• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

In Memoriam

July 13, 2015 by dgreca

PALOK TRABOINI-(Hot, 10 prill 1888 – Shkodër, 14 korrik 1951)/
Mësues, sekretar i Ded Gjo Lulit, flamurtar e luftëtar i Deçiqit, publicist dhe poet./
Palok Traboini ka lindur në prill të vitit 1888 në Traboin të Hotit, në trojet që ndodhen në shtetin e Malit të Zi, në një familje që i takon fisit Gojçaj. Ka mbetur jetim në moshë të vogël dhe e ëma Nora, gjendur në varfëri, deshi ta çonte në Shkrel tek gjinia e vet, por vojvoda i Traboinit, Dedë Gjo Luli, që kishte mendimin për të shkolluar një njeri nga Hoti, ku të gjithë ishin analfabetë veç priftit, ndërmjetëson dhe e dërgon në Shkodër, në Shkollën Tregtare Italiane, e ku ky vogëlush hotjan do të jetonte në shtëpinë e profesorit zemërmirë Andrea Skanjeti (i vjetri), italian ky i martuar me një vajzë shqiptare, atë bukuri qytetare shkodrane që tashmë të gjithë e njohin si Xhokonda shqiptare, “Motra Tone” e Kolë Arsen Idromenos. Me të mbaruar shkollën në vitin 1908, në pamundësi për të vazhduar studimet e larta për gjuhësi, siç aspironte, kish arritur të mësonte 5 gjuhë, me ndërmjetësimin e Kolë Idromenos emërohet mësues në shkollën e fretënve. Po këtë vit martohet me vajzën e profesorit të vet, Katrinën, çfarë e afroi familjarisht me rrethin e elitës aristokrate shkodrane, bartëse e kulturës dhe traditave që prej kohës së venecianëve, se Shkodra dihet, ishte një Venecia e vogël, madje e ngjashme edhe nga rrethimi me ujra; tre lumenj e një liqen përreth qytetit që frymëmerrte prej daljes përmes Bunës në det, duke u bërë qendra tregtare ndër më të njohurat në Ballkan. Shërbeu si mësues në Prizren në vitet 1910-11 dhe u gjend në mes të luftëtarëve në Hot kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe, më 24 mars 1911. Dedë Gjo Luli, të cilit i shërbente si sekretar (sipas shkrimeve të Gjush Sheldisë që mbajnë vitin 1959), duke qënë se ishte i vetmi hotjan i shkolluar, njohës i shumë gjuhëve dhe i pari mësues i Malësisë së Madhe, e ngarkon me detyrë të sjellë flamurin kombëtar të porositur muaj më parë nga Kolë Ded Gjo Luli gjatë një vizite që kishte bërë në kancelaritë e oborrit perandorak në Vjenë. Por, disa hotjanë të moshuar, luftëtarë të kryengritjes antiosmane, thonin se flamuri ishte porositur në një punëtori artistike të kryeqytetit perandorak me përkujdesjen e pretendentit si pasardhës i heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut. Ky pretendent për kurorë në Shqipëri që mbante një emër të gjatë aristokratik Juan Alardo Castriota de Perez y Valesco, më herët kishte patur lidhje me Faik Konicën, por më pas shkrimtari ynë e kishte satirizuar thekshëm. Flamuri që solli Palok Traboini është pikërisht ai që njihet si “Flamuri i Dedë Gjo Lulit “ dhe është fiksuar në fotografi nga Kel Marubi me shënimin “Flamuri që u ngrit në Deçiq”. Ai flamur është shpalosur së pari tek Kisha e Traboinit në Hot, dhe luftëtarët …’e ngritën disa herë në Majën e Bratilës, duke i paraprirë kështu shpalljes së pavarësisë e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë me 1912”. (sipas Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, 2002).
Palok Traboini ish mik e bashkëluftëtar me poetin Hilë Mosi, tribunin Luigj Gurakuqi, shkrimtarin e botuesin e shquar Dom Ndoc Nika, me luftëtarë si Prel Keri e Ndoc Deda, i afërt shpirtërisht e familjarisht me Kolë Idromenon, inxhinjerin Zef Skanjeti e Jak Zorbën, koleg me mësuesit Mati Logoreci, Lazër Lymezi, Kolë Kodheli, Kolë Rrota, Ndoc Lezhja, Lukë Lukaj, Kolë Laca, Pjetër Pali (mësues ekzekutuar nga diktatura menjëherë pas luftës së dytë botërore) e tjerë.
Ka qënë një prej bashkëpunëtorëve të gazetës “Koha – Bashkimi“, Shkodër 1910, ku gjenden koleksionet e shkrimeve, të cilat bashkë me poemën epike “Lufta e maleve“ për kryengritjen e vitit 1911, përbën krijimtarinë e tij të zbuluar deri më tash, si autor i para pavarësisë. Palok Traboini është bashkëthemelues i Internatit (ose siç quhej në Mirditë ) Konviktit “Mirdita”. Konvikti “Mirdita u themelue në vitin shkollor 1925-1926 në një pjesë të Qelës së Abacisë. Në atë vit shkollor Kolë Dema ishte drejtor, Cin Çapeli dhe Palok Traboini mësues (AQSH, F.586, viti 1930, D.105, f.1).
Veç Oroshit të Mirditës(1925-26) ka qënë mësues në shkollën Franceskane, në Barbullush (1923-1924), në Shirokë( 1930-31), Bërdicë, Bajzë të Kastratit, Hot i Ri, në fshatrat shqiptare në Mal të Zi dhe Traboin të Hotit( 1940-1942).
Është propozuar për t’u dekoruar pas vdekjes nga veteranët kombëtarë të Hotit të Ri, në vitin 1962, si luftëtar për pavarësi, por edhe si i pari mësues i Malësisë së Madhe, por Kuvendi Popullor i atëhershëm e ka lënë në harrim, ashtu siç vazhdojnë ta lënë në harrim edhe sot e kësaj dite shtetarët e kohërave të reja, edhe pse demokracia shumë gjëra i ka rishikuar për të shmangur denigrimet e qëllimshme historike.
Shpirti, idetë e atdhedashuria e zjarrtë i kanë mbetur derdhur në esè e vargje, ndërsa trupi i luftëtarit që kish marrë edhe plagë, më 14 korrik 1951 shkoi të pushojë në Rrmaj, në varrezën katolike të Shkodrës.
Falë librit të çmuar të Petraq Pepos, shkrimeve historike të At Donat Kurtit, kujtimeve të botuara apo të lëna, të luftëtarit kryengritës Martin Ujk Çeku-Traboini, regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti që ruajti dhe ma dorëzoi kopjen e vetme të poemës së humbur “Lufta e maleve” të vitit 1911 të Palok Traboinit, falë fondit të çmuar të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë ku m’u vunë në dispozicion numrat e gazetës “Koha Bashkimi”, Shkodër, të vitit 1910 dhe revista “Hylli i dritës”(1937), falë thesarit tonë kombëtar Fototekës “Marubi”, e, për të mos i harruar, ish nxënësit e miqtë e tij në të gjallë si Pjetër Hil Pali, Gjergj Gjok Shabani, Palok Prel Vuçetaj, Kolë Duku dhe Preng Gruda që më vunë në dorë dëshmitë e dorëshkrimet e tyre është bërë e mundur që në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë të botohet libri “Flamuri në Deçiq” me autor Palok Traboini (Gojçaj). Gjithçka që ka të bëjë me krijimet e Palok Traboinit janë botuar pjesërisht më parë apo kanë mbetur në dorëshkrim dhe i takojnë viteve 1908-1911. Libri përfshin katër kapituj që paraqesin aspekte të ndryshme të krijimtarisë e të jetës së këtij autori. Promovimi i librit të Palok Traboinit “Flamuri në Deçiq” është bërë në Prizren ku ka shërbyer mësues para pavarësisë si dhe në Tuz të Malësisë, ku është dhe vendlindja e tij.
Nuk ka asnjë dekoratë apo vlerësim nga shteti shqiptar dhe megjithëse propozuar nga veteranët e Pavarësisë në vitin 1962, nuk ka asnjë shkollë me emrin e tij, anipse është mësuesi i parë malësor dhe shkollën e Hotit të Ri e ka themeluar me inisiativën e shpenzimet e veta.
Mosmirënjohja njerëzore është cilësia më e keqe që mund të kenë njerëzit, por kur kjo mosmirënjohje ndodh nga shteti, kjo konsiderohet më e rëndë. Sepse kur një shtet nuk nderon atdhetarët, kështu ai harron e çnderon vetveten përkarshi popujve e kombeve të tjerë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Inmemoriam, Palok Traboini

NJE PERKTHYESE SI DOREIDA GEDAJ

July 10, 2015 by dgreca

Shqiptarja, Doreida Gedaj do ta mbaje mënd mënd gjatë /
Prezencen e saj dinjitoze ne ne krah te kancelares Gjermane si perkthyese e ne koferencen e Shtypit/
Nga Liliana PERE/
Vajza perkthyese Doreida Gedaj, shume e re dhe simpatike nga Elbasani me njé siguri dhe saktesi absolute ka perkthyer 4 ore rresht, takimet e Kancelares Angela Merkel ne Tirane
Doreida ka nderuar jo vetëm kancelaren Gjermane dhe kryeministrin shqiptar por edhe popullin shqiptar duke treguar kështu një kulturë të lartë shqiptare dhe evropiane.
E qetë, pa emocione, me një gjuhë të rrjedhshme shqipe e gjermane, Doreida Gedaj ka marrë vlerësimet maksimale si nga stafi I kryeministrit ashtu edhe nga kancelarja gjermane.
Doreida ka ka bere krenare gjithe shqiptaret, Me njé perkthim ne njé kohe record pa emocione , me njé gjuhe te rrjedhshme dhe te artikuluar bukur , pa asnjenderprerje , perktheu koferencen e shtypit me njé rritem te jashtzakonshem.
Ajo ndjehet e gezuar dhe krenare me kete prezanim te larte professional se perfaqson denjesisht profesionalizmin e larte te femres shqiptare
Koj vizite mjaft e rendesishme e motivon kete vajze. Ajo punon ne Ambasaden Gjermane si perkthese Gjermanisht Shqip.
Kancelarja Angela Merkel nuke u zhgenjye asnjehere.
Vizita e Kncelares Merkel eshte njé dite e shenuar per te gjithe Shqiptaret. Te gjithe e adhurojme kulturen dhe korrektesine Gjermane.E ndjejme we kemi nevoje ta fusim ne jeten dhe punen tone kete culture.
Kjo është vizita e parë e një kancelareje Gjermane në Shqipëri pas asaj të kancelarit Schroeder në vitin 1999 dhe në këtë prizëm mund të konsiderohet si një vizitë historike. Është një vizitë që e sjell Shqipërinë në qendër të vëmendjes së opinionit Europian. Është një vizitë që tregon vëmendjen që i kushton Gjermania Federale jo vetëm Shqipërisë, por edhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.Kjo vizite I perket promovimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale midis vendit tonë dhe Republikës Federale Gjermane. Synimi eshte qe keto mardhenje te shtrihen dhe te ngrihen ne njé nivel te konsiderueshem, si në aspektin politiko-diplomatik, ashtu edhe në atë ekonomik.
Rajoni ndjehet me I sigurt me kete vizite ekujlibruese, dhe me shpresa te medha të njé dore të forte dhe njé perkrahje te njé shteti te fuqishem , I vendose ata ne pozita te forta pune, per te arritur standartet e kerkuara, per te qene pjese e Europes se Bashkuar. Jane kaq shume vlera ne kete vizite sa c’do qytetar I ndjen dhe I kupton, pasi është një vizitë në ndjekje të procesit të Berlinit we nga viti i kaluar me konferencën e mbajtur atje, me ftesë të kancelares Merkel. Është një vizitë që synon të konsolidojë marrëdhëniet gjithnjë e më konstruktive që po ndërtohen në rajon dhe që në një lloj mënyre synon të përgatisë pritshmëritë e rajonit nga vijimi i procesit të Berlinit në Konferencën e Vienës,si vijimin e politikës dhe prezencës gjermane në Ballkanin Perëndimor.
Gjermania ka patur tradicionalisht një vështrim që e konsideronte Ballkanin Perëndimor si një rajon me interes, si pjesë të Europës dhe natyrisht me interes të Gjermanisë. Mirenjohja jone per shtetin Gjerman eshte e thelle Vlen te permendet prania e Gjermanisë në operacionet paqeruajtëse, siç ka qenë ai i ESFOR-it në Bosnjë, KFOR-it në Kosovë, përfshirë praninë ekonomike të Gjermanisë me ndihma të jashtëzakonshme. Vetëm në rastin e Shqipërisë, gjatë 25 viteve të fundit kontributi gjerman i kalon 1 miliard eurot. Pra, është një zhvillim i natyrshëm i politikës gjermane ndaj rajonit.Eshte nje ndikim I padiskutueshem we shpreh interes per vendet ne zhvillim ,në vizitën e gruas së hekurt të Europës në rajonin tonë.
Liliana Pere
Presidente
Gruaja Shqiptare ne Bote

Filed Under: ESSE Tagged With: Doreida Dedaj, Lilaina Pere, perkthysja

Kur historinë e shkruajnë historianët

July 8, 2015 by dgreca

Meditime për monografinë e Kristo Frashërit “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”*/
Shkruan:Dr Gëzim Alpion/
Universiteti i Birminghamit, Angli/
Në leksionin me temën “Përse Shqipërisë i duhen ‘intelektualë publikë’”, që zhvillova në “Qendrën e Studimit të Politikave Europiane për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal” në Tiranë këtë vit, me 16 prill, një pjesëmarrës shprehu shqetësimin se në Shqipëri botimet shkencore nuk propagandohen sa duhet. Nuk mund të komentoj se sa bëhet në Tiranë në këtë drejtim. Ajo që di është se, ndërsa prezantimi i librave të prodhuar në masë dhe me cilësi të diskutueshme në Shqipëri është bërë diçka e modës, për monografinë e Kristo Frashërit “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”, që u vu në qarkullim nga “Botimet M&B” në Tiranë vitin që kaloi, deri tani, nuk është bërë ndonjë prezantim.
Duke parë zallahinë mediatike që bëhet në Tiranë për libra me tema të ndryshme, përfshirë botimet sensacionaliste për ndonjë figurë historike, nga autorë me kredenciale akademike dhe integritet profesional të diskutueshëm, Frashëri nuk e përmbajti dot habinë të përzier me një dozë pezmatimi të ligjshëm për heshtjen e plotë të mediave dhe Tiranës zyrtare ndaj librit të tij për Zogun. Dhe kjo, në një kohë kur, jo rrallë, mediat shqiptare, të politizuara deri në palcë, turren pas politikanëve që i financojnë kur këta të fundit duket se janë në konkurrencë se kush e kush të arrijë më parë në prezantime librash që kanë për autorë sejmenxhinj, busulla morale e të cilëve anon gjithmonë në kahun e pushtetmbajtësit të radhës.
Përse injorohen veprat e një studiozi skrupuloz si Frashëri dhe trumbetohen me të madhe botime që nuk kontribuojnë në zgjerimin e njohurive apo rritjen e shijeve estetike të lexuesve? Mos vallë në Shqipëri nuk ka auditor të etur për të kremtuar botime serioze që nuk i bëjnë fllad askujt dhe i qëndrojnë besnik vetëm paanësisë? Apo ndoshta shkalla e izolimit (më shumë e vetimponuar sesa e diktuar), zemërngushtësia dhe xhelozia akademike kanë arritur në një shkallë edhe më të frikshme dhe të dënueshme se ç’mendohet në këtë kohë kur Shqipëria po vuan një ngërç të stërzgjatur intelektual?
Nuk them që botimet e autorëve të kalibrit të Frashërit t’u nënshtrohen promovimeve bajate, qëllimi i të cilave është mbulimi me lëvdatë sa hipokrite, aq edhe të pamerituara, i autorëve dhe librave që trumbetohen si kanonike, megjithëse të gjithë e dinë, përfshirë autorët, se janë të destinuara për harresë. Po kështu, nuk po rekomandoj që të shkruhen recensa për vepra të dijetarëve cilësore si Frashëri, thjesht meqë paçavure të tjera të botuara lartësohen pa asnjë arsye. Unë do të preferoja që për një vepër cilësore më mirë të mos shkruhej gjë sesa të shkruhej pa cilësi dhe jo për motivin kryesor: pra, propagandimin e dijes pa asnjë kusht.
Pavarësisht pezmatimit të justifikueshëm të Frashërit për harresën dhe injorimin e veprës së tij, ky studiues, ashtu si disa autorë cilësorë në Shqipëri, nuk shkruajnë për t’u vënë re apo për të mbledhur lëvdata. Për këtë kategori studiuesish, vlerësimet e tepruara rezervuar për liliputët letrarë dhe studiues të paskrupujt janë ofendim për intelektin.
Ajo që më ka bërë përshtypje në lidhje me indiferencën ndaj studimit të Frashërit për Zogun është heshtja e historianëve. Historia, si disiplinë shkencore, dhe historianët, si studiues, nuk e kanë pasur asnjëherë të lehtë gjatë gjithë historisë së ekzistencës së shtetit shqiptar. Kjo për shumë arsye, të cilat nuk mund të përmenden të gjitha apo trajtohen në thellësi në këtë shkrim. Fatkeqësisht, historia e Shqipërisë si fushë studimi ka një traditë të palakmueshme; ajo vazhdon të përjetojë një kaos endemik si rezultat i trysnive direkte apo të tërthortë nga politikanë me mendësi ‘monarkësh absolute’. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk ka pasur apo nuk ka historianë të mirëfilltë. Frashëri dhe veprat e tij dëshmojnë më së miri se në një situatë të tillë anormale, zëri i arsyes, logjika e ftohtë dhe përkushtimi i paanshëm akademik ndaj së vërtetës, gjithmonë mbijetojnë. Problemi është se historianët e llojit të Frashërit nuk u vijnë për shtat satrapëve shqiptarë, gjë që shpjegon më së fundi edhe ‘preferencën’ që disa politikanë kanë manifestuar kohët e fundit për historianë të huaj.
Për sqarim, nga arsimimi formal, unë nuk jam historian dhe, për pasojë, i ‘pakualifikuar’ të gjykoj një monografi të karakterit historik. Justifikimi im më i mirë se përse po shkel pa leje në një fushë si historia është se, si sociolog, gjithmonë i kam qëndruar konsekuent parimit veberian se historia zë vend primar në çdo studim të shkencave sociale apo humane, veçanërisht ato sociologjike.
Figura historike kontroversale si Zogu shpjegojnë edhe interesin e vazhdueshëm që ata ngjallin, veçanërisht ndër historianë, po edhe autorë të fushave të tjera. Megjithatë, vetëm një historian i paanshëm është në gjendje të japë një panoramë objektive, pa politizuar çështjet, por në të njëjtën kohë pa nguruar t’i thotë gjërat troç, pavarësisht se kujt i pëlqen apo i djeg troçësia. Në këtë drejtim, monografia e Frashërit, megjithëse e shkurtër, është një tekst që do t’ju shërbejë si historianëve dhe studentëve të historisë, ashtu edhe lexuesit të zakonshëm. Frashëri shkruan me një stil joshës dhe gjuhë koncize, ndërsa analiza dhe konkluzionet mbështeten vetëm në dokumente historike të interpretuara me objektivitet.
Frashëri, me të drejtë, e vë theksin që në fillim në sajesat që vihen re në literaturën për Zogun. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të theksohet se, si çdo politikan me ego të fryrë, edhe Zogu, nëpërmjet historianëve të oborrit, filloi të arnojë pretendime donkishoteskë për gjenealogjinë e tij ‘pejgamberiane’ si pinjoll i vonë i Skënderbeut.
Një ndër meritat e Frashërit në këtë vepër është se ka arritur të trajtojë në mënyrë koncize, pa tendencë, dhe hapur shumë çështje të ndërlikuara dhe sensitive në lidhje me Zogun si njeri dhe politikan, ashtu si edhe pasojat negative afatshkurtra dhe afatgjata të regjimit të tij. Ajo që e bën lexuesin të mendojë dhe reflektojë nga ky libër është se sa të përbashkëta negative ka politika shqiptare në metodat që përdor për të uzurpuar pushtetin dhe për të qëndruar në fuqi me çdo kusht. Kjo, fatkeqësisht, është e vetmja ‘vazhdimësi’ e dukshme në historinë e fragmentuar të shtetit shqiptar gjatë monarkisë absolute, komunizmit totalitar dhe aktualisht demokracisë plutokratike.
Me të drejtë, Frashëri i kushton vëmendje në këtë libër veçanërisht dy momenteve kulmore të regjimit të Zogut që cënuan drejtpërdrejtë dhe rëndë integritetin kombëtar të shtetit shqiptar, sovranitetin territorial, dhe pavarësinë e vendit. Bëhet fjalë për shpërblimin që Zogu i bëri Pashiçit, duke i dhuruar territore nga trungu i atdheut për ndihmën vendimtare të Serbisë në kthimin e tij në pushtet pas Revolucionit të Qershorit, si dhe kapitullimin e regjimit zogist ndaj Musolinit. Largimit i Zogut nga Shqipëria një ditë para pushtimit, çështja e arit që mori me vete në mërgim, si dhe shpërndarja e qeverisë dhe mosorganizimi i saj në mërgim, e bënë Zogun përfundimisht një figurë që nuk mund të gëzonte kredibilitet në planin kombëtar dhe ndërkombëtar për të marrë përsipër drejtimin e rezistencën së Shqipërisë ndaj pushtuesve fashistë dhe nazistë. Konkluzioni që lexuesi nxjerr nga narracioni i Frashërit për këto aspekte të rëndësishme të regjimit zogist, si dhe për tendencën e Zogut për të mos debatuar me kundërshtarët e tij politikë, eliminimi fizik që Zogu u bëri disa prej tyre, përdorimi nga ana e tij e ryshfetin për të siguruar besnikërinë e sejmenëve në parlament dhe krahina anembanë Shqipërisë për të konsoliduar dhe përjetësuar pushtetin e tij absolut është se ata përkojnë me karakterin e një njeriu që nuk ka asnjë skrupull për të kënaqur egon e tij.
Ahmet Zogu në librin e Kristo Frashërit nuk është vetëm një figurë kontroversale apo thjesht negative. Ndër monografitë për Zogun që kam lexuar, kjo është një vepër që merr përsipër dhe arrin të realizojë me sukses identifikimin njëkohësisht jo vetëm të anëve të errëta të kësaj figure komplekse, por edhe aspektet pozitive të regjimit zogist. Frashëri thekson veçanërisht progresivitetin e reformave që u trashëguan nga qeveria e Lushjes si dhe të reformave që u inicuan dhe përpjekjet e lavdërueshme për aplikimin e tyre gjatë sundimit të Zogut në fushën administrative, juridike dhe arsimore. Përpjekja për të paraqitur me objektivitet figurën komplekse të Zogut dhe regjimin e tij bënë që monografia e Frashërit të veçojë nga shumë vepra të tjera për Zogun të karakterit fund e krye panegjirik, tërësisht demaskues apo thjesht grotesk.
Si çdo historian i mirë, Frashëri e zbulon figurën e komplikuar të Zogut nëpërmjet materialeve arkivorë, dhe një numër botimesh që kanë për autorë vetë Zogun, sejmenë që i thurrën lavde si shpërblim për përfitimet personale, një numër kundërshtarësh (si ata që u pezmatuan me Zogun, pasi ai ua drodhi, ashtu edhe opozitarin-bashkëpunues Konicën, vitrioli i të cilit nuk motivohej thjesht nga hatërmbetje personale), dhe autorë të huaj, veçanërisht studiuesin amerikan Bernd Fischer.
Mënyra se si Frashëri e trajton në librin e tij kontributin e Fischer-it për sa i përket studimit të Zogut dhe regjimit të tij përbën një shembull të shkëlqyer se si studiuesit shqiptar duhet të angazhohen me veprat e kolegëve të huaj. Frashëri e vlerëson objektivitetin e Fischer-it, por edhe ofron kritikë konstruktive në lidhje me ndonjë mangësi në veprën e tij, gjë të cilën e bën jo në mënyrë tendencioze dhe me qëlllim denigrues, por gjithmonë brenda etikës akademike, duke u përpjekur të shpjegojë se çfarë mund ta ketë kufizuar perceptimin e Fischer-it në kohën kur shkroi librin e tij për Zogun, të botuar për herë të parë në gjuhën angleze në vitin 1984. Me qëndrimin e tij ndaj veprës së Fischer-it, Frashëri përcjell mesazhin në kohën e duhur se ndaj studiuesve të huaj nuk duhet të sillemi si inferiorë patologjikë, se studiuesit e huaj kanë po aq të drejtë sa studiuesit shqiptarë të merren me studimin e historisë dhe figurave historike shqiptare, dhe se të gjithë së bashku si studiues mund të përfitojmë nga arritjet dhe mangësitë e botimeve të njëri-tjetrit.
Përfundimisht, mund të them se unë e shijova leximin e monografisë së Frashërit për Zogun. Uroj që ky libër të tërheqë vëmendjen e lexuesve, veçanërisht të brezit të ri, që nuk di shumë për këtë figurë kontraversale, enigmatike dhe ekzotike si për ne shqiptarët, ashtu edhe për të huajt, një personalitet që është nxirë krejtësisht dhe padrejtësisht nga kundërshtarët e tij, si dhe lartuar kohët e fundit në një piedestal të diskutueshëm.
Edhe ndonjë mangësi e vogël e këtij studimi si, për shembull, përsëritjet që vihen re aty këtu, veçanërisht në lidhje me dy veprimet antikombëtare të Zogut apo të tre reformave progresive të përmendura më lart, mund të evitohen lehtë në një ribotim të edituar. Këto përsëritje nuk janë gabime stilistikore; ata dëshmojnë dëshirën e Frashërit për të bindur ata që e glorifikojnë plotësisht apo e përçmojnë në ekstrem Zogun se ai nuk është as kundër, as në favor të tij. Si historian me integritet dhe respekt për historinë si shkencë, qëllimi i parë dhe i fundit i Frashërit është të shikojë nëpërmjet mikroskopit të objektivitetit një figurë që luajti rol të rëndësishëm në fatet e vendit në një kohë kur përpjekjet e intelektualëve në diasporë për të sendërtuar ndërgjegjen kombëtar, për fat të keq nuk infektuan sa duhet drejtuesit e shtetit shqiptar që doli nga rrënojat e një kombi që kishte jetuar të shumtën e kohës ose i pushtuar, ose nën rrezikun konstant të pushtimit për afro 20 shekuj. Duke lexuar veprën e Frashërit, mendja nuk ka se si të mos të të shkojë në pazarllëkun e viteve të fundit të Tiranës me Greqinë në lidhje me kufirin detar, ryshfetin, që mbetet tipar dallues i kohës tone po aq se edhe gjatë regjimit zogist, dhe parlamentin shqiptar, dikur nje instrument oborri, ndersa sot nje kuvend kunatash grindavece te diplomuara ne vulgaritet. Monografia e Frashërit duhet tju shërbej si paralajmërim drejtuesve të Kosovës që të mos sillen si sekserë prostitutash në kurriz të vendit tani kur po diskutohen kufijtë. Asnjë kompromis me serbët dhe malazezët nuk vlen po qe se për çmim ka tkurrjen e mëtejshme të trojeve. Çdo kompromis i tillë ka vetëm një emër: tradhëti kombëtare.
Thuhet se Çërçilli dikur ka thënë se Ballkani gjeneron më shumë histori se ç’mund të përtypë. Ndoshta. Eshte me vend të kujtojmë këtu edhe klishenë se historia përsëritet ngaqë njerëzimi nuk nxjerr mësime nga gabimet. Kjo është e vërtetë, veçanërisht për gadishullin Ballkanik. Por gjërat duhet dhe mund të ndryshojnë, veçanërisht në Shqipëri. Një mënyrë për të sjellë këtë ndryshim është tua besosh historinë historianëve. Të kuptohemi drejt: historianëve që nuk kanë çmim. Libri i Frashërit për Zogun tregon se ka të tillë.
***
*Kristo Frashëri, “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”, Tiranë: Botimet M&B, 2014, ISBN: 978-9928-172-22-8, Çmimi 1000 lekë.
*Gëzim Alpion u lind në Peshkopi më 1962. Ai ka studiuar në Kajro për BA dhe MA, dhe në 1997 mbrojti doktoratën në Universitetin e Durhamit. Ai ishte lektor në Universitetet e Huddersfield, Sheffield Hallam, dhe Newman përpara emërimit në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit ku aktualisht është Drejtor i Programeve të Kombinuara në Shkollën e Qeverisjes dhe Shoqërisë. Alpion është anëtar i bordit të disa revistave shkencore, përfshirë ‘Celebrity Studies’, që botohet nga Routledge.Fillimisht ai tërhoqi vëmendjen e mediave britanike me botimin dhe vënien në skenë në disa qytete angleze të dramave ‘Vouchers: A Tragedy’ (2001) dhe ‘If Only the Dead Could Listen’ (2008). Monografia ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ është botuar në gjuhën angleze nga Routledge në Londër dhe New York (2007), New Delhi (2008), dhe në gjuhën italiane nga Salerno Editrice në Romë (2008). Kjo vepër dhe vëllimet me esë ‘Foreigner Complex’ (2002) dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, botuar në Indi (2008) dhe Amerikë (2009 dhe 2011) nga Transaction Publications, janë vlerësuar shumë nga kritika akademike. Autor i një numri studimesh në revista shkencore dhe përmbledhje akademike, Alpion konsiderohet si eksperti më autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze. Ai ka botuar artikuj në disa gazeta ndërkombëtare si ‘The Guardian’, ‘Hindustan Times’, ‘The Middle East Times’, and ‘The Hürriyet Daily News’.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ahmet Zogu, Gezim Alpion, Kristo frasheri, Kur shkruajne historianet

DUHEJ SHKELË EDHE TOKA KU RUHEJ BESA,BURRNIA DHE BUJARIA!

July 6, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Çekët e vramë pabesisht Majkell e Ana…/
■DIKUR…/
Oooo i zoti shtëpisë, a jeni mbrendë se ua kemi mësye sonte per bukë?!
– Hajdeni Burra, shtëpia asht e Zotit dhe e mikut!
– Mirë se Ju ka prue Zoti…Urdhnoni zotnijë mbrendë!
– Me shka ka dhanë e falë i Madhi Zot, po e kalojmë sonte, por po Ju takon me hjekë pak keq… Hapet portaria… – Urdhnoni Burra!
– Mirë se Ju gjetëm…Prinë ma i moshuemi mbas të zotit shtëpisë… Drejtë e tek oxhaku!
Nder ato Bjeshkë të Nêmuna shekullore sejcila kullë e shtëpi gurit kishte të ruejtun: 
Besen: “Shtëpia asht e Zotit dhe e mikut!” Pra, urdhno se je në Besen e Zotit e të Mikut!
Burrninë: “Mirë se Ju ka prue Zoti, urdhnoni Burra, si në shtëpinë tuej…”
Bujarinë: “Me shka ka dhanë e falë i Madhi Zot…” dhe, i shtohej një drue zjarrit…
I zoti i shtëpisë mbushte gotat e rakisë… Levdohej Krishti e fillonte biseda miqsore…
Populli Shqiptar ishte i njohun nder shekuj per këta cilësi të rralla e të çmueshme të Tij.
■DJE…
U punue me shekuj nga sllavët e turqit me e shkombtarizue këte Popull Heroik, por nuk mujten edhe pse kanë perdorë mjetet ma të mnershme per me e shperba Shqiptarin.
Mbas vitit 1944 kur sllavokomunistët e Titos e moren nen kontroll Shtetin komunist të Shqipnisë, me aprovimin e Aleatëve të Jaltës, në Shkurt 1945, me që në vitin 1941 ata kishin krijue PKSh të drejtueme nga Mugosha, Popoviqi dhe terroristi Enver Hoxha… Dhe, me këte parti vrastare antikombtare kishin shkatrrue me Luftë civile krejt Jugun,
por me që nuk arrijti me shkatrrue edhe Veriun…para vitit 1944…Atëherë, partizanët “trima” u drejtuen nga Shkodra dhe krahinat e Shqipnisë së Veriut tue këndue:
Kengën partizane… “Luaje, luaje, gocë këmbëneee… t’ia … Gegës mëmëneee…”
1945: Brofi në kambë Prekë Cali…Kelmendi rroku armët… Shkreli…Bajza…Zagora… Vrithi… Bzhetë Makaj… Çekdedaj…Shllaku… Dukagjini… Puka… Tropoja… Mirdita…
Fillojnë arrestimet e Atdhetarëve, klerikëve dhe shkollat fillojnë edukimin sllavo marksist – leninist të rinisë Shqiptare, ku mbizotnon ideologjia ateiste komuniste antishqiptare.
Zhduket Hymni i Flamurit e Lahuta e Malcisë… bashkë me kulturen Atdhetare.
Vritet edhe njëherë At Shtjefen Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit…
Vrasjet, hetimet, torturat, kampet e shfarosjes dhe interrnimet pushtojnë edhe Malet!
1967, 6 Shkurt, barbari Enver Hoxha i ndalon me ligj Popullit Shqiptar fjalen ZOT !
1967 Kishat kthehen në “vatra kulture” e stalla kafshësh… Në Shkoder hapet “Muzeu Ateist” i vetmi në Botë, me të cilin krenohet Ramiz Alia e Akademia e Shkencave…SOT !
Kisha ku u kunorzue Gjergj Kastrioti në Vaun e Dejës, hidhet në erë me dinamit…
1972 ”Kongresi i Gjuhës”… Gjeni ju, se cilen “gjuhë të njësuar” do të flasin Malet tona…
1990 – 91 Piramidat kufitare tek dera e shtëpisë lahen me gjak të Rinisë që kerkon Liri!
1991 Sigurimi i shtetit hapë “dosjet” e para 50 vjetëve…Fillon prap “gjakmarrja”…
1996 Hapen depot ushtarake të armëve …Fillon vllavrasja në Male e fusha…Asht 1997…
Cili ishte kujdesi i qeverisë “demokratike” dhe i pushtetit lokal per Malësitë tona?
Lexoni tek Revista “Malësia e Madhe” dhe më tregoni ku janë Malësorët…
■SOT…
70 VJET: Që një klerik i huej i dëbuem nga Shqipnia prej komunistëve ka shkrue:
“Më ka ndodhë kaqherë, gjatë këtyne viteve, të mendoj shpesh per Malësorët e mij të krahinës së Shkodres. Kam frikë që pavarsia e tyne, të cilën ata dijtën ta mbronin gjatë shekujve kundër turqëve, qysh sot e mbrapa, të ketë marrë fund! Dhe bashkë me to zhduken, besoj, Burrat e fundit me të vërtetë të lirë të Europës plakë.
Ndoshta ai qytetnim, madje edhe sidomos kur ai merr aspektin e marksizmit, nuk mund të tolerojë asnjë mbijetesë të kohnave të shkueme. Ai nuk mund të durojë ma lirinë e individit…” Dhe ja sot çfarë ngjet nder ata Male, ku u punue per ndryshimin e karakterit etnik të Atyne krahinave gjithmonë të banueme nga Malësorët tanë Shqiptarë: Vriten dy vizitor të huej në moshë të re nga Çekia, Majkell e Ana… Që vertetojnë edhe thanjen se:
Dhuna na solli Besë “Pa Zot”, Burrni “Pa Zot”, Bujari “Pa Zot”, Sofer “Pa Zot”… Vater “Pa Zot”…E sallë pritje tek Presidenti i Republikës së Shqipnisë “Pa Kastriot”…!!
Ky ishte qellimi i sllavokomunizmit nder Shqiptar: “Me i kthye në vrasës tinzar dhe hajdutë Pa Zot, Pa Atdhé, Pa Fé, Pa Nder’ e Pa Dinjitet njerzor!”
Fatkeqësi e madhe ajo ngjarje makabre e dy të Rijve Çek Majkell e Ana…, që kujtuen se janë tue vizitue Atdheun e Nanës Tereza…
Melbourne, Korrik 2015.

Filed Under: ESSE Tagged With: burrnia dhe bujaria, ceket e vrare, Fritz radovani

NERMIN VLORA FALASCHI, SHKRIMTARE FISNIKE DHE HUMANISTE DRITËRORE

July 6, 2015 by dgreca

NGA Albert HABAZAJ/
Nermin Vlora Falaschi: 18. 04. 1921 – 28.11. 2004. Jam i detyruar t’i pohoj këto shifra, që na tregojnë fillimin dhe përfundimin e jetës fizike të Nerminit, A – në dhe Zh- ënë e segmentit kronologjik të humanistes së madhe, që i ka, tashmë, rrënjët e pashkulura dhe frymën e emrit në Kaninë. Së bashku me Renzon (bashkëshortin e saj, i cili qe italian) Nermini prehen në Kaninë, atje ku ka eshtrat e të parëve, atje ku prehet stërgjyshi, Ismail Qemal Vlora. Edhe pse, bukuri denjësisht të admirueshme si Nermin Vlora u krijuan në këtë planet që t’i japin atij dritë. Një dritë të ngrohtë. Nermin Vlora. Një univers rrezatues. Një univers fisnik. Një akademi në lëvizje. Një zonjë e madhe dhe e bukur. Ambasadore e kombit shqiptar në botë.
Ç’të shkruaj më parë për Nermin Vlorën?! E kam njohur nga afër. Në Tiranë, në Vlorë, në Romë. Në Vlorë, në Tiranë, në Kaninë… Fatlum kam qenë. Ishin vitet Nëntëdhjetë. Filloi të ndihej një fllad lirie edhe në këto vise. Një grup intelektualësh dhe atdhetarësh u organizuan dhe krijuan në Vlorë Shoqatën Kulturore Mbarëshqiptare “Ismail Qemal Vlora” me kryetar Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, nënkryetar i parë Petrit A.Velaj, (i flasin Mandela i Shqipërisë, se ka bërë 42 vjet burg e internim, si kundërshtar politik i regjimit të kaluar), nënkryetar Ibrahim O. Haxhiu (i biri i Osman Haxhiut të Luftës së Vlorës), sekretar i përgjithshëm Novruz Bajrami, si dhe “xhaxhi Ferati”, më i dashuri shkrimtar për fëmijë, Ferhat Çakërri, Prof As. Dr. Zeko Braho, Liljana Gjika, Skënder Beqiri, Njazi Hamzaraj, Kozma Billa dhe Albert Habazaj, anëtarë kryesie. Kryetare Nderi kishim mbesën e Plakut të Bardhë të Flamurit Kombëtar, Nermin Vlora Falaschin. Sa veprimtari të bukura kulturore artistike kombëtare kemi zhvilluar. Me shpirt, me zjarr, me idealizëm. Kishim dhe dritën e ngrohtë të SAJ. Mbresëlënëse kanë qenë takimet në bibliotekën e vjetër të qytetit (sot shtëpia e Beut), në pallatin e Kulturës “Labëria”, në Teatrin “Petro Marko” etj. Ajo vinte përherë me Renzon. Kishte raste që vinte me ta dhe djali i tyre. I vetmi. Drita e syve. Roberto. Një mbasdite e pashlyeshme do të ngelet në kujtesën tonë ajo e 18 Prillit 1993. Një festë kulturore. Zhvilluam veprimtarinë kulturore: “Nermin Vlora Falaschi – personalitete e shquar e kulturës shqiptare”. Fjalët e saj: ‘Ndjehem krenare që jam prodhim shqiptar, u shpreh mirënjohjen mësuesve të mi që më kalitën fizikisht dhe shpirtërisht për të mposhtur vështirësistë e jetës. Unë jam shqiptare, kam përçuar zërin e Shqipërisë nëpër botë dhe dua të prehem në tokën shqiptare, në Kaninën e Vlorë- toka e të parëve të mi” qe shumë emocionuese, frymëzuese, atdhetare dhe mallëngjyese për ne, deri në adhurim për atë njeri që na duhej si krijesë hyjnore. Ajo qe një shqiptare e madhe jashtë Shqipërie. Nuk qe vetëm zëri i gruas së shquar shqiptare në botë, por një identitet shqiptar kulturor dinjitoz në Europë e kudo ku ajo jetoi e punoi në funksionin profesional, pa harruar kurrë e askund misionin atdhetar. Nermin Vlora, shqiptarja e madhe me virtyte të larta, do të jetë një shembull i shkëlqyer, një rreze drite, që do të ndriçojë udhën gruas shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Greqi, në Turqi, gruas arbëreshe në Itali, shqiptarkave kudo që janë nëpër botë, për t’u përcjellë brezave jo vetëm vlerat e saj, por edhe detyrimin që kemi për kombin tonë të dashur.
Parafjalë nga mendimtaria atdhetare e Nerminit: Shkova në Itali dhe unë. Refugjat si shumë e shumë shqiptarë. Domethënë njeri ilegal, me numër, pa emër (i palegalizuar). Shumë shpejt u rrita në përgjegjësi…U bëra emigrant! Njeri me emër. Legal. Punoja. Mirë. Në L’Aquila (capoluogo di Abruzzo). Jeruzalemi i Italisë (Në një trajtë tjetër). Si Qytet i Tërmetit, u njoh pas gjëmës së 6 prillit 1999 . Me punë e mirësjellje, krijova respekt. Dhashë e mora mirësi. Doke. Traditë. Me sjellje qytetare. Si njerëzit. (Ndoshta po hiqja sadopak, aq sa mundesha e sa më takonte imazhin e “bishtit pas” që na kishin vënë ca nga të huajt dikur dhe, për dreq, ca nga tanët u dolën në shteg, duke i bërë iso këtij avazi të lodhur). Me Nerminin flisja shpesh, por rrallë shkoja në Romë. Kur shkova për herë të parë në apartamentin e tyre, në periferitë e qeta, magjike e me katër stinë të gjelbra, në zonën Via Gramsci, Villa Borghese, Nr.7 – jam mrekulluar dhe kam përjetuar një ndjenjë krenarie të shkallës sipërore. Jo vetëm nga mikpritja e nderimi që më bënë, sikur unë, një copë shkëmb ende i palatuar mirë e zbritur nga malet e Tërbaçit, të isha djali i tyre apo një mik i madh; jo vetëm nga biblioteka e madhe, me libra të vjetër, të rinj, të rrallë, enciklopedi, antikuarë, në gjuhën shqipe, në shumë gjuhë të botës; jo vetëm se Nermini fliste shkëlqyeshëm një gjuhë të kulluar shqipe, që vetë Naim Frashëri do ta kishte si modelin më të pastër të bukurzanimit (të shqiptimit, të tingëllimit) të shqipes; jo vetëm se Renco (i shoqi, Renzo) e kuptonte gjuhën shqipe shumë, shumë mirë dhe e fliste shqipen mirë, jo keq duke qeshur me dëlirësi; por për ç’ka do t’ju rrëfej: Sallonin e pritjes e kishin në formë drejtkëndëshi, aty te nëntëdhjetë, njëqind metër katrorë. Një parantezë. Unë, në shtëpinë time, mbaj varur në mur fotografinë e prindërive, kur kanë qenë të rinj. Fotografitë e tjera të familjarëve, të të afërmve i mbaj në album. Edhe fotografinë e vjehrrit në album e mbaj. Nuk e di si veproni ju. Kthehemi në Romë. Te Renzo. Te Nermini. Sa u futa brenda, shkëlqente salloni i bardhë e i gjatë nga harmonia e kontrasteve të gjetura. Po më shumë shkëlqente shpirti tyre. Më shkuan sytë në fund të sallonit. Përtej. Në ballë. Majtas sipër portreti i Gjergj Kastriot -Skënderbeut. Djathtas sipër portreti i Ismail Qemalit. Piktura të mëdha. Unë përjetova emocione të fuqishme krenarie, por edhe psikologjia ime (provincialitet shqiptaresk?!) s’më linte rehat. Më ngacmonte. Më gërvishte. Mirë kjo, se është Mbesa Jonë, po ky, i zoti i shtëpisë është italian. Dhe jo dosido. Elitë. Në kupolë të saj. Ambasador i përjetshëm i Italisë. Dhëndërr është tek ne ai…E kështu…Por, pa më lënë të “fillozofoja” gjatë, vetë Renzo, me atë të qeshurën e tij si të perëndishme më ftoi të uleshim. “Do të qeras sipas traditës tuaj, – më tha – që tani është dhe imja. Me raki Skrapari. Gëzuar!’. Tjetër suprizë e lezetshme kjo. Dhe, sikur të qe futur në trurin tim të vogël, me një zë të ngadaltë, gurgullues e me kumbim të ëmbël, nisi bisedën: “Njerëz si Ismail Qemali janë largpamës, janë pararendës të kohës: këtë e dëshmon veprimtaria e jetës së tij. Këtë e materializon plotësisht edhe peneli i kunatës sime, piktores Vera Blloshmi. Apo jo?! Shikoji me qetësi”… Portretet ishin të dallueshme që larg, deri në detaje. (Nuk i mbaj mend përmasat). Krijuar nga dashuria dhe talenti i rrallë i zonjës fisnike Vera Blloshmi Mellet, piktore shqiptare me banim në Londër (kushërira e parë e Nerminit). Më thotë Nermini, me atë zërin e ngrohtë, të kthjellët e melodioz, me një gjuhë çiltërsisht metaforike, që rridhte natyrshëm: “Vera jonë sot pushon në Kopshtin e bukur të Kujtimeve, por veprat e saj madhështore stolisin kontinentet e ndryshme. Ja shikoji vetë këto dy portrete vigane: Veshja dhe sytë e flaktë të Skënderbeut dëshmojnë heroin fitues të përhershëm me mjete të armatosur. Sytë e portretit të Ismail Qemalit kanë një veçanti të shënuar, me dukuri pa zbrazëti morale e shpirtërore, ku burimi i pashtershëm i dashurisë për Atdhe, bëjnë në këtë drejtim përçapjen kryesore të qëllimeve të jetës së tij. Jetë, ku pasqyrohet ideali i ndërgjegjshëm se pavarësia politike nuk mund të ketë jetë të gjatë, nëse nuk farkëtohet edhe autonomia ekonomike”…Më ka bërë shumë përshtypje Renzo Falaschi mbetet një rast unikal. Ai e donte shumë Nerminin. Qe e bukur nga fiziku. Nga shpirti. Nga mendimi. E nderonte shumë Ismail Qemalin, jo thjeshtë se qe gjyshi gruas së tij të dashur, por sepse plotësonte profilin e vizionarit të kohës. E vlerësonte shumë Shqipërinë, jo thjeshtë se qe vendlindja e gruas së tij të dashur, por sepse i çmonte virtytet fisnikërisht të larta dhe se në vendin e shqipeve ai gjente djepin e gjuhëve. Bëmë shumë fotografi. Me Nerminin vetëm. Me Renzon vetëm. Me të dy, si me dy urata dritërimi. Shumë nga ato fotografi (sidomos pas djegies aksidentale me gaz në apartamentin e saj) ikën bashkë me të. Kam qenë disa herë në apartamentin e tyre, sa kohë punova në Itali. Ajo banesë u bë strehëz aq e ngrohtë për atdhetarët shqiptarë, për shqiptarët emigrantë dhe refugjatë (ende të palegalizuar në ato vite) që punonin me djersën e ballit, mendonin e vepronin dhe për Shqipërinë. Ajo sakrifikoi pasurinë e saj dhe të Renzos për Akademinë “Iliria”, për çështjen shqiptare, për albanologjinë, për historinë dhe qytetërimin shqiptar. Por, ajo mori me vete xhevahiret e shpirtit, vlera të pamohueshme dhe të gjithmonshme. Iku ajo. U mbyll Dera e Madhe. Eh!… Më dha libra boll. Ndër to një revistë “Koha e jonë = Notre temps”, organi Bashkimit demokrat Shqiptar, botuar në Francë nën drejtimin e Lec Shllakut, e përkohshme Politike – Kulturore – Shoqënore, Nr.10-11-11, vjeti XXXI, Tetor – Nandor – Dhetor 1992. Me ISSN. Nermini kishte botuar shkrimin (kryeartikull): “Ismail Qemal Vlora, gjysh i gjith Shqiptarve”. E nis shkrimin si një romantike e zjarrtë, por me logjikën krahasimtare të kohës për vlerësimin e Veprës: “Ismail Qemali, Plaku i Vlorës, por edhe djaloshi i përhershëm i gjith Shqiptarve, pa dallim feje, krahine ose nënshtetësie. Atij i kishte thën gjaku: “Shko mor shpirt shko, se kam nevoj për të rinj të çdo moshe”! Prandaj, me plot të drejt mund të themi se Ai, me të vërtetë ishte “Plaku i Vlorës”, por me iderat e tija largpamëse mund të konsiderohet si njeri i ndriçuar i ditëve tona, ku merita e vërtetë e fitores qëndron në aftësinë e bindjes, në hollësirat e diplomacisë, jo në ndeshjen e fuqive t’armatosura. Ismail Qemali ishte njeri tepër i butë, tepër intelektual, për t’i zgjedhur çeshtjet me ndihmën e armëve: Ai kishte arritur t’i hapi Portat e Shteteve Kryesore t’Evropës me sjelljen, e kulturën dhe me diplomacinë e tij të stërholltë e largpamse”. Në fund të atij kryeartikulli (jo vetëm se është vendosur në faqen e fillimit të revistës), Motra e Madhe na jep një këshillë të dobishme atdhetare me urëtsinë karakteristike të shkrimtarisë së dalluar që përtej: “…Ismail Qemali na dhuroi nji “ATDHE”. Por neve, deri më sot, nuk e kemi kuptuar vlerën e kësaj dhurate. Ne kemi bërë gabime të shumta. Le të fillojm ta kuptojm tani,…, meqë ai që pranon gabimin e vet, do të thot se ka filluar të qortohet. Kështu do t’a nderojmë Gjyshin tonë të përbashkët, Ismail Qemalin dhe gjith bashkpuntorët e tij. Kështu do ta sjellim në gjirin amtarë Kosovën kreshnike dhe Çamërinë e shpartalluar…”. (Shih: “Koha e jonë = Notre temps”, vep. e cit., f. 3 – 6). Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë 31 regjistrime bibliografike ku përmendet emri i Nerminit (jo vetëm si autore, por edhe si redaktore etj., apo që është shkruar për të nga të tjerët). Më shqetëson një fakt. Mungojnë librat kryesorë të Nermin Vlora Falaschit në fondin e Bibliotekës më të rëndësishme të Shqipërisë. Vërtetë që ajo shumë botime i realizoi në Romë. Por ka botuar dhe në Prishtinë. Dhe në Shkup. Po në Tiranë? Pse jo?! Pará! Para!… Po ngjet si me Çomorën. E me të tjerët…Megjithatë, duhet gjetur një mekanizëm që gjithë titujt libra të botuar nga pena e Nermin Vlorës të sigurohen për pasurimin e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Në bibliotekën personale kam opusin e veprave të humanistes shqiptare. Kam edhe mungesa. Një libër madhor i Nermin Vlora Falaschit është ai me titull “L’etrusco lingua viva” në serinë “Antiche civiltà mediterranee – II”, Bardi Editore, Roma, 1989, një monografi shkencore në me 187 faqe tekst, figura me ngjyra, grafika, shënja, alfabete, me modele në tre gjuhë italisht, anglisht dhe në frëngjisht. Përkthimin në anglisht e ka realizuar me mjeshtëri dhe aftësi Renzo Falaschi. Me një bibliografi të pasur nga studiuesit më të njohur të botës si dhe ata shqiptarë në fushat e arkeologjisë, të gjuhësisë, letërsisë, të historisë dhe të kulturës. Në kohën kur lexon librin “L’etrusco lingua viva” (“Gjuha etruske – gjuhë e gjallë”, shën. im: A.H), të bien në sy edhe pika të tjera takimi në elementet gramatikorë midis shqipes dhe etruskishtes, sidomos disa prej tyre që shqipja i ka deri diku të dallueshme nga gjuhët indoevropiane. Gjithashtu vërehet përqasje kulturore dhe afri e përbashkime antropologjike (mesdhetarë jemi), sikurse, natyrshëm, duken dhe distancat apo përveçimet antropologjike (lokalitetet e banimit), që, në fakt, vetëm një studiues i hollë i fushës mund t’i vërejë. Një libër tjetër me studime të thelluara me firmën e Nermin Vlora Falaschit është monografia “Lashtësia e gjuhës shqipe sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik” në serinë “Qytetërime të lashta mesdhetare – III”, Bardi Editore, Roma, 1991, me 149 faqe, vetëm në gjuhën shqipe. Në këtë lbër janë përfshirë dhe përmbledhja e transmentimeve të programit kulturor të Radio Vatikanit. Autorja ka bërë kushtim në fillim të librit: ky libër ësht uratë për bashkimin e gjithë etnive Shqiptare në vatrën e madhe evropiane”. Në librin “Shqipja çelësi i gjuhëve”, në serinë “Qytetërime të lashta mesdhetare – IV” ajo mëshon mbi metodën e karbonit C14 dhe e vështron lashtësinë e gjuhës shqipe duke krahasuar fjalët me rrënjë pellazgo – ilire (gjurmë të gjuhës të shkruar s’ka ende, shën.im – A.H) në disa gjuhë, në shqip, në italisht, në anglisht, dhe, sipas saj, gjuha shqipe ka gjyshe ilirishten. Ajo shkon më tej, duke na rrëfuer se stërgjyshe e shqipes është pellazgjishtja. Këtu ka paqartësira. Turbullira.Tis mjegulle. Biles perde. Përse mos të themi dhe derë të mbyllur të blinduar për të gërmuar thellësive retrospektive të linguistikës tonë.Mungesë guximi profesional apo pamjaftueshmëri provash? Nermini shpesh herë i vlerësonte shumë gjuhëtarët e mëdhenj Shaban Demiraj dhe Mahir Domi për diturinë e tyre, teoricienë të shquar janë – thoshte – por pse heshtin? Prakikisht kishte vërjetje. Dijet e tyre duhet t’i japin rezultatet e kërkimit. Konkrete dhe të mëdha. Dhe citonte nga Enciklopedia e Madhe Greke: “Stërgjyshërit e Shqiptarëve të sotëm, kan banuar që në pjesën më të madhe të botës që njihei aso kohë, duke zhvilluar nji qytetërim shumë të rëndësishëm dhe duke ngritur vepra me vlera të jashtëzakonshme”. Nga Nouveau Petit Larousse: “PELLAZGËT, populli shumë i lashtë që banonte në periudhën parahistorike në Greqi, në Arkipelag, në brigjet e Azisë së Vogël dhe të Italisë…Në përgjithësi konsiderohet se Thrakët e lashtë, Frigët, Lidët, Karientët, ETRUSKËT, Epirotët, ILIRËT, italiotët (Sanitët dhe Oskët) dhe SHQIPTARËT E SOTËM, jan degët kryesore të Pellazgve”.
Një majë e letërsisë filozofike: Nga letërsia artistike e Nermin Vlorës dallon romani esé “E Nesërmja e Kohës” (tit. i origj.: “EX”), Shkup, “Gjon Buzuku”, 1991 me 192 faqe, i ndërtuar me 18 kapituj. Në fakt, ky është botimi i dytë në gjuhën shqipe, sepse botimi i parë shqip i tij është bërë më1978 në Romë. Librin ma ka dhuruar vetë Nermini me autograf, më 28 Nëntor 1992, kur erdhi në Vlorë për 80 vjetorin e Pavarësisë Shqiptare. Libri çelet kështu: Një urim “E Nesërmja e Kohës” qoftë PAQË, BASHKIM, EVOLUCION Për gjthë Shqiptarët!”. Botimi i parë i romanit është bërë në italisht më 1971 në Romë. “E nesërmja e kohës” që do të thotë edhe se “Revolucioni i vërtetë është Evolucioni”, sipas autores, dëshiron t’i japë kuptim artit, filozofisë, problemeve të ndryshme të kohës. Kohë e ndërvarur nga psikologjia shoqërore, në elementet e saj më dinamike, ku, kjo e kuptuar bëhet kusht i domosdoshëm. Kohë, me prirje të shpjegojë, me ndërmjetësinë e ndjenjave, konceptin e metamorfozës së fenomeneve jetësore, duke ua përshttur fenomeneve të mbijetesës. Në vijat e saj të mëdha, koha përfshin elementët materialë të botës dhe shfaqjet e shumanshme, kanë kuptime me baza të sakta. Arkaizmi, në faza të ndryshme, është kohë, që me ndërmjetësinë e evolucionit, materializohet në modernizëm. Modernizëm që do të konsiderohet një ditë arkaizëm, nën shtytjen e vlerave të reja, që ndryshojnë botën dhe që hapin faqe gjithnjë të reja, në konceptin e kuptimit të saj… Paralelizmi historik i nënshtrohet pa kondita këtij ligji, kurse arti shpreh hovet shpirtërore brenda dhe jashtë tij. Përmasa materiale kanalizohet në vijat e domosdoshme të kohës. Vlerat shpirtërore, megjithëse formohen në kohë, hidhen jashtë kohës në të ndjekur ato pika synimi që vetëm mendja mund t’i arrijë dhe shpirti t’i përvetësojë. Në fenomene të tilla koha mënjanohet, mendimi hidhet përpara ndaj së nesërmes së kohës, ndaj revolucionit të evolucionit. Ky roman esé, na provon, me ndërmjetësinë e protagonistit Mamot, (diplomati që udhëton me tren nga Berna në Milano) fazat e ndryshme të pjekurisë në kohë. Pjekuri, që në fazën përfundimore del me fitore mbi kohën, me anë të hovit mendimor, të evolucionit shpirtëror, synim i padyshimtë i të gjitha krijesave të botës. Mamoti, me hirë, mbetet i pakufizuar në një pikë të globit, për të përfaqësuar tërë njerëzinë: rron, gabon, pëson, mëson. Nuk ka çaste në jetën e tij që vuajnë disi, nga një farë mungese emocioni, fakte që mënjanojnë monotoninë e jetës. Jetë, që për të shpërthyer në pjekurinë brëndore, ka nevojë të rrojë në përmasën më të plotë të kohës. Si rrjedhim, Mamoti përballon të gjitha problemet që jeta i parashtron, matet dhe vuan me to, për to dhe në fund del me fitore. Fitorja e pjekurisë që s’kërkon viktima. Fitorja e mendimit, që ka përvetësuar relativitetin e fenomeneve të botës. Fitorja mbi kohën. Duke u marrë me këtë libër, më duket se Pacifistët e globit thonë: “Mamoti është secili prej nesh. Ne të gjithë duam të jemi si Mamoti!”. Ngjarjet mbartëse të brendisë filozofike i shkojnë për shtat si një kostum letrar e psikologjik edhe popullit shqiptar. Dhe i rrinë bukur këto “veshje” që Nermini ia dhuroi jo vetëm letrarisht. Populli ynë i lashtë, malësor, i pjekur në kohë nëpërmjet vuajtjeve, nëpërmjet mendimit, nëpërmjet evolucionit shpirtëror. Dhe, si pasojë, del në dritë se rrënjët e lashta të Mamotit mund të jenë ushqyer në tokën pjellore të Shqipërisë.ndërkohë, kuptojmë që vetë Nermin qe një pacifiste e madhe. Pa u marrë me analizën e tekstit, mendoj se vlen t’i kujtoj lexuesit të gazetës “Dielli”, që pasthënie ky roman ka shkrimin e brilantit Ernest Koliqi (që me Kutelin cilësohen bashkëthemelues të tregimit modern shqiptar). Është fjala për shkrimin e Koliqit, “LIBRA TË LEXUEM” që e bëri në respekt të botimin italisht të romanit “E nesërmja e Kohës” me titullin “Ex”, (shih: “Shejzat”, nr. 5 – 8, 1972). Pasi vlerëson romanin si një provë të re të talentit letrar të autores, ndër të tjera, Koliqi shkruan: “Në kët ajo derdh përvojën e jetës së vet me qëllime morale disi mâ depërtuese se përpara dhe me cenë shpehëse mâ të theksueme. Nji grumbull i larmíshëm ngjarjesh shtjellohet tue pasqyrue në kët vepër tregimtare pështjellimin e zakoneve të kësokohëshme plot turbullim. Të gjitha epizodet e rromanxit përfundojnë, të thuesh, në trishtim tue lânë mbrapa mbresa t’idhëta. Shka s’ka në 200 faqet e tij! Dashunína të lêjshme e të palêjshme, rreziqe e ndjekje, peripetína diplomatike, arratija spiunazhi, drogë edh’epshe demuese, zbritje kah vesi e nji pjese së rinís qi shmanget nga themelet e shëndoshta të traditës. Por ky varg ngjarjesh, qi të rrëmben në gjiret e jetës ultramoderne, nuk përbân veçse gërshetin e dukshëm të rromanxit dhe sherben vetëm si objekt për të gjetë thalbin e mshefun të jetës njerzore. Nën kët landë në të cilën brumi njerzuer parashtrohet i ngjeshun me tharme marrije e djallëzije, endet e padukëshme nji pëlhurë e rrastë ndiesísh qi i apin hov tregimit kah epërsít shpirtnore. Pyetje të ngashërueme qesin krye aty këtu përkitazi me fatin e njeriut qi në kët shekull tronditet nga fuqi të panjoftuna të cilat e shtyjnë me libue (aborder) në brigje përtè pushtetit të Kohës”. (Shih: Falaschi, Nermin Vlora: “E nesërmja e Kohës”, Shkup, “Gjon Buzuku”, 1991, f.188).
“Vera”, një libër i ngrohtë si mozaik ylberor: Kur isha në Itali, një mbasdite dimri shkoj në Romë, i fuar nga çifti ideal dhe idealist Falaschi. Ka qenë data 17 Shkurt 2000. Organizohej një veprimtari e madhe Akademisë Kulturale “ILIRIA”, Themeltare e së cilën qe humanistja e nderuar Nermin Vlora Falaschi. Ajo më njoftonte kur në Romë organizoheshin shqiptarët për takime kulturore, atdhetare e letrare. Shndërroheshin në festa mbarëkombëtare. Eh!.. Nermini më dhuroi një libër – album, me tekst, piktura dhe fotografi. “VERA” titullohet, është i shkruar në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe italisht. Në Romë është botuar. Korrik 1998. Me 62 faqe të shkruara është. Vërtet s’ka shumë faqe, por ka një det me dashuri, një mal me mall. Ka mesazhe mirësie dhe bekon përkrahje yjnore. Është libër mirënjohjeje. I kushtohet të paharruarës Vera Blloshmi Mellet, vajza e vajzës së parë të themeluesit të shtetit shqiptar, piktore shumë e njohur shqiptare në Angli e me famë botërore. Autorja e çel homazhin me fjalët: “Ky album i vogël, kushtuar Verës, dëshiron të jetë urim, admirim për ata që luftojnë për Liri e Paqë, në Dardaninë fisnike. Shkruar në tri gjuhë. Në gjuhët e botës. Me gjuhë të bilbilave. Që ta marrë vesh bota. Edhe Toka. Edhe Qielli: “…fluturove buzëqeshur n’hapësirë/ hapësirën e pafund t‘kohës,/ ku vetë koha, tashmë asgjësohet…” [Qershor 1998]; “… smiling you have flown into the space,/ the infinite space of time,/ where time now fades away…”; “…sei volata sorridente nello spazio,/ spazio infinito del tempo,/ ove ormai il tempo s’annulla…”. Kush ishte Vera? Më pëlqen se Nermini na e paraqet letraisht: “Ajo ishte flladi i verës, fladë frymtarie ku brenda sajë vezullonte zejtaria e artit, me shkëndira të vazhdueshme krijimtarie dhe larmi tematike me shkallëzime poetike të ngjyrave harmonike, ku faktorë i gjithëpushtetshëm ishin sytë e personave që ajo pikturonte”. Pastaj tregon. Ka një rrëfim simpatik. Dhe interesant: “Vera dhe unë jemi rritur së bashku, si motra, ndoshta si binjake, meqë kemi plotësuar njëra tjetrën. Ajo kishte prirje për pikturë dhe i ka mbetur besnik gjatë gjithë jetës. Unë kisha talent në fushën e humanistikës. Dhe, gjatë gjithë jetës sime jam marrë e po vazhdoj të mirrem me gjuhësi dhe me interpretimin e mbishkrimeve të lashtësisë… Unë linda me 18 prill, Vera me 19 prill. Ne ishim dy veta që plotësonim njëra tjetrën. Prirjet tona të ndryshme në të gjitha fushat kanë krijuar atë afërsi shpirtërore që shprehet në heshtje. Dhe heshtja ësht zëri i këthjelltë i natyrës që krijon, në mënyrë të pavetdishme ndajafërsi shpirtërore. Vera dhe unë kishim krijuar nji fletore ku, në faqen e majtë gjindei nji vjershë e ime dhe, në atë të djathtën nji vizatim i Verës, në përputhje me temën e vjershës. Ishim të vogëla, 10 – 12 vjeçare. Njërën prej atyre vjershave: “Kënga e nji zogu”, shkolla ia dha Revistës “Diana” ku dhe u botua. Por erdhi nji ditë fatkeqe, kur fletorja me vjersha e vizatime, bashkë me të gjitha gjërat që ndodheshin në shtëpi, u tërhoqën prej shtetit, miratim i njizëshëm, meqë ata i përkisnin popullit e nuk mund të ishin pronë private: “as fletorja e dy fëmijëve që kishin bërë nji punë artistike””.
Nga rrëfimet e Nerminit: “Është një periudhë e gjatë, ku edhe jam vlerësuar me tituj si studiuese e gjuhës shqipe, duke vënë në jetë amanetin e gjyshit, që të mos reshtim për Shqipërinë. Si diplomat me përvojë, Renco studioi, hulumtoi dhe shkroi librin “Diplomacia e Ismail Qemalit”, të cilin unë e kam përkthyer në gjuhën shqipe. Tërë jetën e tij respektoi veprën e Ismail Qemalit, jo sepse ishte gjyshi im, por se admironte zgjuarinë dhe diplomacinë e plakut të Pavarësisë, që e kishte idhull, sikur të ishte shqiptar”. Ky fakt na ngelet në mendje. Nuk shlyhet kurrë: Edhe pse ishte me origjinë italiane, Renco ishte i mahnitur pas historisë shqiptare dhe kulturën e këtij populli. Por mbi të gjitha shkroi shumë për Ismail Qemalin. Dhe këtë e bëri jo se ishte gjyshi i bashkëshortes, por tek ky politikan pa vlerat e një strategu të madh që çoi një komb drejt pavarësisë. Por amaneti i tij i fundit tregon edhe dashurinë që shfaqi për kombin shqiptar. Flet Nermini, (ende pa ikur vetë): “M’i ka thënë me humor, për të mos ndier peshën e dhimbjes, por tani që ai nuk është më, ato duhet të vihen në jetë. Amanetin nuk e tret dheu – kemi një shprehje në shqiptarët – Çdo gjë duhet të shkojë në vend të vet. Sipas traditës italiane, Renco ka kërkuar që të digjet trupi i tij pas vdekjes dhe hiri të vendoset pranë meje kur të kaloj në përmasën tjetër. Donte që të ishim bashkë përjetësisht në Kaninë të Vlorës, vendlindjen e të parëve të mi. Unë e kam kundërshtur djegien e trupit, por do të jetë mendimi i përbashkët me tim bir, Roberton, që është ambasador, për të vendosur e zbatuar amanetet e tij. Ajo që ndiej në këto momente është dhimbja për humbjen e tim shoqi”. Shumë njerëzore, shumë familjare, shumë e vërtetë. Mallëngjyese. Shumë! Renzo Falaschi e la amanet që të prehej në tokën shqiptare në Kaninë të Vlorës. Djali i tyre Roberto pruri një vazo simbolike me hirin e Babait Italian Renzos dhe të Nënës së tij Shqiptare Nermin. Qe data 6 Korrik 2005, kur në varrezat e qytezës së Kaninës erdhi vazua me hirin e dy të ndjerëve dritërues. Dhe atje pushojnë të dy si meteorë dashurie, lirie, diturie dhe mirësie, nën hijen e gjelbër dhe paqësore të ullinjve mbi Vlorë.
Dy fjalë jetëshkrimore: Sinqerisht duam të shkruajmë e të shkruajmë pafundësisht për veprën e madhe që bëri dhe që la Nermini, se qenë e ngelen visare. “Gjeologët” e letrave bëjnë mirë ta piketojnë si duhet veprën letrare dhe studimore të Nerminit. Megjithatë, kërkohet të bëjmë dhe një jetëshkrim të vogël të Motrës së Madhe Nermin Vlora. U lind më 18 prill 1921 në Tiranë, ku mori dhe mësimet e para në shkollën “Motrat Qiriazi”, dhe të mesmet po ashtu në Tiranë, në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Që nga mosha e re Nermin Vlora tregoi prirje për t’u marrë me krijimtari. Siç e pohon dhe vetë, ka filluar të shkruajë vjersha qysh në moshë shumë të re, në vitet ’31 – 32 të shek.XX. Gjatë shkollës së mesme përktheu vjersha nga gjuha frënge dhe italishte në atë shqipe për emisionet e Radio Tiranës. U martua me diplomatin italian Renzo Falaschi (Renco Falaski) dhe shkoi në Itali. Studio shkencat juridike në Siena (Toskana). E pajisur me dituri të thellë u dha pas krijimtarisë letrare dhe asaj shkencore. Në këtë drejtim, përveç gjuhës shqipe, e ndihmuan edhe gjuhët: italiane, frënge, angleze, spanjolle, greke, turke që i fliste dhe i shkruante bukur. Ligjëroi në shumë universitete të botës: Angli, Portugali, SHBA, Ugandë, Kolombi, Kinë, Çekosllovaki, Kosovë etj. Fushat e interesimeve të saj, përveç asaj shkencore, shtrihen edhe në atë letrare, historike, arkeologjike, linguistike, pra në lëmin e pasur të humanistikës. Disa nga veprat e saj janë përkthyer janë përkthyer edhe Lisbonë, Bogota, etj. Kontributet e saj shënohen në fushën e letërsisë për llojet e romanit, të poezisë, të esesë dhe të reportazhit, udhëprshkrimeve. Gjithashtu ka lënë gjurmë të dukshme dhe në shkencën e re të Antrolologjisë Kulturore. Ka botuar mbi 30 libra, midis të tjerash: “Zotërues i kohës” (1967), “Nga gjysmëhëna tek hëna” (1973), “Momente kolombiane” (1979) – poezi; “Udhëkryqi” (1968), “E Nesërmja e Kohës” (1971), “Gjurmë gjaku” (1974), “Lejleku kokartë” (1976) – romane; “Kina” (1972) – udhëpërshkrime; “Bashkësia dhe autonomia” (1973) “Konsiderime mbi civilizimin Çibça” (1979), “Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët (1984), “Etruskishtja gjuhë e gjallë” (1989) – studime; përktheu nga anglishtja në shqip “Kujtimet e Qemalit” (1974), ndërsa nga italishtja librin “Ismail Bej Vlora”(1985). Gjithashtu nga anglishtja në italisht nermin Vlora ka përkthyer librin “Ismail Kemal Vlora e l’Indipedenza dell’Albania 1912 Memorie” (Ismail Qemal Vlora dhe Pavarësia e Shqipërisë, 1920 Kujtimet) me shtesa e plotësime historike nga Renzo Falaschi; Romë, 1992; monografi me 412 faqe. Do të shtoja që romani “Udhëkryqi”, në variantin original në italisht “Il bivio, Bolonja (1967), me 222 faqe, është një botim luksoz me lidhje të trashë, me kopertinë të, trashë, me kopertinë të realizuar nga piktorja Vera Mellet. Libri përmban edhe DVD. (S’po merremi me zbërthimin e librit, se s’do të mbaronim kollaj). Jë kontribut kulturor dhe shkencor i Nerminit është botimi trigjuhësh: shqip – “Nga etnocentrizmi në pluralizëm kulturor”; anglisht – “From ethnocentrism to cultural pluralism”; italisht – “Dall’etnocentrismo al pluralismo culturale”, Bardi editore, Roma, 2000, me 220 faqe në format A4. Biblioteka e ka dhuratë me autografin e saj këtë libër me shënimin në shqip: “Profesorëve dhe nxënësve të Universitetit “Ismail Qemal Vlora’ i uroj të gjitha të mirat dhe qofshin kolonat e kombit tonë të dashur e shumë të lashtë, duke pasur si shembull veprimtarinë e atij që mban emrin e këtij tempulli të rëndësishëm. Me dashamirësi Nermin Vlora Falaschi”. Nermin Vlora ka fituar çmime të ndryshme letrare, nga të cilët më të rëndësishmit janë: laura “Honoris causa” nga Universiteti i Tuksonit (Arizona, SHBA); dy çmime nga Kryeministria e Italisë, për zhvillimin e kulturës; dekoratën “Oficial de la Orden di San Carlos”, nga qeveria e Kolumbisë për botimin e librave mbi qytetërimin e lashtë parakolumbian “ÇIBÇA” dhe për aktivitetet e ndryushme kulturore që zhvilloi në Kolumbi, gjatë pesë vjetëve që bashkëshorti i saj ishte Ambasador në Kolumbi. Etj. Gjykoj se meritojnë të përfillen nga kritika e specializuar poezitë e saj fluide, romanet historike, filozofike, shoqërore për emancipimin e gruas dhe me eksperienca udhëtimesh. I përkas atij grupi të punëtorëve të penës që mendojnë se shkrimet e librat me gjurmime mbi qytetërimet e lashta, sidomos ato për qtytetërimet e lashta mesdhetare meritojnë të përfillen edhe nga studiuesit, arkeologët e antropologët tanë. Se bota i ka vlerësuar. Nermini na dëshmon, sipas saj, me prova të pakundërshtueshme, se dokumentet epigrafike të lashtësisë, nga deti Egje deri në Oqeanin Atlantik, interpretohen me anën e dialekteve të gjuhës shqipe, e cila vjen drejtpërsëdrejti nga pellazgo – ilirishtja. Do të ishte gjë e mirë për kulturën, po të formohej një komision akademik për t’i dhënë përgjigje vendimtare kësaj çështjeje kaq të rëndësishme, jo vetëm për Shqipëtarët, por për kulturën botërore dhe qytetërimin në përgjithësi.
Unë jam me fat: Çdo ditë, çdo mëngjes, gjithë ditën, çdo javë, çdo muaj, gjithë vitin e vit pas viti unë përshëndetem me Nerminin. Unë jam me Nerminin. Emrin e saj e kam në ballë të bibliotekës ku punoj në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Portretin e saj e kam sipër, djathtas mbi krye. Më jep dritë nga drita e saj. Dhe unë ua jap studentëve dhe pedagogëve të Universitetit. Çdo mëngjes më jep mirësi Hirësia e Saj. Studiuesi kosovar Hasan Hasani ka botuar monografinë : “Nermin Vlora Falaski”, Prishtinë, Shkëndija, 1992, me 118 faqe. Ndërsa shkrimtarja sentimentale dhe gazetarja rebele Zenepe Luka (Çekrezi), kryetare e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” ka botuar librin voluminoz “Rrëfej Nermin Vlorën. Ishim tri”, Vlorë, Triptik, 2005, me 511 faqe dhe një bllok fotografish me Nerminin pas tekstit të shtypur. Emra si Nermin Vlora zbukurojnë hijshëm letërsinë qytetare të Vlorës dhe të Shqipërisë. Dhe ullinjtë mbi Vlorë janë të bukur si sy Nermini…

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, humansite, Nermin Vlora Falaschi, shkrimtare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 457
  • 458
  • 459
  • 460
  • 461
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT