• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIA E BALLIT KOMBËTAR

October 11, 2025 by s p

Enver Memishaj – Lepenica 

Keto dite kam mxjerre në qarkullim librin: “Historia e Ballit Kombëtar”, formati 17 x 24 cm., 600 faqe. Konsulenca Dr. Bujar Leskaj dhe prof. Kastriot Dervishi.

Libri me dokumente, shumica botohen për herë të parë, studjon e analizon mohimet dhe falsifikimet qe i janë bërë për këtë organizatë patriotike, pra historisë së shqiptarëve, sepse ballistët ishin bij të kësaj toke, bij të popullit që kishin marrë pushëkën të luftonin për lirinë e popullit. Me rreshtimin e 20 dokumenteve unë provoj, ashtu si edhe studjues të tjerë, si prof. Uran Butka, Dr. Çelo Hoxha, Dr. Erald Kapri, prof. Kastriot Dervishi etj se Balli Kombëtar u themelua në vitin 1939 dhe jo në vitin 1942 siç e kanë falsifikuar historinë komunistët.

Nuk ka ekzistuar kurrë protokolli Dalmaco – Këlcyra, siç mashtrojnë komunistët edhe në ditët tona. Ka pasur vetëm bisedime private të Ali Këlcyrës me komandantin epror të pushtuesve italian Dalmaco. Pra bisedime, siç bëhen në çdo kohë dhe në çdo vend ndërmjet palëve luftuese. Dokumentet për këtë kapitull janë të pa diskutueshme.  

Balli Kombëtar kishte ideal e luftonte jo vetëm për lirinë e shqiptarëve, por edhe luftën për bashkimin e trojeve shqiptare, për këtë qëllim u shtri edhe në Kosovë e Maqedoni, batalione të tij luftuan në Kosovë dhe atje ranë edhe dëshmore.

Balli Kombëtar formoi çeta luftarake dhe batalione në të gjith Shqipërinë për të luftuar pushtuesin.

Balli Kombëtar gjatë Luftës Antifashiste kreu 32 beteja, kundër italianëve dhe gjermanëve. Betejat renditen të provuara me dokumente historike dhe të mohuara nga komunistët.

Në këtë libër analizohet dhe denoncohet politika antikombëtar e Partisë Komuniste duke i shpallur më 1 tetor 1943, luftë Ballit Kombëtar, pra shpërtheu lufta civile duke e kthyer tokën shqiptare në banjo gjaku dhe komunistët u ushqyen deri në fund me gjak shqiptari.

Në libër janë renditur gazetat dhe revistat e Ballit Kombëtar gjatë Luftës Antifashiste që dolën më parë se shtypi i Partisë Komuniste dhe shtypi në emigracionin e pa ëshëruar.

Ballit Kombëtar doli në mërgimin e padëshëruar dhe atje në bashkëpunim me aleatët anglo- amerikan zhvilloi aktivitet të gjithanëshëm kundër regjimt çnjerzor të komunistëve në Shqipëri, duke formuar një komitet dhe një kompani të armatosur, të gjitha te financuara nga amerikanët.

Shkurtimisht është trajtuar edhe ringritja e Ballit Kombëtar pas vitit 1990 në Shqipëri.

Filed Under: Histori

KOSTUMI I GRUAS ARBËRESHE I STAMPUAR NË NJË PULLË POSTARE TË ITALISË NË VITIN 2025

October 9, 2025 by s p

Hysen S. Dizdari

Filatelist dhe historian/

Posta italiane njoftoi se më datën, 30 Gusht 2025, emetoi një seri me pulla postare kushtuar kostumit të gruas të komunitetit të arbëreshëve në Itali.

Kjo seri me pulla i përket serisë tematike “vlerat sociale-kulturore”, dhe i kushtohet komunitetit arbëresh të Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) dhe ka vlerë tarifore të zonës B 1, e barabartë me 1,35 €. Pulla postare paraqet në qendër të saj veshjen tradicionale të gruas arbëreshe të Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), një prej simboleve të trashëgimisë kulturore arbëreshe.

Qendra e studimeve dhe publikimeve për arbëreshët theksoi se, kjo pullë paraqet një moment të rëndësishëm për ruajtjen e ndryshimeve kulturore në vendin fqinjë dhe ruajtjen e identitetit kulturor të komunitetit arbëresh të Horës.

Mirënjohje shtetin Italian dhe veçanërisht Posten së Italisë për stampimin në një pullë postare të veshjeve të gruas arbëreshe, por edhe për kujdesin e kushtuar ndaj popullit shqiptarë, arbëreshëve të Italisë, sidomos për ruajtjen e traditës së tyre kulturore, gjuhësore dhe etnografike të të arbëreshëve të cilët emigruan në Italia pas vdekjes heroit tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe sidomos pas rënies së Kalasë së Krujës në duart e pushtuesve otoman, në prill të vitit 1479. Shtegtimi i arbëreshëve filloi nga viti 1460, për të vazhduar në vitet 1468, 1479 dhe1488.

Hora e Arbëreshëve është një nga vendbanimet më të rëndësishme të arbëreshëve në Itali. Ajo u themelua më 30 gusht 1488 nga shqiptarët e emigruar, 20 vjet pas vdekjes së Skënderbeut. Ky vendbanim përfaqëson një nga shembujt më unike të ruajtjes së identitetit etno-kulturor, gjuhësor e etnografik të arbërorëve – shqiptarëve të emigruar para 550 viteve në Itali. Hora e Arbëreshëve është një vendbanim i vendosur rreth 25 km në jug nga qytetit Palermo, në Sicili, ka një popullsi rreth 6500 banorë dhe ka ruajtur e ka mbajtur gjallë për 537 vjet, gjuhën, zakonet, kulturën, muzikën, veshjet tradicionale dhe simbolet kombëtare arbërore – shqiptare.

Studiuesi i njohur shqiptar, Dorian Koçi, në një punim botuar te gazeta “Dielli” e datës, 5 Shtator 2025 shkruan: “Hora e Arbëreshëve nuk është thjesht një fshat në Sicili, por një monument i gjallë i qëndresës, i kujtesës dhe i dashurisë për atdheun e lënë pas. Ajo është një provë historike e faktit se identiteti kombëtar nuk kufizohet nga kufijtë gjeografikë, por mbijeton përmes gjuhës, kulturës dhe besimit të patundur të një komuniteti.”

Arbëreshët lanë gjurmë tyre në letërsinë gojore dhe të shkruar, pra në letërsinë tonë kombëtare. Pa kontributin e tyre nuk mund të shkruhet asnjë histori e letërsisë. Këtë e dëshmojnë veprat e para të intelektualëve dhe shkrimtarëve arbëreshë Lekë Matranga, prift arbëresh i ritit bizantin, i cili e botoi veprën e parë ndër arbëreshët e Italisë më 1592 “E mbësuara e krishterë”. Pastaj autorët e shquar si Jul Varuboba, Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Zef Serembe, Gavrill Dara i Riu, Françesk Anton Santori, Dushko Vetmo, Vorea Ujko, Enca Skutari etj.

Rreth veçantive dhe pasurisë së kësaj letërsie Prof.Anton Nikë Berisha shkruan: “Gjuha arbëreshe dhe të folurit arbërisht ka qenë dhe mbetet përbërësi më qenësor i gjallimit dhe i ruajtjes së botës dhe shpirtit arbëresh nëpër kohë. Mirëpo, letërsia arbëreshe, gojore dhe e shkruar, po ashtu pati një rëndësi të madhe dhe luajti një rol të shumëfishtë për ruajtjen dhe pasurimin e kësaj bote. Themi kështu duke pasur parasysh faktin se letërsia arbëreshe është shprehje e botës, e mendësisë dhe e fatit të arbëreshëve; në të gjetën jehonë, po njëherit edhe përjetësim artistik në një nivel të lartë, dukuri të shumta, që i përcollën ata në rrjedhë të gjallimit për pesë shekuj, ç’prej kohës kur u shpërngulën nga atdheu dhe u vendosën në Itali […]

Edhe njohësi më i zakonshëm i letërsisë gojore dhe i letërsisë së shkruar arbëreshe do të theksojë se këto dy shtresa të atit të fjalës u cytën dhe u frymëzuan nga bota arbëreshe, dhe në formën e artit të fjalës, të mesazhit poetik, iu kthyen po asaj bote, po atyre njerëzve, duke mundësuar një përafrim dhe një njohje më të gjithanshme të saj. Në këtë mënyrë, realiteti arbëresh, qoftë ai i kaluar, historik, ose ai i përditshëm, u shqiptua nëpërmjet strukturës gjuhësore të veçantë, nëpërmjet mesazhit poetik dhe si i tillë, si realitet i ri, që ekziston e funksionon nëpërmjet shenjave, përkatësisht fjalëve – tekstit, u bë përsëri pjesë e arbëreshëve.” Me 30 gusht të vitit 2024 në Horën e Arbëreshëveve u vendos statuja e heroit tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhuratë nga shqiptarët e diasporës me banim në Zvicër.

LITERATURA:

-Posta Italiane://www.poste.it//–Emisionet e pullës postare të vitit 2025

Anton Nikë Berisha, Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2008.

-Gazeta : “Dielli”, datë 5 shtatore 2025

– Katalogu : “Michel-2025-2026.

-Qendra e Studimeve publikimit për arbëreshët –shtator-2025

Filed Under: Histori

10 cilësi pozitive dhe negative të Ahmet Zogut, sot në 130 vjetorin e lindjes së tij

October 8, 2025 by s p

Nga Roland Qafoku/

Sot është 130 vjetori i lindjes së Ahmet Zogut, politikanit që dominoi Shqipërinë në të gjitha drejtimet për rreth 20 vjet. Jetoi 65 vjet, 5 muaj e 29 ditë. Ishte ministër i Brendshëm për 9 muaj e 16 ditë; president i Republikës për 3 vjet, 7 muaj e 1 ditë dhe mbret për 10 vjet, 7 muaj e 6 ditë, Ahmet Zogu shkroi epokën e vet që nga viti 1920 deri në 1939. Ai ishte Ahmet Zogu i mirë apo i keq? Dhe… si ishte bilanci për ato që ka lënë pas? Ne nuk mund ta vizatojmë figurën e tij vetëm me dy ngjyra, të bardhën, apo të zezën. Nga studimet që kam bërë, mbështetur edhe në botimet e mia, kam nxjerrë në mënyrë të përmbledhur 10 cilësi pozitive dhe 10 cilësi negative të tij. Lexojini dhe mos komentoni si tifoza të partisë, por me atë që ai na la trashëgim dhe gjurmët që la në histori!

1.POZITIV: Ahmet Zogu është lideri politik që ka meritën si askush tjetër që e shndërroi Shqipërinë nga një vend në anarki në një shtet të stabilizuar me institucione dhe ligje. Nëse Shqipëra ka 28 nëntorin 1912 si ditën e themelimit të shtetit, ardhja në pushtet e Zogut është dita e themelimit të shtetit modern shqiptar.

NEGATIV: Për të arritur qëllimet e tij ai nuk përdori metoda demokratike. Zgjedhja e tij si president i Republikës në parlament në vitin 1925 u bë nën mbikëqyrjen e armëve të një detashmenti rus që kishin marrë urdhër të hapnin zjarr nëse nuk do merrte votat e duhura. Shpallja si Mbret është një akt akoma më i diskutueshëm si në aspektin politik dhe juridik.

2.POZITIV. Ahmet Zogu është futur në histori si një politikan që ndërtoi shteti modern shqiptar. Ai ndikoi që Shqipëria të bënte një hop cilësor në të gjitha fushat e jetës, duke shtruar bazën e një shteti me parime perëndimore.

NEGATIV. Ahmet Zogu ishte diktator dhe ky përcaktim nuk vihet në diskutim. Por, ndoshta mënyra se si e reformoi dhe transformoi shtetin shqiptar në një shoqëri arkaike nuk mund të bëhej në ndonjë mënyrë tjetër.

3.POZITIV: Ahmet Zogu ishte lideri politik që kishte vizionin si askush tjetër politikan shqiptar i shekullit 20-të për të ardhmen e vendit. Ai kishte aftësi të parashikonte se çdo ndodhte për 5, 10 apo edhe më shumë vjet në Shqipëri, në vartësi të projekteve të tij politike por edhe tw zhvillimeve ndërkombëtare.

NEGATIV: Ahmet Zogu e vuri në dispozicion të vetes të gjithë aparatin shtetëror.

Pushteti, financat, policia dhe drejtësia ishin në funksion të tij dhe familjes së tij. Ahmet Zogu bënte një jetë përrallore, kur ndërkohë 90 për qind e popullisë jetonte në skamje dhe injorancë të thellë.

4.POZITIV: Ahmet Zogu kishte aftësinë të afronte rreth vetes personalitetet më të aftë dhe të zotë në profesione. Ai bashkëpunoi me figurat më të rëndësishme të kohës, të spikatur në disa fusha që nga Faik Konica, Mehdi Frashsëri, Marash Ivanaj, e të tjerë që edhe pse ishin kritikë ndaj tij, ai i bëri pjesë të kabinetit por edhe të pushtetit që ai kishte.

NEGATIV: Ahmet Zogu eliminoi shumë nga armiqtë e tij politikë që i rrezikonin pushtetin. Rezulton që ai të ketë inspiruar, mbështetur dhe marrë pjesë në vrasjen e Bajram Currit, Avni Rustemit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, e deri te kunati i tij, Ceno Bej Kryeziu.

5.POZITIV: Ahmet Zogu fitoi simpatinë e shumë personaliteteve, familjeve dhe fiseve shqiptare që kishin autoritet në zonat ku jetonin. Sapo u zgjodh president më 31 janar 1925, ai u kërkoi atyre besën për ta mbështetur të bëjë shtet në një pritje publike në Fushën e Shallvareve në Tiranë në një akt të paprecedent si për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Gati-gati ngjante si një lloj besëlidhje që krijoi Skënderbeu në 1444 në Lezhë me përfaqësuesit e të gjithë principatave.

NEGATIV: Ahmet Zogu krijonte raporte personale me personazhe të veçanë dhe jo instituconale. Kjo bëri që ai të krijonte raporte për interesa që në dukje ishin miq, por në të njëtën kohë ai krijoi edhe shumë armiq. Janë të panumërta tentativat që i janë bërë për ta eliminuar nga armiq politikë dhe personalë. Mbetet lapidare shprehja e studiuesit amerikan Bernd Fischer: Të ishte roje i mbretit Zog, ishte njësoj sikur të ishte roje i një fabrike baruti, rreth e rrotull së cilës shkreptinin rrufe.

6.POZITIV: Ishte pozitiv fakti që pasi i shërbeu Jugosllavisë, Ahmet Zogu i ktheu krahët duke i thënë stop një raporti në dëm të vendit tonë. Shkëputja që i bëri ndaj fqinjit verior që kishte synime ekspasioniste ndaj vendit tonë, është një nga momentet më pozitive që duhet veçuar në karrierën e tij.

NEGATIV: Raporti i ngushtë që krijoi Ahmet Zogu me Jugosllavinë ishte një nga pikat më të errta në karrierën e tij politike. Ai u strehua për gjashtë muaj në Beograd pas kryengritjes së qershorit 1924 të drejtuar nga Fan Noli. Dhe pas sponsorizimit serb ai u kthye në pushtet me armë duke larguar Nolin. Në këtë kontekst është mëse e mjaftueshme të përmendim vetëm një fakt: në këtë kundërkryengritje Ahmet Zogu kishte në dispozicion një batalion me mercenarë rusë që e shoqëruan deri në Tiranë dhe qendruan madje edhe pas fitores dhe rimarrjes së pushtetit.

7.POZITIV: Ahmet Zogu u bë një figurë e rëndësishme politike rajonale. Ai ishte një aktor shumë i rëndësishëm në Ballkan por edhe shumë i njohur për diplomacinë evropiane dhe botërore. Kjo bëri që Shqipëria të krijonte një lloj peshe të konsiderueshme.

NEGATIV: Ahmet Zogu nuk arriti të shkëputej nga kthetrat e Italisë me të cilën u duk se krijoi raporte të mira, por u bë vasal i saj. Ndonëse ishte shumë e vështirë për Shqipërinë e vogël, nën pushtetin e Zogut Shqipëria po gllabërohej dalëngadalë ekonomikisht nga vendi fqinj.

8.POZITIV. Ahmet Zogu krijoi lidhje dhe mbajti raporte shumë të mira me SHBA. Ai ishe mik personal i çdo ministri amerikan në Tiranë dhe të gjitha impresionet pozitive që ata kishin ndaj Zogut ia përcillin Departamentit të Shtetit. Falë këtij raporti, në vitin 1936 presidenti i SHBA, Franklin Delano Roosevelt, ftoi zyrtarisht Zogin në një pritje të veçantë në Shtëpinë e Bardhë, duke u bërë i pari personalitet shqiptar që ftohej nga një president amerikan.

NEGATIV: Ahmet Zogu tregoi se pushtetin e kishte më të rëndësishëm se çdo gjë në jetën e tij. Në mënyrën më skandaloze, edhe pse e kishte konfirmuar vizitën, në momentin e fundit, ai vendosi të mos shkonte në pritjen e afruar nga presidenti amerikan Roosevelt, me justifikimin absurd “punët e mëdha nuk i jepnin mundësi”. Në fakt Zogu nuk shkoi se druhej ndaj ndonjë komploti në Shqipëri që mund ta largonte nga pushteti.

9.POZITIV: Ahmet Zogu ka meritën që vendosi jo vetëm shtetin ligjor në Shqipëri por aplikoi legjislacionin penal dhe civil perëndimor në drejtësinë dhe jetën sociale shqiptare. Ai ideoi dhe zbatoi themelimin e shtetit të së drejtës, disa të drejta të individit, statusin e familjes si dhe modernizoi jetën në disa aspekte. Heqja me ligj e mbulesës së grave muslimane është një revolucion më vete.

NEGATIV. Shteti që ai ndërtoi megjithatë kishte shumë kufizime në rapot me të drejtat e njeriut. Gjatë pushtetit të Ahmet Zogut u dhanë shumë vendime të padrejta, qoftë politike por edhe civile ndaj personave të pafajshëm.

10.POZITIV. Gatishmëria e Ahmet Zogut për të bërë zgjidhje pozitive për situatën ku u gjend Shqipëria në prill të vitit 1939 është për tu vlerësuar. Ai u përpoq të kundërshtonte Italinë dhe Benito Mussolini-n që përbënte fuqinë e dytë më të madhe ushtarake pas Gjermanisë edhe pse nuk ia doli.

NEGATIV. Ahmet Zogu bëri gabimin fatal, atë të largimit nga Shqipëria më 6 prill 1939. Akoma edhe më fatal ishte fatki që Zogu nuk iu përgjigj ftesës së minstrit amerikan në Tiranë Hugh Grant, i cili i ofroi pasaportë amerikane Geraldinës dhe të birit Leka të sapolindur për tu strehuar në godinën e ambasadës. Nëse do kishte pranuar historia do shkruhej ndryshe. Por nëse Zogu do qendronte në Shqipëri dhe do organizonte rezistencën, ai do merrte benefite të jashtëzakonshme.

Filed Under: Histori

SHKRIMI I PARË QË FILLOI KARRIERËN TIME MODESTE GAZETARESKE

October 7, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

Të dashur kolegë e të nderuar miqtë e dashamirët e mi…Një mik imi më pyeti ditët e fundit nëse më kujtohej se cili ishte shkrimi im i parë, i botuar. Nuk m’u kujtua menjëherë por pas pak kërkimi, ma mori mendja se duhej të kishte qenë revista “Jeta Katolike Shqiptare”, organ i Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane, me Drejtor Përgjegjës Dr Monsinjor Zef Oroshin. 54-vjet më parë, ishte viti 1971. Në Amerikë isha më pak se një vit. Në moshën 21-vjeçare, ende kisha në plan të vazhdoja studimet që kisha filluar në Kroaci si seminarist. E si rrjedhim, gazetarinë (karrierën time më vonë pranë Zërit të Amerikës) as nuk e kisha ndër mend fare, por i angazhuar pranë Kishës së parë Katolike Shqiptare në Nju Jork, nën drejtimin e Monsinjor Zef Oroshit, ndonëse  pa asnjë përvojë në fushën e gazetarisë, me inkurajimin e Dr Oroshit, megjithse pa përvojë, fillova të shkruaja për revistën e lartë përmendur, Jeta Katolike Shqiptare.

Ishte pra, viti 1971. Regjimi i Enver Hoxhës kishte shpallur Shqipërinë shtetin e parë atesit – kundër Zotit dhe ishte në kulmin e luftës kundër fesë dhe klerit shqiptarë në përgjithësi, por sidomos inatin e madh e kishte me klerin katolik shqiptar. Kjo luftë kundër fesë dhe klerit, ishte shtrirë edhe në Nju Jork, ku përfaqsuesit e regjimit komunist të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara i kishin shpallur luftë veprimtarisë së klerikëve shqiptarë që vepronin në biotën e lirë, sidomos në Nju Jork dhe Detroit, e të cilët ishin arratisur vite më parë nga Shqipëria komuniste për të shpëtuar jetën. Përfaqsuesit “diplomatikë” të Shqipërisë komuniste gjatë 1970-ave dhe 1980-ve në OKB nuk mund të na shiten tani si “patriotë”, sepse veprimtaria e tyre në atë kohë ishte shumë shkatërruese dhe tepër përçarse dhe aspak e “lavdishme”, në komunitetin shqiptaro-amerikan të asaj kohe. Por nejse, qoftë e shkuar ajo kohë! 

Qëllimi i këtij shënimi është për miqtë e mi, më shumë personal – në përgjigje të pyetjes së mikut tim se cili ishte shkrimi i parë i botuar i imi dhe ku – por po e ndaj më gjërsisht edhe për kuriozitet të kolegëve dhe dashamirësve të të tjerë, sa për informacion.

Ishte pra ky shkrim me karakter fetar — për një revistë fetare — në mbrojtje të klerit katolik shqiptar, të sulmuar, të vrarë, të burgosur e të përsekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës për dekada – e që me hir ose pa hir — hahahaahaha filloi, si të thuash, karrierën time modeste në fushën e gazetarisë.  The rest is history, my friend!


Filed Under: Histori

Shqiptarët në rrethimin e Maltës të vitit 1565

October 5, 2025 by s p

Eduart Caka/

Rrethimi osman i Maltës i vitit 1565 ishte njëra ndër betejat më të mëdha të shek. XVI e cila, më shumë se aspekti ushtarak ka hyrë në histori për rëndësinë e madhe që ajo kishte në ekuilibrat gjeopolitike të Mesdheut. Megjithëse kjo betejë nuk kishte asnjë lidhje me hapësirat shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi, pozitat e saj strategjike duke qenë në skajin perëndimor të Perandorisë O.smane dhe gjendja nën sundimin osman, na tregon se elementi shqiptar qe i pranishëm edhe në këtë betejë të madhe.

Parë nga ky këndvështrim, dokumentacioni arkivor na jep të dhëna të rëndësishme në lidhje me përgatitjet që osmanët kryen në viset shqiptare teksa planifikonin mësymjen drejt Maltës, momente të rëndësishme të mbrojtjes së ishullit ku përveç shqiptarëve të cilët kanë shkuar në këtë luftë si ushtarë të flotës osmane hasim edhe në shqiptarë të tjerë, të cilët janë pjesë të Urdhrit të Shën Gjonit e që janë të angazhuar në mbrojtjen e Maltës duke nxjerrë në pah një panoramë të çuditshme ku shqiptarë luftojnë kundër shqiptarësh në një betejë e cila nuk ka lidhje as me shqiptarët e aq me gjeografinë ku ata jetonin. Në këtë kontekst, duke u përqendruar tek rrethimi i Maltës i vitit 1565, ky artikull përpiqet të nxjerrë në pah disa aspekte të historisë detare të shqiptarëve por edhe të gjurmojë pjesëmarrjen e tyre në ngjarje të përmasave botërore e historike siç ishte edhe beteja në fjalë.

Shkrimi në link👇👇👇

https://www.academia.edu/resource/work/44613249

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT