• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si u konfiskua një nga bibliotekat më të vjetra dhe më të pasura të Shqipërisë: Biblioteka e Tabakëve në Shkodër

August 28, 2023 by s p

Dr. Hasan Bello/

Në shekullin XVIII-XIX Shkodra ishte një nga qytetet më të zhvilluara të Ballkanit. Përveç aspektit ekonomik dhe politik ajo ishte kthyer në një oaz të dijes dhe arsimit. Kjo u reflektua disa dekada më pas kur elita politike dhe intelektuale e këtij qyteti do të luaj një rol të rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe mbrojtjen e atdheut nga agresionet e njëpasnjëshme. Për këtë një rol të rëndësishëm kanë luajtur klerikët dhe institucionet religjoze, të cilat ishin kthyer në vatra të dijes e kulturës.

Për ta ilustruar këtë do të marim si shembull Jusuf efendi Tabakun, i cili duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX për disa vite me radhë do të shërbejë si imam dhe në vitin 1863 si myfti i qytetit. Sipas librit të intelektualit shkodran Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet” (vëll I), ku jepen të dhëna më të detajuara për këtë bibliotekë dhe themeluesin e saj, në shtëpinë karakteristike të Jusuf efendi Tabakut ndodhej një dhomë e veçantë, e cila quhej “Oda e qitapeve”. Kjo ishte një nga bibliotekat më të pasura të qytetit, me një fond prej 2000 librash nga fusha të ndryshme të shkencës. Poseduesi i saj kishte hartuar edhe një inventar me 45 fletë mbi përmbajtjen e këtyre librave. Në mesin e tyre ndodhej një vepër e Tahir efendi Gjakovës me titull “Emni Vehbije sherif”, e shkruar shqip me gërma arabe në vitin 1835; dy tabela astronomike të përpiluara nga Hoxha Hasan Tahsini, me firmën e tij, të shtypura në Paris në vitin 1867 etj, etj vepra me vlerë.

Por ajo që ka interes për ne është mënyra sesi institucionet e regjimit komunist iu qasën bibliotekave private dhe në mënyrë specifike Bibliotekës së Tabakëve, e cila konsiderohej si një prej bibliotekave më me vlerë të qytetit të Shkodrës dhe të gjith Shqipërisë. Nga kërkimet arkivore kemi arritur të gjejmë një dokument të nënshkruar nga kryeministri Mehmet Shehu, i cili në vitin 1964 urdhëron Komitetin Ekzekutiv në Shkodër të bënte inventarizimin e kësaj biblioteke. Sipas tij, “Duke qenë se “Biblioteka e Tabakëve” ka një sasi të madhe librash (rreth 2000 volume) të ndryshme, në gjuhë të huaja dhe shqip, të rëndësishme, sidomos për studimin e problemeve të orientalistikës dhe kanë vlerë edhe për historinë e vendit tonë, me qëllim që ato të njifen, të ruhen më mirë dhe të vihen në shërbim të studionjësve,

URDHËROI:

1)Materialet e “Bibliotekës së Tabakëve” në Shkodër të inventarizohen sipas rregullave përkatëse;

2)Kjo punë të kryhet nga një komision i veçantë nga Komiteti Ekzekutiv në Shkodër, me pjesëmarrjen e Bibliotekës Shtetërore Shkodër, e cila duhet ta ketë nën kujdestari;

3)Një kopje e inventarëve t`i dërgohet edhe kësaj Kryeministrije.

Familjes që ka këtë bibliotekë t`i shpjegohet nga kryesija e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Shkodër rëndësia dhe domosdoshmëria e këtij inventarizimi, duke i falenderuar me këtë rast për kujdesin që kanë patur në krijimin dhe ruajtjen e kësaj biblioteke.

Kryetari i Këshillit të Ministrave

të Republikës Popullore të Shqipërisë

Mehmet Shehu”

Për inventarizimin e librave dhe dorëshkrimeve që gjendeshin në Bibliotekën e Tabakëve nuk mjaftonte vetëm “kontributi” i nënpunësve lokalë. Kjo për shkak të specialistëve të gjuhëve orientale që nevojiteshin për verifikimin e librave. Për këtë u angazhua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit. Në një relacion të shefit të Degës së Organizim-Inspektimit të kësaj drejtorie për Kryeministrinë dhe Komitetin Qendror të PPSh-së, i cili mban datën 30 qershor 1964 thuhet se, nga studimi që u ishte bërë në terren këtyre materialeve ishte konstatuar se ato përbëheshin nga tituj të shumtë. Kjo bibliotekë ishte pronë e Hasan Tabakut (fetar), trashëguar nga gjyshi i tij Jusuf efendi Tabaku (myftiu i njohur i Tabakëve), i cili siç thuhej, e kishte krijuar këtë bibliotekë 100 vjet më parë. Ajo kishte rreth 2000 volume, por nga informacioni i mbledhur rezultonte se kishte pasur më shumë. Librat i përkisnin gjinive të ndryshme, si: teologjisë, historisë, letërsisë, filozofisë, jurisprudencës etj. Dominonte gjuha arabe, perse dhe turke. Në mesin e tyre ndodhej dorëshkrimi i Tahir efendi Gjakohës i shkruar në shqip me gërma arabe në vitin 1835 dhe dy tabela astronomike të Hoxha Hasan Tahsinit të botuara nga Universiteti i Sorbonës në vitin 1867.

Nga informacionet e paverifikuara në këtë bibliotekë kishte edhe dorëshkrime të tjera në shqip, të cilat ishin marë dhe vazhdonin të mereshin nga persona të ndryshëm për t`i shfrytëzuar për interesat e tyre. Ndërsa në faqet e librave (margjinat e tyre), kishte shënime të ndryshme për ngjarje dhe personalitete politike në Shkodër.

Kjo bibliotekë kishte qenë në fokus jo vetëm të intelektualëve vendas, por para vitit 1944 ajo ishte vizituar dhe frekuentuar edhe nga studiues të huaj. Ajo kishte një vlerë të jashtzakonshme për orientalistët dhe specialistët e këtyre fushave. Duke u nisur nga këto konsiderata, shefi i Degës së Organizim-Inspektimit në AQSh kërkoi nga Kryeministria dhe KQ i PPSh që “Biblioteka e Tabakëve” të merrej nën “kontrollin e shtetit”.

Sipas mendimit tonë, ajo që përbën kulturocid, nuk është kujdesi dhe kontrolli i institucioneve shtetërore të regjimit komunist mbi bibliotekat private. Por prishja e këtyre bibliotekave, bashkimi dhe magazinimi i tyre me librat e bibliotekave të tjera.

May be an image of text that says "I"

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Hasan Bello

KOMITETI KOMBËTAR “SHQIPËRIA E LIRË”, 74 VJET NGA THEMELIMI

August 26, 2023 by s p

26 gusht 1949 – 26 gusht 2023

U bënë 74 vjet nga shpallja në Paris, Francë e Komitetit Kombëtar Shqiptar “Shqipëria e Lirë” në 26 gusht 1949.

Lufta e Mid’hat Frashërit kundër regjimit komunist në Shqipëri nuk ndali asnjëherë, por aktiviteti i tij kulmoi në verën e vitit 1949. Organizimi i antikomunistëve në mërgim, me iniciativën e Frashërit dhe mbështetjen e anglo-amerikanëve, u formalizua me krijimin e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” i cili i pati fillimet në Itali dhe u kristalizua në Francë. (Sipas CIAs amerikane, bërthama e komitetit ishte formuar në 7 korrik 1949.)

Komiteti zgjodhi një Këshill Drejtues me këtë përbërje:

Mid’hat Frashëri, Balli Kombëtar, Kryetar

Abas Kupi, Legaliteti

Zef Pali, Balli Kombëtar

Said Kryeziu, Independent

Nuçi Kota, Legaliteti

Komiteti u krijua i mbështetur edhe nga një komision konsultativ me përbërje:

Halil Maçi, Balli Kombëtar

Abas Ermenji, Balli Kombëtar

Vasil Andoni, Balli Kombëtar

Gaqo Gogo, Legaliteti

Gani Tafili, Legaliteti

Asllan Zeineli, Legaliteti

Ihsan Toptani, Independent

Muharrem Bajraktari, Independent

Hysni Mulleti, Independent

Ekrem Telhai, Independent

Komiteti parashtroi këto qëllime:

1. Të udhëzonte e të inkurajonte popullin e vet kurajoz në rezistencën kundër tiranisë mizore të komunistëve dhe të organizonte shqiptarët në mërgim për të ndihmuar në mënyrë efektive rezistencën. Komiteti synonte të informonte njerëzit në Shqipëri se papajtueshmëria me shtypjen komuniste ishte universale dhe se fuqia e njerëzve të lirë dhe ai i kombeve parlamentare po rritej shpejt.

2. Të gjitha aktivitetet e komitetit synonin restaurimin e pavarësisë së plotë, sovranitetit dhe integritetit territorial të kombit Shqiptar.

3. Komiteti për Shqipërinë e Lirë, i vetëdijshëm për përgjegjësitë e marra mbi supe, synonte të gjente mbështetjen e gjithë njerëzve të lirë dhe atë të vendeve demokratike.

Ndonëse personalitetet e lartpërmendura iu përkisnin organizatave të ndryshme politike, ata burra kishin të përbashkët dëshirën për të çliruar Shqipërinë nga kuçedra komuniste. Shtetet e Bashkuara ndihmuan që komiteti të shpërngulej në Nju Jork. Por beteja e Mid’hat Frashërit ndaj komunistëve u ndërpre pas vdekjes së tij të papritur e misterioze në Nju Jork, Sh.B.A. në 3 tetor 1949, pothuajse një muaj më vonë. Lavdi këtyre burrave të mëdhenj të kombit!

—Administratori

Foto: Mid’hat Frashëri më anëtarët e komitetit, Paris, 26 gusht, 1949

Marrë nga: “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Filed Under: Histori

NË SHALË DO TË VENDOSET MEMORIALI I MARTIRËVE  TË KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE ME ORIGJINË NGA DUKAGJINI

August 25, 2023 by s p

“Vuajtja, o bir e ban ma fisnike fitoren”- At Ciprijan Nikaj

  Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare, 2023 kujtohet në ish-kampin e internimit të Tepelenës

Nga Frank Shkreli            

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Çdo vit, 23 Gushti shënon Ditën Evropiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, dy ideologjive barbare, shkatërrimtare të shekullit të 20-të, dy regjime kriminale që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve, viktima të pafajshme të totalitarizmit.  Është një ditë e cila shënohet — në kujtim të viktimave të komunizmit e nazizmit — në vendet e kontinentit evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. E njohur edhe si “Dita e Shiritit të Zi”, që nga viti 2008, Parlamenti Evropian e ka caktuar këtë ditë kujtimi për viktimat e komunizëm/nazizmit, që prej atëherë shënohet, zyrtarisht, në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.  Data e 23 Gushtit është cktuar zyrtarizuar si ditë kujtimi për viktimat e komunizëm/nazizmit, pasi historikisht, përkon me ditën kur është nënshkruar pakti famëkeq ruso-nazist Molotov-Ribentropp, midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, më 23 Gusht, 1939 nga ministrat e jashtëm të dy vendeve, në bazë të cilit Moska dhe Berlini kishin rënë dakord për të ndarë, midis tyre, Evropën Lindore.

Siç dihet — përveç tragjedive të tjera — nënshkrimi i paktit komunisto-nazist Molotov-Ribbentrop, ishte fillimi i krimeve dhe i gjithë të zezave anë e mbanë kontinentit të vjetër – dhe si rrjedhim pas fitores kundër nazizmit, e mori djalli një pjesë të madhe të Evropës dhe historinë e saj të përgjakshme e kontrolloi komunizëm/stalinizmi ruso-sovjetik për pothuaj 50-vjet, përfshir Shqipërinë dhe trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë.  Anë e mbanë Evropës, Shteteve të Bashkuar dhe Kanadasë ëshët shënuar sot kjo ditë me dhimbje dhe respekt për miliona viktima të paafajshme të komunizmit e nazizmit.

Edhe në Shqipëri, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) njofton në portalin e këtij enti se në Tepelenë  më 23 gusht 2023 u zhvillua ceremonia e përkujtimit në ish kampin e internimit të Tepelenës, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Thuhet se morën pjesë përfaqësues të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të mbijetuar e familjarë të viktimave në kampin e internimit 1949-1953, si dhe familjarë të pagjeturve të komunizmit në zonën e Tepelenës. Ata nderuan vuajtjen e të miturve, grave e të moshuarve pafaj që u internuan në Tepelenë dhe kujtuan viktimat e komunizmit barbar enverist, sllavo-aziatik duke vendosur kurora dhe lule pranë ekspozitës informuese në ish-kampin e ngritur nga AIDSSH. Facebook.   Përkujtimi i kësaj dite mbarë evropiane kushtuar viktimave të komunizmit e nazizmit, përfshir ceremoninë e mbajtur në Tepelenë, në kujtim të viktimave të pafajshme — gra, të moshuar e fëmijë — viktima të regjimit barbar komunist të Enver Hoxhës — megjith mungesën e autoriteteve të larta të Tiranës zyrtare në përkujtime të tilla– na bën të besojmë se e keqja — krimet dhe barbarizmat e regjimit komunist në Shqipëri kundër njerëzimit — nuk e kanë kurrë fjalën e fundit.

Në këtë ndërkohë dhe në kuadër të kësaj dite evropiane në përkujtim të viktimave të komunizmit, disa ditë më parë më ra në dorë një njoftim i publikuar nga këshilltarja e Bashkisë Shkodër, Eliona Kodra Shkreli, me të cilin përhapte lajmin e mirë se, “Me 26 shtator 2023, në Breglum, Shalë, Shkodër, do të vendoset memoriali i Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, me origjinë nga Dukagjini”, duke shtuar se hollësitë e ceremonisë do të njoftohen më vonë.

“Shekulli i 20, paraqet në Shqipëri një panoramë brutale që do të mbahet mend në histori si periudha më e errët e martirizimit”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga një komision përgjegjës për organizimin e ceremonisë së inaugurimit të Memorialit kushtuar klerikëve të martirizuar katolikë nga zona e Dukagjinit.  Memoriali në Shalë u kushtohet 8 burrave të vrarë nga komunizmi dhe të shpallurve “të lumnuar” nga Kisha Katolike Universale: At Ciprian Nika, O.F.M, At Bernardin Palaj, O.F.M., At Gjon Shllaku, O.F.M., At Gaspër Suma, O.F.M., Dom Dedë Plani, Dom Mark Xhani, Dom Lazer Shantoja dhe Gjelosh Lulashi, martir laik.  Në njoftimin e grupit organizues për ngritjen e Memorialit thuhet se jeta dhe historia e këtyre martirëve tregon se besimi nuk është diçka abstrakte por një forcë e jashtëzakonshme e lidhjes me Zotin, me virtytet më të larta shoqërore dhe njerëzore, është frymëzim dhe kurajo deri në sakrificë sublime.”  Ngritja e këtij Memoriali, një nismë private — sipas këtij njoftimi — është një ide dhe dëshirë e kahershme që sot po bëhet realitet nga dy familje të nderuara: familja e Gjin Markaj dhe familja Dedë Prendaj, dy familje të nderuara nga Shala e Dukagjinit.  Ky memorial është një reflektim për cdo dukagjinas dhe shqiptar për të kujtuar shembujt dhe mesazhet që martirët dhanë deri në minutat e fundit të jetës, thuhet në njoftim.

Këta 8 burra të Dukagjinit që rrjedhin nga toka fisnike dhe e martirizuar shqiptare gjatë një dimri të egër gjysëm-shekullor nën regjimin ateist të komunizmit sllavo-aziatik, i dhanë Kishës Universale, shoqërisë dhe Kombit Arbëror, dëshmi dhe shembëll duke vdekur për besimin në Zotin, për vlerat njerëzore, kombëtare, intelektuale dhe shpirtërore – vlera këto që nuk shuhen kurrë.  Edhe ngritja e Memorialit kushtuar klerikëve dukagjinas muajin që vjen, do të konsiderohet si një ditë që na e dhuroi Zoti, siç është shprehur Papa Gjon Pali i II kur ka përshkruar  vizitën e tij në Shqipëri, në vitin 1993 – si një shenjë se e keqja dhe tragjedia gjysëm shekullore, e quajtur komunizëm, nuk do të zgjaste përgjithmonë. Se liria do të triumfonte dhe, heret ose vonë, e vërteta do të manifestohej, përgjithmonë!

Vizita apostolike e Papa Gjon Palit të II në Shqipëri në vitin 1993, ishte një dëshmi e kësaj së vërtete, një manifestim i veçantë për Shqipërinë, megjithëse ishte shpallur si vendi parë atesit kundër Zotit dhe Kombin shqiptar.  Me atë rast, Gjon Pali i II i tha të vërtetën, botës dhe shqiptarëve, për rolin historik të komunitetit katolik të martirizuar nga regjimi komunist, veçanërisht klerikët e Kishës Katolike, në mbrojtje të  vlerave shekullore kombëtare dhe identitetit historic të shqiptarëve.

 “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! … Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”,  është shprehur Papa Gjon Pali i II më 25 prill 1993, në Shqipëri,  E pastaj nxitja atërore e Shën Gjon Palit II për të sotmen e shqiptarëve: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”! Por edhe thirrja për kujtesën e përhershme: “Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”.  Memoriali që do ngrihet, muajin që vjen, në Shalë të Dukagjinit kushtuar klerikëve martirë të asaj zone, simbolikisht, do të bëjë pikërisht këtë: Do të ndihmojë që të mos harrohet e kaluara e dhimbshme. Njëherazi, ky është edhe mesazhi i ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare komunisto-nazizte, 23 gusht, 2023. E vërteta, më në fund, triumfon, ndërsa e keqja nuk e ka kurrë fjalën e fundit!

                                   Databaza e te perndjekurve politik | Bunk'art “At Çiprian Nika, ish Provincial i Urdhërit të Shën Françeskut në Shkodër, është arrestuar në nëntor, 1946 me akuzën absurde të mshefjes së armëve në kuvendin Françeskan në Shkodër. Kjo komedi, u shpik nga Seksioni i Sigurimit të Shtetit, nën kryesinë e  Major Zoi Thenelit dhe u përhap me radio e shtyp nga (komunistët) shqiptarët dhe më vonë edhe nga jugosllavët. Marsin e vitit 1948 At Ciprian Nika u pushkatua, ndërsa të njëjtën tragjedi pësuan shumë françeskanë të tjerë shqiptarë.”  Porosia e At Ciprian Nikajt për Sami Repishtin, 20-vjeçar në atë kohë, bashkvuajtës në të njëjtën qeli me të: “Po ta la amanet, nxjerre të vërtetën në shesh”. “Të jap besën!”, i është përgjigjur Profesori i ardhëshëm, i cili është liruar 9 vjetë më vonë nga burgjet e komunizmit enverist. “Për një minutë të pambarim e solemn mbetëm të heshtun në parzmet e njani tjetrit, sikur të dojshim me u sigurue se  vazhdueshmënia e së vërtetës, e ndërpreme prej vdekjes së fratit, do të mbijetonte në mue e do ta shfajësonte viktimën”, ka shkruar në librin:  Lotë – Lavdi e Lumnim. Profesor Sami Repishti, bashkvuajtës në të njëjtën qeli, me At Ciprian Nikën. 

                Nga ceremonia në Tepelenë, Gusht 23, 2023

                May be an image of 7 people𝐃𝐫. 𝐆𝐞𝐧𝐭𝐢𝐚𝐧𝐚 𝐒𝐮𝐥𝐚, kryetare e Autoritetit, tha ndër të tjera : “𝑆𝑒 𝑘𝑗𝑜 𝑑𝑖𝑡𝑒̈ 𝑠ℎ𝑒̈𝑟𝑏𝑒𝑛 𝑠𝑖 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑘𝑢𝑗𝑡𝑒𝑠𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟 𝑚𝑖𝑙𝑖𝑜𝑛𝑎 𝑞𝑒̈ 𝑣𝑢𝑎𝑗𝑡𝑒̈𝑛 𝑛𝑒̈𝑛 𝑘𝑒̈𝑡𝑜 𝑟𝑒𝑔𝑗𝑖𝑚𝑒, 𝑑𝑢𝑘𝑒 𝑝𝑒̈𝑟𝑓𝑠ℎ𝑖𝑟𝑒̈ 𝑎𝑡𝑎 𝑡𝑒̈ 𝑏𝑢𝑟𝑔𝑜𝑠𝑢𝑟 𝑛𝑒̈ 𝑘𝑎𝑚𝑝𝑒𝑡 𝑒 𝑝𝑒̈𝑟𝑞𝑒𝑛𝑑𝑟𝑖𝑚𝑖𝑡, 𝑔𝑢𝑙𝑎𝑔𝑒̈𝑡 𝑑ℎ𝑒 𝑏𝑢𝑟𝑔𝑗𝑒𝑡. 𝑁𝑒 𝑠𝑦𝑛𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑛𝑑𝑒𝑟𝑜𝑗𝑚𝑒̈ ℎ𝑖𝑠𝑡𝑜𝑟𝑖𝑡𝑒̈ 𝑒 𝑛𝑗𝑒𝑟𝑒̈𝑧𝑣𝑒 𝑡𝑎𝑛𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑢 𝑑𝑒𝑡𝑦𝑟𝑢𝑎𝑛 𝑚𝑒̈ 𝑓𝑜𝑟𝑐𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑗𝑒𝑡𝑜𝑗𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝑘𝑒̈𝑡𝑜 𝑘𝑎𝑚𝑝𝑒 𝑑ℎ𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑎𝑟𝑎𝑛𝑑𝑎𝑙𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑞𝑒̈ 𝑡𝑟𝑎𝑔𝑗𝑒𝑑𝑖𝑎 𝑒 𝑡𝑦𝑟𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑜ℎ𝑜ℎ𝑒𝑡 𝑒 ℎ𝑎𝑟𝑟𝑜ℎ𝑒𝑡”.

May be an image of 7 people

𝐒𝐢𝐦𝐨𝐧 𝐌𝐢𝐫𝐚𝐤𝐚𝐣, fëmijë kur familja e tij, nëna dhe motrat i internuan në Tepelenë: “𝐸 𝑔𝑗𝑖𝑡ℎ𝑒̈ 𝑘𝑗𝑜 𝑡𝑟𝑎𝑔𝑗𝑒𝑑𝑖, 𝑚𝑏𝑖 𝑛𝑗𝑒̈𝑟𝑒̈𝑧 𝑘𝑟𝑒𝑗𝑡𝑒̈𝑠𝑖𝑠ℎ𝑡 𝑡𝑒̈ 𝑝𝑎𝑓𝑎𝑗𝑠ℎ𝑒̈𝑚, 𝑛𝑑𝑜𝑑ℎ𝑖 𝑛𝑒̈ 𝑘𝑜ℎ𝑒̈ 𝑝𝑎𝑞𝑒. 𝐷𝑒𝑡𝑦𝑟𝑎 𝑗𝑜𝑛𝑒̈ 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑡’𝑖 𝑘𝑢𝑗𝑡𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝑎𝑡𝑎 𝑞𝑒̈ 𝑙𝑎𝑚𝑒̈ 𝑝𝑎𝑠 𝑑ℎ𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑖𝑛𝑘𝑢𝑟𝑎𝑗𝑜𝑗𝑚𝑒̈ 𝐴𝑢𝑡𝑜𝑟𝑖𝑡𝑒𝑡𝑖𝑛 𝑞𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝑑𝑟𝑖𝑡𝑒̈𝑛 𝑒 𝑑𝑜𝑘𝑢𝑚𝑒𝑛𝑡𝑒𝑣𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑟𝑒𝑗𝑎, 𝑘𝑢 𝑣𝑒𝑛𝑑, 𝑘𝑗𝑜 ℎ𝑖𝑠𝑡𝑜𝑟𝑖 𝑡𝑒̈ 𝑏𝑒̈ℎ𝑒𝑡 𝑒 𝑛𝑗𝑜ℎ𝑢𝑟 𝑛𝑔𝑎 𝑒 𝑎𝑟𝑑ℎ𝑚𝑗𝑎”.

Frank Shkreli

Filed Under: Histori

Në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare

August 23, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Sot në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare ju prezantojmë me dy nga objektet kryesore në lidhje me këtë datë të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.

Objekti i parë është: Pantallonat e Gjon Vatnikaj (Tunxhi). Këto pantallona janë të arnuara me fije flokësh të nënës së tij, Mrika Tunxhi, gjatë kohës së internimit. Objekti është pjesë e koleksionit të Muzeut Historik Kombëtar dhe eskpozohet në Pavijonin e Terrorit Komunist në Shqipëri.

Objekti tjetër i përket Margarita Tutulanit (1925-1943), Heroinë e Popullit. Pushkatuar në moshën 19 vjeçare së bashku me të vëllain Kristaq Tutulani, më 6 korrik 1943 nga fashistët italianë. Xhaketa është mbajtur nga Margarita ditën e pushkatimit, gjë që e dëshmojnë njollat e gjakut të dukshme edhe sot. Objekti është i ekspozuar në Pavijonin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për publikun e gjerë.

Për të mësuar më tepër rreth këtyre ngjarjeve ju ftojmë të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar.

Filed Under: Histori

METODAT E ÇUBRILLOVIQIT PËR DËBIMIN E SHQIPTARËVE

August 21, 2023 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

– memorandumi famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” –

Memorandumin “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) akademiku dhe politikani serb Vasa Çubrilloviq e ka shkruar në vitin 1937 për qeverinë e kryeministrit të Mbretërisë së Jugosllavisë Millan Stojadinoviq (1888 – Buenos-Aires, 1961). 

Në këtë memorandum apo elaborat, Çubrilloviqi i propozon mënyrat e zgjidhjes së “problemit shqiptar” me pastrimin etnik total të Kosovës prej shqiptarëve. Memorandumin e sipërthënë, Çubrilloviqi ia paraqit qeverisë së Beogradit më 7 mars 1937. Ky program, i cili të lë mbresën e një varianti të zbutur të procesverbaleve të Konferencës naziste të Vanze-it (Wannsee) më 1942, parashikonte një fushatë energjike për të shpopulluar Kosovën nga banorët shqiptarë dhe për t’i zëvendësuar me kolonë serbë dhe malazezë. 

*   *   *

Shënim: Vasa Çubrilloviqi (1897-1990) ka qenë historian dhe politikan gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë. Ka qenë pjesëtar i organizatës “Mlada Bosna”. Në vitin 1914 ka marrë pjesë në atentatin ndaj pretendentit të fronit Austro-Hungarez, arqidukës Franc Ferdinand (Archduke Franz Ferdinand, 1863 – Sarajevë, 1914). Ka qenë sekretar i Klubit Kulturor Serb* me seli në Beograd. Në vitet 1945-1950, në qeverinë e RPF të Jugosllavisë bëhet ministër i bujqësisë, më pas i pylltarisë. Më vonë bëhet dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1961 bëhet anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.

*    *    *

Memorandum të ngjashëm për “zgjidhjen” e çështjes së pakicave etnike në Jugosllavi, Çubrilloviqi hartoi edhe kah fundi i Luftës II Botësore për nevojat e pushtetit të ri komunist, duke i sqaruar atij se pikërisht tani është çasti i volitshëm për dëbimin e pakicave. Të njëjtën e bën edhe BRSS-ja (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike). Po këtë janë gati ta bëjnë edhe vendet e tjera të Evropës që kanë pakicë gjermane të konsiderueshme. 

Si duket, pushteti komunist i dëgjoi këshillat e Çubrilloviqit dhe në vitin 1945, nën akuzën se paskëshin qenë kolaboracionistë, dëboi nga Jugosllavia, kryesisht nga Vojvodina, rreth gjysmë milioni gjermanë apo Folksdojçerë. 

Ai thotë: “Mund të mbahet vetëm ai territor që është i banuar me popullin tënd. Është detyrë imperativë e shtetit të mos lejojë që territorin e tij me rëndësi strategjike ta kenë në dorë elementet e huaja, e që ndaj nesh janë armiqësore”. 

Çubrilloviqi e kritikon kolonizimin serb të deriatëhershëm të Kosovës, duke thënë se  ka qenë joefektiv. Propozon metoda më efektive të dëbimit fizik të popullsisë shqiptare dhe thotë: “Gabimi themelor i pjesëmarrësve përgjegjës ka qenë fakti se problemet etnike në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm kanë dashur t’i zgjidhin duke zbatuar metoda perëndimore”. Në vend të kësaj, propozon që problemi të zgjidhte në mënyrë ballkanike:

  “Është e pamundur që arnautët të luftohen vetëm me kolonizim gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar. Në këtë pikëpamje, ndaj tyre, ne gjithmonë kemi qenë në epërsi”. 

Çubrilloviqi i propozon mjetet e pastrimit etnik. Ai niset nga pikëpamja se e vetmja mënyrë efektive e zgjidhjes së çështjes shqiptare është “shpopullimi masiv i arnautëve”, d.m.th. shpërngulja masive apo dëbimi masiv i tyre. Për t’u realizuar shpërngulja masive, ai i propozon mjetet e trysnisë, si:

  Krijimi i psikozës – Kushti i parë i trysnisë për shpërnguljen apo për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë apo në Jugosllavi është krijimi i psikozës. Për këtë arsye, së pari duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për shpërngulje, duke e bërë për vete klerin shqiptar dhe njerëzit me ndikim të parisë, ose me para ose duke iu kanosur.

Trysnia e aparatit shtetëror – Mjet tjetër i parashikuar nga Çubrilloviqi është trysnia e aparatit shtetëror. Shteti, deri në skajshmëri duhet t’i shfrytëzojë ligjet në mënyrë që “sa më tepër ta vështirësojë ekzistencën e arnautëve te ne”. Për këtë qëllim ai i propozon qeverisë jugosllave: gjoba, burgosje, zbatim të pamëshirshëm të të gjitha rregullave policore, dënim të kontrabandës, dënim për prerjen e pyjeve, ndërsimin e qenve, punë angarie dhe çfarëdo mjeti tjetër që mund t’i përdorë një polici praktike. 

Përpos trysnive policore, Çubrilloviqi propozon edhe trysni ekonomike, si: mospranimi i tapive të vjetra; pezullimi i punës së kadastrave; caktimi i pamëshirshëm i tatimeve dhe i të gjitha borxheve – publike dhe private; sekuestrimi i kullotave shtetërore dhe i kullotave komunale; heqja e koncesioneve, e lejeve të punës për kafenetë, për tregtizat dhe për zanatet; sekuestrimi i lejeve monopoliste, largimi nga shërbimi shtetëror, nga shërbimi privat dhe nga ai  vetëqeverisës, etj. 

Për ta shtuar trysninë mbi popullatën shqiptare, ky akademik gjakpirës parashikon edhe masa sanitare, siç janë: zbatimi i dhunshëm i të gjitha dispozitave edhe nëpër shtëpitë e shqiptarëve; shembja e mureve si dhe e mureve rrethuese të larta përreth shtëpive; zbatimi i përpiktë i masave veterinare me të cilat do të parandalohej nxjerrja e bagëtisë në tregje, etj. 

Çubrilloviqi propozon po ashtu edhe trysni që kanë të bëjnë me ceremonitë apo me ritualet fetare, siç janë: përndjekja e klerikëve; prishja e varrezave; ndalimi i poligamisë dhe zbatimi i përpiktë i ligjit që vajzat të shkojnë në shkollë.

Sipas Çubrilloviqit, përpos trysnisë shtetërore, duhet të ushtrohet edhe trysnia private. Në këtë mes, mund të bëjë shumë edhe nisma private. Ai propozon që kolonëve serbë dhe malazezë t’u jepet armë dhe që në Kosovë të fillojë aksioni i çetnikëve. 

Në vijim, ky kriminel propozon që ndërmjet malazezëve dhe shqiptarëve në Metohi të shkaktohen konflikte. Të shkaktohen edhe rebelime lokale të cilat “me mjete efektive do të shuheshin në gjak”, jo aq me ushtri, sa me kolonët, me fiset malazeze dhe me çetnikët.

Një prej masave të këtij pseudo-akademiku është edhe djegia e vendbanimeve. Përveç mjeteve të lartpërmendura të trysnisë mbi popullsinë shqiptare civile, ai propozon edhe një mjet tjetër – djegien sekrete të fshatrave dhe të lagjeve të arnautëve nëpër qytete. Ai thotë se “këtë lloj trysnie, Serbia e ka përdorur në mënyrë tejet praktike pas viti 1878”. 

*   *   *

Për shkak të gjendjes ekonomike dhe rrethanave në politikën e jashtme, memorandumin e Çubrilloviqit, qeveria e Millan Stojadinoviqit nuk ka mundur ta zbatojë tërësisht. Jetësimin e tij e ndali lufta e prillit e viti 1941 dhe shkatërrimi i Mbretërisë së Jugosllavisë. Për këtë arsye, memorandumi mbeti në arkiva dhe për të, vite me radhë nuk ka ditur kush, përpos një numri të vogël njerëzish. 

Ide të ngjashme, përkatësisht plan që do t’i përfshinte të gjithë popujt josllavë të Jugosllavisë, në vitin 1944 Çubrilloviqi u ofroi edhe autoriteteve të reja komuniste. 

Plani u zbatua vetëm ndaj pakicës etnike gjermane, e cila u dëbua për një, për të sjellë në vend të tyre popullsinë sllave, kryesisht serbë dhe malazias.

Më vonë, Çubrilloviqi u bë anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Elaborati i tij “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) u shlye nga biografia zyrtare e tij. Në biografinë e tij nuk përmendet as memorandumi i ngjashëm i mëvonshëm që iu prezantua autoriteteve komuniste.

Për memorandumin e Çubrilloviqit, opinioni ndërkombëtar mësoi për herë të parë në vitet ’60 të shekullit XX. Në këtë kohë, ky elaborat ra në duart e autoriteteve të Shqipërisë. Autoritetet jugosllave e mohuan ekzistimin e tij, por ai filloi të qarkullojë në radhët e historianëve, sidomos atyre kroatë.  

Për “Dëbimin e shqiptarëve” të Çubrilloviqit, opinioni në Jugosllavi mësoi për herë të parë kur disa pjesë të tij u publikuan në janar të viti 1988 në gazetën “Borba” të Beogradit. Pak më vonë, memorandumi i sipërthënë u publikua edhe në revistën “Start” të Zagrebit. 

Publikimi i memorandumit shkaktoi skandal në opinionin jugosllav, për arsye se me këtë dëmtohej jo vetëm reputacioni i Çubrilloviqit, por edhe i nobelistit Ivo Andriq (1892-1975), i cili në vitet ’30 të shekullit XX i ka mbështetur planet antishqiptare të historianit.

Më vonë, teksti shpesh është cituar si një prej dokumenteve themelore të ideologjisë serbomadhe të shekullit XX, përkatësisht si bazë e metodave që u përdorën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nga autoritetet serbe për pastrimin etnik të shqiptarëve, të boshnjakëve dhe të kroatëve. 

Disa autorë konsiderojnë se planin e Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, Millosheviqi tentoi ta realizojë në vitin 1999 gjatë operacionit ”Patkoi”. Vojvoda i çetnikëve Voisllav Sheshel (1954- ) deklaronte zëshëm: “Shqiptarët do t’i dëbojmë përtej Bjeshkëve të Nemuna”. 

*   *   *

Shënim: Klubi Kulturor Serb ka qenë organizatë politike serbe me orientim patriotik dhe kombëtar. U formua në Mbretërinë e Jugosllavisë në vitin 1937. Gjatë Luftës II Botërore, ideologjia e saj paraqiste ideologjinë jozyrtare të Lëvizjes së Ravna Gorës, që ishte lëvizje çetnike. Klubi u formua prej intelektualëve të njohur. Shkas për formimin e kësaj organizate ka qenë “pozita gjithnjë më e pabarabartë e serbëve në shtetin jugosllav”. Kuvendi i parë i Klubit u mbajt në Beograd më 4 shkurt 1937. Një prej parullave të tij ka qenë: “Serbizëm i fuqishëm në Jugosllavi të fuqishme”. Klubi i lartpërmendur thotë: “Vetëm hapësira etnike serbe në Jugosllavi nuk është shënuar me kufij. Është koha që kjo të bëhet, meqë s’është bërë në vitin 1918. Hapësira serbe që do të shënohej me kufij, do të kishte kufij të ngjashëm me kufijtë e Serbisë së Madhe”. Anëtarët e Klubit ishin të pakënaqur me “shpërfilljen e identitetit serb në favor të kombit jugosllav” si dhe me krijimin e Banovinës së Kroacisë. Kryetar i Klubit ishte profesori dhe akademiku Sllobodan Jovanoviq (Novi-Sad, 1869 – Londër, 1958). Sekretar i Klubit ishte Vasa Çubrilloviqi. Në maj të vitit 1939, Klubi kishte rreth 500 anëtarë. Sllobodan Jovanoviqi ka qenë jurist, historian, letrar dhe politikan serb. Në vitet 1941-1942 ishte nënkryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë. Në vitet 1942-1943 ishte kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë në Londër. Në vitet 1897-1940 – profesor në Universitetin e Beogradit, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe, rektor i Universitetit të Beogradit, profesor i të drejtës publike dhe dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Beograd.  

Shumë pikëpamje të Memorandumit famëkeq të viti 1986 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve përputhen plotësisht me ato të Klubit Kulturor Serb. Ati shpirtëror i Memorandumit të ASShA-së të vitit 1986 ishte akademiku Dobrica Qosiq (1921-2014), i konsideruar pater patriae.

Akademikët serbë vendnumërojnë. Të verbuar me të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe, ata ndodhen në anën e kundërt të demokracisë.     

Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Histori Tagged With: Prof. Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT