• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria një pjatë e përzier e paudhësive

February 18, 2016 by dgreca

…Ne nuk sollëm modele të bukura, nuk ndërtuam të kundërtën e monstrës që rrëzuam në shkurt’91. Ne nuk sollëm heronj të mirë, ata që nuk vjedhin, nuk dhunojnë, ata që nuk vrasin, ata që respektojnë mendimin e tjetrit edhe kur nuk janë dakord me të, ne nuk sollëm shtetbërësin idealist që merret vesh me atë që ka përballë për të mirën e vendit të vet, që di të ulet për hir të progresit e të arritjes së qëllimeve të mëdha të kombit. Ne, e gjithë kjo klasë politike, nuk e krijuam dot heroin tonë të mirë./

Nga Mesila DODA*/

Sot është një ditë e rëndësishme për t’u përkujtuar. Më 18 shkurt të vitit 1991 nisi greva e urisë e 728 studentëve të Universitetit të Tiranës, ndaj është një rast i mirë të kujtojme dhe përkujtojmë këtu në Parlamentin e Shqipërisë datën që bëri të mundur një kthesë historike në jetën e vendit.

Dëshiroj që sot t’i rikthehem këtij momenti që na ndryshoi e na rriti të gjithëve njëheri, jo thjesht si një person i privilegjuar që isha në rreshtat e atyre që shkruajtën historinë e jashtëzakonshme të përmbysjes së një sistemi, por që ta kthejmë këtë datë si një mundësi për të kuptuar çfarë bëmë gabim, ku u stepëm, çfarë bëmë mirë a keq dhe a u zhgënjyen njerëzit nga ne?

Greva e Urisë së studentëve të Universiteti të Tiranës ishte një akt i pastër politik për varrosjen e diktaturës në vend, për zhdukjen e miteve të rreme….Por a u zhduk miti i egër i diktaturës së veprimit dhe mendimit? Nuk u zhduk. Në këtë sallë i keni bashkë mite, gjysëmzotër të rremë, skllevër të mendimit e të shpirtit dhe njerëz të lirë që e paguajnë çdo ditë shtrenjtë lirinë e tyre, Kjo është edhe Shqipëria e sotme…një pjatë e përzier e dhunës, krimit, korrupsionit, lirisë së paepur, ambicjes, intrigës, idealizmit, hipokrizisë , servilizmit e varfërisë.

Ka pak pra, shumë pak për ta patur zili atë çka ndërtuam dhe për këtë të gjithë kemi faj. Ata që nënshtruan, që s’pranuan e s’pranojnë tjetrin, mitet e reja, të vjetra e të dhunshme të ndryshëm, por njësoj në mendje me ata çka rrëzuam para çerek shekulli, por janë njësoj me faj para realitetit dhe ata që heshtin, që përulen e nënshtrohen para forcës, dhunës së retorikës e turmës së paguar e skllave të mbretërve.

Çfarë ndërtuam? Ne ndërtuam një sistem që imitoi lirinë, imitoi demokracinë….kishte gjithë përngjasjen me të, por është një sistem i padrejtë. Është një sistem shpirtërisht e fizikisht i korruptuar, është një sistem që varfëron individin, e lë dhe e zhyt në mjerim shpirtëror e ekonomik. Mos të gënjejmë veten, ne kemi ndërtuar me duart tona, pak e përditë, mitin e padrejtë të vjedhjes, gënjeshtrës, korrupsionit, pandëshkueshmërisë, trafikimit të pushtetit me banditë, ish-banditë e familjarë dhe kjo nuk është ajo që deshëm ne shkurt të ‘91. Kjo është tabloja e asaj që ndërtuam, ndaj nuk duhet të çuditemi që shqiptarët nuk besojnë më, që sot njerëzve të zhgënjyer nuk i duket gjë koha e terrorit dhe monstruozitetit të Enver Hoxhës. Para disa ditësh dëgjuam romancën e shekullit të tregohej nganjë plakë që ka mbetur e ligë, e ftohtë dhe kalkuluese deri ditën e fundit që duhet të shkojë nga kjo botë. Unë besoj se gjyqin e saj do e bëj Ai, tek i cili ajo nuk besoi dhe e mohoi gjithë jetën e saj mizore, por di të them që gjyqin këtu mbi tokë ne nuk ja bëmë kurrë. Askush nuk ja numëroi jetët e të vrarëve, torturuarve, dhunuarve, familjet e shqyera, jetët e dhunuara, varfërinë që e shkatërroi fizikisht e shpirtërisht këtë komb, tradhëtinë e shitjes së trojeve kombëtare, shkatërrimin e shtëpive të Zotit, zhdukjen e burgosjen e klerit…

Të mjerët ne… ishim të vetmit që ja lamë duart e gjakosura Ledi Makbethit, e amnistuam moralisht dhe ligjërisht nga krimet dhe e kthyem në një zonjë ëngjëllore që na tregon romancën e vet epiko-lirike. Ligjet që do duhej ta dënonin i lamë në mes, i zbutëm, madje i futëm qosheve hera-herës, historinë nuk e shkruajtëm drejt e qartë. Sa herë që duhet të bëjmë një akt të mirë për t’u ndarë sinqerisht nga krimi i djeshëm, aq herë fillojmë gjoja të zihemi mes nesh e t’i lëmë dosjet sirtareve, ligjet të pavotuara, krimin të amnistuar …e atëherë nuk duhet të habitemi që në këtë vend nuk dënohet kush, sepse nuk dënohet dot hajduti, kur nuk është dënuar krimineli, vrasësi. Ktheni kokën anash, ca do i gjeni në karrigen ngjitur me ju a disa rreshta më tutje.

Ne nuk sollëm modele të bukura, nuk ndërtuam të kundërtën e monstrës që rrëzuam në shkurt’91. Ne nuk sollëm heronj të mirë, ata që nuk vjedhin, nuk dhunojnë, ata që nuk vrasin, ata që respektojnë mendimin e tjetrit edhe kur nuk janë dakord me të, ne nuk sollëm shtetbërësin idealist që merret vesh me atë që ka përballë për të mirën e vendit të vet, që di të ulet për hir të progresit e të arritjes së qëllimeve të mëdha të kombit. Ne, e gjithë kjo klasë politike, nuk e krijuam dot heroin tonë të mirë.

Sot, në këtë ditë është mirë që t’i vëmë emrin e vet historisë së këtij vendi.

Do doja të përfundoja këtë fjalë duke lajmëruar se iniciativave që kemi ndërmarrë për t’u ndarë nga e shkuara, atyre për hapjen e dosjeve, dekriminalizimin, heqjen e medaljeve dhe titujve të nderit për xhelatët e diktaturës, do i shtojmë edhe iniciativa të tjera, tejet të rëndësishme që të marrë një pozicionim të qartë e gjithë kjo klasë politike. Shqipëria e ka jetike aprovimin e platformës kombëtare të dekomunistizimit, ku të pasqyrohet:

Nevoja për një ligj për kujtesën historike. Të rinjtë të mësojnë të kaluarën e vërtetë dhe të njihen masakrat dhe kriminelët. Të punohet për gjetjen e trupave të viktimave duke përdorur informacionet që duhet të jepen me ligj nga ata që disponojnë informacionin.

Të aprovohet ndryshimi ligjor për ndalimin e përdorimit në publik të simboleve komuniste dhe figurave të kriminelëve të regjimit të kaluar.

Të hiqet çdo titull nderi për cilindo funksionar që është i përfshirë në krimet e ish-regjimit të kaluar.

Të mos jepet asnjë dëmshpërblim për ish-funksionarët komunistë që më vonë u deklaruan të persekutuar.

Të largohen kriminelët nga administrata dhe politika. Të ndalohën përfundimisht ish-gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit të vjetër të bëhen pjesë e sistemit të sotëm të drejtësisë. Nuk mund të ketë dekriminalizim të keqbërësve të rinj dhe falje për xhelatët e vjetër. Kriminelët e keqbërësit e të gjitha kohërave duhen ndaluar të jenë pushtet mbajtës.

Të gjenden të zhdukurit te diktaturës, të nderohen të rënët, martirët. Historia e vërtetë e Shqipërisë duhet të jetë pjesë e edukimit, pjesë e kurrikulave zyrtare në shkollat tona.

Kjo nuk është thjesht deklaratë për përdorim politik, por platformë, të cilën herët a vonë politika do detyrohet ta konsiderojë, sepse shfaqje si ato që shohim sot do vazhdojnë të prodhojnë destabilitet kombëtar per shkak të modelit të keq që sjellin. Ky Parlament duhet të ndërtojë në mënyrë urgjente një komision ad-hoc për aprovimin e kësaj platforme dhe monitorimin e saj.

Më së fundi, do kisha një kërkesë që s’do duhej të vinte nga unë, por nga ju që miratuat ligjin gjysmak të dosjeve. Votoni komisionin e hapjes së dosjeve, votojeni urgjentisht se edhe atë ligj gjysmak që miratuat e keni lënë pezull dhe ende nuk e keni filluar një process, i cili u ndërtua pa vizion dhe pa dëshirë për të zbardhur të vërtetën. Më së fundi, do ju ftoja të gjithëve që në përfundim të kësaj fjale të kryejmë një akt nderimi në respekt të grevës së urisë së studentëve. Ju ftoj që të çohemi në këmbë dhe t’i bëjmë një duartrokitje si akt nderimi dhe falenderimi për studentët e dikurshëm, rebelët që ndryshuan historinë e këtij vendi.

* Fjala e plotë mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë

***

Kuvendi refuzon nderimin për studentët që rrëzuan diktatorin

Deputetja Mesila Doda ftoi deputetët të nderojnë me një duartrokite momentin historik të grevës së urisë së studentëve në shkurt të vitit 1991

Një thirrje e deputetes, Mesila Doda, ka vënë në provë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë përballë historisë së dhjetorit ’90. Si studente e grevës së urisë e 25 viteve më parë, Mesila Doda, kërkoi nga deputetët të ngrihen në këmbë për të duartrokitur për një çast në nderim të grevës s studentëve që rrëzoi bustin e diktatorit, por ligjvënësit e dy palëve kanë refuzuar këtë thirrje në respekt ndaj njërit prej momenteve të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Me sa duket deputetët e dy palëve nuk e kanë aq për zemër atë moment që rrëzoi sistemin komunist në Shqipëri.

Padyshim që ka prej tyre nga ata që e respektojnë këtë ngjarje, pasi mund të kenë qenë në atë grevë historike, por fakt është se Kuvendi i Shqipërisë e refuzoi sot një gjest shumë të thjeshtë në nderim të studentëve të dhjetorit 90, vetëm një duartrokitje për ta.

 

Filed Under: Featured Tagged With: e paudhësive, Mesila doda, Shqipëria një pjatë e përzier

“Kryengritja në moral”!

February 17, 2016 by dgreca

Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/

1.Mizoritë duhet të bëhen përnjëherësh, kurse të mirat ngadalë – këshillonte Makiaveli Princin fiorentinas Mediçi.
Interesi? Krejt pragmatik: që e Keqja të harrohej shpejt, kurse të mirat e pakta të derdheshin kursyeshëm, si balsam mashtrues ndër vite!

Natyrisht, një sundtar nuk do të duhej as të vinte e as ta mbante pushtetin me dhunë. Mirëpo, meqë kjo ngjan pak e vështirë, aherë një soj princësh mënçurakë dhe në fronësohen përgjakshëm – së paku i bëjnë të ligat njëherësh. Dhe ato, si ndodh shpesh me popujt kujtesëshkurtër, arkivohen harrueshëm në kronikën e kohës…

2.Athua do ta kenë lexuar vulgokratët e Prishtinës këtë mësim? Sigurisht jo! Por dhe po t’kenë dëgjuar përshkit, mund të jenë dy arësye pse nuk kanë ndjekur fjalurtën e dijetarit të madh. E para, sepse, me gjasë, nuk e kanë marrë vesh, si shumë vegëza të tjera të holla shtetërore, ndërkohë që, së dyti, është pasioni marrok, verbtan, e kjo domethënë instinkti i ulët parasocial që i greminos përhumbshëm. Ndaj dhe, bëjnë vetëm keq dhe bëjnë vazhdimisht…

3. Kjo është bota e tyre…Një botë që duhet të rroposet me mjetet që kanë fabrikuar vetë. Fundja çdogjë ka një kohë, si rrëfen Libri i vjetër…Veçse mënyra konciliante, e pra e kadifenjtë, e demokracisë nuk bën dot punë. Sepse, thjeshtë, tirania e shumicës vulgare, për ç’fliste qysh moti Aristoteli, ka kapërthyer gjithëçka. Madje dhe ëndrrat që bëhen copë e grimë për ti zbërthyer…

“Çifutët, ky popull i lindur me qenë skllav”, thoshte Taciti, por Niçe, ndonëse evokon historianin romak, thotë se ata janë të parët që nisën epokën e “kryengritjes së skllevërve në moral”!

Që këtej, kur mëndje të tilla farfuritëse tabelojnë popuj inferiorë, disi nuk më shqitet një ndjesi e pamirë. Një aluzion i trishtë…Por nëse teoritë e varieteteve racore, i rrëzoi dinamika e ecjes njerëzore, përse dhe shqiptarët, megjithë akomodimin e gjatë në strehën e ngrohtë robnore, të mos japin provën e “epokës hebraike” të kryengritjes morale e, në fill të saj, rebelimin rrafshues politik?

Kombet e mëdhenj kështu kanë bërë historinë…Dhe tani diktojnë shpirtin e saj!

 *Berlin, fror 2016

Filed Under: Featured Tagged With: "Kryengritja në moral"!, Rexhep Kasumaj

Janullatosi në delirin e shenjtërisë!

February 16, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
A mund të sjellë ndokush ndërmend kur ka qenë hera e fundit që Kryepeshkop Anastas Janullatosi i ka dhënë intervistë ndonjë televizioni shqiptar? Ky mendim më erdhi, kur po ndiqja për arsye studimore, pasi kam detyrë t’i them të vërtetat e mia popullit tim, intervistën e fundit, të dhënë shumë shpejt pas asaj të parafundit, a thua se Janullatosi po përpiqet të kalojë në ajër disa mesazhe të qëllimshme dhe se e ndjen që po i mbaron koha. Bëhet fjalë për intervistën në versionin online të CNN Greek, e cila pasoi për pak javë intervistën që ai dha për ERT1, për festat e fundvitit 2015.
Pse Janullatosi nuk preferon të japë intervista për televizionet shqiptare? Vetëm sepse nuk do ndjehej komod me pyetje të tipit të gazetarëve grekë, që më shumë duket e venerojnë sesa e intervistojnë? Apo lidhet me faktin që Anastasi e di, se tek populli shqiptar është parë me dyshim që ditën e parë që u fronëzua si Kryepeshkop dhe se nuk mund të na krijojë ne mahnitjen që u krijon grekëve? Apo nga që e di se sponsorët e veprës së tij i gjen vetëm në Greqi dhe askund tjetër?
Fakti është që me një kërkim të thjeshtë mund të gjesh me dhjetëra intervista dhënë për çdo kanal grek, ku Janullatosi përsërit të njëjtat mite të jetës së tij, dhe kohët e fundit i ka shpeshtuar këto dalje publike në Greqi, si për të treguar merakun, që jetën e tij duhet ta shkruajnë sipas versionit që ai dikton, dhe jo sipas fakteve dhe dokumentave. Por këtë nder, ne nuk ia bëjmë dot, ndaj do merremi me çmontimin e çdo miti të tij, sa herë që ai del dhe tenton të na indoktrinojë.
Argumenti që Janullatosi predikon greqisht, pasi nuk e di mirë shqipen dhe ka hall se mos gabon në përcjelljen e dogmave të larta ortodokse, bie akoma më poshtë, kur Janullatosi as nuk preferon të flasë për publikun shqiptar, shqip as që bëhet fjalë, por të paktën të dalë nëpër ekranet e këtij populli, që e bariton si Primat. Ndaj, mediat tona që duan të kapin ndonjë mesazh prej tij, do të duhet thjesht të përkthejnë intervistat e tij që ai jep në Greqi, vendit të cilit i shërbeu gjithë jetën, dhe se ortodoksët shqiptarë do kenë qasje me bariun e tyre, vetëm nëpërmjet përkthyesit, pasi bariu, nuk ua preferon as gjuhën, as televizionet dhe as gazetarët.
Sigurisht, edhe në këtë intervistë, Anastas Janullatosi përsëriti disa prej miteve të tij, që dëshiron shumë të ngelen edhe pas ikjes së tij në qiell, dhe madje në këtë intervistë, ai e shpall që në qiell do ikë, dhe si shenjtor madje, mit që do ta shpjegojmë në mbyllje të shkrimit.
Nuk e di nëse publiku e percepton, por në këto intervista të fundit, kapen disa delire madhështie dhe vetëadhurimi që Janullatosi, ndoshta ngaqë mosha e thyer nuk po e ndihmon më, apo ndoshta nga që ka arritur në faza të avancuara të tundimit më të madh njerëzor, atë të rënies në megallomani, ka nisur dhe po thotë hapur gjëra që në botën kristiane (që predikon përulësi ekstreme), por edhe në atë akademike, apo artistike, askush nuk guxon t’i artikulojë, edhe pse njerëzit mund të besojnë madhështira për veten, të paktën ata janë aq të logjikshëm sa t’i mbajnë këto ngrefosje vetëm në mendimet e tyre, gjë që në rastin e kryepeshkop Anastasit nuk ndodh.
Së pari, ai hiqet si filozofi apo mendimtari iluminist, duke i dhënë këshilla Europës sesi të përballet me rrezikun e Islamit, të cilin e sulmon sërish egër, siç bëri edhe për Krishtlindje, kur referoi dhe vargje kuranore për dhunën dhe aludoi për profetin Muhamed opinione jo fort të përshtatshme për klimën e bashkëjetesës fetare. Me një fjalë thotë që Europa luftoi krishtërimin dhe vakumin që u krijua po e mbush Islami. Por Anastasi harron të thotë, se ç‘bëri ai me krishtërimin në Shqipëri, me ortodoksët që i gjeti 20% dhe i uli nën 7%, në minimume ekstreme historike.
Atyre që besojnë historinë se censusi i fundit zyrtar ishte i manipuluar, u them të vizitojnë cilëndo kishë ortodokse, përfshirë dhe Katedralen e re që meshon vetë kryepeshkop Anastasi dhe të shohin pjesëmarrjen e besimtarëve. Do gjejnë vetëm personelin e punësuar, i cili është i detyruar të jetë prezent. Nga burimet e mia, kam me qindra dëshmi ortodoksësh që deklarojnë se nuk shkelin më në kishë, ngaqë nuk e ndjenë më veten të përfaqësuar dhe se ndihen të fyer nga praktika e Janullatosit që kishën shqiptare e sakrifikoi në altarin e helenizmit. Janullatosi nuk na thotë, se ky vakum i rëndë që ai krijoi në Shqipëri, si dhe nga kush do mbushet? Përpara se Janullatosi t’i japë mend Europës, le të shohë dëmin e pariparueshëm që ai vetë i ka krijuar ortodoksisë shqiptare. Të ngresh një kishë, nuk do të thotë të hedhësh lekë e të bësh ndërtesa, të bukura nga jashtë, por bosh dhe të ftohta nga brenda.
Më pas, Janullatosi bën profetin dhe thotë se ka filluar lufta e tretë botërore, por ne këtë e dinim, se më përpara dhe në mënyrë të përsëritur e ka thënë Papa i Romës, dhe Janullatosi, si shkencëtar që është, të paktën të referojë mendime të njëjta që janë thënë përpara tij, që të mos bjerë në kurthin e plagjiaturës. Më interesant bëhet diskursi i tij, kur deklaron se qendra pushteti politik edhe ekonomik, kanë përqendruar kapitalin në dorën e tyre dhe se popujt po i çojnë në varfëri ekstreme, duke instaluar kështu një diktaturë të re. Nuk dua të referoj këtu listën e filozofëve që flasin për diktaturën e tregut, dhe të kompanive shumëkombëshe, pasi edhe këtu Janullatosi nuk po iluminon askënd, ai po shet sërish si të tijat mendimet e të tjerëve, por po shkojmë sërish te praktika e tij, që të shohim se teoria e tij është thjesht propagandë.
Çfarë bën Janullatosi me ata që ka nën vete? Sa e lufton ai varfërinë të paktën tek ajo pjesë e njerëzve që varen prej tij? Sa njerëz ka nxjerrë ai nga varfëria në Shqipëri? Sërish, si historian, në vizitën e fundit në Shqipëri, intervistova një numër të konsiderueshëm të punësuarish në KOASH, dhe dëshmitë e tyre më shokuan. Nga klerikët dëgjova që u mungojnë edhe gjërat më elementare të jetesës, me rroga qesharake, nën minimumin jetik, madje, Janullatosi u paguan shumën minimale ligjore në bankë, dhe pjesën tjetër, që të mos taksohet, ua jep me zarfe nën dorë, duke konsumuar kështu edhe evazion fiskal. Një klerik në Shqipëri paguhet rreth 300 dollarë, sa rroga e një banakieri, apo punonjësi higjiene nëpër institucione. Madje edhe kur të dalin në pension ata do të kenë pagesa minimale, sepse edhe siguracionet u janë paguar në minimumin e lejuar, duke i lënë kështu gjithë jetën të varfër, nën diktaturën ekonomike të Janullatosit, të njëjtë dhe më të egër, nga ajo që ai akuzon nëpër intervista.
Më të dhimbshme ishin dëshmitë e punonjësve laikë, katekistëve, të cilët paguheshin me shuma nën 250 dollarë, punojnë pa kontrata dhe shumë prej tyre edhe pa sigurim jetësor dhe shëndetësor, pa diskutuar shkurtimet pa paralajmërim nga puna, apo sjelljen arrogante të ndonjë peshkopi të konvertuar me ta. Nuk dua të zgjatem këtu, se do e kemi fokus të veçantë në të ardhmen, por gjendja ishte alarmante. Shumica e të punësuarve në KOASH, ishte në varfëri të skajshme dhe më e keqja ishte se nuk dilnin dot prej saj. Pyetjes sime, se pse nuk gjeni një punë tjetër, klerikët u përgjigjën se ishte e pamundur, pas periudhës së gjatë me veladonë dhe mjekër, askush nuk do t’i punësonte më, por dhe ata do ndiheshin me keq se tani. Ndërsa laikët thanë se ata kishin vetëm shkollim teologjik dhe se nuk do mund të gjenin një pagesë më të mirë nga kjo që merrnin se tregu do i konsideronte ekstremisht të pakualifikuar. Shumë prej tyre po bënin shkolla të tjera nga dëshpërimi dhe përpjekja për t’u shkëputur nga ky realitet.
Sërish këmbëngula me klerikët, ngaqë nuk u besoja veshëve, kur e dinin këtë gjendje, veshën rrobën e zezë? Ata m’u përgjigjën se vitet e para Janullatosi u premtoi se do t’i trajtonte me pagesën e një mësuesi gjimnazi, gjë që e mbajti vetëm për pak vite, por sot, ai e ka shkelur premtimin e tij, pasi rroga e një mësuesi gjimnazi me mbi 20 vjet përvojë i kalon të 500 dollarët. Sigurisht Anastas Janullatosi e kishte të lehtë ta shkelte premtimin, por klerikët nuk e kanë tashmë të lehtë të ikin prej kontratës së rrobës klerike, e cila është gati e përjetshme.
Kryepeshkop Anastasi Janulla duhet të shpjegojë përse ai i trajton kështu klerikët e vet? Nëse ka vështirësi ekonomike, gjë që nuk duket nga milionat që investohen, përse nuk i çliron të paktën nga veshja dhe pamja e dallueshme e tyre që ata të gjejnë punë të tjera? E thjeshtë, sepse do t’i mbajë të varfër, që t’i kontrollojë më kollaj dhe të kënaqë instiktet e veta diktatoriale. Ndaj, hirësi, mirë që na bën teori, por sot nuk e ke më luksin që gjërat e shtëpisë tënde të mos merren vesh, njerëzit e tu që vuajnë nga varfëria e kanë ngritur zërin dhe ti duhet ta dish, se diktaturat rrëzohen një ditë, qoftë edhe me vdekjen e diktatorit.
Nga ana tjetër, Janullatosi nuk hezitoi të bëjë viktimën, strategji e vjetër kjo, sa herë që ai ndjehet nën trysni. Ai tha se ka kaluar shumë zhgënjime e dhimbje në jetë, ka patur braktisje dhe tradhëti, edhe nga rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve. Nuk e dimë nëse e ka me peshkopët e konvertuar, të cilët duket se e kanë braktisur dhe nuk po e mbështesin më në gafat që bën, se ata janë përgjegjësi dhe zgjedhje e tij. Nëse ky zhgënjim është kronik, dy janë arsyet hirësi, ose ti nuk di të zgjedhësh bashkëpunëtorët e tu, i zgjedh ata vetëm nga niveli i adhurimit që ushqejnë për ty, dhe pastaj kur u bien maskat e hipokrizisë, ti mbetesh keq, si në rastin e ndonjë kabllogrami që të ka zbuluar tradhti të rënda në oborr. Ose je ti ai, që me sjelljen tënde arrogante, shkeljen që u bën në dinjitet, varfërinë që u imponon, apo edhe ndonjë arsye tjetër të errët, i detyron të të braktisin dhe e ke më të lehtë të qahesh sesa të pranosh pjesën tënde të fajit dhe të përgjegjësisë.
Janullatosi sërish qarkullon edhe në këtë intervistë mitin e atentatit që i kanë bërë për ta vrarë dhe plumbin e ngelur në dritaren e tij. Është qesharake të mendohet se dikush ka patur përqëllim ti bënte atentat atij, por ai dritare është qëlluar ndonjë plumb qorr të 97-s ose rikoshet. Nga ata plumba që kanë rënë në dritaret e dhjetëra shqiptarëve, dhe Anastasi na e shet për të disatën herë si atentat. Ish-oficeri i DEA-s Anastas Gjerasimos Jnaullatosi e di fare mirë se plumbin e një snajperi, nuk e ndalon dot kurrë xhami i një dritareje, por nëse ai ndjehet mirë me këtë mit, kjo është punë për e tij dhe për trashëgiminë që po lë në ato broçkulla që thotë.
Së fundi, Janullatosi shpërthen në delirin e madhështisë të shprehur në besimin e tij, se tani ai është tashmë një shenjt, dhe se shqiptarët duhet ta ngrenë kultin që ai ka një jetë që kuron, në nivele hyjnizimi. Ndaj legjitimohen edhe ikonat që ai ka porositur në katedralen e re dhe që e paraqesin si shenjt dhe mrekullibërës. Ai thotë: “Mjerë njerëzit që nuk kanë nderë dhimbje, ajo tëçon në një pjekuri të bredshme dhe do të guxoja të thosha në shenjtëri”. Ndaj, dhimbjet, zhgënjimet dhe tradhëtitë, na e kanë bërë punën e tyre, e kanë çuar Anastas Janullatosin në shenjtëri. Ajo çka tashmë na duhet të bëjmë, është ta adhurojmë e t’i falemi.
Ai këtë përjetim, të arritjes së niveleve të shenjtorëve e ka të sigurt brenda tij, fakti që me mani, po porosit vendin ku do prehet dhe po e zbukuron me afrekse, e tregon më së miri këtë gjë. Mbetet ta kuptojnë vetëm shqiptarët, që duhet ta kenë për nder që kanë një shenjtor të gjallë mes tyre dhe nuk e paskan kuptuar. Por, pjesa që nuk sugjestionohet prej shenjtorëve të vetëshpallur të ditëve të sotme, do vazhdojë të thellojë kërkimin mbi historinë e kishës shqiptare, se është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së kombit tonë. Ne, shumë shpejt do të sjellim fakte se si u ngjit Janullatosi në hierarkinë e kishës greke, pjesë e cilave organizatave parakishtare ishte, dhe se si u shkarkua nga funksionet e larta që mbante, duke marrë rrugën e mërgimit, së pari në Afrikë dhe më pas në Shqipëri dhe ç‘lidhje kishte ai me Jeronimin e Parë, (jo me të sotmin), Kryepeshkopin e juntës ushtarake greke.
Nëse Janullatosi na fton ta besojmë se është shenjtor, atëherë do të duhet të bëjmë një kërkim dhe hetim të plotë të jetës dhe bëmave të tij, ashtu siç është edhe praktika kishtare në këto raste. Sigurisht, që deri më sot, Janullatosi është shenjtori i parë që e ka shpallur përpara vdekjes shenjtërinë e tij, pasi kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e krishtërimit, por nëse nga kërkimi na del, që ajo që thotë ai qëndron, do vijë dita që edhe ne do ndezim një qiri përpara ikonës që ai ka urdhëruar të pikturojë në kishën e re, ikonografi grek Kristos Papanikolau.

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, Janullatosi, në delirin e shenjtërisë!

Keeping Kosova on the Path Toward Democracy

February 15, 2016 by dgreca

By Rep. Eliot Engel, Representative from the 16th Congressional District of New York/
Witnessing Kosova’s move from war to peace and from tyranny to liberty has been among the most fulfilling aspects of my career as a public servant. The establishment of Kosova’s democratically-elected Assembly, its free and fair elections, and its system based on the rule of law are the essence of the country’s political independence, future prosperity, and alignment with the West.
But nobody ever said building a democracy is easy work.
That’s because real democracy not only allows, but requires respect for people and for parties that disagree with one another. Enshrined in our shared democratic values is the right of the opposition to play a role and be heard, whether in public, in the parliament, in the courts, or ultimately at the ballot box. And those who cherish democracy must stand up for the rights of their opponents to express themselves peacefully and have their views heard.
The people of Kosova have embraced this tenet of free societies. Over its first eight years of independence, Kosova has encountered more than its share of issues that have challenged its people and divided its leaders – and that is only natural. Last year, Prishtina struck an accord with Belgrade on the northern, Serb-majority areas and with Montenegro on a border demarcation which have sparked widespread debate and heated political campaigns.
Unfortunately, these disagreements have pushed past the limits of lively democratic debate. Throwing eggs at Ministers, setting off tear gas in parliament, or burning a government building aren’t a part of free expression. They aren’t a part of constitutionally-guaranteed rights of an opposition. And, sadly, they are undermining Kosova’s democracy at home and its support abroad. As Kosova moves into its ninth year, I urge the leaders of Kosova to move from confrontation to negotiation, and I urge all people in Kosova, in the strongest possible terms, to reject violence, embrace peaceful dialogue, and reinvigorate the principles of democracy upon which your Republic is built.
Yet, even as Kosovars fear their country is moving backward and their neighbors are embraced in Europe while Kosova often feels marginalized, I believe there is another, more positive picture and reasons for optimism.
First, in December, the US Millennium Challenge Corporation (MCC), a major assistance agency which works parallel to USAID, announced that Kosova was eligible for a “Compact” that could open the spigot for tens of millions of dollars in assistance. This is only possible because Kosova’s MCC “scorecard” showed better progress on issues from political rights and civil liberties to immunization rates and child health than countries at a similar development level . Few countries have achieved this honor, and Kosova should rightfully be proud.
In another arena, Kosova finally settled on a bid for a new power plant, which will help bring the country’s energy sector from the 1950s into the 21st century. In many visits to Kosova, I have seen firsthand the outdated coal plants belching out their nasty smoke, and communities overtaken by darkness due to rolling blackouts. I have heard the constant coughing among friends in Kosova, and breathed and smelled the fetid air myself. If this deal goes through, hopefully this year, Kosova will breathe more easily and have a reliable stream of power years into the future.
In terms of European integration, Kosova has also made progress. I imagine that this might feel distant from Prizren, Peja, or even Prishtina, but it is visible from the US. Even as five EU member states drag their feet on recognition, Kosova signed a new deal with Brussels–a Stabilization and Association Agreement (SAA)–representing the first step toward eventual EU membership. And, after meeting a few technical requirements, the EU is likely to extend Visa Liberalization to Kosova later this year. This is only the beginning of a long journey toward full membership in a Europe whole and free, but Kosova is now clearly on that path.
Finally, the human-rights organization, Freedom House, last year recognized Kosova’s 2014 national elections as free, democratic, and fair. As a result, Kosova advanced in the group’s 2015 annual report to the highest category: “parliamentary democracy.” I know the process of picking the current Kosovar government was messy. Democracy often is. The US Presidential election of 2000 was anything but neat and tidy, but we did pick a president and our democracy lived and learned. Kosova’s will, too.
But, in the big picture, democracy must not be taken for granted. It must not be trampled on the path to one or another political goal. It is the path to those goals. It is the way to protect the rights of Kosovars and ensure Kosova’s government continues to serve its people.
So, as Kosova moves on to its ninth year, I encourage all Kosovars to renew their commitment to democracy and the rule of law, and to continue to show the world why Kosova deserves full membership in all North Atlantic and international institutions. This is the pathway to progress and the future of freedom and prosperity in this young country.
Kortezi: Huffington Post)

Filed Under: Featured Tagged With: Democracy, Eliot Engel, Keeping Kosova, on the Path Toward

Federata Vatra,Vizita e Sekretarit te Shtetit John Kerry në Tiranë

February 12, 2016 by dgreca

Në një deklaratë të lëshuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në SHBA, mbështetet vizita e Sekretarit të Shtetit, Kerry dhe kërkohet konsensus qeveri – opozitë për reformën në drejtësi. Gjithashtu Federata Vatra vlerëson lart punën e ambasadorit Donald Lu dhe e gjen vehten tërësisht në deklaratat dhe qëndrimet e tij. Lidhur me problemet e rënda të konstatuara gjatë zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, si kriminalizimi i listave të kandidateëve, shitblerja e votës, etj, Vatra shpreh bindjen se kjo temë do të jetë gjithashtu pjesë e bisedimeve me Sekretarin Kerry. Vetëm dekriminalizimi i politikës e institucioneve dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme do të ishin garancia e duhur për stabilitetin në Shqipëri, e më gjerë. Në vlerësimin e Vatrës, kjo vizitë është një mundësi e mirë për politikanët shqiptarë që të përmbushin detyrimet e tyre ndaj qytetarëve dhe të vendosin çështjet e rëndësishme politike mbi interesat partiake dhe personale.

Ja Deklarata e plotë e Vatrës

“Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA përshëndet me mirënjohje të përzemërt vendimin e Sekretarit të Shtetit të SHBA, John Kerry, për të vizituar Shqipërinë, si një akt që tregon rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, si dhe synimin e SHBA për rritjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi. Kjo vizitë zhvillohet në një kohë, kur debati politik përmban një sërë çështjesh të rëndësishme ende të pazgjidhura dhe shqetësuese për partnerët dhe miqtë tanë, por edhe kur shoqëria shqiptare po përjeton një krizë të thellë besimi dhe ekonomike, e pasqyruar qartazi në rritjen e emigrimit të qytetarëve drej vendeve të BE. Kjo vizitë është një mundësi e shkëlqyer për politikanët shqiptarë për të rritur përgjegjshmërinë e tyre ndaj pubikut dhe përmbushjen e detyrave të marra përsipër.
VATRA pret që, në temat, të cilat do të diskutohen me këtë rast, të zërë vend me rëndësi realizimi i një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë, duke e parë atë si një rrugëdalje të mirë nga qerthulli i korrupsionit dhe padrejtësive, por edhe që do të ngrinte lart besimin e munguar të publikut tek institucionet e drejtësisë. Reforma në drejtësi do të hapte rrugën për ecje të mëtejshme drejt shkëputjes nga trashëgimia e rëndë e diktaturës së kaluar. Kjo reformë do të ishte jetëgjatë dhe e frytshme vetëm, nëse do të arrihej nëpërmjet një konsensusi mes qeverisë dhe opozitës, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Gjithashtu, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me problemet e rënda të konstatuara në zgjedhjet e fundit vendore 2015, veçanërisht shitblerja e votës dhe kandidimi i personave me rekorde kriminale, shqetësime të konstatuara edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të një rëndësie jetësore për demokracinë dhe garantojnë stabilitetin e Shqipërisë. Çështja e sigurisë në përgjithësi është një temë e rëndësishme me interes për të dy palët, por, për palën shqiptare, përqendrimi i vëmendjes tek siguria në territoret shqiptare, ka një rëndësi të veçantë, duke patur parasysh rritjen e influences së organizatave terroriste dhe manipulimet nga armiqtë tanë shekullorë.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA e gjen tërësisht vehten në deklaratat e ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu, duke e falënderuar publikisht për punën e tij të shkëlqyer. Duke përfituar nga ky moment diplomatik, VATRA shpreh publikisht respektin më të thellë për punën dhe personalitetin e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, e siguron për ndjenjat më të thella të mirënjohjes për mbështetjen e saj të pakushtëzuar për çdo nismë lidhur me Shqipërinë dhe çështjen shqiptare. Së fundi, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, në traditën e saj më se njëshekullore, rikonfirmon qëndrimin e saj për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e miqësisë mes dy shteteve dhe popujve tanë”.(Botoi: Zeri I Amerikes, Bota Sot, Rilindja Demokratike, Gazeta MINERVA,Gazeta Dita, Gazeta 55, TV Kultura Shqiptare, Gazeta Dielli, Gazeta Illyria, City News, Gazeta Impakt,Koha) Opozita.com etj)

Filed Under: Featured Tagged With: deklarata, Sekretari Kerry, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 606
  • 607
  • 608
  • 609
  • 610
  • …
  • 903
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT