• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ëndrrën e Demokracisë Amerikane të Branko Merxhanit për Shqipërinë e përjetuan vajzat e tij me familjet e tyre

August 14, 2021 by s p

Foto e Afrodites në moshë të re

     Nga Pertefe Leka/

     Pjesa 1

Nga jeta me shumë të panjohura e një mendimtari evolucionist, Aleksandër Branko Merxhani nga Çamëria.

Në vitin 1932, Merxhani shkroi tregimin” Gëte si një përrallë”. Po të hedhësh një vështrim nga jeta e tij mund ta përshkruash edhe jetën e tij si një përrallë. Duke parë se po zbulohen të dhëna të reja nga jeta dhe familja e tij besoj se është me vlerë për studiuesit që të vazhdojnë  kërkimet , edhe në Turqi, atje ku ka jetuar  para vitit 1926 edhe 40 vjet, pas largimit nga Shqipëria  me 1939.  Atje  ku ka botuar pjesën më të madhe të shkrimeve. Këto thërrime të mbledhura nga bashkëkohësit e tij, personalitete të njohura, nga Vajzat e tij Afrodita,Eleftheria dhe nipërit e saj ,po i plotësojnë sado pak të panjohurat rreth jetës së tij. Babai i Branko Merxhanit, ishte nëpunës (gjykatës) i Perandorisë turke në Nish. Atje u martua me një vendase, Shqiptare, ku kishin hedhur kthetrat serbët. Ai vetë ishte nga Sopiku I Pogonit, Çam I krishterë, vend,ku pretendohej prej grekërve, ndaj dominonte greqishtja. Kjo ishte fillimisht familja e Brankos me Nënë Shqiptare nga Nishi, e cila me përkëdheli e therriste Branko dhe me baba nga Sopiku I Pogonit, I cili e kishte pagëzuar djalin me emrin Aleksandër. Atje ku Aleksandri I Madh e kishte origjinen, nga Epiri, ku shtriheshin Mollosët, Çamëria e sotme(një fis i madh Pellazgo Illir, ku lindi nëna e Aleksandrit Madh.)

Pikturë e Afrodites
Foto Gasper Kici, bashkëshorti i Afrodita Merxhani Kici


 Politika antishqiptare Greko-Sllave,dominonte në të dy ekstremet e Shqipërisë dhe vazhdon edhe sot  për të tjetërsuar popullsinë autoktone mijëra vjeçare. Kur familja e Brankos u transferua në Turqi, i jati e regjistroi në një shkollë priftërinjsh gjerman në Bursa. Atje u dallua për zgjuarsi dhe përvetësues shumë I mirë I gjuhëve të huaja. Për këte drejtori I shkollës e përdorte si (Dragoman),përkthyes dhe shoqërues të vizitorve të huaj që vinin nga Gjermania në këte shkollë. Këte e spjegon Branko më së miri në tregimin “Gëte si një Përrallë “shkruar me 1932…”Një ditë më kishte thërritur drejtori si dragoman I një profesori Gjerman …..Pas 3 ditë …ditën që do të ikte nxori nga valica një libër të vogël.. Dhe shkroi : “Këte libër të vogël t’a fal për mundimin t’and dhe sjelljet e tua të fisme, miku im i vogël, po këndo-e vetëm kur të bëhesh i madh “…. Bursa 1910, Dr.Kerschen-Steiner, (Manchen)…”. Ishte Faust”-i …..Në vazhdimësi të edukimit shkollor Merxhani ndoqi jetën universitare në Turqi e Austri për filozofi, histori turke e sociologji .Kur u kthye pas studimeve në Turqi me një bagazh diturishë, u bë shpejt I njohur në rrethet e gazetarisë turke, si qytetar modern me kulturë evropiane, duke u bë kështu edhe njeriu më I afërt I Ata Turkut. Besimi që pati Ata Turku, në personalitetin dinjitoz të Merxhanit, i ngarkoi një detyrë të rendësishme që të hulumtonte disa dokumentenë arkivat austriake. Këte ftesë, e kemi mësuar nga një shkrim i Dr.Milajt shkruar në gjuhën italiane…(inviato da Mustafa Qemal a Vienna per indigare all’archivio famoso austriaco i dokumenti che avevanno revoluzioni con il governo turko.Ma verso 1926 lui si esprime solo verbalmente o per iscritto contro Ataturk per le pronuncioni gravi dati del capo della stato alkune personalita che nei primi anni della revoluzione erano stati amici fedeli del loro Comandante.Il governa di Ancara, appena informato Aveva deciso di condannare Branko…(.këte shkrim e kam marrë me fax, 1993 nga Dr.J.Milaj)
 Dokumenti I gjetur nga ana e Merxhanit, për të cilin shprehet verbalisht, bën fjalë për besniket e Ataturkut të cilët kishin përgatitur grusht shteti kundër Komandantit tyre.Për këte zbulim, qeveria e Ankarasë vendosi denimin e Brankos. I ndodhur në këto rrethana, i jati, njeriu i drejtësisë, e këshilloi të birin që të mos kthehej në Turqi, por të shkonte në Shqipëri, Gjirokastër,të kërkonte për një pronë, që kishin në Sopik dhe të qëndronte atje.
 Me 1926, Branko u kthye nga Austria dhe u vendos në pronën e paraardhësve të tij. Atje u martua me një vendase grekofone, të dy bashkëshortët nuk e flisnin gjuhen shqipe.
 Nuk vonoi shumë, pasioni i gazetarisë nuk e la të qëndronte larg atij investimi që kishte bërë ndër vite, prandaj gjeti një lidhje me gazetën “Demokratia “ të Jorgji Meksit dhe Vangjel Koça. Edhe pse nuk dinte shqip, artikujt që shkruante, ia përkthenin miqtë e bashkepunëtoret e gazetes duke përfituar prej tyre mësimin e gjuhës shqipe që e përvetësoi në një kohë rekord.Ai shihte shumë mangësi në veten e tij që të ishte një shqiptar i vërtetë,
 Prandaj shkruan : “Edukatën e parë e mora në një shkollë të priftërinjve, në Bursa.U rritëm pa gjurmën më të vogël të kulturës kombëtare dhe krejt antikombëtarisht. Duhet të përpiqemi që t’i mbushim këto të meta “…”Demokratia” 23 korik 1932. Me një vullnet të çeliktë,Branko, kërkonte nga vetja të plotësonte ato që i kishin munguar gjatë edukimit shkollor në shtete te huaja,ndaj shkruante: “Mos e humb besimin në qoftë se t’është shkrirë idea atdhetare në zëmrën t’ënde as që mund t’a besosh më, prap mund të jesh një njeri i drejtë mjaft t’i mbetesh besnik Atdheut t’ënd dhe të mos të vijë turp të përmendësh emrin e tij, Një Fe është edhe kjo. Ndërgjegjja kombëtare që të rritet dhe të ngjallet kërkon përpjekje të reja, do vepra të reja”.B.M. Ato që nuk i mësoj për vendin e vet, kur ishte jashtë Shqipërisë u përpoq t’i kompensonte me studime të thelluara në historinë e paraardhësve të tij mijëra vjeçare dhe ndjente dhëmbje për trojet shqiptare të coptuara. Branko e shikonte vetë sa   pak territor  I kishte mbetur Shqipërisë, edhe ate pjesë pjesë me popullsi të asimiluar nga fqinjët grabitqarë. I kuptonte dhe I shikonte synimet armiqësore të fqinjëve për të përvetësuar toka të tjera. Branko e ndiente thellë në shpirt përçarjen që kishin sjellë fqinjët: Nena shqiptare nga Nishi fliste sllavisht, babai nga Sopiku, zonë shqiptare e minuar nga greqishtja. Familja që krijoi me Zonjën nga Sopiku dhe vajzat që erdhen më pas nuk e flisnin shqipen….Për këte I vuri detyrë vetes të evidentonte këto padrejtësi. Plotësimin e tyre e shihte vetëm te përhapja e shkollave shqipe ndaj shkruante: “Një luftë ka filluar në fundin e shekullit të kaluar dhe një nga fitoret më të rëndësishme të kësaj lufte ka qenë shkolla e parë shqipe në Korçë….Një ditë erdhi lajmi se në Stamboll rron   …Naim Bej Frashëri, që do të shkruaj shqip dhe që thërret të bashkohen nën një flamur, gjithë shqipo-fonët e Shqipërisë tej  e përtej pa bërë asnjë dallim feje. Në Qesorat rronte Koto Hoxhi që ishte takuar në Stamboll me Naimin dhe u kthye me mendime të reja: Nuk jemi grekër,__thoshte __ jemi shqiptar, flasim shqip. Jemi shumë milion n’Epir, Labëri, në malet e Korçës, në fushat e Myzeqesë,lart Alpeve të Shkodrës dhe tutje deri në thellësirat e kufirit serb. Me grekërit na ndan, gjëja, gjuha, gjaku, lebërit janë vëllezërit tanë … Merxhani e shikonte pengesen e qeverisë turke dhe greke per hapjen e shkollave  shqipe, megjithate shkruante :” shkolla normale greke “Ta Zografia “ mblodhi 200 nxënës të Llunxhit,Dropullit,Pogonit, dhe të Labërisë orthodokse e myslimane ….kjo normale në zemër të labërisë dhe Zosimea në Janinë, në qendren e Epirit përhapnin gjuhën greke dhe mbillnin farën “Megali-Idheu-së” nën hijën e kryqit t’ orthodhok-së …por nga Zosimea e Janinës ashtu edhe nga Normalja greke e Qesoratit duallën edhe : Pandeli Sotiri, Petro Luarasi që e vazhdoi për 25 vjet rrugën e të Parit… për hapjen e shkollave shqipe, që mbaheshin nga shoqëria Drita e Bukureshtit që kryesohej nga Nikollë Naçi.Aktivitetin e tyre e përshkruan gjatë, si u flijuan për gjuhën shqipe te Illyria,Nr,42.1936 “Jemi Nacionalista !”
 Në Tiranë, qendra kryesore, ku ishte përqëndruar elita intelektuale, tërhoqi edhe Brankon, të bashkëpunonte me gazetën “Illyria” ku u miqësua me Petro Markon,..i cili shkruante :”E admiroja Brankon për karakterin,kulturën e gjerë dhe penden e tij. Ai u bë mësuesi im.. Ai mendonte për një revistë që të bëhej “shkollë”për rininë e etur për dije kështu lindi revista e përmujshme “Përpjekja shqiptare” ku bashkëpunëtorët ishin intelektualët më të shquar përparimtarë të kohës: A.Xhuvani,Lumo Skendo,S.Luarasi, L.Poradeci, Eqrem Çabej, Ernest Koliqi, N.Hakiu, V.Kokona, Sh.Musaraj……Personaliteti shumë dimensional I letrave shqipe
 Atë Gjergj Fishta, kishte shprehur kënaqësinë që ishte takuar me Brankon, në Stamboll 1930. Për Brankon, ishte një takim historik, një vlerësim, që kishte marrë, prej Atë Fishtës. Fjalët që kishte shprehur Ati i Shejtë, në ate takim, Merxhani i kishte ngulitur në kujtesë duke I lënë të shkruara : “Ah, ju jeni, pra, Zoti Merxhani ? Sa doja t’ju njihja, veçanërisht, Patër Anton Harapi shumë herë m’ka folë për ju dhe për “Demokracinë “ do t’i shkruej që ju takova .Sa do të kënaqet”…( marrë nga artikulli i K.Shtembari, 1999 “Kush ishte B.Merxhani”)
 Sa më e madhe filloi të rritej fama e Brankos aqë më shumë e shoqëronte varfëria ekonomike. Merrte shumë pak para nga shteti për  revisten që botonte, të gjitha i plotësonte vetë, bënte jetë modeste, kishte raste që i shiste edhe vetë gazetat për mbijetesë…më thoshte Prof.N.Hakiu (kolegu im në Gjimnazin Kristoforidhi) Varfërinë ekonomike të tij e pohojnë edhe Dh.shuteriqi te “Ditari”, Dr.Milaj, K.Shtëmbari,Prof Fadil Repishti etj.
 Nuk kishte asnjë mundësi ekonomike të merrte në Tiranë gruan me dy vajzat, sepse s’kishte me çfarë t’i mbante, prandaj ata u rriten me ata pak të ardhura që mund të siguronte Zonja Merxhani nga prona familjare. Viti 1939 ishte ditë e zezë për gjithë shqiptarët, e pritën më armë në dorë. Ata që ishin aktiv në organizimin e demostratave u internuan
 nga fashistët. Një pjesë u larguan, po përmend ata me të cilët u takua Branko, gjatë rrugëtimit në emigracion pasi historitë e tyre ishin shumë të ngjashme: Ishin Mirash Ivanaj me të vellanë, Martinin të parët që kërkonin armë për t’u organizuar në luftë kundër pushtuesit. Si kundërshtarë të fashizmit ikën, por gjithmonë me mendimin se do të ktheheshin për t’i shërbyer vendit vet.Duke qenë financiarisht pa të ardhura, Martini u sëmur rëndë dhe ndërroi jetë,1940. Mirashi punoi për pak kohë me Brankon në një radio – stacion në Egjipt, për Zërin e Amerikës(.Kur Mirashi u kthye në Shqipëri, për t’i shërbyer arsimit u burgos nga diktatori dhe vdiq në burg). Pas emigrimit të Ivanajve në shtëpi mbeti gruaja e Martinit, porfesoresha G.Polgioti me vajzën 6 vjeçare ,Drita. Kështu veproi edhe Branko Merxhani, i cili e mori vendimin për t’u larguar , sepse qeveria fashiste ia konfiskoi numrat e fundit të revistës “Përpjekja Shqiptare“. Ata e detyruan që ta zëvendësonte,”Përpjekja Shqiptare” me revistën “Përpjekja fashiste “. I ndodhur përpara këtij presioni Branko si shumë të tjerë ( së bashku me Inxh.Qemal Butka,Dr.D.Zavalani) u largua duke lënë në Sopik, gruan me dy vajzat e mitura, më e madhja Elefteria ishte 8 vjeçare. Ishin kohë të turbullta kur ikën, por edhe ata vetë nuk e dinin se ku do të përfundonin. Fashistët filluan hakmarrjen ndaj familjeve të tyre. Ata e bastisën shtëpinë e Ivanajve dhe Zonja Ivanaj e mbetur pa asnjë përkrahje u detyrua të largohej me të bijën në drejtim të Italisë te prindërit e saj. Po këte fat pati edhe zonja Merxhani, kur filloi lufta Italo- Greke në jug te Shqipërisë dhe luftimet po ashpërsoheshin , ajo e ndodhur pa përkrahje mori dy vajzat dhe u nis drejtë Italisë, ku u strehuan në një kamp refugjatësh në Ostia afër Romës. Atje vajzat u shkolluan, fituan gjuhën dhe kulturën italiane. Qëndrimi 15 vjeçarë në Itali bënë që vajzat të krijonin shoqëri të reja, ku u njohën me dy djem nga Shkodra, që më vonë u bënë bashkëshortet e tyre. Eleftheria ( Licia, dt.1931) u martua me Adalbert Fëkeçi kur ajo ishte 19 vjeç dhe pas 5 vjetësh lindën vajzën Cristina në prag të krishtlindjeve të vitit 1954 dhe djalin Willfrid 1958. Kur  çifti Fëkeçi emigruan në Sh.B.A.Monterey, California, morën me vete nënën, Zonjën  Merxhani, dhe motrën Afrodita,(Afro)me bashkëshortin e saj, Gaspër Kici. Të dy dhëndurët e njihnin Brankon për emrin e mirë që kishte në Shqipëri dhe e quanin veten me fat që kishin marrë vajzat e tij. Adalbert J.Fekeçi (lindur .1918, në Shkodër me baba austriak, Josif Fëkeçi dhe me nenë nga dera e Boriçve e besimit katolik në shkodër ) kishte mbaruar për Jurisprudencë në Torino, ishte edhe studiues dhe përkthyes i gjuhës shqipe. Bashkë me Gasprin,bashkshorti I Afroditës jepnin mësime shqip në “Albanian at the Defense Language Institut” në Monterey. Adalbert u bë i njohur me përkthimin në shqip të veprës së Nermin Vlorës “E nesërmja e kohës” (Romë biblioteka Casa Museo Angelo di Mario).Atë kohë N.Vlora fitoi dy herë çmimin letrar Viareggio. Me romanet Bivio dhe Ex duke themeluar kështu letërsinë feministe në gjuhën italiane dhe këto të përkthyera nga Adalbert F. Vepra e N.Vlorës “Il signore del Tempo”(“Zotëronjësi I kohës”) ishte përkthyer mjeshtërisht  prej tij……Adalbert, si atdhetar nacionalist  kishte marrë pjesë  me “Ballin Kombëtar”  ku kishte bashkëpunuar  me   Prof. Nexhat Pëshkëpia.Duke e pasë mik për zemër  për 30 vjet , ishte  pikëlluar  shumë  për vdekjen  e tij . Pas pjesëmarrjes në ceremoninë mortore  i  dedikoi shkrimin “ Nje Yll Që Ndriçoi Dhe u Shua “ ku ndër të tjera   e cilëson si njeri  të virtytshëm shpirtmadh dhe i përvujtë  por që gjenë më të shtrejtë kishte Lirine,Atdheun,Bashkimin,Vellazërimin  dhe Urtësinë  për ushqim shpirtëror. “Vdekja e rrembeu Nexhatin:Edukatorin,humanitarin,poetin shkrimtarin,Idealistin…” Adalbert shkruante  bukur me ndjenje,por si  përkthyes ishte i  talentuar. Ndërsa i vëllai ,Anton Fëkeçi (dt.1917,Shkodër )nuk e ndoqi Adalbertin  në emigrim, sepse nuk ishte përfshirë në ndonjë organizatë politike si i  vëllai  te” B.Kombëtar”.Ai ishte  mësues i italishtës në Gjimnazin e Tiranës. Megjithate, Antoni nuk i shpëtoi terrorit komunist, pa mbaruar lufta e dytë botërore, mori dënimin kapital si filoitalian së bashku me vëllezërit Kokalari e shumë intelektualë të tjerë…..Vajza tjetër e Brankos, Afrodita(Afro) e martuar me Gaspër Kici nga Shkodra, jetuan disa kohë në Monterey dhe pastaj u transferuan në Washington ku Gaspri u mirëprit te “Zeri Amerikës”. Gaspër Kici si studiues -albanolog së bashku me Hysni Aliko kishin punuar për fjalorin ‘ “Albanian English Dictionary ,English Albanian”.Ai punoi me përkushtim si shefi i shërbimit në gjuhën shqipe te VOA, ku I ndihmoi shumë gazetarët e rinj dhe i mbështeti me dashuri atdhetare pasuesit e tij, si Elez Biberaj,Frank Shkreli ,Izabela Çocoli …. Me Afroditën jam njohur në vitin 1995, kur gazeta Illyria, botoi një shkrim timin”Vizionet e një publicisti të viteve 30të” Ajo më telefonoi e entuziazmuar sapo kishte lexuar artikullin në fjalë dhe më tha:Jam vajza e Branko Merxhanit.Që nga ajo ditë kemi këmbyer mesazhe me Afron prej së cilës kam mësuar shumë të reja që nuk diheshin më parë, as edhe nga studiusit e veprimtarisë së Merxhanit. Prej saj mësova emrin e vërtetë të babait saj,Aleksandër, të cilin Nena e tij me origjinë nga Nishi e thërriste Branko. Prej saj mësova se nëna e Afros  ishte nga ekstremi tjeter i Shqipërisë nga Sopiku i Pogonit. Të dyja si gjyshja e Afros (nëna e Brankos ) nga Nishi , nga ekstremi verior dhe nëna e Afros nga Çamëria ishin asimiluar nga politikat shoveniste të fqinjëve barbar . Kur ia dërgova Afros letren e Dr.Milajt, të shkruar italisht,”Cenni Biografici di B. Merxhani “ajo u habit kur mësoi shkakun e ardhjes të Brankos në Shqipëri, kur Ai ishte ithtar i Ataturkut, dhe që kishte shkuar disa herë në Turqi edhe pas kësaj ngjarje?! ( Hello Pertefe, thank you very much for this prompt delivery of the document of Zoti Milaj As i mentioned yesterday on the phone, most of it is new to me. I always thought that he, my father admired Mustafa Kemal than how could back to turkey shortly after he came to Albania while he was in danger, condannato on his return) Me të drejtë Afro e shpreh habinë për këte dokument, por edhe kjo do të marri rrugën e zgjidhjes pozitivisht si shumë të panjohura të tjera që ishin enigëm deri tani. Këto që janë shkruar më sipër,kanë pak rëndësi, përpara trashigimisë që ka lënë në publicistikë për albanologjinë, jashtë Shqipërisë, të cilat akoma nuk janë përmbledhur. Sipas N.Alpan janë me vlera bashkëkohore dhe udhërrëfyes për njësimin e Shqipërisë me vendet e qytetëruara. Publikimi I të dhënave nga Afro dhe dokumenti i Dr. Milajt më lidhën me shumë studentë të U.Sh.T. po përmend ato me të cilat kam komunikuar me email si Besmira Pelushaj Pelinçi e cila kishte si Temë “Veçoritë gjuhësore në shkrimet e B.M…..”. VIJON NESËR

Filed Under: Histori Tagged With: Aleksander Branko Merxhani, Branko Merxhani, Pertefe Leka

GURËZI NDERON MARTIRËT

August 13, 2021 by s p

Nga Gjok Bici

Kisha e Zojës së Këshillit të  Mirë në Gurëz ka përjetuar një përsekutim të gjatë në periudhën  e regjimit komunist. Priftërijtë që shërbyen në këtë kishë qenë personalitete të njohur në shërbim  të komunitetit katolik  në famullinë tonë e në rang kombëtar.

Për këtë veprimtari  të  spikatur ata nuk i shpetuan  vëmëndjes  së  rregjimit  të  kohës duke i burgosur, internuar e pushkatuar. I kam  njohur personalisht të gjithë priftërinjtë e murgeshat që shërbyen në Gurëz apo morën  rrugën  e meshtarisë  nga  Kisha  e Gurzit. I pranishëm  në  gjygjin  e Dom Shtjefën Kurtit (i Lum ), kujtoj komunikimin e gjygjtarit me  dom Shtjefnin ”I pandehur, ne  i mbyllëm kishat, e do ti shëmbin ato, çka thua, pse nuk po të ndihmon zoti që ti predikon? Përgjigjja e dom Shtjfnit: Zotni gjygjtar, për një gja jam shumë i sigurtë se këtu do ngrihet një kishë e re shumë ma e bukur se  kjo që do shëmbni ju. E kam përmëndur shpesh parashikimin e dom Shtjefnit ,.Në  Gurëz  eshtë  ngritur  nje kishe  madheshtore. Dom Shtjefnit iu ba gjygj publik në Gurëz, në  kishën që kishtë ndërtuar vetë, me ndihmën e bashkëpunimin e Gurzakëve. Ai deklaroi se ka luftuar e do luftojë sa të jetojë për fenë e Krishtit e për këtë u dënua me pushkatim. Dashtë zoti të gjënden eshtrat e tij e të ketë një varr ku të afermit e miqt e tij të luten e të vëndosin lule. Dom  Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Prek Preka, shugurohen priftërinj me 2 shkurt 1946 nga Imzot Vinçens Prenushi (i lum). Dom Zefi e Dom Marku si rrallë kush kanë fate të përbashkëta. Punuan bashkë në Tiranë, Shkodër, pasuan njëri- jetrin  në Zhejë  e Mërqi. I përzunë nga  kishat  që shërbenin në një datë. Dom Markut i mbyllin  kishën  në Gurëz, me 12 shkurt 1967, e dom  Zefit në Mërqi të Lezhës. Arrestohen  në  një  ditë, korrik 1968, hetohen  nga  i  njëjti hetues, u  bahet gjygj  publik në Shkodër, dënohen nga i njëti gjygjtar me pushkatim, pushkatohen nga i  njëjti vrasës, mbulohen të dy bashkë në një gropë rrëzë një kanali në Dobraç të Shkodrës. U rivorrosën me një ceremoni kishtare ne vitin 1993, në kriptën e Katedrales së Shën Palit në Tiranë. Të njëjtin fat pati edhe dom Preka. Arrestohet e dërgohet në burg në Krujë. Të djelën  e larit me 29.04.1977 e dërgojnë të mbushë me ujë një gropë gëlqerje , e ”aksidentalisht ” gjëndet  i  mbytur në gropën e gëlqeres. Pasi shërbeu për shumë vitë si prift i Gurzit, dom Anton Doçi , prifti i specializuar për gjuhësi, e përballoi me shumë vështirsi jetën në Gurëz, pasi ishte ndërprerë çdo mundësi ndihme nga besimtarët. Arrestohet e dënohet me shumë vite burg, të  cilat  nuk i mbaroi se vdiq në burg. Edhe për seminaristët Gjergj Bici  e Ndoc Vata fatet qenë të njëjta. Arrestohen të dy në Janar 1946, e nuk arijnë të shugurohen priftërinj. Dënohen, fillimisht me pushkatim, por u falet e jeta e bajnë nga 18 vite burg. Gjergji pasi punon si marangoz, arrestohet  e denohet përsëri  me 10  vjet burg  për  agjitacion  e propogandë. Vdes  në  internim  ne Fishtë të  rrethit  Shkodrës. Ndwrsa Ndoci punon si puntor krahu deri sa vdes në vitin 2004. Me vendim të qeverisë shqiptare në janar 1946 mbyllen të gjitha kuvendet e murgeshave në Shqipëri. Kthehen në familjet e tyne Motër Marta Miri, Moter Drane Vushaj, Motër Gjule Maçaj, Motër Mrike Metaj. Motër Age Uci, kishte studjuar ne Breshja të  Italisë e shërbente atje. Mbyllja   kufijve e la në Itali. Ka shërbyer, ka vdekur  e është vorrosur në Breshia. Pllaka përkujtimore  u  realizua me pagesat e të afërmëve të martirëve. Dua të falënderoj të gjithë ata që banë të  mundur  realizimin e montimin e sajë. Falënderoj Nanën Gjenerale të Motraave Baziliane, Motër Elenën (Lulashi), Klaudet e Lek Bici, Prof Angjelin Shtjefni, kryetar i shoqatës së Intelektualëve Katolikë të Shqipërisë, mik i Dom Zef  Bicit, Zotni Nikolin Kurti, Zotni Lodovik Doçi, Zotni Gjergj Luli, Zotni Nikoll Bici, për shumë shërbime të bame. Falenderoj At Pasqualen, Motër  Emën, Pnëtorët që e montuan. Firmën ”Gjeçi” për shkrimin, vëndosja e kësaj pllake  përkujtimore, ishte një detyrim moral që banorët e famullisë së Gurzit, kishin për këta priftërinj e murgesha që shërbyen në Gurëz, u lindën e filluan rrugën e meshtarisë prej kësaj kishe të bekueme. Ky përshkrim i shkurtër i jetës së këtyre martirëve, është një grimcë e aktivitetit tyre fetar e atdhetar, që në kushte shumë të vështira, të ndjekur në çdo hap nga ish-sigurimi i shtetit, u banë luftëtarë të pamposhtur për Fenë e Krishtit e Atdheun e tyre të dashtun. Do kujtohen gjithmonë nga populli i Gurzit.

Filed Under: Histori Tagged With: Gjok Bici, Nikolin Kurti

GJENOCIDI SERB NË SHQIPËRI- 1913

August 9, 2021 by s p

Shkruan: NIKË GASHAJ/

 MASAKRAT E POPULLËSISË CIVILE-Në maj 1913 Fuqitë e Mëdha u kërkuan trupave serbe e malazeze të tërhiqeshin nga Shqipëria Qendrore dhe Veriore të pushtuara prej tyre. Serbia, nga zemërimi që po humbte portet e Shkodrës dhe të Durrësit, la pas një vazhdë shkatërrimesh gjatë tërheqjes së trupave të saj. Ashtu që në shtator 1913 shpërtheu një valë e re mizorish. Më 20 shtator ushtria serbe mori me vete të gjithë gjedhët e Malësisë së Dibrës. Barinjtë u munduan të mbroheshin dhe luftuan, por u vranë të gjithë.

Serbët vranë gjithashtu dy prijës të fisit të Lumës, Mehmet Ademin e Xhafer Elezin, dhe nisën të plaçkitnin e të digjnin të gjithë fshatrat që hasnin gjatë rrugës(dhjetë). Në të gjithë këta fshatra serbët kryen akte masakrash të tmerrshme dhe dhunime grash, fëmijësh e pleqsh… Duke hyrë në fshatrin e Porçasit, ushtria serbe i nxori të gjithë burrat jashtë fshatit dhe pastaj dërgoi atje gratë që t’u merrnin para si shpërblim për lirimin e tyre; burrat e gjorë i kishin mbyllur në xhami, të cilën e hodhën në erë me katër predha. Në fshatin e Sulpit 73 shqiptarë pësuan një vdekje të tmerrshme , kurse 57 të tjerë nga fshati Çolopek u vranë në mënyrë të shëmtuar. Prefekti i Krushevës i kërkoi ushtrisë serbe haptas që të digjnin të gjitha fshatrat në ndodheshin midis Krushevës dhe Ohrit.

Në një letër të një ushtari serb , që u botua më 22 tetor të atij viti, thuhet: Nuk kam kohë t’ju shkruaj gjatë, por do t’ju tregoj për gjërat e tmerrshme që po ndodhin këtej. Jam tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten se si mund të bëhet njeriu kaq barbar, sa të kryejë mizori të tilla. Është e tmerrshme. Nuk ma mban të them më shumë, por mund t’ju them se Luma (një fshat shqiptar anës lumit me të njëjtin emër),  nuk ekziston më. Nuk kanë mbetur veçse kufoma, pluhur e hi. Ka fshatra me 100, 150 dhe 200 shtëpi, ku nuk gjendet më këmbë njeriu. Njerëzit i mbledhim në tufa me nga dyzet a pesëdhjetë vetë dhe pastaj i shpojmë me bajoneta deri tek i fundit(Edwin Jacques: Historia e Popullit Shqiptar nga Lashtësia deri në ditët sotme, Carolina, USA, 1995, f. 379). Bie erë plaçkitje gjithandej. Oficerët u thanë ushtarëve që të shkonin në Prizren e të shisnin gjënë e vjedhur. Gazeta që botoi këtë letër shtonte: “Miku ynë na tregon  për gjëra më  të frikshme se këto(!), mirëpo ato janë aq të tmerrshme dhe sfilitëse,  saqë preferojmë të mos i botojmë”. Atë tetor një ushtri serbe prej 60.000 vetësh shkretoi krahinat e Dibrës, Strugës, Liqenit të Ohrit dhe Gollobordës në Shqipërinë Qendrore, si  edhe Gashin, Krasniqin e Valbonën në veri. B. Peel Uillet, një agjent i ndihmës amerikane, shkroi një raport rreth vëzhgimeve të tij. Në Shqipërinë Veriore trupat serbe shkatërruan njëqind fshatra pa paralajmërim, pa asnjë provokim dhe pa kurrfarë arsyeje…12.000 shtëpi u dogjën e u hodhën në erë, 8.000 bujq u vranë ose u dogjën të gjallë, 125.000 mbetën të pastrehë. Të gjithë bagtinë e rrëmbyen. Kështu bënë edhe  me drithërat e sapokorrura. Bujqit, si kafshë të përndjekura, merrnin arratinë për në Elbasan, Tiranë, Shkodër e fshatra të largët. Tani sa jam kthyer nga një udhëtim , përmes këtyre zonave të goditura. Pashë fshatra të rrënuar dhe shtëpi të djegura ose të hedhura në erë. Pashë refugjatë të uritur. Pashë gra e fëmijë që vdisnin nga uria.

              Komisioni Karnegi përmblodhi vëzhgimet e tij si më poshtë:

Trupat e rregullta serbe nuk lanë gjë pa bërë, që nga dita e parë kur pushtuan Shqipërinë, me qëllim që t’i detyronin banorët të linin kombësinë e tyre ose të shtypnin me egërsi racën shqiptare. Shtëpi e fshatra të tërë u bënë shkrumb e hi, popullsia e pafajshme dhe e paarmatosur u masakrua në masë, u kryen akte të shëmtuara dhune, plaçkitje dhe mizorie, – të tilla ishin mjetet që përdorën dhe vazhdojnë të përdorin ushtarët serbë, me qëllim që të transformojnë rrënjësisht karakterin etnik të rajoneve të banuara dikur vetëm nga shqiptarë.

Kjo luftë shfarosëse e sërbëve përgjatë kufirit verior të Shqipërisë u përshkrua edhe nga Edit Durham, bamirësja britanike që kaloi vite të shumta midis fiseve të malësisë.

Një shqiptar, të cilit i ra rruga nga Podgorica, deklaroi se në vilajetin e Kosovës në shumë vende toka ishte mbuluar me trupat e grave e të fëmijve dhe se kishte parë një gjymtyrë që ende përpëlitej mbi tokë.

Një oficer serb ishte mburrur gjithë gëzim: “ Fisin e Lumës e shfarosëm. “ Pastaj ai përshkroi masakrën e paparë të burrave, grave e fëmijëve, si edhe djegjen e fshatrave. Oficerët serbë kishin rënë në ujdi që “kur vendi të bëhet sërish i yni, nuk do të ketë më asnjë këmbë myslimani”.

Mirëpo, më 7 nëntor 1913 Austria dhe Italia u kërkuan serbëve që të evakuonin tokat shqiptare të pushtuara, kështu që ata, pa dëshirë, u tërhoqën në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Disa muaj më vonë, më 28 qershor 1914, një nacionalist serb e shfryu zhgënjimin e tij të thellë duke vrarë Princin Austriak, Franc Jozefin, në Sarajevë. Kështu, falë ngathtësisë së Evropës në trajtimin e çështjes shqiptare, fuçia e barutit në Ballkan shpërtheu në një Luftë Botërore.

Përfundim: Serbizmi i madh është i gjallë, madje dhe në ato momente kur duket se nuk ka kurr fare shansë për të mbijetuar, e jo më për tu zbatuar. Sot jemi dëshmitarë, se funkcionarët e lartë të Shtetit të Serbisë dhe të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë parashtrojnë  idenë dhe projektin e tyre politik: “Bota Serbe” apo “Serbia e Madhe”. Idetë e tilla nuk kanë të bëjnë me një politik reale, por mitologjike, për çka nuk ka shërim. Për ithtarë të tillë pushtimi i tokave të huaja është detyrë e shenjtë dhe njëheri është arsyeja e vetekzistencës së tyre. Ideja e Serbisë së Madhe sikurse një sëmundje epidemike ekziston dhe mbijeton tashmë disa shekuj dhe se gjithmon çfaqet në kohën kur për atë arrihen kushtet e volitshme. Ajo mund të kapërcej dhe gjenerata, periudha të tëra, por kurr në të vërtetë nuk shuhet apo vdesë. Një konkluzë të tillë më së miri e vërteton dhe hisoriania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, e cila ndër të tjerat thotë: “ Serbia është e lodhur nga luftërat për pushtimin e territoreve të huaja. Brenda 125 vjetësh, ajo ka luftuar çdo 14 vjet… Sot, kur një orientim i tillë do të duhej të përfundoj dhe kur një model i tillë politik do të duhej të jetë i zbrazur, bëhet e qartë se është e nevojshme të ndryshoj ajo që quhet mentalitet. Mirëpo, parashtrohet pyetja: a mund të ndryshoj fare mentaliteti serb? Unë e pranoj se vetë po përmballe gjithnjë e më tepër me këtë pyetje, por akoma nuk kam përgjegje?!

Filed Under: Histori Tagged With: Genocidi serb, Histori, Nike Gashaj

Kur Turqisë i jepnin dritë Shqiptarët: Poeti, Mistiku, Mendimtari dhe Politikani Liberal, Riza Tefik Bylykbashi

August 9, 2021 by s p

C:\Users\Admin\Downloads\229605380_341149724387286_6969380955945642573_n.jpg

 

© Melsen Kafilaj 

      (Studiues)

Nga gjiri i kombit shqiptar kanë dalë me dhjetra figura të shquara të cilat kanë bërë historinë e kombeve të tjera, qofshin këto në Orient apo Oksident.Njëri prej tyre është padyshim edhe Riza Tefik Bylykbashi ose i thirrur ndryshe edhe si “Filosof Rizai.”

I lindur në vitin 1869 në Bullgari prej një babai Dibran, Mehmetit dhe një nëne Çekreze, Mynires familja e tij do të largohej prej andej dhe vendosej në Stamboll.Filloren ai do ta kryente në Shkollën Hebraike “Sion” të Stambollit, që drejtohej nga Aleanca Universale Izraelite (Alliance Israélite Universelle) ku i ati shërbente si mësues i persishtes dhe arabishtes kurse gjimnazin në Gallata.Ndërsa përsa i përket arsimit të lartë, ai do të rregjistrohej fillimisht në të famshmen “Mekteb-i mülkiyye” por për shkak të temperamentit, “kokës së nxehtë prej shqiptari” dhe ideve të tij liberale do ta pezullonin prej andej për “thyerje disipline”. (Rizai kishte marr pjesë në një sërë protestash studentore, botonte ilegalisht një gazetë politike dhe lexonte gjithashtu një duzinë autorësh të ndaluar rreptësisht prej kësaj shkolle) Më vonë ai do të ndiqte Shkollën Perandorake të Mjekësisë (“Mekteb-i Tıbbiye-i Mülkiye-i Şahane”) ku do të dilte prej saj i laureuar në këtë fushë në vitin 1899.

Rizai kishte një interes të thellë për njohjen e botës njerëzore.Për këtë qëllim ai iu vu studimit të filosofisë, misticizmit, letërsisë, sociologjisë, etj.Gjithashtu ai ishte një poliglot i afirmuar.Krahas shqipes për të cilën krenohej se ishte gjuha e tij e gjakut, fliste turqisht, hebraisht (Ladino), spanjisht, italisht, greqisht, anglisht, frëngjisht, persisht, arabisht dhe armenisht.Ajo ç’ka vlen për tu theksuar është fakti se kontakti i tij me Sufizmin dhe misticizmin islam ishte mjaft i hershëm.Qysh në rininë e vet ai kishte frekuentuar disa rrethe sufiste midis të cilëve edhe “Dervishët Rrotullues” të Urdhërit Mevlana dhe i kishte lexuar “Masnavitë” e Rumiut në persisht.Më vonë ai u bë pjesë e Urdhërit Bektashi dhe mbante edhe titullin fetar “Baba”.Rizai ishte i famshëm për poezitë me tematikë mistiko-spiritualiste (tekke edebiyati) të cilat këndoheshin prej dervishëve të urdhërit në fjalë.Ai gjithashtu kishte përkthyer edhe “Rubaitë” e Khajamit në turqisht.Stili i tij poetik me kalimin e kohës do të ndryshonte, sidomos pas Lëvizjes për Literaturë kombëtare (1913) duke marr më tepër trajtë, ritëm, fjalor dhe frymë popullore.Madje një poezi e shkruar me këtë lloj stili, “Fluturoni zogj, fluturoni” (“Uçun kuslar, uçun”) tashmë është bërë mjaft e njohur si këngë në Turqi, falë edhe interpretimit mjeshtëror të këngëtarit Ahmet Kaya.

Në lidhje me botëkuptimin e tij filosofik pohojmë se ai kishte një natyrë sintetike.Filozof Rizai e njihte në mënyrë të përkryer historinë e mendimit filosofik perëndimor, atë lindor dhe misticizmin islam ndaj shkrirja, amalgamimi apo edhe mpiksja e këtyre elementeve në shkrimet e tij tregojnë për rolin e tij vizionar si urëlidhës kulturor dhe emancipues mendor brenda një Perandorie anakronike dhe konservatore.Madje ai e kishte zakon që të thoshte se  Parimi i Absolutes (një koncept qëndror në filosofinë e tij) është esencialist i njëjtë  si tek Ibn Arabi, Herbert Spencer po ashtu edhe tek Henri Bergson. Gjatë periudhës 1914-1922 ai kishte shkruar mbi 50 artikuj në këtë lëmi.Një vepër e shkëlqyer e cili e bëri atë të famshëm në rrethin e Orientalistëve Perëndimor është padyshim “Étude sur la Religion des Houroufis”, një studim ky i cili u kushtohej Hurufive, një sekt mistik gjatë Shek.XIV-XV dhe ndikimit të tyre në Poezinë Osmane.Një fakt interesant që do të doja të shtoja është se elemente nga doktrina mistike e këtij sekti vihen re edhe tek përmbledhja poetike “Lulet e Verës” e poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri.

Filozof Rizai gjatë jetës së vet shkroi një larushi veprash filosofike, që varionin që nga metafizika dhe ontologjia e deri tek estetika, etika dhe historia e ideve.Eshtë me vend që të përmëndim këtu disa prej tyre. Kështu psh, “Felsefe Dersleri”(Leksionet Filosofike) është përmbledhja e materialeve që ai jepte si mësues i filosofisë në shkollën e mesme “Rehber-i Ittihad-i Osmani” në vitin 1913. “Darülfünun Ders Notlari” (Shënimet e Ligjeratave Universitare) përfshin 4 leksione të mbajtura nga ana e tij gjatë kohës kur ishte profesor i filosofisë në Universitetin e Stambollit. “Bergson Hakkinda”(Mbi Bergsonin) i kushtohet mendimit filosofik të këtij mendimtari të madh francez. “Ömer Hayyam’ın Felsefesi”(Filosofia e Omar Kajamit) është një tribut “për këtë kampion të mendimit të lirë” siç do ta quante Noli ynë. Ndërsa vepra e jetës, edhe pse nuk u përfundua dhe rreshti tek gërma “C” mund të themi me plotë gojë se është padyshim “Mufassal kāmūs-i- felsefe” (Fjalor i Detajuar i Filosofisë).Kjo vepër jo vetëm e shpërfaq atë si një figurë me kulturë enciklopedike por gjithashtu hedh bazat për njëhësimin e terminologjisë filosofike dhe shkencore në botën turke.

Por ndërsa jeta intelektuale e Riza Ishraqi-t (“Të Ndriçuarit”) qe më e qetë dhe më produktive, ajo politike do të ishte e stuhishme, e trazuar dhe me të përpjetat e tatëpjetat e saj…Në vitin 1907 ai do të bëhej pjesë e Komitetit për Bashkim dhe Përparim (“İttihat ve Terakki Cemiyeti”), ky i fundit i themeluar gjithashtu prej një tjetër shqiptari, Ibrahim Temos.Ai do ti ngjiste shpejt shkallët e politikës dhe pas mbështetjes së Revolucionit Xhonturk më 1908 do të zgjidhej në parlament si deputet i Edirnesë.Ai do të ishte gjithashtu njëri prej anëtarëve të Këshillit Suprem të të Nëntëve vendimi i të cilit çoi edhe në ngritjen e “Dritës së Madhe të Stambollit” (1909). Më 1911 Rizai do të largohej prej “Komitetit” dhe do të ishte në radhët e themeluesve të Partisë opozitare për Liri dhe Marrveshje (“Hürriyet ve İtilāf”) Me kryesimin e partisë së tij ai do të shërbente 2 herë si ministër; Ministër i Edukimit dhe i Postë-Telegrafit (1918-1919).Ndërsa gjatë viteve 1919-1920 do të ishte senator dhe 2 herë drejtues i Senatit Turk.Duke pasur këtë post, ai do të ishte edhe një prej firmëtarëve të Traktatit të Sevrës (1920) i cili do të vuloste ndarjen dhe administrimin ndërkombtar të Perandorisë Osmane.Duke qënë se Rizai ishte gjithashtu një kritik i ashpër i politikës së Ataturkut, ky i fundit duke e pasur kundërshtar e shfrytëzoi këtë rast dhe e vuri atë në listën e “150 të Padëshiruarve”, duke përdorur ostracizmin politik “ndaj tradhëtarëve të interesit kombëtar të Turqisë” siç i quante ai në një fjalim.

Kështu që nga viti 1922 deri në vitin 1943 kur do ti jepej amnistia, Rizai do të provonte bukën e hidhur të emigrimit në disa vende si Qipro, Hixhaz të Arabisë Saudite, Oman, Jordani, Liban, etj dhe ai që do ta nxirrte përherë nga balta do të qe intelekti i tij brilant.Kështu psh, gjatë qëndrimit të tij në Oman, Emiri Abdullah do ta emëronte si Drejtor të Arkeologjisë të Sulltanatit. Ndërsa në Jordani, Dinastia Hashemite do ti besonte atij Bibliotekën dhe Muzeun Historik Kombëtar.Ai do të ndahej nga jeta në Stamboll në vitin 1949.

Teksa Filozof Rizai nuk njihet ende në vendin tonë, mendova që të përcjellë sot atë lutje shqip që më bën prej vitesh: “Më lini të flas pak!” 

                            © Melsen Kafilaj 

                              (Studiues)

Filed Under: Histori Tagged With: Histori, Melsen Kafilaj, Riza Tefik Bylykbashi

Gazeta e Kosovës Rilindja nuk u ndal as kur u ndalua nga Serbia

August 7, 2021 by s p

-Para 31 vitesh, në 8 Gusht 1990, gazeta tradicionale Rilindja – e vetmja e përditshme shqiptare në atë kohë në Kosovë, nuk doli, natën ishte ndaluar dhunëshëm në shtypshkronjë nga forcat okupatore të Serbisë, që kishin vendosur shtetrrethim. Por, gazeta historike Rilindja edhe kur u ndalua nuk u ndal…/

-Gazeta  Rilindja, edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme,  arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare/

-Nga arkivi: Vlerësimi dhe përkrahja e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për Rilindjen edhe në intervista ekskluzive;  Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 të Pavarësisë së Kosovës; Rilindja në 30 Dhjetor 2008: Mesazh atyre që duan kufirin në Mitrovicë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 7 Gusht 2021/ Para 31 viteve edhe helikopterët e forcave okupatore të Serbisë me fluturime mbi Pallatin Rilindja – shtëpinë e gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja ishin pjesë e shtetrrethimt.   Në 8 Gusht 1990, gazeta  Rilindja – në atë kohë e vetmja e përditshme në gjuhën shqipe e Kosovës nuk doli, natën ishte ndaluar dhunëshëm në shtypshkronjë, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën, e edhe pas ndalimit nuk u ndal…

As nuk ishte ndalur, gazeta Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunëshme të Serbisë, që e përfshinin edhe ate në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunëshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunëshme të Serbisë. Masat e dhunëshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte Pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës. Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës. “Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti. Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990. Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”… Në ditën kur Serbia ia ndaloi Kosovës gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe Rilindja bëja edhe një shkrim rezistence e proteste. “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Me reportazhin e shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova në Pallatin Rilindja dhe pasi e daktilografova me makinë shkrimi nga redaksia e gazetës ngjita shkallëve të kateve më lart për te kryeredaktori i revistës për kulturë Fjala, Milazim Krasniqi.  I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve) t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte. Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord. Botimi i shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës së ndaluar Rilindja që e nisi së pari revista Fjala me shpeshtime daljesh edhe si gazetë vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare. Fjala, Shkëndija, Kosovarja, Bujku e të tjera revista ishin të Ndërmarrjes së Revistave, që ishte një nga gjashtë ndërmarrjet sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, pjesë e së cilës dhe më e madhja ishte Gazeta Rilindja. 

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Rilindja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 221
  • 222
  • 223
  • 224
  • 225
  • …
  • 709
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT