• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOM  NIKOLLË  KAÇORRI , ATDHETARI E MESHTARI QË LUFTOI ME PUSHKË E BEKOI ME KRYQ PËR PAVARESINË E SHQIPERISË..!

November 27, 2023 by s p

http://www.albdreams.net/wp-content/uploads/2012/10/dom-Nikollekacorri.jpg

(Një kujtesë e vogël per një “gurë” të madh themeli në “godinen” e shtetit të pavarur shqiptarë).

NGA  NDUE   BACAJ  

Nuk ka asnjë aresye të mos e themi “troç” se kleri katolik ndër motet e shekujt  e Shqiperisë së robërueme , (veçanarisht gjatë atyre të pushtimit turko-osman), ka qenë drita , zemra , shpirti , truri e frymezimi i pasosun i atdhedashurisë dhe vlerave më të mira morale e matriale të shqiptarisë , fatësisht gjithnjë me kahje nga perendimi… Në fletoren “Shqipëria e Re” të dates 10 janar 1933, do të “shkruhej” boterisht se:  “…Të tjer klerikë të Shqiperisë  mallkonin shqipen dhe Shqiperinë , kleri françeskan derdhte gjakë , djersë dhe inteligjencë , per të zhvilluar gjuhën dhe ndjejat kombetare të lirisë dhe pavaresisë..”.1.  Plejada e  këtyre klerikeve është e madhe sa vete historia jonë , por unë me rastin e këtij pervjetorit të pavaresisë së Shqiperisë mendova të “veçoj”, atdhetarin e meshtarin Dom Nikollë Kaçorri , firma e të cilit mbi aktin e shpalljes së pavaresisë , është sot e mot një qiri drite i pashuar, në altarin e Shqiperisë Europiane…

DOM NIKOLLË  KAÇORRI, “FRUT” I HARMONISË E BASHKËJETESË NDËRFETARE TË SHQIPTARËVE… 

Dom Nikolla lindi në vitin 1862 në familjen “Kaçorri” në fshatin Krejë të Lurës dhe ishte “frut i rrallë” i një dashurie të “ndaluar” per “ligjet” e kohes. Ai ishte djali i katolikut Vokërr Kaçori dhe muslimanes Hanë Vladi. Vlen të theksohet se përkundër ligjeve osmane Lura ishte  njëra nga trevat sfidante të kesaj “klime” që kultivonte pushtuesi shekullor turko-osman. Në Lurë muslimanet (shekulli XIX N.B.) ishin ende gjysëm të krishterë , e të krishterët gjysëm “musliman”.. Në Lurë njeri vella ishte musliman e tjetri katolik që ishte edhe kryeplak fshati , njeri festonte Krishtlindjen e tjetri  Bajramin…2.  Në ketë ambient “kontraditor” çifti “KAÇORRI” ndertoi familjen e vet , të mbeshtetur fortë mbi një dashuri të sinqertë të lindur e rritur natyrshem , pasi ata i kishte bashkuar dashuria , që siç perdikojnë hierarkë të lartë të besimit kristian , edhe vetë besimi është dashuri , edhe pse dashuri për Zotin , që është një e vetëm një për të gjithë besimtaret e vertet , qofshin keta kristian apo musliman e tjer.. Natyrisht per ato vite të shekullit XIX-të  nuk kishte qënë e lehtë as për këtë çift , i cili per fatin e tyre të keq do të vdisnin të rinjë duke lënë jetim  jo vetem Nikollen e vogël , por edhe dy djemët e tjerë më të mëdhenjë (se Nikolla) , Ndrecën e Dedën.. Se si u rriten keta jetim në ato vite të zymta të hyqameit turk këtë e dinë vetem Zoti që i kishte falë… Por natyra  ishte krejt tjetër dhe siç shkruan studiuesi Daniel  Gazulli ; Nikollë Kaçorri e rriti shtatin në mes pishnajave dhe kaltërisë të liqejve e të qiellit. Atje ai degjoi  baladat e para  që evokonin liri. I kishte ngelë veçanarisht në mendje  një këngë që thoshte :

”Të  gjithë gjaqet ju ti falni  /  

Luften  turkut mos ia  ndalni..” . 3.  

EDUKIMI  FETAR :  

Vlen të kujtohet se fati i mëtejshem i (fëmisë) Nikollë Vokërr Kaçorri do të  merrte “rrugë”  në vitin 1872 me viziten baritore të arqipeshkevit të Durresit Patër Rafaelo d’Ambrosio,  i cili kishte nën juridiksion edhe  Luren , ku bente ”ligjin” Shehu i kesaj krahine , që njihej si një turkoshak i devotshem dhe e kishte marrë nën “kujdesatri” jetimin Nikollë Kaçorri, të cilin  e kishte “dekleruar” musliman, dhe thuhet se i kishte “ndryshuar” emrin në “Nimet”.. Gjithsesi me ardhjen e arqipeshkevit D’Ambrosio në Lurë fisi “Kaçorri”  u gëzua pa masë , dhe bëri çmos  ta takojnë djalin e tyre jetim me arqipeshkevin e Durresit , i cili  pasi e takoi e kuptoi se kishte të bënte me një fëmijë me inteligjencë të jashtezakonshme për moshën , ndaj u propozoi të afërmeve të Nikolles ta marrin me vehte per ta shkolluar në Delbinisht… Ky propozim gëzoi jo vetem të afermit e Nikollës, por edhe vet ketë femijë , ndaj propozimi u bë realitet… Nikollë Kaçorri pas seminarit të Delbinishtit , kalon në  seminarin papnor të jezuitëve  në Shkodres , të cilin e perfundoi me rezultate shumë të mira. Me 1882 perfundon  kolegjin urban për retorikë e gramatikë.  Nga viti 1882 deri në vitin 1888 studion në Romë . Nga viti 1888 deri ne vitin 1893  studion për teologji , filozofi dhe shkenca politike  në Universitetin e “Zeking” të Zyrihut në Zvicer dhe në Austri…

DOM NIKOLLA  FETAR E ATDHETAR… 

Pas perfundimit të studimeve në dhjetor të vitit 1893 hynë në rrugën e bukur , por të veshtirë të meshtarisë duke filluar në Delbinisht si famulltarë, pra aty ku e kishte lënë vite më parë si shekullar… Në vitin 1894 emrohet famulltar në kishen e Shën Luçisë në Durres. Puna e tij si famulltar në  Durrës u vlersua  aq shumë sa në vitin 1906  emrohet Protonoter Apostolik , ndersa me 1908 bëhet sekretar i arqipeshkevisë e më pas Ndihmesipeshkev e Ipeshkev i Durresit.. Këto detyra  të shenjta fetare Dom Nikolla i kreu me besnikri fetare dhe me devotshmeri atdhetare,  për grigjen katolike që atehere njihej si “fara” e pa kuame e Shqiperisë Europerendimore..  Por atdhetarizmi i Dom  Nikollë Kaçorrit i kalonte keto “caqe” , pasi ndër vite (së bashku me atdhetarë të tjere klerik apo shekullarë ) kishte qënë palca e qendreses me pushkë e pendë , per liri e pavaresi të trojeve shqiptare të Krujes , Kurbinit , Milotit , Lezhes , Bregut Mates , Mirdites , Lures , Durresit , Malesisë së Madhe (Etnike) , Dukagjinit e deri në Kosovë e më gjërë. Nga ky aktivitet  po “rrugëtojmë” vetem në disa “segmente të autostrades” të atdhetarisë të Dom Nikollë Kaçorrit , gjurmet e të cilit  nuk i kanë fshirë vitet e dekadat , dhe nuk do ti fshijnë as njëmijë vite e dekada të tjera , qofshin këto edhe të një harrese të qellimshme… Dom Nikollë Kaçorri , me shoket e tij të pandarë të binomit Fe dhe Atdhe ; At Gjergj Fishta , At Pal Dodaj , At Karl Prenushi , At Lorenc Mitroviq , At Mati Prenushi ,  At Sebastian Hila , At Luigj Bushati , At Bonaventura Gjeçaj , At  Luigj Palaj, At Shtjefen Gjeçovi e tjer janë disa nga  frymëzuesit e mbeshtetësit  e korifejve të atdhetarisë si; Dedë Gjon Luli , Mehmet Shpendi , Luigj Gurakuqi , Isa Boletini , Gjin Pjetri , Abdi Toptani, Marka Gjoni , Llesh Marka Kola  , Ndrecë Prenga , Gjeto Coku , e tjer…Qendresa e stuhishme antiturke e zonave (disa nga të cilat i sipercituam) per të ruajtur apo rifituar të drejtat e tyre jetësore e zakonore , (veçanarisht) në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX , janë kurora e lavdisë dhe heroizmit të trojeve Shqiptare të cilat janë të lidhura  pazgjedhesisht në perjetësi edhe me emrin dhe veprën e Dom Nikollë Kaçorrit. Për ta “ilustruar” ketë epope lavdie  po kujtojmë vitet heroike 1901-1907 , kur kriste pushka e shëndriste mendja , rrezet e së cilës u dalluan qartë në kongresin e Manastirit 1908 , ku u miratua alfabeti që kemi sot , dhe njekohesisht u ndertua ajo “urë” gjigande komunikimi me Europen e Boten Perendimore , dhe kontributi i Dom Nikollës së bashku me Atë Gjergj Fishten e tjerë  i “ngjason”një kolone betoni pa të cilen ura do të kishte qënë gjithnjë në rrezik “shembje”.. Dom Nikolla ka një kontribut të rendesishem jo vetem kur “luftohej” me pendë ,por edhe kur luftohej me pushkë per lirinë e të drejtat e shqiptareve..  Gjatë viteve 1909-1910 Dom Nikollë  Kaçorri edhe pse i survejuar në ekstrem nga hyqameti turk , ai nuk do të terheqej nga aktiviteti i tij atdhetar  antiosman. Kajmekani i Krujes  në veren e vitit 1910 do të urdhëronte arrestimin e disa atdhetarëve shqiptarë , dhe pas këtyre edhe Dom Nikollën , me pretekstin se zaptinjet turq kishin kapur në Shijak hyzmeqarin e tij me tre pushkë e fishekë, si dhe letra korespondence… duke e denuar me katër vite burg , por me nderhyrjen e autoriteteve  kishtare të Durresit e më gjerë pas rreth një viti e lirojnë. E lirojnë kur Malesia e Madhe kishte rindezur në votren e saj zjarrin e lirisë e flamurit , kryengritjen antiosmane të vitit 1911. Kryengritje e cila do të shpaloste në driten e diellit flamurin  kombetar të Gjergj Kastriotit  me 6 prill 1911 ,dhe do të  miratonte programin autonomist me trajta mvehtesie , memorandumin e Greçes 10-23 qershor , 4.  , në të cilin kishin kontributin e tyre korifenjet e pavaresisë së Shqiperisë Luigj Gurakuqi , Ismail Qemali , Isa Boletini , Dom Nikoll Kaçorri e tjerë. Viti 1912 do ti  gjente shqiptarët e Shqiperinë në një udhekryq , që nuk i dihej dalja , pasi perandoria e së keqes kishte filluar te skemoqej në të kater anët e saj , e shqiptaret e shkretë nëse nuk i delnin zotë vehtes rrezikoheshin të mbeteshin nën rrenojat e ngrehinës osmane… Dom Nikolla e kishte kuptuar me kohë ketë , ndaj  kishte shtuar aktivitetin e forcuar bashkepunim me Luigj Gurakuqin , Ismail Qemalin e tjerë korifejë të atdhetarisë , por njëkohësisht ishte angazhuar për sensibilizimin e Europës së  kohës  me në krye  perandorinë  Austrohungareze , e cila shpesh  ndër mote kishte qenë “Engjëlli” mbrojtes i Gegënisë e në veçanti i Grigjës katolike në Shqipëri.. Pikrisht duke patur besim te kjo perandori europiane me insisiativen e Dom Nikollës me 12 nentor (1912 nga Durrësi) ju dergua një memorandum  perandorit të Austro-Hungarisë së Franc  Jozefit, per të  perkrahur  pavaresinë e Shqiperisë , ku ndër të tjera “shkruhej” : “..I lutena madhnisë sate që Shqipnija prej katër vilajetesh… të bahet një mbretni në vehte me tre milion shqiptarë sikur të tjera shtete të Ballkanit… Shqiptaret janë kombi më i vjeter… me gjuhë e me zakone  fare të veçanta… gjaku i tyre nuk mundet me u pajtue  kurresesi me çdo gjak të kombeve që janë rreth… Sado që për një kohë të gjatë shekujsh u rrahën prej tallazeve politike shqiptaret qëndruan në kombësi të vet e në zakone të veta , si një shkemb i fortë në mes të detit.. Këtë e tregojnë edhe thelloritë e mëdhaja që shqiptaret hoqen në roje  të qytetrimit e perparimit të vet …Një mbretni shqiptare do të mbante jo vetem peshen  e ekulibrit të Ballkanit ,por edhe të gjithë Europes, e sidomos  me mujt me u ba sipas deshires tonë ,një mbretni e pa-anë (neutrale) , sikurse Zvicërra…”5.  Kur delegacioni shqiptarë shkoi në Vjenë  Ismail Qemali u befasua nga Ministria e Jashtme Austriake, që njihte shumë mirë gjendjen e Shqiperisë.. dhe për këtë njohje të realitetit shqiptar meriten kryesore e kishte  Dom Nikollë Kaçorri.. Ishte pikrisht Dom Nikolla ai që do të priste në Durres me 22 nëntor 1912 Ismail Qemalin me bashkepuntoret e tij kur do të vinin nga Triestja në Shqiperi për të realizuar misionin e Shenjtë të shpalljes së pavaresisë , të mbeshtetur edhe nga Perandoria  Austro-Hungareze… Durresi nga patriotet shqiptarë ishte “projektuar”, si qyteti ku do të shpallej pavarësia e Shqiperisë… Por kjo nuk do të ndodhte pasi do të “puqeshin” interesat e dhespotit grekë të kishes ortodokse Jakovit , dhe filoturqëve shqiptarë me në krye myftiun e Durrësit , të cilët perveç propogandes perçarëse gjetën mbeshtetje te qeveria e Stambollit e cila kishte urdhëruar vezirin e Janines ta pengonte shpalljen e pavaresisë së Shqiperisë në Durres me çdo kusht.. Për këtë turqit do të dergonin forca ushtarake , së bashku me urdherin për zhdukjen fizike të patrioteve shqiptarë që kishin marrur mbi vehte ketë mision.. Në këto kushte delegatet me në krye Ismail Qemalin dhe delegatin e Durresit Dom Nikoll Kaçorrin do të niseshin për në Vlorë , ku ishin njoftuar nga patriotët atje se ishin të mirpritur…Udhetimi siç dihet nuk kishte qënë i lehtë , por delegatet e pavaresisë kishin arritur në Vlorë. Perpara se të kryhej evenimeti historik i shpalljes së pavaresisë (me 28 nentor) ,delegatet kishin marrur “telegrafisht” lajmet e gëzueshme se disa zona të Shqiperisë kishin ngritur flamurin kombetar si simbol të mvehtesisë nga Turqia. E kjo kishte ndodhur në Elbasan me 25 nentor , në Durres (rrethina) me 26 nentor , në Kavajë, Peqin e Lushnje  me 27 nentor e tjer..6.  Delegatet e pavaresisë dhe pse me mungesen objektive të disa perfaqesuesve të krahinave të ndryshme të Shqiperisë (si Isa Boletini që arriti me një ditë vonesë etj.) , vendosen që  me daten 28 nëntor 1912 nga  ballkoni i shtepisë  së Xhemil Vlorës , të  lajmrojnë “botërisht” se Shqiperia mbas sodit ishte shpallur e lirë dhe e mosvarme…7.  Mjerisht kjo ditë historike që kulmoi me shpalljen e pavaresisë me simbol ngritjen e flamurit në Vloren  e vogël  me rreth 5 mijë banorë , nuk na ofron asnjë fotografi orgjinale , pasi ato nuk u realizuan në atë fillim mbrëmje të ftohtë  me pak shi dhe me një erresirë që shtohej… Fotografitë që na serviren sot  janë të cermonisë së pervjetorit të parë (28 nentor 1913) të ketij akti , të organizuar nga qeveria… (Këtu bëhët fjalë për fotografitë e pa censuruara e fallsifikuara nga regjimi i dreqneve të kuq..). Në aktin e nënshkruar të shpalljes së pavaresisë firma e Dom Nikollë  Kaçorrit është fill mbas asaj të Ismail Qemalit, dhe është ndër firmat më me dritë shqiptarie . Vlen të kujtohet se disa nga nënshkruesit e ketij akti madhor nuk dinin të shkruanin shqip e per rrjelloj e nënshkruajnë turqisht…

Per rolin e rëndesishëm të Dom Nikoll Kaçorrit në diten e shpalljes së pavaresisë  bënë fjalë edhe raporti i perfaqesuesit rus Shellkunov i dates 15 dhjetor 1912 , derguar Ministrisë së puneve të Jashtme në Peterburg , i cili ndër të tjera “tregon” se mbas Ismail Qemalit e kishte marrë fjalen Dom Nikollë  Kaçorri , i cili kishte lavdruar trimerinë e popullit shqiptarë dhe sakrificat e bëra  prej tij per të çliruar atdheun e vet , dhe njekohesisht shprehu  bindjen  se Shqiperia e re  e pavarur do t’i  kalonte  të gjithë fqinjtë ballkanikë…8.  

DOM  NIKOLLË  KAÇORRI NËNKRYETARI I PARË I QEVERISË  PARË SHQIPTARE PAS 433 VITEVE.

Pas aktit  madhorë të shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë , kuvendi kombetar vijojë punimet deri me 4 dhjetor (1912), ku perveç disa vendimeve të rendësishme organizative , miratoi edhe qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali , me Nenkryetar të Qeverisë Dom Nikollë Kaçorrin , i cili perveç aktivitetit të tij adhetar njihet si “bekuesi” i pavaresisë , por edhe si Nenkryetari i parë i Qeverisë së parë shqiptare pas 433 viteve roberi turko-osmane. Aktiviteti si Nenkryetar i Qeverisë shqiptare të Dom Nikolles pershkruhet nga puna e perkushtimi prej atdhetari të kulluar , që i kerkonte maksimumin vehtes në rallë të parë e pastaj kabinetit qeveritarë. Dom Nikolla “emertesen” e kishte Nënkryetar qeverie , por në shumicën e kohes ai bënte punën e Kryeministrit , pasi Ismail Qemali duke mbajtur edhe postin e Ministrit të Jashtem ishte vazhdimisht në “udhetim” nëpër kancelaritë europiane  për njohjen e pavaresisë së Shqiperisë.  Mjerisht në këto kohë Shqipëria ndodhej e pushtuar në rreth dy të tretat e teritorit saj , nga trashigimia osmane (që po jepte shpirt),  serbo-malazezet, bullgaret dhe nga shovenët grekë. Në keto kushte aktiviteti i Dom Nikollë Kaçorrit kishte  perveç entuziazmit , edhe shumë zhgënjime. Janë pikrisht zhgënjimet të cila e bënë Dom Nikollen të jap dorheqjen nga posti i Nenkryetarit të qeverisë , ku nëpermjet një letre  njoftonte kryeministrin per dorheqjen me 30 mars 1913. Dom Nikollë Kaçorri me intiligjencen e tij kishte arritur të kuptonte se antarë të rëndesishem të qeverise kishin filluar tja kishin me hile Shqiperisë , ndaj dorheqja do ta bënte të lirë në veprimtarinë e tij atdhetare. Në maj të vitit 1913 forcat serbe që kishin  pushtuar Durrësin po largoheshin dhe Esat Pashë Toptani kishte iniciuar në Krujë një tubim me perfaqësues të Shqiperisë së mesme e më gjërë (Durrës , Kavajë , Tiranë e deri Kurbin , Lezhë e tjer..). Këtu mori pjesë edhe Dom Nikollë Kaçorri , ndoshta duke “gabuar” për herë të parë , gabim që do ta korigjonte kur me 29 korrik 1913 Shqiperia do të njihej si  Principatë autonome nga konferenca e ambasadoreve në Londer. Pas këtij evenimenti turkofilet e kuptuan se Shqiperia nën Stambollin nuk ka të ardhme , dhe kolltuqet do tu shkisnin nën të ndejurat e tyre , ndaj  organizuan rebelimin e vitit 1914 , ku në skenë nxorren një injorant me emrin Haxhi Qamili , i cili në “krye” të turmave nisi një luftë nën flamurin e Turqisë me “sloganin”duam baba-dovletin ,sulltanin.9.  Gjatë ketij rebelimi u shkrumuan fshatra , qytete e deri (me daten 02 shtator 1914) u dogjë  kisha dhe qela ku banonte Dom Nikolla , si dhe u  shkatërrua biblioteka me pallatin Arqipeshkëvnor në Delbinisht , duke shprehur kështu urrejtjen pataologjike për gjithshka shqiptare dhe europiane nga rebelët filoturq. Mjerisht qeveria e Vlorës kishte dështuar edhe nga dorheqja plotë hije e kryeministrit Ismail Qemali , ku kjo dorheqje thuhej se kishte ardhur si rezultat i implikimit të tij në tentativen që xhonturqit  ndëmoren per të vendosur  një princ turk (Ahmet Izet Pashen)  në fronin e Shqiperisë. Gjë per të cilen (I.Qemali) u padit nga  kushriri i tij Syrja bej Vlora , Myfit Libohova dhe nga konsulli serb në Vlorë , tek Komisioni Nderkombetarë i Kontrollit.  Me 7 janar (1914) , oficeri xhonturk me origjinë shqiptare , Beqir Grebeneja , i cili kishte marrë mbi vehte  per të realizuar planin e mësipërm , sapo mbrriti në Vlorë u arrestua  nga oficeret holandezë të KNK-së , ndersa ushtaret e tjerë që ndodheshin në anije nuk u lejuan të zabarkonin.  Në procesin gjyqësorë oficeret turqë dekleruan  se kishin ardhur  në Shqiperi  me miratimin e kryetarit  të Qeverisë së perkohshme per të mbeshtetur kandidaturen e Ahmet Izet Pashes në fronin shqiptarë…Në gjyqë u paraqiten 35 telegramet që ju gjeten Beqir Grebenesë të cilat u zbëthyen dhe u vlersuan nga Keshilli Nderkombetarë i Kontrollit , ku sipas permbajtjes  së tyre tregonin se Ismail Qemali ishte implikuar plotësisht , pasi do të shkonte per t’u  takuar e biseduar diku në Europë me Ahmet Izet Pashen… Por pasi është kuptuar nga Ismail Qemali se Princ Vidi do të vinte patjeter në fronin e Shqiperisë është hequr dorë nga ky takim…10.  Gjithsesi ne sot nuk  mundemi të paragjykojmë veprimet apo mosveprimet e Ismail Qemalit , por ne po  kujtojmë se Dom Nikollë Kaçorri nuk ishte  perkulur  në rrugen e tij të atdhetarisë.. Me daten 21 shkurt (1914) Dom Nikolla  do të ishte një ndër antarët më të rendesishëm të delegacionit shqiptarë që do të shkonin në Gjermani per ti dorzuar kuroren  mbreterore  Vilhem von Vidit (Wilhelm von Wiedi-t).11.Mjerisht kur mbërriti në Durres me 7 mars 1914 Princ Vidi u perballë me rebelimin e turkofileve ,(per të cilet shkruam më siper) , dhe qeverisja e tij ishte tepër e veshtirë.  Këto veshtirësi u shtuan pas vrasjes së arqidukes Franc Ferdinandi me 28 qershor (1914) nga shovenet serbë, ku pas kësaj filloi lufta e parë botërore..dhe në shtator do të merrte fund edhe mbreterimi i Princ Vidit , e bashkë me ketë Shqiperia do të bëhëj një tokë e “nëpërmkëmbur”.. Dom Nikollë Kaçorri duke parë edhe gjendjen e tij të rënduar shendetesore do  të largohej për në Vjenë.. Mbas vdekjes së perandorit të Austrohungarisë Franc Jozefit me 21 tetor 1916, 12, vendin e tij e zuri perandori 29 vjeçar Karli i Parë. Elita shqiptare duke njohur kontributin e e perandorisë Austro-Hungareze ndër mote e shekuj për identitetin shqiptarë , perveç ngushellimit për humbjen  pergatiti edhe një delegacion prej 34 vetash , per tu  takuar me perandorin (Karli I ) , të cilit do ti uronin hipjen në fron… Në mes emrave të njohur të ketij delegacioni  shqiptarë që takaun Perandorin e ri Austro-Hungarez me daten 18 prill 1917 figuron edhe emri i Dom Nikollë Kaçorrit , së bashku me emrat impozant të Malesorëve :   Vatë  Marashi (Shkrel) , Gjelosh  Gjoka ( Kastrat) , Hasan Ahmeti (Postribë) , Avdi  Kola ( Shalë) , Dedë Coku (nga Kelmendi me banim në Lezhë) , Ndue Gjoni (Orosh)…Në ketë delegacion bënin pjesë edhe Ahmet Zogu (Matë), Hasan Prishtina (Kosovë) , Sami bej Vrioni (Berat) , Emin Vokopola (Lushnje) , Elez Isufi (Peshkopi) , Lef  Nosi (Elbasan) ,Kolë Ujka e Musa Juka (Shkoder) etjer.13.  

NË MES HARRESËS E KUJTESËS…

Atdhetarit e meshtarit Dom Nikollë Kaçorri me 29 maj 1917 i mbaron jeta toksore. Shpirti i fluturoi drejt qiellit per tu bërë dritë në perjetsi në kostelacionin e yllësisë së Shqiperisë , ndersa trupin ja ktheu tokës që ja kishte marrë perkohesisht. Dheu i Vjenës ja ruajti me besnikri eshtrat , të cilët pushuan në varrezat atje përreth 84 vite , sigurisht një pritje  tepër e gjatë per ketë meshtarë e atdhetarë , pa të cilin çdo jubile i Shqiperisë Europiane , do të ishte jo pa një dritë , por pa një prozhektor , që na ndriçon rrugën shpesh të terratisur edhe prej vetë shqiptareve… Gjithsesi vlenë të kujtohet se gjatë regjimit komunist Dom Nikollë Kaçorri edhe kur “delte” nga harresa e qellimëshme , më shumë perdorej  per “inventar historik” se sa si vlerë drite e pashuar atdhetarie… Në vitet postkomuniste të pluralizmit e demokracisë kujtesa për ketë meshtar e atdhetar e mundi disi me veshtirësi harresen e trashiguar…Në keto vite  në qytetin e Durresit (në një vend të dukshem të një lulishte afër portit)  u ndertua një bust i vlertë… U kerkua plot 20 vite që të gjindej varri në Vjenë të Austrisë , dhe si per “inatë” të “harraqëve” eshtrat e Dom  Nikolles u gjeten të mbeshtjellura me flamurin kombetarë shqiptarë… Me 13 shkurt 2011  arkivoli me eshtrat e  Dom Nikoll Kaçorrit u vendosen në kishen-katedrale të Shën Luçisë në Durrës , ku u tha mesha solemne nga Kryeipeshkevi (i asaj kohe), i  Durrësit e Tiranës imzot  Rrok Mirdita (tani i ndjer). Në homelinë e meshës së rivarrimit do të mernin pjesë edhe autoritete shtetërore dhe qeveritare me në krye kryeministrin e Shqiperisë (të asaj kohe), Prof.dr. Sali Berishën.. Në këtë shkrim-portret, nuk po mundem të “rri” pa cituar disa nga fjalët vlerësuese (të 13 shkurtiti 2011)…të Kryeministrit të asaj kohe, i cili ndër të tjera do të thoshte: “Jemi në ketë cermoni kishtare per tu përulur me nderim të madh , për të shprehur së bashku me të gjithë shqiptaret , mirënjohjen më të thellë , ndaj një prej burrave  më të shquar të historisë sonë kombetare…arkitektit kryesorë të pavaresisë së vendit Dom Nikollë Kaçorri , por edhe njërit nga themeluesit  e alfabetit shqiptarë bashkë me Atë Gjergj Fishten e motrat  Qirjazi , që i dhanë alfabetit vokacionin  shpirteror të kombit shqiptarë… Dom Nikolla është dhe do të mbetet shenjëtori i pavaresisë së kombit shqiptarë”… Ndërsa Kryeipeshkevi Imzot Rrok Mirdita atë ditë (13 shkurtiti 2011), do të kujtonte: “…Dom Nikollë Kaçorri qendron në themelet e Shtetit Shqiptarë , dhe është njëri ndër gurët e mëdhenjë themeltar, të atyre themeleve  që për natyren e tyre janë të padukshme por të domosdoshëm , pse mbi to qendron e mbështetet e tërë godina , Shteti i ndërtuar mbi të, prandaj pa këto themele nuk mund të ekzistojë “. Gjithsesi per një personalitet kaq të madh e të rendesishem per pavaresinë e shtetin shqiptarë si Dom  Nikollë  Kaçorri, çdo vlersim duket i paplotë…

REFERENCAT:

1.Fletorja “Shqipëria e Re” e dates 10 janar 1933.  

2.Lovro  Mihaçeviq; Nepër  Shqiperi 1883-1907 –mbresa  udhetimi, fq.31, enti botues “Gjergj Fishta”,2006.

3. Daniel  Gazulli, portali “zemrashqiptare.net”2010. 

4. Akte të Rilindjes  Kombëtare Shqiptare 1878 – 1912, Akademia e Shkencave të 

 Republikës së Shqipërisë, Instituti i Historisë, perg. nga Stefanaq Pollo e Selami Pulaha, fq.222-226, Tiranë 1978. 

5.Akte të Rilindjes Kombetare…po aty ,fq.257-258.  

6.Stefanaq  Pollo, Në gjurmë të Historisë Shqiptare -1- ,fq.315 ,botim  Akademise së Shkenecave të…Shqiperisë, Instituti i Historisë. 

7.Akte të Rilindjes kombëtare Shqiptare…po aty ,fq.261. 

8.Stefanaq Pollo , Në Gjurmë të Historisë Shqiptare…po aty ,fq.318. 

9.Sejfi  Vllamasi, Balafaqime politike në Shqipëri 1897-1942 , fq.84-88, sh.b. “Marin Barleti”, Tiranë 1995. 

10.Hasan  Bello, gazeta Standard, ,fq.14, dt.28.05.2011. 

11.Gazeta “Taraboshi” , me 7 mars 1914.  

12.Shpetim  Sala , Një Perandor në Prizren , fq.5.  

13.Gazeta “Vëllaznija”, datë 28 prill 1917, janë të cilësuar 34 emrat e  delegacionit….

Filed Under: Histori

27 NËNTOR 1971…SI PËRKUJTOHEJ FISHTA TEK ARBËRESHËT

November 27, 2023 by s p

Frano Kulli/

Na e përshkruan Ernest Koliqi një përkujtim syresh, në “Shejzat” e tij.  – Shqiptarët e diasporës – shkruan ai – të cilëve nuk ua ka helmatisë shqisen nji propagandë dinake e zhgatrrimtare e me burim të huej qi denon si shprehje antishqiptare mun undyrën mâ gjeniune shpirtnore të kombit t’onë, kanë përkujtue gjithkund në botën e lirë auktorin e Lahutës së malcís.

Është viti 1971, rasti për të cilin na bën me dije Koliqi, njëri prej atyre shkrimtarëve të shënuar në historinë e letërsisë shqipe. Qendra ndërkombëtare e Studimeve Shqiptare të Palermos, e cila “përsjell tash sa vjet me nisma të parreshtuna lartushtuese [që ushtojnë së larti], çdo rasë në shênj të historís ase të kulturës sonë” e kishte programuar qysh në prill të atij viti, atë që do të bëhej e rreth së cilës do të përbashkoheshin më të dallueshmit puntorë të kulturës kombëtare në diasporë. Atë Zef Valentini ishte në krye të kësaj qendre e, për rrjedhojë edhe në krye të këtij kremtimi. Italiani jezuit, ndër albanologët më të shquar në botë, i ndodhur aty, qysh prej 15 dhjetorit të 1955-ës, atëherë kur u vendos në drejtimin e Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Palermos, e cila u bë një nga qendrat e spikatura të kulturës së vërtetë shqiptare jashtë Shqipërisë. At Valentini me ardhjen e trupave gjermane më 1943, u largua nga Shqipëria drejt Romës e vijoi punët në Institutin Oriental Papnor. Rikthehej në Italinë e tij, mbas dy dekadave që kishte zatetë për herë të parë në Shkodër (me 1922) në Urdhnin e Jezuitve aty, tashma i realizuar në shkallë të epërme, me një vepër monumentale në fushë të Albanologjisë. Edhe më heret, para mbarimit të luftës së dytë botërore, më 5 dhjetor 1940 kur ende ishte në Shqipëri, qe emëruar anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Me 1941 u vendos në Tiranë, ku u caktua edhe sekretar i këshillit të Institutit e vijoi aty  derisa i riatdhesua. Pa iu ndarë asnjëherë, derisa mbylli sytë, albanologjisë e kulturës shqiptare.

E në këtë hulli, me 27 nëntor të atij viti (1971) në Aula Magna të Universitetit të Palermos (vërté e madhnueshme – e përshkruan Koliqi) u mblodh Kongresi i VII i Qendrës “Rozolin Petrota”, kushtuar i gjithi Fishtës, në përvjetorin e 100-të të lindjes. Me një varg referatash tue u mbajt fryma e naltë shkencore qi duhet të dallojë të tilla nisma,  përfundim ky i Koliqit, që mishërohej në vetë ligjëruesit dhe kapacitetin e tyre shkencor, kulturor e shqiptarídashës.

At Valentini, drejtuesi i Qendrës trajtoi argumentin zgjedhë prej tij: “At Fishta misjonar”. Në këtë pikëpamje At Gjergji njihet pak, arsyetonte ai edhe pse me zell të madh ka ushtrue detyrat e tij si famullitar e predikatar; si mësues në kurse fetare e si bashkëpuntor në të përkohëshme e fletore të përshpirtëshme. Mbas At Valentinit, i erdhi radha prof. Koliqit, tema e të cilit “Fishta në shërbim të politikës kombëtare”, parashtroi idenë  se veprimtarisë aq e dobishme dhe e frytëshme e Poetit Kombëtar në dobi të atdheut, qe frut i përkushtimit  të tij, tue qëndrue sipër rrymave politike siç e veçonte me theks të posaçëm kumtuesi.

Kurse prof. Namik Resulli i Universitetit të Napolit, historian i letërsisë, akademik shqiptar shtjelloi temën “Struktura të poezisë së Fishtës, një anë shumë interesante e prodhimit letrar fishtjan, tue vu në dukje ndikimin që pati në té fryma e ligjeve doksore, d.m.th. ajo e Kanunit. Prof. Resuli, bashkëkohës e bashkëpunëtor i Koliqit, pasi kishte doktoruar “Mbi shtresëzimet në gjuhën shqipe”në fillim të viteve ’30, gjatë viteve 1940 – 44 ai qe dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Vijoi aktivitetin e vet intelektual si pjesëtar i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Palermos (1948-1957). Në vitin 1955 Resuli mori gradën shkencore (“libera docenza”) në Gjuhën e Letërsinë Shqipe dhe u emërua kreu i Studimeve Shqiptare në Institutin Universitar Oriental të Napolit (1958-1968) dhe vazhdoi aty si profesor deri më 1975. U mor me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike.U emërua kreu i Institutit të Studimeve Shqiptare në Romë më 1975, pasi ndërroi jetë Koliqi.

Martin Camaj i Universitetit të Mÿnchenit, gjuhëtar akademik, me hollësinë e pregatitjes së tij gjuhësore, kishte zgjedhur të fliste mbi “Gjuhen e Gjergj Fishtës në Lahuten e Malcis’ “. Me nji përimtim depertues ditunuer parashtroi lidhjet e ngushta të ligjrimit fishtjan me të folmen popullore dhe procesin krijues të shprehjeve typike fishtiane tue ndjekë për s’afërmi kallepin e trajtave të popullit.Në këtë shndërrim shpesh nuk mund të përcaktohet, përsa i përket njaj thanjeje a lokucjoni, a e mori Fishta prej popullit apo populli prej Fishtës.-kështu e përcakton Koliqi në “Shejzat”, thelbin e ligjëratës së Camajt, në atë takim përkujtimor.

I fundit që e mori fjalën për të kumtuar ishte Prof. Papas Ignac Parrino, docent i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos, i cili “e ka begatë albanologjín me nji perkthim literal shumë të censhëm të Lahutës, përsjellë me shënime të gjithnuerta historike, gjuhësore, letrare, etnografike, juridike (të së drejtës kanunore), estetike etj”. Docenti i ri foli mbi temën “Fishta në prespektivën e kulturës shqiptare” dhe, tue prekë anët e ndryshme të veprës fishtjane u perqëndrue në caktimin e vlerës kryesore të saj, d.m.th. në zbulim të botkuptimit të shqiptarit, botkuptim i themeluem në vlera të nalta njerëzore si nderi, burrnija, mikpritja, kulti i Perendis e i trashigimit stergjyshuer”, shënon Koliqi.

Kurse nga preludi i Kongresit, në bisedat përgatitore, mbase duhet veçuar ky kumt i Koliqit: “Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njëmendtë e kemi për detyrë përkujtimin e auktorit të Lahutës së malcis’. Mirë qofshin të ardhuna kremtimet të çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e dêjë për të nderue Poetin qi bani të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk asht tjetër veçse leximi i veprave të tija…ku tregohet rruga qi duhet ndjekun për t’u radhitë ndershmënisht përbri kombeve të përparueme”.

…Palermo, 1971. Asokohe, këtu në Shqipëri nuk pipëtinte asnjë tingull prej andej; përmendja e emrit të Fishtës ishte “blafemí ”.

“GJERGJ FISHTA”, Portret, Pashk Pervathi, 2022

Filed Under: Histori

PROJEKTI I SYRJA BEJ VLORËS PËR ORGANIZIMIN E NJË KUVENDI KOMBËTAR NË NËNTOR 1912

November 26, 2023 by s p

PROF.AS.DR. MAJLINDA PEZA PERRIU/

Ismail Qemali nuk ishte protagonisti i vetëm në veprimtarinë e tij për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, në qendër të veprimtarisë për krijimin e shtetit shqiptar qëndronte edhe kushëriri dhe njëkohësisht rivali i Ismail Qemal bej Vlorës, Syrja bej Vlora, së bashku me të birin 27-vjeçar, Eqerem bej Vlorën. Syrja beu kishte krijuar kontakte të rëndësishme diplomatike për organizimin e një mbledhjeje të madhe me përfaqësues të popullit dhe krerëve shqiptarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, ku do të vendosej për qëndrimin që do të mbahej gjatë ngjarjeve të pritshme të vjeshtës së vitit 1912. 

Për këtë problem, Eqerem bej Vlora shkruante: Im atë u lidh me njerëz në Vlorë, në Gjirokastër dhe Berat, ai shkroi letra dhe dërgoi lajmësa ngado. Mirëpo, për domosdoshmërinë e kësaj mbledhjeje nuk ishin të bindur as përkrahësit tanë më të afërt, pa folur këtu kundërshtarët. Në veçanti, kundërshtarët tanë, krejt specialë, të Vlorës thoshin se nuk mund të merrej asnjë vendim pa dëgjuar më parë se ç’thotë për këtë punë Ismail Qemal beu (se fundja ishte ai i pari i familjes Vlora). Që në fund të vitit 1911 disa prej tyre e kishin takuar politikanin plak në Korfuz dhe tregonin se ai kishte folur për kryengritje, por nuk kishte përmendur asnjë fjalë për nevojën e thirrjes në vend të ndonjë mbledhjeje. Veprimtaria e Syrja bej Vlorës u intensifikua përgjatë vjeshtës së vitit 1912, për shkak të rrethanave të reja të krijuara me fillimin e veprimeve ushtarake të shteteve ballkanike ndaj trevave shqiptare, në kuadrin e Luftës së Parë Ballkanike.

Nga fundi i shtatorit të vitit 1912, Eqerem bej Vlora [i biri i Syrja bej Vlorës] do të shkonte në Vjenë. Atje ai zhvilloi disa takime të rëndësishme me përfaqësuesit më të njohur të diplomacisë vjeneze, sikurse ishin: shefi i seksionit, kryekonsulli Alfred Rappaport, njohës i mirë i çështjes shqiptare; konti Berchtold, ministër i Punëve të Jashtme të Austro–Hungarisë dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, konti Konrad fon Hëtcendorf. Pas kthimit të tij në Vlorë në ditët e para të tetorit 1912, në Vjenë do të shkonte i ati i tij, Syrja bej Vlora. Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, në rrethin e gjerë të politikanëve austriakë, ekzistonte mendimi se Perandoria Osmane do ta përballonte me sukses sulmin e aleatëve ballkanikë. Të njëjtin mendim ndante edhe konti Berchtold, madje duke qenë mëse i bindur se ushtritë turke do të mobilizoheshin shumë më shpejt nga sa pritej për të siguruar fitoren e pritshme. Por ndërkaq, në prezencë edhe të kontit Berchtold, në parashtrimin e bërë nga Syrja bej Vlora rreth situatës së krijuar në Ballkan shprehej bindja se Perandoria Osmane nuk do të mund ta rimerrte më veten. Në këtë takim, Syrja bej Vlora pohon t’i ketë parashtruar kontit Berchtold dy kërkesa kryesore: së pari, mbështetjen e Vjenës për të siguruar autonominë e Shqipërisë, në rast se ushtritë turke dilnin fitimtare në përballjen me ushtritë e shteteve ballkanike dhe së dyti, mbështetjen e diplomacisë vjeneze në funksion të pavarësisë së Shqipërisë, në rast të mundjes së Perandorisë Osmane nga Liga Ballkanike. 

Sikurse shkruan në kujtimet e tij Syrja bej Vlora, ai mori garancinë e diplomatit vjenez se tashmë, kishte ardhur koha që shqiptarët duhej të fitonin të drejtat e tyre kombëtare, duke i parashtruar Syrja beut njëkohësisht edhe kufijtë brenda të cilëve duhej të krijohej Shqipëria. Gjithashtu, ai arriti të sigurojë edhe një sasi të konsiderueshme armësh të tipit Manhiler-Schonauer, të cilat ishin planifikuar të dërgoheshin shumë shpejt në Shqipëri përmes një shoqërie tregtare austriake. Për të sensibilizuar opinionin hungarez në favor të çështjes shqiptare, Syrja beu i kushtoi rëndësi të posaçme daljes në një konference shtypi në Deutscher Herren Club, pas së cilës, shtypi i Vjenës u mbush me artikuj ku theksohej se, mbrojtja e ekzistencës së Shqipërisë përbënte një garanci për ruajtjen e ekuilibrit në Ballkan. Syrja bej Vlora, nuk do të linte pa përmendur, gjithashtu, edhe takimin që ai pati me arqidukën Franc Ferdinand, pikëpamjet e të cilit, sipas tij, përkonin plotësisht me ato të Syrja beut. Arqiduka Franc Ferdinand ishte mëse i bindur se shumë shpejt Turqia do të shembej, duke krijuar koniunktura të reja në Ballkan. Pavarësisht se Arqiduka nuk ndante të njëjtin qëndrim me kontin Berchtold rreth së ardhmes së Turqisë në Ballkan, ata takoheshin në një pikë të përbashkët, në mbështetjen për çështjen shqiptare.

Pas premtimit të marrë nga Vjena zyrtare, Syrja bej Vlora do të niste menjëherë korespondencën me rrethet patriotike shqiptare për krijimin fillimisht, të një komiteti për mbrojtjen e interesave kombëtare, me synim organizimin e një kuvendi kombëtar, ndërkohë që në Vlorë vepronte i biri i tij, Eqerem bej Vlora. Për këtë problem, në 27 tetor 1912 ishin lajmëruar telegrafisht qytetet Berat, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Tiranë, Kavajë, Përmet, Leskovik, Delvinë, Tepelenë, Starovë, Lushnjë, Peqin, Krujë, Kolonjë e Skrapar. 

Përmes letrës që i drejtohej vëllezërve Toptani në Tiranë, Syrja bej Vlora kërkonte dërgimin për në Vlorë nga dy deri në katër përfaqësues për çdo nënprefekturë. Sipas tij, Elbasani dhe Peqini ishin njoftuar, ndërsa mbeteshin për t’u njoftuar Kruja, Shijaku, Kavaja, Dibra dhe Mati. Një informacion i ngjashëm, pasqyrohej gjithashtu edhe në raportet e konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, i cili njoftonte ambasadorin Pallavicini në Stamboll se, në 31 tetor të vitit 1912, qytetet e Shqipërisë së Jugut, si: Berati, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra, Delvina etj., që ishin lajmëruar nga Syrja bej Vlora për organizimin e një kuvendi kombëtar në Vlorë, kishin njoftuar telegrafisht se pranonin të dërgonin delegatë në kongres. Gjithashtu, për t’u informuar rreth situatës në Shqipërinë e Veriut, si dhe për të njoftuar edhe atje për thirrjen e kuvendit kombëtar në Vlorë, në 31 tetor 1912 Syrja beu do të nisej përmes detit nga Vlora për në Durrës. Faktikisht, ai do ta ndryshonte itinerarin e tij, duke e vazhduar udhëtimin drejt Shëngjinit për në Shkodër. Kështu, në 1 nëntor të vitit 1912 Syrja bej Vlora gjendej në Shkodër, duke u vendosur në banesën e Esad pashë Toptanit, sipas të cilit, ai qëndroi në Shkodër deri në 10 nëntor të vitit 1912, prej nga ku u largua në rrugë detare. 

Syrja bej Vlora, në 2 nëntor të vitit 1912, përmes një telegrami që i dërgonte posaçërisht parisë së Elbasanit [personalisht Aqif Pashë Elbasanit, Shefqet bej Vërlacit,  Hasan bej Elbasanit parisë dhe klerit mysliman të Elbasanit], jo vetëm parashtronte pikëpamjet e tij, por njëkohësisht i informonte ata edhe për përpjekjet që po bënte, për të organizuar një kongres të patriotëve shqiptarë, me synim shpalljen e autonomisë ose pavarësisë së Shqipërisë, kjo në varësi të ndryshimit të koniunkturave politike ushtarake në Ballkan, në favor ose jo të Perandorisë Osmane. Përmes këtij telegrami, ai kërkonte mbështetjen e parisë së këtij qyteti dhe, në të njëjtën kohë, caktimin e përfaqësuesve të Elbasanit të cilët duhej të niseshin sa më shpejt për në Vlorë. 

Përgjigjja që Syrja beu priste, iu dërgua Eqerem bej Vlorës në emër të Elbasanit në 9 nëntor 1912. Por, nëse kërkesa i drejtohej Aqif Pashës, Shefqet Vërlacit dhe Hasan bej Elbasanit, përgjigjja telegrafike që u dërgua nga Elbasani, mbante firmat e Lef Nosit dhe Grigor Cilkës, përmes së cilës, shprehej gatishmëria për të marrë pjesë në Kuvend, pavarësisht se, sikurse thuhej në letër: Sa do që njoftimit që i bënit Elbasanit nuk i është dhënë ende përgjigja, jemi gati të marrim pjesë në mbledhje. Në këtë rast, mendojmë se Syrja bej Vlora, ishte në pritje të një përgjigjeje posaçërisht nga paria e Elbasanit [përderisa telegrami i tij i drejtohej posaçërisht Aqif Pashës, Shefqet bej Vërlacit dhe Hasan bej Elbasanit (Biçakut)]. Në një situatë të tillë, theksojmë se deri në 9 nëntor të vitit 1912, Elbasani  nuk i kishte dhënë një përgjigje zyrtare ftesës së Syrja bej Vlorës për të dërguar përfaqësues në Vlorë. Gjykuar nga përmbajtja e cituar e përgjigjes së letrës, mendojmë se gatishmëria e Lef Nosit dhe Grigor Cilkës për të marrë pjesë në këtë kongres rezultonte si një nismë individuale. Kjo nuk e përjashton faktin se ata mund të jenë konsultuar edhe me përfaqësuesit e tjerë të parisë së Elbasanit dhe, pse jo, mund të jenë autorizuar edhe prej tyre. Por, përmes burimeve të kohës nuk dëshmohet që Aqif Pashë Elbasani dhe pjesa tjetër e parisë së Elbasanit t’i jenë përgjigjur pozitivisht propozimit të Syrja bej Vlorës. Mendojmë se heshtja e tij në këtë rast kishte të bënte me simpatinë që Aqif Pasha kishte ndaj Ismail Qemalit, kushëriri dhe rivali kryesor i Syrja bej Vlorës. 

Ndërkaq, Ismail Qemali në 9 nëntor 1912, përmes një telegrami dërguar nga zyra telegrafike e hotelit “Grand”, njoftonte bashkinë e Vlorës: Arrij me anijen e parë. E ardhmja e Shqipërisë është e garantuar. Thuajse në të njëjtën kohë, telegrame për organizimin e kuvendit kombëtar vinin nga të dy kushërinjtë dhe, në këtë rast, qëndrimi i parisë së Elbasanit rezultonte më së shumti në mbështetje të Ismail Qemalit. Por, nga ana tjetër, përfaqësues të elitës politike të Elbasanit nuk nguruan të pozicionoheshin në mbështetje të Syrja bej Vlorës, për të marrë pjesë në kuvendin kombëtar, natyrisht nëse do të organizohej prej tij.

Në ditët e para të nëntorit të vitit 1912, situata në Vlorë nuk ishte e favorshme për mbështetësit e Syrja bej Vlorës. Ishte e pamundur, shkruante baronesha Amelie Von Godin, t’i bashkoje vlonjatët për të marrë vendimin shumë të thjeshtë, për caktimin e ditës së mbledhjes dhe mënyrën e drejtimit të saj. Pavarësisht vështirësive të shumta, Eqerem bej Vlora [i biri i Syrja bej Vlorës] kishte arritur të njoftonte një pjesë të delegatëve nga qytete të ndryshme shqiptare. Por, zvarritjet në caktimin e datës së mbledhjes së kuvendit dhe vonesat në hartimin dhe dërgimin e programit të kuvendit, krijuan përçarje edhe në parinë e atyre qyteteve që kishin shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në kuvend, sikurse ishin: Berati, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra dhe Delvina. Në nëntor të vitit 1912, së bashku me Eqerem bej Vlorën dhe delegatët e Beratit, në Vlorë gjendeshin edhe delegatë të Elbasanit, porse nuk jepet ndonjë informacion për sa i përket emrave të tyre. Referuar burimeve të kohës, të gatshëm për të vajtur në Vlorë në 9 nëntor 1912 ishin shprehur Lef Nosi dhe Grigor Cilka.   

Në Shqipërinë e Mesme, ku Syrja bej Vlora gëzonte mbështetjen e plotë të vëllezërve Toptanas, deri në 10 nëntor të vitit 1912 kishin arritur të grumbulloheshin edhe përfaqësuesit e Shqipërisë së Veriut, të cilët ishin në pritje të njoftimit të Eqerem bej Vlorës për t’u nisur drejt Vlorës. Por, duke mos pasur mbështetjen e pritur në Vlorë, nisja e tyre u shty për disa ditë. Për më tepër, duhet thënë se, në Vlorë ndikim të madh kishin Ismail Qemali dhe përkrahësit e tij, gjë që përbënte një problem tepër shqetësues për Eqerem bej Vlorën. Kjo, pasqyrohej qartë edhe në letrën që Eqerem bej Vlora i kishte dërguar konsullit austro-hungarez në Vlorë, në 6 nëntor të vitit 1912, ku ai shprehej tepër i shqetësuar për faktin se në Vlorë mund të mbërrinte Ismail Qemali, që, sikurse shkruante konsulli Lejhanec: … mund të kërkojë të marrë në dorën e tij drejtimin e kongresit dhe të ndikojë që vendimet e saj të kenë një drejtim të favorshëm për miqtë e tij politikë të jashtëm. Konsulli austro-hungarez, nuk e konsideronte Ismail Qemalin si njeri të besueshëm të Vjenës zyrtare, duke nënkuptuar edhe mbështetjen që mund të kishte Ismail Qemali nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Zgjidhjen e situatës së krijuar në Vlorë në nëntor 1912, Eqerem beu e shikonte në praninë e vetë Syrja beut në qytetin e Vlorës. Por vajtja e tij ato ditë në Vlorë ishte shumë e vështirë, sepse rrugët detare apo tokësore ishin të bllokuara nga flota dhe ushtritë ballkanike. 

Rivaliteti ndërmjet dy politikanëve (kushërinj) për organizimin e Kuvendit Kombëtar

Nga kontaktet e konsullit austro-hungarez në Durrës me Syrja bej Vlorën, informohemi për udhëtimin e tij në 12 nëntor 1912 drejt Vjenës, ku tashmë gjendej edhe Ismail Qemali i cili kishte udhëtuar nga Budapesti për t’u takuar atje me diplomatët vjenezë për çështjen shqiptare. Rreth këtij udhëtimi, baronesha Amelie von Godin shkruante: Përse shkonte Ismail Qemali në Vjenë? Ismaili kishte vendosur të luante kartën e diplomacisë. Ai kërkonte përkrahjen morale dhe ndoshta materiale të Vjenës. Aq më tepër i duhej konfirmimi i Austrisë tani që ishte bërë e qartë se një grup rival, ai i Syrja bej Vlorës po përpiqej të mobilizonte bejlerët në Shqipëri për ta arritur një qëllim të ngjashëm. 

Nëse i referohemi fjalëve të baroneshës, udhëtimi i Ismail Qemalit dhe qëllimi i tij për të vajtur në Vjenë [pavarësisht se nuk shihej si figurë politike e besueshme nga diplomatët vjenezë], më së shumti ishte një kundërpërgjigje ndaj lëvizjeve diplomatike që po bënte në Vjenë Syrja bej Vlora, i cili po përpiqej të merrte garanci të plota për organizimin e një Kongresi Kombëtar, për më tepër, kur dihej orientimi dhe prirjet e tij austrofile [duke qenë një nga njerëzit më të besuar të Vjenës zyrtare]. Me rastin e vizitës së Ismail Qemalit, në buletinin ditor të Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë, theksohej fakti se ata [diplomatët vjenezë] u treguan tepër të përmbajtur dhe të kujdesshëm në përgjigjet që i dhanë Ismail Qemalit për të ardhmen politike të Shqipërisë, duke u kufizuar më së shumti me deklarata të përgjithshme dhe jo specifike. 

Në intervistën dhënë nga Ismail Qemali gazetës “NEUE FREIE PRESSE” në Vjenë në nëntor 1912, gjejnë shprehje pikëpamjet e tij rreth së ardhmes politike të Shqipërisë për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Si përgjigje ndaj pyetjes së bërë nga gazetari austriak rreth kryeqytetit të Shqipërisë, me interes është përgjigja e Ismail Qemalit, i cili përmend  Elbasanin dhe Vlorën, duke u shprehur përmes fjalëve: Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju Jorku ynë. Në telegramin dërguar nga Vjena në 12 nëntor 1912 Ismail Qemali deklaronte se e ardhmja e Shqipërisë ishte garantuar. Përmbajtja e këtij telegrami iu dërgua menjëherë qyteteve shqiptare, duke u kërkuar parisë së tyre dërgimin e menjëhershëm të delegatëve për në Vlorë. Por, në telegramin dërguar shqiptarëve të kolonisë së Bukureshtit në të njëjtën ditë [para se ai të nisej për në Budapest për të takuar kontin Berchtold], Ismail Qemali shprehte besimin se me mbështetjen e Austrisë, Italisë dhe Rumanisë autonomia ishte siguruar. 

Në Budapest, takimin më të rëndësishëm, Ismail Qemali e pati me kontin Berchtold më 13 nëntor 1912, takim ky që u mbajt i fshehtë dhe për të cilin nuk pati asnjë njoftim zyrtar, madje as zyrtarët e lartë austriakë nuk guxonin ta përmendnin. Pavarësisht përpjekjeve të diplomatit vjenez për ta mbajtur të fshehtë, takimi midis tyre u bë i njohur fillimisht nga vetë Ismail Qemali, në kontaktin e parë që ai pati me nënkonsullin Rudnay sapo zbriti në Durrës në 22 nëntor 1912. Konti Berchtold e garantoi Ismail Qemalin për mbështetjen e Vjenës zyrtare, në favor të shpalljes sa më shpejt të pavarësisë së Shqipërisë, duke mënjanuar rrezikun e pushtimit të porteve shqiptare nga serbët dhe daljen e tyre në Adriatik. Mendojmë se e rëndësishme për diplomacinë vjeneze tashmë ishte krijimi i një shteti të pavarur shqiptar, pavarësisht se kush do të arrinte ta krijonte i pari atë, Syrja bej Vlora apo Ismail Qemali. Pjesa më interesante e bisedës ndërmjet Ismail Qemalit dhe Berchtold-it na vjen përmes kujtimeve të At Anton Harapit, përkthyes për austriakët: Berchtoldi i parashtroi Ismail Qemal Beut që të delte sa më parë në Shqipni për të shpallë pamvarësinë. Ismaili iu përgjegj:’Mir se flamurin e kam, por nuk kam shtizën ku ta naltoj dhe flamurin pa shtizë e merr çdo erë që fryn. Atëherë Konti Berchtold iu përgjegj: Për shtizë të këtij flamuri keni bajonetën austriake. Në një kontekst të tillë, duhet parë edhe telegrami që Ismail Qemali dërgonte nga Budapesti në 16-17 nëntor 1912, ku ai njoftonte se së shpejti do të ishte në Durrës duke kërkuar që delegatët të mblidheshin në Durrës ose në Vlorë për kuvendin kombëtar. 

Në nëntor të vitit 1912, rivaliteti politik ndërmjet Ismail Qemalit dhe Syrja bej Vlorës, qëndronte në çështjen se cili prej tyre do të mund të siguronte në momentin e duhur mbështetjen më të madhe brenda vendit, në funksion të përmbushjes së synimit final, thirrjen e një kuvendi kombëtar. Ismail Qemali dhe Syrja bej Vlora po shfrytëzonin të gjitha njohjet dhe reputacionin e tyre për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por pa bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Kushërinjtë ishin dy burra të mençur dhe nuk lejonin që rivaliteti t’iu infektonte dëshirën për ta parë racën e tyre të çliruar dhe të begatë. Por, Ismail Qemali dhe Syrja bej Vlora, më shumë se kushërinj ishin rivalë me një histori të vjetër. Në parlamentin e ri xhonturk të vitit 1912, Syrja bej Vlora ishte zgjedhur deputet i sanxhakut të Beratit, në të cilin përfshihej kazaja e Vlorës, pavarësisht se ai nuk jetonte në Vlorë. Ndryshe nga Ismail Qemali, ai i përkiste partisë xhonturke dhe e kishte marrë mandatin me përkrahjen e tyre. Mendojmë se kjo është arsyeja e mbështetjes së pakët dhe kundërshtive që gjeti Syrja beu dhe i biri i tij, në përpjekjet për organizimin e kuvendit kombëtar në Vlorë në nëntor 1912. Përpjekjet e Syrja bej Vlorës, kishin hasur në kundërshtimin e një pjese të parisë së Vlorës. Elmas efendi Kanina dhe Adem bej Risilia e akuzonin atë si të shitur tek austriakët. Madje, sipas Eqerem bej Vlorës, grupi kundërshtar kishte njoftuar edhe autoritetet osmane që, pavarësisht se nuk morën masa kundër Syrja beut, e paralajmëruan atë për pasojat që mund të kishte vijimësia e veprimtarisë së tij në favor të çështjes shqiptare. 

Në këto rrethana, organizimi i kuvendit kombëtar nga Syrja beu në qytetin e Vlorës ishte jo vetëm i vështirë, por edhe i pamundur. Mundësia e vetme mbetej që kuvendi të organizohej në Shqipërinë e Mesme. Sugjerimet e parashtruara në këtë drejtim parashikonin mundësinë e mbledhjes së kuvendit kombëtar në një nga qytetet më kryesore të Shqipërisë së Mesme, sikurse ishin: Tirana, Durrësi, Kruja, Elbasani. 

Si qyteti më i përshtatshëm nga organizatorët e kongresit, fillimisht, u mendua Durrësi, për faktin se atje Syrja bej Vlora dhe përkrahësit e tij gëzonin, gjithashtu, edhe mbështetjen e plotë të nënkonsullit austro-hungarez Rudnay. Por, pavarësisht kësaj, në 12 nëntor 1912 sapo u njoftua nga organizatorët mbledhja e një kongresi kombëtar në Durrës, kundërshtitë nga hoxhallarët dhe pjesa më fanatike e popullsisë së qytetit ishin aq të mëdha, sa që e bënë të pamundur organizimin e tij. Për më tepër, në kërkesën e tyre drejtuar mytesarifit, hoxhallarët e Durrësit kishin kërkuar dëbimin nga qyteti të delegatëve, ndërsa organizimin e një kongresi në Durrës, pjesa fanatike e popullsisë së këtij qyteti e konsideronte si rrezik serioz për rënien e vetë Kalifit. Edhe popullsia ortodokse e qytetit të Durrësit mbajti të njëjtin qëndrim sikurse pjesa fanatike e qytetit. Ishte mëse e kuptueshme se, në këto kushte, Kuvendi Kombëtar nuk mund të mblidhej.

Në një situatë të tillë, pa dyshim që diplomacia vjeneze nuk kishte qëndruar duarkryq. Përpjekjet e konsullit austro-hungarez në Durrës kishin vijuar në fshehtësi. Ai i kishte propozuar delegatëve nënshkrimin e një dokumenti, përmes të cilit të kërkohej “autonomia” nën sovranitetin turk, ose “pavarësia dhe neutraliteti”, në pamundësi të autonomisë. Referuar informacionit të nënkonsullit Rudnay, kërkesa e pavarësisë dhe neutraliteti i parashtruar në këtë dokument, ishte bërë më së shumti për të ruajtur balancat, sepse, në rast të kundërt, nuk do të mund të arrihej një marrëveshje me delegatët e pranishëm në Durrës. Kjo kërkesë duhej t’i drejtohej Madhërisë së tij, Imperatorit dhe Mbretit, – sikurse shkruante nënkonsulli austriak në Durrës, Rudnay, duke shpresuar që në 13 nëntor 1912 ai do ta kishte këtë dokument të firmosur. Sipas tij, ky dokument mund të përdorej në një kohë tjetër, në varësi të rrethanave që do të krijoheshin, por pa i premtuar shqiptarëve detyrime apo angazhime zyrtare nga ana e Vjenës. 

Delegatët shqiptarë që kishin ardhur në Durrës, ishin grumbulluar në kryepeshkopatën katolike që drejtohej nga dom Nikollë Kaçorri (një prift katolik me nënë myslimane), dhe që mbante lidhje të ngushta me konsullatën austriake. Referuar burimeve austro-hungareze, rezulton se takimi është zhvilluar në 12 nëntor të vitit 1912 ku ishin të pranishëm: 

Dom Nikoll Kaçorri 

Mustafa Asim Kruja 

Rexhep Mitrovica 

Fuad Toptani 

Abdi Toptani 

Murad Toptani 

Sali Gjuka nga Peja 

Bedri Pejani

Pas propozimit që nënkonsulli austriak i parashtroi dom Nikollë Kaçorrit dhe Murad bej Toptanit, në takimin që ai pati me ta dhe delegatët e tjerë të pranishëm, u pranua nënshkrimi i deklaratës. Në të, paraqitej kërkesa e përfaqësuesve shqiptarë të mbledhur në Durrës, për autonomi nën sovranitetin turk dhe, në rast se kjo nuk do të ishte e mundur, kërkesa për pavarësi dhe neutralitet. Një kërkesë e tillë i drejtohej posaçërisht:

Madhnisë së Tij,

 Franc Jozefit I, 

Perandorit e Mbretit të Austro – Magjurisë në

 Vienë

Theksojmë se nënshkruesit e kësaj deklarate, ishin përfaqësuesit e mbledhur në Durrës në pritje të organizimit të kuvendit kombëtar nga Syrja bej Vlora dhe Eqerem bej Vlora. Gjithashtu, në këtë kohë në Durrës ka qenë prezent edhe Midhat Frashëri i cili, pavarësisht se ka qenë dakord me deklaratën, nuk e ka vënë nënshkrimin e tij.

Në raportin tepër konfidencial të nënkonsullit Rudnay, drejtuar për këtë problem kontit Berchtold në Vjenë, thuhej: Edhe një herë marr lejen të njoftoj tepër përvujtërisht se unë vendimin për këtë hap e mora për rastin, që, edhe në qoftë se do të dështonte mbledhja e kongresit, ne të posedonim një dokument prej parisë shqiptare, i cili pa na ngarkuar ne me detyrime, mund të përdorej në situatë të veçanta. Referuar informacionit të nënkonsullit Rudnay, mendojmë se nënshkrimi i dokumentit në fjalë ishte një nismë vetjake e tij, duke përjashtuar çdo lloj detyrimi të Vjenës zyrtare ndaj Shqipërisë. Mendimi ynë përforcohet edhe më tepër, duke iu referuar përgjigjes që konti Bertold në Vjenë do t’i kthente brenda së njëjtës ditë nënkonsullit Rudnay, duke e këshilluar atë që në vend të nismave të tilla me personalitetet shqiptare, të arrinte t’i këshillonte ata që, përmes shtypit, t’i drejtoheshin opinionit publik evropian, për të treguar vendosmërinë dhe vullnetin kombëtar për ruajtjen e integritetit territorial kombëtar. 

Për sa i përket çështjeve që u diskutuan në këtë takim, një informacion më të plotë e gjejmë në kujtimet e Mustafa Asim Krujës (Mustafa Merlika), ku informohemi rreth disa propozimeve nga të pranishmit, ndër të cilat ishte edhe kërkesa drejtuar perandorit austro-hungarez, që Shqipëria të bëhej një shtet federativ si Zvicra apo Amerika. Në kujtimet e tij, Mustafa Kruja e konsideronte si interesant propozimin e Salih Gjukës, i cili, duke dhënë argumente politike dhe historike, kërkonte që Shqipëria e ardhshme të vihej nën protektoratin e Austro-Hungarisë. Kjo kërkesë e një myslimani, kujtonte Mustafa Kruja, çuditërisht u kundërshtua nga prifti katolik dom Nikollë Kaçorri, që kishte një simpati të madhe për Austro-Hungarinë dhe gëzonte, gjithashtu, përkrahjen e konsujve austro-hungarezë. Përmes parashtrimit të argumentit se, në koniunkturat e reja të krijuara, Perandoria Otomane ose i “Sëmuri i Bosforit” nuk e kishte jetën të gjatë, zgjidhja më e mirë, sipas Dom Nikollë Kaçorrit, do të ishte autonomia nën Perandorinë Otomane, me rënien e së cilës do të ishte më e lehtë të arrihej pavarësia. 

Parashtrimi në këtë mbledhje i disa alternativave rreth perspektivës historike të shtetit shqiptar [në rrethanat e reja të krijuara në nëntor të vitit 1912] dhe, për më tepër, që një mysliman kërkonte shkëputjen nga Perandoria Otomane dhe një katolik kërkonte të qëndronte akoma nën sulltanin, janë tregues i faktit se këta përfaqësues në mbledhjen e organizuar në kryepeshkopatën katolike në Durrës, në propozimet e tyre, më së shumti, gjykonin si politikanë vizionarë, duke parashtruar alternativën më të mirë të mundshme për të ardhmen e Shqipërisë, sikurse shprehej dhe Mustafa Kruja: …te patrijoti intelektual shqiptar ndienja e ideja e kombsisë qëndronte përmbi ato të fesë. Por, kongresi kombëtar nuk arriti të mblidhej në Durrës, ndaj delegatët do të drejtoheshin drejt Tiranës për të parë mundësinë e organizimit atje të kongresit. Precipitimi i shpejtë i situatës në nëntor 1912, dëshmohej në njoftimet telegrafike përmes të cilave raportohej sistematikisht për rrezikun e përparimit të shpejtë të ushtrisë serbe drejt Tiranës dhe Durrësit. 

Elbasani në pritje të organizimit të Kuvendit Kombëtar më 14 nëntor 1912

Në kujtimet e tij, Midhat Frashëri do të shkruante: Atëhere, duke u-lenë me nj’anë Tirana dhe Durrësi, vështrimet u këthyenë drejt Elbasant. Duke përmendur traditat patriotike të këtij qyteti dhe faktin se edhe më parë në Elbasan ishin organizuar kuvende kombëtare, ai theksonte se në Elbasan ishte më e lehtë që të mblidheshin delegatët, duke pasur, gjithashtu, edhe mbështetjen e parisë vendase. Ndaj, në pamundësi të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të planifikuar për në Durrës apo Tiranë, Elbasani konsiderohej si qyteti më i përshtatshëm për organizimin e tij. Midhat Frashëri ishte i mendimit që kuvendi mund të mbahej në Elbasan, në kërthizën e Shqipërisë, ashtu siç e kishin pleqëruar edhe me imzot Preng Doçin, duke u nisur edhe vetë nga Durrësi drejt Elbasanit. Në nëntor të vitit 1912 ai u nis për në Elbasan, duke u vendosur në shtëpinë e Aqif Pashë Biçakut. Në Elbasan, ku ai gjen edhe Mahmut pashë Jellën, të cilin e kishte takuar në Shkup dhe në Pejë, informohet edhe për tejshkrimet që kishin ardhur nga Mehmet pashë Dërralla, Zenel Peja, Riza Jakova, Isa Boletini, Bajram Curri etj., të cilëve u kishte telegrafuar për të ardhur në Elbasan për mbledhjen që do të bëhej. 

Nën/konsulli austriak në Durrës raportonte se në 14 nëntor të vitit 1912, Elbasani ishte njoftuar për të bërë përgatitjet e duhura për organizimin e Kuvendit Kombëtar në funksion të përmbushjes së këtij qëllimi madhor, duke i raportuar eprorëve të tij: Ftesa në këtë drejtim janë bërë. Midhat Frashëri pohonte se Elbasani jo vetëm që kishte marrë njoftimin, por, gjithashtu, kishte nisur kontaktet me qytetet e tjera, duke u shprehur: Tek Elbasani zgjidhte përfaqësonjësit e tij dhe këmbente mëndimetë me qendrat e tjera, na se ku po faqetë një çështje e re …. 

Njoftimet për përparimin e shpejtë të ushtrisë serbe dhe mbërritjen e saj në Ohër dhe Strugë, përbënin një rrezik që shumë shpejt mund t’i kanosej edhe Elbasanit, sikurse shprehej Midhat Frashëri: Serbët janë tue zbriturë në Ohër dhe në Strugë, telegrafi është në rrezik të pritet. Në këtë kuadër, jemi të prirur të mendojmë se faktorët që e privuan Elbasanin nga kjo ngjarje me dimensione mbarëkombëtare, midis të tjerave, lidhen edhe me mungesën në këtë qytet të konsullatave të huaja dhe të lidhjeve telegrafike të Elbasanit me botën e jashtme. Kur bëjmë një pohim të tillë, i referohemi, gjithashtu, edhe pohimit të Midhat Frashërit në atë kohë: Në rast të sulmit të qytetit të Elbasanit nga ushtria serbe, qyteti i zgjedhur si vendi i mbledhjes jo vetëm që ishte i hapur [i ekspozuar] ndaj pushtimit, por edhe pa mjet komunikimi me botën e jashtme, që e bënte tashmë të pamundur mbajtjen e kongresit në Elbasan. Mendojmë që këto përbënin edhe arsyet më kryesore, pse plani për të organizuar kuvendin kombëtar në Elbasan mbeti një projekt i pa realizuar. 

Në një kontekst të tillë historik, përfaqësuesit më në zë të elitës politike të Elbasanit, jo më larg se dy javë para hapjes së Kuvendit Kombëtar në Vlorë nga Ismail Qemali, kishin qenë në rolin e organizatorëve të kuvendit kombëtar në Elbasan me iniciativën e Syrja bej Vlorës. Mendojmë se ata hezituan ta ngrinin flamurin në Elbasan deri në 28 nëntor të vitit 1912, për të vetmen arsye, që lidhej pikërisht me përmbushjen e ambicies më të madhe të tyre, synimit për ta organizuar kuvendin kombëtar në Elbasan dhe për ta shpallur më pas Elbasanin kryeqytet të Shqipërisë së pavarur. Me nisjen e udhëtimit të Ismail Qemalit nga Durrësi për në Vlorë, mendojmë se patriotët elbasanas, qëndronin në gatishmëri, në rast të ndonjë të papriture që mund t’i ndodhte rrugës [duke ditur se ishte dhënë edhe urdhri për arrestimin e tij] dhe që mund të pengonte seriozisht mbledhjen e kuvendit kombëtar, pse jo, në pritje për ta organizuar kuvendin kombëtar në Elbasan. Në pasditen e 28 nëntorit, pasi morën sigurinë nga Lef Nosi që gjendej në Vlorë, përmes fjalëve Kuvendi ndashti do të hapet, Elbasani jep përgjigjen: Ndashti po e ngremë [flamurin]. 

Në pasditen e 28 nëntorit 1912, kur në Vlorë po hapej Kuvendi Kombëtar, Elbasani njoftonte telegrafisht përfaqësuesit e tij në Vlorë se në Elbasan po ngrihej flamuri. Patriotët elbasanas hezituan ta ngrinin flamurin deri në 28 nëntor 1912 dhe një qëndrim i tillë,  mendojmë se shpjegohet me faktin se, patriotët elbasanas dhe jo vetëm, në kuadrin e ambicieve politike që kishin, shpresonin dhe besonin se Elbasani e meritonte të ishte kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë së pavarur. Ishte mëse e qartë për ta se qyteti ku do të organizohej Kuvendi Kombëtar, ai qytet do të konsiderohej si qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë së pavarur dhe kryeqyteti i ardhshëm i saj. Elbasani i përmbushte të gjitha kushtet dhe kishte kapacitetet për mbledhjen e kuvendit kombëtar dhe, pse jo, për t’u shpallur kryeqendër e Shqipërisë së Pavarur. 

faksimile 1

Filed Under: Histori Tagged With: PROF.AS.DR. MAJLINDA PEZA PERRIU

LE PETIT PARISIEN (1908) / TURQIA E RE — ÇFARË DO TË BËJNË SHQIPTARËT ? — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME FERID PASHËN, ISH-KRYEMINISTRIN SHQIPTAR TË PERANDORISË OSMANE

November 25, 2023 by s p


Mehmet Ferid Pasha (1851 – 1914)
Mehmet Ferid Pasha (1851 – 1914)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Nëntor 2023

“Le Petit Parisien” ka botuar, të hënën e 31 gushtit 1908, në faqen n°3, intervistën ekskluzive me Ferid Pashën mbi të ardhmen e Perandorisë Osmane dhe shqiptarëve, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Turqia e re

Çfarë do të bëjnë shqiptarët ?

Deklarata të rëndësishme të ish-kryeministrit Ferid Pasha

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kostandinopojë, 30 gusht.

Nga të gjithë popujt që përbëjnë Perandorinë Osmane, shqiptarët janë padyshim më interesantët. Ata posedojnë cilësi të cilat, në Lindje, nuk i has shpesh : ata janë njëkohësisht inteligjentë dhe energjikë. Ata luajtën një rol të rëndësishëm në lëvizjen xhonturke. Mund të thuhet pothuajse se revolucioni është vepër e tyre. Niazi Beu, Riza Teufiku, Selim Sirri dhe shumë të tjerë janë me origjinë shqiptare.

Por, nëse do t’u besohet disa pesimistëve, atë që kanë bërë shqiptarët, shqiptarët e tjerë mund ta zhbëjnë. Tashmë shqiptarët prej kohësh i kanë dhënë Sulltanit një gardë besnike dhe të frikshme. Qëndrimi i këtyre ushtarëve, pamja ushtarake e të cilëve u bën përshtypje të gjithë atyre që marrin pjesë në Selamllik, shkakton shqetësim. Pretendohet se një regjiment i tyre refuzoi të bënte betimin në Kushtetutë dhe është e sigurt se këta pretorianë përbëjnë shpresën e fundit të armiqve të regjimit të ri.

I etur për të ditur mendimin e një personi kompetent, shkova dje te ish-veziri i madh Ferid Pasha, i cili është edhe vetë një fëmijë (bir) i Shqipërisë dhe një burrë inteligjent e guximtar.

Ju e dini se Ferid Pasha, në kohën kur ishte në detyrë, ishte i pari që deklaroi qartë se rivendosja e Kushtetutës ishte e nevojshme. Ju gjithashtu e dini se para se të ndiqte këshillën e tij, sulltani filloi duke i hequr vulën e shtetit. Që atëherë, Ferid Pasha — roli i vërtetë politik i të cilit sigurisht sapo ka filluar — ka jetuar në prapavijë dhe i ka ndjekur nga larg ngjarjet që ai kishte planifikuar dhe dëshiruar me zell.

— Shqiptarët, më tha ai, përbëjnë pararojën e osmanëve në anën evropiane, me të cilën janë në kontakt të drejtpërdrejtë. Ata kanë një mendje të gjallë, një inteligjencë « elastike » dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të lëvizur dhe mbi të gjitha për t’u përshtatur me mjedisin ku jetojnë. Prandaj nuk duhet të habitemi kur shohim kaq shumë shqiptarë në rangun e parë të xhonturqve.

Sa për shqiptarët e gardës perandorake, ata do të respektojnë, të jenë të sigurt, betimin që i bënë sovranit të tyre. Besnikëria dhe mirënjohja janë virtyte që këta njerëz i praktikojnë në shkallën më të lartë.

Por kini kujdes të mos nxirrni nga ky fakt as përfundimin më të vogël të pafavorshëm për regjimin e ri. Sovrani është i lidhur me Kushtetutën, ashtu si populli është i lidhur me sovranin me një lidhje të vetme, të cilën askush, ta themi me zë të lartë, nuk ëndërron dhe nuk mund ta ëndërrojë ta lëshojë. Është gjithashtu e pavërtetë që shqiptarët e gardës janë armiqësorë ndaj kësaj Kushtetute, të cilën Madhëria e Tij ka premtuar solemnisht, në disa raste, se do ta ruajë dhe do ta respektojë.

— Pra, Madhëri, ju nuk parashikoni ndonjë rrezik reagimi nga kjo anë ?

— Asnjë. Dhe ju lutem, përsëriteni këtë, sepse legjendat duhet të shkatërrohen dhe të pengohen që të përhapen.

Shkaqet e dorëheqjes

Më pas e pyeta Ferid Pashën se në çfarë kushtesh kishte lënë pushtetin.

— Më shumë se njëzet herë e kam ofruar dorëheqjen. E dija shumë mirë që situata ishte shumë e rëndë dhe se nëse Turqia donte të mbijetonte, duhej të hiqte dorë nga gabimet e së shkuarës dhe të hynte me vendosmëri në rrugën e reformave. Unë kam qenë i vetmi që kam guxuar të them hapur të vërtetën, sado e dhimbshme për sovranin. Ditën kur m’u desh t’i tregoja Madhërisë së Tij pasojat fatale të një gjendjeje kundër së cilës nuk kisha pushuar kurrë së protestuari, në masën e fuqisë sime, i thashë : “Më mirë do të tërhiqja mbi vete zemërimin e Madhërisë suaj të keqinformuar sesa të marr përgjegjësinë për atë që do të ndodhë nesër!” Ju e dini pjesën tjetër.

Epo! me vullnetin e mirë për të cilin tashmë keni pasur kaq shumë prova, ne do të kompensojmë shpejt kohën e humbur. Ne po llogarisim, për më tepër, tek perëndimorët, veçanërisht tek francezët, që të na ndihmojnë, të na lehtësojnë detyrën.

— Dhe si, Madhëri ?

— Mbi të gjitha, ne kemi nevojë të edukojmë veten dhe duhet të marrim si shembull sistemin tuaj arsimor. Ne kemi futur tashmë në administratën tonë disa nga institucionet tuaja : Këshillin e Shtetit, Gjykatën e Kasacionit, Gjykatën e auditimit. Ne kemi miratuar kodet tuaja, procedurën tuaj. Shumë prej nesh flasin gjuhën tuaj, një instrument i mrekullueshëm përparimi dhe qytetërimi. Natyrshëm, ne drejtohemi ndaj jush për të kompletuar arsimin tonë, me dëshirën për t’i dhënë Perandorisë Osmane vendin që i takon në koncertin evropian.

F. M.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Udhëtimi drejt Pavarësisë së Shqipërisë

November 24, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Në 8 tetor 1912 fillon Lufta Ballkanike, por faktikisht ajo u kthye në një luftë për pushtimin e tokave shqiptare. Shqipëria po përjetonte çaste kritike, duke u përball me armikun e vjetër,(Perandorin Osmane) dhe e sulmuar nga agresor të rinj. Deputetët shqiptarë në Parlamentin Turk nga trevat e Vlorës, Shkodres, Prizrenit, Gjakovës, Shkupit, Manastitit, etj, po bënin përpjekje për ngritjen e zërit në mbështetje të lirisë dhe pavarsisë. Ismail Bej Vlora dhe Luigj Gurakuqi u vun në krye të nismës politike për krijimin e një komiteti drejtues që të merrte në dorë fatet e vendit. Takimet e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, si dhe Hasan Prishtinës dhe të Bajram Currit, që ishin në front për organizimin e mbrojtjes së tokave shqiptare përballë ushtrive sllave, me patriotë të tjerë shqiptarë kishin një objektiv të qartë për Shqipërinë, ishte koha për një zgjidhje politike përfundimtare për vendin.

Të shtunën e 2 nëntor 1912 Ismail Qemali me të birin Qazim Vlora dhe Luigj Gurakuqin nga hotel “Pera”, do të nisnin udhëtimin drejt pavarsisë. Nga limani pranë urës së Gallatës në Stamboll me anijen rumune Regele Carol, që bënte rregullisht rrugën Stamboll-Konstancë udhëtuan drejt Rumanisë. Në 3 nëntorit 1912 Ismail Qemali u nis me tren ekspres nga Kostanca për në Bukuresht dhe arriti në Bukuresht në orën 7 të mbrëmjes. Në stacion do ta priste gjithë kolonia shqiptare e Bukureshtit me në krye zvendëspresidentin e saj Kristo Meksi. Anëtarët e Komunitet Shqiptar të Bukureshtit qenë të vendosura për pavarësinë e Shqipërisë. Në datat 4 dhe 5 nëntor, u zhvilluan konsultime të gjera në Hotelin “Kontinental” të Bukureshtit, midis Komunitetit Shqiptarë aty dhe delegacionit me në krye Ismail Qemalin që kishte ardhur nga Stambolli.

Në 7 nëntor, rreth orës 5 e gjysëm mbasdite Ismail Qemali u nda nga shqiptarët e Bukureshtit dhe u nis për në Vjenë. Nga Bukureshti u nisën për tu takuar në Trieste me Ismail Qemalin; Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo, të cilët pak ditë më vonë do të udhëtonin nga Triestja bashkarisht në Durrës dhe në Vlorë. Po këtu Patriti Kristo Meksi i dorëzon Ismail Qemalit 500 mijë frangash ari, dhuratë e Kryeministrit rumun Taqe Junesku, për ngritjen e shtetit të ri Shqiptar. Më 8 nëntor nga Grand Hotel ku ishte vendosur, Ismail Qemali dha një intervistë për gazetën vjeneze “New Freie Presse” ku thesksonte se, “Shqiptarët nuk do ti nënshtrohen kurrë fatit”.

Më 9 nëntor Ismail Qemali pritet nga Gjeneralmajor Blasius Schemua Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura Austro-Hungareze, takim që ka qenë topsekret.

Në 10 nëntor Ismail Qemai u takua me Ambasadorin Anglez në Vjenë, që ishte edhe diplomati më i rëndësishëm i kohës, ku u fol për një Shqipëri të pavarur. Ditën e hënë më 11 nëntor Ismail Beu në intervistat që dha, përsëri pikëpamjen për Shqipërinë e Pavarur.

Të marten e 12 nëntor ai nisi një telegram nga Vjena; “Përpara së premtes jemi në Durrës. Të mbledhurit e Delegatëve në Durrës ose Vlorë është krejt i nevojshëm. I ftoni të gjithë, deri sa të vijë unë mbani qetësinë dhe bashkimin. Çështja jonë politike u sigurua fare”. Në Vjenë, Ismail Qemali mori një telegram nga miku i tij i vjetër, konti Andrasay, ku e ftonte që të vinte në shtëpinë e tij në Budapest për t´u takuar me diplomatë Austro-Hungarezë. Prandaj ai në 12 nëntor në mbrëmje mori trenin dhe u kthye në Budapest dhe u vendos në hotelin Royal.

Më 13 nëntor në Budapest Ismail Qemali do të takohet me kontin Janos Hadik ish-nënsekretar shteti dhe me Ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë, Leopold Berthold, nga njerëzit më të fuqishëm të diplomacisë evropiane. Konti ishte i hapur me te. Me fare pak fjalë ai i shpjegoi se: -Shqiperia kërcenohej nga fqinjët, se ky kërcenim ishte fatal dhe se Austro-Hungaria ishte e gatshme të nxiste dhe të mbështeste pavarësinë e Shqipërisë. Me një sjellje të hapur, Konti Hadik, më tej e sqaroi se qeveria e tij kishte biseduar edhe me atë Italiane dhe Gjermane dhe se të treja këto bashkë nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit të Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit. Prandaj delegacioni nuk duhej të humbiste kohë dhe u tregua i gatshem të pranonte kërkesën e vetme që Ismail Qemali i bëri atë natë. T’i vinte në dispozicion një vapor që do t’i shoqeronte për në Durrës. Po në 13 nëntor ish Ministër i Brendshëm i Austro-Hungarisë do shprehej: “Pavarësia e Shqipërisë është në interes për Monarkinë tonë. “Njoftimet dokumentare bëjnë të ditur se Ismail Qemali ju shpreh Kontit Berchtold: “Flamurin e kam por nuk kam shtizën ku ta naltoj dhe flamurin pa shtizë e merr era që fryn në Ballkan. Përgjigjia e kontit ishte; -“Për shtizë të flamurit tuaj keni bajonetën austriake”.

Deri në datën 16 nëntor 1912 Ismail Qemali zhvilloi takime me përsonalitete të diplomacisë dhe burra të fuqishëm të parlamentit Austro-Hungarez ku gjithmonë në rend të ditës ishte çështja shqiptare. Delegacioni shqiptar u kthye në datën 17 nëntor ditën e diel nga Budapesti, përsëri për në Vjenë. Atje edhe të hënën paradite më datën 18 nëntor do të kishte sërish takime në Ambasadën Italiane dhe me Ambasadorin Anglez, duke e vënë në dijeni për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Më 18 nëntor Ismail Qemali u nis me trenin ekspres nga Vjena dhe mëngjesin e 19 nëntorit arriti në Trieste. Pas një ndalese të shkurtër, në “Excelsior Palace-Hotel”, në orën 14:00, shoqëruar nga 14 patriotë, midis të cilëve i biri i tij Qazim Vlora, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Dhimitër Berati, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Dhimitër Ilo, etj, Ismail Qemali u nis nga Trieste për në skelën e qytetit të Tristes nga do të niseshin në Durrës.

Më 19 nëntor në Trieste, Ismail Qemali i drejtohet me një telegram Komitetit përgatitor për shpalljen e Pavarësisë, dhe kërkon që të sigurohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të popullit, për Mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që mendohej të mbahet në Durrës. Me kërkesën e Ismail Qemailit, diplomatët Austro-Hungarez, delegacionit shqiptar i premtuan një vapor për në Durrës.

Gjithashtu po më datën 19 nëntor, Ismail Qemali, përpara nisjes nga Trieste për në Durrës, do të deklaronte për gazetën italiane “Piccolo”: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”. Qëndrimi i Ismail Qemalit në Trieste do të zgjaste vetëm një ditë sepse po në mbrëmjen e 19 nëntorit, përfundimisht delegacioni shqiptar me në krye Isamail Qemalin, me vaporin austriak “Baron Bruck” niset nga qyteti i Triestes drejt brigjeve të Shqipërisë dhe zbarkoi në Durrës në datë 21 nëntor, rreth orës 11.00.

Ndonëse ishte menduar që ngritja e flamurit të bëhet më 22 nëntor në qytetin e lashtë të Durrësit, me qëllim që të evitonin lëvizjet e mëtejshme nëpër Shqipërinë e trazuar nga lufta, situata në këtë qytet ishte shumë më ndryshe nga ç’pritej. Zbritja nga anija e “Llojdit” në anijen tjetër austriake “Graf Wurmbrand” u bë pasdite vonë të 20 nëntorit, ndërsa zbritja në Durrës në paraditën e 21 nëntorit. Nga gjendja e nderë që mbretëronte në Durrës, Ismail Qemali i lajmëroi telegrafisht të gjitha qytetet që delegatët e tyre t’i nisin për në qytetin e tij të lindjes në Vlorë.

Në këtë situatë Ismail Qemali qëndroi në Durrës vetëm dy ditë, pra në datat 21 dhe 22 nëntor sepse në datën 23 nëntor përmes një kohe të vrejtur ai rifilloi udhëtimi historik nga Durrësi për në Vlorë. Ditën e shtunë në mëngjesin e 23 nëntorit nga hotel “Konstandinopoja” me rreth 50 veta me kuajt e sjellë nga Ismail Qemal Karaosmani nga Berati nisën rrugëtimin. Në mbrëmjen e 23 nëntorit grupi i udhëhequr nga Ismail Bej Vlora qëndroi në Çermë edhe pse kishte dalë një urdhër për ta arrestuar Ismail Qemalin dhe po brenda ditës e kishin anulluar atë, nga Esat Pashë Janina me porosi të ish deputetit të parlamentit osman Myfit Bej Libohova dhe Kadiu i Janinës. Më 24 nëntor grupi e kaloi natën në Petoshanj të Libofshës dhe të hënën më datë 25 nëntor herët rifilluan lëvizjen drejt Fierit. Nga Mifoli, delegacioni i Ismail Qemalit udhëton me dy karroca dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 25 duke u gdhirë 26 nëntori arrijnë në Vlorë. Delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë, u vendosën në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës. Ndërkohë disa qytete e kishin ngritur flamurin, me qëllim që pushtuesit ta gjenin flaurin e ngritur.

Më 28 nëntor 1912 në orën 14.05 do shpallej pavarësia e Shqipërisë, ndërsa flamuri do të shpalosej nga Ismail Qemali në orën 15.12 minuta nga dritarja ku ishte mbledhur kuvendi, aty ku gjendet sot monumenti i Pavarësisë.

Me ngritjen e flamurit në Vlorë, Ismail Qemali zgjidhet kryeministër dhe merr atributin nga delegatët të formojë qeverinë e parë të re të përkohshme shqiptare. Kjo qeveri u shpall në 4 dhjetor 1912 dhe e shtriu aktivitetin e vet për 14 muaj rresht deri në 22 janar 1914.

New York Nëntor 2023

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT