FIGURA ME DIELL TË LËNA NË HESHTJE-Kush ishte poeti, i burgosur nga fashistët che komunistët/
Nga Albert HABAZAJ/ studiues
Paraqitje: Vlora e shekullit XX paraqitet me një atlas të larmishëm letrar, sipas hierarkisë së vlerave artistike, të pasur me ngjyra dhe tinguj poetikë, që ravijëzohen sidomos në fushën e përkthimit dhe të publicisikës letrare dhe etnologjike. Poaq, ka patur figura me diell të lëna në heshtje. Mbetet një emër i paharruar për letërsinë juristi vlonjat Kudret Kokoshi – i njohur sidomos me vegimet epike, por edhe si poet i hollë lirik dhe përkthyes i zot. Profili i tij respektor lartësohet në tre plane: intelektual, poetik dhe atdhetar. Poeti human dhe brilant Visar Zhiti e ka klasifikuar krijimtarinë letrare të Kudret Kokoshit si poezi klasike e një njeriu të martirizuar për shqiptari. Në nderimin e 100 vjetorit të lindjes së Kudret Kokoshit, shkrimtari dhe publicisti Reshat Kripa e ka cilësuar Kudretin si poet të heroizmit kombëtar, ndërkohë që nuk harrohet sentenca e R. Kripës për Kudretin: “Ai nuk vdiq, se martirët nuk vdesin”. Ai erdhi dhe iku si frymë lirie, ëndërrimtar, idealist, shqiptar i europianizuar me dinjtet, intelektual atdhetar. Por ndërkohë, më tërheq vëmendjen shqetësimi i studiuesit Muharrem Jakupi, që analizat e mundshme strukturaliste apo psikanalitike të autorëve tanë të mos rezultojnë në pamflete “komikë” për shkencën e letërsisë. Edhe në trajtesat e derisotme për shkrimtarët vlonjatë dhe vendin e tyre në letrat shqipe, për veç F. Arapit tërësisht dhe P. Markos në gjininë e romanit, të cilët janë shkrimtarë modernisët, autorët e tjerë vlonjatë klasifikohen në letërsinë shqiptare të traditës (përfshi dhe autorin Kudret Kokoshi, profilin letrar të të cilit po trajtojmë në këtë shkrim, pa përsërsitur të tjerët). Dhe kuptohet, shkrime të tilla, përfshi dhe artikujt e autorit të këtij materiali shkrimor, janë këndvështrime, nuk janë punime shteruese, por japin ndihmesë modeste e origjinale në studimet letrare shqiptare.
Jetëshkrimi:
Substanca antologjike: Studiuesi i njohur kanadez Robert Elsie shkruan në librin “Histori e letërsisë shqiptare”: “Ndër shumë poetë aktivë para ardhjes së komunistëve mund të përmenden…dhe juristi Kudret Kokoshi (vd.1991) nga Vlora, i burgosur edhe nga fashistët, dhe më pas nga komunistët” (Shih: Elsie, Robert, vep. e cit., f. 327). Dhe më tej: “Ndër shumë shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë që u arrestuan e u burgosën gjatë gjuetisë së shtrigave pas Luftës së Dytë Botërore qenë…poeti Kudret Kokoshi (1907-1991). (Elsie, R., po aty, f. 378). Emri i K. Kokoshit nuk përmendet në asnjë nga botimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë “Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 2008 – 2009 (me 3 vëllime), se në FESH, 1985 as që mund të bëhet fjalë. Është një botim tjetër i nivelit akademik i Qendrës së Studimeve Albanologjike (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) që në librin “Studime për autorë të ndaluar” (Tiranë, 2008), krahas Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Ernest Koliqit, Zef Skiroit, Mitrush Kutelit, Martin Camajt, Astrit Delvinës, Ali Asllanit e Pjetër Arbnorit trajton letrarisht Kudret Kokoshin. Bëhet fjalë për studimin e Ylli Borës “Vlera dhe veçori të krijimtarisë poetike të Kudret Kokoshit” (Shih: “Studime për autorë të ndaluar”, vep. e cit., f. 305 – 321).
Të dimë më tepër: Kush është Kudret Kokoshi? Ai njihet si poet shqiptar, jurist dhe i burosur i ndërgjgjes. Është lindur në Vlorë nga Asliha dhe Hasan Kokoshi, më 18 shtator 1906, (një variant ka si ditëlindje të tij 18 shtator 1908, një tjetër vitin 1907). Formimi i tij është tërësisht perëndimor, sepse që shkollën fillore, të mesmen dhe të lartën i kreu në Romë. Kurora e arsimimit të tij tij në Perëndim konfirmohet nga Roma, më 17 mars 1938, kur Kudret Kokoshi, pas laurimit të 27 nëntorit 1933, merr diplomën Doktor i Jurispudencës. Talenti i tij i avancoi më tej ambicjet intelektuale, të cilat e futën në hullinë e studimeve të thelluara për letërsi e filozofi në kryeqytetin latin dhe shfaqet si zotërues perfekt i gjuhës italiane. Këtë e fakton edhe fitimi i çmimit në poezinë italiane. Plotësimin e tij kulturor ai e videntonte edhe me njohjen e gjuhës frënge, latine dhe greqishten e vjetër. Familjarët na thonë se Kudret Kokoshi, që dinte 12 mijë vargje përmendësh nga Komedia Hyjnore (Divina Comedia) e Dantes, të mahniste me komentet e tij shkëlqimtare e mbresëlënëse.
Ai e respektonte familjen dhe martesa e tij i fali dy fëmijë. Mbasi kreu studimet jashtë shtetit, në fund të vitit 1933 kthehet në qytetin e tij të lindjes, duke hapur një zyrë avokatie, ku ushtroi profesionin e avokatit deri në vitin 1936 . Mandej emërohet ndihms gjyqtar në Bilisht, Pogradec dhe nga fundi i 1938-ës vijon karrierën si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë, Shkodër e Tiranë. Në vitin 1941, me porosi dhe sipas vizionit kombëtar të kryeministrit të kohës z. Mehdi Frashëri shkon në Kosovë për të organizuar atje gjyqësorin dhe formimin profesional të kuadrove. Janari i 1942-shit e gjen kryeprokuror shteti në Prizren, ku shquhet për veprimtari atdhetare, në krye të lëvizjeve çlirimtare dhe përplasje me pushtuesit. Më 28 nëntor të atij viti plagoset nga policia italiane, sepse qe në ballë si udhëheqës i demonstratës së Prizrenit. Falë ndërhyrjes dashamirëse të një oficeri kosovar pranë xhandarmërisë, e kthyen në Shqipëri, ku gjendej për gati tre muaj në gjendje kome në Tiranë. Shansi i madh i gushtit 1943, i pafat për shqiptarët e gjen në Mukje, si anëtar të delegacionit nga forcat nacionaliste. Konferenca historike, që me vendimet e saj tentoi të hidhte themelet e demokracisë shqiptare, u kthye së prapthi nga komunistët me vendimet e tradhëtisë së madhe dhe orientimit të gabuar. Janari 1944 e gjen po në Kosovë, në vijim të ushtrimit të detyrës, por pas dy muajsh arrestohet nga Gestapoja dhe internohet me dijeni të serbo-komunistëve në kampet e shfarosjes në Prishtinë dhe më von në kufirin austro-hungarez.
Kudret Kokoshi ka ushtruar detyra shteterore e shoqërore; ka patur dhe aktivitet të dendur politik, por gjithmonë në shërbim të Atdheut, me tendeca perëndimore qytetarie, kulture e zhvillimi përparimtar të vendit që e lindi e të cilit iu përkushtuar deri më 26 prill 1991, kur mbylli sytë.
Duke ecur në gjurmët atdhetare deri në përmasa kombëtare të fisit me emër të Kokoshajve, edhe Kudretin monarkia e kishte trajtuar si kundërshtar (jo vetëm ngaqë xhaxhai i tij, Qazim Kokoshi ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare në Luftës e Vlorës). Kulmohet ky fakt me rastin e 7 prillit 1939, që e gjeti në Korçë, në demonstratën e madhe, duke kërkuar armë lirie. Marrëveshja e Mukjes e gushtit 1943 do të ishte shumë e dobishme po të dëgjohej mendimi i pjekur i vlonjatit 37 vjeçar. Më 1944 – ën zgjidhet unanimisht kryetar i Komitetit të Rinisë Intelektuale të Prizrenit, mik me profesorin e madh Selman Riza.
Merr furi veprimtaria e palodhur e Kudret Kokoshit për komb e dituri: Boton gazetën javore “Lidhja e Prizrenit”; mbledh dokumente mbi veprimtarinë e dëmshme të serbëve dhe italianëve në tokën shqiptaro – kosovare; merret me organizimin emancipues të gruas shqiptare dhe me çeljen e kurseve për të rritur (burra e gra). Kudret Kokoshi më 19 mars 1944 shënoi veprimtarinë e parë të rinisë Intelektuale të Prizrenit dhe vetëm tre ditë më pas, më 22 mars organizon konferencën: “Simbol i atdhetarizmës shqiptare” për nder të Plakut të Maleve Bajram Currit. Edhe pse arrestohet në mes të vitit 1944 nga serbo-nazistët dhe internohet në kampine e Prishtinës e shumë shpejt në Bycyrkli-midis kufirit austro-hungarez, Kudret Kokoshi nuk përulet, por ngrihet vigan mbi torturat psikologjike dhe fizike të katilëve të zinj a të kuq. As kur lirohet nga kampet e internimit me shumë partiotë të tjerë shiptarë, malazezë, serbë e hebrenj, edhe pse ndërhyri ushtria ruse, karakteri i Kudretit nuk metamorfozohet, se s’tutet vlonjati që i këndoi si ai bëmave të Toto Hosit e legjendarëve të tjërë të Luftës së Njëzetës. Për këto motive, në kthim, arrestohet nga komunistët serbë, të cilët e dorëzojnë me porosi të misionarit sllav D. Mugosha tek Sh. Peçi. Edhe pse e kishin zili intelektin e tij shembullor, nuk mund ta linin pa e ndëshkuar me liri të kufizuar e dënime të tjera për ndikim psikik e fizik, sepse e njihnin që ishte njeri i ditur dhe me influencë në plotësimin e radhëve nacionaliste. Si mik idealesh i Mit-hat Frashërit, korifeut të shqiptarizmës dhe ajkës së inteligjencës shqiptare të kohës, Kudreti u agazhua me shpirt në radhët dhe në ballë të Ballit Kombëtar vetëm kundër pushtuesit të huaj.
Është e veçantë dhe shembullore mbrojta që bëri Kudreti, jo si jurist, por si atdhetar me shpirt të madh duke interpretuar në gjyq poezitë e tij me frymë antifashiste. Vendimi me pushkatim nuk u realizua, si pasojë e presionit të fuqishëm mbarëshqiptar, brenda e jashtë kufirit shtetëror dhe u kthye në burg të përjetshëm, por me trysninë e vijueshme popullore më pas u ul në 21 vjet burg. Dhe pas burgut famëkeq ai nuk u tut, por vijoi me vendosmëri, eci në rrugën e dritërimit të kësaj shoqërie.
Kudret Kokoshi poet dhe përkthyes. Ishte njeri dhe inteligjent i madh, i lindur për poet epik e përkthyes klasi. Ndërkohë qe dhe një vjershëtor i përkushtuar i ndjenjës së hollë lirike për familjen, për nënën, për motrën, për peizazhin e sidomos për mbesën ermirë Mira. Kudret Kokoshi qe një adhurues i zjarrtë i Hygoit. Ai është cilësuar si poet i heroizmës shqiptare; ligjërues dhe orator, si ai, për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare; për doket dhe traditat e këtij populli, për besën dhe nderin e shqiptarit; për Pirron e Teutën; për Skënderbeun dhe Ismail Qemalin; për Faik Konicën dhe Fan Nolin; për Bilbilenjtë fodullë, që, duke dredhur cigare, “vanë në litare vetë”, për të shpëtuar fshatin që i strehoi e i ruajti nga koshadhet. Disa nga poezitë e Kudretit si “Vegim epik”,”Vlorës”, “Toto Bolena”, “Luftëtarit të Kombit ”,”Epope”, “Spartaku”, “Nënës”, “Gruas shqiptare”, “Këngën më të bukur këndoj”, poezia klasike “Të dua Shqipëri” apo dhe “Neroni” e ngritën atë njeri të martirizuar në rè më krenar. “Epitafi”mbetet vepra gjeniale e këtij personaliteti, por s’u bë i mundur botimi i tij. Si shumë poezi të tij “Epitafi” recitohej nga të burgosurit, duke ndihmuar kështu në krijimin e ndërgjegjes kundërshtuese dhe të qëndresës: “Jetova jetën pak e vojta shumë/ Po dhe në vojtje prapë dashurova/ Dhe kur të bie të fle të fundit gjumë/ Oh! mos pandehni, jo, se un’ pushova;/ Ju mos pandehni jo, se do hesht fare,/ Në varr të zi kur eshtrat të më treten,/ Sepse në vargun tim, shkrepëtimtare/ Të rrahjes zemrës time do të mbeten!/ fuqinë ja rrëmbeva un’ stuhisë/ Dhe me ‘të mbrujta vargjet pët Atdhenë/ Prej zjarrit kur u dogja të lirisë/ Dhe Vlorës i këndova epopenë”. Më të plotë, portretin letrar të Kudretit e ka gdhendur me daltën e artit poeti i dinjitetit human Visar Zhiti, që ka derdhur visaret brilante të shpirtit më bukur se çdokush tjetër, si poeti poetit. Ndërkohë emri i Kudret Kokoshit si përkthyes nga shqipja në italisht evidentohet në librin “Antologia della letteratura albanese” krahas Eugenio Scalambrinos, Renato Baldinit, L. Jeuse, Girolamo De Radës, Ernest Koliqit, Jolanda Kodrës etj., me përkthimin e romanit “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxes apo të romanit historik “Kështjella” të Ismail Kadaresë, me prozë a poezi të tjera të Kadaresë, të Fatos Arapit, Qamil Buxhelit, Adem Istrefit, Vehbi Skënderit, Elena Kadaresë etj. Veçse, në çdo libër të përkthyer prej K. Kokoshit, emri i tij si përkthyes nuk shkruhej në librin e botuar, (edhe pse, sipas shkencës së bibliotekonomisë, për nga rëndësia, përkthyesi është i dyti në hierarkinë e vlerave, pas autorit dhe para redaktorit). Përse nuk vihej emri i përkthyesit Kudret Kokoshi? Absurditet. Pse? Se ishte shqiptar i pastër?! Se ishte intelektual i mirëfilltë?! Se ishte kundër pushtuesve?! Se qe antififashist?! Se qe kundër nazizmit?! Se e donte Shqipërinë në hapësirën e saj, me trojet që ka patur qysh kur u krijua jeta njerëzore në planetin tokë?! Se u persekutua dhe u burgos për t’u shfarosur nga nazistët?! Se u persekutua dhe u burgos për t’u shfarosur nga komunistët?! Se nuk fëlliqi kurrë dorën të vriste një shqiptar?! Më thoni kë ka vrarë Kudret Kokoshi?! Poeti, ai i vërteti nuk vret. Poeti fal dashuri, shpirt, mirësi, dritë. Ja ç’shkruan poeti atdhetar, ky idealist i pandreqshëm, që donte deri në frymën e fundit të bënte Shqipërinë, që s’e ndërroi Francën me Shqipërinë e tij, kur shpëtoi nga bishat naziste në Prizren: “Mallkuar qofsh, Benito Musolini!/ Një zë nëmës shpërthen nga çdo stërkalë,/ Mallkuar qofshi ju që vdekjen bini,/ Dhe nëma ushton nga mali në mal”. Një nga poezitë më përfaqësuese të Kudret Kokoshit është ajo me titull “Toto Bolena”. Frymëzim për autorin u bë luftëtari nga Bolena Toto Hosi, i cili, me vetmohim dhe heroizëm legjendar, luftoi e ra për popullin dhe Atdheun e vet në Luftën e Vlorës më 1920. Kjo vjershë u kushtohet gjithë heronjve të heshtur që më 1920 atdheut i dhanë dhe jetën dhe asgjë nuk i kërkuan. Toto Bolena është njëri nga ata njerëz të thjeshtë të popullit, që braktisi shtëpinë e berrat në Çipinin me trëndelinë, rroku armët, luftoi dhe vdiq për Shqipërinë. Në fushën e luftës, mitralozi i pushtuesit i çau barkun. Trimi, me zorrët zvarrë luftonte si kreshnik…Ra si burrë, si lab, si shqiptar për Shqipëri. Por “një komb për t’cilin vdiqe as nuk e di ku e ke varrë!” revoltohet e zemërohet poeti. Vjersha është shkruar në vitin 1934 dhe, në atë kohë kur Kudreti thuri këto vargje mbushur me lavdi, krenari e dhembje, jo vetëmqë nuk dihej ku preheshin eshtrat e heroit, por as emri nuk i njihej. Kjo mospërfillje dhe përbuzje karshi atyre që kishin luftuar dhe kishin rënë për nderin e Atdheut: “Jo mermerë, jo dhe këngë, o bari, ty të kujtojnë!/ Përmendore t’janë brigjet, që këtë Vlorë rrethojnë./ Këngëtar hyjnor ke detin, që ulurin e shkumëzon/ Emri yt kushtrim beteje, m’u në shpirt po më gjëmon./ Jo mermerë, jo dhe këngë, ju kujtim dhe jo një lot,/ Ky komb për t’cilin vdiqe, përmbi varr nuk të derdh
dot,/ Se nuk di ky komb, o Toto, që një ditë ti ke rarë,/ Mbi kodrat e Vlorës trime si heronjtë legjendarë!/ Një gunë hedhur përmbi supe në një natë plot gjëmime, / Flakërim nër sytë ti kishe dhe në zemër ëndërrime,/ Dhe në grushtin e çelniktë krrab’në e berrave mbërtheje…/ Me atë kërrabë historike kundrejt Historisë veje!/ Me atë kërrabë shpëtimtare mbi armikun u vërvite!/ Edhe mbi qytetin e shenjtë shkabën dykrenore ngrite!/ Njëqind plumba të goditën, po ti re me këngë n’ gojë:/ “Un’ po vdes…oh, le të vdes, vetëm shqipja le të
rrojë!/ Barkun mitralozi t’hapi, zorrët i mbajte me dorë…/ Ti po vdisje me një pyetje: “Do vemi sonte në Vlorë?”/ Mitralozi të çau barkun, ti i hoqe zorrët zvarrë…/Por një komb për t’cilin vdiqe as nuk e di ku e ke varrë!” [Vlorë 1934]. K. Kokoshi, që bëri të flasin italisht veprat më të shquara të lëtërsisë shqipe, nuk mund të krijonte me frymëmarrjen poetike të të tjerëve. Ai qe njeri i madh, qytetar i pasur me shpirt, me prona e kapital, por që vetë iku ekonomikisht më dobët se De Rada i cironkës, ndërsa të pasmit e tij, po aq idealistë sa Qazimi, sa Kudreti bëjnë luftë me djallin ndaj padretësive. Vlora i di pronat e tij në Skelë. Vlora e sheh zaptimin e tyre “kaukazian”. Kudret Kokoshi e ka gdhendur portretin e shqiptarit në kohë dhe në hapësirë: “Kush lufton mbi ato brigje?/ Oh, kush vdes duke kënduar?/ Kush tha: Rroftë Shqipëria?/ Kush këndon duke rënkuar?”. Shkon hijshëm të jetë dhe epitafi i profilit të tij si poet, përkthyes dhe intelektual atdhetar.
Njihet krijimtaria e tij e botuar, por me që jemi angazhuar në këtë mision për shkrimtarët e Vlorës, vlen të përditësojmë një paraqitje të shkurtër të 13 regjistrimeve të gjetur në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, ku përfshihen poezi dhe studime. Libër poetik i botuar me emrin e tij është vetëm një “Drithmë jete: poezi”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1995, me redaktor Visar Zhitin. Ndër vjershat dhe artikujt e tij me kritikë letrare shënohen: dy vjershat e tij “Epope” dhe “Toto Bolena”, botuar te “Liria A”, Nr. 32, 5 Maj 1996, f. 4; “Epitafi” në “Rilindja Demokratike”, Nr. 942, 27 Prill 1995, f. 6; “Të dua, Shqipëri!”, “Vjena”, “Kthimi” Leka (shtojcë e “Rilindjes”, Nr. 577, 30 Prill 1995, f.7; “Vegim epik”, “Mbrëmje (Romantiçizmë)”, “E di që ka një emër…” në “Bashkimi”, Nr. 17, 29 Prill 1995, f. 5; “Lidhni besën për atdhe, ju me gjak të Kastriotit”, në “55”, Nr. 88, 18 Prill 1999, f.15; “Lasgushi, gjeniu i letrave Shqipe”, në “55”, Nr. 293, 26 Dhjetor 1999, f. 12; “Të njoha”- [poezi], në “RD”, Nr. 3132, 21 prill 2002, f. 21; “Cikël poetik”, në “RD”, Nr. 3216, 28 Korrik 2002, f. 20 – 21; “Të dua Shqipëri!” – [poezi], në “RD”, nr. 3462, 1 Qershor 2003, f. 22; “Gjuha letrare”, në “Phoenix”, Nr. 4 – 6, 2002, f. 221 – 222; “Ermirës” [poezi], në “Standart”, Nr. 881, 10 Maj 2008 f. 28; “Poezia e Lasgush Poradecit”, në “Mapo” V, Nr. 175, 31 Janar 2011, f. 23. Duke u futur në kohë, kur Kudreti ishte një shqiptar erudit, idealist dhe krijues i përkushtuar i poezisë së angazhuar atdhetare mban qëndrim ndaj poezisë melankolike e kozmike dashurore të Poradecit. Arësyeja qe nga që Lasgushi merresh më tepër dhe seriozisht me poezinë erotike dhe atë filozofike, që siç thotë Çabej, sjell një drithmë të re
Kudretin do ta studiojmë në konteks. Jemi në kohën kur Çështja Kombëtare nuk qe zgjidhur ende, kur kudo mbizotëronte fryma e bashkimit kombëtar, si dhe e një qëndrimi militantist ndaj Çështjes së Madhe, saqë Kudret Kokoshi, e cilësonte princin aristocrat të lirikës shqiptare si një “bilbil” që nuk na prish punë, prandaj le ta lejmë të këndojë, duke e nënvleftësuar atë, sikurse edhe disa të tjerë që i përkasin asaj periudhe. Ndërkohë, portretin njerëzor dhe atdhetar të Kudretit më mirë se kushdo tjetër e njohin qytetarët e Vlorës, paria e vendit, Shqipëria mbarë e Kosova. Për këto arsye, Kudret Kokoshi mbetet dhe sot e kësaj dite figurë emblematike për intelektin e spikatur dhe atdhetarizmën e vërtetë me një profil mbarërespektues, që, për meritat e tij të padiskutueshme dhe për kontributin e shquar që ka dhënë për atdhe e për kulturë, me kohë e ka merituar vlerësimin “Nder i Kombit”. Krijuesit vlonjatë, të organizuar në shoqatën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, Vlorë, me ndihmën e bujarit fisnik Bujar Leskaj, japin dhe çmimin “Kudret Kokoshi” për përkthimin më të mirë në poezi, të cilin deri më sot e ka fituar përkthyesja dhe shkrimtarja Laureta Xh. Petoshati. Studiuesi Ylli Bora na jep këtë profil të autorit” Kudret Kokoshi aq sa është poet i epikës dhe i heroikes, është edhe poet i lirikës dhe I intimes, aq sa ëshët poet i motiveve të mëdha të përbashkëta është edhe i motive deri individuale, por që aspak nuk tingëllojnë sit ë tilla (Shih: “Studime për autorë tëndaluar”, vep e cit., f. 312). Poezia emblematike e lirikës familjare është ajo me titull “Ermirës (ose artit të Poezisë)”, kushtuar mbesës dhe shpresës së tij ëndërrimtare: “Kaluan kështu, papandehur,/ Vjetët dhe u bë vonë!/ Në çastin vraponjës esht’ fshehur/ E këngës një jehonë./ Që vrullshëm një ditë buçiti/ Nga zemra ime e dlirë,/ Kur jetën e zymtë ma ndriti/ Buzëqeshja jote, Ermirë!/ Kur heshtas pa droje e me besë/ Rrugën e kaltër ngjita/Dhe qiellin me gaz e me shpresë/ Në syt’ e tu sodita,/ Kur flokët mbi krye, oh lehtë/ M’i ledhatoi puhia/ Dhe flatrat e shpirtit të qetë/ M’i drodhi harmonia!/ Aherë guximshëm e mpreha/ Këngën në zjarr luftimesh,/ Në agimet e merme u deha/ Me bukuri vegimesh!/ Më lart’ e më lart unë u ngjita./ Malit me krahë të lehta:/ Me flakët e me dritë u kalita,/ Te ti jetën e gjeta./ Oh, n’ecjen, që spati më prehje,/ I gajasur nuk rashë/ Dhe dritën që mora prej teje/ Ermirë, Ermirë, e dhashë!/ Kaluan kështu, papandehur,/ Ankthe vuajtje gëzime:/ Në çastin vraponjës ësht’ fshehur/ Jehona e këngës s’ime”, nuk është eshkruar me gërma apo thjesht me frymëzim artistik. Ajo është e gdhendur me frymë ëndrrash dritërore. Ajo është e mbushur me hoje mjaltorë pë bardhësisë e mesazheve dinjitozë që jep për jetën dhe dëshirat qytetare për njeriun, që burojnë nga shpirti i bukur i qytetarit të vjetër, i itelektualit të admirueshëm, të poetit të përkushtuar ndaj familjes, atdheut, mirësisë dhe përparimit.
* drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA