• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga Besëlidhja e Lezhës te Kosova e sotme, domosdoshmëria e unitetit 

June 24, 2026 by s p

Kosova po kalon një periudhë të ndërlikuar politike, e karakterizuar nga vështirësi të vazhdueshme në krijimin e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike. Në vend të një qasjeje të kordinuar në funksion të interesit shtetëror, shpesh dominojnë përplasjet dhe kalkulimet partiake. Kjo situatë ka ndikuar në ngadalësimin e proceseve institucionale dhe në dobësimin e efikasitetit qeverisës. Në një shtet që synon konsolidimin demokratik dhe integrimin euroatlantik, mungesa e unitetit përbën një sfidë serioze. Rrjedhimisht, besimi i qytetarëve në institucione ndikohet negativisht nga kjo klimë politike.

Historia shqiptare ofron shembuj të qartë mbi rëndësinë e unitetit si faktor vendimtar për mbijetesë dhe zhvillim. Një ndër figurat më përfaqësuese në këtë kontekst është Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili veproi në një periudhë të fragmentuar politikisht. Në kohën e kthimit të tij në trojet shqiptare, territori ishte i ndarë në principata me interesa të ndryshme dhe shpeshherë të kundërta. Kjo përçarje e dobësonte aftësinë për t’u përballur me sfidat e jashtme dhe rrezikun osman. Pikërisht në këtë realitet, Skënderbeu e artikuloi domosdoshmërinë e bashkimit politik dhe ushtarak.

Në vitin 1444 u zhvillua Kuvendi i Lezhës, i cili shënon një moment kyç në historinë politike shqiptare. Në këtë kuvend u formua Besëlidhja e Lezhës, një aleancë ndërmjet princërve shqiptarë me qëllim kordinimin e rezistencës së përbashkët. Pavarësisht dallimeve politike dhe territoriale, palët arritën të vendosin interesin e përgjithshëm mbi atë individual. Ky akt përfaqëson një model të hershëm të bashkëpunimit institucional dhe strategjik. Rëndësia e tij qëndron në faktin se uniteti u trajtua si kusht i domosdoshëm për mbrojtjen e ekzistencës politike.

Megjithëse rrethanat e sotme janë të ndryshme nga ato të shekullit XV, mesazhi historik mbetet thellësisht aktual. Kosova nuk ka nevojë për përçarje politike, por për bashkëpunim dhe vizion të përbashkët institucional. Çështjet e zhvillimit ekonomik, forcimit të shtetit ligjor dhe integrimit euroatlantik kërkojnë qasje të kordinuar dhe afatgjatë. Asnjë subjekt politik nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat komplekse të shtetndërtimit. Prandaj, dialogu dhe konsensusi politik mbeten domosdoshmëri strategjike.

Nga këndvështrimi i funksionimit demokratik, pluralizmi politik është një vlerë themelore, por ai kërkon edhe kulturë të lartë institucionale dhe përgjegjësi shtetërore. Konfliktet e vazhdueshme politike, kur nuk menaxhohen në mënyrë institucionale, krijojnë bllokada dhe dobësojnë funksionimin e shtetit. Një demokraci e konsoliduar kërkon balancë ndërmjet garës politike dhe bashkëpunimit për interesa madhore. Në këtë kuadër, kompromisi politik nuk duhet parë si dobësi, por si mekanizëm funksional i qeverisjes demokratike. Kjo qasje ndihmon në forcimin e stabilitetit institucional dhe shoqëror.

Qytetarët e Kosovës kanë pritshmëri të qarta ndaj përfaqësuesve të tyre politikë, të cilat lidhen me zhvillimin ekonomik, drejtësinë sociale dhe funksionimin efikas të institucioneve. Zvarritjet politike dhe mungesa e konsensusit ndikojnë drejtpërdrejt në ngadalësimin e reformave të nevojshme. Kjo krijon një distancë në mes të institucioneve dhe qytetarëve, duke ulur besimin publik. Për të rikthyer këtë besim, kërkohet përgjegjësi më e lartë politike dhe vendimmarrje e orientuar drejt interesit shtetëror. Interesi publik duhet të jetë gjithmonë mbi interesin partiak.

Në përfundim, historia dhe realiteti bashkëkohor nxjerrin në pah një të vërtetë të qartë, uniteti mbetet faktor kyç për stabilitetin dhe progresin e çdo shoqërie. Shembulli i Besëlidhjes së Lezhës dëshmon se bashkimi rreth interesit të përbashkët është vendimtar në momentet kritike historike. Kosova sot ka nevojë për një qasje të ngjashme në nivel politik dhe institucional. Vetëm përmes dialogut, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët mund të arrihet konsolidimi i qëndrueshëm shtetëror. Në këtë kuptim, uniteti kombëtar nuk është vetëm ideal historik, por domosdoshmëri politike dhe shoqërore për të ardhmen e vendit.

Autor : Asad Sadiku, Politolog 

Filed Under: Histori

Kronikë e gjenocidit grek në Çamëri…

June 22, 2026 by s p

Arben Iliazi/

“Sherifeja” e Petrit Begatit, një epifenomen historiko – letrar.

Publicisti dhe diplomati Petrit Begati më dhuroi librin e tij “Sherifeja” (botimet albas-2026). Vepra ngrihet mbi një figurë reale, mbi një dëshmi të drejtpërdrejtë të nënës së tij, Sherife Dine (Kasemi), një nga të mbijetuarat e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë . Autori jep një pasqyrë të gjerë mbi këtë tragjedi, duke e përdorur historinë e nënës për të ndërtuar një tekst narrativ biografik dhe linear, me ndjeshmëri të pazakontë, që shkon përtej fakteve të thata, deri në përmasat e amshimit, duke theksuar mesazhe universale, që hedhin tej çdo urrejtje, në kërkim humanizmit dhe të drejtësisë njerëzore.

Në vepër nuk ka asgjë të trilluar, nuk ka fantazi të brendshme, por e gjithë materia e saj semantike ka një ekzistencë të patjetërsueshme dhe të mishëruar, pasi u referohet ngjarjeve reale, fondamentalizmit, barbarizmit dhe shpërthimit të urrejtjes etnike, që i detyrojnë çamët drejt eksodit dhe lirive të pamundura, edhe pse ishin njerëz të qytetëruar që e meritonin lirinë e vet dhe dëshironin një jetë kuptimplote. Nëpërmjet homazhit përdëllyes për nënën, që duket si e mbuluar nga hiri hyjnor, pas frustrimit ekzistencial shoqëruar me neuroza, autori e gjykon historinë sipas atij kallëpi që e quan arsye, thekson e nxjerr në pah shpirtin unikal të popullit të tij. Në kontekstin e luftës dhe të një arene politike, mbushur me paragjykime, theksohet edhe dimensioni tipik njerëzor, fisnikëria e shqiptarëve ortodoksë, që ranë pre e manipulimit dhe përçarjes etnike, në kushte rrethanore.

Autori ka zgjedhur këtë zhanër të tregimit jofiksional, me qëllim që narrativa t’i mbetet besnike realitetit dhe t’i përmbahet së vërtetës. Ngjarjet rrënqethëse parakalojnë si në një film bardhezi, me tension të brendshëm, saqë lexuesi i zakonshëm mund t’i marrë të vërtetat për fiksione. Përshkrimi autentik takohet lehtë me çastin krijues, duke kaluar lehtë në letërsi. Ky epifenomen historiko- letrar e bën mjaft tërheqës tregimin “Sherifeja”, si një nga veprat më të mira botuar kohët e fundit. Promovimi bëhet të hënën, më 22 qershor 2026, në ambjentet e “Hotel Internacional”, Tiranë , nën kujdesin e fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”.

Filed Under: Histori

BABALLARËT E KOMBIT DHE LINDJA E AMERIKËS

June 19, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Si një grup burrash të jashtëzakonshëm krijuan republikën që ndryshoi botën.

Historia e Shteteve të Bashkuara nuk fillon me një mbret, një perandor apo një dinasti. Ajo fillon me një ide. Në fund të shekullit XVIII, kur shumica e botës qeverisej nga monarkë absolutë dhe aristokraci të trashëguara, një grup kolonistësh në brigjet e Atlantikut guxuan të besonin se njerëzit e zakonshëm mund të qeverisnin vetveten. Ky ishte një eksperiment i paparë në historinë moderne. Nga ky eksperiment lindi Amerika. Historiani britanik Paul Johnson e quajti Revolucionin Amerikan “ngjarjen më konstruktive politike të historisë moderne”, sepse ndryshe nga revolucionet e tjera, ai nuk synonte vetëm rrëzimin e një regjimi, por ndërtimin e një sistemi të ri të bazuar mbi ligjin, lirinë dhe përfaqësimin demokratik.

Në qendër të kësaj historie qëndrojnë Baballarët Themelues – George Washington, Thomas Jefferson, Benjamin Franklin, John Adams, James Madison dhe Alexander Hamilton. Ata nuk ishin gjithmonë dakord me njëri-tjetrin. Shpesh debatonin ashpër. Disa përfaqësonin interesat e shteteve jugore, të tjerë ato të veriut. Disa dëshironin një qeveri të fortë federale, ndërsa të tjerë kishin frikë nga përqendrimi i pushtetit. Por ata kishin një bindje të përbashkët: liria nuk mund të mbijetonte pa institucione të forta dhe pa qytetarë të përgjegjshëm. John Adams do të shkruante më vonë: “Revolucioni u krye në mendjet dhe zemrat e njerëzve shumë përpara se të fillonte lufta.”

Kjo fjali shpjegon më mirë se çdo tjetër lindjen e Amerikës. Revolucioni nuk nisi me armë. Ai nisi me ide.

AMERIKA PARA REVOLUCIONIT

Në mesin e shekullit XVIII, trembëdhjetë kolonitë britanike në Amerikën e Veriut ishin ndër territoret më të begata të Perandorisë Britanike. Tregtia lulëzonte, qytetet po rriteshin dhe kolonistët kishin krijuar institucione lokale që u jepnin një shkallë të konsiderueshme vetëqeverisjeje. Megjithatë, pas Luftës Shtatëvjeçare, Londra vendosi të rrisë taksat për të kompensuar borxhet e luftës. Për kolonistët, problemi nuk ishte vetëm ekonomik. Problemi ishte parimor. Ata nuk kishin përfaqësues në Parlamentin Britanik. Kështu lindi slogani që do të trondiste Perandorinë: “No taxation without representation.” “Nuk ka taksim pa përfaqësim.” Për herë të parë, kolonistët filluan të shihnin veten jo thjesht si britanikë të Amerikës, por si një komunitet me identitet dhe interesa të veçanta. Historiani Gordon Wood, një nga studiuesit më të njohur të Revolucionit Amerikan, shkruan: “Amerikanët nuk po luftonin vetëm kundër taksave. Ata po luftonin kundër idesë se pushteti mund të ushtrohej pa pëlqimin e të qeverisurve.”

Kjo ishte thelbi i revolucionit.

GEORGE WASHINGTON – BURRI QË REFUZOI KURORËN

Nëse Amerika ka një figurë që simbolizon unitetin kombëtar, ajo është George Washington.

I lindur në Virxhinia në vitin 1732, Washingtoni nuk ishte filozof apo teoricien politik. Ai ishte ushtarak, fermer dhe njeri me disiplinë të hekurt. Pikërisht kjo e bëri të pazëvendësueshëm. Kur Kongresi Kontinental e emëroi komandant të ushtrisë revolucionare në vitin 1775, shanset për fitore ishin minimale. Britania zotëronte ushtrinë më profesionale në botë dhe marinën më të fuqishme të kohës.

Washingtoni nuk fitoi sepse kishte më shumë ushtarë. Ai fitoi sepse nuk u dorëzua. Dimri i Valley Forge mbetet një nga episodet më dramatike të historisë amerikane. Ushtarët e tij ishin të uritur, të sëmurë dhe të pambrojtur nga i ftohti. Megjithatë, ushtria mbijetoi.

Historiani James Thomas Flexner shkruan: “Gjeniu i Washingtonit nuk qëndronte në betejat që fitoi, por në faktin se ai nuk lejoi kurrë që revolucioni të humbiste.”

Pas fitores në Yorktown në vitin 1781, ai u bë njeriu më i famshëm në Amerikë. Shumë donin ta shpallnin mbret. Por Washingtoni refuzoi. Mbreti George III, kur dëgjoi se Washingtoni po largohej vullnetarisht nga pushteti, thuhet se deklaroi: “Nëse ai kthehet në fermën e tij, ai do të jetë njeriu më i madh në botë.”

Dhe Washingtoni u kthye në fermën e tij. Me atë veprim ai krijoi një precedent që do të bëhej themel i demokracisë amerikane: askush nuk është mbi republikën.

THOMAS JEFFERSON – NJERIU QË SHKROI ËNDRRËN AMERIKANE

Në historinë e Amerikës ka pak dokumente më të rëndësishme se Deklarata e Pavarësisë. Autori kryesor i saj ishte Thomas Jefferson, një intelektual i ri nga Virxhinia, vetëm 33 vjeç. Kur mori penën në dorë në verën e vitit 1776, Jeffersoni nuk po shkruante thjesht një deklaratë politike. Ai po formulonte një filozofi të re të lirisë. Fjalët e tij mbeten ndër më të famshmet në historinë njerëzore: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.” Këto fjalë nuk përshkruanin realitetin e kohës. Skllavëria ekzistonte ende. Gratë nuk kishin të drejta politike. Megjithatë ato krijuan standardin moral sipas të cilit Amerika do të gjykonte veten për shekuj.

Presidenti Abraham Lincoln do të thoshte më vonë se Deklarata e Jeffersonit ishte: “Shpresa e botës së ardhshme.”

BENJAMIN FRANKLIN – GJENIU I EPOKËS

Benjamin Franklin ishte ndoshta amerikani më i famshëm në botë para se Amerika të ekzistonte. Ai ishte shkencëtar, shpikës, botues, filozof dhe diplomat. Në shumë mënyra ai mishëronte idealin e vetëformimit amerikan. Kur u dërgua në Paris për të fituar mbështetjen franceze, ai u bë një figurë legjendare. Historiani Walter Isaacson shkruan: “Franklini e kuptoi se revolucioni nuk do të fitohej vetëm në fushëbetejë, por edhe në sallonet diplomatike të Evropës.”

Falë tij, Franca u bë aleati kryesor i kolonive amerikane. Pa ndihmën franceze, revolucioni mund të kishte dështuar. Franklini la gjithashtu një paralajmërim të famshëm për bashkëluftëtarët e tij:

“Duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë, përndryshe me siguri do të varemi veçmas.”

JOHN ADAMS – NDËRGJEGJJA E REVOLUCIONIT

Nëse Jeffersoni shkroi Deklaratën, John Adams ishte njeriu që siguroi mbështetjen politike për të. Ai ishte një avokat brilant nga Massachusetts dhe një nga zërat më të fuqishëm kundër sundimit britanik. Historiani David McCullough, fitues i çmimit Pulitzer, shkruan: “Pa John Adams, nuk do të kishte pasur Deklaratë Pavarësie në vitin 1776.” Adams besonte se demokracia nuk mund të mbijetonte pa arsim dhe virtyt qytetar. Ai paralajmëronte: “Liria nuk mund të ruhet pa njohuri të përgjithshme mes popullit.”

Ky vizion vazhdon të jetë një nga themelet e kulturës politike amerikane.

JAMES MADISON – ARKITEKTI I KUSHTETUTËS

Pas fitores kundër Britanisë, një pyetje e re u shfaq për amerikanët: Si do të qeverisej vendi? Shumë revolucione fitojnë luftën, por humbasin paqen. Amerika rrezikonte të ndahej në shtete rivale.

Në këtë moment doli në pah James Madison. I quajtur shpesh “Babai i Kushtetutës”, ai studioi historinë e republikave të lashta dhe arriti në përfundimin se pushteti duhej të ndahej dhe kontrollohej.

Madison shkruante në Federalist Papers: “Nëse njerëzit do të ishin engjëj, nuk do të kishte nevojë për qeveri.” Prandaj ai krijoi sistemin e balancave dhe kontrollit që vazhdon të funksionojë edhe sot.

Historiani Joseph Ellis e ka quajtur Kushtetutën amerikane: “Eksperimenti politik më i suksesshëm në historinë moderne.”

ALEXANDER HAMILTON – NJERIU QË PA TË ARDHMEN

Ndër Baballarët Themelues, askush nuk e kuptoi potencialin ekonomik të Amerikës më mirë se Alexander Hamilton. I ardhur nga Karaibet dhe me origjinë modeste, ai besonte se kombi i ri nuk mund të mbijetonte pa institucione financiare të forta.

Ai krijoi bazat e sistemit bankar amerikan, organizoi financat federale dhe ndërtoi besimin ekonomik të republikës së re. Historiani Ron Chernow shkruan: “Hamiltoni e imagjinonte Amerikën jo siç ishte, por siç mund të bëhej.” Shumë nga idetë e tij vazhdojnë të ndikojnë ekonominë amerikane edhe sot.

MREKULLIA E FILADELFIAS

Në verën e vitit 1787, delegatët nga shtetet amerikane u mblodhën në Filadelfia për të hartuar Kushtetutën. Debatet zgjatën me muaj.

Shpesh dukej sikur gjithçka do të dështonte. Por kompromiset triumfuan mbi përçarjen. Kur doli nga salla, Benjamin Franklin u pyet: “Çfarë na keni dhënë?”

Përgjigjja e tij mbeti e pavdekshme: “Një republikë, nëse arrini ta ruani.”

Kjo nuk ishte vetëm një përgjigje. Ishte një paralajmërim për të gjitha brezat që do të vinin.

TRASHËGIMIA QË NDRYSHOI BOTËN

Historiani britanik Andrew Roberts ka shkruar se: “Asnjë grup burrash në historinë moderne nuk ka ndikuar më shumë në mënyrën se si qeverisen kombet sesa Baballarët Themelues të Amerikës.”

Revolucioni Amerikan frymëzoi Revolucionin Francez, lëvizjet për pavarësi në Amerikën Latine dhe kushtetutat demokratike në mbarë botën. Presidenti Ronald Reagan do të thoshte:

“Amerika nuk është e madhe sepse është e fuqishme. Amerika është e fuqishme sepse është e lirë.”

Kjo është trashëgimia e vërtetë e Baballarëve Themelues. Ata nuk krijuan thjesht një shtet. Ata krijuan një ide. Një ide se ligji duhet të jetë mbi pushtetin. Se qytetari është sovrani i vërtetë. Se qeveria ekziston për t’i shërbyer popullit dhe jo për ta sunduar atë.

Mbi dy shekuj pas vitit 1776, emrat e Washingtonit, Jeffersonit, Franklinit, Adamsit, Madisonit dhe Hamiltonit vazhdojnë të kujtohen jo vetëm sepse fituan një luftë apo shkruan një kushtetutë. Ata kujtohen sepse patën guximin të besonin se liria mund të bëhej themeli i një kombi.

Dhe ky, në fund të fundit, është sekreti i lindjes së Amerikës. Një komb i ndërtuar jo mbi gjakun, racën apo prejardhjen, por mbi fuqinë e ideve.

Filed Under: Histori

Kujtojmë Karlo Taljavinin, albanologun italian që studioi rrënjët indoeuropiane dhe pasurinë e dialekteve të shqipes

June 18, 2026 by s p

Karlo Taljavini (Carlo Tagliavini) ishte gjuhëtar italian, romanist, ballkanolog dhe albanolog. Lindi më 18 qershor 1903 në Bolonjë dhe ndërroi jetë më 31 maj 1982.

Taljavini punoi si profesor në Universitetin e Padovës, ku për shumë vite mbajti ligjërata të rregullta për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Ai ishte një ndër studiuesit e huaj që analizoi në thellësi strukturën, historinë dhe dialektet e gjuhës shqipe.

Është autor i shumë studimeve mbi gjuhësinë krahasuese ballkanike dhe atë romane. Gjithashtu botoi studime e artikuj për çështje të dialektologjisë, leksikologjisë historike, historisë së gjuhës shqipe dhe gjuhësisë shqiptare. Ka shkruar vështrime të përgjithshme për shqipen në enciklopedi, përmbledhje e vepra të ndryshme, si dhe mbajti për disa vite (nga 1941) rubrikën bibliografike për albanologjinë dhe ballkanistikën në organin “Indogermanisches Jahrbuch”.

Me veprën “L’albanese di Dalmazia” (Firence, 1937) dha ndihmesë të çmuar për njohjen e së folmes shqipe të Borgo Erico-s (Arbëneshit) pranë Zarës. Në punimin “Stratificazione del lessico albanese. Elementi indoeuropei” (Bolonjë, 1965), pjesë e kursit të tij universitar për gjuhën shqipe, kontribuoi në studimet etimologjike, duke evidentuar përfundimet e arritura pas botimit të Fjalorit etimologjik të Gustav Majerit.

Hartoi gjithashtu monografinë dialektologjike “Le parlate albanesi di tipo Ghego orientale (Dardania e Macedonia nordocidentale)” (Romë, 1942), ku përshkroi tiparet e të folmeve të Kosovës dhe Maqedonisë. Një pjesë e kursit të tij për gjuhën shqipe u botua në vëllimin “Stratificazione del lessico albanese” (1943, 1965). Akademia e Shkencave e Shqipërisë e kujton me nderim, jo vetëm për kërkimet shkencore dhe veprat e tij në gjuhësinë e përgjithshme, por edhe për kontributet e mëdha në albanologji.

www.akad.gov.al

Filed Under: Histori

DUKE KUJTUAR NJË STUDIUES TË SHQUAR TË KULTURËS DHE TRADITËS SONË

June 17, 2026 by s p

Me rastin e 20 vjetorit të ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Engjëll SEDAJ.

Vlash Prendi

Takimet me prof. Engjell Sedajn kanë qënë gjithmonë të kendëshme. Ishte personalitet i spikatur i kulturës dhe letërsisë shqiptare. Fjalëpakë, i matur, i qetë dhe bindës. Fjala që thoshte ishte nje argument me shumë për historinë, kulturën dhe traditën tonë. Aso kohe pati ardhur nga Prishtina për të referuar në takimin përkujtimor të 300 vjetorit të Kuvendit të Arbrit temën: ”Vlerat e përkthimit të akteve të Kuvendit të Arbrit nga prof. Engjell Radoja”, një temë shumë interesante. Tema u vlerësua nga të gjithë pjesmarrësit në kuvend. Qe takuar me personalitete të kulturës dhe letërsisë Pjetër Arbnorin, Nikolin Kurtin, dr. Shan Zefin, prof. Ferit Dukën, Tef Topallin, Willy Kamsin etj. Të gjithë paten shprehur konsideratat më të larta për të. Kishin të drejte, sepse bisturia e tij ka operuar dhe zbuluar vepra të tilla si “Meshari i Gjon Buzukut”, ”Kenga e Sibilave” dhe “Çeta e profetënve” të Bogdanit, ”Fjalori latinisht – shqip” i Frang Bardhit, të cilëve u pati bërë anatominë e plote të tyre duke qenë nje studiues tepër i thellë dhe kritik ndaj tyre. Ndjehem me fat kur prof. Engjelli me dhuron një nga veprat e tij më të mira “Shqipja arbnore”, ku janë përfshirë mjaft studime të tij rreth disa figurave të letërsisë dhe histories sonë të lena në harresë. Prof. Engjell Sedaj hap rrugë të reja për studime të mëtejshme për të hedhur dritë sadopak në historiografinë shqiptare dhe traditën tonë kulturore.

Prof.Engjell Sedaj ka qënë dhe mbetet një nga figurat më të shquara në fushën e studimeve shqiptare, sidomos të traditës. Veteran i nderuar i arsimit shqip, lëvrues i njohur i gjuhës shqipe dhe misionarë i papërtuar i përhapjes së kulturës dhe letërsisë në trevat mbarëkombëtare. Mbetet perjetësisht monument i gjallë i studimit të visareve kombëtare dhe përhapjes së dijes dhe shkences filologjike tek brezat e ardhshëm. Lindi në Kabash të komunës së Vitisë më 14. 07. 1943 në një familje më origjinë fshatare, por me tradita patriotike dhe atdhetare. Gjyshi i tij Toma, kishte ardhur nga Stublla e Epërme dhe ishte vendosur në Kabash rreth vitit 1928. Prindërit e tij Jak Sedaj dhe Magdalena Sopi kishin gjashtë femijë, ku Engjëlli ishte femija i fundit. Qysh i vogël provoi vështirësite e jetës, sepse populli kosovar aso kohe vuante nën thundrën e shovinistëve serbë. Kur u çlirua vendi nga forcat nazi – fashiste, Engjëlli i vogël ishte vetëm 1 vjeç, kjo bëri që ai të rritej me veshtirësi të mëdha. Në fshatin e lindjes kreu shkollën fillore dhe dy klasë të arsimit të detyruar, ndërsa dy klasët vijuese i përfundoi në Viti.

Në vitet 1958 – 1962 vijoi gjimnazin klasik në qytetin Pazin në Kroaci, ku u pais me kulturë dhe njohuri bashkëkohore. Më pas vijoi studimet në Fakultetin Teologjik të Zagrebit dhe më tej në Fakultetin Filologjik të Shkupit, ku u specializua në degën e filologjisë klasike duke u diplomuar në vitin 1971. Pikerisht në këtë periudhe spikati fuqishem talenti i tij në fushën e botimeve në lemin studimor dhe filozofik. Nga ky vit pena e tij do të shkelqente për t’i dhënë lexuesit perla të letërsise dokumentare shqiptare dhe emri i tij do të mbetej në themelet e shkencës studimore dhe letrare shqiptare. Krahas punës studimore, vijoi studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në degën e gjuhës dhe letërsisë dhe në vitin 1980 mbron doktoraturën me teme: “Homeri tek Shqiptarët”, duke shpalosur përmes saj kulturën e gjërë dhe dijet shkencore për letërsinë klasike.

Ishte personalitet me kulturë të gjërë dhe dije të sakta shkencore. Nje krijues dhe studiues i kompletuar nga më të njohurit në trevat shqiptare. I etur për kulturë e dije, në vitet 1976 – 1977, ndoqi në Universitetin e Romës mësimet për gjuhën latine mesjetare, pastaj mori leksione në fushën e kërkimeve shkencore për t’i perfunduar në qytetin historic të Urbinos, vendlindjen e Papa Klementit XI – Gjon Francesk Albani, të cilit i pati kushtuar edhe një libër monografik, ku mori disa lektura për punën kerkimore dhe shkencore dhe gjuhën italiane. Ishte njohes i katër gjuhëve të huaja. Ne vitin 1968 filloi pune si mesues i gjuhës latine në gjimnazin e Ferizajt, ku punoi deri në vitin 1971. Këtë vit, thirret të japë po këtë lendë në Fakultetin Filozofik të Prishtines, në fillim si lektor ndërsa qe nga viti 1992 si profesor ordinar, derisa doli në pension. Prof. Engjelli është ndër të parët studiues shqiptarë, që pati një aktivitet aq të dendur studimor dhe shkencorë në atë periudhe të vështirë të historisë së Kosovës, kur nuk duhej të heshtej. Ai e ngriti me forcë zërin kundër shtrembërimeve të qëllimshme historike që bënin pseudohistorianët serbe, duke mbrojtur me guxim dhe vendosmeri historinë e lavdishme dhe popullin heroik dhe të shumëvuajtur shqiptar të dardanisë. Punimet e tij në fushën e studimit dhe të hartimit të teksteve shkollore, janë të shumta.

Ka hartuar 8 tekste shkollore nga të cilet tre për shkollat e mesme dhe pesë lektura për shkollat univesitare, të cilat janë: “Gjuha latine” për kl. I – II gjimnaz 1974, “Gjuha latine” për kl. III – IV më 1981, ”Gjuha latine” për kl. I më 1989, ”Gjuha latine” për studentët e universiteve më 1979, “Pjetër Bogdani – Kenga e Sibilave” – leksionë në vitin 2000, “Virgjili – Eneida” – leksionë në vitin 2002, “Homeri – Iliada dhe Odisea” – leksionë në vitin 2001, “Eskili – Prometeu i lidhur” – leksion në vitin 2002. Këto tekste dhe leksione shquhen për qartësine e mendimit dhe të shprehjes, për pasqyrimin e parametrave metodike të paraqitjes së materialit studimorë, për gjuhën e pastër dhe të rrjedhshme shqipe, për leksikun e pasur dhe terminologjine e zgjedhur që përmbajnë. Janë tekste mësimire që i rezistuan kohës, sepse përmbanin në vetvete thellësi mendimi. Ata qenë një ndihmesë e madhe dhe e padiskutim ndihmuan në përparimin dhe konsolidimin e shkollës dhe mendimit pedagogjik shqiptar, si dhe kontribut i shquar në lëvrimin e shkencës letrare shqiptare. Në këtë kontekst, ai ka ecur në gjurmet e ideologyëve të Rilindjes, sidomos të Aleksander Xhuvanit, të cilin e ka patur si shembull model në punën e tij studimore dhe hulumtuese.

Tematika e studimeve dhe artikujve të botuar është e gjërë dhe e larmishme. Qe nga viti 1970 deri në vitin 2004, numërohen rreth 365 artikuj studimorë të botuar në organe të ndryeshme të shtypit dhe revista shkencore periodike në Kosovë dhe jashte saj, duke dhënë kështu një kontribut të paçmuar në përhapjen e kulturës shpirtërore dhe dijes ndër shqiptarë.

Vepra studimore dhe vetëdija kombëtare

Eshte e veshtirë të përmblidhet vepra e prof. Engjellit në këto pak rreshta, megjithatë do të kujtoj dy nga veprat e tij filozofike dhe studimore “Tradita dhe letërsia” Prishtinë 1997 dhe “Shqipja arbërore” Prishtine 2002, ku ai shpalos lirshëm mendimin e tij filozofik dhe respektin e padiskutueshëm për mjaft figura të shquara shqiptare të fushës së shkencës dhe të letërsisë. Në këto vepra ai ka synuar të paraqesë në një shkallë më të lartë punën dhe përpjekjet e disë përfaqësuesëve të shkencës filologjike shqiptare, duke krijuar një ide të qartë për punën dhe përpjekjet e tyre në këtë fushë. Meritë e autorit është se ka ditur të na japë dimensionet krijuese të disa perj figurave më të njohura të shkences dhe letërsisë shqiptare pak, ose aspak të njohura në trojet tona. Prof. Engjelli e njeh mirë krijimtarinë dhe veprën e tyre, ka shfletuar mijëra dokumente dhe ka zbuluar veprimtarinë e tyre krijuese. Gjykimi i thellë mbi këto personalitete dhe vleresimi i matur ndaj tyre, paraqiten para nesh figura të tilla shumëdimensionale pak të trajtuara në literatureën tone studimore si Henrik Lacaj dhe Gjon Shllaku, dy përkthyes legjendarë shqiptarë, Eqerem Cabej, Francesko Solano dhe Rexhep Smajli, pionierët e leksikografise shqiptare, Zef Mirdita dhe Gaspër Gjini korifejt e letërsise historiko – dokumentare shqiptare, Luigj Marlekaj, Don Lush Gjergji dhe Gjergj Gashi përfaqesuesit më në zë të pasqyrimit të traditës kishtare shqiptare dhe më tej, figura e prof. Mihal Petrushevskit i cili ka dhënë një kontribut të padiskutueshem në përhapjen e kulturës shqiptare. Këto figura janë analizuar me kompetencë dhe dashuri duke e njohur lexuesin me informacion të ri dhe të bollshëm për jetën dhe aktivitetin e tyre krijues në sherbim të çështjes kombetare.

Në të njëjtën linjë logjike vjen edhe libri i dyte i tij në lemin e studimit “Shqipja Arbnore”, ku më së shumti preken çështje të zhvillimit të gjuhësisë, studiohen figura të shkencës gjuhësore që punuan për zhvillimin e gjuhës dhe përhapjen e saj, sipas natyrës dhe ligjeve të brendshme të gjuhës sonë.

Duke u marrë me studimin e korifejve të kulturës botërore që bënë epokë dhe hodhën themelet e letërsise se dokumentuar si Homeri, Platoni, Hesiadi, Virgjili, Horaci, Ovidi etj, autori kërkon thellë në histori dhe madje analogon me krijuesit e vjetër të letersisë shqipe, duke zbuluar thelbin e krijimtarisë së tyre. Buzuku, Bogdani, Budi dhe Bardhi do të ishin objekt i penës së tij. Njohurite e thella dhe të sakta për letërsinë e vjetër shqipe, Ai i ka shfrytëzuar për të ndriçuar periudhën e lulëzimit të kulturës shqiptare dhe ndikimit të saj në kulturën europiane. Ndjehet i përviligjuar prof. Engjelli, sepse ka mundur të studioë figura të tilla si Francesk Durrsaku, Martin Segani, Nikolle Keta, Ndre Bogdani, Frang Bardhi etj, dhe ka zbuluar se këta personalitete janë përçuesit e gjuhës arbërore, janë shkëndijat e para të kësaj gjuhe të lashtë europiane. Madje është i pari studiues që zbuloi mbishkrimet gravurës së Grotafferratas në Itali, ku vertetoi se gjuha shqipe ka ekzistuar qe nga viti 1492, kur është shkruar shqip. Ne këtë gravurë autori ka lexuar katër shkronja, Cast…,ku mendon se duhet të jetë shkruar emri i Kastriotit. Më tej, ai ka deshifruar: Alberia – More – Shala, ndërsa më poshtë ai ka lexuar në latinisht: Vivat as pantas lea. Prof. Engjelli mendon se këta mbishkrime janë shkruar nga ushtarë arbreshë, që ishin aso kohe nën sundimin e Alfonsit, mbretit të Napolit.

Sidoqofte këto gravura dhe mbishkrimet e tyre, janë dëshmi e gjallë e hershmërisë së shkrimit dhe përhapjes së gjuhës shqipe, megjithse data e të shkruarit të tyre mungon. Duke bërë një lidhje logjike mes mbishkrimeve të Grotafferratas dhe autorëve të parë të shkrimeve shqipe, mund të mendojmë se faktet historike që përmend prof. Sedaj janë plotësisht të besueshme dhe të argumentuara. Gjuha është jeta e një kombi, ajo identifikon kombin, prandaj prof. Sedaj ka theksuar: ”…Këto kenaqësi përjetohen edhe më mirë nga monumentet e kulturës antike dhe mesjetare, kurse monumenti më i madh i popullit shqiptar është gjuha e tij, shqipja arbrore…”. Ne këtë kontekst, ai ngriti zërin kundër ndarjes dhe copëtimit të gjuhës shqipe dhe provincializmit të saj.

Papa Clementi XI dhe Arbëria

Vemendje të vacantë prof. Engjelli u kushtoi edhe studimeve historike kishtare, temë e munguar terësisht në trojet shqiptare në periudhën postkomuniste. Një vend të rendësishëm në këtë fushë zë studimi i plotë “Papa shqiptar Klementi XI – Albani dhe Kuvendi i Arbërit”, ku ai verteton me argumente shkencore se ky Papë që drejtoi për 21 vite me radhë Selinë e Shenjtë është shqiptarë me origjinë nga Laci i Kurbinit. Për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare shqiptare, autori e radhit këtë Papë krah Gjergj Kastriotit. Interes paraqesin njoftimet e prof. Sedajt për motivet që e shtynë Papën Clementi XI të ndihmonte Shqipërinë, të ndikonte fuqimisht për hapjen e shkollave shqipe në atdheun e tij, të organizonte Kuvendin e Arbrit me 1703, duke vënë në dukje përparësitë e programit të tij papnor dhe aftësitë e padiskutueshme profesionale të papës shqiptar. Eshte e rendësishme të theksojmë se Papa Clementi XI punoi pa u lodhur për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare. Me materiale të pasura dhe argumente shkencore prof. Sedaj argumenton vlerat e tij njerzore dhe fetare duke dhënë nje informacion të pasur mbi veprimtarine e tij pontifikale, për hir të së cilës u quajt Papë i Madh.

Pjesa e dytë i kushtohet Kuvendit të Arbrit, që u mblodh me 1703 në fshatin Mërqi të Lezhës, iniciuar nga Papa Clementi XI, nën drejtimin e ipeshkvit të Tivarit Vincens Zmajevic, të cilin e pati caktuar edhe si vizitor apostolic në viset arbërore. Kështu, krahas Kuvendit të Lezhës më 1444, Kuvendit të Matit më 1462, Kuvendit të Dukagjinit më 1602, Kuvendi i Arbrit vlerësohet si një ngjarje madhore në historinë tonë kombëtare, megjithse qëllimi i këtij botimi ka më tepër karakter informative – historik sesa studimorë. Në këtë vazhdë, autori pati nisur të botojë edhe një revistë me karakter studimore – shkencore që për nga niveli, ishte nga më të arrirat në tregun e medias sonë. Fjala është për revistën e njohur “Dardania Sacra” numri i parë i së cilës doli në vitin 1999, me kontributin edhe të intelektualit të njohur Pal Shtufi dhe u mbyll pas ndarjes nga jeta të prof. Engjellit. Ȅshtë një revistë me nivel të lartë shkencor, gjithpërfshirëse me një staf tepër të kualifikuar. Përmes materialeve të botuara, hidhet dritë mbi rrënjët e histories dhe prejardhjes së kombit tone, të katolicizmit shqiptarë, zhvillimit të gjuhës, figurat më të spikatura të popullit tonë dhe kontributit të tyre për çështjen kombëtare shqiptare. Kjo reviste serioze synonte të përmbushte zbraztinë e krijuar në fushën e botimeve studimore dhe në atë të hulumtimeve historike kombëtare dhe kishtare. Dardania dhe Iliria janë quajtur vende të shenjta, sepse Herodoti ka thenë: ”Iliret, ose kanë rënë nga qielli, ose kanë mbirë nga toka”, duke krijuar një imazh të gjallë për këtë popull të lashtë, kodi gjenetik i të cilit është shenjtërimi.

Ligjëruesi dhe studiuesi i zellshëm

Aktiviteti shkencor i prof. Engjell Sedajt nuk mund të jetë i plotë pa përmendur pjesmarrjen e tij në shume konferenca, takime, kuvende dhe tubime shkencore. Ai ka marrë pjesë në të gjitha kuvendet e filologëve të ish Jugosllavisë në Ohër – 1977, Nevi Sad – 1980, Zhalec – 1983, Pula – 1986, Shkup – 1989, ku ka referuar dhe thenë me kompetencë fjalën e tij. Ka botuar mjaft artikuj në organin e filologëve klasikë të ish Jugosllavise “Zhiva antike”, që botohej në Shkup në një periudhë prej 20 vjitesh, duke qënë edhe bashkëpunëtor në revistën “Latinet Graeca”, të Zagrebit. Ne vitin 1987 mbajti në Beograd temën studimore “Pellazgët e vjetër në studimet e Milan Budmirit”, ndërsa në vitin 1989, në Akademinë e Shkencave të Shqiperise ka mbajtur ligjeratën “Mbi veprën e Pjetër Bogdanit”. Me 1997 u nderua me çmimin Kombëtar “28 Nentori”, nga Ministria e Kulturës për veprën “Etnonimi Arbëresh – Shqiptarë”, botuar në vitin 1996. Ȅshtë njeri nga themeluesit e manifestimit “Takimet e Don Mikelit” dhe botuesi i buletinit me të njejtin titull, kushtuar martirit kosovarë Don Mikel Tarabulluzi nga Stublla e Epërme. Rruga krijuese e profesor Engjell Sedajt ka qene e mundimshme, e vështire dhe plot sakrifica, por na ka dhënë gjithnjë kenaqësi dhe na ka befasuar me penën e tij të artë. Krijimtaria e tij është një kontribut i padiskutueshëm në fushën studimore, shkencore të shkencës filozofike shqiptare. Kjo punë voluminoze ka kërkuar vullnet, kemengulje dhe përkushtim, të cilat profesor Engjellit nuk i kanë munguar kurre. Ai pati krijuar profillin e tij krijues edhe një shkollë të njohur studimore dhe shkencore në pararojë të mbrojtjes së vlerave kulturore dhe kombëtare shqiptare.

Prof. Engjell Sedaj u nda nga jeta më 03. 06. 2006, duke lënë një trashegimi të vyer krijuese dhe studimore me vlera kombëtare, një vepër historike që do të shkëlqëjë ndër dekada. Duke lexuar vepra të tilla si “Homeri në letërsinë dhe kulturën shqiptare” botuar në Prishtine me 1984, ”Etnonimi Arbresh – Shqiptarë”, Prishtine 1996, ”Tradita dhe letersia”, Prishtine 1997, ”Papa shqiptar Klementi XI dhe Kuvendi i Arbrit”, Prishtine 1998, ”Etnokultura në peshoje”, Prishtine 2000, ”Shqipja arbrore”, Prishtine 2002 dhe shume studime të tjera për figurat më të ndritura të kulturës dhe letërsisë shqiptare, mendojme se prof. Engjell Sedaj i ka sjelle sherbime të shquara shkencës studimore dhe filologjike shqiptare. Ai do të mbetet shembull pune dhe sakrifice për brezat e ardhshëm. Prof. Engjell Sedaj, edhe pas vdekjes gëzon respektin dhe nderimin e masës së popullit për sherbimet e shquara që i ka bërë shkencës së letërsise dhe kulturës shqiptare.

———————————————————————————–

L I T E R A T U R E :

1 – Revista “Hylli i dritës”, Shkodër nr.1/1993

2 – E. Sedaj: ”Tradita dhe letërsia”, Prishtinë 1997

3 – E. Sedaj: ”Papa Clementi XI…”, Prishtinë 1998

4 – E. Sedaj: ”Etnokultura në peshojë”, Prishtinë 2000

5 – E. Sedaj: ”Shqipja arbërore”, Prishtinë 2002

6 – Revista: “Dardania Sacra”, Prishtinë nr. 1/1999

7 – Revista: ”Dardania Sacra”, Prishtinë nr. 2/2000

8 – Revista: ”Dardania Sacra”, Prishtinë nr. 5/2003

9 – Revista: ”Takimet e don Mikelit”, Prishtinë nr. 4/2004

10 – Revista “Nentori”, Tiranë nr. 3/1960

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT