
Prof. dr. Luan Tetaj/
Profesori Lush Culaj i dha vetes edhe një detyrë të vështirë të studimit të veprimtarisë atdhetare të Zefit të Vogël. Megjithatë, përvoja e tij e gjatë dhe librat e shumtë të botuar ia lehtësuan punën. Si një studiues i dalluar me përvojë mbi 30 vjeçare ai ishte i vetëdijshëm se për një studim sa më përmbajtësor duhen konsultuar materiale arkivore, libra, punime, përmbledhje dokumentesh si dhe shtypin e kohës.
Studiuesi Lush Culaj, duke e përgatitur këtë dorëshkrim për veprimtarinë e Zefit të Vogël, bëri përpjekje të suksesshme që ta prezantojë para opinionit shqiptar veprimtarinë sa më të kompletuar të tij. Qëllimi i studiuesit Culaj ishte që opinioni të informohet sa më objektivisht për këtë personalitet, për origjinën dhe të bëmat e tij. Gjithashtu, qëllimi ishte që të ofronte risi, gjëra të panjohura deri më tani. Në fakt, ky edhe është qëllimi i çdo libri shkencor. Për studiuesin Culaj, hulumtimi dhe studimi i personalitetit të Zefit të Vogël nuk mund të ishte i plotë pa shtjellimin e rrethanave shoqëroro-politike paraprake.
Natyrisht që Culaj nuk mund ta anashkalonte edhe kontributin e bashkëluftëtarëve të Zefit atë të Bajram Currit, Bajram Daklanit, Mahmut Zajmit etj., në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 në Kosovë.
Sipas studiuesit Culaj, pika kulmore do të ishte që në zbatim të vendimeve të Kuvendit të Junikut në krye të 200 kryengritësve shqiptarë hyri i pari në Shkup. Vënia në ballë të grupit të parë të kryengritësve për të sulmuar Shkupin, ku gjendej garnizoni i madh ushtarak osman ishte një guxim i rrallë. Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani me grupet e tyre prisnin ballafaqim të ashpër ushtarak. Ata nuk po shkonin në dasëm por në luftë. Fatbardhësisht ushtria osmane në qytet nuk bëri rezistencë, por Zefi i Vogël me bashkëluftëtarët e tij kishin shkuar të luftonin e po të ishte nevoja të vdisnin. Thuhej se kryengritësit u pritën si çlirues në stacionin e trenit nga mijëra qytetarë.
Në kryengritjet e viteve 1908-1912, Zefi i Vogël na del nga dokumentacioni i nduarndurshëm si një ndër udhëheqësit kryesor e në veçanti në kryengritjen e vitit 1912. Profesor Culaj konstaton me të drejtë se kur është fjala për kryengritjen e vitit 1912, për diplomacinë serbe në atë periudhë shqiptarët më të dëmshëm për serbët në Kosovë dhe politikën serbe ishin shqiptarët katolikë. Ndonëse ata ishin numerikisht shumë më të pakët, nuk ka dëshmi se bashkëpunuan me serbët. Edhe Serbia nuk ishte e interesuar të punonte me ta, sepse i quante vegël e Austro-Hungarisë. Në fakt, qoftë përmes ndikimit të arqipeshkvit Lazër Mjeda, qoftë kulturalisht shqiptarët katolikë ishin më afër Austro-Hungarisë, sesa Turqisë dhe Serbisë.
Nga ana tjetër, armiku më i madh i Serbisë në periudhën në shqyrtim konsiderohej Austro-Hungaria. Zefi i Vogël së bashku me Bajram Daklanin dhe Hasan Hysen Budakovën drejtoi grupin e parë të kryengritësve që çliruan Shkupin më 11 gusht 1912. Culaj gjithashtu konstaton se ndër shumë veprime luftarake që kishte kryer Zefi i Vogël dhe çeta e tij, do të veçoheshin ato të zhvilluara gjatë kryengritjes së madhe shqiptare të vitit 1912. Edhe në kryengritjen e vitit 1919 në Kosovë, Zefi i Vogël ishte udhëheqës çete dhe pjesëmarrës aktiv në kryengritje. Për periudhën e kryengritjeve 1910-1912 jam kompetent të flas më shumë, sepse në librat e mia të botuara Zefi i Vogël në bazë të dokumentacionit më del si njëri ndër udhëheqësit kryesor të kryengritjeve.
Punimi i paraqitur është një përpjekje e Lush Culajt, studiues tashmë i njohur jo vetëm brenda kufijve shtetërorë, për ta trajtuar historinë politike të shqiptarëve në një hark kohor që përfshin periudhën që para Pavarësisë së Shqipërisë deri në vrasjen e Zefit të Vogël. Natyrisht, kontributi i Zefit në këtë periudhë kohore në kryengritjet 1910-1912, 1919 dhe Zonën Neutrale të Junikut ishte i madh. Tek pjesa e vrasjes së Zefit të Vogël, nuk jam marrë ekskluzivisht më këtë çështje, por shtruarja e problemit nga profesor Culaj më bind që ky është njohësi më i mirë i kësaj problematike. Ai me argumentet e shumta ofron dëshmi të pakontestueshme. Ndonëse shkenca mbetet gjithnjë e hapur, Culaj e ka arritur qëllimin plotësisht për t’i hequr damkën e tradhtisë Zefit të Vogël. Ky zaten ishte qëllimi kryesor i autorit që të thuhej e vërteta ashtu si ishte i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt. Zaten për këtë jemi të thirrur edhe si studiues. Temën e Zefit të Vogël e kemi hapur me mikun tim dhe studiuesin Culaj edhe në ndeja miqësore, në të cilat jemi pajtuar që personalitetet tona duhen trajtuar më anët pozitive dhe negative të tyre.
Autori, me këtë vepër, ka bërë një punë të vlefshme studimore për plotësimin e mozaikut në historiografinë shqiptare. Përfundimisht, mund të konstatoj se libri: Zef ( Kolë) Ndoka- Zefi i Vogël, përgatitur me kujdes nga profesori Lush Culaj, është me interes si për lexuesin e rëndomtë, për një publik më të gjerë, ashtu edhe për studiuesit e historisë dhe në mënyrë të veçantë për ata që janë të interesuar për zhvillimet e asokohshme politiko-shoqërore të përpjekjeve në rrafshin kombëtar.