• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vajzë reaksionari, moter tradhetari dhe grua komunisti

January 24, 2021 by dgreca

nga” Bota me nje sy”(2019) – (Episodi Rrefimi i nenes)/

Nga Albana M. Lifschin/

Lajmi që im vella u vra si tradhëtar më ra në kokë si bombë. Isha e rrethuar nga komunistë e nuk guxoja të pyesja askënd për më gjatë. Qaja çdo kohë, sa herë mbetesha vetëm. Lotët e mia ishin bërë një liqen me rrathë e sikur do të më përpinin në fund të tij. Im shoq më ndiqte me sy në çdo lëvizje. M’u duk vetja jetime. Ndjeja nevojën e një vetëpërmbajtje e fortë dhe e vendosur për të qëndruar mbi ujë. S’më ndahej nga mendja endëra që kisha parë ato ditë. Sikur më qe këputur krahu i djathtë e unë përpiqesha ta ngjisja me pe.

-Lëre , o Marie , sikur më tha dikush- nuk ngjitet krahu me pe.

Im vella që krahu im i djathtë që e humba përgjithmonë.

* * *

Ditët kalonin njëra më e zezë se tjetra. Midis meje dhe bashkëshortit qe hapur një hon i madh në mes.

Ai përpiqej të hante heshtjen me dhëmbë, por të vetëpërmbajturit ishte shumë i vështirë për të. Kur dallga e mërzisë dhe helmit u bë mal, ai u zbraz:

-Ma nxive jetën, ma nxive! E ke të gjithë rrethin familjar të përlyer me armikun!

Unë nuk flisja. Ndryshe nga ai, njerëzit e tij ishin bërë si mure mbrojtëse për mua.

Ata më donin dhe kjo më mbante gjallë. Asnjëherë nuk ma zinin në gojë familjen vetëm që të mos më lëndonin. Një ditë i vëllai, Hamiti, i tha:

-Ti nuk e meriton Marien! Ajo është fisnike dhe shumë po të duron. Lëre rehat, se e ke tepëruar!

Ai e pa të vëllanë me inat dhe iu kthye:

-Punët e mia i di vetë!

-Pa më thuaj një çikë, ç’të ka bërë?

-Asgjë! Por është reaksionare! Çfarë tjetër, duhet të më bëjë?

Unë mësova të hesht. Më qe coptuar zëmra.

* * *

Ai i ndiqte me vëmendje ngjarjet dhe ndihej i pasigurtë. Martesa me mua i kishte lëkundur pozitën në Parti dhe në shoqëri. Filloi të ankohej se ishte i sëmurë, por unë e kuptoja që nuk ishte ajo arsyeja. Ai vinte i lodhur dhe i mërzitur nuk hapej në bisedë dhe unë nuk e pyesja se ç’kishte, por nga sa dëgjoja nga të afërmit e tij, atë vazhdonin ta kritikonin se përse kishte marrë për grua një vajzë nga një derë e reaksionarëve më të mëdhenj të vendit. Këto kritika nuk ia ndanin në parti dhe në shoqëri, madje kishte edhe disa nga ata të fisit të tij. Në organizatën e partisë i bënin presion se do ta përjashtonin nga Partia. Ai filloi të lëkundej.

I pata thënë që në fillim, që ne nuk përputheshim në asnjë drejtim. Por nuk më dëgjoi.

Më pisk se aq, e kisha unë jetën. Me përjashtim të nënës sime dhe vëllezërve, i gjithë trungu familjar me farë e me fis , më kishin marrë inat. Isha e braktisur nga të gjithë. Së pari, sepse kisha vajtur në hekurudhë, dhe së dyti sepse u martova me një komunist dhe mysliman. Por sa e sa vajza kishin vepruar si unë, në të katër anët e Shqipërisë. “Por jo, thoshte opinjoni injorant,-ato për ne janë të përdala”. Si e si të njollosnin vajzat e pafajshme. Këto epitete silleshin vërdallë nëpër Mirditë.

Triskat e bukës

Krizën e bukës, mos e provofshi kurrë!

Im shoq kishte një çantë dore që ia mbaja mënd që kur punonte në komitetin e rinisë në Mirditë. Në këtë çantë me shumë xhepa mbante dokumentat e ditës dhe triskat e bukës

që u jepeshin familjeve të qytetit për dy, katër deri 6 muaj. Ato duhet të ruheshin me shumë kujdes se shteti nuk jepte dublikatë, pra mbeteshe pa bukë. Muka duke e marrë poshtë e lart çantën diku kishte lënë triskat. Kur erdhi në fshat për të më marrë mua se isha në prag të lindjes të fëmijës, më thotë:

-Ku i ke lënë triskat e bukës? 

Unë hapa sytë.

-Ato i mban ti, -i thashë.

-Kam kaq ditë që i kërkoj.

-Mendohu, se ku i ke vënë.

Ai m’u kthye dhe në prezencën e së ëmës më tha:

-Ato triska do t’i gjesh ti! Gjallë a vdekur, nëqoftëse nuk i ke zhdukur me qëllim!

-Çfarë thua, more! Iu ktheva unë,- janë buka jonë, ato janë të përbashkëta. Pa ato s’jetojmë dot asnjë ditë.

-Ti je reaksionare! Ato triska vetëm ti e di se ç’ke bërë me to. Si reaksionare që je, kaq ke në dorë të bësh kundra një komunisti!

Ishte mbushur kaq keq sa kishte humbur arsyen. Kishte filluar ashpërsisht lufta e klasave në familjen tonë. Unë me barkun tek goja, përpiqesha të mbaja veten. Isha tmerrësisht e dëshpëruar.

-Kjo që thua ti, nuk ka llogjikë, që të vdes veten për bukë. Ndërsa që jam bijë e reaksionarit, duke jetuar dy vjet me ty, dashje pa dashje jam bërë komuniste!

* * *

Horizonti për mua kish dy drejtime

Jeta po më shkonte e hidhur si duhani. Dolëm nga shtëpia dhe u ngjitëm në xhade, pranë shkollës. Aty ndaluam se duhet të prisnim për ndonjë makinë të rastit. U duk një kamjon. Ai u ngjit shpejt e shpejt dhe zuri vend. Shoferi po priste të hipja edhe unë. Muka s’e zgjati dorën të më tërhiqte, pa pyetur fare që unë isha në muajin e fundit dhe s’më linte barku të ngjitesha në atë karroceri aq të lartë. Shoferi po çuditej. Atëhere ai nxorri kokën nga kabina dhe tha:

-Ore, ose zbrit dhe ti, ose ndihmoje këtë nuse që ngjitet, nëqoftëse e ke tënden. Dhe u fut në kabinë pa e ndezur makinën. Muka gjithë inat më thirri:

-Hip lart, moj!

U përpoqa pak dhe ai shtriu dorën e më tërhoqi rrëshqanthi tek tehu i makinës. Aty pashë jo burrin, por djallin! Çudi si lindi fëmija pa cen.

Kur hymë në Kotë, “ Zbrit! më tha, -e më prit këtu se kam një punë te zyrat”.

U kthye pas një gjysmë ore.

-Tani, makina e parë që do të vijë, unë do të iki dhe ti do të rrish këtu. Dy drejtime ke, zgjidh e merr : ose shko drejt në Vlorë, por jo me mua, ose ktheu prapa në Tepelenë.

Atëhere iu ktheva:

-Unë vetëm nuk shkoj asgjëkundi! Nuk më ke marrë nga rruga! Ti, që do vrisje veten, po te mos me merrje mua!

Erdhën e shkuan disa makina. Asnjëri nga ne nuk lëvizi nga vendi. Më në fund i erdhi truri. Hipëm në një makinë dhe shkuam në Vlorë.

* * *

Motra e madhe e tij, Faria, që më donte si fëmijët e saj, banonte në një shtëpi ngjitur me tonën. Sa zbritëm nga makina u futa në shtëpinë e saj. Tek ajo gjeja ngushëllim, me atë qaja hallet që m’i shkaktonte i vëllai. Ajo si më e madhe që ish, i fliste: “Mos e mërzit Marien, se është njeri pa njeri. Vetëm ne na ka”.

Faria na jepte hua çdo tre ditë një triskë buke. Vjehrra na dërgoi një thes me miell gruri, por në kohën që e shmangëm urinë. Se fundi triskat u gjeten. Siç tha, ishin ” futur” në astarin e çantës. Dhe as që më kërkoi falje për tronditjen që më shkaktoi. “Me fal” nuk ishte në fjalorin e tij.

Pas këtyre ngjarjeve, në fund të dhjetorit më lindi Albana. Ky fëmijë erdhi në jetë si për të më larguar trishtimin dhe për të m’u bërë shoqe. Ditët e para qante shumë, por pastaj u shëndosh dhe vetëm qeshte. Duke bërë punët e shtëpisë e duke u marrë më vajzën e kaloja ditën më e qetë dhe më e gëzuar. Ishte fëmijë e bukur dhe e pastër. Para se t’i mbushte ditët erdhi dhe më mori me vete nëna e një shoqes sime. Quhej Lale Koka. Asaj i kishte rënë vajza në luftë , quhej Qeriba Koka. Lale-ja ishte tipike labe, e fortë, trime dhe e gojës. Ajo më mbajti dy javë në shtëpinë e saj, si për të më zëvëndësuar nënën që më mungonte. Lale-ja , gjithashtu ishte e motra e Lutfi Shehut, ish kuestorit të Elbasanit, që u burgos nga partia komuniste dhe vuante dënimin në burgun famëkeq të Burrelit. Laleja ishte nga ato gra që nuk pyeste për luftë klase. Ajo, pasi u njoh me mua, mori guximin të shkonte të njihte nënën time në internim në kampin e Tepelenës duke i çuar ushqime e shumë gjëra të tjera.

Nana jonë kishte një natyrë që nuk kërkonte kurrë ndihma. Ajo mbahej me dinjitet. “ Ky është fati im”- thosh gjithnjë.

Pak drite ne jeten time

—….

Një ditë, një polic i quajtur Medin, nja 40 vjeç, tek kisha dalë me Albanën në oborr më pyeti:

-Nga të kemi moj nuse?

-Jam nga veriu, thashë.

-Po, nga ç’vend?

-Nga Mirdita, u përgjigja.

-Po, si e ke llagapin?

-Melyshi.

-Po, një Nikoll Melyshi që ka punuar në këto anë, e ke gjë ti?

-Jam e bija,- i thashë.

Ai m’u afrua duke më përqafuar.

-E të keqen Çeçua! Ta dish ti moj bijë, çfarë babai ke! Ai ishte zotëri burrë. E kishte ngritur shtabin në fshatin Mazhar, aty më tutje Sevasterit. Po Nikolla megjithëse kishte ardhur me batalionin e major Dod Nikollës për punë të tjera, i dha një ndihmë të madhe njerëzve të kësaj krahine.

-Po, si?- e pyeta unë me kureshtje. Sa kohë kisha pa e parë babanë!

Medini që dukej kishte nostalgji, nxorri kutinë e duhanit dhe u ul në një gur që të vazhdonte bisedën më mua.

-Po, si ishte ngritur ky shtab?

-Ky shtab, filloi ai, drejtonte punët e mercenarëve. Babai yt, ishte njeri i ndershëm e nuk pajtohej me plaçkitjet e reprezaljet që bënin ata në jug. Orientimet i jepte major Dod Nikolla, vetë. Ai vetë vendoste me karta biankë për të vrarë shumë njerëz të komunistëve dhe për t’iu internuar familjet komunistëve. “Çudi, thashë me vete . Edhe këta si partizanët! A thua të ketë kryer veprime të tilla edhe babai im?” dhe e pyeta Medinin:

-Po babai im, a merrte pjesë në këto operacione?

-Jo, përkundrazi. Ai shkonte keq me majorin, e nuk i zbatonte urdhërat e tij. Nga sjelljet e tij mizore, majorit ju vranë shumë mercenarë dhe plani i dështoi dhe ai vetë u çmend. Kurse babai yt që unë dhe shumë sevasteras dhe shkozjotë kemi mall për të, ai kur merrte urdhëra nga ato që lëshonte Doda, bënte të kundërtën. Për tërë natën u çonte njoftim familjarëve që do të dënoheshin, që të mos i gjente mëngjezi në shtëpi. Sa familje ka shpëtuar ai! Unë vetë kam qënë dëshmitar i këtyre ngjarjeve , prandaj Nikoll Melyshi ka lënë emër të mirë në këto anë. Kështu moj bija e mikut tonë. Pastaj ai hodhi pushkën në krah dhe iku.

M’u ngroh zemra. Babai m’u shfaq në dritë, e m’u bë se më erdhi pranë.

(Albana M Lifschin , shkeputur nga libri ” Bota me nje sy”, Rrefim i nenes, 2019. Charlotte, NC. )

Filed Under: Histori Tagged With: Albana M. Lifshin, Vajze reaksionari

THJESHT ….VATRA

January 20, 2021 by dgreca

… No matter what, trenin ekspres të Vatrës të Shekullit XXI  askush nuk mund ta ndalë drejtë destinacionit!/

Nga Alfons Grishaj*/

Shumë njerëz që nuk e njohin me themel Vatrën dhe rrugëtimin historik që ajo ka bërë, e mohojnë identitetin politik të saj. Sa herë kam dëgjuar e lexuar që Vatra nuk është marrë  kurrë me politikë! Duke mos bezdisur askënd me shkrime “eklektike” e filozofike, sidomos për lexuesin e “vëmendshëm” do rekomandoja shkrimet kronologjike dhe historike të ciceronit,  kryeredaktorit të “Diellit”,  Dalip Greca. Aty do gjejnë përgjigjet e pikëpyepyetjeve, kurse dembelët dhe “dijetarët” e internetit le t’i thërrasin kujtesës së fakteve të paharrueshme, thjesht, duke evokuar dy themeluesit e Vatrës, të cilët qenë thellësisht veprimtarë politikë. Njëri, Kryeministër (Fan Noli), dhe tjetri  ambasador i Mbretërisë Shqiptare (Faik Konica).

Jo rastësisht, para se të fillonte sulmi ndaj Serbisë naziste, Presidenti Bill Klinton takimin final do e zhvillonte me lidershipin e Vatrës. Kjo tregon se statusi patriotik i Vatrës, kuptohej qartazi nga Presidenti Klinton si një status politik. Dhe ky nuk ka qenë rasti i vetëm i raportit apo i raporteve politike të Vatrës me institucionet e larta amerikane. Nëse Vatra do e kishte shmangur këtë qasje, me siguri ajo nuk do ishte marrë në konsideratë nga autoritetet e larta të Sh. B. A.

Krerët e fundit të Vatrës, Agim Karagjozi, Gjon Buçaj, Dritan Mishto deri tek kryetari  aktual, Elmi Berisha …, të gjithë veprimtarë politikë! Për të mos harruar Arshi Pipën!

Që të kuptojmë më mirë se si duhet të veprojë Vatra, është më mirë të kemi të qartë se si nuk duhet të veprojë. Për ta definuar këtë po i referohem ish sekretarit të nderuar të saj, shkrimtarit Naum Prifti, i cili shqetësohej gjithnjë se Vatra ishte kthyer në një kafe, ku mblidheshin e flitej vetëm për të kaluarën dhe për ca fletushka pa brumë, por asgjë për të ardhmen… andaj duhej një frymë e re për ta rinovuar dhe forcuar se po të vazhdohej ashtu… Vatra  do jepte shpirt! 

Vizioni i Dr. Buçaj, Agim Rexhaj etj, bëri që Vatra të hapej. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Vatra e kolosëve vizionarë, e Konicës dhe Nolit, nuk mund të mbetej një organizatë onorifike për pritje e përcjellje me interes muzeal, por si fuqi gjeneruese misionare kombëtare. 

Nëqind Vjetori i Vatrës, vërtetoi plotësisht se ajo është dhe mbetet një shtyllë e politikës kombëtare, duke mbledhur senatorë e kongresmenë, priftërinj e hoxhallarë, ambasadorë e gazetarë, akademikë e artistë etj, eveniment që u nderua dhe nga Kryeministri Shqipërisë, Sali Berisha. Një takim madhështor me një mesazh kuptimplotë!

Në  Kuvendin e Floridës, me propozimin tim u votua unanimisht, që  të shtohej në Kanunore një amendament (jo i kamufluar si më parë për vetë rrethanat e Kanunores së vjetër në ligjet e kohës): “Vatra merret me politikë kombëtare!”  

Me ardhjen e diplomatit Mishto, Vatra adaptoi një vizion të ri. Pranë saj u afruan dhe ato personalitete, të cilëve pa të drejtë u ishte mbyllur dera. U nderuan figura nacionale, si Prof. Sami Repishti, Dr. Elez Biberaj, shkrimtari Naum Prifti, Prof. Nikolla Pano, Ekrem Bardha  etj.  Kursi i ri frymëzoi dhe afroi rininë që më parë ishte skeptike. Plani kulturor me në krye Frederik Ndoci dhe Gëzim Nika solli një atmosferë të gjallë, festive. Mishto, për herë të parë krijoi një Kabinet, sipas stilit perendimor dhe shef të kësaj strukture emëroi Dr. Pashko Camaj, një personalitet me vlera intelektuale dhe nacionale, ndërsa si Këshilltar, Marko Kepi, një politikan dhe nacionalist i ri me vizion më konservator. Dielli formatoi faqen në gjuhën angleze me redaktore Rafaela Prifti.

Mbrëmja akademike e 110 – vjetorit të Diellit e kryesuar nga Dalip Greca, Fran Shkreli dhe Rafaela Prifti, tregoi se “mineralet” e Diellit janë pasuri kombëtare. Gazeta “Dielli” është e vetmja gazetë e pakicave kulturore në USA e cila, denjësisht arkivohet që nga numri i parë në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.

Takimet në Departament të Shtetit nga Mishto, më vonë nga Berisha apo dhe udhëheqës të Vatrës me politikanë të dy partive amerikane, kanë treguar dhe tregojnë se Vatra  ndjek një strategji të drejtë politike në funksion të mbajtjes e të rritjes së raporteve të ngushta amerikano-shqiptare, sipas interesave historike të  atdheut tonë. 

Le t’i hedhim një sy maratonës së Kryetarit të ri, Elmi Berisha:  firmosja e Memorandumit me Dardaninë, protokolli i takimeve me liderët politikë në territoret amtare, vizita gjithëpërfshirëse në Tiranë që përveç efekteve pozitive që pati, nxori mësime dhe detyra objektive për të ardhmen.

E kuptoj se, disa kolektorë të së keqës, të prirur ta përziejnë atë që duhet ruajtur e kultivuar me atë që është për t’u tretur, asnjëherë nuk kanë dashur ta kuptojnë rolin dhe rëndësinë e Vatrës. Dëshira e tyre është që ta paralizojnë, ta bëjnë sa më inaktive në misionin politik të saj, por fatmirësisht ndodh e kundërta, ajo po rritet dhe forcohet përditë.

Vatra si  një familje e madhe  kombëtare,  ka në rradhët e saj figura të fushave të ndryshme nga të gjitha trevat e Shqipërisë: akademikë, politikanë, mësues, shkrimtarë, gazetarë, doktorë, artistë, profesorë, ushtarakë, juristë, biznesmenë, punëtorë etj., me një dëshirë të përbashkët, ruajtjen e vlerave nacionale në diasporë. Prandaj një nga përparësitë e saj është dhe ruajtja dhe zhvillimi i identitetit gjuhësor si kushti kryesor për kultivimin e identitetit kombëtar dhe zhvillimin e  kulturës sonë edhe këtu, për çka në mënyrë konkrete, ka ngritur dhe një shkollë në gjuhën amtare bash  në selinë saj.

Çdonjëri ka të drejtë të gjykojë dhe të japë mendimin e vet qytetar, modest apo relevant për Vatrën, por jo hamendësime të dëmshme qëndisur me shpifje e penelatë bastarde.

Vatra ka që prej themelimit nga etërit e vet një mision të pandryshuar: të punojë energjikisht për realizimin e një shteti nacional shqiptar në kufijtë territorialë të Shqipërisë Etnike. 

No matter what, trenin ekspres të Vatrës të Shekullit XXI  askush nuk mund ta ndalë drejtë destinacionit! 

Autori është nënkryetar I Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Vatra

SALI BUTKA NË KONGRESIN E LUSHNJËS Sabri Godo

January 19, 2021 by dgreca

Me rastin e përvjetorit të Kongresit të Lushnjës/

SALI BUTKA NË KONGRESIN E LUSHNJËS/

 (fragment nga libri i Sabri Godos “Plaku i Butkës”)/

Në Kongresin e Lushnjës Sali Butka shkoi si delegat i Kolonjës dhe u bashkua me burrat e mëdhenj të kombit, atje ku po hidheshin themelet e shtetit të pavarur shqiptar.

Plaku shkoi në qytetin ku do të mblidhej kongresi kombëtar gati një muaj më përpara, si mik i Ibrahim Karbunarës. Ditën e 28 Nëntorit ai mbajti një fjalim në mitingun e organizuar në Lushnjë, me rastin e festës së Flamurit. 

Ja kronika e asaj dite të 28 nëntorit 1919: 

“Mëngjesi… u gdhi i stolisur me flamurë kombëtarë, i gjithë qyteti ishte në festë; në ora 10.00 u bënë tedeumet si në kishë e në xhami, mandej populli u grumbullua përpara godinës së nënprefekturës. Në këtë moment u këndua himni kombëtar… Mbasandaj doli Sali Butka, i thjeshtë në shprehje, por kuptimplotë. Saliu tha midis të tjerash: “Mua më janë vranë dy djemtë për çlirimin e atdheut, por kurrë nuk u dëshpërova, sepse ata bënë detyrën si gjithë patriotët e tjerë që ranë dëshmorë. Sot jam kryelartë, kur shoh që ëndrrat e tyre, si edhe gjithë shokëve të tyre si Spiro Bellkameni, Themistokli Gërmenji, e të tjerë, u plotësuan. Në këtë moment Sali Butka prek flamurin kombëtar me dorë dhe e puth.” ( Arkivi i Institutit të Historisë, A-V-73)

Plaku i Butkës  përshëndeti me vargje Kongresin kombëtar të Lushnjës, Këshillin e Lartë dhe qeverinë që dolën nga ky kongres:

Uronj Këshillën e Naltë

Me faqe të bardhë daltë

Dhe me një Shqipëri të plotë!

Shpirti im kështu më thotë.

Më pas Sali Butka lëshoi kushtrimin për çlirimin e Vlorës dhe Sazanit nga pushtuesit italianë me vargjet:

Për Sazanë dhe për Vlorën

Do të vritemi të tërë!”

Vargje nga libri me vjersha i Sali Butkës “Ndjenja për Atdhenë”, botuar në Korçë në shtypshkronjën “Dhori Koti”, viti 1920….

Filed Under: Histori Tagged With: NË KONGRESIN E LUSHNJËS, Sabri Godo, SALI BUTKA

KUR RRAHIN DAULLET E GJAKUT TË ARBËRIT

January 16, 2021 by dgreca

– Remzi Limani, pak fjalë mbi monografinë Djaloshi me dy zemra (Aushvici i Krushës së Madhe) nga autori Prof. Dr. Nusret Pllana, 2017

-Është e pamundur të shkruash, të lexosh, e mos të përjetosh shtërzime emocionesh shpirti ndër më të ndryshmet, nga të bëmat e Bajlozit të Zi, mbi pafajësinë e popullatës rrënjëse, ndër më të vjetrit në Gadishullin Ballkanik.

Nga, Remzi Limani/

Monografia në fjalë Djaloshi me dy zemra të autorit Prof. Dr. Nusret Pllana, e cila ka të gjitha tiparet e një romani dokumentar, kësaj radhe shtrinë dhimben e gatuar nga jargavecët barbarë mbi Krushën e Madhe, ku më 26 mars të vitit 1999, pamëshirshëm u masakruan 241 veta. Pra, atë që nuk e reprodukonte mendja e njeriut të shëndoshë, e bëri soldateska serbe në krye me Bajlozin e Zi…

Tani, vështirë është t’i mbështjellësh vragët e kohës, sepse të gjitha janë ende plagë të malcuara dhe, jo rastësisht, autori, Pllana, synarin e mendjes së tij në këtë libër e vë qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke u përbiruar nëpër shtjellat e historisë deri tek ditët e sotme – në vazhdimësi duke u marrë me sensibilizimin e kauzës kombëtare, përtej mureve të ndaluara… Pra, z. Pllana, narracionin e tij historik të tipit romanesk e fillon që nga fëmijëria, duke kaluar nëpër ëndrrat për lirinë dhe etjen për shkollimin, për ta kuptuar mirëfilli të sotmën, me të cilën kacafytemi ende… Mbi këtë bazë, autori i librit na jep shifra të sakta mbi të masakruarit, të cilët u shlyen nga sytë tanë sikur të mos ishin kurrë… Këto të dhëna, përveç të libruara, autori i vë edhe në beze filmi, për ta dëshmuar filmikisht atë që ka ndodhur mbi Tokën e Djegur, duke e shpalosur dhimbjen gjithandej botës demokratike.

Së këndejmi, i kthehemi Djaloshit me dy zemra, i cili sa rritej e lëshonte shtat prej Vigani që mund ta gjejmë vetëm në përralla, ku sytë e vashave fokusojnë dhe ëndërrojnë një  mashkull të bukur siç ishte në fakt, Blerim Nalli, protagonisti kryesor në këtë rrëfim prekës, ku pamja e tij prej një luani me pamje hyji, në kohën e tij më të bukur, ra në sytë e kanibalëve, të cilët, në kraharorin e gjërë sa bjeshka tek dëshmori, Blerim Nalli, i shihnin dy zemra dhe, pa hezituar, e morën dhe ia nxorën organet e brendshme, në brendinë e kamionit të policisë, i cili qëndronte pas kanibalëve me tërë stafin mjekësor, për t’i masakruar djemtë e ri pasiqë i vrisnin si zogjtë e pafajshëm…

Mëtej, për të bëmat e paskrupullta të dorës së zezë, do t’ua lë lexuesve, në veçanti gjeneratës së re, që edhe ata ta hetojnë dhimbjen kolektive, përmes Blerimit të Krushës se Madhe të të Madhit Ukshin Hoti

për të mos e harruar kurrë aromën e Tokës së djegur, në të cilën lindën dhe u rritën.

Së fundmi, duhet të përmendim se, Prof. Nusret Pllana, deri tash ka të realizuara 62 vepra, ca prej tyre libra autorial mbi luftën e UÇK – së, monografi, intervista dhe ekspozita fotografish mbi masakrat e kryera, të ekspozuara si artefakte nëpër shumë qendra universitare në Evropë dhe në Amerikë. Në kuadër të sensibilizimit të lufës, u shfaqën edhe shumë filma dokumentarë të shoqëruar me shumë intervista nga Prof, Pllana.

Filed Under: Histori Tagged With: Djaloshi me dy zemra, Nusret pllana, Remzi Limani

SHKOLLA SHQIPE, RIKTHIM NË VATËR

January 11, 2021 by dgreca

NXËNËSIT E SHKOLLËS SHQIPE”CHILDREN OF THE EAGLE” RIKTHEHEN NË VATËR/

Mjediset e Vatrës të Dielën e 10 Janarit 2021 u rihapën sërish për nxënësit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” nën drejtimin e Drita Gjongecaj. Për shkak të Pandemisë, mësimet që patën filluar këtu që në shtator 2020, ishin ndërprerë nën nëntor për pak kohë për t’u zhvilluar online. Të Dielën mësimi nisi sërish fizikisht dhe do të vazhdojë për cdo të Dielë, duke filluar nga ora 2.00 pm.

Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” përherë ka qenë e lidhur më Vatrën, edhe kur nuk zhvilloheshin mësimet këtu, mësueset dhe nxënësit e kanë vizituar Vatrën për t’u njohur me historinë e Vatrës, gazetës Dielli dhe shqiptarëve të Amerikës prej më shumë se një shekulli.

Kujtojmë se po në Vatër është organizuar edhe Seminari i shkollave shqipe.

Shënim: Fotografitë janë marër nga arkivi I Diellit.

Filed Under: Histori Tagged With: ”CHILDREN OF THE EAGLE”, Drita Gjongecaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 217
  • 218
  • 219
  • 220
  • 221
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT