Bledi Filipi/
“Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij!” – Eqrem Çabej
Emri i E. Çabejt është i lidhur ngushtë, në radhë të parë me studimet etimologjike në fushë të shqipes.
(“Eqrem Çabej”, Sh.Demiraj 1990-74)
Kujtojmë ditëlindjen e prof. Eqrem Çabejt, i cili për afro pesëdhjetë vite qe mësuesi dhe edukatori i mijëra nxënësve dhe studentëve, autor i një numri tekstesh themelore për shkollat tona dhe i një vargu të madh veprash. Eqrem Çabej (6 gusht 1908-13 gusht 1980). Gjuhëtar, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Lindi në Gjirokastër, ku mori mësimet e para. Kreu gjimnazin në Klagenfurt (Austri) dhe ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoeuropiane dhe albanologji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës, ku u diplomua si Doktor në filozofi (1933). Punoi si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla të mesme në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Tiranë. Në vitin 1940 u mënjanua nga arsimi për shkak të përkrahjes së veprimeve antifashiste të nxënësve dhe u dërgua në Romë ku punoi për atlasin gjuhësor shqiptar. U kthye në atdhe në vitin 1944. Punoi në Institutin e Shkencave dhe qe ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjeçar . Me themelimin e UT rifilloi veprimtarinë mësimore si pedagog i lëndëve histori e gjuhës shqipe dhe fonetika historike e shqipes. Është një ndër anëtarët themelues të ASHSH dhe anëtar i Presidiumit të saj. Punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë deri në fund të jetës. Vdiq në Romë.
Për afër një gjysmë shekulli Çabej dha ndihmesa të rëndësishme veçanërisht në arsimin e lartë dhe në gjuhësinë shqiptare. Hartoi tekstet e disa lëndëve kryesore, ishte bashkautor në një varg veprash kolektive. Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri edhe jashtë saj, sidomos në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Fusha themelore e tij ka qenë historia e gjuhës, e vështruar në aspektet e problemet më të ndryshme të saj. Vendin qendror e zënë studimet etimologjike dhe gjuha e autorëve të vjetër e botimi filologjik i veprave të tyre. Por mjaft peshë kanë edhe fonetika e gramatika historike e shqipes, historia e përgjithshme e shqipes me problemet e prejardhjes së saj, të marrëdhënieve me gjuhët motra indoeuropiane, me gjuhët ballkanike e me gjuhë të tjera. Ai argumentoi në mënyrë bindëse prejardhjen ilire të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, autoktoninë e tij në trevat ku banon sot, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare. Ndihmesa me rëndësi ka dhënë edhe për dialektologjinë e onomastikën, si edhe për kodifikimin e gjuhës letrare. Nga veprat e para të tij, përveç artikujve, mund të përmenden: Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe, me pjesa të zgjedhura për shkollat e mesme (1936), Për gjenezën e literaturës shqipe (1939), Shqiptarët ndërmjet Lindjes dhe perëndimit (1994), Hyrje në historinë e gjuhës shqipe (1947, 1958), Fonetika historike e shqipes (1958). Ndër veprat kryesore të tij janë: Studime etimologjike në fushë të shqipes (në shtatë vëllime, 1976-2006); Meshari i Gjon Buzukut (1555), botim kritik në dy vëllime, i pajisur me një studim të gjatë hyrës (1958), Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe (1967), Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe (1988). Çabej është anëtar i komisionit hartues të Fjalorit të gjuhës shqipe (1954), anëtar i komisioneve për përpunimin e terminologjisë të shumë degëve të shkencës e të teknikës dhe i komisioneve që punuan për hartimin e udhëzuesve drejt-shkrimorë nga viti 1948 deri në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973); bashkautor (me A. Xhuvanin) në dy trajtesat Parashtesat dhe Prapashtesat e gjuhës shqipe (1956, 1962). Me botimet e shumta edhe në revista gjuhësore të huaja, si dhe me pjesëmarrjet në forume shkencore ndërkombëtare E.Ç. u njoh si autoriteti shkencor më në zë në albanologji. Vepra e tij është botuar në Kosovë nën titullin Studime gjuhësore (1976 e në vijim; deri tani nëntë vëllime). Çabej ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë (dy herë) dhe është dekoruar me Urdhrin Nderi i Kombit.
(Bib.FE I, 2009, Demiraj, 1990)