• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARA 30 VITEVE PRESIDENTI HISTORIK  I KOSOVËS IBRAHIM RUGOVA NË SHQIPËRI TAKIM ME PAPA GJON PALI II

April 26, 2023 by s p

-Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në Shqipëri  në 25 Prill 1993 takoi Papa Gjon Palin II dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin/

-“Vizita e Papa Gjon Palit të Dytë në Shqipëri është një ngjarje e madhe për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë, për Kosovën, për paqen në rajon” , theksonte Presideni  Rugova në konferencën për shtyp në 23 Prill 1993 para nisjes drejt Tiranës/

-Gazeta e rezistences “Bujku”: Kjo vizitë ka rëndësi të madhe të përkrahjes dhe afirmimit të Shqipërisë demokratike dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, sepse edhe me këtë mesazh vjen Ati i Shenjtë në tokat shqiptare e në Ballkan/

-Po në vitin 1993, në 11 Mars, në Vatikan Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova, e më parë, në Shkurt, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova udhëheqte delegacionin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 25 Prill 2023/ Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova para tridhjetë viteve udhëtoi për në Tiranë për t’u takuar me  Papa Gjon Palin II  që do vinte në vizitën e parë historike në Shqipëri në 25 Prill 1993.

 Gjatë vizitës së Atit të Shejtë Papa Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti i Kosovës Rugova e takoi në Tiranë dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin.

 “Vizita e Papa Gjon Palit të Dytë në Shqipëri është një ngjarje e madhe për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë, për Kosovën, për paqen në rajon” , theksonte Presideni  Rugova në konferencën për shtyp në 23 Prill 1993 para nisjes drejt Tiranës. “Kosova pret papën” ishte titulli i raportimit nga kjo konferencë shtypi në gazetën kosovare të rezistencës “Bujku”, e cila  në 24 Prill kryetituj në ballinë kishte edhe “Papa Gjon Pali i Dytë nesër viziton Shqipërinë” dhe “Lutje e Papës për shqiptarët”.

Një nga shkrimet në ballinë kishte mbititullin “Interesim i madh në Kosovë për vizitën e Papës në Shqipëri”, titullin “Manifestime të shumta të shprehjes së mirëseardhjes” dhe nëntitullin “Dëshira e madhe e shumë shqiptarëve për të shkuar në Shqipëri për ta pritur e përshëndetur Papën nuk mund të realizohet për shkak të kufirit të mbyllur midis Kosovës e Shqipërisë e të kontrolluar rreptë nga forcat militare serbe”.

Në këtë shkrim përmbledhje raportimesh që bëja edhe për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë theksohej:

“Vizita e Papës në Shqipëri në oponionin shqiptar kudo në Kosovë po pritet me shumë interesim dhe po përjetohet si ngjarje e madhe historike për të gjithë shqiptarët dhe për të gjitha trojet etnike shqiptare, njoftojnë korrespondentët tanë. Njëherit konsiderohet se kjo vizitë ka rëndësi të madhe të përkrahjes dhe afirmimit të Shqipërisë demokratike dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, sepse edhe me këtë mesazh vjen Ati i Shenjtë në tokat shqiptare e në Ballkan…”

 E në 25 Prill të vitit 1993, atë ditë të lume, raportimin për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë se si pritej e përjetohej në Kosovë vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, e ku theksoja se Papa është sot edhe në çdo familje shqiptare në Kosovë,  e nisja herët në mëngjes me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë.

 Më pas për të përcjellë e parë vizitën shkova në Gjakovë, qytetin pranë kufirit të hekurt që ndante, ku mund të shihej Televizioni Shqiptar përkundër pengesave e zhurmuesve që i kishin vënë në gjithë Kosovën në rrethanat e okupimit të egër nga regjimi i Beogradit.

Për vizitën e parë historike të një Pape në Shqipëri, nga transmetimet e Radio Televizionit Shqiptar në televizorin e një familje gjakovare u bënë edhe foto për gazetën e vetme të përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë “Bujku”,  themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha dhe që si gazetë e rezistencës me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 Janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja…

Gazeta “Bujku”, që nga ballina, raportonte gjërësisht për vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, shqiptarëve…

Në ballinë në botimin e 27 Prillit 1993 gazeta kishte mbititullin  “Përfundoi vizita e Papa Gjon Palit të Dytë në Shqipëri”, titullin “Mbështetje e madhe morale e politike për shqiptarët” dhe nëntitujt: “Papa falënderoi shqitarët për pritjen e përzemërt e madhështore. – Vatikani i njeh mirë dhe i kupton problemet e popullit shqiptar si në Shqipëri ashtu edhe në viset tjera autoktone. – Në Sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, që ishte përplot qytetarë, folën Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha dhe Ati i Shenjtë Papa Gjon Palit i Dytë”.

Pjesë e raportimit në ballinë ishte edhe ky lajm: 

“Dr. Rugova u takua me Papa Gjon Palin II

Tiranë, 26 prill

Mbrëmë në Tiranë kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, i shoqëruar nga kryeministri i Republikës së Kosovës dr. Bujar Bukoshi dhe prof. Anton Çetta, patën një takim përshëndetës me  Papa Gjon Pali II me rastin e vizitës së parë të Shenjtërisë së Tij, Papës në Shqipëri.

Me këtë rast dr. Rugova i dhuroi Papa Gjon Palit II, në shenjë nderimi, një gur nga muret e qytetit antik të Ulpianës, në shenjë kujtimi të Laurit e Florit, dy martirëve të qytetërimit nga shekulli II në këtë qytet të Dardanisë së vjetër. A.S.”

***

 Më parë, në 11 Mars 1993, Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Gjatë qëndrimit në Itali Presidenti Rugova takoi Kryeministrin e atëhershëm Italian Xhuliano d’Amato, nga i cili kërkoi angazhimin e Qeverisë Italiane për vendosjen e forcave paqeruajtëse në Kosovë si hap i parë për shtensionimin e situatës dhe fillimin e zgjidhjes së krizës.

 Para udhëtimit në Itali-Vatikan, po në vitin 1993 – në 16 Shkurt Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova udhëheqte një delegacion nga Kosova, që kishte shkuar në Amerikë me qëllim që të njoftojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtypjen e të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti Rugova bëri publik planin dhjetëpikësh të veprimit për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’u dhënë fund padrejtësive. Për herë të parë kërkon një protektorat civil ndërkombëtar në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Uashington Presidenti Rugova u prit nga Tomas Najllz, Ndihmëssekretar i Shtetit për Evropë dhe Kanada si dhe në Komitetin e Kongresit Amerikan për Marrëdhënie me Jashtë nga kongresmenët Li Hamilton, Tom Lantos dhe Ben Gilman.


Nga 17 deri më 19 Shkurt 1993 Presidenti Rugova mori pjesë në tubimin kushtuar problemit të ish-Jugosllavisë të organizuar nga “Qendra Karter” në Atlanta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

E, në 11 Gusht 1993 Presidenti Rugova i shkruajti letër Ambasadores së SHBA-ve në OKB, Medlin Ollbrajt, të cilën e falënderon për angazhimin për miratimin e Rezolutës për vazhdimin e misioneve vëzhguese në Kosovë si dhe kërkon që si preventivë Kombet e Bashkuara të marrin në protektorat Kosovën për të normalizuar jetën dhe evituar konfliktin…

26 GUSHT 2005, RUGOVA: KATEDRALJA NËNË TEREZA NË PRISHTINË, E PËRKRAHUR NGA PAPA GJON PALI I DYTË

Në 26 Gusht 2005 Presidenti historik Ibrahim Rugova vuri gurthemelin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë  së bashku me atëherë Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalin e Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova…

5 SHTATOR 2017: SHQIPTARËT VATRANË NGA AMERIKA NË SHUGURIMIN E KATEDRALES-SHENJTËRORES SHËN NËNË TEREZA NË PRISHTINË

Në 5 Shtator 2017, shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar…

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari

LETTRES CHAMPENOISES (1820) / PAS MBRETËRESHËS SË ANGLISË, PERSONAZHI QË ZË MË SHUMË VËMENDJEN E PUBLIKUT ËSHTË PASHAI I FAMSHËM I JANINËS

April 24, 2023 by s p


Litografi e Ali pashë Janinës — Autori : Jean-Baptiste-Ambroise-Marcellin Jobard
Litografi e Ali pashë Janinës — Autori : Jean-Baptiste-Ambroise-Marcellin Jobard

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Prill 2023

“Lettres champenoises” kanë botuar, më 1820, në faqet n°226 – 228, një shkrim mbi Ali Pashë Tepelenën (Janinën), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Pashai i famshëm i Janinës

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pas Mbretëreshës së Anglisë, personazhi që zë më shumë vëmendjen e publikut është pashai i famshëm i Janinës, i cili ka hedhur zgjedhën dhe është bërë i pavarur nga Porta.

Nëse despotizmi bëhet burrë, me siguri që ai dë të përhapet në botë nëpërmjet Aliut. Thuhet se thesaret e tij, të cilat qëndrojnë në pasazhe të mëdha nëntokësore dhe që mund të krahasohen me ato të Abulkasemit, në “Një mijë e një net”, arrijnë në dyqind milionë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kjo shumë e madhe është fryt i plaçkitjeve, grabitjeve dhe mizorive të tij. Kushdo që gjendej në sundimin e saj, nëse dyshohej se ishte i pasur, vihej menjëherë në shënjestrën e tij; e cila ishte e barazvlefshme me një dënim me vdekje. Atij i ka ndodhur të rrafshojë fshatra të tërë për t’u marrë atë që kishin.

Ai komunikonte shpesh me Bonapartin, sepse kishte dëgjuar se ai ishte një njeri që e kuptonte despotizmin në mënyrë të admirueshme; madje pretendohet se ai fshehurazi ishte xheloz. Ai foli për këtë një ditë me Z. de Pouqueville dhe e pyeti se çfarë dobie kishte për të një organ legjislativ :

— Për të bërë ligje, u përgjigj Z. de Poucqueville.

— Çfarë, ligje! Pra, ekzistojnë gjëra të tjera përtej vullneteve të tij?

— Pa dyshim, madje ka edhe disa anëtarë të këtij organi legjislativ që kanë guxuar t’i thonë të vërtetën, dhe Z. de Poucqueville përmendi emrat e Z. Laîné dhe Z. Raynouard.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— Dhe çfarë u bë me ta?

— Ata jetojnë.

— Ata jetojnë!!! Ky është Bonaparti juaj! mos më flisni më për këtë.

Ali Pasha është mbi gjashtëdhjetë vjeç; e mundon përdhesi, i cili e pengon të hipë në kalë.

Porta po bën përgatitje të jashtëzakonshme kundër tij dhe po përgatitet për ta sulmuar nga toka dhe nga deti.Këto përgatitje e shqetësojnë shumë; dhe duket se kjo luftë do t’i japë fund si pushtetit, ashtu edhe mizorive të tij.

M. J.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR (1937) / “TRE LEKË DERI NË DURRËS” – KUR SHKRIMTARI DHE GAZETARI BRITANIK HARRY HODGKINSON RRËFENTE UDHËTIMIN E TIJ NËPËR SHQIPËRI

April 22, 2023 by s p


Burimi : The Christian Science Monitor, e mërkurë, 7 prill 1937, f.10
Burimi : The Christian Science Monitor, e mërkurë, 7 prill 1937, f.10

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Prill 2023

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të mërkurën e 7 prillit 1937, në faqen n°10, rrëfimin e Harry Hodgkinson (shkrimtar, gazetar, officer i inteligjencës detare dhe ekspert britanik për Ballkanin) rreth udhëtimit të tij asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Tre lekë deri në Durrës

Burimi : The Christian Science Monitor, e mërkurë, 7 prill 1937, f.10
Burimi : The Christian Science Monitor, e mërkurë, 7 prill 1937, f.10

Atlasi nuk kishte asnjë dyshim për hekurudhat e Shqipërisë. Një vijë e hollë halash peshku përshkoi vendin nga liqeni i Shkodrës dhe në rrafshinën e pjeprit u nda si një sfurk, njëra degë shkonte nga brenda dhe tjetra ndjekte bregun e detit. Nga ana tjetër, harta rrugore nuk kishte një besim të tillë. Ajo ishte në një shkallë më të madhe, dhe kështu dukej më e denjë për besim. Ajo tregonte jo më shumë se një fragment hekurudhor të vogël, që shkonte nga bregu i detit deri në kryeqytetin e ri në Tiranë, njëzet milje larg.

Menduam se do të ishte një vështirësi që mund të zgjidhej lehtësisht, pasi të ishim brenda vendit; dhe, nëse atlasi do të rezultonte shumë optimist, ne gjithmonë mund të mbështeteshim në fortësinë e çizmeve tona për ecje.

***

Por hyrja brenda vërtetoi problemin kryesor. Ne kishim zbritur nga bregu i Jugosllavisë në Ulqin, posta e fundit e Islamit, ku miqtë e vjetër mjekër-hollë si Sinbad detari luanin letra në buzë, ku kioskat me ballë të hapur, të grumbulluara rreth xhamisë, shesin fruta absurde të lira nën flakët ndriçuese me naftë. Harta thoshte se nuk kishte asgjë për të bërë veçse të vazhdohej përgjatë detit për një duzinë milje të tjera, dhe më pas të kalonte në Shqipëri nga grykëderdhja e Bunës. Shëtitja e një dite tjetër do ta vinte atlasin në provë.

Megjithathë, udhëtimi në Ballkan, nuk është një çështje e thjeshtë për të gjetur se ku shkon një rrugë dhe pastaj për ta ndjekur atë, siç tregoi malazezi në tryezën e kafenesë.

“A po shkon larg?” – më pyeti ai.

“Thjeshtë në Shqipëri.”

“Ti je në rrugën e gabuar, atëherë.”

***

Nxorëm hartën dhe e shtrimë mbi tavolinë. Si justifikim, një indeks i rreptë tregonte se ku ishim, ku donim të ishim dhe itinerarin midis dy pikave.

“Hëm, kjo do të thotë të kalosh Bunën.”

“Ne tundëm kokën. Rubikonët, për të mos përmendur Bunën, duhet të kalohen në shëtitjet ballkanike.

“Nuk ka urë”, tha malazezi. “As traget, asnjërin prej tyre,” shtoi ai në vijim. “Ju mund të kaloni me not, nëse dëshironi (ne hodhëm një vështrim të dukshëm poshtë në çantat tona të shpinës prej 30 kilogramësh), por si jo, rojet shqiptare do t’ju godasin.

“Atëherë si hyjnë udhëtarët në Shqipëri?”

“Në rrugën e brendshme. Ju duhet të ktheheni rreth dhjetë milje dhe më pas të ktheheni djathtas : kjo është mënyra e vetme.

Kjo do të thoshte njëzet e pesë milje shtesë në itinerarin tonë, kështu që ne bëmë një apel të fundit dëshpërues.

“Por me siguri ka një rrugë më të shkurtër prej këtu?”

“Ka një pistë nëpër male, e përdorur ndonjëherë. Një turist shkoi në atë rrugë tre vjet më parë dhe nuk u dëgjua më. Oh, këta shqiptarë!” bërtiti ai me një vështrim të errët.

***

Ne zbuluam një pistë nëpër kodra, falë drejtimit të një fshatari me fanellë të bardhë, i cili dukej mjaft unik për një hajdut, por i cili nuk zbuloi asnjë lodër-pistoletë; dhe arritëm në kufi drejt perëndimit të diellit, mbrëmjen e ardhshme.

Rojet kufitare jugosllave ishin po aq të dashur sa natyra i kishte bërë. Ata sollën ushqim dhe ishin të gatshëm për të diskutuar çdo temë nën diell. E vetmja pikë në të cilën ata ishin të bindur ishte që ne nuk mund të hynim në Shqipëri. Tani ishte vonë pasdite dhe zyrtarët përtej kufirit kishin shkuar me kujdes në shtëpi te familjet e tyre. Ne duhet të kemi mirësinë të kalojmë natën në postin e policisë.

Nuk kishte zgjidhje në këtë çështje, dhe siguria jonë u sigurua nga një pengesë me tela me gjemba dhe disa roje që parakalonin postin dhe të mbështetur në bajonetat e tyre për të biseduar, kur u takuan jashtë çadrës sonë.

***

Kur u nisëm në mëngjes, pengesa e vetme ishte një zinxhir matanë rrugës në postën doganore, por ky ishte më i butë se pushkët; kështu që ne shëtitëm, duke ngrënë manaferra mbi gardhe, derisa kujdestari i hanit të rrënuar në Lezhë deklaroi se, pa dyshim, hartuesit e atlasit ishin informuar keq. Megjithatë, nëse do të donim të shkonim në Tiranë, Lezha ishte në rrugën kryesore, ku shërbehej nga një kortezh i vërtetë autobusash. Në orën tre u nis autobusi, udhëtimi zgjati tre orë dhe kushtoi shtatë lekë e gjysmë; Një orë më vonë erdhi kamioni, udhëtimi zgjati katër orë dhe kushtoi gjashtë lekë, dhe në orën gjashtë automobili filloi të udhëtonte. Duheshin vetëm dy orë për të mbërritur në kryeqytet dhe çmimi ishte dhjetë lekë.

Sapo ishte tretur ky informacion në tryezën e drekës, një autobus ndaloi para derës. Cili ishte destinacioni i tij? Tirana, sigurisht. Por çfarë ndodh me programin e organizuar? Oh, eh pra, kurrë nuk mund të thuhet se çfarë do të bënin këta shoferë autobusi. Do të ishte më mirë të merrnim autobusin tashmë në pritje dhe të mos prisnim shumë.

“Po hekurudhat e Shqipërisë?” E pyetëm në shenjë lamtumire, duke zgjatur hartën e thërrmuar me gisht duke gjurmuar vijën kafe nga Durrësi në Tiranë.

“Sigurisht, ju duhet të bëni një udhëtim për këtë. Tre leke vetëm nga Tirana në det dhe një udhëtim i këndshëm gjithashtu.”

***

Burimi : The Christian Science Monitor, e mërkurë, 7 prill 1937, f.10
Burimi : The Christian Science Monitor, e mërkurë, 7 prill 1937, f.10

Udhëtimi shkoi pa incidente; sepse edhe pse gratë myslimane të mbuluara dhe lloji i hollë i zuzarit të komedisë muzikore me mustaqet e trasha na dërrmuan gjysmën e vendeve që kishim paguar, incidenti i vetëm ballkanik ndodhi kur një malësor imitoi një dele kaq realiste sa që shoferi ndaloi të kujdesej për kafshën që kishte imagjinuar se e kishte përplasur. Fajtori ishte aq i kënaqur me veten e tij, saqë u përpoq të përsëriste triumfin e tij çdo pesë minuta për dy orët e mbetura, por automjeti mund të kishte përplasur të gjitha delet në Evropë për gjithçka që shoferit i interesonte tani.

Ne zbuluam se atlasi kishte faj vetëm pjesërish; sepse buzë rrugës ishte me të vërtetë një hekurudhë, asnjëherë më shumë se pesëmbëdhjetë centimetra në grykë dhe me metale që nxirreshin çdo disa qindra metra. Ajo ishte ngritur nga austriakët për transportin e materialeve luftarake gjatë operacioneve të tyre në Ballkan, dhe hartuesit padashur i kishin dhënë një pavdekësi të besueshme kur jeta e saj e shkurtër kishte mbaruar.

***

Me të mbërritur në Tiranë, miqtë tanë shqiptarë na pyetën se çfarë propozonim të shihnim në vend, dhe natyrshëm u përgjigjëm se duke na hapur kështu orekset, sigurisht që duhet ta gjejmë stacionin hekurudhor sa më shpejt të jetë e mundur.

“Stacioni hekurudhor! Ne nuk e kemi gjetur ende vetë dhe kemi jetuar këtu gjatë gjithë jetës tonë.”

“Por, ç’të themi për hekurudhën për në Durrës?”

“Oh, atë! Ju duhet të prisni pak kohë; Ideja është folur për njëzet vjet, por nuk ka një skemë të caktuar në dorë”.

“Por na u tha —”

“Ah po, ne jemi një popull shumë imagjinues.”

HARRY HODGKINSON

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Kush e krijoi njerëzimin?

April 20, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Thënë shkurt, në fillim kishte një errësirë ​​ujore, një lloj deti eterik me plazmë të nxirë. U quajt “ujërat e kaosit”. Brenda kësaj matrice ishte i pari ‘Atum’, i cili u kap në mënyrë meditative në atë që përshkruhet si një bisht në formë veze. Atum ishte më pak një krijesë trupore dhe më shumë një forcë. Atum ishte androgjen, dhe për shkak të kësaj krijoi çiftin e parë të qenieve, duke ndarë forcat krijuese mashkullore dhe femërore. Nga ky çift lindën perënditë. I njohur si Ennead, gjithsej dhjetë perëndi familjare me Horusin që ishte shtesa e mëvonshme, toka filloi të formohej.

Pasi toka u formua, ishte një kohë e lavdishme kur ekzistonin vetëm perënditë, të njohur si ‘Zep’. Pas kësaj kohe të perëndive, u krijuan njerëzit. Për disa kohë, perënditë dhe njerëzit bashkëjetuan. Pasi perënditë u plakën dhe u lodhën, njerëzit u bënë të guximshëm dhe u përpoqën të rebeloheshin dhe të vrisnin perëndinë Ra. Atëherë, u vendos që perënditë duhet të largoheshin nga toka. Zotat, pasi vranë shumë njerëz dhe i kursyen disa, u larguan drejt yjeve për të ekzistuar përjetësisht në “parajsë”.

Kjo histori ka një simbolikë që mund ta shohim të përsëritur në kultura të tjera, siç do ta përshkruante edhe Bibla e mëvonshme hebraike.

Piramida e Madhe dikur ishte e mbështjellë tërësisht me gur gëlqeror të lëmuar të bardhë, që mund të reflektonte intensivisht dritën; shkëlqimi i saj mund të shihej nga hapësira si një yll në tokë. Vendosjet e Piramidave të Mëdha janë interesante. Vetë fjala piramidë thuhet se rrjedh nga fjala greke ‘pyra-midos’ ose “zjarr në mes”. Grekët mund të kenë përdorur fjalën semite ‘urrim-midden’ për përkthimin e tyre.

Fjala e vërtetë e lashtë egjiptiane për piramidën ishte ‘kuti’, dritë e lavdishme.

Piramidat e Egjiptit mund të jenë vendosur gjithashtu aty ku janë sipas shkencës së linjave. Shkencëtarët thonë se sipas Thoth-it, për shkak të vendosjes së Piramidës së Madhe në Tokë që lidhet me fushën e madhe gjeometrike të Tokës, dhe për shkak të masës së piramidës dhe gjeometrive të përdorura në të, fusha energjitike e dritës së bardhë ngjitet lart dhe bëhet jashtëzakonisht e fortë, duke u shtrirë deri në qendër të galaktikës. Energjia e dritës së errët vjen nga lart, spirale, përmes pikës zero dhe lidhet me qendrën e Tokës.

Të mendosh se dokumenti më i vjetër i mbijetuar i shkruar i njohur për të gjithë ekzistencën tonë si racë njerëzore është ky tekst, himni i tempullit të Keshit, i cili lavdëron perënditë për ndërtimin e një ndërtese mahnitëse që arrin deri në qiej. Një aspekt tjetër interesant i kësaj strukture të përmendur në tekst është fakti se në portën e saj ndodhet një monument i madh si sfinksi, siç dëshmon: “Shtëpia në brendësi të së cilës është fuqia e Tokës dhe pas së cilës është një luan i mbështetur në putrat e tij, në portën e të cilit është sundimtari që vendos çështjet. Shtëpia në derën e së cilës është Mali i Madh pa kundërshtar…”

Nuk mund të thuhet se kjo është prova që Anunnaki ndërtoi piramidat dhe sfinksin e Gizës; megjithatë, përsëri, të mendosh se ky, teksti më i vjetër i prejardhjes njerëzore, lavdëron ndërtimin e një tempulli të rëndësishëm kushtuar perëndive është befasues. Teksti është të paktën nga viti 2600 pes. Ngjarjet historike duhet të jenë më të vjetra; sa më të vjetra nuk e dimë. Në tekst ka tregues të qartë të një priftërie që daton të paktën në këtë epokë, nëse jo më tej.

Foto: albeu.com

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi

Nga e shkuara

April 19, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Vëllimi The Earth Chronicles që zbulon identitetin e perëndive të lashta të njerëzve – shpjegon pse këta “perëndi” nga Nibiru, Anunnaki, inxhinierë gjenetikisht Homo sapiens, u dhanë Tokësorëve qytetërim dhe premtuan të ktheheshin.

Seriali i Zecharia Sitchin, The Earth Chronicles, flet për njerëzit që kanë lidhje me “ata që erdhën nga qielli në tokë”, nga larg, ‘ana e anës’. Në Librin e Humbur të Enkit e shohim këtë sagë nga këndvështrimi i Enkit, një udhëheqës Anunnaki i nderuar në antikitet si Zot në Tokë, i cili tregon ardhjen e jashtëtokësorëve nga planeti Nibiru. Në veprat e tij të mëparshme, Sitchin përpiloi plotësimin e ndikimit të Anunnaki-t në fragmentin e qytetërimit të njerëzve. Ato janë të shpërndara nëpër burimet sumeriane, akadiane, babilonase, asiriane, hitite, egjiptiane, kananite dhe hebraike. Megjithatë, në këto rrëfime mungonte perspektiva e vetë Anunnaki-t. Si ishte jeta në planetin e tyre? Cili motiv i shtyu ata në Tokë dhe çfarë i detyroi të iknin?

I bindur për ekzistencën e një libri të humbur që përmban përgjigjet e disa pyetjeve, autori përpiqet për prova parësore. Ai rikrijoi kujtimet e Enkit, udhëheqësit e këtyre “astronautëve” të parë. Ajo që merr formë është historia e një bote me tensione në rritje, rivalitet të thellë dhe njohuri të sofistikuara shkencore që vetëm sot po konfirmohen; një histori e perëndishme shpaloset, duke sfiduar çdo supozim që mund të bëhet për të kaluarën dhe të ardhmen tonë.

Njerëzit besojnë se njerëzit e lashtë kishin njohuri ose aftësi që nuk mund të shpjegohen nga shkenca moderne. Kjo vështirë se është diçka e re. Njerëzit e antikitetit klasik panë rrënojat e epokës së bronzit dhe menduan se ato duhej të ishin vepër e Ciklopëve. Shprehja “Mure ciklopike” vjen nga kjo ide. Kush tjetër mund të kishte lëvizur dhe përdorur gurë kaq masivë veç gjigandëve, apo jo?

Psikologjikisht, njerëzit nuk kanë ndryshuar gjatë mijëvjeçarëve të fundit, pavarësisht nga përparimet shkencore dhe teknologjike. I gjithë mentaliteti ynë vjen nga nevojat dhe prirjet e brendshme. Pak a shumë, ne gjithmomë kërkojmë diçka më të madhe që mbetet e fshehur ose e padukshme. Shpjegimet për njerëzit që punojnë në mënyra efikase na duken të mërzitshme, të paktën në krahasim me alternativën shumëngjyrëshe se një qenie shumë e fuqishme ka ekzistuar para nesh.

May be an image of text that says "ZECHARIA ZECHARIA SITCHIN SITCHIN BESTSECLING AUTHOROF THEE ZECHARIA SITCHIN THEEND THE 12TH PLANET BOOK CHRONICLE THE STAIRWAY το HEAVEN THE WARS OF GODSAND MEN ZECHARIA SITCHIN LINGAUTHORF ZECHARIA SITCHIN SITCHIN THE 7LAN E THE LOST LOSTREALMS COSMIC CODE CHRONICLES ZECHARIA SITCHIN ZECHARIA SITCHIN CENESIS REVISITED DIVINE ENCOUNTERS GUIDE VISIONS, ANGELS, AND OTHER EMISSARIES THE END OF DAYS ZECHARIA SITCHIN Chronicles"

See Insights and Ads

Boost post

All reactions:

11

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 138
  • 139
  • 140
  • 141
  • 142
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT