• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BACË, PËR KË LUFTOVE?

March 22, 2015 by dgreca

Nga Makfire Canolli/
Sot nuk po shkruaj vargje e as këngë, por do të shkruaj për diçka që në shpirt po më dhemb. Jo, sot nuk po më vlon në shpirt as vargu e as kënga sepse thellë jam e lënduar nga shumë padrejtësi qe po ndodhin atje në tokën tonë, në tokën e përgjakur me shekuj!!!
Dhe jam më se e bindur se këtë dhimbje nuk po e ndiej vetëm unë por qindra e mijëra shqiptarë, qofshin ata në trojet tona qofshin nëpër mërgatën e humbur nëpër Evropë, Skandinavi apo këndej oqeanit në Amerikën e largët!

Është një dhimbje që gradualisht po na vret të gjithëve në shpirt dhe fatkeqësisht po na shkakton plagë. Papunësia dhe varfëria ekstreme qe i ka kapluar vatrat shqiptare ku për fat të keq në mesin e atyre skamnorëve kemi edhe ish të burgosur politik dhe ish luftëtarë të Lirisë është një tradhti jo vetëm e” Idealit kombëtarë” Ideal qe i bashkoi ata trima rreth çështjes kombëtare me shpresën dhe dëshirën se një ditë do të gëzojmë të gjithë ditë më të mira dhe “Liri” të plotë. Por për fat të keq pas gjithë atyre vuajtjeve, persekutimeve, burgosjeve, mallteretimeve, vrasjeve e masakrave sot Lirinë e plotë po e gëzojnë pameritorët ata që fare pak apo edhe hiq aspak nuk kontribuuan për Lirinë e Kosovës!
Dhe në emrin tim, në emrin e të gjitha këtyre motrave, nënave dhe grave kosovare sot po të pyes Ty Bacë dhe po i pyes edhe qindra dëshmorë e mijëra bashkëluftëtarë t’u për kë luftuat Bacë?

Bac ,sot nuk po flas vetëm me zërin tim personal, sot po të flas me zërin e qindra e mijëra motrave, nënave dhe grave kosovare qe me lotë i kanë larë mijëra herë rrobat e motrave dhe vëllezërve të burgosur për t’ua larguar njollat e gjakut që rridhte nga torturat sebosllave dhe dhuna qe ushtrohej mbi trupat e tyre nëpër burgjet e Serbisë, në emrin e motrave, nënave dhe grave që me mijëra herë i kanë shikuar rrobat e përgjakura të bijave dhe bijve të tyre të masakruar e të vrarë, të bijave dhe bijve qe ia falën gjymtyrët Atdheut, e të mijëra tjerëve të zhdukur qe edhe pas 16 vitesh nuk gjinden eshtrat e tyre, po të flas edhe në emrin e mijëra motrave, nënave e grave kosovare qe i dhunuan kriminelët e Serbisë, pa i harruar as motrat, nënat dhe gratë e atyre qe na vinin në arkivole sa nga armata e atëhershme ca të tjerë nga mërgimi qe na i vriste UDB-ja serbosllave, e shumë të tjerë i ndiqte e përpiqej t’i vriste. Dhe në emrin tim, në emrin e të gjitha këtyre motrave, nënave dhe grave kosovare sot po të pyes Ty Bacë dhe po i pyes edhe qindra dëshmorë e mijëra bashkëluftëtarë t’u për kë luftuat Bacë?
Bacë, në Kosovë nuk po lulëzon Liria, po robëria ,korrupsioni varfëria dhe anarkia!

Bacë të jesh i bindur shumë pak gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë qe u vratë të gjithë Ju e që për fat të keq nuk ishit të pakët! E ai ndryshimi është se lufta me armë e me armikun serb përfundoi pjesërisht , por tani populli ynë po përballet me luftën e papunësisë e të varfërisë apo thjeshtë me luftën për ekzistencë dhe më e keqja shumica po luftojnë me vdekjen sepse sëmundjet e ndryshme bashkë me kancerin po lulëzojnë me të madhe dhe po vdesin çdo ditë fëmijët, rinia e të moshuarit e disa përpiqen të gjejnë shërim edhe në shtetet e tjera sepse shteti jonë sapo lindi e kapluan sëmundjet vdekjeprurëse korrupsioni dhe vjedhja të cilat jo vetëm e kanë lodhur por e kanë gjunjëzuar dhe vështirë se do të shërohet ndonjë herë!
Bacë, në Kosovë nuk po lulëzon Liria! Jo, jo atje po lulëzojnë sëmundjet dhe varfëria dhe padyshim aty ku ka varfëri sëmundjet lulëzojnë me të madhe.
Liria po lulëzon për disa por jo për të gjithë! Liri kanë hajdutët për të vjedhur, për të ndërtuar shtëpi e vila luksoze vend e pa vend, për të blerë makina luksoze vend e pa vend, për t’u punësuar kur duan e ku duan, për të shpenzuar sa të duan dhe kur duan, për të pasur paga marramendëse e shumë e shumë lukse tjera të cilat nuk i shijon e as nuk ka të drejtë t’i shijoj apo t’i gëzoj as fshatari, as qytetari, as punëtori, as bujku, as mësuesi, as profesori, as aktori, as krijuesi,as ish i burgosuri, as ish luftëtari i Lirisë, as fëmijët e dëshmorëve dhe sa e sa të tjerë!
Po Bacë “u krye”! U krye po jo ashtu si dëshirove Ti dhe mijëra tjerë qe u vranë me shpresën dhe dëshirën qe vërtet të çlirohet Kosova!

Bac në Kosovë Liria sa është e përkufizuar aq është edhe e përgjysmuar sepse ashtu siq nuk kanë Liri të plotë dhe të barabartë vetë qytetarët në tokën e Kosovës Liri nuk kanë as shqiponjat të fluturojnë mbi qiellin e Mitrovicës e cila tani e 16 vite është e ndarë apo thënë më mirë pjesa veriore i është okupuar nga serbët dhe Serbia! Dhe Ty o Bacë të thanë “Bacë u krye”!!!
Po Bacë “u krye”! U krye po jo ashtu si dëshirove Ti dhe mijëra tjerë qe u vranë me shpresën dhe dëshirën qe vërtet të çlirohet Kosova dhe të lulëzoj Liria për mbarë popullin tonë!
Lufta u krye Bacë për ata qe mezi prisnin t’i zinin kolltukët e të uleshin në karriget e pushtetit, por jo për trimat e Lirisë të cilët nuk i dorëzuan armët por i ndoqën shkiet e shkinave edhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë bashkë me sllavo maqedonasit në Iliridë! 
Bacë Ty të thanë:
Bacë të premë në besë për amanetin tuaj, flamurin kuq e zi e ndërruam,identitetin tone e pjesërisht e ndërruam ,bisedat po i bëjmë me Serbin e bile edhe darka po hamë me ta një tryezë!

Zoti të shpërbleftë me Parajsë bashkë me familjarët tu, dhe ne e kryem punën tonë, Kosovës ja ndërruam Flamurin te premë ne bese për amanetin tuaj qe kurrë flamurin kuq e zi se hoqe nga dora ! Në vend të shqiponjës ja vumë disa yje e ngjyrën kuq e zi ja bëmë “mavi-mavi” dhe bisedimet i filluam prapë me shkie se ashtu po na kërkojnë ndërkombëtarët të cilët jo vetëm qe na e sollën një Pavarësi prej paketës së Ahtisarit si dhe presidenten na e sollën në një zarf të bardh, por edhe na kanë ndihmuar bukur shumë edhe ta rrjepim Kosovën duke e vjedhur se Ti e di Bacë qe Kosova është një thesar qe e ka mbajt gjallë ish Jugosllavinë dhe e ka ndërtuar me pasurinë e saj bishtëmbisht. Dhe si e tillë tani jo qe po na i pasuron neve politikanët tanë , por po i pasuron edhe ndërkombëtarët, bile ,bile edhe Turqit kasaphane e kane bere Kosovën! 
Dhe për fat të keq po Bacë në Kosovë po pasurohet edhe dreqi me të birin por vetëm populli jo!Tek populli po shtohet robëria, papunësia, varfëria sëmundjet qe as emrat nuk jua dinë, aq shumë qe janë duke u shfaqur. Gjatë luftës na përzuri nga Kosova të gjithëve Serbia, dhe u bëmë pikë e pesë, disa në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e disa u shpërndamë gjithë andej nëpër botë.
Por jo Bacë! Fatkeqësisht jo qe ne nuk kemi ku të kthehemi por akoma edhe sot në këtë dimër me acar pas 16 viteve Liri përmes Serbisë dhe pobratimave të tyre po ikin rinia e populli nga vatrat e tyre kah sytë këmbët!
Por pjesa dërmuese qe ishin në trojet tona mezi prisnin të ktheheshin në Kosovën e djegur shkrumb e hi dhe të minuar, por i mbante shpresa se do të punojnë të gjithë, do ta ndërtojmë e do të lulëzon Kosova bashkë me Lirinë! Bile edhe ne mërgimtarët mezi prisnim t’i bëjmë pak para e të kthehemi si zogjtë shtegtarë e t’i ndërtojmë foletë tona përgjithmonë në tokën tonë. 
Por jo Bacë! Fatkeqësisht jo qe ne nuk kemi ku të kthehemi por akoma edhe sot në këtë dimër me acar pas 16 viteve Liri nga Serbia po ikin rinia e populli nga vatrat e tyre kah sytë këmbët. Edhe sikur të jetë sërish Kosova e minuar njerëzit nuk po pyesin për rreziqe. Ashtu siç u kthyen me nxitim pas lufte në tokën e djegur ashtu sot po ikin nga varfëria qe po ua sjellë për fat të keq kësaj here qeveria shqiptare jo Serbia!
Dhe pas gjithë këtyre marifeteve o Bacë popullit po i propozohet t’i vënë në kokë shamia me i mbyll sytë mos me shikuar se çka po ndodhë me fatin e tij e t’i mbulojë edhe veshët të mos dëgjoj, e në vend të shkollave po ndërtohen xhamia, mejtepe, çakë edhe rininë po i dërgojnë m luftuar për shtete te huaja vetëm me mbet pobratima me Serbinë!!!

Familjet e dëshmorëve jo se nuk i gëzojnë ato qe i meritojnë por fëmijët dhe nipat tyre po vdesin për një pikë ilaç qe nuk gjendet kund në Kosovë!
Dhe pas gjithë këtyre marifeteve o Bac popullit po i propozohet të protestojnë e të kërkojnë shamia me i mbyll sytë mos me shikuar se çka po ndodhë me fatin e tij e t’i mbulojë edhe veshët të mos dëgjoj, e në vend të shkollave po ndërtohen xhamia qe të ketë populli ku të kërkoj ndihmë sepse nuk i ka mbetur derë tjetër vetëm te Zoti sepse më nuk po ju ndihmon as Europa e as Amerika, por popullit në ato xhamia i duhet edhe të kërkoj falje për gabimet qe po i bënë vetë duke ua dhënë votën e besimit gënjeshtarëve e hajdutëve tash e 16 vite. Ata po ndërtojnë edhe mejtepe, çakë edhe rininë po i dërgojnë m luftuar për shtete te huaja vetëm me mbet pobratima me Serbinë!!!
Bile tani edhe Turqia po bënë be e rrëfe se do ta mbjelli kulturën turke në Kosovë sepse sipas saj “arnautët densëza” e kanë humbur kulturën e osmanëve e ajo duhet me i pru në dinë e iman!
Po Bacë kultura jonë po zbehet disa këngëtare po ua kalojnë edhe prostitutave me veshjet e tyre e disa femra ngjajnë me femrat turko arabe! Bile edhe disa çuna po shkojnë pas mësimeve të disa hoxhallarëve qe e kanë sjell kulturën arabe në Kosovë dhe nuk vishen më si janë veshur më parë po me do pantallona gjysmak e me mjekra qe vështirë e ke t’i dallosh se janë shqiptarë. Pjesa dërmuese e popullit po rrinë në heshtje e po bëjnë sehire e disa i ka lodhur varfëria e sëmundja, por ka edhe nga ata qe janë të zënë me bizneset e tyre. Disa prej luftëtarëve janë burgosur e kriminelët e Serbisë u shëtitin para hundëve të lirë. E pjesa tjetër atdhetare qe janë akoma në gjurmët tua dhe të shokëve të tyre po përpiqen të punojnë akoma për ta quar në vend amanetin tendë dhe të gjithë dëshmorëve por mijëra pengesa e probleme po u dalin përpara nga djalli qe ka hyr në trupat e atyre qe nuk duan të dëgjojnë më për asgjë rreth çështjes kombëtare sepse u tha para kohe:
Bile këtë parullë “Bacë u krye” shpeshherë e marrin në gojë do qe ta kishin pas mih varrin herët !!! Pra, Bacë, për kë luftove???

“Bacë u krye edhe se kemi parafrazuar se u krye. Bile këtë parullë shpesh e marrin në gojë do qe ta kishin pas mih varrin herët !!! 
Dhe Ti e dinë Bacë “burrat” një herë flasin!
Kështu Bacë, a u krye për së mbari apo për së mbrapshti për ta pak ka rëndësi kryesorja u krye!
Dhe vërtet Bacë edhe neve aq shumë na i kanë ngatërruar gjërat sa qe jo qe s’po e dimë çka u krye, po nuk po e dimë kur donë me u krye kjo poshtërsi e ky pazar qe po bëhet në kurriz të popullit?!
Popullin e kanë rrokur përpara mijëra halle e politikanët i pat rrok njëfarë ngërçi po si duket i lëshoj pak para vitit të ri se bukur shumë i mbajti e a do t’i rrokë sërish ai far ngërçi nuk di po si po duket moti është i keq , qe sërish t’i rrokë e nëse i kap për së dyti mos vet se nuk ka me i lëshuar me vite. 
Bacë kemi mbetur si pula në mjegull k’ta po thonë “Bacë u krye” e kush s’po e merr vesh çka u krye se hajnia nuk po kryeke kurrë o Bacë! Populli ka mbetur në udhëkryq, nuk na ka mbetur rrugë tjetër vetëm të gjithë po lutemi e po themi qohu nga varri o Bacë e kryeje e tregoju si duhet me u krye se kurrë më shumë UDB-ja nuk ka qene ma aktiv ese qe është tani!. Bacë jemi bërë kajlë të jemi ma mirë në varre vdekur se te gjallë e te robëruar!. Një barre e kemi të madhe edhe ne mërgim. Dheu i huaj peshë po na qon .Ëndrrat po i shohim çdo natë me parullën “Bacë u krye” nuk po besojmë më pa u quar ti nga varri me na treguar se për kënd Ti luftove???, për Lirinë e popullit, apo për te kriminelëve ,hajdutët dh bandat që e hëngrën nektarin e “Lirisë së Kosovës” Pra, Bacë, për kë luftove?

Filed Under: ESSE Tagged With: Bace, Makfire Canolli, per ke luftove

Aleksander Moisiu – Ylli i teatrit boteror – Nderi i Kombit

March 21, 2015 by dgreca

Nga Sadik Elshani/
Yjet – trupat qiellore kur shuhen e humbin driten, shkelqimin e tyre. Yjet ne toke edhe kur shuhen, shkelqejne edhe me teper se ne te gjalle te tyre, shkelqejne ne perjetesi me vepren, trashegimine e tyre. I tille eshte Aleksander Moisiu – Ylli i teatrit boteror – Nderi i Kombit tone. Aleksander Moisiu hyn ne radhen e atyre figurave te ndritura te kombit tone si: Leonik Tomeu, Marin Bicikemi, Elena Gjika, Karl Gega, Viktor Eftimiu, Nene Tereza, Ibrahim Kodra, Ferid Murati si dhe shumica e Rilindesve tane qe tere veprimtarine e tyre atdhetare, shkencore, artistike, kulturore, humanitare e zhvilluan jashte hapesires shqiptare, por me vepren e tyre, me punen e tyre e ngrene lart emrin e Shqiperise, i ben nder kombit tone, u ben burim frymezimi e krenarie per te gjithe shqiptaret.

Aleksander Moisiu u lind ne Triesht me 2 prill, 1879 (diku shkruhet 1880) nga prinder shqiptare. I ati, Konstantin Moisiu ishte nje tregtar nga Kavaja, ndersa mamaja, Amali de Rada, arbereshe, e bija e nje mjeku fiorentin. Kur Aleksandri ishte kater vjec, familja u kthye ne Shqiper – Durres e Kavaje dhe aty qendroi per pese vite, per t’u kthyer pastaj prape ne Itali. Me siguri ky qendrim ne Shqiperi do t’i kete lene mbresa te pashlyera Aleksandrit te vogel. Ne moshen 19-20 vjecare Aleksander Moisiu dhe familja e tij vendosen ne Vjene. Me ndihmen dhe perkrahjen e aktorit te madhe austriak, Jozef Kainz (1858 – 1910), iu perkushtua aktrimit. Me 1898 e nis karrieren e vet si kompars (aktore qe luajne ne role te vogla), madje edhe ne role qe nuk fliste fare, per shkak te theksit te tij te forte italian. Ne Vjene i fillon edhe studimet vokale – kanto.
Nganjehere rastesite jane faktore percaktues ne jeten dhe karrieren e shume njerezve te medhenj dhe jane bere kthese vendimtare ne jeten e tyre, kane vulosur fatin e jetes se tyre profesionale. Nje rastesi e tille fatlume i ka ndodhur edhe Moisiut. Nje nate kur duhej te shfaqej “Tartufi” i Molierit, njeri nga aktoret kryesor semuret dhe ate e zevendeson Moisiu. Ishte aktrimi i tij ne kete shfaqje ne Burgteater ne sezonin 1899/1900 qe e mahniti, e magjepsi aktorin e famshem austriak, Jozef Kainz. Keshtu, me perkrahjen dhe inkurajimin e Kainzit fillon karriera e shkelqyeshme e Moisiut ne skenat teatrore europiane, duke u ngritur si n jeri nder aktoret me te medhenj europiane te fillimit dhe gjysmes se pare te shekullit XX. Pastaj ai karrieren e vazhdon ne Prage (1901), ndersa me 1903 i bashkohet trupes se Teatrit Gjerman ne Berlin ku gezon perkrahjen dhe patronazhin e regjisorit te njohur Max Reinhardt (1873 – 1943). Me trupen e Reinhardit, Moisiu e ben nje turne ne Rusi me 1911, ku ai korr nje sukses te madhe me rolin e Edipit te Sofokliut. Roli i Hamletit i interpretuar nga Moisiu, eshte i paarritshem nga ndonje aktor tjeter. Per kete Max Brod (1884 – 1968) eshte shprehur: “Hamleti eshte shkruar per Moisiun, ndersa Moisiu eshte i vetmi qe ka lindur per ta interpretuar Princin e Danimarkes”. Nje tjeter rol i tij i famshem ka qene Fedja ne dramen e Tolstoit, “Kufoma e gjalle” – rol te cilin e ka interpretuar me shume se 1400 here gjate turneve te tij ne Europe dhe Amerike. Repertori i Moisiut pershkon tere literaturen dramaturgjike europiane, duke filluar nga dramat e tragjedite e vjetra greke e deri te dramat moderne te kohes se tij.

Me 1933 Moisiu largohet nga Gjermania – nuk ka qene ne sy te mire te nazisteve per shkak te mbeimrit te tij Moissi, sepse lidhej me emrin e Profetit te hebrenjve, por edhe per faktin se ai i ka mbrojtur koleget e vet aktore me kombesi hebreje. Pak kohe para vdekjes ai ka kerkuar shtetesine shqiptare, kerkese te cilen qeveria e atehershme shqiptare e ka miratuar duke ia leshuar dokumentin nga zyra e Gjendjes Civile ne Durres me 17 mars, 1934. “Une nuk dua te vdes si aktor gjerman” – ka deklaruar Moisiu. Gjithashtu ai e ka marre edhe shtetesine italiane. Aleksander Moisiu i mbylli syte pergjithmone me 22 mars te vitit 1935 ne Vjene, ndersa eshte i varrosur ne varrezat Morcote ne Lugano te Zvicres. Gruaja e pare e Moisiut ka qene aktorja Maria Urfus, ndersa gruaja e dyte, aktorja Johanna Terwin (1884 – 1962). Moisiu i ka patur dy vajza: Beate Moissi (1908 – 1998) – aktore dhe shkrimtare dhe Bettina Moissi (1923 – jeton) – aktore. Bettina ka qene e martuar me mbledhesin e famshem te artit, Heinz Berggruen, ndersa djali i saj eshte financieri dhe filantropisti (bemiresi), Nicolas Berggruen (1961), i cili jeton ne Gjermani dhe ShBA. Aktori gjerman Gedeon Burkhard (1969) eshte sternipi i Aleksander Moisiut.

Interpretimet e Aleksander Moisiut ishin unike, te pakrahasueshme me ndonje aktor te kohes se tij dhe kane ngelur te perjetshme ne historine e teatrit boteror. Ajo qe e dallonte aktrimin e Moisiut, ishin levizjet, gjestet, mimika dhe sidomos zeri i tij i bukur. Per kete Franc Kafka (1883 – 1924) eshte shprehur: “Zeri dhe gjestet e Moisiut na shfaqen si dicka e papare gjer me tani ne skenen europiane”. Kam patur rastin te takoj ne France nje zonje te vjeter nga Zagrebi, Vera Warnier, e cila ishte e martuar me nje profesor francez qe e drejtonte kursin veror te gjuhes frenge ne qytetin Menton, dhe kur njehere ra biseda per Moisiun, ajo me tregoi kete ngjarje: ” Kur kemi qene te rinj, me babain shpesh shkonim nga Zagrebi ne Vjene per te pare ne teater shfaqjet ku luante Moisiu. Dhe kur kthehesha ne Zagreb, per nje jave, apo dhjete dite nuk doja te flisja me njeri, vetem qe zeri i Moisiut te mos me dilte nga koka”. Kur degjon nje vleresim te tille, mbetesh pa fjale dhe nuk ka nevoje per ndonje koment tjeter. Gazeta “Daily mail” e vleresonte Moisiun: “Njeriu me zerin e arte” (Londer, 24, maj, 1930), ndersa gazeta “New York Evening Post e quante ate: “Moisiu i zerit te famshem” (14, nentor, 1927). Me vone pata rastin ta degjoj edhe vete zerin e Moisiut, nje ze i paster, kumbues, melodik, i ngrohet, i artikuluar mire, i rrjedhshem – kishte nje shqiptim (diksion) te perkryer. Por shprehja e zonjes Warnier ngerthen ne vete jo vetem karakteristikat fizike te zerit te Moisiut, por edhe emocionet qe ai ngjallte dhe mbresat qe vuloste te adhuruesit e teatrit, mbresa qe ishin bere pjese e pandare e jetes se tyre. Ky ishte arti magjik, i perjetshem, i paperseritshem i Aleksander Moisiut. Ky ishte ai Moisiu i famshem qe me lojen dhe zerin e tij magjepes i bente per vete artdashesit, ngjallte ndjenjat e tyre dhe linte mbresa te pashlyeshme ne zemrat dhe mendjet e tyre. Gjithe gjeniun e tij, gjithe talentin e tij e shkriu ne sherbim te artit boteror me nje temperament e force shprehese artistike te papare gjer atehere ne skenen teatrore boterore. Kjo sigurisht ka te bej dicka edhe me gjenet e tij shqiptare. Ne epiqender te artit te tij, Moisiu e vuri njeriun. “Njeriu eshte fenomeni me i larte dhe me i rendesishem i botes dhe duke qene i tille, shpejt ose vone, teatri do ta veje ne epiqender te krijimtarise, pikerisht njeriun” – eshte shprehur ai. Moisiu jo vetem qe i interpretonte rolet e tij me nje mjeshteri te rralle artistike, por ai karakereve te tij u jepte jete – i sillte te gjalle perpara syve te shikuesve. Aktrimi i Moisiut eshte nje dukuri (fenomen) artistike qe rralle paraqitet ne skenat teatrore boterore. Dramaturgu i njohur italian, Luigji Pirandello (1867 – 1936) eshte shprehur: “I bej homazhe Moisiut, te cilit perjete i jam mirenjohes si njerit nga interpretuesit me brilant te karaktereve te mia”. Pas ketij arti madheshtor qendron personaliteti fisnik, human i Aleksander Moisiut, i cili me artin e tij dhe angazhimet shoqerore te tija u mundua per te drejtat, lirine e njeriut dhe mireqenjen e njerezimit. Keto jane tiparet dalluese te artistit, intelektualit, njeriut te vertete. “Nje artist dhe njeri kaq i madhe sa Moisiu, i perket gjithe botes” – eshte shprehur regjisori i njohur rus, Konstantin Stanisllavski (1863 – 1938). Edhepse Moisiu kryesisht njihet si aktor i skenes, ai nga viti 1910 e gjer ne vitin 1935, ka luajtur edhe ne dhjete filma, shtate prej te cileve kane qene pa ze. Moisiu ka shkruar edhe nje drame, “I burgosuri”, qe ben fjale per vitet e fundit te jetes se Napoleonit ne ishullin Shen Helena.

Kur qielli i skenes se teatrit shqiptar ishte i erret, teatri i mirefillte nuk ekzistonte – ne qiellin e skenes teatrore boterore shkelqente nje yll shqiptar, Aleksander Moisiu. Populli yne ka nje shpirt artistik, nje pasuri te madhe shpirterore dhe talentet kurre nuk na kane munguar, por per fat te keq, historia nuk ka qene ne anen tone. Shqiptaret nuk paten mundesi te krijonin me heret skenat teatrore, sepse pushtuesit e shumte e kishin shnderruar Shqiperine ne skene betejash e intrigash ku luheshin dramat e njemendta (reale) te fatit te popullit tone, dramat e ekzistences sone, shpesh me pasoja tragjike per ne. Por nuk do te kalojne as njezet vite pas shuarjes se Moisiut dhe ne hapesirat shqiptare do te paraqitet nje tjeter aktor i kalibrit boteror, nje tjeter yll – Bekim Fefmiu.
Moisiu gjithmone e ka shprehur me krenari prejardhjen e tij kombetare shqiptare. Sa here qe ka patur mundesi, eshte takuar me bashkatdhetaret – jane te njohura takimet e tij te ngrohta me shqiptaret e Bukureshtit. “Shqiperia eshte vendi qe aq shume e dashuroi Moisiu” – keshtu ka thene zonja e tij Johanna Terwin – Moissi. Edhe ne krenohemi qe i kemi dhene botes nje artist, nje njeri te madhe si Aleksander Moisiu. Ai gezon dashurine dhe respektin e cdo shqiptari. Me 1960 i eshte akorduar titulli: “Artist i Popullit”. Emrin e tij e mbajne shume rruge ne gjithe hapesiren shqiptare. Teatri dhe Universiteti i Durresit e mbajne emrin e tij, shkolla e artit dramatik ne Tirane dhe shume shkolla te mesme e fillore e mbajne emrin e aktorit tone te madhe. Ne Vjene, Berlin, Salzburg dhe ne disa qytete tjera te Europes ka rruge qe e mbajne emrin e Aleksander Moisiut. Ndersa arti i tij i paperseritshem do te kujtohet dhe do te vleresohet brez pas brezi. Sa here qe do te flitet per teatrin, do te flitet edhe per Aleksander Moisiun – aktorin gjenial dhe njeriun me shpirt fisnik.
I paharrueshem qofte kujtimi i tij!
, Philadelphia, 18 mars, 2015

Shenim: Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: Aleksander Moisiu, Sadik Elshani, ylli i teatrit

Doktor Oreste E. Dilo që shëroi pacientët amerikanë dhe u sëmur nga “pacientët” shqiptarë

March 21, 2015 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
Për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në mjekësi ai u emërua Drejtor i përgjithshëm i spitaleve publike në New York.Pas shumë vitesh me përvojë hapi klinikën e vet private në Alpha New Jersey, ku punoi për 30 vjet si doktor në atë zonë.
Një muzeum bamirësie i ngritur në zemrat e njerëzve sidomos tek pacientët amerikanë qëndron si këmbë mali përtej Shqipërisë, buzë Adriatikut në New York dhe Nju Xhersi. Ndonëse muzeumi nuk ka godinë, por ka mijëra pacientë ciceron që flasin nga zemra për doktorin shqiptar nga Sheperi i Zagorisë që shëroi pacientët e tij me shpirtin e bardhë si bora e Çajupit dhe profesionin e mjekut.
Ishte djalosh me ëndrra të bukura kur u largua nga dera e madhe e Dilejve, nga Shqipëria, ku sundonte dhuna dhe arriti të ketë një sukses të jashtëzakonshëm dhe të krijojë një folezë si skulpturë Mikelanxheloje në zemër të botës në Amerikë. Mjerisht miliona shqiptarë janë larguar nga Mëmëdheu në periudha të ndryshme, si në kohën e komunizmit dhe pas viteve 90 të për të gjetur një jetë më të mirë jashtë kufijve, por duhet veçuar se nën sistemin diktatorial enverist u ndaluan me ligj të ktheheshin në Atdhe Pëllumbat e Paqes, e një ndër ta ishte Dr.Oreste E.Dilo.
Lindur në vitin 1915 në Sheperin piktoresk, në vendlindjen e Çajupit shkrimtarit te madh rilindas, i cili u magjeps duke shkruar poezitë e tij ku me duhet te shtoj se Çajupi ishte fis me Dilot. Në dasmën e babait të Dr.Dilos, Gjuhëtarit dhe burrit të ndritur të Kombit Ilia Dilo Shperit “Nderi i Kombit” çmim pas rënies së komunizmit, Ksenofon Dilo, nipi i tij, do të shkruajë se Çajupi këndoi këngën për Savën, gjyshen e Dr.Dilos, motrën e Aristidh Rucit, delegatit të Tepelenës, firmëtarit të Pavarësisë, Nderi i Kombit si: “Dil moj dil, apo s’të lenë, sos je yll, sos je Hënë”…
Dr.Dilo është një nga dhjetë fëmijët e Ilia Dilo Sheperit dhe Sava Rucit. Edhe pse babai ishte nëpunës dhe i siguronte të ardhurat nëna e tyre, kur ishin të vegjël i merrte me vehte në mal për të mbledhur bar në Dhëmbel dhe për t’i edukuar me punë. Ata si fëmijë shijonin nga afër natyrën dhe pemët rreth e rrotull si kumbullat e egra që i mblidhnin dhe i hanin me bukë. Kur erdhi në Tiranë në vitet 90-të, i pyeti nipërit dhe mbesat se a ishte akoma ajo kumbull në Dhëmbel?
Shkollimin e hershëm e mori nga vëllai i tij Qirjakoja i cili ishte mësues qysh në moshën 15 vjeç. Ndërkohë dhe Pano Xhamballo i rënë për Atdhe i cili pati ndihmën e madhe të prof.Ilia Dilo Sheperit luajti një rol të çmuar në formimin intelektual të nipit të tij Dr.Orestit. Ai iu tha nipërve tregon Eduard Dilo pinjoll i familjes së Dilejve, i cili kur erdhi në Atdhe pas 50 vjetësh kujtonte se me Panon duheshin si dy vëllezër. Prof. Diloja iu bënte mësime në gjuhë të huaja për të përvehtësuar italishten dhe frëngjishten. Pas fillores në Sheper vazhdoi Liceun e Gjirokastrës dhe Liceun e Korçës (vinte kudo pas Babait të tij Ilia Dilo Sheperi, atje ku transferohej Ai), si në gjimnazin e Shkodrës dhe ne gjimnazin e Tiranës. Kur Ilia Dilo Sheperi doli në pension e mori me vehte i vëllai
Dr. Jani Dilo. Të gjitha universitetet që mbaruan fëmijët e Ilia Dilo Sheperit u bënë me ndihmën e njeri-tjetrit, jo me bursa nga shteti i asaj kohe.

Atdheu e kishte dënuar me burgje dhe vdekje familjen e Tij

Ëndërronte e ëndërronte pakufi doktori shqiptar, Pëllumbi i Paqes për t’i shërbyer Kombit të Tij, por vrastarët nuk e njihnin medicinën njihnin vetëm kokrrën e plumbit, plumbin ballit, mjeranët nuk e linin të kthehej. Në gazetën “Bashkimi” ku ishin publikuar shumë emra patriotësh të ikur dhe të dënuar me vdekje nga sistem komunist midis tye ai pa dhe emrin e vëllait të tij Dr.Jani Dilon një eksponent i Ballit Kombëtar dënuar me vdekje, ndaj nuk u kthye në Shqipëri për 50 vjet rresht.
Vëllai tjetër që ngeli në Shqipëri Margariti kishte mbaruar shkollën e Fullcit dhe universitetin për matematikë në Athinë, por ai vuajti dënimin si i burgosur politik në kalanë e Gjirokastrës dhe në kënetën e Maliqit. Edhe vëllai tjetër, Koco I. Dilo provoi burgun e Spaçit. Diskretitohet para popullit të Zagorisë xhaxhai tjetër doktor veterinar Mihali të cilin e shpallin “armik të popullit” më vonë vritet dhe masakrohet duke i nxjerrë sytë dhe prerë kokën tek pragu i shtëpisë nënë Kaliopit, bashkëshortes së doktor Mihalit.
Si shumë emigrantë të tjerë politikë që nuk i hodhën një dorë dhé prindërve të tyre, edhe Dr.Oresti pati të njejtin fat. Ja si shkruante për nënën e tij kur mbylli sytë përgjithmonë:
“E dashura Dede, Të thërrasim, ashtu si na kërkove dhe nuk na gjete. I mbylle syt’ e tua të bukura me të njejtën buzëqeshje që na pritnje ngahera. U largove dalëngadalë ashtu si Dielli që perëndon dhe na le në errësirë. Do të kthehemi dhe nuk do të të gjejmë o Dede e dashur, o Deda jonë e mire! Biri yt, Oreste”.
Kalvari i vuajtjeve si të Krishtit për familjen e Ilia Dilo Sheperit ja kishin coptuar zemrën Doktorit, birit dhe vëllait të tyre. Edhe pse vetë ishte në këtë profesion aq të çmuar, edhe pse po shëronte qindra pacientë amerikanë, ai nuk mundi të shëronte vëllain e Tij Margaritin që po vdiste nga torturat e barbarëve. Nuk e linin t’i ndodhej pranë. Ja si i shkruan letër, më 15 Gusht 1965 dhe i kërkon ndihmë kolegut të tij Dr.Theodhosit për vëllain që po lëngonte në shtratin e vdekjes: “I dashur Dr Theodhos, kam marrë këto ditë letrën t’uaj skjaruese dhe shumë informative rreth gjendjes së vellait t’im Margaritit dhe ju falënderoj nga zemra për gjthçka që jeni duke bërë për të. Në lidhje me diagnozën t’uaj ” …” … dhe nga pershkrimi i gjendjes që më bën vetë vëllai, ka mundësi që ai të vuajë nga… Natyrisht e mira e të gjithave do t’ishte dalja jashtë shtetit e vëllait t’im duke e drejtuar atë në një institut të jashtëm me të cilin Shqipëria është në relata. Vëllai im na dha rastin e mirë që të njihemi me anë letrash, sido që kam qenë në dijeni se ju jeni mjeku i familjarëve të mij aty. U them sinqerisht se çmoj shumë kujdesin dhe shërbimet t’uaja për ‘ta dhe ju jam borxhlli për jetë. Përfitoj nga rasti t’u siguroj se jam gjithnjë në dispozicjonin t’uaj për çdo gjë që do të kishit nevojë t’u dërgoj këtejazi për veten ose familjen t’uaj. Me përshëndetje miqësore Juaji, Oreste”.
Në New York ai kishte dhe vëllain e Tij Dr.Jani Dilon një figurë e shquar intelektuale dhe që i dha aq shumë Kombit. Duke lexuar biografitë e gjithë familjes Dilo të këtyre djemve që i dhanë dritë Shqipërisë, ndjej se si barbarët donin t’i shfarrosnin, t’i zhduknin, të shuanin dritën. Ndjej se në se do të kishja fuqi financiare që mjerisht i kanë zhvatësit dhe kriminelët me siguri do të ngrija një Muzeum për këtë familje ku do ta ndaja në pavione të ndryshme gjithë historinë e tyre plot kulturë, por dhe tepër të dhimbshme, sidomos do të ekspozoja mjetet e torturës si kanxhat e burgut, torturat. Një pavion do të ishte krejtësisht i veçantë ku do të shkruaja: Femijet nën moshën 18 vjeç ndalohen të hyjnë: pasi jepen skena të dhunshme ku nga goja e një të burgosuri do te dali vetëm gjak, gjak, gjak, dhe mund të ndodh që qe t’ju zërë sëmundja e gjakut, te humbisni ndjenjat. Fundja vetëm me këto muzeume shqiptarët mund të kuptojnë dhe mos të lejojnë kurrë të perseritet historia makabre per intelektualët më të zëshëm shqiptarë.
Muzeumin tjetër do ta ngrija në New York për të gjithë intelektualët e ndritur të Diasporës që mjerisht shteti amë dhe kultura vazhdon të mos i ketë në vëmendje. Dr.Jani Dilo ishte një patriot i madh. Sipas intervistës që kam realizuar me Eduard Dilon ai thotë se në shtëpinë e Dr.Jani Dilos në Manhattan, tregojnë bashkëkohësit e tij si Prof. Motrat Juka, Ing.Agim Karagjozi, Prof. Sami Repishti, Dr. Nihat Bakalli, Dr. Fuat Myftia, Idriz Lamaj, Prof. Luan Gashi, Sefer Mujo Luarasi, Kadri Bajrami kur në vitet 80 filluan demostratat në Kosovë dhe u përgjakën rrugët e Prishtinës, u bënë mbledhjet e para. Gjithashtu ka mbajtur fjalimin në OKB për Kosovën, dhe po nga foltorja e OKB-s, Dr. Jani Dilo, iu drejtua qeverisë së kuqe të Tiranës që: “Në Shqipëri veç burgimeve, internimeve e dënimeve me ose pa gjyq, qeveria grabit e sekuestron dhe gjithë reliket që ruajnë familjarët si gjë të shenjtë nga të parët e tyre”.
Dr.Oresti i perjetoi nën dhimbje të papërshkrueshme largimin nga vendi dhe ndalimin që i bënë, por njëkohësisht dhe ikjen para kohe të vëllait të vetëm që e kishte në Amerikë. Ja letra e ngushëllimit te Dr.Orestit drejtuar familjarëve për Dr.Jani Dilon, një tjetër intelektual erudit:
“E dashur Ifi, Hriso, Male, Koço, Henrik dhe Edi. Kam mbetur vetëm i mjeruar dhe i pa ngushëlluar; Janaqi im, Janaqi ynë, Janaqi i të gjithëve, i dashur, i urtë, i mirë, i shenjtë u nda prej neve. Ngado që të kthehem, nga do ku shkoj nuk gjej pushim, nuk gjej shpëtim. Punuam gjithë jetën, bëmë sa nuk bëmë, u hodhëm nga të gjitha anët dhe kur erdhi koha të gëzonim dhe të shfrytëzonim djersën e kaq kohe, ti Janaqi im, Janaq i pa fat u largove: le pas djalin, vëllezërit, motrat nipret dhe mbesat. Neve të thërrasim, neve të kërkojmë, neve bërtasim; pa Janaqin neve nuk mund të rrojmë. Ike prej neve pa pritur… Vdekje e papritur kjo e Jotja por,… 14 Janari, dita e zisë, ditë e shkatërrimit dhe e mjerimit. Janaq të lutem ktheu te djali, ktheu tek unë.
Te thërret Oresti që aq e dashuroje, të thërret vllai që për ‘të betoheshe.
Oreste Alpha, N.Y”.
Respekti dhe mirënjohja për punën e tyre plot sqimë intelektuale është shprehur dhe nga Shefki Miraku botuar në gazetën “Dielli”, më 31 dhjetor, 1973. Ja si shkruhet nga autori: “Ilia Dilo Sheperi “Dy dhuratat e tija shoqnis shqiptare”. …Unë deshiroj të ve në dukje dhuratën tjetër të këtij edukatori atë që e pashë, njojta, dhe i ndejta pranë. Dy djemtë e tij Jani dhe Oresti. Te dy ata në bisedime në sjellje dhe për ma tepër në vepra, lenë gjurmët e dy njerëzve të brumuem nëpërmjet të ditunive dhe civilizimit. Vetëm një shoqni e pa zhvillueme dhe e mbrapambetem nuk i kupton dhe nuk i di me i vleftësue këta dy djem, që janë burrënue dhe janë brumue drejt qëllimit për me i shërbye me urtësi dhe me bujari shoqnisë shqiptare. Ata, kudo, ndër bankat e shkollave, ndër detyra, në miqësina dhe në përkrahje, i kan zgjatë duert e tyre edhe kur i kanë pasë të shkurtueme nga rrethanat dhe të papritmet e jetës, i kanë zgjatë me zemër, drejt gjithë atyne që mbajnë emëna shqitparësh”.

Amerika humane dhe e demokracisë e priti krahëhapur birin shqiptar Dr.Dilon

Dr.Diloja mbaroi studimet për medicinë në Torino të Italisë. U burgos si antifashist në burgjet e Italisë dhe diplomën e mori pasi doli nga burgu. Në vitet e universitetit pati miqësi me Pano Xhamballon, Theme Vasin, Qemal Stafën, Asim Zenelin, Ajet Xhindollin etj,… Kishte miqësi dhe me studentë italianë si motrat Ravizza të cilat i ndihmoi dhe i vizitoi kur ai kishte bërë karierë si në jetë dhe në boten e shkencës dhe pasuri. Ëndërronte të kthehej në Atdhe për shërimin e malarjes që ishte kudo, por dëshira ngeli vetëm ëndërr ai erdhi vetëm pas viteve 90-të. S’kishte ku të kthehej, e priste skëterra, tortura dhe vdekja e zezë në vendin e tij, ndërsa Amerika e kishte marrë në mbrojtje Pëllumbin e Paqes, e kishte pritur krahë hapur doktorin shqiptar.
Ai kishte bërë betimin e Hipokratit dhe e zbatoi atë deri në frymën e mbrame të jetës siç thuhet në paragrafin e fundit të Hipokratit se: “Nëse e respektoj këtë betim dhe nuk e dhunoj atë, le të mundem ta gëzoj jetën dhe profesionin tim, i nderuar prej të gjithëve e në të gjitha kohërat; por nëse e thyej dhe e dhunoj këtë betim, le të jetë fati im i ndryshëm”.
Dr.Oresti vazhdoi kualifikimet e mëtejshme për mjekësi në Amerikë dhe ia arriti qëllimit të tij të lartë intelektual duke marrë titullin “Doktor i shkencave mjekësore”. Për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në mjekësi ai u emërua Drejtor i përgjithshëm i spitaleve publike në New York. Pas shumë vitesh me përvojë hapi klinikën e vet private në Alpha New Jersey, ku punoi për 30 vjet si doktor në atë zonë. Shumë pacientë të tij flasin me një simpati të jashtëzakonshme gati gati e çmojnë doktor me shpirt Zoti. Kur shikoja ndonjë pacient të varfër në klinikën time i tha nipit të tij në Tiranë Yllit e thërrisja në veçanti dhe i jepja 100 dollar, kurse vizita ishte 50.
Në vizitën e parë dhe të fundit në Shqipëri ai i la kujtim nipit të tij Etjenit një intelektual tepër i çmuar, një radio së bashku me një orë. Kjo është ora që më ka zgjuar gjithë jetën, e kam fituar në një konferencë ndërkombëtare në New York. Ai e vizitoi vendlindjen në moshën e pleqërisë duke sjellë valixhe të mëdha me medikamente që i dhuroi për të sëmurët dhe disa pajisje mjekësore në Universitetin e Tiranës.
Gjithë kohën që ndenji në Tiranë, vizitoi pa asnjë shpërblim cilindo që iu paraqit. Vendosi lule dhe në vorrezat e dëshmorëve tek shokët e tij. Menjëherë dërgoi ekspertë për të vënë në shërbim pasurinë e akumuluar në vite në mërgim, por vdekja e menjëhershme pasi u kthye në New York ia la të parealizuara.
Tronditja nga vuajtjet e mëdha, mosgjetja e asnjë prej vëllezërve në Shqipëri të cilët ikën nga kjo botë të torturuar nga regjimi diktatorial, që kishte vënë në sherbim ushtarë besnikë të etur për gjak, me siguri që ja shpejtuan pushimin e zemrës përgjithmonë doktorit, në moshën 75 vjeç.
Duke lexuar dhe studjuar për birin shqiptar Dr.Oreste E. Dilon i cili iu shërbeu me aq zell, përkushtim dhe dashuri pacientëve amerikanë, ndjen se ndërsa i kuroi mijëra pacientë amerikanë, u sëmur nga “pacientet” shqiptarë, skllav të sistemit të egër diktatorial.

21 Mars, 2015
Staten Island, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Dr. Orest Dilo, Keze Zylo

E, Ç’I DUHET SHQIPJA?!…

March 21, 2015 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/
Atë të dielë kopështi zoologjik i Athinës kishte më shumë vizitorë. Unë kisha vendosur që të shlodhesha pranë kafshëve të rralla, duke menduar se do e kapërcerja dot ankthin e mos lirisë së tyre. Kafshët, që do të shihja, ishin nëpër kafaze, larg pyjeve, kopeve, familjeve, e shqyrjeve ulërimave. Larg të gjitha atyre që i bëjnë ato kafshë. Shikoja me radhë dhe mendimet më shkonin tek origjina e jetës…Edhe kafsha nuk është më kafshë, mendova. Njeriun, për para e për qejf jo vetëm jetën e njerëzve, s’di c’ta bëjë, por edhe të kafshëve. Njeriu jeton sic do paraja, edhe kafshët jetojnë sic do paraja e njeriut” Mendoja kot duke shikuar kafshët .
Nga ajo botë mendimesh më nxorri përballja me një shokun tim, i fola sa e pashë, sikur doja të shpëtoja nga ato mendime, që më rëndonin në tru. Agimi mezi reagonte dhe më zgjati dorën si me përtesë. Me dorën tjetër mbante një fëmijë 6-7 vjecare, të bukur e të shëndetshëm.
E justifikova ftohtësinë e tij. Kanë halle njerëzit mendova.Në këtë kohë nuk gjen njeri pa halle. Vetë jeta prej refugjati është hall. Agimi kishte mbaruar shkollën për inxhinier ndërtimi dhe qe i zoti në zanatin e tij. Ishte edhe i zoti i fjalës. Më kishte rënë rasti ta dëgjoja në zbore ushtarake, kur fliste pr Luftën Nacionalclirimtare, për mbrojtjen e atdheut e patriotizmin…Nga më të dalluarit e komisarëve ishte…Për të dalë nga ajo gjendje zymtësie apo për t’i dhënë pak dritë takimit tonë, në këtë takim të pas kaq shumë vitesh, në vends tjetër e në rrethana të tjera, përkëdhela fëmijën e tij dhe e pyeta ëmbël: “ Si të quajnë”?- vogëlushi më shikoi si i habitur pastaj hodhi sytë nga i ati.
– Shkon në shkollë?- pyeta përsëri unë, duke e kapur lehtë nga faqet, për t’i zhveshur ndrojtjen e mospërgjigjes.
-Andon, xhaxhi të pyet se si e ke emrin dhe a shkon në shkollë- foli baba Agimi në gjuhën greke. Fëmija u cel në fytyrë dhe u përgjigj në gjuhën që e pyeti i jati:
-Më quajnë Andon dhe jam në klasë të parë.
Djali, I kënaqur nga përgjigja që dha, buzëqeshi dhe bëri disa lëvizje të pëpaërcaktuara me duart e vogla.
– Si? Nuk di të flasë shqip?- pyeta unë i cuditur, më tepër nga ajo që babai i tij ishte Agimi, inxhinier Agimi, fjalëshumë Agimi, që bënte be për gjuhën shqipe e për Atdheun, pastaj për kokën e nënës së tij …
– E, c’i duhet shqipja?!- foli Agimi me aq lehtësi, sikur të thoshte “ c’pe do duhanin ?! Të bën dëm po ta pish” Pastaj si për t’i dhënë më bindje fjalëve që tha vazhdoi: – Apo t’i thonë shokët “ alvanos”.
– Eh, Berti i dashur, kanë ndryshuar kohët…Fëmijët duhet t’i përshtaten sa më mirë ambjentit ku jetojnë …Pastaj nocioni Atdhe apo Komb ka ndryshuar. I kanë humbur vlerat fillestare, arkaike.
Ai vazhdoi të fliste, me të njëjtën pasion sic fliste të kundërtat para disa vjetësh, por unë nuk mund ta dëgjoja dot më. Veshët vetëm më thithnin copa fjalësh pa kuptim. Hodha sytë nga kafazi përballë, por edhe kafsha ,muze përveshi buzët, sikur donte të më përqeshte mua njeriun…

Filed Under: ESSE Tagged With: Alber Z. Xholi, Ç’I DUHET SHQIPJA?!..., E

Nuk ka neutralitet moral ndërmjet të qenit viktimë dhe të qenit agresor

March 21, 2015 by dgreca

(Me rastin e promovimit të librit të Dr. Nusret Pllanës, “Terror i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”, në Regent’s University)/
Shkruan: Akademik, James Pettifer/
Unë do të flas në anglisht meqenëse shqipja ime nuk është e nivelit të duhur, por mund të lexoj atë në të shkruar. Dëshiroj të falënderoj Ambasadën e Kosovës dhe shoqatën shqiptare që më është dhënë mundësia të flas me ju sonte. Është privilegj i madh të shoh këtë ngjarje të mrekullueshme të kulturës kosovare këtu në Londër, sot, pasi që këtu ka shumë njerëz të cilët kanë ardhur për ta parë punën e Dr. Nusret Pllanës. Ky tubim është diçka për të cilën duhet ta përgëzojmë Ambasadorin dhe Qeverinë e Kosovës për përpjekjet e tyre diplomatike të viteve të fundit në Londër.
Jam i përkushtuar për Dr. Nusret Pllanën, punën e tij dhe historinë e gjatë të luftës në Kosovë, kohën e tij në burg, kohën kur ai ishte në UÇK si dhe për periudhën e tashme ku ai shkruan tema të rëndësishme të historisë së Kosovës. Unë jam poashtu autor i librit mbi historinë e UÇK-së siç e dini tashmë shumica nga ju, dhe kjo histori mendoj se është thelbësore për të kuptuar jo vetëm të kaluarën e Kosovës por edhe të ardhmen e saj, sepse një nga çështjet dëshpëruese mendoj nga këndvështrimi profesional i të mësuarit të këtij tregimi për 10 vitet e fundit është të shihet një lloj i ri i kushteve që bën përpjekje të demolojë fuqinë e madhe politike të lirisë. Nuk ka asgje të gabueshme për luftën e bërë për liri dhe kundër reprezaljeve të llojeve të ndryshme, të cilat Dr. Nusret Pllana i ka shkruar dhe i ka paraqitur saktë për neve. Kjo është e drejtë njerëzore e madhërishme dhe disa nga tregimet të cilat ai i tregon si dhe fotografitë në librin e tij, do të jetë shumë e vështirë për disa t’i shohin. Ato janë të vërteta, pra, ky libër nuk është libër propagandistik, është punë historike e cila kontribuon në shqyrtime historike. Dhe për arsye të tregimit të dëshpërimit, më vjen mirë që sonte qëndroj në këtë podium, kurse jemi me fat që kemi Dr. Nusret Pllanën me ne për të na treguar nocionet e tij. Çështja e të gjitha krimeve të kryera është shumë me rëndësi për shumë shtete në historinë e Ballkanit. Ne kemi parë lidershipin politik të vendosur nga drejtësia ndërkombëtare në shtete të ndryshme.
Në një ngjarje si kjo, unë sigurisht nuk dëshiroj të komentoj për detajet, përveç të them se duket qartë që ne të gjithë jemi kundër krimeve ngado që vijnë ato dhe nga kushdo që kryhen. Mirëpo, poashtu duhet të dihet për hapësirën dhe kontekstin në të cilin ato kanë ndodhur. Siç e ka treguar Dr. Nusret Pllana si dhe unë poashtu jam përpjekur të tregoj se UÇK-ja është lëvizje legjitime e rezistencës në rrethana të tmerrshme, kur alternativat e paqes kishin dështuar. Pra, ky është konteksti në të cilin lufta sipas këndvështrimit tim është parë vetëm si luftë dhe e them si i krishterë, se, pikërisht kjo teori e luftës bie ndesh me sjelljen e njerëzve. Për këtë arsye mendoj që duhet të kuptojmë historinë më mirë dhe siç kam nënvizuar tashmë ky problem ekziston dhe se është e rëndësishme të ri-shkruhet për relacionet historike të shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre, e në veçanti të Serbisë si dhe për mënyrën që ato prodhojnë një neutralitet moral lidhur me atë që ka ndodhur. Unë mendoj se nuk ka neutralitet moral ndërmjet të qenit viktimë dhe të qenit agresor, e kjo duhet të bëhet e qartë. Prandaj, jam shumë i kënaqur të mbështesë librin e Dr. Nusret Pllanës dhe të rekomandojë atë për secilin në këtë audiencë.
Ju faleminderit!

Filed Under: ESSE Tagged With: James Pettifer, Pllana, viktima dhe agresori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 490
  • 491
  • 492
  • 493
  • 494
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT