• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA SHQIPTARE- At Zef Pllumi: O Zot, mos na provo!

April 21, 2017 by dgreca

“Fol, ja këtu nxirre qumështin e mëmës ose përndryshe vdiqe. Fol!…Fol!”/

3-zef-pllumi

“Rrno për me tregue”/ Torturat çnjerëzore në hetuesinë komuniste dhe mesazhi në murin e bugut që tmerroi At Zef Pllumin: “Un Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinën time për mos me dekë etjet. U tmerrova. A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha?”/

 “Rrno për me tregue” nga At Zef Pllumi:

Dr. Paulin Pali, jurist. Ishte nji emën i ndigjuem për mirë, në të mbështeteshin shpresat e shumkuj prej atyne intelektualeve që thurrshin plane të bukura për të ardhmen e atdheut. E takova për të dytën herë aty ku nuk duhej.

Nën shkallë ishte WC-ja alaturka; ngjitun hamamxhiku i vogël; të dyjave u kishin hjekë dyert për t’i kontrollue polici edhe prej së largu. Aty në hamamxhikun e vogël ishte nji burrë i gjatë, i madh, me nji mjekër të zezë deri në gjoks. Kambët e zbathuna të shterngueme në zinxhirë kali me dry e të kapuna në murin mbrapa me nji hallkë, duerët të lidhuna para.

Kush je ti? – ndigjova zanin e tij, ndersa po i avitesha WC-së. Ai e persriti nen zâ emnin që i thashë.

– A të njof un ty?…

Vetëm kaq se pjesën tjetër e zuni zani i egër i gardjanit që bërtiti prej së largu: Paulin… Paulin, he derr as aty nuk rrin urtë, – dhe e mbylli frazen me nji të shame të turpshme. Gjithë natën e gjatë e kalova i varun aty n’atê pjeshkë, mes oborrit të vogël në cegmen e Dhetorit. Sytë i drejtoshem te ai burri në hamarnxhikun e vogël: A ishte ky Paulini?.. Për bishtin e shkurtë të trumës, aty pranë derës, nji tjetër i lidhun kambësh, në nji pozicion që as nuk rrinte drejt në kambë, as i ulur kacuk. Kushedi sa kohë ishte i lidhun ashtu, sepse lëshonte ulurima të tmerrshme, kishte kalue nga mendja dhe fliste fjalë të ndyta papushim. Mâ vonë e mora vesht se ai ishte Taipi. Perbrí meje disa tjerë largas njeni-tjetrit të shtrimë përtokë, të mbledhun palmuç të mbluem me nga nji batanije leckë; ndërsa, përballë me fëtyrë të sjellun nga muri kater tjerë, në kambë drejt qiri, të mbuluem me batanije leckë. Në atê heshtje nate të tronditej kryet nga hapat e randë të rojes që sillej aty me automatik ngrehë, dhe të gjamave, pshertimave e ulurimave t’atyne që vuejshin n’atê oborr dhe të disa tjerëve që nuk shiheshin se ku ishin.

O Zot i madh, – thashe me vedi, – a thue ndoshta kam dekw e gjindem n’atê ferrin real, “ku nuk ka tjeter, por vajë e kërcllim dhambësh”? N’atê moment mund ishte ora 1 mbas mesnate; po zbrisnin nga pvetjet apo torturat nji tjeter të mjerë. Kadale e ulnin shkallëve; rojet kqyren pjeshkën ku ishem i varun un, njani kthej vrap përpjetë, mandej zbriti. Atëherë të mjerin tjetër e lidhën afër WC- së ndër parmakët e shkallëve. E kishin sakatue. Gjithë naten gjimonte, ndërsa roja i avitej e kërcnonte dhe e shante me fjalët mâ të ndytat. Atê natë nuk pat asnji krismë automatiku.

Në mëngjes herët filloi radha për WC. Rojet u shtuan ndër të gjitha anët. Para orës 7 ra qetsi, mandej u ndrruen rojet. Kah ora 10 erdhën e më zgjidhën nga pjeshka. Kur kalova nga WC-ja përsri ai Paulini aty në hamamxhik, ndërsa ai i varuni ndër parmakët e shkallëve nuk ishte mâ i zoti me lshue kurrfare zani. Në krye të shkallve ishte nji salon, i cili shërbente për hymjen ndër kater dyer. Ndeja aty në kambë. Përballë meje ishin dy persona të lidhun, Cin Lezha dhe nji tjeter që nuk e njofta….

Vazhdoi nji heshtje, ndërsa ai sillej rrotull nëpër dhomë.

– Nuk don të flasësh?…

– Po shka të flas?

– Fol këtu, na trego përse të kemi arrestuar?

– Pse më keni arrestue, këtë e dini ju; un nuk dij gjâ, duhet të ma thoni ju mue.

– Si nuk ditke gjë? Kujt i thua ti? Mblidhe mendjen e fol!

– Po shka të flas? Ti më pvet shka don e un të përgjigjem.

– Ti të më përgjigjesh mua? Mejtohu mirë se këtu para meje kanë vdekur burra më të fortë se ti. – Fol, ja këtu nxirre qumshtin e mëmës ose përndryshe vdiqe. Fol!…Fol!…

– Nuk dij shka me folë.

– Nuk din ti ë?

Kapi shufren e hekurit, me të cilen shprishte zjarmin e sobës së ndezun dhe me të m’u versul mbi shpatulla, shpinë, kofshë e kambë. E vetmja fjale që thonte: Fol! Këtu nxirre qumshtin e mëmës!

Un nuk kishem shka me folë. Mbasi u lodh ai, edhe un ishem i dermuem, thirri kapterin dhe i tha: Merre. Kur më zbriti në oborr ajo pjeshka ishte e zanun, sepse kishin varë nji tjeter, atê që e kishin lanë ndër parmakët e shkallëve, e kështu mue më varen aty përballë WC-së e hamamxhikut. Paulini aty. Kqyrshim vazhdimisht shoqishojnë. Por gardjani sillej aty afer e nuk mund folej. Në murin e WC-së ishin shumë shkrime, pothuej të gjithë emna e data të grryeme në mur me prangat e duerve. Ajo që më mbeti e ngulun në mendje kje:

“Un, Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinen time për mos me dekë etjet.”

U tmerrova.

A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha? O Zot, mos na provo! /

 

Filed Under: Featured Tagged With: KUJTESA SHQIPTARE- At Zef Pllumi:, mos na provo!, O Zot

MYSAFIRË TEK DEMË BALIDEMAJ NE 7 OLD FULTON, BROOKLYN

April 19, 2017 by dgreca

 

2 tavolaTë Hënën me 171 7 Old Fulton Prill ishim mysafirë tek atdhetari nga Martinaj, fshat i njohur i Plavë-Gucisë, Demë Balidemaj,i mërguar që 16 vjec nga vendlindja;  i njohur  si biznesmen, si atdhetar, dhe përherë bujar. Mik me artistë dhe shkrimtarë, me politikanë dhe gazetarë. Nuk ka artist, krijues,vizitor i zakonshëm, që ka ardhë në Nju Jork dhe nuk ka provuar bujarinë e Demë Balidemës.Gjithkush e kujton Debal Gardens në Brooklyn, që për shumë kohë ishte kthyer në një Seli Kulturore, artistike për të gjithë shqiptarët. Aty u pritën presidentët e Shqipërisë dr. Sali Berisha dhe presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, aty u pritën kryeminisitra, ministra, politikanë, ambasadorë, kongresistë e senatorë. Dema perherë bujar, kurr nuk tha:Mjaft se u lodha. Përherë dera celë. Sa e sa herë u drejtuan organizatat, fondacionet, formacionet politike, botues,  për ndihma tek Demë Balidema? Ai kurrë nuk i ktheu bosh. Natyrisht edhe humbi, por kurrë nuk u dorëzua. Dhe ja tani ka Restorantin e tij “7 Old Fulton” në Brooklyn, NY, që është nga më të preferuarit, jo vetëm prej amerikanëve, por edhe prej  turistëve që janë të shumtë në këtë zonë.Ka investuar shumë në të. E ka dizajnuar bukur. Vijnë dhe shumë artistë këtu. Në një pozicion mjaft të preferuar buzëujit, pranë Urës së Brooklyn-it, 7 Old Fulton është përherë i mbushur plot, brenda dhe jashtë. Kuzhina e vecantë, pijet e shumëllojshme, shërbimi i kulturuar, mjedisi i dizajnuar me shije,pamja që ofrohet nga jashtë, janë disa nga faktorët që restoranti merr jo vetëm klientelë vendase, por shpesh edhe rezervime nga Evropa për ata që vizitojnë Nju Jork-un.

Ftesa e Demë Balidemaj i ishte bërë Profesorit nga Shqipëria Muharrem Dezhgiu, që gjatë darkës festive që shtroi Vatra me 16 shkurt me rastin e Pavarësisë së Kosovës. Ai i qe drejtuar zv.Kryetarit të Vatrës , mik i tij, Asllan Bushati:- Ma sill profesorin në restorant, të bisdedojmë e të kënaqemi. Merre edhe mikun tim të kahershëm Zef Balaj, dhe editorin e Diellit!Ejani kur të doni… Me sot me nesër, nga shkurti në prill. Dhe vizita u realizua.

Dema na priti sic di të presë ai,i buzqeshur, ka dalë jasht lokalit dhe së bashku me zonjën,duke na uruar mirëseardhjen dhe na ftojnë të hyjmë në restorant.

– Jeni si në shtëpinë tuaj- na fton ai bujarisht që të zemë vendet në një tavolinë të shtruar enkas. Pijet dhe ushqimet e traditës e mbushin plot tavolinën. Kamereierët shqiptar na vihen në dispozicion. Ata janë përherë gati që të mos mungojë asgjë. Për më shumë se 3 orë pronari bujar qëndroi në tavolinë me ne duke na nderuar  e respektuar dhe herë-herë duke na shërbyer vetë. Bisedat vërtiten rreth  historisë  Kombëtare dhe rrjedhat e zhvillimeve të sotme  në trojet tona kombëtare, përfshi dhe zhvillimet në diasporën shqiptare të Amerikës, e cila në këto kohë vuan më shumë se kurrë nga mungesa e organizimit dhe tendencat përcarëse.

Faleminderit Demë Balidemaj për pritjen bujare!(Për më shumë do të lexoni në Dielline  printuar: Emocionet e Deme Balidemes ne ceremonine e Akademise Franceze kur Kadare u pranua anetar, takimi me gazetarin qe kishte share Shqiperine, pengu se si nuk beri nej foto me Frank Sinatren e Bekim Fehmiun etj…)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Mysafire, tek Deme Balidemaj

TAKIMET E SENATORIT AMERIKAN McCAIN NË TIRANË

April 14, 2017 by dgreca

44

Nishani, McCain: Shqipëria do të përmbushë detyrimet ndaj NATO-s/Tiranë- 14 Prill 2017- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dhe zhvilloi një takim me Senatorin amerikan dhe ish-kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John McCain, i cili po zhvillon ditët e fundit një tur zyrtar në disa vende të Ballkanit.Pasi i uroi mirëseardhjen dhe vlerësoi rolin udhëheqës dhe kontributin e vyer shumëvjeçar të Senatorit McCain në politikën dhe Senatin amerikan, Presidenti Nishani vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributet e të përmbushë përgjegjësitë e saj ushtarake dhe financiare në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.“Jemi krenarë që jemi aleatë besnikë, të denjë e të sinqertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga mbështetja e të cilave frymëzohemi edhe për lirinë e demokracinë tonë.” – theksoi Presidenti Nishani, duke e siguruar Senatorin McCain se vendi ynë dhe Forcat e Armatosura shqiptare do të vazhdojnë ta luajnë këtë rol edhe në të ardhmen.Kreu i Shtetit shqiptar dhe Senatori McCain diskutuan edhe për situatën e Ballkanit, ku u vlerësua roli dhe kontributi i Shqipërisë dhe kombit shqiptar për konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit të përbashkët me orientimin dhe synimin e integrimit e të gjithë vendeve dhe popujve në rajon në bashkësinë euro-atlantike.

 2 MetaMeta, apel McCainit: Shtetet e Bashkuara të rrisin vëmendjen në Europën Juglindore

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot Kryetarin e Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin Amerikan, Senatorin John McCain, i cili shoqërohej prej Ambasadorit të SHBA në Shqipëri, Donald Lu.Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain biseduan mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, situatën politike në vend si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.Duke vlerësuar kontributin personal në vite të Senatorit McCain, Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në shërbim të forcimit të kredencialeve demokratike të vendit tonë si dhe të paqes e stabilitetit në rajon.Meta vuri në dukje se, duke marrë në konsideratë peshën e veçantë të Shqipërisë në rajon, politika ka për detyrë të tregohet më e përgjegjshme brenda vendit për të krijuar klimën e duhur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve sipas standarteve më të larta bashkëkohore.Meta gjithashtu shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA ndaj forcimit të demokracisë në Shqipëri dhe në veçanti ndaj avancimit të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar si dhe trafiqeve të lëndëve narkotike.Kryetari Meta ndau bindjen me Senatorin McCain se Shtetet e Bashkuara duhet ta rrisin vëmendjen e tyre në Evropën Jug Lindore dhe shprehu besimin e plotë se Shqipëria do dijë të tregojë se është një partnere serioze e SHBA në avancimin e axhendës euro-atlantike në rajon.Gjatë diskutimit mbi zhvillimet e fundit në rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain ndanë bindjen e përbashkët se Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe aleate besnike e SHBA duhet  të rrisë kontributin e saj buxhetor në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se investimi në fushën e sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajonin e Ballkanit.

bASHA-655x356 Basha, McCain: Zgjedhjet të pamundura nga droga, të gatshëm për dialog

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha priti sot në Selinë e Partisë Demokratike Senatorin John McCain, Kryetar i Komitetit të Senatit Amerikan për Forcat e Armatosura. Lideri i opozitës i shprehu vlerësimet më të larta Senatorit McCain dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen e tij ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve.

Basha i përcolli mikut të cmuar amerikan gjithashtu, falenderimet për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë dhe sidomos për anëtarësimin e saj në NATO, duke rikonfirmuar vendosmërinë se Shqipëria do të jetë gjithmonë në krah të aleatit të saj strategjik.

Kryetari i opozitës përcolli shqetësimin e madh për gjendjen kritike të vendit në raport me sigurinë dhe krimin e organizuar për shkak të shumëfishimit galopant të kultivimit dhe trafikut të drogës dhe pranisë së personave me rekorde të rënda kriminale në Parlament, Bashki dhe funksione të larta publike në kundërshtim dhe shkelje të ligjit për dekriminalizimin.

“Ky shqetësim i ngritur me nota të rënda edhe në raportet e fundit të Departamentit të Shtetit dhe EUROPOL-it demostron sa i madh është rreziku që i kanoset demokracisë dhe stabilitetit të vendit nga përfshirja dhe roli i krimit në vendimmarrjen politike. Zgjedhjet e ardhshme janë totalisht të pamundura pa cmontuar rrezikun nga paratë e drogës dhe nga kriminelët e interesuar për ruajtjen e gjendjes së tanishme të kapjes së shtetit.Vetëm pastrimi i politikës nga krimi dhe lufta efikase kundër drogës dhe krimit përmes një qeverie teknike që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme mund të garantojnë stabilitetin afatgjatë të Shqipërisë”, theksoi zoti Basha.

Basha ka deklaruar më tej se “ky është një detyrim madhor i politikës ndaj qytetarëve shqiptarë por edhe ndaj aleatëve, sepse si anëtare e NATO-s, Shqipëria duhet të garantojë standardet dhe mbrojë vlerat e demokracive perendimore ku më themelorja është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Duke rikonfirmuar gatishmërinë dhe ftesën e opozitës për arritjen e një marrëveshje politike për qeverinë teknike dhe mandatin e saj përmes dialogut politik, kryetari Basha nënvizoi rëndësinë që ka përgatitja me seriozitet dhe përgjegjshmëri e këtij dialogu në funksion të zgjidhjes së krizës politike.

Partia Demokratike, theksoi zoti Basha, do të jetë përherë garante e vlerave të përbashkëta euro-atlantike të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor që përbëjnë aksin e miqësisë dhe aleancës strategjike shqiptaro-amerikane.

3 KodheliSenatori McCain, takim me ministren Kodheli

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ambasadori Donald Lu pritën sot në aeroportin “Nënë Tereza”, senatorin amerikan John McCain. Gjatë qëndrimit të senatorit McCain në Rinas, ministrja e Mbrojtjes, zonja Mimi Kodheli e njohu me progresin e arritur në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e vendit tonë për të vijuar në këtë drejtim, të bindur se jemi në rrugën e duhur.

Senatori McCain u takua edhe me personelin ushtarak shqiptar të trajnuar në programe të ndryshme të qeverisë amerikane. Gjatë bashkëbisedimit të tyre, ministrja e Mbrojtjes risolli në vëmendje edhe njëherë misionet ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë përfshirë duke nisur nga misioni në detin Egje, deri tek misionet në Afganistan dhe vijoi më tej me stërvitjet e përbashkëta me aleatët.

Gjithashtu ministrja Kodheli u ndal edhe te kontributi i vendit tonë si pjesë e koalicionit global kundër ISIS, kontribut të cilin ministrja Kodheli e cilësoi të duhur dhe të drejtë. Shqipëria jep kontributin e saj në misionin paqeruajtës Resolute Support në Afganistan dhe ishte ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS, nën lidershipin e SHBA dhe jep një kontribut aktiv në këtë koalicion.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, John McCain:, ne Tirane, Takimet

Gëzuar Ditëlindjen, Gjeneral i Teatrit Shqiptar, Pirro Mani!

April 14, 2017 by dgreca

Pirro Mani, Ditëlindja e Gjeneralit të Skenës-Sot 85 VJEÇ/1 Koste ManiNe Foto:Kosta Mani, babai i i Pirro Manit1-2Ne Foto:Pirro Mani/1 Piro mani
Ne Foto:Pirro Mani me Pavlinen/
Sot, e 
premie, 14 Prill, është ditëlindja e Gjeneralit të skenës, Teatrit Shqiptar, Pirro Mani. Gazeta Dielli e uron:Gëzuar Ditëlindjen Pirro Mani! Nga arkivi i Diellit, po publikojmë shkrimin e mëposhtëm./5 Peneli

 Nga Dalip Greca/Nju Jork/

1 dalip Pirro14 Prilli është ditëlindja e Pirro Manit. Por edhe në një ditë të shënuar si ajo e Lindjes, e shfaq një peng Pirro Mani, mbreti i skenës shqiptare, gjenerali i  regjizurës,Stanislavski shqiptar, është një peng që po e shoqëron për gjatë të gjithë jetës. Edhe tani, kur feston 85 vjetorin e lindjes, kërkesës për një intervistë, ai i përgjigjet shkurtazi: Për mua është shkruar mjaft. Nuk ka mbetur gjë pa u thënë. Por e kam një peng që më rëndon. Dua ta zbraz shpirtin nga brenga e tim eti. Më rëndon shumë ai peng. Më ka ndjekë edhe në skenë. E ke vënë re episodin e gurit  të pendimit tek “Cuca…”? Është krijuar prej meje ai episod duke pasur në mendje fundin e babait tim Kosta Mani. E kam mësuar vonë faktin që ai dha shpirt duke mbajtë në shpinë  pesha të rënda, ja ashtu si guri i pendimit. I zbriste në shkallaren e një galerie si mijëra të tjerë në kampin e vdekjes të Mathauzenit gjatë Luftës së Dytë Botërore.Ma ka treguar ngjarjen një durrsak që shpëtoi gjallë nga kampi i vdekjes…. Ai ishte një nga ata që i shpetuan ferrit të Mathauzenit. Ja si e pat përshkruar ai ngjarjen, qe i pat marre jeten Kosta Manit: Nuk kishte pranuar Kosta te ngrinte “gurin e turpit”, gurin e poshterimit; pas tij vinte guri i varrit. Ushtaret gjermane te kampit i dergonin te burgosurit ne nje humnere te thelle dhe i detyronin qe te ngrinin nga nje gur te madh mbi shpine (si rrase varri) dhe i shtrengonin me pahir qe t’i ngjiteshin te perpjetes. Dhe ata çapiteshin me shpirt nder dhembe me shprese e me gurin e rende ne shpine. Kosta e kishte imagjnuar veten edhe si Krishti edhe si Sizifi ne kete ngjitje. Po perse duhej ta bente sakrificen, kur pas ngjitjes, do ta prisnin plumbat? Pyet Pirro me shume veten se sa te atin! Kosta Mani nuk e kishte ngritur “rrasen e varrit”, gurin e poshterimit. Ata e grinë me plumba. Ai u masakrua me 1945, u shpall deshmor po në 1945, ndersa komunistet e ripushkatuan me 1946, duke e pushkatuar përsëdyti!

KUSH ISHTE INXHINIERI I DIPLOMUAR NË MIT NË BOSTON, KOSTA MANI?

Tregon Pirro: Babai im. Kosta Mani ka lindur në Korçë. Si shumë korçarë emigroi herët në Amerikë. Ka qenë rreth të katërmbëdhjetave kur mori rrugën e kurbetit. Krahas punës vazhdoi edhe studimet. Ka studiuar në Institutin e famshëm MIT të Bostonit, ku pat studiuar edhe mjeshtri i madh i fotografisë Gjon Mili. Është diplomuar për inxhinieri-arkitekturë. Ishte pjesë e Vatrës. Si shumë idealist të tjerë, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri për të ringjallë vendin, si shumë idealistë të tjerë vatranë. Kishte në xhep diplomën e inxhinierit. Sa i mungonin Shqipërisë inxhinierët si ai!

Në Shqipëri qe kthyer me Imzot Nolin dhe e kishte shoqëruar atë në udhëtimet që kryezoti i Shqiptarëve të Amerikës kishte bërë në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në Tepelenë dhe Gjirokastër. Këtë episod, Pirros ia pat treguar nëna e tij.

Pasi Fan Noli e la Shqipërinë, Kostë Mani nuk e ndoqi pas. I tha Imzotit se Shqipëria kishte nevojë për atë dhe do të qëndronte. Ati i shqiptarisë, Noli i kishte dhënë bekimin. Dhe ai vazhdoi të punoi në Ministrinë e Punëve Botore. Kishte fatin që të punonte me një tjetër inxhinier të zot, me inxhinier Gjovalin Gjadri. Shqipëria ishte me fat se ishin bashkë dy shkolla inxhinierike; ajo amerikane, ku ishte diplomuar Kosta Mani dhe ajo austriake; ku ishte diplomuar inxhinier Gjadri. Të dy ndërtuan ura, rrugë, vila, që i qëndruan kohës.

Pirro përhumbet në rrëfimin e tij: -E mbaj mend mirë rrugën malore të Thethit. Babai më kishte marrë me vete. E kam në kujtesë bukurinë përrallore të Thethit. Ata punonin, unë vështroja bukurinë e egër të maleve dhe pastaj kthehesha i lodhur dhe i kënaqur në çadër. Qe kohë vere. Ishte bukur.

Edhe Urën e Zogut, urën me harqe, e pat ndërtuar Gjadri me Kosta Manin. Pirro kujton se edhe atje i ati e pat marrë me vete shpesh herë. Madje e mban mend të atin dhe Gjadrin me hartat përpara tek ndiqnin projektin. Kosta Mani ishte kudo ku ndërtohej. Kishte ndërtuar dhe një shtëpi provizore për vete në Tiranë, që priste ta modernizonte kur t’ia kishte ngenë.

Kosta Mani jepte edhe mësim në Shkollën Teknike të Fullcit. Jepte lëndën e Matematikës. Pirro kujton se i ati lexonte shumë Letërsi. Në bibliotekën e tij ndodheshin libra të Balzakut, Stendalit, Dumas, Tolstoit.

Kosta ndertoi edhe uren e Kardhiqit ne Gjirokaster. Kjo ure i dha nje fatkeqesi dhe nje dhurate, qe do ta kishte te shtrenjte gjate jetes se shkurter. Gjate punimeve per ndertimin e ures theu kemben. Ku te gjente mjek? E çuan tek nje mjeshtre popullore, qe i kishte dale nami si ortopede e rralle.Mjeshtrja, plaka Dade, jetonte ne Stegopull te Gjirokastres. Muskujt e Kostes sforcoheshin nen dhimbjet e shtrengimeve te plakes, ndersa syte i ishin ngulë ne bukurine e rralle te nje vajze 15-vjeçare; mbesa e plakes Dade. Inxhinieri sheroi njeheresh kemben dhe shpirtin. Vajza bjonde, me emrin e bukur Amali, do te behej “robine” e inxhinier Kostes, i cili e kerkoi sakaq per grua. U martuan me Amaline dhe linden femijen e pare, Pirron, pastaj dhe dy vajzat, motrat e Pirros. Kosta, nderkohe kishte blere nje truall 6 mije m2, ne rrugen “Shen Gjergji” ne Tirane, sot rruga”Ali Demi” dhe aty ndertoi shtepine e tij, qe Pirro e gezon sot (edhe pse eshte ne Amerike shtepia pret te zotin ende). Jeta ecte ne rrjedhat e veta. Shpesh Kosta bridhte neper Shqiperi, ku ndertonte a projektonte. Merrte me vete edhe Pirron e vogel dhe e ushqente me dashuri per kombin, Atdheun e shtrenjte, qe duhej dashur edhe kur ishte kocke e lekure. Ne diten e pushimit fashist, Kosta u pushua nga puna dhe u arrestua me akuzen se kishte hedhur ne ere uren e Limuthit, ate ure qe e kishte bere vete. Kosta kishte shtetesi amerikane, urrente fashizmin, dhe u trondit nga pushtimi i Shqiperise. Dikur hapi nje zyre private ne Tirane, “Stika”, se bashku me inxhinierin Spiro Koleka. Ajo zyre nisi projektet e ndertimit te infrastruktures se Tiranes; projektoi rruge, sheshe; parqe, vila te bukura dy dhe tri kateshe. Kosta projektoi vilen e njohur mbi kodrat e Tiranes, “Baballaret e Teqese” dhe vepra te tjera qe i rezistuan kohes.

Pirro është i bindur se babai ka qenë antifashist në shpirt dhe si i tillë ishte zgjedhë edhe në Këshill. Madje për reputacionin që gëzonte, u zgjodh edhe deputet i Korçës. Gazeta “Tomorri” e asaj kohe i kushtoi hapesire ne kroniken e vet fjales se deputetit Kosta Mani: “Çameria dhe Kosova, jane pjese te pandara te Shqiperise, deklaron deputeti Kosta Mani.” Në kohën e Asamblesë Kombëtare në kohën e pushtimit gjerman, si deputet ishte pjesë e saj. Por Partizanët e qëlluan me top duke shpallë Asambleja Tardhëtare. Si shumë intelektualë të tjerë patriotë Kostë Mani mendoi se Atdheut mund t’i shërbehej edhe nën pushtim. Por atë pjesmarrje nuk ia falën komunistët. Mblidhet qarkori dhe e përjashton Kostën nga Këshilli. Ishte kohë e çmendur, komunistët e akuzojnë, fashistët e arrestojnë, edhe gjermanët, po ashtu e arrestojnë, si njeri të rrezikshëm. Me kë ishte Kosta Mani? Ishte me Shqipërinë. Arrestimi në fundin e dhjetorit 1943 nga gjermanët ishte fatal. Nazistët e syrgjynosën në kampin famkeq të Mathauzenit. Pirro kujton se nëna, që e kishte marrë vesh lajmin e internimit, i kishte shkuar në burg dhe i kishte dhënë një xhaketë nën astarin e së cilës kish qepur nën një arnë 40 napolona flori. T’i kishte për çdo rast, pat menduar nëna. Pirro atë kohë ishte fëmijë 12 vjeç. E ka në kujtesë pamjen e trishtë. Të burgosurit i hipën në kamionë dhe i nisën në mëngjes herët. Imazhi i mbeti në mendje. Në shtëpi prisnin në ankth ndonjë lajm. Shenja e fundit e komunikimit ishte një telegram që ishte nisë nga Kosta. Ishin vetëm tri fjalë: “Jemi në Manastir”! Asnjë lajm tjetër.

E gjithë jeta e Kosta Mani, është një dramë me shumë misterie, një dramë e ankthshme me shumë akte, thotë i biri, Pirro Mani, për të cilin misteriet mbeten të pazbardhura ende edhe sot.

Hija e të atit dhe shpirti i tij peng nuk i janë ndarë Pirro Manit as këtu në SHBA. Kur erdhën në Amerikë u vendosën në Kolorado dhe më pas në Nju Jork. Shpesh shëtisja me hijen e tim eti. Më dukej se do ta takoja diku….Edhe ai kishte qenë në Amerikë…Më duket se Pirro po mediton….

Nuk ka heqë dorë nga gjurmimet për të gjetë të dhëna për të atin, që më parë nuk mund t’i siguronte. Mësoi se Kosta Mani nuk ishte i vetëm kur u nis në kampin e vdekjes. Ishin më shumë se 200 të burgosur. Një pjesë i dërguan në Prishtinë, pjesën tjetër në Mathauzen, ku i ra fati të shkonte edhe Kosta. Përmes kërkimeve me shoqatat amerikane-hebraike, u arrit të sigurohen të dhënat e munguara, përfshirë dhe kohën e vdekjes -27 Janar 1945, vendin e  vrasjes, dhe të dhëna të tjera. Madje edhe numrin që mbante në uniformën e kampit të internimit.

… Lajmi fatal është mësuar pak muaj pas çlirimit të Shqipërisë. Në shtëpi ka shkuar Spiro Koleka, që ka qenë ortak me Kostën në zyrën e projektimeve dhe ndërtimeve “Stika”. Spiro ishte inxhinier i ri asokohe dhe bashkëpunoi me Kostën edhe për të fituar eksperiencë. Ai solli lajmin fatal në shtëpinë e Kostë Manit. Familja shpalli zinë dhe e qau Kostën.

U shpall dëshmor nga regjimi. Familjes iu dha dhe karta e dëshmorit, por drama e Kostë Manit nuk kishte të sosur. Ashtu si në kohën e italianëve dhe gjermanëve, dhe të komunistëve, secili e sheh si armik.

Pirro tregon:Më kujtohet se ka qenë një burrë me emrin Faruk, që jetonte në një barakë, diku aty ku ka qenë Ministria e Jashtme. Faruku ka qenë kampion boksi.Ai qe rritur në shtëpinë e Kosta Manit. Kujtoj se Faruku mbante dhe një pistoletë nga që kishte qenë partizan…

Pirro kujton se po vinte Faruku me nxitim dhe i thotë: Ç’po bën këtu? A e di se po i demaskojnë gratë e familjes Mani?!

Shkova me vrap. Agjitatorët komunist ngrinin zërin në kupë të qiellit për armikun imagjinar.Dhe armiku paskish qenë Kosta Mani që na qenkish shpallë “dëshmor me biografi të keqe” sepse paskish marrë pjesë në Asamblenë tradhëtare!Fronti Demokratik dhe partia nuk mund ta toleronin këtë tradhëti! Ultimatumi i demaskimit ishte i rreptë:Familja armike Mani duhej të largohej brenda shtatë ditëve nga Tirana! Nisën reprezaljet. Pirron kujton se e pezulluan nga puna, ndërsa motrën Marika e hoqën nga puna, edhe motra tjetër Mirela u pezullua nga shkolla. Ua hoqën dhe triskat.Ishte hapur fjala se Kosta nuk ishte vrarë e se punonte si agjent në një shërbim perëndimor!

Pirro, thotë se pagoi rëndë faturën.Por siç duket, dikur u bindën se të gjitha këto ishin fantazira. Vetë ata e vërtetuan se Kosta ishte egzekutuar në Mathauzen. Mirëpo hija e dyshimit mbeti pezull, kurrë nuk u trajtua më si dëshmor. Jo vetëm kaq por Kostës nuk iu përmend emri as njëherë si një nga inxhinierët e parë të Shqipërisë të diplomuar në SHBA. Pirro ruan një dokument që ka emrat e inxhinierëve që kanë kontribuar në Shqipëri, ku emri i parë është ai i Kosta Manit, pastaj i dy inxhinierëve italianë,i Gjadrit dhe të tjerëve.

Rihabilitimi i të birit të Kostës, Pirro Manit, ndodhi vonë. Fillimisht nuk i dhanë as të drejtë studimi. Kalojnë dy vjet pasi mbaroi shkollën dhe nuk po i dilte e drejat e studimit. Madje mbaroi dhe ushtrinë e më pas e lejuan.Kujton se një ndër ata që e ndihmuan ishte Dashnor Mamaqi.

NA I NXEFE SHUPLAKAT, GJENERAL!

Ishte nje dite prilli tek trokita tek Shtepia e Pirro ketu ne Nju Jork. Kisha marrë me vete disa fletë të printuara nga gjurmët e shfaqjes të “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” në Prishtinë në vitin 1972. I pata kërkuar korrespondentit të Gazetës “Dielli” në Kosovë, gazetarit Behlul Jashari, që të hulumtonte në shtypin e kohës se si ishte pritë shfaqja e Gjeneralit aso kohe në Kosovë. Behluli kërkoi nëpër librari, nëpër koleksione gazetash, dhe diçka gjeti. I kisha kërkuar që mundësisht të takonte e të intervistonte personazhe që kishin qenë në shfaqje.

Në fakt nuk e pati të lehtë: Fatkeqsisht, më shkruante Behluli, shkrimtari, përkthysi, gazetari Vehap Shita, që ka shkruar për  vënien në skenë në Teatrin Krahinor të Kosovës, Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur të të madhit Pirro Mani, ka dy vjet që ka ndërruar jetë, ndërsa  shkrimtari e gazetari Musa Ramadani, redaktor i Kulturës për shumë vite në Gazetën Rilindja, që gjithashtu e ka ndjekur nga afër shfaqjen dhe ka shkruar për të, tani nuk është mirë me shëndet, por gjithësesi biseduam në telefon dhe atij i kujtohej mjaft mirë  shfaqja dhe ende i ruante të fuqishme mbresat nga shfaqjet e Gjeneralit….E kujton Pirron si gjeneral të Skenës…

Ia lexoj Pirros letrën e Behlulit, dhe e shoh se si i shkëlqejnë sytë….Tek dëgjon mesazhin e gazetarit nga Prishtina, bëhet më i vëmendshëm, pastaj duket sikur përhumbet në mjegullën e kohës dhe nga rrathët e kujtesës kërkon të kapë gjurmët e asaj shfaqjeje të largët ….

– Ka qenë një shfaqje e madhe…Pata më shumë liri regjisoriale atje në Prishtinë. E shfryva dufin e censurës dhe autocensurës. Realizova një shfaqje moderne me të gjitha mjetet skenike që më jepte liria.Në Kosovë shkeleshin liri të tjera, por jo si në Shqipëri, ku gjithçka censurohej, veçanërisht në fushën e krijimtarisë… Nuk kisha mbi kokë atje “Kontroll Partie”, siç i thoshim ne, Këshilli Artistik, që bënte skanerin e shfaqjes para se të shkonte tek publiku….

Biseda ngrinë…. Për një çast Gjenerali i skenës shqiptare, heshtohet… Për disa minuta dëgjojmë frymarrjen e  tij të shpeshtuar.Duket se po e përjeton atë që ka lënë atje në Prishtinë, pjesë nga vetja.

Më pas, sikur të ishte kujtuar për diçka, më thotë: Nuk arrij t’i bashkoj të gjitha copëzat e atij përjetimi që zgjati më shumë se 6 muaj në Prishtinë. Shkroi shumë shtypi atje për Gjeneralin. Mbaj mend se njëra nga gazetat e asaj kohë pat vënë një titull që më mbeti në mendje për shumë kohë ”Na i nxefe shuplakat Gjeneral!”….Në fakt ma kishin thënë këtë shprehje edhe me zë pas shfaqjes”Na i nxefe shuplakat Gjeneral”…Më pëlqente shumë ky kompliment. Kaq, s’mund të thonin më shumë në atë kohë…

***

… Gazetari nga Prishtina më kishte dërguar disa faqe të librit të shkrimtarit Vehap Shita”Kur ndizen Dritat”, libër i botuar pesë vjet pas shfaqjes në  Prishtinë, në vitin 1977, dhe që mund të gjendet sot edhe në bibliotekën e Universitetit të Urbanës në Illinois, këtu në SHBA.

Shkrimtari, kritiku Shita, shkruante: Pa marrë parasysh se romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” është vepër e njohur, e çmuar si një nga më të bukurat në Letërsinë bashkohëse shqipe, drama që Pirro Mani kishte thurur me lëndën e romanit, edhe si autor i dramatizimit, edhe si regjisor, të jep përshtypjen e një spektakli teatral më vete. Pirro Mani ka ndjekë rrugën e inskenimit realist spektakolar, por me tendencë të dukshme që të mbeten gjithnjë në plan të parë idetë e veprës.

Pirro Mani e kishte parim profesional, që të mos i hynte në pjesë autorit, por ai i ngjizte veprës shpirtin e tij regjisorial, dhe vepra fitonte atë ç’ka i mungonte.

Në kujtesën e Pirro Manit”Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” ka një peshë të shumfishtë. Kadare ia pat dhënë të parit dorëshkrimin e “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur”, ende pa u botuar si libër. Ishte tronditur Pirrua nga dramaciteti dhe ankthi që mbartëte subjekti. Ndërsa e përpintë së lexuari, mendjen e kishte në skenë….Kur doli libri nga shtypi, Pirro ishte nga të parët që e mori nga autori me autograf. Në mendjen e tij nisi endja e pëlhurës skenike, që në Prishtinë pat më shumë liri e fantazi krijuse.

Pirro kujton kohën e largët të shfaqjeve në Kosovë. Ishte Vjeshtë e vitit 1972. Atë kohë drejtor i Teatrit të Prishtinës ishte shkrimtari dhe poeti i zëshëm i Letërsisë Shqipe Azem Shkreli. Përgatitjet me Trupën e  Prishtinës kishin vazhduar rreth gjashtë muaj. E kujton si sot…Kur Pirro pat krijuar bindjen se gjithçka ishte gati, nisur nga praktika në Shqipëri, ku Partia kontrollonte gjithçka, dhe se pa viston e saj nuk jepej shfaqja, kishte shkuar për të takuar e për tu këshilluar me drejtorin e Teatrit.

– Pse është munduar regjisori deri tek drejtori?,- i pat thënë Azem Shkreli me të qeshur.

Pirro i qe përgjigj pyetjes me pyetje:

– Kur do ta mblidhni Këshillin Artistik, që të kontrollojë shfaqjen dhe të na lejoji ta shfaqim për publikun?  Unë jam gati, që nesër…

Nuk e kishte mbaruar fjalinë e dytë, kur drejtori-shkrimtar, pat shprehë habinë:

– Çfarë Këshilli Artistik po thua, he burrë? Nuk kemi Këshillë ne këtu. Ti je regjisori, e ti je Këshilli artistik. Nuka ka punë Këshilli Artistik me vizionin tënd, me realizimin tënd regjisorial s’ka punë njeri! Ti je Këshilli, përsëriste dhe qeshte shkrimtari -drejtor.

Pirro është habitë për vete. Ç’thotë ky Azem Shkreli? Po Partia, breeee? Po vija….?! Po Kontrolli punëtor…Po Bashkimet Profesionale…Po ai, i madhi fare…nuk do të dërgonte përfaqësues ai…

I kishte drejtuar dhe një pyetje drejtorit:- Po a nuk bëhet këtu shfaqje gjenerale para Këshillit Artistik?

– Jo pra jo, je ti mbreti i skenës, je ti Gjenerali….

U kthye tek trupa dhe intensifikoi provat. Gjithçka iu duk se ishte gati. Gjenerali, që luhej nga Shani Pallaska-pionier i aktrimit Kosovar dhe Prifti i luajtur mjeshtrisht nga i madhi Istref Begolli, ishin shkrirë me skenën sipas vizionit të regjisorit Pirro Mani, ashtu siç edhe Plaka Nicë në fiksimin e saj tronditës, e mishëruar fort bukur nga loja e përsosur e Melihate Ajeti, që dukej se “Nica” e saj vinte nga një tjetër planet, si jashtoksore, për t’ia prishur  gëzimin gjeneralit.

Publiku Kosovar e mbajti frymën pezull gjatë shfaqjes. Pirro kujton momentin e shfaqjes së plakës Nicë… Halucinacionet e Gjeneralit… Tronditja nga kontrastet e thella…Fantazia e Pirro Manit(edhe me ndihmën e skenografit Agim Zajmi) kishin krijuar një mjedis të kontrasuar me Kryqe, varreza pushtuesish,e zeza e hijeve të mortit, skeletet e veshura me najlon, ishte e frikshme fëshfëritja e tyre, ndjesia e vdekjes që zotëronte skenën, pastaj skena e bardhë e dasmës,daullet e dasmës, valltarët që  kërcenin në skenë, këngët polifonike me interpretim modern…Ishte një shfaqje ekspresioniste, që diktoi respekt në qarqet teatrore…

Publiku kosovar e priti shfaqjen me duartrokitje të zjarrta. Ishte dhe Kadare në shfaqje. U gëzua shumë kur pa atë pritje aq të ngrohtë. Morën pjesë edhe nga teatri Serb, ai Podgoricës, i Novi Sadit. Të gjithë e vlerësuan.Ishte diçka ndryshe…

JETA NË NJU JORK

Fillimisht Pirro Mani u vendos në Bronx, në një zonë shumë të populluar nga shqiptarët. Banonte në një apartament modest në zonën e Palham Parkut. I pëlqente pse shëtiste në parkun e madh. Shpesh herë humbiste ne brendesine e parqeve të gjelbërta, meditonte,endej bashkë me personazhet dhe subjektet e veprave të veta që kishte në dorë dhe përhumbte për orë të tëra, pastaj kthehej dhe shkruante…Ka më shumë se 1500-2000 faqe të shkruara, drama, komedi, esse… Ai, vullkani i skenës, që i rrinte ndezur, ka mbetur sërish ashtu, i pashuar, por tani i zhvendosur në fushën e krijimtarisë.

Unë:- Pirro, si e le Koloradon për Bronksin?

Ai:- “Më duket se koha fluturon dhe bashkë me të dhe unë me subjektet e mia. Nuk them se në Kolorado (ku ka jetuar para se të vinte në New York) nuk kishte variante, por këtu nuk e di se si më duket, krejt i veçantë ky Bronksi. Shpesh herë dal diku në kryqëzimin mes Holland Avenue dhe Lydig dhe gjithandej dëgjoj të flitet shqip, dëgjoj kasetofonat e makinave shqiptare të buçasin nga këngët shqiptare dhe shpirti ndjenë një prehje të butë, të kadifenjtë…Më pëlqejnë shumë tablotë e ndërtimeve të vjetra. Pa të vështrosh arkitekturën e këtyre mjediseve ku janë vendosur shumica shqiptare, habitesh; është një hundë e ngritur aty dhe po të shikosh përpara ka një pamje të mrekullueshme; ajo ura e veçantë, trenat që vrapojnë nëpër shina mbi urë, lumi i makinave nën urë, këmbësorët që nxitojnë, ca ndërtesa karakteristike të viteve 50-60′. Po nuk është gjithë kjo mrekullia. A e ke vënë re atë pamjen e ndërtesave në të dy anët e rrugës poshtë urës pasi ke lënë segmentin e rrugës”Nënë Tereza”? Jo? Po aty është një mrekulli e mbetur,që nuk e gjenë tjetërkund. Aty është Amerika e viteve 20- 30-të. Shihe me kujdes se do të mahnitesh”…
Ai sikur ka marrë në dorë penelin dhe vazhdon e skicon pamjen poshtë urës, ndërsa fjalët përshkruese janë poezi e gjallë plot metafora… Pastaj flet për pamjet e kopështit Zologjik, me blerimin e Kopshtit Botanik. Ka bukuritë e veta Bronksi.

“ARTISTI I POPULLIT”, I BIRI I “ARMIKUT TË POPULLIT”!

Ky është Pirro Mani, regjisori i madh shqiptar, shtylla, themeli dhe maja e teatrit kombëtar, aktori dhe regjisori i paarritshëm, Artisti i Popullit, njëkohësisht i biri i ” Armikut të Popullit”; Kosta Manit, dikur emigrant në Amerikë, inxhinieri idealist, që u rikthye të ndërtonte urat e rrugët e Shqipërisë. Paradoksi i absurdit shqiptar, “Artisti i Popullit” i biri i “Armikut të popullit”! Si mund të jetojnë së bashku? Sidomos në kohën e mjegullt të dekorit komunist, ku thika të ulej pas shpine si në tragjeditë e Shekspirit; ku biografia ishte “pasaportë” për gjithçka? Ai që nuk e njeh historinë e jetës së Pirro Manit, (ashtu siç nuk e njihja në detaje edhe unë para se ta takoja një ditë vere në Pelham Park, deri në çastin që nuk kisha lexuar monografinë e shkëlqyer të studiuesit Josif Papagjoni, do ta merrte këtë si një stisje, sajesë gazetareske për t’i dhënë Pirro Manit një dozë persekutimi demode, siç është bërë në modë ndër ne shqiptarët. Por Pirro Mani nuk ka nevojë për sajesa të atilla, emri i tij është aq i rëndë në themelet e teatrit shqiptar sa që nuk ka levë politike që e lëviz prej andej. Pa Pirron regjisor, teatri shqiptar shkërrmoqet, mbetet pa histori…Po teatri ishte mburrja jonë, argëtimi ynë i pakët! Hija e të atit ende trazohet dhimbshëm në trurin e tij, i përzjehet në subjektet e veprave që ka në dorë. Shpesh herë atë hije ia kanë nxjerrë si mur të pakapërcyeshëm në rrugën e jetës për t’i përmbysur ëndrrën e madhe për skenën regjisorit dhe artistit Pirro Manit. Ata, shefat e kuadrit, shpesh i nxirrnin nga sirtarët, hijen e të atit, Kostës, e bënin enkas si për ta trembur, ndërsa ai ngjitej pas asaj hijeje, bëhej njësh me të, këshillohej me të në çaste të vështira, kur ata e paralajmëronin: Në kazëm do të dërgojmë, nuk e ke të pastër biografinë, mos kujto se nuk të njohim! Ose: në Kukës merre vrapin dhe bëj thiatro atje, eduko masat me artin e partisë…

Dhe Pirro nuk mund të bënte përjashtim nga ligji i biografive, vullneti i tij, fuqia fizike, në situata të vështira i bënë shumë punë. I binte kazmës, ndërsa pasditeve merrej edhe me sport. I ati, edhe pse e pat lënë fëmijë 12 vjeçar, i pati injektuar vullnet dhe dëshirë për punë.

Veçse hija e babait do ta ndiqte këmba këmbës derisa të bëhej dikushi, të bëhej ai emër që peshon aq rëndë sot në teatrin tonë kombëtar. Sidoqoftë rruga nëpër të cilën eci regjisori i madh, Stanislavski shqiptar, qe plot labirinthe; një sekretar partie i tregonte vijën; një shef kuadri e thërriste dhe e paralajmëronte të kishte kujdes se partia ia njihte mirë biografinë; një tjetër vinte gishtin tek buza dhe i jepte këshillën cinike: Shëëëët, dhe rri urtë-ë! Ke talent, por duhet dhe pasaporta e biografisë! Biooografia…mbi të gjitha! Dhe ai luftonte me vetëveten, këshillohej me hijen e babait të dashur, që nuk i pat bërë keq Shqipërisë përveçse e pat lidhur me ura dhe rrugë? Ndonjëherë Pirro ashtu me shpirtin copë e çikë përplasej në ndonjë mejhane dhe aty nën avujt e alkoolit perpiqej të gjente rrugën nëpër labirinthet e gjarpëruara të hamendjeve, por kur ftillohej i thërriste vetes, sidomos pas këshillimit me hijen e Kostës: Punë, Pirro, vetëm punë! Por edhe kur punonte ata nuk i ndaheshin. Dhe përpiqeshin që ta armiqësonin me hijen e të atit… Kur shkonte në gjendje të dëshpëruar, nënë Amalia, zëvrarë shpirtcopëtuar, përpiqej të mos e lëndonte:Përsëri paske pirë, mor bir? ç’të bënë këtë herë?!Me se të ranë në qafë…Ai ulte kokën…

PAK FAT DHE TALENTI SHPËRTHEU

Po si arriti të çaj nëpër shtigjet e zëna artisti i ardhshëm? Mjaftojnë pak shembuj, për të parë shtigjet, nëpër të cilat nisi e ndrojtur, dhe jo pak herë e rrezikuar ngjitja e Pirro Manit: Rastësia e bën fitues të Konkursit për Liceun Artistik. Edhe tani i duket se gjithçka erdhi si në një ëndërr: Kishte shkuar me dy shokë që do të konkuronin për teatër, thjesht për t’i shoqëruar. E sheh artisti, i miri Besim Levonja, dhe i thotë: -Hajde dhe ti djalë! Pirro e kujton sikur të kishte ndodhur dje ajo rastësi që e çoi tek teatri.

– Çfarë di të recitosh?- e pyet Besimi.

Recitoi ca vargje nga “Bagëti e Bujqësi”. Pastaj atristi e provokon papritmas:-”Gjarpëri, te këmbët e tua!”

Pirro, i trembur, u hodha përpjetë, bëri nja dy salto si atlet dhe kaq.

Të nesërmen emri i tij ishte tek lista e fituesve.Për një çast e harron hijen e babait, por nuk e harronin ata, që kishin çelsat e pallatit të dosjeve …Gjithësesi e mbaroi shkëlqyeshëm Liceun,por ia refuzojnë kërkesën për shkollë të lartë:-”Jo, ti je i biri i kolaboracionistit, Kosta Mani. Në kazëm djalë, të edukohesh njëherë, pastaj shohim e bëjmë!

Dhe Pirro kishte marrë kazmën dhe duke e ngulur thellë, përpiqej që të nxirrte inatin ndaj absurdit, që ia pat bërë shpirtin copë. Më pas i qethën kokën dhe e çuan ushtar. Por edhe atje nuk hoqi dorë nga ëndrra, teatri.Vunë në skenë komedinë e Besim Levonjës”Prefekti”. Pirro luajti Qazim Mulletin, kurse një ushtar tjetër luajti Hajrijen. Ata që e ndiqnin mbanin shënime në dosjet e tyre për birin e armikut… Por dikur, ata, shefat e kuadrit, sikur i kishte kapur gjumi, ose bënin sikur flinin; rekomandimet e artistëve, ish mësuesve të tij i çelin rrugën për studime në Moskë. Veçse, ata të tjerët, nëpunësit e pallatit të dosjeve, nuk harronin. Pirro Mani do të ndeshej sërish me absurdin: Sapo kishte mbaruar shkëlqyeshëm studimet për regjisurë në Moskë (ku pat shkuar falë dorës së ngrohtë të artistit Besim Levonja, ndoshta dhe rekomandimit të mësuesit të tij, mjeshtrit të skenës, Kadri Roshi, pas peripecive e përplasjeve me hijen e padukshme të të atit, që burokratët cinikë ia nxirrnin sa herë ai synonte një pistë të re vrapimi). Pas studimeve, kur troket në Ministri për emërimin, nëpunësi ia kumtoi pa ceremoni emërimin:

– Në Kukës djalosh! Pirro i shokuar nga ky emërim, pyet më tepër veten se sa shefin burokrat:-Unë në Kukës?

– Po, atje shko e bëj thiatro!

– Më falni , por unë kam mbaruar për regjisurë teatri. Sikur nuk ka teatër në Kukës.

Ai, shefi : A je Pirro Mani ti?

-Pirro:Po, unë jam!

Shefi:- I Kosta Manit je ti?

Pirro- Po!

Shefi: Mos e zgjat,shko në Kuëks! Ik nashti se nuk e ke llangar biografinë, merr vesh. Ata po e emëronin në Kukës Pirro Manin që kishte shkëlqyer në Moskë, në vendin e kolosëve të teatrit, ndoshta për ta thyer, që të shpërthente dhe pastaj e dinin ata se ç’të bënin.

SHKËLQIMI NË SKENËN RUSE
Atje në Moskë, fati dhe talenti ia patën përkëdhelur shpirtin artistit të ardhshëm.Ata të dosjeve kishin mbetur larg. Ai që fatlum sepse studioi në shkollën e famshme në Institutin Shtetëror të Artiti Teatror GITIS,ku fitoi diplomën e studentit më të shkëlqyer(pas 40 vjetësh do t’ia sillnin atë diplomë). Fati e ndihmoi edhe pse pati si pedagogë emra shumë të njohur të Teatrit rus, si drejtorin e Teatrit Dramatik të Moskës, udhëheqësin artistik të teatrit “Majkovski”, një ndër regjisorët më të mëdhenj moskovitë dhe atij rus, Aleksej Mihajlloviç Gonçarovin, nxënësin e drejtpërdrejtë të Stanislavskit të paarritshëm, brezit të fundit që qe ende gjallë aso kohe. Pikërisht ky njeri i shquar i teatrit zbuloi tek Pirro Mani, një temperament të veçantë skenik dhe i besoi atij rolin e Edi Karbones tek “Pamje nga ura” e shkruar nga dramaturgu amerikan, Arthur Miler.

Tregon Pirro:- Rolin e Edi Karbones e mora me shumë pasion. Jetoja orë e çast me të. Ky ishte një shans që një herë të troket në derë. Dhe unë e kapa fort dhe s’doja ta lëshoja kurrësesi.

Pirro Mani i dha Edi Karbones shpirt nga shpirti i tij. Qe një sukses roli i shqiptarit në atë dramë. Të gjitha gazetat e artit, e merrnin në intervista, fansat i kërkonin gjithandej autogarfe. Madje u shkrua se “ky shqiptari e luan më bukur se Sokollovski”, një nga aktorët më të shquar rusë të kohës. Madje u pëlqye në mënyrë të veçantë theksi ruso-shqiptar i Edi Karbnes-Pirro. Ndoshta gjithçka lidhej me faktin se Karbone ishte emigrant Italian në Amerikë, ndërsa Pirro ishte shqiptar student në Rusi. Është e vështirë që të përcjellësh në pak radhë atë jehonë që pati roli i realizuar mjeshtërisht nga Pirro Mani. Njëri prej kritikëve dhe estetët më të njohur rus dhe europian, Allpers, pasi kishte parë shfaqjen “Pamjen nga ura”, qe shprehur: “Më kishte marrë malli ta shoh Mihail Çehovin. Tani që pashë Edi Karbonen e Pirro Manit, mu ringjal Mihail Çehovi.” Dhe Pirro nuk u besonte veshëve që ky kritik i njohur po e krahasonte me një njeri aq të shquar, një nga aktorët më të mëdhenj të Teatrit të Moskës, i arratisur asokohë në Amerikë, ku qe bërë aktor protagonist në Hollyëood. Në një nga shfaqjet “Pamje nga ura ” asistoi edhe ish partnerja e të madhit Aleksandër Moisiu, aktorja e njohur gjermane, Korner. Shprehjet e saj vlerësuese i mbollën gazetarët në kolonat e gazetave moskovite:”Jam e lumtur që takoj këtu në Rusi një aktor shqiptar, nga vendi i Moisiut të madh.” Aktorja, kujton Pirroja, u mallëngjye shumë, madje filloi të ngashërehej në lot duke kujtuar Moisiun e madh. Pirro e sjell edhe tani në kujtesë çastin fatlum të takimit me aktoren Korner, madje ai qe skuqur e qe hutuar ca si shumë kur ajo e pat lëvduar hapur, në sy të të tjerëve:”Më vjen mirë që Shqipëria paska dhe nxënës të Moisiut”. Kur mbaroi studimet, studenti i shkëlqyer Pirro Mani pati oferta konkrete për të qëndruar në Teatrin e Moskës, por ai ishte idealist, dhe si i tillë do të vinte dhe do t’i shërbente Atdheut; ishte idealist siç kishte qenë i ati, i cili duke e marrë Pirron pas vetes nëpër Shqipëri, kur ndërtonte ura e lidhte rrugë, i fliste atij se sa i bukur ishte Atdheu. Atdheu kishte plagë dhe ky, Kosta, përpiqej t’ia shëronte me projektet e veta. Ndërsa i biri, ky artist që kishte ardhur plot ëndrra për teatrin nga Moska, përplasej në realitetin absurd të burokratëve cinikë, të gardianëve të biografive, që ia vrisnin shpirtin me porositë cinike: Kujdes -ë, se ta dimë biografinë!

MISIONARI I TEATRIT

Pirro, pas kthimit, përpiqej t’u qëndronte larg shpirtzinjëve të biografive, po s’i shqiteshin ata. Veçse ishte i bindur se ai ishte misionar i artit në përgjithësi dhe i Teatrit në veçanti, dhe nuk duhej të dorëzohej. Pirro Mani do ta tregonte veten në Korçë, ku e emëruan regjisor të Teatrit. Iu fut punës plot pasion. Përsëri thirri në ndihmë Arthur Milerin. Vuri në skenë “Pamje nga ura”, por nuk u rrek që të imitonte ustain e vet rus, zëri i të cilit ende i tingëllonte në veshë “Ti Pirro nuk duhet të na kopjosh ne, t’i duhet të na kthesh krahët”. Dhe Pirro e vuri në skenë “Pamje nga ura”, sipas konceptit të tij, që më vonë do të thirrej me emrin e tij të përveçëm, alla Pirro Mani. Regjisori i ri do ta udhëhiqte vetë trupën në skenë përmes rolit të Edi Karbones të luajtur mjeshtrisht nga ai vetë. Dhe Korça e duartrokiti Pirro Manin. Madje në sallë kishte patur dhe diplomatë e gazetarë të huaj.Të gjithë e pëlqyen spektaklin. Më pas u dëgjuan bishta se shfaqja përcillte frymë revizioniste. Nuk vonoi urdhëri: Të pezullohet shfaqja!

Pas shkëlqimit kishte ardhë rënia ose siç shprehet Pirro, vetë shkëlqimi kishte rënë në kurth.

Pirro e kujton ngjarjen edhe sot, tek rrezatohet në verandën e shtëpisë së tij të bukur në Harrison, një prej lagjeve piktoreske të Nju Jorkut. Kujton ai: Partiakët e vegjël të periferisë nënqeshnin dhe përkëdheleshin si fitimtarë: Partia kishte qenë syçelë, ata qenë vigjilentë dhe nuk kishin lejuar që të helmatiseshin spektatorët me pikëpamje revizioniste. Pirro e pa veten të goditur, por ende nuk ishte rrëzuar në ring. Fryjnë ndonjëherë erërat e rastësisë dhe si padashje ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve. Një nga të mëdhenjtë e piramidës, Ramiz Alia, shkon në Korçë për konferencë Partie. Ai kishte parë “Pamje nga ura” atjë në Moskë; atje i kishin thënë se një shqiptar e kishte luajtur më mirë se Sokollovski. Dhe ky kishte pyetur partiakët e Korçës: Ku është ky njeri, përse nuk po e shoh këtu? Ata, shërbëtorët e vegjël, që patën fërkuar duart se kishin qenë vigjilent, u ndriti buzeqeshja:- Bëri një shfaqje me gabime të rënda ideologjike, nuk pati sukses, prandaj e hoqëm nga repertori.

-Çfarë gabimesh ideologjike, ajo është shfaqur në Bashkimin Sovjetik. Dhe ata, shërbëtorët e veckël, turravrap gjetën Pirron; duke iu servilosur i dhanë lajmin se e kërkonte i madhi. Pyetja e të madhit të partisë, për çudinë e shërbëtorëve të veckël, qe e papritur : A mund ta bësh gati shfaqjen brenda dy ditësh? Pirro mezi e priste këtë pyetje dhe vrapoi në skenë; e mblodhi trupën dhe pas dy ditësh shfaqja qe gati. Pirro ende i kujton ato çaste të rënda në skenën e passhfaqjes, kur salla ende nuk po guxonte të reagonte. Ai, i madhi qe ngritur dhe i qe drejtuar skenës. Heshtje akulli. Pirros, i binin djersë të ftohta.Ishte në provë. Loja kishte qenë e shkëlqyer, por pritej reagimi i të madhit. Të gjithë qëndronin të ngrire. Heshtja i vriste shpirtin.Mos vallë sërish do të vinte pezullimi? Përsëri akulli do t’ia ftohte shpirtin regjisorit? Ndëshkim?Pirro ndiqte hapat e të madhit që dukej sikur çapitej enkas ngadalë dhe koha sikur nuk shtyhej,sekondat dukeshin orë. Ramizi, pasi kishte mbërritur në skenë e kishte shkrirë akullin vetëm me një fjali magjike që u drejtoi aktorëve: “Ore, unë e kam parë shfaqjen me atë aktorin e madh rus, Sokollovskin, por ky djali juaj sikur luan më bukur”. Kaq u desh, akulli shkriu. Stuhi duartrokitjesh, edhe ata shërbëtorët e veckël servilë, që e kishin zbuluar ideologjinë revizioniste në rastin e pezullimit, tani duartokisnin më fort. Drama “Pamje nga ura” që e bëri aq të suksesshëm në Moskë, që u ngjall pasi e vdiqën në Korçë, korri sukses të jashtzakonshëm. Staticientët kanë shënuar se ajo qe dhënë 50 herë vetëm në Korçë, pastaj në të gjithë Shqipërinë. Pirro ishte shkrirë me Edi Karbonen, ndërsa konceptimi regjisorial i dramës, i mbante të mbërthyer shikuesit. Por guri i sizifit kishte rrëshqitur sërish, dhe ai, Sizifi- Pirro, duhej ta ringjiste. Amerikani Miler dhe drama e tij, kishin hyrë klandestinë në Shqipëri. Edhe pse kishin gjetur mjeshtrin Pirro Mani, qenë të pagëlltitshëm në Shqipërinë komuniste. Realizmi socialist dyshonte në helmin që mund të mbillte. Pas atij suksesi, pas ringjalljes, dramën e pa vetë Njëshi, vetë Enver Hoxha. Zëri i tij kishte ushtuar si bubullimë:-Të ndalohet drama!

Pastaj kishte shtuar:- “S’kam asgjë me aktorin që luan Edi Karbonen, është nga artistët më të mirë që kam parë, por drama është frojdiste.”

– E kishte thënë ai, s’kishte zot që e kthente pas urdhërin. Pas kësaj shfaqja nuk u dha më-psherëtinë Pirro, që s’ka harruar asgjë edhe pse kanë kaluar aq kohë…
Pas kësaj, sërish në shpirtin e artistit, diçka u thye, u bë akull. Ai, i pat dhënë aq shumë prej vetes asaj drame, qe bërë njësh më Edi Karbonen. Këtë lloj thyerje regjisori Mani do ta ndjente shpesh. Fatin e “Pamje nga ura” do ta kishte edhe “Rrethimi i Bardhe” me autor të dramës Naum Prifti.

“RRETHIMI I BARDHË” DHE NGRIRJA E AKULLT, ENVERI NË TEATËR
Shfaqjen”Rrethimi i bardhë” kishte shkuar për ta parë përsëri ai, i madhi, monarku. Pirro Mani nuk e fsheh, në prag të shfaqjes provonte një ankth që nuk i shqitej prej gjoksit.Një parndjenjë e keqe. Ka qenë 26 shkurti i vitit 1964, Enveri, kishte shkelë në teatrin A. Z. Çajupi dhe pas atij momenti qetësia e thellë ishte bërë mbretëreshë e gjendjes. Akullnajë përreth. Acar në sallë. Mpirje në skenë… Çdo të thoshte Zeusi? Konceptimi regjisorial i Manit, rishkrimi i tekstit (siç bënte me çdo pjesë që vinte në skenë) i kishte dhënë shfaqjes një tjetër prirje, e kishte ashpërsuar konfliktin, ndryshe nga shfaqja e Tiranës, ku një tjetër regjisor e kishte vënë në skenë. Pirro shihte reagimin e perandorit atje në llozhë, por asgjë nuk lexohej atje së jashtmi. Ai ishte si mali që s’bzanë. Përmes ankthit shfaqja po shkonte drejt finales. Pirro e ka në mendje ngjarjen: Kishte ardhur finalja e skenës së fundit; një mori duarsh të ngritura lart prej gjeologëve punëtorë, mbetur mes borës, kallkanit dhe grykës së malit, tashmë kishin ngrirë si një gjest mistik, si në një lutje, si një shpresë a fat, a përshpirtje, a klithmë dëshpërimi, teksa aeroplani përsipër kokave të tyre largohej tutje indiferent, sfidues, shurdhan. Mizanskena ishte dëshpëruese. Pirro shihte atë, njeriun Perëndi. Mjaftonte një shenjë e tij dhe gjithçka merrte udhë. Enver Hoxha kishte bërë shenjën; një xhest nervoz.. Kaq mjaftoi që kumti të kapej e të përcillej atje ku duhej. Pirro ka ndjerë një dhimbje brenda qenies së vet; dhe kjo krijesë e tij skenike po thërrmohej çika-çika. Udhëheqësi kishte pritur tjetër gjë, tjetër zgjidhje: ku ishte Partia? Ajo duhej të zbriste nga qielli dhe të mos i braktiste ata fatkeqë që ngrinë kallkan atje majë malesh. Dhe salla duhej të shpërthente : Parti-Enver; jemi gati kurdoherë! Udhëheqësi priste duartrokitje, ndërsa salla kishte mbetur memece, e mpakur nën dhimbjen e efekteve që përcollën ato pamje tronditëse. Arti i Pirros i kishte tronditur, por partia donte atmosferë festive, entuziazëm… Drama u ndalua, urdhëri kishte dalë prej Zeusit. Pirro sërish pësoi goditje; ata përpiqeshin që t’ia merrnin jetën krijesave të tij skenike. Regjisori nuk u tërhoq, djersiti, kafshoi buzët, kur ata turreshin dhe përpiqej me sa mundte të shpëtonte krijesat që mbanin brenda shpirtin e tij.Krahas hijes së biografisë, që përpiqte ta kafshonte dhe një tjetër hije e ndiqte këmba- këmbës: censura. Ndërsa biografia i nxori telashe, që u përpoq t’i kapërcente, gërshëra e censurës ia shëmtonte krijesat, ia deformonte, ia rrudhte. Ai eci me kujdes mes të dyja duke luftuar që të mbijetonte. Dhe mbijetoi ne sajë te talentit të tij të jashtëzakonshëm. Kritika ka shkruar se Pirro Mani u bë figura më përfaqësuese e teatrit shqiptar. Aktori i ndjerë Agim Qiriaqi është shprehur:” Faza e tij e parë ka qenë e shkëlqyer, kurse pas Plenumit të IV të vitit 1973, ai u detyrua të bëjë si shumëkush kompromise me censurën ideologjike e politike të kohës. Megjithatë ai mbijetoi në sajë të talentit të tij të padiskutueshëm. U bë figura përfaqësuese e teatrit. Atë nuk e hodhën dot poshtë, ashtu si edhe Ismail Kadarenë në Letërsi. Në teatër u goditën shumë figura të shquara, si Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli e të tjerë. Pirroja nuk dorëzohej kollaj. Luftonte. Mbijetonte mes vështirësive, kufizimeve, imponimeve. E mbajti në këmbë teatrin për 15 vjet të tjera pas plenumit të IV. Ishte lindur si artist i madh”. Në Korçë ai guxoi dhe krijoi personalitetin e vet skenik në periferi. Shfaqja e dytë që vuri në skenë në Teatrin e Korçës ishte “Këneta”, ku dhe nisi një ndër bashkëpunimet me skenografin e njohur, Agim Zajmi. Regjisori i pasionuar këmbëngulte shumë tek skenografia e vepres që vinte në skenë, e cila jep goditjen e parë tek spektatori. Dhe Pirro e gjente fjalën shpejt me Zajmin. Më pas, po në Korçë, më 1962, Pirroja do të vinte në skenë dramën e Bernard Shout “Vdekja e Blanko Postnet”. Një vit më vonë, më 1963 ai vë në skenë dramën “Vajza pa prikë” vepër dramaturgut rus N. Ostrovski. Repertori pasurohej.

TROKITJE NË PORTËN E TEATRIT KOMBËTAR
Atje në Korçë, po binte në sy talenti i regjizorit. Sa do të donte që edhe për të të çelej dera e Teatrit kombëtar, por ajo dukej se i largohej. Dhe ai vazhdonte të punonte më me këmbëngulje. Por një ditë vjeshte të vitit 1962, regjisori Pandi Stillu, e fton të dublonte Pjetër Gjokën në rolin e Lirit tek “Mbreti Lir” i Shekspirit.

Kujton Pirro: Provat zhvilloheshin në Tetarin “Aleksander Moisiu” të Durrësit për shkak se Tetari Popullor po rikonstruktohej. Në një mbrëmje të zakonshme, gjatë provave, Pjetër Gjoka, “Liri” i Shekspirit, këmbeu fjalë me regjisorin Stillu. Zenka u trash. Pjetri e braktisi skenën e provave. Drejtori i Teatrit Popullor, Xhemal Broja, i kerkoi regjisorit të vazhdonte provën me Pirro Manin. Regjisori, i cili deri në atë çast nuk i kishte ofruar Pirros asnjë provë, e pranoi vazhdimin me dublantin. Pirroja sjell në mendje emocionet e kohës së largët: As vetë nuk e kuptova se si m’u grumbullua brenda vetes gjithë ajo energji, frymëzim i çuditshëm, një zjarmi magjike… Prova qe e suksesshme. Duartrokitjet zgjuan sallën.

-Na befasove Pirro, i tha Loro Kovaçi, tek e shtërngonte në përqafim.

E pyeti regjisori:”A i ke kështu edhe tablotë e tjera?”

– Edhe më mirë, – ia ktheu Pirro. Liri im është në ngjitje dhe arrin kulmin në monologun: “Fryni, erëra! çajini bulçitë! Tërbohuni, fryni!

Hipi në skenë, ia nisi monologut të Lirit: “Shtërngatë, shfryj, vill zjarr, derdh shi, gjëmo!”… Interpretimi qe i shkëlqyer. Regjisori i entuziazmuar, e kishte harruar zemratën e Pjetër Gjokës. Dublanti kishte qenë brilant.

Kujton Pirro:-Kur mbarova, gjoksi më ulej dhe më ngrihej prej gulçimave të Mbretit Liri. Nuk isha Pirro, isha Liri, i braktisur nga të gjithë. Ata sërish shpërthyen në duartrokitje…

-Atë ditë, kujton Pirro, ishte e mërkurë. Regjisori i tha i entuziazmuar drejtorit se shfaqja do të jepej të shtunën. Sa nuk fluturoja nga gazi i brendshëm që më jepte ai suskses…
Atë natë, aktori -regjisor, thuri ëndërra të bukura; do të vinte në Tiranë, por në mëngjes mësoi lajmin e keq: “Nuk të ka miratuar Ministria. Do të ikësh në Korçë, bile që sot nisu!

“Urdhërin, që s’dihet se nga cilat zgafella kishte dalë, po ia përcillte kolegu.

I pezmatuar u përpoq të kërkonte ndonjë sqarim. Të paktën të kisha luajtur Lirin, pastaj le të ikja, dukej se i ishte drejtuar më shumë vetes se sa kolegut, por kundërthënia ishte e prerë: Mos e ço ndër mend, kthehu dhe sa më shpejt!

I thanë se Komiteti i partisë i Korçës kishte protestuar për largimin e tij. Nisu që të mos keshë telashe! Ç’ishte kjo këshillë, a urdhër? Pirro edhe sot pyet veten pse rrodhën në atë kahje ngjarjet. Pse pikërisht urdhëri erdhi pasi ai shkelqeu me Lirin? U përpoq të argumentojë me një ndërhyrje: Po largimi im nga Korça ka qenë korrekt. Artistit i duhej të mbijetonte; uli kokën, psherëtima i çau gjoksin, por i duhej të kthehej në periferi. Tirana ende nuk ishte e gatshme ta pranonte. Si duket shefat e zinj ishin të gatshëm për ofensivë. Mos luaj me grerëzat, i tha vetes. Katër vite më vonë, Tirana më në fund e pranoi pas ndërhyrjeve të mjeshtrave të skenës, Kadri Roshi, Sandër Prosi e të tjerë. Ata kishin ngulur këmbë që ai të vinte si aktor. Në fakt ai shkoi si regjisor dhe pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve. Do ta pushtonte triumfalisht Teatrin Popullor pas shtatë vjet betejash në Korçë. Në Tiranë nisi me dramën e Kol Jakovës, “Perkolgjinajt”. Iu desh në fillim që t’i hynte një operacioni të thellë dramës, e cila nuk qe ndonjë pjesë kushedi, por Pirro i dha  jetë. I mbante në tension aktorët dhe i nxiste që të jepnin maksimumin. Spektatori e priti jo keq.

Kritika dhe kolegët kanë pohuar se Pirro i dha gjithçka teatrit shqiptar. Në Teatrin Popullor ai u ngrit mbi meskinitetin dhe xhelozitë. Vetëm punë, i tingëllinte në veshë zëri i të atit. Dhe punoi siç dinte të punonte ai. Jo rrallë censura zgjaste duart dhe ia priste me gërshërët e saj të stërmëdha krijesat e tij skenike, por ai nuk jepej, tërhiqej, gjente një detaj tjetër dhe përpiqej që të vinte paqen mes vetes dhe asaj, shtrigës censurë. Le t’i lëmë pak hapësirë penës së drejtpërdrejtë të J. Papagjonit, që e ka përcjellë në pak rreshta thelbin e përballjes së regjisorit me censurën: I dashur Pirro! Sa të vështirë e ke patur, mik i shtrenjtë, t’u dredhoje bishtukëve tymues të censurës me gjithfarë emrash, parimesh të ngrira, raportimesh, komisionesh, diskutimesh.Ti duhej ta dehje qiklopin dhe t’ia verboje syrin gjigand për të shpëtuar krijesën fluturake të fanatazisë, idetë e guximshme dhe flatrimin e mendjes sate pjellore nëpër paradigmat e çuditshme të artit. Duhej dinakëria, por edhe guximi. Ti disa herë u përballe me këtë sy dhe u rrezikove, aq sa mund të të flaknin tej, të shuanin nëpër periferitë e cinizmit dhe zilisë njerëzore, të të humbnin nëpër gropat thithëse të provincës, që ata dinin t’i ujdisnin fort mirë. Dhe s’ishin pak “gojët e shqyera”, krah shtetit dhe pas shtetit. Mirëpo ti, mik i dashur, herë pas here guxoje. Dhe sfidoje. Edhe rrezikoje. Flaka të avitej, ti në flakë futeshe, që të shuaje flakën. Pirro Mani guxoi më tepër se ç’duhej, p.sh. tek “Arturo Ui”. Gjetja e tij ishte fare e veçantë: një kornizë bosh mes portreteve të diktatorëve. Dhe ata, ustallarët e censurës, nuk ishin syleshë. Ata do ta thërrisnin dhe seanca e pyetjeve do të ishte torturuese:-ç’është ajo kornizë bosh? Për kë aludon? Kujt i takon ajo? Hë, fol, për kë e ke sajuar? Dhe Pirro nuk e ka harruar përgjigjen që i dha partiakut të lartë: -Atë që thotë Brehti, se barku nga lindin këto monstra ende s’është shtërpëzuar!

– Leri mor këto- iu hakërrye partiaku i lartë. E di unë, e di, i foli ai më nënkuptim duke i dhënë të kuptojë se e dinte për kë aludonte, por. Ai nuk ia tha, por nënteksti qe i qartë se korniza bosh ishte për diktatorin tonë, për Enverin. Ai, Pirro Mani, nuk mund ta hidhte atë gjetje metaforike skenike, mezi ia kishte pjellë truri në tallazin krijues e sipër.Ka qenë një natë e tmerrshme ajo e pas bisedës me partiakun e lartë. Dyluftimi kishte qenë me nënkuptime e aluzione se pas ideve të tilla të rrezikshme mund të vinte Spaçi a Burreli. Atë natë ai kishte hedhur ca gota për të qetësuar trurin e tallazitur. ç’të bënte? Ta hiqte kornizën? Po ajo përbënte thelbin, si ta flakte ashtu? Vendosi, nuk do ta hiqte! Të dilte ku të dilte. Do të mbahej pas Brehtit, barku i pashtërpëzuar.

– Më keq do ta kisha po ta kisha hequr, – thotë Pirro. Se po ta hiqja, do të thoshin se e kisha vënë qëllimisht dhe po e hiqja se ma tha ai, partiaku i lartë i nomenklaturës. Pra se jam trembur. Dhe e la. Atë natën e tmerrshme të dyluftimit nuk e heq nga mendja as Pavlina Mani, e shoqja. Sapo i kishte hapur derën, ai nuk i qe përgjigjur pyetjes së saj: Ku ishe?, por e kishte urdhëruar: Shpej, përgatit valixhet!

– Pse?, kishte pyetur ajo.

– Sepse nuk e heq.

– Kë, nuk heq Pirro?

– Ai: Atë, horrin e horrave, morrin e morrave, Arturo Ui-në. Ajo:-Të lutem, ule zërin, do na dëgjojnë! Ai vazhdonte me batutën e Kadri Roshit në rolin Arturos: “Horri i horrave,… morri”. Ky detaj metaforik, korniza boshe, ka qenë një zgjidhje e veçantë, që i ka habitur edhe gjermanët, të cilët kanë ardhur për ta parë realizimin shqiptar. Shfaqja çau pas shumë peripecishë. Shkrimtari Naum Prifti, në librin e tij “Teatri në kohen e krizës” shkruan:”Ranë gjithë pjesët e huaja, me përjashtim të Arturo Ui”, për të cilën u zhvillua një diskutim i fortë brenda komisionit, ku bëja pjesë edhe unë, si inspektor i Ministrisë për teatrin. Megjithëse drama qe thellësisht politike, sepse demaskonte mënyrën se si hypi në pushtet Hitleri, si i vrau shokët e tij atëherë kur nuk i duheshin më, si siguroi përkrahjen e Hidenbergut, edhe ndaj saj u shprehën gjykime të rrepta nga ekstremistët e komisionit.”Brehti nuk i bie problemit në kokë, por merret me aludime. ç’ështe ky trusti i lulelakrës? Pse me lulelakra do të edukohet spektatori ynë? Pse shpie vendin e veprimit në Amerikë?”. E të tjera si këto. Ka qëlluar që mundi i Pirros të shkojë kot, pa shkuar shfaqja tek spektatori. Atij i kujtohet p.sh. drama e Bashkim Kozelit “Si u kalitëm”. Sërish mendja krijuese e Pirro Manit kishte sjellë një gjetje metaforike: Kishte vënë në mes të skenës një lis me rrënjët e tij të ngërthyera, të nguluar fort në tokë. Përreth atij lisi vërtitej e ndërtohej mizanskena. Kur gjithçka ishte gati, shkon Manush Myftiu, i mbledh në drejtori dhe urdhëroi:”Për një arsye, shfaqja nuk do të jepej”. Kaq tha ai, të tjerat nuk ishin për ta. E vërteta qe mësuar ca ditë më vonë kur doli “grupi armiqësor” i Beqir Ballukut dhe i “puçistëve”. Mundi iku kot, po ç’të bënte regjisori? Ishte koha kur partia po shkulte lisa të mëdhenj, si ai i skenës me rrënjë të ngulura fort, ishte koha kur ngryseshe i madh dhe gdhiheshe i vockël, ishte koha kur makinat të rrëmbenin në mesnatë e s’dihej se ku të gjente mëngjesi, në ndonjë qeli, katund të humbur për internim apo në plumb.Kolegët e Pirros qenë bërë viktimë e lançimit të antikulturës; Kujtim Spahivogli e Mihal Luarasi, patën rënë viktimë e vlugut antiart.

– Kujdes Pirro!- këshilloi ai në ato çaste vetëveten.Po kishte raste, që drama tretej para kohe, sapo ishte bërë platforma, sapo ndaheshin rolet, mbërrinte urdhëri:Jo, ndaleni, nuk është për moralin tonë!Tipike për këtë ishte bashkëpunimi me Petro Markon për të vënë në skenë dramën në vargje të këtij shkrimtari, që të gjithë jetën nuk iu ndanë vuajtjet. E rrëfen këtë bashkëpunim të dështuar vetë Petro Marko tek libri i tij “Retë dhe gurët”: Punova gjithë muajin dhe e mbarova dramën. Titullin ia vura “Niku i Martin Gjinit”. U nisa për Tiranë dhe ia shpura Ramiz Alisë që ma kishte dhënë këtë ide. Pas dhjetë ditësh ai më thirri dhe më përqafoi:”I ke rënë në të! Ke bërë një vepër të arrirë”.Patjetër që unë u gëzova, por iu luta që për ta vënë në skenë ta vinte Pirro Mani nga Korça. Erdhi Pirro. Bashkë me Pjetër Gjokën, si ndihmës regjisor, u mblodhëm për të ndarë rolet sipas aktorëve. Aktori i madh i tetarit, Naim Frashëri, kërkonte me insistim të merrte rolin e Nikut.E kisha paraqitur në konkursin e ushtrisë, më dhanë vendin e parë. U botua dhe në revistën “Nëntori”. Filloi dhe Agim Zajmi nga skenografia.Por fermani nga komiteti i partisë i Tiranës, qe i prerë:Pezulloni përgatitjet. Drama është liberale sepse fliste për një lloj degjenerimi të fëmijëve të udhëheqjes (të kohës së Skënderbeut).Petro Marko gëlltiti dhimbjen, por dhe Pirro Mani, nuk e pat të lehtë. Eh, psherëtinë Pirro. Sa shfaqje u censuruan, sa u qethën në skenë, sa më pas, sa mbetën në projekte. I tillë ishte edhe bashkepunimi me Kadarenë për “Pashallëqet e mëdha”. Pirro e pat hedhur në letër mendimin regjisorial, diskutonte me Kadarenë për filmin e ardhshëm, por edhe ai mbeti diku; censura e kishte vdekur që pa u ngritur në këmbë. Kadareja shkruan: “Ishte teatri, me sa duket, që, për shkak të grumbullimit mu në mes të qytetit, provokoi se pari idenë e censurës(I.Kadare- Unaza në kthetra). Pirro Mani do të mbijetonte falë talentit dhe mbijetesa e tij ishte fat për tetarin tonë.. Ndryshe ku do ta gjenim një “Arturo Ui” si ai i Pirros? Po”Gjenerali i ushtrisë së vdekur”? Po “Fytyra e dytë”, po “Kush e solli Doruntinën”, “Epoka përpara gjyqit”, “Prefekti” , “Cuca e Maleve”, “Nata e dymbedhjetë” , “Përmbytja e madhe”, “Furrnalta” , “Besa e madhe”. Mjeshtria e tij, u shtri jo vetëm në teatër e film, por edhe në opera. Vuri në skenë operën “Skënderbeu” , “Komisari” me skenar të D. Agollit, “Kavaleria Rustikana”. Atij i takon nxjerrja në pah e cilësive interpretuese të sopranos së mirënjohur Inva Mula tek opera e Nikolla Zoraqit “Paja” me tekst të arbëreshit Di Maxhio.
NJOHJA ME PAVLINËN
Jeta rridhte, por Pirro ende kishte mbetur fillikat, ende nuk e kishte gjetur shoqen e jetës. Dhe rasti erdhi. Atë vit qe caktuar kryetar i komisionit për konkursin e pranimit të studentëve të degës për artin dramatik. Aty gjeti shoqen e jetës. Ja si e ka përshkruar J. Papagjoni këtë moment:” Sytë i mbetën mbërthyer pas fytyrës ovale të një vajze të re, zëëmbël, nga Lushnja. I pëlqeu natyra e saj e brishtë, delikatesa, feminiteti, një gjendje emocionale që i gufohej krahërorit. I pëlqeu bukuria, sidomos sytë. Ajo konkuronte për aktore. Kishte zë të veçantë, si të lagur, ankues, madje melankolik. “Ky ishte momenti i parë, më pas gjithçka erdhi natyrshëm.

Tregon Pavlina për më tej: “U ndodha një ditë në provat që Pirrua bënte me kursin e tretë për aktorë. Pse u ndodha atje? Ju e kuptoni vetë. Pirro vinte gjithmonë pranë meje pas çdo demonstrimi që bënte dhe bisedonte krejt lirisht me mua, jo sikur unë të isha studente. Çuditërisht, ndjehesha shumë e çlirët në prani të tij. Këtë njeri është e pamundur të mos e duash. “U dashuruan, u martuan dhe po t’i shohësh sot ata, nuk e ke të vështirë të zbulosh se janë po aq të dashuruar, si atëherë… Familja u plotësua me dy fëmijët e tyre Bendisin dhe Vetiolen, të cilët ndjehen krenarë për prindërit e tyre, që i dhanë aq shumë skenës shqiptare. Që të katër tashmë jetojnë në New York. Vetiola është kryemenaxhere, ndërsa Bendis pedagog në nje shkollë arti me emër në Nju Jork … Pirro dhe Pavlina janë gjyshër të dashur…

Nipi dhe mbesat e urojnë : Happy Birthday Gjyshi!

Gëzuar 85 vjetorin e lindjes, Pirro Mani!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, General i Teatrit Shqiptar, Gezuar ditelindjen, Pirro Mani

30 ABETARE DHE 30 FLETORE PUNE PËR SHKOLLAT SHQIPE TË VATRËS

April 13, 2017 by dgreca

Të Enjten me 13 Prill 2017, në mesditë, Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj, së bashku me anëtarët e Kryesisë Marjan Cubi dhe Dalip Greca-Editor i Diellit, pritën mësuesin nga Shqipëria, Dhimitër Vata, i cili aktualisht është mësues historie në Shkollën 9 vjeçare”Ibrahim Basha” në Kamëz-Tiranë. Mysafiri shoqërhej nga Skënder Meta, Luan Vata dhe Paris Cara. Mysafiri është në përfiundim të një vizite në SHBA.

17814646_1622213087807626_2646624906748474509_o17758505_1622213251140943_9045481905738566236_o17966212_1622214491140819_6319678044705133262_o17966354_1622213787807556_4989273857710436312_o17814675_1622214981140770_3233839729474030603_o

Kryetari Buçaj i uroi mirëseardhjen mysafirëve dhe i informoi për veprimtaritë dhe qëndrimet e Vatrës për zhvillimet në shtetet shqiptare dhe trojet etnike, veçanërisht për krizën në Shqipëri. Duke folur për Vatrën, Kryetari Buçaj, tha se Vatra është në prag të 105 vjetorit të themelimit të saj dhe të Kuvendit vjetor, ku do të bëhen edhe zgjedhjet e reja, pasi të përfundojnë ato të degëve nëpër Shtetet e Amerikës së Veriut dhe Kanada,të cilat zgjedhin delegatët e Kuvendit.

Në emër të mysafirëve z. Dhimitër Vata falenderoi kryetarin Buçaj me bashkëpunëtorë për pritjen e  ngrohtë në Vatër. Skënder Meta, tha se tek Vatra, ne ish të persekutuarit e Shqipërisë, gjatë diktaturës komuniste, kishim varë shpresat për  përmbysjen e sistemit.

Editori i Diellit i njohu mysafirët me veprimtaritë historike dhe Kombëtare të Vatrës, duke u ndalur në pikat kulmore të fushatave Kombëtare të Vatrës.Po ashtu ai i njohu mysafirët edhe me historinë 109 vjeçare të Gazetës “Dielli”, të cilën e editon që prej 8 vitesh.

Më pas mysafirët kanë vizituar arkivin e Vatrës dhe Bibliotekën e saj. Z Dhimiter Vata shkroi në librin e vizitorëve këto mbresa:”Sot, 13 prill 2017, më në fund u realizua një dëshirë e kahershme për të vizituar selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, krijesë e kolosëve Fan S Noli, Faik Konica me bashkëpunëtorët e tyre. U ndjeva veçanërisht mirë kur preka historinë dhe gjurmët kombëtare të Vatrës Shqiptare. Biseda e ngrohtë me Kryetarin Gjon Buçaj, anëtarin e Kryesisë Marjan Cubi dhe Kryeredaktorin e Diellit Dalip Greca ma bënë më emocionuese këtë vizitë.

Shumë respekt për Vatrën dhe vatranët. Një punë titanike Kombëtare prej më shumë se një shekull në shërbim të Kombit, na bën të gjithë ne shqiptarëve që ta nderojmë Vatrën dhe vatranët. Shqiptarët duhet ta dinë se këtu në SHBA është një Vatër, që e ka jetëgjatësinë më të hershme se vetë shteti i pavarur shqiptar dhe se në vitet kritike të mosegzistencës së Shtetit shqiptar të vdekur, ajo ka luajtë rolin e vetë shtetit. Nderim Vatrës dhe Vatranëve!

Në fund të takimit z. Dhimitër Vata i dorëzoi Kryetarit të Vatërs 30 Abetare dhe Fletore Pune për shkollat shqipe të Vatrës, të cilat ai i kishte blerë me shpenzimet e  veta. Në njërën nga Abetaret, dhuruesi shkroi për  nxënësin që do ta përdorë librin:” Dhuratë për ty, o bir/ bijë Shqiptari! Mësoje dhe besoje këtë gjuhë të të parëve të tu se kjo është gjuhë e shkruar dhe e ruajtur me gjakun e  brezave”!

Dhimitër Vata, Nju Jork, 13 Prill 2017

Kryetari i vatrës dr. Gjon Bucaj, e falenderoi për këto dhurata të cmuara, të cilat do dërgohen shumë shpejt drejt shkollave shqipe në Florida nga vetë ai dhe Marjan Cubi, që do të vizitojnë degët ne fund të prillit.

 

Filed Under: Featured Tagged With: 30 ABETARE, dalip greca, DHE 30 FLETORE PUNE PËR SHKOLLAT SHQIPE, te Vatres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 517
  • 518
  • 519
  • 520
  • 521
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT