• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një nuse Kastriotase për Mbretin Zog

November 21, 2013 by dgreca

Nga YLLI POLOVINA*/

Politika italiane e kohës u përzje shumë me çështjen e martesës së Zogut, sepse qe njëra prej mënyrave  për ta vënë atë nën kontroll dhe mbajtur si vasal. Por, edhe ky i fundit nuk luajti pak me Kastriotët. Del se edhe këta të fundit nuk i qëndruan mënjanë një afrimi, herë të kujdesshëm dhe herë të zellshëm, me beun e fuqishëm të ardhur në Tiranë prej maleve veriore të krahinës së Matit. Në librin e tij “Valixhja diplomatike” Pietro Kuaroni, njeriu i Duçes, shkruan: “Si përherë Sola (Ugo Sola, shefi i kabinetit të Musolinit) kishte pasur një ide të shkëlqyer. Në Napoli jetonte markezi d’Auleta që zbriste nga Gjergj Kastriot Skënderbeu, heroi i madh kombëtar shqiptar. Markezi kishte vajza për të martuar: përse të mos e shtyje Zogun të martohej me këto pasardhëse të Skënderbeut dhe të realizonte kështu bashkimin e dinastisë së atëhershme me dinastinë e re? Natyrisht kjo zgjidhje, më e mira dhe më praktikja, nuk u pranua nga Roma. Përkundrazi, nuk e di mirë se nga cili ishte kristalizuar te ne ideja për ta martuar Zogun me një princeshë italiane me gjak mbretëror.
Arsyetimi i Romës ishte kompleks: Auleta e re, me t’u bërë mbretëreshë e Shqipërisë, kishte rrezik të bëhej më shqiptare se shqiptarët, gjë që do kishte qenë krejt ndryshe me një princeshë italiane”.
Ndërsa në rrethin e ngushtë të Benito Musolinit, shumë kohë para se të vendosej pushtimi ushtarak i Shqipërisë e të kryhej ceremonia e dhënies së kurorës së Skënderbeut Viktor Emanueles III dhe ndërkaq të projektohej zgjidhja e butë e fatit të Shqipërisë me lidhjen martesore italo-shqiptare Kastrioti-Ahmet Zogoll, qe zhvilluar edhe një ngjarje tjetër. E papohuar kurrë. Gjatë bisedës me Xhorxho Marian doli mbi ujë jo përpjekja e administratës musoliniane për ta mbajtur pas Romës të lidhur monarkun e Tiranës me martesën me një Kastriotase Auletë, por i administratës shqiptare me një bijë që rridhte nga degëzimi tjetër i tyre. Ky nuk qe bijëzimi nga Francesco (1779-1862), por e buruar prej vëllait të tij më të vogël, për pasojë jo ato çaste pasardhësi numër një i degës napolitane, Filippo (1783-1835).

Këtë herë bëhej fjalë për interes të vetë Mbretit Zog. Ferdinandi, i cili do të ndërronte jetë në 1978, në moshën 85-vjeçare, kolonel me titullin fisnikëror, baron i Kasteluços… kishte katër vajza, më e vogla e tyre quhej Matilde. Në pemën gjenealogjike e ka të shënuar fillimin e jetës së saj në 1902 dhe mbarimin e saj në 1984. Xhorxho (i cili e kishte hallë Matilden) tha se sipas kujtimeve të së ëmës, Ada Guerriero, e cila jeton në rezidencën e tyre në Napoli, ka pasur një përfaqësi të qeverisë së Tiranës, e cila ka marrë kontakt me familjen, posaçërisht me Matilden. E kishin pyetur në parim nëse do të qe e gatshme për një mundësi martese me Mbretin shqiptar dhe ajo, po ashtu në parim, pati pranuar…

Asgjë në të vërtetë nuk ndodhi më pas. Pra, nuk pati riardhje të zyrtarëve të lartë të kryeqytetit përtej detit apo të bëhej ndonjë lëvizje drejt variantit të Matilde-s, edhe nga ndërmjetësit italianë të Romës. Përveç ftesës dhe pjesëmarrjes së Kastriotëve të degës së Napolit, markezit të Auletës, Francescos dhe Matildës me të vëllanë, Ferdinandon, në dasmën e Ahmet Zogut në 27 prill 1938. Kjo prani është e vërtetuar nga dokumentet e kohës që ruhen në origjinal në Shqipëri, përfshi edhe letra mirënjohëse të tre Kastriotëve dërguar Zogut pas rikthimit në Itali.

*(Marre nga Libri I Ylli Polovines”Pasardhesit e Skenderbeut. Si u mbajten fshehur”

Filed Under: Featured Tagged With: Nuse kastriotase, per Mbretin Zog, Ylli Polovina

NJË TAKIM EMOCIONUES DHE I PAHARRUAR…

November 21, 2013 by dgreca

Nga Përparim  Hysi/

Ne Foto: Pas takimit…Nga e djathta (poshtë): F.Memeli, K.Zavalani, L.Lazaj, M.Gecaj e F.Maçi; (lart): G.Pici, P.Hysi, E.Memeli, V.Mato e F.Shainllari (Tiranë, 20 nëntor 2013)

1.

Më ra zilja e celularit. Një zë i njohur. Fliste miku im, Fuat  Memeli.

– A ke mall të takosh, një mik të largët?

– Jo, jo!,- iu përgjigja pyetjes së tij pak shpotitëse. Pastaj shtova: “I kam bërë lanet ata, që kanë mërguar në moshë të vonë?!” Kuptohet që kjo qe një shpoti dhe aq. Lamë dhe vendin e takimit. Është bërë pak simbolik ky lokal dhe,mes nesh, e quajmë: “Te klubi i Babushit”. Për ta bërë dhe pak  të njohur, pra “Babushi” nuk është kush tjetër, veç prof.Murat Gecaj, publicist e studiues, ky mik kaq altruist dhe i kudondodhur. Ky, Babushi, nuk është pronar i një klubi, por është si “zbulues” i këtij lokali të vogël, pak si i fshehur nga sytë e botës, por në qendër të kryeqytetit Tiranë. I vogël, i vogël, por te ky klub (Klubi i Babushit, që vështirë do ta gjenin edhe sigurimsat e dikurshëm) gjen mishërimin e vet ajo fjala popullore: “Ferra e vogël, fsheh lepur të madh”. Ndërsa vetë Babushi e ka pagëzuar me shkronjat e para të çiftit gjirokastrit, që shërbejnë aty, pra “2-D”.

Dhe, kështu ndodhi, me të vërtetë. Si në  atë poemën e  Kadaresë: “… një nga  një ata vinin” dhe vazhdon, ” në xhep një kartë…”. Po këta, “ilegalët” që vinin te “Klubi i Babushit”, nuk ishin të tillë. E përbashkëta e  tyre: Të gjithë janë krijues dhe, e dyta, të ftuar të Fuat Memelit, që më shpejt po kthehet në Boston të Amerikës, se sa ka ardhur prej andej. Për t’i rënë shkurt: Ky qe një takim malli, ndërmjet kolegësh e  miqësh.

 

2.

Për të shuar paksa kërshërinë e lexuesëve, le t’i bëjmë të njohur pjesëmarrësit e këtij takimi. Ja, me radhë: Profesor Murat Gecaj, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja); poeti dhe prozatori i veçantë, Vullnet Mato; poetja elbasanase, me origjinë nga Dardha, e mrekullueshmja Lida Lazaj; “ambasadorja shetitëse” (cilësimi është bërë nga unë), Kozeta Zavalani;  piktorja dhe poetja Flutura Maçi; “Lisi mbi shkëmb” (përsëri  cilësimi është i imi, sipas titullit të një libri të tij), i miri nga Floqi, Fiqri Shahinallari. Në takim,  i ftuar  i veçantë i Fuatit dhe shok femijërie i Fiqos, ishte një korçar tjetër, shumë i gjindshëm, ish-tekniku i avionëve, Guri Pici (të më fali, në kam gabuar në  të dhënat e tij) dhe ajo “qershiza mbi tortë”, motra e Fuatit (në mos gaboj, quhet Enverie). Pra, takimi ynë, ishte si një “tubim” krijuesish, siç e quajti Babushi. Dhe, nuk kishte se si bëhej ndryshe, një takim kaq festiv.

“Dollibashi” i gjithë këtij takimi kaq emocionues, pa dyshim, ishte Fuat Memeli. Por secili nga ne, krijuesit, zumë e “demonstronim” në fushat tona. Vullnet   Matoja  tregonte “fijet”, që e lidhnin me Korçën. Paska marr nusen andej dhe nuk i thonë shaka: “Është nga “fshati i gruas”. E kish marrë gruan kaurkë dhe, për pak, i kish shpëtuar një “dajaku” të mirë.

Këtu, për “kaurkat”, nuk lëshova pe unë,se një të tillë e kam rrëmbyer  dhjetë vjet më parë se Vullneti dhe  e hodha në “tuç” këtë fterriotin që,veçanërisht, të çmënd jo vetëm në ato, që shkruan, por me ato fotografitë, që përciell nëpër blogjet internetike. Babushi, që emrin e ka mysliman dhe është katolik,tutje nga Nikaj-Mërturi i Tropojës, tregon për “odisenë ” e tij  me  Katerinën e dhëndërrin e tij nga Lozhani i Korçës. Dardharja nga Elbasani, Lida Lazaj, zuri e recitoi një poezi aq të ndjerë; Kozetë “ambasadorja” na çoi  që nga Evropa, në Azi dhe edne më tej, në Marok të Afrikës. Ku ta kishe mëndjen? Në Kore të  Jugut apo në Iran… Në Korenë e Jugut, ku ajo kishte ngrënë një gjellë me kushedi ç’kish brenda? Në Iran (kërcen prifti nga belaja) për të mbuluar disi gjoksin pak të hapur, ishte detyruar ta mbulonte me një shall, jo nga “sevdaja”, po nga “belaja”; kish Çeçua biçak. Më emocionues u bë Kozeta kur tregoi,se mbas një gostie “alla myslimane” (myslimanët e kanë të ngarkuar kuzhinën) qe e detyruar që të hante ( nga matozori, sigurisht) të  “famshmin byrek të mbretit”. “E hëngra,- tregonte, duke qeshur,- dhe tërë natës nuk mbylla sy: qeshë gati t’i hidhsha dikujt në kokë!”“E po, mbreti do të dëfrehet,- ndërhyra unë,- dhe i paça fatin atij, që do të rrëfehej diku, në Marok.

Fiqua i mirë (Fiqri Shahinllari) jepte e merrte, sa në “sulm” dhe aq në “mbrojtje”, se ajo dreq shtëpi botuese “Vllamasi”, i kishte dalë nga fjala dhe nuk po i nxirrte librin e tretë, “Dhëmbi”. Se dy i  “kaparosi” Fiqua. Mysafirja krejt e  “panjohur”, piktorja dhe poetja Flutura  Maçi, as që hapte gojë. Nuk fliste, por ama dora i punonte: Sa hap e mbyll sytë, ma kishte “zografitur” Fiqkën prej Floqi.  Aq mirë e kishte goditur, sa unë plasa nga zilia. “Shënomë dhe mua!”,- brëtita. Dhe  Flutura, si flutura ( të cilës Babushi i përmendi me dashamirësi vargun, “Flutur, flutur, zonjë e bukur”!), zuri dhe bënte portretin tim. “Aha,- tha,- je i pakapshë!”. “Pse, ç’kujton,- i përgjigjem,- se mos jam “dele”, si Fiqua? Jam ekspresiv,- vazhdova,- dhe nuk ke se si e  realizon”. Megjithatë, ia putha duarët e bukura, asaj zonje aq të mirë e të respektuar dhe atë portret nuk e këmbej me asnjë fotografi. Sot mbrodha Tiranën për t’i gjetur një kornizë. Do ta vë mbi tavolinë, si një shenjë e kujtim, që nuk kam për ta harruar.

 

3.

Fuati është, sa  agronom, aq fotograf, por dhe kineast. Sa poet, aq dhe muzikant. Me aparatin e tij ne fiksuam sa e sa poza. Mjedisi u bë ikandeshente kur, po Fuati, rrëmbeu fiizarmonikën dhe klubi u kthye në Korçën e viteve të dikurshme. Serenatat korçare, të kënduara “en bloc”, arritën kulmin e tyre, me zërin alto të motrës së Fuatit (ardhur posaçërisht nga shtëpia). Ajo, duke rrëmbyer ndonjë oktav mbi zërat tanë, u bë “qershiza mbi tortë”. Mandej unë, “filorusi” (mua më doli nami, se  Babushi atje ka studiuar) i këngëve ruse të kohës sonë, si “Mbrëmjet e Moskës” dhe të tjera, e çova mjedisin në ato kohët tona të dikurshme. Kënga bullgare,  “Jorgjicë,Jorgjicë” ( korçarët e quajnë si të tyren, se aq popullore është) e ngrohu më shumë mjedisin tonë gazmor, sa erdhën dhe nga tavolinat e tjera. U afrua, duke na përshëndetur,  një person,pak si sarhosh e gaztor, që në rrethet letrare paraqitet me “Guri i Naimit”. Ky qe “kripa me karar”, në mjedisin tonë aq festive. E, ndërsa ne “bluanim misër e hanim grurë”, dora e artë e piktores Flutuara Maçi, sakaq,  e bëri portretin e motrës së Fuatit. Pastaj edhe të Babushit.

Duke na tërhequr vëmendjen të gjithëve, Guri, ky mysafiri i veçantë, tregoi një ndodhi me policë të dehur:

– Pinin tre policë, bre. Pinin sidozot ne, këtu. Pinë e pinë edhe kur përballë kishin pasqyrën, që tregonte seç po bënin.

– Ore,- tha njëri,- pa shikoni qenkan dhe tre andej matanë, që pinë. Janë police, si ne. A ngrihemi dhe vemi e t’i takojmë?

– Vemi,- ia kthyen një gojësh.

U ngritën të tre në këmbë dhe, sakaq, shohin se dhe ata “tre matanë” u çuan. Epo  tek u ngritën dhe “ata”, lëre, le të vinë këtu!…

Natyrisht, nuk kishe si e mbaje të qeshurit. Guri qe, gati më i shkurtëri, por  më “shiku”, kur dëftente. Për ta ëmbëlsuar ose thyer (pati shumë pauza me batua të kripura), Kozeta na recitoi një poezi të Vasil Tabakut. Sa e mbaroi atë, i mbrriti dhe poezia ime, “Takim me Shën Pjetrin”. Mjedisi u bë  dhe më i ngrohtë. Askush nuk donte të largohej.  Dhe në gjithë këtë ngjarjet kaq të bukur, çasti më prekës qe ndarja. Fuati dhe pas tij, Fiqua, do rimarrin rrugën për në Amerikë. Kishte dhimbje në fytyrat e tyre. Se të dy ikin nga halli. Duket sikur kjo dhimbje na u induktua  secilit ngapak. Te femrat pati dhe lotë. Lotë malli, për miq aq të mire, si Fuat Memeli dhe Fiqri Shahinllari. Fotografitë, që u bënë nga Babushi, Fuati, Kozeta ose ndonjë tjetër, që e fiksuan këtë takim, sa spontan aq dhe të bukur, e bëjnë edhe më emcionues krejt takimin tonë.

 

Tiranë, 21 nëntor 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: emocionues, nje takim, perparim Hysi

Ç’bën more, nuk jam prift unë!

November 21, 2013 by dgreca

Në 40-vjetorin e Vdekjes te Gjin Luarasi, pionierit të VATRWS/

 Bisedë e Z. Afërdita Bocka, punonjëse pranë Foreign Service Institut në Arlington, VA, me Z. Petro Luarasi, i biri i Z. Gjin Luarasit, pionierit të “Vatrës” dhe të gazetës “Dielli” në pervjetorin e 40-te vdekjes se tij./

 Kam lexuar shpesh në shtyp për punën dhe jetën e babait tuaj. Mund të na bëni një prezantim të jetës e të punës së tij? Do të ishte me interes, vecanërisht për ne, komunitetin shqiptar të Amerikës.

Babai im, Gjini Rrapo Luarasi, lindi e u shkollua në fshatin  Luaras të Kolonjës. Pikërisht aty  mori arsimin fillor duke qënë  nxënës i mësuesit të madh Petro Nini Luarasi e më vonë do të bëhej edhe vazhdues i  punës e i veprës së tij. Në Kolonjë njihet për punën e tij të palodhur në fushën e arsimit, për të cilën, pas vdekjes, i është dhënë titulli “Mësues i Popullit”.

Shkrimtari i shquar Naum Prifti shkruan: “ E kam njohur Gjini Luarasin që në vitet e para të pasluftës kur ishte Përgjegjësi i Arsimit në Kolonjë. Ka qënë burrë shumë i mirë, i sjellshëm, i urtë e i drejtë. Kam edhe dëftesën e shkollës te firmosur prej tij.”

Niko Ligori, ish nxënës i Gjinit e më vonë kolegme të, në përvjetorin e vdekjes shkruan: “Pishtari i arsimit, atdhetari e veterani, “Mësuesi i Popullit” Gjini Luarasi u nda nga jeta, por ai rron e do të rrojë përtej jetës se la emër të mirë dhe veprën në shërbim të popullit. Në çdo  7 Mars a përvjetor, ne përulemi me respekt para kujtimit të ndritur të Xhako Gjinit, siç e thërrisnim në Kolonjë, Korcë e Durrës.”

Si i lindi ideja  babait tuaj për të ardhur në Amerikë?

Kolonjarët e kanë ndjekur vazhdimisht kurbetin, jo vetëm në zonën Gjirokastër – Sarandë, por edhe  në Greqi e Turqi dhe më vonë deri ne Amerikën e largët. Fillimisht u nis i ati, Anastasi, në vitin 1904, por ai vdiq pas tre vjetëve në Boston duke  lenë gruan me dy jetimë, Gjinin tetë vjeç  dhe Pandin gjashtë. Për rritjen dhe edukimin e tyre u kujdes xhaxhai i fëmijëve i cili në 1916 niset për në Amerikë duke marrë me vete edhe Gjinin 16 vjeçar e pas tre vjetësh edhe të vellanë e tij. U vendosën në Springfield, MA, së bashku edhe me bashkëpatriotë të tjerë. (Te plote lexoje ne Diellin e printuar)

 

Filed Under: Featured

Lamtumirë Sokol Olldashi!

November 21, 2013 by dgreca

Shqipëria në zi kombëtare në nderim të deputetit/

Në Kuvendin e Shqipërisë janë zhvilluar homazhet për nder të deputetit të Partisë Demokratike Sokol Olldashi, i cili ndërroi jetë në mënyrë tragjike në një aksident rrugor.

Arkivoli me trupin e pajetë të Sokol Olldashit doli nga shtëpia e tij për t`u zhvendosur në hollin e Kuvendit të Shqipërisë.  Familjarë, të afërm, miq, kolegë, përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të shumtë kanë zhvilluar homazhe deri në orën 14:00 kur trupi i Sokol Olldashit është përcjellë për në banesën e fundit.

Kreu i PD-se, Lulzim Basha ne mesazhin e tij të lamtumires, deklaroi se zoti Olldashi do të mbetet një impuls force për PD dhe gjithë të dashurit e tij.

“Nuk na besohet të mos e shohim Sokolin në këmbë. Të dashur familjarë, miq e kolegë, si bashkëpunëtor, kryetari i PD-së e kam unë këtë barrë të rëndë të përcjell bashkë me ju, me lot e dhimbje. Do donim që kjo e sotmja të mos ishte e vërtetë. Të mblidheshim sot për të festuar ditëlindjen e tij apo një festim familjar. Vetëm të mos themi që Sokoli nuk është më mes nesh. Ishte i paepur. Shkëlqeu si gazetar politik dhe opozitar i paepur. Çmontonte dhe denonconte intrigat politike dhe na jepte kurajo ishim pakicë dhe kur forcat e errëta përpiqeshin të na zhbënin. Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim i PD-së, me profilin kurajon e vizionin e tij. Na krijove dhimbje. Por je dhe do të jesh impuls dhe forcë. Një zë i dashur dhe mik i përjetshëm, djalë e baba i pazëvendësueshëm. Lamturimë i dashur mik e vëlla, u prefsh në paqe” tha Basha, gjate fjales se tij.

I pari që kanë zhvilluar homazhe kanë qënë kryetari i PD-së Lulzim Basha i cili është përlotur përpara arkivolit me trupin e pajetë të Sokol Olldashit.

Më pas ka qënë ish-kryeministri Sali Berisha duke u ndjekur më pas edhe nga i gjithë grupi parlamentar demokrat..

“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe dua të them që Sokol Olldashi jeton dhe do jetojë midis nesh me veprën e tij, me veprimtarinë e tij për gjithçka që ka bërë për Partinë Demokratike dhe për të gjithë kombin” është shprehur Berisha  në një prononcim të shkurtër për mediat.

Homazhe ka zhvilluar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili më pas ka lënë edhe një shënim në librin e ngushëllim

Gjithashtu homazhe ka kryer edhe i gjithë grupi parlamentar i Partisë Socialiste i kryesuar nga kreu i grupit Gramoz Ruçi.

Është një humbje tragjike për familjen, bashkëshorten, fëmijë, politikën shqiptare, për opozitën, për politikanët shqiptarë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politikë, ne me dhimbje jemi të gjithë këtu si grup parlamentar, për të nderuar e respektuar si njeri, si politikan dhe si kundërshtar, vëllain, mikun, Sokol Olldashi”, është shprehur Ruçi.

Homazhe kanë zhvilluar gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta si dhe deputetë dhe përfaqësues të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Nano:  Sokol Olldashi iku para kohe, nuk ishte radha e tij

Gjithashtu homazhe ka zhvilluar edhe ish-kryeministri Fatos Nano i cili ka theksuar se Sokol Olldashi do t`i mungojë jo vetëm familjes por edhe politikës.

“Sokol Olldashi ishte njëri nga ne, politikanë të trazicionit me sakrificat, me kontributet dhe debatet që i shoqërojnë të gjithë.  Fatkeqësia është se iku pa radhë, nuk ishte radhë e tij. Sigurisht që do ti mungojë jo vetëm familjes por edhe politikës por edhe të ardhmes. Respekte” shtë shprehur Fatos Nano.

Edhe kreu i shtetit Bujar Nishani i shoqëruar nga zonja e parë e vendit Odeta Nishani u janë bashkuar homazheve për deputetin Olldashi.

Homazhe kanë zhvilluar edhe përfaqësues nga qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i shoqëruar nga Ministri i Kulturës Memli Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të kabinetit u kanë shprehur ngushëllime familjarëve.

Kreu i LDK, Isa Mustafa, në homazhet ka shprehur ngushëllimet për familjen, miqte, PD dhe politikën shqiptare.

“Të gjithe ne e kemi përjetuar shumë rëndë këtë vdekje tragjike të Sokol Olldashit. Kemi ardhur t’i shprehim ngushëllime familjes, PD, popullit shqiptar, politikës shqiptare. Një shqiptar që është munduar të rezatojë pozitivitet në zhvillimet e përgjithshme. Lus familjen dhe të gjithë të bëhemi të fortë të përjetojmë këtë rast të rëndë tragjik. Por kemi parasysh veprën e tij, personalitetin e tij, dhe të përpiqemi ta kalojmë dhimbjen për këtë humbje”, u shpreh Mustafa.

Edhe kryediplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka ngushëlluar familjen dhe miqte e të ndjerit Sokol Olldashi.

Parlamenti shtyn punimet

Ndërkohë për shkak të humbjes së jetës së deputetit Sokol Olldashi, Kuvendi i Shqipërisë njofton se seanca plenare e parashikuar për sot shtyhet për javën e ardhshme.

Bashkia: Flamujt në Tiranë në gjysmështizë

Bashkia e Tiranës ka njoftuar se gjatë homazheve për nder të deputetit demokrat Sokol Olldashi flamujt në të gjithë kryeqytetin do të ulen në gjysmështizë.

Vdekja e Sokol Olldashit, qeveria shpall ditë zie kombëtare

Qeveria ka shpallur sot  ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të  pikë s 8, të kreut VII, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.

2.    Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize.

3.     Ceremonia e homazheve organizohet ditën e enjte, datë 21.11.2013, nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

4.    Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.

 

 

Mesazhe të shumta janë drejtuar familjes Olldashi, pas humbjes tragjike të deputetit demokrat, Sokol Olldashi. Mijëra qytetarë kanë ngushëlluar familjen nëpër rrjetet sociale dhe mes tyre nuk kanë munguar as miqtë dhe kolegët ish-ministrit si dhe personalitete të larta në Kosovë dhe Maqedoni.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka publikuar një foto të deputetit Sokol Olldashi në të cilën shkruhet “Koli, do të mbetet përjetë mes nesh”.

Mesazh i Ambasadorit Ettore Sequi

Do doja t’i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, në emrin tim dhe në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë familjes së deputetit Sokol Olldashi pas humbjes së tij tragjike natën që shkoi. Mendimet e kolegëve tanë janë me familjen e tij, miqtë e tij dhe kolegët e tij parlamentarë në këtë moment të trishtuar.

Mesazh Ngushëllimi nga Ambasadori i SHBA-së Aleksander Arvizu

U trishtova shumë kur mora vesh se Sokoli ndërroi jetë. Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës sime në Shqipëri, dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend më të mirë, për të gjithë.

Kur e takova për drekë disa javë më parë, më tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij. Më tregoi për planet që kishte për të vizituar Shtetet e Bashkuara në pranverë dhe unë i thashë se do e prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut.

Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegëve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë kohë të vështirë.

Mesila Doda dhe Erjon Braçe

“Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç’duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!” është shprehur në Facebook deputetja demokrate Mesila Doda.

“U prehtë në paqe Sokol Olldashi” është shprehur deputeti socialist Erjon Braçe.

Eduard Selami

“Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, qe sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetesinë e familjes, miqve, atyre qe e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërine dhe politikën shqiptare!!! Lutjet e shkojne për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japi forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre!!!”

Behgjet Pacolli

“Ngushëllime të sinqerta familjes Olldashi. Vlerësoj lartë kontrubutin e deputetit Olldashi. Ndarja e parakohshme nga jeta e Olldashit është e dhimbshme”.

Ahmeti ngushëllon familjen e Olldashit

Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, ka ngushëlluar familjarët e deputetit, Sokol Olldashi.

“Lajmin e kobshëm për humbjen e parakohshme të mikut tim dhe deputetit të kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi e pranova me hidhërim të thellë, prandaj në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne. Kontributi i Sokolit në të gjitha zhvillimet demokratike në Shqipëri është i lartë dhe vepra e tij do të kujtohet me shumë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në çdo vend tjetër ku ata jetojnë. Të gjithë ne bashkëndjejme me dhimbjen e familjes suaj dhe ju mbajmë në lutjet tona gjatë këtyre ditëve të vështira për ju dhe të gjithë ne”, shkruan Ahmeti.

Oerd Bylykbashi

Koli, Do të të kujtoj ashtu si në ditën e parë kur u njohëm në gjimnaz në 1988.

Do të të kujtoj si nxënës i shkëlqyer, inteligjent, i shkathët, poet i talentuar dhe me kitarën tënde në dorë. Të mbaj mend në qindra momente të tjera në këto 25 vite miqësi e punë. Mbi të gjitha, do të të kujtoj atë ditë të ftohtë të shkurtit 1991, në palestrën e gjimnazit Naim Frashëri, kur mes nxënësve që protestonim dhe solidarizoheshim me grevën e urisë së studenteve, ti u ngjite mbi kokat tona mbi një shkallë druri të mbështetur në mur. Në atë moment ti u bëre lider i të gjithë neve. Ai do jetë imazhi që do ruaj përgjithmonë për ty, mik i vjetër! U prehsh në paqe Koli!

Fatos Nano

Me hidhërim të thellë morra vesh lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të afërmit, miqtë, dhe kolegët. U prehsh në paqe !

Edmond Panariti

Shpreh keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut, mikut Sokol Olldashi. I shpreh ngushëllimet e mia të perzemërta familjes së tij dhe ndaj dhimbjen me ta në këtë ditë zie. Kam patur rastin ta njoh personalisht z. Olldashi gjatë kohës kur kam shërbyer në qeverinë e mëparshme. Vlerësoj shumë karakterin e tij bashkepunues, të ngrohtë e të komunikueshëm. U prehtë në paqe shpirti i tij!

Thaçi ngushëllon familjen Olldashi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ngushëlloi familjen Olldashi dhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e vdekjes së deputetit Sokol Olldashi.

Në telegramin e ngushëllimit thuhet “Me dhembje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës në një aksident, të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Sokol Olldashi. Vdekja e deputetit Olldashi, është humbje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet e Shqipërisë, ku ai si deputet dhe si ministër dha kontribut në të gjitha proceset demokratike në Shqipëri”.

“Olldashi do të mbetet përherë në kujtesën e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si njeri dhe politikan i çmuar, që kontribuoi në thellimin e bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim ju lutem pranoni ngushëllimet e thella”, thuhet më tej në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit Thaçi.

Isa Mustafa

Nga ana tjetër edhe kreu i LDK-së në Kosovë, Isa Mustafa ka dërguar një mesazh ngushëllimi. Ai shprehet se, Partia Demokratike e Shqipërisë humbi një veprimtar të madh të demokracisë së re shqiptare, kurse shteti shqiptar një anëtar të spikatur të legjislacionit.

“Vdekja tragjike e Sokol Olldashit është një humbje e cila kapërcen kufijtë e shtetit shqiptar. Ishte njeri me dije dhe kulturë evropiane, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane, prandaj të gjithë ne do ta ndjejmë mungesën e njeriut tonë. I shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes Olldashi për humbjen e më të dashurit të saj, kryetarit të PD-së, z. Lulzim Basha dhe Parlamentit shqiptar për humbjen e një figure të madhe të demokracisë” thekson  Mustafa.

Jakup Krasniqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ngushëlluar sot kryetarin e  Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e vdekjes së deputetit, Sokol Olldashi.

Në telegramin e ngushëllimit të Krasniqi thuhet:“Me dhembje  të thellë mësuam lajmin që deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi  ka humbur jetën në aksident të rëndë trafiku. Vdekja e Sokol Olldashit është humbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij, por dhe për Kuvendin e Shqipërisë. Familja Olldashi ka humbur njeriun më të dashur, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë humbi deputetin e palodhshëm dhe të përkushtuar në detyrat e tij si i zgjedhur i qytetarëve shqiptarë. Duke ndarë dhembjen bashkë me familjarët e deputetit Sokol Olldashi, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta Juve dhe familjes Olldashi.

Ramush Haradinaj

Ndërsa, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një telegrami adresuar kreut të PD-së, Lulzim Basha, e ka ngushëlluar sot familjen Olldashi, Partinë Demokratike të Shqipërisë, ish-kryeministrin Berisha, deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe mbarë vendin, me rastin e ndarjes tragjike nga jeta të deputetit dhe ish-ministrit, Sokol Olldashi.

Në telegramin e kryetarit Haradinaj, thuhet: “Me keqardhje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të deputetit, ish-ministrit, kolegut dhe personalitetit të shquar të PD-së dhe të politikës shqiptare të dekadës së fundit, z. Sokol Olldashi. Në këto momente të rënda të dhimbjes e të pikëllimit, ua përcjellë ngushëllimet më të thella juve personalisht, ish-kryeministrit Berisha dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.

Mesazh Ngushëllimi nga kreu i gjykatës së lartë, Xhezair Zaganjori

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, dhe Trupa Gjyqësore e kësaj gjykate, i shprehin ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes dhe të afërmve të të ndjerit Sokol Olldashi. Ndarja tragjike dhe e parakohshme e tij nga jeta, është një humbje e pazëvendësueshme edhe për miqtë, kolegët dhe deputët e Kuvendit të Shqipërisë.

“Me këtë rast, shprehim vlerësimin më të lartë për figurën , punën dhe kontributin e. Sokol Olldashi, në jetën politike dhe shoqërore të vendit”.

 

KUSH ISHTE SOKOL OLLDASHI

Sokol Olldash ishte një nga figurat më të spikatura politike të Partise Demokratike.
Ka lindur më 17 dhjetor 1972 në Durrës.  Shkollën e mesme e kreu në vendlindje ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995

Ndërsa në 2004- kreu Kolegjin e Mbrojtjes pranë Komandës së Doktrinave (Politikat e Sigurimit Kombëtar), ku u Diplomua me “Medalje të Artë”.

Sokol Olldashi ka qenë një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90 dhe katër herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Bashkë me idelaet e tij politike Sokol Olldashi e nisi në po këtë periudhë karrierën e tij si gazetar. Pas disa vitesh gazetar dhe kreyeredaktor i gazetës “Albania”, në vitin 2001 zgjidhet për herë të parë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Në vitin 2005, ai rizgjidhet në Kuvend, me fitoren në Shijak. Pasi fitoi mandatin e dytë të deputetit Sokol Olldashi u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme, post të cilin e mbajti nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2007. Në këtë kohë kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, garë që ai e humbi përballë Edi Ramës.

Më pas, Sokol  Olldashi merr postin e ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike, post që e mbajti deri në shtator të 2013.

Pas humbjes së Partise Demokratike më 23 qershor dhe dorëheqjes së Sali Berishës, zoti Olldashi kandidoi për postin e kryetarit të PD, përballë Lulzim Bashës.

Olldashi ka drejtuar Forumin Rinor të Partisë Demokratike,  PD-të Tiranës, ndërsa ka qënë anëtar i forumeve më të larta të kësaj partie  kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. 41-vjeçari ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Lamtumire Sokol Olldashi

PRESIDENTIN XHON F. KENNEDY E VRANË…

November 19, 2013 by dgreca

50 vjetë ma parë… me 23 Nandor 1963…/

Shkruan: Fritz RADOVANI/

            Nuk më besohet se janë ba 50 vjetë që u vra Presidenti Amerikës, Xhon Kennedy!

            Ndoshta, edhe janë ba aq vite! Kalonim nga një stacion tek tjetri në radio, per “me besue” atë lajm aq të papritun, sa edhe të trishtueshëm per né Shqiptarët!

“Presidenti Xhon Kennedy u vra me atentat!” persëritej në të gjitha anët e Botës!

E bashkë me Xhon Kennedy-n, u vra edhe shpresa ynë per Liri!

Xhon Fitzgerald KENNEDY, ka lé në Brooklin, Massachusetts, me daten 29 Maji 1917. Asht vra me atentat me daten 22 Nandor 1963, në Dallas, Teksas të ShBA.

Ishte me origjinë nga një familje katolike irlandeze, i vendosun kur imigroi në Boston, Amerikë. Me daten 20 Janar 1961, Xhon Kennedi u betue si President i ShBA, dhe per tri vjet mbeti i perjetshëm në Historinë e Amerikës, edhe até Botnore.

Atëherë, kur pritej dhe ishin të gjitha mundsitë e një “këthese” të Shqipnisë në gjiun e Europës, dhe pikrisht porsa Kennedy mërrijti në Paris, me 2 Qershor 1961 në Pallatin Shaijo, mbas bisedimeve me Presidentin e Francës Sharl De Gol, deklaroi: “Mund të ketë turbullira prapa perdes së hekurt, për shkak të lidhjeve të dobëta që ekzistojnë, në një gjendje në të cilën Shqipëria është radhitur përkrah Kinës komuniste në grindjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik. Kjo është arsyeja,” – tha Kennedi – “për të cilën mendoj, se rrota po rrotullohët në favor të Botës së Lirë, dhe jo të komunistëve.” (Gazeta “Zëri i Popullit” dt. 9 Qershor 1961, Nr. 139, (3982), fq. 4. “Përgjigje zotit Kennedi”).

“Kush mendon se asht i mirë komunizmi të vijë e të shohin Berlinin!..” Kennedy.

Presidenti Kennedi, ishte i 35-ti President i ShBA, dhe i treti që vritet me atentat në moshen 46 vjeçare, mbas  Abraham Linkoln në 1885, dhe Mc. Kinley, në vitin 1901. Mbas 10 muejsh hetime në 1964, komisioni hetimor i drejtuem nga kryetari i Gjykatës së Naltë të ShBA, Earl Warren…“mbylli dosjen Kennedy” per 50 vjetë…të cilen e kam lexue, ndonse, rrallë ka ngja që per vrasje politike me u ba shpjegime të plota dhe bindëse.

Nga materialet që kam lexue per vrasjen Xhon Kennedy, kam veçue një…

 RASTËSI… apo…

Edhe Abraham Linkoln u vra…ashtusi Xhon Kennedy…

 ■Abraham Linkoln u zgjodh në Kongresin Amerikan në vitin 1846…

   Xhon F. Kennedy, u zgjodh në Kongresin Amerikan në vitin 1946…

 ■Abraham Linkoln u zgjodh President i SHBA në vitin 1860…

   Xhon Kennedy u zgjodh President i SHBA në vitin 1960…

■Emnat Linkoln dhe Kennedy, të dy kanë nga shtatë shkronja…

 ■Të dy Presidentët janë vra per mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut…

■Të dy Presidentët janë vra nga “agjentë sudistë”…

 ■Kur shkuen në Shtëpinë e Bardhë, gratë e të dyve kanë humbë fëmijë…

■Të dy Presidentët janë vra me nga një goditje në kokë…

■Të dy Presidentët janë vra në diten e merkurrë…

 ■Sekretaria e Presidentit Linkoln, kishte mbiemnin “Kennedy”…

  Sekretaria e Presidentit Kennedy, kishte mbiemnin “Linkoln”…

 ■Vrasësi i Linkoln ka gjuejtë nga një kinema dhe asht kapë në një magazinë.

   Vrasësi i Kennedy ka gjuejtë nga një magazinë dhe asht kapë në kinema.

 ■Pasuesi i Linkoln kishte emnin Andrew Jonson, kishte lé në vitin 1808.

   Pasuesi i Kennedy kishte emnin Lyndon Jonson, kishte lé në vitin 1908.

■Të dy emnat e pasuesëve të Presidentëve kishin nga gjashtë shkronja.

 ■John Wilkes Booth, vrasësi i Linkoln ka lé në vitin 1839…

  Lee Harvey Osvalt, vrasësi i Kennedy ka lé në vitin 1939…

■Të dy vrasësit e Presidentëve kanë tre emna me pesmëdhjetë shkronja.

■Të dy vrasësit, Booth dhe Osvalt, janë vra para se me u ba procesi i tyne…

 ■Të dy vrasjet e Presidentëve kanë mbetë edhe sot misterioze…

…Kujtoj si sot, atëditë, kur iu ba funerali Presidentit Kennedy, ndigjuem në radio një kangtare që këndoi “Ave Maria”… në kishen ku ishte martue…ishte po ajo kangtare që kishte këndue atëherë… Aty e shoqja Zhaklin, organizoi edhe ceremoninë mortore…

Melbourne, Nandor 2013.

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 50 vjet nga, John Kennedy

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 814
  • 815
  • 816
  • 817
  • 818
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT