Nga Rudolf Marku/
1.Fjala vetmi është njëra ndër fjalët që shfaqet me intensitet të pavullnetshëm në krijimtarinë e Ismail Kadaresë, që në tituj poezish të hershme, në tituj librash dhe në rreshta esesh, poezish dhe në labirinthet e komplikuara të prozës së tij. Siç na e kujton vetë Ismail Kadare herë pas here, shkrimtari është njëri ndër njerëzit më të vetmuar të racës njerëzore. I ndryrë vullnetshëm në muret e burgut të dhomës, i rrethuar nga pirgje librash dhe letrash, shkrimtarit i duhet t’i kalojë orët e ditëve dhe të netëve para fletës së bardhë, a para shkëlqimit të akullt e të pashpirt të ekranit kompjuterik a të laptopit, duke shkruar, korrigjuar, duke ndërtuar botëra dhe fate njerëzore, më të vërteta se bota dhe fatet njerëzore që janë jashtë dritareve të shtëpisë, në rrugë të madhe… Vetmia e Shkrimtarit është njëri ndër subjektet më të rrahur e të diskutuar. Heminguej, në fjalën e mbajtjes me rastin e marrjes së “Nobelit”, i kujtoi Botës se “Writing, at it’s best, is a lonely Life. Një tjetër shkrimtar i njohur amerikan, John Steinbeck, bashkëkohës i Heminguejit, po ashtu i pëlqente të fliste për vetminë e Shkrimtarit, si për një Fatalitet a Nëmje. Për psikologët që janë të gatshëm t’i japin një shpjegim logjik çdo gjëje, ajo që supozohet si vetmi e shkrimtarit është përqendrimi, kontrolli mbi një botë të imagjinuar, kontroll të cilin nuk mund ta kemi kurrë në jetën reale…Vërtet?
Për shumë shkrimtarë të mëdhenj,Vetmia është Liria e tyre e vetme. Franc Kafka është njëri ndër shkrimtarët më të vetmuar të shekullit XX. Lev Tolstoy merrte arratinë në moshën 82-vjeçare, për të ecur i vetmuar rrugëve të fshatrave tërë baltë të Rusisë, për të vdekur në një stacion të braktisur trenash. Po ashtu edhe TS Elioti, dhe sidomos George Orwell dhe J.D.Salinger. Për shkrimtarët që njohën tmerrin e komunizmit, vetmia e krijuesit ishte dhe Atdheu i vetëm i tij. Në një bisedë me filozofin Isaiah Berlin, Pasternaku pat treguar se si në vitin 1935, me këmbënguljen e Andre Malraux, u mbajt në Paris Kongresi Antifashist i Intelektualëve të Majtë. Dhe po me këmbënguljen e Malraux pranë autoriteteve sovjetike, u ftua të merrte pjesë Pasternaku, jo nga pikëpamjet e tij, të cilat ishin tepër të dyshimta për sistemin sovjetik, se sa thjesht nga këmbëngulja e Malraux, i cili i këshillonte udhëheqësit komunistë se pjesëmarrja e Pasternakut do i bënte mirë imazhit të Stalinit…Në kongres merrnin pjesë shkrimtarë të njohur të Perëndimit, Dreiser, Gide, Aragon, Malraux, Auden, Forster, Rosamond Lehman. Mes kureshtjes së pjesëmarrësve e merr fjalën Pasternaku. Të gjithë janë të bindur se shkrimtari që vjen nga Moska do të flasë më me forcë kundër fashizmit. Për çudinë e shkrimtarëve perëndimorë, Pasternaku thotë: “E kuptoj se kjo është një mbledhje e shkrimtarëve për t’u organizuar në rezistencën kundër fashizmit. Sa për veten time, kam vetëm një gjë t’ju them: Mos u organizoni. Organizimi është Vdekja e Artit. Ajo që vlen është vetëm Pavarësia personale. Në vitet 1789, 1848, 1917, shkrimtarët nuk u organizuan as pro diçkaje dhe as kundër diçkaje. Ju lutem, mos u organizoni!”.
Pavarësia personale realizohet përmes Vetmisë. Realiteti shqiptar duket se ka qenë herët, shumë herët, kundër pranisë së Shkrimtarit a Intelektualit. E gjithë jeta e Faik Konicës është një arratisje, një ikje e vazhdueshme, një vetmi ecjesh dhe largimesh. Migjeni është njëri ndër vetmitarët e mëdhenj, po ashtu Fishta dhe Mjeda, dy poetë të mëdhenj që e kaluan jetën e tyre si famullitarë katundesh shqiptare. Një vetmitar i madh është Jeronim de Rada. Lasgushi jetoi gjithë jetën në një arratisje të vetimponuar në Poradec, ashtu si dhe Martin Camaj në Mynih dhe Ernest Koliqi në Itali. Të vetmuar, tmerrësisht të vetmuar kanë qenë gjithë jetën e tyre eruditi dhe përkthyesi i shquar, Petro Zheji, Frederik Reshpja dhe Ndoc Gjetja, skulptori i talentuar, Janosh Paço dhe piktori Abdurrahim Buza, ashtu siç janë të vetmuar sot Fatos Arapi, Zija Çela, Fatos Kongoli, Preç Zogaj,Visar Zhiti, Nasi Lera dhe Bardhyl Londo, po të përmendësh vetëm disa sysh. Duket se vetmia e shkrimtarit shqiptar ka qenë gjithnjë në proporcion të drejtë me talentin e vet dhe me Famën e vet. Sa më i talentuar dhe sa më i njohur, aq edhe më i vetmuar!
2.
Krijimtaria e Ismail Kadaresë e ka merituar prej vitesh çmimin “Nobel”, dhe kjo nuk përbën më asnjë sekret për njohësitë e mirë të letërsisë. Padyshim, Ismail Kadare është njëri ndër shkrimtarët më autoritarë ndër të gjallët në botë. Vepra e tij i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një zë sa origjinal, aq dhe të fuqishëm njeriut të sotëm modern, i cili shpeshherë ndodhet përballë udhëkryqesh të vështira dhe çoroditëse zgjedhjesh. Dhe i ka folur dhe vazhdon t’i flasë nga një vend dhe nga një gadishull të mbushur me tragjedi njerëzore, që shpeshherë paraqiten jo si vendet më të zhvilluara të Europës, dhe u ka folur sidomos nga një vend që paragjykohet- me dashje dhe padashje- në mediat e botës, duke u bërë pre e ca stereotipeve të mendësisë së klasit të katërt. Dhe në krijimin e këtyre stereotipeve kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribuojmë dhe ne me një zell të frikshëm…Ai ka ditur dhe vazhdon të dijë që t’i flasë lexuesit në botë dhe lexuesit të vendit të vet me të njëjtin autoritet.
Por kjo nuk e bën Ismail Kadarenë që të mos jetë shkrimtari më i vetmuar i letrave shqipe. Vetmia duket se është, më tepër se fizike, një gjendje shpirtërore. Sidomos kur vjen fjala për shkrimtarët. Çfarë e bën të vetmuar Ismail Kadarenë? Keqkuptimi me vendin e vet dhe me bashkëkombësit e vet. Ajo që ai do ta quante Mosmarrëveshja. Ligësia agresive me të cilën ai ka qenë dhe vazhdon të jetë i rrethuar (ne që duam të flasim keq për Nënë Terezën dhe për Skënderbeun, si mund ta kursejmë Kadarenë?); injoranca rrënqethëse e një lexuesi të palexuar, që shtiret sikur ka lexuar; kritiku letrar, pa shije, katundar, gjykatës; kolegët ziliqarë dhe mediokër, të cilët e detyronin Dhimitër Paskon (Kutelin) të thoshte se letërsia shqipe është një Fushë me gjarpërinj, sepse kur shkruan keq, të shajnë si i patalentuar, ndërsa kur shkruan mirë, nuk ta falin se shkruan më mirë; sekretarët e djeshëm të Partisë dhe Sekretarët e sotëm të Partive; shtirja dhe agresivitetit i shpifjeve dhe i gërmimeve arkeologjike të liga në jetën personale të shkrimtarit; gëzimi pervers i dëshirës së liliputëve për të rrëzuar njeriun e madh, dhe mbi të gjitha, ay trishtim i madh i shkrimtarit se kombi të cilit i përket dhe të cilin e artikulon, shkon me hapa pas në kohë, i kaptuar nga skleroza historike dhe nga pamundësia për të njohur vetveten, se ndjenja vetëshkatërruese e kombit sa vjen e bëhet gjithnjë e më e fuqishme, se Testamentet e shkrimtarit duket sikur bien në veshë të shurdhët. Shenjë e keqe kjo, kur Kombi mbyll veshët përpara Profetit të vet!
Kam lexuar ditët e fundit “Vjedhja e ëndrrës mbretërore” dhe “E penguara”. Do të mjaftonin vetëm këta dy libra dhe asnjë nga librat e tjerë të autorit, që emri i Kadaresë të ketë po atë shkëlqim që ka edhe sot. Dhe njerëzit e ligj duan të na mbushin mendjen se Kadare, pas viteve ’90 nuk ka krijuar vepra aq të fuqishme sa ato të parat! Duke harruar se në Letërsi ka poetë që janë Poetë kur shkruajnë poezi; ka prozatorë që janë prozatorë kur shkruajnë prozë. Por ka dhe poetë dhe prozatorë që janë poetë dhe prozatorë të shquar, madje edhe kur nuk shkruajnë.
Në fund të fundit, Vetmia e Kadaresë na kujton gjithnjë atë thënien e Poetit se Talenti i Madh nuk të lë të jetosh. Por nuk të lë as edhe të Vdesësh!
Vullnetarët betohen para ambasadorit të SHBA në Kosovë
-Grupi i parë i vullnetarëve të Korpusit amerikan të paqes me shërbim afatshkurtër e fillon punën në Kosovë/
-Dhanë sot betimin para Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie-/
FIRST GROUP OF PEACE CORPS SHORT-TERM VOLUNTEERS BEGINS SERVICE IN KOSOVO/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Janar 2016/ Ambasada e SHBA në Kosovë në një njoftim të dërguar bën të ditur se, sot grupi i parë i gjashtë Vullnetarëve të Korpusit të Paqes me shërbim afatshkurtër ka përfunduar trajnimin orientues parapërgatitor në Prishtinë pasi që do të fillojnë shërbimin e tyre gjashtë mujor.
Korpusi i Paqes ka nisur programin e saj në Kosovë me 9 shator 2013 kur edhe është nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore ndërmjet Korpusit të Paqes dhe Republikës së Kosovës. Korpusi i Paqes ka marrëdhënie të frytshme me popullin dhe qeverinë e Kosovës. Në qershor të këtij viti pritet të arrijë grupi i tretë i përbërë nga 40 vullnetarë.
Fillet dhe misioni i Korpusit të Paqes datojnë nga viti 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim në nivel të homologëve të tyre lokalë. Nga ky frymëzim u ngrit një agjencion i qeverisë federale i përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë në botë.
Gjer më sot tre qëllimet fillestare të Korpusit të Paqes mbeten të njëjta: 1. Të ndihmojë popullin e shteteve të interesuara për të plotësuar nevojat e tyre për gra dhe burra të aftësuar; 2. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popullit të cilit i shërben; dhe 3. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë të përkushtuar ndaj ndërtimit të kapaciteteve lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivelin bazë, për dallim nga financimi tradicional i zhvillimit.
Grupi i ri i vullnetarëve me shërbim afatshkurtër dhanë sot betimin para Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie, në një ceremoni në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Dr. Darlene Grant, si dhe stafi i Korpusit të Paqes në Kosovë.
Pas ceremonisë së betimit vullnetarët e rinj me shërbim afatshkurtër zyrtarisht fillojnë detyrat e tyre të shërbimit gjashtë mujor që do të kryhen në mjediset urbane të Republikës së Kosovës.
Javën e ardhshme vullnetarët do të marrin detyrat e tyre nëpër tërë Kosovën. Gjashtë vullnetarët e rinj do të punojnë në fushën e zhvillimit të bashkësisë përmes komunave.
Në 20 janar 2016, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti në takim gjashtë vullnetarët e rinj të Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, të udhëhequr nga drejtoresha Darlene Grant.
Presidentja Jahjaga e çmoi lart ndihmën dhe kontributin që vullnetarët e Korpusit Amerikan të Paqes po u ofrojnë të gjitha komuniteteve nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e shumëfishte që ka angazhimi i vullnetarëve, ku, përpos ndihmës së drejtpërdrejtë nëpër institucionet vendore, vullnetarët janë ura lidhëse dhe forcojnë marrëdhëniet dhe miqësinë midis popullit të Kosovës dhe popullit amerikan.
Në Kosovë, në gusht 2015 filluan shërbimin për dy vitet e ardhshme 36 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të grupit të dytë, të cilët kanë përfunduar trajnimin parapërgatitor në komunitete kosovare.
Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët patën dhanë betimin solemn në gusht 2014, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.
***
FIRST GROUP OF PEACE CORPS SHORT-TERM VOLUNTEERS BEGINS SERVICE IN KOSOVO
January 22, 2016
PRISHTINA, Kosovo – On January 22, the first group of six U.S. Peace Corps short-term Volunteers in Kosovo completed its pre-service orientation in Prishtina, as they now begin their six-month Volunteer service.
Peace Corps opened its program in Kosovo in September 9, 2013 when a Country Agreement was signed between the Peace Corps and the Republic of Kosovo. Peace Corps is enjoying a fruitful relationship with the people and the government of Kosovo. In June of this year, the third group, 40 Volunteers, is scheduled to arrive.
The Peace Corps traces its roots and mission to 1960, when then-Senator John F. Kennedy challenged students at the University of Michigan to serve their country in the cause of peace by living and working in developing countries at the level of the local counterparts. From that inspiration grew a federal government agency devoted to world peace and friendship.
To this day, the three original goals of the Peace Corps remain the same: 1) to help the people of interested countries in meeting their need for trained men and women; 2) to help promote a better understanding of Americans on the part of the people served; and 3) to help promote a better understanding of other peoples on the part of Americans. The Peace Corps Volunteers are committed to local capacity-building and sustainable development at the grassroots level in contrast to traditional development funding.
This new group of short-term Volunteers was sworn in today by U.S. Ambassador Greg Delawie in a ceremony attended by representatives of the Ministry of Labor and Social Welfare, along with the Peace Corps Kosovo Country Director Dr. Darlene Grant and the Peace Corps Kosovo staff.
With the swearing-in ceremony, the new short term Volunteers officially begin their six months service assignments which will take place in urban communities throughout the Republic of Kosovo. The Volunteers will move to their assignments throughout Kosovo next week. All six will work in the area of community development through local municipalities.
TRADITË-VEÇORITË E VESHJEVE POPULLORE TË SULOVËS
NGA PËLLUMB GORICA/
Sulova e shtrirë gjeografikisht midis Elbasanit dhe Beratit, është një krahinë me veçori të shumta etnografike. Pjesë të kulturës së pasur materiale e shpirtërore të kësaj krahine janë edhe veshjet popullore. Veçori kryesore e tyre është se kanë qenë të thjeshta, të gërshetuara me ngjyra, forma dhe, në përshtatje me kushtet natyrore e klimën mesdhetare. Sulovarët e kanë dashur dhe e duan të bukurën, pastërtinë, kulturën, të cilën e kanë shprehur në veshjet e larmishme, të zbukuruara, e me shije artistike.
Studiusi Petrit Basha, autor i disa librave për traditat e Sulovës thekson se: “ Në veshjen e popullsisë së krahinës kanë ndikuar rritja e mirqënies dhe e nivelit kulturor të banorëve. Veshjet ata i kanë përpunuar në përshtatje me veçoritë e jetës e të historisë, që ka kaluar kjo krahinë. Këto veshje kanë variante të shumllojta, që ndryshojnë sipas moshës, seksit, kushteve të punës, zakoneve e festave”.
Deri vonë veshja popullore ishte shenjë dalluese, që tregonte krahinën etnografike. “Sulova bashkë me fushën e Elbasanit dhe Dumrenë për kostumet popullore bënë pjesë në një njësi etnografike”. (“Enciklopedia Elbasani”, faqe 306) .Tashmë ajo e ka humbur gati kudo këtë domethënie të dikurshme, dhe tek tuk e gjen të ruajtur në veshjet e grave. Veshjet popullore janë përdorur në përditshmëri deri në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, duke u zëvendësuar më pas me veshje të kohës. Rrallë janë mbajtur ndër të moshuar deri në fund të viteve ‘80.
Veshja popullore e krahinës së Sulovës ka qenë e zakonshme dhe endej e gjitha me dorë, e mbushur me zbukurime të shumta, që të befasojnë për bukurinë dhe teknikën e punimit. “Për t’i prerë, qepur e zbukuruar veshjet popullore prej shajaku, me katër dhe dy lisa në tezgja, ishin grate që dinin t’i bënin mire këto punë, nga disa të tilla në fshat, jo të gjitha.” (Petrit Basha “Tunja pranë kalasë”, faqe 128) Ka zotëruar veshja prej leshi e bërë me avlëmend, e prerë dhe e qepur nga gratë në shtëpi. Me lesh përgatiteshin më shumë veshjet e burrave, kryesisht ato që përdoreshin kryesisht në dimër. Më shumë qepeshin guna, tirqe, shallvare, xhedikë etj. Pas leshit vijnë veshjet prej liri, e cila ishte lëndë jo vetëm për pregatitjen e veshjeve të brendëshme, por edhe e shtrojeve të fjetjes. Nga të moshuarit ruhet në kujtesë përdorimi i lirit. Në krahinën e Sulovës dikur është kultivuar shumë bima e lirit për vet kushtet e mira klimaterike e toksore që ka ajo. Këtë e tregojnë edhe toponimet: “Linore”; “Lëmi i Lirit”; “Arat e Lirit”; “Bregu i Lirit” etj. Shumica e pjesëve të veshjes popullore, e veçanërisht veshja e grave punohej me pëlhura pambuku të endura nga vet ato. Me pëlhura pambuku qepnin linjat, përparëset, lëveret, mëngët etj.
Veshjet popullore të Sulovës kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të fushës së etnografisë, në mënyrë të veçantë veshja e grave. Sipas tyre, përparësja e nuseve sulovare (bokshja) është e veçantë,por, në përgjithësi, veshja e grave të Sulovës është identike me veshjen populloren gjithë trevat, e sidomos të Myzeqesë. Në veshjen e grave bie më tepër në sy linja e gjatë prej pëlhure, përparëset aq të bukura dhe lëveret e kokës punuar me mjeshtëri nga vet gratë. Si gratë dhe burrat mbanin brezin me motive të ndezura, më shumë kuq e zi që mbështillej rreth belit disa herë. Brezi i burrave ishte më i gjatë. “Pas Luftës së Parë Botërore veshja popullore e burrave të Sulovës pësoi ndryshime, duke u zëvendësuar me veshje të kohës, ndikim direkt i veshjeve qytetare” (Abas Dojaka “Të njohim veshjet tona popullore”, faqe 182.) Ndërsa tek grate veshja popullore u përdor deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Tregtia që bënin banorët, kryesisht në pazaret e njohura të Elbasanit, e sidomos të Beratit, prej ndarjes që krijonte lumi i Devollit me pazare të tjera, por edhe prej afërsisë gjeografike me këtë qytet të njohur tregëtar i kohës, i detyronte të blinin pëlhura, dhe pjesë veshjesh të përgatitura. Natyrish që lëvizjet e shumta demografike nga njëra krahinë në tjetrën, për shkak të kushteve ekonomike, por edhe prej faktorëve të tjerë si hasmëritë, fatkeqësitë, krizat e bukës, epidemitë dhe lidhjet e krushqive detyruan vendosjen në krahinën e Sulovës, të jo pak familjeve nga Shpati, Vërça, Nahija e Beratit, Tomorrica, të cilat ndikuan edhe në veshjet popullore me elementë të tjerë.
Veshja popullore e grave të Sulovës
Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, gratë e Sulovës preferonin veshje të gjata, të linjta, e me zbukurime të shumta. Ishin veshje të bukura, të punuara me aq mjeshtri nga vet ato. Më shumë të përhapura kanë qenë përparëset e endura me motive të veçanta, që në gjithë sipërfaqen shkëlqenin nga kombinacione ngjyrash, formash. Në përgjithësi janë dalluar dy variante kryesore: veshja me linjë e me jelekë dhe veshja me linjë e me gufe.
Veshja me linjë
Ajo që bënte përshtypje në veshjen e grave tëSulovës dhe pjesë kryesore e saj është fundi (linja) prej pëlhure pambuku dhe me kinda. Gjerësia e saj shkon deri në nyja e këmbës. Në krye të linjës qepej një copë e kthyer që futej ushkuri, me gjerësi 5 cm. Pjesë tjetër e veshjes ishin bluza (mëngët), prej pëlhure me vija ngjyrash të ndryshme të kuqe, bardha, verdha të zeza. Ajo paraqiste ca tipare të veçanta në prerje. Nën mëngë vishej këmisha prej pambuku, e bërë me pëlhurë vegle jo të bardhë, por me vija e motive të thjeshta e me krahë të gjerë, që vinte duke u ngushtuar në afërsi të duarve. E zbukuruar me qëndisma e penj, me ngjyra të ndryshme e me temina ato ijepnin një konfiguracion interesant. Jeleku prej stofi i zbukuruar me fije ari, vishej më tepër nga nuset dhe në të shumtën e rasteve qepej në qytet e Elbasanit e Beratit. Përparësja e pambuktë që mbahej në krahinën e Sulovës ishin ndër më të mëdhatë që janë mbajtur në territoret shqiptare, dhe më të bukurat e më të ngarkuarat për sa i përket kompozimit të ngjyrave. Ajo zbukurohej në gjithë sipërfaqen e saj, e ndërmjet të cilave endeshin motive rombike, ku mbizotëronte ngjyra e kuqe, e verdha, portokallia, kafe dhe të zeza. Mbulesa e kokës (lëverja) bëhej prej pëlhure pambuku, në formë katërkëmbëshi, kënd drejtë, mjaft e gjerë dhe e gjatë njëkohësisht. Hidhej mbi kokë dhe lëshohej lirshëm për t’u varur prapa shpatullave që shkonte deri tek thembrat e këmbëve. Përmasat e saj mbi 150 cm e sipas gjatësisë së gruas që e mbante në kokë . Mbulesa e kokës zbukurohej në të katër anët me vija e motive rombike, e të ngjyrave të ndryshme. Kjo vishej më shumë nga nuset dhe grate e moshës së mesme, ndërsa gratë e moshuara e mbanin lëveren më pak të zbukuruar, ku në të katër anët e mbushnin me ngjyrë blu e të zezë.
Veshja me gufe
E njohur në veshjen e grave të krahinës së Sulovës ka qenë edhe veshja e linjës me gufe (bluzë), që zakonisht nuk ndryshon nga veshja e treguar më lart, të cilën e vishte nusja e re pas disa ditë martese deri në moshën e mesme. Gufja ishte prej pambuku me ngjyra të ndryshme, mëngët e së cilës janë mjaftë të gjerë dhe të fryra në pjesën e parakrahut. Rrallë në stinën e ftohtë gratë vishnin një xhoke të shkurtër shajaku me prerje e thjesht në ngjyrë të bardhë. Në shtresën e pasur të kësaj krahine gratë përdornin përveç xhokës së bardhe prej leshi, e ngjashme me atë të Dumresë dhe Myzeqesë, edhe mëngoren e bardhë të zbukuruar anash me gajtanë. Por, xhokës së bardhë i shtohej edhe guna e ngjashme me atë të barinjve. Në veshjet e grave të Sulovës janë edhe elementë të tjerë, që plotësohen me veshjet e brendëshme: Të mbathura ishin të gjata deri te thembra e këmbës dhe prej pëlhure liri ose pambuku, ndërsa çorapet prej leshi e të zbukuruara me motive rombike, kurse opingat (qosolet) bëheshin prej lëkure lope. Stolitë në Sulovë kanë qenë të pakta, të cilat ishin: Unazë, vathë, varëse qafe me rruaza. Veshja popullore e Sulovës kishte edhe elementë të tjerë në periudhën e dimrit, që ishte brezi i leshtë, i cili ngjishej sipër linjës, i punuar me vegjë dhe me fije leshi të hollë e me ngjyrë të kuqe, por edhe me vija të holla kafe.
Veshja popullore e burrave të Sulovës
Në krahinën e Sulovës dikur janë mbajtur disa tipa veshjesh për burra: Veshje me fustanellë, me xhedikë dhe me shallvare. “Veshja me fustanellë është mbajtur deri në prag të Pavarësisë, e cila përdorej në një masë mbizotëruese në Sulovë si në shumicën e krahinave jugore në Shqipëri. Fustanella e bërë prej pëlhure pambuku, e punuar në shtëpi, me gjatësi deri në gju, dhe me 30- 100 pala”, shkruan Abaz Dojaka në librin “Të njohim veshjet tona popullore”, faqe 188. Ajo është mbajtur sipas gjendjes ekonomike dhe shtresës shoqërore. Dhe përbën një element të kostumit kombëtar shqiptar. Sa i përket veshjes me fustanellë mbështetur në dokumenta, por edhe histori gojore del se është përdorur në raste festash, gëzimesh, fejesa, dasma etj dhe nuk ishte veshje pune. Elementët që e plotësonin këtë veshje ishin: Jeleku dhe mëngoret prej shajaku të bardhë e të zbukuruar me gajtanë. Në krahinën e Sulovës janë mbajtur edhe jelekë e mëngore prej cope të qëndisur me gajtanë ari, të blerë në pazaret e Elbasanit, Beratit, Korçës, që më shumë këto i mbanin shtresat e pasura. Në kokë burrat sulovarë mbanin takie të bardhë e ngjashme me atë të Myzeqesë. Më vonë është përdorur qeleshe prej haseje. Kjo më shumë si depërtim i saj nga krahina e Shpatit. Këmisha pregatitej prej kambriku me mëngë të gjëra të gjata. Fanella thurej prej leshi. Në këmbë visheshin opinga me lëkurë kafshësh me majë të kthyer me një xhufkë leshi të kuqe ose të zi. Si mbathje në këmbë janë mbajtur çorape leshi. Mbi çorapet vishnin deri në gju tirqe të bardha prej shajaku, që ishin një tjetër pjesë e kostumit popullor. Kostumi gjithashtu kishte të veçantë një brez të leshtë, që ngjishej pas belit. Ai ishte i gjatë deri 2 m, dhe i gjerë 15 cm, i thurur me ngjyra të ndezur e të punuar nga vet gratë në shtëpi.
Veshja me xhedikë
Pas daljes nga përdorimi i fustanellës, edhe në Sulovë si krahinat rrotull saj filloi të përhapet kryesisht veshja me xhedikë. Xhedikët ishin një lloj pantallonash shajaku të bardhë, të cilat më vonë u bënë të zeza deri në nyje të këmbës. Kjo veshje plotësohej me këmishën, të mbathurat, jelekun, mëngoren, opingat, takien e bardhë. Kjo veshje e thjeshtë popullore është mbajtur me disa ndryshime në jetën e përditshme të banorëve që nga fëmijët deri tek të moshuarit.
Veshja me shallvare
Për veshjen me shallvare, specialistët e etnografisë kanë theksuar se shtë përdorur në Sulovë dhe në shumë krahina të tjera në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Ajo është mbajtur nga të gjitha moshat. Ajo pregatitej në tezgja prej leshit të deles dhe qepeshin në shtëpi nga gratë me një prerje të thjeshtë. Pjesë përbërëse të kësaj veshje ishte këmisha prej pëlhure të pambuktë, xhamadani, mëngorja prej shajaku të zbukuruar me gajtanë, të mbathurat prej liri, çorape të ngjashme me të Myzeqesë, opinga prej lëkure lope, dhe takie prej pëlhure. Veshja e mësipërme në dimër plotësohej me gunën prej lesh dhie.
Me zhvillimet social – ekonomike, që solli gjysma e dytë e shekullit të kaluar, veshjet popullore edhe në krahinën e Sulovës, dolën nga përdorimi gradualisht, duke mbetur kujtime të një kaluare të largët. Veçse, do të jenë festat popullore, fejesat, dasmat, festivalet folklorike, këto ngjarje të shënuara të shpirtit të popullit, që të nxirren nga arkëzat këto veshje popullore. Janë vlera, të cilat i flasin kohës, për të pasur çfarë t’u tregojmë brezave, si thesare të trashëgimisë kulturore.
Kosovë-Bashkë për zgjidhjen e krizës
-AAK: Kosova ka nevojë për një front të përbashkët për zgjidhjen e krizës politike/
PRISHTINË, 18 Janar 2016/ Kosova ka nevojë për një front të përbashkët për zgjidhjen e krizës politike, deklaroi sot partia opozitare AAK, e udhëhequr nga kryetari Ramush Haradinaj.
“Kriza politike që ka përfshirë Kosovën, asnjëherë nuk ka qenë më e thellë se sa sot. Shumë nga politikanët, intelektualët, opinionistët, gazetarët dhe qytetarët e zakonshëm, por edhe partnerët ndërkkombëtarë, po përpiqen të jenë pjesë e zgjidhjes, qoftë me ide, qoftë me veprime konkrete.
Do të duhej që pjesë e zgjidhjes të bëhën edhe ata që e kanë shkaktuar këtë krizë, e jo të provojnë që ta thellojnë atë akoma më shumë, me shpresë se vetë do të jenë të kursyer”, shprehet AAK në deklaratën e dërguar.
Më tej shtohet se, idetë që të krijohen dofarë komisionesh që do ta intepretonin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për Asociacionin, apo thirrja eventuale e seancave plenare të Kuvendit, nuk i kontribuojnë zgjidhjes së kësaj krize.
“Prandaj të gjithë ata që janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, nuk do të duhej të ndërmerrnin veprime që e rëndojnë situatën, por që janë në funksion të zgjidhjes së krizës politike që e ka përfshirë vendin”, theksohet më tej.
AAK shprehet se, do të jetë e përkushtuar të japë gjithçka nga vetja, që vendi ta kapërcejë këtë krizë./b.j/
AHMET KOLGJINI- NANE ZADRIMORE
Gazeta “Dielli” ju sjellë “Nanë Zadrimore”, pjesën e tretë dhe të fundit të ciklit poetik të Ahmet Kolgjinit (1939-1999), nxjerrë nga vellimi me “Poezi” botue ne vitin 1999 nga shtëpia botuese “KOHA”. Aktorët e krimeve te periudhes komuniste jo vetëmse nuk kanë dhanë përgjegjësi, por nji pjesë e tyne po marrin dekorata dhe po shpërblehen nga shteti shqiptar.
Mbi këte cikël poetik, autori, Ahmet Kolgjini, shkruen: “Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme. Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime. “I vdekuni nuk ka miq” thotë një fjalë e urtë. E vërteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue i njoftë e tue i pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjithashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.”
NANE ZADRIMORE
I
Plot dy javë te porta e hekurt priti
Nanë-zeza, e kërrusun, e bame lak
Shkallët, me mbesë përdore, ngjiti
Shoqnue prej nji zullapi torollak
Sheh kanibalin me fytyrë Jeziti
Që i vrau të shoqin më dyzet e pesë
Ndejti me nji djalë, mezi e rriti
Tek ai u mbështet, e kish të vetmen shpresë.
“-Djalin ta dënoi ligji, ka bërë faj
Po Partia tonë është zëmër-madhe
Djali t’i heqë lakrat, trutë t’i shpëlaj
Ashtu si të tjerët të futet në aradhe
Me mësimet e Partisë të eci paskëtaj!
Do ta studjojë Partia… Mirë bëre që ardhe…”
II
-Bir i nanës! Takova shokun Enver
Më tha të bash nji lutje. Unë jam nanë…
-Ate që kam timen, s’lutem me ma dhanë
Zoti ma dha jetën dhe Zoti ma merr.
“Andërronte tepër, u dënue me ligj.”
Me siguri kështu të kanë thanë
Ti a s’e kupton se lutja e përligj
Dhunën që ushtrojnë këta mjeranë?
Enveri me shokë janë nji skotë
Nji lukuni e pangishme kriminelash
Nji shuplakë e Zotit në këte botë.
Ma mirë pushkatue se rrethue telash
Prej këtyne mos prit farë uzdaje
Zoti të shpëtoftë prej kësaj murtaje!
III
Kalon nji muej. E kërkojnë në zyrë.
Nji strupull teshash merr për me i hapë
I qetë, ai që djalin ia ka kapë…
Ajo bahet dhé, limon bahet n’fytyrë
I dridhen buzët nanës zadrimore
Kur sheh bluzë e krahën, laps e bllok
Të mbështjella lesh e li me nji spathok
Nji kuti cigaresh e nji orë dore…
I merr e del, po s’di ku me u mbytë
Këqyr përqark, kurrkund nuk sheh njeri
Ecën kuturu, nuk sheh ma nga sytë
Kryq ban tri herë, me teshat mblidhet shuk
Prej ure me vërtik hidhet në Dri!
Në shkulmat zhduket… duket… deri sa u zhduk!…
Gusht 1984
Shenim i autorit:
“Nana Zadrimore” – e veja e nji oficeri të Ushtrisë Kombëtare, mbasi i vritet i shoqi prej komunistëve në vitin 1945, lidh shaminë e zezë dhe vendos me rritë të birin 7 vjeçar. I biri meqenëse iu ba e padurueshme lufta e klasave, lidhet me dy moshatarë të vet dhe vendosin me u arratisë, por kapen dhe ai si krytar i grupit dënohet për tradhti të lartë ndaj atdheut me vdekje.
Nanë-shkreta ban çmos për të shpëtue të birin. Nji ditë e thërrasin në zyrë për t’i dorëzue sendet personale të të birit. I biri ishte pushkatue. Nana s’e kontrollon ma veten dhe mbytet në Dri. Kështu u shue e u fik edhe nji familje.
Shqipnia vuen për nji Shekspir!
Këto janë vetëm grimca, përballë tragjedisë së madhe. Të gjithë kemi për detyrë me e pranue me e njoftë dhe me shpallë të vërtetën.
- « Previous Page
- 1
- …
- 606
- 607
- 608
- 609
- 610
- …
- 900
- Next Page »