Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Prishtina, Sheshi Skenderbeu/
-Lëvizje drejt takimit të përbashkët të liderëve të maxhorancës e opozitës te Presidentja e Republikës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,7 Shkurt 2016/ Jepni shans dialogut, përgjigjuni pozitivisht ftesës së Presidentes është thirrja drejtuar të gjitha subjekteve politike kosovare nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një deklaratë sot ku thekson se nga afër ka përcjellë të gjitha zhvillimet në vend karshi krizës politike që tashmë po hyn në muajin e gjashtë të saj. “Funksionimi i plotë i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit, është vitale për funksionimin e tërësishëm të shtetit. Përgjatë kësaj periudhe, vazhdimisht kemi bërë thirrje ndaj partive politike parlamentare, që të përdorin dialogun si mjet të vetëm për zgjidhjen e mospajtimeve politike. Në këtë frymë, kemi përkrahur çdo iniciativë institucionale për dalje nga gjendja e tanishme e krizës dhe hapjes rrugë zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, shprehet KDI.
Sipas parimeve të ndarjes së pushtetit, vijon deklarata, Kushtetuta obligon kreun e shtetit të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve shtetërore. “Duke qenë se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit, KDI përkrah iniciativën e Presidentes Jahjaga për dialog ndërpartiak, dhe inkurajon liderët e gjitha subjekteve politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së saj”, thekson deklarata.
Më tej Instituti Demokratik i Kosovës thekson:Ne u rikujtojmë partive politike dhe udhëheqësve politikë e institucional që:
Të jenë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat si shoqëri, si subjekte politike dhe institucione shtetërore jemi ballafaquar në vitin e fundit, të përkushtohen që bashkërisht t’i adresojnë këto sfida, në mënyrë që të mos përbëjnë kërcënim për shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Të njohin faktin se shteti ynë është ndërtuar mbi bazën e të drejtave dhe lirive qytetare, me mundin dhe jetën e shumë prej tyre, pa harruar as përkushtimin e miqve tanë ndërkombëtarë që të garantojnë një shtet me vlera demokratike, prandaj të përkushtohen që këto obligime kushtetuese t’i adresojnë përmes dialogut politik gjithëpërfshirës.
Të jenë të vendosur për të dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie të lirë nga dhuna, frika, urrejtja, korrupsioni, dhe të jenë të përkushtuar për ndërtimin e një shteti dhe shoqërie e cila garanton sundimin e ligjit, lirisë së mendimit e të lëvizjes, transparencës, mirëqeverisjes, prosperitet, zhvillim, dinjitet dhe barazisë për të gjithë.
Të pajtohen të punojnë së bashku për t’i dhënë fund polarizimit politik, duke përdorur dialogun politik si themelin e demokracisë.
Të garantojnë se do të respektojnë dhe do të marrim në përgjegjësi të gjitha obligimet kushtetuese e shtetërore, të cila janë rezultat i aspiratave të qytetarëve tanë dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, për të forcuar funksionalitetin shtetëror me vlera të integrimeve properëndimore.
Të jenë vizionarë për të treguar rrugën e funksionimit të shtetit mbi bazën e dialogut për vendimet e mëdha nacionale, në përputhje me frymën dhe rendin kushtetues të Kosovës, përfundon deklarata e Institutit Demokratik të Kosovës.
Liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, gjatë një konference për shtyp dje pas takimeve me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë dhe për të biseduar për tejkalimin e situatës në takimin e përbashkët me opizitën të ftuar për nesër nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Ne, njëherësh i bëjmë ftesë edhe liderëve të opozitës që ata të jenë aty, sepse ne jemi që të gjitha çështjet t’i zgjidhim me dialog, me bisedë, në bazë të argumenteve dhe assesi që zgjidhjet të bëhen përmes dhunës”, tha kryeministri Mustafa.
“Duke konfirmuar përgjigjen pozitive, në të njëjtën kohë ftojmë edhe liderët opozitarë që t’i përgjigjen ftesës pozitivisht, t’i bashkëngjiten dialogut”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Nga opozita në Kosovë duket se lëvizet nga pozicioni i “ngrirë” drejt takimit të përbashkët me maxhorancën në tryezën e Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, e cila për në mëngjesin e të hënës i ka ftuar të gjitha subjektet politike parlamentare “për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend”. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është deklaruar se lideri i saj, Ramush Haradinaj, është pro mbajtjes së këtij takimi, ndërsa sot pritet një vendim nëse do shkoj vetëm apo do shkoj opozita si e bashkuar.
Ky është një zhvillim i ri, pas takimit të djeshëm të liderëve të tre partive opozitare, derisa situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës me bllokime nga opozita, edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër dhe drejt pranverës, e gjatë kësaj periudhe ftesa më e re e presidentes së Republikës është përpjekja e tretë për t’i ulur në një tryezë pozitën dhe opozitën, por dy herët e kaluara ka zhvilluar vetëm takime të veçanta.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe zgjedhjet e parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.
Portalet, beteja e fituar me mediat e shkruara
Nga Suzana Tahiri/
Prirjes botërore për t’iu larguar shtypit të shkruar i është afruar vrullshëm edhe komuniteti shqiptar i gazetarëve, duke krijuar një lloj mediumi që shkon më shpejt te lexuesit dhe ka një ndikim gjithnjë e më të madh.
Nëse do t’i hidhim një sy një sajti botëror (alexa.com) që mat shikueshmërinë e portaleve në hapësirën shqiptare për datën 7 shkurt 2016 do të kishim këtë renditje në top dhjetë më të mirat: Gazetaexpress, Telegrafi, Lajmi.net, Balkanweb, Noa, Koha, Merrjep, Top Channel, Anabel dhe Syri. (Pavarësisht se ky sajt, ashtu si edhe Facebook apo rrjete të tjera sociale, të ngrenë më lart në renditje kundrejt pagesës, prirja flet qartë për mediat elektronike me më shumë influencë).
Dhe ndërsa disa prej tyre kanë një staf të kompletuar me reporterë dhe drejtues, portalet e tjera janë me 2-3 persona ose shpesh identifikohen me pronarët e tyre, si “Anabel” me Dalina Buzin, “Citynews” me Elvi Fundon, “Syri” me Çim Pekën, “Class” me Alketa Vejsiun, “Ana media” me Ardit Gjebrenë, “Noa” me Edison Kuranin, “Lapsi” me dyshen Shkullaku-Bushati, “Newsbomb” me Anila Bashën, “Droni” me Sami Nezën, “Përqasje” me Artur Nurën, “Civitas” me Armir Shkurtin, “Opozita” me Qazim Dodën, “Bordo” me Ilda Lumanin etj.
Përpos tyre ka një mjet tjetër, po aq efikas, ta krijon Facebook dhe jo vetëm. Një faqe personale, pa kurrfarë shpenzimi dhe me një minimum kohe në dispozicion, në këtë rrjet social është gjithherë më i ndjekur se të gjitha gazetat bashkë dhe një zë promovues apo opozitar kundër keqqeverisjeve, deformimeve të demokracisë, korrupsionit dhe shumë dukurive të tjera negative.
Ndërsa po të shikonim përafërsisht përqindjet e përdoruesve të internetit në botë, renditja e shteteve vjen në këtë mënyrë: Kina: 618,110,314 persona, India: 352,340,854, SHBA: 266,441,302, Japonia: 109,755,777, Brazili: 103,720,965, Rusia: 87,495,296, Gjermania: 68,131,244, Nigeria: 65,675,984, Britania e Madhe: 56,954,584 dhe Franca: 54,027,428 vetë.
Pra shqiptarët ashtu si edhe qytetarët e tjerë të botës, falë teknologjisë, kanë sot një mjet të mjaft të fuqishëm që mund ta përdorin në interes të shoqërisë dhe të vetvetes, çka nuk duhet t’i bëjë të ndihen keq pronarë dhe fanatikë të shtypit të shkruar, që duan apo s’duan, janë shndërruar në rudiment.
Kronikë e një ditëlindjeje: UET themelon qendrën “Kadare”
Në këtë përvjetor të rëndësishëm të ditëlindjes së 80 –të, festimet e çojnë shkrimtarin në zëfillje. Në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastrën, qyteti magjik si i ngritur për të zgjuar ide të mëdha, sot është gdhirë me një maratonë veprimtarish. Edhe bota akademike nderon sot jetën dhe veprën e shkrimtarit të shquar. Universiteti Europian i Tiranës organizon ditën e sotme ceremoninë e pagëzuar “Dita e Kadaresë në UET”, ku do të marrë jetë zyrtarisht edhe Qendra e Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare”.
Kur troket data që përkujton me saktësinë e përkorë të sistemit diellor, ardhjen në këtë jetë, njeriu gjendet thuajse krejt pavetëdijshëm në një udhëtim në kohë, që e shpie larg, në atë ditë kur zotat apo yjet vendosën lindjen dhe fatin, që shkruhet çdo vit si të ishte një kronikë… Kronika në gur e tetë viteve të para të jetës, tashmë i numëron tetëdhjetë.
E në këtë përvjetor të rëndësishëm të ditëlindjes së 80 -të, festimet e çojnë shkrimtarin në zëfillje. Në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastrën, qyteti magjik si i ngritur për të zgjuar ide të mëdha, sot është gdhirë me një maratonë veprimtarish. Shkrimtari shkruante Gjirokastrën, Gjirokastra sot lexon Kadarenë. Tetë sheshe publike të angazhuar me njerëz që lexojnë pandërprerë nga veprat e shkrimtarit të madh, që megjithëse tashmë i përket të gjithë botës – i përkthyer në 45 gjuhë, i pranishëm në tekste shkollore në vende të ndryshme, fitues i një sërë çmimesh prestigjioze në fushën e letrave dhe kandidat i Nobelit për Letërsi- bashkëvendësit e ruajnë jo pa krenari prejardhjen e tij.
Prej Bashkisë së Gjirokastrës, e cila nis stafetën e ngjarjeve në orën njëmbëdhjetë të paradites së sotme, dashamirësit e letërsisë kadareane lëvizin në Klubin e Gjuetarëve, në Bashtenë e Teqesë, gjimnazin “Asim Zeneli”, Bibliotekën “Apostol Meksi”, shkollën e mesme artistike “Feim Ibrahimi”, gjimnazin “Siri Shapllo” te Sheshi i Ficove, Universiteti “Eqrem Çabej”, si edhe shkolla e mesme “Pandeli Sotiri”….
Edhe Tirana kremton sot duke zgjedhur teatrin si kartolinë urimi dhe konkretisht dramën “Kush e solli Doruntinën”, një sjellje me koncept të ri regjisorial nga Laert Vasili dhe trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku spikat kthimi i aktores Margarita Xhepa edhe njëherë në petkat e Zonjës Mëmë. Nga Durrësi ku pati edhe premierën, kjo shfaqje vjen në Universitetin e Arteve dhe do të ngjitet mbi skenë edhe dy net të tjerë, më 29 dhe 30 janar.
Edhe Teatri Kombëtar, i cili prej pak ditësh ka nisur sezonin e ri me shfaqjen që po korr sukses të madh në audiencë “Tri motrat” mbrëmjen e sotme ia kushton 80-vjetorit të Kadaresë me një mbrëmje artistike të kushtuar.
Edhe bota akademike nderon sot jetën dhe veprën e shkrimtarit të shquar. Universiteti Europian i Tiranës organizon sot ceremoninë e pagëzuar “Dita e Kadaresë në UET”, ku do të marrë jetë zyrtarisht edhe Qendra e Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare”. Qendër kjo, e cila do të funksionojë pranë Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun-Komunikim të këtij universiteti dhe do të drejtohet nga pedagogu Gilman Bakalli, i cili pohon se me këtë Qendër, Universiteti Europian i Tiranës hap një front të ri të librit, në një kohë kur ky i fundit, sidomos ai në letrën e shtypur, rrezikohet fort nga realiteti virtual.
Gjatë këtij evenimenti do të përurohet edhe libri më i ri i studiueses Viola Isufaj, “Kadare në letrat e sotme franceze”, botim i UET-Press, që sjell një pasqyrë të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar në letërsinë franceze. Me prezantimin e Qendrës, universiteti shkon më tej me ambicien për të hapur një departament të Letërsisë.
Fondacioni “MAPO”, i cili vitin e kaluar themeloi çmimin letrar “Kadare”, çmim që u fitua nga shkrimtari Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e Z.Viktor N.”, do të akordojë për të dytin vit radhazi këtë çmim prestigjioz, që i jep fituesit shpërblimin prej 10 mijë eurosh, në javën e fundit të majit gjatë Ditëve Letrare të Razmës, aktivitet ky i cili synon të kthehet në traditë çdo fundmaji.
Festimet dhe urimet nuk marrin fund me mbylljen e kësaj dite janari. Ministria e Kulturës e ka shpallur 2016-ën si Viti i Kadaresë.
Ngjarjet kulturore e artistike me kryefjalë jetën dhe veprën e shkrimtarit, do të vijojnë në Tiranë dhe Gjirokastër më 29 dhe 30 janar; “Interpretim në magjinë e letërsisë Kadare” do të jetë shfaqja në Teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës, mbrëmjen e 30 janarit, gjithashtu do të shfaqet dokumentari “Me sytë e fëmijërisë” dhe tri ekspozita, një me botime të Kadaresë, një e Shtëpisë Botuese Onufri dhe një tjetër e piktorit Bashkim Ahmeti.
Shtëpia tashmë e restauruar e fëmijërisë magjike të shkrimtarit do t’i çelë dyert e saj për vizitorët më 30 janar, shtëpi e cila do të kthehet në një qendër muzeale dhe kulturore e do të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, një lloj tempulli i vogël për njerëzit e botës së letrave.
Duke u shpallur viti i Kadaresë, aktivitetet në nder të shkrimtarit do të shtrihen gjatë gjithë vitit. Nga datat 12 deri më 28 shkurt në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë do të qëndrojë e hapur ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarean”, një rrugëtim të kryqëzuar mes tekstit dhe imazhit, duke bërë të perceptueshëm për publikun një nga specifikat më interesante të veprës së Ismail Kadaresë: shkrimin e qytetit; që nga Gjirokastra e përjetshme e romaneve Kronikë në gur,
Në muajin prill ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarean” do të udhëtojë në Kosovë, gjatë stinës së verës janë menduar aktivitete në nder të shkrimtarit ku gjatë periudhës korrik-gusht ekspozita “Udhëtim në qytetin Kadarean” do të vendoset në “Shtëpinë Kadare” në Gjirokastër, duke u bërë pjesë edhe e jetës kulturore të qytetit dhe guidave turistike.
Në muajin dhjetor, muaj që do të mbyllë edhe aktivitetet e vitit kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare do të prezantohet albumi “Ismail Kadare dhe editimet”, një album që do të paraqesë të skanuara dhe të pajisura me shënime bibliografike kopertinat e të gjitha botimeve të para të Kadaresë në shqip, të cilat kanë dalë nga vëmendja e publikut për shkak të largesës kohore, por edhe kopertina të librave të përkthyer në gjuhë të huaj, duke sjellë ndoshta për herë të parë në vëmendje shumësinë dhe pasurinë e përkthimeve dhe të gjuhëve në të cilat është botuar vepra e Ismail Kadaresë, së bashku më çmimet kombëtare e ndërkombëtare që kanë marrë vepra të veçanta.
E pas dhjetorit, shpejt vjen sërish dita, që me saktësinë e përkorë të sistemit diellor, përkujton ardhjen në jetë, edhe një vit më shumë,bashkë me urimin për shumë e shumë të tjerë…
S.Balliu
Dy takime me Ismail Kadare, në kampin e interrnimit në Lushnje dhe në Nju Jork
Nga Beqir SINA/MANHATTAN – NEW YORK: Dy herë në jetën time – jam takuar me shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare. Një herë e pata “takuar” 25 vjet më parë, si një i interrnuar në kampin e interrnimit në Savër – Lushnje, në javën e dytë të muajit Tetor 1990, (vetëm 1 javë më parë se ai të arratisej nga Shqipëria, në Francë), dhe takimi i dytë, ka qenë ai si gazetar në tepullin e lirisë, në Nju Jork – Prill 2006, kur Kadare erdhi si i ftuar të ligjërojë në Universitetin Kolumbia.
Tanimë, dihet se nuk përbën ndonjë diçka të veçantë, të thuash se jam takuar me Kadarenë, kur dhe si!… Por, të flisje 25 vite më parë, rreth kësaj, teme, ishte krejt e paimagjinueshme, dhe me pasoja që një shkrimtar si Ismail Kadare, të ulej në të njejëtën sallë me të interrnuarit, dhe, vetëm nji javë, më pasë ai të arratisej nga Shqipëria – Kadare, erdhi në “kryeqendrën” e kulturës në Shqipëri, kampin e interrnimit në Savër – Lushnje , me një mikun e tij, Xhelo Murra ( profesor agronomie), të takohej popullin në “këndin e kuq” si quheshin atëhere shtëpitë e kulturës, sidomos në ditët e vështira të vitit 1990.
Veprimi i tij, që ndoshta deri në atëhere nuk kishin kuptuar dhe nuk e kishin menduar ndonjëher se ai mund të bënte një “arratisje” spektakolare, sot ka shumë të pa thëna dhe pikëpyetje. Përse, erdhi në Savër dhe kërkojë takim me popullin si thirreshin atëhere.
Por, për shumëkënd atëhere në Savër, në “përshpëritje”, u folë sesi Kadare, që ishte njeriu më i privilegjuar i rregjmit, “me punë e rrogë të mirë” e me mundësi të pafundme për të shëtitur në botë me “vizën” e shtetit…, 1 javë para arratisjes të “takohej” e dëgjonte të interrnuarit “armiqt e popullit”
Nostalgjia për Kadarenë…
As që e kisha imagjinuar dhe menduar se Kadaren, mbas Savrës do ta takoja në Nju Jork. Ai erdhi dhe mbajti në Universitetin Kolumbia – Nju Jork, ligjeratën “Literatura dhe Tirania”. Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, mbajti, këtu një leksion që zgjati më shumë 120- minuta. Auditori i sallës “Rotunda”, me rreth 500 – pjesmarrës, ishte i mbushur përlpotë.
Në ligjeratë, mori pjesë edhe arkitekti i marreveshjes se Dejtonit, i ndjeri ambasadori Ricard Hollbruk, ish ambasdori i SHBA-ës, në Tiranë, William Rajson, Professor Sami Repishti, ish kongresmeni republikan i Nju Jorkut, Josef J. DioGuardi – Presidenti i LQSHA, dhe bashkëshkortja e tij Cloyes DioGuardi, analisti i çështjeve evropiano lindore dhe ballkanike, Dr. Elez Biberaj, Drejtor në detyrë i Degës Euroaziatike të Zërit të Amerikës, albanologu dhe gjuhëtari Prof. dr Agron Fico, ish ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara z Adrian Neritani dhe i ndjeri ambasadori Lublin Dilja, e tjer.
Ishin gjithashtu gazetarë, diplomatë, veprimtarë të të drejtave të njeriut, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare, studentë, profesorë, të këtij universiteti, afaristë të suksesëshëm, intelektual, politikanë, shkrimtarë, gazetarë dhe kritikë.
Në atë takim Kadare zbulojë me shëmbuj nga praktikat letrare, për të vënë në pahë se letërsia ka qënë dhe mbetet, një letërsi e madhe dhe e vërtetë, një opozitare e vazhdueshme ndaj çdo diktature.
Në fund mu dha rasti edhe mua të shkëmbej një bisedë të shkurtër me Kadarenë.
“Zoti Kadare, unë jam një ish i presekutuar nga ai rregjim për të cilën Ju folët, sot, në këtë ligjeratë. Për nostalgji, do t’ju sjell ndërmend një moment që ndoshta edhe do t’u befasojë. Sot, pas 16- vjetëve,(bëhet fjalë për takimin e vitit 1990) në kampin e interrnimit në Savër të Lushnjes, ku unë banoja aso kohe, Ju veçse një javë nga ajo ditë që do të merrnit arratinë drejt Francës, dhe do t’a linit atë rregjim me “gishtë në gojë”, zhvilluat një takim në “këndin e kuq” të fshatit, me popullin. Të cilët, pra shumica e tyre ishin të interrnuarit. Ky takim ndoshta mbeti në heshtje dhe Ju patjetër e keni harruar…….! Por, ja që sot, ne që u takuam në fshatin simbol të diktaturës – për koicidencë, po takohemi në qytetin simbol të lirisë e demokracisë Nju Jorkun.
“A thua se ai takim i fundit në kampin e interrnimit, ishte sinjali që tregojë se ai rregjim kishte “kapitulluar” kishte marr fund ?
Kadare:”A’tëhere, isha plotësishtë, i bindur dhe i sigurtë, që ai rregjim falimentojë – pasi edhe s’kishte sesi të ndodhte ndryshe. A rregjim kishte “rënë” e mbahej, pa ditur se çdo të bëhej më vonë. Çdo gjë kishte marrë fund. Veçse rregjimin e mbyste dilema ” Sesi do të largohej dhe sa do t’a pranonte largimin!?!”. Një rregjim që rrëzohet, gjithmonë nuk arrin t’a kuptojë kurrë se po rrëzohet. Ai ishte stacioni i fundit, për atë rregjim”.
Kur Kadare do t’a marr çmimin Nobel për letërsi ?
Kadare “ Kur të duan shqiptarët….!”
Shkrimtari i madh Ismail Kadare në Nju Jork
nga Beqir SINA, Nju Jork
Kadare në Universitetin Kolumbia: “Literatura dhe Tirania”
KKSHA nderon shkrimtarin Kadare “Për arritje jetësore”
Dy shtete shqiptare në ballkan përfaqësojnë bukur kombin
Profesori amerikan John Carey, ka thënë për shkrimtarin tonë se: “Ismail Kadare, është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqsitë. Ai është një shkrimtar universal i një traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri.”
MANHATTAN – NEW YORK: Mbas ish- kryeministrit të Kosovës, zotit Bajram Kosumi, dhe kryeparlamentares së Shqipërisë, zonjës Jozefina Topalli, në tepullin e diturisë, në Nju Jork – vjen si i ftuar të ligjërojë në Universitetin Kolumbia, shkrimtari i madh shqiptar, zoti Ismail Kadare. Ai vjen për herë të parë në insituticionin i konsideruar si nga më presitigjozët në Botë. Pikërishtë, aty ku ftohen për çdo vitë të ligjërojnë, personalitetet dhe figurat nga më të njohura prej kryqetërthor rruzullit. Ndërsa, i është bashkëngjitur ndoshta per koicidencë ftesës, edhe Këshilli Kombëtar Shqipëtaro – Amerikan, i cili, me këtë rastë, një ditë pas takimit në Columbia University, zhvillon një ceremoni të veçantë, për të nderuar shkrimtarin tonë të madh, zotin Ismail Kadare. Ai do të nderohet me çmimin ” Për Arritje Jetësore”. KKSHA, me këtë ditë ka lëshuar një deklerat, ku shprehet se ka vendosur t’a nderojë Kadaren me motivacionin : “Për kontributin që ka dhënë për komunitetin letrar botëror”, thuhet ndërtë tjera në dekleratën e sipercituar.
Kadare, i cili, sipas njoftimeve këtu në komunitet, ka mbrritur( të shtunën 15 prill), pas dite, në Nju Jork, në aeroportin ndërkombëtar:”John F. Kennedy International Airport”, i ka vizituar SHBA-ës, disa herë. Si i ftuar nga komuniteti ynë, dhe ndonjë Universiteti amerikan. Njëhereshit , duhet peremdur edhe fakti, se në qarqe të ndryshme në bashkisinë shqiptare, egzistojnë edhe kritika, të hedhura ndaj shkrimtarit të madh shqiptar, dhe njërit prej figurave më të njohura të letërsisë botërore,ku flitet rreth të kaluarës së tij. Sidoqoftë, arrdhja e tij ka ngjallur një interesim të madh tek shqiptarët e Amerikës. Kandare ka qënë disa herë kandidati për të fituar çmimin Nobël për Letërsi.Ai është fituesi i parë çmimit “The Man Book International”. Cmimi “The Man Book International”, një iniciative e re kjo e hapur në Britaninë e Madhe, me vlerë £60.000(stërlina). Çmimi ky që pasë Kadares, do të jepet çdo dy vjet i sponsorizuar nga kompania Man Group, e cila sponsorizon dhe Çmimin “The Man Booker Price” për fiction(prozë artistike).
Amerikanët për Kadarenë:
Professori amerikan John Carey, ka thënë për shkrimtarin tonë se:“Ismail Kadare, është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqsitë. Ai është një shkrimtar universal i një traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri.” Ndërsa, për njohjen edhe më shumë të Kadares, në opinionin amerikan e qarqet letrare në SHBA-ës, ka shkruar së fundi dhe gazeta The New York Times. Muajin janar të këtij viti dy herë brenda dy javësh, kjo gazetë që është padiskutim një ndër gazetat kryesore amerikane, dhe më e madhja e Botës, botojë shkrimet për librin e ri të shkrimtarit Ismail Kadare, “Trashëgimtari”. Kritiku letrar amerikan Richard Eder, shkruan në gazetën The New York Tajms, se ngjarjet e librit “Trashëgimtarit”, i shkojnë aq për shtat stilit të Kadaresë, një universi të ankthit që ai ka krijuar gjatë viteve, sa që shpesh duket sikur ai vetë me ato që shkruan i jep jetë.
Kadareja, vazhdon kritiku, e bën misterin më të mistershëm, deri në atë pikë ku nuk ka më rëndësi të pyetet pse apo kush, aty ku koha bën ecejake mes të shkuarës dhe së ardhmes. Mes shkrimtarëve të mëdhenj të kohës moderne, dhe Kadareja është një prej tyre, vazhdon autori, vetëm Kafka, ka eksploruar një territor të tillë.
Të dy përdorin një butësi endacake, një hare të zymtë për të krijuar makthin, e megjithatë të dy janë tepër të ndryshëm. Alegoritë e Kafkës merren me një botë abstrakte që na lejon të kuptojmë pafuqinë me të cilën ne jetojmë në botën tonë. Ndërsa tiranitë raskapitëse që krijon Kadareja, po aq universale, janë të errëta dhe me rrënjë të thella, shkruan kritiku Richard Eder. Romani “Trashëgimtari”, doli për shitje në libraritë në Amerikë, në muajin shkurt. Libri është përkthyer nga David Bellos. Shtëpia botuese Arcade, theksonë gazeta e sipërcituar që nxorri në qarkullim në SHBA-ës, romanin “Trashëgimtari”, ka në proces botimi edhe romanin tjetër të Kaderesë, atë me titull “Vajza e Agamemnonit”. The New York Times ju rikujtoi lexuesve të saj se shkrimtari i madh shqiptarë Ismail Kadare, është fituesi i parë çmimit prestigjioz ndërkombëtar Man Booker, që për herë të parë filloi të jepej këtë vit edhe për shkrimtarë të tjerë veç atyre të vendeve anglishtfolëse.
Ambasadori Lu:Në pranverë 2016, Shqipëria do të ketë një reformë të thellë të gjyqësorit
Intervista e plotë e ambasadorit LU dhënë sot për Zërin e Amerikës
Shtetet e Bashkuara presin nga klasa politike e Tiranës miratimin brenda pranverës të reformës në drejtësi, por me mbylljen e këtij kapitulli, nuk mbyllen përpjekjet e Uashingtonit për forcimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.
Në një intervistë të gjatë dhënë për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu deklaroi përparësitë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
“Veç reformës në drejtësi, këtë vit kemi në plan edhe tri përparësi të tjera: të vazhdojmë të punojmë drejt realizimit të nismës për krijimin dhe trajnimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, bazuar në FBI-në amerikane, përmes së cilës shqiptarët do të hetojnë rastet e korrupsionit. Së dyti, ne po bashkëpunojmë shumë afër me Ministrinë e Mbrojtjes dhe vendet e tjera të NATO-s, për të modernizuar format e armatosura të Shqipërisë, kryesisht disa njësi të rëndësishme të ushtrisë, që të shërbejnë krahas forcave të NATO-s kudo në botë. Dhe së fundmi ne jemi shumë të angazhuar për zhvillimin e sektorit të organizatave joqeveritare në Shqipëri dhe të shtypit të pavarur, që të shërbejnë si vëzhguese të abuzimeve nga qeveria ose opozita”, deklaron Lu.
Kryediplomati amerikan në Tiranë ishte sërish i drejtpërdrejtë kur foli për reformën në drejtësi, këtë herë duke vendosur edhe afate kohore.
“Kam shumë besim se në pranverë 2016, Shqipëria do të ketë një reformë të thellë të gjyqësorit. Përse kam kaq shumë besim? Së pari, është mjaft e qartë se populli shqiptar e kërkon këtë reformë. Së dyti, Komisioni i Venecias ka folur qartë dhe me zë të lartë. Ata kanë thënë se kjo reformë është thelbësore për Shqipërinë dhe është e ngutshme. Bashkimi Europian ka thënë se kjo reformë do t’i hapë dyert, dëshirës së Shqipërisë për bisedimet e anëtarësimit. Së fundi, kjo reformë ka mbështetjen e plotë dhe entuziaste të partnerit strategjik të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tani është çasti që politikanët të bëjnë punën e tyre. Është e nevojshme që udhëheqësit e partive politike të punojnë së bashku për gjetjen e një formule, e cila të mund të mbështetet si nga opozita ashtu edhe nga qeveria”, u shpreh kryediplomati amerikan.
Lidhur me ligjin e dekriminalizimit, Lu tha se ligji është një mjet i fuqishëm për të ndarë politikën nga bota e krimit.
“Shpresojmë që si rrjedhojë e ligjit për dekriminalizimin, disa anëtarë të klasës politike do të largohen nga politika. Ka një pjesë në këtë ligj që më pëlqen mjaft. Është pjesa ku thuhet se ligji kërkon që çdo person në një post të zgjedhur zyrtar duhet të plotësojë me shkrim një deklaratë, ku thuhet: jam dënuar në Shqipëri në këtë apo atë kohë, për këtë ose atë krim, apo në çdo vend tjetër të planetit. Pra, duhet të deklarosh se kur e ke kryer krimin dhe nëse je dënuar. Në qoftë se nuk e bën dhe gënjen në deklaratë, kjo në vetvete është një krim për të cilin ndiqesh penalisht. Ky është ligji më i fortë në Europë për dekriminalizimin dhe një mjet tepër i fuqishëm për të ndarë botën e krimit dhe të politikës”, tha Lu.
Kritikave për ndërhyrje të fortë në politikën shqiptare, Donald Lu iu përgjigj duke thënë se “po mbron interesat e Shteteve të Bashkuara”.
“Unë do të pyesja, cili është roli i një ambasadori të huaj? Në mëndjen time, detyra kryesore për një ambasador të huaj është të punojë për zbatimin e interesave kombëtare të vendit të tij. Në rastin tim, të interesave të Shteteve të Bashkuara dhe unë kam udhëzime shumë të qarta nga shefat e mi më të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, që përparësia kryesore e qeverisë amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Dhe cila është reforma kryesore e nevojshme për këtë proces? Qartazi është reforma në drejtësi”, u përgjigj Lu.
Në fund, kreu i përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë rrëfen edhe pse zgjedh të flasë shqip në daljet publike.
“Përpiqem të përdor çdo ditë gjuhën shqipe, sepse ambasadori Rayerson më ka thënë diçka. Ambasadori Rayerson ishte ambasadori i parë amerikan pas komunizmit dhe ai flet një shqipe të jashtëzakonshme. Ai më ka thënë se e vetmja mënyrë për të mësuar një gjuhë është të kesh kurajon, kurajon për ta përdorur atë. Dhe ai më tha gjithashtu se kjo është e vetmja rrugë që të nisesh të kuptosh shqiptarët e zakonshëm dhe jo vetëm elitat politike. Gjatë jetës sime kam mësuar 8 gjuhë dhe padyshim gjuha shqipe është më e vështira, por dhe më e bukura”, përfundon intervistën e tij Donald Lu.
- « Previous Page
- 1
- …
- 605
- 606
- 607
- 608
- 609
- …
- 900
- Next Page »