
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/
Ky përfaqësues i shquar i drejtimit letrar të romantizmit, u lind më 1814-n në fshatin e vogël dhe piktoresk të Makisë, në Kalabri. U edukua në kolegjin arbëresh të Shën Adrianit, ku u trajtësua botëkuptimi i tij mbi atdhedashurinë, shtetformimin, rendin shoqëror e politik.
Në vitin 1834, De Rada u nis drejt Napolit për të ndjekur studimet në dëgën e drejtësisë. I gjendur në epiqendrën e “sizmave” kulturore dhe politike të Italisë së Jugut, poeti arbëresh u njoh me lëvizjen letrare të kohës dhe rroku penën për të hedhur në letër krijimet e tij të para. Nën ndikim e ideve të brendësuara, zuri fill vepra e tij e parë e botuar, “Këngët e Milosaos” (1836), që briti kushtrimin për çlirimin e atdheut të stërgjyshërve.
Në vjetët 1847-1848, De Rada botoi “Rrëfimet e Arbrit”, që përmblidhte katër novela në vargje, ku ideja patriotike shprehej me lirizëm të theksuar. Paskëtaj, duke nisur prej vitit 1860, botoi një sërë veprash estetike, gjuhësore, politike, folklorike, siç janë: “Parimet e estetikës” (1861), “Lashtësia e kombit shqiptar” (1864), “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (1866) etj, ku përkrahte fuqimisht çështjen kombëtare. Shkrimtari arbëresh militoi në mbrojtje të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, duke protestuar kundër cënimit të terësisë tokësore të Shqipërisë. Për përhapjen e mesazheve politike në mbrojtje të interesave kombëtare, do t’i vinte në ndihmë edhe publicistika. Në vitin 1883, ndërmori përsipër botimin e revistës së parë në gjuhën shqipe, “Flamuri i Arbërit”, në numrat e së cilës ngulmohej për autonominë e Shqipërisë.
Në vitet 1890-të, De Rada përfundoi poemat “Skënderbeu i pafat” dhe “Gjon Huniadi”. Ai organizoi edhe dy kongrese gjuhësore për çështjen e shqipes (Koriljano Kalabro, 1895, Ungër, 1897), si edhe mori pjesë në Kongresin XII-të të orientalistëve ne Romë, ku si rezultat i përpjekjeve të tij u çel një katedër e shqipes në Institutin e Gjuhëve Orientale në Napoli.

See insights and ads
Like
Comment
Share