Ledia DUSHKU
Instituti i Historisë/Akademia e Studimeve Albanologjike/Tiranë/
Atë të enjte të 28 nëntorit të vitit 1912, 40 delegatë pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës vendosën unanimisht që “Shqipëria të bahet që sot më vehte, e lirë e e mosvarme nën një qeverië të përkohshme”. Ndonëse kanë kaluar 111 vite nga dita historike e Shpalljes së Mëvetësisë, shqiptarët vijojnë edhe sot të mos zotërojnë elementë të rëndësishëm të saj: askush nuk ka mundur të zbulojë tekstin origjinal të Deklaratës së Pavarësisë; bisedimet origjinale të Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe as një foto të asaj dite. Madje në vitet 40’, fotoja e festimeve të një vjetorit të Pavarësisë paraqitej në shtypin e kohës si foto e 28 nëntorit të 1912, një pasaktësi që u reflektua edhe në vitet e mëvonshme.
I njëjti fat ka ndjekur edhe flamurin e Pavarësisë. Çështja e flamurit ngritur nga Ismail Qemal Vlora, pasditen e 28 nëntorit 1912, ka një histori të gjatë, që është koklavitur ndër vite. Nga fundi i viteve 20’, në një hark kohor prej jo më shumë se 10 vite, variantet në lidhje me të kapin numrin 10. Ekzistenca e një numri kaq të madh variantesh të ndryshëm nga njëri-tjetri shpjegohet me sensin e lartë të protagonizmit dhe memorjen e shkurtët shkurtër historike të protagonistëve të ngjarjes historike, që në vetevete formësojnë edhe marrëdhënien problematike që shqiptarët kanë me të vërtetën.
Nga një analizë e kujdesshme e tyre, e shohim me vend që të merren në konsideratë vetëm 3 variante.
Varianti i parë vë në qendër të vëmëndjes vlonjaten Marigo Pozio, protagonizmi i së cilës lidhet me faktin e qëndisjes/stampimit apo ngjitjes së shqiponjës në flamur. Ky variant është më afërti në kohë me 28 nëntorin e 1912-ës. Në një shkrim rreth ligjit të veteranëve në “Gazeta e Re”, më 9 dhjetor 1928, Kristo Floqi ngre zërin për faktin se Marigo Pozio, veprimtare e dalluar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, njëkohësisht “qëndistare e flamurit të ngritur nga Ismail Qemali”, nuk merrte shpërblimin e veteranit. Pak ditë më pas po në të njëjtën gazetë, një korrespondencë nga Vlora mbështeti thëniet e Floqit. Më 28 nëntor 1933, në përvjetorin e 21-të shpalljes së Pavarësisë, është sërish Kristo Floqi ai që përmend emrin e Marigosë si qëndistare jo vetëm të flamurit të ngritur nga Ismail Qemali por të të gjithë flamujve të ngritur në godinat qeveritare atë ditë të vjeshtës së tretë, duke i dhënë këtij varianti elementë mitikë. Më pas, në vitet e regjimit komunist, ky variant u bë zyrtari dhe Marigo Pozios iu njoh gjerësisht atributi i qëndistares së flamurit të Pavarësisë.
Varianti i dytë ka si protagonistë kushërinjtë Xhemil dhe Eqrem Bej Vlora. Del si i tillë në fillim të viteve 30’, kur Eqrem Vlora vihet në dijeni nga prefektura e qytetit bregdetar për hetimet e kryera në lidhje me flamurin e Pavarësisë. Rezultatet e hetimit na vijnë në kohë nga profesoreshë Valentina Duka, e cila ka konsultuar korrespondencën e atyre viteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke arritur në përfundimin që flamuri i ngritur nga Ismail Qemali ishte marrë nga shtëpia e Eqrem Bej Vlorës. Në letrën dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare, më 14 shkurt 1930, pinjolli i Vlorajve bën me dije se flamuri që Ismail Qemali kishte ngritur më 28 nëntor 1912 ishte marrë nga shtëpia e tij. Ai i ishte dhuruar në vitin 1909 nga Aladro Kastrioti, një nga pretendentët e fronit shqiptar. Më tej letra vijonte me shpjegimin se:
Ky flamur pasi u përdor për disa ditë, iu dorëzua zonjës së Mehmet Ali Pasha Delvinës, e cila banonte në atë kohë në shtëpinë time. Kur u ktheva nga lufta, flamurin e gjeta prap mbi shtratin tim aty ku e lashë. Por, në vitin 1914, zonja në fjalë iku nga Vlora në Delvinë dhe flamurin e mori me vete. … Qeveria Vorioepirote e Delvinës, me anë të një kërkimi që ka bërë në shtëpinë e Mehmet Ali Pashës e paska konfiskuar këtë flamur dhe e paska djegur.
Mbështetëse e këtij varianti ishte baronesha austriake Amalie von Godin, e cila tregon se e kishte marrë flamurin nga koka e krevatit të mikut të saj Eqrem Vlorës dhe ia kishte dorëzuar personave që e kërkonin, sepse ky i fundit në atë kohë ndodhej në Himarë, në krye të garnizonit osman që organizonte mbrojtjen nga ushtria greke. Flamuri ishte prej cohe të leshtë dhe kishte përmasa të vogla. Edhe Syrja Bej Vlora, babai i Eqremit, shkon në të njëjtën linjë me të birin. Në kujtimet e tij ai shkruan se:
Pasi atë ditë nuk kishte mundësi të përgatitej flamuri, u mor nga shtëpia jonë një flamur, që djali im Eqremi që nga viti 1908 e ruante me plot nderime. … Ky flamur që prej vitit 1905 ndodhej në shtëpinë tonë dhe ruhej si amanet në dorë të Eqremit. … Në dramën Pirua, që Eqremi e vuri në skenë në shtëpinë tonë në vitin 1908, ky flamur u ngrit për të parën herë dhe u duartrokit, edhe në prezencë të krerëve të pranishëm të qeverisë osmane.
Në vitin 1935 Eqrem Vlora ka lëshuar një tjetër deklaratë, në prani të drejtorit të Muzeut Kombëtar, Sotir Kolea dhe ministrit të Arsimit, Mirash Ivanaj. Në dallim nga ajo çka kishte deklaruar në vitin 1930, tashmë pinjolli i Vlorajve nuk bën më fjalë për një, por për dy flamuj, njëri i tij dhe tjetri i kushëririt Xhemil Vlorës, në shtëpinë e të cilit ishte ngritur flamuri, më 28 nëntor 1912. Flamurin e tij (të Eqrem Vlorës), Ismail Qemali e kishte varur në dritaren e shtëpisë ku u mbajt Kuvendi i Vlorës. Pas dy ditës, ky flamur ishte “ngulur në derën e shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës”, ndërkohë që vendin e tij e kishte zënë një flamur i dytë, të cilin e kishte dhënë ky i fundit.
Sipas deklaratës së tij:
Flamuri i parë, i z. Eqerem Bej Vlorës, dhuratë e Don Gjin Aladro Kastriotit, ishte prej pëlhure leshi, me shkabën me dy krerë të snejtur me lesh të zi në mes. Shkaba kishte krahët përgjysmë të shpallur, për së gjati trupit dhe drejtim i sajë qe krah për krah me drejtimin e shtizës, siç është edhe sot në të gjithë flamurët. Flamuri i dytë, i z. Xhemil Bej Vlora, që zu vendin e të parit në grillat e dritares, qe edhe ky prej leshi, sadopak i vogël me shkabën me dy krerë e kishte kokëngulmazi kthyer drejtë shtizës.
Gjithashtu, Eqrem Vlora evidentonte se në vitin 1914 flamurin e tij e kishte marrë Avni Delvina. Më pas, atë kishin djegur “vorioepirotët”.
Por ndryshe dëshmonte kushëriri i tij Xhemil Bej Vlora: Ishte pikërisht ai dhe jo Eqrem Beu, që kishte dhënë dy flamuj, të cilët:
… i kishte nga Don Gjin Aladro Kastrioti, të dy prej leshi, i pari 50 cm x 70 cm dhe i dyti 70 cm x 1.20 cm, pa thekë dhe pa kordonë. Flamuri i parë, më i vogli, paska qenë ai që shtolli vetë Ismail Qemali, për herë të parë në hekurat e parmakëve të njërës prej dritareve bri ballkonit dhe pak më vonë të ngritur mbi shtizë në ballkon. Flamuri i dytë, më i madhi i ngjitur mbi shtizë u ngrit më pas në portën e shtëpisë së Xhemil Vlorës. Këtë flamur të dytë të portës, e paska marrë Avni Delvina, të cilit ia kanë rrëmbyer andartët e Epirit.
Në vitin 1936 djali i Ismail Qemalit, Et’hem Vlora mbështeti dëshminë e Xhemil bej Vlorës lidhur me faktin se flamuri ishte marrë nga shtëpia e tij. Ai plotësoi se “Pëlhura e flamurit ishte i leshtë dhe shkaba e stampuar”, por nuk mbante mend nëse flamuri kishte pasur thekë apo kordonë. Përmasat e tij të përafërta ishin 50 cm me 80 cm. Në dallim nga dy kushërinjtë e tij, ai nuk mendonte se flamuri “ishte zhdukur por se ndodhej i ruajtur në Shqipëri, ndër duar, që do të kujtohen ndofta ndonjë ditë t’ia falin Muzeut Kombëtar”.
Varianti i tretë ka si protagonist njërin nga firmëtarët e dokumentit të Pavarësisë, korçarin Spiridon Ilo, mërgimtar në Bukuresht. Sipas dëshmisë që Ilo i ka dhënë të birit, Vangjos grupi i atdhetarëve që u nis nga Bukureshti për në Trieste e mandej në Durrës, kishte marrë me vete edhe flamurin. Sipas Vangjo Ilos, ata kishin biseduar gjatë në hotel “Continental”, duke marrë të gjitha masat e duhura për ta kurorëzuar me sukses iniciativën për ngritjen e flamurit. Në Vlorë, Spiridon Ilo kishte qëndruar në shtëpinë e Marigo Pozios, vajza e tij e tezes, e cila “atë natë … i kishte vënë thekët flamurit”. Ky variant, në dallim nga dy të parët, nuk përmendet nga bashkëkohës të Ilos. Të vetmit që e përmendin janë atë e bir, Spiridon e Vangjo Ilo.
Kërkimet për zbulimin e flamurit të Pavarësisë u intensifikuan në mes të viteve 30’, të shek. XX, atëherë kur inxhinieria e ndërtimit të shtetit kombëtar ishte vënë në lëvizje. Ishte Sotir Kolea, drejtor i Muzeut dhe Bibliotekës Kombëtare që prej vitit 1928, i cili edhe në funksion të detyrës që kryente, u përpoq për gjetjen e flamurit dhe ekspozimin e tij në stendat e Muzeut Kombëtar. Përpjekjet e tij nuk dhanë rezultat, pasi sikurse shprehej ai vetë, i kishte hyrë një rruge pa krye.
Në këtë periudhë, ministri i Arsimit, Ivanaj bëri protagonist të historisë së flamurit të Pavarësisë edhe Lef Nosin, delegat në Kuvendin e Vlorës dhe ministër i Postë Telegrafës në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemalit. Si rrallëkush nga bashkëkohësit e tij, L. Nosi u kujdes dhe punoi me përkushtim të thellë edhe për grumbullimin, ruajtjen dhe botimin e komponentëve të trashëgimisë historike e kulturore të shqiptarëve, duke u bërë kështu një prej atyre që hodhën themelet e Arkivit të Shtetit Shqiptar.
Shpesh herë autoritetet shtetërore i kishin kërkuar Nosit mendimi mbi ngjarje të ndryshme historike, sikurse edhe dokumente në lidhje me shtetin shqiptar. Spikatin këtu dy momente të rëndësishme, njëri prej të cilëve lidhet drejtpërsëdrejti me flamurin e Pavarësisë. Së pari në vitin 1929 Këshilli i Lartë i Shtetit kërkoi bashkëpunimin e Lef Nosit, për dorëzimin e kopjeve të urdhrave, vendimeve, ligjeve dhe rregulloreve të periudhës 1912-1914. Momenti i dyti, i përket fundvitit 1934, kohë kur ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj i kërkoi Lef Nosit opinionin në lidhje me flamurin e ngritur nga Ismail Qemal Vlora, më 28 nëntor 1912.
Më 18 dhjetor 1934, me ndërmjetësinë e Inspektorisë së Arsimit të Elbasanit, ministri i kërkonte Nosit të përshkruante hollësisht flamurin e ngritur më 28 nëntor 1912. Në përgjigjen e shpejtë, pas dy ditësh, Lef Nosi informoi se flamuri që ishte ngritur në Vlorë ditën e pavarësisë ishte prej stofi të mëndafshtë, që në tregti quhej atllas, në ngjyrë të uthullës. Për ta përcaktuar ngjyrën, në letër ishte vendosur edhe mostra e cohës. Shqiponja ishte si e sotmja theksonte Nosi, “me dy krena e me dy krahë të ndemë, premë nga një copë sateni të zi dhe ngjitë mbi flamur”.
Sipas tij këtë punë e kishte bërë zonja Marigo Pozio në shtëpinë e saj. Kur flamuri ishte duke u qepur delegatët që kujdeseshin për këtë punë, shkonin e vinin në shtëpinë e zonjës për me e shty qi ta mbaronte pa vonesë, për të shpejtuar shpalljen që pritej me padurim. Pas shpalljes së Pavarësisë, vijonte L. Nosi, flamuri i ishte dorëzuar Xhemil Vlorës, me kërkesë të tij për ta ruajtur, mbasi shpallja e independencës ishte bërë në selamllëkun e tij, banesë në të cilën qeveria ndenji disa kohë.
Në letrën e falënderimit ministri Ivanaj i kërkoi Lef Nosit hollësi të mëtejshme: A kishte flamuri thekë? Nëse po ishin të mëndafshtë apo të leshtë? Cilat ishin përmasat e flamurit? Ashtu si edhe në letrën e parë, përgjigjja mbërriti shumë shpejt. Lef Nosi nuk kujtonte nëse flamuri kishte pasur thekë apo kravatë. Sa i përket përmasave me hamendje, ato mund të kishin qenë 1.60 me 2m, pra një flamur i madh dhe jo i vogël.
Po në fund të dhjetorit 1934, Lef Nosit iu kërkua mendimi edhe nga Et’hem Haxhiademi, një nga penat e forta të letërsisë dhe gazetarisë shqipe. Në letër dërguar nga Gjirokastra, më 24 dhjetor Haxhiademi krahas konstatimit të drejtë se “mbi këtë çështje kishte dijeni të plotë Lef Nosi, i cili jo vetëm që kishte qenë në Vlorë kur ishte ngritur flamuri, por edhe dallohet si njeri me ndjeshmëri të lartë ndaj këtyre gjanave”, ai evidentonte vlerën e mendimit të Nosit për ndriçimin e opinionit publik shqiptar “mbi një gjë kaq interesante dhe me vlerë kombëtare”, siç edhe konsiderohej çështja e flamurit të pavarësisë.
Nuk dihet nëse Lef Nosi i ktheu përgjigje letrës së Et’hem Haxhiademit, pasi kërkimet e derisotme nuk kanë dhënë rezultate.
Në vend të epilogut
Mungesa e burimeve primare, siç janë fotot apo dokumentet e shkruara gjatë ditëve të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar në Vlorë, e bën të vështirë identifikimin e veçorive fizike të flamurit të Mëvetësisë. Nga ana tjetër, ekzistenca e shumë varianteve përcjellë nga protagonistët e kohës, e bën shumë të amullt situatën. Sot e kemi të vështirë të përcaktojmë se cilat kanë qenë përmasat e flamurit të ngritur nga Ismail Qemal Vlora, materialin e cohës apo llojin e punimit të shqiponjës mbi flamur. Megjithatë, duke ditur se Lef Nosi ishte njeri me integritet, që kishte sensin e historisë dhe njihte vlerën e dokumentit, varianti i parë që identifikohet me emrin e Marigo Pozios, mund të thuhet se, për shkallën momentale të njohjes, siguron një pikë të fortë mbështetjeje, por gjithsesi pa i dhënë zgjidhjen përfundimtare historisë së flamurit të ngritur nga Ismail Qemal Vlora, 111 vjet më parë.
Foto: telegraf.al
* Ky shkrim është mbështetur në artikullin e botuar nga autorja në Studime Historike (1-2) 2013