Nga Keze Kozeta Zylo/
Për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në mjekësi ai u emërua Drejtor i përgjithshëm i spitaleve publike në New York.Pas shumë vitesh me përvojë hapi klinikën e vet private në Alpha New Jersey, ku punoi për 30 vjet si doktor në atë zonë.
Një muzeum bamirësie i ngritur në zemrat e njerëzve sidomos tek pacientët amerikanë qëndron si këmbë mali përtej Shqipërisë, buzë Adriatikut në New York dhe Nju Xhersi. Ndonëse muzeumi nuk ka godinë, por ka mijëra pacientë ciceron që flasin nga zemra për doktorin shqiptar nga Sheperi i Zagorisë që shëroi pacientët e tij me shpirtin e bardhë si bora e Çajupit dhe profesionin e mjekut.
Ishte djalosh me ëndrra të bukura kur u largua nga dera e madhe e Dilejve, nga Shqipëria, ku sundonte dhuna dhe arriti të ketë një sukses të jashtëzakonshëm dhe të krijojë një folezë si skulpturë Mikelanxheloje në zemër të botës në Amerikë. Mjerisht miliona shqiptarë janë larguar nga Mëmëdheu në periudha të ndryshme, si në kohën e komunizmit dhe pas viteve 90 të për të gjetur një jetë më të mirë jashtë kufijve, por duhet veçuar se nën sistemin diktatorial enverist u ndaluan me ligj të ktheheshin në Atdhe Pëllumbat e Paqes, e një ndër ta ishte Dr.Oreste E.Dilo.
Lindur në vitin 1915 në Sheperin piktoresk, në vendlindjen e Çajupit shkrimtarit te madh rilindas, i cili u magjeps duke shkruar poezitë e tij ku me duhet te shtoj se Çajupi ishte fis me Dilot. Në dasmën e babait të Dr.Dilos, Gjuhëtarit dhe burrit të ndritur të Kombit Ilia Dilo Shperit “Nderi i Kombit” çmim pas rënies së komunizmit, Ksenofon Dilo, nipi i tij, do të shkruajë se Çajupi këndoi këngën për Savën, gjyshen e Dr.Dilos, motrën e Aristidh Rucit, delegatit të Tepelenës, firmëtarit të Pavarësisë, Nderi i Kombit si: “Dil moj dil, apo s’të lenë, sos je yll, sos je Hënë”…
Dr.Dilo është një nga dhjetë fëmijët e Ilia Dilo Sheperit dhe Sava Rucit. Edhe pse babai ishte nëpunës dhe i siguronte të ardhurat nëna e tyre, kur ishin të vegjël i merrte me vehte në mal për të mbledhur bar në Dhëmbel dhe për t’i edukuar me punë. Ata si fëmijë shijonin nga afër natyrën dhe pemët rreth e rrotull si kumbullat e egra që i mblidhnin dhe i hanin me bukë. Kur erdhi në Tiranë në vitet 90-të, i pyeti nipërit dhe mbesat se a ishte akoma ajo kumbull në Dhëmbel?
Shkollimin e hershëm e mori nga vëllai i tij Qirjakoja i cili ishte mësues qysh në moshën 15 vjeç. Ndërkohë dhe Pano Xhamballo i rënë për Atdhe i cili pati ndihmën e madhe të prof.Ilia Dilo Sheperit luajti një rol të çmuar në formimin intelektual të nipit të tij Dr.Orestit. Ai iu tha nipërve tregon Eduard Dilo pinjoll i familjes së Dilejve, i cili kur erdhi në Atdhe pas 50 vjetësh kujtonte se me Panon duheshin si dy vëllezër. Prof. Diloja iu bënte mësime në gjuhë të huaja për të përvehtësuar italishten dhe frëngjishten. Pas fillores në Sheper vazhdoi Liceun e Gjirokastrës dhe Liceun e Korçës (vinte kudo pas Babait të tij Ilia Dilo Sheperi, atje ku transferohej Ai), si në gjimnazin e Shkodrës dhe ne gjimnazin e Tiranës. Kur Ilia Dilo Sheperi doli në pension e mori me vehte i vëllai
Dr. Jani Dilo. Të gjitha universitetet që mbaruan fëmijët e Ilia Dilo Sheperit u bënë me ndihmën e njeri-tjetrit, jo me bursa nga shteti i asaj kohe.
Atdheu e kishte dënuar me burgje dhe vdekje familjen e Tij
Ëndërronte e ëndërronte pakufi doktori shqiptar, Pëllumbi i Paqes për t’i shërbyer Kombit të Tij, por vrastarët nuk e njihnin medicinën njihnin vetëm kokrrën e plumbit, plumbin ballit, mjeranët nuk e linin të kthehej. Në gazetën “Bashkimi” ku ishin publikuar shumë emra patriotësh të ikur dhe të dënuar me vdekje nga sistem komunist midis tye ai pa dhe emrin e vëllait të tij Dr.Jani Dilon një eksponent i Ballit Kombëtar dënuar me vdekje, ndaj nuk u kthye në Shqipëri për 50 vjet rresht.
Vëllai tjetër që ngeli në Shqipëri Margariti kishte mbaruar shkollën e Fullcit dhe universitetin për matematikë në Athinë, por ai vuajti dënimin si i burgosur politik në kalanë e Gjirokastrës dhe në kënetën e Maliqit. Edhe vëllai tjetër, Koco I. Dilo provoi burgun e Spaçit. Diskretitohet para popullit të Zagorisë xhaxhai tjetër doktor veterinar Mihali të cilin e shpallin “armik të popullit” më vonë vritet dhe masakrohet duke i nxjerrë sytë dhe prerë kokën tek pragu i shtëpisë nënë Kaliopit, bashkëshortes së doktor Mihalit.
Si shumë emigrantë të tjerë politikë që nuk i hodhën një dorë dhé prindërve të tyre, edhe Dr.Oresti pati të njejtin fat. Ja si shkruante për nënën e tij kur mbylli sytë përgjithmonë:
“E dashura Dede, Të thërrasim, ashtu si na kërkove dhe nuk na gjete. I mbylle syt’ e tua të bukura me të njejtën buzëqeshje që na pritnje ngahera. U largove dalëngadalë ashtu si Dielli që perëndon dhe na le në errësirë. Do të kthehemi dhe nuk do të të gjejmë o Dede e dashur, o Deda jonë e mire! Biri yt, Oreste”.
Kalvari i vuajtjeve si të Krishtit për familjen e Ilia Dilo Sheperit ja kishin coptuar zemrën Doktorit, birit dhe vëllait të tyre. Edhe pse vetë ishte në këtë profesion aq të çmuar, edhe pse po shëronte qindra pacientë amerikanë, ai nuk mundi të shëronte vëllain e Tij Margaritin që po vdiste nga torturat e barbarëve. Nuk e linin t’i ndodhej pranë. Ja si i shkruan letër, më 15 Gusht 1965 dhe i kërkon ndihmë kolegut të tij Dr.Theodhosit për vëllain që po lëngonte në shtratin e vdekjes: “I dashur Dr Theodhos, kam marrë këto ditë letrën t’uaj skjaruese dhe shumë informative rreth gjendjes së vellait t’im Margaritit dhe ju falënderoj nga zemra për gjthçka që jeni duke bërë për të. Në lidhje me diagnozën t’uaj ” …” … dhe nga pershkrimi i gjendjes që më bën vetë vëllai, ka mundësi që ai të vuajë nga… Natyrisht e mira e të gjithave do t’ishte dalja jashtë shtetit e vëllait t’im duke e drejtuar atë në një institut të jashtëm me të cilin Shqipëria është në relata. Vëllai im na dha rastin e mirë që të njihemi me anë letrash, sido që kam qenë në dijeni se ju jeni mjeku i familjarëve të mij aty. U them sinqerisht se çmoj shumë kujdesin dhe shërbimet t’uaja për ‘ta dhe ju jam borxhlli për jetë. Përfitoj nga rasti t’u siguroj se jam gjithnjë në dispozicjonin t’uaj për çdo gjë që do të kishit nevojë t’u dërgoj këtejazi për veten ose familjen t’uaj. Me përshëndetje miqësore Juaji, Oreste”.
Në New York ai kishte dhe vëllain e Tij Dr.Jani Dilon një figurë e shquar intelektuale dhe që i dha aq shumë Kombit. Duke lexuar biografitë e gjithë familjes Dilo të këtyre djemve që i dhanë dritë Shqipërisë, ndjej se si barbarët donin t’i shfarrosnin, t’i zhduknin, të shuanin dritën. Ndjej se në se do të kishja fuqi financiare që mjerisht i kanë zhvatësit dhe kriminelët me siguri do të ngrija një Muzeum për këtë familje ku do ta ndaja në pavione të ndryshme gjithë historinë e tyre plot kulturë, por dhe tepër të dhimbshme, sidomos do të ekspozoja mjetet e torturës si kanxhat e burgut, torturat. Një pavion do të ishte krejtësisht i veçantë ku do të shkruaja: Femijet nën moshën 18 vjeç ndalohen të hyjnë: pasi jepen skena të dhunshme ku nga goja e një të burgosuri do te dali vetëm gjak, gjak, gjak, dhe mund të ndodh që qe t’ju zërë sëmundja e gjakut, te humbisni ndjenjat. Fundja vetëm me këto muzeume shqiptarët mund të kuptojnë dhe mos të lejojnë kurrë të perseritet historia makabre per intelektualët më të zëshëm shqiptarë.
Muzeumin tjetër do ta ngrija në New York për të gjithë intelektualët e ndritur të Diasporës që mjerisht shteti amë dhe kultura vazhdon të mos i ketë në vëmendje. Dr.Jani Dilo ishte një patriot i madh. Sipas intervistës që kam realizuar me Eduard Dilon ai thotë se në shtëpinë e Dr.Jani Dilos në Manhattan, tregojnë bashkëkohësit e tij si Prof. Motrat Juka, Ing.Agim Karagjozi, Prof. Sami Repishti, Dr. Nihat Bakalli, Dr. Fuat Myftia, Idriz Lamaj, Prof. Luan Gashi, Sefer Mujo Luarasi, Kadri Bajrami kur në vitet 80 filluan demostratat në Kosovë dhe u përgjakën rrugët e Prishtinës, u bënë mbledhjet e para. Gjithashtu ka mbajtur fjalimin në OKB për Kosovën, dhe po nga foltorja e OKB-s, Dr. Jani Dilo, iu drejtua qeverisë së kuqe të Tiranës që: “Në Shqipëri veç burgimeve, internimeve e dënimeve me ose pa gjyq, qeveria grabit e sekuestron dhe gjithë reliket që ruajnë familjarët si gjë të shenjtë nga të parët e tyre”.
Dr.Oresti i perjetoi nën dhimbje të papërshkrueshme largimin nga vendi dhe ndalimin që i bënë, por njëkohësisht dhe ikjen para kohe të vëllait të vetëm që e kishte në Amerikë. Ja letra e ngushëllimit te Dr.Orestit drejtuar familjarëve për Dr.Jani Dilon, një tjetër intelektual erudit:
“E dashur Ifi, Hriso, Male, Koço, Henrik dhe Edi. Kam mbetur vetëm i mjeruar dhe i pa ngushëlluar; Janaqi im, Janaqi ynë, Janaqi i të gjithëve, i dashur, i urtë, i mirë, i shenjtë u nda prej neve. Ngado që të kthehem, nga do ku shkoj nuk gjej pushim, nuk gjej shpëtim. Punuam gjithë jetën, bëmë sa nuk bëmë, u hodhëm nga të gjitha anët dhe kur erdhi koha të gëzonim dhe të shfrytëzonim djersën e kaq kohe, ti Janaqi im, Janaq i pa fat u largove: le pas djalin, vëllezërit, motrat nipret dhe mbesat. Neve të thërrasim, neve të kërkojmë, neve bërtasim; pa Janaqin neve nuk mund të rrojmë. Ike prej neve pa pritur… Vdekje e papritur kjo e Jotja por,… 14 Janari, dita e zisë, ditë e shkatërrimit dhe e mjerimit. Janaq të lutem ktheu te djali, ktheu tek unë.
Te thërret Oresti që aq e dashuroje, të thërret vllai që për ‘të betoheshe.
Oreste Alpha, N.Y”.
Respekti dhe mirënjohja për punën e tyre plot sqimë intelektuale është shprehur dhe nga Shefki Miraku botuar në gazetën “Dielli”, më 31 dhjetor, 1973. Ja si shkruhet nga autori: “Ilia Dilo Sheperi “Dy dhuratat e tija shoqnis shqiptare”. …Unë deshiroj të ve në dukje dhuratën tjetër të këtij edukatori atë që e pashë, njojta, dhe i ndejta pranë. Dy djemtë e tij Jani dhe Oresti. Te dy ata në bisedime në sjellje dhe për ma tepër në vepra, lenë gjurmët e dy njerëzve të brumuem nëpërmjet të ditunive dhe civilizimit. Vetëm një shoqni e pa zhvillueme dhe e mbrapambetem nuk i kupton dhe nuk i di me i vleftësue këta dy djem, që janë burrënue dhe janë brumue drejt qëllimit për me i shërbye me urtësi dhe me bujari shoqnisë shqiptare. Ata, kudo, ndër bankat e shkollave, ndër detyra, në miqësina dhe në përkrahje, i kan zgjatë duert e tyre edhe kur i kanë pasë të shkurtueme nga rrethanat dhe të papritmet e jetës, i kanë zgjatë me zemër, drejt gjithë atyne që mbajnë emëna shqitparësh”.
Amerika humane dhe e demokracisë e priti krahëhapur birin shqiptar Dr.Dilon
Dr.Diloja mbaroi studimet për medicinë në Torino të Italisë. U burgos si antifashist në burgjet e Italisë dhe diplomën e mori pasi doli nga burgu. Në vitet e universitetit pati miqësi me Pano Xhamballon, Theme Vasin, Qemal Stafën, Asim Zenelin, Ajet Xhindollin etj,… Kishte miqësi dhe me studentë italianë si motrat Ravizza të cilat i ndihmoi dhe i vizitoi kur ai kishte bërë karierë si në jetë dhe në boten e shkencës dhe pasuri. Ëndërronte të kthehej në Atdhe për shërimin e malarjes që ishte kudo, por dëshira ngeli vetëm ëndërr ai erdhi vetëm pas viteve 90-të. S’kishte ku të kthehej, e priste skëterra, tortura dhe vdekja e zezë në vendin e tij, ndërsa Amerika e kishte marrë në mbrojtje Pëllumbin e Paqes, e kishte pritur krahë hapur doktorin shqiptar.
Ai kishte bërë betimin e Hipokratit dhe e zbatoi atë deri në frymën e mbrame të jetës siç thuhet në paragrafin e fundit të Hipokratit se: “Nëse e respektoj këtë betim dhe nuk e dhunoj atë, le të mundem ta gëzoj jetën dhe profesionin tim, i nderuar prej të gjithëve e në të gjitha kohërat; por nëse e thyej dhe e dhunoj këtë betim, le të jetë fati im i ndryshëm”.
Dr.Oresti vazhdoi kualifikimet e mëtejshme për mjekësi në Amerikë dhe ia arriti qëllimit të tij të lartë intelektual duke marrë titullin “Doktor i shkencave mjekësore”. Për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në mjekësi ai u emërua Drejtor i përgjithshëm i spitaleve publike në New York. Pas shumë vitesh me përvojë hapi klinikën e vet private në Alpha New Jersey, ku punoi për 30 vjet si doktor në atë zonë. Shumë pacientë të tij flasin me një simpati të jashtëzakonshme gati gati e çmojnë doktor me shpirt Zoti. Kur shikoja ndonjë pacient të varfër në klinikën time i tha nipit të tij në Tiranë Yllit e thërrisja në veçanti dhe i jepja 100 dollar, kurse vizita ishte 50.
Në vizitën e parë dhe të fundit në Shqipëri ai i la kujtim nipit të tij Etjenit një intelektual tepër i çmuar, një radio së bashku me një orë. Kjo është ora që më ka zgjuar gjithë jetën, e kam fituar në një konferencë ndërkombëtare në New York. Ai e vizitoi vendlindjen në moshën e pleqërisë duke sjellë valixhe të mëdha me medikamente që i dhuroi për të sëmurët dhe disa pajisje mjekësore në Universitetin e Tiranës.
Gjithë kohën që ndenji në Tiranë, vizitoi pa asnjë shpërblim cilindo që iu paraqit. Vendosi lule dhe në vorrezat e dëshmorëve tek shokët e tij. Menjëherë dërgoi ekspertë për të vënë në shërbim pasurinë e akumuluar në vite në mërgim, por vdekja e menjëhershme pasi u kthye në New York ia la të parealizuara.
Tronditja nga vuajtjet e mëdha, mosgjetja e asnjë prej vëllezërve në Shqipëri të cilët ikën nga kjo botë të torturuar nga regjimi diktatorial, që kishte vënë në sherbim ushtarë besnikë të etur për gjak, me siguri që ja shpejtuan pushimin e zemrës përgjithmonë doktorit, në moshën 75 vjeç.
Duke lexuar dhe studjuar për birin shqiptar Dr.Oreste E. Dilon i cili iu shërbeu me aq zell, përkushtim dhe dashuri pacientëve amerikanë, ndjen se ndërsa i kuroi mijëra pacientë amerikanë, u sëmur nga “pacientet” shqiptarë, skllav të sistemit të egër diktatorial.
21 Mars, 2015
Staten Island, New York
denokrimetekomunizmit says
ky shkrim qe vetem se ka firmen e Keze Zylos,nga Benca e Tepelenes, ka titullin me idioteks i cili per mendimin tim eshte ne vazhden e budallaiqeve qe kerkon te promovoje kjo profane : “Doktor Oreste E. Dilo që shëroi pacientët amerikanë dhe u sëmur nga “pacientët” shqiptarë”