• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TULIPANI…*

December 16, 2013 by dgreca

Kur rritet inati, mendo pasojat…/

Konfuci/
…Vironi u përpoq ti shmangej shikimit të ngrirë, të errët si pellg me zift, të Çao Dao Bu-së. Eci përgjatë tezgave me barishte, spinaq, lëpjeta, radhiqe, rrepka, karota dhe qepë. Pak më tej ishin tezgat e shtrembra sikur do binin përdhe të mbushura me patate të vjetra me gunga. Të gjitha këto prodhime ishin të mbledhura prej fshatarëve nëpër skërkat e maleve, mezhdat e arave dhe në zgavrat e përrenjve. Ecte ngadalë për tu treguar i preokupuar në sy të saj, në blerjen e prodhimeve të stinës

Përgjimi dhe vështrimi i Çao Dao Bu-së ishte acarues. Ajo shoqërohej nga dashnori i përkushtuar, shitësi veshllapush i peshkut, Kim Kum Il. Ata ngriheshin në majë të këmbëve, zgjateshin majtas djathtas, bënin veprime të hallakatura. Të dy lëvrinin të paduruar, donin të fshiheshin e të përgjonin njëherësh, nxituan në anën tjetër, shtynë padashur me bërryla shitësit e nervozuar, rrëzuan spinaqin, e shkelën me këmbë. Kërkuan të falur me sy të trishtuar, duke bashkuar pëllëmbët dhe përkulur me përulje kokat.

Vironit përnjëherë iu krijua përfytyrimi se zhapiku dhe bretkosa ishin më simpatikë se këta dy njerëz që zvarriten nëpër baltovinën e pazarit. Spërkatin me zift dhe kacafyten me shitësit  fatkeq, të cilëve po u shpërdorohej dhe shkelej malli i mbledhur me aq mund e sakrifica.

Vironit nuk i bëhej të qeshte, qëndroi, u mbush me frymë dhe fshiu djersën. Brenda disa orësh mësoi nga jeta shumë gjera,të cilat si kishte menduar më parë. Njohu sa me vlerë dhe e gjithëpushtetshme është kur të do dikush. Sa e madhe është dashuria e May Lee-së, femrës së mrekullueshme që, për djemtë vendas por edhe për vetë atë, quhej ëndërr e purpurte e pakapshme, fluide që i afrohej dhe largohej si era. Nuk mund të prekej dhe të ledhatohej.

Vajza e ëndërrt, e magjishme May Lee i dhuroi  gjithçka me fisnikëri, si rrallë ndonjë femër, me gjithë pasionin dhe forcën e shpirtit. Atëhere e kuptoi se ndjenjat e brishta nuk janë lodra, ato janë shungulluese. Dashuria dhe ndjenja e një femre kur të do me pasion nuk ka pengesë ta ndalë. Ajo nuk ishte e akullt, enigmatike, me mjegull të hirtë e shi të imët mbuluar, si pikturat e rëndomta që shiten në pazarin e antikuarëve. May Lee ishte ajri dhe vlaga, ëndrra dhe realiteti, dashuria dhe jeta, vetë dhurata e bukurisë dhe zjarrit femëror. Ajo ishte gjithësia, të cilën ia dhuroi pa ngurrim. Ndjenja, brishtësia, dashuria, sinqeriteti  nuk kanë masë dhe peshë të peshohen. Burojnë prej zemrës dhe shpërthejnë si vullkan i zjarrtë.

Vironi nuk besonte se njerëzit aziatikë,të skajit të largët, të kenë ndenja aq të prekshme, të patjetërsueshme, të dallgëzuara si uragane, shpërthyese sa shkundin dhe thërrmojnë malet.

Për herë të parë në jetën e vet u ndje i lehtë, me flatra dhe me frymëmarrje të plotë. Se janë ca gjëra të pashfaqura, të nëndheshme, të cilat lëvizin me tërsëllëm dhe ngrihen me vërtik përpjetë. Të bëjnë ta shijosh jetën, të mbash në buzë mushtin më të papërsëritshëm. E magjishmja May Lee në momentet e mrekullueshme të dashurisë qe ajër i freskët, fllad, këngë, burim gurgullues  e përnjëherësh llavë e zjarrtë.

U largua i përhumbur prej saj, duke u kalamendur,  vetëm sa kishte hedhur këmbën dhe shkelur lehtë, butë në parkun e Edenit. Pastaj gjithçka rrodhi aq shpejt dhe furishëm, kapërceu i hutuar deriçkën e vogël dhe shtegun e ngushtë të përmbytur nga ferrat dhe drizat. U përkul, gati u zvarrit nëpër monopatin që i treguan, pa i kushtuar rëndësi ferrave dhe gjembave se mund të çirrej apo të shpohej. Vironit akoma nuk i besohej për bukurinë që preku dhe e shijoi aq shumë, kundërmimi i trupit të saj e drithëronte, ndjehej i mbushur aq sa i mbahej frymëmarrja, por i pa nginjur…

Vironit iu duk e neveritshme të bënte rolin e të tremburit, fajtorit, kur nuk kishte arsye. Gjendej si gjithë qytetarët e tjerë në mes të pazarit të madh, ku zallahia dhe rrëmuja ngrihej në kupë të qiellit. Bëri një hap të madh majtas u doli përpara, qëndroi dhe priti të afrohej drejt tij përzierja e shpifur midis zhabjakut dhe bretkosës.

Çao Dao Bu nuk e priste ngulmimin dhe afrimin e djalit, ndaloi disa hapa larg tij, u kapërdi me vështirësi dhe mbajti për krahu shitësin e peshkut. Ajo u pështjellua, nuk e mendonte se huaji do ta vështronte drejt ne sy pa i lëvizur bebja e syrit. I u tha pështyma në gojë, iu bë i hidhur farmak, bëri të kthehej, të ikte nga sytë këmbët në shtegun më të parë midis tezgave, por shitësit e ndiqnin me sy të egërsuar dhe i dilnin përpara. Ajo u shmang, donte të lëvizte në krahun tjetër, gjithsesi rrugina midis tezgave ishte e ngushtë dhe ata me patjetër do të piqeshin. Çao Dao Bu shtrëngoi nga krahu shitësin e peshkut Kim Kum Il dhe shpejtoi hapin me shikim të ulur përtokë.

-Sa mirë që u takuam Çao Dao Bu,- i foli Vironi me nënqeshje të lehtë dhe njëherësh e zhbiroi me sy.

Ajo u përtyp, tërhoqi e hutuar kryet prapa dhe mërmëriti me keqdashje të hapur:

-Nuk di ku ta shoh të mirën e këtij takimi!

Luajti me nervozizëm kryet si kulaçi i lulediellit që lëkundej prej erës, ndërsa shitësi veshllapush i peshkut Kim Kum Il u kollit me ndërprerje.

Vironi u mërzit dhe për një moment mendoi ta zgjaste bisedën me Çao Dao Bu-në, ta ngacmonte dhe të shfryhej me shëmtimin e tjetërsimit të fytyrës së femrës, por ndërroi menjëherë mendje. Nuk duhej ta tendoste akoma më tepër gjendjen. Ajo ishte një bretkosë e keqe që nuk dinte vetëm të kuakte, por edhe të përlyente dhe fëlliqte me ndotje dheun e shkrifët dhe lulet e freskëta. Gjithashtu, nëse ai fshihej, do dredhonte, tërhiqej nëpër fëlliqësirat e pazarit, me siguri do shtohej oreksi dhe dyshimi i  përgjueses, shkollares shembullore Çao Dao Bu.

Ai e shoqëroi me bisht të syrit tjetërsimin e fytyrës së vajzës, si metal i ndryshkur,  pa larguar prej fytyrës së tij buzëqeshjen cinike.

Vironi përsëri ndjente mëshirë dhe përbuzje për këtë femër fatkeqe, të paditur, që hante veten e vet prej xhelozisë dhe marrëzisë. Ndërsa Çao Dao Bu e urrente thellësisht, përbindshëm, aq sa t’ja nxirrte sytë me thonj këtij studentit të huaj, bukurosh, i cili pabesisht dhe pa pikë turpi u hyri në mes May Lee-s dhe asaj.

Ata u larguan pa kthyer kokën nga njëri tjetrit, por përgjonin me bisht të syrit, ecën me hapa të shpejtuara në skaje të kundërta. Çao Dao Bu u fut sërish me hap nervoz dhe të ngutur në rrugët e ngushta të skajit lindor të qytetit. Vironi doli prej pazarit, me hapa të ngadalta, kapërceu rrugën ndarëse dhe u fut në rrugën kryesore. Duke pasur në krah të djathtë qytetin model, të mrekullueshëm por fatkeqësisht fantazmë, të magjisë socialiste.

Filloi të binte shi. Vironi ngriti jakën dhe shpejtoi hapin. Stacioni i autobusit për të shkuar në qytetin e studentit ishte larg. Dy blloqe më poshtë se monumenti njëzet metra i lartë i derdhur në bronc i udhëheqësit të lavdishëm Kim. Vironi la pas monumentin dhe kaloi me hap të nxituar në anën e kundërt të bulevardit, në trotuar, përballë bllokut të rrethuar me mure dhe hekura të udhëheqësve të lartë të partisë dhe të shtetit.

Shiu vazhdonte të binte, por ai nuk çante kryet, i shkrepi të vraponte. Magjia May Lee i kishte ngelur në mendje. Vajza  i dha kënaqësinë më të mrekullueshme. Autobusi i linjës së qytetit të studentit frenoi me zhurmë përpara këmbëve dhe ai kërceu brenda. Makina u mbush menjëherë plot. Shiu filloi të binte me furi, me erë, përplasej mbas xhamave të dritareve, fshirëset punonin me vështirësi.

Vironi vështronte rrëketë e shiut që përdridheshin, dredhonin, rrëshqisnin nëpër dritare dhe ndjeu menjëherë mall të madh për May Lee-në. Provoi pendesë të heshtur, si një pickim në zemër që nuk kishte ndenjur më shumë me të. Dikush e preku në shpatull, u kthye me bezdi, dalloi kaçurrelin dhe buzëqeshjen e gjerë te kubanezit Julio.

-Përskuqja e fytyrës sate më mahniti. Në cilat shtigje të pashkelura barite sot vëllaçko?- i foli Julio me zë të lartë, pa e ndarë buzëqeshjen.

Vironi e ndjeu veten bosh, u nervozua dhe e këqyri tjetrin me vëmendje. Nuk i pëlqeu kur tjetri i futi hundët, përnjëherësh e mbërtheu alarmi i zbulimit të sekretit të madh.

-Në shtigjet e sat ëme Julio,- ia ktheu me ton të thatë.

Julio u prish në fytyrë dhe tundi kokën ngadalë.

-Nuk bëj shaka,- foli me zë të lënduar dhe vazhdoi me ton të ngjirur. – Sa për dijeni, mos i përzje mamatë në biseda hidh dhe prit.

-As unë,- ia ktheu Vironi thatë dhe ktheu kokën mënjane.

Kubanezi Julio hodhi lart kaçurrelin dhe shfryu me inat.

-Ta kam thënë disa herë dreqi me brirë Viron don Zhuani,  mos u kruaj shumë me mua. Sa për dijeni nëna ime u vra prej Fidel Kastros katër vjet mbasi ai mori pushtetin. Ajo ka qenë ndër komunistet e para, por nuk ishte dakord me politikën dhe praktikën që ndiqte Fideli, i cili inkurajonte parazitizmin dhe varfërinë. Nëna e kundërshtoi ashpër në një mbledhje plenumi. Fideli shkuli qimet e mjekrës prej inatit dhe e quajti nënën antiparti, antipopull. E përjashtoi dhunshëm nga partia dhe e pushkatoi. Nëna ime ishte ndër femrat më të bukura të Kubës. Im atë, i frikësuar për jetën e vet mëshumë se sa për mua dhe për të rregulluar biografinë, shpëtuar persekutimit u martua me një kushërirë të afërt të mjekroshit, një lëneshë e shëmtuar me eksperiencë. Vunë kurorë, mjekroshi mori pjesë në dasmë, qeshte me zë të lartë. Mbaj mend më kishin veshur me një kostum të bardhë. Ai më mori pranë dhe pyeti babanë: ‘Ky është djali? Babai me vështrim të trembur luajti kryet me të shpejtë. Fideli ledhatoi mjekrën dhe vazhdoi : Ta edukojmë të bëhet komunist i devotshëm.’ Unë shkava prej gjurit të tij dhe ika tutje. Kupton Viron don Zhuani, ndryshe nuk do të isha këtu me ty në këtë skaj të largët aziatik,’ përfundoi me zë të grindur Julio.

Vironi e ndjeu veten keq:

-Më fal Julio,- i pëshpëriti.

Kubanezi shkundi kryet me bezdi, pastaj zbardhi dhembët dhe flaku në çast mërzinë.

-Sa për dijeni, edhe po të ishte ime më gjallë, ti nuk mund të bëje gjë sepse do të paloste me shikim, dreqi me brirë Viron don Zhuani.

Të dy qeshën dhe i rrahën shpatullat e shoqi-shoqit.

-Të dy jemi dreqër të këndshëm, more Julio kubanezi,- i ktheu Vironi.

-Jemi! Përse të mos jemi,- ia bëri Julio dhe zbardhi dhembët: – Ne mbartim mbi shpinë me ndershmëri proletare komunizmin eksperimental.

Shiu vazhdonte të binte, xhamat e makinës ishin veshur me avull. Autobusi bëri një rrotullim të fortë, ndaloi përpara kinoteatrit. Ata kërcyen dhe vrapuan drejt derës së hapur të kinoteatrit. Julios iu fut këmba e djathtë në një pellg me ujë, fytyra e tij u deformua nga ngërdheshja, pështyu në pellg por nuk shau. I trembej përgjimit:

-Këta aziatikë krijojnë pellgje për të njohur mëritë,- pëshpëriti Julio.

Tek kutia e postës, Vironi gjeti një zarf, dërguar nga i ati, zarfi ishte i portokalltë dhe pak më i trashë se herët e tjera. E grisi në cep, brenda gjeti letrën të shkruar me shkrim të madh në fletë fletoreje me kuti dhe dy fotografi të formatit të zakonshëm. Në të dyja fotografitë kishte dalë i ati i qeshur, i lumtur, kokë më kokë me Megi violinisten, mbas tyre dallohej sfondi i detit, me siguri ata duhej të kishin dalë në plazhin e qytetit të Durrësit. Me flokët e Megit luante era dhe ai dalloi ballin pak të kërcyer dhe të gjerë.

Mbrapa fotografive ishte shkruar me shkrim të kujdesshëm:

-Me mall të presim, babai(një hapësirë e vogël bosh, ku ndjehej mëdyshja,më pas)  nëna Megi.

‘Nëna Megi,’ mërmëriti me vete. Sikur nuk shkonte, ishte artificiale. Vështroi  shiun që binte përjashta. Iu kujtua nënë Vera, sa shpejt lihen mënjanë, sfumohen, derisa harrohen njerëzit e afërt, të dashur edhe pse me ta ke kaluar pjesën më të rëndësishme të jetës. I tmerrshëm qenka harrimi. Nuk do ta harronte kurrë nënën Vera.Vironit nisi ti pihej ujë, fërkoi qafën mbas këmishës dhe hodhi përsëri vështrimin përjashta ku vazhdonte të derdhej shiu dhe rruga ishte e përmbytur nga përrenjtë.

Nuk donte të mendonte gjëra të trishtuara. Ishte i mbushur me kujtime të këndshme, mezi priste të vinte dita e nesërme dhe të mendohej se si të gjente mundësinë të takohej me vajzën që dashuronte. Mbase dhe babai i tij Mirili e donte vërtet violinisten Megi. A mund të dashurojë njeriu dy herë me të njëjtin zjarr dhe pasion?  Dikur babai i tij Mirili ishte dashuruar, siç thuhej, çmendurisht me nënën e tij Vera.

Vironi hëngri disa biskota të thata, të zbutura në çaj të vakët, u zhvesh dhe u fut në rroba. Mbështeti kokën në jastëk dhe mbylli sytë, përnjëherësh i doli përpara May Lee e qeshur, e zhveshur, e mrekullueshme..

*Fragment nga romani” TULIPANI I KORESE” i autorit Kristaq Turtulli. Kapitulli I XXV

Filed Under: Featured Tagged With: fragment nga romani, Kristaq Turtulli, Tulipani i Korese

DSHM-ja kërkon fronin e “car Nikollës” në Shkup

December 15, 2013 by dgreca

Njëri nga themeluesit e Diasporës Shqiptare për Maqedoni (DSHM), Musa Lamallari, i njohur me emrin e artit në internet Tim Shkupi, vlerëson se qeveria e Nikolla Gruevskit nuk mund të mbijetojë më shumë se tri ditë pa shqiptarët./

“Tensionet ndëretnike janë rezultat i lojrave politike, i akterëve unitarist që mendojnë se sa më shumë që rrihen fëmijët e pambrojtur shqiptarë, aq më shumë do të rrijnë apo vijnë në pushtet. Në Maqedoni ka një proces politik, ekziston një Marrëveshje e Ohrit që e përfundoi luftën në vitin 2001, por nuk e ndërtoi paqen stabile. Krahas pengesave të mëdha në nivel të institucioneve shtetërore për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, partia opozitare e asaj kohe VMRO e Nikolla Gruevskit, organizoi Referendumin e 7 nëntorit të vitit 2004, përmes të cilit u kërkua shpallja e pavlefshme dhe asgjësimi i Marrëveshjes së Ohrit. Tani kjo parti, përkundër që nuk pati sukses me referendumin e saj në vitin 2004, suksesi i saj për një greminë për të gjithë është porta triumfale e ‘Skopjes 2014’,qe figuron si simbolikë pansllaviste tanimë për pushtetin absolut të ‘car Nikollës’”, ka thënë Lamallari në një intervist për Bota Sot.

Sipas tij, ata që janë përkrahës të DSHM-së janë për një koncept të qartë politik, refuzimin e sistemit unitarist të qeverisë së “Skopjes 2014” në FYROM.

“DSHM-ja ka synim që të shndrrohet si Lëvizje për refuzimin e sistemit unitar të qeverisë së Shkupit, të bëhet një avangardë e Vërtetë e interesit kombëtar në Maqedoni, brenda të unifikojë shqiptarët rreth programit dhe platformës së saj politike dhe jashtë të influencojë në qendrat e vendosjes, siç janë Washingtoni, Londra dhe Brukseli. DSHM-ja kësaj radhe mbi supet e veta ka dy prioritete: e para, organizimin e jashtëm, ku çdo shoqatë, organizatë, klub mund të na bashkangjitet me përfaqësuesit e tyre për të folur për interesat e shqiptarëve me një zë në Washington, Bruksel dhe gjithandej nëpër botë dhe, e dyta, organizimi dhe shtrirja jonë në çdo cep dhe skaj të Maqedonisë, duke ngritur vetëdijen shqiptare, duke sjellur rreth vetes forcën e gjallë kreative të rinisë shqiptare, studentëve, veprimtarët e dallueshëm të të gjitha fushave të ndryshme të jetës shoqërore“, tha ai.

I pyetur nëse DSHM-ja po përgatitet edhe për variantin më të keq, pasi tensionet ndëretnike janë aktuale në Maqedoni, të cilat mund të çojnë në përshkallëzimin e ndonjë konflikti të armatosur si në vitin 2001, Lamallari ka thënë se ajo që anashkalohet dhe nuk thuhet, mbulohet nga qeveria aktuale dhe legjitimohet ngapartitë politike, përfshirë këtu edhe partitë shqiptare, qoftë pozitë ose opozitë, është loja e partneritetit iluzor të elitave të korruptuara, të cilat, pa dallim njëra prej tjetrës, kanë definuar shtetin si shtet unitar dhe ekskluziv të sllavo-maqedonëve, duke e përqendruar pushtetin në duart e përfaqësuesve politikë të kësaj etnie që vazhdon me të njëjtin intensitet, si gjatë periudhës komuniste, postkomuniste të tranzicionit, të pas konfliktit 2001, aplikimin e politikës së etnocidit ndaj shqiptarëve, që lidhet me mungesën e statusit kushtetues të tyre në FYROM, duke e lënë në status të përqindjeve numerike dhe të një nocion të panjohur si kategori kushtetuese “bashkësi etnike”.

`Lufta e pashpallur kundër qenies bioligjike shqiptare ekziston në çdo institucion shtetëror dhe po vazhdon të rritet në formë të sofistikuar, pasi diskriminimi është në përmasa marramendëse në çdo segment të shoqërisë shqiptare kur ballafaqohen qytetarët me institucionet shtetërore në Maqedoni, por ajo që nuk mund të shpjegohet nga DSHM-ja është roli i partive shqiptare në Parlament dhe jashtë saj, lufta e tyre e pakuptimtë brenda llojit, sikurse nuk mund DSHM-ja të caktojë ditën dhe momentin kur qytetari shqiptar do të divorcohet nga partitë ekzistuese dhe do të kërkojë një aletrantivë tjetër për një mobilizim të ri politik, duke filluar prej Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, Strugës, Ohrit, Manastirit, Prilepit dhe Velesit`, ka thënë ai.

DSHM-ja, sipas Lamallarit, nuk është organizatë dhe Lëvizje që kërkon të legjitimohet te shqiptarët e Maqedonisë me një reagim apo thirrje për një rast të caktuar, siç është ky rast me putat e vënduar në Shkup, të kujdoqoftë. Ne besojmë se putat vendosen në mungesë të alternativave të reja politike, mirëqenies sociale, përparimit ekonomik, kështu që pushteti aktual i “car Nikollës” përmes putave shpërqendron vëmendjen e opinionit publik nga problemet aktuale, të cilat i përmenda më lart.

DSHM-ja ka koncept të qartë se çfarë u ofronë qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve si alternativë dhe aktivistët e saj besojnë bindshëm se ky koncept është i realizueshëm në Maqedoni. DSHM-ja kërkon fronin e `car Nikollës`, refuzimin e sistemit unitarist të qeverisë së tij, bashkë me të gjithë argatët e tij që kontribuan, që në dekadën e dytë të shekullit 21 para syve tonë dhe të botës të na kurdisen puta pansllaviste në kuadër të projektit “Skopje 2014”.

“Thjesht, DSHM-ja kërkon fronin e Kryeministrit në FYROM, që të shpërthen procesi i demokratizimit dhe qytetarët të lirohen një herë e përgjithmonë nga diktaturat e qeverive unitariste`, ka thënë ai.

Shërbimi për informim i DSHM-së-www.dshm.org

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fron i car Nikolles, Shkup, Tim Shkupi

CAR DUSHANI VJEN NË SHKUP SI PAJË KALITROJE E PANSLLAVIZMIT NË BALLKANIN PERËNDIMOR

December 15, 2013 by dgreca

Shkruan:Ramiz LUSHAJ/

Kryeparlamentari maqedonas, Trajko Veljanovski, gjatë putranimit politik në Tiranë doli në të ftohtin e dhjetorit nga selia e Kuvendit të Shqipërisë dhe deklaroi ballë mediave (ndër)kombëtare: “Kemi për detyrë që shteti maqedonas të japë kontribut sa më të madh për marrëdhëniet ndëretnike të cilat nuk duhet të vlerësohen nga një hap apo nga vendosja e një përmendoreje”.

Kësisoj, ky i derguar jo rastësisht, e pranoi “de fakto” në sy botës se djallpolitika maqedonase e kishte pru shpejtas, zyrtarisht e hjeksisht në Shkup në mesnatën e fill dhjetorit të sivjetëm monumentin e Car Dushanit të Serbisë të shek. XIV.

Pas kësaj, politika zyrtare maqedonase nuk duhet të vazhdoj të luaj në guzhina e ballkone të institucioneve shtetërore me kartën Car Dushani si tek ajo loja fëminore: mbylli sytë, prit të gjuej shplakë, ndal ta fshehi dorën, tashti gjeje se kush të goditi ty nga njerëzit përreth teje(!)

Djallzore duket ministre e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska, teksa hiqet si shenjtore, si krejt e pastër, si e pa përbaltun. Pse e themi këtë? Kjo  zyrtare e lartë ishte dhe përshendeti në emër të partisë në pushtet VMRO-DPMNE në Kongresin e V të Partisë Serbe në Maqedoni (9 nëntor 2013), kur kryetari i kësaj partie serbe, Ivan Stoilkoviç, paralajmëroi ngritjen së shpejti në Shkup të Monumentit të Car Dushanit, stërgjyshi i tij etno-politik. Pra, kjo ministre ishte në dijeni paraprake të stuhisë politike shovene të ngritjes së monumentit. Për ma tepër: Kryeshefja e policisë maqedonase luan kukamsheftas rolin e të paditunes keqanike, ndërkohë që e ka rrethatue Car Dushanin me roje me e pa armë tue e ruejt ditëenatë këtë monument “klandestin”. Në kësi rasti dredhanik m’u kujtua një vjershë humoristike për fëmijë: një gic i përbaltun donte të fitojnë konkursin “Mis Pastërtia”.

Disi sherrajkë e jo pak prapshtajkë del në (prapa)skenë ministre e Kulturës e Maqedonisë, Elizabeta Kamçevska Milevska, e cila nxjerr gjuhën e fjalëve të bardha dhe fsheh dhëmbët e zi të kërcenimit prosllav me monumentin e Car Dushanit. Pra, na hiqet si “ëngjëllore”, ndërsa strucon sikur institucioni i saj që merret drejtpërdrejt me të këtilla punë:  “nuk është as porositës, as vendosës, dhe as nuk ka ingerenca për ndërtimin e përmendoreve” (4.12.2013). Si mund të shfajësohet kjo ministre kur monumenti i Car Dushanit është lartangrit në një vend të përzgjedhur si për figura mesjetare, bash aty tek Muzeu Arkeologjik i Shkupit.

Një rebus politik, një farë mbrapshtie tipike sllave-maqedonase, më duket sikur po shkrryen, kalkulon e kapton kryetari i ri i komunës Qendër (Shkup), Andrej Zhernovski, i cili “nuk e ditka” se kush e ngriti monumentin e Car Dushanit në territorin administrativ komunar të tij, e cilëson atë si “ndërtim pa leje” dhe po e degdis këtë çështje të nxehtë për ta ftohë e zvarrit në kalandat greke duke sipërmarrë formimin e aktivizimin e një komisioni hetimor për të zbardhë të vërteten (të vërtetat), që i vetëdijnë qyshse në nisje zanafillore. Kryekomunari Zhernovski i opozitës maqedonase, e pati ngrit edhe sivjet në gusht 2013 një komision hetimor të dështuar, të nënshtruar e të mohuar për statujat e vendosura në vargimin “Ura e Civilizimeve”, sipas “Projektit Shkupi 2014”. A thue të njëjtin fat do të ketë edhe ky komisioni hetimor i dhjetorit 2013 për monumentin e Car Dushanit, etj.?!

Këta tre zyrtarë të pozitës e opozitës maqedonase nuk ditkan kurrgja për monumentin e Car Dushanit: as ministre e Punëve të Brendshme, as ministre e Kulturës, as kryekomunari i Qëndres në Shkup (!) Atëherë, patjetër, duhet të dijnë ma shumë, ma fort, tërësisht, “tre të mëdhenjtë” e FYROM-it: kryeministri Nikola Gruevski, presidenti Gj. I. dhe kryeparlamentari T. V.  Të tre këta janë në kryevende të larta shtetërore si kandidatura përfaqësuese të partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, kryetari i të cilës është “cari i vogël”, Gruevski kundërshqiptar.

E keni parë kryeministrin maqedonas Gruevski teksa i haparav krahët drejt shqiptarëve në pozitë e opozitë për t’i lakafyt me shovizmin e vet të egër, të fshehtë, të sprovuar dhe, njëherash, iu fut stërkambsha për me i keqalanë shqiptarët autoktonë deri në cofani politike e etnike, pa kokë e pa tokë, siç po vepron edhe tashti me ngritjen e monumentit të Car Dushanit në qendër të Shkupit dardan, kryeqyteti i sotëm i Maqedonisë ballkanike.

Një diçka a e mirëdijnë këto tri kryekoka të nxehta të shovinizmit sllavo-maqedonas (Gruevski me dy të tjerët) se monumenti i Car Dushanit në Shkup është si tërmeti gjeo-politik i  pesëdhjetë viteve ma parë, tërmeti shkatërrimtar i 26 korrikut 1963, kur u shpërngulën forcërisht e pabesisht shumica shqiptare nga ky kryeqytet i Jugosllavisë së Dytë(RSFJ).  Dridhjet e tërmetit të ri politik shoven po ndihen përgjatë këtij dimri, valët goditëse të të cilit do të bien tmerrësisht mbi shqiptarët jo vetëm në Shkup.

Car Dushani (Stefan Urosh V Dushani) vjen në Shkup me putrat putiniane, me simbole ortodokse lindore, me veshje bizantine lindore, me kurorë nga manastiri i Çetinës në Cerrngore.

Po ma e rrezikshmja: vjen si pajë kalitroje e pansllavizmit në Ballkanin Perëndimor, si hijenë e pritshme dhe e frikshme e Jugosllavisë së Katërt, si ngucamë gurgace ndaj Europës së Bashkuar,

Krejt msheftas Vardarit e Atlantikut, në mes të ftohtit ballkanik, nga terrovina mesjetare e Nemanjiqëve të Serbisë, somnabulon e mafiozon monumenti i Car Dushanit, në Shkupin dardan, kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë, bash tek dritarja e hapur e kryeministrit shoven Gruevski.

Car Dushani (Stefan Urosh V Dushani) vjen në Shkup me putrat putiniane, me simbole ortodokse lindore, me veshje bizantine lindore, me kurorë nga manastiri i Çetinës në Cerrngore.

Po ma e rrezikshmja: vjen si pajë kalitroje e pansllavizmit në Ballkanin Perëndimor, si hijenë e pritshme dhe e frikshme e Jugosllavisë së Katërt, si ngucamë gurgace ndaj Europës së Bashkuar.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Car Dushani ne Shkup, Ramiz Lushaj

Kongresiti Eliot Engel, mbajti Koktejlin vjetor të Krishtlindjeve mes miqve shqiptarë

December 15, 2013 by dgreca

“Me anë të kësaj përshëndetje të ngrohtë, tha Kongresmeni Engel, unë dhe zonja e ime Pat Engel së bashku me fëmijët e mi, ua urojmë të gjithëve ju festat e fundvitit që ato të mbushin familjen dhe zemrat e tuaja me plot gaz dhe lumturi” kurse nderoi me mirënjohjen “Record Congress” një mikun e tij Jerry Freidman./

Nga BEQIR SINA, New York/

YONKERS – NEW YORK : Anembanë SHBA-ës, është atmosfer festash, zbukurime dhe darka festive në pritje të Krishtëlindjeve dhe Vitit të ri. Kongresmen, Senatorë, personalitete të njohura politike, afaristët, artistët dhe zyrtarët e lart amerikanë, e kanë traditë, në këtë fund muaji, të shtrojnë bankete festive për nder të festave të fund-vitit, Krishtë Lindjen dhe Vitin e Ri. Kjo bëhet me gjasë për të shprehur një mirënjohje dhe dhënë një respekt të thellë, ndaj të gjithë atyre miqëve dhe të afërmeve të tyre, mbështetësve të tyre.

Sipas traditës amerikane, çdo fundviti mbahet një Koktejli vjetor i Krishtlindjeve – i thirrur “Annual  Christmas Party”, një pritje kjo ku shprehet një faleminderim dhe mirënjohje për familjaret, miqt dhe përkrahësit e personaliteteve që shtrojnë ato në lokale luksoze.

Në lokalin luksoz “The Riverview” në Yonkers – New York, rreth 100 kilometër në veri të qytetit të New Yorkut, në bregun e lumit Hudson, ishte ligjvënësi demokrat nga Nju Jorku Eliot Engel, bashkëkryetar i Grupit për çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, miku i shquar i shqiptarëve, i cili ftoi në një drek festive më shumë se njëqindë veta, në mes tyre dhe miqt e tij,  më të preferuar shqiptarë dhe dy diplomatët Bekim Sejdiu dhe Selim Lika..

Ligjëvënsi amerikan Eliot Engel, i rrethuar nga bashkëshortia e tij, dhe dy djemtë e vajza, tha se ai ka shfrytëzuar këtë rast, për t’ua  uruar, miqve, kolegve dhe mbështetësve të tij, me anë të një përshëndetje të veçantë  festat e fundvitit. Kjo tha Engel, “është një kartolinë urimi nga ana ime për ju të gjithë që keni kontribuar që unë të zgjidhem në Kongresin Amerikan si Përfaqësuesi i juaj , për të shërbyer në Dhomën e Përfaqësueseve.

“Me anë të kësaj përshëndetje të ngrohtë, tha Kongresmeni Engel, unë dhe zonja e ime Pat Engel së bashku me fëmijët e mi, ua urojmë të gjithëve ju festat e fundvitit që ato të mbushin familjen dhe zemrat e tuaja me plot gaz dhe lumturi” kurse nderoi me mirënjohjen “Record Congress” një mikun e tij Jerry Freidman.

Në faqen e tij të internetit(http://engel.house.gov/ ) Ligjëvënsi amerikan thotë :”Si Bashkë- Kryetar i Komitetit për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan , unë përpiqem për të nxjerr në pah disa çështje që janë shumë të rëndësishme për shqiptaro-amerikanët në Nju Jork dhe në të gjithë SHBA . Grupi i Përfaqësuesve për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan , punon për të promovuar lirinë dhe prosperitetin në, Shqipëri, Kosovë dhe viset shqiptare të Ballkanit dhe forcon lidhjet në marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë Kosovën” thotë ai. Engel në faqen e tij sqaron se së pari , Grupi i Përfaqësuesve për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan , promovon forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri , Kosovë, Maqedoni , Mal të Zi , dhe viset të banuara shqiptare të Ballkanit , sepse me një Ballkan të lirë dhe të qëndrueshme duhet të përfitojnë të gjithë . Ne gjithashtu përpiqemi për të përfshirë të gjitha vendet e rajonit në strukturat kyçe euroatlantike , si NATO dhe në Bashkimin Evropian .

Kurse, unë thekson Engel :”si Bashkë- Kryetar i Komitetit për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan, jam i nderuar gjithashtu të jemë pjesë e përpjekjeve për të çuar përpara lirinë dhe sovranitetin e Republikës së Pavarur të Kosovës , zhvillimin demokratik të Shqipërisë , si dhe të luftojë për të drejtat e popullsisë shqiptare në shtetet e të tjera përreth saj. Gjithashtu, Grupit i Përfaqësuesve do të mbështesë ngritjen e ekonomive të tregut të lirë dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira mes atdheut të parëve të tyre, Shqipërisë dhe Amerikanëve . Grupit i Përfaqësuesve të Kongresit punon me zell për të siguruar se të gjitha vendet e Ballkanit me popullsi etnike shqiptare meritme të shpejta në të ardhmen do të jenë në një partneritet të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara “.

Eliot Engel është i lindur më 18 shkurt 1947. Ai është Përfaqësuesi – Representative për Qarkun e 16-të të Kongresit në Nju Jork. Ai është anëtar i Partisë Demokratike. Qarku i tij i ri, Qarkut 16të, që përmban pjesë të Bronxit dhe Westchester County. Zona e tij elektorale në Westchester, përfshin prefekturat Yonkers. Në Bronx, ajo përfshin komunat Riverdale, Woodlawn, Edenwald,Baychester, Williamsbridge, Van Cortlandt, dhe Wakefield,. Ai përfaqësoi Qarkun 19-në dy ligjistatura 1989-1993, dhe Qarkun 17të në pesë ligjistatura nga 1993-2013.

Në zgjedhjet e fundit në vitin ai u zgjodhë në zonë elektorale Qarku 16të, zonë e përbërë nga pjesë të Bronxit, Prefekturën e Westchester, dhe Rockland.Kongresisti Engel është Anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën Përfaqësuesve .  Në ligjistaurën e fundit ai u bë anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan – duke zëvendësuar Howard Berman, i cili humbi ofertën e tij për t’u rizgjedhur në zgjedhjet e 2012.

Ai është lider në Dhomën e Përfaqësuesve në politikën e SHBA ndaj Amerikës Latine dhe Karaibe . Përveç kësaj , ai ka shkruar ligje të rëndësishme që lidhen me Shqipërinë dhe Kosovën , Qipron , çështjet irlandeze , dhe është bashkë – autor i Protokollit Harkin –

Kongresisti Engel u rrit në një bllok social të banimit të qytetit, për të ndjekur shkollat ​​publike në qytetin e New Yorkut . Në vitin 1969 , ai u diplomua nga Hunter dhe- Lehman College me BA në histori dhe mori një Diplomë Master në udhëzimet dhe këshillimin në vitin 1973 nga Herbert H. Lehman College të Universitetit të qytetit të Nju Jorkut . Në vitin 1987 , ai mori një diplomë në drejtësi nga New York Law School .      Për dymbëdhjetë vjet para zgjedhjes së tij në Kongres , zoti Engel shërbeu në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut (1977-1988) , ku ai kryesoi Komisionin për luftë kundra alkoolizmit dhe drogave , si dhe Nënkomitetin  Mitchell – Lama për Strehimit . Para kësaj , ai ishte një mësues dhe këshilltar për udhëzime në sistemin e shkollor publik në qytetin e New Yorkut.
Një banor i përjetshëm i Bronxit , Kongresmeni Engel është i martuar me Pat Engel . Ata kanë tre fëmijë .

 

Filed Under: Featured Tagged With: harry bajraktari, Kongresisti Engel, kotejl vjetor, Krishtlindje, miq shqiptare

JU TREGOJ BRIGADAT USHTARAKE TE PUNES

December 14, 2013 by dgreca

*Gjatë këtyre dy dekadave të ndryshimeve demokratike në Shqipëri është shkruar  për burgjet famëkeqe të Burrelit, Qaf’barit, Tiranës, Gjirokastrës, Qaf’Muzinës ; është shkruar për kampet e përqëndrimt të Gradishtës, Grabianit, Savrës, Plukut, Gjazës e gjetkë, por nuk u shkrua asgjë për brigadat e ashtuquajtura ushtarake të punës, ku dërgoheshin djemtë e të persekutuarëve politik…/

* Në repartin e punës në Dushk të Lushnjës kishte poetë, artistë, humoristë, përkthyes, si Jorgo Bllaci, Sherif Merdani, Pjetër Radiqi, Gjosho Vasia e të tjerë…/

Nga TEKI GJONZENELI, Bloomfield N.J./*

Eshtë e pabesueshme, por përmbi dy dekada të kaluara nga fillimi i ndryshimeve demokratike, nuk është shkruar asgjë dhe nga askush për të ashtuquajturat: Brigadat Ushtarake të Punës.

Vendosa një të dielë t’i bëj një vizitë bashkatdhetarit dhe mikut tim familiar Prenjo Imeraj i cili banon në Astoria-Queens të qytetit të New Yorkut. Ne komunikojmë me njëritjetrin, pasi edhe ai bën vizita në familien time në Bloomfield NJ ku unë banoj prej 23 vjetësh. Unë e dija se në lagjen e tij banon prej vitesh një komunitet lushnjar dhe, natyrisht doktori ishte i lidhur me të, pasi në atë qytet pat punuar 37 vitet më produktive të jetës së tij si mjek i specializuar. E patëm lënë për ta pirë kafenë sëbashku në Kafe “Milan”, ku edhe mblidhen shumë lushnjarë dhe, doktorin e gjeta me një shokun e tij, i cili pasi u prezantuam u tregua shumë i çiltër gjatë bisedës. Quhej Kristaq Papa me origjinë nga Bubullima e Lushnjës. Ishte njeri përsëmbari dhe shumë i kulturuar. Aty mësova se kishte mbaruar Institutin e Lartë të Arteve, se kishte qenë edhe në Lushnjë me punë si regjizor dhe drejtor i Kinoteatrit dhe Estradës së Lushnjës. Madje kishte  punuar edhe në Fier, kinostudio e në rininë e herëshme kishte luajtur edhe në ndonjë film artistik shqiptar. Konsiderata mu rrit më tepër kur mësova nga dr. Prenjo se z. Kristaq kishte marrë për bashkëshorte vajzën e aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare Ilia Shytit të ndjerë.

Këtu në këtë vend ne takohemi rrallë me njëri tjetrin dhe, unë fillova të flas pa rezerva, po kur z. Papa pa se, unë po flitnja më shumë për Lushnjën se sa për Vlorën time, ai ndërhyri me kureshtie:  -Po ç’ne Ju për Lushnjën, nga e njihni ju atë?

-E njoh, posi! U përgjigja unë, -atje kam kryer dy vjet shkollë të madhe, por edhe dy vjet torturash e peripecish të pa numurta.

– Në shkollën Bujqësore, pyeti z. Papa përsëri?

-Jo, jo! Kam kryer të dy vjetët e shërbimit të detyruar ushtarak në Repartin e Punës 2200 në Dushk. Dhe ndërsa zotëria zuri të mendohej për një çast, mendja ime më shpuri pas në prag vitet 60të të shekullit që kemi lënë prapa. Kaloj shpesh atyre anëve, po thuajse çdo vit, kur shkoj në Atdhe për të parë njerëzit që kemi lënë atje dhe, sapo kaloj urën e Rrogozhinës më lindin kujtime të herëshme dhe nuk ngopem së sodituri ato kodra pa mbarim në të majtë të udhës automobilististike të mbuluara nga vreshtat dhe ullinjtë e pa numurtë, të  punuara, sistemuara dhe mbjella nga duart tona, gjatë dy viteve të shërbimit të detyruar ushtarak në repartin 2200 Dushk të Lushnjës.

Unë kam lindur në Tragjas, por gjatë Luftës së Dytë Botërore babai na lëvizi në qytetin e Vlorës. Në vitin 1945 babanë tonë e arrestuan si antikomunist dhe. Si familie njerëzit e pushtetit nuk na shikonin me sy të mirë.Na pengonin ne fëmijeve të Muamet Gjonzenelit të vazhdonim shkollëat e larta. Kështuqë duke e ditur pozicionin tonë politik bënim punë të rënda krahu me kokën ulur. Kur vëllai im, më i madhi ndër katër vëllezër, Qamili u arratis në Greqi nga Saranda, për ne u rëndua edhe më tepër gjëndja politike dhe ekonomike. Më kujtohet si tani 18 gushti i vitit 1959, kur unë u ktheva nga plazhi në pragmbrëmje dhe e gjeta nënën time të prishur në fytyrë. Duke më zgjatur një copë letër foli tërë pikëllim: Duan të të bëjnë bedel, duket për tët vëlla që ka  përfunduar në Amerikë!  Ishte një fletëthirrje nga Dega Ushtarake e Rrethit për t’u mobilizuar në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. E shtrenjta nëna ime! Pasi nxori nga thellësia e shpirtit një psherëtime dhëmbjeje, u largua për të kryer punët e saj. Unë e mora me mend se do më shpinin në ndonjë brigadë pune, pasi edhe im vëlla Qamil Gjonzeneli që andej u arratis. I patën ndërprerë studimet në Institutin e Fiskulturës në Tiranë dhe, e përplasën në një repart pune në Sarandë. (Te plote lexojeni ne  Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: brigadat ushtarake, Teki Gjonzeneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 791
  • 792
  • 793
  • 794
  • 795
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT