• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALO VAÇE!

April 9, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Midis 9:00 dhe 10:00, pak a shumë rreth kësaj kohe, kur mendoja se ajo e kishte kryer ritualin e mëngjesit dhe tash qëndronte e ulur përpara televizorit duke patur pranë telefonin, telekomandën dhe një orë të vogël, që i tregonte se kur duhej të merrte ilaçet, unë do ta merrja në telefon për t’i uruar ditën e lindjes. Sa niste muaji prill, gjëja e parë që mendoja ishte ditëlindja e Vaçes. Pushtimi nga Italia, lindja e princit trashëgimtar, ikja e Zogut – të gjitha vinin pas ose nuk vinin fare. Unë besoja se Zoti kishte bërë që Vaçja të jetonte afër nesh. Si për të na e lehtësuar peshën e mungesës së Atdheut. Prania e saj në Zvicër, edhe e zvogëluar prej sëmundjes në atë kolltukun e dhomës së miqve kur priste shqiptarë dhe ndiqte me vëmendje lajmet që vinin nga vendi i saj, përfaqësonte për mua 28 mijë kilometra katrorë të një Shqipërie europiane. Të një Shqipërie siç do të bëhet, ashtu siç e deshte zemra e Vaçes, të një Shqipërie që Zoti e ka vendosur në mes të të mirave. Kur kjo klasë politike që e ka lënë kockë e lëkurë atdheun tonë, të mos jetë më. Vaçe Zela simbolizonte Shqipërinë nuse, kur të bëhet si Zvicra e Ballkanit.

Rreth kësaj ore, midis 9:00 dhe 10:00 të paradites, si tani që po i shkruaj këto rradhë, në vend të telefonatës që do të bëja. Unë do t’i bija ziles dhe kur do t’i thosha „Alo, Vaçe“ – ajo nga ana tjetër do të më përgjigjej menjëherë „Elida“. Sepse e dinte shumë mirë që unë lumturohesha kur ajo ma njihte zërin menjëherë, kjo jo vetëm për shkak të veshit të saj të ndjeshëm muzikor. Por sepse midis nesh kishte një sintoni të bukur. Që unë e desha Vaçe Zelën, kjo nuk përbën ndonjë diçka të re sepse shqiptarët që deshën dhe e duan janë një oqean i madh, por sintonia jonë ishte e veçantë.
Sot provova t’i bie ziles me shpresë se mos më përgjigjej që nga parajsa. Këto janë gjëra që deri tani nuk kanë ndodhur. Por diçka është e sigurt se edhe prej parajse ajo rrezaton një diell dashurie për të na ngrohur e shkrirë ne shqiptarëve nga ngrica e përçudnimi.
Gjithë jetën më ka shoqëruar Vaçja. Me mrekullinë e zërit të saj jam rritur. Edhe kur dëgjoja fshehtas Beatles. Nuk vija ndonjë ndryshim midis tyre. Nuk e di nëse Beatles, John Lennon me shokë si do t’ja kishin dalë në Shqipërinë burg, ku këndonte Vaçja. Nëse do t’ia kishin thyer vargojtë diktaturës përmes këngës, ashtu si Vaçe Zela.
Tek Vaçja, Zoti i kishte dhuruar të gjitha bashkë. Ajo kishte zërin, talentin, zemrën, interpretimin, feminitetin. Ishte një artiste e kultivuar e cila i thyente të gjitha barrierat nën diktatin e një sistemi mizor. Si askush. Si asnjë.

Asnjëherë nuk pati lidhje me regjimin. Nëse do të kishte, regjimi do ta shpërblente ashtu si i ka shpërblyer të gjithë artistët dhe shkrimtarët që i pati shërbëtorë të bindur.
Vaçen diktatura e dënoi në mënyrën më kriminale të mundshme. Nuk mundi dot ta burgoste si i burgosi të tjerët. Sepse i friksohej Vaçes, dimensionit të saj gjigand. Atëherë gjeti mënyrën më tragjike. Duke ia hequr të drejtën e këngës. Duke e nxjerrë Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare.
Ta nxirrje Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare, t’i hiqje të drejtën e këngës, do të thotë që ta ekzekutoje me mënyrat më të përbindshme që përdorte diktatura. Si mund të ishte pushkatimi apo varja në litar.
Dhe më vjen keq, se mediat në Shqipëri vazhdojnë dhe e fshehin këtë fakt. Më vjen keq kur dëgjova në fjalët e lamturës që u thane për të, se Vaçe Zela iu largua vetë skenës si Greta Garbo! Kjo s’është e vërtetë. Vaçe Zelën e largoi nga skena diktatura. Sepse ajo ishte titane! Diktatura përpara saj dukej qesharake.
Sa nuk ishte sëmurë, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, kur ne të dyja flisnim bashkë dhe unë i referohesha kthimit të saj në skenë, ajo asnjëherë nuk më tha „jo“. Që do të thotë se ajo gjithnjë e mbante mendjen dhe shpirtin tek skena. E cila iu mohua nga diktatura dhe nga tmerret e tranzicionit. Sepse Vaçe Zela nuk do të largohej kurrë nga Shqipëria edhe fizikisht, ashtu si nuk u largua kurrë as mendërisht e shpirtërisht. Ajo vuante për të gjitha mbrapshtitë që i vuante Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre 23 viteve pasdiktaturë, kur shteti nuk kishte kohë për qytetarin, kulturën dhe artistët sepse ishte i përqendruar tek pangopësia për pushtet.
Kur ajo vdes, shteti e kujton Vaçe Zelën postmortum, kur shtanget nga pesha prej titaneje e Artistes, të cilën diktatura e largoi nga skena në prillin e vitit 1984 – plot 30 vjet më parë, ndërsa ajo vazhdon të qëndrojë në skenën e shpirtit të kombit që është i pavdekshëm. Sepse Vaçe Zela ishte një talenti i lirë dhe sovran, i pastër dhe i papërlyer. E kështu do të mbetet. Në përherësi.
Unë po i bie ziles së telefonit. Sinjali po bie pa pushim. Unë po pres mrekullinë që ajo pas telefonit të më përgjigjet « Elida ». Jam duke pritur që të paktën të më dërgojë një shenjë nga Parajsa. Padyshim që këtë shenjëz do ta marr.

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Lamtumire, Vace Zela

“Mbreti 1 milion”

April 8, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Më 9 prill 1961 – Në spitalin Foch, Sorensen, Paris, Francë, vdiq mbreti Zog, 65 vjeç – pas shumë vitesh vuajtje nga sëmundja, pa e parë vendin e tij që prej ikjes më 8 prill 1938. Shtypi në Shqipëri heshti plotësisht.Zogu ishte shtruar në spital më 4 prill, thuajse pa ndjenja nga dhimbjet e forta në stomak. Ai ishte dobësuar jashtzakonisht. Kur u përmend, pa pranë mbretëreshën Geraldinë dhe princ Lekën. Zogu i kërkoi Geradinës t’i silte një revole sepse nëse mjekët do t’i thonin se kishte kancer, ai nuk donte të jetonte më dhe do të vriste veten. E shoqja e kundërshtoi, më kot; pastaj solli armën (pa fishekë) dhe ia la pranë, por mbreti nuk kishte fuqi as për të zgjatur dorën.

Zogu kishte qenë monark absolut, i fortë, efikas dhe, i pamëshirshëm në rast nevoje. “Eshtë kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.

Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468” Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.

Mbreti krijoi administratën dhe makinerinë e një shteti modern shqiptar; gjatë presidencies së tij, kodi i vjetëruar penal Osman u zevendësua me Kodin e Napoelonit; vendi përparoi në çdo fushë të rëndësishme; ai zhduki banditërinë e trashëguar; përkujdesje i kushtoi arsimit publik; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitete evropiane (ironikisht mes tyre ishte edhe Enver Hoxha), dhe kur diplomoheshin, ata kthehesin në atdhe ku Zogu i vendoste në poste administrative.

Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, mbreti Zog u rezistoi përpjekjeve nga Italia për vendosjen e fashizmit në Shqipëri, derisa Musolini u detyrua ta pushtonte, si dhe mbajti marrëdhënie të mira me vendet fqinje.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ahmet Zogu, Astrit Lulushi, Mbreti 1 Milion

SHOTA E DYTË, POETJA- LUFTËTARE NË TRI LUFTRA

April 7, 2014 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

1.Gjatë një veprimtarie përuruese, në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar, takova për herë të parë shkrimtaren e re dibrane, Raimonda Maleçka. Me atë pamjen buzagase e dashmirëse të fytyrës, ajo shprehu kënaqësinë për njohjen tonë. Sigurisht, këtë gjë ia thashë dhe unë asaj.Kisha lexuar sadopak për Mondën, në faqe të ndryshme Interneti. Por ndryshe është, kur bisedon nga afër, me një poete a shkrimtare. Në këtë rast, ishte kënaqësi e veçantë për mua dhe tërësisht përputhej me interesimin, që të merrja të dhëna nga ajo, për një libër të pritshëm, me disa shkrime kushtuar femrave krijuese. Ishte rasti më i rrallë ose pothuejse i vetmi, që do të kisha autore, në tufën e shkrimeve për mjaft libra, jo vetëm një krijuese të talentuar, por dhe një luftëtare të paepur për lirinë dhe dinjitetin tonë kombëtar. Pra, ajo kishte mbajtur në duart e saj jo vetëm lapsin ose stilolapsin, por dhe pushkën e automatikun.

Bazuar në këto, që shkrova më lart, sigurisht edhe përmbajtja e librave të saj do ta kishte këtë tematikë. Së pari, për këtë gjë mora informacionin e duhur dhe u binda, duke parë skedarin online të Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë. Aty mund t’i shohë secili i interesuar titujt e librave të Raimonda Maleçkës, Nuk di nëse ka ndonjë libër të paregjistruar aty, por numri i tyre është 13, pa përmendur librat, që ka redaktuar, me tematikë luftën e UÇK-së. Po, për këtë gjë, më tregoi edhe vetë kjo autore, gjatë një bisedë të posaçme me të.

2.

Ja, tani kam ndër duar dy libra të Mondës, të cilët ajo m’i dhuroi me shënimet e saj dashamirëse. I pari, e ka titullin “Safet Peci-Boletini, dy herë i pavdekshëm-Kujtesë”(Tiranë, 2013) dhe “Mbollën  gjak, mbijnë këngë-I”(Tiranë, 2013). Siç kuptohet lehtë, libri i parë flet për jetën heroike të një djaloshi. Në disa faqe përmban poezi, shumica me tematikë atdhetare. Të tilla janë ato me titujt: “Mëmëdheu”, “Ti, oj lule”,”Shqipëri”, “Kosovë” etj. Ndër vargjet e frymëzuar e kushtrim, për të gjithë bashkatdhetarët, janë dhe këta: “Ja do rrojmë, ja do vdesim,/ Shqipërisë nderin nuk ia shesim,/ s’do ia shesim kurrë për jetë,/ do ta ngremë si zonjë në truall’ të vet”( poezia “Betim”).

Në pjesën e dytë të këtij libri janë disa skica të frymëzuara, në të cilat flitet për traditat atdhetare, liridashëse e luftarake të fisit të Boletinëve, por dhe për një djalë trim të atij trualli, Safet Pecin-Boletini. Autorja dëshmon për të, se ai ka dy pavdekësi, pasi ishte poet dhe luftëtar i lirisë. Dhimbjen e madhe e kujtimin e përhershëm për birin shumë të dashur të tyre, si për nënën e babain, Zeqirin, për motrat e gjyshërit dhe tërë rrethin familjar, autorja e paraqet përmes fjalëve të saj, por dhe me mjaft fotografi familjare. Kudo, në qendër të tyre, është vendosur dëshmori i lirisë, Safet Peci i Boletinëve. Përmbledhurazi, Rajmonda shkruan edhe këto radhë për personazin kryesor të librit të saj:

“Safet Peci-Boletini është një dhimbje krenare, jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë të rinjtë e Kosovës dhe të brezit të poetëve të kohës së tij. I lindur për dy dashuri të mëdha, dy dashuri të shenjta, të cilat i ka provuar sa jeta historia njerëzore, I lindur me ndjesinë e njeriut me botë të madhe prej vjershëtori dhe me zemrën që rreh me zemrën e madhe të Atdheut. Dy dashuri, që nuk të lënë të vdesësh kurrë, dy dashuri, që plotësojnë dhe ushqejnë njëra-tjetrën”. Siç shprehet autorja e këtij libri, ai djalosh mbeti përherë aty, me shtatoren, në mes të Mitrovicës së Kosovës, me heroizmin dhe vargjet e tij poetike.

Siç është e kuptueshme, do të duheshin sa e sa faqe, për ta bërë paraqitjen e përmbajtjes së librit tjetër të kësaj autoreje, poete, shkrimtare e luftëtare. Ai u përurua në Skënderaj, me rastin e 6-vjetorit të shpalljes së Republikës së Kosovës.

Kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, se po shënoj këtu vetëm që libri “Mbollën gjak, mbijnë këngë”-I (Trimëritë, kur këndohen, jetojnë gjatë…) ka 644 faqe dhe të gjitha janë në vargje. Në recensionin e tij, Dëfrim Cani e sintetizon tërë përmbajtjen e librit në fjalë, me këto radhë domethënëse: “Në treqind  “dedikime”, krijime artistike të llojit mes poezisë dhe baladës, Maleçka evokon veprën e të rënëve të Kosovës dhe trojeve  tona kombëtare, në një dimension tjetër,-ata nuk duhet të harrohen dhe praninë e tyre duhet ta kuptojmë…”.Dy faqet e para hapen                                                                                                   me vjershën kushtuar kryetrimit Adem Jashari dhe përfundojnë me atë për Zejnullah Rrahman Zenën. Tërë atyre, poetja u thurë vargjet: “Në gjithë kushtrimet për lirinë,/ në çdo shteg e në çdo prag,/ kur Kosova kishte dhimbje,/ ju u bëtë mehlem’ mbi plagë”. Prandaj  janë domethënëse dhe të kuptueshme fjalët, që ka shkruar një lexues, para përurimit të këtij libri, në Skënderaj të Kosovës: “Urime, mike e nderuar! Atë ditë do ta mbysim urrejtjen, do ta mbijmë këngën dhe do ta kthejme gjakun, mundin e sakrificën…”.

3.

Me pak fjalë, cila është poetja, shkrimtarja dhe luftëtarja trime për lirinë, Raimonda Bujar Maleçka? Ka lindur më 11 mars 1970 dhe shkollën 8-vjeçare, të mesme dhe të  lartën, për gjuhë-letërsi e gazetari, i mbaroi në Tiranë. Me pasionin për të thurur poezi, vëllimin e parë, “Ëndrra lozonjare”, e botoi në vitin 1998. Në atë periudhë, iu përkushtua me shpirt edhe luftës për çlirimin e trojeve tona amtare. Në një bisedë, të publikuar me të, dëshmohet se ajo ishte “luftëtare e disa njësiteve në çlirimin e Kosovës, Preshevës e Maqedonisë; e dënuar me 5 vjet burg nga drejtësia maqedonase, nën akuzën e “terrorizmit”, vetëm se ka përmbushur detyrën e gazetares, nëpërmjet dokumenteve e dëshmive të saj…duke përjetuar kalvarin e mundimshëm, që nga vënia në pranga, dhuna fizike, muajt në burgun e Shutkës dhe Idrizovës në Maqedoni, si dhe përpjekjet për pafajësi, deri në Gjykatën e Strasburgut”.

Prandaj, natyrshëm, i shkon bukur për shtat cilësimi, që i kanë bërë asaj, “Shota e dytë shqiptare”. Për meritat e shumta të saj, Rajmonda Maleçkës i kanë dhënë disa “Mirënjohje” dhe vlerësime të merituara, nga organizata e shoqata të ndryshme.

E përshendesim nga zemra këtë autore të talentuar, për shpirtin liridashës e poetik, guximin dhe përkushtimin e treguar, ndaj çështjes kombëtare shqiptare!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: NË TRI LUFTRA, POETJA- LUFTËTARE, SHOTA E DYTË

TRI DËSHIRA

April 6, 2014 by dgreca

Esse nga Vjollca PASKU/

Në strehën e gjumit trupi kërkon shplodhjen e ditës, ndërsa shpirti rendjen e lirë nëpër ëndrra. Në darkë më ishte bërë zakon, që nga dritarja të shikoja yjet dhe hënën. Duke u kotur mes mendimesh të përgjumura, hëna rrëshqiti si pëllumb drite i bardhë dhe u mbyll në kapakët e syve të mi. Ndërgjegjja, ajo mbretëri e vogël e pafjetur asnjëherë, vepron, përgjigjet edhe në botën e gjumit. Gjithmonë më brente pyetja:  -A janë dëshirat e fshehura thellë në ëndrrat e natës?   U gjenda papriturnë dridhjet e dritës që lëshonte bishti i bardhë gjigant i hënës.Fluturoja, por kënaqësia dhe ankthi njëkohësisht më përshkojnë. Në majën më të lartë në malin Demavend në Bagdat, pikërisht në një rrudhë vertikale, brenda një kornize guri, reflektonte dritë floriri një llambë e cila më përngjante me llambën e Aladinit. E mora e gëzuar në dorë dhe e lëmova instinktivisht për të pritur të shfaqej ajo krijesë gjigante, e cila do të plotësonte tri dëshirat e mia. Në antitezë me përfytyrimin tim, një krijesë e vogël fluturake, por e fuqishme, më foli Brenda qenies time:  -Thuaj dëshirën e parë!

-Të ndjej gjënë më të bukur në botë…- thashë unë.

-Ndje rrahjet e zemrës dhe kupto gjuhën e saj!-më tha. Ndjeva zemrën time që u hap në gjithë universin. Isha e pranishme njëkohësisht në çdo yll, në çdo planet, në çdo hapësirë. Më pas gjithçka zvogëlohej. Vargjet e yjeve hynin në qenien time. Këtë ndjesi e sjell vetëm dashuria, e cila është kaq e madhe dhe e nxënë në kraharorin e vogël njerëzor. E ruajtur më së miri në shpirtrat e pastër, njehësori I ndjenjës nuk kishte përmasa. Tashmë isha një ndjenjë kozmike e një thesari shpirtëror. Lotët e shenjtë të zemrës dëshmuan mrekullinë e ndjerë…

-Dëshira e parë e jotja u konsumua, thuaj të dytën dëgjova- zërin e xhindit..

-Të prek gjënë më të mrekullueshme në këtë botë…

Vizioni i ndjenjës më dërgoi në festën e lindjes së një fëmije. Kur dora ime preku lëkurën e mëndafshtë të fëmijës së porsalindur, preka gjithë planetin tokë, të mbështjellë nga drita e agimit, preka lotët e shiut të parë të pranverës dhe përkëdhela buzëqeshjen e ylbertë në ngjyrën e virgjër të krijimit. E mblodha me çarçafin e kënaqësisë këtë krijesë, të mrekulluar nga djepi i tokës, përkundur me palmat e kaltra të qiellit.

-Dëshira e tretë e jotja? – u dëgjua përsëri zëri i xhindit.

– Të shoh vazhdimësinë e brezave të mi-u përgjigja.

Vizioni më dërgoi me shpejtësinë e dritës, në vazhdimësinë e erërave kohore. Të gjithë brezat e rrjedhur nga rrënjët e mia, jepnin maksimumin për të dhënë më të mirën e vetes së tyre. Termi “vazhdimësi” do të thoshte luftë për të dritësuar djerrinat e errësirës tokësore. U ndjeva krenare dhe e lumtur…

Xhindi më tha:- Të tre dëshirat e tua u plotësuan, por më e çuditshmja,është se të gjithë njerëzit më kanë kërkuar, pasuri, mbretëri, pushtet,lavdi…Ndërsa ti, vetëm të ndjesh, të prekësh, të shohësh,përse?…

-Sepse nuk dua të marrë diell me kredi, ta paguajë zemra bosh pa dashuri. Nuk dua katet e larta të lavdisë, ti shoh njerëzit të zvogëluar. Nuk dua të ardhme vazhdimësie, pa kaluar në pikat e nxehta të vuajtjes në hartën e tokës. Nëse do t’i kisha si me magji të gjitha,shpirti im do vdiste dhe jeta ime nuk do të vegjetonte…- u gjegja unë.

-Atëherë ti nuk ke nevojë për mua. – tha xhindi i xhindosur dhe zhduk si hija nga drita e bardhë.    U zgjova me këto tinguj fjalësh, duke pyetur vetveten…

Filed Under: ESSE Tagged With: TRI DËSHIRA, Vjollca Pasku

MONOGRAFIA PER TAFIL BUZIN SI HOMAZH PER AUTORIN

April 5, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Kur jeta e një njeriu këputet në mes para kohe padyshim që kujtimet që lë pas janë  gjurmë në memorje, si një Hënë e bukur vere. Në këtë esse e kam fjalën për autorin e disa shkrimeve, librave, kryeredaktorin e gazetës së mirënjohur “Trebeshina” e cila është bërë një tribunë e mendimit të lirë tepelenas dhe mbarëkombëtare.  Ndoshta mund të mos takohesh kurrë me një njeri gjatë jetës tënde, por shkrimet, gazetat, librat që kanë lënë bëhen miq pakuptuar me të gjithë lexuesit e tyre.

Duke e pasur për zemër gazetën “Trebeshina” jo vetëm si tepelenase, por dhe si një lexuese që më ngazëllehet shpirti kur shikoj publikimin e suksesshëm të saj, kam parasysh padyshim dhe një nga kontribuesit kryesorë të kësaj gazete si ish kryredaktorin të ndjerin Lumo Paza i cili u nda para pak kohe nga jeta.

Në kollonën e gazetës ku ai publikonte vazhdimisht dukej sikur mbinte një lule e bukur Trebeshine i cili me majën e penes qëndiste botën e tij shpirtërore.  Ato trokisnin fort në zemrat e lexuesve edhe pse krijuesi shpesh herë mund të ndesh me netë skeptike, por degët e pemëve thyheshin nga pesha e frutave të pjekur të vjeshtës tepelenase.

Ishte një mësues që eci gjurmëve të historisë duke na dhuruar shumë libra ndërmjet tyre dhe monografinë: “Tafil Buzi, kryekënga e trimave”, libër që erdhi mbi krahë pulëbardhe mbi dallgë oqeani dhe përhapte zërin e Tafil Buz mustaqeziut i cili të kujton këngën e famshme popullore si: Ndë Stamboll karta dërgojnë/ Se raeja po lëftojnë/ Që në Berat’ e në Vlorë/ U mbush deti me pamporë/ Një pasha me tre taborë/ Misërishtatë i korrë/ Se e dinë me kë lëftojnë/ Me Gjon Lekë Kuçin thojnë/ Gjon Lek’ e Hodo Aliu/ Mbë dorë palla ç’ju ngriu/ Tafil Buz-mustaqeziu/ Nga Gryk’ e Kuçit arriu/…

Libri thotë autori është mbështetur në materialin arkivor të përkthyer në gjuhën shqipe kryesisht prej arkivave osmane, në botimet e historianëve e të kronistëve tanë ku trajtohen lëvizjet kryengritëse kundër osmane të asaj periudhe, në burimet gojore e të dhëna të tjera arkivore të nevojshme për një monografi.

Ishte një zë tepelenas me ëndrra të një kundrimi magjik duke u bashkuar në peizazhe shetitëse me vatranët e fillimshekullit të kaluar tepelenas.  Në të tilla projekte pa çmime të epërme shihet pasqyra e një edukatori me duar të blerta që sjellë lule bjeshke duke i dërguar mesazhe qiellit nga ditari i tij si me refrenin: Buken tonë të përditshme falna sot!

Tafil Buzi ka frymëzuar shqiptarët në kryengritje kundër osmanëve si dhe poetin e shquar Agim Shehun i cili ndër të tjera në poezinë “Fotografia” e Gjolekës shkruan:

“Tafil Buzit të m’i thoi/ Gjoleka s’e turpëroi/ isua e maleve tejpërtej kumboi/ Gjoleka’ po formohej pikturë/ mbi piedestal Heroi.
Monografia e publikuar për Tafil Buzin nga autori Paza të kujton nobelisten e shquar amerikane Tony Morrison e cila thotë se: Në qofte se ju vërtetë doni të lexoni një liber, por akoma ky libër nuk është shkruar, ju duhet ta shkruani atë.

Është ditari i një mësuesi si një degë e bukur lule molle që varet nga një guvertë e bukur reje të argjendtë dhe që hedh petale pikëllimi të ndarjes parakohe.  Nga bardhësia e degëve me lule të bardha molle bariu i Trebeshinës me fyellin magjik përflak si vetëtimat tingujt tek lexuesi i rregullt ngase dehet dhe digjet metaforikisht brenda tyre.

Monografia “Tafil Buzi – Kryekënga e trimave” e studiuesit Limo Paza, është botuar 10 vjet më parë, me rastin e 175-vjetorit të Kuvendit të Beratit, pararendësja e denjë e promovimit të figurës së Tafil Buzit në Shqipëri!

Në fund të vitit 2013, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani e nderoi Tafil Buzin, me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Dhimbja e ikjes për këdo është e madhe, por po aq dhe për krijuesin si në rastin në fjalë për të ndjerin Lumo Pazën, ndaj dhe familja, fëmijët për momentin mund të hutohen, por krenohen me veprat dhe shkrimet që ka lënë.

Ato ngelen strehë e kujtimeve, një shteg ylberi ku Pegasi fluturon i lirë, i lirë.

Ishte një mësues dhe krijues që eci rrugëve të pashkelura dhe ndali pranë Trebeshinës, malit lirik që çdo udhëtar çmendet nga magjia e gjirit të tij që pikon kulloshtër.  Ishte një k/redaktor që s’u lodh kurrë brenda kullës që sillte gjithë blerimin e stinëve, paçka se ndonjëherë ato mund të egërsoheshin si shterpa.

Ai tashmë është në shtëpinë qiellore ku prek dhe sheh qartë me sytë e Diellit gazetën “Trebeshina” i cili shkriu gjithë mundin dhe dijen për të.

Krijimet e tij nuk janë zymtësi muzgu vjeshte dhe ato nuk e lënë punën dhe idetë e hedhura të mpiksen si pikëz gjaku në ndonjë pjesëz trupi, apo të vajtojnë në ndonjë shkarpë të thyer si këngë qyqeje, ato janë veçse ditar i blertë i nje mësuesi, i një autori që komunikon përjetësisht.  Gjuha e përdorur si deti i thellë pasqyrohet kaltërsisht në sytë e lexuesve dhe qëndron si syprinë e qetë për pritje të tjera me vazhdimësi besnikërie dhe mirënjohjeje nga kolegët e tij të dashur.

 

5 Prill, 2014

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Zylo, MONOGRAFIA PER TAFIL BUZIN SI HOMAZH. PER AUTORIN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 584
  • 585
  • 586
  • 587
  • 588
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT