• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Át Pashko Gjadri S.J. – Konica në një letërkEmbim patriotik të panjohun

September 18, 2015 by dgreca

Nga Kolec CEFA/

Vitet 1877-1954 caktuen kufijtë kohorë të hapsinës jetësore të këtij meshtari jezuit shqiptar, ndërsa permbajtjen e percaktoi fundi i çthurun e i pafuqi i pushtimit turk në Shqipní e fillimi i egër i pushtetit komunist. Edhe pushtimi i vjeter, edhe pushteti i ri, kaluen pa lavdi, tue lanë prapambetje të gjithanshme, plagë të thella e mbi të gjitha zvetënim moral ndër njerëzit. Por edhe aty, njerëz si Át Gjadri formuen karakter të fortë, shprehën ndjenja njerëzore, dëshmuen atdhetarizëm të flaktë, zotnuen kulturë të gjanë, e punuen me zell e vullnet të paperkulun. Zotnonte pesë gjuhë të hueja: latinisht, greqisht, italisht, gjermanisht, anglisht.

Dr. Pjeter Pepa në veprën voluminoze shenon: “Ka qenë profesor në Seminarin Papnor në retorikë e në humanitet, ka qenë profesor në Kolegjen Saveriane, se ka veprimtari të pasun në Misionin Shetitës ndër malsitë tona, si: Pult, Shalë, Shosh, Dushman, në Malsi të Madhe, Mirditë, etj. sidomos me falje gjaku, me ndihma e bamirësina, aty ku gjendja materiale, shpirtnore e kulturore ishte ma e vështirë”.

Pushtimi i gjatë, i lodhun e tashma i liberalizuem turk e lejoi të bahej meshtar katolik; pushteti shqiptar komunist ia ndaloi veprimtarinë fetare, shoqnore, kulturore. E filloi veprimtarinë e hapun si bashkëpunëtor i revistës me emën “Albania”. Shkroi edhe shumë artikuj të shperndamë në organe të ndryshme, por e ndërpreu ndër burgjet e komunizmit shqiptaro-sllav. Në moshë mjaft të thyeme provoi nëperkambjet, perbuzjet, keqtrajtimet, diskriminimet in odium fidei e torturat çnjerëzore.

Një jetë plot vuejtje, por me ideale të paperkuluna, plot shqetësime, por edhe plot shpresë.Ky njeri, me atë potencial të madh shpirtnor e kulturor u arrestue dhe “u gjet fajtor” per “krime kundër shtetit”, u dënue dhe provoi tortura në moshën madhore, sa, kur doli nga burgu, pas pak muejsh vdiq.Edhe sot jehona e këtij emni të frymëzon respekt per ideale të nalta, ndjeshmëni per vlera morale, perkushtim per veprimtari shoqnore.

Át Gjadri, i urtë e i butë, i dashun e i virtytshëm, i ditun e patriot, i shkroi këtë letër Konicës së “Albanisë”:

 Fort i dashuni atdhetar,

Oh, sa kënaqet zemra jonë, kur posta na bie Albanien e cila pernjimend âsht shkrue në gjuhë të fortë e të kullueme e i del lighirtorit (lexuesit) një shkollë e vertetë per gjuhen e per interesat e atdheut të vet.T’perhapet “Albania” sidomos në Shkodër e jo vetem nder katolikë, por edhe nder zotnitë tjerë e punet e Shqyperisë shpejt kishin me u mirësue, jo me luftë e gjak, por me paqe e me të mira.

Por mjerisht anmiku i Shqyperisë perpiqet gjithsesi që mos të bashkohena e mos të lidhena per lulzim të kombit tonë si u lidhne babat tonë në kohën e të dashtunit Skanderbegut.

Po (ndoshta âsht kjo nji anderr e jeme) unë kujtoj se të gjithë shqiptarët do t’i ngulin sytë në këtë Diellin e Shqypnís, në daçin me dalë prej territ që i mblon, do t’ia mësojmë qyshë në vocërri jetën e punët e tij e sidomos dashuninë që mbajti per dheun e vet. Por këto punë i di Zotnia jote ma mirë se na, e tjetër qellim nuk patme tue të shkrue këtu, veçse të shfrejmë me nji mik të dashun dhimben e zemres sonë per mjerime të Shqypnís.

Dhe pergjigjja që mendojmë ne e Faik Konicës:

Shumë i nderuari bashkatdhetar

 E kam lexuar me interesin më të madh letrën, që Ju kini pasur mirësinë të më shkruani dhe do ta botoj të perkthyer shqip, kuptohet, pa treguar autorin. Mendimet tuaja janë të drejta, mësimet tuaja patriotike.

Per fat të keq, atdheu ynë vuan nga një sëmundje e çuditshme: të gjithë njerëzit te ne kërkojnë të urdhërojnë dhe asnjë nuk do të bindet.

Shqiptarët kanë humbur sensin e të bindurit dhe, sa kohë të vazhdojnë kjo prirje anarkike, është vështirë të bëhet diçka.

Ne duhet të luftojmë e mënyra më e mirë per ta bërë është të veprojmë gjithmonë me shpirt bashkimi e mirëkuptimi.

Unë do të pranoj me kënaqësi gjithmonë sugjerimet tuaja e këshillat tuaja dhe ju lutem, i dashur bashkatdhetar, të kini besim në devocionin tim.

Faik Konica

  1. IV. 1906

(Origjinali âsht frengjisht, perkthimi imi. Letra gjindet në AQSH, në dosjen e Bazhdarit.

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: Át Pashko Gjadri S.J, Faik Konica, Kolec Cefa, leter e panjohun

POETI LIRIK ME KOSTUM KOMBËTAR

September 18, 2015 by dgreca

nga MSC. Albert HABAZAJ/

…Qesh prej zorit, qan prej gazit./

“Qerratai” Pelivan Bajrami – e cilësonte Plaku i Bardhë i Letrave Shqipe, qysh më 23 Tetor 1995 Pelon, poetin tonë të dashur, sot emigrant në Amerikë. Kanë kaluar 20 vjet nga botimi i librit “Populli dhe politika”, që bëri shumë bujë për kohën dhe fitoi një popullaritet të paimagjinuar. Interesante është se edhe sot ky libër është si një kod shpirtëror e moral në vargje ndër shqiptarë. Edhe pse nuk ka ndonjë ndikim të shfaqshëm nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, as nga Kanuni i Skënderbeut, as nga Kanuni i Labërisë dhe as nga ligje apo përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara në mënyrë gojore, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike – shoqërore të periudhave të kaluara, që në kohën e vet mbronin interesat e klasave e të shtresave të caktuara shoqërore, si tërësi e normave të së drejtës zakonore, ky libër i veçantë i krijuar nga Pelivan Bajrami ka mushtin, ka lëngun e pastër, ka dhe frymëmarrjen e kësaj kushtetute të pashkruar shqiptare në rrjedhat e kohës; trajtuar artistikisht me magjinë labe të vargut, që Pelua e qëndis si ai! Do të rikujtoj ç’kam botuar në një gazetë shqiptare, kur doli në qarkullim libri – testament etnoartistik i autorit Pelivan Bajrami: “Pasi ke lexuar një libër të bukur, që të ka lënë mbresa të forta e do të shprehësh qoftë dhe një fjalë pozitive, thua me vete: “Po s’i nuk zgjati dhe pak! Unë e lexova me një frymë”. Ndërsa me mua kjo ndjesi mori trajta tërësisht të brendshme. Kur lexova dhe këndova të 142 faqet e librit “Populli dhe politika” të këngëtarit lab, rapsodit të mençur e trim, Pelivan Bajramit, s’më kujtohet, mora frymë apo jo. Po e përsëris. Unë kur i lexova poezitë e Pelivanit, sinqerisht po ju them, s’më kujtohet, mora frymë apo jo. Unë qesha me gjithë shpirt, dhe më vanë lotë me tërë mend. Dhe rashë në mendime. Dhe kërcita dhëmbët. Dhe nxorra një tingull si nënqeshje nga honi i kraharorit. Dhe shtërngova grushtin nga inati për gjithë këto halle të pasosura për shqiptarët dhe shqiptarinë. Për pisllëkun e kohës. “Qesh prej zorit, qaj prej gazit”, klithte dikur Noli i paarritshëm. “Na mban gjallë vetëm humori”, bën sarkazëm rapsodi ynë sot. Mirë e ka, i uruari. Para s’ka. Punë s’ka. Kapital s’ka. Derrat fryhen. Shyqyr që ka humorin e begatë e të bollshëm dhe na e fal atë me fisnikëri që ta ndjejmë sa më pak dhimbjen e tranzicionit që na ka vajtur në palcë… Rrofsh, or mik se na lehtësove! “Qerrataj – thotë Dritëroi i madh në parathënien e tij, duke i uruar një udhëtim të mbarë librit, – më bëri të qesh aq shumë sa fshiva sytë me mëngë”. Kjo është e vërtetë. Kështu më ndodhi dhe mua dhe shokëve të mi në Vlorë, me të cilët kemi diskutuar shumë. Me siguri kështu u ka ndodhur dhe ju, o miq që e keni lexuar dhe që do të keni mirësinë ta lexoni. Libra ka plot. I ruan populli nën gjuhë, se e di i urti, ndodh si me librin e poetit të talentuar Arben Duka…E, njerëzimi nderon Xhordano Brunot. Urren katilët vandalë…Libri poetik “Populli dhe politika” ka 59 vjersha në tre kapituj. Kreu i parë – humor të kohës; i dyti – skica poetike, portrete e syfete; i treti me kënëgë lirike, humoristike dhe fabula në vargje. Vëllimi dallohet për problematikën e drejtpërdrejtë të aktualitetit, pasqyrimin e jetës së sotme në rrokopujë, në proces e sipër. Guximi qytetar i autorit vlen të çmohet dhe do të vazhdojë të çmohet.

Pena e Pelivanit nuk ka miq. S’mban hatëre. S’të fal ajo. Gabove, ta qëndis vargun. Je në rregull, t’i stolis vlerat. Ama, shkave – t’u qep e s’ndahesh mirë me të…S’pyet a je i majtë, a je i djathtë; je me këtë, a je me atë. Pelivan Bajrami mik ka vetëm të mirën, të vërtetën, të bukurën, të dobishmen, idealen, shqiptarizmën, kombin e shqiponjave. Vetëm atyre u falet Poeti i së Vërtetës në Sy. Libri i ri që kemi në dorë është fryt i lirisë krijuese të autorit, i akumulimit artistik e kurajos civile. Para së gjithash, është një shërbim me vlera ndaj demokracisë së pastër shqiptare, kur autori dëgjoi thirrjen imperative të kombit dhe apelin e ndërgjegjes qytetare. Mesazhi që na transmenton në librin e tij P. Bajrami është i qartë: “Diktatura e përçan popullin, neodiktatura e shpërbën”. Protesta kundër përçarjes krijon bashkimin kombëtar dhe vetëm prej këtij bashkimi lind e rritet demokracia e vërtetë qytetare” [Botuar në gazetën “Kombi”, viti VI i bot., Nr. 28 (403), E martë, 25 Qeshor 1996, f. 1, 6]. Ky libër është botuar në Tiranë, në shtëpinë botuese “Faik Konica”, pranverë 1996. Redaktor ka shkrimtarin Gjikë Kurtiqi, që është një nga fabulistët shqiptarë më të spikatur. Skicën e portretit të autorit për kapakun pas librit e ka bërë Piktori i Popullit Skënder Kamberi. Një udhëtim të mbarë të librit ia bën Dritëroi me parathënien e tij dy faqshe. Nuk do t’ i bëj analizë letrare  librit, edhe pse kam besim, dëshirë e mundësi ta realizoj meritueshëm për ngjyrat dhe tingullin e fjalës, që na fal me bujari autori, për guximin qytetar që na brumos në qenie e në ndërgjegje ndër të parët, në mos i pari autor që mprehu penën krijuese me kurajo kundër të keqes e veseve, kundër hipokrizisë e ligësisë lilipute, që po zvarritet e zvarritet neveritshëm të na grisë buzëqeshjen, të na shqyejë degët e pemës shqiptare me rrënjë të thella, me trung të fortë, me degë të shëndetshme e me gjethe të gjelbra… Dëshiroj t’i përçoj lexuesit disa mesazhe. Çdo krijim ka krijuesin e tij. Edhe këto krijime që lexojmë tek libri “Populli dhe politika” kanë autorin e tyre, poetin e njohur Pelivan Bajrami. Në vargjet e tij ka Vlorë, ka Labëri, ka Elbasan, ka Lushnjë, ka Dibër, ka Has, ka Skrapar, ka Tiranë, ka Janinë, ka Tuz, ka Preshevë, ka Prishtinë, ka Ulqin, ka Korçë, ka Artë e ka Nartë, ka Përmet e ka Skrapar, ka Krujë e ka Shkodër, ka Kolonjë e Tepelenë, ka Gjirokastër e Kelmend, ka Librazhd e ka Dukagjin, ka Sazan e ka Himarë. Një lexues, që nuk ia njeh jetëshkrimin këtij autori, mund ta mendojë nga çdonjëra krahinë a qytet që citova dhe nuk gabon, sepse Pelivan Bajrami si krijues është nga të gjitha trevat shqiptare. I do të gjitha foletë e shqipes si vendlindjen, si pjesë e së tërës. Ai është një shqiptar i mirë. I qytetëruar. I kulturuar. Një shqiptar integrues, përbashkues ndaj kulturave të vendeve të tjera të rajonit, të Europës a të botës, jo përveçues. Me origjinë të hershme Pelivani është nga Tërbaçi i Vlorës, nga fisi i nderuar i Bajrame, mëhalla Bita. Drashovica është vendlindja e tij. Por jo më pak rreh zemra e krijimit të tij për hapësira shqiptare me rol në historinë kombëtare, si Vlora, Kosova, Çamëria, që i do sa vendlindjen, e s’i këmben t’i falin botën. Jo më pak se për njerëzit e tij të dashur, se për gjakun e tij fisnik rreh zemra krijuese e të veçantit Pelivan Bajrami për persona realë, që me bëmat e tyre u shndërruan në personazhe kombëtare, në legjenda nderimi për brezat si Ismail Qemali i Pavarësisë, akademiku Rexhep Qosja, Halil Gashi i këngës epike, Mehmet Pashë Dërralla nga Tetova, ministri i Luftës në Qeverinë e Plakut të Urtë të Flamurit, arbëreshi i ditur dhe idealist Antonio Belushi, Mic Sokoli i legjendës historike, gurrat e Labërisë Mato Hasani, Selim Hasani e Xhebro Gjika, poeti polifon i Himarës e Labërisë me përmasa kombëtare Lefter Çipa, etj. E veçanta e krijimit Pelivanian është se këto vargje ai i ka skalitur aq bukur e harmonishëm sikur të jetë nga ai vend për të cilin shkruan, sikur t’i ketë të afërt personat e njohur historikë e kulturorë për të cilët shkruan  e sikur t’i ketë të gjithë të tijtë, të gjakut, të zemrës, të shpirtit. Njehësohet artistikisht me ta. Po citoj vetëm poezinë për Plakun e Vlorës, që në fakt është një sentencë letrare – historike: “Kush është Smail Qemali?!/ Gur i rëndë i këtij vatani,/ Gur që s’shkulet nga tabani./ Gur me brumë stërrali,/ Gur mermer nga më i bardhi”. Kaq.  Pesë vargje është poezia. Lakonike. S’do koment. Flet vetë dhe jep mesazhe. Poezia e tij për Çamërinë : “-Ti më flet me gjuh’ të zëmrës/ Çamëri, o nëna ime:/ Moj e bukur drit’ e hënës,/ kur do hysh në shtëpinë time?/ Moj e mira, pse je fyer/ dhe mbi troje sytë të mbenë?/ O zogu me krah të thyer/ kush të ka prishur folenë?!…/ – Folenë e ngrita mbi shkëmb./ Mërgova si dallëndyshe,/ dhe e verbër, e mbaj mend/ gurin tim, sinor të gjyshve. Pa më vranë e më përzunë,/ këmba – këmbës muhaxhirë,/ Foli Evropës, moj Nënë/ ç’ka që rri e bën sehir/!…” është thurur jo me penë, por me frymë Atdheu. Është e situr në dritë hëne, me hojet e mjaltit të krijimit artistik dhe të dashurisë kombëtare. Kjo këngë ëshëtë ndjenjë, mendim, dhimbje, krenari dhe mesazhet e saj janë detyrë pastërtisht e lartë gjaku. Është një këngë që ndihet, por më e mira do të arrihej po ta shijosh me karakterin e saj sinkretik. Është bërë edhe këngë labe dhe këndohet në disa variante labërisht. Është bërë edhe këngë popullore e stilizuar dhe këndohet nga këngëtarët e trëndelintë të Shqipërisë. Ai ka shkruar tekste kënge për grupin lab të Drashovicës; ka krijuar dhe ka drejtuar grupin polifonik të Treblovës, ku spikati sidomos dhe u vlerësua me këngët humoristike, si “Plaku im, marshalla!” etj. Si tërbaçiot me rrënjë, Pelivan Bajrami ka kontribute të dukshme me grupin polifonik të Tërbaçit, pas dragoit të këngës labe, Kujtim Mici. Siç shprehet dhe vetë, kurrsesi s’e harroi vendin e babës dhe të nënës, shkonte shpesh atje, sa qe në Shqipëri. Tani është larg. Matanë Adriatikut e Mesdheut. Në Amerikë, matanë Atlantikut. Por, është shumë afër me ne. Me poezitë e tij, me këngët e tij. Me humorin e tij. Me shpirtin e tij human. Me dashurinë e tij universale. Dashamirësit herë e krahasojnë Pelon (sipas një imazhi të tij hedhur në facebook, nga Amerika, pasi përballoi fatmirësisht një shqetësim shëndetësor) here me Gëzim Krujën, herë me Roland Trebickën e paharruar (Jovan Bregun e papërsëritshëm), jo thjeshtë si antropologji fizike. Unë i shkruaj vëllazërisht, duke e përshëndetur me dritën e ngrohtë të diellit nga buzëdeti vlonjat: Sot i madhi Pelo më ngjan: Filozof si Sami Frashëri, Poet si Naim Frashëri, Atdhetar si Abdyl Frashëri. Nesër brezat e Shqiptarisë do të thonë për më të mirët që do t’u bëhen: Filozof, Poet dhe Atdhetar si Pelivan Barjamaj. (Ka hiperbolë? Ka. Por ka mirësi, dashuri, ka inkurajim  shëndetësor, ka pastërti fisnike, se Pelos s’i rritet mendja. Ai u jep mend të tjerëve dhe e di mirë ku e ka vendin e tij). I mjaltëti Vjerështor! I ditur, i qeshur e i bukur në fizik, si në shpirt. Do ta gjejmë nëpër faqet e vëllimit me poezi “Populli dhe politika” imazhin e këngës epike dhe elegjiake, si pakkush, apo si askush, sepse autori realizon, siç e shpreha pak më parë, edhe karakterin sinkretik folkorit. Poezia e tij popullore është sipër, në majë të Malit të Folkorit Shqiptar, sepse vargjet e tij mbajnë erë dafine shpatullave të Labërisë e të Shqipërisë sonë. Në kohët e reja (pas viteve ’90 – të të shek.XX) Pelivani u muar me shpirt me grupin e madh të Tërabçit. Ja ç’kujton ai: “Ishim duke u përgatitur për festival, në Gjirokastër dhe Syrjati mori këngën time: “Kur më merr malli për nënën,/ dal e çmallem me Hënën…”. Këngën me grupin e drejtova unë. Mbas nja dy ditësh, unë shkova në Tërbaç, për një darkë te xha Rizai. [I paharruari Riza Barjami, bartës i dokeve, zakoneve dhe traditave dhe të kulturës jomateriale të trevës, shën. im- AH]. Aty u këndua (se shtëpi kënge ish’ e burra kënge e zotër kënge kish’) dhe kënga e famshme e Sinan Mullahut, krijuar e kënduar që më 1945 – ën, para një gjysmë shekulli e më shumë, 65 vjet më parë: “O shokë, do zëmë një këngë, /Do ma mbani a ta lëmë!/ Medet ne për mëndjen tënë,/ Mbetëm shamata e grënjë./ Nga e gjithë puna që bëjmë,/ Një metër vend do zëmë/ Dhe ajo gur e shkëmbënjë,/ O baltë e kuqe këlkënjë!…”. (bëhet fjalë për Festivalin Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës, 2000 – shën. im: AH). Mua më pëlqeu aq shumë, sa e hoqa këngën time dhe vura këtë, këngën në fjalë. Syrjati [Syrja Hodo, marrësi këngës polifonike labe të Tërbaçit – shën. im: AH] hezitoi pak, nga që e pat’ mësuar këngën time dhe kënga vente mirë dhe kohë s’ kishim shumë. Vetëm dy ditë dhe do niseshim… Gjithësesi unë këmbëngula dhe vumë këngën e S. Mullahit. Syrjati më kërkoi të shtoja një refren dhe unë në çast e bëra: “Këngët – o, dertet – o, / këng’ e derte pa mbarim!… Kënga doli bukur, në taban e shtruar, e mbushur vënçe dhe në Gjirokastër u prit shumë mirë”. Gjithashtu, në vitet 2000, Pelivan Bajrami ngriti një grup simpatik, që u bë shpejt i mirënjohur me këngëtarë të rinj, grup polifonik lab, të cilit i dha emrin simbolik “Djemtë e Lumit të Vlorës”. Ky grup përbëhej nga Valter Shabani nga Velça (marrës dhe hedhës), Pelivan Bajrami, marrës, krijues i teksteve dhe drejtues i grupit, Gëzim Vera, kthyes, Neki Skëndaj dhe Albert Habazaj, mbushës  (iso), të katër nga Tërbaçi. Duke kujtuar lexuesit që e kanë lexuar këtë libër, më bën përshtypje aktualiteti që kanë vjershat e librit “Populli dhe politika”. Ato janë krijime lirike që mund t’i ndajmë në tre nëngrupime: I) vjersha letraro – sociale – politike ; II) vjersha lirike, humoristike dhe elegjiake dhe, III) fabulat, që kërkojnë një trajtim më vete. Poemthi i tij për shqiponjën tonë të fut në mendime, është shumë interesant, kërkon debat jo vetëm letrar e kulturor, ndoshta dhe në nivel shkencor. Është vlerë që poezitë e P. Bajramit, edhe pse shumica e tyre duket si vjershërime të ditës, të problematikave përditësore, kanë jetë. Ato, edhe sot e kësaj dite kanë vlera sikur janë bërë para tre orësh (kanë kaluar 20 vjet, pak, pak e bën një çerek shekulli nga botimi i tyre). Parsqyrojnë me vargje realitetin, kanë mesazhe estetike, morale dhe edukative. Kanë nivel të pëlqyeshëm artistik, në stilin popullor, mbështetur në frazeologjinë e vendit dhe në fjalët e urta poullore. Nga përvoja krijuese që ka fituar në vite, autori spontanisht ka krijuar vetë shumë fjalë të urta në vargje, që natyrisht, i rezistojnë bukur kohës. Po citoj dialogun në vargje të autorit nga vjersha e parë e librit, që ka titull atë që ka edhe vetë vëllimi: “POPULLI: – Pa dëgjomë moj politikë,/ nga më bredh e s’të zë dot,/ të gjet’ më keq se rruspitë/ hu më hu nëpër Evropë…! POLITIKA: – Mos m’u zemëro, o popull,/ jemi si mishi me thua,/ botës un’po i vi rrotull/ për të qarë hallet e tua. POPULLI: – O me mua, o me botën,/ të njoh mirë që kur ke lerë,/ Më lëpihesh sa për votën,/ katër vjet s’të shoh në derë! POLITIKA: – Jam pranë teje, nat’ e ditë,/ Se mos bota të ngre leqe,/ të betohem: “Për partitë!”/ ma theve zemrën si qelqe…!/ POPULLI: – Ç’m’u qepe, a ‘ mira sporë,/ më je bërë si burri i hallës,/ do të shqyej vetë me dorë,/ Hëngërsha kockat e babës! POLITIKA: – Ç’të thotë goja, o im zot,/ (të ushqej me bisht të lugës),/ s’të ndahem për jet’ e mot,/ se të kam kaun e bukës!…”. Nga larg, nëpërmjet këtij shkrimi nderues, në faqet e gazetës sonë “DIELLI” dëshiroj t’i them poetit të talenuar popullor Pelivan Bajrami: “I dashur vëlla Pelo! Ti je një Tërbaçiot i madh në kohët e reja, krijues i teksteve lirike me trëndelinë, edhe i këngëve epiko – lirike me dafinë mbi ballë të tekstit pelivanian. Elegjitë e tua janë drithëruese; edhe gurin bëjnë t’i shkasin lotë faqeve. Ti je një këngëtar me zë mjalti. Tekstet e tua me nivel të lartë artistik dhe meloditë e tua të ëmbla, natyrale e me zë koke qarkullojnë trevave të Labërisë nëpër grupe e nëpër festa, e, ne që e dimë se në ç’ burim janë mbushur, krenohemi, kënaqemi dhe çmallemi me Krijuesin e tyre, Artistin e Madh Human Pelivan Bajrami. Në rrafshin artistik e kulturor, sa shumë të shkojnë për shtat vargjet kushtuar Kapedan Gjolekës: “U trete, Gjolek’, u trete,/ po sos u trete për vete,/ po për gjithë vilajete…”.  O Pelo, më mirë se ç’ta ka gdhendur profilin Plaku i Bardhë e Letrarve, Dritëroi i Madhërishëm, unë s’e bëj dot. Dashuri, vlerësim dhe nderim shpirtëror – po. Derëbardhi, Pelo, na shëron me vargjet e dufit që nxjerr nga shpirti, se na pikëlloi hidhërimi i gjakut nga këta pizevengë, që lanë nam si në shtatë puset, thotë një fjalë e vjetër, këtej  nga anët tona. I kujtojmë shpesh vargjet e tua si bulëzime noliane: “Eh, moj nëna jonë bujare,/ qysh ia del moj e uruar?!/ një dorë miell s’ke në magje,/ prap’ të mbeti sofra shtuar!”. O Pelo! Më ka marrë malli të botosh një libër tjetër, se ti je gurrë e kthjellët krijimi. Më ka marrë malli, që një kënge, nga ato liriket e çastit, t’ja marrësh ti, ashtu, qetë, shtruar, ulët, ëmbël, në taban e unë t’ja kthej e të na shërohet xhani. Ah, more Pelo VËLLAI! Si është kjo botë! Ti je i rrallë! Më ka marrë malli vëllazëror dhe malli artistik për ty. Sa kujtime të bukura e të sinqerta kemi. Na shëron vargu yt e kënga jote, o këngëtar i lirë! O poeti lirik me kostum kombëtar!

Filed Under: ESSE Tagged With: albert abazi, ME KOSTUM KOMBËTAR, Pelivan Bajrami, POETI LIRIK

LAURA MERSINI MBLODHI 32 SHKENCETARE NE SUEDI

September 14, 2015 by dgreca

Laura Mersini- Shkencëtarja e famshme shqiptare mbledh në Suedi kokat e fizikës dhe astronomisë/

Histori Suksesi/

Laura Mersini Houghton-ka lindur ne Tirana, Albania dhe eshte me kombesi shqiptare Amerikane.

“Laura është vajza e Nexhat dhe Stoli Mersinit, vlonjatët e njohin dhe e respektojnë shumë këtë familje.Prof. Nexhet Mersini, ka qenë një nga matematicienet e talentuar të vendit tonë. Laura Mersini Houghton është një kozmologe dhe fizikante teorike, dhe profesore e asociuar. Shqiptaro-Amerikania ra në sy që në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill. Ajo argumenton se anomali në strukturën e tanishme të universit janë shpjeguar më së miri si tërheqje gravitacionale të ushtruar nga universe të tjera.

Edukimi

Mersini Houghton-mori B.S. saj diplomë nga Universiteti i Tiranës, Shqipëri, dhe M.Sc. saj nga Universiteti i Maryland. Ajo dha një Ph.D. në vitin 2000 nga Universiteti i Wisconsin-Milwaukee. Pasi fitoi doktoratën e saj, Mersini Houghton-ishte në në Scuola Normale Superiore di Pisa nga viti 2000 deri në vitin 2002. Në vitin 2002 ajo ishte  për dy vjet në Universitetin e Sirakuzës. Ajo pranoi një punë ne Fakultetin në Universitetin e Karolinës së Veriut, dhe në janar të vitit 2004 filloi si asistent profesor i fizikës teorike dhe kozmologjisë në UNÇ deri ne vitin 2008.

Më 11 tetor 2010, Laura Mersini-Houghton u shfaq në një program të BBC :Çfarë ka ndodhur para Big Bengut (së bashku me Michio Kaku, Neil Turok, Andrei Linde, Roger Penrose, Lee Smolin, dhe fizikantë të tjera) ku ajo parashtroi teorinë e saj se Universi si një funksion të tundur mbi punën e peizazhit multiverse.

Mersini-Houghton mbi teorinë Multiverse është diskutuar në epilogun e një biografie të publikuar kohët e fundit nga Hugh Everett III.

Në shtator të vitit 2014, ajo pohoi për të demonstruar matematikisht se, duke pasur parasysh supozime të caktuara rreth firewalls e vrimave të zeza, teoritë aktuale të formimit të zi vrima janë me të meta. Ajo pohoi se Hawking rrezatim shkakton yll për të derdhur në masë në një normë të tillë që ajo nuk ka dendësinë e mjaftueshme për të krijuar një vrimë të zezë.

Nga data 24-29 Gusht te vitit 2015 Laura Shkencëtarja e famshme shqiptare mbledh në Suedi kokat e fizikës dhe astronomisë (Video)

Laura Mersini (Houngton nga i shoqi) po përjeton kulmin e saj shkencor, një astronome shqiptare.

Shkencëtarja nga Vlora, e bija e një mësuesi matematike, është e njohur gjërësisht në rrethet akademike botërore dhe ka marrë vëmëndjen e mediave më të rëndësishme në botë, por në Shqipëri nuk e ka marrë një vëmëndje të tillë nga mediat.

Laura Mersini organizoi këto ditë në Suedi bashkë me universitetin ku ështe e angazhuar, një konferencë me pjesëmarrjen e shkencëtareve më të rëndësishëm të botës.

Aty merr pjese shkencëtari me famë botërore, Stephen Hawking, i cili ju përgjigj pozitivisht ftesës së Laura Mersinit.

Në këtë konferencë janë mbledhur 32 shkencëtarët më të mirë në fushën e fizikës dhe astronomisë dhe kanë diskutuar nga data 24-29 Gusht, për teoritë më të debatueshme në fushën e fizikës moderne.

Përmes një statusi në Facebook, eksperti i ekonomisë, ish-ministri, Arben Malaj, jep vlerësimet e tij për shkencëtaren shqiptare me origjinë nga Vlora.

Malaj flet për mungesë vëmendje nga nga mediat shqiptare si dhe për shumë shkencëtarë të tjerë shqiptarë, që po spikasin në fusha të ndryshme.

“Shume nga televizionet në botë i kanë dhënë akses dhe promovim Laurës. Çuditërisht asnjë nga mediet e vendit tonë nuk i ka dhënë hapësirën që i duhet, e meriton dhe na bën shumë mirë.

Sot janë lehtësisht të arritshme të gjitha linqet e këtij aktiviteti dhe konferencave ndërkombëtare ku ka referuar Laura. Ajo e do shume Shqiperinë, vijnë çdo vit këtu për ato pak pushime, kanë dëshirë të jenë pjesë e promovimit të Shqipërisë edhe nëpërmjet aktiviteteve shkencore ndërkombëtare në Tiranë dhe qytete tjera të vendit. Jemi krenare per shkenceteren shqiptare Laura Mersini dhe I urojme shume suksese .

Pergatiti:

Liliana Pere

Presidente e Organizimit

Gruaja shqiptare ne Bote

Filed Under: ESSE Tagged With: Liliana Pere, Shkencetarja Laura Mersini, Suedi

Identiteti kombëtar

September 14, 2015 by dgreca

Nga Lluka QAFOKU/Këtu vështirësia e madhe qëndron tek përkufizimi (définition) i kombit(nation).Si “aftësi shtetformuese” (capacité de bâtir un État), kjo cilësi ka mbetur e pazhvilluar tek shqiptarët, me shtete te dobta ose tepër të keqadministruara. Shkaku eshte historia: kur Shqiperia, e coptuar dhe nga një e drejtë zakonore fisnore tepër e forte e trashëguar,për shkak të rrezikut real të zhdukjes nga Perandoria Osmane(kjo përkujtohet me shqipen e zezë të flamurit)) imitoi popujt e vjeter indoevropianë (me inskenimin historik në shek.XV të historisë legjendare të mbretit Artur në mitin modern të Skënderbeut Gjergj Kastriotit në Lidhjen e Lezhës) në një përpjekje tepër të pabarabartë si shkak për kombformim, kjo përpjekje u shtyp dhe u coptua pa mëshirë,dhe shkaktoi një eksod dhe denatyrim për këtë popull të vogël të ngjashëm me atë izraelitin të pas Bar Kokhav-it dhe pushtimit të Jerusalemit nga Titi.Pra nëse kombin unë po e përkufizoj si “potencialitet për shtetformim” (apo “nevojë për shtetformim” e barabartë me të)(potentialité de bâtir un État), kjo është e madhe tek shqiptarët, në dallim pra nga “aftësia shtetformuese” që është tepër e pazhvilluar tek shqiptarët, për shkak të mungesës së hapësirës historike të zhvillimit,si dhe të drejtës zakonore të rrënjosur kuazi biologjikisht në një moral kolektiv tepër serioz e të mirëruajtur në shekuj me prirje intrinseke dhe të natyrshme anarkike (të ngjashme me popujt e tjerë “barbarë” indoevropianë të antikitetit –keltët, galët, britët).Kjo anarki në shtetin tepër të dobët deri karikaturik shqiptar të shek. XX ka degjeneruar dhe në trajta të përshkruara nga At Theofan Noli, Ati i kombit të ri shqiptar të shek.XX, në esenë e tij politike lapidare “Të pesë anarqitë”. Ky “potencialitet për shtetformim” për mua ka pjesën e vet në suksesin e pavarësimit të Kosovës.

Tani për identitetin si ndjenjë: në gjuhën tonë fjala Komb, me kuptimin “lidhje, nyje” është identike me fjalën Komb, në kuptimin “popull i besëlidhur”,siç është përafërsisht dhe në frëngjisht (nga lat.) fjalët nœd dhe nation).Po kështu dhe fjala “shqip”=gjuha është identike me fjalën “shqip”= sinqerisht, ndershmërisht,troç, siç është sërish përafërsisht në frëngjisht fjala français me fjalën franc, franchement. Kjo për mendimin tim pasqyron egzagjerimin e ndjenjës së “besëlidhjes” dhe të “fjalës së dhënë” që ka qenë tradicionalisht po aq e fortë ndër shqiptarët sa “omertá” për jugitalianët..Shqiptarët janë tradicionalisht, origjinalisht një popull pa qytete dhe pa femra (të dyja këto kanë qenë në vendin e tyre historikisht dhe kanunisht të huaja) si pararomakët e lashtë. Shqiptarët tradicionalë urrejnë shtirjen (hipokrizinë) deri në ekzagjerimin e distancimit nga arti che zhvillimi shoqëror formal qytetar. Ky lloj morali tepër serioz, krenar che i pazhvillueshëm, i lidhur me kultin e vetëmbrojtjes madje dhe armës, ka bashkëjetuar me monoteizmin në trajtat e tij të ndryshme, madje dhe ka luajtur rol në zhvillimin etij, por nuk është as asimiluar e as zbutur prej tij.Poeti ynë kombëtar, At Gjergj Fishta, ishte ai françeskan që i këndoi trimërisë shqiptare në lartësi homerike(?!!), dhe kryediplomati shqiptar , Faik bej Konica, e fillon “lutjen” e tij të famshme me virtutin sublim shqiptar “O Zot , më ndih të mbyll gojën kur s’kam gjë për të thënë…”.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Identiteti Kombetar, Lluka Qafoku

Petraq Zoto, ende dëgjojmë rrëfimin tënd!

September 13, 2015 by dgreca

Shkruan: Raimonda Moisiu/

Aty ku ka jetë, ka edhe vdekje. Edhe pse një sentencë e njohur kjo, ne përsëri gjejmë forcë e dashuri, të ngushëllojmë veten, duke menduar se jeta dhe drita e trashëgimisë që njeriu lë pas, vazhdojnë përjetësisht, pas vdekjes. Shumë artistë, poetë, shkrimtarë dhe të tjerë njerës të vlerësuar nga koha e historia,ne ende i dëgjojmë rrëfimet e tyre, sepse ata vazhdojnë të jetojnë përmes këtyre rrëfimeve, teorive, artit dhe ideve. Ata bëhen të pavdekshëm, se janë magjia e ndjenjës dhe thellësia e mendimit, të sigurtë për vlerën e tyre, ata vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e jetës dhe botës sonë, pavarësisht se nuk frymojnë apo të jenë fizikisht mes nesh. Jo se ata sa kanë qenë gjallë kanë kërkuar famën, por ata e kanë arritur atë parakohe me veprat e tyre, ndikimin e thellë të këtyre veprave në shoqëri, art, kulturë dhe historinë e një kombi. Shkrimtarët jo vetëm pasqyrojnë dhe rrëfejnë jetën, por ata i japin frymë asaj dhe formësojnë shoqërinë në të cilën jetojnë dhe marrëdhëniet njerëzore, ndryshojnë mënyrën e të konceptuarit të botës, jetës dhe të situatave sociale dhe historike, që ata i shprehin përmes artit të të shkruarit, ndaj të tashmes së paqëndrueshme, të ardhmes që shfaqet në horizontin e largët dhe të kaluarës në perëndimin e largët. Para pak ditësh u nda nga jeta një prej shkrimtarëve më të mirënjohur, pionier i letrave shqipe, një burrë plot virtyte, mik, koleg bashkëshort i devotshëm dhe një artdashës i çmuar, shkrimtari korçar, Petraq Zoto. Ajo ç’ka e bën edhe më interesante jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit të mirënjohur korçar Petraq Zoto, sepse ai ishte aq i ëmbël në pamje, po aq edhe i ëmbël në penë, dhe mbi të gjitha i përkiste binomit jetësor njeri dhes shkrimtar. Ndjej një emocion të veçantë teksa shkruaj këtë esse, për këtë kitarë të çmuar korçare, që mbeti varur përjetësisht në degën e blertë të blireve të Korçës sonë, jo vetëm sepse rrëfimet e tij i kam lexuar që në fëmijërinë time, si një shkrimtar i letërsisë për fëmijë, por edhe më pas, eruducioni i tij si shkrimtar dhe intelektual ka hedhur dritë në shumë aspekte të krijimtarisë sime, një dritë aq të fuqishme, sa unë më pas u bëra një vëzhguese e krijimtarisë së tij letrare, deri edhe në intervistimin e këtij njeriu të shquar të letrave shqipe. Tregimtar terrifik, midis të mundshmes e të paparashikueshmes, shkrimtari Petraq Zoto në veprat e tij, zotëronte një ndjeshmëri mahnitëse në transformimin e një subjekti të vështirë në një subjekt të dritës e shpresës, mjeshtër i rrëfimit dhe fjalës së përkorë. Ai ka shkruar tregime dhe romane, që përhapnin tinguj e aromë lulesh. Sa shpirt njerëzor ka në veprën e tij! I pëlqente të eksperimentonte me prozën, i paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, sillte në vazhdimësi vlera të reja artistike. Për këtë flet shumë krijimtaria e tij disa dekada.

Petraq Zoto, Origjina, shkollimi dhe fillesa në udhëtimin e gjatë krijues

Petraq Zoto ka lindur në Ziçisht të Devollit, një fshat arsimdashës dhe me kulturë të hershme. Karakteristikë e këtij fshati tradicional e historik janë shtëpitë dykatëshe dhe rrugët e bukura të shtruara me kalldrëm. Fshat i njohur ndjeshëm për kitarat e serenatat që në vitet ’30-të, ku bëheshin mbrëmje vallëzimi dhe këndoheshin serenata, dhe një veçori se martesat në përqindjen më të madhe lidheshin nëpërmjet dashurisë. Nga Ziçishti kanë dalë vazhdimisht personalitete të spikatura të artit, kulturës, shkencës e historisë, sikundër Evllogjio Kurila, Doktor i shkencave në filologji e histori, që në fillim të shekullit të kaluar, mitropolit i Korçës në vitet ’30; Kosta Çekrezi, një ndër personalitetet më të shquar shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX;nga Ziçishti ishte edhe Llambi Andrea, i cili solli automobilin e parë në Korçë.As vetë Mjeshtri i rrëfimit, Petraq Zoto nuk e mbante mend se kur qartësisht kishte filluar të shkruante. Në rininë e tij të hershme ka qenë i pranishëm në një takim me një nga shkrimtarët shqiptarë më në zë të shekullit XX-ë, një prej urave lidhëse më të fuqishme mes dy kombësive shqiptare dhe asaj maqedonase, shkrimtari modern që evokoi paqen dhe harmoninë mes kombeve, Sterjo Spasse. Trupmadh me flokë të gjatë e të dredhur përfund, sikundër e përshkruan Petraqi në një intervistë, të cilin e shihte me kërshëri të zbulonte ç’gjë të veçantë kishte ai njeri, Sterjo Spasse, që ishte bërë tashmë një shkrimtar i mirënjohur. Gjimnazisti pasionant i letërsisë nga Ziçishti, i mrekulluar dhe dashamirës i krijimtarisë së tij, i afrohet dhe i thotë se ka lexuar një roman të tij dhe gjatë leximit bënte përqasjen e personazheve të romanit me njerëzit që njihte dhe e rrethonin. Sterjo i hedh vështrimin, duke e parë me vëmendje dhe e inkurajon: “Lexo sa më shumë, dhe provo të shkruash!”. Shkrimi i parë i Petraq Zotos lindi pikërisht nga mbresat rreth atij takimi me shkrimtarin e shquar, dhe ja dërgoi gazetës “Zëri i Rinisë”, që për fatin e shkrimtarit të ardhshëm, nuk u botua kurrë. Por, Zoto nuk u dekurajua, dhe ndërkohë nisi të shkruajë tregime. Tregimet e para ia con shkrimtarit tjetër të mirënjohur nga fshati i tij, Sotir Andonit, i cili i tregon edhe sekretin se si punohet me tregimin. Pasionin për të shkruar dhe hedhur në letër gjithçka që i shihte syri e mendja, përvojat jetësore, Zoto filloi ta perfeksiononte duke frekuentuar rrethin letrar pranë pallatit të kulturës Korçë, një nga rrethet më aktivë të kohës, ku bëheshin diskutime të shumta krijuese, të krijimtarisë të Zotos, të Teodor Laços dhe të Koci Petritit, shokë e shkrimtarë që i përkasin një gjenerate të artë, duke lexuar krijimet e njëri tjetrit dhe bisedonin për to, por që ishin një shkollë e vërtetë letrare. Tregimi i parë që iu botua ka qenë një tregim për almanakun te “Korça letrare”, tregim që u përzgjodh nga vetë shkrimtari Andon Mara. Një tjetër iu botua në gazetën “Pionieri”, pastaj dhe një në faqen letrare të revistës “Ylli” e kështu në vijim. Ky ishte fillimi. Këto botime e inkurajuan dhe Petraq Zoto vazhdoi të shkruante në udhëtimin e gjatë krijues të tij deri në fund të jetës. Botoi librin me tregime për fëmijë, “Tirka”, të cilat i dërgoi në konkursin kombëtar të vitit 1966 dhe vlerësohet me Çmimin e tretë. Më pas Petraq Zoto zhvendoset nga fshati në Korçë, ku kalon pjesën më të rëndësishme të jetës së tij. Qyteti i Korçës e bëri për vete djaloshin nga Ziçishti, qysh herët, si qyteti që i priu lëvizjes kombëtare dhe kulturës së artit shqiptar. Korça e shkollës së parë shqipe dhe e Liceut Francez me kontribut universiteti, qyteti i serenatave e i korit pasionant karakteristik dhe i teatrit brilant, sikurse i një aradhe shkrimtarësh e artistësh me emër në mbarë vendin, mes të cilëve shkrimtari Petraq Zoto punoi e krijoi dhe e afirmuan atë si shkrimtar dhe si drejtues në sferën e kulturës dhe të artit. Për më se 30 vjet, Zoto ka qenë drejtor i Pallatit të Kulturës, pastaj i Teatrit, kryetar i degës të Lidhjes së shkrimtarëve e të Artistëve me 120 anëtarë. I inspiruar nga patriotët Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno, Vani Kosturi, Sevasti Qiriazi e të tjerë në vitin 1981-ë, botoi një libër me tregime historike. Me një mënyrë tepër ndjesore të këndvështrimit personal e origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë, ka pasur arritje dhe suksese në karrierën e tij, por dhe i vëmendshëm ndaj kritikës letrare e kërkesave gjithnjë në rritje.

“Letërsia nuk është një fushë beteje, ku shkrimtarët kacafyten për t’i rrëmbyer trofetë njëri-tjetrit, por një arë e madhe, në të cilën çdonjëri punon një ngastër, e mbjell, e selit me përkushtim dhe vjel frutin e dëshiruar. Pra, secili ka pjesën e vet dhe mund të bëjë të vetën, thënë ndryshe, me çdo libër të tij të ri, të sjellë një vlerë të re letrare”, kjo është thënie brilante, kredoja e Petraq Zotos!

Në fjalën artistike të Petraq Zotos dëgjohej Mitrush Kuteli në bashkëbisedim me Vangjush Mion. Zoto ishte një rrëfimtar i talentuar dhe krijonte karaktere realiste bazuar në përvojën e tij personale, por edhe në eksperiencat jetësore, në vazhdën e paraardhësve të tij, elitën e shquar korçare të letrave shqipe, si Sterjo Spasse, Dritero Agolli, Sotir Andoni, Vasil Xhaçka, Teodor Laço, Vangjush Ziko, Petraq Kolevica, Petraq Samsuri, e cila vijon më tej, me më të rinjtë Thani Naqo, Andon Andoni,Gjergji Dushku, Skënder Rusi, Ylber Merdani, Kostaq Duka, etj, etj.

Shkrimtari i mirënjohur korçar Petraq Zoto si një pionier i letrave shqipe, mbetet një rrëfimtar terrifik, zotëronte talentin dhe forcën letrare –artistike në ndërtimin e karaktereve realistikë me një sens të mprehtë; të së mundshmes e të paparashikueshmes, një vështrim të brendshëm dhe ndjeshmëri mahnitëse, stil poetik që synonte subjektin e vështirë, ta transformonte në një subjekt të dritës e shpresës, arrinte të depërtonte brenda të bukurës e njerëzores.

Postscriptum

Petraq Ilia Zoto lindi në Ziçisht të Devollit më 20 dhjetor 1937. Ka kryer Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë, degën gjuhë-histori, pastaj edhe Universitetin e Shkodrës, degën gjuhë-letërsi.Afro dhjetë vjet punoi në arsim, mësues në Devoll dhe në Korçë. Në vitin 1969 u emërua drejtor i pallatit të kulturës të Korçës, më pas drejtor i teatrit “A. Z. Çajupi”. Në dhjetor të vitit 1986 u shkarkua nga detyra për një koncert recital që u konsiderua me shfaqje të huaja borgjezo-revizioniste. Ndaj kësaj mase reaguan mjaft shkrimtarë e artistë, së pari Dritëro Agolli, kësisoj u rikthye në detyrë në tetor 1988. Në vitet 1981 – l991 ka qenë edhe kryetar e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për rrethin e Korçës. Petraq Zoto mbylli sytë përgjithmonë me 6 Shtator 2015, në shtëpinë e tij në Tiranë, pranë bashkëshortes, Tatjana, me vështrimin nga qyteti i magjishëm i Korçës nuse e plakë, ku dhe mori jetë nektari i krijimtarisë së tij letrare. Librat e shkruar prej tij, me krenari mbajnë emrin dhe mbiemrin Petraq Zoto- të njërit prej mjeshtrave të letrave shqipe. Prehu në Paqe, Mjeshtër i Rrëfimit dhe Fjalës së Përkorë!

Veprat dhe çmimet e shkrimtarit Petraq Zoto

Vëllime me tregime: -Dritat nuk u shuan,1967,/Taksia u ndal te kthesa,1969,/Kumbimi i një krisme,1975,/ Bredhi i gjelbër,/1981,/Nesër bëhet vonë,1986,/Enigma e një ftese 2014-ë.

-Libra për fëmijë e të rinj, me tregime: -Mësuesi im i parë, 1966,/Ndërgjegjja 1967,/ Tregimet e një nxënësi,1968,/Tregime,në greqisht-Tiranë,1968,/Mëngjesi i përflakur,1972/Mësuesi i parë,/ Prishtinë,1968,/Tregimet e një nxënësi,botim për lexime jashtë klase,Prishtinë,1972,/Tregime të zgjedhura,1975,/ Ndërgjegjja,botim për lexime jashtë klase,Tiranë,1976,/Dy buzëqeshje,1981,/Gjahu i së dielës,1984.

-Romane: Verka ,1971,/ -Për sot dhe për ditët që vijnë,1978, Kali fluturues 1989, -Bishti i dhelprës,1997, Burimi i drerit,1999,/Genta, 2004,/Vetja tjetër,2010-ë.

–Çmime kombëtare: -Tirka, Cmim i III 1966(u botua në dy libra :Mësuesi im i parë 1966 dhe Ndërgjegjja 1967,/Tregimet e një nxënësi, çmim III, 1969,/Mëngjesi i përflakur, çmim II, 1971,/ Sot erdhi dita, çmim III 1978 (u botua me titullin; Për sot dhe për ditët që vijnë,/ Gjahu i së dielës -libri më i mirë për vitin 1984 në prozën shqiptare për fëmijë e të rinj,/Nesër bëhet vonë, çmim II,1986,/Kali fluturues, çmim III,1989,/Bishti i dhelprës, çmimi “Ezopi” nga shoqata mbarëshqiptare e shkrimtarëve për fëmijë e të rinj dhe ambasada greke në Tiranë, 1998,/Burimi i drerit, “Penda e argjendtë”, viti 2000.Kohët e fundit jetonte në Tiranë dhe punonte në shtëpinë botuese “Mësonjëtorja”, redaktor i botimeve letrare.

Filed Under: ESSE Tagged With: ende dëgjojmë, Petraq zoto, Raimonda Moisiu, rrëfimin tënd!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 440
  • 441
  • 442
  • 443
  • 444
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT