• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARRATISJA E FAMILJES HIMARIOTE MALO ME 28 PJESTARË SIPAS GAZETËS “DIELLI”

August 15, 2018 by dgreca

LAJMI I BUJSHËM: TETOR 1972,  FAMILJA HIMARIOTE ME 28 ANËTARË, E ARRATISUR NGA SHQIPËRIA, ARRITI NË NJU JORK ME 29 ANËTARË(NJË “U SHTUA”RRUGËS)-/

1 Familja Malo 1

Ishte lajmi më i bujshëm i arratisjeve nga vendet komuniste të Lindjes. Gazetat Njujorkeze e kishin gjurmuar lajmin dhe e kishin përcjellë së bashku me fotografitë që në momentin e mbërritjes. Ata mbërritën në Nju Jork me 5 tetor 1972. Ikja kishte qenë e bujshme për familjen me 29 anëtarë të Thoma Malos. Gazeta Dielli e botoi kronikën në numrin 31 tetorit 1972, ndërkohë që gazetat amerikane kishin shkruar kronika dhe reportazhe e intervista, që në momentin e arritjes së tyre. Ishte marrë me këtë ngjarje gazeta e madhe The New York Times, Daily News dhe gazetat të tjera të Staten Island. Familja pasi ishte arratisë në mënyrë spektakolare nga Himara, kishte udhëtuar nga Korfuzi drejt Nju Jork-ut me vaporin “Kristofor Kolombo”. Familja u vendos menjëherë në Staten Island të Nju Jork-ut. Familja MALO përbëhej nga kryefamiljari Thoma Malo, zonja e Tij-Aleksandra, katër djemtë e tyre, katër nuset, dy vajza, një dhëndër, nipër e mbesa; plot 29 veta.

Familjes i ishin dashur 1 vit dhe 2 muaj për të arritur në Tokën e Ëndrrave, në Amerikë. Ata ishin arratisur nga Shqipëria diku nga fillimi i muajit gusht të vitit 1971.

Familja u tregoi gazetarëve amerikanë se ishte arratisur nga një fshat i Himarës, ku ata jetonin me bujqësi dhe vecanërisht merreshin me kultivimin e ullinjëve. Z. Thoma Malo u tregoi gazetarëve se familja e tij kishte rreth 400 rrënjë ullinj dhe punonte tokën e tij me përkushtim, pasion e dashuri. Por ëndërrat e tij për të shtuar pasurinë u ndërprenë më 1951, kur qeveria komuniste i mori tokën, ullinjtë, dhe e detyroi të punontë në kooperativë.

Vendimin për t’u larguar një ditë nga Shqipëria, ai e mori në mendjen e tij që në momentin kur i kolektivizuan pasurinë dhe e detyruan forcërisht të hyntë në kooperativë: priste vetëm rastin e përshtatshëm, për të marrë të gjithë familjen me qëllim që shteti komunist të mos hakmerrej.Arratisja vlerësohej si tradhëti dhe dënimet ishin të ashpra dhe binin mbi cdo pjestarë ët familjes, burg dhe internime. Ishte kjo arsyeja që Thomai dhe Aleksandra e kishin marrë vendimin të prerë:O të gjithë, o asnjë!

E gjithë familja, me djem e vajza, me nuse, me nipër e mbesa duhej ta linin fshatin për të mos lënë asnjë gjurmë pas.

Po si arritën që të arratiseshin?  Momenti i përshtatshëm erdhi në gusht të vitit 1971.Një nga djemtë e Thoma Malos, Vasili, ishte kapiten i një barke peshkimi në portin e vogël të Himarës. Plani u hartua me detaje dhe një mbrëmje gushti, e tërë familja Malo zbriti në breg të detit dhe zuri vend në barkën DE RADA pasi kishin bërë të pamundur reagimin e gjashtë rojeve, që ruanin barkën dhe morën kursin e lundrimit drejt Korfuzit. Në Greqi arritën shëndoshë e mirë të 28 pjestarët e familjes, e cila në tokën e Helene, u bë edhe me një pjestare më shumë; në qershor 1972 u shtua me një vajzë dhe kur familja mbërriti në Nju Jork me 5 tetor 1972, numëronte 29 vetë.

Gazeta “Dielli” e 31 tetorit 1972, komentonte:”Të gëzuar të gjithë i faleshin Zotit, që arritën shëndoshë e mirë në Amerikë. Zoti Thoma Malo dhe djemtë e tij janë punëtorë, plot vullnet e dëshirë për punë.  Ai i tha gazetës Daily  News se kishin vuajtur shumë, por tashti cdo gjë do të normalizohej. Ia vlen që të vuash për të gjetë Lirinë. Ne deshëm të vijmë në një vend të lirë si Amerika, dhe erdhëm;-këtu do të  punojmë ndershmërisht, do të dërgojmë fëmijët nëpër shkolla, të mësojmë gjuhën e vendit dhe të gjithë do të jemi të lumtur”.

Sic njofton The New York Times dhe gazeta tjetër Daily News, familja shqiptare u prit shumë mirë, dhe me shumë ngrohtësi nga amerikanët  në Statin Island dhe nuk iu nkursyen ndihmat nga :Kryqi i Kuq Amerikan, nga Salvation Army, e Organizatat Kishtare e të tjerë.

Gazeta Dielli uronte:”Ne urojmë zotin Thoma Malo, zonjën e tij Aleksandra, dhe të gjithë pjestarët e familjes me 29 anëtarë:Pacit ardhë me këmbë të mbarë dhe u qoftë jeta e Lumtur në këtë vend të Lirë e të Bekuar!”.

Në seksionin e anglishtes Dielli i 31 tetorit  botonte shkrimin e datës 6 tetor 1972 të gazetës Daily New, shkrimi zinte tri kolona (Dielli botohej atë kohë me format të madh), dhe në mes ishte vendosur fotografia e plotë e familjes prej 29 anëtarësh, me diciturën: Thoma dhe Aleksandra Malo me të gjithë pjestarët arritën në Pier 86 në bordin e anijes Cristofor Colombo.(Përgatiti:D Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: 28 anetare, dalip greca, familja Himariote, Malo

Shembja e urës në Genova, 39 numri i të vdekurëve

August 14, 2018 by dgreca

-Mes viktimave dhe dy shqiptarë:Admir Bokrina, 32 vjeç, me origjinë nga Shkodra dhe Marjus Djerri, 22 vjeç, me origjinë nga Shijaku/

1 Genova

Rritet numri i viktimave nga shembja e urës në Itali…/


Pamje pas shembjes së urës Morandi në Gjenova
Pamje pas shembjes së urës Morandi në Gjenova/

Zyrtarët italianë thonë se të paktën 30 persona kanë vdekur pas shembjes së një ure në qytetin Gjenova.“Rreth 30 persona kanë vdekur dhe disa të tjerë janë të plagosur rëndë”, tha zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini. Te dhenat e fundet flasin per 35 te vdekur.

Ura që u shemb papritur, njihet si Ura Morandi dhe është ndërtuar në vitet e ’60-ta.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë një pjesë të madhe me rrënoja nën hapësirën në mesin e urës.

Kryetari i Agjencisë për Mbrojtje Civile në Itali, Angelo Borreli tha se të gjitha viktimat duket se kanë qenë duke udhëtuar me makina në urë, kur ajo u shemb.

Autoritetet italiane njoftuan se rreth 30 makina dhe tre kamionë të tonazhit të rëndë ishin duke kaluar në urë, në momentin e shembjes.

Zjarrfikësit njoftuan se nga gërmadhat kanë arritur të nxjerrin dy njerëz të gjallë, të cilët ishin bllokuar në makinat e tyre pas rrëzimit nga ura.Ministri italian i Transportit, Danilo Toninelli tha se shembja e urës “është një tragjedi e madhe”.

***

Presidenti shqiptarët Ilir Meta ngushelloi homologun italian me nej telegram ngushellimi:

I dashur President Mattarella,

Jam shumë i trishtuar nga humbja e jetëve si pasojë e ngjarjes tragjike në qytetin e Genovas.Në këto momente të vështira jam pranë jush, pranë popullit mik italian, qytetarëve të Genovas dhe të gjitha familjeve të lënduara nga kjo fatkeqësi.Ngushëllimet e sinqerta dhe solidariteti im e i popullit shqiptar për familjet e viktimave dhe urimi i sinqertë për një shërim të shpejtë për të lënduarit e kësaj katastrofe.

Filed Under: Featured Tagged With: 35 te vdekur, Genova, Shembja e Ures

FAIK KONICA: “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë ”

August 14, 2018 by dgreca

         14 Faik Konica

      LETRA DHE SHENIME TË FAIK KONICËS RRETH  PËRPJEKJEVE PËR BOTIMIN E LIBRIT TË TIJ:  “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë ”/

1 Idriz Lamaj

 NGA IDRIZ LAMAJ*/

Libri i Faik Konicës: “Shqipëria – Kposhti Shkëmbor i Evropës Juglindore”, botuar pas vdekjes së autorit nën kujdesjen e Qerim Panaritit, mbështetur në letrat e Konicës dhe të shtëpisë botuese, “Robert Mc. Bride & Company”, mban titullin: “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë”.

Në parathënien e kësaj vepre, Panariti thotë se “titulli i librit nuk është i Konicës”, por është i tij. Ai citon edhe dy letra midis Konicës dhe shtëpisë botuese, “Robert Mc. Bride & Company” të Njujorkut, ku bëhet fjalë për prejardhjen librit dhe vështirësit që ka ndeshur në përgatitjen e librit.

Për të shkruar pakë më gjersishtë se Panariti lidhur me zanafillën e këtij libri dhe planet për botimin e tij, shfletojmë një dosje me letra e shenime të Faik Konicës, të cilën ma dhuroi Petro Kolonja këtu e një çerek shekulli më parë. Këto letra e shenime të pa botuara deri tashi vëjnë në dukje përpjekjet e Konicës për botimin e librit dhe ofrojnë mundësi për analizimin e shkaqeve të mosbotimit të tij.

Në vazhdim sjell korrespondencën, ato pakë letra që kam në dorë, midis pronarit të shtëpisë botuese, “Robert Mc Bride  & Company” dhe të Konicës.

*  *  *

Robert Mc. Bride i shkruan Konicës letrën e parë me  19 nëntor, 1935:

I dashur zotëri:

Me rekomandimin e z. Hito Sadik, Sekretar i Konsullatës në Boston, po ju shkruaj këtë letër lidhur me projektin e një botimi që do të ndërmarim.

Jemi shumë të interesuar për të siguruar dhe botuar një histori të sotme me karakter popullorë për Shqipërinë, që në veçanti do të vërë në dukje përparimin e bërë  nga vendi në situatën e re, me të cilën ballafaqohet si pasoj e luftës.

E dijmë se vendi juaj asnjë herë nuk është treguar në literaturën angleze siç i takon dhe ato botime që janë për të anglisht, janë kryesisht të vjetruara.

Natyrisht, gjetja e një historiani është shumë e vështirë dhe sigurimi i shitjes së librit, pasi të shkruhet dhe të botohet, është një çështje me rëndësi të madhe për ne. Duke shpresuar se Ju jeni të interesuar të shihni botimin e një libri serioz, ju kërkoj me anë të kësaj letre të na rekomandoni një person të përshtatshëm për këtë punë dhe të na jepni mbështetjen tuaj për shitjen e librit, gjë e domosdoshme për sigurimin e shpenzimeve dhe nxjerrjen e fitimit ekonomik.

Përfitojmë nga çdo këshillë e juaja për këtë çështje.

                                                   Me nderime, Robert Mc. Bride

Konica i përgjigjet z. Mc. Bride, me 21 nëntor, 1935:

Zotëri:

Kam nderin t’ju njoftoj se mora letrën tuaj të datës 19 nëntor, 1935.

Projekti juaj për botimin e një “Historie Moderne Popullore të Shqipërisë” më intereson jashtëzakonisht dhe shpresoj të rializohet sa më parë. Jam i një mëndimi me ju për nevojën e një libri të tillë.

Kur z. Hito Sadik ju rekomandoi mua, ndoshta ai ka patur në mend se unë, për më tepër se gjysëm shekullit, kam mbledhur materail për një histori të Shqipërisë, dhe tani kam aritur në shkallën e klasifikimit të lëndës së mbledhur dhe paraqitjen e formës së librit. Sidoqoftë, libri im do të jetë një libër shkencor i cili kryesisht iu sherben studiuesëve të historisë si një studim udhëzimi e reference për gjurmim të mëtejshëm. Natyrisht, këtë mund t’a këthej shumë lehtë edhe në një botim të lezeçëm për rrethe më të gjëra lexuesish, duke lënë jashtë të gjitha shqyrtimet dhe pikat që mund t’i interesojnë një specialisti. Por, për të shkruar një libër të formës gazetare, i cili pak a shumë do të përfshinte paraqitjen e sotme të përparimit mekanik të Shqipërisë, mua nuk me intereson aspak. Nëse ju kuptoj mirë, ju keni në plan pak a shumë vepër të tillë, për shkrimin e të cilës unë iu rekomandoj z. Nelo Drizari, instruktor i shqipes në Univerisitetit Columbia, person i përgatitur në gazetari dhe i aftë për të shkruar një vepër të thjeshtë dhe të letë për t’u lexuar. Adresa e tij është: Z. Nelo Drizare – Philosophy Hall, Columbia University, New York City. 

Këtu vëj në dukje,  ju do të keni përkrahjen time morale për inkurajimin e shitjes së librit të z. Drizari dhe shpresoj se një vepër e tillë do të gjëjë blerës midis turistëve dhe njerëzve kurioz.

Nëse, nga ana tjetër, ju preferoni  që unë t’a shkruaj librin, ashtu siç theksova në paragrafinë e mësipërm, jamë i bindur se libri do të gjëjë blerës në kolegje, biblioteka dhe studiuesë të historisë, dhe pastaj, me një ritëm më të ngadalshëm, besonjë se do të shitën një numër i konsideruar kopjesh. Tërë çështja është nëse ju dëshironi një vepër serioze që përmbanë lëndë origjinale, apo dëshironi një libër të mbështetur  në shkrime të përsëritura dhe të botuara nëpër gazeta e revista. Nëse më dërgoni dy-tri libra mbi vendet tjera, si një shembull ose model që ju keni në mënd, do të jem në gjëndje më të mirë për t’iu këshilluar si duhet.

                                                I juaj me nderime,  Faik Konitza 

Me 26 nëntor 1935, Mc. Bride i shkruan Konicës përsëri:

I dashur zotëri:

Ju falenderoj përzemërsisht për mirësinë që patët  t’na shkruani gjër e gjatë.

Ne nuk dëshirojmë një libër gazetarik, të përcipët, por një studim origjinal dhe serioz mbi të kaluarën dhe të tashmën e Shqipërisë, të shkruar me sa më shumë dramë njerëzore, me sa më pak të dhëna të parëndësishme, me detaje të specifikuara traktatesh, me fakte politike të brëndëshme, dhe me një theks të veçantë në vet historinë e popullit; pra, një studim të vërtet historik që trajtojnë shumica e historianëve. Thejshtë, ne dëshirojmë një vepër origjinale historike të shkruar për shtresën e lexuesëve të përgatitur dhe jo një libër të formës gazetarike.

Për të mos diskutuar më rreth kësaj çështjeje, ne dëshirojmë që librin t’a shkruani Ju dhe mos të kërkojmë gjetk.

Këtu shtrohet një pyetje të cilës duhet t’i gjëjmë përgjigjen para se të fillojmë punën. Duket se fillimisht libri do të ketë një numër të vogël shitjeje që nuk i mbulon shpenzimet e botimit. A do të ishte praktike për Qeverinë  Shqiptare të siguronte kopje të mjaftueshme për konsullatat e veta në vendet që flitet anglishtja, për të na ndihmuar kalimin e vështirësive të botimit ?

Unë do të thoja se një libër relativisht i përmbledhët në vëllim, mund të shitet dy dollarë kopja. Sikur Qeveria të blente tre-katërqind kopje,  me çmim tregu $1.20 cent, do të na garantonte mundësinë e fillimit të  punës. Ju e dini se ana ekonomike është vëndimtare për sigurimin e shpenzimeve të botimit.

                                           Sinqerisht i juaj, Robert Mc. Bride

Konica i përgjigjet z. Mc Bride me 30 nëntor, 1935:

Zotëri:

 Ju njoftoj se mora letrën t’uaj të 26 nëntorit 1935, për të cilën ju falenderoj.

Jam i sigurt se Qeveria Shqiptare do të blejë dy-treqind kopje të një libri të shkruar nga unë, e, në qoftë se jo, nja dy organizata Shqiptare do të realizojnë atë që nuk realizon Qeveria. Unë mendoj ashtu, sidoqoftë, kjo nuk bëhet para botimit të librit, por dy-tre javë pasi libri të dali në qarkullim. 

Libri, ashtu si e përfytyroj unë, do të shtrohet në këtë mënyrë: Do të jetë një parathënje e shkurtë, një ose dy faqe. Pastaj, një kapitull hyrës në të cilin gjuha, raca, kostumet dhe veçoritë e popullit Shqiptar, si dhe klima e karakteristikat fizike të vendit, do të përshkruhen shkurti- misht; ky kapitull zënë nja 20 faqe. Mbas kësaj do të jenë nja 200 faqe mbi historinë, ngjarjet, përpjekjet dhe luftat e popullit Shqiptar nga kohët më të lashta deri më sot. Një kapitull i shkurtë i fundit do të përmbledh gjëndjen e sotme. Në fund të librit, – në një farë mënyre të shkëputur prej tij, që do t’ju sherbej vetëm studiuesëve serioz, janë nja 20 faqe shenime, të cilat, spjegojnë me referenca  të sakta, disa pika kontestuese historike, për të cilat bëhet fjalë në zemrën e librit. Në vazhdim do të jenë dy faqe bibliografi dhe 10 faqe treguesi  sipas rendit të alfabetit.

Ju do të shihni nga parashtrimi se  libri, ashtu si e mendoj unë, do t’ju përgjigjet mirë kërkesave tuaja; i vetmi lëshim që kërkoj është të më jepet vend për shenimet dhe treguesit, përndryshe vepra do të ketë pamjen e një pune amatori, gjë së cilës dua t’i shmangem vendosmërisht.

Nëse më dërgoni vërejtjet tuaja lidhur me pikatë e mësipërme, do të shikoj për ndonjë modifikim të mundshëm të planit tim.

                                                Sinqerisht i juaj,  Faik Konitza

Me 18 dhjetor, 1935 z. Mc. Bride i shkruan Konicës:

I dashur z. Konitza:

Kërkoj ndjes për vonimin e përgjegjës time letrës t’uaj të 30 nëntorit. E kam shikuar si të domosdoshme nga ana financiare shitjen e një tirazhi sado të vogë të librit të kolegët tonë në Angli para se t’iu bëjë ofertën e sigurtë.

Sa të marrë përgjigje nga ata, do t’ju shkruaj në hollësi.

                                                     Sinqerisht i juaj, Mc. Bride

Me 6 shkurt, 1936, z. Mc. Bride i dërgon Konicës marrëve- shjen (kontratën) e nënshkruar nga ana e tij. Kontrata e Shtëpisë Botuese, dy faqe të formatit të madh, përmban detaje si çdo kontratë e zakonshme e firmave amerikane. Nga 11 pikatë e marrëveshjes dhe 7 shtojca, z. Mc. Bride  vënë në dukje vetëm dy pika të cilave duhej t’iu përmbahej Konica; titullit të librit: “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë” dhe të ardhurave nga shitja e librit. Sipas marrëveshjes, Konica do të paguhej 10 përqindë nga të ardhurat e librit nëse shtëpia botuse do të shiste një tirazh prej 2000 kopjesh dhe 15 përqind nëse ajo do të shiste 3000 kopje. Në dy shtojca të marrëveshjes, z. Mc Bride shenon edhe disa detaje të së drejtës rreth shitjes së librave nga ana e autorit.

Konica e nënshkruan marrëveshjen dhe e poston pas dy ditësh.

Më 17 shkurt ,1936, z Mc. Bride i shkruan Konicës:

I dashur z. Konica:

Më duket se kontrata e jonë është pak e pështjelluar në një shtojcë të rregullores së vet. Ajo që shenoni Ju në pikën tre, thjeshtë nuk përfshihen të drejtat e shitjes së librave jashtë shtetit. E drejta e shitjes së librave jashtë shtetit përfshihet në paragrafet e pikës së katërt dhe të pestë; në gjyshmën e faqës së dytë të kontratës.

Shpersoj se ajo sqaron shumë mirë pozitën e autorit.

                                          I juaj sinqerisht,  Robert Mc. Bride

Me 18 shkurt, 1936, Konica i përgjigjet edhe kësaj letre:

Zotëri:

Ju njoftoj se mora letrën tuaj të datës 17 shkurt, 1936. Ju falnderoj për spjegimet, këtu iu dërgoj kontratën e nënshkruar prej meje.

Lidhur me referimin për botimin e librit, besoj se dorëshkrimin do t’a përfundoj deri nga fundi i korrikut, pasi tërë lëndën e kam mbledhur me kohë, tani me mbetet vetëm t’i jap formën.    

                                                                          I juaj, Faik Konitza

Me 27 maj 1936, Konicës i shkruan z. Tom Davin editori i shtëpisë botuese, “Robert Mc. Bride & Company”:

I dashur z. Konitza:

A mund t’na dërgoni brënda dy-tri ditësh kapitullin e parë të librit? Shitësit e botimeve tona fillojnë udhëtimet brënda dy javësh. Ata duhet të kenë me vete listat e botimeve të vjeshtës ku përfshihet edhe libri i juaj. Ne duhet të kemi një pjesë të materialit për të përgatitur reklamën e librit, të cilën ata  duhet t’a ken me vete. 

U jemi  mirënjëhës gjithashtu pa na treguat se kur mund të na dërgon dorëshkrimin e plotë.

                                    Me nderime, i juaj, Tom Davin, Editori

 Konica i përgjigjet z. Davin me 28 maj, 1936:

Zotëri:

Këtu po ju dërgoj parathënien dhe kapitullin e parë të librit, sipas kërkesës t’uaj në letrën e 27 majit, 1936. Ju di për nderë nëse më dërgoni bocat e korrigjuara.

Dorëshkirmin e plotë të librit  shpresoj se mund t’ju dërgoj nga fundi i korrikut.

                                                 I juaj me nderime, Faik Konitza

Me 5 qershor 1936, z. Davin i shkruan Konicës:

I dashur zotëri:

Ju falenderoj për dërgimin e parathënies dhe kapitullit të parë të librit. Titulli i lirit është “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë”, vazhdim i serisë së historive të shkurtëra që ne botojmë. Na nevojitën edhe dy informata nga zotëria juaj: 1). A mund të na dërgoni sa më shpejt titujtë e kapitujve të librit, kështuqë shitësit tonë mund të kenë një ide të përgjithëshme mbi përmbajtjen e librit? Me këtë, do t’ju dija për nderë sikur të na dërgoni një  përshkrim nja 200 fjalësh mbi përmbajtjen e librit, në të cilin do të bazohet përpilimi i katalogut tonë. 2). Ju lutëm, a mund të na këshilloni se cila do të ishte harta më e përshtatshme e Shqipërisë për botim në librin tuaj. A duhet t’i vëjmë emrat e qyteteve sipas shqiptimit të gjuhës shqipe, italishte, apo ka ndonjë traditë të shqiptimit në gjuhën anglishte? Kjo varet plotësisht në dëshirin tuaj.

Këto të dhëna na nevojitën sa më parë, besoj se do të na i dërgoni deri të hënën, me 8 qershor.

                                        I juaj sinqerisht, Tom Davin, Editori

 

Konica i përgjigjet z. Davin me 9 qershor, 1936:

Zotëri:

Letra e juaj e 5 qershorit me erdhi të nesërmen, me datën 6-të. Kërkoj ndjes që nuk mund t’u përgjigjsha menjëherë, të hënën, për arsye se në funksionin tim si diplomat kisha një angazhim që nuk mund t’i shmangesha  letë.

Një fjali në parathënien time nuk i përgjigjet titullit të librit. Po ju dërgoj faqen e parë të korrektuar të parathënies; ju lutën grisnje faqen e parë që e keni dhe përdornje këtë që po iu dërgoj. Titulli është në rregull dhe i pëlqyeshëm nga ana ime.

Brënda dy ditësh do t’ju përgjigjem lidhur me pjesën tjetër të letrës t’uaj.

                                                    I juaj sinqerisht, Faik Konitza

 

Po me datën 9 qeshor, Konica merr këtë telegram nga shtëpia butuese:

“ Urgjentisht na nevojitet materiali i kërkuar në letrën e 5 qershorit. Ju lutëm na dërgoni ç’ keni të gatshëm. Ju falemnderit – Robert Mc. Bride & Company”.

 

Konica i përgjigjet telegramit me 12 qershor, 1936:

Zotëri:

Në zarf keni hartën e Shqipërisë me një shenim rreth shkrimit të emrave të qyteteve, gjysmën e lëndës së librit dhe përshkrimin 200 fjalësh të përmbajtjes. Së shpejti do t’iu dërgoj pjesën tjetër. Ju lutëm m’i ktheni bocat për shikim të fundit.

                                                       Me nderime, Faik Konitza

             

                                                *  *  *

Për mue këtu zhdukën gjurmët e korrespondencës Mc. Bride & Konica rreth botimit të librit: “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë”. Sipas Qerim Panaritit, Konica i shkruan z. Mc. Bride edhe me 8 prill, 1939:

“Meqë Shqipëria, për shkak të rethanave të sotme tragjike, ka dalë në qendër të vemendjes, dëshiroj të di nëse do të miratoni një sugjerim nga ana ime”; domethënë botimin e librit, por “botuesi hodhi poshtë me mirësjellje sugjerimin e tij dhe dorëshkrimi mbeti mënjanë”. ( Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i  Evropës Juglindore, Boston, Mas., 1957).

Tani, para se të themi diçka për disa shenime të Konicës të cilat besoj se kanë të bëjnë me çështjen e librit, kthehemi edhe një herë të letra e parë e tij dërguar z. Mc. Bride. Këtë letër Konica e shkroi në dy vërsione; versioni i parë i letrës, që më vonë shëndrohet në pika mbështetëse për versionin e dytë, është tre paragrafe më e gjatë. Në një paragraf të shkurtë, Konica nuk pranon asnjë përgjegjësi financiare për shtyp duke i shpjeguar qartë arsyet e veta:

“Librin e shkruaj pa pretendim fitimi por duhet të keni parasysh, nuk marrë asnjë përgjegjësi shpenzimi për shtypin për arsye se jamë në gjëndje të hollë ekonomike. Unë rroj me një rogë të vogël të Qeverisë s’ime me të cilën mëmzi përballoj jetesën e përditëshme.”

Siç duket, Konica nuk e dërgoi këtë letër për arsye se ishte e gjatë, kishte bërë në të disa korrigjime me dorë dhe mund t’a shkurajonte pronarin e shtëpisë botuese, duke u shmangur që në fillim nga përgjegjësit financiare. Versioni i dytë i letrës, dërguar z. Mc. Bride, mbështetet në versionin  e letrës së parë.

Thuhet se shumë njerëz të penës kur janë në tavolinë të punës të zhytur në mendime të thella rreth projekteve krjuese dhe halleve të jetës, ‘zhgaravitin’, shenojnë e ‘vizatojnë’ në ndonjë letër që kanë aty pranë. Kur ato letra i shpetojnë shportës është  vështirë të konstatohet se ç’kishin në mend të thonin ata në ato raste të veçanta.

Ky ‘fenomen’ sigurisht duhet të ketë ndodhur edhe me Faik Konicën. Në dy fletë shkrimi të pastra gjëndën tri zhgaravitje të vogla me laps, një lule e vizatuar dhe disa shenime në anglisht. Pas mendimit t’im, bazuar në qartësinë e fjalive, Konica kishte në plan t’u shkruante për çështjën e librit dy miqëve të tij. Ai shkruan në një fjali: “Bënë mirë të folësh me Vasilin dhe Kriston, ndoshta mund të më ndihmojnë përkohësisht”.  Në qoftë se qëndron ky mendim, atëherë ai kishte në plan t’i shkruante z. Hito Sadiku, Sekrtetar i Konsullatës së Shqipërisë në Boston.  Vasili dhe Kristo duhet të jenë Vasil Pani e Kristo Thanas, të dytë në gjëndje të mirë ekonomike dhe miqë të tij. Edhe fjalia tjetër: “Lëre këtë punë, kur të vi atje shohim e bëjmë, … duhet të mendosh  mirë,… më shkruaj…”, ka mundësi të bëj me këte çështje. Po aty, në ato fletë, plani për t’i shkruar Nelo Drizarit, prof. në universitetin Columbia në New York, është i qartë: “Të kam dërguar materialin e ardhë nga Shqipëria. Na gjëj katalogun me emrat e kolegjeve amerikane; të interesuara sipas mendimit tënd. Me datën ? (pikëpyetja është e Konicës – il.) do jem në New York, duhet të shoh vet ç’ bëhet atje. Nevojitën dy ditë pushim pune”. Dihet se Drizari ishte në dieni të projktit për botimin e veprës së Konicës; ai i kishte shkruar Petro Kolonjes për këtë çështje.

Tani bëhet pyetja, pse nuk u botua libri? Megjithëse mbeten vetëm spekulime, kam përshtypjen se z. Mc. Bride, pas analizave financiare, duhet të ketë ardhur në përfundim se libri jo vetëm që nuk ishte fitimprurës për firmën e tij por nuk i nxjerte as shpenzimet e shtypit. Nga ana tjetër, atë e brente edhe ndërgjegja morale ndaj Konicës, sepse vet i kishte propozuar atij për shkrimin dhe botimin e librit.

Po të lexohen  me vemendje dy pika të kontratës së nënshkruar midis z. Mc Bride dhe Konicës, shihen hollësit e përgjegjësisë së autorit për mblulimin e shpenzimeve të shtypit  nëse shtëpia botuese nuk siguronte në parapagim shitjen e një tirazhi 500 kopjesh për një libër 200 faqesh. Megjithëse z. Mc. Bride dhe Konica nuk bëjn fjalë në letrat e tyre për ato dy pika të kontratës,  vetvetiu lënë të kuptohet se botimi i librit mund  të pezullohej, për arsye se nuk ishte mbledhur asnjë para si parapagesë.

Ndërkaq, edhe zotimi i Konicës për sigurimin e një pjese të shpenzimeve  me blerjen e librit nga ana e qeverisë shqiptare, duket i pa shpresë. Mjafton të izolojmë fjalinë e letrës së tij, “Jam  i sigurtë se Qeveria Shqiptare do të blejë dy – treqind kopje të një libri të shkruar nga unë, e, në qoftë se jo, nja dy  organizata Shqiptare do t’a realizojnë atë që nuk realizon qeveria.” Z. Mc. Bride, fjalia e thjeshtë midis paragrafit të mësipërm, “në qoftë se jo”, duhet t’i ketë tërhe- qur vrejtjen që në fillim. As mbështetja e autorit në “nja dy organizata Shqiptare” nuk duhet të ketë mjaftuar për të.

Largimi i Konicës ndaj përgjegjësis së financimit, lë të kuptohet, se, ai s’kishte kujt t’i drejtohej për ndihëm. Me qeverinë i kishte ftohur marrëdhëniet si pasoj e kritikave që i bënte Mbretit Zog me letra private. Me shokët më besnik të “Vatrës”, grupin e Refat Gurrazezit, ishte prish  për arsye të afrimit të tij me Nolin dhe me vatranët e moderuar. Organi- zimi i një fushate për mbledhjen e të hollave ndoshta i dukej iluzion për arsye të krizës së thellë ekonomike që kishte përfshirë Amerikën. Megjithë këtë, nuk kemi të dhëna nëse Konica mori ndonjë hap konkret për sigurimin e shpenzimeve të botimit.

Shpesh është thënë: “Konica ishte dembel, nuk i shkonte punës në fund, nuk i përfundonte shkrimet e veta”. Në këtë rast pohimet e tilla nuk qëndrojnë. Vllimi i librit për të cilin bëhet fjalë, sipas kontratës, nuk duhej të kalonte 230 faqe. Ai i dërgoj shtëpisë botuese të paktën 120 faqe të gatshme për shtyp.

Ndërsa, puna e rënd dhe vështirësit e Panaritit për plotësimin e zbraztësive dhe përgatitjen e librit të Konicës, botuar 15 vjet pas vdekjes së tij, duhet të jenë reale. Jam i mendëmit se pjestë e gatshme të librit, të cilat Konica ia kishte dërguar shtëpisë botuese, kanë ngelur në shtypshkronj dhe më në fund janë hedhur në shprotë. Konica herë pas here  i kërkon shtypshkronjës bocat, pjesët e përgatitura, për shikim të fundit, por nuk insistonte në kthimin e tyre, me shpresë se libri mund të botohej një ditë.

Përfundimisht, kalimi i këtyre letrave nga një dorë në tjetrën, udhëtimi i tyre i gjatë nga një qytet në tjetrin, gjumi i tyre i rënd, afër 70 vjet, nëpër dosje të grisura dhe të zvërdhuara nga pluhuri i kohës, lenë të kuptohet se shumë letra të Faik Konicës janë zhdukur pa gjurmë. Edhe këto letra të botuara më lartë nuk e ndriçojnë tamam planin e Konicës për botimin e librit të tij, “Një Histori e Shkurtë e Shqipërisë”.* Marre nga Libri”Vatra dhe vatranet” i autorit Idriz Lamaj.

Filed Under: Featured Tagged With: "Histpri e shkurte e Shqiperise", Faik Konica, Idriz Lamaj, Letra, rreth librit

Incident terrorist para Parlamentit Britanik

August 14, 2018 by dgreca

Dy të plagosur nga goditja me makinë para parlamentit britanik/


Të paktën dy persona u plagosën të martën kur një makinë u përplas në mburojat e sigurisë para ndërtesës së parlamentit britanik në Londër.

Policia arrestoi shoferin e makinës nën dyshimet për “terrorizëm” dhe po e trajton ngjarjen si incident terrorist.

Incidenti ndodhi rreth orës 8 e 30 sipas kohës së Evropës qendrore.

Stacioni i metrosë, Westminster, është mbyllur dhe zona përreth parlamentit që ndodhet me pushime, është bllokuar nga forcat e policisë.

Të plagosurit, sipas autoriteteve, kanë pësuar plagë që nuk rrezikojnë jetët e tyre.

Kryeministrja britanike, Theresa May, e cila ndodhet me pushime tha se mendja i rri tek të plagosurit në këtë incident dhe vlerësoi reagimin e shërbimeve të emergjencës.(VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Incident terrorist, para Parlamentit Britanik

Refuzimi ndërkombëtar për ndryshimin e kufijve

August 14, 2018 by dgreca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë samit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Sofje.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë samit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Sofje.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kundërshtuar deklaratat e fundit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, se mund të ketë korrigjim të kufijve.

Deklaratat e Merkelit janë të pritura për njohësit e çështjeve politike.

Analisti Artan Muhaxhiri thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e kancelares Merkel është në të njëjtën linjë me qëndrimet e faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë.

“Edhe qëndrimi i kancelares Merkel, por në mënyrë indirekte edhe të ambasadës amerikane në Prishtinë, është në vijën e qëndrimeve të tyre për Ballkanin. Pra, si një rajon i cili mund të trazohet shumë lehtë nëse ka veprime të pamatura dhe të paplanifikuara mirë”.

“Çdo ndryshim gjeopolitik ose gjeostrategjik duhet të bëhet duke u detajizuar në mënyrë jashtëzakonisht konkrete dhe me planifikime shumë të mëdha dhe jo më qëndrime populiste apo ide të pakonceptuara”, thotë Muhaxhiri.

Duke folur pas takimit me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, i cili ka qëndruar për një vizitë në Gjermani, kancelajra gjermane Merkel ka thënë se integriteti territorial i vendeve të Ballkanit është i paprekshëm.

“Ne u pajtuam për tri gjëra që janë mbi të gjitha; gjëja e parë është integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe është i paprekshëm”.

“Ne duhet ta përsëritim këtë. Sepse përsëri ka përpjekje për të folur për kufijtë dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë. Mbi këtë bazë dhe mbi bazën e saj, natyrisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane”, ka thënë Merkel.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes deklaratave të fundit kanë lënë të kuptohet se janë të një pajtimi që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë duhet të korrigjohet.

Thaçi dëshiron që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të hyjnë në kuadër të territorit të Kosovës, dhe në këmbim të kësaj të mos i jap asgjë Serbisë. Kurse presidenti serb, Vuçiq, e ka bërë të qartë se dëshiron t’i marrë katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, por nuk ka thënë asgjë se çka do të japë si këmbim.

Për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm me luftë.

Por, analisti Muhxhiri thotë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duhet t’i njoftojë qytetarët për bazën e qëndrimeve dhe ideve të tij për korrigjim të kufijve të Kosovës dhe të tregojë se ku planifikon të marrë përkrahje ndërkombëtare për idetë e tij.

“Është mirë e ditur se asnjë lëvizje e rëndësishme politike në Ballkan nuk mund të bëhet pa përkrahjen e Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Nëse presidenti Thaçi vazhdon të insistojnë në ndryshimin e kufijve pa përkrahjen e aleatëve ndërkombëtarë, ai do t’i bëjë dëme vetës, por më shumë Kosovës. Sepse do të dëshmohet si një faktor joserioz edhe jostabil për planifikimet gjeopolitike në Ballkan”, thotë Muhaxhiri.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe dhe ajo e Gjermanisë në Kosovë, kanë thënë se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanitmund të sjellin destabilizim.

“Ne besojmë se thirrjet për modifikim të kufijve nacionalë mund të jenë destabilizuese”, ka thënë ambasada britanike në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Kurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se presin një zgjidhje dhe se “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon”.

Edhe partitë opozitare e kanë kritikuar presidentin Thaçi duke e akuzuar atë se ka vënë në pazar sovranitetin e Kosovës.(Kortezi:Nadie Ahmeti RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: Merkel Kunder, Ndryshimi i Kufijeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 401
  • 402
  • 403
  • 404
  • 405
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT