• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

META NE TROPOJE: PERULEM ME RESPEKT PARA VEPRES SE AZEM HAJDARIT

October 13, 2018 by dgreca

Presidenti Meta përshëndet veprimtarinë kulturore “Kcimet e Tropojës në UNESCO”/

Bajram Curri, Tropojë-13 Tetor 2018-Presidenti Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj e të zgjedhur të pushtetit vendor, Ambasadori i Japonisë Makoto Ito, zonja Mariana Graff, deputetë, përuroi një qendër sociale në qytetin e Bajram Currit, që do të strehojë 15 familje të pastreha dhe në kushte të vështira ekonomike, gjashtë prej të cilave i përkasin komunitetit rom.

Më tej Presidenti Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë kulturore “Kcimet e Tropojës në UNESCO”, ku performuan grupe të ndryshme artistike dhe Ansambli i qytetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Meta theksoi: “Ardhja për mua në Tropojë është një kënaqësi, përgjegjësi dhe emocion i veçantë! Është kënaqësi sepse kam shumë lidhje e miqësi të panumërta të krijuara në kohë dhe raporte të ndryshme! Është emocion, sepse Tropoja përbën një epos plot histori dhe personalitete që i kanë dhënë shumë kombit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë, për indentitetin dhe dinjitetin kombëtar, për politikën dhe diplomacinë, për arsimin dhe shkencën, për artin dhe kulturën.

Mbarë populli shqiptar i është mirënjohës popullit të Tropojës për atë çfarë i ka dhënë kombit. Ky vend është libër i një historie të madhe. Ky popull ka nxjerrë trima të pafund, mendimtarë të rrallë, politikanë të shquar, diplomatë të mprehtë, oratorë të zjarrtë, filozofë popullorë, rapsodë, gurrë të pashuar, artistë me famë.

Në çdo event të rëndësishëm të popullit dhe të kombit shqiptar është prania, kontributi dhe protagonizmi i tropojanëve.

Kjo, sepse tropojanët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve. Tropojanët u gjenden dhe kontribuan në Lidhjen e Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Lidhjen e Junikut, në Kuvendin e Vlorës, në Konferencën e Bujanit e në çdo ngjarje. Do të duhej një kohë e gjatë për të përmendur emrat e tyre me kontribute të paharruara për çështjen kombëtare si Haxhi Zeka, Bajram Curri, Binak Alija, Mic Sokoli Dervish Luzha, e shumë të tjerë.

Pesha që Tropoja dhe tropojanët kanë mbajtur në kapërcimin e jashtëzakonshëm nga diktatura në demokraci është e rrallë.

Jam sot këtu për t’u përkulur me respekt e mirënjohje të veçantë ndaj veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’. Nuk duhet të harrojmë se dy udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Demokratike si Azem Hajdari, ashtu edhe Sali Berisha ishin nga Tropoja. Po jo vetëm ata, edhe shumë të rinj të tjerë, edhe shumë personalitete të tjera, intelektualë si Besnik Mustafaj e shumë të tjerë, ishin pikërisht nga Tropoja.

Ashtu sikurse nuk duhet të harrojmë se pa vendimmarrjen dhe vendosmërinë e Sali Berishës edhe sot, Rruga e Kombit nga Tirana në Prishtinë mund të mos ishte bërë dhe shqiptarët do të vazhdonin të udhëtonin drejt njëri-tjetrit përmes Maqedonisë.

Tropoja ka qenë dhe vazhdon të mbetet një krahinë me rëndësi strategjike mbarëshqiptare dhe fqinjësore.

Bjeshkët e Tropojës kanë lidhur komunitetet shqiptare nga Kosova, Malësia e Madhe e Mali i Zi. Këto male të larta e të thepisura gjithëherë me borë nuk i kanë ndarë, por i kanë bashkuar shqiptarët e malsive tona kreshnike. Këto Bjeshkë, dikur të quajtura të ‘Nëmura’ neve duhet të punojmë që të quhen ‘Të bekuara’. Se të bekuara janë vërtetë me bukuritë dhe pasuritë, me florën dhe faunën, me ajrin e ujrat kristale, me livadhet e pyjet shekullorë, me arrat, gështenjat, boronicat dhe mjaltin, që nuk gjenden askund më me shumicë dhe më me cilësi se sa në këto Bjeshkë të bekuara.

Është detyra e jonë dhe e gjeneratave që vijnë të lehtësojnë akoma më shumë lidhjen e komunikimin ndërbjeshkor midis shqiptarëve, por edhe lidhjen me fqinjët tanë të mirë. Alpet ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi i lidhin aq mirë shqiptarët me njëri-tjetrin. Por kësaj lidhje natyrore e njerëzore ne duhet t’i shtojmë me investimet tona në infrastrukturë, rrugë, energji, telekomunikim, dixhitalizim dhe lehtësi të tjera, të cilat realizojmë një konektivitetet mbarëvjetor ndëmjet të tre vendeve tona. Ky zhvillim do i shndërrojë Alpet e Shqiptarëve në një mrekulli të jashtëzakonshme të trashëgimisë botërore.

Por, që ky zhvillim të arrijë këtë objektiv madhor neve duhet të ruajmë si sytë natyrën e Bjeshkëve, pyjet, kullotat, florën dhe faunën, ujrat, përrejtë dhe lumejtë.

Ekosistemi i Bjeshkëve të Veriut është një nga pasuritë më të mëdha natyrore e turistike të popullit shqiptar dhe të mbarë Ballkanit Perëndimor. Këtë ekosistem të krijuar nga natyra dhe të ruajtur si sytë e ballit nga populli ndër shekuj duhet ta ruajmë me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore po edhe interesat e çastit. Për Bjeshkët ekosistemi është gjithçka. Si i tillë ky ekosistem duhet të mbetët i pacenueshëm nga askush, për asnjë çast dhe për asnjë arsye. Ne dhe brezat që vijnë vetëm duhet t’i shtrojmë vlerat Bjeshkëve tona.

Tropoja ka qenë dhe mbetet një krahinë me rëndësi të veçantë strategjike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Pikërisht për këtë Tropoja njihet ndryshe edhe si ‘Malësia e Gjakovës”. Kosova dhe Tropoja i kanë pasur vuajtjet dhe gëzimet së bashku. Prandaj mund të themi me krenari se në themelet e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës qëndron edhe gjaku i bijve dhe bijave më të mirë të Tropojës si dhe sakrificat e mbarë popullit të saj.

Gjithçka e lidh Tropojën me Kosovën, asgjë nuk e ndan prej saj. Kjo lidhje Tropojë-Kosovë nuk është thjesht gjeografike. Ajo është historike, aktuale dhe perspektive, është etnike, kulturore e zakonore, është dialektore, shpirtërore dhe morale. Këtë lidhje të shumëfishtë tradicionale Tropojë-Kosovë ne duhet ta forcojmë përmes zhvillimit të projekteve të përbashkëta që shtojnë bashkëpunimin e gjithanshëm, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve e të kapitaleve.

Tropoja është një trevë e jashtëzakonshme thesari kulturor kombëtar. Folklori është një minierë pasurie të paçmuar në Tropojë. Ai qëndron në harmoni me gjithçka. Tek kordha e lahutës ndjehet jehona epike e Bjeshkëve; tek dy telat e çiftelisë përjetohet gëzimi jetës dhe cicërimat e zogjve; tek madhështia e sharkisë dëgjojmë gurgullimën e ujërave dhe mençurinë e kuvendeve të odave malsore; tek vallet e cikave shihen zanat shtatëhedhura e të lehta si flutura, ndërsa tek vallet e burrave ndihet rëndesa e shkëmbijve, por dhe fluturimi i shqiponjave; tek kostumet popullore vezullon diversiteti natyror shumëngjyrësh në një harmoni perfekte dhe tërësisht unikal.

Kjo trashëgimi kulturore na ka ardhur deri sot e pasur, unike dhe e pacenuar falë kontributit të madh të shumë personalteteve dhe unë do të përmendja disa, se ata janë shumë: Fatime Sokolit, Fatmira Breçani, Gëzim Nikaj, Skënder Haklaj e shumë të tjerë. Ne na duhet të bëjmë gjithë përkjekjet që këtë thesar ta shndërrojmë në brand kulturor aktiv, i cili sjell mirëqenie dhe jo vetëm krenari. Dikur thesari i Tropojës shkonte rrallë nëpër botë, por çmohej shumë. Tani që po vjen mbarë bota në Tropojë, ky thesar duhet të jetë patenta kulturore e Bjeshkëve duke gjeneruar vlerat e larta të identitetit kulturor shqiptar.

Shumë nga thesaret e trashëgimisë kulturore artistike të Tropojës duhet të promovohen nga institucionet tona më shumë e më mirë, nga ato lokale e deri shtetërore për të synuar që të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s. Arritja që kemi realizuar me Iso-polifoninë e Jugut në UNESCO duhet të pasohet edhe me zhanre të trashëgimisë folklorike të trevës së Tropojës. Për këtë kërkohet një punë e kujdesshme dhe një paraqitje profesionale nga institucionet tona shkencore, kulturore e artistike.

Të dashur pjesëmarrës,

Tropoja po shndërrohet në një zonë turistike të mrekullueshme dita-ditës. Është me rëndësi vizioni që do keni të gjithë për këtë industri të tillë të madhe dhe komplekse. Çdo zonë turistike në botë, por edhe Shqipëria vetë zhvillohet mbi specifikat e veta. Për trevën e Tropojës është specifike në mëyrë të veçantë që ajo t’i mbajë të bashkuara të të pandara tre vlera: natyrën, agro-turizmin dhe folklorin.

Në Tropojë këto tre tipare përbëjnë një lidhje unike e të pandarë-një brand sintetik turistik Tropojan. Të tre këto vlera, natyra-agroturizmi dhe folklori duhet të jenë pjesë e kësaj industrie të mirëmenduar turistike Tropojane. Asnjëra nga këto vlera nuk duhet të mënjanohet e të nënvlerësohet. Turistët në Tropojë do kënaqen me natyrën përrallore, duke shijuar vallet mahnitëse dhe tronditëse; duke shijuar flinë, kaçamakun, mazën e zier, duke dëgjuar muzikën popullore; duke provuar troftat e kuqe, por njëkohësisht edhe duke u ëmbëlsuar me boronica me mjaltë gështënje duke iu shndritur sytë nga vezullimet e kostumeve popullore.

Tropoja është perla ku bashkohen mrekullisht natyra-agroturizmi, folklori. Ky është brandi i Tropojës. Duhet ta zhvilloni ju atë dhe të gjithë së bashku për të sfiduar tregun turistik rajonal, evropian dhe botëror. Ju, tropojanët i keni të gjitha mundësitë për të ecur drejt realiteteve të reja në zhvillimin e turizmit. Unë dua t’ju siguroj që do të bëj çdo gjë si President i Republikës duke nxitur të gjitha institucionet që të mbështesin këtë projekt madhor të shndërrimit të Tropojës, të kësaj treve unike mbarëshqiptare, në thesar të turizmit europian dhe botëror.

Në këtë ambicie në mënyrë të veçantë, unë u bëj apel fëmijëve dhe rinisë tropojane, që të luajnë një rol dhe një kontribut të jashtëzakonshmëm, pasi e ardhmja do t’i shpërblejë me një mundësi të jashtëzakonshme për t’i realizuar ëndrrat e tyre këtu në Tropojë dhe në Shqipëri në këto bjeshkë të bekuara!

Zoti e bekoftë këtë vend të mrekullueshëm dhe popullin e mrekullueshëm të Tropojës!”

Presidenti i Republikës vlerësoi disa personalitete të spikatura të artit, kulturës dhe gazetarisë, të zonës së Tropojës, zotin Islam Lauka; zotin Ndue Smail Ukcamaj, zotin Skënder Zeqir Dezhlani, Murat Ali Hajdarin (pas vdekjes), zotin Skënder Ram Haklaj si dhe Xhevahire Elez Gashin (pas vdekjes).

Filed Under: Featured Tagged With: e Torpore, perulem para vepres, Presidenti Meta, se Azem Hajdarit

NJË TRINI DHE TRE SHQETËSIME NGA KOHA DIABOLIKE…

October 13, 2018 by dgreca

1 Treshja Trinia– Sot, datëlindja e poetëve Pano Taçi, Dritëro Agolli, Migjeni – /

2Visari

 nga Visar ZHITI/

…Migjeni e kujton Amerikën në shkrimet e veta, kurse Pano Taçi ka patur gjyshin emigrant dhe donte të arratisej, të vinte te ai, edhe pse vetë kishte qenë partizan, e kapën dhe kështu nisi kalvari, po edhe Dritëroi ka patur të atin emigrant në Buenos Aires dhe në Çikago dhe të dy bashkë kanë qenë partizanë…

Me Dritëroin jam takuar dhe në SHBA, në Festën tonë Kombëtare në Detroit, madje gazetari dhe miku unë Dalip Greca na bëri dhe një foto, mes nesh është: ambasadori William Wallker, ai që shpalli botërisht “Masakrën e Reçakut” në Kosovë.

Në të kremtet tona bie dhe hija e dheëmbjes vazhdimisht…

                                        -nga shënimet e mia- 

Pikërisht sot, në 13 Tetor mediat vizive e të shkruara, kujtesa kompjuterike, etj, bëjnë me dije dhe datëlindjen e dy poetëve të njohur shqiptarë, Migjenit e Dritëro Agollit, që s’janë më në këtë jetë, ndërsa si asosacion idesh kujtesa njerëzore (imja) nxitet të shtojë dhe një datëlindje të tretë, të poetit të veçantë, bohemit të persekutuar, Pano Taçi, që dhe ky s’është më.

Teksa më mbërrijnë shënimet e dikurshme, botimet me këtë rast, mendoj nëse ka diçka tjetër për të shtuar.

Një trini poetësh jona. Por në kohë diabolike, që morën prej saj dhe i dhanë. Si rrjedhojë dhe tre shqetësime, sipas meje. Në fillim po përkujtoj.

Migjeni, autor i shekullit XX, nuk e përjetoi diktaturën e më pastajme, vdiq më herët, por vepra e tij nuk u ndalua nga regimi siç ndodhi me mjaft autorë të tjerë, u studiua, u vlerësua dhe shkëlqeu mynxyrshëm në diktaturë.

Kurse Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë dy dukuri të tjera nën diktaturë në fushën  e letrave, dy fate të ndryshme poetësh, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u instalua diktatura më e egër në të gjithë perandorinë komuniste. Krijimtaria e të dyve u zgjat dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI.

I pari lavdërohej së tepërmi, mbahej mirë, poezitë e tij futeshin në tekstet shkollore, i dyti dënohej së tepërmi, i ndalohej poezia dhe futej burgjeve.

Pse? Mos i duheshin si të tillë sistemit? Tani, në postdiktaturë, kur po mbushen tri dekada dhe ka ndërruar sistemi, por po me ne, është krijuar dhe largësia e duhur për të gjykuar të lirë letrat shqipe, klasikët e saj.

DEMONI I KRIJIMIT

13 tetori, sikur e bën mbarë të flasim për tre poetët e lindur në këtë ditë, nën shenjën zodiake të djallit metaforikisht. Jo pse në këtë muaj do të renditen dhe datëlindjet e atyre që kanë sunduar më së shumti Shqipërinë. Kthehemi te tre poetët e sotshëm.

Pani Plak, por dhe engjëlli plak e quanin Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie të tmerrshme, të leckosur si rrobat e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci, mbeti në burgun e varfërisë dhe të mosmirënjohjes, deri dhe të braktisjes. Edhe botimet e tij janë të varfëra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s’e di a nëpërmendet tani, që ka ikur në qiell.

Dritëro Agolli është autor i njohur poemash e romanesh, tregimtar dhe dramaturg, patriarku i socialistëve, siç e quajnë, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode letrare vrastare, siç e sulmojnë, me miq shumë e me lavdira e përvjetorë e me botime të shumta e luksoze.

Migjeni mbetet poeti më i ri i shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, europian i viteve ‘30 dhe klasik, ndërkohë themeltar sidomos në prozën e shkurtër, i konsideruar me të padrejtë si pararendës i socrealizmit dhe i nënvleftësuar me të pasdrejtë më pas po për këtë arsye, vrojtues i revoltuar i mjerimit, blesfemist si i kaplluar vërtet nga djalli.

Tre poetë, të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme, mendoj, bashkëkohës aq sa mund të ishin, se e njëjta koha s’është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime të letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologjisë kohore, Migjeni, zë vend të qëndrueshëm, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të thoshim si në shkollë, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrat shqipe nga romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoj të shtoj, duke patur parasysh ca parabola të tij, etj, kurse Agolli, ndër më të shquarit e mëvonshëm, prijës në socrealizmin shqiptar, tregimtar spartan dhe romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga djajtë thënë më mirë, po aq i zhgënjyer në demokraci, edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj, mund të shtojë ndokush, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë. I  burgosur dhe internuar gjatë diktaturës, pra i flakur në ferr, me djallin e armatosur mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturave, edhe pse viti ’90 e gjeti 62 vjeçar, boton libra të shumtë me poezi, tradicional, por i përqendruar në dhimbjet e persekutimit, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më  e hidhët, edhe banale prej lodhjes, besues dhe mosbesues, i avitet qiellit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me “poezi pornografike”, të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të allasojshëm shqiptar.

Tre poetë – një trini diabolike, në kohë diabolike, më saktë.

ELIPSET E TRE JETËVE

Duke lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, se ç’forcë a mister qiellor deshi që të lindnin në atë datë të vjeshtës së dytë, do të desha të thosha se ka diçka përbashkuese në jetët e poetëve në përgjithësi, fat dhe fatalitet, ku nuk mund të shkëputet demoni i krijimit. Elipset e jetëve kanë dhe pika takimi, ndonjëherë dhe përzierje.

Kur u shua Migjeni, fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7 vjeç, pra bashkëkohësia e tyre është fare e pakët, si të thuash pak vite ajër të përbashkët përthithën në truallim amëtar. Taçi me Agollin u rritën si shkollarë dhe me poezinë e Migjenit.

Do të desha të risjell kronologjinë e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, duke futur dhe ndonjë të dhënë tjetër të kohës, se sikur arrihet të kuptohet disi më mirë diçka nga realiteti i përbashkët.                                             

1911- Kur Shqipëria e rropatur ende s’e kishte ftuar mëvetësinë, aq e dashur dhe po aq rrezikshme, lindi Migjeni në Shkodër. Arsimin fillor e mori në vendlindje në një shkollë serbo-ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit, Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu, në vitin 1927 kryen Seminarin Ortodoks “Shën Joan Teologu”.                   

1917- Në Rusi shpërthen revolucioni bolshevik, që do të ndryshonte rrjedhën e historisë botërore, me ndikim fatal dhe në Shqipërinë e vogël.               

Lind Musine Kokalari, që do të jetë shkrimtarja e parë shqiptare dhe desidentaja e parë grua në perandorinë komuniste, themeluese e një partie opozitare e do të burgosej e më pas do të vdiste në internim.                                            

1928- Parlamenti shqiptar shpall Mbret Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri. Lind Pano Taçi në Gjirokastër, ku merr dhe mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj, i ikuri politik, patrioti i dënuar me vdekje.                                                

1931- Ndërsa vazhdonte të bëhej kryeqyteti i ri Tirana, pas bulevardit të madh u ndërtuan 6 pallatet e 6 ministrive, vendi po institucionalizohej ndërkaq, në Jug-lindje, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit, lindi Dritëro Agolli. I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos-Aires dhe në Çikago (e dinte përmendësh Khajamin dhe Naim Frashërin, dy poetët më të mirë në botë, sipas tij).                                                                                                           1933- Migjeni emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën “Skanderbeg” të Vrakës në Shkodër dhe boton në revistën “Illyria” prozën “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”. Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime, por kunsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, punë djajsh dhe ikën në Greqi. Kthehet dhe vazhdon mësuesinë në gjimnazin e Shkodrës.                                                                                                             1936- Shpërngulet në Pukë. Shtypshkronja “Gutenberg” bën gati 1000 copë të librit ”Vargjet e lira”, por “censura ndalon qarkullimin e tyre”, shkruhej në botimet e mëparshme. (Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon dhe nuk na duket aq bindës ky fakt diabolik. Sepse Migjeni po botonte dhe po çmohej në shtypin e kohës.) Në fund të vitit përgatit librin e ri “Novelat e qytetit të Veriut”.                                                                              Në Gjirokastër lind Ismail Kadare, shkrimtari që do të merrte famë botërore.                                                                                                        1937- Mbreti Zog martohet, edhe pse i besimit musliman, me konteshën e bukur katolike hungareze, Geraldinë Appynoi, ndërsa At Gjergj Fishta nxjerr versionin përfundimtar të eposit të tij “Lahuta e Malcis”,  dhe në Pukë Migjeni, me rastin e festes kombëtare, 28 Nëntorin, mban një fjalim para popullit të Pukës. (Sot nuk duket me aq rëndësi, hollësi e tepërt, se fjalimet e tilla i mbajnë dëndshëm pushtetarët.)                                                                                1938- Migjeni niset për në Torino dhe shtrohet në sanatoriumin “San Luigi”. Vdes gjatë natës së 26 gushtit. Zi në botën shqiptare të letrave. Botohen proza dhe poezi të tij.                                                                                     1939– Nis Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Ajo qëndresë heroike e atyre pak njerëzve në bregdetin shqiptar do të shënonte fillimin e rezistencës me armë në Europë kundër djallit përbindëshëror nazi-fashist.                                                                                                          1941- Themelohet në Tiranë Partia Komuniste e Shqipërisë, të pranishëm në drejtim janë dhe dy demonë serbë…                                                     

  1942– Pano Taçi, i përfshirë në lëvizjen antifashiste që 12 vjeç, futet në Debatik (Djemtë e bashkuar, antarë të ideve komuniste) dhe del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në “Bleta”. Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci.                                                                                                         

1943- Dritëro Agolli, edhe ai 12 vjeçar, përfshihet në luftë, (diku shkruhet si 9 vjeçar), bëhet korrier batalioni, teksa i ati është partizan dhe lufton me armë në dorë për çlirim e vendit.                                                    

1944- Del libri “Vargjet e Lira” të Migjenit. Shqipëria, e vendosur në anën e drejtë të historisë, çlirohet… (por jo shqiptarët…).                                                   

1945- Mbaron Lufta e Dytë Botërore. Fitojnë Aleatët Perëndimore me Bashkimin Sovjetik kundër Boshtit Nazist. Humbjet ishin të mëdha, u vranë 60.754.000 njerëz në botë.                                                                             

1946- Vendoset shërbimi i detyruar ushtarak. Nisin arrestimet e klerit katolik, Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd, kurse Pano Taçi, i përjashtuarnga gjimnazi për “dashuri borgjeze”, i magjepsur pas një vajze të bukur, motër e njërit prej presidentëve të ardhshëm të Republikës, tundohettë arratiset në Greqi, që më pas të ikte në SHBA tek gjyshi.Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit njeh mes të dënuarve shkrimtarin Mitrush Kutelin. Pas dy vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.                                

1947- I kthehet Shqipërisë ishulli i Sazanit, qeveria refuzon planin Marshall, Enver Hoxha takohet me Stalinin në Moskë, djalli i vogël me Djallin e Madh dhe Dritëroi boton poezinë e parë “Vullnetari i hekurudhës” në gazetën “Rinia”.                                                                                                        1951– Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë, pretekst për arrestime intelektualësh, pushkatime, mes tyre dhe një grua, shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se nuk kishte dashur të votonte.                                                

1952- Hapet Kinostustudia “Shqipëria e re”, Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastrës, “akademinë e tij letrare¨, siç e quante dhe e nisin për studime në Lenigrad, Sant Petërsburgu i dikurshëm.                                                                       

1953– Shqipëria në zi për vdekjen e Djallit të Madh, Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat për Kosovën “Treni i muhaxhirëve”, “Gryka e Kaçanikut”. E pranojnë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën “Kambanari”, si reaksionare që nxit kryengritje.                  

1955- Shqipëria e uritur nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga Presidenti Eisenhauwer, por bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës. Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova, kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin, një tjetër djall, por shumë më i zbutur. Pano Taçi në internim, me kontroll të rreptë policor.

1956- Sillen eshtrat e Migjenit nga Italia në Shqipëri, nga Torre di Pelice në Shkodër, në Varrezat e Dëshmorëve. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në Kinë. Djajtë ndërrojnë drejtimin.

1957- Hapet universiteti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në “Zërin e Popullit”. Ribotoheti zgjeruar libri i Migjenit “Vargjet e lira” dhe dekorohet me titullin “Mësuesi i Popullit”.                                                                              1960- Mbledhja e 81 partive në Moskë, kacafytje përbindshërore. Pano Taçi lirohet nga internimi.

1961- Ndëpriten marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, vdes Mbreti Zog afër Parisit, del Vepra e plotë e Migjenit (nën kujdesin e Skënder Luarasit), i jepet “Urdhëri i Lirisë”, kurse Pano Taçi martohet.

1962- Fronti Demokratik në Shqipëri, siç ishte caktuar, i fiton përsëri zgjedhjet 99.99%, me një pjesëmarrje të zgjedhësve 99.99%. Lirika të Pano Taçit përgatiten për botim nga kritiku dhe shkrimtari Drago Siliqi, por befas cilësohen nga lart “pa frymën e kohës, ku zotëron grija kapitaliste”. Pano dënohet me burgim për agjitacion e propagandë, kur djali i tij ishte vetëm 3 muajsh.

1964- Vjen për vizitë kryeministri kinez Çu En-lai, (demonë nga Azia), ndërkaq gruaja ruse e Dritëroit së bashku me djalin ikin përgjithmonë. Pas një viti Dritëroi martohet me gazetaren Sadije Kecaj nga Shkodra, e cila do ta shoqërojë me devocion e përkujdesje për më shumë se gjysme shekulli.

1967– Nis fushata kundër besimeve fetare, djalli arrin të mbyllë dhe të shembë të gjitha kishat dhe xhamitë në Shqipëri, ndalohen kopshtet/bahçet private, tërmet në Dibër dhe Librazhd, ndërsa Pano Taçi lirohet nga burgu dhe e internojnë në vendet e tërmetit. Dritëroin e çon shteti për vizitë në Kinë.

1970– Vendi shpallet i gjithë i elektrifikuar. “Pranë dritës – i pa parë”, -kishte shkruar Fan Noli. Pano Taçi vjen në Tiranë, bën punërat më të rënda e më të vështirat ashtu si burg. Vendoset bashkëpunimi mes universiteteve të Tiranës dhe Prishtinës.

1971- Dritëroin e çojnë për vizitë në Kongo dhe nis botimi në revistën “Hosteni” i romanit të tij “Shkqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Kthehet nga Parisi.   1972- Pleniumi IV i Partisë për letërsinë dhe artet, ku dënohet autorë dhe libra, festivali i 12-të dhe artistë. Dritëroi emërohet sekretar për letërsinë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe pas një viti kryetar i saj dhe prapë pas një viti deputet dhe do ta vazhdojë karrierën paralamentare për 30 vjet gjithsej.

1976– Enver Hoxha kritikon Kinën në Kongresin VII të tij, me Kushtetutë shpallet Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (një emërtim disi i gjatë për një vend tejet të vogël), kurse Pano Taçin e arrestojnë sërish. 10 vjet burg. Përpiqet të vrasë veten. Me bishtin e lugës pret damarët si Esenini. Ia shpëtojnë jetën me zor. Kafe dhe cigare do t’i dërgonte në burg dhe poeti qiellor Lasgush Poradeci.                                                                                                     1979- Dënimet vazhdonin gjithandej, si më parë. Arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg “për poezitë e tij kundër socrealizmit” dhe autori i këtij shkrimi, kur ende s’ishte bërë 27 vjeç. Dritëroi, duke qenë dhe kushëri nga nëna me të, bën përpjekje për ta ndihmuar, për t’ia lehtësuar dënimin, por nuk ishte e mundur.

I thotë nënës së atij: “të mira i ka poezitë”, por “…ia bënë shokët gjëmën…”.

1980- Dritëronë e dërgojnë në Turqi. Botohet në Prishtinë, kur Kosova bënte pjesë në ish-Jugosllavi, “Vepra e Migjenit”, në katër volume luksoze dhe monografitë për të.

1985- Vdes diktatori Enver Hoxha, djajtë ndihen pa kreun. Pano Taçi lirohet nga burgu dhe përsëri e çojnë në internim, sa më larg Tiranës, në Peshkopi e përreth. Lajmërohet se gjyshi i vdes në Amerikë, por dhe babai me nënën në Shqipëri, të cilët i ndjente ende më larg. Djalin nuk e takonte dot, se nuk i lejohej një “armiku të shpallur”.

1987- Vendosen marrëdhënie diplomatike me Kanadanë e R.F. Gjermane. Sipas lajmeve në gazetë, një grup shkrimtarësh, Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Nasho Jorgaqin, Androkli Kostallarin, etj, i lejojnë të marrin pjesë në grup në një kongres në Itali, në Palermo, më pas Agolli e Kadare shkojnë në Beograd në konferencën për nacionalitetet.

1989– Shëmbet Muri i Berlinit, që ndante jo vetëm Gjermaninë në dysh, por dhe botën, me një “luftë të të ftohtë” e të gjatë mes tyre.

1990- Rënia e perandorisë komuniste, e diktaturave të saj në Europë. Mbi 100.000.000 numërohen viktimat, të vrarët e saj në të gjithë botën, disidentë, kundërshtarë, martirë. Shumë më tepër se të vrarët e Luftës së Dytë Botërore. Djalli në kohë paqeje qënkësh më i rrezikshëm se njeriu në kohë lufte.                                                                                                                       Nisin protestat antikomuniste. Dyndjet e shqiptarëve nëpër ambasada, ikja e tyre jashtë. Vendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ramiz Alia viziton SHBA. Kadareja kërkon strehim politik në Francë, vjen Nënë Tereza në Shqipëri. Botohet në frengjisht romani i shokut Zylo i Dritëroit, ftohet dhe autori. Mes trazirave kudo, themelohet në 12 dhjetor Partia Demokratike me kryetar mjekun kardiolog, Prof. Dr. Sali Berisha dhe në janarin e mëpastajmë amnisti për të burgosurit politikë.                                                                                 1991- Dritëroi kthehet në Shën Petërsburg, në Lendingradin e dikurshëm, ku kishte studiuar. Në Kongresin X të PPSH Dritëroi do të kritikonte hapur vijën partisë-shtet dhe kultin djallëzor të Enver Hoxhës për të cilin kishte kontribuar dhe ai si poet.

1992- Dritëroi me një grup kolegësh shkrimtarësh shqiptarë shkojnë në Gjermani me rastin e botimit të një antologjie të poezisë shqipe. Një vit më pas, në vazhdim të botimeve të tij, Dritëroi nxjerr vëllimin “Pelegrini i vonuar”, etj.

1994 – Pano Taçi 66 vjeçar boton librin e tij të parë “Blerim i thinjur”, ku përfshin shumë poezi të shkruara fshehurazi nëpër burgje dhe internime. Mësuesi i tij i hershëm, filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, do t’i shkruante nga SHBA-ja: “Të paskëshe qenë italian, do të udhëtoje në enciklopeditë euro-amerikanë, me Borgesin dhe Kalderonin… Vazhdo të shkruash në gjirin e kombit tonë”…                                                                                                            1996– Tronditet “demokracia e brishtë” nga Djalli i Parave, nga firmat piramidale finaciare dhe të gjithë vendin fillojnë protestat e humbjes, dhuna e rikthimeve. Pano Taçi nxjerr librin tjetër “Dhe vdekja do paguar”, Dritëroi “Çudira dhe marrëzi”, etj, dhe shkon në Greqi. Në parlament qëllohet me armë dhe plagoset deputeti Azem Hajdari, udhëheqësi i protestave studentore. UÇK-ja në Kosovë sulmon forcat serbe.

2000– Pano Taçi boton dramat “Qirinjtë” dhe “Flakë në terr”. Vazhdon me poezitë dhe do të nisë memuaret e veta, të mbetura në dorëshkrim. Zgjedhjet vendore i fitojnë socialistët, Edi Rama – kryetar i Bashkisë së Tiranës.

2001- Bashkia e Pukësi jep Migjenit titullin “Qytetar Nderi”.

Dritëroi viziton SHBA më pas 2009- Shqipëria futet në NATO. Ndërkaq Pano Taçi është bërë i njohur, ftohet në festivale poezie në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, edhe kur andej bëhej lufta mes gueriljeve të shqiptarëve dhe forcave qeveritare, etj, ndërkaq ai do të bëhet më i dashur për lexuesin, sidomos pas botimeve me erotikë të hapur si “Hukama e Venusit”, “Lakuriq”, etj, edhe pse me pseudonimin letrar, Burgim Pata (“Burgim” përmbledh fatin e autorit, kurse “Pata” bashkon dy rrojket e para të emrit dhe mbiemrit të tij: Pa-no Ta-çi). Do të marrë çmime letrare, por jo dëmshpërblimin e burgut, do t’i prishin befas shtëpinë për t’u ngritur një pallat në atë truall. Klani i djajve të ndërtimit, do të thoshin…

Pa shtëpi muze do të ishin dhe Migjeni, dhe At Gjergj Fishta, etj.

2011- Dritëro Agolli merr një tjetër “Honoris Causa”, këtë rradhë nga Universiteti Europian i Tiranës…

2012– Pano Taçi shtrohet në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërron jete në 13 qershor, në moshën 84 vjeçare. Kryeministri i vendit, Berisha, do të ngushëllonte komunitetin e letrarëve dhe familjarët. Trupi i tij do të vendosej në hollin e Teatrit Kombëtar, ku do të bënin homazhe miqtë e shumtë, qytetarë e artistë si dhe Presidenti i Republikës.

Fjalën e lamtumirës për Pano Taçin në vendin e prehjes, në Tufinë, do ta mbante poeti Agron Tufa. “Sa pak qiell për ty, do të perifrazonte ai një titull libri të të Ndjerit…                                                                                                  2014- Botohet në 4 volume poezia e mikut të Dritëroit dhe të Pano Taçit e jo vetëm, Fatos Arapit, poetit që lëvroi një poezi qytetare, më evropiania në vitet e mbylljes të diktaturës komuniste.

2017- në 3 shkurt do të mbyllte sytë përgjithmonë Dritëro Agolli, në moshën 86 vjeçare. Do të përcillej për në Tufinë me nderime të shumta, me homazhe e duartrokitje dhe me fjalën e kryeministrit Edi Rama. Librari e shkolla kishin marrë ndërkaq emrin e tij.

TRE ÇËSHTJE DHE NJË DËSHIRË SI PËRFUNDIM

Tre poetë të një datëlindje. Të dashur të tre. Nga të ndryshëm me mënyra të ndryshme. Deri dhe me urrejtje…

Sipas meje me këta tre poetë, Migjeni, Agolli dhe Taçi, mund të ngrihen dhe tre çështje, të konsoliduara keqas dhe të mbartura si atavizmë:

1- Keqpërdorimi i traditës duke u nisur jo vetëm nga keqkuptimi i saj. Së pari ajo u gjymtua në diktaturë, duke përdorur kriterin e “kufizimeve ideore” dhe të “luftës së klasave” edhe në kulturë, u ndaluan autorë të rëndësishëm, klasikë, gjithashtu dhe nga autorët që u lanë, u ndalua një pjesë e veprave, duke u përsëdytur ndryshe ky gabim, duke himnizuar nga pjesa e mbetur. Pra tradita nuk shikohej pasuri kulturore e vendit dhe si përvojë e shekujve, por se sa i shërbente ideologjizimit dhe çimentimit të regjimit.

2- Diktatura përçau egërsisht letërsinë shqipe, e ndau më dysh, ku njërën pjesë e bëri të sajën, i dha kushte begatimi, duke e vënë në shërbimin të vetes, të propagandës “trushplarëse”, ndërsa pjesën tjetër e dënoi, duke pushkatuar autorë, duke burgosur sistematikisht e duke ndaluar vepra, pa u lodhur punoi me të gjitha mjetet diktatoriale, me qëllim që nga kjo pjesë të mos dalë asgjë, të bëhet e mosqenë.

3- Dukuria e daljes së letërsisë nga burgjet, e autorëve dhe veprave të tyre. Sa janë përfshirë ato në jetën letrare kulturore të vendit, edhe zyrtarisht, deri tek tekstet shkollore.

Në një farë mënyre Letërsia Shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX i përket një metode të veçantë, “Realizmit të dënuar”, sipas meje, sepse i tillë ishte realiteti i tyre.                                                                                     Të dënuar ishin jo vetëm ata që u dënuan, që nuk lejoheshin të krijonin, por, tjetërsoj sigurisht dhe ata që u drejtuan të bënin letërsi të socrealizmit, pra s’ishin të lirë, u mashtruan, u përdorën dhe u keqpërdorën.

Sado absurde dhe e papranueshme të duket sot, është e habitëshme, por shpjeguese ajo që ka treguar Dritëroi për veten dhe Kadarenë në një intervistë, ku sipas tij, kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, ka thënë: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”.  Ai “hosten” për shumëkënd në fakt ishte pushkë. Kur me shkrimtarët e vet veprohej ashtu apo dhe me ata si Pano Taçi që “devijuan”, mendoni se ç’është bërë me kundërshtarët, me ata që ishin kundër doktrinës komuniste qysh në krye e realizmit socialist.

Tre çështjet që përçika, duan studime serioze, profesionistët e kritikës, akademikët e letërsisë, etj, teksa duket se ecet zyrtarisht në udhën e lënë, por le të kthehemi për ta përmbyllur te tre autorët e sotshëm.

Poetët kanë dhe një jetë tjetër, atë të poezive, që vazhdon.Mbetet krijimi që, si të thuash nuk ka më as biografi dhe as rrethana, por vetëm vlera.

Kur isha student në Shkodër, në kohën e diktaturës, shkoja në shtëpinë muze të Migjenit. Shikoja reliket e tij, fotot, i veshur hijshëm, me elegancë, me borsalinë, ja dhe stilografi mbi tryezë, që s’dihej çdo të shkruante më tej, aq sa dhe demoni i vdekja duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq të ri. Mes miqsh bisedonin se po të kishte qenë gjallë Migjeni, a do të ishte bërë shkrimtar i Realizmit Socialist? A do ta shmangte dot? Me siguri do të përfundonte në burg, thoshim ose do të kishte vrarë veten. Edhe mund ta vrisnin. Ja, i vranë kumtin e veprës. Po ai vetë e vrau më parë!?…

Gjithsesi vepra e tij është e vetëmjaftueshme dhe e pazëvendësueshme, me rëndësi e prijëtare. Tablotë e mjerimit dhe blasfemitë përsëriten. Dhe dhëmbja dhe protesta. Teatri “Migjeni” mund dhe duhej të dramatizonte nga vepra e atij, se i mban dhe emrin.

Dritëroi – këngëtar i baltës së vendlindjes, fëshfërimë grunoresh në Jug, fjalë me shijen e bukës, të pjekur në kryqytet…

Prozator dhe me humor thumbues, të cilat dëshmojnë një epokë që s’është, zhgënjimet dhe trishtimi i më pastajmë dhe është e ardhmja që do të gjykojë më shumë e do të vendosë më shumë.

Unë si lexues e kam dashur Dritëronë, e kam takuar me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene, në parlament, në SHBA dhe kam venë lule pranë bustit të tij…                                                                                    Dëgjoj fyellin e  drunjtë, elegjiak të Panit plak, të Panos tonë… shkoj andej nga kafe “Europa”, ku ai rrinte me orë të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po sikur atij t’i jepej në kohë dhe mjaftueshëm dëmshpërblimi i vërtetë dhe puna e pa paguar e 24 viteve burg, e internime, mbase do të kishte dhe ai një kafene të veten, një librari, një… ndarja e shkrimtarëve duket se vazhdoi si në diktaturë, suksesi dhe fama, mirëqenia dhe varfëria po kështu, ishin përcaktuar një herë nga djalli dhe s’kishte zot që t’i ndryshonte… ndërkaq nëpërmend një vegim që kam patur përnjë portret të Pano Taçit në kafe “Europa”, pikturë ose skulpturë, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e zbardhëllyer dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve të shkruhej një poezi e tij, që më mrekullonte me thjeshtësinë dhe kumtin, me universalizmin e saj, e dija përmëndësh, të denja për çdo antologji në botë, thosha.

Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t’i zbresë./ Diçka edhe qiellit,/ nga toka t’i ngjitet ka shpresë./ Më bëhet i gjej te vetja/ ç’mungon te gjithësia:/ Qiellit: urrejtja,/ tokës: dashuria.

Mbetet një nga pengjet e mia, një dëshirë ende e vlefshme, që të vihen mureve, të gdhenden gurëve, shkëmbinjve, nëpër parqe e rrugë vargje nga eposi, nene nga Kanuni, lutje nga Shenjtja Nënë Tereza, poezi nga De Rada, Naimi, Fishta, Migjeni, pra nga Rilindja dhe të rilindurit e me radhë.

Ato do të sjellin më shumë estetikë të brendëshme, energji pozitive, siç i themi, prani kulture, do t’i shërbenin mjedisit si pemët e mendimit të bukur.

 

Filed Under: Featured Tagged With: DHE TRE SHQETËSIME, NGA KOHA DIABOLIKE..., NJË TRINI, Visar Zhiti

KOSOVE-SHBA, TAKIM PER SIGURINE NE PENTAGON

October 12, 2018 by dgreca

Në Pentagon takohet Grupi Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë/

-Të dy delegacionet kanë prezantuar synimet dhe planet për punën e përbashkët, në vitin në vijim, sikurse janë dakorduar për një varg aktivitetesh mbështetëse për FSK-në, anëtarësimin në iniciativat rajonale, si dhe angazhimet në misione ndërkombëtare. Në takimin e mbajtur në Washington është prezantuar rruga përpara gjatë transicionit të FSK-së pas miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës/

1 Pentago.JPG

WASHINGTON, 12 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/ Delegacioni i i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe i kësaj force, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, realizoi takime dypalëshe lidhur me avancimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Njoftimi i dërguar sot nga Ministria thekson se, zëvendësministri për FSK-në, Burim Ramadani dhe zëvendësndihmësja e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper, kanë bashkëkryesuar mbledhjen e Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Gjatë takimit të Grupit të përbashkët, janë diskutuar dhe vendosur orientimet strategjike në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në marrëdhëniet bilaterale midis Kosovës dhe SHBA-ve. Po ashtu, janë diskutuar çështjet e detajuara mbi angazhimet e përbashkëta në mbështetjen amerikane për Ministrinë e ardhshme të Mbrojtjes, me theks të veçantë për FSK-në në mandatin dhe detyrat e reja ushtarake dhe të mbrojtjes.     Nga pala kosovare, në takim kanë marrë pjesë edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku dhe delegacioni profesional.

Të dy delegacionet kanë prezantuar synimet dhe planet për punën e përbashkët, në vitin në vijim, sikurse janë dakorduar për një varg aktivitetesh mbështetëse për FSK-në, anëtarësimin në iniciativat rajonale, si dhe angazhimet në misione ndërkombëtare.          Në takimin e mbajtur në Washington është prezantuar rruga përpara gjatë transicionit të FSK-së pas miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës.Bashkëkryesuesit Ramadani dhe Cooper kanë vlerësuar lart përgatitjet e bëra nga të dy delegacionet për bashkëpunimin bilateral dhe theksuan thellimin e partneritetit në siguri e mbrojtje Kosovë-SHBA.Qeveria e Kosovës, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në një mbledhje të mbajtur  ne 13 shtator 2018. Në këtë kuadër është miratuar Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes. /b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Kosove-SHBA, siguria, takim ne Pentagon

Delegacioni i FSK-së pritet në Washington DC nga Senatorja Joni Ernst

October 12, 2018 by dgreca

-Delegacioni i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA lidhur me avancimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-Amerikë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes/

1.Delegacioni i MFSK-se, pritet nga Senatorja Joni Ernst

-Për Kosovën është jetësore  të vazhdojë ndërtimi i FSK-së me standarde amerikane në doktrinë, lidership, sistem të armatimit dhe në pajisje/

 2. Delegacioni i MFSK-se, pritet nga Senatorja Joni Ernst

WASHINGTON, 12 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/ Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  janë pritur nga senatorja Joni Ernst në Washington D.C.   Njoftimi i dërguar nga Ministria thekson se, në takimin që zhvilloi delegacioni i MFSK-së me senatoren nga Iowa u diskutua për angazhimet e përbashkëta Kosovë-SHBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe për aftësimin e Kosovës në përballje me sfidat rajonale dhe globale.

             Zëvendësministri Ramadani vuri theksin tek orientimi i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e kapaciteteve të FSK-së në mandatin ushtarak dhe të mbrojtjes bazuar në standardet amerikane.
“Për Kosovën është jetësore  të vazhdojë ndërtimi i FSK-së me standarde amerikane në doktrinë, lidership, sistem të armatimit dhe në pajisje”, tha zëvendësministri Ramadani, duke shprehur orientimin e Kosovës për partneritet të plotë me SHBA-të.Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, nënvizoi gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në sigurinë  e rajonit dhe më gjerë.
“FSK është e gatshme të fillojë tranzicionin në mandat ushtarak, duke u bazuar në Planin afatgjatë që e kemi të koordinuar. FSK-ja do të vazhdojë të jetë profesionale, shumetnike, e besueshme dhe e gatshme”, tha gjeneral Rama.

 Ndërsa, senatorja Ernst shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e saj për vazhdimin dhe  mbështetjen e  Kosovës  në ndërtimin e kapaciteteve për siguri dhe mbrojtje.Në takimin me senatoren Ernst mori pjesë edhe ambasadorja Vlora Çitaku, shefi i kabinetit të Ministrit të FSK-së Jashar Ramadani, atasheu i Mbrojtjes së Kosovë kolonel Ilir Qeriqi, diplomati Frymëzim Isufaj dhe atasheu amerikan i Mbrojtjes në Kosovë koloneli Ryan Nichols.

 Delegacioni i MFSK-së po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA lidhur me avancimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-SHBA në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Delegacioni i FSK-së pritet në Washington DC, nga Senatorja Joni Ernst

Lejtnant Taulant Sulo, nga Forca Detare në Akademitë e SHBA

October 12, 2018 by dgreca

1 Taulant1 ok Taulanti2 Taulanti

Nga Shefqet Kërcelli/SHBA/

Ka disa javë që Lejtnant Taulant Sulaj po ndjek në akademinë e Virginias, SHBA, Kursin Ndërkombëtar të Oficerit të Marinës, International Officer Course, {IMOC}. Ky kurs për oficerët e marinës është i barazvlefshëm me Kursin Themelor të Oficerit të Shtabit, KTHOSH, që realizohet në KDS, për oficerët e cdo arme.

I kontaktuar nga ana jonë, Lejtnant Sulaj na sqaron se, kursi ka vlera të gjithanshme për cdo officer që shërben në Forcën Detare, Rojen Bregdetare apo institucione të tjera Detare të shtetit shqiptar. Ai zgjat 16 javë, një periudhë relativisht e mjaftueshme për të arritur objektivat e tij, pasi trajton tema shumë të rëndësishme për formimin e oficerit detar si, zbatimi i ligjshmërisë në det, procedurat e bordimit për një anije që shkel ligjin detar, operacionet e kërkim-shpëtimit, njohjen me strukturat e emergjencave civile, që kanë SHBA në raste fatkeqësish detare, jo vetëm teorikisht, por duke njohur nga afër veprimtarinë e këtyre institucioneve. Niveli i pedagogëve mësimdhënës dhe temave të trajtuara është tepër i lartë, sqaron Taulanti. Për këtë tematikë të zgjeruar detare, në fund të kursit do vlerësohesh dhe certifikohesh. Kursi ka filluar më 13 gusht dhe përfundon më 29 nëndor 2018.

Ndërkohë kursi të afron mundësi të tjera për të njohur historinë, kulturën dhe traditat e Popullit dhe shtetit amerikan. Për këtë me kursantët organizohen udhëtime e vizita në vendet historike dhe institucionet shtetërore në SHBA. Gjithashtu mer rëndësi të vecantë krijimi i mardhënieve shoqërore dhe shkëmbimi i eksperiencave të ndryshme ndërmjet kursantëve nga shumë vende të botës pasi është një kurs në nivel ndërkombëtar.

Po kush është Lejtnant Taulanti, i cili i ka vënë vetes synim të bëhet një oficer i aftë për Forcën tonë Detare: Ai është titulluar oficer në shtator 2012, mbasi kreu Akademinë ushtarake “Skënderbej” në sistemin 4 vjecar, me gradën n/toger. Në vitin 2013, kreu kursin bazë të oficerit në Flotiljen Detare Pashaliman. Taulanti ka kryer detyra të ndryshme kryesisht në Flotiljen Detare Pashaliman si, Specialist i bashkëpunimit civilo-ushtarak dhe Komandant i skuadrës së parë të Bordingut, deri në vitin 2014, Nga viti 2015 e në vijim Taulanti shërben si Komandant i Skuadrës së 4-t të Bordingut në Vendbazimin e Kepit të Palit, detyrë të cilin e mban aktualisht. Si pjesë e Gupeve të Bordinut në Forcën Detare, Taulanti ka marë pjesë në të gjitha operacionet e kryera për zbatimin e ligjshmërisë në det, por dhe stërvitjve të kryera brenda dhe jashtë vendit me aleatët e NATO-s. Ndërkohë ai është certifikuar nga shkolla e bordingut e NATO-s në Kretë{Greqi}, ka kryer kursin bazë të bordingut në Vlorë, është certifikuar nga instruktorët e batalionit të Sanmarkos per prodecurat e bordingut, etj. Lejtnanti ka dhe një diplome të Universitetit të Tiranës në fakultetin e Ekonomisë në nivel bachelor dhe master.

Natyrisht ky arësimim e trajnim më ka ndihmuar të formoj elementët bazë të oficerit, por Kursi që po kryej aktualisht në Virxhinia, thekson Sulaj, më përgatit për më lart në të gjitha drejtimet si oficer marine, qoftë në nivelin teorik dhe praktik. Unë kam dëgjuar fjalë të mira nga pedagogët këtu dhe për oficerët e tjerë shqiptarë që e kanë kryer këtë kurs si, Taulant Bako, Eldi Ormeni, Detjon Bështika dhe Myfit Ferraj. Uroj që këtë kurs ta meritojnë e ta kryejnë dhe oficerë te tjerë të Forcës Detare, thotë Taulanti.

Dhe në i urojmë oficerit të ri të Forcës Detare, Lt.Taulant Sulaj, suksese deri në përfundim të kursit dhe në karierën e oficerit detar.

Theksojmë se, janë me dhjetra kuadro detarë, kryesisht të Forcës Detare që e kanë kryer kursin e Rojes Bregdetare dhe të IMOC, në Virginia. Por si i përdorim ne këto kudro me vlerë, këtë investim kolosol të popullit e shtetit amerikan, sa e gjejnë veten këta kuadro në strukturat tona ushtarako-civile të shtetit?

Sepse, vërtet këta djem janë asete me vlerë të popullit shqiptar.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Akademi ne SHBA, Lejtnant Taulant Sulo, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 381
  • 382
  • 383
  • 384
  • 385
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT