• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEKLARATA KUSHTETUESE – GURËTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS

July 2, 2026 by s p

Jusuf Buxhovi/

Deklarata e kushtetues e 2 korrikut 1990 paraqet ngjarjen më të rënëdsishme në historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Delegatët e Kuvendit të Kosovës, me shpalljen e kësaj Deklarate, Kosovën e shkëputën nga pushtimi serb. Kjo legjitimoi Kosovën njësi të barabartë të federatës jugosllave me të drejtën e shkëputjes. Deklerata e kushtetuese si e tillë, i hapi rrugën Republikës së Kosovës, e cila u shpall në Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator të atij viti.

Këto dy vendime madhore të përcjella nga Referendumi për Pavarësi i 26 shtatorit 1991, zgjedhjet Presidenciale dhe Parlamentare të 24 maj 1992 si dhe krijimim e qeverisë së Kosovës në fund të atij viti, që mori përsipër rezistencën institucionale, Kosovën e vunë në binarët e pandalshëm historik të shtetndërtimit, që do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008.

TEKSTI I PLOTË I DEKLARATËS KUSHTETUESE, I BOTUAR NË “FLETORËN ZYRTARE” TË KSAK, nr 21, MË 3 KORRIK 1990

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990.

Delegatët nënshkrues të Deklaratës:

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).

Filed Under: Histori

Analizë hartografike e veprës “Tavole della Geografia“ (Romë, 1690)

July 1, 2026 by s p

Prof. Dr. Pal Nikolli/

​Ky shkrim ofron një analizë të zgjeruar dhe të detajuar të një prej botimeve më ambicioze enciklopedike dhe hartografike të fundit të shekullit XVII, që shërben si një urë lidhëse kulturore dhe shkencore ndërmjet shkollës rigoroze të gjeografisë franceze dhe mjedisit akademik e tipografik të Romës baroke.

​1. Identifikimi bibliografik dhe konteksti i botimit.

​Teksti i faqes së titullit, i transkriptuar nga gjuha italiane e vjetër, zbulon të gjitha të dhënat e domosdoshme bibliografike për klasifikimin e saktë të kësaj vepre:

Titulli i plotë: Tavole della Geografia Antica, Moderna, Ecclesiastica, e Civile, overo Divisione del Globo Terrestre nelle sue principali Parti, Regioni, Regni, Stati, Provincie, Città, & altri luoghi riguandevoli.

​Viti i botimit: 1690 (shënuar me numra romakë si M.DC.XC.).

​Vendi i botimit dhe tipografi: Vepra u shtyp në Romë nga Nicolò Angelo Tinaffi, i cili mbante titullin zyrtar “Stampator Camerale” (Printer i Dhomës Apostolike / Tipograf Zyrtar Papal). Ky status dëshmon për një botim me mbështetje të lartë institucionale në Shtetin e Kishës.

Censura dhe ekskluziviteti: Shënimi përmbyllës “Con licenza de’ Superiori, e Privilegio” konfirmon se libri kishte kaluar kontrollin e autoriteteve klerikale dhe gëzonte të drejtën ekskluzive të botimit (privilegjin), çka ndalonte riprodhimin apo piratimin e tij.

​2. Autorësia: Gjeografët Sanson dhe Francesco Deseine.

​Vepra shquhet për ndërthurjen e kontributeve të figurave të rëndësishme të gjeografisë europiane:

​Zotërinjtë Sanson (I Signori Samson): Teksti saktëson se kjo vepër u nis prej tyre (“Opera cominciata da’ Signori Samson”), të cilët mbanin titullin prestigjioz “Geografi del Rè Christianissimo” (Gjeografët e Mbretit më të Krishterë, Luigjit XIV të Francës). Familja Sanson, me në krye Nicolas Sanson (1600–1667) dhe djemtë e tij Guillaume dhe Adrien, konsiderohet themeluesja e shkollës kartografike franceze. Ata udhëhoqën kalimin kritik nga kartografia holandeze e mbingarkuar me dekorime drejt një kartografie më racionale, gjeometrike dhe të bazuar në burime tekstuale solide.

Francesco Deseine: Ai është autori që e ka sjellë këtë vepër në gjuhën italiane (“Trasportata in Italiano”). Deseine, një erudit dhe librar francez i vendosur në Romë, nuk u mjaftua me përkthimin, por e zgjeroi atë ndjeshëm (“accresciuta d’un gran numero di Tavole”), duke e pasuruar me të dhëna të reja tabelare dhe gjeografike të përshtatshme për publikun italian dhe mjedisin shkencor romak.

​3. Struktura dhe përmbajtja e veprës.

​Libri është konceptuar si një udhëzues enciklopedik e taksonomik që organizon njohuritë mbi rruzullin tokësor sipas katër sferave apo dimensioneve kryesore:

​Gjeografia Antike: Trajton gjeografinë historike të botës klasike (greko-romake) dhe asaj biblike.

Gjeografia Moderne: Pasqyron realitetin gjeopolitik të fundit të shekullit XVII.

Gjeografia Klerikale (Ecclesiastica): Paraqet ndarjen e botës sipas strukturave të kishës (dioqezat, peshkopatat dhe provincat fetare).

Gjeografia Civile: Fokusohet në organizimin administrativ e politik të mbretërive, shteteve dhe principatave.

​Përveç këtij kategorizimi, faqja e titullit specifikon se libri përmban një aparat të pasur ndihmës: koordinatat e qyteteve kryesore, listat e elementeve kryesore fizike (lumenj, liqene, male), si dhe katalogë mbi monedhat, gjuhët dhe religjionet e ndryshme të botës.

​4. Problemet dhe sfidat hartografike që adresohen.

​Në kontekstin e zhvillimit shkencor të vitit 1690, kjo vepër përballet dhe tenton t’u japë zgjidhje disa prej problemeve më të mprehta kartografike të kohës:

Sinkronizimi diakronik dhe standardizimi toponimik: Një nga sfidat më të mëdha të hartografëve të asaj epoke ishte përputhja e gjeografisë klasike me atë moderne (p.sh. identifikimi në terren i vendeve të përmendura nga Ptolemeu apo Straboni). Libri e zgjidh këtë përmes tabelave krahasuese, duke ofruar shpjegimin dhe përkthimin e toponimeve të vjetra latine në gjuhën vulgare (italisht).

Përcaktimi i koordinatave gjeografike: Në një kohë kur llogaritja e gjatësisë gjeografike (longitudine) mbetej një problem teknik ende i pazgjidhur plotësisht në detari (përpara shpikjes së kronometrit detar në shekullin XVIII), libri kontribuon duke ofruar një aparat tabelar të gradëve të gjerësisë (latitudine) dhe gjatësisë bazuar në vëzhgimet më të rregullta astronomike të kohës, duke synuar drejt unifikimit të meridianit fillestar.

​Hierarkia hapësinore dhe kufijtë e ndërthurur: Në epokën e Barokut, kufijtë politikë dhe ata kishtarë shpesh mbivendoseshin duke krijuar konfuzion. Përmes ndarjes së rreptë të tabelave në Ecclesiastica dhe Civile, vepra krijon një sistem të pastër të “shtresave tematike”, duke vendosur një taksonomi të qartë hapësinore (Pjesë \rightarrow Rajon \rightarrow Mbretëri \rightarrow Provincë \rightarrow Qytet).

Kalimi drejt Gjeografisë Matematike: Libri shërben si një dokument rregullator që frenon prirjen e vjetër për të mbushur hapësirat e panjohura të hartave me elemente dekorative ose imagjinare (fenomeni horror vacui). Ai i detyronte hartografët të bazoheshin mbi të dhëna sasiore, statistikore dhe matje të sakta përpara se të hidhnin në matricat e bakrit format gjeometrike të territoreve.

​5. Elementet grafike dhe aksesi online.

​Në aspektin vizual, faqja e titullit dominohet në qendër nga një stemë e pasur heraldike, e rrethuar nga degë lari dhe e kurorëzuar, që tregon përkatësinë familjare ose dedikimin e veprës ndaj një patroni apo mecéni të rëndësishëm romak (faktor kyç për financimin e botimeve të tilla luksoze në atë kohë).

​Sot, kjo vepër e vitit 1690 ndodhet plotësisht në Domenin Publik dhe është e aksesueshme online falas në version të digjitalizuar (PDF) me rezolucion të lartë në platforma të mëdha të memories botërore si Internet Archive (nga fondi antik i Universitetit të Seviljes), Google Books (nga Biblioteka Kombëtare Qendrore e Romës) dhe HathiTrust Digital Library (nga kopshti dixhital i Universitetit të Kolumbias). Për ta gjetur, mjafton kërkimi i titullit të saktë të shoqëruar me vitin e botimit.

===========================

Shënim:

Roma baroke është emri që i jepet periudhës në të cilën Rome u shndërrua në qendrën më të rëndësishme të artit, arkitekturës dhe urbanistikës baroke, kryesisht gjatë shekujve XVII dhe fillimit të shekullit XVIII.

Karakteristikat kryesore të Romës baroke janë:

– Ndërtesa monumentale me forma të lakuara dhe dekorime të pasura.

– Sheshe madhështore me burime dhe skulptura.

– Kisha me kupola imponuese dhe interierë të zbukuruar.

– Përdorimi i dritës, hijes dhe perspektivës për të krijuar efekt dramatik.

– Planifikim urban që synonte të impresiononte vizitorët dhe të shprehte fuqinë e Holy See dhe të Kishës Katolike.

Figura më të njohura të kësaj periudhe janë:

Gian Lorenzo Bernini, autor i St. Peter’s Square dhe shumë shatërvanëve të famshëm.

Francesco Borromini, i njohur për kishat me forma novatore.

Pietro da Cortona, një nga piktorët dhe arkitektët më të rëndësishëm të stilit barok.

Disa nga monumentet më përfaqësuese të Romës baroke janë Trevi Fountain, Piazza Navona, Sant’Agnese in Agone dhe kolonadat e St. Peter’s Square.

Roma baroke nuk është vetëm një stil arkitekturor, por një koncept kulturor dhe urban që e shndërroi qytetin në një “teatër të hapur”, ku arti, feja dhe pushteti ndërthureshin për të krijuar një ndikim të fortë estetik dhe simbolik. Kjo periudhë pati ndikim të madh në zhvillimin e arkitekturës dhe artit në të gjithë Evropën.

Ja edhe foto ilustruese bashkengjitur. Ju falenderoj dhe ju uroj gjithe te mirat!

Filed Under: Histori

Dëshmia e një fotoje, 29 qershor 1920, kur studentët shqiptarë në Vjenë i rezervonin një pritje solemne Aleksandër Moisiut

June 30, 2026 by s p

Albert Vataj/

Kjo fotografi e 106 viteve më parë nuk ruan vetëm dritën e një çasti, por edhe frymën e një epoke. Ka imazhe që nuk dëshmojnë thjesht praninë e disa njerëzve në të njëjtën tavolinë, por bëhen kronikë e një ideali. Një fotografi e realizuar më 29 qershor 1920 përjetëson darkën solemne të organizuar nga studentët shqiptarë në Vjenë për nder të artistit të madh Aleksandër Moisiu, emri që në atë kohë kishte pushtuar skenat më prestigjioze të Evropës.

Jemi në qershor të vitit 1920. Shqipëria sapo kishte dalë nga një periudhë e turbullt pas Kongresit të Lushnjës. Në Vjenë, kjo gjeneratë studentësh nuk ndodhej atje thjesht për të marrë diploma, ata ishin “ambasadorët” e parë të një shteti që po përpiqej të merrte frymë. Në një kohë kur diplomacia zyrtare ishte ende e brishtë, diplomacia kulturore, e personifikuar nga Moisiu, ishte e vetmja që dëgjohej pa u ndërprerë.

Ishte një mbrëmje ku nuk u ngritën vetëm gotat për një artist të madh. U ngritën zemrat e një brezi që besonte se kultura ishte mënyra më fisnike për t’i dhënë zë një kombi ende të ri, ende të plagosur nga historia, por të etur për të dëshmuar se ishte pjesë e qytetërimit evropian.

Nën dritën e qirinjve, mes pasqyrave të kristalta dhe elegancës së salloneve vjeneze, rinia shqiptare i bëri homazh njeriut që kishte arritur të pushtonte skenën evropiane pa mohuar kurrë origjinën e tij. Në atë sallë nuk ishte vetëm Aleksandër Moisiu, ishte vetë Shqipëria që kishte ardhur për një mbrëmje në zemër të Vjenës. Aleksandër Moisiu ishte prova e gjallë se një bir i këtij kombi mund të ngjitej në majat e artit botëror. Për studentët, ai përfaqësonte, modelin dhe frymëzimin. Po, provën se madhështia nuk matet me përmasat e vendit nga vjen, por me lartësinë e shpirtit dhe të talentit. Bindjen se identiteti i tyre nuk ishte pengesë për suksesin botëror, por një pasuri që mund ta zbukuronin me talent.. Patjetër dhe dëshminë se dinjiteti kombëtar fitohet edhe përmes kulturës, dijes dhe krijimtarisë, dhe jo vetëm në fusha betejash.

Në skenën gjermane, austriake, italiane e më gjerë, ai nuk interpretonte vetëm Hamletin, Faustin apo Edipin, në mënyrë të plotë, ai mbante me vete edhe një pjesë të historisë së një populli të vogël që kërkonte vendin e vet në hartën shpirtërore të Evropës.

Kjo mbrëmje merr një peshë edhe më të madhe po të kemi parasysh se Vjena ishte një nga qendrat më të rëndësishme intelektuale të kohës. Universitetet e saj ishin laboratorë idesh, ndërsa komuniteti shqiptar përfaqësonte një elitë të re që po formohej me kulturën politike dhe akademike të Evropës Qendrore.

Prandaj, kjo fotografi nuk është thjesht një kujtim. Ajo është një dokument historik që bashkon dy shtylla mbi të cilat ndërtohet një komb, elitën intelektuale dhe elitën artistike.

Shumë prej atyre studentëve, të cilët e organizuan këtë akt me kursimet e tyre modeste, do të bëheshin më vonë profesorë, juristë, diplomatë dhe administratorë të jetës publike shqiptare. Në fytyrat e tyre lexohet besimi i qartë se Shqipëria do të përfaqësohej denjësisht në botë. Historia shpesh kujton luftërat, traktatet dhe konfliktet. Më rrallë ndalet te mbrëmje si kjo, ku arma e vetme ishte fjala, arti dhe mirënjohja. Por janë pikërisht këto çaste që ndërtojnë themelet e padukshme të identitetit kombëtar.

Një shekull më vonë, kjo fotografi vazhdon të na flasë me të njëjtën qartësi. Ajo na kujton se kombet bëhen të mëdha nga aftësia për të nderuar ata që i lartësojnë me mendje dhe shpirt. Për disa orë, më 29 qershor 1920, Vjena u bë kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve. Dhe duartrokitjet që jehuan në atë sallë ishin duartrokitjet e një kombi që po msonte të besonte te vetvetja.

Filed Under: Histori

ALBERT MOUSSET- SHQIPËRIA PËRBALLË EUROPËS (1912-1929)

June 25, 2026 by s p

Prof. Lush Culaj/

Alber Muse (Albert Mousset, 1883-1964) ishte historian i njohur francez, i diplomuar në Shkollën Kombëtare të Dokumenteve (Ecole Nationale des Chartes), pranë Universitetit të Parisit – Sorbonë (1908), docent i Shkollës së Studimeve të larta Hispanike, atashe i Ambasadës së Francës në Madrid, drejtor i Agjensisë Telegrafike shtetërore Franceze në Beograd, sekretar i komisionit për historinë e Parisit, fitues i Çmimit të Madh për historinë të Akademisë Franceze (1955) etj. Ka shkruar vepra të shumta për historinë dhe çështjet politike të disa vendeve evropiane: Spanjës, vendeve të Evropës Juglindore (përfshirë Shqipërinë), Rusisë etj.

Para ca kohësh, shtëpia botuese “Dituria”, pas një pune të madhe, botoi librin Shqipëria përballë Europës 1912-1929, të autorit francez Albert Mousset dhe të përkthyer nga Asti Papa. Në vargun e studimeve të historisë së popullit shqiptar, periudhën e kohës së re, që meriton vëmendje, ky studim i Albert Mousset është një kontribut i çmuar në trajtimin e çështjes shumë të rëndësishme të qëndrimit të shtetit shqiptar përballë Evropës në periudhën kohore që merret për shqyrtim. Ishte pikërisht periudha kohore që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, përpjekjet për konsolidimin dhe njohjen ndërkombëtare të atij shteti, që ishte mjaftë i brishtë, e gjer në periudhën pas shpalljes së mbretërisë shqiptare, ku shteti shqiptar kishte filluar të frymonte më lirshëm, sepse tani, në mos tjetër, ishin vënë konturat për ndërtimin e një shteti modern shqiptar, kuptohet në kufitë ekzistues.

Ky studim monografik, i shkruar me një stil të qartë dhe të rrjedhshëm, është rezultat i punës së palodhshme të autorit dhe paraqet një punim serioz që përmban një problematikë e ndieshme nga historia shqiptare.

Pjesë e veçantë e kësaj monografie është fakti se autori, përveçse është historian dhe diplomat, është bashkëkohës i ngjarjeve të cilat i shtjellon. Ai e përfundon monografinë pikërisht në vitin 1929, duke apostrofuar se ky vit shënon fillimin e hapave konkretë të Shqipërisë për emancipimin ekonomik e politik dhe e boton atë menjëherë në vitin 1930. Ndoshta merita kryesore e kësaj monografie konsiston pikërisht në faktin se ajo u botua në një periudhë relativisht të hershme dhe mund të shërbente si pikë referimi edhe për historiografisë shqiptare.

Në kushtet e një përvoje shkencore shumë të vogël në Shqipëri, të mungesës së kuadrit të mjaftueshëm e të përgatitur për fusha e periudha të historisë sonë, kjo monografi paraqet, vërtet, një kontribut mjaft të çmuar. Ndonëse historiografia e huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët mbeti përgjithësisht objekt i kritikës për historianët e mëvonshëm shqiptarë, e sidomos të periudhës së monizmit, megjithatë ka pasur edhe vlerësime të drejta për arritjet e saj në fushën e studimeve albanologjike. Qëllimi kryesor i punimit është jo vetëm parashtrimi i të dhënave lidhur me shoqërinë shqiptare, me organizimin shoqëror e ekonomik, por, para së gjithash, paraqitja e zhvillimit të kësaj shoqërie dhe faktorët që ndikuan në formësimin e saj.

Nga shqyrtimi i kujdesshëm i monografisë mund të konstatohet se autori i ka bërë objekt shqyrtimi e trajtimi shumë probleme, nga më të ndërlikuarat e më të diskutueshmet e historisë sonë kombëtare, por njëherazi për to ai ka dhënë gjykime të argumentuara dhe të mbështetura në një dokumentacion të gjerë burimor e historik. Vlera e tij qëndron edhe në faktin se autori ka arritur që ta ruajë një raport të drejtë ndërmjet ngjarjeve në terren dhe historisë së mareëdhënieve të shtetit shqiptar me Evropën gjatë gjithë periudhës që e ka bërë objekt të shqyrtimit. Në rrafshin metodologjik-hulumtues, me qëllim që lexuesi i profesionit ta ketë përpara një pasqyrë të ngjarjeve sa më komplete dhe në vijimësi, duke mos i shkëputur ngjarjet nga konteksti historik, autori brumin e lëndës së këtij studimi e organizon në tetë pjesë, të cilat janë të lidhura mes tyre dhe përbëjnë boshtin e këtij studimi monografik.

Në pjesën e parë, të titulluar Shqipëria në fillim të shekullit XX fillimisht na paraqitet traktati i Berlinit i vitit 1878 që ia shkëputi Shqipërisë Kurshumlinë dhe Vranjën, të cilat i morën serbët; Plavën, Gucinë dhe Tivarin që u morën nga malazeztë, si dhe Janinën, Artën dhe Prevezën, të cilat iu dhanë grekëve. Pas këtij copëtimi dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Konferenca e Ambasadorëve e Londrës e vitit 1913, i përfundoi punimet me përpilimin e protokollit për kufijtë e rinj.

Dhe ashtu, siç pritej, kufijtë e rinj të shtetit shqiptar nuk e kënaqën asnjërën palë, as shtetet ballkanike, të cilat u zhgënjyen nga ambiciet e tyre të tepërta, as Shqipërinë së cilës iu hoqën nga trungu krahinat më pjellore. Caktimi i kufijve të tillë përbënte goditjen vendimtare për Qeverinë e Ismail Qemalit, e cila mezi po qëndronte në këmbë. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore territori i shtetit shqiptar u nda ndërmjet ushtrive aleate. Autori, në këtë pjesë, krahas këtyre ngjarjeve kalimtare ushtarake, nuk harron ta permëndë edhe një akt diplomatik tejet të rëndësishëm, Traktatin e fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915.

Pjesën e dytë të titulluar Shqipëria para Konferencës së Paqes 1918-1921 autori e fillon me një konstatim shumë të drejtë: “Nëse ndonjë shtet do të kishte më tepër të drejtë të kërkonte vënien në jetë të idealeve, triumfin e të cilave e kishte vulosur fitorja e fuqive të mëdha, aleate të Antantës, ky shtet ishte Shqipëria.” Shqipëria nuk përmendet shprehimisht në deklaratën që bëri presidenti i SHBA-së Vilsoni, më 23 prill 1919, por ajo përfshihet në kategorinë e atyre “shteteve të vogla”, për të cilat presidenti amerikan vinte në dukje: “Tani e tutje interesat e tyre duhet të garantohen me aq kujdes sa edhe interesat e shteteve më të fuqishme”. Në përfundim të kësaj pjese autori, pasi elaboron ambiciet e shteteve fqinje për të shkëputur sa më shumë territore të Shqipërisë, përfundon se Italia kishte ardhur në Shqipëri e veshur me petkat e mikut, i cili kërkonte t’i nxiste ndjenjat kombëtare, por kishte treguar se, në të vërtetë, kërkonte ta kthente Shqipërinë në një koloni të saj.

Paslufta nuk solli ndonjë gjë të madhe. E përfshirë pa dashjen e saj në grindjen adriatike, Shqipëria, si rrjedhojë, përjetoi mbi kurrizin e saj parimet për të cilat mburreshin fitimtarët. Ishin të tjerët qe vendosën për tokën e saj, për fatin e saj, pa e pyetur fare atë. Po me këtë rast Shqipëria pati mundësinë të bindej se sa i paktë ishte, në të vërtetë, interesimi që shprehnin për të qeveritë e Fuqive të Mëdha perëndimore. Në këto qëndrime autori pavarësisht se ishte francez e apostrofon edhe Francën që përpiqej që ta zgjidhte në kurriz të Shqipërisë grindjen italo-jugosllave.

Për mbështetjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve autori shkruan në pjesën e tretë, në të cilën edhe konkludon: “Shqipëria ishte, par exellence, shteti që më tepër se cilido duhej të gëzonte mbështetjen morale dhe materiale të Lidhjes së Kombeve.

Por fatkeqësisht Shqipëria nuk vazhdoi ta ndjekë këtë rrugë. Ndjenja e sovranitetit për të cilën tërë popujt që e kanë fituar vonë pavarësinë kanë shumë dyshime dhe frikë se mos po u ikën nga duart, u tregua shumë e fuqishme edhe kundrejt mbrojtësit më pa interes të Shqipërisë. Lidhja e Kombeve, duke u kujdesur më tepër se ç’duhej që të ishte e paanshme dërgoi në Shqipëri njerëz që meqenëse nuk kishin përgatitjen dhe njohjen e nevojshme nuk arriten të kuptoheshin ashtu siç duhet nga shqiptarët.

Shqipëria, më mirë të themi Qeveria e saj, arriti ta gjente një mbrojtës tjetër, që ndodhej gjeografikisht më pranë saj. Dhe ky mbrojtës ishte më pak i çinteresuar, por më shumë i hedhur,në mos më shumë dashamirës në ndërhyrjet e tij ndaj Shqipërisë”.

Duke shtjelluar pjesën e katërt të titulluar Shqipëria nën një regjim kushtetues, autori ndalet me tepër te funksionimi i grupeve parlamentare në Shqipëri dhe te puna e Asamblesë, kurse në pjesën e pestë, të cilën e ka titulluar Koha e reformave ndalet te politika e Ahmet Zogut, e sidomos te politika e jashtme e tij që mund të gjykohet në mënyra të ndryshme.

Megjithatë, ai e pranon se Ahmet Zogu ishte frymëzuesi dhe shpirtdhënësi i Shqipërisë moderne. Dhe nëse më pas ai ra nën ndikimin dhe kujdestarinë italiane, kjo ndodhi sepse ndoshta Zogu kërkoi ta evropianizojë vendin e tij, por pa i pasur mjetet e nevojshme materiale, që kërkonte kjo punë tej mase e madhe për forcat e tij. Dhe në këtë kuptim, duke mos lënë pas dore edhe faktorin e rëndësishëm të ambicies së tij vetjake, mund të themi, pa bërë ndonjë gabim të madh se Ahmet Zogu kërkoi që t’i sigurojë popullit të tij përparimin e mbrothësinë, duke e paguar çmimin për to me pavarësinë e vendit.

Edhe në pjesën e gjashtë të titulluar Diktatura “republikane” dhe orientimi nga Italia autori konkludon se e keqja e Shqipërisë qëndron te nënshtrimi ndaj interesave italiane dhe kjo gjë minon sigurinë e tërë Evropës Juglindore. Nëse Italia sakrifikon me miliona lira për t’i dhënë vendit të vogël fqinj përtej Adriatikut pamjen e një shteti gjysmë të qytetëruar, këtë gjë nuk e bën për shpirtmirësi, por për ta siguruar një bazë mbështetjeje për depërtimin dhe veprimet e saj të mëtejshme në Evropën Juglindore.

Në pjesën e parafundit të titulluar Zogu i parë – Mbret i shqiptarëve, autori pasi përshkruan aprovimin e kushtetutës së re që i dha Ahmet Zogut titullin “Mbret i shqiptarëve” thekson se tani mbreti ishte autoriteti më i lartë i shtetit, të cilit i përkisnin të gjitha kompetencat.

Pjesa e fundit, gjegjësisht e teta, trajton një temë tjetër që nuk është e natyrës politike. Ajo i trajton besimet fetare në Shqipëri në periudhën 1914-1929. Edhe gjatë trajtimit të kësaj pjese duket se autori bën përfundime të sakta, duke konstatuar se ndryshimet fetare kanë qenë më tepër shkaku i rremë sesa shkaku i vërtetë i trazirave që e kanë tronditur aq herë Shqipërinë. Dhe kjo kuptohet po të kemi parasysh se shqiptarët më tepër kanë zakone fetare, të cilat janë më shumë të mbruajtura në bestytni, sesa në një ndjenjë të vërtetë fetare.

Ai përfundon se shqiptarët në përgjithësi nuk janë ushtrues të rregullt të fesë, nuk u nënshtrohen detyrimeve të riteve fetare dhe janë të prirur në mënyrë të natyrshme për të qenë liberalë dhe mjaft tolerantë.

Vërejtja më e madhe për Shqipërinë, sipas autorit, ishte se ajo do ta kuptonte vetë një ditë se kishte marrë rrugë të gabuar kur u shmang nga udha, e cila e dërgonte në Gjenevë, në Lidhjen e Kombeve. Dhe ndoshta Evropa do ta kuptonte më parë se duke bërë sikur nuk e njohin njëra–tjetrën Lidhja e Kombeve dhe Shqipëria po lënë që t’u ikë nga dora fati i paracaktuar…

Leximi dhe studimi i librit të Albert Mousset Shqipëria përballë Europës, do të ndihmojë ndjeshëm për ndriçimin e mëtejmë të historisë së Shqipërisë. Shumica e këtyre të dhënave janë të mirëseardhura për historianët që merren me këtë fushë të studimit, edhe pse realisht duhet theksuar se në kohën e sotme, gjegjësisht në periudhën postkomuniste shumica e këtyre të dhënave nga këndvështrime të ndryshme janë të njohura. Pa dashur t’i mohoj vlerat e këtij libri, më duhet të konstatoj se sikur ky libër të ishte përkthyer dhe botuar në Shqipëri në vitin 1990 do të pritej me një interesim shumë më të madh nga lexuesi shqiptar.

Megjithatë nga e tërë kjo mund të konkludojmë se shkenca e historiografisë shqiptare është më e pasur për një vepër me peshë shkencore, ndërsa historianët tanë dhe lexuesit e veprave historike në veprën e Albert Mousset-së Shqipëria përballë Europës 1912-1929 gjejnë analiza të thelluara të ngjarjeve e të momenteve historike, të cilat do të shërbejnë për t’u thelluar studimet dhe hulumtimet për këto vite të historisë së popullit shqiptar, duke i dhënë veprës peshë shkencore në fushën e dijes historike.

Filed Under: Histori

Memorandumi i Greçës, 23 qershor 1911, akti themelues i programit kombëtar që ndezi shkëndinë e pavarësisë

June 24, 2026 by s p

Albert Vataj/

Në altarin e historisë kombëtare shqiptare, rrugëtimi drejt lirisë dhe shtetformimit nuk ka qenë një dhuratë e rastësishme e fatit, por një testament i shkruar me gjak, besë dhe vizion politik. Ndërsa fillimshekulli XX e gjente Shqipërinë të lëkundej mes shembjes së pashmangshme të Perandorisë Osmane dhe rrezikut të copëtimit nga fqinjët, Malësia e Madhe do të kthehej në djepin ku do të gandej (përpunohej) projekti i parë i madh i autonomisë moderne. Data 23 qershor e vitit 1911 nuk shënon thjesht një datë në kalendar, por çastin solemn kur pushka e malësorit dhe mendja e ndritur e elitës intelektuale u bënë një trup i vetëm. Në pllajën e Greçës, aty ku horizonti pritet me majat e mprehta të bjeshkëve, u hodhën themelet e asaj që do të njihej si deklarata e parë e shkruar e dinjitetit dhe e vetëvendosjes shqiptare përpara kancelarive të Europës.

Më 23 qershor 1911, në pllajën historike të Greçës, në zemër të Malësisë së Madhe, u zhvillua një nga kuvendet më domethënëse të historisë shqiptare. Prijësit e kryengritjes antiosmane, të ardhur nga të gjitha viset veriore, u mblodhën për të shenjuar me solemnitet një kthesë strategjike në përpjekjen shekullore për vetëqeverisje dhe liri. Nga ky tubim madhështor doli “Memorandumi i Greçës”, ose siç njihet ndryshe në historiografinë diplomatike, “Libri i Kuq”, një dokument kryesor politik dhe atdhetar që artikulonte dymbëdhjetë kërkesa themelore për autonominë e plotë të Shqipërisë brenda Perandorisë Osmane.

I hartuar në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht, nga dy prej mendjeve më të ndritura dhe vizionare të kohës, Luigj Gurakuqi dhe Ismail Qemal Vlora, Memorandumi u nënshkrua nga një plejadë prijësish legjendarë malësorë. Ata ishin burra që bartnin në shpinë historinë e gjakut, të besës dhe të qëndresës: Dedë Gjo Luli, Sokol Baci, Dodë Prëçi, Tomë Nika, Mehmet Shpendi, Avdi Kola, Nikë Mëhilli, Tup Cuni, Binak Lulashi, e shumë të tjerë. Përmes këtij akti juridik e politik, kryengritja e armatosur e shqiptarëve të veriut fitoi për herë të parë një program të strukturuar kombëtar, i cili gjeti jehonë të menjëhershme dhe mbështetje të plotë në të gjitha trevat shqiptare.

Në hyrje të dokumentit theksohej me guxim se shqiptarët kishin dhënë një ndihmë vendimtare për ngritjen e xhonturqve në pushtet, ndaj tashmë kërkonin nga perandoria njohjen e të drejtave të tyre legjitime dhe kombëtare. Kërkesa për një autonomi të gjerë, si një kompromis pragmatik historik përballë pavarësisë së mohuar, paraqitej si një sakrificë e përkohshme për hir të stabilitetit rajonal dhe aspiratave politike të kombit.

“Na po bajmë fli,” shkruhej tekstualisht në Memorandum, “për arsye të nalta politike dëshirat e pavarësisë që frymëzojnë popullin shqiptar tash pesë shekuj…” Ky dokument jetik iu dorëzua fillimisht ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut, por Porta e Lartë zgjodhi ta shpërfillte pa një përgjigje zyrtare. Në përpjekje për të sensibilizuar opinionin evropian dhe për të fituar garancitë e Fuqive të Mëdha, një delegacion i kryengritësve, i udhëhequr nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci dhe përfaqësues të tjerë, e paraqiti Memorandumin në Cetinë përpara trupit diplomatik ndërkombëtar.

Memorandumi i Greçës shënoi një ndryshim radikal të qëndrimit pritës që kishin mbajtur deri atëherë disa komitete shqiptare, sidomos ato në Jug të vendit. Ndërsa Komiteti i Korfuzit, në përpjekje për të përfituar ndihmë nga Greqia, vijonte kontaktet e kujdesshme diplomatike, “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” në Jug të Shqipërisë e përqafoi menjëherë platformën e Greçës si model strategjik veprimi, duke e vënë atë në jetë përmes aksioneve të armatosura.

Në korrik të vitit 1911, çetat shqiptare në Çamëri, Gjirokastër dhe Labëri filluan sulmet e koordinuara kundër pushtetit osman. Ky veprim dëshmoi një vetëdije të lartë kombëtare dhe një bashkërendim taktik që mbulonte të katër vilajetet shqiptare: Shkodrën, Kosovën, Manastirin dhe Janinën.

Kjo frymë uniteti u kurorëzua në Manastirin e Cepos, më 21 korrik 1911, ku u mblodh një kuvend madhështor me përfaqësues nga Çamëria, Labëria dhe kazatë e tjera të vilajetit të Janinës. Aty, mbi 800 pjesëmarrës, mes të cilëve edhe udhëheqësit kryesorë të çetave, miratuan një memorandum të posaçëm. Ky dokument mbështeste pa rezerva platformën e Greçës dhe kërkonte që reformat e premtuara për Veriun të shtriheshin njësoj edhe në Jug.

Memorandumi u nënshkrua nga krerët e Gjirokastrës, Delvinës, Himarës, Kurveleshit e Filatit, duke vulosur kësisoj një pakt të pathyeshëm të përmasës gjithëkombëtare. Ndërkohë, në Veri, gjendja e shqiptarëve të strehuar në Mal të Zi rëndohej çdo ditë e më shumë. Më 15 korrik, autoritetet malazeze ndaluan kalimin e kufirit, duke provokuar një krizë të rëndë humanitare për mbi 15 mijë shqiptarë të zhvendosur. Megjithatë, kjo dramë shërbeu si një katalizator që qëndresa e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit e Tuzit, si dhe figurat emblemë si Dedë Gjo Luli e heroina Tringë Smajlja Ivezaj, të tërhiqnin vëmendjen e kancelarive dhe shtypit më të madh europian.

Kuvendi i Greçës u bë pikënisja e një epoke të re gjeopolitike: ai e riktheu Shqipërinë në hartën diplomatike të Europës si një çështje urgjente që nuk mund të shpërfillej më prej Fuqive të Mëdha. Ky akt historik bashkoi në mënyrë të përsosur pushkën me mendimin, burrërinë me programin politik, si dhe shpirtin e kryengritjes popullore me projektin institucional të ndërtimit të një shteti shqiptar të lirë, të pavarur dhe të bashkuar.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT