• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sot, përkujtojmë 103-vjetorin e lindjes së historianit Kristo Frashëri

December 4, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Historiani, profesori, akademiku Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920. Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955. Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999. Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj. Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008). Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Univeristetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016, në Tiranë.

Filed Under: Histori

Përkujtojmë 114-vjetorin e çeljes të së parës shkolle kombëtare pedagogjike në Shqipëri

December 2, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Shkolla Normale e Elbasanit është e para shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e themeluar më 1 dhjetor të vitit 1909, në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar i mbajtur më 2-8 shtator 1909, në Elbasan. Shkolla Normale e Elbasanit, gjatë vitit akademik 1909-1910 numëronte 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Drejtori i parë i saj u caktua z. Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Kristo Dako, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ahmet Gashi, Mahir Domi, Salih Çeka, Eqrem Çabej, Thanas Floqi etj. Historia e Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike në Shqipëri. Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit. Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921. Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga rradhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë.

Filed Under: Histori

Kalendar: 79 vjetori i lindjes së Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova

December 1, 2023 by s p

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 2 Dhjetor 2023/ Para 79 viteve, në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, ka lindur Ibrahim Rugova, i cili kujtohet si Presidenti historik dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës.

Tradicionalisht, përfaqësues institucionalë e politikë dhe qytetarë i bëjnë homazhe Presidentit historik dhe vizitojnë familjen e tij.

Në veprimtaritë në Kosovë theksohet se në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e popullit, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Që para më shumë se tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, para 34 viteve – në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit të 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për Shtet Sovran dhe të Pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Po në vitin 1992 kur u votua në zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare, Rugova për herë të parë si President i parë i Kosovës Ditën e Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorin e festoi në Vlorë në 80 vjetor. Nga Vlora dhe në festimet tjera e urimet nëpër vite të 28 Nëntorit Presidenti Rugova theksonte edhe mesazhin se Pavarësia e Kosovës është plotësim i Pavarësisë Shqiptare, “e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve”.

“Në 28 Nëntor 1992 Presidenti Rugova qëndron në Vlorë në festimin e 80 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai realizon takime me Presidentin Sali Berisha dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar”, shkruaj nga faqe historie.

Në 80 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit, në 28 Nëntor 1992, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, uronte të gjithë shqiptarët në botë.

“Një URIM I MADH në këtë kremtim jubilar për të gjithë shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në viset e tjera etnike dhe në diasporë, duke filluar nga Zelanda e Re, Australia, Evropa dhe Amerika, të cilët gjithmonë kanë qenë të lidhur me Shqipërinë dhe me trojet etnike shqiptare dhe me çështjen shqiptare”.

Ky ishte urimi i parë për 28 Nëntorin i Dr. Ibrahim Rugovës si President i Kosovës i zgjedhjeve të para pluraliste të 24 Majit 1992. Presidenti historik Rugova ka uruar në një deklaratë ekskluzive të botuar me titullin “Shqiptarët sot janë më të bashkuar se asnjëherë” në 28 Nëntor 1992 në ballinën e gazetës së rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia okupatore të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.

I zgjedhur president i Kosovës në zgjedhjet e para pluraliste, Dr. Rugova pas vizitës në Shqipëri në Nëntor për festën e 80 vjetorit të Pavarësisë, në Dhjetor 1992 shkoi në Bruksel, ku takohet me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje Pesidentit Rugova si lider i popullit shqiptar për kontributin e tij në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari Amerikan i Shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.

Presidenti Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 Tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 29 viteve fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, si edhe në raste të tjera, falënderonte e vlerësonte shumë për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Atë intervistë të parë me Presidentin e parë të Kosovës e zhvilloja në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.

“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova.

Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte.

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.

Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës.

“Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai.

Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai.

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova. Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër, të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger.

Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005, Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

“Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005.

“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ibrahim Rugova u shua në 21 Janar 2006. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës.

SHKRIME NGA ARKIVI:

KRYETARI I VATRËS, Z. ELMI BERISHA, NDEROI ME MIRËNJOHJE TË ARTË DR. IBRAHIM RUGOVËN (PAS VDEKJES)

Të Premten, 3 tetor 2020, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” z. Elmi Berisha ka nderuar Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova (Pas vdekjes) me Medaljen e Artë të Vatrës.

Në tekstin e Mirënjohjes shkruhet:

Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” nderon me “Mirënjohjen e Artë” – Post Mortem – Presidentin e Parë Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për kontributin e jashtzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, për udhëheqjen vizionare të Rezistencës të Kosovës për Liri dhe Demokraci, për ndërtimin e urave të miqësisë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Dr. Rugova ishte arkitekti i ndërtimit të shtetit dhe Pavarësisë së Kosovës.”

I pyetur nga gazeta Dielli, Kryetari Berisha, tha se ishte i privilegjuar që e ndau këtë nderim me familjen Rugova, i cili kishte një vlerësim të jashtzakonshëm për Vatrën. Z. Berisha tha se takimi me Zonjën e Parë të Kosovës, Fane Rugova dhe pjestarët e tjerë të familjes në Shtëpinë Historike të Presidentit, ishte i përzemërt dhe i mbushur me emocione.

– Ne biseduam dhe kujtuam miqësinë dhe bashkëpunimin për rreth tri dekada me Presidentin Rugova. Posaçërisht kujtuam kohën kur isha përfaqësues special i Presidentit Rugova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë Zyrës së Senatorit Republikan Bob Dole, – tha Kryetari Berisha.

Zonja Fane falenderoi Vatrën për nderimin që i bëri Presidentit Rugova.

Ky nderim që iu bë Presidentit Historik nga Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” përkoi me 31 vjetorin e vizitës së Parë të Dr. Ibrahim Rugovës në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Ishte Seminari kushtuar 300 Vjetorit të Pjetër Bogdanit, kur Dr. Rugova u ftua së bashku me ligjërus të tjerë në SHBA.

Me 4 tetor të vitit 1989, Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, organizoi seminarin shkencor, në të cilin ishin të ftuar folës të zgjedhur dhe personalitete të njohura shqiptare në fushën e kulturës, të fesë dhe politikës Kombëtare të asaj periudhe, si : Profesor Arshi Pipa, At Danjel Gjeçaj, Dr. Ibrahim Rugova dhe Profesor Dr. Engjëll Sedaj (të ardhur nga Kosova), si dhe Profesor Martin Camaj, ardhur nga Gjermania. (Gazeta Dielli)

ME VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova…. Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 i 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ishte vendosur mbishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

22 Janar 2006: PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA

– Nga Behlul Jashari –

PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/ – Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.

Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidenti dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur.

“Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.

Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.

Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.

“I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.

Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër.

Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.

/pas/s.s./

Filed Under: Histori

Ndërtesa ku u shpall Pavarësia?

November 30, 2023 by s p

Ilir Ikonomi/

Dekada më parë, Eqrem bej Vlora ka publikuar një skicë, ku tregon pa mëdyshje se në cilën ndërtesë është shpallur pavarësia nga Ismail bej Vlora. Jo vetëm kaq, por ai na shënon në skicë edhe dritaren në të cilën Ismail beu tregoi flamurin e kuq me shkabën e zezë, para se ta vendoste në ballkon.

Kjo është ndërtesa dykatëshe dhe jo trekatëshe e sarajeve. Kjo ndërtesë dykatëshe, pra më e vogla e dy ndërtesave, ishte selamllëku i Sarajeve. Ajo ishte shtëpia ku jetonte Xhemil bej Vlora dhe ndodhet në pjesën e poshtme të skicës. Besoj se nuk mund të shpjegohet më qartë se kaq.

Deri sot, nuk kemi një fotografi ballore të kësaj ndërtese, por vetëm foto nga larg ose foto që e paraqesin ndërtesën të transformuar dhe të shndërruar në hotel.

E megjithatë, nëpër televizione ende nxirret fotografia e ndërtesës trekatëshe (ajo sipër) dhe njerëz që komentojnë duke thënë se flamuri u ngrit në ndërtesën trekatëshe – të quajtur haremllëk (e cila nuk ka fare ballkon).

Këto janë dy ndërtesa që nuk mund të ngatërrohen dhe nuk ka kuptim të ngatërrohen. Siç e thotë edhe Eqrem beu, ndërtesa trekatëshe (ajo sipër), ishte shtëpia ku lindi Ismail Qemali dhe ai e saktëson madje edhe dhomën ku lindi heroi ynë i pavarësisë.

Mund të duket si një detaj i parëndësishëm, por nuk mendoj kështu. Ne duhet të dimë dhe të themi me saktësi maksimale se ku pikërisht u ngrit flamuri dhe jo të bëjmë sikur e dimë.

Filed Under: Histori

NJË VËMENDJE PËR KLERIKUN E PATRIOTIN E MADH HAFIZ ALI KORÇA

November 29, 2023 by s p

NDUE BACAJ/

Nëse ka një klerik patriot musliman shqiptar, veprimtaria e të cilit e bënë atë simbol të binomit Fe e Atdhe, është pa më të voglin dyshim Hafiz Ali Korça.

Hafiz Ali Korça u lind në Korçë më 5 prill 1873. Ai ishte i biri i Iljaz efendi Kadiut dhe vinte nga një familje që kishin qenë brez pas brezi dijetarë të fesë, por edhe patriot shqiptar të palëkundur. Hafiz Ali Korça, përveç edukatës familjare të shkelqyer që do ta merrte që në djep së bashku me qumshtin e nënës, do të përfitonte edhe nga edukata, tradita shoqërore e patriotike e Korçës që nuk i kanë munguar kurrë. Ndërsa nën kujdesin e familjarëve dhe aftësive të tij, ai, mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje (Korçë), në shkollën iptidaije dhe atë idadije. Studimet e larta i kreu në medresen “Çifte Minareli” në Stamboll. Vlenë të cilësohet se mësimet e para fetare islame, Hafiz Ali Korça i kishte marrë që në Korçë, nga babai i tij, ku që në moshën 12 vjeçare atje kishte mësuar të gjithë Kur’anin përmendësh dhe ishte bërë hafiz. Ndërkohë Hafiz Ali Korça zgjeroi jo vëtëm njohurit fetare studimore të mirëfillta në Stamboll, por kompletoi dhe zgjeroi njohuritë e tij si intelektual i shquar në disa fusha të jetës shoqërore e patriotike. Ai ishte edhe një poliglot i mirfilltë ku zotronte gjuhët arabe, perse, osmanishte, turqishte dhe frëngjishtën. Pas këtij arsimimi dhe kompletimi me vlerat e një intelektuali patriot Hafiz Ali Korça do t’i hynte pamëndyshje rrugës fetare, letrar, publicistike.

NËPË VEPRIMTARINË PATRIOTIKE, FETARE, KULTURORE E PUBLICISTIKE TË HAFIZ ALI KORÇËS

Hafiz Ali Korça, filloi të jetë aktiv e ti bashkohet lëvizjes kombëtare shqiptare që në vitin 1889, pra kur ishte vetëm 16 vjeç, në kohen kur filloi të jepte mësime falas në shkollën shqipe të djemve në Korçë dhe pas një viti edhe në idadijen e Korçës. Hafiz Ali Korça që në fillimet e aktivitetit të tij atdhetar shqiptar, do të përndiqej e dënohej nga organet e qeverisë turke-osmane. Ishte në moshën 20 vjeçare (1893), kur u internua në Sinop, pasi kur udhëtonte me trenin Sofije-Stamboll, iu kapen librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua përsëri në Anadoll, për aktivitetin e tij në mësonjëtoren e Korçës. Megjithë këto masa nëshkimore nga qeveria e stambollit, Hafiz Ali Korça nuk do të ndalej në veprimtarinë e tij patriotike shqiptare. Hafiz Ali Korça ishte ndër mësuesit e parë të mësonjëtores shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e kësaj mësonjëtore. Hafiz Ali Korça gjatë kohës së debatit të shtyrë nga disa qarqe në Stamboll për llojin e alfabetit për gjuhën shqipe, Hafëz Ali Korça përkrahu alfabetin latin.

Këtë e tregoi Hafiz Ali Korça edhe kur ishte pjesmarrës aktiv në kongresin e Manastirit (14-22 nëntor) 1908. Kongres ku do të vendosej fati i alfabetit shqip, alfabet që na shtroi rrugën e komunikimit (të njëjtë) me Europën Perendimore. Kongresi do të thirrej me inisiativen e shoqerisë “BASHKIMI” në qytetin historik të Manastirit. Këtu u mblodhen perfaqesues nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe shoqeritë jashtë vendit, si ato të Sofjes , Bukureshtit ,Stambollit, Konstances , Amerikës, Egjyptit , Italisë e tjer… Programi i kongresit kishte në themel filozofinë : “Jo me pushkë e barut, por me pendë e letra”.. Në kongres muarën pjesë rreth 400 shqiptarë të njohur si Mit’hat Frasheri, Gjergj Qiriazi, Gjergj Fishta , Nikollë Kaçorri , Ndre Mjeda, Hil Mosi , Mati Logoreci, Thoma Avrami , Sotir Peci , Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi , Adam Shkaba , Bajo e Çerciz Topulli , Mihal Grameno , Fehmi Zavalani , Dhimiter Mole , Nysret Vrioni , Rrok Berisha , Leonidha Naço , Dhimitraq Buda , Akil Eftimi , Shefqet Frasheri , Refik Toptani , Gligor Cilka , Emin Shkupi , Hafiz Ibrahimi (nga Shkupi) , Ramiz Daci , Xhemal Beu (nga Ohri ) , Fahri Frasheri nga Resna etjerë, në mes të cilëve dallohej edhe Hafiz Ali Korça…. (Shaban Demiraj , K.Prifti “Kongresi i Manastirit” , fq.73-74 . + Gazeta “Rilindja Demokratike “ dt.14 nentor 2008). Në Kongresin e Manastirit vezhguese kishte qënë edhe misionaria amerikane Fineas Kenedi , e cili shkruente se këtu u mbajten shumë kumtesa , por ajo e potetit Gjergj Fishta nga Shkodra ishte më e mira dhe i bëri dëgjuesit t’u rridhnin lotët. Një hoxhë u prek aq shumë sa që rendi ta perqafonte para gjithë të pranishmve… (Edwin Jacques, “SHQIPTARET, histori e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme, fq.342-343 . + Gazeta “55” dt.06 nentor 2008). Hoxha që përqafoi Gjergj Fishten ishte pikrisht kleriku patriot Hafiz Ali Korça, pjesëmarrës në kongresin e Manastirit. (At Daniel Gjeçaj, Jeta dhe Vepra , fq.57, Botime Franceskane , Shkodër 2007). Veprimtari tjetër e rëndësishme atdhetare e Hafiz Ali Korçës është dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Dibrës, më 23-29 Korrik 1909, ku merrnin pjesë edhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, si: Aqif Pashë Elbasani, Abdyl Bej Ypi, Dervish Hima etj. Fjala e Hafiz Ali Korçës në këtë kongres ishte kryesorja, fjalë që prishte synimet e xhonturqëve dhe bashkëpuntorëve të tyre shqiptar, fjalë që i kushtoj shkatërrimin e shtëpisë… Kongresi i Dibrës, i quajtur Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman …. Megjithatë, një pjesë e mirë e patriotëve shqiptarë pjesëmarrës në kongres refuzuan kategorikisht që të nënshkruanin symbyllur rezolutën e propozuar nga xhonturqit. Në kongres me këmbënguljen e patriotëve shqiptar si Hafiz Ali Korça u përfshinë për herë të parë disa masa që lejonin që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare në Perandori dhe të mund të jepej mësim nëpër shkolla shtetërore. (https://gazetadita.al/kongresi-historik-i-dibres/). Veprimtarinë patriotike për alfabetin e miratuar në Kongresin e Manastirit, Hafiz Ali Korça, do ta vijonte me pjesmarrjen e tij aktive në Kongresin Kombëtar të Elbasanit të zhvilluar 2-9 shtator 1909. Ky kongres iu kundërvu propogandës përçarëse të xhonturqëve që propogandonin se gjuha shqipe duhet të shkruhet me me alfabetin turko-arab e jo me alfabetin (e kaurrit) latin. Patriotë shqiptar që muarën pjesë në këtë kongres iu kundërvunë synimeve xhonturke dhe mbrojtën interesat kombëtare. Në kongres muarën pjesë 35 delegatë të klubeve e shoqërive shqiptare. Disa nga vendimet e rëndësishme të këtij kongresi ishin: a) Çelja e një shkolle të mesme pedagogjike (normale) në Elbasan, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe. b) Krijimi i shoqërisë qëndrore shkollore “Përparimi” në Korçë e cila do të kujdesej për mbarvajtjen e shkollës normale e shkollave të tjera shqipe dhe për botimin e librave mësimorë, c) Rizgjedhja e klubit të Manastirit si klub qëndror dhe pë dy vjet të tjera. Duke u mbështetur në vendimet e këtij kongresi, në shtator 1909 u krijua në Korçë shoqëria “Përparimi” dhe me 1 dhjetor 1909 u çel në Elbasan shkolla Normale Shqipe. Drejtor i saj u caktua Luigj Gurakuqi, së bashku me mësuesit e parë të kësaj shkolle kombëtare, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Pjetër Dodbiba etj. (Histori e popullit shqiptar; fq.124-126, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994, Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912, Akademia e Shkencave, Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, fq.199-201-Tiranë -1978). Pas shpalljes së Pavarësisë, në Qeverinë e përkohshme të Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali, Hafiz Ali Korça u ngarkuan me detyra të rëndësishme, si këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i kësaj Ministrie, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës, ku ndërmori reforma në kurrikula dhe hartoi tekste për nxënësit, që t’u lehtësoheshin studimet edhe në shkollat e larta jashtë shtetit etj…. Kur Princ Vidi erdhi në Durrës më 7 mars 1914, Dervish Hima dhe Hafiz Ali Korça mbajtën nga një fjalim në frëngjisht, dhe Princ Vidi iu kthye atyre në të njëjtën gjuhë. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Haf%C3%ABz_Ali_Kor%C3%A7a). Është me vlera të cilësohet se për veprimtarinë e tij, përveç tjerash, Hafiz Ali Korçen e ndoqën rebelët e Musa Qazimit (1914….) të cilin e burgosën në Elbasan… (https://dritaislame.al/hafiz-ali-korca-1873-1957-drejtor…/). Me hymjen e Austro-Hungarezëve në Shkodër, fillon edhe një lëvizje e re kulturore në Shkodër: themelohet “Komisia Letrare Shqipe”, e cila vazhdoi që nga 1916 deri me 1918, ku morën pjesë shumë patriot përparimtarë e me kulturë të gjërë, siç ishin Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Aleksandër Xhuvani, Hilë Mosi, Hafiz Ali Korça, Dom Ndre Mjeda, Luigj Naraçi etj. , si dhe albanolog të huaj e vendas, siç qenë Profesor R. Nachtigal. Maksimilan Lambertz, Gjergj Pekmezi. Hamdi Bushati, Shkodra dhe Motet-traditë, ngjarje njerëz..vëllimi II, fq.128, shtëpia botuese “IDROMENO”, Shkodër 1999. Qellimi ishte të krijohej një standard letrar dhe drejtshkrim të standartizuar për përdorim zyrtar, sidomos për botimie të teksteve shkollore në gjuhen shqipe. Antarë të komisionit ishin: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Maximilan Lambretz, Mati Logoreci, Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Sotir Peci, Gjergj Pekmezi, Aleksandër Xhuvani. Pas disa diskutimesh Komisija vendosi që të përdorej dialekti qëndror i Elbasanit, si kompromis asnjënës për gjuhën letrare standard. Robert Elsie, Fjalori Historik i Shqipërisë, fq.319, sh.b. UEGEN 2011. Gjatë jetës së tij Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj. Hafiz Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Ai ka shkruar një varg veprash origjinale në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen:

Mevludi (1900).

“303 fjalë të Imam Aliut” (Botuar në Korçë më 1910).

“Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Botuar në Tiranë më 1931, fq.288).

“Jusufi me Zelihanë” (Botuar në Elbasan më 1923).

Më 1925 botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. “Gjylistani”, përkthim nga Sadiu, (1918).

“Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë”, poezi, (Botuar në Tiranë më 1944).

“Tefsiri i Kur’anit”, (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924.

“Rubaijjati Khajam”(Hajjam, përkthim nga Omer Khajami, 1930- Ribotim 1942 në Tiranë).

Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu edhe tekstet shkollore si :

“Abetare shqip” (1910).

“Fe Rrëfenjësi, morali” (1914).

“Gramatika, Syntaksa shqip—arabisht edhe fjalime”, (1916).

Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat si “Gjylistani”, “Rubairat” si dhe “Jusufi me Zelihane”, i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj si Saadiun, O.Kajamin etj.

Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Haf%C3%ABz_Ali_Kor%C3%A7a).

GJITHASHTU HAFIZ ALI KORÇA KA LËNË MJAFT FJALë TË URTA SI :

E nxë, harron; e shkruan, qëndron.

Të mos ish e uruara pendë, mësimi do t’ish fort i rëndë.

Vijat e pendës janë pikat (bebet) e syrit dhe bardhësia e zemrës.

Mendjet e njerëzve ndodhen në mes të dy çatajve të pendës.

S’ka më e lart se shkall’e diturisë, ajo të bën të parin e njerëzisë dhe t’afron pranë Perëndisë.

Kush është me Zotin e vërtetë, është i shumët edhe sikur të jetë vet.

Kush nuk është me Zotin, edhe i shumët të jetë, s’quhet fare gjë në jetë.

Të mirat e punëve janë të mesmet.

Trupi merr fuqi nga hamja e pimja, e mendja forcohet nga dituritë e filozofitë.

(https://urtesi.al/nga-hafiz-ali-korca/).

Me ardhjen në pushtet të komunizmit, kur edhe duhej të fillonte një vlersim për veprimtarinë patriotike e letrare, filloi persekutimi e dënimi i Hafiz Ali Korçës që në vitin 1945 e mbaroi kur ai vdiq me 1957 në Kavajë i internuar. Hafiz Ali Korçës do ti dënonin edhe dy djemtë e tij si armiq, njëri me vdekje, tjetri me burg e përndjekje…

Është interesant se si Hafiz Ali Korça në pak vargje përshkruan vuajtjet e persekutimin e tij (“Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”):

Për Shqipërinë u përpoqa

rezikova jetën t’ime

Nuk rëfehet se sa hoqa

se shteti m’i njihte krime.

]https://www.standard.al/…/denuar-ne-45-si-u-survejua…/

E VERTET VONON POR NUK HARRON

Kjo sentencë popullore, megjithëse shumë vonë e pas vdekjes vertetohet edhe me Hafiz Ali Korçen:

Presidenti i Republikës Bujar Nishani me 15 shkurt 2017 e vlerësoi Hafiz Ali Korçën (pas vdekjes) me dekoratën më të lartë, “Nderi i Kombit” me motivacionin:

“Për rolin dhe kontributin e tij të rëndësishëm e vetëmohues në dobi të çështjes kombëtare: si martir i kombit e kulturës shqiptare, si klerik atdhetar i shquar e veprimtar i flaktë për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj, si figurë e papërsëritshme intelektuale, duke u shndërruar në një nga dijetarët më të ndritur të filozofisë islame në Shqipëri”.

Së fundi mendova ta mbyllë këtë shënim të vogël për këtë klerik të madh patriot, me fjalët që e fillova këtë shkrim vëmendje me rastin e 111 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë: Nëse ka një klerik patriot musliman shqiptar, veprimtaria e të cilit e bënë atë simbol të binomit Fe e Atdhe, është pa më të voglin dyshim Hafiz Ali Korça.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 118
  • 119
  • 120
  • 121
  • 122
  • …
  • 707
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT