Nga Frank Shkreli
Me 31 Korrik, 1948 — 75-vjet më parë, xhelatët e diktaturës së regjimit komunist të Enver Hoxhës mbytën, pas torturave më çnjerëzore dy, ndër të parët e shumë klerikëve katolikë, por edhe të tjerë – Dom Lekë Sirdanin dhe Dom Pjetër Çunin. I mbytën për së gjalli, sipas dëshmitarëve dhe të dhënave dokumetare për mbytjen e tyre, pasi ishin arrestuar për “veprimtari armiqësore” — duke i hedhur, në një gropë ose pus ujërash të zeza në Koplik, ku është zhvilluar hetuesia kundër këtyre dy meshtarëve të pafajshëm. I torturuan egërsisht në mënyrën më barbare e të pashpirtëshme që mundej. Pas torturave i futën — të gjallë — në një pus ujërash të zeza dhe i lanë aty dy klerikët e pafajshëm — Dom Pjetër Çunin dhe Dom Lekë Sirdanin – derisa më në fund vdiqën at në fund të pusit nga torturat e përfaqsuesve të regjimit komunist enverist, 75-vjetë më parë, më 31 korrik 1948.
Këta të dy, ashtu siç ishte rasti me shumë nga klerikët katolikë shqiptarë të vrarë nga regjimi komunist – vetëm e vetëm se ishin të tillë, përfaqsues të Kishës Katolike shqiptare – të cilët sipas urdhërave të themeluesve komunistë serbo-malazezë të Partisë Komuniste Shqiptare, duhej të zhdukeshin nga faqja e dheut, sepse ata ishin kundërshtarët më të vendosur të regjimit komunist shqiptar, themeluar në bazë të ideologjisë komuniste sllavo-aziatike dhe pengesa kryesore e vendosjes së një regjimi komunist në Shqipëri. Dom Aleksandër Sirdani e Dom Pjetër Çuni kanë qenë dy figura nga më të shquara, jo vetëm të Kishës Katolike, por edhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, sidomos Dom Lekë (Aleksandër) Sirdani, edhe një nga penat më të njohura në vend. Shkrimet e tija janë botuar në shumë organe të shtypit të kohës, veçanërisht në revistën famëmadhe të jezuitëve shqiptarë, ‘LEKA’.
Për “Xhelatët ekzekutues nuk kishte rëndësi fakti se klerikët e martirizuar, në të vërtetë, përbënin kolonën vertebrore të një shoqërie shqiptare të organizuar për qëndresë në kryengritjet kombëtare që nga Skënderbeu e deri në Ditën e Pavarësisë, që ky grup i veçantë mbajti gjallë shqiptarizmin për pesë shekuj robënie otomane, që ky grup i veçantë lavroi gjuhën shqipe dhe e mësoi atë në shkolla…se historia e kombit shqiptar nuk njeh nji rast të vetëm kur kleri dhe besimtarët katolikë të mos kenë qenë pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës në kalvarin shumë shekullor të vendit tonë e në luftat kundër anmiqve kërcënues, e tashti, vonë në forcimin e nji Shqipnie të lirë që përpiqet me qenë europiane, është shprehur i nderuari Profesor Sami Repishti, i cili ka kaluar vite të tëra në burgjet e Enver Hoxhës së bashku me shumë prej klerikëve katolikë shqiptarë. Frank Shkreli: Sami Repishti: “Lotë, Lavdi e Lumnim” | Gazeta Telegraf
Të dy këta martirë të Fesë e të Atdheut, kanë shërbyer në famullitë e Kishës Katolike në Malësinë e Madhe të Mbi-Shkodrës. Për martirizimin e tyre nga komunizmi, Dom Pjetër Çuni dhe Dom Aleksandër Sirdani janë shpallur të lum – një term fetar ky që përcakton hapin e parë drejtë shënjtërimit nga Kisha Katolike universale, së bashku me 36 martirë të tjerë shqiptarë të diktaturës komuniste. Martiret e Komunizmit – Kisha Katolike në Shqipëri (kishakatolikeshkoder.com)
Dom Lekë Sirdani Dom Pjetër Çuni
Mbytja e Dom Lekë Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit, në rrethanat më barbare, pas torturave të tmershme anti-njerzore, por edhe mijëra e mijëra kundërshtarëve të tjerë, viktima të regjimit komunist enverist – civilë e klerikë që kanë pësuar të njëjtin fat të keq për veten dhe për Shqipërinë–ishte një krim kundër njerëzimit – atëherë dhe mbetet i tillë edhe sot, 33 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit dhe të ashtuquajturit tranzicionit politik “post-komunist”. Në rastin e Shqipërisë, krimet gjysëm shekullore të komunizmit mbeten ende një krim i pandëshkuar dhe i pa dënuar si i tillë, nga qeveritë “demokratike”, “post-komuniste” të dy partive krsesore politike të vendit, gjatë tri dekadave të kaluara në Shqipëri. Për shtetet ish-komuniste të Evropës Lindore e Qendrore, sot pjesëtare të NATO-s dhe anëtare të Bashkimit Evropian — ndryshe nga Shqipëria e cila pretendon se dëshiron të jetë pjesë e të gjitha integrimeve euro-atlantike — krimet e regjimeve të komunizmit i kanë konsideruar si Krime Kundër Njerëzimit! Ato i kanë dënuar krimet e komunizmit anë e mbanë Evropës, si krime kundër njerëzimit dhe janë distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara kriminale e diktaturës komuniste në vendet e tyre, gjatë shekullit XX.
Por, jo Shqipëria! Krimet barbare të regjimit komunist atje — siç ishte vrasja e këtyre dy klerikëve të pafajshëm 75-vjetë më parë — kanë lenë pas një trashëgimi dhe gjurmë të tmershme dhe të pashërueshme në shoqërinë e sotme shqiptare, jo vetëm në sistemin ligjor dhe të drejtësisë, por dhe në zhillimet politike aktuale. Një përvjetor si ky na kujton, fatkeqsisht, tmerret e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës. Në formën e tij djallëzore, mund të mos jetë më ky regjim, por trashëgimia dhe fryma e tij mbijeton me nostalgjikët e tij që ushtrojnë sot detyrat më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar. Qeveritë e të dy partive kryesore në Shqipëri, për 30-vjet tashti, nuk kanë pasur guximin moral as vullnetin politik për t’u përballur me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, për të dënuar krimet e komunizmit, siç ka bërë e gjithë Evropa. Por, as për të caktuar një ditë në vit në kujtim të viktimave të pafajshme të barbarizmit komunist në Shqipëri – martirë siç ishin Dom Pjetër Çuni e Dom Lekë Sirdani.
E kam thenë shpesh dhe do vazhdoj ta theksoj për derisa nuk ka një ndryshim rrënjësor në atë vend në lidhje me krimet dhe me viktimat e komunizmit, se për fatin e keq të Kombit shqiptar, Shqipëria e sotme, anëtare e Aleancës Euro-Atlantike, NATO, që njëherazi pretendon se aspiron të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian, është i vetmi vend ish-komunist i Evropës Lindore e Qendrore që nuk është distancuar, zyrtarisht, shpirtërisht as moralisht nga e kaluara e saj terroriste komuniste.
Në këtë ditë përkujtimore të mbytjes së Dom Lekë Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit, detyrohem të pyes, si në të kaluarën: kur do të njohin Shqipëria dhe Kosova krimet e komunizmit dhe kur do i dënojnë ato, zyrtarisht? Kur do të kujtojnë Tirana dhe Prishtina zyrtare, viktimat shqiptare të atij regjimi barbar sllavo-aziatik, anë e mbanë trojeve shqiptare, prej një gjysëm shekulli?
Ky shkrim imi sot është në përputhje me besimin tim të thellë se përpjekjet e njerëzve vullnetmirë sot kundër komunizmit, duhet të pasqyrojnë kujtesën e viktimave të komunizmit, ashtu siç është shprehur edhe shkrimtari i njohur çek, Milan Kundera, se këto përpjekje duhet të jenë, “Një luftë e kujtesës kundër harresës.” Mos-kujtesa e viktimave të komunizmit dhe mosdënimi i krimeve të komunizmit në Shqipëri është një njollë e zezë për Kombin Shqiptar!
Për të kujtuar, pra, krimet e komunizmit në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, me qëllim që atë akte barbare të mos përsëriten më dhe për të festuar, njëkohësisht, lirinë dhe drejtësinë që na ofron Amerika. Në mbrojtje të lirinë së vërtetë, ndonëse jo të përsosur, e të cilën e dëshirojmë, për të cilën luftojmë për Shqipërinë, për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në trevat e veta.
Por pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe pa distancimin serioz të Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – aktualiteti politik në vend po tregon, se rrugëtimi euro-atlantik i Shqipërisë, jo vetëm që ka marrë një rrugë të gabuar, por ai rrugëtim nuk është më as i sigurtë dhe as i besueshëm, as përndërkombëtarët dhe as për shqiptarët — një prej faktorëve që po shkakton zbrazjen e Shqipërisë nga rinia e saj dhe nga më të mirët e Kombit.
“Krimet e komunizmit në Shqipëri dhe kudo janë një çështje e rëndësishme e drejtësisë së mohuar ndaj viktimave të komunizmit – të gjallë e të vdekur – në atë vend dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, për të cilat askush as nuk flet për to.
Ne, nga ana jonë, nuk do të heshtim!
I përjetëshëm qoftë kujtimi i Dom Lekë Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit dhe i të gjitha viktimave të komunizmit, pa dallim, në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Frank Shkreli