke më dhënë kurajon e nevojshme për të punuar edhe në fushën e tij, aq të vështirë…

Tani vonë mësova se profesor Kolec Topalli ka hartuar e botuar një fjalor etimologjik të shqipes në tre vëllime. E përgëzoj z. Topalli se po ecën në rrugën e porositur prej vetë mësuesit tonë profesor Çabeut.

(Shkrimi u ripunua e plotesuan në shkurt 2016).

Filed Under: ESSE Tagged With: Eqrem Çabeun, kujtime, për profesor, Thanas L Gjika

ARISTIR NAKO, NJË MAKBETHIAN

March 1, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/

Ishim në vitin e tretë të shkollës së mesme, atë vit i largët, 1963. Sa pat filluar nëntori dhe vjeshta s’kishte ndërmend të dorëzohej aq lehtë. Domethënë shtronte gjethe të verdha dhe do të vdiste në shtrojën e saj. Një nga pasditet tona, jashtë mësimit, Aristiri na gjen duke folur për të rejat e shkencës, sepse profesori i fizikës Pandi Vakëflliu donte patjetër të merrej me diçka në kohën e lirë. Dëgjova se të nesërmen do të vinte i vëllai i Aristirit. Më vjen gjithnjë para syve edhe Arisitiri, edhe i vëllai, të cilin e kujtoj me emrin David a Grigor. Nuk mund të jetë mëkat për mua që ndenja a s’ndenja tri a katër ditë me të dhe, veç të tjerash e hapi gojën vetëm sa për të marrë frymë, se zërin nuk ia dëgjuam. Ah, po, një pasdite luajti futboll me ne dhe Guxim Mukli, futbollist dhe trajneri i ardhshëm i «Tomorrit» që bëri emër në futboll, e konsideroi talent. Se, të mos harrojmë që ai talent i madh ishte edhe vetë. Aristiri dhe i vëllai ndenjën bashkë atyre ditëve, madje edhe në klasë gjatë mësimit. Pëshpëritnin vazhdimisht, nganjëherë edhe qeshnin, por pa zë. Fytyra e Aristirit, e bardhë, ndërsa e vëllait pak e zeshkët, hunda e Aristirit e vogël dhe si e ndërprerë mes, duke u ngritur pastaj dhe ashtu mbahej mend lehtë, ndërsa e të vëllait ishte e drejtë dhe e bukur. Balli i Aristirit dukej sikur rrëzohej, kurse i vëllai ngrihej lart. Edhe flokët u ndryshonin. Aristiri sytë i kishte kafe dhe me dy vija të shkruara, kurse i vëllai sy të zinj korb. Nga trupi ishte i mbushur dhe me gjatësi mesatare. Buzëqeshjen ia mbaj mend si pika e vesës, e shndritshme, kurse Aristiri qeshte, ai njeri nuk buzëqeshte. Buzët e holla, mjekra me një gropë të thellë dhe trupi i gjatë. Në orën e letërsisë, mësuesi ynë Ksenofon Ilia i pat thënë njëherë makbethian. Aristiri u skuq i tëri, aq shumë sa fytyra iu bë si lafshë këndesi.

Ditët e Aristirit me të vëllain në shkollën tonë mbaruan. Erdhi e shtuna dhe ata të dy ikën dhe nuk u kthyen më. Ne na mbetej të komentonim. Pse Aristiri e mbante aq afër vëllain? E pse ai erdhi në shkollë dhe ndenji me të? Si i lejuan të rrinin në klasë? Mirë në dhomën e konviktit, por në klasë si ishte e mundur? Drejtori i rreptë Skënder Kameniku priste si teh thike, s’i dilej përpara. E si qe e mundur që e mbajti në mësim edhe Andon Sinjari, duke u bërë si me miell nga shkumësi dhe tymi i tij, duke shpjeguar matematikën? Po edhe Ilia Zaka nuk bëzajti asnjëherë gjatë orëve të rusishtes, po me sa dukej ai merrej me Myrvete Kasëmin dhe Afërdita Duhanxhiun dhe kaq mjaftonte. Po Josif Tashi si s’na shpjegoi asnjëherë asgjë në lidhje me Aristir Nakon? Por deri tani ne s’kishim pse i trazonim edhe aq ujërat, sepse tek e fundit asgjë s’kishte ndodhur ende…

Fluturuan edhe e shtuna me të dielën. Të hënën shkolla, aty nga ora dhjetë shpërtheu nga habia. Aristir Nako nuk erdhi në shkollë dhe emrin e tij e mbanin të gjithë në gojë, por neve të klasës III-C na ra barra e vërtetë. «Krimineli! Batakçiu! I poshtri! Paska qenë i tmerrshëm! Si nuk e ke marrë vesh? U bu bu bu! Ka vrarë të ëmën, vëllain dhe motrën. Edhe gjyshja është në spital, vetëm sa ia ka zhvatur çaçkën e kokës! Si?! E llahtarshme! Po atij s’i dëgjohej fjala! Si qenka e mundur! … » Të gjithë edhe flisnim, edhe s’flisnim. Përfytyronim skenën tragjike dhe na ngrihej leshtë përpjetë. Fantazia e shfrenuar e moshës ku nuk na çonte. Aristiri befas e pa u ndierë fitoi përmasa të jashtëzakonshme. E paskemi mbajtur gjarprin në gji dhe se dinim! Dhe luanim, qeshnim, mësonim, rrinim kot duke parë yjet e vjeshtës apo të pranverës me të. Shprehnim ëndrrat tona, dëshirat e zjarrta. E mbaj mend si fliste kur ngrihej në dërrasë dhe përherë i qeshur. Fliste me zë të ulët fare dhe mësuesit që pillonin veshët për t’ia marrë vesh ç’thoshte. Dhe Aristir Nako fliste «heroikisht» mbrapsht. Domethënë «ishte» e thoshte «etshi» dhe pastaj mijëra fjalë rresht. Se, duket që në Myzeqe, apo në fshatin e tij flisnin mbrapsht, së prapthi. Dukej sikur flisnin në gjuhë të huaj, që s’ekzistonte në asnjë vend të botës. Aristiri ishte kampion. E shihte Alqi Klemon që bënte ushtrimet gjimnastikore dhe bëhej rrodhe derisa ta mësonte edhe vet ushtrimin në unazë. Pastaj edhe Josif Tashi nuk e linte të qetë me ato ushtrime. Agim Doko kur e shihte ashtu, aq të preokupuar, nuk ia kursente lëvdatat. Vetëm Andon Sinjari në matematikë nuk e krahasonte me askënd. Sepse në orët e tij të algjebrës apo të stereometrisë ai nuk tregonte vëmendje… Ziente shkolla dhe orët e mësimit ishte e pamundur të zhvilloheshin. S’mbaronin pyetjet për Aristir Nakon. Si, qysh, tek. Por askush nuk mund të shpjegonte dot. Në diskutimet tona, në pyetjet dhe përgjigjet, në interesimin për shokun tonë dhe sidomos për atë ngjarje të tmerrshme që kishte ndodhur, ne donim të dinim të vërtetën. Si kishte ndodhur ashtu, aq papritur, e me buzën në gaz? Se askush s’mund të shpikte dot fjalë të tjera për Aristir Nakon, veç portretit të tij të qeshur, e cila tani qe vizatuar me gjak. Edhe duke i rënë mandolinës, sido që Misir Bano fshehurazi ia çakordonte nganjëherë, apo kur Teli Prifti ia ndërronte mandolinën me të tijën. Vetëm një çast, kur i bërtiti Andon Sinjari për një ekuacion të pazgjidhur, veç atëherë ai e barazoi zërin e tij me të mësuesit. Por kjo ishte e vetmja herë. S’do të ndodhte më kurrë…

Edhe nofkën «makbethian» që ia dha si me të ndrojtur Ksenofon Ilia, i skuqur flakë nga tensioni i fjalës, për diçka që nuk shkoi mbarë kur mësonim Makbethin dhe detyrimisht edhe vargjet përmendësh, komentet dhe vlerësimet, ai befas qeshi. Atë sikur e kishte dënuar Zoti që vetëm të qeshte. Ndoshta do të bëhej një aktor planesh pa folur, sepse fytyra e Aristirit ndryshonte bojë, nga e verdha në të kuqen e flamurit, madje nganjëherë dhe i nxihej ose i zbardhej tej mase. Vapem. Këtë çudi ne e komentonim kur nuk e kishim mes nesh shokun tonë. Edhe të donim ta harronim, ai s’na harronte kurrë. E kishe aty. Nuk është se ia ruajtëm vendin bosh në bangë, as edhe t’i çonim ndonjë lule, këto nuk ndodhnin, sepse ajo që bëri ishte katastrofë, tmerr, e papërfytyrueshme…

Hë, hë, aty-këtu, vinin lajme ndryshe. E dinim që Aristiri ishte burgosur, por ende nuk kishte mbushur shtatëmbëdhjetë vjeç dhe konsiderohej i vogël. Mos ishte i sëmurë mendërisht dhe askush nuk e dinte? Mos vallë i dhanë për të pirë ndonjë bar dhe ai u tërbua? Mos ndoshta ia ka mpirë trurin ndonjë i afërt me shpifje a me fjalë detyruese? Përveç hundës së hollë e si të ndërprerë ai s’kishte asnjë shenjë tjetër shëmtie në fytyrë dhe në trup. Ai njeri të mundte menjëherë vetëm duke qeshur, sado që ajo e qeshur na qe kthyer në zhgënjim të llahtarshëm. Atë njeri, me ta njohur do ta doje patjetër. Edhe Piro Tase, që ishte i ftohtë akull, edhe ai ngrohej prej të qeshurës me stil të Aristirit. Faruk Bollëke nuk ia mbante, ia kthente të qeshurës së kthjellët  të Aristirit me shpërthim të qeshure, sa që Palush Çepele zinte veshët me duar. Ose Iliaz Bregu që s’rrinte dot pa e kruar hundën me mish të huaj dhe buzën e sipërme të përveshur lart (të cilat i dhanë motivime aktoreske më pas!), i përulej të qeshurës aq të sinqertë të Aristir Nakos. Ne nuk e mbanim në gojë, por ai ishte kurdoherë në mendjen tonë. Si të thuash ne vijonim komunikimin tonë të heshtur me të. Dhe kjo do të ndodhte gjatë gjithë jetës, si një mrekulli.

Aristiri i kishte të gjithë miq në klasë, po edhe në shkollë dhe për çudi, edhe pas asaj kasaphane që bëri, askush s’ia ktheu shpinën. Nuk di pse, por të gjithë e donim. Edhe kur ishim në maturë, edhe kur dilnim shëtitje, edhe kur luanim, po të doni edhe kur flinim ai ishte kurdoherë me ne. Gjithmonë e gjithkund. Ç’ sekret fshihej këtu? Mos vallë Aristiri kishte gjakun e ëm­bël? Megjithatë e mohonim duke nënvizuar se dukej një gjë aq e thjeshtë. Po atëherë si ishte e mundur? Si ndodhi ashtu? Dikush thoshte se e ëma qe ndarë nga i ati. Se i ati ishte shofer dhe nuk mblidhej në shtëpi. Se ai e shtynte ta urrente të ëmën, të motrën, vëllain, gjyshen. Se e ëma e kishte tradhtuar dhe ai duhej të shkëputej prej tyre… I dëgjonim dhe nuk na hynin në veshë. Ose tek e fundit, nuk na pëlqenin të qenë të vërteta. Se Aristiri nuk ishte tip që futej në thes dhe aq më keq të përdorej. Ai njeri në dy vite nuk qe grindur me ndonjë prej nesh. Edhe Alqi që ia bënte borxh, edhe atij nuk ia merrte për keq. Ai vishej bukur, pastër (me ato që kishte, por ama ishte ndryshe nga të tjerët, sepse duket që i sillte diçka edhe i ati. Por askush nuk i shtynte këto ura. Veçse truri ynë analizonte dhe sillte ndërmend edhe gjërat më të largëta. Merrej edhe me një bisht fjale, pse jo edhe për ta mbrojtur, pavarësisht asaj që kishte bërë. Nuk gjenim dot fijen e humorit në makabritetin e asaj që kishte bërë… Afër e afër me të vëllamë. Hëngrën darkën bashkërisht, dremitën pak me fjalët, treguan gjërat që kishin ndodhur andej e këtej dhe më në fund i pat mundur gjumi. Pas mesit të natës (Aristiri ishte shtrirë por nuk flinte). Kishte dalë në korridor, pat marrë sëpatën e druve dhe (ky qe varianti përfundimtar i tragjedisë së pabesueshme!) u qe sulur me radhë së ëmës, motrës, gjyshes dhe… o Zot, vëllait! Kasaphanë. I lyer i tërë me gjak. Klithma, rënkime, grahma të fundit… Dhe ai me sytë hapur, me sytë nga tavani dhe i zhyer në gjak!… Do të ishte i pakët roli i Makbethit, ndoshta edhe i një makbethiani të rëndomtë. Mirëpo fjalët nuk mbaronin këtu. Fjalët, sido që të ishin vinin edhe gjer tek ne. Dhe neve na mbetej t’i përtypnim… I ati, kishte ardhur dhe i pat gjetur të gjithë në gjumë. Të parit i qe afruar Aristirit, qe përqafuar me të. Thonë se shoku ynë dridhej i gjithi si kundje, nga ato buzë kënetave. Pastaj kishte plasur hataja. Klithma e parë, e dyta,… Aristiri në këmbë. Ç’bën o i çmendur? Ia kapi bishtin e sëpatës dhe gjyshja vetëm sa u plagos. Pastaj tek e motra i shpëtoi. Kurse vëllai i gjorë i Aristirit bënte gjumin e madh. Nuk ndiente asgjë. Dhe e pësoi goditjen i fundit. Aristirin, që duket i pat rënë të fikët, e ngre dhe e çon në krevat, e lyen edhe më keq me gjak, i vë edhe sëpatën në duar dhe ikën. Policia vjen afër mëngjesit dhe i gjen të gjithë mbytur në gjak. Edhe Aristiri, veçse pa plagë. E diel në mëngjes herët. I marrin, doemos do t’i merrnin. Aty s’kishte më vend për askënd. Fytyrat përbindshore të lemerisnin. Tharmi gjenial i lojës makbethiane. As si lajm të bujshëm nuk e servirje dot. Mëngjesi i së dielës trembej nga vetvetja, shëmbëllente me një skenë nga ato të lashtësisë kur silleshin me filmat e mëdhenj që shihnim asokohe! Kuje e madhe, por askush nuk qante. Kuiste vetëm era e fillimnëntorit me shumë diell. Ndërsa një vit më parë të mbyste shiu dhe politika e lidhte shiun e mallkuar me provat e shumta bërthamore!…

Atmosfera e klasës ishte plot me të këtilla mynxyra. Javën e ardhshme do të vinte dikush tjetër, një i njohur i tyre dhe, si ta kishin bërë me fjalë, e përplasnin kokën tek ne. Çudi e madhe. Dhe të thuash se ne kërkonim për Aristir Nakon, s’mund ta thoshe dot. Ne nuk kërkonim asgjë. As edhe Sefedin Çela, shkrimtari i klasës, autori i Kurbatkës që e lexonim në fletoren me vija dhe me shkrim dore dhe diskutonim aq shumë për të. Sefedini s’kishte fjalë me askënd. Bluante mokra e tij mendime të mëdha, por gjithnjë me frikën se mos ngrinte ndonjë bina të madhe dhe e zinte nën vete. Fatmirësisht binaja e madhe u bë dhe Sefedinin tonë nuk e zuri dot nën vete. Po edhe të tjerët nuk i pranonin fjalët, por ato të uruara hynin vetiu në kokat tona. Hynin dhe s’dilnin më së andejmi. Kishte rrezik të na fryhej koka nga fjalët. Dhe ne qeshnim se atë çast qeshi Androniqi, Marjeta, Marinaqi, Myrveti, sidomos kjo me atë të qeshurën e fshehur nën buzë, edhe pse Pëllumb Qama nuk e linte kurrë një çast pa i thirrur «motra!». Të thuash të vërtetën, u dergjëm nga fjalët e mallkuara që s’kishin të sosur për Aristir Nakon tonë, të cilin edhe pse thuhej se bëri atë gjëmë aq të madhe, kurrë nuk e bëmë me faj. Përveç të qeshurës së tij, o Zot! Nuk e dha kurrë pa një shkak, ndoshta edhe në çastet më të këqija ai kurdoherë do të ketë qenë vizatuar nga e qeshura e tij e madhërishme. Humbi. Sigurisht humbi. Por humbja e tij s’besoj kurrë se ka ardhur prej atij vetë. Ia ndiej ankthin, tmerrin, vështrimin e ngulur të syve kafe me ato dy vija rrethore që i përshkonin magjishëm dhe… edhe unë tmerrohem me pamjen e ngjethëse që shkaktoi ajo sëpatë e lashtë mbi kokat e të afërmve. Nuk e besoj, por ndoshta kjo s’ka të bëjë me të vërtetën.

Na erdhi edhe një lajm tjetër: Aristirin e kishin çuar në çmendinën e Vlorës. Më mirë ta kishin vrarë, tha dikush. Mjerë ai! Atje në çmendinë nuk mbaron kurrë e keqja. Atje çdo ditë gatuhet një bukë me lot të hidhur, me gjak, me qurre, me të pëgëra dhe hanë të gjithë të përditshmen e pamundur. Diçka danteske dhe prej Ferri. E si mund ta kalonte kohën Aristiri në çmendinë? Mos vete ndonjë nga ata të çmendurit e vërtetë dhe ia priste kokën dhe ia fshihte në komodinë, për t’ia treguar të nesërmen doktorit? Shshsht! Doktor, mos trego, mos na ndien, se ia kam fshehur kokën në komodinë… Si thua? Dhe doktori, me siguri, ikte tej duke e mbajtur kokën lart me një seriozitet të shtirë. Do të fillonte, patjetër, të mbetej të shumtën e kohës vetëm. Vegimi i asaj dite të mallkuar nëntori nuk do t’i ndahej kurrë. Çdo gjë do t’i dukej se qe përzier me gjakun dhe me trutë e nënës, motrës së pafajshme, vëllait të tij, të cilin patëm fatin e keq që ta njihnim edhe ne të klasës III-C të shkollës pedagogjike «Babë Dud Karbunara». Askush nuk na ngushëllonte dot, as vetvetja jonë, as lodhja që na përvidhej me të keq, as vajzat, as shokët. More asnjë. Edhe atij, besoj, kështu i ndodhte. Vetëm e qeshura e tij mbetej pezull…

Aty nga fundi i vitit të katërt, kur po bëheshim gati të fillonim provimet e maturës, vjen dikush një pasdite dhe na thotë se do të vinte në provim edhe Aristir Nako. U drodhëm nga një emocion i çuditshëm. Të ishte e vërtetë. Kujt i erdhi ndërmend kjo shaka e ligë? Mos vallë Llambro Lamajt, atij kockë-e-lëkurës, të cilit i kishte mbetur vetëm hunda, apo Pandeli Salcës? Kush e di! Nuk u gjet dot. Edhe Izet Xhindi që mezi e hapte gojën, edhe atij i hipën xhindet nga kjo thagmë. Ne na ziente koka nga gjuha shqipe, provimi i parë. E në këto çaste morëm vesh se në sallën e teatrit kishte ardhur teatri popullor i Tiranës dhe do të shfaqte Makbethin. Makbethin? Vërtet? Po, do vemi, se ne e kemi një lidhje me Makbethin. Ne jemi shokët e makbethianit, ndoshta të vetë Makbethit. Dhe sytë, pa dashur i kryqëzuam tek Nazmi Muhameti (Bregasi) që mbahej më me sqimë. Pastaj ne i kishim dy tre kokrra shkrimtarësh, ose që mbaheshin të këtillë!) dhe s’kishte lezet të mos shkonim. Ja këto shtonim dhe e gjetëm. Premë biletat dhe e pamë tragjedinë e shquar të Shekspirit. Gjakun. Tmerrin. Fjalët e arta. Mrekullinë teatrore dhe s’dihet përse sillnim në mendje Aristir Nakon. Vetëm për atë batutë që i hodhi në mënyrë spontane mësuesi ynë, Ksenofon Ilia! «Aristir Nako, ti je makbethian!» A e kapi dot njeri thelbin e brengës së tij? Po ç’them, të tragjedisë së tij të jashtëzakonshme, të vetëdijshme. Se të vërtetën e saktë e di vetëm i ati i tij që thonë se e varën në një degë rrapi, apo dhe vetë Aristiri i gjorë! Më tremb edhe sot ideja se mos po shpik ndonjë gjë të paqenë! Vërtet, ç’ishte ky njeri? Do të thosha me vete: një shpirt i qeshur, njeri i dhënë pas përjetimit të fiksuar të imazhit të fundmë e që s’mund t’i shqitej dot nga sytë e bukur! A i përjeton tani ato gëzimet e vogla njerëzore, apo ka humbur në hijen e madhe të asaj që i ndodhi. Ndoshta ka vdekur, sepse atje në çmendinë ka qenë me siguri shoku më i ngushtë i tij…

Nuk vonoi dhe ne u ndamë. Shumica filluan punën si mësues, të tjerët vijuan shkollat e larta. S’kishte mbrëmje, s’kishte mëngjes që të mos ishte pranë nesh Aristir Nako dhe e qeshura e tij e bukur, vështrimi i syve të tij të shkruar që s’do të na ndahej kurrë… Dhe unë bashkohem me ta. Dhe ja mua më ndriti fati. Ishte korriku i vitit 1990. Në Plazhin e Vjetër në Vlorë. Një mesditë shoh një burrë të gjatë që ecte i veshur me rroba të lehta verore (të cilat, thosha më vonë kishin ca njolla gjaku të çuditshme!). M’u bë se po vinte drejt meje dhe se po më shihte me ngulm. «Aristir!» thirra. Ai mbajti këmbët, më pa drejt në sy dhe ia dha vrapit drejt detit. U hodh brenda në ujë dhe pastaj me not u largua. Pranë meje u afruan dy djemtë e mi dhe po shihnim se si njolla e tij largohej në thellësi të detit derisa humbi krejt…

 

Tiranë më 05.02.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: ARISTIR NAKO, NJË MAKBETHIAN, Xhevair Lleshi

In memoriam Fatbardh Kupit

February 29, 2016 by dgreca

In memoriam  Fatbardh  Kupit

Nga Reshat KRIPA/*

Ditën e martë, datë 23 shkurt 2016, ora 16.30, ndërroi jetë në spitalin North Shore Hospital – Long Island, New York, një nga qëndrestarët më të mëdhenj të rezistencës antikomuniste në Shqipëri, i paepuri miku ynë Fatbardh Kupi. Ndërroi jetë po në atë spital ku 40 vjet më parë, më 7 korrik 1976,  kishte ndërruar jetë edhe ati i tij, një nga aktivistët më të shquar të çështjes kombëtare në periudhën e Luftës së Dytë botërore dhe  pas saj.

I dashur miku ynë Bardhi! Deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për fjalën tënde. Ndonëse ishe larg nga ne përsëri të ndjenim në krahun tonë  në luftën për një Shqipëri me të vërtetë demokratike me tipare perëndimore. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Çfarë të të kujtojmë më parë i dashur vëlla, Ishe pothuajse fëmi kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Nuk të thyen as internimet, as burgosjet dhe as endjet nga një krahinë e vendit në tjetrën, nga jugu në veri dhe përsëri nga veriu në jug.

Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira.  Po, Bardhi i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak Kupi, gjak fisniku dhe në këto çaste më kujtohet një frazë e filozofit të shquar Niçe:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku…

 Dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj. U linde dhe u burrerove në një familje të madhe krutane që brez pas brezi kishte luftuar për këtë Shqipëri dhe ti ishe krenar për prejardhjen tënde. Ja si iu përgjigje një gazetari që të kërkoi të flisje për jetën tënde në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste:

Gjatë gjithë jetës kam jetuar me krenarinë e babait tim, që i vuri gjoksin luftës në Durrës dhe i priti fashistët me luftë. Vuajtjet e mia janë të vogla para madhështisë së babait tim. Shkruani për atë se ma lehtësoni dhimbjen dhe mallin.”

 Duke lexuar këto fjalë para syve na del figura e shquar e atit tuaj, të paharruarit Abaz Kupi. E shohim atë që qysh pa mbushur 20 vjeç, të grisë flamurin turk dhe të ngrejë flamurin shqiptar me zhgabën dykrenore në mes, si pasojë e së cilës detyrohet të marrë arratinë maleve të Shqipërisë për t’i shpëtuar hordhive turke. E shohim atë me parinë e Krujës duke luftuar me bandat e Haxhi Qamilit më 1914. E shohim në vitin 1920 kur me formimin e Qeverisë Kombëtare të dalë nga Kongresi i Lushnjes, lufton kundër malazesve në Koplik së bashku me Ahmet Zogun.  E shohim si komandant i xhandarmërisë shqiptare, me gradën major, me shpalljen e Ahmet Zogut mbret i Shqipërisë, detyrë që e mbajti deri në vitin 1934

Por në një mënyrë madhështore e shohim më 7 prill 1939  ku organizoi dhe udhëhoqi rezizstencën e popullit shqiptar kundër okupacionit fashist. Me pushtimin e Shqipërisë u detyrua të emigronte në Turqi. Me hyrjen e Bitanisë së Madhe në luftë i lindi idea e organizimit të rezistencës në Shqipëri.  Kthehet në Kosovë, ku i pritur nga një figurë tjetër e shquar kombëtare, Gani Kryeziu,  takon kolonelët anglezë Stirling dhe Dayrell Oakley-Hill me ndihmën e të cilëve kthehet në Shqipëri dhe vendoset, së bashku me të vëllanë, Ibrahimin, në krye të rezistencës antifashiste, me ndihmën edhe të përfaqësuesit anglez Julian Amery.

Ishte dishepull i mendimit se shqipëtarët duhet të mblidheshin  “Pa dallim feje, krahine dhe ideje”, për të zbuar armikun e përbashkët. Për këtë, më 16 shtator 1942,  u bë një nga organizatorët  dhe pjesëmarrësit aktivë të Konferencës së Pezës ku zgjidhet anëtar i Frontit Nacional-Çlirimtar. Më 26 korrik 1943, së bashku me Mit-hat Frashërin bëhet nismëtar i Konferencës së Tapizës dhe, më 1 gusht, i Konferencës së Mukjes ku përfaqësuesit e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe ata të Ballit Kombëtar nënshkruan aktin historik të bashkëpunimit në luftë kundër okupatorit për një Shqipëri Etnike, marëveshje që ende pa iu tharrë boja, nën shtytjen e emisarëve jugosllavë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, u hodh poshtë nga komunistët të drejtuar nga Enver Hoxha.

Një parullë tjetër filloi të qarkullojë në rradhët e komunistëve. Ajo tashmë nuk i ngjante asaj të parës, nuk ishte për vëllazërimin e forcave politike. Kjo parullë ishte “Pushteti buron nga gryka e pushkës”. Me pak fjalë synimi i komunistëve për të marrë pushtetin me çdo kusht, duke mos marrë parasysh se një gjë e tillë donte të thoshte që shqiptarët të derdhnin gjakun me njeri-tjetrin. Dhe vllavrasja filloi.

Në këto kushte Abaz Kupi formoi Lëvizjen e Legalitetit dhe vazhdoi luftën, kësaj here në dy drejtime si kundër pushtuesve gjermanë ashtu edhe komunistëve. Në krah të forcave të tij qëndronin edhe përfaqësuesit anglez Billy McLean dhe David Smiley. Kjo vazhdoi deri më 24 tetor 1944 ku, i detyruar nga gjendja e rëndë drejt së cilës po shkonte vendi, detyrohet të largohet nga atdheu së bashku me dy djemtë, Petritin dhe Rustemin dhe të vendoset në Brindizi.

Lufta e tij për një Shqipëri të lirë vazhdon. Është ndër organizatorët e bashkimit politik të emigrantëve shqiptarë duke u bërë pjesëmarrës i “Komitetit Shqipëria e Lirë” me në krye Mit-hat Frashërin dhe më pas Hasan Dostin. Më 7 korrik 1949 emërohet president i bashkimit të forcave ushtarake, organizëm i operacioneve për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri., organizuar nga “Komiteti Shqipëria e Lirë Në vitin 1968 zhvendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku mbyll sytë në vitin 1976 në New York.

Një jetë e tillë e lavdishme nuk kishte se si të mos reflektonte edhe në jetën e Bardhit. Krenaria e tij për të atin ishte fare e ligjëshme. Por rruga nëpër të cilën ai kaloi ishte mjaft e ashpër dhe vazhdoi gjatë. Ato i filluan qysh në qershor të vitit 1939 ku së bashku me të gjithë familjen fashistët i internuan në Himarë. Por kjo nuk mjaftoi. Një urdhër tjetër i degdisi në Itali ku ndejtën më shumë se një muaj në burgun e Brindisit dhe më pas i internuan në Siena ku qëndruan deri në vitin 1942. Në atë kohë Bardhi i vogël nuk ishte më shumë se 12 vjeç.

Me vendosjen e sistemit komunist Bardhin nuk e priste gjë tjetër veçse burgosja në vitin 1945, ku qëndroi deri në vitin 1951. E internuan në ish kështjellën e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo të Himarës. Ndërkohë familja ndodhej në kampin e tmerrshëm të Tepelenës. Pas pak kohe edhe Bardhin e çuan në këtë kamp. Një ngjarje tragjike kishte ndodhur në familjen Kupi pak vite më parë. Po transferoheshin nga kampi i Beratit për në Tepelenë. Në afërsi të Përmetit, befas njëra nga makinat frenoi papritur. Njerëzit që ishin ngjeshur sipër fluturuan dhe ranë në greminë. Shumë u plagosën, Por Fadil Petrela dhe e shoqja Xhumaja, motra e Bardhit, nuk u ngritën më. Në gjirin e Xhumasë qëndronte e shtrënguar fort fëmija gjashtë muajshe që nëna e kishte mbështjellë rreth vetes për ta mbrojtur. Fëmija shpëtoi mrekullisht së bashku me  motrat dhe vëllezërit e saj.  Ishin  të internuarit që u kujdesën për rritjen e jetimëve.

Odisea e Bardhit vazhdoi më pas në kampin e internimit në Kuç të Vlorës, në Gradishtë dhe Savër ku, në vitin 1981, e arrestojnë për së dyti herë prej nga lirohet në vitin 1989, vit në të cilin komunizmi kishte marrë rrokullimën.  50 vjet të kaluara nëpër burgje dhe kampe të tmerrshme. A ka ndonjë vend tjetër  të botës ku të ketë ndodhur një tragjedi e tillë? Ne nuk e dimë. Po ta dini ju, ju lutem na i thoni. Por çudia më e madhe është pathyeshmëria e individit që nuk u përul para asnjë vështirësie të imponuar nga kriminelët e kohës.  Ky individ ishte Fatbardh Kupi.

Së fundi sistemi komunist u shemb. Vrrulli i një populli të shtypur rrëzoi përmendoren e diktatorit. Të përndjekurit politikë nga regjimi i përmbysur u grupuan në shoqatën e tyre të drejtuar nga një figurë tjetër e nderuar, plaku i urtë Osman Kazazi me një jetë të tërë në burg. Bardhi nuk mund të rinte i mënjanuar. Ai ishte nga nismëtarët e kësaj shoqate dhe u zgjodh ndër drejtuesit e saj. Me një qetësi të jashtëzakonshme dhe një pjekuri prej të urti dinte t’u jepte zgjidhje problemeve që u dilnin dhe fjala e shoqatës ishte ligj për të ardhmen e vendit. Ishte nisma e kësaj shoqate që bëri të mundur realizimin e disa të drejtave të mohuara në të kaluarën. U arsimuan një pjesë e mirë e tyre. U punësuan në detyra të rëndësishme të shtetit. U strehuan ata që kishin nevojë. U miratua edhe ligji për statusin e tyre.

Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Duke rrëzuar përmendoren e diktatorit ne menduam se, së bashku me të, kishim rrëzuar dhe shpirtin e tiranit. Por u gabuam. Ne kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti, ndërsa shpirtin e tiranit e kishim lënë të lirë të endej si hije nëpër Shqipëri dhe të përgatiste tragjedi të tjera, madje edhe më të egra. Kjo ndodhi në vitin 1997 kur falangat e përbëra nga ish-xhelatët e dikurshëm që kishin ngelur të padënuar për krimet e tyre, madje një pjesë kishin arritur majat e politikës apo pinjollët e tyre, përmbysën gjithçka të mirë që ishte ndërtuar në ato gjashtë vjet. Pasojat qenë fatale. Kudo të shihte syri vetëm djegie dhe grabitje. Viktima të kësaj tragjedie u bëmë përsëri ne. Përsëri u vramë. Hienat e kuqe filluan të vrasin bijtë tanë më të mirë që shërbenin në organet e Ministrisë së Brendëshme apo SHIK-ut. Çuditërisht asnjë ish-komunist nuk e pësoi.

Në këto kushte Bardhi nuk mund të duronte më. Ëndrra e tij për një Shqipëri të lirë dhe demokratike ishte shuar sapo kishte lindur.  Me dhimbje mori rrugën e mërgimit. Shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si ati i tij dikur. Ashtu si i ati, edhe Bardhi nuk ndenji duarkryq atje. U aktivizua në organizatën “Vatra” dhe me shqipëtarët e tjerë që ëndërronin për një Shqipëri ndryshe nga kjo që ishte vendosur dhe me këtë ëndërr i mbylli sytë në atë pasditen e 23 shkrtit 2016.

Më datën 27 shkurt 2016 trupi i tij u vendos në banesën e përherëshme ndërsa shpirti  i pastër fluturoi lart në parajsën qiellore.

*  Shoqata  Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fatbardh Kupit, In Memoriam, reshat kripa

JU RRËFEJ NJË FUAT TJETËR…

February 26, 2016 by dgreca

-Meditime dhe përsiatje në 70 vjetorin e flokëbardhit të Sinicës/

Nga Shefqet Meko/ Minnesota- SHBA/

Gazetari dhe kiniasti, Fuat Memelli, festoi 70 vjetorin e ditlindjes së vet. Në një mjedis të ngrohtë  shqiptaro-familjar në Boston, familja, miq, shokë, ish kolegë dhe  sinicarë, u mblodhën  për të ndarë momente gëzimi dhe urimi. Në një atmosferë elektrizuese nga “elektronet” Memelli: Gledis,Elton dhe Rezarta, në atë sallë dukej se  kishin “zbritur” 70 vjetët e një burri- baba, bashkëshort, koleg, gazetar, krijues, kineast dhe redaktor, organizator komuniteti profesionistësh dhe shok i shokëve. Sinicari Fuat Ohran Memelli,  sikur është ulur   “këmbëkryq” në 70 “godinat-vite” të jetës së vet  dhe thinjat e bardha të shpupurisura pak, të kujtojnë pendët e pulëbardhave që fluturojnë dhe fluturojnë… I dehur nga gëzimi i miqve të shumtë që e rrethojnë, ky  djali i vetëm i xha Ohranit të Sinicës së Devollit, duket sikur në majë të një 70 katshi thotë:”Nuk ka gjë më të bukur se jeta e mbushur me dashuri , shëndet dhe trashëgimi…”

Ky njeri 70 vjeçar, në një moment ndihet po aq fëmijë sa një 7 vjeçar. Duke qeshur, merr fizarmonikën dhe këndon “për zeshkanen”  në ditlindjen e vet, që për koincidencë e ka më 14 shkurt, në ditën e Shën Valentinit. Këngët korçare, tingëllojnë  bukur dhe dhimbshëm në  të ftohtin e hidhur të shkurtit në Boston.

Ndërsa je pjesë e një gëzimi familjar,  ku sheh brezat dorë për dore  dhe të ardhur  nga shtete dhe kontinente të ndryshëm, kur sheh peshkopin sinicar Ilia  Ketri (lindur e rritur në SHBA me një shqipe të pastër) të ulur  thjesht midis mysafirëve, kur takon Prof. Niko Ketrin dhe bashkëshorten e  vet, Suzanën, kur shtrëngon dorën me krijuesin pogradecar, Istref Haxhillari, apo studiuesin  dhe autorin, Thanas J.Gjika, kur troket gotën e rakisë me agronomët nga Gjirokastra, Konstadin Mosko e Grigor Çaro, apo kur  mëson se  Petrit Duka  nga Elbasani  i sapo-zbarkuar në Amerikë, ka punuar 40 vjet me të njëjtën ndërmarrje në Elbasan dhe  është “baxhua më i mirë i Fuatit”, përpiqesh të shkosh përtej këtij momenti bashkues dhe të kërkosh diçka më tepër: çfarë i sjell këta njerëz në një festë të tillë? Cila është ajo fuqi bashkuese e shqiptarëve, që bëjnë  rrugë e rrugë për të qënë bashkë? Është thjesht “sebepi Fuat”? Janë 70 vitet e jetë së vet, apo diçka tjetër?

Më duket  se në këtë rast, është diçka  përtej një ditlindje. Besoj se bashkime të tilla të shqiptarëve, janë një himn  për jetën dhe gëzimin familjar.Janë një “kultizim” i të qënit bashkë të familjes, fëmijëve, nënës, babës, kurshqve të tashëm dhe atyre të nesërm, që vijnë të gëzohen së toku. Bashkime të tilla, janë festë e jetës, përkëdhelje e ndjenjës njerëzore, shpalosje vlerash dhe gumëzhitje në shpirtin që nuk ngopet me dashuri  për njeriun dhe jetën. Në kësi rastesh, njerëzit që vijnë prej diku, sërish bashkohen këtu. Jo rastësisht sinicarët në këtë takim  ishin “pakicë dominuese” sepse duket se të lindurit në këtë fshat, e kanë të vështirë të harrojnë njëri-tjetrin, edhe pse nuk mendojnë apo gjykojnë njësoj. Sinicarët, kanë një brumë  miqësor, të gatuar herë në xhami dhe herë në kishë, por gjithsesi të “pjekur” në një të njëjtin diell. Është ky tharm, që njerëzit e këtij fshati, të përfaqësojnë një fenomen interesant,  si në Shqipëri ashtu dhe në Amerikë.

Jo vetëm në vjersha,libra,filma dokumentarë ( ai ka disa çmime ndërkombëtarë për filmat e tij dokumentarë),veprimtari të shumta me Shoqatën e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë, Shoqatën “Devolli”, Klubin “Miqtë e Dritëroit” etj, por, thellë thellë, në themelet e “godinës 70 katëshe”, është vendlindja, Sinica, si një ëndër e bardhë rinie dhe pasrinie, si një fluturim frymëzues që i ndjell rininë dhe fëmijërinë, duke e bërë të ndihet i tillë edhe pas 7 dekadash.

“Gërmoj” në  mendjen time dhe sjell disa koincidenca shumë interesante që lidhen me sinicarët: gati 12 vjet më parë, në Shqipëri bashkë  shqipataro-amerikanin Vladimir Cicani, përfunduam në një takim të sinicarëve në ish SHQUP-in e atëhershëm,  ku sinicarët e Tiranës, organizonin një takim shumë kuptimplotë. Por nuk  ka vetëm kaq: Vangjel Damo një  veteriner i sukseshëm dhe pasionant i librave dhe ortodoksizmit shqiptar, që jeton në Çikago, më ka bërë një vizitë familajre në Mineapolis, sikurse edhe vetë Fuat Memelli ka bërë të njëjtën gjë, duke qënë për  vizitë tek  unë “ikanaku” në Minnesota , pa harruar pritje-përcjelljet e Fuatit në takimet gjurmëlënëse të Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë në Tiranë, apo edhe  shoqërimet e ngrohta  me sinicarin Vladimir Cicani në Las Vegas.

Pra, a e kuptoni se si një flokëbardhë 70 vjeçar në Boston,  mund të mbledhë  më shumë njerëz në një ditlindje, se në një “protestë të PD-së” në Tiranë? E thjeshtë:  këto janë bashkime në emër të jetës, gëzimit të së ardhmes. Ndaj kjo ditlindje më fut më tepër në mendime për jetën time dhe jetën tënde, dëshirat e mia dhe të tuat, për ëndrrat që jetuam dhe ato që harruam, për  hallet e mia dhe të tua, për atë që bëmë dhe nuk bëmë dot mirë, për atë që ëndërruam dhe nuk e shijuam kurrë dhe për atë shije të hidhur që na kanë lënë të tjerët… Ja pse  ketu shoh  një Fuat ndryshe. Një Fuat që sërish bashkon njerëz  dhe ndan mendime. Një Fuat që e sheh jetën ndryshe mbas “furtunave”  të paparashkuara që ka kaluar në Tiranë.  Mukadesi, nëna e katër fëmijve,  bën një vetpohim  ngazëllues në ditlindjen e burrit të vet:” Burri për mua?! Nuk është vetëm ai që të puth e përkëdhel. Ai është shpresa dhe fuqia e një gruaje, siguria dhe mbështetja, burimi dhe ngazëllimi i ndjenjave,  besimi që nuk thuhet kurrë, kurajo që të ndjek ngado. Burri është shpirti , krenaria dhe pamposhtmëria  e një gruaje. Ky ka qënë Fuati për mua ….” Maka Memelli (Mukadesi)  është pjesë-trimëria e Fuatit. Ajo me shumë mundime i ka qëndruar sfidës në Shqipëri duke rritur dhe edukuar 4 fëmijë, kur Fuatit i duhej të shkonte me shërbime poshtë e lart Shqipërisë. Ja dhe një arsye tjetër pse  ky “glorifikim”  i një ditlindje,  ka të bëjë me glorifikimin real të familjes së bashkuar për ta bërballuar jetën, duke u dhënë fëmijve shanset dhe lirinë që meritojnë.

Në “universin” 70 vjeçar të Fuat Memellit, ke aq shumë për të thënë dhe prap nuk i ke thënë të gjitha, sepse Fuati ka bërë aq shumë , për këdo dhe kudo. Nga Sinica ku lindi, deri në Boston ku jeton tani , rruga e Fuatit është sa e bukur, aq edhe e mundimëshme, sa me këngë , aq edhe me lot, sa me arritje, aq edhe me dëshpërime. Sinicari duket sikur udhëton  duke belbëzuar vargjet e bukura të Dritëro Agollit:” Devoll, Devoll”.Bashkëdevolliu i Agollit, është një mik i madh ditlindjesh. Jo rastësisht me atë kam festuar 40 vjetorin tim në Kopenhagen të Danimarkës , në vitin 1999,ku ishim në një kongres gazetarësh.

Jo rastësisht ai ka qënë për 12 vjet në krye të Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë dhe ka festuar ditë shënuara për kolegë, si 60 vjetorin e Xhevdet Bashllarit, ditëudhëtimin e Fiqri Shahinllarit në Amerikë, përcjelljet e shumta të miqve e kolegëve, etj. Fuati , së bashku me operatorin Fatos Loli, i ra cep më cep Shqipërisë, intervistoi, gërmoi me penë dhe kamera, jetën dhe biznesin e fermerëve shqiptarë, u tregoi të tjerëve histori të pafundme të jetës dhe përpjekjeve për të jetuar më mirë. Me kamer dhe laps, sinicari i Devollit, ka shënuar kështu edhe hapat e jetës së vet.

Sot Fuati dhe Maka jetojnë në Boston, falë  sakrificave dhe tejvshëtirmit të vajzës se madhe Gledis Memelli, që krenarisht për Fuatin dhe Makën, ka një pozicion të rëndësishëm në një nga bankat më të mëdha të Amerikës. Po aq krenarë ata janë dhe për vajzën tjetër Rezartën, djalin e madh në Kanada,  Eltonin dhe djalin tjetër, Erjonin, punonjës ky i fundit në një bankë në Shqipëri.

Duke “shfletuar” kujtesën, 17 vjet më parë, mbaj mend se e ftova për një kafe Fuat Memellin  në “klubin e nëndheshëm” të Ministrisë së Bujqësisë.  Me atë zënë e ulët, por me sy të turbulluar, më thoshte: “Shefqet, po me ik djali në   Kanada në një  festival ndërkombëtar si balerin që është, por ka marrë një vendim të mos kthehet…”. Duke kundruar shqetësimin e Fuatit, iu përgjigja: “Po ky është një  vendim për t’u përgëzuar Fuat, edhe pse nuk do jetë i lehtë. Do shpëtojë e ardhmja e fëmijës. Mos ia bëj ters”. Po, pa mbaruar fjalën  Fuati  dukej se kishte merak të madh për të shprehur.”Jo, bre, unë nuk dua të iki. I dua fëmijët bashkë. I dua në Shqipëri, por po m’i merr në qafë gruaja. Ajo ia ka mbushur mendjen të mos kthehet.Po më këputet shpirti”- më thoshte Fuati dhe dy pika loti  i ranë në filxhan të kafesë.  Ishte dhimbja dhe dashuria e një babai, që i do të gjithë fëmijët bashkë dhe nuk e di ç’mund të sjellë një ikje e bardhë. Miqësisht u përpoqa ta qetësoja tronditjen e pafajshme.”Do dalë për hajër Fuat. Edhe unë në rrugë për të ikur jam, por ndryshe, me llotari…”-  i thashë .

Nuk mund të mos  kujtosh  këto   momente të jetës, ndërsa shikon se  çfarë transformimi ka marrë jeta e një njeriu, që si gazetar, 6 vjet në  TVSH e më pas në “ombrellën” e Ministrisë së Bujqësië. Ndaj kur sheh  fuqinë dhe fytyrëçeljen që të jep liria, kupton më mirë se sa përdhunuese ka qënë jeta jonë në Shqipëri. “Të përdhunuar nga tanët”- kështu do të përmblidhja  mbjetesën tonë mes fisit tonë. Vetëm një moment: kur ne festonim 20  vjetorin e gazetës “Studenti i bujqësisë” në vitin 1988, unë  gjeta në arkivat a gazetës fakte që kryeradaktori i parë i kësaj gazete, ishte Fuat Memelli, dhe nuk  ngurrova ta konfirmoja. Madje deri në atë kohë unë nuk e njihja fare si person. Por a e dini se sa “luftë” u bë në atë kohë nga”kolegët” e Fuatit për ta  “korrigjuar” të vërtetën? E pa imagjinueshme  fuqia e fallsifikatorëve ! Por unë besnikërisht mbrojta  të vërtetën e gjetur në arkiva reale dhe nuk “retushova” asgjë  gati 30 vjet më parë. Ndaj ndihem pjesë  e kësaj feste për Fuatin tonë. Unë  e di se  ky njeri, po të kishte këtë hapësirë lirie në rininë e vet, do të ishte ndryshe, do ishte një Fuat shumë më ndryshe.

Ja pse liria që fituam me “kokëkrisurit studentë” të dhjetorit, është e pallogaritshme.  Ja pse kjo ditlindje është sërish një  “himn”  i jetës, shëndetit, gëzimit, familjes. Unë  jam ndjerë krenar  kur shihja atë “tornedo” dashurie mes fëmijve të Fuatit për  babain e vet, dhe atë respekt për shokët e miqtë tij. “Kjo është magjia shqiptare” isha gati të klithja nga momenti i jetuar. Sepse nuk ka si dashuria e  prindërve për fëmijët e tyre. Veçmas prindërit shqiptarë janë “vetflijues”të pashembullt për fëmijët e vet. Ndërkohë, postkomunizmi, ka demonstruar sa e sa ribashkime magjike të  prindërve me  fëmijët në Amerikë. Janë sa e sa vetëm kolegë gazetarë që fëmijët i kanë “peshkuar” drejt Amerikës si: Fiqiri Shanihllari, Andon Dede, Pandeli Shehu, Petro Lati, Petro Topuzi, etj. Ndaj këta shembuj janë preludi i dashurisë për familjen…

Fuat Memelli, është  tashmë qytetar amerikan. Ai  kontribuon  me mundësinë  vet që në Boston  të ruajë mëvehtësinë kulturore shqiptare. Ndaj edhe në ditlindjen e vet, ai  i këndoi jetës me fizarmonikën e vet. Fuati tashmë nuk ka ndroje si dikur, sepse ai tani është Fuat Memelli 70 vjeçar. Bashkë me Makën, jetojnë paqësisht jetën e tyre. Fëmijve, si prindër modernë, u kanë dhënë lirinë e jetës së vet.  Secili prej tyre jeton veçmas, duke prosperuar suksesshëm, por duke mos harruar kurrë prindërit.

Në ditlindjen e Fuatit, si  “elektrone”  të ndritëshme,  Gledisi, Rezi dhe Toni,  rrezatonin magjinë e dashurisë të fëmijve për  babain dhe nënën e vet. Ajo ishte edhe “kurora” e  më e bukur e këtij bashkimi. Fuati është një optimist i heshtur dhe këngëtar dashurie, sërish mer “dekoratën” e lavdisë familjare “vulosur” nga gruaja dhe katër fëmijët e tij. E ç’i duhet tjetër dekoratë këtij burri, kur gjithë familja “voton” unanimisht:”Faleminderit baba i shkëlqyer!”

Çdo fjalë tjetër, është e tepërt. Natyrisht, duke pasur akoma një “elektron” në Tiranë, Fuati mezi pret të kthehet dhe të  bëjë një “70 vjetor të dytë” aty, edhe pse nuk ka konsesusin e “opozitës” së tij të dashur, Mukadesit. Ajo  i thotë gjithmonë: “Jo”,  Fuati përherë  përgjigjet :”Po”. Mos mbetsh kurrë pa “opozitë” Fuat Memelli!

Në këtë ditlindje, të gjithë e urojnë Fuatin:” Edhe 100 miku ynë!” ”Faleminderit, por unë dua 101” përgjigjet duke qeshur flokëbardhi i Sinicës.

Shkurt, 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: fuatin tjeter(Memeli), Ju rrefej, Shefqet Meko

Liria dhe Besimi Kundër Mureve

February 26, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Zogjtë nuk kanë mure, nuk kanë kufi, nuk kanë dilema. Ata janë të lirë të ulen në tokë, të këndojnë në pemë, të fluturojnë, pra të gëzojnë hapësirën e pafund si asnjë qenie tjetër. Njeriu me xhelozinë që e karakterizon nuk mjaftohet me praninë dhe bukurinë e tyre, me muzikën natyrale, por ka dëshirë t’i izolojë nëpër kafaze (burgje),  t’i shfrytëzojë në mënyrë origjinale çfarë tregon traditën e sojit të tij. Ai, pra njeriu, pretendon që përveç zogjve dhe kafshëve të kufizojë lirinë e vetvetes.

Shën Françesku i Asizit, fliste me zogjtë, kafshët dhe me peshqit. Kur fliste me zogjtë, Ai u drejtohej më fjalët: “Vëllezër e motra”. Zogjtë e dëgjonin me ëndje dhe kënaqeshin me praninë e Tij, duke e rrethuar  dhe i zbritur mbi  krahë, prehër e kudo mbi trupin e Shenjtit.  Të njëjtën gjë bënte me kafshët, biles  një herë, Ai bindi ujkun që të sillej si njeri (Tranzicioni i shpirtit…). Ujku kishte sjellë shumë telashe në zonën e Gubbios. Shenjti shkoi në atë zonë dhe në prani të një mase populli i doli para kafshës së egërsuar duke bërë shenjën e kryqit! Shën Françesku do t’i drejtohej me këto fjalë: “Hajde tek unë vëlla ujk. Në emër të Zotit dhe Jezu Krishtit, të urdhëroj, mos lëndo   askënd më”!  Atë moment, ujku i egërsuar, pasi dëgjoi fjalët e Shenjtit, u zbut dhe u shtri buzë këmbëve të Tij. Shën Francesku bëri pakt me popullin e Gubbios, që ujkun ta ushqenin shtëpi për shtëpi me rrallë. Ujku u ushqye nga banorët e Gubbios deri sa vdiq…

Megjithëse kanë kaluar pothuajse 790 vjet, kur Shën Françesku i tregoi botës se frymorët kanë një krijues dhe para krijuesit çdo frymor është i barabartë. Njeriu shpesh herë i kalon kufinjtë, tregohet super frymor,  dhe pse jo,  “pretendon” për fronin e Zotit!

E kam thënë dhe më parë se  fjala e Tomas Hobs, është aktuale dhe sot, “Njeriu është ujk për njeriun”, paçka që Shën Françeskun, ukjun e bëri me arsye për të bashkëpunuar me njeriun-ujk.

Pas 790 vitesh, shfaqet një tjetër Françesk, jo shenjt, por Papë. Ai nuk e gëzon dhuntinë të flasë me zogjtë, me peshqit dhe kafshët, por flet si mos më mirë me njeriun e për njeriun… Ai është brum i përdheshëm siç ishte dhe Shën Françesku i Asizit. Papa i sotëm  shkon tek të varfërit tek të burgosurit. Predikon për një botë sa më pak të varfër, të mos ketë luftra, të mos ketë urrejtje ndërfetare dhe etnike, paqe e dashuri midis njerëzve. Papa Françesku, duke njohur historinë e emrit të tij, është i përkushtuar në ekstrem për fatet e njeriut. Ai, kur dëgjoi teorinë e Donald Trump për të ngritur mure …,  u shpreh: “Kristianët nuk ngrejnë mure”!

Reagimi i Atit të Shenjtë pati një jehonë të madhe në opionionin botëror. Por, disa media shpesh degjenerojnë për interesa që vetë ato nuk i shpjegojnë dot. Në emër të “profesionalizmit mediatik”, një pjesë e shtypit u përpoq të fuste opinionin botëror nën grackën e sofizmave. Ky kah mediatik e komentoi Papën si Socialist, dhe Donald Trump si kundërshtarin e tij, duke harruar besimi në Zotin tek Amerikanët është parësor në gjthçka, dhe reflektohet gjithandej përfshi edhe dollarin, ku shkruhet: “In God We Trust”. Donald Trump, do të shprehej se Papa Françesku është “Great Guy”. Gjithashtu Trump nuk i kurseu kritikat ndaj medias. Shqetësimi i Tramp është një hallkë e zinxhirit të kohës dhe jo Eureka! Po,  për çfarë shqetësohet Papa Françesku dhe pse ai është kundra mureve midis shteteve?! A nuk ishte një mur i tillë që ndante Gjermaninë përgjysëm? Papa Voitila dhe Presidenti Regan, punuan për ta rrënuar atë mur që populli gjerman të bashkohej dhe të gëzonte të drejtat e veta. Atëherë, përse duhen të ngrihen mure të tilla sërish, dhe sidomos kur mendohet se më tepër popull latin ndodhet brenda Amerikës se jashtë saj?

Mure! Në shekullin XXI mure?! Enver Hoxha kishte bërë një mur të madh për t’u mbrojtur nga “armiqtë” e jashtëm, por realisht, ai, ngriti një burg të madh për popullin e vet. Absurditeti, apo paradoksi  është manteli i të dobtit, kurse zgjuarsia dhe racionaliteti  është fraku i njeriut të fortë.

Tramp, mendon të ngrejë një mur që me kalimin e kohës mbase do ta quaj një mendim të shpejtuar, Po, shembulli i kombit tonë ekziston realisht. A nuk është një mur i tillë që ndan popullin shqiptar midis Tiranës dhe Prishtinës?

Budallenjtë, dhe dashakëqinjtë do të pyesi: “ku është muri që nuk e shohim?”. Po zotërinj! Është muri i njeriut, që ngre mure dhe brenda këtyre mureve, muros frymë njerëzish si inkuizitori Tomas de Torquemada …

Papa Françesku, me frymën e Zotit dhe ndihmën e Shën Françeskut të Asizit, duhet të prononcohet hapur dhe për popullin shqiptar të ndarë në dy pjesë. Liria dhe besimi duhet të jetë kundër mureve dhe “muret” duhen të jenë të barabarta për çdo vend. Raporti i lirisë në krahasim me raportet e tjera është më i larti dhe më i çmuari. Për njeriun, muri është si shall i metaltë rreth qafës dhe perde e errët …

Shpresoj se zëri i të vërtetës do ta zgjojë qenien e njeriut si mision për të rifituar qëllimin dhe jo rastësinë, për të rifituar barazinë frymore dhe jo ngurtësinë materiale. Siguria dhe paqja vjen prej frymës dhe jo prej gurit-murë.

Shpendi është sinonimi i lirisë, prandaj  Shën Françesku shkonte midis tyre dhe fliste me ta… Ndjekja e shembullit të shpendëve do ta çlironte njeriun përgjithmonë prej ngurtësisë së objektit të rrethuar…

 

Filed Under: ESSE Tagged With: alfons Grishaj, Kundër Mureve, Liria dhe Besimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 384
  • 385
  • 386
  • 387
  • 388
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT