LUIGJ GURAKUQI (19 Shkurt 1879 – 2 Mars 1925) Foto Marubbi Shkoder/
Bazate bashkpunimit ndërmjet Shqiptarëve Muhamedanë e të Krishtenë./
Nga Fritz RADOVANI/
Arësyet ma të para e ma të forta që armiqtë e një Shqipnie të lirë e më vete kanë përdorë ma shpesh për me kundërshtue që nga fillimi Lëvizjen tonë Kombëtare, kanë kenë këto: “Shqiptarët nuk mund të lirohën, Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë një Shtet që të kenë jetë të gjatë, që të organizohët e të përparojë, mbasi nuk kanë ndjesi kombëtare, tue kenë se janë të ndamë në tre besime të ndryshme.”
Këto fjalë përsëriteshin, kjo propagandë ngatrrestare lejohej si mbrenda, si jashtë Shqipnisë. Por, Prisat tonë, – ata që, nga ma të parët, rrokën Flamurin Kombëtar në dorë dhe nisën luftat për liri, – nuk u dobësuan as nuk u trembën fare prej kësaj profetije ogurzezë, tue kenë se njihnin thellë shpirtin e butë të vëllazënve të vet, e dinin mirë sësa janë të lidhun për gjuhën e, sësa kryenaltë janë Shqiptarët për vend e kombësi të vet. E, nuk u gënjyen; provat i kemi në shesh.
Idea e gjuhës dhe e kombësisë triumfoi mbi të gjitha pengesat.
E, me të vërtetë, lidhja e besimit me Shtetin që na sundonte, nuk i rudhi aspak Muhamedanët Atdhetarë me kërkue ndarjën e Shqipnisë nga Turqia. Edhe të Krishtenët, ndonse e dinin mirë se Shqipnia Etnografike, që ata andërronin të lirë do të kishte një shumicë tepër të madhe Muhamedane, nuk e morën fare parasyshë këte punë e, as nuk i dhanë rendësi konseguencave të saja.
Vazhduen, pra, së bashku, si vëllazën që ishin, e me zellë ditë përditë ma të ngrohtë e me guxim herëpërherë ma të madh, vëprimin dhe luftën për gjuhë, për kombësi, për liri; e disa prej tyne patën edhe fatin e bardhë me e pa të realizuem idealin e vet e me gëzue edhe frutët e teorive të veta.
Në kohët e para të Pavarësisë sonë ndodhën me të vërtetë disa ngjarje të këqija, të cilat u dukën përnjëherë se po u epëshin të drejtë profetëve ogurzezë. Kundërshtarët e Shqipnisë së lirë, të mbrendshëm e të jashtëm, u tërbuen prej gëzimit e besuen për një minut, në fitorën e mendimëve e qellimëve të veta; por veteranët tonë me gjithë mjerimin qe ju ndjeu zemra, nuk e humbën besimin as shpresën në fatin e Atdheut. E patën të drejtë. Mù në mes të trazimëve shpirti i butë i Popullit Shqiptar u shque ma shumë se kurrë; e, lidhjet e gjuhës, të gjakut dhe të kombësisë nuk vonuen me dalë ngallnjyese mbi lëvizjet e ngatërresat jetëshkurta.
Po të marrim parasyshë konditat e vështira e rrëthanat anormale ndërmjet të cilave lindi Shqipnia, nuk duhët të çuditemi aspak për këto ngatërresa e trazime, as t’ ia ngarkojmë të gjitha influencës së besimëve.
Kur ta mëndojmë Shqipninë, të cungueme nga pjesët e saja ma të mira, me kufinjë të përcaktuem e të çthurun, me tokët e pushtueme nga ushtritë e huaja e me një Komision kontrolli Ndërkombëtar mbi kokë, duhët të mbrekullohemi sësi Populli i sajë, ka mundë ta mblidhte vetën e, sësi nuk ka vdekë përpara se të fillonte me rrojtë!
Përsa i përket, tashti, çeshtjës fetare e kundërshtimëve që mund të ngjajnë ndërmjet besimëve të ndryshme, mund ta thomi me krye nalt se edhe në këte pikë nuk kemi arësye të kjajmë, pikërisht, ma shumë të gëzohemi e të shpresojmë në të mirën. Që mos të duket se kënaqem vetëm me shpresa e se, në mungesë argumentësh ma të sigurt jam tue u mundue me rreshtue vetëm fjalë të bukra për ti ba qejfin njenit apo tjetrit, kësaj herë do të sjelli një shembull tue e marrë prej Irlandës.
Po të krahasojmë gjendjën shoqnore t’Irlandës me ate të Shqipnisë, e po të masim shkallën kulturore të Popullit të sajë me ate të Popullit tonë; e po të kujtojmë mandej, se banorët e Ulster-it nuk duen të ndahën nga Ingilterra e të lidhën me shumicën e vëllazënve të vet Katolikë, për me kërkue sëbashku lirinë e plotë t’Atdheut, vetëm nga shkaku se janë Protestant, duhët të përfundojmë tue pohue pa frikë kundërshtimi, se ndryshimi i besimit sjellë pengesa shumë ma të mëdha në Irlandën e qytetnueme e të përparueme, sësa në vëndin tonë të mjerë.
Në këte pikëpamje, Kombi Shqiptar ep me të vërtetë një shëmbull të shkëlqyeshëm vëllaznimi e butësije shpirti, sa që rallë se gjindët tjetërkund!
Përpara se të përfundojmë, po ju, pyes: Si do të sillën, si do të rregullohën Shqiptarët që të mundën me bashpunue lirisht për të mirën e Atdheut, që të largojnë çdo shkak konflikti e të mos ndeshën në asnjë pengesë sado të vogël që mund të rrjedhë nga ndryshimi i besimëve?
Unë s’jam aspak me ata që mendojnë se në një mënyrë a në një tjetër, me të butë a me të fortë, duhet të shuhën besimet për me largue konfliktët që mund të shkaktojnë. Përveç, çeshtjes që feja i përket ndërgjegjës së njeriut, feja asht një gja e mirë se asht një ndihmë e madhe për jetën e kësaj bote.
Parimet e fesë të ndjekuna mirë i bajnë njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që ti shërbejnë Atdheut, që t’ju shtrohën ligjëve të Shtetit. Unë besoj, se qellimi i dëshruem, domethanë, nëse në mes besimëve largojmë konfliktët, mund të arrihët lehtë e vetëm e vetëm, tue sigurue me ligjë të drejta e të barabarta lirinë e nderimin e besimëve, e tue ndalue që Shteti të përzihët në punët e tyne.
Ndëhymja e Shtetit në çeshtjet fetare jo vetëm që asht e padrejtë por, sidomos, në Shqipni, mund të dalë edhe fort e rrezikëshme. Po të fillojë e të përzihet Shteti në punët e njenit apo të tjetrit besim, për të mirë a për të keq, sidoqë të jetë, do të prishet menjëherë ekujlibri ndërmjet tyne, do të shkaktohën hidhërime e pakënaqësi, do të sjellin si rrjedhim vështirësi e ngatërresa. Tue kenë kështu punët, arrijmë vetvetiu në këte përfundim, që bazat e bashpunimit ndërmjet Shqiptarëve Muhamedan e të Krishtenë duhët të mbetën gjithënjë ato të parat e, duhët të jenë këto: Njësia e Atdheut, bashkimi i kombësisë, lidhja e gjakut dhe e gjuhës; ide këto, që janë përshkue nëpër provën e zjarrit dhe kanë dhanë frute të mira. Përsa i përket mandej, çeshtjes Fetare, parimet që do të ndiqën janë këto: Besime të lira në Shtet të lirë, mosndërhymje e Shtetit në çeshtjet e besimëve, nderim i njenitjetrit për besimin e shoqi-shoqit.
Tue ushqye këto ide, tue ndjekë këto parime, tue vëprue mbi këto baza, mund të jemi të sigurtë se Shqipnia do të rrojë, se Shteti do të forcohët, se Populli i ynë do të vrapojë me hapa të shpejtë drejtë udhës së qytetnimit dhe të përparimit.
1923. Luigj Gurakuqi.
Dikur… ishte edhe Shtëpia e Luigj Gurakuqit..! Tashti a e kuptoni pse as kjo shtëpi nuk asht ma!
Melbourne, 18 Shkurt 2015.
* Ne vijim te rubrikes:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Jeta e Ahmet Selacit, histori nderi dhe krenarie kombëtare
Shkruan: Kadri Ujkaj, studiues/
Kur njihesh me librin”Ahmet Selaci-komandant i divizioni “Ibri”i ushtrisë nacionaldemokrate të “Besës kombëtare” i autorit kosovar Asllan Istrefi, i cili hapet me thënien e poetit tonë të shquar, Dritëro Agollit”Nderi i Kombit”:”Në sofrën e shtruar të historisë presin të marrin lugë të gjithë.
Vështrojnë thelat d he duan të hanë kurrnacë, grykës, batakçinjë, pelivanë.Po historia u jep nga një kafe në këmbë dhe thotë e përmbajtur diçka nëpër dhëmbë
”Na falni, se presim në sofër të vijnë ata që bëjnë vërtet historinë!”- thënie që vjen si okelio e këtij libri, interesant për nga mesazhi që sjell në konfirmim të një kontributi historik, të shkëlqyer si ai i selacëve të Shalës së Bajgorës-Mitrovicë, bindesh se fisi i Islamëve qe njëri nga fiset më të përkushtuar ndaj çështjes sonë kombëtare duke sakrifikuar gjithçka në emër të zgjidhjes së saj me dinjitet.Duke shfletuar faqet e këtij libri kushtuar jetës së lavdishme të 4 breznive të Islamëve të Selacit, ndjen brenda vetes stuhinë e shpirtit të një populli të martirizuar, që nuk guxonte të gëzonte as të drejtat më elementare në pjesën e vet të diellit, sikur skllavërohej , apo mund të vritej në format më makabre, nën pushtetin monarkik , apo sllavokomunist jugosllav deri në nivelet më poshtëruese të skllavërimit mesjetar gjatë një shekulli të tërë.
Përmes këtij libri autori arrin të plotësojë, me dinjitet studiuesi , atë faqe të diskutueshme të historisë sonë kombëtare, ndryshe të nacionalizmit shqiptar, i inicuar me lëvizjet kaçake në Kosovë apo çetat patriotike në Shqipëri, deri në struktura ushtarake, nga më kompaktet , në kuadrin e Lëvizjes së Rezistencës, siç qe edhe divizioni “Ibri” i ushtrisë nacionaldemokratike të “Besës kombëtare” me komandant Ahmet Selacin.Në këtë vështrim, me shumë të drejtë, mund pohojmë se Asllan Istrefi, ish-ushtari i UÇK-ës së lavdishme, na e sjell në vemendje dhe evidentim, si një vlerë kombëtare e shtuar, ndryshe si një monument i vërtet lirie, i ndritur, jo vetëm për Ahmet Selacin, por dhe për gjithë gjakun e selacëve, sidomos kushërinjtë e tij, krahas Boletinëve, me të cilët gjithmonë u gjendën bashkë, përballë rrezikut , në emër të jetës së Selacit, Mitrovicës dhe Kosovës së lirë sa nga pushtuesi osman,sa nga thundra çetnike serbe dhe ajo sllavokomuniste .
A nuk do të ishin familjet më të njohura që ia shtuan nderin dhe namin Selacit, Shalës së Bajgorës, Kosovës skaj më skaj dhe trojeve shqiptare , që nga Durrësi e deri në Mërdar, familjet e Ahmet, Mehmet, Rizah, Ajet dhe Imer Selacit?!?.Kjo, aspak rastësisht: “Burrat e Selacit që nga viti 1455, kur dihet për të historikisht dhe deri në shekullin XX ishin ballorë në luftën e shenjtë për të mbrojtur veten dhe trojet stërgjyshore. Selaci ishte dhe mbeti fidanishte e trimave që luajtën çarkun e pushkës në të gjitha periudhat historike, kur atdheu ishte në rrezik”, – nënvizon autori i librit, zoti Istrefi. A nuk qe kulla e Mahmut e Rexhep Selacit, po aq Kulla e Boletinëve, siç ishte Kulla e Boletinëve po aq edhe kulla e Mahmut dhe Rexhep Selacit , dy vatra të përhershme të rigonicionit për të mbrojtur deri në pikën e fundit të gjakut gjeografinë e trojeve shqiptare, sa herë që ato sulmoheshin nga taborret turke? Dhe po në të njëjtën kullë tri dekada më vonë Ahmeti, Mehmeti, Ajeti dhe Rezahu do të hartonin të njëjtat rigonicione luftarake, si kundërpërgjigje, deri me jetë, ndaj shkjaut të pabesë.
Kurt Selaci, daja i Azem Bejtës, do të nderohej si komitë me famë i Lëvizjes Kaçake dhe po ashtu si përkrahës i Komitetit Kombëtar për Çlirimin e Kosovës.A mund të harrohen komitët tjerë, trima si: Naf, Ahmet e Isuf Selaci, të shpërngulur nga Samadrxha në Fier të Shqipërisë, Zukë, Halil, Rrahman e Shaban Selaci, kaçakë të njohur në rrethin e Vushtrisë? Emrat e trimave selacas si: Feriz Selmani, Qazim
Zejnullahu , Sali Smajli dhe Fazli Behrami do t’ i gjejmë në regjistrat sllavokomunist për likuidim fizik të vitit 1946.Ndërkaq Ahmet Selaci, Imer Selaci, Mehmet Selaci, Rizah Selaci dhe Ajet Selaci ishin të planifikuar të likuidohen, t’u grabitej prona dhe t’u shfaroseshin familjet shkruan me shumë dhimbje dhe admirim autori.
Po kështu Mahmut dhe Rexhep Selacin, të regjistruar si kaçakë në regjistrat e komunës së Buçanit dhe Soçanicës do t’i njohim edhe si shoqërues të Isa Boletinit, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, sikurse do të jenë në rrethin e tij të ngushtë edhe në Gardën Kombëtare. Gjithmonë pranë Boletinit deri ditën e fundit të jetës, ku vriten nga çetnikët malazezë në vitin 1916, ashtu si Sejdi Selaci dhe Isa Boletini do të plagoseshin, krah njëri- tjetrit, në mbrojtjen e Kullës së Boletinëve.
. Kur regjimi gjakatar sllavokomunist i vlerësonte si njerëz të egjër dhe pa dinjitet civil kosovarët, ishte shpirti human, orientimi civil, fryma e dashurisë për vendin dhe njerëzit, kultura civile, që do të afirmonin selacasit si dashnorë me dinjitet civil të jetës. Ishte shembulli i shkëlqyer i solidariteti total , ai që do të shquante autoritetin dhe veprën e tribunit popullor Ahmet Selacit si kryetar i komunës së Shalës së Bajgorës.
Gjithherë, i rrethuar nga kujdesi dhe mbështetja e familjes dhe e gjakut të tij, kushërinjëve: Mahmutit, Rexhepit, Rezahut, Imerit, Ajetit, trima dhe fisnik brilantë, solidarizues të motivuar prej shembullit të shkëlqyer të tij do të ushqenin tek Ahmet Selaci patriotizmin e pashoq, zhvillimin me shumë përgjegjësi të obligimeve institucionale dhe inspirimet nga më fisnike, në emër të përparimit të jetës së selacasve, të shaljanëve, të mbarë Kosovës dhe Shqipërisë, që i deshi aq shumë. Sentencën e kësaj sakrifice solemne, e këtij impenjimi maksimal, në përmasa të jashtëzakonshme, e shpreh me gjuhën e shpirtit 85 vjeçarja Nurije Sadiku, ish-gruaja e dytë e Ahmetit:
” Eh, kemi parë kiametin me sy.Serbët kurrë s’na lanë t’I çelim sytë.Nuk ua ditëm lezetin as dasmave e lindjeve, por as lotit e dhimbjeve”. Nëse në rastin kosovar personalitete të nacionalizmit si Ahmet Selaci, Imer Selaci, Mahmut dhe Rizah Selaci ofrohen si figura dinjitoze, të kompletuara , që me një qëndresë historike sa në zhvillimin e përgjegjësive në frymën e atdhetarizmit në çdo cep të Kosovës, filluar nga Trepça, e pasurive nëntokësore, po aq edhe laboratori makabër, ku u manifestua ndaj shqiptarëve gjithë barabaria serbo-kroato-sllovene dhe sllavokomuniste gjatë mbi një shekulli, sikur edhe rezistenca e matur, protestat dinjitoze të mirëorganizuara nga kombinimi i shkëlqyer i veprimit civil, sindikalisto-politik, në emër të Çështjes Kombëtare nga brezni kosovarësh, për hir të së vërtetës historike duhet pohuar që nacionalizmi shqiptar , edhe pse krejt i ndryshëm nga ai evropian, nuk i shpëtoi dot strategjisë mashtruese të nazifashizmit , ndryshe kolaboracionizmit tragjik, duke pranuar bashkëpunimin me pushtuesin nazifashist në emër të pushtetit vetiak të ditës, apo atij partiak, të së nesërmes.
Madje, duke mos pranuar të rrjeshtohet me dinjitet, në koalicionin progresist botëror, jo pse e kërkonte Kominterni, po, sepse e kërkonin shtetet më demokratike të globit si: SHBA dhe Britani e Madhe etj. të cilat kurrsesi nuk pranonin kufinjtë kombëtarë, që ofronte nazifashizmi, ata i lejuan vetes edhe akte si Masakra e 4 Shkurtit 1944,në Tiranë, si suport i okupatorit nazifashist, çka sot dëshmohet qartë në arkivat gjermane( AQFA, Fondi : Komanda gjermane, viti 1944, D. 2, Fq.115)Ndërsa duke u arratisur nga Shqipëria së bashku me pushtuesit e mundur me Çlirimin e vendit, ata morën mbi vete përgjegjësinë historike të lënies së gjithë pushtetit politik PKSH, ndryshe përgjegjësinë e vendosjes së modelit famëkeq të komunizmit rus, në Shqipërinë e raskapitur nga lufta, për afro gjysmë shekulli, shprehet nipi i A.Frashërit, akademiku shqiptar, historiani i shquar, Prof.Dr.Kristo Frashëri”Nderi i kombit”(Historia e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri dhe Themelimit të PKSH-ës”, fq.273)
Të nderuar vellezër dhe motra të Selacit, të Mitrovicës dhe mbarë Kosovës !
Duke lexuar gjithë kursin çnjerëzor serbosllav, monarkik apo sllavokomunist , gjatë më shumë se një shekulli, mjafton t’i referohesh vetëm tri prej masakrave nga më të përbindshmet si : Masakra 7 ditore e 11 prillit 1941 nga dora gjakatare e Voja Kaliçaninit, ajo e Bihorit, më 5-6 janar 1943, sikurse edhe ajo e Tivarit, mars 1945, vepër e Millovan Gjilasit, sipas Dr.Hakif Bajramit,( “Mos ia kthe pushkën vedit dhe kombit tënd, o Uran Butka”, gaz.“Telegraf”, më 15.04.2013) që të bindesh, se pse nacionalistët në Kosovë “kishin të drejtë” që t’i prisnin si shpëtimtarë pushtuesit nazistë në prill 1941.
Më falni , të citoj dy nga këto dëshmi historike, krahas të vërtetës kriminale për Masakrën e Tivarit, tri nga aktet faktografikë, me interes studimi, nga më dinjitozët, si rishikim dhe pasurim i mëtejshëm i historisë sonë kombëtare, në faqet e librit në fjalë. Citoj:
“Lufta e prillit 1941 nxorri në shesh tërë pezmin e serbëve ndaj shqiptarëve.Në Mitrovicë mbretëronte kaosi i vërtetë.Serbët i vrisnin kudo që i hasnin shqiptarët. Më 11 prill 1941 u vra edhe deputeti i dikurshëm, Sherif Voca. Më 11 prill Voja Kaliçanini kishte urdhëruar të vriten shqiptarët prej moshës 17-7O vjeç. Si i nxori nga kazermat, të gjithë shqiptarët i shpuri në breg të lumit Stinica dhe i pushkatoi. Masakrimi i popullatës shqiptare ndodhi në të gjitha qendrat e Kosovës dhe zgjati 7 ditë”.
”Njëra ndër masakrat më të trishtueshme ishte Masakra e Bihorit më 5-6 janar 1943.Më shumë se 4000 çetnikë, të prirë ose të urdhëruar prej Vojvodës Pavle Gjurishiqit dogjën 1763 shtëpi, vranë 590 burra, therën 180 sish, vranë 340 gra, therën 285 sosh, therën 701 fëmijë, kurse dogjën 705 sish. Nga të ftohtit vdiqën 103 vetë, u plagosën 359 burra dhe 275 gra, ndërsa u morën rob 251 gra e vajza, sikurse 16000 banorë i detyruan të lënë shtëpitë e tyre. Kishte shumë të drejtë Ish-presidenti amerikan Xheferson , dy shekuj më parë, kur duke iu referuar Luftës Civile 20 vjeçare në Amerike do të shprehej për forcat ndërluftuese: “ Të gjithë pjesëmarrësit e asaj lufte 20 vjeçare duhen vlerësuar, sepse secili po luftonte për Amerikën sipas vizionit të vet”( Fadil Kraja”Mjeshtër i Madh”, TV-Shkodra, janar 2015).
Kjo nuk do të thotë që, ne të gjithë, sikurse gjithë bota demokratike nuk duhet të dënojmë krahas komunizmit edhe nazifashizmin, si dy totalitarizma, katastrofë për njerëzimin,
Ajo që dua të theksoj është që, ne, shqiptarët, duhet ta kemi krejt të qartë që Bashkimi ynë me Evropën, aq më pak Bashkimi Kombëtar, amaneti i nacionalizmit shqiptar, Shqipëria Etnike,nuk mund të arrihen, kurrsesi, pa bashkimin tonë shpirtëror si komb , prandaj kërkohet të distancohemi përfundimisht nga përplasjet tragjike brenda vetes. Mjaft me vrasjet, ngujimet, përbuzjet apo përndjekjet politike. Monografi i pasionuar i fisit të Islamëve, filluar me monografinë kushtuar Rezah Selacit, promovuar 7 vite më parë, konstaton me shumë sinqeritet, respekt dhe dhimbje, në funksion të një rishikimi profesional të historisë sonë kombëtare, ndryshe në funksion të një komunikimi fisnik, civil, bashkëkohor, demokratik, mes vedi:
”Shpifen e çka nuk shpifen sllavokomunistët për Ahmet Selacin dhe idhtarët e tij. I quajtën pari kriminale, banditë, bashibozukë, lahutarë e çfarë jo tjetër.Kjo gjuhë komunikimi sot , jo vetëm është
anakronike për kohën që jetojmë, por faktet tregojnë se Ahmet Selacit , këtij tribuni popullor, si shumë nacionalistëve të ndershëm, halë në sy për OZN-ën jugosllave, koha i dha të drejtë, ai arriti të triumfoi mbi rrethanat duke u bërë mal në sytë e popullit të tij”.
Lidhur me këto, që sapo thashë, dua të nënvizoj : Sot jetojmë në Epokën e Pashistorisë, që do të thotë se iku koha e fronteve, koha e përplasjeve mes vedi, pra nuk duhet të biem kurrsesi pre’ e lojës me historinë: ”Komunisti apo ballisti, partizani apo nacionalisti, heroi apo kuislingu”. Në Epokën e Integrimit dhe të Shoqërisë së Hapur historia shijohet vetëm si turizëm historik. Historinë dje e bënin heronjtë, posthistorinë sot e ndërtojmë secili. Fatmirësisht ky është edhe kodi i komunikimit me vetveten dhe mjedisin shoqëror, i njërit prej trashëgimtarëve më fisnikë të selacëve të Shalës së Bajgorës, i trajtuar me aq respekt në këtë libër, sponsorizuesi i botimit dhe i promovimit të këtij libri, i dyti pas atij kushtuar Rezahut dhe promovuar 7 vite më parë, zoti Bejtush Selaci, djali I Rezahut.
Duke manifestuar zotësinë, urtësinë, orientimin pragmatist, por edhe atë human si sponsorizues, i nderuari Bejtush Selaci ka arritur të ndërtojë, jo si qaraman, por me dinjitet jetën e vet si qytetar dhe familjar, si bisnesmen bashkëkohor dhe patriot iluminist, duke u lënë brezave që vinë , të promovuar, një pasuri serioze si kontributi i shkëlqyer historik i 4 brezave të fisit Islamëve, që falen gjithçka, në emër të kombit, apo siç shprehej aq madhërisht Rezahu:
”Gjakun Kosovës, jetën Shqipërisë”.Ne shqiptaret që ende nuk e kemi zgjidhur çështjen tonë kombëtare, nuk na lejohet të injorojmë amanetin e nacionalistëve të vërtetë, sepse “Trepça” për të cilën u investua aq shumë Ahmet Selaci, i mbështetur kurdoherë nga kushërinjtë e tij Rezahu, Mahmuti, Rexhepi, Ajeti , Imeri etj.sikur edhe nga nënat dhe motrat selaciane, që derdhën aq lotë gjaku, lot shpirti kur i masakruan , akoma s’ka gjumë…
Kosovarët po ikin nga Kosova, sepse “Trepça” , e njohur botërisht si Kombinati i Trepçes, edhe pse ndodhet në tokën e Kosovës, vazhdon të mos qeveriset nga shqiptarët, ndryshe nuk ka shpëtuar ende prej lakmive të vjetra… Kujtoni! Jo rastësisht, më 24 qershor 1999 francezët, njëri nga investitorët e huaj në Mitrovicë, pasi zbritën nga ajri, do të ishin të parët që do të ngrinin barrikadat e para mbi Urën e Ibrit, ndërsa rusët zbritnin në Prishtinë me qëllim që serbët të mos humbnin shpresat e një përspektive optimiste!
Mos harroni vëllezër dhe motra kosovare: “Kali i Trojës” sot vërtet nuk e ka veshjen prej druri, por asgjë s’ka ndryshuar në thelbin e tij. Shqiptarët e Kosovës nuk duhet t’ia lejojnë vetes që, “Bashkim-Vëllazërimin” hipokrit të së djeshmes, ta zëvëndësojnë me Entuziazmin modern, mashtrues, të Perandorisë së Tregut, aq më tepër kur edhe sot: ”ka një doktrinë në Ballkan, që titullohet “Dëbimi i shqiptarëve”, një draft të vitit 1938, shkruar prej akademikut serb, Vaso Çubrilloviçit,” i cili kërkon dëbimin e shqiptarëve prej gadishullit.
Një projekt kriminal , që nuk di të jetë dënuar në Jugosllavi, as ish-Jugosllavi, – thekson akademiku ynë I.Kadare”Nderi i Kombit”,- vënien e të cilit në jetë në vitin 1999 e pa gjithë bota’(”Mosmarrëveshja- raporti i shqiptarëve me vetveten”, fq.77). Megjithatë s’duhet harruar as ana tjetër e madaljes: Atdheun e dua sa të më dojë ai mua. Ky është vizion i njeriut modern, aq më shumë kur premtimet elektorale mbeten në fasadë sikurse shifrat tejet shqetësuese të papunësisë dhe të varfërisë në Kosovë njohin vetëm dhe vetëm rritje. Në këtë kontekst duhet të jemi të tej ndërgjegjësuar se pa dashur vetveten nuk të do askush në këtë dreq bote. Mjerë ai popull që harron historinë, dhimbjet dhe sakrificat për një jetë në liri, ku shkëlqyen figura të tilla heroike si: Ahmet Selaci, komandanti i divizionit”Ibri” i ushtrisë nacionaldemokrate shqiptare të “Besës Kombëtare”, që do të sakrifikonte gjithë jetën me idealin e shenjtë: “Shqipëria Natyrore e shqiptarëve”. Mjerë ai popull që, i dehur nga entuziazmi modern, vijon të mos i gëzohet vetvetes, tokës amë, por Dyerve të Botës! Duke përfunduar dua të uroj autorin e librit z. Asllan Istrefi, të vijojë me monografitë e fisit të islamëve, bij të shquar të kombit tonë. Po ashtu, personalisht, kam kënaqësinë të përulem me respekt para z.Bejtush Selaci, patriotit iluminist, djalit të Rezah Selacit, që me sponsorizimin e vet shembullor ka vendosur t’u lërë pasardhësve të selacasve legjendarë dhe kombit të vet, veprën e tyre historike, veprën e një gjaku që do të ndrijë ndër shekuj, historinë e Ahmet Selacit, histori nderi dhe krenarie kombëtare .
* Kadri Ujkaj, studiues,
Koplik, më 17 shkurt 2015
Anëtar i seminarit shkencor ndërkombëtar”Shkodra në shekuj”
Si erdha dhe si mbeta ne Amerike…
Nga Sadik ELSHANI-Philadelphia*/
Ndoshta askujt nuk i intereson dhe ndoshta askujt nuk duhet t’i interesoje sesi Sadik Elshani erdhi dhe mbeti (gjer me tani) ne Amerike. Ndoshta as une nuk kam nevoje t’i shkruaj keta rreshta. Ndoshta nuk kam nevoje te “rrefehem” para askujt dhe as te shfajesohem para askujt. Por keto dite ne kete gazete (gazetadielli.com) dhe te illyriapress.com kam botuar disa shkrime per ngjarjet dhe zhvillimet e koheve te fundit ne Kosove, kryesisht per shpernguljen, emigrimin e qytetareve te Kosoves ne drejtim te vendeve perendimore dhe per punen jo te mire te qeverise per te siguruar nje mireqenje me te mire per qytetaret e Kosoves. Nuk kam bere ndonje analize te thelle per keto probleme, sepse nuk jam i kualifikuar per te bere vleresime te tilla. Thjesht, si shqiptar i lindur dhe i rritur ne Kosove, i kam shprehur shqetesimet e mia per fatin e Kosoves dhe qytetareve te saj. Ne shkrimin e fundit, “Kur Rame Bllaca ndertonte shtepi te re”, kam shkruar per qendresen e shqiptareve per te mos u larguar nga trojet e tyre, edhepse ishin nen nje trysni qe nuk mund te durohej. Ne ate artikull kisha planifikuar nje paragraf ku do te flisja edhe per veten time, sepse une po e shkruaja ate shkrim nga Philadelphia, dhe jo nga Kosova. Pra, edhe vete jam larguar nga Kosova. Per te mos qene ai shkrim i gjate, dhe per t’i sqaruar gjerat pak me mire, vendosa ta bej nje shkrim tjeter, kete shkrim, per rrethanat sesi erdha dhe mbeta (gjer me tani) ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes. Kete po e ndiej si nje nevoje morale, shpirterore dhe per te mos u dukur dyftyresh, sepse te gjithe ata qe me njohin, e dine fare mire se une nuk jam nje njeri i tille.
Qe ne moshe te re, nga viti 1978 kam udhetuar ne vende te ndryshme te Eurpes. Per disa vite me radhe kam ndjekur ne France nje kurs veror te gjuhes frenge. Edhepse kam mundur dhe kam patur mundesi te jetoja ne ato shtete, une gjithmone jam kthyer ne shtepi, i kam vazhduar dhe perfunduar studimet e mia ne Univrsitetin e Zagrebit, ndersa gjate pushimeve te veres edhe i kam ndihmuar familjes sime ne Kosove per t’i kryer punet e fushes dhe vellezerve ne shitoren tone familjare. Temen e magjistratures, po ashtu e kam perfunduar ne Zagreb me nje profesoreshe, e cila vite me pare kishte punuar ne laboratorin e nje profesori amerikan dhe ata e kishin vazhduar bashkepunimin e tyre shkencor edhe pas kthimit te profesoreshes ne Zagreb. Per lemine ne te cilen une punoja, per bashkedyzimet qe une i sintetizoja, profesori ishte mjaft i interesuar. Kur e perfundova magjistraturen, profesoresha e njoftoi profesorin amerikan per sukseset e mia dhe ai i kishte thene asaj, se ai me gjithe deshire do te me pranonte ne laboratorin e tij per nje qendrim dyvjecar. U morem vesh me profesoreshen qe une ato rezultate qe do t’i arrija ne laboratorin e profesorit, mund t’i perdorja per disertacionin tim. Ne fund te qershorit te vitit 1988 erdha ne Kansas City, MO, sepse profesori punonte ne Universitetin e Missourit. Punet ne laboratorin e tij shkonin shume mire. Pas nje viti erdhi edhe e fejuara ime nga vendi i saj per te studiuar ne Konservatorin e Muzikes, ne te njejtin universitet dhe pas ca kohesh edhe u martuam. Pas nje viti lindi vajza jone. Qendrimi im po mbaronte ne Kansas City, ndersa bashkeshortja ime ende ishte duke i vazhduar studimet. Para lindjes se vajzes, erdhi nena e saj dhe pastaj ajo kujdesej per vajzen. Ndoshta kam mundur te vazhdoja edhe per ca kohe ne laboratorin e profesorit, por mua nuk me konvenonte, sepse ai ishte biokimist, ndersa une jam kimist organik dhe deshiroja te merresha me lemine time ku ndihem me i forte dhe me i sigurte. Ate kohe gjendja ne Kosove ishte perkeqesuar shume, shqiptaret ishin debuar nga puna, Universiteti ishte mbyllur, etj. Nuk po flas me teper per gjendjen ne Kosove gjate viteve te 90-ta, sepse ato dihen mire dhe nuk jane objekti kryesor i ketij shkrimi. Pra ne ato rrethana te krijuara ne Kosove dhe rrethanat e krijuara familjare nuk me mundesonin kthimin tim ne Kosove, ashtu sic e kisha planifikuar une pas qendrimit tim dyvjecar ne laboratorin e profesorit. Kah fundi i qendrimit tim ne Kansas City ne departamenti e kimise, per te mbajtur nje ligjerate kishte ardhur nje profesor nga Universiteti i Idahos dhe ligjerata e tij kishte te bente me nje lemi ne te cilen une kisha punuar per temen e diplomes dhe dicka edhe per magjistraturen. Pas ligjerates u takova dhe bisedova me profesorin dhe ai me tha se kishte nevoje per nje kimist organik qe te sintetizonte bashkedyzimet per studimet e tija. Une i tregova per pervojen time ne ate lemi dhe pas disa mujsh shkova ne Moscow, Idaho ku ishte Universiteti i Idahos. Aty qendrova per 5 – 6 vite dhe kam patur nje pune mjaft prodhimtare shkencore. Nje pjese te punes e kam shfrytezuar edhe per disertacionin tim. Ne nderkohe aty lindi edhe djali yne, ndersa bashkeshortja vazhdonte fakultetin e mesuesise. Me pare ajo e kishte kryer magjistraturen ne Kansas City. Tani vajza ishte e moshes shkollore, djali shkonte ne kopsht. Ne vitin 1996, pas tete vitesh, e vizitova Kosoven ne ato rrethana te veshtira te okupimit serb, babai kishte tri vite qe nuk ishte me ne kete bote. Edhe ne ato kushte te veshtira qe ishin ne Kosove, ne kemi menduar te ktheheshim, por ndodhen ngjarjet e 97-tes ne Shqiperi e me vone ato ne Kosove. Ku te ktheheshe? Tani sic duket ishte bere teper vone. Pastaj nga Idaho kam shkuar ne Texas Tech University ne Lubbock, Texas dhe me vone ne Philadelphia ku gjindem edhe tani. Gjer ne vitin 1995 kam qene me vize dhe pastaj jam bere banor i perhershem (permanent resident) krejt rastesisht. Ne vitin 1994 isha ne Zyren per Marredhenje Nderkombetare ne Universitetin e Idahos per te vazhduar vizen dhe me treguan disa formular per nje llotari per te fituar statutin e banorit te perhershem. Une i shikova, por nuk u dhashe kurrefare rendesie. Plotesoji keto formulare, me sugjeruan, edhepse me thane se nuk njihnin asnje person qe kishte fituar gjer atehere. Une i plotesova dhe i dergova aty ku duheshin derguar. Une kisha harruar per kete, kur pas ca muajsh me vjen nje zarfe i madh me formularet qe duheshin plotesuar. Te tjerat jane histori. Deri ate vit kurre nuk i kam kontaktuar zyrat e emigracionit, sepse kurre nuk e kisha menduar e planifikuar te qendroja pergjithmone ne SHBA. Nganjehere fatet e jetes sone nuk qenkan vetem ne duart tona. Mund te shkruaj edhe shume gjera tjera, por me duken te teperta e te panevojshme dhe nuk dua ta lodhe lexuesin.
Kurrkujt nuk mund t’i them se si te veproje ne jeten e tij, sepse as vete nuk deshiroj qe dikush te me thote mua se si te veproj ne jeten time. Por do t’u sugjeroja bashkevendesve te mi qe te veprojne me pjekuri, te mos veprojne ne kete menyre, te mos e rrezikojne jeten e tyre dhe te familjeve te tyre ne keto dite te ftohta dimri. Disa nga bashkatdhetaret tane, ne vend se te perfundojne ne ndonje vend te Europes Perendimore, fatkeqesisht, kane perfunduar ne nje bote tjeter, nen dhe. Secili njeri i ka hallet, problemet, planet, deshirat, endrrat, fantazite e veta. Kuptohet, ketu ne Philadelphia, ndoshta mundesite jane me te medha, por edhe ketu nuk jetohet aq lehte, sic mund te endrrojne, fantazojne disa. Sidoqofte, kudo qe te ndodhemi, ne cdo rrethane qe te ndodhemi, ne cfaredo kushte qe te ndodhemi, te punojme per vendin tone, te mos e harrojme vendin tone. Dhe pse jo, nje dite te kthehemi ne vendin tone. Rruga e kthimit per ne vendlindje, gjithmone na qofte nje rruge e shkurter, rruge e mbare!
Gezuar Shtatevjetorin e Pavaresise, Kosova jone e dashur!
Sadik Elshani, Philadelphia, 17 shkurt, 2015
* T dashur Lexues, nese edhe ju keni nje histori per te treguar, ndajeni me lexuesit e Diellit dhe dergoja redaksise se Diellit ne meailin: gazetadielli@gmail.com
*Shenim: Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
MISTERI I JETEGJATESISE SE VATRES DHE DIELLIT
NGA PETER PRIFTI*/
“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”!/
“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”!/
Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?/
Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.
Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.
Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.
Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.
Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.
Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.
Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.
Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.
* Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)
DIELLI-KANDILI KOMBËTAR
Nga Refat Xh. Gurrazezi/
Janë shkruar shumë artikuj në fletore dhe të përkohëshme shqiptare mbi historin’ e DIELLIT prej njerësve të ndryshmë se si dhe qysh u-themelua ky kandil kombëtar, dhe pa dyshim njerës të tjerë do t’shkruajnë në t’arthmen mbi këtë pikë.
Me mbylljen e gazetës “Kombi” në Boston dhe të revistës “Albania” në London, qe nevojë e domosdoshme për botimin e një gazete kombëtare jashtë Shqipërisë që të lëftonte për të drejtat e popullit shqiptar. Dhe kjo nevojë u duk më tepër kur Xhon-Turqit burgosnë Dervish Himen sepse i gjetnë Flamurin e Shqipërisë me vete, dhe asnjë gazet’ e brendëshme nuk guxoj dot të fliste për mbrojtjen e tij nga frika e Xhon-Turqve.
Ahere Faik Konitza në London dhe Fan Noli në Boston u-muarnë vesh për botimin e një gazete shqip n’Amerikë.Ata nukë njiheshin personalisht, njohja e tyre qe me anë të shkrimeve në shtyp dhe të letre-këmbimit, dhe ashtu u-lith miqësia në mes të dyve. Natyrisht patnë dhe shokë të tjerë që e biseduan çështjen e gazetës, po fakti është se ata të dy qenë shkaktarët kryesorë për botimin e DIELLIT. Me përpjekjet e tyre u-ndes ky Kandil Kombëtar më 15 shkurt 1909, dhe është mbajtur ndezur gjer sot nga Vatranët e dedikuar dhe patriotë të vërtetë që s’janë larguar kurrë nga VATRA.
Kush e pagëzoj DIELLIN me këtë emër, nuk e di dot, kjo gjë munt të jetë shënuar në rekordin e shoqërisë “Besa-Besën” kur u vendos botimi i tij, po ku munt t’a gjejmë atë rekord? Kurse për themelimin e VATRES gjenden plot dokumenta historikë, ndonëse shumë herë janë shtrëmbëruar nga njerës të pakujdesur, besoj kjo është fjala më e urtë që munt të përdorim. Për shembëll, kur u-festua Dekata e Parë e Federatës Vatra, dolli një numër i posaçmë i DIELLIT me 16 faqe, dhe atje është botuar një artikull i gjatë prej Faik Konitzës mi historin’ e VATRES, i cili në paragrafin e fundit thotë këto: “Për emërin, formën federale, kanunorën, regulloren, dhe shpiritën e parë të VATRES, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që VATRA, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajsh, u-rit, u-madhua, u-bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe n’atë shvillim unë s’kam patur as një pjesë. (DIELLI: 31 Mars 1922).
- « Previous Page
- 1
- …
- 493
- 494
- 495
- 496
- 497
- …
- 607
- Next Page »