• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Subjekte në pluhur, letërsi e fjetur

January 19, 2015 by dgreca

(Ese për mesazhet e ”humbura”)/
Nga ILIR LEVONJA/
Në skajin përballë Europës një gazetar i vjetër i shkruan një letër përshëndetëse një shkrimtari të ri. Kjo ndodh saktësisht më 5 dhjetor 2003, atëhere kur ky (shkrimtari) me një makinë të vogël përpiqej të shpërndante librat e tij në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kudo libraret thoshin më të shumtën një frazë standarte, lëre po nuk e di do të shiten apo jo? Kishte nga ato që kur e shikonin se libri ishte me vjersha. Ulërinin…, -upupupupuuuu, poezi?! Askush nuk lexon. Hiqe nga mendja merri mbrapsht. Ndërkohë, paralel aty afër, një veteran dëshmitar çfarë nuk këputi për demokracinë, për mashtrimin e saj që i kishte kthyer njerëzit në gjakpirës të njëri-tjetrit. Nga ana tjetër nuk skuqej fare për kampet e internimit dhe pushkatimet. Megjithatë, shkrimtari vazhdoi të bënte punën trish, krijues, shofer, shpërndarës. Tek-tuk kishte zëra të mirë, ose zemra të mira, paqësore që ofronin shpresën. Përshembull mbaj mend një grua kaq njerëzore në biliotekën publike të Durrësit, Flora Dervishi (një lloj simotre e poetes Flora Brovina, më flokë të artë që të dyja) që bujarisht të ofronte raftin dhe stendën e botimeve më të reja. Dukej si një shenjtore që Zoti e mbante akoma në mes kësaj zallamahie tranzicioni shqiptar me pamje prej Kandaharit të largët. Ku më rrëmujazhinjtë e parë, përpos të angazhuarve ishin vetë krijuesit. Kishte nga ata, që vinin nga qëndra dhe që nuk e kishin për gjë të rrëmbenin atë fond të pakët Bashkie për biliotekat e shkollave, për gjithë tirazhin e librit. Le të ishte ky një përkthim pa vlerë, apo pjesë e retorikës politike nga fushatat e fundit. Autorit i interesonin dy gjëra, të rëndiste titullin në curricul, që aq të modës u bënë me kryeinicialet dr, doc, apo ku e di unë se çafrë tjetër. Kurse fondin e marrë, për të botuar një pavlerë tjetër. Ndofta për shqiptarët e Maqedonisë apo të Kosovës, Malit të Zi, mjafton të mos prekte lekët e dietave.
Letrën në fjalë shkrimtari do ta merrte në dorë, pas dhjetë e kusur vitesh. Kur i ra për pjesë të jetonte këtej. I ngjan diçka motivit të mesazheve marinare, por kësaj here në një det të thatë toke tropikale. Tamam atëhere kur i dukej krijimtaria si diçka vegime, jerm i përçart; një mëndje iu avitën veteranët ku njëri shante demokracinë dhe tjetri i përgëzonte krijimtarinë. Në disa momente kur mendohej, të vazhdonte apo të hiqte dorë. Ndërsa përbrenda vlonin subjektet.
Le të lexojmë letrën për së pari, pastaj të flasim diçka më gjerë për dy librat që përmend letërshkruesi. Ndërkohë edhe disa nënvizime në lidhje me kohën që po jetojmë, në marrëdhënie të ndryshme, autorë, libër, lexues dhe demokracia post diktaturë. Për më të thjeshtën ndjesi njerëzore, letrën po e publikoj ashtu si e kam, si e la hartuesi i saj, në atë stil e faqosje prej dëshire dhe zemre gazetari shtegtar, ku këndjellja dialektore apo ndonjë mangësi … vinë për shkak të metonimisë, që s’është asgjë tjetër veç përfytyrim.

Andon Kote
2340 SW 18 Taraca, Apt. B.
Fort Lauderdale, Florida
33315 USA Më 5 Dhjetor, 2003

I nderuari z. Ilir Levonja
Lushnje

Dëshëroj që të ini shëndoshë e mirë familjarisht.
Yt kunat, Ladi, me të cilin jemi komshij me banim më ka dhënë për t’i lexuar dy botimet tuaja: ”Antologji poetike me autorë lushnjarë” si dhe vëllimin me tregimet e tua ”Burri që ruante lulet e bajames”.
Nga antologjia poetike më kanë pëlqyer shumë poezi, disa prej të cilave mundet t’i përmend: Dimër, Mishelit dhe Zaimit, Mezi më afrohet mbesa, Erëmollë, Bindja, Babai, Bujari fshatare, Zogu i parë dhe sekretari i parë, Vdekja jote, Vrasja e hënës, Enderr, Murlani, Bashkë, Dasma e motrës, Orfeu nga Devolli, Lumturi Peqini, Rrota, Unë këtu jam, Po na ikin vitet, Qenushka ime ka sy të bukur.
Keni bërë një punë të madhe, të kujdesshme dhe të ndërgjegjshme që keni përmbledhur në këtë antologji prej 275 faqesh disa nga krijimet e poetëve lushnjarë. Me disa prej tyre si Faslli Haliti, Bujar Xhaferri, Loni Papa, Murat Nexha, Vath Koreshi, e ndonjë tjetër kam patur njohje e shoqëri. Gjat 55 viteve që merrem me publiçistikë, gazetari dhe krijimtari letrare, ua kam lexuar edhe krijimet e tyre, si ato publiçistike, gazetareske ashtu edhe ato letrare. bile mjaft krijime të tyre, i kam botuar nëpër organet e shtypit ushtarak ”10 korrik” ”Luftëtari”, ku unë kam punuar për një periudhë të gjatë. Nëse keni rast të takoheni me ta, jepu të falat dhe konsideratat e mija.
Edhe tregimet e tua më kanë pëlqyer për tematikën që trajtoni, për mendimet e ngjeshura e konçize, për përdorimin e shprehjeve e proverbave popullore, gjat thurrjes së tyre. Tek të gjitha tregimet më kanë pëlqyer frazat, dialogjet e shkurtëra e domethënëse, si dhe gjuha e pastërtë.
Shumë nga tregimet më kanë emocionuar dhe me kane ngjallur respekt për personazhet. Të tillë janë tregimet: Burri që ruante lulet e bajames, Njeriu i praruar, Pesëmbëdhjetë vjet në përjetësi, dhe më shumë nga të gjithë tregimi ”Mjergulla e Llogarasë.”
Atë natë që ka ndodhur ngjarja, kam qënë me pilotin e helikopterit, Sotiraq Gjylametin, të cilin e kemi tonin. Disa nga studentët dhe dy ekuipazhet e regjimentit të helikopterëve i njihnim personalisht. Të lumtë që i ke përjetuar në tregimin tënd kaq real e tërheqës. Paç gjithmonë suksese!

Të fala shoqërore
Andon Kote

T’i kthehemi, fillit. Për mua kjo letër pati një rëndësi të madhe. Por edhe gati të paspjegueshme në lidhje me rimotivimin e një emigranti shkrimtar. Kjo përkon edhe me dhënien e një falenderimi, këtij gazetari të vjetër, i cili nuk e mori vesh asnjëherë nëse letra e tij ra në duart e mia. Ose ndofta ka kujtuar se unë e kam marrë, por ashtu si jemi ne, nuk ia kam varur shumë, pasi nuk kishte ndonjë gjë emocionuese. E në fund të fundit përse duhej t’i ktheja përgjigje. Ai në njërin skaj të globit, unë në tjetrin?! Çfarë na lidhte? Në të njëjtën kohë kam përfytyrimin se ajo botë e njeriut të fjalës, me peshën e viteve, me vështrimin e urtë, mund të t’i ketë përmbledhur të gjitha në një shprehje të po natyrës sonë shqiptare. -Nuk ka gjë, -ka thën ai. – I ri është.
(a) Antologjitë, apo antologjia në fjalë ishte një nismë personale, e përftuar nga ideja e mirë për të vënë një gurë në ngrehinën e kulturës së qytetit tim. Një qytet me histori të re, por që deri në atë kohë, kishte një lloj ndërthurje me botën shqiptare për faktin politik, si gazerma e internimit të diktaturës. Edhe pse reklamohej si hambari i Shqipërisë, po aq, me të njëjtën forcë, me të njëjtën energji e përdornin si vendi ku mbaheshin zairet e shtëpisë. Nga ana tjetër lushnjarët vet, kurrë nuk i përbuzën këta, të ashtuquajturit të deglasuar. Po le të qëndrojmë tek antologjia. Detaje për tu përmendur 1. Nga kërkimet rezultoi se ekzistonte një zë, i cili në qytet qe njeriu që tregohej me gisht, në sensin e krahasimit, kur duam të tallim dikë. Ai zakonisht vishej bukur dhe nga bisedat me ‘të rezultonte e kundërta. Biles as që nuk i bëhej vonë se çfarë thoshin të tjerët. Ndërsa bisedonte me mua në këmbë, mbante në njërën dorë çantën e tij të zakonshme, të natyrës së akademikut . Dhe në tjetrën po një çantë e tipit rrjetë nailon të mbushur me foragjere nga tregu. Kalon aty pari një mesoburr dhe duke dashur të ngacmojë, i thotë që, ”unë e di se çfarë ke ti në këtë rrjetën tënde”. ”Natyrisht që e di, -ia ktheu ky. -Kafsha e njeh mirë ushqimin e vet”. Në koleksionin e gazetës Zëri i Rinisë, të viteve 60-70, ky njeri i batutave rezultonte dominues, me lirikia. Vërtet lirika të bukura. Çuditërisht nuk pranoi të përfshihej për arsyet e tia, edhe pse sot e kësaj dite ka sirtarë të tëre me dorëshkrime. Vetëm pasi doli libri, më ndaloi në rrugë dhe më tha tekstualisht. ”Eshtë hera e parë që gaboj në jetë, duhet të isha përfshirë aty”. I thashë se antologjitë nuk janë një, por dy e tre, e kështu me radhë. Megjithatë që nga ajo kohë nuk është bërë akoma një e dytë ku mund të klasifokohej edhe sipas tematikës, viteve, botimeve etj.
(b)Detaji tjetër është fakti i një poeti, i cili më lavdëroi në kulm për inisiativën, për ndërrmarrjen dhe bashkëpunimin me Onufrin. Aty atëhere punonin një staf i mrekullueshëm, poetja F.Açka dhe V. Korreshi. Libri doli i kalibrit të tregut bashkëkohor Europian. Poeti që më lavdëroi më shumë, më ndali në rrugë, dhe nuk më la pa më sharë e fyer deri në stratosferë. E gjitha konsistonte në faktin kriter, që unë me një nga bashkëpunëtorët e mi, Agim Bakushin kishim vendosur në lidhje numrin e rreshtave në cv kuadrat të autorëve. Poeti në fjalë pretendonte se nuk i ishin përmendur qindra çmime që kishte marrë në botën matanë. Nuk më erdhi aspak keq. Fal qetësisë sime i thashë konceptin tim mbi antologjinë dhe se ai kishte plotësisht kohë, të drejtë legjitime të një inisiative tjetër, për të bërë një antologji të çmimeve. Por sigurisht nuk bëri asnjë lloj të tillë.
(c)Titujt e vjershave që letërshkruesi i mësipërme përmend, tani më kujtohen pjesërisht. Por sigurisht jo autorët. Vath Korreshin ngulte këmbë se kishte ardhur koha e një antologjie të prozës. Gjithsesi efekti qe kombëtar, pasi u paraqitën njëri pas tjetrit rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Korça, Elbasani etj. Në Lushnje na nderoi Dritëroi me familjen dhe Moikom Zeqo. Me Moikomin kemi folur atë ditë për Jahuda Amakain (Yehuda Amichai) poetin izraelit.
Dua t’i them letërshkruesit se një nga vjershat e kësaj antologjie që ti e përmend, është ai që më shau deri në stratosferë. Por ti ke të drejtë i dashur letërshkrues, pasi edhe sot e kësaj dite ne nuk e dimë, nuk njohim, nuk mbajmë mend …., çmimet që ka marrë Lasgush Poradeci, por vargje të tilla ”o ti e bukura me sytë përdhe”.Pa u larguar nga tema, antologjia nuk është cv, por krijimtaria.
(d) Tregimi Mjergullat e Llogarasë. Në fakt ka pasur disa njerëz që audhorinin tregimin tim, por që habiteshin me qetësinë, mënyrën e ftohtë se si unë i prisja këto elozhe. Shumë nga këta biles më thoshin që ti lodhesh kot me poezinë. Kampioni i dashurisë me prozën time të shkurtër ka qënë mentori im, shkrimtari Halil Jaçellari. Madje nuk përtonte të mi daktilografonte. Vath Koreshi, Faslliu etj. Mbaj mend që Haxhi Rama më thoshte se një ditë do ta bëjmë teatër tregimin tënd ”Dhe yjet nuk kanë të mbaruar”. Këtë tregim e donin shumë çuditërisht, regjisorët. Ka qënë edhe një mësues me emrin Vladimir Çuni. Ky shkruante edhe bukur. Pra me një farë vëzhgimi, kishte grupime në tema, në shije etj. Ashtu sikur edhe ti krejt papritur më nxjerr shijet e tua dhe më veçon tregimin Mjergulla e Llogarasë. Eshtë fakt se ky tregim është mbështetur mbi një ngjarje reale, fatkeqësinë e rënies së dy heliktorëve, ku humbën jetën plot 23 studentë, saktësisht më 22 nëntor 1989,përfshirë edhe mjekë të Himarës. Edhe sot e kësaj dite e kam të gjallë fytyrën e mjekut Mefail Metollari. Djali i ri, i bukur, nga Skrapari. Ka pasur shumë pandehma, interpretime, por habia e jonë, kanë qënë dy detaje; -a) moti kaq i kthjellët i nëntorit dhe -b)prepotenca e urdhrit nga Tirana, që helikopterët duhet të niseshin me domosdo për në Tiranë. Edhe pse pilotët dhe specilistë të tjerë të lart ushtarak, ngulnin këmbë që ishte i pamundur fluturimi për shkak të rrymave të forta e të ftohta ajri, sipër në qiell. Dukej si një urdhër vdekje, i dashur letërshkrues dhe ashtu qe. Tani më rezulton se ti e paske njohur personalisht pilotin. Fal letërsisë, fal komunikimit.
(c)Më ke dhënë mundësinë të zbulojë disa enigma të letërsisë në përgjithësi. Sot vërtetë ka dhe një lloj letërsie të fjetur. Besomë. Ka shumë e shumë zëra modestë, subjekte, apo libra që rrinë të pluhurosur. Unë më sipër të solla një shembull me deputetin e qëndrës dhe pushtetit lokal. Por ndofta është edhe kalvari ku është e dënuar të kalojë krijimtaria, pasi tregu ka frikë nga libri dhe autorët e pa dëgjuar.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Lvevonja, letërsi e fjetur, Subjekte në pluhur

Kontinenti i goditur

January 15, 2015 by dgreca

Nga Ismail Kadare*/
Goditja ishte e rëndë, dramatike. Ishte më e pakta gjë që mund të thuhej. Fjalët se Europa ishte goditur mu në zemër të saj nuk mungonin pothuajse në asnjë formulim lajmesh. Kishte në to befasim, dhimbje, tmerr, si për diçka që ndodhte për herë të parë.
Pavarësisht prej hijes së saj prej zonje të rëndë, Europa nuk ka qenë e pagoditshme. Madje kishte ndodhur që dy nga katër gadishujt e saj, atë Iberik dhe atë Ballkanik, ia kishin shkëputur me forcë shekuj më parë. I përkas njërit prej popujve ballkanas , që e ka humbur dy herë Europën: në shekullin e XV dhe atë XX, në komunizëm. Mendoj se popujve që u ka rënë një fat i tillë, kanë një qasje të veçantë, tepër të ndjeshme, për atë që ndodhi.
Ndonëse e përsëritur, tragjedia jepte, siç u tha, përshtypjen e diçkaje të re, të panjohur. Nën ndriçimin e saj, u qartësua befas edhe një herë, raporti i kontinentit europian me krejt globin tokësor. Është e vërtetë se ky konsiderohet si kontinenti që më shumë se kushdo, ka përfituar prej planetit tokë, por ndërkaq është po ai që më shumë se kushdo i ka dhënë këtij planeti. Ajo çka Europa ka dhënë, i përket një sfere të epërme, asaj të vlerave shpirtërore: mendim, art, letërsi, demokraci, gjer te liria e shprehjes, për të cilën u godit.
Tipari i parë i këtyre vlerave bën pjesë në aktet më sublime të njeriut. Ndryshe nga pasuritë lëndore tokësore, ndryshe nga pyjet, nafta, bankat, që secili vend i gëzon për vete, vlerat shpirtërore i nënshtrohen ligjeve të tjera. Asnjë popull ose familje popujsh nuk i krijon ato vetëm për vete, por njëherësh, aty për aty, qysh në ditën e parë të krijimit të tyre, natyrshëm ua fal, pra ua dhuron tërë popujve. Kështu Europa krijoi Danten, Shekspirin, Bethovenin, vetë Parisin, për vete dhe për krejt botën. Ky ka qenë, me sa dukej, ai zbulim që u qartësua befasisht, si nën ndriçimin e një rrufeje: mirënjohja planetare për Europën, kontinentin e goditur. Bashkë me mesazhin se Europa është e shtrenjtë për krejt njerëzimin, ndaj ajo jo vetëm ka të drejtë, por e ka për detyrë të mbrohet. Për vete dhe për të gjithë.
Shkrimi është botuar në gazetën franceze “Le Monde”

Filed Under: Featured Tagged With: Ismail Kadare, Kontinenti i goditur

VATRA, NJË JETË PËR HARMONINË FETARE- EKSTREMIZMI I PAPRANUESHEM PER SHQIPTARET

January 11, 2015 by dgreca

Nga Dr. Gjon Buçaj/Kryetar i Fderatës VATRA/*
Ne Foto: NË FOTO: KLERIKËT SHQIPTARË NËN DREJTIMIN E PRIFTIT ARBËRESH Antonio Bellusci duke bekuar darkën e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, me 29 Prill 2012 në prani të 1180 pjesmarrësve./
Lajmet se në luftimet në Siri dhe në Irak marrin pjesë edhe shqiptarë, përkrah organizatave terroriste siç janë ISIS dhe Al-Nusra, kanë shkaktue shqetsime të thella në botën shqiptare në përgjithësi, si mbrenda trojevet ashtu edhe në diasporë. Prandej aktivizimi konkret i organevet ligjore e të sigurisë, sidomos këto ditë në Kosovë, asht përshëndetë me vlerësim si nga organet institucionale ashtu edhe nga publiku i gjanë.
Mediat njoftojnë se Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e ka cilsue arrestimin e 40 personave të dyshimtë, si akt me qellim “që të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurtë, e qetë dhe tolerante, e zhveshur nga terrorizmi dhe kriminaliteti, dukuri këto që po nënçmojnë traditën tonë të gjatë të tolerancës fetare dhe janë në kundërshtim të plotë të vlerave dhe idealeve mbi të cilat ndërtuam shtetin tonë”.
Edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka theksue se “Kosova nuk do të jetë tokë e plleshme për armiqtë e vlerave Euro-Atlantike të Kosovës, të drejtat e njeriut, liritë e plota fetare dhe sistemin kushtetues sekular”.
Ka premtime se ndjekja ligjore do të vazhdojë, me qellim për të shpëtue Kosovën nga rreziku i pallogaritshëm që mund t’i sjelli kjo doktrinë e hueja, e cila nuk ka të bajë me islamizmin e vërtetë, por përkrahet dhe financohet nga ambjente anmike të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Përvoja tregon se doktrinat ekstreme munden me u mjellë ma letë në mjedise ku vorfnia dhe papunësia janë të nalta; mjerisht të dyja janë të dukshme jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipni, kurse në botën arabe shto edhe primitivizmin; atje vrasin njeni tjetrin në menyrnat ma barbare, në emën të të njajtin Zot. Nuk asht punë për shqiptarët me u ndimue atyne në këtë lloj krimi të pakuptim.
Nji fjalë e urtë thotë: “Në se nuk të ndigjohet zani për mirë, asht ma mirë mos me t’u ndigjue aspak”. Mirëpo, asht edhe nji proverb tjeter negativ që,mjerisht, gjenë jehonë te nji pakicë: “Burri e ka me borxh me iu ndigjue zani, për mirë ja për keq”. Te kjo pakicë asht rrezik se mund të krijohen idhuj të gabuem, prandej rroli edukues i medias së shkrueme dhe i asaj elektronike asht me shumë randësi, krahas me vendosmëninë në veprim pa ekuivoke të institucioneve ligjore dhe fetare.
Përsa u përket besimevet tona, VATRA i ka dhanë randësi harmonisë ndërfetare, prandej ka ba thirrje që ajo të ruhet, tue përkrahë dhe tue mbrojtë institucionet dhe klerikët që e ushqejnë këtë ndjesi fisnike kombëtare. Kemi porositë mbrojtjen e tyne pse janë vrejtë raste violence nga radikalët agresivë kundër klerikëvet që mbajnë rrugën tradicionale të fesë e të kombit. Në fund të këtij shkrimi po sjellim për lexuesat disa citate që pasqyrojnë këtë qëndrim të Vatrës.
Kosova ka përballue probleme shumë ma të mëdha gjatë historisë së vet, prandej nuk ka dyshim se edhe këtë problem shqiptarëtdo t’a kalojë me dinjitet.
New York, 20 gusht 2014
“…..për interes të nji Shqipnie të lirë e të pavarun, të radhitun pranë kombeve tjera t’Europës, me një demokraci të modelit perëndimor ku respektohen liritë themelore të njeriut, ku ruhen e kultivohen traditat e mira civilizuese dhe harmonia mes shqiptarëvet vëllazën të një gjaku….”. (Kryeministrit Berisha me 23 shtator 2007).
******
“….Kombi ynë karakterizohet nga tri fe tradicionale dhe secila ka vendin e vet, pa i hyrë në pjesë tjetrës. Kombi nuk mund të identifikohet as me njërën, as me tjetrën më vete, por me të tria bashkë. Kjo përbën thelbin e shkueshmërisë fetare dhe ne duhet të krenohemi me harmoninë tonë fetare. Kjo është pasuria me të cilën trokasim për të hyrë në dyert e Europës. Është fakt se kombi ynë është në Evropë dhe po shkon drejt saj me dy shtete shqiptare. Nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë se në këtë shekull, por harmoninë duhet ta ruajmë fort, si pasuri Kombëtare. Ata që veprojnë kundër nuk punojnë përKombin….”.
(Editorial igazetës “Dielli” – 3 gusht 2013)
******
“….Kremtimet kryesore në New York do t’i fillojnë klerikët udhëheqës të besimevet tona me me nji lutje ndërfetare, për të dishmue harmoninë e bashkëjetesës së shqiptarëve të nji gjaku me besime të ndryshme…”. (Nga Libri Përkujtimor (Zhurnal) i 100 vjetorit, 2012)
******
“….në Vatër i apim shumë randësi bashkëjetesës në harmoni të shqiptarëvet me besime të ndryshme. Harmonia ndërfetare te na asht trashigue nga rilindësat, si nji shtyllë me randësi në themelin e kombit tonë të përbashkët….. Besojmë se në trojet shqiptare duhet kushtue ma shumë kujdes këtij subjekti dhe duhen përkrahë klerikët që shërbimin shpirtnor e ushtrojnë me përkushtim edhe në frymën kombëtare….Përkitas me temën e besimevet, po lejohem të theksoj se Vatrën e shqetson zbehja graduale e Autolqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila u realizue me nismën e Fan Nolit dhe me përpjekjet e shumë të tjerëve, si arritje me vlerë të randësishme kombëtare.”.
(Intervistë me revistën “Shenja”, Viti III, Nr. 27. Korrik 2013).
******
“….Këtë herë po përqendrohemi tek randësia që harmonia ndërfetare e shqiptarëvet ka për stabilitetin dhe për mirëqenjen e kombin tonë. E shohim nevojën që, organet shtetnore e kulturore, të tregojnë ma shumë vlerësim, përkrahje dhe mbrojtje, për institucionet fetare dhe për klerikët të cilët, shërbimin shpritnor, e ushtrojnë me përkushtim për besimin përkatës dhe, në të njejtën kohë, ia njofin vleren dhe i dalin zot vëllaznimit të gjakut shqiptar….”
Presidentit Nishani, 24 shtator 2013).
******
“Kërkojmë vëmëndje dhe vëlerësim më të madh për rëndësinë që ka harmonia ndërfetare te shqiptarët, e cila është halë në sy të armiqvet, por gur në themelin e trollit të përbashkët kombëtar. Nuk është e domosdoshme të jeshë besimtar për të njohur këtë vlerë që kemi trasshëguar nga Rilindësat. Klerikët dhe institucionet që shërbimin fetar përkatës e ushtrojnë në frymën kombëtare, kanë nevojë për vëlerësim e përkrahje ma shumë, ndonjëherë edhe për mbrojtje, nga organet shtetërorë, qeveritare e kulturore”. (Kryeministrit Rama – 26 shtator 2013).
* NË FOTO: KLERIKËT SHQIPTARË NËN DREJTIMIN E PRIFTIT ARBËRESH Antonio Bellusci duke bekuar darkën e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, me 29 Prill 2012 në prani të 1180 pjesmarrësve.
* U botua ne DIELLI, gusht 2014

Filed Under: Featured Tagged With: FETARE- EKSTREMIZMI I PAPRANUESHEM, Gjon Bucaj, nje jete, PËR HARMONINË, per shqiptaret, Vatra

Vdes nga të ftohtit në Hungari një shqiptar nga Ferizaj

January 7, 2015 by dgreca

Në Kosovë, autoritetet thanë se një shqiptar është gjetur i ngrirë në Hungari. I ndjeri po synonte të hynte në rrugë të paligjshme në vendet e Bashkimit Evropian.
Ambasada e Kosovës në Hungari tha se është bërë identifikimi i trupit të pajetë dhe tash për tash autoritetet hungareze po punojnë për ndriçimin e rrethanave të ngjarjes.
Ndërkaq, Muharrem Svarqa, kryetar i komunës së Ferizajt, rreth 40 kilometra në juglindje të Prishtinës, tha se qytetari Ali Fetahu, nga fshati Talinoc i Muhaxherëve të Ferizajt, ka humbur jetën në Hungari, si pasojë e kushteve atmosferike, derisa po synonte rrugën e mërgimit.
Kohët e fundit në Kosovë janë rritur shqetësimet për shtimin e numrit të personave që po përpiqen të largohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Autoritetet thonë se grupe qytetarësh po e shfrytëzojnë territorin e Serbisë për të kaluar në Hungari dhe prej andej në ndonjërin nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, në kërkim të një jete më të mirë. Ata thonë se grupe trafikantësh janë duke shfrytëzuar situatën për përfitime në kurriz të qytetarëve që përballen me gjendje të keqe ekonomike.
Një pjesë e diplomatëve të vendeve të Bashkimit Evropian kanë tërhequr vërejtjen se qytetarët e Kosovës nuk mund të fitojnë strehim në vendet e Evropës perëndimore, ndërsa u kanë bërë thirrje autoriteteve që të merren edhe me faktorët nxitës për emigrimin.
Në dhjetor Këshilli i Ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në përfundimet e tij për Kosovën, theksoi se nevoja për reforma strukturore ekonomike që trajtojnë shkallën e lartë të papunësisë është duke u bërë urgjente.
Komisioni Evropian hapi bisedimet me Kosovën për liberalizimin e vizave në janar të vitit 2013. Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropën Juglindore jashtë këtij procesi dhe qytetarët e saj mund të udhëtojnë në shumë pak vende pa viza.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Featured

DR. BUÇAJ: DEKORIMI I MARTIRËVE TË VATRËS, AKT DREJTËSIE KUNDËR PADREJTËSISË

January 6, 2015 by dgreca

-Intervistë me Kryetarin e Vatrës, Dr.GjonBuçaj,me rastin e dekorimi të martirëve të Vatrës, dënuar nga diktatura komuniste*/
Dielli- Dr. Buçaj, në prag të festës së pavarësisë së Shqipërisë ju udhëtuat me një delagacion të Vatrës në Tiranë.Tashmë është bërëpublik fakti se qëllimi i atij udhëtimi ishin dekorimet që bëri Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani për martirët vatranë.A mund t’u jepni më shumë hollësi vatranëve përecurinë e asaj vizite?
Dr. Gjon Buçaj- Po, ai ishte qëllimi.Që në shtator kur ishte në New York, president Nishani na kishte ba me dije se martirët e Vatrës, do të dekoroheshin në nji ceremoni të organizueme me rastin e përvjetorin e pamvarsisë. Kur erdhi njoftimi nga Presidenca se data e dekorimit ishte caktue 24 nandori na bamë rezervimet e udhëtimit bashke me djalin tim, Eduardin dhe, në të njetën kohë, shpërndava njoftimin Kryesise dhe antarëve të Këshillit Drejtues me sygjerimin se do të ishte mirë që kushdo kishte mundsi të udhëtonte në atë rast për në Tiranë, për të marrë pjesë në ceremoninë ku kreu i shtetit shqiptar do të nderonte pas vdekjes disa vatranë të cilët kishin ra viktima të pafajshme tëregjimit gjakatar komunist. Fillimisht shprehu gatëshmeninë të vinin sekretarja e Vatrës znj.Nazo Veliu së bashku me z. Veis Belliu, si dhe antari i Këshillit Drejtues z. Çezar Ndreu.Kur erdhinjoftimi se përveç 12 martirëvet vatranë, me atë rast do të dekorohej edhe nënkryetari z. Agim Rexhaj, edhe ai bashkë me znj. Laura udhëtuen për në Tiranë.Ceremonia u zhvillua në ambientet e Presidencës në orën 5 të mbasdreketë 24 nandorit, në prezencën e shumë familjarëve të personaliteteve që dekoroheshin, si dhe të disa ish të burgosun dhe të persekutuem politikë. Takimi ishte i ngarkuem me emocione dhe për ne ishte gjithashtu nder që takonim farefisin e atyne atdhetarëve të cilët kanë qenë gjithëmonë inspirim për ne me veprimtarinë e tyne në shërbim të shqiptarizmit. Mbas ceremonise dhe përshëndetjevet dhe falënderimevet me presidentin, në emën të Vatrës shtruem nji koktel për pjesëmarrësit në restorantin Piazza me pronar z. Kadri Morinaj. Duhet përmendi me mirënjohje se ai refuzoj pagesën prej nesh.Ashtu si edhe pronari i hotelit Tirana International z. Ramë Geci nuk pranoi pagesat nga unë, as nga nenkryetari Rexhaj për dy dhomat gjatë kohës që qëndruem në Tiranë. I falenderojmë.
Dielli-Si dhe kur lindi ideja për dekorimin e martirëve të Vatrës?
Dr. Buçaj- Kujtimi i atyne që e themeluen Vatrën dhe e mbajtën me sakrifica në veprimtari të pandërpreme në sherbim të kombit, ka qenë gjithëmonë frymzim dhe shtytje për të vazhdue në gjurmat e tyne. Mirënjohja dhe admirimi për këta veprimtarë patriotë kanë qenë gjithëmonë prezent gjatë çdo kohë që jemi marrë me Vatrën.Kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës e kemi quejtë si akt vlersimi dhe mirënjohjeje për paraardhësit.Prandej nderimin e tyne e kemi pa si detyrë. Në mënyrë të posaçme na ka randue fakti se,në vend të nderimit dhe mirënjohjes,disa nga vatranët kanë marrë,në mënyrë mizore, ndëshkim të pamerituem, “në emën të popullit”. Kjo e ka ngarkue kombin me borxh ndaj këtyne martirëve.Prandej, në shtatorin e vitit të kaluem, në nji takim pune me presidentin Nishani në NY, i shprehëm mendimin se do ti kërkonim dekorimin e disave nga vatranët të cilët, mbas sherbimit për çashtjen kombtare ne Shetet e Bashkueme, u kthyen dhe vazhduen në atdhe veprimtarinë e tyne gjithënji në frymën e shqiptarizmit. Presidenti Nishani na tha se propozimin do ta merrte në shqyrtim me seriozitetin ma të madh. Mbas kërkimesh dhe konsultimesh, muejtëm me përpilue nji listë prej 12 vetësh të cilën ia dërguem presidentit. Kjo ishte mënyra se silindi ideja për dekorimin e martirëvet të Vatrës.
Dielli- Mendoni se u krye detyrimi moral i Vatrës ndaj vatranëve të persekutuar apo të pavlerësuar nga regjimi komunist me këto dekorime?Po për të tjerët, që kanë dhënë kontribut dhe kanë ndërruar jetë këtunë SHBA, a është menduar për ndonjë vlerësim në të ardhmen?
Dr. Buçaj- Kësaj here Vatra ka marrë inicjativën për të nderue vatranët që kanë emnues të përbashkët përsekutimin nga komunizmi, por ka edhe të tjerë të cilët kanë vdekë jashtë atdheut dhe nuk janë vlerësue nga shteti shqiptar; disa nga ata regjimi diktatorial do t’i kishte rreshtue me martirët po t’ikishte futë në dorë. Natyrisht vlerësimi dhe nderimi i veprimtarëve atdhedashës asht nji proces të cilin shteti shqiptar duhet t’a vazhdojë dhe kjo nuk asht detyrë vetëm e “Vatrës”. Shteti shqiptar duhet të vlerësojë edhe dhetamija viktima të tjerë tëpafajshme të regjimit pro sllava ntikombëtar edhe antinjerzor komunist. Por kjo nuk pritet se do të realizohet përderisa shoqnia shqiptare të mos i ketë la hesapet me të kaluemen tragjike të diktaturës.
Dielli- Ka personalitete të Vatrës, si Kristo Dako psh, që ka qenë kryetari Vatrës,editor i Diellit, delegat në Konferencën e Paqës, botues, autor librash, drejtor i Institutit të Lartë Femëror në Kamëz,pra me kontribut Kombëtar, që ende nuk është vlerësuar. Po ashtu shkrimtari Arshi Pipa, edhe pse një periudhë të shkurtër ka drejtuar Vatrën dhe ka edituar Diellin, por ka qenë gjithmonë në krah të Vatrës?
Dr. Buçaj-Përgjigjia e pyetjes para kesaj vlen pjesërisht edhe për këtë. Veprimtarëve të masipërm, ende të pavlerësuem, mund t’ushtohen edhe Kostë Çekrezi, Qerim Panariti, Rifat Gurrazezi, Xhevat Kallajxhiu, Hamdi Oruçi, Athanas Gegaj, Eduard Liço e të tjerë. Të gjithë duhen vlesërsue për kontributin politik e kulturor në dobi të çashtjes kombëtare.Kjo asht detyrë kryesisht e shetit Shqiptar.Kësaj here na jemi përqendrue tek nderimi i vatranëve që ranë viktima të komunizmit. Realizimi i dekorimit t tyne mendoj se ka randsi historike pse asht nji akt drejtesije kunder padrejtesise qe denon krimet absurd te komunizmit dhe bjen ndesh me qendrimin armiqsor të atij sistemi kundër vlerave që shërbyen atdheut në periudhat e ndryshem, pra në rrethana lirie ose edhe nen okupimin e huej. Atdheut i keborxh dashunine dhe ndimen me sakrifica jo vetem kurasht mire por edhe kur asht keq, jo vetem kur asht i lre, por edhe ma teper kur nukasht i lire.Prandej dekorimi i tyne ka qenë detyrë morale dhe juridike.
Dielli- Po ashtu me të njëtin dekoratë u vlerësua edhe zv/kryetari i Vatrës,z. Agim Rexhaj, ndërsa më parë jeni dekoruar ju dhe presidenti i nderit i VATRES, z. Agim Karagjozi. A mund të jepet një sqarim publik se kush ishte institucioni që bëri propozimet?
Dr. Buçaj-Askush nga Vatra nuk ka ba propozim për dekorime, përveç martirëvet të Vatrës. Nuk e dijmë se çfarë institucioni i ka ba propozimet, por asht fakt se presidenti Nishani ka sjell dekorata edhe për personalitete dhe aktivista të tjerë të diasporës. Dekoratat për ne të gjallëve të Vatrës na kanë ardhë krejtsisht të paprituna. Me ato nderohet Vatra dhe na do t’i mbajme me pervujtni, tue dijte se ka shume te tjere me merita sa na, ne mos edhe ma shume se na.
Dielli- Ju dorëzuat në selitë e Komuniteteve fetare fotografinë simbolike të klerikëve, pjesmarrës në 100 vjetorin e Vatrës.Diçka më shumë për mesazhin përcjellës dhe si u pritën ato?
Dr. Buçaj-Siç dihet, në kremtimit e 100 vjetorit të Federatës Pan Shqiptare Vatra që u organizu në prill 2012 në NY kanë qenë prezent në vend nderi përfaqsuesit ma të lartë klerikë të besimevet tona. Kemi dorzue institucioneve fetare nga nji fotografi prej atij kremtimi ku pasqyrohet kjo prezencë historike, që simbolizon harmoninë ndërfetare tek ne shqiptarët.Si e tillë u prit dhe u vlersue nga titullarët e institucionevet fetare si në Tiranë asht edhe në Prishtinë.
Dielli- Në Tiranë ju patët shumë takime, a mund t’i përshkruani me detaje?
Dr. Buçaj-Na kemi shkue me program zyrtarpër të marrë pjesë në ceremoninë e dekorimit të martirëvet vatranë dhe shfrytëzuem rastin për të sjellë fotografitë e klerikëve. Por në intervale te shkurta te kohes patëm kënaqsinë të takohemi edhe me disa nga miqt dhe personalitetet qe i kemi takue ne te kaluemen, qofte si mysafire ne Vater, qofte si mikpritesa ne Shqipni, si me kryetarin e bashkisë në Tiranë, Zotin Lulzim Basha, me ish kryemistrin Dr. Sali Berisha, z. Eduard Selami dhe miq të tjerë, sidomos ish të përndjekun politikë, z. Simon Mirakaj, Reshat Kripa, Uran Kostreci, Uran Butka, e të tjerë.
Dielli- Pas Tiranës, ju udhëtuat drejt Prishtinës.Cili ishte qëllimi dhe në çfarë aktiviteti morët pjesë?
Dr. Buçaj-Në Prishtinë udhëtuem, së bashku me z. Çezar Ndreu i cili vizitonte Kosovën për të parën here.Ndersa Çezarit iu desh te nesermen te kthehej ne Tirane megjithe kusherinin e vet Bashkimin qe na solli ne Prishtine me makine, une me Eduardin morëm pjesë në promovimin e librit “Letër Këmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” me autorë Skender Blakaj dhe Ismail Islmajli. Për botimin e këtij libri vatranet kane ndimue edhe pse ndër këto letër këmbime janë shumë nga Faik Konica, disa të panjoftuna ma parë.Libri, u promovue nga akademikë dhe autorë të njoftun,u prit shumë mirëdhe u komentue pozitivisht nga media. Kemi sjellë, me autografinë e autorit Blakaj, nga nji ekzemplar për të gjithë ata që kanë ndihmue financiarisht për botimin e tij, tue e ba Vatren bashkebotuese.
Dielli- Qeveria e majtë me kryeministër Ramën, ka sjellë një risi në mandatin e saj: Ka lejuar shfaqjen e portreteve të diktatorit Enver Hoxha, ndërkohë që përmes Bunk-Art, ka ekspozuar imazhet e udhëheqjes komuniste.Po mbushet një çerek shekulli dhe ende nuk ka një ligj që të dënojë Enver Hoxhën, që ende mbanë titullin Hero i Popullit…e të tjerë. Komenti juaj në emër të Vatrës?
Dr. Buçaj-Mund të them se shfaqj e portretit të dikatorit Enver Hoxha asht nji dukuni anakronike e cila shqetson shoqninë shqiptare dhe fyen të gjithë ata që vuejtën nga diktatura sllavo-komuniste.Mund të ju kujtohet se para zgjedhëjeve të vitit kaluem Vatra pat marrë qendrim kundër kualcionit të majte, për solidaritet me shtresën e ish të përndjekunëvet politik, të cilët kishin shprehë shqetsimin për sllogane pro diktatorit dhe për kërcenime për të kthye portretin e tij në sheshet e qyteteve të Shqipnisë. Këtë shqetësim ia kemi përmende edhe zotit Rama, kur ishte në New York mbas fitores së zgjedhjeve. Mungesa e denimit të krimeve dhe të krimineleve të komunizmit dhe të kryekriminelit Enver Hoxha, e len rrugën hapët për këtë dukuni recidive të së kaluemes tragjike dhe pengon zhvillimin dhe ecjen përpara të shoqnisë shqiptare. Qendrimi i Vatrës ka qenë i kjart që në fillimin e ndryshimevet politike mbas ramjes së murit e Berlinit. Shqipnia duhej të shkëputej nga e kaluemja e diktatures së kuqe, duhej të hapëshin dosjet, të zbatohej ligji i lustracionit, të vendosej respeki i të drejtave themelore të njeriut me kthimin se prones të konfiskueme nga komunizmi dhe me damshpërblimin dhe integrimin e shtreses së ish të përndjekunëvet politikë, duhej të denoheshin krimet dhe kriminelet dhe të kërkohej falje për krimet dhe padrejtësitë e ushtrueme mbi kurrizin e popullit per nji gjysme shekulli. Këto i kemi kërkue në mënyrë vazhdueshme si kushte të domosdoshme për ndertimin e nji shoqnie demokratike me ligj e drejtësi dhe pa korrupsion.Kësaj here ka propozue hapjen e dosjevet edhe kreu i partisë socialiste.Realizimi i ketij propozimi do te zhdukte edhe korrupsionin, pse Ligji i Lustracionit duhet te perfshije edhe transparencen e pasunise prrallore te grumbullueme nga hajnat dhe plaçkitesat qe i kane nxane frymen zhvillimit ekonomik dhe permiresimit te jetes se qytetarevet. Do të shohim shpejt ne se do te jete kjo nji nisme serioze, apo do të mbetet hipokrizi si deri tash.
Dielli- Si do t’i komentonit zhvillimet në Kosovë, cili është qëndrimi i Vatrës?
Dr. Buçaj- Çashtja e Kosovës ka qenë gjithëmonë në qendër të interesimit dhe të veprimit për lirimin nga robnia sllave. Tash që asht e pamvarun shqetësimi i Vatrës asht njisoj si ai i popullit te saj: për ecuninë drejt konsolidimit të pamvarsisë dhe të krijimit të nji jete ma të mirë e ma të drejt për kosovaret, të cilëvet korrupsioni dhe karrjerizmi po ia nxen fryemën. Besoj se popullin e Kosoves kjo gjendje e ka çue në kufi të durimit.
Dielli-Çfare do te veçonit nga zhvillimet ne trojet etnike?
Dr. Buçaj-Negative, mungesa e bashkëpunimt ne mes forcavet politike. Pozitive, rritja e patriotizmit dhe përforcimi i ndjenjes së bashkimit kombëtar në popull.Nisma private per te ndertue shpija nevojtarevet ne Luginen e Presheves, asht nji drite frymezimi.
Dielli- Si do ta vlerësonte veprimtarinë e Vatrës në mbyllje të këtij viti kryetari Buçaj?
Dr. Buçaj-Veprimtaria e Vatrës ka nji kahje pozitive me rritjen e numrit të anëtarëvet dhe me shtuemjen e degëvet.Duhet kujdes për ma shumë spjegime degëvet të reja dhe anëtarëvet të rinj mbi mënyrën e funksionimit të Vatrës si organizatë.Asht kënaqësi kur vren frymën e idealizmit atdhetar edhe tek radhët e reja që po i bashkohen Vatrës gjithënji e ma shumë.
Dielli- Cili është mesazhi në këtë fundviti?
Dr. Buçaj-Shëndet e gëzime dhe suksese të gjithë shqiptarëvet kudo janë, si dhe vatranëvet me urimin që ta mbajnë entuziazmin në rritje për nji Vatër të fuqishme në sherbim të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të çashtjes kombëtare, në frymën që na lan themeluesat dhe paraardhësat tanë.
Dielli- Faleminderit për intervistën!
Dr. Buçaj-Ishte kënaqsi.Edhe Editorit i uroj shëndet e gëzime familjare dhe ma shumë ndimë nga vatranët dhe nga lexuesat për “Diellin”.(Intervistoi:Dalip Greca)
*Kjo interviste u publikua ne Diellin e Dhjetorit 2014

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: AKT DREJTËSIE, dalip greca, DR. BUÇAJ: DEKORIMI I MARTIRËVE TË VATRËS, Interviste, KUNDËR PADREJTËSISË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 664
  • 665
  • 666
  • 667
  • 668
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT